• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR TAKOHEN PAPA DHE PRESIDENTI

March 30, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Javën që kaloi, si pjesë e turneut të tij në disa vende të Europës, Presidenti i Amerikës Barak Obama bëri edhe një vizitë në Vatikan ku u takua me udhëheqsin e Kishës Katolike, Papa Françeskun.  Takimet midis presidentëve të Shteteve të Bashkuara dhe papëve të Romës kanë një traditë të gjatë, një histori prej pothuaj një shekulli.  Takimi i parë shënohet të jetë bërë midis Presidentit amerikan Woodrow Wilson dhe Papa Benediktit të XV në Vatikan, me në Janar, të vitit 1919, menjëherë pas mbarimit të Luftës së parë Botërore.  Monsinjor Robert Wisner, një profesor i historisë kishtare pranë universitetit Seton Hall, në shtetin amerikan Nju Xhersi tha për Agjencinë Katolike amerikane të lajmeve se ai takim, pothuaj 100-vjetë më parë, duhet të ketë qenë shumë interesant, për faktin sepse si Presidenti Wilson, ashtu edhe Papa Benedikti i XV, kishin pikpamje të njëjta dhe dëshirë të përbashkët për t’i dhënë fund luftës dhe për të promovuar paqën në Europë dhe anë e mbanë botës.  Monsinjor Wisner tha se plani i  famshëm i Presidentit Wilson për paqë prej 14-pikash, të cilin ai ja paraqiti Kongresit në Janar të vitit 1918, pasqyronte shumë prej ideve të njoftuara një vit më parë, nga Papa Benedikti i XV në propozimin e tij për paqë, në gusht të vitit 1917.  Wilsoni dhe Papa Benedikti i XV kishin shkëmbyer korrspondencë në lidhje me negocitatat për t’i dhënë fund Luftës së parë Botërore.  Në një prej korrespondencave dërguar Presidentit Wilson, Papa Benedikti i XV i shkruan Wilsonit se, “Njerëzimi i ka përqendruar shpresat dhe sytë tek Presidenti i madh, i demokracisë më të madhe në botë”, për t’i dhënë fund luftës.

Është vështirë të dihet se për çfarë u bisedua në hollësi midis Presidentit Obama dhe Papa Françeskut në takimin e parë midis tyre, javën e kaluar, takim ky që zgjati pothuaj një orë, siç komentoi një gazetë “Vetëm Zoti dhe ata të dy e dinë”. Por, pas takimit, të dy palët kanë bërë prononcime zyrtare mbi disa prej  çështjeve që u biseduan nga  Presidenti amerikan dhe Papa.  Presidenti Obama u shpreh se në takimin me Papën u bisedua mbi një numër çështjesh, por ata u përqëndruan, sipas tij, mbi dy çështje kryesore: Njëra, tha presidenti Obama, ishte “gjëndja e të varfërve, e atyre të lënë pas dore dhe për të cilët nuk kujdeset askush, për situatën e atyre për të cilët nuk kanë kurrfarë perspektive në jetë, si dhe mbi mosbarazinë  që eksziton dhe që është në rritje e sipër në botë.”  Zoti Obama shtoi se, “Ne i kushtuam shumë kohë edhe sfidave që paraqesin konfliktet për njerëzimin, dhe biseduam gjithashtu edhe për mungesën e paqës në botë.”  Besoj, tha Presidenti Obama, se mund të thuhet që tema kryesore e bisedimeve me Papën ishte, “rëndësia që duhet t’i kushtohet  identifikimit me qëndrimet dhe pikpamjet e ndryshme midis njëri tjetrit dhe nevojës për tu kujdesur për të afërmit — për të tjerët — madje edhe nëqoftse ata duken dhe flasin ndryshe, madje edhe nëqoftse ata mendojnë ndryshe dhe nuk ndajnë të njëjtën fillozofi me ju”.  Kjo është kritike, tha Z. Obama, pasi mungesa e identifikimit dhe mos pranimi i atyre që nuk mendojnë dhe nuk veprojnë si ne, e bën më të lehtë mundësinë që të zhytemi në luftë ose në konflitke me njëri tjetrin.  Është mungesa e këtij identifikimi dhe e pranimit të njëri tjetrit, pa marrë parasyshë ndryshimet midis nesh, që na shtynë të injorojmë dhe të anashkalojmë të tjerët, përfshirë  edhe të pastrefët në rrugë. Dhe natyrisht që “Baza e besimit tim të krishtërë”, tha Presidenti Obama, i cili është protestan, “është që t’i trajtoj të tjerët ashtu si unë do të dëshiroja që ata të më trajtojnë mua. Unë mendoj se kjo është arsyeja që Shënjtëria e Tij ka nxitur dhe tërheq kaq dashuri dhe ndjenja pozitive për veten, sepse duket se ai beson dhe jeton në bazë të kësaj fillozofie, dmth., se i afërmi duhet të trajtohet ashtu siç dëshirojmë që edhe të tjerët të na trajtojnë ne”.  Ky ishte vlerësimi i Presidentit Obama, për Papa Françeskun,  ndërsa komentoi mbi takimin që zhvilloi me ‘të javën e kaluar, në Vatikan.

Ndërsa në një deklaratë të Vatikanit thuhet për bisedimet dy palëshe, se në lidhje me çështjet ndërkombëtare, Papa Françesku dhe presidenti Obama, “patën një shkëmbim mendimesh mbi disa tema aktuale ndërkombëtare, ku u theksua shpresa se në zonat e konfliktit do të ketë respekt për ligjet humanitare dhe ndërkombëtare,   dhe një zgjidhje të problemeve me anë bisedimesh midis palëve në konflikt.”  Në deklaratë thuhet gjithashtu se “të dy palët u angazhuan për të luftuar trafikimin e qenjeve njerëzore në botë.”

Pas takimit me Papën, Presidenti Obama dhe këshilltarët e tij të politikës së jashtme, Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerry dhe Këshilltarja për Sigurimin Kombëtar, Susan Rice u takuan edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, për të vazhduar bisedimet mbi gjëndjen ndërkombëtare në botë.

Gjatë një konference me shtypin në Romë, Presidenti Obama vuri në dukje se megjithë ndryshimet në pikëpamje mbi disa çështje midis tij dhe Papës, udhëheqsi amerikan tha se është detyra e ne politikanëve që të përpilojmë politika për zgjidhjen e këtyre çështjeve aktuale, por Shënjtëria e tij, shtoi ai, ka kapacitetin që tu hapë sytë njerëzve që të shohin seriozitetin dhe të vlerësojnë rëndësinë e këtyre qëllimeve.

Një prej këtyre çështjeve mbi të cilën ai bisedoi me Papën, tha Z. Obama, ishte çështja e reformës së ligjeve mbi imigracionin në Shtetet e Bashkuara.  Ai shtoi se Papa dhe Vatikani, “kanë qenë transparent mbi qendrimet e tyre mbi një numër çështjesh të ndryshme, me disa prej të cilave unë nuk jam dakort”, theksoi Z. Obama, “por me shumicën e të cilave jam dakort” me qëndrimet e Papës.  Por megjithëse ka marrëveshje mbi një numër çeshtjesh, Zoti Obama u tha gazetarve se ai nuk pret që Papa Françesku të hyjë në ndonjë partneritet ose koalicion as me të as me ndonjë udhëheqës tjetër politik, dhe as nuk ka në mend  të promovojë ndonjë  çështje ose qëndrim politik, ose të ndonjë natyre tjetër.  Por, ai shtoi se beson se ekziston mundësia e një përafrimi të atyre qëndrimeve dhe programeve politike, për të cilat politikanët duhet të mendojnë dhe të punojnë dhe të çështjeve me rëndësi për të cilat flet Papa, nga pikpamja e një udhëheqsi fetar, i cili tha Presidenti Obama, ”na kujton se cilat janë përgjegjësitë tona morale dhe etike”, si politikanë dhe si udhëheqës.  “Duke marrë parasyshë autoritetin e tij të lartë moral”, tha Presidenti Obama në një intervistë me gazetën italiane Corriere della Sera, “kur flet Papa, fjala e tij ka peshë shumë të madhe.  Me autoritetin e tij, ai mund të bindë njerzit që të ri-shqyrtojnë pikëpamjet dhe qëndrimet e vjetëra jo tolerante, të ngulitura në mendjen e tyre dhe të fillojnë të trajtojnë njëri tjetrin me më shumë respekt, dinjitet dhe mëshirë”, tha presidenti Obama.

Takimi i Presidentit Obama në Vatikan ishte pjesë e një udhëtimi prej gjashtë ditësh që ai bëri në Holandë dhe në Belgjikë dhe më në fund, në Arabinë Saudite.  Para se të shkonte në Vatikan, Presidenti Obama u takua me udhëheqës të lartë të Bashkimit Europian dhe të Aleancës së Atlantikut Verior, NATO, për të biseduar me aleatët, marrjen e masave konkrete ekonomike dhe strategjike ndaj Rusisë, si ndëshkim për invadimin rus të Krimesë.

Marrëdhënjet midis Vatikanit dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë shpesh indifirente dhe jo gjithmonë miqësore.  Kjo ka ndodhur për arsye historike sepse Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe kryesisht ende janë një vend me shumicë protestane, dhe shpesh në të kaluarën kanë shpërthyer ndjenja anti-katolike, ndërkohë që Vatikani, nga ana e tij, shpesh ka kritikuar politikën e jashtme amerikane si dhe politikat e mbrendshme të SHBA-ës, si abortin dhe çështje tjera, por gjithmonë në një nivel respekti midis dy palëve.   Megjithkëtë, presidentët amerikanë të 100- vieteve të kaluara, ashtu siç bëri edhe presidenti aktual, Z. Obama me rastin e vizitës së tij të fundit në Vatikan, vazhdimisht kanë shprehur admirimin e tyre për Selinë e Shënjtë, për udhëheqsit  e Kishës Katolike dhe për rolin e tyre në botë.  Por ishte Presidenti Ronald Reagan, ai i cili i ngriti këto marrëdhënje në një nivel të panjohur më parë.  Gjatë mandatit të tij të pare, Presdienti Reagan zbuloi në Papa Gjon Palin e dytë — Papën me origjinë polake –një aleat të ngushtë të Luftës së Ftoftë, një Papë ky i cili nuk hesitoi të sfidonte Moskën dhe komunizmin ndërkombëtar dhe të predikonte në favor të lirisë fetare dhe të drejtave të tjera bazë të njeriut, anë e mbanë botës komuniste.

Në lidhje me marrëdhënjet aktuale midis Washingtonit dhe Vatikanit, Departmenti Amerikan i Shtetit thotë në portalin e tij se Shtetet e Bashkuara dhe Vatikani konsultohen dhe bashkpunojnë mbi çështje të interesit të përbashkët, përfshirë të drejtat e njeriut, mirëkuptimin ndër-fetar, paqën, parandalimin e konflikteve, zhvillimin dhe mbrojtjen e mjedisit.

Shtetet e Bashkuara kanë njohur zyrtarisht Vatikanin më 10 Janar, 1984, kur Presidenti Ronald Reagan dhe Papa Gjon Pali II ranë dakort për vendosjen e marrëdhënjeve diplomatike midis Washingtonit dhe Vatikanit.

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: DHE PRESIDENTI, Frank shkreli, KUR TAKOHEN PAPA

“NJERËZ TË JERMUAR”?

March 29, 2014 by dgreca

Nga Fadil  LUSHI/ Dikur shumë herët, ca pjesëtarë të një familje ishin prekur nga tifoja e morrit dhe, mbasi gjatë kohë nuk ishin kuruar, ata kishin filluar të flasin jerm. I mjeruar nga kjo, kryeplaku i shtëpisë  kishte ulëritur duke thënë: “O milet, m’u mbush shtëpia me budallenj”! Në mungesë të njohurive të tij për këtë sëmundje ngjitëse, kryeplaku i kishte paragjykuar që në fillim këta “dertlinj të tij” si “halabakë”, si njerëz me lugë në brez, si “hazërxhinj” dhe fare pak si njerëz që kanë nevojë për një përkujdesje paksa tjetëfare. Aq shumë qe katandisur, sa që kishte harruar ta rikujtojë atë thënien biblike: “Edhe budallait i duhet hapur rrugë, deri ku nuk prish punë”! Se “të kllapiturve të tij a u kishte hapur rrugë”, kurrën e kurrës nuk u mor vesh.

Ne me këtë rast  do të shkruajmë derisa nuk e denigrojmë kureshtjen e lexuesit dhe deri aty ku nuk hetohen broçkulla dhe paralelizma.

Një ditë u gjenda goxha në siklet. Çupëza e shtëpisë, Erda, gjegjësisht ajo lozonjarja dhe e asdisura jonë, më kërkoi t’i shpjegoja se ç’do të thoshte “paragjykim”! Një herë më shkoi mendja t’ia ftilloj sipas asaj që jepet në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, po pastaj thashë me vete se është e tepërt për moshën e saj mendore. Ta bëja shkurt edhe kjo s’ka kuptim didaktik. Në fund vendosa që këtij nocioni t’i bëj “sqarim” popullor: “të paragjykosh do të thotë, të flasësh jerm”!? Se a e mori vesh këtë a jo kjo çupëz , unë as që e kuptova!?

Që ky paragraf të mos e prishë “kuptimin e kësaj shkarravine” të radhës…, do të bëj përpjekje që e gjithë kjo thënie të mos dalë si ajo puna e “maces që kërkon të kapë bishtin e saj, por ama që nuk ia del dot”! Këtë “të folme tonën jerm” do ta fillojmë me një mesele të një mendjendrituri nga krahina jonë, i cili është zhgënjyer këmbë krye nga budallakitë e bashkëmendimtarëve dhe bashkëvendësve të tij. Ka shumë vite që nuk i vë gishtin kokës, ka vite që nuk mediton, ka vite që “nuk i ha palla” për katrahurat dhe pisllëqet që duken a hetohen pranë tij dhe përreth tij. Një ditë prej ditëve (të tij të bezdisshme), kur e pyetën se pse “nuk e vë” gishtin në kokë dhe pse “nuk vë” në funksion mendjen, ai u përgjigj: “Gishtin ma prenë folkpatriotët, ndërkaq mendjen ma hallakatën kalorësit e vonuar të çështjes kombëtare…, ata që në sabah të martojnë e në aksham të harrojnë”! Që e dha këtë përgjigje kështu, ai mbase këtë e tha me plot gojën dhe me të drejtë, sepse koka e tij është “shumë e vogël” në krahasim me budallakitë e mëdha të të tjerëve që (mbi)jetojnë dhe “veprojnë” aty pranë tij!… Ai do të vazhdojë të thotë se nuk kam kohë që juve t’jua tregoj rrugët që shpijnë në parajsë, nuk kam kohë ta “ushqej” atë çmendurinë tuajën “fiziologjike” gjegjësisht veprimet tuaja prej adoleshenti!?

Ne shqiptarët, a mos vallë edhe pas një shekulli nga mëvetësimi i shtetit të Ismail Qemal bej Vlorës mëtojmë të flasim jerm, ashtu njësoj si ai “haxhi baba i mëhallës sonë”, i cili sa herë që kishte vajtur në ndeja, aq herë e kishte prishur muhabetin…, sepse nuk kishte përfillur këshillat e plakës që kur i kishte thënë:… ti nuk je më për ndeja ku ka njerëz të shkujdesur, që gjykimet i ndërtojnë ashtu së prapthi…, ti “nuk mban avdesin dhe pordhën…, ti nuk mban as fjalën e as premtimin“!?

A mos vallë “shoqëria” postdiktaturiale na mësoi të flasim fare mirë jerm, të flasim jerm për njerëzit që kanë rënë në gjumë, do të flasim jerm për ish-komunistët të cilëve dikur u “dilnin fekalet nga goja në vend nga prapanica”… Edhe sa kohë do të duhet të flasim jerm për arsim, për kulturë, për drejtshqiptim, drejtshkrim po edhe drejtlexim, edhe sa kohë do të na duhet të flasim jerm për histori kombëtare, të flasim jerm për politikanë e lidershipë, të flasim jerm për futbollistë shqiptarë që “për lekë na qenkëshin konvertuar në tradhtarë”, edhe sa kohë do të na duhet të flasim jerm për figurën e Shemsettin beut (Sami Frashëri) përse ai kishte shkruar Fjalorin normativ të gjuhës turke- Kamusi-i Turki…, a mos vallë edhe sot e kësaj dite duhet të flasim jerm për Skënderbeun, pse ai duke vajtur në Krujë paskësh “tradhtuar Sulltanin dhe fenë e tij”, a mos vallë edhe sot (nuk) flasim jerm për Faik bej Konicën si dhe për flirtet e tij me zonjat joshqiptare (ai me një rast qe detyruar që një kundërshtari të tij t’i thotë: “Duhet ta dini se unë Shqipërisë ia kam falur nga kërthiza e sipër: nga kërthiza e poshtë bëj ç’të dua, si hyn në punë Shqipërisë”!)…, pse edhe sot duhet të flasim jerm për shqiptarin Mehmet Aqif Ersoj, pse ky paskësh shkruar himnin shtetëror të Republikës së Turqisë. Pse duhet të flasim jerm edhe për Ferid Muratin duke ia shtuar pyetjen: pse ti Ferid nuk e solle në Shqipëri Çmimin Nobel dhe viagrën…, së fundi, çka u duhej ca zhurmaxhinjve dhe thashemexhinjve të flasin jerm, duke parashtruar pyetjen idiotike, pse kryepari i VETVENDO-

SJE-s, Albin Kurti, për nuse kishte marrë norvegjezen Rita Knudsen e jo shqiptaren!?.. Vazhdojmë të flasin jerm për krijimin e Shqipërisë natyrale, e të tjera “jerm të folme”!? Si duket, ne shqiptarët e kemi shumë më lehtë të flasin “në hava”, të flasim jerm, me bërryl dhe me hundë, sesa me prova a argumente. Ndryshe nuk na shkon përshtati. Ku ta dijë njeri!

Se na u martua Albini me norvegjezen, se dikush dikur kishte thënë: “Çudi e madhe që Konica të jetë shqiptar…, sepse nuk gjendet një i tillë nga lloji i tij”(!??), se Samiu shkroi Fjalorin normativ të gjuhës turke, se Ferid Murati zbuloi viagrën dhe “nuk ua solli politikanëve në Tiranë”, se Skënderbeu kishte “tradhtuar” Sulltanin,  se shumë figura të tjera të ndritura shqiptare ç’kishin bërë, se haxhi baba “nuk mbajti avdesin dhe..,”, se ai mendjefemër dhe mendjendritur nuk e vuri gishtin në kokë, se politikani bëri gafën e radhës, se ateisti kërkoi rrugën që të shpie në parajsë fare pak është me rëndësi. E veçanta e gjendjes sonë shpirtërore është se ne shqiptarët sot e gjithë ditën e Perëndisë ku do vejmë, çka do bëjmë dhe a do vazhdojmë të flasim jerm, gjegjësisht a do të paragjykojmë dhe a do të paragjykohemi “toptan”, siç thuhet në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe…, apo do të na duhet ta parafrazojmë atë thënien paksa pesimiste të Konicës: “Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë”! I nderuar vëlla im, nëse në këtë shkrim nuk thash gjë të “mençur”, atëherë më ndje për kohën tënde të humbur!

Filed Under: Analiza Tagged With: “NJERËZ TË JERMUAR”, Fadil Lushi

DEMONSTRATA E 8 PRILLIT NË UASHINGTON (I)

March 29, 2014 by dgreca

Gjukanoviçi ndjek dy standarde: përkrahje për malazezët e diskriminim ndaj shqiptarëve etnikë në trojet e veta mijëravjeçare

Nga Ramiz LUSHAJ/

1.Kryeqyteti i Amerikës, Uashington D.C. më 8 prill 2014 do të jetë “kryeqytet i shqiptarëve”, pasi aty, para të ndritmes Shtëpi e Bardhë e selisë së ambasasadës Malazeze, shqiptaro-amerikanët do të jenë për disa orë në një demonstratë aktive e masive kundër kryepolitikanit malazez, Milo Gjukanoviç, kryeministër shoven i pa cak i diskriminimit të përgjithshëm e të vazhdueshëm, i asimilimit mafioz e i shpërnguljes së detyruar të shqiptarëve etnik nën Malin e Zi.Në Tempullin e Demokracisë Botërore do të protestohet nga shqiptarët drejtpërdrejt kundër liderit ma jetëgjatë e diktatorit të fundit në politikën ballkanike e europiane, kundër Gjukanoviçit kundërshqiptar, i zgjedhur një herë president (1998-2002), shtatë herë kryeministër (nga 15 janari 1991 deri më 4 dhjetor 2012), një herë ministër i mbrojtjes (2006), prej vitit 1998 edhe kryetar i Partisë Socialiste Demokrate (DPS), parti në pushtet në këto tri dekadat e fundit. Kaq kohëgjatë me mandate në pushtet nuk i ka asnjë lider aktual ballkanik e euro-atlantik.

Lideri politik, Milo Gjukanoviç guxon e reklamon veten e Malin e Zi si “kampion të demokracisë në Ballkan”, po tashma ai është kthye në një “gospodar” i Malit të Zi, i cili në mendje, biseda e veprime e ka për shembëllim paraardhësin e tij të hershëm, antishqiptarin Krajl Nikolla I, e po don me çdo kusht të jetë një “krajl i ri” dhe kësaj ia ka mbrri pa vështirësi tue shkel çdo “semafor” të demokracisë euro-atlantike, tue i dëmtue pa fund e skej shqiptarët etnik në viset e veta trojenike, etj.

Fakte e gjasa dëshmojnë se Gjukanoviçi e ka kap “peng” shtetin e vogël bregdetar e alpin të Malit të Zi, është kthye sikur tw ishte një “Fidel Kastro” i dytë i Europës euro-atlantike. Prej nga 15 shkurti 1991, në 29 vjetorin e ditëlindjes së tij, udhëheq shumëfishtë Malin e Zi, si president apo kryeministër; si kryetar i partisë (DPS) në pushtet; si klan politik përtej koalicioneve mazhoritare; si klan ekonomik para e larg syve të popullit e botës; me ndikime me anë të dy kishave ortodokse serbe e malazeze që ende luftojnë për pavarësi e territore; me lidhjet e të (pa)njohura me struktura të specializuara policore, vëzhgimore, hetimore, etj., etj.

Gjukanoviçi 52 vjeçar e ka fut në darë të vet treshe krejt Malin e Zi(!) Presidenti 60 vjeçar Filip Vujanoviç me seli presidenciale në Çetinën e krajlisë, ka lind e rrit dhe krye studimet universitare në Beograd, është përfaqësues i partisë (DPS). Ai, prej 5 shkurtit 1998 ka tetë mandate rradhazi: dy herë kryeministër, një herë kryeparlamentar, pesë herë president (22 dhjetor 2002, 9 shkurt 2003, 11 maj 2003, 6 prill 2008, 7 prill 2013).

Kotorrasi 52 vjeçar Ranko Krivokapiç, pasuniversitar i Beogradit, prej vitit 1989 deputet i Malit të Zi e i Jugosllavisë së Millosheviçit, prej vitesh kryetar i Partisë Social-Demokrate (SDP) me gjashtë deputetë në Parlament e në koalicion qeverisës me Gjukanoviçin, prej 30 korrikut 2003 është zgjedhur në katër mandate të njëpasnjishëm kryetar i Parlamentit Malazez.

Ndërkohë, në qeverinë e fundme të Gjukanoviçit, ndonëse shumë sish me tituj e grada shkencore e moshë mesatare të mirë, prapë ka zv/kryeministra apo ministra të blinduar në kabinete qeveritare qyshse para Shpalljes së Pavarësisë së Malit të Zi.

 

Dora e hekurt e Gjukanoviçit, ish mik e bashkëpunëtor i Millosheviçit, ia ka mbrri ta vorbullojë Malin e Zi në atë farë soj rrjete klanore sa ta keqkthejnë këtë shtet në të ashtuquajturin pa mëdyshje: “Mali i Zi i Nikshiqit”. Kjo nuk ngjet në asnjë vend euro-atlantik.

 

Nga Nikshiqi, vendlindja e kryeministrit kundërshqiptar Milo Gjukanoviç, komuna ma e madhe e Malit të Zi, me 2.065 km2  e rreth 60.000 banorë, janë në pika kyçe të shtetit malazez: Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, 60 vjeçari Zarko Sturanoviç, i cili e mban këtë detyrë prej vitit 2003. Ministre e Mbrojtjes, dr. Milica Pejanoviç-Gjurisiç, që sivjet feston 55 vjetorin e lindjes në Nikshiq. I nokshiqas është edhe ministri i Kulturës, Branislav Miçunoviç.

Gjukanoviçi më 10 nëntor 2006 u “tërhoq” nga dera kryeministrore në Podgoricë për t’u marrë me biznes, ku i ngriti shpejtas e fuqishëm pesë biznese të suksesshme, “Universitas”, “Capital Invest”, “Primary Invest”, “Select Investmens”e fundit, Global Montenegro”(25 shkurt 2008), hyri aksioner në bankën e të vllait, një nga ma të njohurat në Ballkan. Njëkohësisht Gjukanoviçi kundërshqiptar ishte edhe kryetar i partisë kryesore në pushtet, deputet në Parlament, kryetar i Komisionit të Kushtetutës të shtetit të ri malazez.

Gjukanoviçi me kompromis politik e vetjak e përzgjodhi pasardhës të tij një nikshiqas tjetër: 44 vjeçarin Zheljko Sturanoviç, më 10 nëntor 2006. Prapë, në 46 vjetorin e lindjes, në shkurt 2008, Gjukanoviçi rikthehet në krye të ekzekutivit malazez, edhe ma i fuqishëm nga ç’mund ta mendonin kundërshtarët e ndërkombëtarët.

I nikshiqasi Zheljko Sturanoviç, tashma 60 vjeçar, është jo vetëm nënkryetar i partisë të DPS prej vitit 2007, bile u rizgjodh në këtë detyrë edhe në kongresin VI të saj (21 maj 2011). Përveç kësaj, ky bashkëvendas i Gjukanoviçit kundërshqiptar është një nga tre nënkryetarët e Kuvendit të Malit të Zi, i zgjedhur në këtë post prej vitit 2009, në dy legjislatura. Ky i mbron mjaft mirë interesat e Gjukanoviçit në Parlamentin me kryetar nga partia e dytë në koalicion, njëkohësisht i kryen me pasion e aksion çdo detyrë kundërshqiptare të misionuar prej tij.

2.

Demonstrata e 8 prillit 2014 në Uashington D.C. do t’i tregoj e mësoj Milo Gjukanoviçit se shqiptaro-amerikanwt në Amerikë nuk do ta lejojnë t’i diskriminojnë shqiptarët në Ulqin e Podgoricë, në Tivar e Tuzi, në Plavë-Guci e Rozhajë, etj. nuk do ta lejojnë ta kthejnë Malin e Zi multietnik në një shtet pa shqiptarë.

Shqiptaro-amerikanët e trojeve etnike nën Malin e Zi do të shkojnë në ket’ demonstratë, sepse i çojnë atje edhe mbi 9 mijë km2  që iu morën Shqipërisë Etnike me pushtime e aneksime nga principata e mbretëria e Malit të Zi pas betejës të Ostrogut (1853) e të Grahovës (1858), në kohën e Krajl Nikolla I (1860-1918). Me kwto toka etnike shqiptare Mali i Zi e trefishoi sipërfaqen e saj territoriale shtetërore.

Shqiptarët në Amerikë që kanë vendlindjen, etno-gjenezën, farefisninë, kullat e trojet në vise shqiptare nën Malin e Zi, i çon në demonstratën e 8 prilli 2014 në Uashington D.C. edhe shkelja e Kushtetutës të Malit të Zi e 19 tetorit 2007, e cila shprehimisht ligjëron: “Ndalohet çdo diskriminim i drejtëpërdrejtë ose i tërthortë, në çfarëdo baze…”(Neni 8) etj. Si është e mundur që një shtet i cili nuk mund të shpallte pavarësinë e tij të 21 majit 2006 pa votat e shqiptarëve dhe një Kushtetutë e miratuar edhe me votat e tyre, të shkelet kryesisht për shqiptarët etnik nga Gjukanoviçi e Co?!

Ky diskriminim është i gjithanshëm, ofensiv, tragjik, i fokusuar në disa plane të prejkohshme e të sotme:

1) Ç’popullimi i viseve shqiptare nën Malin e Zi.

Sipas disa përllogaritjeve, në kohën e Krajl Nikolla I, popullsia shqiptare është

ulur mbi tre herë nga vrasjet e burgosjet, nga shpërnguljet e dhunshme të spastrimeve etnike, nga asimilimet, etj. Në këto mbi dy dekada të sundimit të Malit të Zi nga krajli i ri, Milo Gjukanoviç, popullsia shqiptare me ndeje vendalie në trevat e veta etnike është ulur në rreth dy herë pasi nga politikat e mbrapshta e të ashpra kundërshqiptare janë detyruar edhe për të emigruar jashtë trojeve të veta, si në Amerikë ku gjendet një “Malësi e Dytë”.

2) Mos lejimi i perdorimit të lirshëm i simboleve kombëtare. Ligji i  Parlamentit

të Malit të Zi, i miratuar më 23 dhjetor 2011, pikërisht në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë tw Shqipwrisw, me anë të nenit 23 të tij, të dënon me gjobë apo burgosje për shpalosje publike të Flamurit Kombëtar Shqiptar.

3)Është shkelur Kushtetuta, neni 13 i saj dhe Akte e Konventa ndërkombëtare

mbi përdorimin e gjuhës shqipe. Ka plot fshatra me popullsi të madhe shqiptare si në bregdetin e Tivarit e Ulqinit, Ultinën e Podgoricës, Plavë-Guci e Rrozhajë dhe nuk gjen në territorin e tyre as tabela e mbishkrime në gjuhën shqipe. Në qytetin e Tivarit nuk ka asnjë shkollë shqip. Në qytetin e Rozhajës vjen një tregtar kinez e shitoren e tij e shkruan në shqip “dyqan kinez”, ndërsa shkollës shqipe në Dacaj (Malësia e Rozhajës) i hapin probleme të qëllimshme për mbylljen e saj, për shuarjen e gjuhës shqipe në këtë komunë me 432 km2 në të cilën në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mbi 80 për qind e popullsisë ishte shqiptare.

4) Ndryshimi i ligjit për përfaqësimin e popullit Shqiptare në Kuvendin e Malit

të Zi.

                  5) Çështja e pambyllur e (demarkacionit) përcaktimit të kufijve tokësor, detar e

liqenor të Malit të Zi me Shqipërinë e Kosovën. Edhe nga lëvizjet e kufijve ndërmjet komunave brenda shtetit të Malit të Zi po dalin problematika me pronat, etj. sikurse rasti i komunës së Beranës e cila ia mori 2.700 ha pyje të shëndetshme komunës së Rozhajës, mbi gjysma e tyre janë prona të shqiptarëve, si të vllaznisë Bralaj, etj.

6) Arrestimet dhe burgosjet gjatë aksionit famëkeq e terrorizues “Fluturimi i

Shqiponjës” në Tuzi; arrestimet e 23 shqiptarëve në fshatin Martinaj të Plavë-Gucisë, etj.

7) Injorimi dhe mos dhënja e të drejtës të komunës urbane të Tuzit për të dalë komunë më vete në ndarjen administrative-territoriale të Malit të Zi.

8) Tentimi për ndryshimin e strukturës demografike duke sjell ardhacakë nga veriu i Malit të Zi në komunën urbane Tuzi, ku jetojnë fiset e historisë Hoti, Gruda, etj.. Para disa ditësh, kryebashkiaku i Podgoricës, Miomir Mugosha i partisë së Gjukanoviçit ishte sëbashku me të vetët në Tuzi, në fisin e Grudës, tek vendbanimi Dheu i Zi, ku është ngritë një lagje me boshnjakë të ardhur nga brigje të degëve lumore të Limit dhe po e ngrejnë në bashkësi lokale, shkollë, etj. Akte të tilla shoviniste të asimilimit e spastrimit etnik të shqiptarëve po manifestohen prej kohësh në të gjitha komunat etno-historike shqiptare.

9) Ndarja copëtuese për arsye asimilimi e krahinës etno-historike e komunare të Plavë-Gucisë (në të Plavës e të Gucisë) është një proces drejt përfundimit ligjor në institucionet e larta të Podgoricës e Çetinës. Eksproprimi i pronës private në emër të krijimit të parqeve nacionale në pronat private të shqiptarëve të Plavë-Gucisë është një çështje me pasoja të atilla që sapo kanë nisur dhe nuk kanë të mbyllur; etj.

10) Marrja e kompetencave në mënyrë arbitrare për pasuritë detare të komunës së Ulqinit, konfiskimi i pronave private të shqiptarëve në Gjirin e Valdanosit; etj.

11) Në Rozhajë (Tregovishta) nuk po iu kthehen shqiptarëve të atyshëm mbi 5.000 ha me male, pyje e kullota të tyre si në Lug të Shtjerrave në kufi me Dragën e Jabllanicën, në Plluncaj, Peshkaj, Llazin e Rexhit, Husaj, etj. Këto ua ka pasë marrë  dikur shteti monist jugosllav e tashti iu takojnë ligjërisht vllaznive shqiptare Dacaj, Vukli, Lajçi i Buxhovit, Dreshajt, Nikçët (Rexhiqët), Bralajt, Haxhisejdët, etj., të cilët enden në pafundësi dyerëve të gjykatave malazeze në përballje me padrejtësitë, nuk iu lejohet t’i shfrytëzojnë as për dru dhe as për kullota tokat e tyre etnike, nuk iu mundësohet mbajtja e bagëtive, etj. Kjo sjell varfëri e shpërngulje të shqiptarëve.

12) Malësia e Rozhajës është i vetmi territor në shtetin e Malit të Zi, ku forcat militare e paramilitare serbe hyjnë në prill-qershor 1999 dhe kryejnë vrasje, tortura, djegje të shtëpivë, pasurive, etj. si në Qafë Hajle, Bukël të Sirmë, Dacaj, Husaj, etj. Shqiptarët etnikë të Rozhajës, sikurse edhe ata të Kosovës martire, u detyruan të largohen përkohor nga vatrat e tyre. Damet sipas vlerësimit të një komisioni zyrtar kapin mbi 1.5 milionë Euro. Ende 37 familje shqiptare presin shpërblimin përfundimtar. Përndryshe: në Murinë të komunës të Plavë-Gucisë ura mbi lumin Lim vërtet u shkatërrua nga bombardimet e NATO-s veçse u ndërtua brenda një muaji e njëkohësisht e njejtësisht u ndihmuan me financime e material ndërtimor edhe familjet malazeze të dëmtuara nga detonimet.

Pra, Gjukanoviçi ndjek dy standarde: përkrahje për malazezët e diskriminim ndaj shqiptarëve etnikë në trojet e veta mijëravjeçare.(Foto:Arkiv)

Filed Under: Analiza Tagged With: DEMONSTRATA E 8 PRILLIT NË UASHINGTON, Ramiz Lushaj

Nikoliçi dhe Daçiçi s’bëhen dot as De Gol, as Helmut Kohl

March 28, 2014 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/Santa Barbara, Kaliforni/

 Në faqen internetike të gazetës “Shqiptarja.com” të datës 26 mars 2014, ishte botuar një njoftim befasues me titull:“Gratë serbe në të zeza: Kërkojmë falje shqiptarëve për krimet serbe”. Ky njoftim m’u duk befasues për faktin se tradicionalisht, që prej Kongresit famëkeq të Berlinit dhe Konferencës edhe më famëkeqe të Londrës, kur u vendos që trojet etnike shqiptare të copëtoheshin me thikën e pamëshirshme të kasapëve evropianë, për të kënaqur epshet shoviniste sllavogreke, me përkrahjen kriminale të shovinizmit rusomadh, gjatë tërë kohës që Serbia dhe Greqia kanë masakruar shtazërisht popullin shqiptar të Kosovës dhe të Çamërisë, ka rënë në sy një unitet i paimagjinueshëm i popullit serb dhe i popullit grek me qëndrimin shovinist të Beogradit dhe të Athinës ndaj etnisë shqiptare.

Kjo është edhe arsyeja që në një sërë shkrimesh të mëparshme, popullin dhe kombin serb dhe grek unë i kam quajtur popull dhe komb shovinist.

Pavarësisht se nga ç’motive janë nisur ato gratë serbe, të cilat, të organizuara nga zonja Stasa Zajoviç, qenë grumbulluar për t’u kërkuar falje shqiptarëve për krimet serbe në Kosovë, duhet pasur parasysh ajo çka ato deklaruan në protestën e tyre:

“‘Gratë serbe në të zeza…kërkojnë nga qeveria e ardhshme e Serbisë të zbulojë të vërtetën dhe të dhënat për të zhdukurit gjatë kohës së bombardimeve në Kosovë dhe të hapë varrezat masive në të cilat janë mbetjet mortore të shqiptarëve nga Kosova. Nëse nuk e bëni këtë do të konsiderojmë se e gjitha është frazë boshe dhe se Marrëveshja e Brukselit në fakt paraqet instrument për mbetjen në pushtet të elitës”.

Nga kjo deklaratë rezulton se Brukselit, të përfaqësuar nga zonja Eshton (Catherine Margaret Ashton – 1956), as që i ka rënë ndër mend ndonjëherë që, para se të kërkonte arritjen e një marrëveshjeje mes Prishtinës dhe Beogradit, t’i shtronte këtij të fundit kërkesën e prerë jo vetëm për zbulimin e varreve masive me eshtrat e kosovarëve të zhdukur, por edhe për daljen me një pendesë publike për të gjitha krimet e rënda që kreu në Kosovë gjatë viteve të luftës. Brukseli nuk e shtroi dhe nuk ka ndër mend ta shtrojë një kërkesë të tillë, sepse fill pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s, pjesa dërrmuese e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, duke sfiduar Shtetet e Bashkuara të Amerikës që përballuan 80% të shpenzimeve për ndëshkimin e Serbisë, morën anën e kësaj të fundit. Këtë e pranon haptas ish-shefi i UNMIKU-ut Lamberto Zanieri, i cili pati deklaruar:

“Pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë” (Citohet sipas faqes së internetit. 16.04. 2011).

Dhe domosdo që kërkesat e lartpërmendura Brukseli nuk mund t’ia shtrojë Serbisë, përderisa Hashim Thaçi dhe Prishtina zyrtare janë vënë në rolin e shurdhmemecit para kërkesave të tilla, duke braktisur veprën madhore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si edhe interesat kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës. Hashim Thaçit i intereson simpatia e Brukselit dhe jo kërkesa për zbulimin e së vërtetës për varret masive të kosovarëve të vrarë barbarisht, as kërkimi i pendesës prej Beogradit për barbaritë që kreu në Kosovë, as kërkesa për kompensimin tërësor të të gjitha shkatërrimeve në mbarë Kosovën që e çuan ekonominë e kësaj të fundit shumë vite prapa. Beogradi duhej të përmbushte fillimisht këto kërkesa, pastaj Hashim Thaçi të pranonte të ulej në bisedime me Daçiçin në Bruksel. Por Hashim Thaçit i intereson të prezantohet si një djalosh simpatik dhe i bindur para Brukselit, si plastelinëpolitikan, se kështu, sipas mendjes së tij, ai siguron vazhdimësinë e pushtetit të vet, se kështu ai fiton “kredi” në sytë e Bashkimit Evropian, i cili, nën zë, i nxjerr gjuhën dhe tallet me të. Brukseli, në qendër të marrëveshjes me Thaçin dhe me Daçiçin, ka interesat e serbëve të Kosovës, të cilët kërkojnë krijimin e komunave-minishtete brenda territorit të Kosovës, duke e shndërruar pavarësinë e kësaj të fundit në një të ashtquajtur pavarësi dhe sovranitetin e saj në një të ashtuquajtur sovranitet. Thaçi e ka braktisur veprën madhore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Domosdo, se ai nuk e ka ndier erën e barutit. Prandaj edhe para ca kohësh ai deklaroi në Euronews:

“Unë kam qenë larg fronteve të luftës. Lufta ime ka qenë politike” (Citohet sipas faqes së internetit “Indeks”. 13 shkurt 2014).

Me këtë deklaratë të palavdishme, Thaçi të kujton Enver Hoxhën, për të cilin, në plenumin e Beratit të vitit 1944, Sejfulla Maleshova, duke iu drejtuar të pranishmëve, tha: “Shikojani koburen që mban në brez, i ka zënë ndryshk”.

Prandaj populli shqiptar i Kosovës le të vazhdojë të shtrojë kurrizin para Thaçit dhe vetëm të rri e të soditë përkujdesjet shembullore të tij për pakicën serbe, e cila gjatë viteve të luftës u bë mbështetje e fuqishme e bandave ushtarake të Millosheviçit për masakrimin dhe poshtërimin e popullsisë së pambrojtur kosovare.

Grupi i grave serbe mirë bëri që doli në atë protestë për t’u kërkuar falje shqiptarëve për krimet serbe, por problemi është se kërkimi i faljes apo pendesa e tyre nuk ngre kurrfarë peshe, nuk ka kurrfarë vlere juridike, sepse me pendesë publike duhet të dalë Beogradi zyrtar, duhet të dalë parlamenti serb, duhet të dalë presidenti Nikoliç dhe kryeministri Daçiç. Ata, madje, nëse Nikoliçi dhe Daçiçi do të ishin, qoftë edhe njё grimë, politikanë të nivelit evropian, fillimisht, duhej ta njihnin pavarësinë e Kosovës dhe paskëtaj duhej të bënin kërkesën për të ardhur për vizitë në Prishtinë dhe në Tiranë. Dhe kur të zbrisnin nga shkallët e avionit, të përuleshin me respekt para tokës shqiptare dhe të kërkonin ndjesë botërisht për qëndrimin e egër, armiqësor, për krimet e rënda që shovinizmi serbomadh ka kryer kundër kombit shqiptar gjatë një periudhe mbinjëshekullore. Kjo pendesë publike do të hapte një faqe të re në ndërtimin e marrëdhënieve korrekte dhe të fqinjësisë së mirë mes serbëve dhe shqiptarëve. Por ata s’mund ta bëjnë dot një gjë të tillë, se ata s’janë politikanë të këtij niveli, se ata janë pasardhës të Millosheviçit, janë mbetje të shovinizmit serbomadh. Prandaj ata s’mund ta vënë dot veten në rolin e de Golit (Charles André Joseph Marie de Gaulle  1890-1970), i cili, kur zbriti nga shkallët e avionit në Algjer në vitin 1961, iu drejtua algjerianëve që ishin grumbulluar aty:

“Ju kërkoni pavarësi? Merreni, e gëzofshi!”

Nikoliçi dhe Daçiçi nuk mund ta vënë dot veten as në rolin e kancelarit Helmut Kohl (Helmut Josef Michael Kohl – 1930), i cili, në emër të Gjermanisë, bëri pendesë publike dhe kërkoi ndjesë për krimet që nazizmi gjerman kreu kundër popujve evropianë dhe sidomos kundër hebrenjve.

Santa Barbara, Kaliforni

27 mars 2014

 

Filed Under: Analiza Tagged With: as De Gol, as Helmut Kohl, Eshref Ymeri, Nikoliçi dhe Daçiçi, s’bëhen dot

DREJTËSI PËR VIKTIMAT E KOMUNIZMIT

March 28, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/Më heret këtë muaj në Budapesht të Hungarisë filloi gjyqi i një prej ish-zyrtarëve më të lartë komunist të atij vendi, i akuzuar për krime që kanë lidhje me vrasjet e ndodhura pas revolucionit anti-komunist të dështuar hungarez, në vitin 1956.  Ish-zyrtari i lartë komunist hungarez, i cili gjëndet përball akuzës për krime lufte dhe krime kundër njeërzimit quhet Bela Biszku në moshën 92-vjeçare dhe ish-ministër i punëve të mbrendshme të regjimit komunist pas revolucionit anti-sovjetik.  Sipas burimeve të mediave të ndryshme hungareze dhe  ndërkombëtare,  ai akuzohet se kishte gisht në vrasjen e protestuesve paqësorë anti-komunistë dhe anti-sovjetikë.  Agjencia e lajmeve Reuters njofton se ky është një gjyq me rëndësi për Hungarinë, sepse mund të ndihmojë vendin që të përballet më lehtë me të kaluarën e vet komuniste.

Ndërkohë që Polonia dhe disa vende të tjera ish-komuniste kanë miratuar ligje lustracioni, gjë që e ka bërë më të lehtë periudhën e tranzicionit në atë vend,  Hungaria konsiderohet si ndër ato vende ish komuniste të cilat nuk kanë arritur të sigurojnë plotësisht drejtësinë për viktimat e barbarizmave të regjimit komunist.  Njoftohet se ky gjyq ka tërhequr vëmendjen e medias mbrenda dhe jashtë Hungarisë dhe se tani zhvillimi i gjyqeve të tilla në atë vend, bëhet i mundur në saje të një ligji të ri hungarez, në bazë të cilit — krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerërzimit nuk u skadon kurrë afati.  Kjo është në përputhje me ligjet e shumë vendeve  në bazë të cilave, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njeërzimit nuk u skadon afati kurrë, ndërkohë që marrëveshjet dhe normat ndërkombëtare  i konsiderojnë krimet komunist, si krimet më të këqia që mund të jenë bërë ndonjëherë.

Bela Biszku, i cili ka shërbyer si ministër i punëve të mbrendshme nga viti 1957 deri më 1961, dhe njëri ndër udhëheqsit më të lartë komunist të Hungarisë, i ka mohuar akuzat kundër tij.  Dihet se pas shtypjes barbare të  revolucionit hungarez nga tanket sovjetike, me qindra anti-komunistë hungarezë u ekzekutuan dhe dhjetëra mijëra të tjerë u burgosën, gjatë kohës që Biszku shërbente si ministër i mbrendëshëm i regjimit komunist të Hungarisë.  Prokuroria thotë se Biszku si anëtar i lartë i të ashtuquajturit Komiteti i Përkohëshëm Ekzekutiv, ai ka marrë vendime dhe ka dhënë urdhëra për të eliminuar armiqët, dhe për t’i eliminuar ata pa mëshirë.

 

Partia e Kryeministrit të tanishëm të Hungarisë, Z. Viktor Orban, një anti-komunist i vendosur, është shprehur se gjyqe të tilla duhet të ishin mbajtur shumë kohë më parë, duke theksuar se ata që kanë kryer krime serioze gjatë sundimit të regjimit komunist duhet të mbahen përgjegjës njësoj si kriminelët nazistë të luftës.   Media vendore thotë se nga pikëpamja e jurisprudencës, ky gjyq përbën një pikëkëthesë me rëndësi në historinë ligjore të vendit, duke mundësuar kështu që shoqëria hungareze  të mësojë, më në fund,  të vërtetën mbi krimet e regjimit komunist në Hungari.  Por përveç kësaj, sipas historianit hungarez Tibor Zinner, i cili citohet të ketë thënë se gjyqi i ish-zyrtarit të lartë komunist hungarez Bela Biszku, sjellë një dobi tjetër me rëndësi, pasi shënon fundin e një standardi të dyfishtë, që ndryshe trajtonte krimet e nacizmit dhe ndryshe krimet e komunizmit.  Historiani hungarez ka thënë gjithashtu se ky gjyq ka rëndësi për faktin se ndonëse në të kaluarën, zyrtarë komunistë të nivelit më të ulët janë gjykuar dhe dënuar për krimet e tyre, asnjë prej ish-udhëheqsve më të lartë politikë të regjimit komunist hungarezë nuk kanë dalur për të dhënë llogari para gjyqit për krimet e tyre.

Edhe Shqipëria, ndonëse kishte regjimin më të egër komunist në Europën Lindore,    është një ndër vendet që ka bërë më pak ose aspak në këtë fushë, në krahasim me vendet e tjera, duke treguar një mungesë vullneti për tu përballur me të kaluarën e saj komuniste.  Duket sikur shoqëria shqiptare në përgjithësi nuk është aspak e disponuar dhe hiç e interesuar, përfshirë edhe median shqiptare, për të zbardhur atë histori.  Ndërkohë që mediat europiane dhe më gjërë ka shkruar dhe komentuar gjërë e gjatë për gjyqin në Hungari, si dhe raste të tjera gjyqesh të tilla në ish vendet komuniste, është interesant fakti se pse media shqiptare, me ndonjë përjashtim aty këtu, siç është gazeta Telegraf, nuk flet shumë për fatin e keq të viktimave të regjimit komunist në Shqipëri dhe as nuk përmend kurrë raste të tilla gjyqesh në vendet ish komuniste, duke ndejtë larg përmbajtjes si dhe simbolizmit historik që përcjellin këto gjyqe.

Pas më shumë se 20-viteve ç’prej rënjes së komunizmit në Europë, me përjashtim të Polonisë, Çekisë, Gjermanisë dhe të ndonjë vendi tjetër, vendet e tjera ish komuniste nuk kanë miratuar ligje të nevojshme për tu përballur me të kaluarën, ndërkohë që gjykatat e tyre janë treguar të paafta për të dënuar krimet kundër njerëzimit dhe torturat e diktaturës komuniste.

”Për të ndejë shtrembët dhe për të folur drejtë”, gjatë këtyre 20-viteve, as Përendimi nuk ka treguar ndonjë interesim të madh për të dënuar krimet komuniste, siç kishte bërë me dënimin e krimeve naziste pas Luftës së Dytë Botërore.  Kjo, sipas ekspertëve ka ndodhur për arsye se nazistët kanë kryer krime kundër popujve të tjerë, e si e tillë nevojitej një përgjigje ndërkombëtare ndaj krimeve të nazismit, ndërsa komunistët kanë torturuar dhe kanë vrarë popullin e vet.   Mos dënimi i krimeve të komunizmit është një çështje aq shqetësuese anë e mbanë Europës, sa që ka shtyrë disa ekspertë ligjorë dhe politikanë europianë, pjesëmarrës në një konferencë ndërkombëtare mbajtur kohë më parë në Bruksel –në përpjekje për të kapërcyer këtë mungesë drejtësie – të bëjnë thirrje për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për të vendosur drejtësinë në vend për krimet komuniste anë e mbanë Europës — si një ndërmarrje kjo themelore që synon respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.  Konferenca e Brukselit ka theksuar rëndësinë e nevojës për vendosjen e drejtësisë për krimet komuniste, duke marrë parasyshë krizën e sotëme ekonomike, si dhe kërcënimet e rreziqet që vijnë nga lëvizjet ekstremiste të kohëve të fundit në Europë.  Një numër organizatash europiane kanë përkrahur idenë e krijimit të një gjykate të re ndërkombëtare për tu marrë me krimet e komunizmit. Nëse kjo nismë do të realizohet, kjo është një pyetje tjetër. Por, një gjë është e sigurt, se krimet ndaj viktimave të komunizmit do të mbeten një subjekt i gjallë i cili prekë thellë ndërgjegjen morale të të gjithë europianëve, përfshirë edhe shumë shqiptarëve, dhe do të mbetet i tillë përderisa të mos ketë një ballafaqim serioz me këtë murtajë të shekullit të kaluar.

Zëvendës Kryeministri dhe Ministri hungarez i Drejtësisë, Tibor Navracsics në një ceremoni përkujtimi për viktimat e komunizmit muajin që shkoi në Muzeumin e Shtëpisë së Terrorit në Budapesht,kushtuar viktimave të komunizmit, tha se “personat që ne i quajmë viktima të komunizmit, nuk janë tulla të shtypjes, por janë blloqe themeli të lirisë tonë”.   Ai theksoi se fatet e secilit prej viktimave të komunizmit bashkohen në historinë e kombit, pasi ka aq shumë tregime e plagë, sa ka edhe njerëz. Ai tha se është e pamundur të përshkruhet se çka mund të kenë menduar ato viktima kur u është marrë toka, ose kur u është mohuar mundësia për të vazhduar studimet,  kur janë sëmur, kur janë prekur nga depresioni ose kur janë detyruar madje edhe të vrasin veten nga torturat.

Askush nuk kërkon hakmarrje për ato që kanë ndodhur, madje as vet ata që kanë vuajtur, e që kanë pësuar trajtimet më çnjerzore. Kërkohet vetëm drejtësi morale për viktimat e komunizmit.   Të këqiat e atij sistemi, përfshirë edhe krimet ndaj kunërshtarve të tij, po injorohen nga shoqëria, por nuk duhet të harrohen. Të pakën pjesa më e madhe e botës demokratike e pranon nevojën për t’i kundërshtuar ato barbarizma dhe për të njohur e kujtuar viktimat e komunizmit, megjitëse kompensimet e plota morale dhe materiale ndoshta janë të pamundura për tu realizuar për shumë prej tyre, kur të merret parasyshë numri i madh i viktimave dhe krimet në shkallë të gjërë që ata kanë pësuar gjatë atij regjimi.  Viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe të vendeve të tjera ish komuniste po presin për pothuaj një çerek shekulli për drejtësi. Fatkeqsisht, bazuar në këtë përvojë historike, ata mund të presin për gjithë jetën!

I nderuar lexues i këtyre rreshtave, a mendon se shoqëria shqiptare ka bërë aq sa duhet dhe aq sa ka mundësi — të pakën nga pikëpamja morale — për tu përballur me trashëgiminë e komunizmit dhe me dënimin e krimeve ndaj viktimave të regjimit komunist?

Filed Under: Analiza Tagged With: Drejtesi per viktimat, e komunizmit, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 911
  • 912
  • 913
  • 914
  • 915
  • …
  • 984
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT