• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Entuziazmi rrejshëm i ”emigrantëve” dhe despotët

February 10, 2015 by dgreca

Nga Aurel Dasareti, USA/*
Kosova nuk është shtet por një kaos në univers, e okupuar nga sundimtarët me pushtet absolut, despotët. Ndërkaq, ”emigrantët” e përkohshëm ilegal ”kosovarë” synojnë të arrijnë lehtë një qëllim të caktuar me përpjekje të pamatura, të papeshuara e pa parim; prirje për veprimtari të çmendura-aventura. Megjithatë, besoj se Kombi Shqiptar ka fuqinë për të mbijetuar, sepse ai është aq i pasur nga arsyeja që kurrë nuk do të jetë në gjendje për të kapërcyer: entuziazmin. Sidomos kur ajo transmetohet këtu, në çmendurinë e historisë së ikjeve masive.
***
Një pjesë të konsideruar të shoqërisë “kosovare”, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike dhe propagandës së kontrabandistëve, e kanë kapluar mendimet e koklavitura (aftësitë njohëse) dhe emocionet e çuditshme me pasoja të rënda për jetën e përditshme të tyre, familjes dhe përreth. Këta “emigrantë” entuziast nuk janë më në gjendje për të mbajtur kontakte me realitetin e tyre të zakonshëm. Ndërgjegjësimi i tyre për realitetet e tyre të brendshme dhe të jashtme aktivizon ndjenjat e padurueshme e shumë të dhimbshme, kërcënuese apo natyrën katastrofike.
***
“Emigrantët” e rrejshëm e rrejnë vetveten kur arsyetohen kinse ikin prej varfërisë, por kjo nuk është e vërtetë sepse asnjëherë më parë nuk kanë qenë të pasur, përkundrazi, kanë qenë më të varfër.
”Emigrantët” nuk vuajnë nga varfëria absolute – sidomos lufta – që të arsyetojnë ikjen në askund. Jetojnë në varfëri relative e cila shumë shpejtë mund të përmirësohet nëse ata vendosin seriozisht për një gjë të tillë: duke filluar nga shkarkimi i sundimtarëve despotik, kallëzimi penal dhe konfiskimi i pronave të tyre kolosale të fituara jo-ligjërisht nga tradhtia kombëtare, korrupsioni dhe krimi i organizuar; zgjedhja ne pushtet e njerëzve të përshtatshëm dhe reformat në gjithë sferat. Vetëm miniera e Trepçës dhe termocentrali i Obiliqit (nëse rregullohet ndotja) peshojnë sa gjithë Kosova. Shumë mundësi zhvillimi dhe punësimi edhe në bujqësi, blegtori…
***
Nuk mund të presim ndihmë nga të huajt, nga ata që tërë ditën predikojnë për të drejtat e njeriut. Sot nuk janë me rëndësi të drejtat e njeriut por luftërat për territore.
Derisa popullata e dalldisur është duke e boshatisur tërësisht vendin, qeveritarët indiferentë nuk e ndalojnë aspak këtë boshatisje, por akoma, pa mandatin e shqiptarëve, negociojnë me Serbinë – për mposhtjen përfundimtare të Kosovës.
Heshtin edhe Akademia e Shkencave të Kosovës dhe Shqipërisë. Heshtën Kisha katolike dhe klerikët e saj “patriotik” të cilët mërziten vetëm për faktin se një patriot shqiptar mysliman do të bëhet ambasadori i shtetit laik shqiptar – në Vatikan. Heshtën edhe Xhamia me klerikët e saj myslimanë të cilët shpesh organizojnë demonstrata masive me xhematë të çmendur shqipfolës për “shkeljen e të drejtave të njeriut” të “vëllezërve” të tyre imagjinar të shpellave: turk, arab, pakistanez, somalez, IS sirian, por janë indiferentë për eksodin tragjik të vëllezërve të vërtetë dhe tragjedisë së vendit.
***
Pse shqiptari kështu vet-shkatërrues?
“Emigrantëve kosovarë” u mungon aftësia për të bashkuar arsyen me entuziazmin.
“Kur unë pi raki ose konsumoj drogë e harroj vetveten dhe më kaplon një ndjenjë e mrekullueshme”- më thoshte me krenari një i dehur.
***
Konventa e Refugjatëve:
1) Jashtë vendit të origjinës
2) Frika e bazuar
3) Persekutimi
4) Në bazë të racës, fesë, kombësisë, anëtarësisë në një grup të veçantë shoqëror ose mendimit politik
5) Mos mbrojtje në vendin e origjinës

***
“Kosovarët” janë relativisht të varfër por jo politikisht të rrezikuar. Nuk e plotësojnë aspak asnjë kusht që përmenda. Janë azilkërkues të rrejshëm sepse:
• jetojnë në trojet e veta etnike e jo jashtë vendit të origjinës.
• nuk ekziston frika e bazuar – për jetën
• nuk persekutohen
• nuk ndiqen për shkak të racës sepse nuk janë minoritet në vendin e vet. Qeveritarët i kanë të së njëjtës racë, fe dhe kombësi. Nuk rrezikohen për shkak te mendimit politik sepse pushteti nuk mërzitet aspak për mendimet politike të qytetarëve – aq më tepër kur ata që ikin nuk kanë aspak mendime politike; sikur të kishin nuk do të iknin por do të luftonin seriozisht për ato mendime
• pasi askush nuk i persekuton, nuk kanë nevojë të mbrohen në vendin e origjinës.
***
Përfundim: Nuk janë aspak të kualifikuar si refugjatë. Do të dëbohen. Sikur të fitonin azil pa i plotësuar kushtet, do të ishte e barabartë me: sikur dikush të diplomon në universitet – përkundër faktit se është analfabet.
Perëndimi nuk e di këngën ”Ku je nisë moj zanë” por ”Ku je nisë o aventuristë”
***
Për diasporën:
Është obligim atdhetar dhe përgjegjësi juridike që ne, pa përjashtim, të respektojmë 100% ligjet e shtetit ku jetojmë. Të mos bëhemi pjesëmarrës të veprës penale: emigrimit ilegal. Dhe shpërbërjes së Kombit, Shqipërisë, ndryshimit demografik të trojeve tona.
Apeloj: Secili prej nesh (në periudhë prej 3 vjetësh) të përmbajmë ekonomikisht nga 2 familje nevojtarësh, nga 100 euro në muaj për familje. Veproni, tash, menjëherë.
Pjesa dërmuese prej jush nuk është e pasur por nuk është as e varfër, asgjë nuk u gjen për këtë shumë simbolike që propozova. Jemi racë humane. Atdheu thërret, t`i ndihmojmë. Me siguri se shumica prej jush keni pasur arsye të forta në kohën kur braktisët tokën ku u lindët dhe u rritët; megjithatë, me siguri se diku thellë brenda jush ndjeheni “fajtor” për këtë braktisje. Nëse ndihmoni pak motrat dhe vëllezërit e juaj fukarenj, përveç humanizmit dhe solidaritetit vëllazëror, do të lehtësohet shumë ndjenja e ndërgjegjes së juaj.
*Ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurel Dasareti, dhe despotët, Entuziazmi rrejshëm, i ”emigrantëve”

Skenarë te rinj për të ardhmen e Kosovës!!!…

February 10, 2015 by dgreca

Nga Dr Enver BYTYCI/- Gazeta gjermane, më e madhja për nga numri i ekzemplareve në shitje, pra gazeta “BILD”, shkruan në numrin e saj të fundit së emigrimi i shqiptarëve nga Kosova dhe dyndja drejt Perëndimit ka vënë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës, aq sa disa vende që e kanë njohur ate po diskutojnë revokimin e njohjës.
Kjo do të thote së eksodi i shqiptarëve të Kosovës është shkak i mizerjes se qeverisjes, por edhe kurth i një projekti të ri për statusin e saj. Po cila do të jetë një zgjidhje e paramenduar, nese revokohet njohja e pavarësisë së Kosovës? Serbia e ka bërë të qartë: Ndarja e saj. Gjithkush e di, e madje as Beogradi nuk e do me Kosovën nën sovranitetin e tij.
Por Beogradi vazhdon të punojë për ndarjën e Kosovës, me qëllim që pasuritë e saj, miliardëshe në Trepcë e në veri të saj t’i aneksojë e t’i mbajë për vetën e saj. Patrick Moore shkruan se “Serbia nuk ka hallin e Kosovës, as të serbëve në Kosovë, ajo interesohet për pasuritë e veriut të Kosoves”.
Shqiptarët e Kosovës, qeverite e Kosovës, institucionët e Kosovës, edhe opozita e Albin Kurtit me duket së po dëshmojne argatine e Serbisë në këtë projekt. Por, me habit qendrimi indiferent i Qeverisë së Tiranës zyrtare për të gjitha ato që kanë ndodhur kohët e fundit në Kosovë?! Dua të shtroj pyetjen, fakti që Qeveria Shqiptare nuk ka bërë e nuk bën asnjë përpjekje për shtimin e njohjeve të shtetit të Kosovës, a mund të interpretohet e të jetë pjesë e këtij skenari serb?! Dëshiroj të jem i gabuar, por nuk me duket se konflikti artificial Tiranë-Beograd për Kosoven të mos këtë një prapavijë të dyshimtë.
Ndërkaq edhe Qeveria e Kosovës nuk flet më për angazhim për njohjet e pavarësisë së saj. Vetë ministri i jashtem dhe kryetari defacto i shumices, Hashim Thaci, me shumë flet për cështje të tjera, sesa për shtimin e njohjeve… Si mund ta interpretojmë këtë kthesë në qendrimin e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare?! Mos ndoshta edhe këta janë marrë vesh për ndarjën e Kosovës?! Po si do ta justifikojne këtë? Si do ta justifikoje politika e Kosovës, pozita e opozita e saj? Si do ta pranoje qeveria e institucionet e Tiranës?!
Me në fund eksodi i shqiptarëve a mos është një vepër e inskenuar per destabilizim, deri në demotivimin e shqiptarëve për mbrojtjen e integritetit dhe teresisë territoriale?! Sepse ndodh që ndërkombëtarët merren vesh me politikën, por politika kërkon të sigurohet së nuk delë nga skena pas zbatimit të skenareve të tillë. Dhe për këtë është punuar më kohë per t’ia ngushtuar lakun qytetarëve të Kosovës, deri në atë masë sa të harrojnë atdheun e vendlindjën në këmbim të mbijetesës!!!

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, për të ardhmen e Kosovës!!!..., Skenarë te rinj

PROJEKT – LIGJI PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT

February 10, 2015 by dgreca

Nga Eugjen MERLIKA/
Mbas shumë vitesh përpjekjesh për të miratuar një ligj mbi trasparencën në dosjet e ish Sigurimit të Shtetit na paraqitet nga Qeveria aktuale një projekt-ligj “Për të drejtën e informimit për dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Në relacionin mbi projekt-ligjin, të datës 6 janar 2015, thuhet : “Nëpërmjet ndërtimit të një rrjeti shumë të madh bashkëpuntorësh dhe të përdorimit të metodave antiligjore dhe antinjerëzore, Sigurimi i Shtetit ka mundur të terrorizojë, të manipulojë, të dekurajojë, të torturojë, të dënojë, të internojë, të ekzekutojë, të shtypë dhe të dhunojë të drejtat elementare njerëzore të qytetarëve shqiptarë.”
Është një pohim shumë i rëndësishëm, mbasi sjell një të vërtetë të pakundërshtueshme mbi natyrën dhe karakterin e regjimit komunist shqiptar, si një regjim terrorist i cili, nëpërmjet organit të tij më shprehës, Sigurimit të Shtetit, e ktheu Shqipërinë në një kamp të stërmadh, ku nuk ekzistonte asnjë liri individi apo e drejtë njerëzore e ku viktimat e dhunës, për frymë poullsie, kalonin shifrat e secilit Vënd të Lindjes komuniste evropiane. Duke mbajtur parasysh se Sigurimi i Shtetit nuk ishte një organizëm i huaj në Shtetin komunist, por “dora besnike” dhe “syri vigjilent” i saj, gjithmonë nën drejtimin epror të partisë komuniste e drejtuesve të saj me Enver Hoxhën në krye, përfundimi logjik është se ajo parti mbeti, deri në fundin e saj, e njëjta parti terroriste, e themeluar nga Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, besnike e përjetëshme e parimeve diktatoriale të komunizmit primitiv të markës staliniane.
Historia e përpjekjeve për t’i dhënë shqiptarëve një ligj që duhej t’i jepte mundësi hyrjeje atyre në sekretin e dosjeve të ish-Sigurimit, është e pasur në dështime, sa që sot jemi i vetmi Vend ish komunist, krahas Rusisë, që nuk e kemi. Shpjegimi duhet kërkuar në një farë strategjie, që i ka shërbyer klasës politike pas komuniste për të ruajtur kontrollin e plotë mbi jetën administrative e politike të Vendit, kryesisht në shmangien e pjesëmarrjes në to të elementëve të padëshiruar, të cilët mund të frenoheshin nëpërmjet vendimesh që buronin nga “fshehtësia e dosjeve”, para të cilave qytetari ishte krejtësisht i pafuqishëm të mbrohej e të nxirrte në dritë të vërtetën e tij.
Duke mbajtur parasysh këto konsiderata mendoj se projekt-ligji qeveritar, nëse kthehet në ligj, është një hap i madh përpara, në drejtim të trasparencës, qoftë përsa i përket mundësisë që i jep viktimave të dhunës së ish Sigurimit të njohin bashkëpuntorët e tij në fatkeqësinë e tyre, ashtu sikurse i shërben edhe imazhit të Vendit, që do të rradhitej, edhe se i fundit, në shtetet e tjera të Evropës ish socialiste. Gjatë gjithë këtyre viteve është përkrahur nga nismëtarë të ndryshëm mendimi se ky lloj ligji duhej të ishte një mbiligj, i cili duhej të përfshinte brënda të gjithë krimin komunist, të personifikuar në ish Sigurimin e Shtetit, zbardhjen e tij e njëkohësisht edhe masat e penalizimit që duhej të rridhnin nga trasparenca mbi të, në drejtim të Shtetit, institucioneve dhe personelit të tyre. Trasparenca dhe lustracioni duhet të shkriheshin në një ligj të vetëm i cili, për arsye të ndryshme, nuk arriti kurrë të shohë dritën. Këmbëngulja për të vazhduar përsëri me atë kërkesë, pa vënë në dyshim vullnetin e mirë të mbështetësve, nuk më duket se tregon realizëm politik, mbasi siç ndodhi në 2008, përsëri mund të pësojë të njëjtin fat, duke u hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e përkrahur nga Komisioni i Venecias. Një gjë e tillë nuk i shërben ish të dënuarve të diktaturës, për të cilët ka më shumë rëndësi të mësojnë se cilët kanë qenë ata që i kanë “shitur” tek ish Sigurimi, duke ndihmuar në përcaktimin e fatkeqësisë së tyre dhe të familjeve, se sa nëse X apo Y janë në ndonjë funksion shtetëror.
Lustracioni, aq shumë i lakuar në këta vite duhet të ishte realizuar, së pari, mbi ish kadro të lartë të fazës së fundit kamaleontike të regjimit komunist të cilët, në projektin e kalesës ramiziane, u caktuan në role drejtuese në partitë e ndryshme. Emrat e funksionet e tyre janë të njohur për të gjithë, nga ish ministra tek ish kryetarë gjykatash, nga ish diplomatë tek ish funksionarë të Sigurimit, por nuk mbaj mënd ndonjë protestë të veçantë për raste të tilla. A kishte nevojë për të parë dosjet e paqena të tyre për të kërkuar largimin e tyre nga politika ?
Projekt-ligji qeveritar e shkëput lustracionin nga trasparenca. I parë në këndvështrimin e mësipërm është një ligj gjysmak, i ngjan gotës së ujit përgjysëm, që për dikë është plot e për dikë bosh. Si ish i dënuar i ndërgjegjes, pa dashur të përfaqësoj askend, veç vetes, mendoj se plotëson kërkesën kryesore që është : “të gjithë qytetarët e prekur të njihen me përmbajtjen e dokumentave të krijuara rreth tyre nga ish Sigurimi i Shtetit.”, thuhet në relacionin shoqërues. Në të njëjtin relacion, në lidhje me mundësinë e punësimit në funksione drejtuese të ish bashkëpuntorëve të Sigurimit thuhet shprehimisht : “ Në ndryshim nga ligjet e mëparëshme me këtë objekt, ndërsa e zbardh të gjithë veprimtarinë në shërbim të ish-Sigurimit të Shtetit për një kategori të gjërë personalitetesh të politikës dhe administratës shtetërore, ligji nuk sanksionon në mënyrë esplicite papajtueshmërinë e ish bashkëpuntorëve me funksionet aktuale përkatëse që ata mund të mbajnë në administratë. Kjo nuk do të thotë se ligji e lejon ushtrimin e funksioneve publike nga ish bashkëpuntorët, por ai e le këtë çështje në juridiksion të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore.”
“ Duke iu shmangur dispozitave ndaluese, ligji e le në dorë të institucioneve përgjegjëse që të hartojnë legjislacion apo akte të tjera rregulluese, në të cilat të përcaktohen ndalesa eventuale për ushtrimin e funksioneve publike nga bashkëpuntorët e ish-Sigurimit të Shtetit.”
Ky problem mbetet për t’u zgjidhur nga një tjetër ligj dhe aktet nënligjore pasuese. A ekziston tek ligjvënësi vullnet për të përballuar problemin ? Askush nuk mund të japë siguri në këtë drejtim, por kjo nuk do të thotë të mos pranohet ligji i parë, duke i vënë kusht sine qua non ligjin e dytë. Edhe në rastin më të keq, mbas miratimit të projekt-ligjit në fjalë mund të vazhdojë beteja për ligjin e dytë, atë të lustracionit.
“Zgjidhja e parë radikale do të ishte që dosjet e Sigurimit të hapen në tërësinë e tyre pa asnjë përjashtim, që do të thotë se qytetarët shqiptarë, të cilët e kanë arritur moshën madhore t’i gjejnë diku këto dosje dhe t’i lexojnë lirisht dhe falas, ashtu siç lexohen librat në një bibliotekë publike.” Hasa një pohim të tillë të çuditshëm në një shkrim të ditëve të fundit. Mos e dhëntë Zoti të sendërtohet një mundësi e tillë që përfytyrohet nga autori i shkrimit. Ata dokumenta nuk janë romane për të argëtuar lexuesit, por dëshmi dramash e tragjedish të shumë mijra njerëzish. Si të tilla nuk mund të jenë objekte panairi në shitje për këdo. Mbi to duhet të ruhet privatësia, siç e parashikon projekt-ligji. Secili duhet të jetë në zotërim të së fshehtës së tij, të cilën vendos ai me ndërgjegje të plotë nëse don t’a bëjë të njohur.
Por projekt-ligji a ka nevojë për ndryshime ? Në të gjej dy nene të cilët mendoj se duhen rishikuar. Neni 3, pika 4, gërma “c” konsideron bashkëpuntor të Sigurimit të Shtetit cilindo që “ka deklaruar gatishmërinë për të dhënë informacione ish Sigurimit të Shtetit”. Në këtë kategori, të formuluar në këtë nen, hyjnë të gjithë ata që kanë firmosur një deklaratë të pregatitur nga oficerët e ish Sigurimit. Ligjvënësi duhet të mbajë parasysh terrorin fizik e psikologjik të jashtzakonshëm që është ushtruar mbi t’ashtuquajturit “armiq të klasës”, apo dhe të tjerëve qytetarë shqiptarë për të rekrutuar njerëz në shërbim. Nëse ajo deklaratë nuk pasohet nga një veprimtari e ndërgjegjëshme në dhënie informacioni, por mbetet vetëm një copë letër e firmosur kush e di se në çfarë kushtesh, nuk duhet të përbëjë n’asnjë mënyrë akuzë bashkëpunimi. Në këtë drejtim mendoj se ajo pikë duhet të riformulohet.
Neni 22, që trajton “E drejta për informimin e t’afërmëve të të vdekurve apo të zhdukurve, në pikën 5 thotë : “Ky nen nuk zbatohet në rastet kur personi i vdekur ose i zhdukur ka shprehur, përpara vdekjes ose zhdukjes, me shkrim, vullnetin e tij për moszbulimin e informacioneve të kërkuara, ose kur ky vullnet mund të provohet qartësisht nga rrethana të tjera.” Më duket e pamundur që një njeri, para ekzekutimit, të kujtohej të linte me shkrim një pohim të tillë. Edhe se mund të ketë pasur ndonjë rast të tillë, përgjithësimi në ligj më duket se le shteg për spekullime, prandaj mendoj se duhet të rishikohet edhe kjo pikë e këtij neni.
Këto ishin dy vërejtje që më ranë në sy në leximin e projekt-ligjit, miratimi i të cilit do të plotësonte një zbrazëti në legjislacionin tonë pas diktatorial e do të ngushtonte, sado pak, hendekun ndërmjet klasës politike e qytetarëve, sidomos viktimave të dhunës komuniste. Projekt ligji parashikon informimin e plotë me emër e mbiemër të bashkëpuntorëve. Nëse ligji do të ndryshohej, në dobi të pseudonimeve apo inicialeve, do të ishte një tjetër mashtrim i madh, një tallje e papranueshme. Nëse Kuvendi i ynë do të merrte përsipër një turp të këtillë, do të dëshmonte paaftësinë dhe mungesën e seriozitetit të klasës politike për të vepruar në dobi të një zhvillimi qytetërues të shoqërisë sonë, duke dekretuar dështimin e saj të plotë e vazhdimësinë me mendësinë e diktaturës.
Shkurt 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: E INFORMIMIT, Eugjen Merlika, PËR TË DREJTËN, PROJEKT – LIGJI

Eksodi i shqiptarëve- Ikje apo dëbim masiv?!

February 9, 2015 by dgreca

Nga Gani QARRI/
Kosova është kthyer në dinasti të krimit,120 deputet, kanë pasuri sa një milion shqiptar, apo thënë më drejtë, më shumë se gjysma e banorëve të saj.
Ky fakt trishtues flet vet, flet më shumë se mijëra fjalë, dhe nuk do asnjë koment.
Nga ardhja e “patriotëve” të tillë në pushtet, vendi fatkeq nuk njeh ecje as përparim, e si duket nga dështimi në dështim do të përfundoj në kolaps total dhe katastrofë të përgjithshme, në të cilën mund të pësojnë edhe vet mbjellësit e saj.
Vetëm, rreth 16 vite pas dëbimit të Serbisë nga NATO, sipas marrëveshjes së arritur në Kumanovë, ndërmjet përfaqësuesve të Aleancës Euro-Atlantike dhe komandës së ushtrisë pushtuese serbe, politikanë, “patriot”, kryetar partish e komandantë, janë kthyer në padronë të shtetit, kurse shqiptarët në tepricë teknologjike dhe njerëz të pa atdhe, të destinuar për dëbim.
Udhëheqës të tillë që me kohë u ekspozuan me shumë “yrysh” dhe fjalor të përzgjedhur “patriotik”, shpejtë treguan fytyrën e vërtetë antikombëtare, duke vjedhë e plaçkitur nga pozicionet udhëheqëse çdo gjë që mund të përvetësohej, pa zgjedhur forma as mënyra, derisa i sollën shqiptarët në këtë gjendje.
Shtatë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, ata e zhveshën tërësisht Kosovën nga çdo gjë me vlerë dhe zhytën atë, në aq mjerim e skamje, sa që për shqiptarët,ajo të bëhet vend i pamundur për jetesë.
Zhvillimet më të reja, tregojnë qartë se e keqja kombëtare e cila për më tepër se një shekull, po u rri shqiptarëve mbi kokë, vazhdon edhe më tej, tanimë përmes një plani konspirativ dhe pjesëmarrjen e shqipfolësve të organizuar në shërbime e sigurime turliçfare, që kanë për qëllim, vazhdimin e planit të Millosheviqit, në mënyrë të “butë”, por gjithsesi- hiq më pak ogurzi se sa vet zbrazjen masive të Kosovës nga shqiptarët.
Pas shkatërrimit të sistemit arsimor, atij shëndetësor dhe mbytjes së perspektivës zhvillimore, ata duke e ditur tanimë se nuk mund ta sundojnë përgjithmonë këtë vend, me degdisjen aktuale të këtij populli fatmjerë-sipas direktivave të shefave të tyre, përfundimisht po i vënë në jetë projekte e vjetra serbe, për ndërrimin e strukturës së popullsisë në atdheun tonë.
Ndaj, ky nuk ka se çfarë të jetë tjetër, veçse paradoksi i kriminelëve, të cilët sloganin e patriotizmit e përdorën me mjeshtëri gjatë gjithë kohës, për mbetjen në pushtet dhe realizimin e qëllimeve të Serbisë në Kosovë!
Aktet e fundit, dëshmojnë se ardhja e njerëzve të tillë në funksione vendimmarrëse, ishte projekti më antishqiptar në historinë tonë të re dhe të vjetër, i cili edhe në shekullin XXI mundi të gjente shprehje në këto troje, pas gjithë përpjekjeve kombëtare për shtet dhe çlirim.
Madje, tanimë shihet qartë se mbytësit e Kosovës me korrupsion dhe krim të organizuar për 15 vjet me radhë, si “atdhetar” të flakët që janë, pas sjelljes në fuqi të vahabistëve për mbytjen e çdo gjëje kombëtare, edhe rrugët e ikjes për shqiptar, i hapën pikërisht këta, të cilëve tash u erdhi radha tua marrin centët e mbramë nga gjepat, bashkatdhetarëve të varfër ,për ti përzënë ata përfundimisht edhe nga atdheu.
Ndaj nuk është çudi ,se edhe ky eksod po shfrytëzohet nga ta ,për të përfituar lekët e fundit, nga ky popull fatkeq, ani pse, siç dihet botërisht, policia serbe maltreton çdo shqiptar me rrugëtim normal përmes territorit të saj, këta pushtetar ka kohë që “fshehtas” angazhojnë kompani me autobusë anë e mbanë vendit, në bashkëpunim dhe marrëveshje me Serbinë, për transferimin pa “pengesë” të tyre në vende të “treta”, e cila edhe pa këta argat, i ka detyruar shqiptarët gjithmonë në ikje.
Këtu shihet qartë se ka një kastë të shitur politikanësh vendor, të cilët kanë krijuar një strukturë të fort organizimi mafioz dhe makineri të përsosur, për të quar popullin në këso tragjedish etnike dhe realizimin definitiv të planeve anti-kombëtare për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët ,gjë që Serbia pa dorën e tyre, asnjëherë nuk mundi ta qonte deri në fund.
Për pasojë, po shkatërrohet bërthama kombëtare e këtij vendi, duke i përzënë dhe linçuar banorët autokton, për të cilët Kosova është kthyer në burg kolektiv, ku shqiptari duhet të vuaj edhe për bukën e gojës.
Mjerisht në vitin 2015, zhgënjimi përfundimisht ka arritur kulmin dhe është bërë aq i madh sa edhe pas çlirimit nga Serbia, njerëzit e kthyer para rreth 16 vitesh me aq dëshirë e vullnet në vendin dhe vatrat e tyre megjithëse të shkrumbuara nga lufta, tani prej dëshpërimit të pa fund, detyrohen të lënë plëng e shtëpi dhe të ikin përsëri nga Kosova.
Fakti që na mbajti gjallë për shekuj me radhë edhe nën pushtim të huaj, ishte ideali për çlirimin e vendit, kurse tani kriminelët vendor, vetëm për pak vite në pushtet, arritën që të gjitha shpresat t`ia vrasin këtij populli të pa fat.
Ndaj, vijimësia histerike e një kuazi-shtetësie, e cila me vet mënyrën sesi zhvillohen ngjarjet, po shkon drejt falimentimit të plotë dhe një kolapsi total, si duket, për qëllim final, ka pasur arritjen e këtij akti tragjik, për tu rrumbullakësuar me dëbime biblike shqiptarësh nga vendi i vet, në mënyrë që Serbia në shtëpitë tona ti montoj edhe një herë djepat e saj të zbrazët.
Kështu, shqiptarët janë zhgënjyer rëndë, pikërisht nga ata që në emër të “patriotizmit” e varfëruan dhe shkretuan këtë vend, ndaj për ta nuk ka ku të shkojë më ma zi, përveç se përfundimisht të kapin kokën në duar dhe të dalin e të ikin, e bile të humbin krejt….s’kanë atdhe, s’kanë shpresë, s`kanë ardhmëri, çdo gjë u është marrë atyre, si dhe ku të jetojnë ata ?!…
Madje mbetet e pakuptueshme se si këta emra “patriotësh“, të cilët pas gjendjes së krijuar vet, organizojnë edhe dhjetëra autobusë komodë në kryeqytet, mbushin ata me mijëra gra e fëmijë për çdo natë dhe i dorëzojnë në duart e policisë serbe, e cila deri dje ka ushtruar gjenocid mbi popullin shqiptar….
Të gjitha këto janë produkt më i ri i “licencuar” i “atdhetarëve” të përbetuar “shqiptarë” të cilët sundojnë një shtet ku të paguar dhe rrogë-marrës, kanë të drejtë të jenë vetëm akrabaja e pushtetarëve, “drejtues” universitetesh dhe studentë me dije e pa te, bijtë e të fortëve dhe fëmijët e shokëve e të bajraktarëve, udhëheqës firmash e institucionesh vetëm grupi dhe “sebepet” e pronto-proletarëve, kurse shqiptari i rëndomtë nuk ka të ardhura por duhet të paguaj, lihet i papunë por ngarkohet me qindra obligime financiare, duhet tu siguroj bukë e shkollim fëmijëve, duke u bërë lypsar rrugëve, ose të bëjë vetëvrasje, apo për të mbijetuar në këtë vend, ai detyrohet të bëhet hajn, kriminel, vahabist, mafioz, e çka jo tjetër, e nëse asnjëra nga këto, nuk bashkëjetojnë me karakterin e tij njerëzor e kombëtar, ai duhet ta kap kokën në duar dhe të ik një minutë e më parë sa më larg nga atdheu i tij i mbytur prej patriotëve të tillë.
Ndaj, në mënyrë që kjo situatë të përfundojë një orë e më parë, nuk mjaftojnë më vetëm fjalët, por kasta e udhëheqësve të deritanishëm, duhet të shkojë nga pushteti e skena politike, dhe tu lejoj frymëmarrjen shqiptarëve.
Të gjithë mërgimtarët në këto momente të rënda, ndjejnë vuajtje të mëdha dhe shohin zemërplasur këtë dëbim mafioz të bashkatdhetarëve, por gjithsesi ata kanë edhe mirëkuptim të natyrshëm me hallet e bashkëkombësve të tyre, të cilët pas një durimi 15-16 vjeçar, përfundimisht janë mbështetur për muri dhe nuk kanë më se nga t`ia mbajnë, përveçse ti mbyllin sytë dhe bëhen barrë edhe një herë vendeve evropiane.
Pasi që erdhi puna deri këtu, dhe fatkeqësisht prapë përsëritet kjo tragjedi biblike në mesin e trojeve tona, me gjithë keqardhjen, sikur të kishte mundësi, një pjesë e të dëbuarve në këtë të ftohët dhe dimër të madh për shqiptarët, do duhej zbarkuar edhe në shtëpitë e zonjës, Kajdanov dhe z. Dell, ku do të kërkonin nga SHBA, jo vetëm ndihmë për mbijetesën e rrezikuar nga të preferuarit e ambasadorëve të lartcekur në vendin tonë, por edhe përgjegjësi për fajet jo krejt të vogla të përfaqësuesve të saj, në Kosovë.
Në këtë situatë të rënduar, me gjithë shkelm-qitjet e herëpashershme, nuk guxon të harrohet assesi Evropa, edhe nëse qeveritë e shteteve të BE-s, janë keq-informuar, apo nuk janë njoftuar drejtë dhe me kohë, ato mbajnë shumë përgjegjësi ndaj shqiptarëve të cilët u besuan pa rezervë.
Kjo edhe për faktin se pjesa më e madhe e përfaqësuesve të shteteve të Evropës dhe SHBA-s, kooketuan ngushtë me mafinë vendore dhe mbështetën mbetjen e përhershme të kriminelëve në pushtet, megjithëse e shihnin qartë, përditë e më tepër, se çka janë në gjendje “patriot” të tillë ti bëjnë këtij populli të mirë dhe shtetit të vet.
Ata, para syve të tyre, edhe sot detyrojnë masa shqiptarësh për eksod masiv, ndërsa po këto shtete megjithatë ende nuk kërkojnë përgjegjësi nga pushtetarët e kriminalizuar dhe të korruptuar deri në kapuç, për gjendjen e krijuar, por kërcënojnë hallegjinjtë e pa-rrugëdalje, me kthim…!
Mirë or të uruar por a mund të jetë kjo formë veprimi edhe zgjidhje problemi për këta njerëz fatkëqij, të cilët me këtë kast politikanësh të pa-denjë në pushtet dhe pa ndryshime rrënjësore në vend, halli do ti detyrojë sërish që në mungesë të mundësisë për mbijetesë, të cilën ua kanë shkatërruar të njëjtit kapadainj, këtë rrugë që dikur dhe vetëm para pak vitesh ata e refuzuan me dëshirë sepse e donin vendin e vet mbi gjithçka, por tanimë u ka mbetur shpresa e fundit dhe e vetmja zgjidhje, ta marrin përsëri.
Shpresojmë, dhe lusim të plotfuqishmin atje ku është, që kjo të jetë loja e fundit “patriotike” e tyre, përndryshe Kosova përfundimisht po mbetet përgjithmonë pa bazën dhe bërthamën e saj kombëtare.
Shqiptarët, as vet kurrë nuk e kanë besuar, dhe nuk do t’u shkonte mendja asnjëherë, se ata që thirreshin në gjithë ato heroizma, luftëra titanike e patriotizma marramendëse, me ardhjen në pushtet do ta çojnë Kosovën drejt de-shqiptarizimit, të rinjtë drejt shkombëtarizimit, besimin tradicional- për marrje parash!, ta shndërrojnë në salafisto-vahabizëm mesjetar arab, shtetin drejt de-integrimit, kurse familjet me fëmijë në mes të dimrit, rrugëve të dëbimit dhe popullin fatkeq në çorientim të tërësishëm dhe disfatizëm të plotë.
Ndaj, para se ti ktheni, ndihmoni ndryshimet në vendet e shqiptarëve dhe mos përkrahni njerëz e grupe të mbeten në pushtet, të cilët nuk do ti lejonit të qeverisin vendin tuaj, me korrigjimin e problemit, të mos ketë nevojë të përsëriten eksodet, në mënyrë që ata ta ndiejnë veten mirë në vendin e tyre dhe ju ta ndihmoni kështu edhe vetveten!

Filed Under: Analiza Tagged With: - Ikje apo dëbim masiv?!, Eksodi i shqiptarëve, Gani Qarri

Kosova po i fal Evropës të rinjtë e vet me vlera mbi “200.000 Euro” pro person!!!

February 9, 2015 by dgreca

Shpërnguljet të shqiptarëve nëpër shekuj deri në ditët e sotme nga trojet e veta. I njëjti ritëm u përsërit atëherë nga pushtuesit, por sot nga pushtetarët e vet qe i besoj votën e vet .Këtu ndryshon vetëm forma , atëherë kanë zgjatë me muaj këto shpërngulje, sot për 24 të rinjtë dhe popullin tonë e tret Evropa në barkun e vet ,duke e njom trupin e vet të mplakur me rininë e Kosovës ! Rinia po falet sikur kafsha e ngordhura t’u hidhet qenve të uritur!
Shkruan:Asllan DIBRANI/
Eksodi i shpërnguljes shekullore nga trojet e gadishullit ballkanik me vendbanime shqiptare po vazhdon! Ky fenomen u përshkallëzuar me përmasa rrëqethëse , te dhimbshme dhe shumë të rrezikshme për Kosovën. Faktorët po shihen, arsyet po dihen!?… Plagët që po i krijohen Kosovës po shihen dhe rriten për çdo ditë. Shifrat po rriten nga ora në orë, me një bilanc që vetëm për muajin Janar , Kosova mbeti pa 60.000 mije të rinj (banorë).
Pamje e Shpërnguljeve të shqiptarëve nëpër shekuj deri në ditët e sotme nga trojet e veta. I njëjti ritëm u përsërit atëherë nga pushtuesit, por sot nga pushtetarët e vet qe i besoj votën e vet .Këtu ndryshon vetëm forma , atëherë kanë zgjatë me muaj këto shpërngulje, sot për 24 të rinjtë dhe popullin tonë e tret Evropa në barkun e vet ,duke e njom trupin e vet të mplakur me rininë e Kosovës !

Ky bilanc nuk u ndal asnjëherë, po me ritme të reprezaljeve politike dhe gjenocidi qe u ushtuar mbi këtë popull ma të vjetrin në Evropë po vazhdon shpërngulja prapë .Kosova po mplaket. Sakrificat ,vështirësitë dhe mundi për ta rritur një të ri janë marramendëse me standardin e Kosovës. Këta të rinj që po i falen sot Evropës kanë vlera marramendëse që buxheti i varfër i Kosovës po i kursen Evropës hiq ma pak se 200.000 euro në krye të çdo të riu vetëm deri në moshën 18 vjeçare .Kjo kosto është shumë ma e madhe, po që të përllogaritet një matematikë për një të ri që ta këtë një shkollë të mesme profesionale apo shkollë të lartë. Për profesione fakultetative arrin shuma deri në 450.000 -500.000 euro për ta pasur një doktor, një profesor , një shkencëtar një krijues apo në ndonjë lami tjetër profesionale. Këto profile profesionale në mesin e këtyre refugjateve shqiptarë ka me numër të madh që e kanë marrë rrugën e kurbetit, lënë shtëpi e kapital lagje të tera apo edhe fshatra një gjë e tillë u përsërit ne përndjekjet e shqiptareve ne mënyre fushate me gjenocid nga Sanxhaku, Nishi ,Vranja ,Leskovci ani po ndodh edhe tash me të tera fshatra të boshatisen.
Rinia po falet sikur kafsha e ngordhura t’u hidhet qenve të uritur!
Kjo rini e mrekullueshme e shëndosh , e përgatitur , e shkolluar dhe e gatshme për punë për ta rindërtuar Kosovën është masë e dëmshme të zhduket dhe të falet sikur kafshë e ngordhura tu hidhet qenve te uritur ???. E pa falshme është për krerët politik të Kosovës , po edhe për zyrtaret e Evropës që e kanë fut këtë popull të vogël si në kafaz, të mbyllur të izoluar, të pa shpresë dhe të pa rrugë. Si fund le të mbetet si apel tek të gjitha forcat qeveritare , politikaj ,njerëz të dashur dhe popull, mendoni dhe sakrifikoni, për interesat e Kosovës bashkoni forcat që kapitalin dhe vlerat e juaja ndalni në Kosovë mos ja falni Evropës!!!Mos ja falni rininë Evropës se një Kosove pa të rijnë dhe e mplakur e gëlltit Serbia ma lehtë sipas hegjemonizmit shekullor të saj!!!

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan dibrani, Kosova po i fal Evropës, me vlera mbi "200.000 Euro", pro person!!!, të rinjtë e vet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 834
  • 835
  • 836
  • 837
  • 838
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje
  • “Exodus” – rrugëve të Çamërisë
  • Prof.Ibrahim Osman Kelmendi, me penë e pushkë për liri
  • Kur historia flet me dinjitet: pasardhësi i Ismail Qemal Bej Vlorës ndan çmimin “Ikona e Diasporës” për Ambasadorin Rexhep Demiri
  • Liria e fjalës dhe besimit
  • MARTIN LUTHER KING DAY: DITA KUR KUJTESA BËHET PËRGJEGJËSI
  • “Eleganca e lotëve”
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT