• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjykime,dënime, ikje, kërcënime, ç`po ndodhë vërtetë në Kosovë?!

March 1, 2015 by dgreca

Nga Gani Qarri/
Mjerisht, ne si popull kemi ardhë në një gjendje të tillë tragji-komike sa që nuk di njeriu ç`të bëj më parë, të qaj apo të qeshë me shqiptarët. Askush nuk mund të provojë ato që ndjejnë dhe përjetojnë ata. Blerim Kuqi arrestohet dhe dërgohet në burgun e Kleçkës për ekzekutim. Akuzohet si “dezertor e spiun i pushtetit serb!”
Gjykimi i shpallur nuk ishte çka-do-punë!…madje hiq më pak se “Dënim me vdekje – pushkatim!”
Gjykatësi i rastit makabër përdorë ligjet serbo- jugosllave për dënimin e “bashkëluftëtarit” thërret edhe familjen e të dënuarit, shqiptar, Babain dhe Nënën e tij që të “hallallshiten” për herë të fundit me të birin e dënuar nga një “shqpfolës” me kodet penale të ligjeve serbo-jugosllave!
Është shkruar (I.Z) se të dënuari-it, i shpëtoi fati nga një konfrontim i papritur me forcat e pushtuesit, me ç`rast do të ikte edhe vet “gjykatësi” me librat e ligjeve serbe në dorë, të cilat i shërbenin për dënimin e shqiptarëve me vdekje. Madje, pa asnjë mahi apo fare pa shaka, atë do ta pasonin “trimërisht” edhe ekzekutorët “sy-patrembur” me pushkët e ngritura për të vra, jo armikun por bashkëkombësit e vet.
Kështu mbijetuan ata që prisnin radhën e ekzekutimit, për ç ‘gjë me siguri atëbotë do të fliste gjatë e përsëriste shpesh në lajmet e saj alla-serbçe, edhe Hajrije spikerica, të cilën për çudi, asnjëherë nuk u dëgjua që “sokolat” e tillë, ta kenë dënuar qoftë edhe në mungesë.
Të gjitha këto ndodhnin nga frymëzues të përçarjeve politike dhe udhërrëfyes të vrasjeve ndër-shqiptare, sjellje me të cilat “kadinjët” e sojit, në vend se ta luftonin, me dënime si këto, e ndihmonin drejtpërsëdrejti pushtuesin.
Në burgjet e vendosura katundeve nga “sokolat”si ky, aty ku ndiheshin zot të përkohshëm, bënë kërdi edhe për zënka personale.
Ata tradhtuan ëndrrën e shqiptarëve për liri, dhe shkelën me të dy këmbët mbi idealet e luftës çlirimtare duke e kthyer atë në kampanjë vrastare ndërmjet shqiptarëve, dhe lënë plagë të hapura të cilat ende nuk po gjejnë shërim, në këtë vend.
Madje, “ekzekutuesi” i kodeve serbe për dënimin e shqiptarëve me vdekje, provokon edhe sot, derisa kokë më vete, në gungat e së cilës ndoshta numërohen shpirtrat e të dënuarve pa faj, deklaron hapur dhe në mënyrë publike, se ushtarët si Blerim Kuqi, gjatë luftimeve kundër Serbisë, ai vet i dënonte me vdekje, sipas kodit penal serbo-jugosllav.
Për çudi, këso gjykimesh, ky “jurish-jurist” sillte mu atëherë kur edhe pushtuesi me po të njëjtat ligje, kishte dënuar një popull të tërë me vdekje dhe shfarosje, kohë në të cilën kërkohej që të gjithë shqiptarët e veçanërisht udhëheqësit “sokola” të shquheshin në mbrojtjen e popullsisë së pambrojtur me të cilën forcat e pushtuesit luanin si donin, që nga masakrimet deri te përdhunimet publike, derisa “sokoli i jakovës”, fatkeqësisht merrej me dënimin e ushtarëve të lirisë, të cilët ndoshta ende detyrohen të heshtin si puna e Blerim Kuqit.
Ndaj, edhe nuk është fare çudi ,nëse thirren “dobrovolca” edhe “sokolat” si ky me përvojë jugosllave, në gjykatën speciale, për sqarime të paktën mbi mënyrën e dënimit të shqiptarëve me ligjet serbe, i cili për ndryshim nga koha e komunizmit, në pamundësi për ti quar në Tivar për pushkatim si paraardhësit e tij, ai i dënonte ata vet dhe aty për aty -me vdekje, gjithmonë sipas ligjeve penale serbe!
Hajde patriotizëm, hajde….
Dënime me vdekje për bashkëkombësit!… sipas kodit penal “jugosllav” ekzekutoheshin shqiptarët, në luftë?!….
Po ku kishte ligje jugosllave, sidomos sa i takon dënimit të shqiptarëve, ato që të gjitha ishin modifikim i kodeve penale të Serbisë.
Por, kush i porosiste këto dënime? Serbia me ligjet e secilës ai ndante “drejtësinë” kurse Kosovën përdorte vetëm si vend kamuflim për të mbuluar ndihmën e hapur që i bënte pushtuesit me gjykime si këto, apo si mund të arsyetohen veprime të tilla, të cilat për një „Sudi“ me nam bile edhe “kryesori” i “luftës” siç na paska qenë ai, nuk duhej të ishin tërësisht të pa ditura dhe as krejt të pa qëllimta.
Fatkeqësisht njerëz të tillë, mbytën drejtësinë në vend dhe quan deri aty gjendjen sa ndërkombëtarët të kërkojnë formimin e gjykatës speciale vetëm për Kosovën, me mbajtje gjykimesh jashtë saj, nga droja e përzierjes së serishme e „sokolave” në punë ligjesh të cilat ka kohë që janë çrrënjosur nga ta dhe nuk ekzistojnë më fare në Kosovë, aq sa drejtësia nuk kap të dënuarit dhe ligji lë të lirë autorët e krimeve të „pazbuluara”, rast i vetëm dhe unikal në tërë bashkësinë evropiane.
Kësaj i thonë, luaje macë kokën e buallit-18 kg.-rëndë, e po të jetë, kodra-kodra si e “sokolit” dhe me “gunga” të mbushura përplot kode penale serbo-jugosllave, zot-ruana, mund të peshojë shumë më tepër, dhe bëhet jo vetëm e palëvizshme por edhe e pa-prekshme dhe tepër e rrezikshme për shqiptarët e Kosovës!
Ndaj si dënimet me kodet penale serbe, ashtu edhe gjendja kaotike në vend, dëshmojnë katërçipërisht se jo të gjithë “sokolat” luftuan për “liri, por për pushtet dhe pasuri, për të cilat ata nuk “dënuan” vetëm kundërshtarët e konkurrentët, por vranë edhe ardhmërinë e Kosovës në tërësi, kështu edhe 15 vite pas lufte, me dhjetëra mijëra shqiptar, detyrohen të ikin nga atdheu i vet, duke kërcënuar edhe me vetëvrasje, nëse vendet evropiane i kthejnë në shtetin ku sundon “sallamadia” e “sokolave” të “historisë”.
Athua vallë u bë mjaft, apo deri kur kështu, në Kosovë ?!

Filed Under: Analiza Tagged With: c'po ndodh, Gani Qarri, ne Kosove

VILAJETI I KATËRT

March 1, 2015 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Deputetët shqiptarë nga Lugina e Preshevës, Riza Halimi dhe Shaip Kamberi, në një vizitë të këtyre kohëve në Prishtinë, iu ankuan opozitës për gjendjen e rëndë politike dhe socio-ekonomike të shqiptarëve në trojet e tyre në këtë Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si dhe për rolin të cilin duhet ta kenë Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në përmirësimin e pozitës dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve atje. Konkretisht ata theksuan se shqiptarët atje ballafaqohen me një mori të pafundme problemesh që prej diplomave të fakulteteve, të cilat nuk u pranohen nga Serbia, e deri te mungesa absolute e përfaqësimit proporcional në gjyqësi dhe polici. Deputetët ngrenë zërin me të drejtë se kjo është në shpërputhje të plotë me koncesionet të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës po i bën në këtë fushë, sikur në fushat tjera, ndaj Serbisë. “Asnjëherë Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka ngritur në Bruksel shtypjen dhe diskriminimin që Serbia ua bën shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, theksuan deputetët.
Lugina e Preshevës, hapësira shqiptare më verilindore, ka një sipërfaqe prej 1 249 kilometrash katrore dhe një popullsi të përgjithshme prej 100 000 banorësh. Ajo përbëhet nga tri komuna: komuna e Preshevës, e banuar rreth 95% me shqiptarë, komuna e Bujanocit, e banuar rreth 65% me shqiptarë; dhe komuna e Medvegjës, e banuar rreth 35% me shqiptarë. Në bazë të marrëveshjes së 21 majit 202, kjo hapësirë duhej t’i fitonte një mori të drejtash kombëtare dhe lirish themelore, por ato vazhdojnë t’u mohohen shqiptarëve nga ana e Beogradit.
Riza Halimi (lindur në Preshevë më 1947), mësues fizike që kaloi në politikë sapo u lejua pluralizmi politik, kur krijoi Partinë për Veprim Demokratik, u zgjodh më herët kryetar i komunës së Preshevës, ndërsa deputet i Luginës së Preshevës në Parlamentin e Republikës së Serbisë është zgjedhur më 2007, 2008 dhe 2012. E njoh personalisht Riza Halimin që në fillimet e tij politike dhe jemi tekuar disa herë, më parë në Shqipëri dhe pastaj në Perëndim. Është një politikan shumë i përgjegjshëm dhe tejet i përkushtuar e i vendosur në misionin plot me sfida që ia jep vota e shqiptarëve.
Shaip Kamberi (lindur në Bujanoc më 1964) u shkollua për jurist në Prishtinë, ishte veprimtar i të drejtave të njeriut para se të kalonte në politikë, si nënkryetar i Partisë për Veprim Demokratik, më herët ishte kryetar i komunës së Bujanocit, derisa, më 2014 u zgjodh për herë të parë deputet i Bujanocit në Parlamentin e Republikës së Serbisë. Edhe Kamberi është një politikan me përvojë dhe i suksesshëm.
Ndërkohë, qeveria e Malit të Zi, pa dijeninë e shqiptarëve të Vuthajve, popullsi vendase shumicë, ka riaktualizuar projektin për ndërtimin e hidrocentralit mbi lumin Gërllë. Para një jave vizituan për këtë qëllim komunën e Gucisë ambasadori austriak në Podgoricë dhe përfaqësuesit e firmës austriake së cilës i është dhënë me koncesion hidrocentrali, natyrisht, siç shprehen me shqetësim shqiptarët, pa e pyetur fare popullatën vendase të fshatit Vuthaj, pa marrë parasysh pasojat ekologjike negative që do të shkaktonte realizimi i tij.
Lidhja Demokratike e Malit të Zi, subjekt kryesor politik në këtë vend, iu ka bërë thirrje të gjithë faktorëve shqiptarë të atjeshëm të kundërshtojnë projektin dhe të bashkohen në mbrojtje të natyrës dhe të ekonomisë se zonës. Kjo parti, për këtë qëllim, sensibilizon pushtetin komunal, atë qendror, firmën koncesionare dhe ambasadën austriake, ambasadën e Shqipërisë, përfaqësitë diplomatike të vendeve të BE-së në Podgoricë.
Shqiptarët në trojet e tyre në zonën e Plavë-Gucisë vitet e fundit disa herë janë përballur me uzurpime të tokave të tyre për ndërtime kishëtare, duke shkuar në konflikte të hapura deri në përleshje me policinë dhe arrestime, burgosje, torturime, keqtrajtime të tjera. Prej shumë vitesh shqiptarët e Tuzit kërkojnë shkëputjen nga komuna e Podgoricës dhe formimin e komunës së tyre. Me sfida të tjera të shumëllojta përballen shqiptarët e Ulqinit, të Tivarit, të Rozhajës.
Shqiptarët në Mal të Zi përbëjnë sot 7,1% të popullsisë së republikës. Me votën e tyre të 21 majit 2006 ata ishin vendimtarë në fitoren e referendumit, nëpërmjet të cilit Mali i Zi mori pavarësinë. Në shkëmbim të kësaj vote, shqiptarëve të Malit të Zi iu premtua realizimi i të drejtave të mohuara që nga viti 1878, kur trojet e tyre u shkëputën padrejtësisht nga Shqipëria.
Ndërsa është e parakuptueshme që shqiptarët në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Maqedonisë t’i kenë mundësitë e mjaftueshme për t’i mbrojtur të drejtat e tyre kombëtare dhe për t’i realizuar liritë e tyre themelore, këtë mundësi e kanë të kufizuar shqiptarët në trojet e tyre në Luginën e Preshevës, hapësirë e përfshirë në Republikën e Serbisë, shqiptarët në trojet e tyre në Plavë-Guci, në Rozhajë, në Podgoricë, Ulqin e Tivar, hapësira këto të përfshira në Republikën e Malit të Zi. Etj.
Sfida e përhershme me të cilën përballen shqiptarët në hapësirat shqiptare jashtë Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, Republikës së Maqedonisë është mirëfilli tipike sfidë e mbijetesës në kushtet e një politike që synon defaktorizimin e tyre sa më ekstrem, në mënyrë që të detyrohen të largohen nga fshatrat dhe qytetet e tyre të lindjes dhe zbrazëtinë e tyre ta mbushin banorë nga popullsitë shumicë të republikave përkatëse.
Politikës së defaktorizimit të gjithanshëm ekstrem nga Beogradi, Podgorica e tjerë është e rëndësishme që t’i kundërvihemi me politikën tonë të faktorizimit të gjithanshëm të shqiptarëve në çdo hapësirë, në trojet e veta mijëravjeçare. Kjo do të thotë faktorizim politik, faktorizim ekonomik, faktorizim kulturor, faktorizim shpirtëror.
Me interes është për ne edhe krahina e Sanxhakut të Tregut të Ri (Novipazar), në Republikën e Serbisë, zemra e së cilës ka filluar të dëgjohet sërish shqip. Kjo krahinë është vazhdim i drejtpërdrejtë i gjeografisë sonë, në pikën më veriore të saj, e kufizuar me Kosovën.
E ndodhur brenda hapësirës shqiptare, në Maqedoninë Lindore, ndodhet një zonë e konsiderueshme e ortodoksëve shqipfolës. Edhe në këtë zonë ka shenja konkrete të kthimit të kujtesës kombëtare.
Iluminizmi kombëtar meriton të përkrahet kudo që të shfaqet. Po ashtu meriton interesimin tonë elementi shqiptar kudo që ndodhet në vendet e kufizuara me kombin tonë.
Këto janë detyrime që i ka çdo komb ndaj vetvetes. Kombet e kuptojnë këtë sa më të vetëdijshme që bëhen.
Na takon ta ruajmë dhe ta forcojmë substancën tonë kombëtare atje ku ajo është më solide dhe ta rigjenerojmë, ta përtërijmë e ta ripërtërijmë atje ku ajo është më e dobësuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Skender Bucpapaj, VILAJETI I KATËRT

Letërsia e vërtetë dhe pehlivanët e letërsisë

March 1, 2015 by dgreca

Nga Raimonda MOISIU/
E thënë që në fillim ajo ç’ka shqetëson sot letërsinë shqiptare është mungesa e theksuar e shkrimeve të kritikës letrare, për të njohur vlerat e vërteta të shkrimtarëve të vjetër e të rinj, të përfshira në gamën e gjerë në të treja gjinitë; prozë, poezi dhe publicistikë..Kemi sot të vetquajtur shkrimtarë të cilët shkruajnë fjali e paragrafë “të mrekullueshëm”, por nuk kanë asnjë ide si t’i renditin ato së bashku në një rrëfim apo si t’i bëjnë personazhet e veprës të vijnë realë e jetësorë. Të shkruara mjaft cekët, një drejtshkrim gjuhësor analfabet, nën nivelin e mesatares letrare e artistike, jepen më shumë pas sasisë së faqeve, se sa pas cilësisë artistike e letrare, vetëm e vetëm për të fituar imagjinaren – statusin e reputacionit të një shkrimtari të madh, “të talentuar”, të një “poeti të shquar”. Këta janë autorë të importuar nga sindroma karrieriste e përfitimit të famës e parasë, pehlivanët e letërsisë. Verbohen aq shumë nga kjo famë dhe të bëjnë emër, sa nuk kursejnë as financat e tyre ta blejnë reputacionin dhe karrierën si shkrimtarë, bilës kanë guximin shkojnë deri aty sa të vetëquhen “gjeni”. Kjo racë krijuesish janë fenomene groteske paralajmërojnë vulgaritetin dhe mediokritetin në letërsi, injorancën dhe paditurinë, vetëgjymtimin dhe vetëvrasjen intelektuale të shoqërisë, skllavërinë shpirtërore dhe krijuese të talenteve që ripërcaktojnë karakterin e dyfishtë të udhës së artit dhe letërsisë artificiale, realitetin mjeran të kësaj lloj letërsie. “Krijuesë”, që nuk kanë asgjë të freskët apo të re për të rrëfyer. Pse ndodh kjo? Ngaqë kemi letërsi jo cilësore e artistike, artificiale, dashuri të rremë, vetëkënaqësi mediokre, plagjiaturë e naivitet letrar. Sepse ata janë të vetëdijshëm në mediokritetin dhe melagomaninë e tyre që përfaqësojnë kokëboshësinë nën kurorat e famës e lavdisë. Unë mendoj se janë nga ata shkrimtarë që kanë bërë para me shkrime dhe kjo mendojnë se i ka bërë profesionistë! Por “niveli monetar” nuk do të thotë asgjë në lidhje me nivelin letrar, artistik dhe standardin e krijimtarisë së tyre, por që gjithsesi për të fituar “shpërblime letrare” dhe “monetare”, që unë do i konsideroja të një niveli poshtë mesatares, libra absolutisht mediokër. Pra jemi në një antitezë të freskët në këtë periudhë të antitezave dhe absurditetit më të madh, në planin e vlerësimit dhe kritikës letrare të kohës, në evidentimin e vlerave të vërteta letraro-artistike për mrekullitë, letërsinë, artin e të shkruarit dhe atë në përgjithësi. Po kërkohet më shumë “nivel monetar”..dhe jo artistik! Kemi parë gjithë dukurinë e një libri duke u bërë edhe “best-seller” apo fituar edhe cmim të madh. Shumë pak prej tyre kanë pika të vërteta artistike dhe vlera letrare, por kjo nuk ka rëndësi për ta sepse kenaqin oreksin e tyre vulgar “shpërblim letrar”, dhe ushqejnë krijimin në nivel monetar.Si gjithmonë krijime gjen mjaft-por kokëboshësinë, –justifikimet përpiqen ta bëjnë atë që nuk është asgjë më shumë se një koncept intelektual, se nuk gjenin mënyra më delikate e të mëncura për ta bërë atë një krijim të vërtetë në nivel cilësor, letrar e artistik. Ka mjaft poetë e shkrimtarë, që me grintën e mençurisë, talentit, profesionalizmit dhe fuqisë shpirtërore përcjellin krijimtari të mirëfilltë letraro – artistike dhe përcaktojnë denjësisht letërsinë më të mirë në nivel letrar e cilësor të viteve të fundit në atdhe dhe emigracion. Ky është edhe një apel, për krijuesit dhe artistët e vërtetë të vendit tonë, të cilët kanë ç’të flasin e të mos heshtin rreth dramës shqiptare, duke u shkundur nga gjumi nën “kurorat e lavdisë”. Vemë re se prurjet në letërsi janë të shumta, shtëpitë botuese të shumta, të cilat tashmë janë bërë në modë, duke e trajtuar literaturën, sikur të jenë mallra me shumicë, në një mjet përfitimi material,financiar dhe më shumë gjasa për përfitim moral e intelektual. Mendimi im është për një lloj të caktuar të botimit të veprave, pra ngritja e një bordi letrar, ku kritika letrare të jetë parësore apo ngritjen e shtëpive botuese të organizuara. Botuesit janë biznesmenë njëlloj si bizneset në profesione të tjera. Ata nuk janë filantropistë, ata janë aty për të fituar para. Shkrimtarët e rinj duhet të jenë të durueshëm, sepse praktika i bën të përsosur. Nuk duhet të mendojnë se gjithçka që shkruajnë është mjaft e mirë për botim. Pra, kur them se shkrimtarët e rinj duhet të jenë të durueshëm nënkuptoj që ata të botojnë veprat e tyre kur ato janë vlerësuar nga një bord letrar apo kritika e kohës për cilësinë dhe nivelin letrar e artistik, dhe botuesit do të konkurrojnë pas tyre. Shkrimtari Stefan King i ndante shkrimtarët në katër kategori biles shkoi e më tej, ai vuri fotot e tyre në një piramidë: ku binte në sy që shumica e tyre ishin në kategorinë e fundit. Ai thoshte se askush nuk mund të bëhet nga një shkrimtar i keq në një shkrimtar i aftë dhe nuk mund të bëhet nga një shkrimtar i mirë në një gjeni! Por vetëm me përpjekje dhe përkushtim, bëhet nga një shkrimtar i zoti në një i mirë. Shkrimtari kurrë nuk duhet të jetë i kënaqur me atë që shkruan, por ai duhet ta respektojë atë si ai fetari që respekton fenë e tij. Të jesh krijues sot i çfarë do lloj gjinie nuk është luks, është mëse njerëzore. Edhe diçka tjetër; shkrimtari i vërtetë bën kompromis vetëm me artin e për artin, përpiqet të qëndrojë sa më shumë larg politikës. Shkrimtari, artisti, poeti nuk është partizan i politikës dhe synimi i letërsisë nuk është kritikë apo reformim shoqëror. Një shkrimtar,artist apo poet mund të ketë pikëpamjet e tij politike, por këto pikëpamje kurrsesi domosdomërisht nuk duhet t’i manifestojë në krijimin e tij letrar e artistik. Shkrimtari, artisti e poeti duhet të jetë vetvetja, brenda brishtësisë së individualitetit të tij. Duke e shikuar nga ky këndvështrim shkrimtari,artisti e poeti e dinë se letërsia nuk është armë për kritikë, por një dëshmi për ekzistencën. Një shkrimtar apo artist është dëshmitar për kohën e tij, dhe letërsia përbën një dëshmi të gjallë për njerëzimin. Shkrimtari, artisti e poeti e di se letërsia, vargjet poetike, peneli i piktorit janë më reale se historia, e cila është shkruar e shkruhet nën ndikimin e pushtetit politik.Dhe pena e peneli i botës së artit bën kompromis vetëm me idealin e lirisë, patriotizmit e dashurisë njerëzore. . Të shkruarit është ndjenjë e fortë e brendshme që ka një kundërshtar të madh, që vjen e rritet përditë, -të konsideruarit zanat. Sepse një shkrimtar nuk është i ndryshëm nga një murator apo shofer autobusi. Secili prej tyre vepron me disiplinë. Oscar Wilde ka thënë se të shkruarit është 10% dhunti, aftësi apo talent dhe 90% disiplinë. Pra edhe shkrimtarit, njësoj si punë e atyre që përmenda pak më lart, -i duhet disiplinë për të shkruar. Kjo nuk është detyrë e lehtë. Kërkon vetmi, përkushtim dhe i izoluar larg shoqërisë. Do kurajo, guxim dhe vullnet për ta bërë atë. Në kuptimin se; shkrimtari gjatë procesit të të shkruarit nuk është vetvetja, por është dikush tjetër.
Raimonda MOISIU
Hartford CT USA

Filed Under: Analiza Tagged With: Letërsia e vërtetë dhe, pehlivanët e letërsisë, Raimonda Mois

Një pyetje për ministrat dhe…

March 1, 2015 by dgreca

Zotëri ministra dhe z.Stavileci çfarë gjykimi e kish prit nga ju Mixhën Ramë me 25 fëmijë?/
Shkruan Asllan Dibrani/
Blerand Stavileci, “Ministrit i Zhvillimit Ekonomik”, i cili në emisionin Interaktiv të KTV me deklaratat e tij i ngjasonte disa komunisteve serbo-shqiptarë në kohen e ish-Jugosllavisë?Kur mbronin organet e shtetit të Jugosllavisë-Serbisë , ata i denonconin shqiptarët e varfër si antijugosllav të nxitur nga irredentizmi shqiptarë që kishin shume fëmijë, gjëja se kanë dorë në shtimin e popullsisë në Kosovë me qellim te rrezikimit jugosllav!. Deklarata e Stavilecit i ngjashme me ato te çetnikëve dhe bashkëpunëtoreve shqiptar asaj kohe! Edhe çetnikët serbë kërkonin që shqiptarët nuk duhet të kenë shumë fëmijë ,sepse po e rrezikojnë Serbo-Jugosllavinë komuniste që gllaberoj tokat shqiptare. A thua është kjo koincidencë, apo ndoshta Blerand Stavileci është ndonjë pinjoll i komunizmit serbo-Jugosllav, le të mbetet ta bëjnë organet kompetente nëse kanë guxim tu shpallin luftë të apostrofuarve që për çdo ditë kanë filluar ta qesin kokën në shërbim të Serbisë!!!
Ministrat e Isa Mustafës e lëshojnë deklarata si lopa bajgën !!!
Kosovës po i ndodhe si shpesh, ajo fjala e urtë popullore një budalla e hedh gurin në bunar(pus) njëqind nuk munde ta nxjerrin! Apo fjalën fjala tjetër e lëshon si lopa bajgën vend e pa vend!.
Edhe ky ashtu veproj’?. Ashtu e lëshoj bajgën nga goja në vende të merremi me punë shumë më madhore, tash po na duhet me u marre me një deklaratë absurde të një të pa afti, një politikani qe vërtetë qe rastësia po i sjell në vende kyçe politike. Është dashtë deri tani të jap dorëheqje të menjëhershme sepse kështu paaftësia e tyre ka filluar të dal për lendinë .
-Ky dhe tjerët si ky do të ishte fat sikur, të largohen nga organet e Kosovës sepse, vet praktika tregon masë miri se në ç’mjerim dhe çfarë shkatërrimi i sollën Kosovës dhe ua irrituan shqiptarëve atdheun?!. Këta janë që imponuan demonstrativisht ta lëshojnë Kosovën populli!!!. Këta janë edhe shpresën ua morën shqiptarëve të shumë vuajtur në pritje ,se një ditë do t’i ngroh dielli edhe këta pakëz .
A thua se çdo herë duhet një Kolë Shrokë të jetë kujdestar si ky injorant i leksikoneve edhe për seks ndaj qytetarëve të Kosovës në sherbimin e Serbisë?
“Ata që kanë 300 euro të ardhura mujore nuk duhet të bëjnë nga 7 fëmijë”, ishte një pjese e dekoratës së ministrit dhënë në emisionin televiziv “Interaktiv” të KTV-së. A thua se çdo herë duhet nga një Kole Shrokë të jetë kujdestar si ky injorant i leksikoneve për seks ndaj qytetarëve edhe se kur me fjet me gratë apo burrat e vet. Sipas tij këtu duhet të jenë dy klasa të varfrit që duhet me lind pak fëmije, pak seks,pak ushqim me ngrenë është fjala për ata që i kanë të ardhura vetëm 300 Euro.
Çka i kish bërë ky ministër mixhës Ramë nga nga Danisheci me 25 fëmije i , axhës Bilall edhe ai nja 15,axha Selim nja 13 fëmijë ???
Hej more ministër , po çka me i bere banës Feti qe na lindi 7 fëmijëve,ai pa punë ka qenë po na shkolloj dhe secili u shpërndamë në interesat e vendit dhe ne shërbimin e tij.Ai kurrë se ka marre edhe nje grosh nga ish okupatori se i pa punë ishte dhe vdiq Po lind pyetja tjetër, se çka i kish bërë ky ministër mixhes Ramë nga nga Danisheci qe e njoh dhe 25 fëmije i ka pas. Po axhës Bilall edhe ai nja 15,axha Selim nja 13 fëmijë. A thua se çfarë gjykimi i kish prit ata , nga këta ministra. O baca Ramë e axha Bilall, axha Selim e ju të tjerë me shumë fëmije zoti ju ka shpëtuar qe ju mori shpirtin dhe vdiqët pa ardhë në pushtet këta alamet ministra në qeverinë aktuale se ku me dit se cfar gjykimi kishit m e pas. Me ligjet e tyre paskan pas me ju qit në konop për gjithë ata fëmijë dhe gjithë atë seks qe e keni bërë me gratë e juaja !!!.
Lind pyetja tjetër se çka me bërë ata të pa punët afër 60 % e popullatës janë të pa punë .Sipas ministrave të Isa Mustafes këta duhet privuar nga seksi, kurr mos me bërë seks ,me, gratë e tyre as me lind fare fëmije… Sipas zotit Stavileci këta duhet të pajtohen me fatin e varfërisë dhe të zhduken nga kjo botë e mos ti bëhen barre këtyre të pasurve dhe ministrave të tanishëm dhe të pasurve!!!.
Pra, sipas planimetrisë zhvillimore të ministrit ekonomik kjo është raciste, antishqiptare dhe diskriminuese , kur dallon popullin këtu në të varfër pa të drejt dhe të pasurit me të drejtë lirie që të kenë fëmijë sa të duan pa limit!?. -Ky ka shkuar sipas leksikoneve të disa hoxhallarëve antikombëtar dhe degjenerues kur ligjërojnë se “Një burrë ,ka drejt me i pas 7 gra. Me 7 gra me pas seks!!!. Edhe më shumë gra bile për ata që kanë pare edhe 72 gra me i bërë ,s’paska kurrfarë problemi ! Qenka e lejueshme sipas kuranit? . Ndërsa ai që s’ka pare , me mbet edhe pa as një grua. Ata që s’kanë pare as edhe njëherë nuk u lejohet me shijuar aromën e dashurisë e lere qe ta ketë në shtrat ndonjë grua me fjet me të e me pas fëmije…
Kjo deklarate diskriminuese, qon në injorancë të pa presidence nga ministëra të këtillë. Sepse në “Shtetin e Blerandit, privilegjohen dhe çmohen shqiptarët dhe kriminelët e pasur, të cilët ministri Stavileci i lejon të lindin fëmijë sa të duan .Sa të duan gra! Sa të duan liri sa te duan para pa kufi.
O zotëri ministra a ti mbyllim sytë pranë këtyre deklaratave skandaloze qe vetëm klasa politike e Kosovës din t’i linçoj dhe t’i lëshoj me një papërgjegjësi?.
Ministra t’padijshëm e pa ide kreative, plot mllefe e komplekse, urrejtje na etiketojnë ne gazetarëve si “Qëllimkëqij” që shohin veç zi… O zotëri ministra a ti mbyllim sytë pranë këtyre deklaratave skandaloze qe vetëm klasa politike e Kosovës din t’i linçoj dhe t’i lëshoj me një papërgjegjësie!’?.
Sipas Blerandit, njerëzve të varfër nuk duhet tu jepet rast të lindin, sepse, i varfëri sipas teorisë së tij prodhon varfëri. Ky ministër në vend se të merren me zhvillimin ekonomik , shkollimin e femrës, ngritjes se saj në planin emancipues dhe edukativ ai merren me paragjykime apo me debatin e misionareve aziatik si ministrit Ferid Agani për vënien e shamisë në kokë . O jo, jo, dhe jo, këtu ka të bëje mor injorant me ligje plane ekonomike ,zhvillim edukativ dhe arsimor ngritje ne te gjitha nivelet.
Ju luftoni ta keni një femër shqiptare të pa ditur dhe tu lajnë këmbët e qelbura në mbrëmje duke vrapuar pas hajnisë , tenderëve dhe kriminalitetit tërë ditën!?.
Të ngitet standardi familjar, atëherë vetvetiu vjen vetëdija dhe vet populli vendos se sa fëmijë me i bërë! Sa herë me fjetë me gra e tyre etj etj .Ju keni prodhuar analfabet në ketë popull . Edhe Kuvendi i Kosovës ka të tillë sa të duash!. Ju luftoni ta keni një femër shqiptare të pa ditur dhe tu lajnë këmbët e qelbura në mbrëmje duke vrapuar pas hajnisë tenderëve dhe kriminalitetit tërë ditën. Ju s’keni kohë të merreni me zhvillimin e kësaj shoqërie në arsim , kulturë dhe edukatë, po edhe në ekonomi!. Po ky ministër mori rroge 6 muje, pa bëre asgjë e tash del e flet për standardin dhe planifikimin familjar me aq varfëri brutale qe ekziston. E pyesim zotin ministër se ku janë shtesat femërore ,ku është mjekimi, ku është arsimi, ku është kultura ,ku janë benificionet tjera apo sigurimi shëndetësor?. Këto kushte duhet ti ketë Kosova pastaj të dalësh me këso deklaratash, sepse çdo shtet pa prodhimin e popullsisë dhe pa fëmijë, ai shtet vdes vetvetiu, siç ,po i kanoset vdekja Kosovës nga skenar të ndryshëm me rastin e shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova gjatë kohëve të fundit.

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan dibrani, Një pyetje, për ministrat, Stavileci…

Incidentet që tensionojnë veriun

February 28, 2015 by dgreca

Shpërthimi, i cili ka ndodhur të shtunën në Mitrovicën Veriore, pak pas orës 6 të mëngjesit, ka rezultuar me dëme materiale, por pa pasoja fizike në njerëz.
Lajmin e kanë konfirmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kanë theksuar se shpërthimi dyshohet të jetë shkaktuar nga një granatë dore.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se menjëherë pas shpërthimit, zyrtarët e policisë dhe ekipet e dominimit kanë dalë në vend të ngjarjes.
“Rreth orës 6 e 10, në rrugën ‘Mbreti Pjetër’ në Mitrovicë, ka ndodhur një shpërthim. Dyshohet të ketë qenë një granatë dore, me ç’rast janë dëmtuar 9 automjete dhe 11 lokale. Aty vërehen dëme të mëdha materiale, por nuk ka të lënduar në njerëz. Rasti është klasifikuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Të gjitha njësitet relevante policore, si dhe ekipet e deminimit kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka thënë Hoxha.
Hoxha ka shtuar se Policia e Kosovës po i zhvillon procedurat hetimore për zbardhjen e rastit, i cili është vlerësuar “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, në muajt e fundit, në Mitrovicën e veriut nuk ishin shënuar shpërthime. Por, shpërthimi i së shtunës, ka nxitur reagimin e njohësve të rrethanave të sigurisë në vend.
Naim Maloku, ekspert për çështje të sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se incidenti i fundit në Mitrovicën e Veriut, nuk është befasues, madje as rezultati i incidentit, i cili, ka kaluar pa pasoja fatale për njerëz.
Sipas tij, e gjithë kjo është në vazhdën e atyre angazhimeve dhe përpjekjeve destruktive të palës serbe që ta mbajnë në tension situatën në veri.
“Është e ditur se janë shërbimet sekrete që e mbajnë të tensionuar situatën atje. Pala serbe është aty. Atë e dinë të gjithë, edhe faktori ndërkombëtar. Edhe ne e dimë, por edhe ata e dinë që ne e dimë. Asgjë këtu nuk është e re. Pra, mbahet situata e tensionuar aty. Ose, e kanë instrumentalizuar ndonjë grup radikal atje që përmes tij e mbajnë situatën e tensionuar atje”, thotë Maloku.
Maloku shton se të gjitha këto janë porosi se kinse nuk është bërë zgjidhja në veriun e Kosovës dhe se ata kërkojnë zgjidhje deri në përmbushjen e kërkesave maksimale që kanë serbët e veriut të Kosovës dhe vetë Serbia.
“Këto janë veprime shtyse për ta prurë dialogun në atë përfundim që Asociacioni i komunave serbe të marrë kompetenca ekzekutive dhe të krijohet ajo ‘mini-Republika Serbe’ në territorin e Kosovës. Ndoshta, me më pak kompetenca se sa që i ka ‘Republika Serbe’, por në njëfarë formë ta krijojnë ata një shtet brenda Kosovës”, thekson Maloku.
Ndryshe, shpërthimi i së shtunës në Mitrovicën e veriut ka ndodhur para një lokali afarist, me ç’rast janë dëmtuar edhe xhamat e veturave dhe banesave në afërsi. Tash për tash, sipas zyrtarëve të policisë, ende nuk ka persona të dyshuar dhe nuk dihen motivet e shpërthimit në Mitrovicën e veriut.(Kortezi: Bekim Bislimi)

Filed Under: Analiza Tagged With: Incidentet, që tensionojnë, veriun

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 825
  • 826
  • 827
  • 828
  • 829
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje
  • “Exodus” – rrugëve të Çamërisë
  • Prof.Ibrahim Osman Kelmendi, me penë e pushkë për liri
  • Kur historia flet me dinjitet: pasardhësi i Ismail Qemal Bej Vlorës ndan çmimin “Ikona e Diasporës” për Ambasadorin Rexhep Demiri
  • Liria e fjalës dhe besimit
  • MARTIN LUTHER KING DAY: DITA KUR KUJTESA BËHET PËRGJEGJËSI
  • “Eleganca e lotëve”
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT