• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kastat në Indi dhe klasat në Shqipëri

December 4, 2014 by dgreca

NGA ILIR HASHORVA/ New York/
29 Nëntori është dita më veçantë në historinë moderne të Shqipërisë. Për disa, ajo është dita e çlirimit, për të tjerë – dita robërisë; për disa, ajo është dita e përfundimit të luftës me fitore të nacionalçlirimtares, për të tjerët – dita e fillimit të tiranisë komuniste. Për mua, më shumë nga të gjitha, 29 Nëntori është dita e ndarjes dhe e përçarjes së dhunshme të popullit shqiptar, ndarje dhe përçarje që vazhdojnë edhe sot dhe nuk dihet se sa do të zgjasin. Komunizmi iku së bashku me terrorin e tij, ndarja dhe përçarja mbetën.
Deri në fillim të viteve 1940, populli shqiptar ka qenë një dhe brenda tij nuk ka pasur grindje apo armiqësi. Ka pasur grindje dhe armiqësi midis elitave politike, por jo midis vetë popullit. Ideologjia e tij deri në këtë kohë ka qenë ideologjia kombëtare. Elitat e popullit kishin dallime e mosmarrëveshje për mënyrat dhe rrugët që do të duhej të ndiqeshin për të realizuar sa më mirë çështjen kombëtare në të gjitha aspektet, por ato nuk ishin armike për vdekje të njëra tjetrës. Pas kësaj kohe, në skenë u fut komunizmi, komunizmi i ideologjisë se internacionalizmit, i cili më shumë se miqësinë me popujt e tjerë, pati kujdes ndarjen dhe futjen e armiqësisë brenda popullit të vet. Komunizmi futi në Shqipëri farën e përçarjes. Ai e ndau këtë popull, në një anë në komunistë, dhe, në anën tjetër, në jo komunistë dhe antikomunistë: në “ne” dhe “ata”. Grindjet dhe ndarjet tashti kaluan nga elitat, te populli: brenda fisit, brenda familjes, duke krijuar në këtë mënyrë ndarjen më të madhe në historinë e popullit shqiptar, ndarje që u shoqërua me armiqësi dhe tragjedi të panumërta, ndarje që vazhdon edhe sot, ndonëse e pa shoqëruar me tragjedi si më parë.
Ishte fillimi i viteve 90, kur sapo ishin liruar të burgosurit dhe të internuarit politikë. Së bashku me disa shokë, shkuam për vizitë te një shok tjetër, familja e të cilit ishte komuniste e flaktë. Në dhomën e bukur e të mirë ku na pritën, krahas njerëzve të familjes, të veshur e të mbajtur shumë mirë, binte në sy edhe një person tjetër që stononte ndaj atij ambienti: dukej i heshtur, i dobët, i tharë, i nxirë, i veshur keq, me një kasketë të vjetër në kokë. Të jepte përshtypjen se kishte hequr keq. Atë e kishin ulur në një kolltuk në krye të dhomës dhe një nga gratë e shtëpisë i mbante gjithë dashuri dorën. “E shihni këtë – na u drejtua neve – ky është dajoja. Sapo e kanë liruar nga internimi. Nuk e njihnim fare, s’e kishim parë kurrë. Ah, ç’na bëri ai Enver Hoxha! Na ndau nga njerëzit, nga njerëzit e dashur, nga njerëzit e afërm. Dajo, – i drejtohej atij që e quante dajo – je rehat, hë, shtriji këmbët, mirë je? Ah mor Enver Hoxha ç’ na bëre, na ndave nga njerëzit!” – përsëriste. Nuk di se sa zgjati ai qëndrim dashamirës ndaj “dajos”, por, me siguri, jo gjatë. Kur u pa që “dajoja” me shokë, ata që u liruan nga burgjet dhe internimet, jo vetëm që nuk patën ndonjë zë të fortë në Shqipërinë e ardhme, por as ndonjë zë të mekur, u abandonuan si më parë.
Trishtohemi dhe njëkohësisht edhe çuditemi kur mësojmë se në Indi shoqëria ishte e ndarë në kasta në formë hierarkike dhe se ekzistonte edhe një grup që ndodhej jashtë kastave, që quhej grupi i të paprekshmëve, i cili shfrytëzohej, shtypej e përbuzej, që prej kohësh që s’mbaheshin mend, nga pjesa tjetër e shoqërisë, nga shoqëria e kastave. Por, nuk na ka shkuar mendje se edhe ne në Shqipëri gjatë komunizmit kemi jetuar në një sistem apo në një shoqëri të ndarë në kasta apo, ç’është e njëjta gjë, në klasa që ishin më të theksuara e më të kundërta se ato që qenë vendosur në Indi; se edhe ne kemi pasur një klasë shumë të ngjashme me të paprekshmit indianë, madje edhe më të mjerë, edhe më të shtypur, edhe më fatkeqe, edhe më të persekutuar se ajo: “klasën e të deklasuarve”.
Ai që ka pak njohuri nga shoqëria indiane, e di se ajo shoqëri ka qenë e ndarë në kasta të vendosura në formë piramidale me në krye brahminët të cilët pasoheshin nga kshatriat, vaishnavat dhe, në fund sudrat. Pas tyre vinin ata që nuk futeshin në asnjë kastë, ata që ishin lënë jashtë kastave, të paprekshmit. Në ngjashmëri me kastat indiane edhe shoqëria shqiptare kishte brahminët e saj, ata që quheshin udhëheqja e lartë e partisë dhe pushtetit; kishte kshatriat e saj – komunistët e ndryshëm dhe rrethet e tyre që drejtonin në nivele më të ulëta; kishte vaishnavat e saj – intelektualët e ndryshëm, ata që quheshin kuadro, apo monopol i partisë; kishte sudrat e saj – punonjësit dhe punëtorët e zakonshëm dhe, në fund, shoqëria shqiptare, kishte edhe të paprekshmit e saj, të deklasuarit – ata që nuk hynin në asnjë klasë, ata që ishin jashtë klasave. Këta ishin ata që komunizmi i përcaktonte si reaksionarë, si të prekur, si kulakë, si me biografi të keqe, si armiq të partisë, si armiq të popullit, si kriminelë lufte, si sabotatorë të pushtetit popullor, ishin ata që nuk përfitonin triskën e frontit: atë triskë që po të mos e kishe, të pinte e zeza dhe, po ta kishe, nuk të hynte në punë. Këta, çfarëdo që të bënin, sado që të punonin, sado ndershmëri të tregonin, sado zgjuarsi dhe kulturë që të kishin, nuk e përmirësonin dot biografinë e tyre, gjendjen e tyre. Ata lindnin si të deklasuar dhe vdisnin si të deklasuar.
Pas mbarimit të luftës dhe marrjes së pushtetit, komunistët, të pajisur me forcën që u a jepte totalitarizmi tiranik dhe pozicioni i fitimtarit, iu kthyen kundërshtarëve të tyre të luftës si dhe të gjithë të tjerëve të konsideruar si kundërshtarë potencialë të paqes: nacionalistëve, intelektualëve, tregtarëve, demokratëve, klerikëve, të cilët i kthyen në pre të sadizmit të tyre. Me kundërshtarët fillestarë të regjimit që u shpëtuan vrasjeve dhe me pasardhësit e tyre, u krijua bërthama e grupimit të ri, e klasës së re, e klasës së të deklasuarve, tek e cila do të shfrynte të gjithë sadizmin e tij komunizmi shqiptar.
Komunizmi shqiptar, që erdhi në pushtet me parullën e zhdukjes së klasave, me parullën e krijimit të një shoqërie të lirë e pa klasa, krijoi klasat e veta dhe, ç’është më e keqja, i vuri ato të luftonin me njëra-tjetrën.
Të paprekshmit indianë ishin ata që ishin dhe në grupin e tyre nuk mund të kalonin persona nga kastat e tjera, ata nuk mund të shtoheshin nga jashtë me të gjallë; në të paprekshmit shqiptarë, në të deklasuarit shqiptarë, kalonin vazhdimisht persona, familje dhe fise nga klasat e tjera që e zmadhonin dhe e zmadhonin pambarimisht atë klasë.
Nga shteti indian nuk bëhej ndonjë luftë kundër të paprekshmëve indianë, madje, nga një pjesë e popullsisë nuk kishte as përbuzje ndaj tyre, përkundrazi mund të shprehej edhe njëfarë keqardhjeje për të ta, por për të deklasuarit shqiptarë nuk mund të shprehej asnjë keqardhje. Mbi ta binte e gjithë ligësia e shtetit të komunist dhe e servilëve të tij. Mbi ta binte e gjithë propaganda e regjimit komunist, e gjithë shtazëria dhe urrejtja e sigurimit, e policisë, e hetuesisë dhe gjykatave të kohës, e gjithë vepra e artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë.
Për çudi, sistemi që pretendonte se do të ndërtonte shoqërinë pa klasa, shoqërinë e të barabartëve, shoqërinë e mos shfrytëzimit të njeriut prej njeriut, madje të trajtimit të njeriut si “kapitalin më të çmuar”, u bë sistemi që krijoi klasat më të ndara në histori, që krijoi shoqërinë e të ndryshmëve, shoqërinë që u ndërsye e gjitha të luftonte, të shfrytëzonte dhe të poshtëronte në maksimum klasën e deklasuar.
Regjimi komunist jo vetëm që krijoi klasat apo kastat, por i vuri ato edhe në luftë më njëra-tjetrën; ai krijoi luftën e klasave që ishte një vazhdim i natyrshëm i luftës civile në kushte paqeje. Për atë regjim lufta e klasave ishte “forca lëvizëse e shoqërisë”, një luftë që përbënte veprimin më diabolik të komunizmit. Lufta e klasave zhvillohej në mënyra nga më të ndryshmet dhe objektivi kryesor i saj ishte goditja e vazhdueshme dhe e fuqishme e atyre që nuk konsideroheshin si përkrahës të regjimit, apo që konsideroheshin si kundërshtarë të tij, goditje që kryhej nga të gjitha klasat e tjera, por që viheshin në lëvizje dhe ndërseheshin nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste dhe e shtetit komunist. Ai regjim kishte krijuar një gjendje të tillë që të deklasuarve shqiptarë nuk mund t’u afroheshe, nuk mund t’u flisje, nuk mund t’u merrje vajzën apo djalin për nuse apo për dhëndër, nuk mund të shkëmbeje vizita, nuk mund t’i kishe në rrethin tënd, nuk mund t’i ftoje në gëzime a hidhërime familjare, sepse jo vetëm të “ndotnin”, si të paprekshmit indianë, por të kthenin edhe ty në të paprekshëm, në të deklasuar. Kjo kategori njerëzish, jo vetëm që detyrohej të bënte punët më të ulëta e më të rënda, por bënte edhe punët më të rrezikshme. Ajo punonte për hapje tunelesh, për tharje kënetash, për ndërtime tarracash bujqësore, për nxjerrje mineralesh etj. Në qoftë se u bënë disa ndërtime në kohën e komunizmit, dhe në të vërtetë u bënë, të paprekshmit shqiptarë kanë një pjesë të madhe të punës në to.
