Shprehja e këtij zyrtari serb jo vetëm që është nacionaliste, por ajo është përzierje flagrante në punët e brendshme të Kosovës dhe në integritetin territorial të vendit.- Për të gjitha këto hesht BE-ja, ndërsa deklaratën e Ramës reagon dhe e “qorton” edhe SHBA-ja/
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Drejtori i Zyrës së Qeverisë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, më lirshëm flet e vepron në Kosovë se sa që këtë do të mund ta bënte në vendin e tij, në Serbi. Ky zyrtar serb aq i ka dhënë vetit liri sa që pa iu “ trembur” fare “ syri” merr guximin që të takoj bile edhe të organizoj takime kur të dojë e ku të dojë me perfektet dhe kryetarët e të ashtuquajturave organe të përkohshme në Kosovë, por edhe me përfaqësuesit legjitim të paguar nga tagrapaguesit e vendit tonë dhe t’iu thotë atyre me vendosshmëri se Mitrovica është Serbi, se Kosova është Serbi, se Serbia do të mbetët këtu.
Qeveria dhe organet tjera kompetente mjaft pasive
Ndërkaq, në anën tjetër, qeveria jonë dhe organet tjera kompetente as nuk po shohin e as nuk po dëgjojnë se çka po thuhet, se çka po përgatitet, se çka po iu sugjerohet sidomos serbëve në pjesën veriore të vendit, në të cilën pjesë Serbia ka instaluar një “ pushtet të sigurt”, pushtet ky që po i përgjigjet vetëm qeverisë së Beogradit, pavarësisht se serbët morën pjesë në zgjedhje e organizuara nga qeveria e Kosovës. Një heshtje e tillë karshi përzierjes flagrante në punët e brendshme nga një zyrtar serb është e patolerueshme dhe për më tepër është një sinjal i keq se seriozisht po vihet në pyetje integriteti territorial i vendit tonë. Në këtë situatë jashtëzakonisht të rrezikshme, qeveria e posaçërisht Ministria e Punëve të Jashtme, por edhe ajo e brendshme do të duhej të reagonin ashpër ndaj sjelljes së Gjuriqit në kundërshtim me të gjitha ligjet pozitive dhe këtij njeriu t’i ndalohet hyrja në vendin tonë. Duhet një herë e mirë jo vetëm këtij zyrtari por edhe përfaqësuesve të tjerë të shtetit fqinjë, Serbisë, t’iu tregohet se si duhet të sillen e të flasin kur vizitojnë Kosovën dhe të mbajnë përgjegjësi për atë që e thonë para banorëve serb,medieve dhe kudo tjetër në hapësirën shqiptare dardane. Duhet t’iu tregohet të gjithë zyrtarëve serb së zot shtëpie në Kosovë është qeveria e saj dhe se për çdo shkelje të rregullave të sjelljes do të pasojnë ndërmarrja e masave adekuat me atë që thuhet e veprohet deri të ndalimi i vizitave të tyre.
Pse po tolerohen organet paralele serbe?
Një fakt tjetër mjaft shqetësues që është i pranishëm në skenën politike të Kosovës ka të bëj me organet e përkohshme që ka instaluar Serbia në Kosovë, të cilat praktikisht udhëheqin në komunat serbe, ndërkaq ato që paguhen nga tagrapaguesit kosovar janë vetëm sa për sy e faqe, sa për të marrë një rrogë dhe asgjë më shumë. Të gjitha programet e planet e veprimit nëpër këto komuna janë hartuar në Beograd dhe asgjë ama asgjë nëpër këto mjedise nuk frymon në kuadër të Kushtetutës së Kosovës. Për këtë shembull mund të merret edhe mos aprovimi i buxhetit për këtë vit në këto komuna, ndërkaq arsyetimi se kjo ka të bëj me mosformimin e asosacionit të komunave serbe është vetëm një maskë prapa së cilës fshihen ambiciet dhe vendosmëria e Serbisë që ky organizem të këtë edhe funksione ekzekutive dhe kësisoj definitivisht, sidomos, pjesa veriore të pavarësohet, të mbetët vetëm formalisht si pjesë e Kosovës pa pasur asnjëherë qasje asnjë organ legjitim i qeverisë së Kosovës në atë pjesë. Funksionimi i organeve paralele me gjithë aparaturën që duhet ta këtë një sistem komunal i një shteti është duke vepruar në Kosovë i instaluar nga shteti serb dhe për këtë askush nuk trazohet e as nuk frikësohet për pasojat që mund të shkaktohen nga ky lloj paralelizmi të rrezikshëm. Kjo situatë e krijuar, përkatësisht kjo përzierje flagrante në punët e brendshme të Serbisë do të duhej të prek në ndërgjegjen e politikanëve tanë që udhëheqin me shtetin dhe ditë e natë të reagojnë dhe të jenë në kontakt të përditshëm me BE-në, por edhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme që i lejon një shtet ligjor që këto organe serbe të ndalohen së vepruari dhe atyre “ perfektëve” t’iu tërhiqet vërejtja se këtu në këtë vend nuk kanë legjitimitet dhe urgjentisht të tërhiqen nga ajo aventurë e tyre e jashtëligjshme dhe nëse këtë nuk e bëjnë atëherë dihet se çfarë pason sipas aktit më të lartë të vendit tonë. Kjo nuk është lojë, kjo nuk është shaka. Kemi të bëjmë me cenimin e integritetit territorial të vendit.
