Gjukanoviçi ndjek dy standarde: përkrahje për malazezët e diskriminim ndaj shqiptarëve etnikë në trojet e veta mijëravjeçare
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Kryeqyteti i Amerikës, Uashington D.C. më 8 prill 2014 do të jetë “kryeqytet i shqiptarëve”, pasi aty, para të ndritmes Shtëpi e Bardhë e selisë së ambasasadës Malazeze, shqiptaro-amerikanët do të jenë për disa orë në një demonstratë aktive e masive kundër kryepolitikanit malazez, Milo Gjukanoviç, kryeministër shoven i pa cak i diskriminimit të përgjithshëm e të vazhdueshëm, i asimilimit mafioz e i shpërnguljes së detyruar të shqiptarëve etnik nën Malin e Zi.Në Tempullin e Demokracisë Botërore do të protestohet nga shqiptarët drejtpërdrejt kundër liderit ma jetëgjatë e diktatorit të fundit në politikën ballkanike e europiane, kundër Gjukanoviçit kundërshqiptar, i zgjedhur një herë president (1998-2002), shtatë herë kryeministër (nga 15 janari 1991 deri më 4 dhjetor 2012), një herë ministër i mbrojtjes (2006), prej vitit 1998 edhe kryetar i Partisë Socialiste Demokrate (DPS), parti në pushtet në këto tri dekadat e fundit. Kaq kohëgjatë me mandate në pushtet nuk i ka asnjë lider aktual ballkanik e euro-atlantik.
Lideri politik, Milo Gjukanoviç guxon e reklamon veten e Malin e Zi si “kampion të demokracisë në Ballkan”, po tashma ai është kthye në një “gospodar” i Malit të Zi, i cili në mendje, biseda e veprime e ka për shembëllim paraardhësin e tij të hershëm, antishqiptarin Krajl Nikolla I, e po don me çdo kusht të jetë një “krajl i ri” dhe kësaj ia ka mbrri pa vështirësi tue shkel çdo “semafor” të demokracisë euro-atlantike, tue i dëmtue pa fund e skej shqiptarët etnik në viset e veta trojenike, etj.
Fakte e gjasa dëshmojnë se Gjukanoviçi e ka kap “peng” shtetin e vogël bregdetar e alpin të Malit të Zi, është kthye sikur tw ishte një “Fidel Kastro” i dytë i Europës euro-atlantike. Prej nga 15 shkurti 1991, në 29 vjetorin e ditëlindjes së tij, udhëheq shumëfishtë Malin e Zi, si president apo kryeministër; si kryetar i partisë (DPS) në pushtet; si klan politik përtej koalicioneve mazhoritare; si klan ekonomik para e larg syve të popullit e botës; me ndikime me anë të dy kishave ortodokse serbe e malazeze që ende luftojnë për pavarësi e territore; me lidhjet e të (pa)njohura me struktura të specializuara policore, vëzhgimore, hetimore, etj., etj.
Gjukanoviçi 52 vjeçar e ka fut në darë të vet treshe krejt Malin e Zi(!) Presidenti 60 vjeçar Filip Vujanoviç me seli presidenciale në Çetinën e krajlisë, ka lind e rrit dhe krye studimet universitare në Beograd, është përfaqësues i partisë (DPS). Ai, prej 5 shkurtit 1998 ka tetë mandate rradhazi: dy herë kryeministër, një herë kryeparlamentar, pesë herë president (22 dhjetor 2002, 9 shkurt 2003, 11 maj 2003, 6 prill 2008, 7 prill 2013).
Kotorrasi 52 vjeçar Ranko Krivokapiç, pasuniversitar i Beogradit, prej vitit 1989 deputet i Malit të Zi e i Jugosllavisë së Millosheviçit, prej vitesh kryetar i Partisë Social-Demokrate (SDP) me gjashtë deputetë në Parlament e në koalicion qeverisës me Gjukanoviçin, prej 30 korrikut 2003 është zgjedhur në katër mandate të njëpasnjishëm kryetar i Parlamentit Malazez.
Ndërkohë, në qeverinë e fundme të Gjukanoviçit, ndonëse shumë sish me tituj e grada shkencore e moshë mesatare të mirë, prapë ka zv/kryeministra apo ministra të blinduar në kabinete qeveritare qyshse para Shpalljes së Pavarësisë së Malit të Zi.
Dora e hekurt e Gjukanoviçit, ish mik e bashkëpunëtor i Millosheviçit, ia ka mbrri ta vorbullojë Malin e Zi në atë farë soj rrjete klanore sa ta keqkthejnë këtë shtet në të ashtuquajturin pa mëdyshje: “Mali i Zi i Nikshiqit”. Kjo nuk ngjet në asnjë vend euro-atlantik.
Nga Nikshiqi, vendlindja e kryeministrit kundërshqiptar Milo Gjukanoviç, komuna ma e madhe e Malit të Zi, me 2.065 km2 e rreth 60.000 banorë, janë në pika kyçe të shtetit malazez: Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, 60 vjeçari Zarko Sturanoviç, i cili e mban këtë detyrë prej vitit 2003. Ministre e Mbrojtjes, dr. Milica Pejanoviç-Gjurisiç, që sivjet feston 55 vjetorin e lindjes në Nikshiq. I nokshiqas është edhe ministri i Kulturës, Branislav Miçunoviç.
Gjukanoviçi më 10 nëntor 2006 u “tërhoq” nga dera kryeministrore në Podgoricë për t’u marrë me biznes, ku i ngriti shpejtas e fuqishëm pesë biznese të suksesshme, “Universitas”, “Capital Invest”, “Primary Invest”, “Select Investmens”e fundit, Global Montenegro”(25 shkurt 2008), hyri aksioner në bankën e të vllait, një nga ma të njohurat në Ballkan. Njëkohësisht Gjukanoviçi kundërshqiptar ishte edhe kryetar i partisë kryesore në pushtet, deputet në Parlament, kryetar i Komisionit të Kushtetutës të shtetit të ri malazez.
Gjukanoviçi me kompromis politik e vetjak e përzgjodhi pasardhës të tij një nikshiqas tjetër: 44 vjeçarin Zheljko Sturanoviç, më 10 nëntor 2006. Prapë, në 46 vjetorin e lindjes, në shkurt 2008, Gjukanoviçi rikthehet në krye të ekzekutivit malazez, edhe ma i fuqishëm nga ç’mund ta mendonin kundërshtarët e ndërkombëtarët.
I nikshiqasi Zheljko Sturanoviç, tashma 60 vjeçar, është jo vetëm nënkryetar i partisë të DPS prej vitit 2007, bile u rizgjodh në këtë detyrë edhe në kongresin VI të saj (21 maj 2011). Përveç kësaj, ky bashkëvendas i Gjukanoviçit kundërshqiptar është një nga tre nënkryetarët e Kuvendit të Malit të Zi, i zgjedhur në këtë post prej vitit 2009, në dy legjislatura. Ky i mbron mjaft mirë interesat e Gjukanoviçit në Parlamentin me kryetar nga partia e dytë në koalicion, njëkohësisht i kryen me pasion e aksion çdo detyrë kundërshqiptare të misionuar prej tij.
2.
Demonstrata e 8 prillit 2014 në Uashington D.C. do t’i tregoj e mësoj Milo Gjukanoviçit se shqiptaro-amerikanwt në Amerikë nuk do ta lejojnë t’i diskriminojnë shqiptarët në Ulqin e Podgoricë, në Tivar e Tuzi, në Plavë-Guci e Rozhajë, etj. nuk do ta lejojnë ta kthejnë Malin e Zi multietnik në një shtet pa shqiptarë.
Shqiptaro-amerikanët e trojeve etnike nën Malin e Zi do të shkojnë në ket’ demonstratë, sepse i çojnë atje edhe mbi 9 mijë km2 që iu morën Shqipërisë Etnike me pushtime e aneksime nga principata e mbretëria e Malit të Zi pas betejës të Ostrogut (1853) e të Grahovës (1858), në kohën e Krajl Nikolla I (1860-1918). Me kwto toka etnike shqiptare Mali i Zi e trefishoi sipërfaqen e saj territoriale shtetërore.
Shqiptarët në Amerikë që kanë vendlindjen, etno-gjenezën, farefisninë, kullat e trojet në vise shqiptare nën Malin e Zi, i çon në demonstratën e 8 prilli 2014 në Uashington D.C. edhe shkelja e Kushtetutës të Malit të Zi e 19 tetorit 2007, e cila shprehimisht ligjëron: “Ndalohet çdo diskriminim i drejtëpërdrejtë ose i tërthortë, në çfarëdo baze…”(Neni 8) etj. Si është e mundur që një shtet i cili nuk mund të shpallte pavarësinë e tij të 21 majit 2006 pa votat e shqiptarëve dhe një Kushtetutë e miratuar edhe me votat e tyre, të shkelet kryesisht për shqiptarët etnik nga Gjukanoviçi e Co?!
Ky diskriminim është i gjithanshëm, ofensiv, tragjik, i fokusuar në disa plane të prejkohshme e të sotme:
1) Ç’popullimi i viseve shqiptare nën Malin e Zi.
Sipas disa përllogaritjeve, në kohën e Krajl Nikolla I, popullsia shqiptare është
ulur mbi tre herë nga vrasjet e burgosjet, nga shpërnguljet e dhunshme të spastrimeve etnike, nga asimilimet, etj. Në këto mbi dy dekada të sundimit të Malit të Zi nga krajli i ri, Milo Gjukanoviç, popullsia shqiptare me ndeje vendalie në trevat e veta etnike është ulur në rreth dy herë pasi nga politikat e mbrapshta e të ashpra kundërshqiptare janë detyruar edhe për të emigruar jashtë trojeve të veta, si në Amerikë ku gjendet një “Malësi e Dytë”.
2) Mos lejimi i perdorimit të lirshëm i simboleve kombëtare. Ligji i Parlamentit
të Malit të Zi, i miratuar më 23 dhjetor 2011, pikërisht në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë tw Shqipwrisw, me anë të nenit 23 të tij, të dënon me gjobë apo burgosje për shpalosje publike të Flamurit Kombëtar Shqiptar.
3)Është shkelur Kushtetuta, neni 13 i saj dhe Akte e Konventa ndërkombëtare
mbi përdorimin e gjuhës shqipe. Ka plot fshatra me popullsi të madhe shqiptare si në bregdetin e Tivarit e Ulqinit, Ultinën e Podgoricës, Plavë-Guci e Rrozhajë dhe nuk gjen në territorin e tyre as tabela e mbishkrime në gjuhën shqipe. Në qytetin e Tivarit nuk ka asnjë shkollë shqip. Në qytetin e Rozhajës vjen një tregtar kinez e shitoren e tij e shkruan në shqip “dyqan kinez”, ndërsa shkollës shqipe në Dacaj (Malësia e Rozhajës) i hapin probleme të qëllimshme për mbylljen e saj, për shuarjen e gjuhës shqipe në këtë komunë me 432 km2 në të cilën në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mbi 80 për qind e popullsisë ishte shqiptare.
4) Ndryshimi i ligjit për përfaqësimin e popullit Shqiptare në Kuvendin e Malit
të Zi.
5) Çështja e pambyllur e (demarkacionit) përcaktimit të kufijve tokësor, detar e
liqenor të Malit të Zi me Shqipërinë e Kosovën. Edhe nga lëvizjet e kufijve ndërmjet komunave brenda shtetit të Malit të Zi po dalin problematika me pronat, etj. sikurse rasti i komunës së Beranës e cila ia mori 2.700 ha pyje të shëndetshme komunës së Rozhajës, mbi gjysma e tyre janë prona të shqiptarëve, si të vllaznisë Bralaj, etj.
6) Arrestimet dhe burgosjet gjatë aksionit famëkeq e terrorizues “Fluturimi i
Shqiponjës” në Tuzi; arrestimet e 23 shqiptarëve në fshatin Martinaj të Plavë-Gucisë, etj.
7) Injorimi dhe mos dhënja e të drejtës të komunës urbane të Tuzit për të dalë komunë më vete në ndarjen administrative-territoriale të Malit të Zi.
8) Tentimi për ndryshimin e strukturës demografike duke sjell ardhacakë nga veriu i Malit të Zi në komunën urbane Tuzi, ku jetojnë fiset e historisë Hoti, Gruda, etj.. Para disa ditësh, kryebashkiaku i Podgoricës, Miomir Mugosha i partisë së Gjukanoviçit ishte sëbashku me të vetët në Tuzi, në fisin e Grudës, tek vendbanimi Dheu i Zi, ku është ngritë një lagje me boshnjakë të ardhur nga brigje të degëve lumore të Limit dhe po e ngrejnë në bashkësi lokale, shkollë, etj. Akte të tilla shoviniste të asimilimit e spastrimit etnik të shqiptarëve po manifestohen prej kohësh në të gjitha komunat etno-historike shqiptare.
9) Ndarja copëtuese për arsye asimilimi e krahinës etno-historike e komunare të Plavë-Gucisë (në të Plavës e të Gucisë) është një proces drejt përfundimit ligjor në institucionet e larta të Podgoricës e Çetinës. Eksproprimi i pronës private në emër të krijimit të parqeve nacionale në pronat private të shqiptarëve të Plavë-Gucisë është një çështje me pasoja të atilla që sapo kanë nisur dhe nuk kanë të mbyllur; etj.
10) Marrja e kompetencave në mënyrë arbitrare për pasuritë detare të komunës së Ulqinit, konfiskimi i pronave private të shqiptarëve në Gjirin e Valdanosit; etj.
11) Në Rozhajë (Tregovishta) nuk po iu kthehen shqiptarëve të atyshëm mbi 5.000 ha me male, pyje e kullota të tyre si në Lug të Shtjerrave në kufi me Dragën e Jabllanicën, në Plluncaj, Peshkaj, Llazin e Rexhit, Husaj, etj. Këto ua ka pasë marrë dikur shteti monist jugosllav e tashti iu takojnë ligjërisht vllaznive shqiptare Dacaj, Vukli, Lajçi i Buxhovit, Dreshajt, Nikçët (Rexhiqët), Bralajt, Haxhisejdët, etj., të cilët enden në pafundësi dyerëve të gjykatave malazeze në përballje me padrejtësitë, nuk iu lejohet t’i shfrytëzojnë as për dru dhe as për kullota tokat e tyre etnike, nuk iu mundësohet mbajtja e bagëtive, etj. Kjo sjell varfëri e shpërngulje të shqiptarëve.
12) Malësia e Rozhajës është i vetmi territor në shtetin e Malit të Zi, ku forcat militare e paramilitare serbe hyjnë në prill-qershor 1999 dhe kryejnë vrasje, tortura, djegje të shtëpivë, pasurive, etj. si në Qafë Hajle, Bukël të Sirmë, Dacaj, Husaj, etj. Shqiptarët etnikë të Rozhajës, sikurse edhe ata të Kosovës martire, u detyruan të largohen përkohor nga vatrat e tyre. Damet sipas vlerësimit të një komisioni zyrtar kapin mbi 1.5 milionë Euro. Ende 37 familje shqiptare presin shpërblimin përfundimtar. Përndryshe: në Murinë të komunës të Plavë-Gucisë ura mbi lumin Lim vërtet u shkatërrua nga bombardimet e NATO-s veçse u ndërtua brenda një muaji e njëkohësisht e njejtësisht u ndihmuan me financime e material ndërtimor edhe familjet malazeze të dëmtuara nga detonimet.
Pra, Gjukanoviçi ndjek dy standarde: përkrahje për malazezët e diskriminim ndaj shqiptarëve etnikë në trojet e veta mijëravjeçare.(Foto:Arkiv)