Kur dy persona akuzoheshin për të njëjtin faj, ai me biografi jo të mirë, i deklasuari, do të dënohesh gjithnjë shumë herë më rëndë se tjetri që ishte me biografi më të mirë, se ai që qe “i yni.” Për të njëjtën punë, shpërblehej shumë më shumë “i yni” se “ai tjetri”.
Në qendrën time të punës, u ndërtua nga vetë punonjësit e tij një ndërtesë banimi ku do të strehoheshin kryesisht punonjës që ishin me kushte të vështira banimi dhe që do të punonin për ndërtimin e tij. Kur pallati u ndërtua dhe erdhi puna për ndarjen e apartamenteve, u tha se si kriter për ndarjen e tyre do të ishte masa e punës së kryer nga secili. Njërit prej atyre që kishte punuar sa dhjetë të tjerë, iu dha apartamenti më i keq. Ai u ngrit në mbledhjen që u bë për ndarjen e pallatit dhe tha se atij, për shkak të punës së madhe që kishte bërë, punë që e dinin të gjithë dhe nuk e vinte në dyshim askush, i takonte një apartament më i mirë se ai që i caktoi drejtoria dhe organizata bazë e partisë. Por, për fatin e tij të keq, ai qe i afërt me kastën e të paprekshmëve, kështu që drejtori u ngrit e i tha “Ty nuk të takon apartament tjetër. Biografia tënde nuk është e mirë!” I mjeri punonjës kuptoi se me pretendimin që paraqiti ishte rrezik të humbiste jo vetëm apartamentin që i dhanë, por edhe punën. Kështu, i dëshpëruar, u ul pa e zgjatur. Njeriu me “biografi të keqe,” i paprekshmi, i deklasuari, shërbente vetëm për shfrytëzim dhe për përbuzje.
Dy klasa e kundërta: brahminët shqiptarë dhe të paprekshmit shqiptarë ishin krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Brahminët kishin zonën e tyre të banimit, të ndarë nga pjesë të tjera banimesh dhe të mbrojtur me mure, me gardhe e me roje vigjilente që të shihnin me dyshim dhe me inat kur u kaloje pranë. Ata kishin shërbyes, kuzhinierë, dado për rritje të fëmijëve, makina, shoferë e truproje të shumta. Ata kishin vendet e tyre të pushimit. Ata kishin farmaci e klinika speciale mjekësore ku kuroheshin për urgjenca, se për sëmundje të tjera shkonin jashtë vendit. Ata kishin dyqanet e tyre të blerjes së ushqimeve dhe veshmbathjes.
Edhe të paprekshmit kishin vendet e tyre të banimit, getot e tyre, të ndara nga ato të të tjerëve. Ato ishin burgjet, kampet e internimit, kampet e punës, fshatra të caktuara enkas për ta, ishin kasollet a stallat, ishin bodrumet e shtëpive të tyre në katet e sipërme të të cilave banonin pjesëtarë të kastave më të larta. Ata nuk shkonin dot në shkolla të larta, në ushtri do të bënin pjesë në repartet e punës në të cilat ose do të punonin në bujqësi, ose në ndërtime tunelesh, duke punuar vazhdimisht në rrezikun e shpërthimit të minave. Shumë nga pjesëtarët e të paprekshmëve nuk kishin as varre, sepse vriteshin apo vdisnin nëpër burgje dhe burgu nuk ia jepte trupin e të vdekurit familjarëve të tij.
Gjendja e tyre ishte e mjerë dhe i vetmi ngushëllim për ta ishte se mësonin se kishte edhe më keq, se e keqja nuk kishte fund, se sado keq të ishe, kishte dhe një që ishte edhe më keq. Ata sikur e dinin urtësinë kineze që thoshte “Qahesha e ankohesha se nuk kisha këpucë, përderisa pash një që nuk kishte as këmbë.” Dhe, kjo i mbante disi gjallë.
Ndryshe nga të paprekshmit indianë, të paprekshmit e komunizmit shqiptar, të deklasuarit, as që mund të mendohej se mund të ngriheshin dhe të kërkonin trajtim të njëjtë me të tjerët. Ata ishin aq të shtypur e të frikësuar dhe regjimi ishte aq i gatshëm për të mbytur çfarëdo përpjekje për trajtim të barabartë, saqë as mund të mendohej që ndonjë prej tyre të kërkonte ndonjë të drejtë. Atyre as që duhej t’u shkonte nëpër mend se diçka mund të ndryshonte.
Të të kategorizonin si të deklasuar, si reaksionar, si të prekur, si me biografi të keqe, ishte fatkeqësia më e madhe. Ata pa skrupuj, ç’farë nuk bënin për të shpëtuar nga ai kategorizim. Në librin e tij “Rrno vetëm për me tregue,” At Zef Pllumi tregon:
“Ndërsa punojshem ne lulishten e komandës, atje në Zejmen, nji nanë erdh me takue djalin e vet, që ishte në burgun ordiner dhe e ndjeva tue i thanë: ‘Të falënderojmë, o djalë, që nuk na korite e nuk u dënove si armik i pushtetit, por vetëm për hajni…’ Pra bota kishte ndrrue krejtësisht: braci ishte i ndershëm, ndërsa armiku i pushtetit, marre e turp!”
Djali, megjithëse kishte kryer aktin e vjedhjes, aktin e dënuar që prej fillimit të botës nga të gjitha fetë, nuk e kishte “turpëruar dhe degraduar” familjen, ajo nuk do të kalonte në kategorinë e të deklasuarve, në kategorinë e atyre që do të vuanin gjithë jetën si armiq të regjimit!
Kur një nga bashkëshortët goditej si i paprekshëm, në një shumicë rastesh, bashkëshorti tjetër e divorconte në vend atë. Kur një person merrte pjesë në një film a shkruante një libër dhe më pas, për arsye të ndryshme, kalonte si i paprekshëm, filmi a libri ktheheshin automatikisht në të paprekshëm dhe hiqeshin nga qarkullimi. Kur një person arrestohesh dhe dënohesh për agjitacion e propagandë, për tentativë arratisje, apo për “krime” të tjera politike, e gjithë familja dhe fisi i tij deri në tre breza kthehesh automatikisht në të deklasuar. Kur dikush kthehesh befas në të deklasuar, të gjithë i largoheshin, të gjithë e mohonin, edhe njerëzit më të afërm, pa lë më kolegët e shokët.
Njëlloj si të paprekshmit në Indi që u ishin nënshtruar fatit, që nuk mund të dilnin nga gjendja e mjeruar, që e pranonin atë gjendje si një dënim që merrnin për një të kaluar jo të mirë të tyre në jetën paraardhëse, ashtu dhe të deklasuarit shqiptarë duhej ta pranonin gjendjen e tyre si ndëshkim për një punë jo të mirë të bërë nga prindërit e tyre, nga gjyshërit e tyre, nga pjesëtarë të tjerë të familjes së tyre, apo qoftë edhe nga kushërinj të afërt apo të largët.
Klasa e të deklasuarve shqiptarë u krijua, u mbajt dhe u shtua si pasojë e sadizmit komunist, për të shfrytëzuar një kategori njerëzish dhe për ta mbajtur atë kategori të shtypur, në mënyrë që të mos kishte mundësi ti shkonte mendja e të ngrihesh për të rrezikuar a rrëzuar komunizmin dhe komunistët, ajo u mbajt edhe si kërcënim i vazhdueshëm për të gjithë të tjerët. Klasa e të deklasuarve u mbajt gjatë gjithë kohës larg të tjerëve, e mjeruar, e pamësuar, e pazhvilluar, e frikësuar. Qëndrimi për një kohë të gjatë i kësaj klase në këtë gjendje, pati efektet e veta. Nga ky shkak, ajo, edhe kur ranë brahminët si klasë dhe si ideologji, pra kur ra komunizmi, nuk qe në gjendje të kuptonte se ç’ndodhte, madje as që kishte dëshirë të kuptonte, mjafton të dëgjonte se si ish-brahminët, ish-komunistët fanatikë, tashti të “konvertuar” në miq të të paprekshmëve, kritikonin e nëmnin regjimin e tyre të mëparshëm më shumë nga ç’do të dinin t’i kritikonin e t’i nëmnin vetë ata. Të deklasuarit u habitën dhe u kënaqën me kaq dhe nuk kërkuan kurrë më shumë.
E gjithë ajo që ndodhi me atë klasë të mjerë nuk u dokumentua kurrë zyrtarisht. E vërteta e plotë nuk doli kurrë në shesh. Vetë ish-të deklasuarit si grup, apo si klasë, nuk u interesuan aq për të, sasa për të përfituar ndonjë copë nga pronat e shtetëzuara, apo ndonjë këst pagese për burgjet e kryera pa faj, nga ata që i mbajtën në atë gjendje për afro gjysmë shekulli. Përpjekje individuale për të dokumentuar atë që ndodhi pati nga disa idealistë, por përpjekje kolektive, apo zyrtare nuk pati kurrë. Njeriu transformohet kur mbi të ushtrohet vazhdimisht e për kohë të gjatë dhunë e gjithanshme degraduese fizike dhe psikike.
Nga të gjitha të këqijat e komunizmit shqiptar, krijimi i klasave dhe vënia e tyre në luftë me njëra tjetrën pra, lufta e klasave, ishte, ndofta, krimi më i rëndë në historinë e popullit shqiptar. Komunizmi e ndau Shqipërinë në atë kohë dhe ajo ndarje vazhdon gati njëlloj edhe sot. Komunizmi e la Shqipërinë mbrapa në atë kohë, duke e privuar nga një elitë intelektuale dhe morale dhe e lë atë mbrapa edhe sot nga mungesa e një elite të re që do të dilte nga elita e vjetër.

Nju Jork, nëntor 2014 Ilir Hashorva

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe klasat, Ilir Harshova, Kastat në Indi, ne Shqiperi

Shqipëri, më shumë se gjysma e grave, të dhunuara

December 4, 2014 by dgreca

Nga Zina Tosku/
Në Shqipëri, më shumë se gjysma e grave janë të dhunuara. Këtë e tregon studimi i kryer nga INSTAT “Femrat dhe meshkujt në Shqipëri, gjetjet kryesore”, të tetorit të këtij viti.
Sipas këtij studimi, rezulton se më shumë se 59% e grave dhe vajzave në Shqipëri kanë pësuar të paktën një herë gjatë jetës dhunë në familje. Ndërkohë, 53% e tyre kanë pohuar se dhunën e kanë pësuar gjatë vitit të fundit. Sipas studimit, me rritjen e moshës së grave ka një tendencë në zbritje të dhunës në familje ndaj tyre. Pra, nga 64% në grupmoshën 18-24 vjeç në 58% në grupmoshën 45-55 vjeç .
Kush përjeton dhunën, si viktima ose dëshmitarë, mësojëndërmjet të tjerave, të ketë frikë, ta evitojë dhunën ose të bëhen njëlloj të dhunshëm si dhunuesi.
Por, ajo që e bën të vështirë këtë fenomen është fakti se gratë e dhunuara shpesh herë nuk janë të gatshme të kërkojnë ndihmë dhe të flasin për dhunën.
Disa nga arsyet pse gratë nuk kanë kërkuar ndihmën e shërbimeve shëndetësore ose ligjore, ka qënë dhe fakti se duhet të paguanin për to.

Dhe për shumë gra të dhunuara, pagesa është një pengesë. Ndërkohë, studimi sjell një tjetër fakt intersant, sipas të cilit, gratë me arsim fillor ose të ulët kanë më shumë gjasa të kërkojnë ndihmë për dhunën në familje, në krahasim me gratë më të arsimuara.
Ndërkaq, sipas gjetjeve të tetorit 2014, femrat me arsim të lartë dhunohen më pak dhe dhuna është më e pranishme në zonat rurale krahasuar me ato urbane. Sa i përket rasteve të dhunës, bazuar mbi statistikat zyrtare të INSTAT, dhuna nis te manifestohet kryesisht gjatë vitit të dytë dhe të tretë të martesës.
Në vendin tonë dhuna në familje u shfaq si problem shqetësues në vitet `90, kur vendi po përjetonte ndryshime të mëdha politike dhe shoqërore. Ndonëse si fenomen dhuna në familje kishte ekzistuar shumë kohë përpara tranzicionit, rastet e dhunës në famije pësuan rritje të ndjeshme në vitet `90, në kohën kur familjet pësonin trysni si pasojë e tranzicionit.

Por, dhuna në familje ndaj grave nuk është dukuri e re në Shqipëri, por i ka rrënjët në traditat dhe zakonet patriarkale që prej kohësh i kanë dhënë formë shoqërisë sonë.
Prej vitit 1991, Qeveria Shqiptare ratifikoi një sërë konventash të rëndësishmë për parandalimin e dhunës në familje. Ndër to janë, Konventa e OKB-së për të Drejtat Civile dhe Politike 1991; Konventa e OKB-së për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore 1991; Konventa e OKB-së për të drejtat e fëmijëve 1992; Konventa e OKB-së kundër Torturës dhe Dënimeve ose trajtimeve të tjera mizore 1994; Konventa e OKB-së për eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj grave 1994; Konventa Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut 1996; Konventa Europiane për Parandalimin e Torturës dhe të Dënimeve 1996; Konventa Europiane për Parnadalimin dhe Luftën kundër dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje 2013.
Në vitin 1998, qeveria e Shqipërisë miratoi Kushtetutën e re, e cila promovon parimet e barazisë dhe mos diskriminimit, si dhe mbrojtjen e respektimin e dinjitetit njerëzor dhe të të drejtave e lirive të njeriut.
Deklarata e Kombeve të Bashkuara për Eleminimin e Dhunës ndaj Grave, e përkufizon atë si “çdo akt dhune me bazë gjinore që sjell ose ka gjasa të rezultojë në lëndime ose vuajtje fizike, seksuale ose psikologjike të grave përfshirë dhe kanosjet për akte të tilla, shtrëngime apo privime arbitrare të lirisë si në jetën publike ashtu dhe private”.
Dhuna në familje ndaj grave është një problem i përhapur global, që kapërcen kufijtë dhe ndodh në të gjitha kulturat dhe shoqëritë anembanë botës. Sipas një studimi të kryer në 35 vende të botës para vitit 1999, 10% deri në 69% e grave raportonin se ishin dhunuar fizikisht në një moment të jetës. Për të luftuar këtë fenomen, media ka një rol dhe peshë të rëndësishme në sensibilizimin e opinionit publik.

Media, sipas Këshillit të Europës “luan një rol të rëndësishëm në formimin e qëndrimeve dhe vlerave të individëve si dhe shërben si një instrument i dobishëm për ndryshimet sociale”.
Duke u bazuar në vlerat universale të familjes, Organizata e Kombeve të Bashkuara e përkufizon dhunën në familje si një akt që rezulton në heqjen arbitrare të lirisë.
Dhuna në familje është një nga format e krimeve më pak të raportuara dhe zakonisht konsiderohet si një çështje private, si rrjedhojë nuk dihen me saktësi përmasat dhe frekuenca e fenomenit. Megjithatë, studimet e kryera tregojnë se dhuna në familje, sidomos ajo ndaj grave dhe vajzave, është rritur gjatë periudhës së tranzicionit.
Vështirësia e grumbullimit të informacionit mbi dhunën në familje vjen dhe si pasojë e gjendjes ekonomike të viktimave, të cilat në shumë prej rasteve janë të varfra.
Në Konferencën e Katërt Botërore të Pekinit e mbajtur në shtator 1995, dhuna në familje u përkufizua si “një problem mbarëbotëror dhe që duhet trajtuar si i tillë.” Po në këtë konferencë është theksuar se “dhuna ndaj gruas përbën dhunim të të drejtave njerëzore, si dhe një pengesë në arritjen e barazisë, zhvillimit dhe paqes”.
Në Deklaratën “Kundër Dhunës ndaj Gruas”, bërë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, është dhënë përkufizimi i parë zyrtar, në të cilin thuhet se “dhuna ndaj gruas në familje do të konsiderohet çdo akt i bazuar në përkatësinë gjinore që rezulton në, ose mund të rezultojë, në lëndime fizike, seksuale apo psikologjike, ose që shkakton vuajtje tek gratë, duke përfshirë edhe kërcënime për akte të tilla, detyrimin apo privimin arbitrar të lirisë, pavarësisht nëse këto ndodhin në publik apo në jetën private”.
Në 24 nëntor të këtij viti, ministri i Mireqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, nisi fushatën sensibilizuese 16-ditore kundra dhunës me bazë gjinore. Sipas tij, këtë vit janë raportuar 3000 raste dhune dhe janë dhënë 1800 urdhër mbrojtjeje, ndërkohe që janë rritur raportimet me 30% të rasteve të dhunës. Ministri Veliaj ka kërkuar nga djemtë dhe burrat që t’i bashkohen kësaj fushate sensibilizuese pasi “trimëria” e tyre duhet të bejë që të dalin kundra traditës, pra të dhunimit të grave e vajzave.
Në vitin 2005, OBSH në një studim te gjere për dhunën ndaj grave në familje, tregoi se 13% deri në 61% e grave kanë pësuar dhunë fizike. Ndërkohë, në vitin 2013, OBSH kreu një analizë mbi 155 studime të kryera në vende të ndryshme të botës dhe konstatoi se 30% deri në 37% e grave kanë përjetuar dhunë

Filed Under: Analiza Tagged With: më shumë se gjysma e grave, shqiperi, të dhunuara

Rambuje, qëndrimi im dhe kori i apatridëve!

December 4, 2014 by dgreca

Shkruan:DR.SALI BERISHA/
I nderurar zoti Buzhala, së pari, ju lutem pranoni përshëndetjet e mia dhe kërkesën time për mirëkuptim për këtë reagim ndaj një deklarimit tuaj në një debat në emisionin Klan “Opinion”. Në këtë debat, javë më parë në “Opinion”, duke komentuar deklaratën e Ramës në Beograd pa asnjë lidhje ju u shprehët: “sepse Sali Berisha në vitin 1999 thoshte mos pranoni Rambujenë”. “Pra, Kosova nuk përfitoi shumë prej deklaratave të kësaj ndërhyrje”. Kërkova mirëkuptimin tuaj sepse, shkaku i vërtetë i kësaj përgjigje nuk është deklarata juaj në të cilin ju, më së paku për arsye tuaja, keni komentuar qëndrimin tim duke e nxjerrë atë jashtë kontekstit tashmë plotësisht të njohur për cilindo që i pëlqen e vërteta. Deklarata juaj është thjeshtë vetëm preteksti i kësaj përgjigje sepse deklarata shumë më të hidhura për këtë çështje, nga data 18 shkurt 1999 deri me datë 13.11.2014 nga Edi Rama në TCH, janë me dhjetra në mos qindra të bëra nga ministra, kryeministra, socialistë, gazetarë, analistë, pseudoanalistë, kryesisht të Shqipërisë por në ndonjë rast edhe të Kosovës.
Kështu që kjo përgjigje që jepet për herë të parë me shkrim për këto akuza, ju drejtohet natyrisht dhe ju, por para së gjithash, atyre që shpifën, trilluan, spekulluan me qindra herë lidhur me qëndrimin tim të drejtë ndaj Rambujesë dhe që përputhej plotësisht me interesat më jetike të kombit. Sipas pretendimit të tyre qesharak, unë me deklaratat e mia të asaj kohe, bllokova marrëveshjen dhe kjo i dha kohën e duhur Millosheviçit të zbresë trupat dhe të masakrojë Kosovën. E vërteta është, siç do ta shohim poshtë, se unë nuk kam bllokuar asnjë marrëveshje, por kam denoncuar dhe kundërshtuar një projekt-marrëveshje, e cila kurrë nuk mund të pranohej.
Ky kor mjeranësh, ndaj të cilit kam qenë indiferent, me akuzat e shplara ndaj meje për këtë çështje, vetëm sa ka hequr maskën dhe zbuluar keq vetveten.
Me këtë rast theksoj se ata shqiptarë që kanë qenë në Rambuje ose që kishin informacion në kohë reale nga konferenca dhe lëshonin asokohe këtë akuzë, me megafonët e qeverisë shqiptare apo në anekset e kështjellës mesjetare për qëndrimet e mia, ata vetëm sa më provonin qartë se, ishin për sakrifikimin e Kosovës dhe qëndrimin e saj nën Serbinë me një status të gjymtuar të para 1974, dhe kjo vetëm e vetëm për të çimentuar pushtetin e tyre, ose thjesht të detyruar për të zbatuar udhëzimet e Beogradit. Ndërsa unë vendosa t’ju përgjigjem ju, duke shpresuar se nuk e njihni mirë të vërtetën e qëndrimit tim, në ato ditë të një rëndësie vendimtare për shqiptarët.
Konferenca e Rambujes që u mbajt në datat 6-23 shkurt 1999, ishte angazhimi më i madh ndërkombëtar në histori për ne shqiptarët, ishte një Deyton i dytë, por tashmë vetëm për Kosovën. Në atë kohë, si kryetar i opozitës në Shqipëri, e kam ndjekur me përqëndrimin dhe vëmëndjen më të madhe, e kam mbështetur konferencën, jo me një por me disa deklarata, në prag dhe gjatë zhvillimit të saj, në takimet e mia publike dhe private me përfaqësues të Kosovës dhe të komunitetit ndërkombëtar.
Konferenca, siç dihet, nisi punimet me shqyrtimin e dokumentit “kushtetutës” së Rambujesë për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Ky dokument nuk ishte i përsosur por ishte më i miri që Fuqitë e Mëdha kishin paraqitur deri atëherë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Dokumenti parashikonte largimin de facto të Serbisë nga Kosova (përveç kufirit ndërkombëtar), futjen e trupave të NATO-s në Kosovë, parashikonte konstituimin e institucioneve të Kosovës dhe pas një periudhe kalimtare tre vjeçare, referendumin e popullit për të përcaktuar statusin përfundimtar të Kosovës. Pra, respektonte kështu të drejtën e ushtruar edhe më parë në kushtet e pushtimit, nga qytetarët e Kosovës, për statusin e Kosoves, ashtu dhe rezolutën e iniciuar nga qeveria shqiptare të OKB për Kosovën, të votuar në vjeshtën e vitit 1994, nga 137 vende, pra mbi 2/3 e vendeve antare e cila njihte dhe sanksiononte pa ekuivoke të drejtën e shqiptarve për vetvendosje.
Me sa di unë, dokumenti nuk kishte të qartë rolin e ardhshëm të UÇK për të cilin dhe probleme tjera po negociohej. Një gjë ishte e sigurt – Millosheviçi dokumentin nuk e pranonte. Konferenca po shteronte kohën e parashikuar, ajo duhet të përfundonte me datë 20 shkurt, por papritmas ndodhi një kthesë përmbysëse në punimet e saj. Me datë 17 shkurt në darkë, në mos gaboj, informohem se kishte ndodhur e pabesueshmja. Projekti mbi të cilën ishte diskutuar që nga data 7 shkurt, u zëvendësua nga pesëshja, Fuqitë e Mëdha me një projekt të ri, të kundërt me të parin, që dukej sikur të ishte shkruajtur në Moskë apo Beograd.
Në tekstin e ri që iu dorëzua befasishëm dhe pothuaj në fund të kohës të caktuar për zhvillimin e Konferencës delegacionit shqiptar dhe atij serb, Kosova jo vetëm që mbetej tërsisht nën Serbinë, por me një status qartësisht më të kufizuar se i vitit 1974, me mbikqyrje nga OSBE, pra prania e trupave të NATO-s zëvendësohej me praninë e OSBE-së. Në projektin e ri, ishte hequr krejtësisht referendumi për statusin e Kosovës, propozohej parlamenti me dy dhoma, në të cilin dhoma e pakicave bënte ligjin, legjislativi i Kosovës përfundonte, de facto, në duart e Miloshevicit, UÇK asgjësohej. Ky projekt, që nga idetë e para të Lordit Carrington e deri atë ditë, ishte më antishqiptar dhe natyrisht, më i papranueshëm se sa çdo projekt tjetër.
Mbi këtë zhvillim dramatik u informava menjëherë nga disa prej miqve të mi që përfaqësonin Kosovën në konferencë. Pikërisht, në këtë moment, kur Fuqitë e Mëdha papritmas ndryshuan qëndrimin, unë u rrjeshtova publikisht me Kosovën. Kështu, me dt 18 shkurt, plotësisht i vetëdijshëm për hapin që po ndërmerrja, por në përputhje të plotë me bindjet dhe me kontratën time me kombin, denoncova publikisht, para shqiptarëve, projektin e ri, si një projekt antishqiptar. Në deklaratën time të kësaj date, me titull: Pavarësia e Kosovës – kusht themelor për paqen në Ballkan, ndër të tjera shprehem: “Unë konstatoj me keqardhje, se po bëhen presione mbi delegacionin shqiptar për të hequr dorë nga kluazola me të cilën Kosova, në tre vjet, me referendum të shpallë vullnetin e saj” dhe vazhdoj më poshtë se: “Pa këtë klauzolë duhet të them se marrëveshja bëhet ose një marrëveshje që dëmton në mënyrë fatale interesat e shqiptarëve ose një marrëveshje në letër, të cilën asnjë shqiptar në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi e diasporë nuk do mund ta përkrah dhe ta njohë”. Në këtë dekleratë theksoj gjithashtu se: “pa praninë e NATO-s në Kosovë nuk ka asnjë zgjidhje”. Po aty jam shprehur: “shoh se mbi Kosovën po projektohen interesa kombëtare të shteteve të ndryshme dhe po injorohen interesat kombëtare të shqiptarve” dhe në fund kam dënuar qëndrimin rus.
E vërteta është se me këtë deklaratë, zgjova zemërimin e menjëhershëm të Perëndive të tokës tërbimin e Milosheviçit dhe miqve të tij, por jo të Zotit. Po ju rikujtoj se, një diplomati të rëndësishëm që më erdhi me tone jo miqësore në zyrë për deklaratën time, iu përgjigja qetë, duke i thënë: “mbaj shënim ju lutem. I thoni qeverisë tuaj se, sa herë që shqiptarëve do t’ju serviren marrëveshje si ajo, unë do t’i denoncoj si akte antishqiptare”. Qëndrimi im publik kundërshtues ndaj projektit të ri, nuk lidhej me dyshimin se atë mund ta firmoste përfaqësia e Kosovës, pasi në dijeninë time, kundërshtimi i tyre ishte unanim. Qëndrimi im synonte mbështetjen e përfaqësisë të Kosovës, për qëndrimin kundërshtues të saj. Por, qëndrimi im në atë moment kritik kishte si qëllim gjithashtu të dënoja publikisht atë projekt si një marrëveshje antishqiptare, i cili kurrë nuk mund të pranohej. Natyrisht, ato ditë dramatike, kam komunikuar me pjesëmarrës dhe ndjekur disa herë në ditë konferencën, zhvillimet, debatet brenda saj. Këto qëndrime i kam përsëritur në deklaratën time të datës 21 shkurt 1999, por duke shprehur besim tek Sekretarja e Shtetit, Ollbright dhe Qeveria amerikane për mbështetje të kërkesave të drejta të palës shqiptare, jam shprehur ndër të tjera se: “Shqiptarët nuk mund të firmosin kushtetutën e pushtuesve …. e cila e kthen Kosovën në një provincë me të drejta të kufizuara, që nuk i ka patur as në vitin 1945. Një kurth për të fajësuar shqiptarët, por përsëri unë mendoj se ka mendje të cilat kanë kthjelltësi si qëndrimet e Sekretares së Shtetit Ollbright, administratës së presidentit Klinton dhe të Organizatës të të Drejtave të Njeriut të cilët janë më të qartë përsa i përket përmasave të konfliktit”.
Më dt. 22 shkurt të vitit 1999, falë punës këmbëngulëse të përfaqësuesve të Kosovës dhe mirëkuptimit të miqve tanë për propozimet e shqiptarëve, projekti pësoi ndryshime thelbësore. Në tekst u rikthyen klauzolat më të rëndësishme. Po këtë datë ndryshon përsëri qëndrimi im. Kështu, në deklaratën e datës 22 shkurt 1999, Partia Demokratike dhe pesë parti tjera opozitare, kanë miratuar deklaratën në të cilën, ndër të tjera shprehën: “Marrëveshja e Rambujes do pranohej nga shqiptarët vetëm në rast se do të njihte të drejtën e shqiptarëve për të shprehur vullnetin për të ardhmen e tyre, pas periudhës kalimtare. Prania e trupave të NATO-s në Kosovë do të ishte e vetmja garanci e realizimit praktik të marrëveshjes së Rambujesë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës duhet të shndërohet në Gardë Kombëtare të Kosovës”. Në të vërtetë, ndonëse teksti i projektit me ndryshimet thelbësore u bë i pranueshëm për shumicën dërmuese të përfaqësuesve tanë në Konferencë, përsëri siç e dini ju, jo çdonjëri prej tyre e pranoi atë. Por as ju dhe as njëri, as edhe ato që hezituan, nuk mund t’i lidhni me deklaratat e mia kundërshtitë e mbetura. Ato, qartësisht, lidheshin me disa zhvillime të papritura, që ndodhën bash ato dy-tre ditët e fundit, jo në Tiranë por në Kosovë, me të cilat unë nuk kisha absolutisht asnjë lidhje. Është tashmë e ditur se, pas shumë debatesh, me datë 23 shkurt 1999, përfaqësia e Kosovës në Rambuje doli me deklaratën, tashmë të njohur se, ajo pranonte unanimisht në parim marrëveshjen e Rambujesë dhe se për firmosjen e saj kërkonte pak kohë, për ta konsultuar atë me forume dhe faktorë të tjerë në Kosovë. Kjo kërkesë u pranua nga Fuqitë e Mëdha, të cilat fiksuan, për këtë qëllim, një konferencë tjetër për Kosovën me datë 15 mars 1999.
Prandaj dhe në deklaratën time të datës 24/2/1999 thuhet se: “PD mbështet deklaratën e përfaqësuesve të Kosovës dhe vlerëson si një zhvillim të rëndësishëm të Rambujesë fiksimin e datës 15 mars për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, kërkon që përfaqësia e Kosovës t’i përmbahet luajalitetit të deklaratës që miratoi vetë me konsensus në Rambuje dhe i bëhet thirrje Demaçit të mbështesë marrëveshjen”. Në një rezolutë të forcave politike të datës 3 mars 1999, bëhet thirrje “të gjitha forcave ushtarake, politike në Kosovë, Shqipëri dhe kudo që ndodhen, tëmbështesin firmosjen e marrëveshjes së pranuar në parim nga përfaqesia e Kosovës”.
Ky ishte qëndrimi im, Zoti Buzhala, dhe i PD ndaj Konferencës së Rambujesë. Ky qëndrim, asokohe, është vlerësuar nga shqiptarët por, dy-tre vite më parë duhet të pranoj, edhe nga ndonjë drejtues kryesor i UÇK me origjinë nga Shqipëria. Ky qëndrim është krejt i ndryshëm nga ai i disa qeveritarëve shqiptarë që erdhën të paftuar nga organizatorët e Konferencës në Rambuje dhe, që kur u kthyen, denoncuan dhe fajësuan publikisht si depresiv, psikotik, melankolik, anëtarë të caktuar të delegacionit të Kosovës, pse ato nuk pranuan të firmosnin me 23 shkurt marrëveshjen por, kërkuan ta konsultonin me forumet në Kosovë. Kurse unë, këtë qëndrim përçarës, nuk mund të pranoja. Së fundi dhe kjo nuk lidhet me ju, por direkt me përfaqësuesit e kombit titist virtual Kosovar, ne shqiptarët jetojmë në dy dhe më shumë shtete për shkak të rrethanave historike, mirëpo liria, interesi, ideali dhe dinjiteti kombëtar burojnë nga kombi dhe janë një e të pandarë.
Reagimi publik i ish-kryeministrit, në vitin 1999, shef i opozitës në Shqipëri, lidhur me akuzat e zgjatura në kohë se zoti Berisha pat dalë njëfarë kohe kundër rekomandimeve ndërkombëtare, lidhur me dokumentet që po prodhonte Konferenca e Rambujesë

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe kori, i apatridëve!, qëndrimi im, Rambuje, Sali berisha

Pse nuk mund të festojmë 70-vjetorin e çlirimit

December 3, 2014 by dgreca

Nga Át Vitor Demaj, OFM/
Hymje/
Kur grekët e vjetër filluen me u marrë me histori, menduen me trajtue historinë si shkencë për dy qëllime. Ata thojshin se historia shërben për me mësue prej gabimeve të maparshme; dhe që këto gabime të mos përsriten ma. Grekët mendojshin se natyra e njeriut âsht lehtësisht e manipulushme e se ngjarjet edhe ato mâ tragjike mund të përsriten. Historiani duhet të grumbullojë fakte, ngjarje, dëshmi të njerëzve që jetuen ato ngjarje, dokumente, të kërkojë nëpër arkiva, të lexojë libra të shkruem posaçe për atë periudhë. Grekët mendojshin se tue u a mësue historinë brezave të rij do të parandalonin problemet e së kaluemes. Tue studiue historinë edukoheshin e formoheshin breznitë e reja me të mirat e me të këqijat e të parëve tyne. Edhe sot shërben për né që ta njohim historinë për me njoftë të kaluemen e sidomos që ajo të mos përsritet.
Ketë vit u banë kremtimet për 70-vjetorin e çlirimit të Shqipnisë. Historianët e historisë sëré e kanë nxjerrë kryet, nostalgjikët e sistemit komunist japin sentenca, ndërkohë që rikthehet frikshëm fotografia e Enver Hoxhës në mbledhje publike. Simboli i së keqes vijon të mbijetojë në mendjet e disa shqiptarve. Bile hija e tij po i ndjek mbrapa. Ambasadori amerikan e dënoi qartë rikthimin e figurës së Enver Hoxhës e ndërkohë shumë prej nesh heshtën.
Nëse e shikojmë me objektivitet ketë vit i bjen të kujtojmë 70-vjetorin e fillimit të tiranisë, të diktaturës mâ çnjerëzore të popullit tonë. Nuk duem të paragjykojmë të vramët gjatë Luftës së Dytë Botnore, sidomos të ramt ndër partizan e komunista. Për komunistatpat deklarue P. Anton Harapi, në vjetin 1944se veprojshin me krye në thes, pa e dijt se kush po i udhëhiqte. Nuk dijshin se kush po i drejton. Shumë sish kishin luftue për nji Shqipni të lirë e jo për diktatorin e vrasësit e tij. Historinë nuk mund ta lexojmë vetëm nëpërmjet nji date ose mbas nji rase të caktueme, atë duhet ta kontekstualizojmë dhe ta lidhim me atë se çka ndodhi mâ vonë. Ajo çka erdhi mâ vonë nuk lejon kurrqysh që 29 nandori i vjetit 1944 të jetë ditë gëzimi.
1 Asgjasimi fizik i Klerit katolik
Kaluem prej pushtimit fashist në ferrin komunist. Nuk kaluem në liri, por prej pushtimit në diktaturë. Shqiptarët nuk e panë lirinë mbas nandorit të vjetit 1944. Në ketë humbje të madhe, peshën kryesore e mbajti Kisha Katolike. Ajo humbi gjithçka.
Po rreshtojmë ngjarjet në trajtë kronologjike që vuejti Kisha Katolike e Françeskanët Shqiptarë.
Kleri katolik me qendër në Shkodër u konsiderue prej qeverisë shqiptaro-jugosllave si qendra anti-shqiptare e cila duhej shfarosë nji orë e mâ parë. Hapi i parë vjen e kryhet në kumbonaren e Gjuhadolit ku përkrah flamurit shqiptar, i cili valvitej i vetëm që prej 13 qershorit të vjetit 1913, vihet edhe flamuri jugosllav.
Menjherë fillon persekutimi. Vritet në malet e Dragobisë prej komunistave françeskani i parë Át Lekë Luli. Ky do t’u paraprinte çetës së ardhshme të martirëve. Forcat jugosllave vrasin në pabesi fratin Leonard Tagaj, famullitar i Hotit e Grudës. Fill mbas Át Leonardit, vritet edhe Át Bernardin Llupi, i cili kishte përshkrue në kujtimet e tij luftën ndërmjet ushtrisë serbe e Dukagjinit në vjetin 1915. Në janar të vjetit 1945 arrestohen Át Gjon Shllaku, Át Giovanni Fausti e Át Daniel Dajani. Pushkatohen sa dalin në gjyq si anmiq të popullit me datën 4 mars 1945.
Arrestojnë Dom Ndre Zadejen, i njoftun prej publikut për kulturën e tij të gjanë. E pushkatojnë pa gjyq. Fill mbas tij në tortura të paimagjinueshme vdes publicisti e përkthyesi Dom Lazer Shantoja.
Gjimnazet e Fretënve e të Jezuitëve konsideroheshin si qendra anmiqsore të cilat simbas regjimit të ri enverian veprofshin kundra interesave të kombit.
Në Dukagjin arrestojnë Pater Anton Harapin. Mbasi e mbajnë për disa muej nën tortura në burgun e Tiranës, e pushkatojnë në shkurt të vjetit 1946. Sot as vorri i tij nuk gjindet.
Terrori vazhdon nëpër kisha e kuvende. Anmiqt e popullit duhen asgjasue me çdokusht. Ky kje urdhri prej Tirane i drejtuem prej qeverisë jugosllave.
Kuvendi i Gjuhadolit në Shkodër kje qendër e vertetë kulture e humanizmi. Në ketë kuvend jetuen e vepruen personalitetet mâ të randesishëm të kombit tonë, si Át Gjergj Fishta, Át Shtjefën Gjeçovi, Mons. Vinçenc Prennushi, Át Pal Dodaj, Át Pashk Bardhi, Át Marjan Prelaj, Át Ambroz Marlaskaj, Át Bernardin Palaj, Át Donat Kurti, Át Anton Harapi, Át Martin Gjoka, Át Justin Rrota, etj., të cilët hodhën themelet e kulturës shqiptare. Po në Kuvendin françeskan kreu vizita të shpeshta Faik Konica e shumë figura të shqueme të Shqipnisë. Ndërsa martiri i kombit Luigj Gurakuqi kishte zyrën e tij në kuvendin e fretenve. Në dhetor të vjetit 1946 Kuvendi i Gjuhadolit kthehet në burg, ose siç e quen P. Zefi “Burgu i Kishës”. P. Pal Dodaj-n e torturojnë memetoda nga mâ çnjerëzoret. P. Bernardin Palaj-n e gozhdojnë e Marie Tucin e fusin nji thes bashkë me nji mace. Maria vdes prej torturave të shumta. Ishte vetëm 22 vjeçe. Për nji pagëzim pushkatohet në vjetin 1971 Dom Shtjefen Kurti. Ndërkaq folkloristin e njoftun Dom Lekë Sirdani bashkë me Dom Pjetër Çunin i mbysin në nji gropë të ujnave të zeza në Koplik.
Po në vjetin 1946 u arrestuen tre Ipeshkëvij, Imzot Gjergj Volaj, Imzot Frano Gjini, Imzot Jul Bonati, Provinciali i Françeskanëve e disa klerik të tjerë. Ato u mbajtën të burgosun në Kuvendin e Gjuhadolit. Në shkurt të vjetit 1948 pushkatojnë pothuejse krejt kryesinë e Kishës katolike, Imzot Frano Gjinin, P. Ciprijan Nikën bashkë me P. Mati Prendushin, Provincialin e françeskanëve. Mons. Vinçenc Prennushi do të vdesë nën tortura në mars të vjetit 1949. Vdesin si martir tue i fal të gjithë. Trajtoheshin si kriminel Imzot Luigj Bumçi e Imzot Gaspër Thaçi, Imzot Bernardin Shllaku, Imzot Ernest Çoba, Imzot Antonin Fishta, Imzot Pjeter Demaj e shum meshtar të tjerë. Kisha Katolike po shkonte drejt asgjasimit të plotë.
Persekutimi vijonte. Torturat ishin nga mâ të ndryshmet. I groposnin nëpër nevojtore, i banin me pi urinën e tyne, i lejshin të varun nëpër mure, pemë e shkallë përditë e net sidomos gjatë dimnit, i djegëshin nën stjetull me vezë të nxehta, u mbushnin me kryp e uthull plagët, i djegëshin në zjarrm, kuja nën thoj, i rrashin me konop të lagun, përdorojshin korentin në veshë e gojë e në pjesë mâ delikate të trupit, i linin pa gjumë, i shtinin nëpër biruca në ujë për shumë ditë rresht gjatë dimnit, i kryqzojshin nëpër dysheme, i shtrijshin të plagosun në prush, i lidhnin me të dekun etj. Ndërkohë që gjatë natës dëgjoheshin britma vuejtjeje që u vinin prej plagëve, partizanët këndonin kangë revolucionare për mos me i dëgjue populli vuejtjet e martirëve.