Reagimi dyfytyrësh i BE-së
Ndaj deklaratës së Kryeministrit shqiptar, Edi Ramës, se Kosova do t’i bashkohet Shqipërisë në mënyrë klasike, reagoi BE-ja duke thënë se kjo nuk shpie në marrëdhënie të mira fqinjësore të shteteve të Ballkanit perëndimor. Ky reagim ishte i shpejt i cili u bë kryekëput me insistimin e Serbisë, së cilës iu ka bërë hal në sy kryeministri shqiptar, i cili vetëm sa po e shpreh një të drejt legjitime të popullit shqiptar, popull ky që u nda në aq shumë shtete vetëm e vetëm për të kënaq apetitet gllabëruese të shteteve fqinje. Ndërkaq, BE-ja, në anën tjetër nuk e thotë asnjë fjalë për organet paralele të shtetit serb që i ka instaluar në Kosovë, asnjë fjalë për përzierjen flagrante në punët e brendshme të Serbisë, sidomos në pjesën veriore të vendit tonë, asnjë fjalë për deklaratat e zyrtarëve serb kur thonë se Kosova është Serbi, se Mitrovica është Serbi etj etj. Rasti më eklatant i mos reagimit me vendosshmeri është vendosja e barrikadës” tash kopshtit të paqës” mbi urën e lumit Ibër që nga pas lufta e këndej, në të cilën asnjëherë nuk u lejua qarkullimi i automjeteve. Athua në cilin shtet të BE-së do t’i lejohej një etniteti që të veproj kësisoj? Sigurisht dhe pa kurrfarë dyshimi se kjo me asnjë “ çmim” se nuk do të kishte ardhur në shprehje. BE thekson se kjo duhet të zgjidhet me dialog, me marrëveshje. Mirëpo, kjo gjendje po zgjat që 17 vite dhe pa ndonjë rezultat. Edhe sa vite të tjera duhet të pritet që kjo gjendje të kthehet në normalitet. Nëse edhe më tej BE insiston në dialog, zgjidhja nuk do të këtë perspektiv asnjëherë. Ndikimi i shtetit serb e ka paralizuar edhe Bosnjën e Hercegovinën. Pra BE-ja është e interesuar që vetëm Serbia të mos shqetësohet e trazohet e sa për Shqipërinë e Kosovën lehtë mund të bëhet e veprohet me to. Ky reagim dyfytyrësh i këtij organizmi të rëndësishëm evropian nuk shkon në favor të një politike të drejt që duhet të udhëhiqet njësoj për të gjitha shtetet. Nuk duhet të favorizohet askush për asgjë. Për mua befasues ishte edhe reagimi i ambasadës amerikane në Tiranë ndaj deklaratës së Ramës, aq më shumë kur, dorën në zemër, viteve të fundit ky shtet i fuqishëm e mik i madh i shqiptarëve është mjaft pasiv ndaj ngjarjeve që po ndodhin në Kosovë. Apo thënë më mirë SHBA-ja vetëm po përkrah e po reagon sipas asaj që po punohet e “ përgatitet” në Bruksel. Shikuar në retrospektiv shqiptarët nga ajo që u vendos në kancelaritë evropiane gjithmonë u nda e zhgënjyer. Ndoshta do këtë mundësi të kenë ndryshuar gjërat, por, mendoj, pak më ndryshe, me një diplomaci që ndoshta udhëheqësit tanë pa përvojë nuk po e” kuptojnë” se si dhe në çfarë mase mund të ndikoj në funksionimin normal të një shteti të njëmendët. Së këndejmi, mendoj se përkundër angazhimit enorm që ka SHBA-ja anëkënd botës, do të duhej të gjej pak kohë edhe për Kosovën. Pa një vendosshmëri tjetër fare të këtij shteti të fuqishëm nuk “pritën” ditë të mira për Kosovën nga një qasje çfarë hëpërhë po bëhet nga BE. Shumë aktiv duhet të jenë edhe udhëheqësit tanë. Këtë e kanë obligim kushtetues.
KOSOVA E RREZIKUAR NGA DEMARKACIONI ME MALIN E ZI
DEMARKACIONI ME MALIN E ZI PO IU MERR SHQIPTARËVE TË KOSOVËS NJË SIPËRFAQE TRE HERË MË TË MADHE SE ISHULLI I SAZANIT APO MBI SHTATË HERË MË TË MADHE
SE PRINCIPATA E MONAKOS?!/
Shkruan: Ramiz LUSHAJ/
1. Sivjet kena hy’ në të pestin vit të bisedimeve ndërshtetërore për vijën kufitare (demarkacionin) e Malit të Zi me Kosovën e, në kit’ prill 2015, kur Hashim Thaçi – zv/kryeministër e ministër i Jashtëm i Kosovës, mori titullin “Qytetar Nderi i Ulqinit”, i premtoi aty dhe presidentit malazez, Vujanoviçi, se kjo punë ka me u krye punë javësh. Komisioni Shtetëror i Kosovës me kryeshef Murat Meha (i Agjençionit Kadastral të Kosovës) po i jep dorën e fundit Raportit (antishqiptar) të shenjimit të kufinit me Malin e Zi, të çilin ka me e dorëzue në Qeverinë me dy krena (e në krizë) të Kosovës. Tashti, pas kalandimit, prej diktatit ndërkombëtar, pas disa humbjeve të fituara në bisedime me malazezët, ka një rrezik të madh panshqiptar: të ndodhemi para një tradhtie të re kombëtare të pritshme, që klasa politike e Kosovës me përnguti ka me i dhanë “legjetimitet” ratifikimit të Marrëveshjes për vijën kufitare me votimin (medoemos me 2/3 e votave) në Kuvendin e Kosovës.
Gati kurrkujt sa ka ia ndie aq fort në këto qeveritë vargavijë të deri sodit në Kosovë, anipse kadastra e gjeodezia e shtetit multietnik e shoven të Malit të Zi a ka don me çkye padrejtësisht territore të mëdha shqiptare vrri e bjeshkë në anë të Pejës me rrethina: veçanarisht në hapësira gjeografike rreth vendkalimit kufitar e doganor të Kullës, në pjesën rugoviane të Çakorit (qafa e të çilës të çon drejt komunave Plavë e Guci), në fshatrat vrri e bjeshkë të Hajlës (qafa gjatë e gjanë e saj i lidh Rugovën me malësitë e saj si fshatrat Dacaj e Husaj e deri në përtej Rozhajë). Kurrkush, nga të mëdhajtë e Kosovës 2015: as Jahjaga, as Mustafa, as Thaçi, as kryeparlamentari Veseli, nuk janë kanë me kambë e sy në këto troje etnike shqiptare që don me na i rrëmbye shteti malazez, sepse asnjani prej tyne nuk ka ndonjë pronë të veten aty. Edhe kryetari i Komisionit, dr. Meha, deklaron dhe pas 15 takimeve zyrtare me banorët skej kufinit: “shqetësime natyrisht që kanë”, po ai vet personalisht i ka mbi 700 mijë Euro tokë trashëgimi (10 ha) e të tjera (ha e ari) të bleme vitet e fundit e çka po i duhet me luftue shtetnisht me sakrifica e sfida për ato troje në tri komunat kufitare të Kosovës me Malin e Zi.
Si po (keq)ecin punët e demarkacionit, kur Qeveria e Kosovës iu thotë vitpasviti banorëve të vijës kufitare: “të presin”, “të kenë durim”, etj. dhe nuk iu premtojnë zgjidhje të shpejtë e të drejtë, dhe nga ana tjetër, kur vet Bashkimi Europian kushtëzon Kosovën me negociata për Status e për Vizat me caktimin në terren të kufinit Kosovë-Mali i Zi, atëherë, patjetër, siç kumton para disa ditësh dhe kryekomunari i Pejës, Ali Lajçi e të tjerë. do të kemi dhe protesta deri në ekstreme…
2.Kurrkujt mbi tokë mos t’i duket e tepërt ajo çka lypin banorët e Kosovës skej kufinit, pasi iu mbesin tokat e tyne vrri-bjeshkë në anën e shtetit të Malit të Zi. E kanë një thanie japonezët: Tokë, më fal që të shkel me kambë (!) E, pra, qysh me pranue këta me i shkelë me kambë dy qeveritë: e Kosovës dhe e Malit të Zi?! A pak toka i ka marrë truallit tonë kombëtar principata e mbretnia e Malit të Zi në dy shekujt e kaluem: XVIII-XIX., nga Ostrogu (1853) e Grahova (1858) dhe deri në vitet 1913-1925. Saktësisht, sot, ky shtet republikan gjukanoviçian, i ka mbi dy të tretat e territorit të tij me toka shqiptare nga Rozhaja e Plavë-Gucia deri në Ulqin e Tivar, etj. E, prapë po duen me na marrë padrejtësisht e paturpnisht toka etnike shqiptare dhe në shek. XX?!!
Ky, Ali Lajçi, vëzhgues e këshilltar në Komisionin e Kosovës për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në prill 2015 pohon se vija kufitare malazeze hyn deri në 5-8 km në thellësi të Kosovës, në Kullë, Çakorr, Hajlë, tue zbrit deri tek Ura e Zhlebit në Kullë dhe Kuqishtë e Leqinat në Rugovë, tue marrë bjeshkë e vendbanime nga ma të mirat e të shfrytëzueshme nga banorët. Aq ma keq kur kemi të bëjmë me raste të tilla: forcat policore të Malit të Zi hyjnë deri në 6 km në thellësi të territorit të Kosovës tue i pengue edhe shqiptarët e Deçanit, Pejës e Istogut të shfrytëzojnë bjeshkët e tyre, të dalin në stanet e tyre, të zotërojnë kullotat e pyjet e tyre. Nga zona e Rugovës, banorët e Shtankajve e Bogajve pse kanë deshtë të shfrytëzojnë tokat e tyre kanë pasë 5-6 arrestime nga forcat policore kufitare malazeze.
Ish ministri i Brendshëm i Kosvës, Bajram Rexhepi, pat’ thanë në Pejë, para mediave, në shtator 2010: “Çështja e demarkacionit është problem që do të zgjidhet, kufiri mund të luhet 200 ose 300 metra”(!!!). Deklarata e tij mbetet alarmante atë ditë e sot. Atëherit, nëse bazohemi në të dhënat e tij zyratare kemi një përllogaritje të tillë: Vija kufitare me mbi 79 km, me u luejt me 200 m apo 300 m. i bie që mesatarja të jetë 15 km2 apo 24 km2.
Të mos harojmë diçka: në historinë botërore për 15-24 km2 sipërfaqe kufitare ka pasë raste të shpërthimit të një lufte lokale apo rajonale ndërmjet shteteve.
Përndryshe: nuk janë pak as mbi 15 km2 apo rreth 24 km2, pasi ishulli strategjik i Sazanit – ma i madhi i Shqipërisë Londineze është vetëm 5.5 km2 dhe dihet nga historia mesdhetare se sa lufta janë krye nëpër shekuj në mbrojtje të tij. Pra, shtetit të ri të Kosovës i merren nga shteti i Malit të Zi, në secilin nga dy rastet e masipërme, rreth tre apo katër Sazanë(!) Nuk janë pak sikur të ishte dhe “një Sazan” i tillë.
3.Shqiptarët e Shqipërisë Londineze, më 8 qershor 2011, përgjatë një kilometri gjatësi hynë e zhvendosën 50 m. kufirin në lumin Gërçar të Gucisë (mesi i rrjedhës së tij është kufi mes dy vende fqinjë), po të nesërmen jehuan fortas gazetat malazeze si “Novosti”, etj. Nga kjo ndërhyrje shqiptare pati një reagim të madh mediatik, publik e zyrtar malazez, disa herë ma i lartë, ma i shpejtë, ma i fortë se sa bëhet nga Kosova apo Shqipëria në të tilla raste.
Shteti i Kosvës vepron pak, lehtë e dobët edhe kur forcat policore të Malit të Zi hyjnë deri në 6 km në thellësi të territorit të Kosovës tue i pengue shqiptarët e Deçanit, Pejës e Istogut të shfrytëzojnë bjeshkët e tyre, të dalin në stanet e tyre, të zotërojnë kullotat e pyjet e tyre. Nga zona e Rugovës, banorët e Shtankajve e Bogajve etj. pse kanë deshtë të shfrytëzojnë tokat e tyre kanë pasë disa herë arrestime nga forcat policore kufitare malazeze.
Në kohën e Ish-Jugosllavisë të Titos, në vitin 1974, kufiri ndërmjet Republikës së Malit të Zi e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) u vendos në dam të shqiptarëve të Pejës me rrethina edhe për faktin se kësokohe Pejën e drejtonte një malazez. Po tashti që tri komunat kufitare të Kosovës i kanë kryekomunarët shqiptarë sa po janë qëndrestarë me i ruejt pronat e veta për mos me ua marrë shteti i Malit të Zi?!
4.A thue a din’ ndokush prej nesh me i kallxue botës e vetvetes se sa kilometra katërore (km2) është sot sipërfaqja e shtetit të ri, të pavarur e sovran, të Kosovës dardane?!
Dhjetra km2 ia kanë marrë Patriakana e Pejës, Manastiri i Deçanit, etj. të cilët kanë status të veçantë? Manastiri i Deçanit, i ngritur mbi toka të shqiptarëve si Hasi Kuçit, mbi themele të Kishës së Gashit të Xërxës, me projekt arkitekturor të priftit shqiptar Vita i Kotorrit, etj. sot ka mbi dy (2.3) km2 territor të saj me status të veçantë e të mbrojtur dhe nga KFOR! Kjo nuk është sipërfaqe e pakët. Ma e madhe se Principata e Monakos. Apo jo?! Pothuaj sa gjysma e ishullit Sazan të Vlorës apo ma shumë se gjysma e ishullit Ada të Ulqinit. Tashti, ky manastir, nuk lejon me kalue shkurtaz nëpër extra-territorin e tij as auto-rruga ndërkombëtare Deçan-Plavë, po duhet me krahëmarr’ dikah tjetër (!)
Sivjet po donë me na i marrë dhe 15 km2 apo 24 km2 edhe me caktimin final të vijës kufitare Mali i Zi-Kosovë. Vështroni hartën e botës: Republika Nauru në Oqeani, shtet ishullor e antar i OKB-së, është vetëm 21 km2.
Kryeministri malazez Milo Gjukanoviç bën disa deklarata të tilla: “nuk ka kurrfarë probleme në kufizimin e Malit të Zi me Kosovën”, “Ekziston kontest i vjetër për përdorimin e kullosave nga njëra dhe ana tjetër e kufirit, por kjo nuk është problem i kufizimit”, “dikush dëshiron të krijojë disa probleme kufitare të Malit të Zi, në mënyrë që ta ngadalësojë integrimin e tij evropian”, etj.
Kosova, liderët e saj, i bajnë lëshime pa kushte Malit të Zi e Gjukanoviçit, si ngahera dhe në kit’ rast të demarkacionit të kufinit dhe mendësia e tyre në këto pesë vite pasqyrohet tek kjo thënie zyrtare: “Është një çështje që kërkohet edhe nga BE-ja për të treguar aftësitë dhe mundësitë e Kosovës për përkufizimin e shtetit sipas vijës e çila duhet të shënohet në terren”. Ndërkohë, ekspertë shqiptarë e ndërkombëtarë të kufirit, të cilët ishin edhe në “demarkacionin” tepër problematik e jo pak konfliktual Kosovë-Maqedoni, e përcaktojnë si ma të vështirë kufirin Kosovë-Mali i Zi.
Ndërkohë ekspertë ndërkombëtar të kufinit, që kanë punuar dhe për demarkacionin me Maqedoninë thonë se “vija kufitare me Malin e Zi është ma e vështirë”.
Predrag Bulatoviç, deputet i Partisë Popullore Socialiste, parti opozitare serbe, kërkoi nga foltore e Parlamentit Malazez, që, sipas tij,“duke pasur parasysh aspiratat shqiptaromadhe” të fqinjëve të lidhen me ta (Shqipërinë e Kosovën) të atilla marrëveshje që të garantojnë që çështja e kufirit me Malin e Zi të jetë zgjidhje e përjetshme. Ky sinjal (in)direkt duhet të jetë një tjetër paralajmërim për Tiranën e Prishtinën zyrtare që të jenë të kujdesshëm e të përgjegjshëm në marrëveshjet e tyre edhe me kufirin e kaltër e të gjelbër me Malin e Zi, me vijen kufitare shtetërore nga delta e Bunës në Ultinën e Epërme të Limit, nga Ulqini në Rozhajë. E, kur shovinistët malazez e lypin kësisoj, me përndjekje bulatoviçiane, duhet patjetër t’ua kallxojmë “kufirin tek dardha e thana”…
PRINDËR, RUANI FËMIJËT NGA PARADA E NGJARJEVE KRIMINALE NË TV E GAZETA DHE… NGA DEPUTETËT
Bisedë e supozuar në audiencë të hapur me të minorenët e të rinjtë…/
Shkruar nga Raimonda MOISIU-Hartford/
Duke pasur parasysh ngjarjet kriminale të kohëve të fundit në vendin tonë dhe në gjithë nahijen e shoqërisë shqiptare për ndryshim, vemë re se cdo ditë e më shumë “vërshojnë pa kandar”-ngjarje kriminale dhe fjalët drithëruese –tritol, vrasës me pagesë, hajdut, kallëzim të rremë, burg, atentat, vrasje, cështja Doshi & Frroku-fjalori bulevardesk në Kuvend, deputetë e kriminelë, politikë e krim, krim e ndëshkim, etj, janë kthyer tashmë cështje serioze në shoqërinë shqiptare. Pasqyrimi i tyre në median e shkruar e televizive shoqëruar me zhargonin dridhërues jo vetëm që nuk neglizhohet aspak, por është –Nonstop- dhe shumë nga ne prindërit e gjëjmë veten në krizë identiteti emocional, edukativ, qytetar dhe intelektual. Na duhet të vrasim mendjen se si t’jua adresojmë këto cështje fëmijëve tanë, duke u përballuar me mëdyshjen shpirtërore dhe psikologjike deri aty sa, edhe se si mund t’jua spjegojmë mizoritë, dhe burimin e vërtetë të këtyre krimeve dhe fjalorit negativ që përcakton ato.Është tejet e vështirë dhe e dhimbëeshme për prindërit për të spjeguar domethënien e këtyre ngjarjeve të pakuptimta dhe zhargonit negativ të pakufij e të pakuptimtë gjithashtu. Ne, prindërit e ndjejmë deri në palcë të shpirtit duke menduar se për të pasur një diskutim kuptimplotë me vetë fëmijët tanë mbi këtë çështje, mund të jetë sa e frikëshme, aq edhe e dëshpëruese.Së paridhe më e rëndësishmja, është sikundër ne prindërit dhe të rriturit duhet të përqëndrohemi tek fëmijët tanë dhe jetën e tyre, se cfarë mund të ndodhë, pasojat që lenë në edukimin dhe ndërgjegjen e tyre këto ngjarje të tmerrëshme, ky fjalor negativ në kufijtë ekstremë i ndikuar nga një sërë faktorësh kriminalë, që kanë ndikim absolut në formimin e tyre. Fjalët janë shpesh të nevojëshme, por ende të pamjaftueshme. Lindin pyetje të tilla se sa jemi ne në gjendje për t’jua spjeguar kuptimin e tyre? Cilat janë mënyrat dhe rrugët për të mos rrënjosur ankthin te fëmijët tanë, ndonëse ende vazhdojnë të jenë informuese? Si mundt’i mbrojmë fëmijët tanë që këto ngjarje tragjike të kuptohen prej fëmijëve pa u traumatizuar dhe pa u lënë pikëpyetje sekretive dhe pasoja në të ardhmen?T’ju flas për vuajtjen dhe dhimbjen time, që t’i njohësh e të ruash veten! Shumica e fëmijëve i shikojnë imazhet e ngjarjeve kriminale në televizion dhe nuk mungojnë pyetjet e menjëhershme nga ana e tyre. Dhe ata vazhdojnë të dëgjojnë për këto ngjarje në ditët e ardhshme. Kështu që është e rëndësishme të mbahen linjat e komunikimit të hapur me fëmijët duke i këshilluar nga imazhet nëpër media, duke kufizuar së pari vet-shikmin tonë për kohën kur fëmijët janë të pranishëm aty, krah nesh. Fëmijët mund të shfaqin disa ndryshime të sjelljes dhe emocionale, duke përfshirë edhe sjelljen jo të mirë, pagjumësi, ëndrra të këqija e të frikëshme, dhe ankth të përgjithshëm. Këto janë shenja që ne prindërit duhet me patjetër dhe domosdoshmërisht që të kujdesemi. Kjo është e nevojshme dhe tejet e rëndësishme sidomos për minorenët, të cilët e gjejnë të vështirë për të kuptuar këto tema e ngjarje të komplikuara, por edhe të frikëshme. Duhet të bëjmë kujdes edhe në mënyrën se si jua spjegojmë dhe tonin që përdorim në adresimin e situatave të tilla, me qëllim që fëmijët të gjejnë paqe me situatën. Duke qenë se edhe ne vetë prindërit kemi të njëjtën frikë dhe ankth se cfarë mund t’u themi fëmijëve, jo vetëm për t’u shprehuar atyre ndjenjën e sigurisë, por edhe të mos bëjmë të njëjtin gabim, të sigurohemi që nuk po përdorim të njëjtin ton si të imazheve të ngjarjeve që shfaqen në media, internet e lajme, sepse kjo do të jetë kundërproduktive dhe i dekurajojmë fëmijët nga komunikimi i hapur me ta. Duhet të krijojmë një marrëveshje për të gjetur mënyrën dhe gjuhën e përshtatëshme që këto ngjarje kriminale, vecmas për tritolin që ka shënjat e terrorizmit, të kuptohen prej fëmijëve pa i traumatizuar, pa u lënë pikëpyetje të pazgjidhura e pasoja në të ardhmen, neglizhimin në edukimin e fëmijëve, dhe të gjërave që krijojnë konfuzion ankthi nga të cilat fëmijët humbasin besimin ndaj prindërve dhe realitetit në të përditshmen njerëzore. Minorenët dhe adoleshentët gjithashtu përpiqen për të kuptuar imoralitetin e sulmeveme tritol. Te fëmijët do të ketë një sërë reagimesh dhe ata do të shfaqin një shumëllojshmëri të emocioneve, por ne prindërit dhe të rriturit duhet të jemi tolerantë e të durueshëm me ta dhe sjelljet e tyre.Kjo është një mundësi për prindërit e të rriturit, me qëllim për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë praninë e të mirës dhe të keqes në shoqëri, për të diskutuar shqetësimet e fëmijëve në lidhje me një të ardhme morale, të paqtë dhe të sigurtë.
Ky lloj pasqyrimi i ngjarjeve kriminale, i tritolit, i fjalorit bulevardesk në Kuvend, në gazeta apo në televizione duhet të mbahen larg syrit e vëmendjes së fëmijëve. Të gjitha llojet e gazetave, masmedia, revistat kinemaja, videot dhe televizionet kanë ndikimin e tyre pozitiv në zhvillimin gjuhësor të fëmijëve, por kanë edhe pasojat negative. Roli kryesor e i drejtpërdrejtë i televizioneve dhe shoqërisë është të ndihmojnë sa më shumë në zbehjen e faktorëve negativë, të japin sa më shumë programe për fëmijët, që ndikojnë jo vetëm në sjelljen kulturore e sociale të tyre, por të plotësojnë nevojat më elementare të fëmijëve që janë; dashuria, paqja e harmonia shpirtërore dhe shkarkimin e emocioneve, të cilat janë edhe sfidë ndaj imazheve të këtyre ngjarjeve, që në një mënyrë ose tjetër ushtrojnë dhunë verbale, sociale dhe psikollogjike ndaj tyre. “Dhuna emocionale e psikologjike” ndaj fëmijëve minorenë dhe adoleshentë jepet nga portretizimi i medias së “sukseseve” policore., me zë e figurë! Shumë minorenë janë më pak të shqetësuar për detajet -, ata janë më të shqetësuar për sigurinë e familjes dhe prindërve të tyre, se sa për detajet. Ky është problem tejet i mprehtë që duhet pranuar nga prindërit për t’i qartësuar fëmijët e tyre se ka persona të pamoralshëm që janë përgjegjës për aktet e dhunës dhe të ngjarjeve kriminale, por në të njëjtën kohë duhet t’i sigurojnë ata se janë të sigurtë e të mbrojtur mirë nga individë të tillë. Është gjithashtu e nevojëshme dhe e domosdoshme për të kufizuar shikimin e televizionit, vecmas kur jepen lajmet e kronikës së zezë. Programet televizive nga media të ndryshme përsërisin të njëjtat segmente lajmi papushim, me pak shpjegim rreth kontekstit të lajmit. Kjo nuk është aspak e dobishëme për fëmijët dhe mund të shkaktojë ndjenjën e brengosjes, pështjellim emocional dhe madje edhe paranojën. Ne duhet të gjejmë një pikë të mesme mes mbiekspozimit të tepërt dhe shmangies nga këto lajme. Sepse në disa raste ne nuk arrijmë as vetë si prindër të kuptojmë se sa shumë informacion po thithin fëmijët tanë. Ne duhet thjeshtë e qartë t’u bëjmë të ditur fëmijëve tanë të jenë të vetëdijshëm,dhe kur ndihen të frikësuar nga individë e situata që ata mund të ndodhen. Nuk duhet në asnjë mënyrë t’ju futim ndjenjën e paranojës, ankthit apo shmangies,nëpër të dyja sferat me hije dhe me diell të jetës sonë. Por edhe për të siguruar njohuritë dhe ndërgjegjësimin se cfarë duhet të bëjnë për t’u përballuar me ngjarjetë tilla, është mirë që t’ju vemë në dukje se ngjarje të tilla janë të rralla, duke i trajtuar fëmijët tanë me dinjitet e respektin që ata meritojnë.Duke pasur parasysh gjendjen e nderë të situatës social -politike në Shqipëri-me tritolë e ngjarje të dhimbëshme kriminale, varfërinë etj, të cilat i kam përmendur që në hyrje të shkrimit ju bëj një apel kolegëve të mij në Shqipëri që drejtojnë emisione në median e shkruar e televizive, të organizojnë enkas një DEBAT –OPINION—ku në panel të jenë analistë, politikanë, shkrimtarë, mundësisht të jenë shkrimtarë për fëmijë, akademikë, studiuesë, prindër, psikologë e pedagogë , tu kërkohet mendimi për të gjetur mënyrën si dhe gjuhën e përshtatshme që ngjarjet kriminale të tritolit, burgu, vjedhja, vrasje, vrasësit me pagesë, etj, të kuptohen prej fëmijëve tanë pa u traumatizuar dhe me pasoja psikollogjike për të ardhmen. Unë e nisa “Debatin” me këtë “Bisedë e supozuar në audiencë të hapur me të minorenët e të rinjtë”. Fëmijët janë ardhmëria e një kombi, janë themeli i formimit njerëzor, në rast se prindërit dhe vetë ne shoqëria e të gjitha shtresave do të edukojmë fëmijë të mbarë edhe vetë familja dhe shoqëria do të jetë e fortë dhe e mirëqëndrueshme, përndryshe do të kemi një shoqëri të korruptuar dhe të degjeneruar. Ne jemi të gjithë të njëjtë, dhe ne jemi të gjithë të ndryshëm, pa marrë parasysh se çfarë ideje i pëkasim -, të majtë apo tëdjathtë , se cfare feje i falemi, dhe cfarë race i përkasim, kur vjen puna për fëmijët ne jemi të barabartë mes të barabartëve.Fëmijët janë pasqyra e shoqërisë dhe reflektimi i ardhmërisë. Janë shpresa e së ardhmes dhe kujdesi dhe edukimi i fëmijëve duhet të jetë përparësi e interesi kryesor i shoqërisë dhe i kombit. Zhvillimi i aftësive fizike, psikologjike dhe intelektuale te fëmijët, është garancia për të ardhmen e një familje e shoqërie të shëndetshme fizikisht, moralisht, psikollogjikisht, dhe qytetarë të devotshëm në një shoqëri të denjë. Shoqëria shqiptare, klasa politike dhe akademike, të gjithë ne së bashku, përfshi këtu edhe mjetet e informimit masiv e mediatik, njerëzit e letrave e të artit, duhet të bëjnë shumë përpjekje për të mbështetur kujdesin, ngrohtësinë, edukimin dhe dashurinë ndaj fëmijëve. Ky është shërbimi më dinjitoz, historik, kombëtar e njerëzor për brezat që vijnë.
Raimonda MOISIU
USA
Prill 2015
Paranoja e Serbisë karshi “bashkimit kombëtar Kosovë – Shqipëri”
Nga Arton Konushevci/
Ideja e bashkimit kombëtar të Kosovës dhe Shqipërisë është më shumë paranojë e Serbisë dhe reagimet që vijnë nga Beogradi zyrtar janë më shumë në funksion të ikjes nga problemet reale të këtij shteti.
Në këtë formë mendojnë të paktën njohësit e zhvillimeve në Kosovë dhe në Serbi.
Reagimet me zemërim të zyrtarëve serbë kanë pasuar deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, “për bashkimin kombëtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me mjete të shekullit 21 dhe në funksion të BE-së”, në një intervistë dhënë një televizioni vendor në Kosovë.
Analisti Ismail Hasani, në Prishtinë, thotë se reagimet nga Serbia vijnë e bëhen më të ashpra, pasi që tani “është kuptuar tashmë se shqiptarët janë faktor në Ballkan”.
Ai i cilëson këto reagime si të natyrshme, deri diku, “për faktin se Serbia në një mënyrë është ndërgjegjësuar se entiteti shqiptar në Ballkan është faktor që nuk guxon të injorohet”.
“Do të thotë, tani shqiptarët në Ballkan, me potencialet që kanë, me resurset që kanë, me të arriturat që kanë shënuar, është e nevojshme për secilin shtet në ketë rast për Serbinë, të merren në konsideratë. Për fat të keq, Serbia si fqinje grindavece, këtë reagim e bën në mënyrë të ashpër, në mënyrë të vrazhdë, pa diplomaci dhe pa sens të maturisë. Dhe konsideron se ‘ja rreziku po vjen’, do të thotë, nëse ndodhë bashkimi i shqiptarëve atëherë, rrotullohet i tërë globi”, tha Hasani.
Ai tha se Serbia nuk ka frikë vetëm nga bashkimi kombëtar, por si shtet “vuan edhe nga një paranojë e pashpjegueshme, mbase si pasojë nga lufta”.
“Shteti serb, është bukur i ç’akorduar në kuptimin edhe të ndërtimit të klasës politike; krijimit të një bilanci shoqëror. Do të thotë, problemet e brendshme të shtetit serb, në përpjekje për t’i zhvendour, gjendet në një situatë që reagohet ndaj një fqinji, i cili gjoja se paska deklaruar diçka, e për të cilën edhe vetë serbët janë të vetëdijshëm se ato procese tani për tani nuk mund të ndodhin, me gjithë faktin se shqiptarët e duan këtë proces – procesin e bashkimit”.
“Por, ai nuk mund të ndodhë për shkak të konstalacioneve gjeostrategjike”, u shpreh zoti Hasani.
Edhe Dushan Janjiq, analist i çështjeve politike në Beograd, tha për Radion Evropa e Lirë se reagimet e ashpra nga Serbia ndodhin për disa arsye, kur përmendet bashkimi kombëtar i Kosovës dhe Shqipërisë.
“ Arsyeja e parë është Kosova dhe ka marrë formë gjatë viteve të 90’ta, në kohën e konfrontimit, në kohën e politikës së Millosheviqit në Kosovë. Ishte ajo një politikë e paditurisë, një politikë e eliminimit të çdo ekzistence autonome të shqiptarëve të Kosovës, teritoriale apo politike, madje edhe mohimit të ekzistencës së tyre. Pra, kjo ishte një politikë e dështuar e apart’heidit, e cila përfundimisht u shndërrua në krijimin e një shteti të ri shqiptar, në aspektin etnik”, tha Janjiq.
Duke komentuar edhe qëllimet programore të partisë së kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, [viti 2013], e në të cilin thuhet që “në të ardhmen të krijohen kushtet edhe për formimin e një shteti të përbashket të popullit serb në Serbi dhe Republikës Serbe [në Bosnjë]”, Janjiq thotë se njerëzit shpesh ngurrojnë ta thonë atë që vërtet mendojnë, ndërsa sulmojnë të tjerët kur e kërkojnë të njejtën gjë.
“Ideja, që edhe Serbia duhet të kompensohet, sepse po e humb Kosovën, është gjithnjë e gjallë, dhe atëherë Edi Rama shihet si një arsye e mirë për të porositur Evropën dhe të tjerët, atë që në fakt e ka thënë vetë Rama – ‘nëse ju nuk e ndiqni interesin tonë, atëherë ne shkojmë drejt një rruge tjetër’. Pra, ‘nëse shqiptarët nuk e ndjekin atë interes, pse po na e kundërshtoni politikën e Dodikut’“, tha Janjiq.
Kryeministri serb Vuçiq, i ka premtuar kryeministrit shqiptar Rama, se Kosova dhe Shqipëria, “nuk do të bashkohen kurrë, siç është thënë, në formën klasike”.
“U lutem liderëve shqiptarë që të ndalen së provokuari jostabilitetin në rajon”, ka thënë Vuçiq, në rrjetin social Twitter, të martën, më 7 prill.
Ndryshe, Bashkimi Evropian vlerëson se Ballkani Perëndimor ka perspektivë të qartë evropiane, të përcaktuar nga ana e Bashkimit Evropian, në nivelin më të lartë.
Këtë vlerësim e ka dhënë Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, duke iu referuar deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për “bashkim kombëtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me mjetet e shekullit 21 dhe në funksion të BE-së”.
“Të gjithë partnerët në rajon, kanë konfirmuar vetë zotimin në përmbushjen e këtij synimi dhe ambicien e tyre për të përmbushur kriteret e nevojshme, duke respektuar në tërësi parimet dhe standardet e BE-së”.
“Ata janë duke përparuar, secili me ritmin e tyre, në këtë rrugë dhe presim nga ta t’i vazhdojnë përpjekjet e nevojshme për të arritur përparimin e mëtejmë. Në këto zotime gjithashtu përfshihet bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore; çfarëdo deklaratash provokative në këtë kuadër, janë të papranueshme”, ka thënë zonja Kocijançiq, në një përgjigje me shkrim.(Europa e Lire)
ABAZ KUPI, I VLERESUAR DHE I ANATEMUAR NGA ENVER HOXHA
*Cila është e vërteta e rezistencës shqiptare në 7 prill 1939?/
* Replika e Faik Konicës në “The New York Times” për pushtimin fashist/
Nga Dalip Greca/
E fshehta e rezistencës shqiptare me 7 prill qëndron ende e kyçur në arkivat italiane. Media fashiste u përpoq që të fshihte të vërtetën duke u përpjekur që ta paraqiste pushtimin si një dëshirë të vetë popullit shqiptar.
Këtij qëllimi i shërbeu më pas edhe skenari i Asamblesë Kombëtare, ku Xhafer Ypi lexoi mesazhin, ashtu siç e kishin përpiluar italianët.Madje edhe kur iu dorëzua kurora Mbretërore Viktor Emanuelit, është i njëjti kujdes, “gjithëçka ka ardhur nga dëshira e shqiptarëve për t’u bashkuar me Italinë”.
Gazetat italiane, edhe ata që guxonin të kritikonin veprimet aventuriere të Duçes, e fshehin rezistencën. Ja se si e jep tablon e pushtimit shtypi italian : “Katër të shtëna, dhe operacioni “Shqipëria “arkivohet. Ishte një luftë pa luftë, por regjimi është në delir. “Bota duhet ta dinte,” bërtet Mussolini nga ballkoni i tij i famshëm, “se ne kemi fuqinë të shtyjmë përpara.” (ital. “tireremo diritto”).
Më 16 prill, Viktor Emanuali, disi i hutuar, pranon kurorën shqiptare. Shtypi i regjimit flet për “sukses pa precedent”, por fitimet politike janë zero.“ Pra gati asgjë për rezistencën shqiptare. Ajo injorohet me qëllim.”.Po cila ishte e vërteta?
Ka një polemikë interesante të Faik Konicës me botusin e gazetës “The New York Times” për vërtetësinë e përrallave italiane për bashkimin vullnetar të Shqipërisë me Italiane dhe për vërtetësinë e rezistencës së 7 prillit 1939.
Replika e Faik Konicës në “The New York Times” për pushtimin fashist
Me 31 maj 1939, Faik Konica, i dërgonte një letër botuesit të gazetës “The New York Times” të titulluar ”Pushtimi Italian i Shqipërisë, i rishqyrtuar”. Konica e falenderon botuesin për informacionin e botuar nga gazeta e tij më 30 maj 1939 prej korrespondentit të saj në Romë, ku shkruhej ”Forcave të armatosura shqiptare iu është kërkuar të bashkohen me forcat italiane”. Faiku shkruan:” Si në tekst, ashtu edhe në titujt ju vini, fjalët ”iu është kërkuar”,- në thonjëza-një shenjë pikësimi që nuk është përdorur kurrë më saktë se këtu.”Përmes stilit të vet të njohur, mjeshtri diplomat e publicist, sjell për lexuesit ngjarjet e pas perdes diplomatike të fashizmit, kur thotë se “Qeveria e Shqipërisë pa dyshim që s’flet me zërin e vet.Ajo është e detyruar të thotë se Poli i Veriut përputhet me Ekuatorin nëse kështu thotë Italia. Duke satirizuar qeverinë italiane dhe agresionin e saj, Faiku shkruan se “Unë mendoj se shumë njerëz duhet ta kenë ndryshuar mendimin që ka mbizotëruar deri më sot se italianët, si komb, janë inteligjentë, pavarësisht nga karakteristikat e tjera jo mikluese.” Fjala dominuese nëpër gazeta i paraqet ata të neveritshëm, shton Faiku.
Zemërgjërsia e tyre, sipas Konicës matet me agresionin që kryen në Shqipëri.Duke folur për qëndresën shqiptare me 7 prill dhe përpjekjen italiane për ta mohuar atë, Konica shkruan:”Italianët, në dëshirën e tyre të pashpresë për ta bërë botën të besojë se nuk ishin agresorë, por miq të thirrur nga populli për ndihmë, shpallin me paturpësi se nuk pati fare rezistencë.Nga ana tjetër, shqiptarët llogarisin rreth dymbëdhjetë mijë italianë të vrarë; dhe grekët si fqinjë të afërt dhe vëzhgues, janë dakort.
Megjithatë, arsyeton Konica, le t’i marrim këto shifra të ekzagjeruara nga emocioni. Ai shkruan se ka në dorë letra nga të huaj neutralë dhe të painteresuar, që u ndodhën në Durrës në kohën e agresionit.Nuk mund t’i bëj publike këto letra, por mund t’ia tregoj një përfaqësuesi të akredituar në Tiranë. Faiku thotë se ata e çojnë numrin e të vrarëve vetëm në Durrës, minimumi në një mijë ushtarë italianë.Por nga ana tjetër, italianët deklarojnë se në të gjithë Shqipërinë janë vrarë vetëm 25 ushtarë italianë dhe se këtë e kanë bërë “banditët” edhe pse ndërmjet të vrarëve kishte edhe studentë.Konica shton, për hirë të argumentit le të pranojmë shifrat e italianëve; por kemi të drjtë për disa konkluzione. Meqenëse zbarkimi u bë në katër pika, në çdo pikë duhet të jenë vrarë mesatarisht nga gjashtë vetë; dhe meqë dihet me siguri se italianët disa herë qenë të detyruar të tërhiqen në anijet e tyre, mund të themi me të drejtë se sa herë vritej një ushtar, të tjerët ia mbathnin.
Konica ironizon: Nëse kjo është e vërtetë , Italia duhet të ketë dërguar në Shqipëri kampionët e vrapimit, që e kishin treguar më parë veten në Guadalajara (Lufta Civile Spanjolle).
Qëndresa e 7 prillit
Historiografia komuniste thuajse e ka lënë anonime rezisitencën e 7 prillit. Ajo gati të gjithë rezistencën e lë pa emër. Është vlerësuar vetëm Mujo Ulqinaku, i cili është heroi i pa kontensuar edhe në ditët e sotme sepse me gjakun e vet dëshmoi rezistencën shqiptare. Mirëpo në jetëshkrimin e Heroit të Popullit, Mujo Ulqinaku, ai paraqitet gati i shkëputur. Mujo Cakuli(Ulqinaku) jepet si një nënoficer i shkëputur nga të tjerët, që nuk i përkiste asnjë ushtrie, madje ai qenkish vënë në krye të marinarëve të braktisur, që oficerat i lanë dhe ikën. Ai sipas Enciklopedisë shqiptare, vrau dhejtëra fashistë.
Asnjë fjalë për të tjerët në rezistencë. Injorohet kontributi i komandantit të 7 prillit, majorit Abaz Kupi.
Nga ana tjetër as italianët, nuk ia patën njohur qëndresën Abaz Kupit, por atë vetë, e patën shpallë si shumë të kërkuar, ndërsa familjen ia internuan.Anglezët e luftës së Dytë Botërore, përkundrazi, e kishin vlerësuar lartë qëndresën e Abaz Kupit.
Në një letër që Abaz Kupi i dërgonte pas luftës ministrit të Jashtëm britanik Anthony Eden, rezistencën e tij gjatë luftës e përshkruan me fakte që komunistët u përpoqën t’ia mohonin. Rezistencën ndaj sulmit fashist në Shqipëri ai e përshkruan kështu: “Kur anijet e armikut arritën pranë molos, i lashë fashistët të zbrisnin në tokë, madje dhe të na afroheshin nja 200 metra. Atëherë dhashë urdhër që të hapej zjarr kundër tyre. Kështu, në ora 4 të mëngjesit kishte filluar një betejë e vërtetë. Gjatë këtyre luftimeve, të tre sulmet e tyre të njëpasnjëshme i zmbrapsëm, duke i detyruar agresorët që të ktheheshin e të futeshin sërish nëpër anijet e tyre. Gjatë sulmit të katërt, armiku, duke vënë në përdorim të gjithë mjetet dhe forcat e tij luftarake që dispononte, u përqendrua në një sulm të përgjithshëm kundër krahut tonë të djathtë. Në këtë mes, ne, duke mos i pasur mjetet e nevojshme gjatë 6 orë luftimesh të përgjakshme dhe të pandërprera, qemë të detyruar që të tërhiqeshim. Në këto rrethana u largova nga vendi im dhe dola në Jugosllavi, ku u takova me kolonelin Oacly Hill dhe oficerë të tjerë britanikë, kolegë të mi, me të cilët kam pasur shumë raste bashkëpunimi”. Në letrën e Abaz Kupit flitet për qindra të vrarë nga italianët. Gjithësesi shifra nuk është e konfirmuar. Ndërsa Enver Hoxha, që fillimisht ia njohu qëndresën Abaz Kupit, shkruantë se ishin qindra të vrarë ditën e erzistencës. Nga ana e tij Zavalani, në historinë e Shqipërisë, nuk jep shifra, por pohon rezistencën.
Enver Hoxha e pat ngritur në qiell heroizmin e Abaz Kupit në vitet e para të luftës, por më pas ai e shpalli armik.
Enver Hoxha për Abaz Kupin (i paçensuruar)
Se kush ishte Abaz Kupi i vërtetë, para se Enver Hoxha të çensuronte veten e tij, mjafton që të sjellim të plotë, artikullin e shkruar nga vetë ai dhe botuar në gazetën “Zëri i Popullit” Nr. 13-14 shkurt 1943.
Artikulli mbante titullin” Bazi i Canes, Myslym Peza, Baba Faja Martaneshi”. Ky artikull u ribotua pas luftës në librin “Enver Hoxha-Vepra, Vell I, por pa pjesën që fliste për Bazin e Canes.Artikulli nuk ka nevojë të komentohet, majfton që të çojmë ndërmend kalvarin e Familjes Kupi, përplasjen e saj nëpër kampe internimi e burgje, më keq se ç ‘kishte vepruar fashizmi. Enveri ia mohoi Bazit të Canes edhe Durrësin, edhe Krujën, edhe betejat e tjera.
***
Në ditët e para të prillit 1939, ditë të zeza të historisë sonë, populli shqiptar ishte më këmbë; me një zemër, me një parrullë:Luftë invazorit fashist të urryer si bishë e Atdheut tonë të dashur, në fshatra dhe qytete të Shqipërisë, i madh dhe i vogël bërtiste në Durrës, Shëngjin, Vlorë për të mbrojtur Atdheun.
Në Durrës luftonte Abaz Kupi me djemtë e shqipes, luftonte me një grusht njerëzish kundër dëshirës së klikës dallkauke që ishte në fuqi, kundra mijëra dhe mijëra fashistëve që po zbarkonin në molo.
Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë, të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun, me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun që të kthehej në vapore e të linte ne Molo me qindra të vrarë.
Major Bazi ishte kudo, në çdo pozitë, zëri i tij dëgjohej:Djema! Godisni armikun pa mëshirë se kështu e lyp ndera e Atdheut!”- dhe pushkët e shqiptarëve kërcisnin mbi fashistët e fëlliqur që turreshin valë-valë.
Nga çdo anë, nga çdo mur, derë, nga çdo penxhere e Durrësit vëlonte pushka. Bazi i Canes s’po ia lëshonte vendin, megjithëse armiku përdori topa e aeroplanë, djemtë e Shqipërisë s’termbeshin, sado që ishin një grup njerëzish.
Lufta vazhdoi me orë, armiku hidhte si në furrë, me mijëra bersalierë dhe përpara kësaj hordhi të madhe të veshur me çelik, Bazi i Canes u tërhoq, por i pathyer, i papërkulur, me zemrën plot dashuri për Atdheun dhe me urrejtje për okupatorin.
Në emigracion këtj s’i rrihej, ai e kishte zemrën në Shqipëri, në vëllezërit e tij që po luftonin me tërbim fashizmin dhe ky luftëtar çau malet me borë, çau bjeshkët e veriut dhe u fut në Atdhe, atje ku e lypte detyra, ku e lyp ndera e Atdheut, u fut me bashkue forcat e tij me atë të shokëve shqiptarë që ishin çue në këmbë.
Fashtrat e Krujës zienin, fshatarët rrokën armët, pse ora e hakmarrjes kish arritur, pse Bazi i Durrësit ishte kthye me marrë pjesë në LÇ e popullit shqiptar.
Mustafa Kruja u përpoq të kish zinxhirët, u përpoq ta bënte rajë të okupatorit, por Bazi i tregoi rrugën këtij korbi të zi, këtij birit bastard të tokës arbërore dhe si, patriot që ishte i shpalli luftë fashizmit, Merlikës dhe tradhtarëve.
Merlika i lëshua si një bishë me hordhitë e tij mercenare për me ndjekë çetën e Abaz Kupit, u derdh mbi miqtë e tij, mbi shokët e tij me i vra e varë.
Bazi i Canes i goditi fashistët pa mëshirë. Merlika e bëri sheshin e Krujës, shesh për varje për djemtë e Bazit. Por Bazi s’tutej dhe thoshte” Vallja vjen pas”.
Fashizmi dhe Mërlika i kanë milicët të lirë me pesë napolona kokën, kurse ne djemtë tanë i kemi vëllezër dhe shokë, por hakën s’e lëmë pa e marrë dhe për një njëqind.
Bazi i Canes që luftonte për një qëllim të shenjtë; çlirimin e Atdheut nga zgjedha e italianëve, e ka kuptuar fare mirë se trimi i mirë me shokë shumë, se ky hall i madh ka mbuluar gjithë Shqipërinë dhe se një bashkim i fortë e i shëndoshë i gjithë shqiptarëve në luftën kundër okupatorit do të jetë shpëtim i vendit tonë.
Patrioti i vërtetë s’lufton me fjalë, por me punë, me vepra dhe Bazi i Canes mendimet e tij i realizon në fushën e luftës dhe solidar deri në vdekje me të gjithë patriotët e tjerë shqiptarë, u hodh në Luftën NC, në luftë për Atdhe.
Me 10 tetor 1942, armiku i fëlliqur u godit nga të katër anët e Shqipërisë, kudo u goditën kolonat, depot, milicët e armikut, kudo në Shqipëri u prenë telat e telefonave.
Ky ishte rezultat i Kuvendit të burrave shqiptarë, që vendosën të luftonin me armë dhe pa pushim deri në fitore armikun e vendit tonë. Dhe Bazi i Durrësit, Bazi i Krujës, Bazi i Pezës dhe i 10 tetorit, po vazhdon dhe do ta vazhdojë deri në fitore luftën kundër okupatorit dhe tradhëtarëve.
- « Previous Page
- 1
- …
- 826
- 827
- 828
- 829
- 830
- …
- 985
- Next Page »