Arqipeshkvin e Shkodrës, Mons. Ernest Çoben, mbasi u mbyllën kishat, e detyruen të punonte si pastrues nëpër rrugët e qytetit. Ky ishte Aqipeshkëvi i fundit. Vdes i helmuem prej sigurimsave të shtetit.
Fishtës prej urrejtjes së madhe në vjetin 1967 i nxjerrin eshtnat prej vorrit e ia hedhin në Lum të Kirit. Në vorrin e tij kishin mbetë vetëm pak eshtna, me të cilat mbas rihapjes së Kishës në vjetin 1990, rishtas iu ndërtue vorri po në Kishën e fretënve në Gjuhadol-Shkodër.
Bashkë me martirët që i përmendem, janë edhe shumë të tjerë të cilët hoqen mundime të shumta për të vetmin faj, për besimin në Krishtin e bashkimin me Papën e Romës e se deshtën Shqipninë e shqiptarët. Ndër këta po përmendim Át Frano Kirin, Át Mark Harapin, Át Nikoll Mazrrekun, Át Gegë Lumaj, Át Klement Miraj, Át Benedkit Dema, Át Marin Sirdani, Dom Frano Ilia, Dom Mark Dushi, Át Leon Kabashi, etj.
Dishmitarët okularë si P. Zef Pllumi, P. Konrad Gjolaj, Dom Simon Jubani, Gjovalin Zezaj, e shumë të tjerë na tregojnë se cila kje ftyra e vërtetë e komunizmit. P. Donat Kurti, mbasi kreu 17 vite burg jetoi në nji vorfni të skajshme brenda nji kolibe, i braktisun e i harruem prej të gjithëve. Bash si P. Donati jetuen e vdiqën shumë meshtarë në nji vorfni të skajshme, të detyruem në punë të vështira e në nji kalvar të pafund mundimesh, shamjesh, vuejtjesh e mjerimi.
1 Shkatërrimi i veprës kulturore
Po trajtojmë grabitjen e bibliotekave, të arkivave e Dioçezave, të famullive, të kuvendeve, etj. Bilanci âsht vërtetë tragjik. Biblioteka e famshme françeskane, e cila përdorej edhe si redaksi e Hyllit të Dritës, kthehet në gjykatore prej tiranit. Shkatërrohet krejtësisht tue shembë për dhé raftat me libra të vjetër për Shqipninë e shqiptarët. Shumë prej librave nuk dihet se ku përfunduen. Nji pjesë e tyne i kaluen bibliotekës së qytetit të Shkodres, nji pjesë bibliotekës kombëtare në Tiranë e nji pjesë jo e vogël shkatërrohet. Biblioteka françeskane numronte mâ shumë se 20.000 vëllime.
Të njajtin fat pat edhe Arkivi i fretënve. U shkelën me kambë dokumentat e vjetër. Partizanët thojshin se historinë “do ta bëjmë ne e kështu nuk na duhen gjë këto dokumente”. Simbas dëshmisë së P. Zef Pllumit, arkivi fillonte me dokumenta qysh prej vjetit 1415, vijonte me dokumenta të shekujve XVI-XVIII përfundonte me Luftën e Dytë Botnore. Arkivi përmbante shkrime origjinale të arbëneshëve të Italisë, letërshkëmbim të vlefshëm rreth ngjarjeve që sollën pamvarësinë e Shqipnisë, dorëshkrimet të P. Gjergj Fishtës, P. Shtjefen Gjeçovit, P. Pal Dodaj, Luigj Gurakuqit, Imzot Prennushit, P. Ambroz Marlaskaj, etj.
Mbas shkatërrimit të bibliotekës dhe arkivit i erdhi rradha Muzeumit të themeluem prej P. Shtjefen Gjeçovit. Shumë prej objekteve të mbledhuna aty nuk dihen se ku përfunduen. Përveç Muzeut të Gjeçovit u shkatërrue edhe oda muze ndertue për nder të poetit kombëtar P. Gjergj Fishtës. Në odë kjenë vendos sendet personale e dorëshkrimet e poetit. Njikohsisht u grabit edhe Pinakoteka e ndertueme prej P. Gjergj Fishtës me piktura shum të vjetra. U sekuestrue Shtypshkroja Françeskane e cila që prej vjetit 1916 kishte nxjerrë në dritë nji shumësi botimesh me vlerë të paçmueshme për kulturën tonë. Bashkë me mbylljen e Shtypshkrojes Françeskane, u mbyll edhe shtypshkroja e Jezuitëve e cila funksiononte që prej vjetit 1870. Kjo shtypshkrojë pat funksionue edhe para pamvarësisë së Shqipnisë.
Me urdhën të premë prej Tirane u mbyllen revistat kulturore Hylli i Dritës e Leka e bashkë me to edhe revistat me karakter kryesisht fetar e kulturor,Zani i Shna Ndout e Lajmëtari i Zemrës së Krishtit.
Umbyll kolegji Saverian e bashkë me të edhe shkollat që drejtoheshin prej etenve Jezuit. U shembë për dhé Muzeu i tyne e u grabit koleksioni i çmueshëm i Numizmatikës. Mbyllin Liceun Klasik të Françeskanëve i cili kje themelue që në vjetin 1921. Përveç Gjimnazit, në atë kohë françeskanët drejtonin mâ shum se 20 shkolla fillore. Sikurse Liceu Klasik edhe këto shkolla u mbyllen me pretekstin se ishin reaksionare. Edhe shkolla femnore e motrave Stigmatine në të cilën u edukuen e u formuen shum të reja, u mbyll.
Arkivat e zyrave famullitare si dhe të kuvendeve ishin shum të pasun me materiale rreth historisë e gjuhësisë shqiptare. Vetëm arkivat e zyrave famullitare të Françeskanve mbajshin dokumenta të shekullit XVI e në vijim. Të gjitha u shkatërruen. Persona të papërgjegjshëm grabiten e djegen ketë pasuni të çmueshme të kulturës tonë. U mbyllen edhe Shoqnitë, si ajo Antonjane, muzikore, fetare-kulturore të themelueme prej Françeskanëve, Jezuitëve e prej klerit dioçezan. Rreth këtyne shoqnive kjenë edukue rinija, e u formuen brezat e ardhshëm në muzikologji, gjuhësi, histori, etnologji, etj.
Vala e persekutimit vijon. Mehmet Shehu hedh në erë me dinamit Kishën mesjetare të Vaut të Dejës, ndërsa në vjetin 1967 me mbylljen e kishave fillon nji periudhë e ré persekutimi. Përveç burgosjes e pushkatimeve të meshtarëve, shkatërrohen veprat e artit, kishat e vjetra, afresket nëpër kisha e kuvende. Kishat u kthyen në kinema, pallat sporti, magazina, tue përçudnue artin fetar e arkitekturën e tyne. Digjen librat e meshëve. Shumë prej kishave të vjetra që sot do të ishin monument kulture janë shembë për dhé. Gurët e këtyne kishave u përdoren prej regjimit për me ndërtue mjedisete realizmit socialist. Vejnë dorë deri edhe nëpër vorre, tue hek kryqat e tue i zavendësue me “yllin e kuq”.
Përmbyllje
Për Kishën Katolike dhe për Françeskanët, 70-vjetori nuk kje festa e lirisë, por fillesa e pushtetit të së keqes e eliminimit fizik dhe e asgjasimit në masë të veprës kulturore që kishin ndërtue gjatë shekujsh. Nuk jemi shkëput ende préj Diktatorit! Vijon të shfaqet si hukubet nëpër mitingje. Jo vetëm Kisha Katolike por kréjt Shqipnia vuejti diktaturën e pashembullt të pushtetarëve komunist. Kini nderim për vuejtjen dhe eleminimin fizik që i shkaktuen popullit shqiptar e në veçanti Kishës Katolike e njerëzve të saj. Komunizmi në Shqipni nuk kje thjeshtë nji diktaturë, por Enver Hoxha me klanin e tij kreu genocid ndaj popullsisë shqiptare.
Ky përvjetor duhet të përkujtonte viktimat e sistemit që ai vet shkaktoi. Prandej, nuk duhet të festojmë, por duhet të reflektojmë që e keqja të mos përsritet.

Filed Under: Analiza Tagged With: 70-vjetorin, At Viktor Demaj, e Çlirimit, Pse nuk mund të festojmë

29 NËNDORI DITË REFLEKTIMI PËR TË DENUAR KRIMIN KOMUNIST

November 30, 2014 by dgreca

Shkruan: Besim NDREGJONI*/
Sot mbushen 70 vite kur kombit tonë të dashur ju instalua me forcën e armëve “guberna komuniste” e diktatorit Enver Hoxha e cila për 45 vite u bë diktatura më e pashembullt për gjysëm shekulli që pasoi. Ne sot i kujtojmë shoqërisë se cfar solli kjo ditë e zezë për shqiptarët, bilancin e krimit komunist, dhe këtë bilanc nuk e kishim ne në arkivat tona, por e kishin ata që muarën pushtetin me 29 nëndor 1944. Se ne nuk kishim arkiva, shtetin e kishin marrë kriminelët të cilët krenoheshin me krimet e tyre ndaj nesh. Bilanci që solli data 29 nëndor është e publikuar kur mbi 6000 veta u pushkatuan dhe këta pushkatime filluan që para datës 29 nëndor, mbi 30 mijë të burgosur politikë vetëm se nuk deshën “gubernën” e krimit, mbi 50.000 familje të internuar që nga mosha 1 vjeç e deri në moshën 90 vjecare. Shkatrimi total i shoqërisë me formimin ideologjik të “njeriut të ri “ duke e xhveshur nga cdo lloj mentali moral e shoqëror. Kurse mazhoranca politike do të evokoi “betejat e lavdishme” të epopesë së luftës kacake nën drejtimin e “komandantit legjendar” sajesa të fantazive të poetëve dhe historianëve të regjimit, që kurorzohet me një shifër imagjinar të 28.000 dëshmorëve , lista e të cilëve nuk pa kurrë dritën në historigrafinë 70 vjecare, si për të dëshmuar faktin se ishte gjetje e bukur e imagjinatës se ndonjërit që vendosi ti jap cdo km katror të truallit shqiptar një martir imagjinar të luftës për komunizëm. Data 29 nëndor i bëri shqiptarë komunist vrasës të vëllezëve të tyre dhe spiun të tyre. Diktatura komuniste në Shqipëri para 70 viteve, u lind nga gënjeshtra, u rrit me dhunë të organizueme, u mbajt me arbitraritet e cizme ushtarake dhe u mbështet nga antishqiptarët armiq shekullor të ekzistencës së kombit tonë .
Sot pushteti politik i udhëhequr nga Rama –Meta e quajnë këtë datë “nata e bardhë” e quajnë nderim dhe sakrificë luftën” imagjinare” të komunistëve, sigurishtë ne familjet antikomuniste , perulemi ndaj viktimave se ata u vranë pa faj. çdo jetë shqiptari që është flijuar me besim në mbrotje të kombit kundra pushtuesve duhet të nderohet, ne çmojmë dhe nderojmë Borovën dhe përulemi me nderim ndaj jetëve të tyre.. por nuk mund të nderojmë veprimet kriminale të njësive guerile që vrisnin ata shqiptarë që s’pranonin të ishin komunistë . Dhe ata të vrarë shqiptarë janë trefishi i pushtuesve që u vranë gjatë luftës së dytë botërore në vendin tonë , ne nderojmë ata të rinj shqiptarë që u vranë për idealet e lirisë pamvarsisht se ishin me bindje komuniste , ashtu sic nderojme luftëtaret antifashistë Abas Kupin, Mujo Ulqinakun dëshmorin e pare antifashit në europë, Hamit Matjanin, Husni Lepenicën Muharrem Bajraktarin e Gani Beg Kryeziun Safet Butkën e Llan Destan Ndregjoni. Homazhe në varreza që pushteti diktatorial i pat vendosur, dhe në atë varrezë nuk ke asnje dëshmorë që është vrarë kundra fashizmit nazizmit vetem se ata nuk njiheshin dëshmorë nga regjimi që ndërtoi atë parcelë. Është ky kaos moral e shoqëror është kjo zbrazëti shpirtëror qe lejoi kaosin politik që kemi jetuar për afër 24 vite tranzicion ,. Dhe është ky kaos politik që lejon sot daljen në skenë të partie politike në mbrotje të terrorit . varfërisë , çnjerzore, që na imponuan satrapi aziatik shqiptar dhe këlysht e tij. Me pompozitetet dhe delirin e tij Kryeministri i vendit përpara atyre që i quan veteran, dhe janë pjesmarrës direk në vrasjet e kundërshtarve të komunizmit në 29 nëndor, etikoi tradhëtar mijëra shqiptar që i vrau kjo datë. Kryeministër, po ju a jeni tradhëtar i sistemit ku jemi që përbuzni shqiptarët që u vranë nga data 29 nëndorë,. Nënat motrat, djemtë kërkojnë eshtrat të ju bëjnë një varr dhe at mundësi nuk e kan se ju heshtni ndaj të drejtës njerzore të tyre. Juve, nuk ju dhimbsen as dëshmorët komunistë po mos të jetë data 29 nëndori i Enver Hoxhës.
Pesha e luftës së djeshme para degradimit moral ku kishin ra komunistët shqiptare dhe sot trashgimtarët e tyre nuk mund të njihet e të jetë pjesë e historisë kombëtare. Cila mendje normale , cila ndërgjegje njerzore , cila gojë që shqipton fjalën dashuni gjen sot guximin e marrzishëm dhe shtazarak me rikujtue tmerret e së kalueme komuniste, dhe me një far krenarie neveritse. Ata që rikujtojnë datat simbol të diktaturës ata janë turpi i kombit. Sot diktatori e ka një varr dhe shtëpinë të ngritur në këmbë. Lëreni të pushoi në gjumin e vdekjes pa ringjallje. Por , çfarë të themi për mijëra qytetarë të ekzekutuar në errsirat e burgjeve të natës pa hënë që sot akoma janë pa varr. Çfarë të themi mijëra familje me shtëpi të prishura dhe sot pa një vatër familjare ku të mblidhen sëbashku. 4500 familje presin eshtrat kryeministri i etikimeve heq ligjin e taskforces për të i gjetur këto eshtra.Pse kjo nostalgji këmgulse për diktaturën dhe mos denimin e një sistemi shkatrimtar të denuar nga e gjithë bota e qytetëruar ? Para një gjendje kaq dëshprurese që pasqyron nostalgjinë për terror, varfëri e izolim nga bota e jashtme, mijëra viktima shqiptare të dates 29 nëndor përsërisim , sëbashku me poetin:
“Na lini, në ëmbëlsi, jetën të rijetojmë.
Mos na tregoni përsëri qen që kafshojnë” (Nellie Saks)
Ne, çdo datë 29 nëndor do të kujtojmë krimet që solli kjo datë. Dhe do ti kujtojmë Ata, e reflektojmë mbi krimet komuniste që mos ti rivrasim përsëri. Ne , përfaqësojmë Paqen, pushteti politikë urretjen që fillon me 29 nëndor.
Paqja jonë do të fitoi mbi urretjen dhe urrejtsit që krenohen me krimet. Paqja mbi urrejten do të jetë triumfatore e lirisë dhe dashurisë njerzore. Përbuzja dhe heshtja u përket kriminelëve , Ne, na përket nderimi si detyrim për mos i rivrarë si data 29 nëndor!
* UNIONI MBARKOMBETAR INTEGRIMIT TE BURGOSURVE DHE TE PERNDJEKURVE POLITIKE TE SHQIPERISE

Filed Under: Analiza Tagged With: 29 NËNDORI DITË REFLEKTIMI PËR TË DENUAR, Besim Ndregjoni, KRIMIN KOMUNIST

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 861
  • 862
  • 863
  • 864
  • 865
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES
  • Shkolla Shqipe Vatra në Tampa zhvilloi takimin e radhës
  • FESTA E SHQIPTARËVE
  • Lekë Matrënga, jo vetëm poeti, por dhe mësuesi i parë i shqipes
  • BETIMI I VEDAT GASHIT I ADMINISTRUAR NGA PRESIDENTI CLINTON
  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT