• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VIZITA EDI RAMËS NË BEOGRAD PRODUKT BALLKANIK JO EUROPIAN

January 16, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

KM i Shqipërisë Edi Rama do të vizitojë gjatë shkurtit Beogradin. Këtë vizitë të KM opinioni shqiptar e mësoi prej mediave të Serbisë. Të kthehemi pak në kohë e të kujtojmë se burimi i konfuzionit me armët kimike u krijua pas një deklarimi të Ditmir Bushatit, Ministrit të Jashtëm për Shqipërisë për mediat e Francës, të cilin mediat e Tiranës e botuan si një “dekonspirim”. Pra merrni me mend se çfarë tingëllimi ka, kur, për aktivitetin e KM të Shqipërisë, opinion shqiptar informohet nga mediat e huaja.
Pra KM i Shqipërisë nuk është transparent me popullin e tij, kur do të duhet që axhendën e tij diplomatike ta bëjë publike.
Vizitën e tij në Beograd ai do të duhej ta bënte transparente, të paktën me Aleatët tanë SHBA, sepse dihet se çfarë angazhimi kanë amerikanët në çështjen shqiptare. Dhe se pa SHBA Kosova do të vazhdonte të ishte nën pushtim.
Vizita e Ramës në Serbi që pritet të bëhet gjatë muajit shkurt, e mbajtur sekret në Shqipëri, u bë e ditur nga ministri i jashtëm serb Ivan Mrkiç. Mediat serbe disa kohë më parë kishin cituar Ditmir Bushatin të kishte thënë se kjo vizitë do të bëhej gjatë nëntorit të shkuar. Pra pala shqiptare ka punuar fort.
Radio serbe B92 në anglisht, që i referohet intervistës së ministrit të Jashtëm serb Ivan Mrkić në numrin e djeshëm tek Politika, që e përcjell edhe Tanjug, citon Mrkiç të ketë thënë se Beogradi e “mirëpret iniciativën e Ramës të vijë në Serbi”. “Ne jemi duke përgatitur të takohemi me të dhe të bisedojmë për përmirësimin e marrëdhënive në rajon”, thotë Mrkiç për mediat serbe. Shikoni sa transparent është zyrtari i lartë serb me popullin e tij, krejt ndryshe nga sa ndodh me ne shqiptarët, ku politika vazhdon të na ushqejë me bar.
Por ajo që na bie në sy nga deklarimi i Mrkiç, është se Rama e viziton Beogradin, jo i ftuar nga Serbia, por i pritur nga Beogradi pas një kërkese për vizitë që ka bërë KM i Shqipërirë.
Në këtë kontekst, gazeta serbe Politika nënvizon faktin se kjo vizitë është e dyta e një kryeministri shqiptar, në hapësirën midis gati 70 vitesh. I pari Serbinë e kishte vizituar diktatori Hoxha, në kohën kur e kishte mjaltë me Titon dhe synonte ta kthente Shqipërinë në një republikë të shtatë dhe, i dyti, Edi Rama. 
Nëse Edi Rama do të kishte bërë kërkesë të ftohej nga Presidenti Obama apo nga kancelarja Merkel, natyrisht që kërkesa e tij për ftesë do të ishte e justifikuar. Mundet edhe që Edi Rama të ketë bërë kërkesë për ftesë, por Obama dhe Merkel nuk e kanë pranuar ende, sepse kërkojnë reforma. 
Fakti që Rama i ka kërkuar Serbisë ta ftojë në Beograd dhe kur dihet se në çfarë konteksti është vizituar Beogradi e vë KM e Shqipërisë në pozitë inferiore. Serbia nuk i kërkon Edi Ramës as të reformojë drejtësinë, as të forcojë shtetin e së drejtës, por e pranon vizitën e tij duke i kushtëzuar axhendën e bisedimeve. 
Në intervistën tek Politika, ministri i Jashtëm serb Ivan Mrkiç paraqet në mënyrë transparente për publikun serb axhendën e vizitës të KM të Shqipërisë në Beograd.
Mrkiç thotë se bisedimet me KM e Shqipërisë do të fokusohen në relacionin biletarel të “dy vendeve, duke u fokusuar në bashkëpunim në fushën e bujqësisë, turizmit, transportit, edukimit.” 
“Ne gjithashtu e shohim të nevojshme ta sjellim në qendër të vemendjes faktin se minoriteti serb në Shqipëri nuk ka fituar ende njohjen e duhur….” “Ne do të duhet të specifikojmë format e përshtatshme të trajtimit të pakicës serbe në Shqipëri që ashtu sikur pakica shqiptare në Serbi, të gëzojë të gjitha të drejtat në përputhje me standardet më të larta evropiane”, thekson Mrkiç për Politikën.
I pyetur nga Politika “rreth takimit të përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në Prizren ku u nënshkrua edhe një marrëveshje e partneritetit strategjik, Mrkić përgjigjet se Beogradi nuk i jep askujt leksione se çfarë të bëjë e si t’i bëjë, por theksoi se limitet janë të ditura e të njohura. 
“Ne nuk do të ngurrojmë në çdo moment për të thënë çdo gjë që ne mendojmë dhe se si ne i shohin gjërat, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të ndërtuar një miqësi “, përfundoi Mrkiç.
Pra, nga intervista e Mrkiç mësohet se pala serbe e ka panuar kërkesën e Ramës duke e kondicionuar. Bie në sy është se pala serbe ka vendosur shenjë barazimi midis pakicës shqiptare në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc me pakicën serbe në Shqipëri, duke nënvizuar faktin se Beogradi e trajton pakicën shqiptare sipas standarteve europiane. Kur do të duhej që të vinte në balancë veriun e Mitrovicës me Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, që popullohet nga shqiptarë autoktonë të cilët jetojnë në trojet e veta. Deri në vitin 1945 kjo pjesë i përkiste Kosovës, dhe prej këtij viti është ndarë dhe kaluar në territorin e shtetit serb, ndërsa pakica serbe në Shqipëri shumë e vogël në numër, që, megjithatë e ka fituar statusi e minorancës, e përqëndruar në një fshat afër Shkodrës, gëzon të gjitha të drejtat si çdo qytetar i shtetit shqiptar. Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit jetojnë në kushte të vështira, ku në këtë rajon papunësia është mjaft e lartë, ndërkohë që arsimin e lartë e bëjnë në Prishtinë, Tetovë e Tiranë. Dhe zgjidhja e vetme ka qenë e mbetet emigrimi.

Por siç shihet nga paraqitja që ka bërë Mrkiç, pakica shqiptare në Serbi nuk është pjesë e axhendës së Edi Ramës gjatë vizitës së tij në Beograd. Tabu është edhe pavarësia e Kosovës.

Si konkluzion, për vizitën e tij në Serbi, KM Edi Rama nuk është transparent as me shqiptarët dhe as me SHBA dhe aleatët. Ai shkon në Beograd, jo i ftuar, por me kërkesë për t’u ftuar dhe me një axhendë të përcaktuar nga pala serbe, pra të përcaktuar unilaterisht. Dhe kjo e cënon interesin bilateral. Në kushte të tilla vizita KM Edi Rama në Beograd, duket si individuale, për të rregulluar marrëdhëniet e tij personale me Beogradin, por jo në të mirë të dy vendeve, sepse nuk mund të ketë të mirë të Serbisë, pa të mirë të Shqiptarëve, ku e mira e shqiptarëve dhe e serbëve është ajo e integrimeve në BE, si shtete dhe shtetas me të drejta të barabarta. Prandaj them se vizita e Edi Ramës në Beograd është produkt i vizionit ballkanik të këshilltarëve të KM të Shqipërisë, të llojit të Shkëlzen Maliqit, pra është një vizion që e çon Edi Ramën në qorrsokak dhe assesi në Europë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, ne Beograd, Vizita e Edi Rames

“MASAKËR DHE KRIM KUNDËR NJERËZIMIT”

January 16, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Kështu e ka cilësuar ish-Ambasadori  amerikan Uilliam Uoker ngjarjen tragjike të 15 Janarit, 1999 në Reçak të komunës së Shtimës në  Kosovë, ku 15 vjetë më pare kur forcat serbe të kasapit të Ballkanit, Millosheviq masakruan në mënyrën më brutale 45 shqiptarë të pafajshëm të këtij fshati, përfshirë edhe 8 pjesëtarë të UÇK-ës.   Të mërkurën, Kosova shënoi 15-vjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike, e cila konsiderohet si pikëkëthesa kryesore e ngjarjeve të më mëvonshme në Kosovë, përfshirë edhe sulmet ushtarake të NATO-s,  kundër objektivave ushtarake dhe industriale serbe, përfshirë  edhe kryeqytetin e Beogradit — ndërhyrhje kjo që më në fund detyroi largimin e forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, duke i dhënë kështu fund luftës në Kosovë.
Ishte ambasadori amerikan Uilliam Uoker, në atë kohë Shef i Misjonit Verifikues i Organizatës për Bashkpunim dhe Siguri në Europë, ai i cili zgjoi nga gjumi letargjik ndërgjegjen e botës mbi barbarizmat që makineria ushtarako-policore dhe paramilitare e Serbisë po bënte në Kosovë, ashtu si të donte dhe kur të donte.  Ambasadori Uoker ka thënë se ato që ai ka parë me sytë e tij në Reçak, janë ato që ai i konsideron si prova dërmuese të së vërtetës, që ai i deklaroi botës në atë kohë, e që është se forcat ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë kanë    kryer masakra dhe krime të rënda kundër njerëzimit, ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës.  Pasi kishte parë kufomat e shqiptarëve të vrarë në Reçak, ai e dënoi masakrën si një “barbarizëm të pabesueshëm” dhe i quajti vrasjet në fshatin Reçak si, “një krim kundër njerëzimit”, duke i thënë në atë kohë gazetës amerikane Nju Jork Tajms, se ”nuk dëshironte të hesitonte asnjë minutë që të akuzonte, drejtë për drejtë, forcat qeveritare serbe si përgjegjëse të kësaj masakre.”   Deklarata e Ambasadorit Uolker bëri jehonë anë e mbanë botës, por shkaktoi reagime të ashpëra sidomos në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë.  Ish-presidenti amerikan Bill Klinton reagoi atëherë ndaj deklaratës së ambasdorit Uolker duke thënë se masakra e Reçakut, “Ishte një akt vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim, që synonte të frikësonte popullin e Kosovës.”

Ndërsa Ministri i jashtëm i Gjermanisë gjatë krizës në Kosovë, Joschka Fischer duke folur në emër të Bashkimit Europian ka thënë pas zbulimit të masakrës në Reçak nga ambasadori Uoker se, “Ata që janë përgjegjës për këtë akt, duhet ta dinë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të pranojë kurrë masakrimin brutal dhe vrasjen e popullësisë civile.”

Masakra e shqiptarëve civilë nga forcat serbe në Reçak ishte vetëm një nga sulmet e forcave serbe kundër popullësisë shqiptare të Kosovës gjatë atyre viteve, për të cilat bota nuk ishte e informuar.  Por, më në fund qe deklarata e Ambasadorit Uilliam Uoker, si dëshmitar i masakrës në Reçak, ajo që më në fund bëri jehonë në median botërore dhe si rrjedhim shkaktoi një ndryshim të dukshëm të politikës së vendeve përendimore karshi gjëndjes në Kosovë dhe  njëkohësisht shërbeu si një katalist për ndërhyrjen eventuale të NATO-s, për të dëbuar forcat serbe nga Kosova.  Gazeta e kryeqytetit amerikan, Uashington Post, sugjeronte në prill të vitit 1999 se pas një shqyrtimi të vendim-marrjeve në Shtëpinë e Bardhë dhe në  kryeqendrën e NATO-s në Bruksel, masakra e Reçakut transformoi politikën e Perëndimit ndaj Ballkanit si asnjë ngjarje tjetër më parë.  Masakra e Reçakut, sipas gazetës Uashington Post, bindi qeverinë amerikane dhe aleatët e saj në NATO se politika e tyre e ndjekur deri atëherë duhej të ndryshohej fund e maje.

Politika amerikane ndaj Kosovës deri atëherë bazohej në atë që njihet si  “Paralajmërimi i Krishtlindjeve”, një telegram prej një fjalie që administrata e Presidentit Bush të parë i kishte dërguar Millosheviqit më 24 Dhjetor, 1992 — vija e kuqe — e që ishte një telegram shumë i shkurtë  dhe pa stërhollime, por tekstualisht përmbajtja e tij u citua nga Uashington Post të ketë qenë fjalia që vijon: “Në rast të një konflikti në Kosovë, që shkaktohet nga ndërhyrja e Serbisë, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatëshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe brenda Serbisë.”  Ky kërcënim u përsërit disa herë edhe nga ish-Sekretari i Deaprtmentit të Shtetit Uorren Kristofer, në mandatin e parë të Presidentit Klinton, por deri në masakrën e Reçakut mbeti vetëm një kërcnim në letër.

Por ishte masakra e Reçakut dhe dëshmia e një ambasadori amerikan mbi këtë tragjedi, mbi tragjedinë që kishte pa në atë fshat ambasadori Uoker, që zgjoi ndërgjegjen e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në NATO, por edhe të botës mbarë,  e cila bëri që paralajmërimi kërcnues i administratës së Xhorxh Bushit të parë me rastin e  Krishtlindjeve të vitit 1992, më fund të zbatohej.  Si përfundim, më 13 tetor, 1999, për herë të parë në historinë e saj, organizata e Atlantikut Verior, NATO autorizon komisionin ushtarak të saj që të fillonte planifikimimin për ndërhyrje ushtarake në Kosovë.

Shpesh mendoj me vete, po të kishte qenë në atë kohë në Kosovë ndonjë përfaqsues tjetër nga ndonjë vend europian e jo Uilliam Uoker si Shef i Misjonit Verifikues i Organizatës për Bashkpunim dhe Siguri në Europë, çfarë do të kishte ndodhur me rrjedhat historike të Kosovës?  A do kishte pasur një përfaqsues tjetër, fuqinë dhe ndërgjegjen morale që të shkonte e të vërtetonte vet se çka kishte ndodhur në Reçak.   Ose çfarë do të kishte ndodhur nëqoftse Ambasadori Uoker mos të kishte shkuar për të parë vetë me sytë e tij tragjedinë në Reçak.   Unë besosj se do të kishte pasur masakra si të Reçakut anë e mbanë Kosovës dhe askush nuk do të dinte gjë për to.  Ambasadori Uoker kollaj mund të kishte shkruar raportin nga një zyrë e ngrohtë në Prishtinë e ta dërgonte në Vjenë, duke informuar OSBE-në se ‘sipas raporteve thuhet se ka ndodhur një tragjedi në Reçak, por rrethanat dhe hollësitë nuk dihen’.  Dhe me aq ai e kishte kryer detyrën e vet.   Por jo!  Ai si diplomat i regjur e me pëvojë, e ka ditur se një raport i tillë nuk do të kishte pasur kurrë efektin që do të kishte dëshmia e tij e gjallë, duke vajtur vet në vendin e ngjarjes tragjike në Reçak duke e bërë më të besueshme deklaratën mbi masakrën që kishte pare në atë fshat.

Andaj në këtë 15-vjetor të këtij krimi të shëmtuar nga forcat  kriminele serbe, të kujtojmë, natyrisht me respekt dëshmorët dhe martirët e rënë të Reçakut dhe familjet e tyre, por njëkohsisht të mos harrojmë as diplomatin amerikan, ambasadorin Uilliam Uoker, i cili me guximin dhe kurajon e tij zgjoi ndërgjegjen morale të botës, e cila falë dëshmisë së tij, u njoh për së afërmi me mizoritë që po bënte Serbia me dekada në Kosovë kundër shqiptarëve dhe më në fund bëri që  NATO të vendoste që të bënte diçka për t’i ndaluar masakrat serbe kundër shqiptarëve, duke ndërmarrë një sulm ajror kundër Serbisë dhe forcave të saja në Kosovë.  Të rënve Zoti u faltë paqën dhe mikut tonë, ambasadorit Uilliam Uoker Zoti i faltë jetë dhe shëndet!

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Kosove, masaker dhe krim kunder njerzimit

KODI PËSHTYMOR

January 15, 2014 by dgreca

– Një betejë “brumësore” për sheshet heroike /

(Disidenca, termi dhe vlera e saj, si çlirim shpirtëror nga autoriteti dhunëtar i Kishës apo tiranisë politike, ekziston tash 400 e ca vjet (1573). Porse, fatmjerisht, ky nënqiell nuk i njohu kurrë!)/

Shkruan: Endrit Dukagjini/

1.

Një tepih i kuq i shtrirë, si rëndom, me elegancë solemne. Në në skaj të tij qeveritarë e homologë dhe, natyrisht, gazetarë të shumtë. Prisnin një zonjë të largët nga Europa. Ishte opozitarja e kierarkisë së epërme gjermane Angela M., që zbriste për vizitë në Vashington. Rrëfimi i saj i parë kje idhnak e gjithë pezm. Flet e nxinë keq politikën e oponentëve të saj pushtetarë. E, përmes tyre dhe vëndin e saj të mirë. Ja që nuk paskësh qenë ky cen vetëm ballkanës. Pushtetdashja errëson arsyen e pështjellon ndjesitë gjithkund. Pra edhe në Europën e ligjeve dhe skrupulave, të rregullsisë dhe traditave shtetërore. Një urtak me nam e i veçantë, ndjek kronikat e ligjërimit ankimor të Angelës dhe reflekton i trishtuar. Nobelisti i letërsisë Günter Grass nuk zgjedh heshtjen. Ngre zërin e revoltës si sot e përherë. Dhe s’kish si t’mos bëzante për këtë cinizëm. Të rrëzosh gurë mbi Atdheun nëpër botën e huaj vetëm për një post politik? Për një karrierë kancelareske? E ultë, shpërthente ai. E mnershme dhe e papërkitshme me edukatën kombëtare. Këtë jokonformizëm lapidar (ndonëse afektivisht majtist) do ta dëshmonte ai përjetë. Poezia e bukur e rebeltare kundër shantazhit që shteti izraelit, me mbështetjen dhe uratën e fuqive perëndimore, i bën paqes së përbotshme, ishte prova dhe përndritja e gjallë e yllit të tij të lirë.

2.

Dijetari i vërtetë është, prandaj, prore në opozitë. Është armik racor i të keqes. Veçanërisht kur ajo vjen, jo nga Hyu, po nga bijtë e njerëzëve mbi tokë. Në viset e Arbërit, ndërkaq, ka ende shumë për të mësuar mbi refuzimin e  pakëmbyeshëm intelektual. Largina ndaj princit dhe konzistenca e munguar, janë pikëdobëta, squllosja dhe raporti problematik me ndërgjegjen krijuese. E, gjithësesi, dhe me ftomat udhëkryqëse kolektive. Piketat e shenjëzimet dhe referencat e animet – ndërrojnë ritmikisht me lëvizjen diellore në kupën e kaltër. Luledjellësa të kulluar, ata pohojnë e mohojnë, shejtnojnë e profanojnë milje, procese e titaj fuqie në orët e përbaltura a zenitore e tyre. E bardha nxiroset, teksa e zeza zbardhet e borëton argjendërisht në lavjerrësin nuhatës të konjukturës.

Nuk bëj aspak mohësin e meritorsisë së tyre (për çka kam shkruar qindra herë) – në letra publicistike dhe burgje, megjithëse i pari është ekzemplar i pashoq për kundërthënësinë, tautologjinë lodhëse e gjuhën e drunjtë, kurse i dyti, një pëndestar e kaotist i moshës së muzgët i cili, në një roman të tij që i përket letërsisë serbo-shqiptare, i dedikon dashnores imagjinare, ose jetës vetë, ofshamën zhgënjyese “se isha (e nuk duhej) vetëmohim, e tani, e dashur, do të jem vetëpohim”! Mirëpo klaviatura e luajtur së fundmi në debatin e ethshëm e plot zhurmë, vulos rrotullimet e befta e dëshpëruese mbi piemontët e lirisë. Për hirin e të drejtës, evokojmë ca dromca që, disi, autoportretojnë ata në këtë shtjellën e sertë pasvajtëse.

3.

“Gjëndja jonë është si buka”, thoshte gjatë vitesh të 90-ta (për shtypin kosovar, para luftës) më i shquari tribun popullor  e nismëtar diskursi të tanishëm mbi shqiponjat e laraskat, në ngasjen për të shestuar një shtegdalje nga realiteti represiv dhe i përbuzshëm kolonial. “Pajtimisht me këtë simbolikë”, elaboronte ai mëtej, “dhe rezistenca kundërserbiane nuk mund të jetë as korja e sipërme e armëve dhe as korja e poshtme e agonisë pacifiste”. Po cila aherë? Duke përjashtuar pa asnjë ndërdyshje luftën si opsion çlirimtar, ai ofronte në vend të saj, strategjinë skofiare e mëshirëplotë të asnjanësisë dhe përgjigjej: brumi midis tyre! As luftë, as paqe! Vetëm brum i paformë, i pashije dhe frymëkëputës. Kjo dhe bredhëritja e tij anekdotike prej shterpari konceptesh e taktikash të pambara, ndoshta, do të ketë qënë një nga shtysat e ligjshme që një tjetër figurë e lakuar si epiqendrore a supreme e arenës publike, të pohonte asokohe pendueshëm: “Mendoja se ai” (aluzion për autorin e tezës së koreve ekstreme),  “me të dalë nga burgu duhej të vëhej në ballë të frontit qëndrestar, por tash nuk mendoj më ashtu”!

E, ç’ndodhi pas kaq motesh? I qëndronte ende, me besë e parimësi, vlerësimit të atëhershëm? Jo, jo! Tani është rrethnajë tjetër. Gjetësi intuitiv i “dy koreve” të bekuara ka nisur, tashmë, një betejë të re jetëvdekëse që i vete fort për shtat “Supremësit epiqendror”, në rendjen e kahershme për olimpin e perëndishëm. Ndaj riqarkullon ai fjalësinë e pietetshme e glamuroze për “Admiruesin e brumit”, si luftëtar të paepur kundër paqësorizmit nënshtrimtarë që kje sabotuar e ndërskëmbcuar padrejtësisht për të marrë, si shprehet, “atë çka i takonte”: frerët e Lëvizjes kombëtare. E çuditshme? Aspak! Lakadredhjet janë ves, normë dhe gjallim i tij. Më parë ishte një tjetër, “Korifeu i pushkës” drenicare, varri i establishmentit sërbian në Kosovë, kurse tash, kur këtë e dikton kodi i pështymëlëpirjes, ai sposton atë, duke glorifikuar sërish të parin, “Veteranin e hapsanës”, si themelësin e lirisë. Gjithnjë brënda këtij kodi të pështirosur, ai dhe mandantët  e zvargur, shlyejnë dominancën e pashlyeshme të një faktori të tretë fuqidhënës: metamorfozën gjeopolitike të Europës, e cila, me daltimin mjeshtëror amerikan, do të rrafshonte kryeqytetet sllave të territ e robnisë. Jashtë rrezes së tij, as pushka e as hapsanja nuk do mjaftonin të jetohej ëndrra e bukur pavarësiste. Është e ditur, gjithashtu, se pa vullnetin mëndjes dhe sakrificës elitare, asnjë popull nuk  mund të trokiste në dyert e hekurta të interesave të mëdhenj. Por në Europë vijon të ekzistojë “Shoqata e popujve të rrezikuar” (Göttingen). Përse? Sepse ende (Baskë, Irlandezë) ka të tillë. Edhe ata kanë epopetë e veta të grilave e të zjarrit. Veç, fatkobsisht, projekti i tyre i bardhë bie ndesh me planimetrinë e zezë të skenaristëve të epërm. Kurse dhimbja e loti nuk i lëvizin dot politikat e strategjitë e kancelarive të hirta dhe zemrat e gurta të krerëve të tyre.

 

Ndaj, si u bë që “Supremësi”, anise absolvent i shumë stileve të mundjes, të katapultojë tejdukshëm kështu? Të vëngërojë a heshtojë kaq lehtësisht kornizimet e hershme mohore që i bënte dhe, poaq, të bëmat e të thënmet tjera ingjenioze që kontrastojnë pikëllueshëm profilin e shpellosur të “anti-korësit”?

 

”Brumësi anti-kore”  pat hedhur në tregtizën politike dhe margaritarë të tjerë nëpër stuhi vitesh. Do të prononcohej botërisht (për Televizionin frëng, gjatë luftës): “Edhe tek unë erdhi e trokiti në derë milicia serbe, por me dy-tri fjalë u morëm vesh paq dhe ata shkuan në punë të vet.” Mrekullore! I fajshëm ishte, rrjedhimisht, vetë njeriu shqiptar që, duke qenë i pakulturuar, nuk mirëkuptohej dot me këtë milici fine millosheviqjane tek vriste prej zori, e zënë ngusht nga keqsjellja e atyre që donin jetën. Dhe e ëndërronin atë të lirë. A s’ishte kjo një dhuratë e kushtueshme për mbeturinat imperiale të Rendit të moçëm, në revanshin e tyre ndanë legjitimitetit të së drejtës indipendiste të Kosovës?

Pastaj, kulmorja (për shtypin e ish jugo-zonës, pas luftës): “ Nato-Pakti hyri në Ballkan si elefanti në qelqëtore lulesh. Nuk pati nëvojë për ndërhyrjen e forcës, sepse ne do të binim në ujdi shumë më mirë pa të”! Linte, ashtu, të instrumentohej vullnetarisht e krekosshëm për makiazhin belgradas që duhej të përçonte fisnikëri dhe legalizëm anëpërtej rrokullisë. Rezultonte, që këtej, përfundimi brilantin se Diplomacitë dhe Ushtritë perëndimore kishin ndëshkuar fashizmin e paqenë dhe armikun  e gabuar. Madje më keq akoma, do t’kenë prishur idilën e fiseve gadishullore që ishin gati të gjenin dashunisht formulën e bashkëjetesës prrallore! Mesazh më fatal s’mund ti dërgohej aleatëve që ende  përplaseshin për legjitimitetin intervencionist dhe, ndërkohë, kishin atashuar asistencën e shtetndërtimit në truallin e lirë!

Dhe prapë (në paraqitjen për mediat serbiane, krejt tevona): “- A frikësoheni zotni që ndodheni në Belgrad”? “- Jo aspak, shpirti jeton edhe pas vdekjes”! Besimi në përtejsinë ishte në të drejtën e tij, por kishte vajtur atje për të mbrojtur vetëjetesën sovrane të popullit të tij në këtë rendin toksor të papërkryer të gjërave, apo të teologjizonte për kurmin e frymën, për pluhurin e qiellsinë? Në pyetjen eminente politike, përgjigja jepej dredhshëm e me gjuhë të marrëzishme klerike. Po të gjykojmë me këtë mëndësi religjioze punët politike, aherë për ç’iu desh shqiptarëve shteti i dytë? Gjaku i shtrenjtë i lindjes a djersa kotnare e kultivimit të tij? Le të mbaheshin më mirë larg helmit të jetës së përkohshme mashtruese, në pritje të lumnisë së amshuar!..
4.

Mirëpo dhe “Supremësi” s’mbetet aspak poshtë “Brumësit” dhe kredos së tij mjegullore. Ka një pirg me diamantinë të ngjashëm të zinj. E imagjinoni dot një humanist të proveniencës etike të identifikohet shërbyeshëm me qendrën e fuqisë politike e të  kërkojë arrestime për kundërshtarët e saj? Të prejudikojë verdikte dhe t’bëj vaj pse s’pati e të hymnizojë gjyqet ushtarake? Apo t’ia shohë për të madhe një letrari tjetër që s’kishte bërë burg nën diktaturë, ndërsa vetë kishte njëmijë e një arsye më tepër për këtë në tokën e okupuar. Biles, një të vetme herë gjatë atyre viteve do ta përmendte burgun, por për të fyer ata që kalbeshin qelive të errta të tij. Që në krye të një libri polemist ai, në vetëprezantimin lajelulës, mburrej: “ Nuk kam qenë kurrë i burgosur”! A nënkuptonte kjo se, ndërsa ky krenohej, ata duhej të turpëroheshin pse digjeshin, jo si ordinerë – por për kauzën liridashëse? Kur këtë ia kërkonte një tjetri, pse vetë nuk ishte aty? Klasa e të burgosurve, dalëzotës i së cilës do të vetëshpallej vetëm kur do të abrogohej penalizimi i deliktit verbal dhe pa qenë i ftuar a i dinjtetshëm për këtë, nuk kallej atje poshtë as për luksin e demokracisë nën krusmën e pushtimit – por për mëvetësinë nacionale. Po ky, “Supremësi” nuk e bënte as njërën dhe as tjetrën. Përkundrazi, gëzonte ofiqet e dheljen e ngrohtë oficiale të eprorëve bolshevikë, sllavë e shqiptarë, që i përligjë e justifikon përulshëm gjithherë!

Është i pafund pusi i përjagieve, por kësaj here fokusojmë veç një hark kohor specifik.

Në prakçlirim, ai theksonte: “Nuk them se politika lëdëkëiste është një vepër trathtie të paramenduar, por ajo është, thjeshtë, e gabuar!” Pra nuk implikonte fare qëllimin e keq. As mëndjen e ligë. Apo dhe mefistofelizmin demoniak. Ndërsa këtoditshëm, menjëherë pasi zbulestari i “dy koreve” do të shprushte hirin, Ati kujdestar i gjithçkajes që merr frymë në universin shqiptar, me instinkt dhelpëror, kapte nervin e çastit të maturuar për të dalë letargjie dhe frike të shuarjes. Kur “Brumësi” e cilësonte “frikacak” një mëtues tjetër për epitetin e Mandelës që ky e kishte rezervuar për vete, ndihmëtari i tij, “Supremësi” zelltar, do ta korrektonte atë shpejt, preras e rëndshëm: ”Jo”, thoshte, “nuk ishte frikë”. Dhe shtonte dënueshëm: “Ishte trathti”!

I lëndueshëm keq në temën e frikës, sepse ishte dhe vetë ikanak i tebdilosur i Bllacës, ai bën distinkcionin manovrues. Tërhiqet dhe adopton rrafshin e “trathtisë” ku pretendon dëlirësinë. Po a është kjo struhera e sigurtë e tij? Nuk ngjan shumë e besueshme. Fundja, a nuk është oborrtarizmi intelektual, sidomos në regjimet autokratike, një trathti e lartë morale? E ishin, ai e galeristët e tij, verniltarë të pamposhtur klikash tek vëzhgonin vetëm fanarin e polit të mujshisë. Për sa kohë do të shtrëngohej në grushtin bravuroz të së kuqes jugosllaviste, vegjetonin aty dhe herrnin privilegjet e arta, por kur piramida shkërmoqej e dërgonte kumtin e kalesës në anën përballëse të së kuqes që përshfaqte dimension tjetër kombëtarizme, behte papritur kapërcimi i bujshëm, e çuditërisht krenar, në  krahun e saj. Natyrisht, spërkatja e gjithmonshme e të kuqes me gjakun pafajsor, është krejt dytësore. Përparsia i përkiste prehjes në lozhën e epërme dhe në ballë të aradhës së intelektualëve të shtruar: dhe ky interes vetor, të cilin do ta njëjtësojë me interesin kombëtar, e shpesh të shaluar mbi te, mund të mëkohej më së miri duke qenë afër prijësit kodosh të instancës komitetare, atëbotë dhe të elitës së ish-ilegalistëve të pushtetuar, sot. Në fakt, brejën e afrimitetit nuk e kishte imanente e të çiltër. Nuk e lëngonte aspak kuqosjen e tij të alltë herake. Madje, do ta ruante merakosshëm në kujtesën e begatuar me shërbesa lojale, emnesa e tituj kierarkikë, rrudhje të drejtash të tjetrit, arbitrimin e parë… E kuqja ishte vetë ai. Prej saj, ashtu si prej vdekjes, edhe po të donte, nuk mund të këputej dot. Po përse ta bënte? Ai s’mund t’ishte askush tjetër përveçse e kaluara e tij, një lulnajë vëllazërisë së ngrohtë proletare. Ndaj, për idhujtarët që dezhurojnë prore pranë tempujsh ideologjikë, e kuqja, komitetëse dhe ilegaliste, këto dy skaje që i përbashkonte ngjyra, por i përveçonte virtyti i flijimit, mbeten përjetësisht drama përkallëse e fundjetës: rroba dhe, njëkohësisht, qefini i tyre!

E, pra, termi “frikacak” i poentuar në kundrimin e “Brumësit” që i ngjante i kadifenjtë e amnestues, ishte, si me thënë, pjesë e këtij kalvari shndërrestar. Mbase  “Frikacaku” kje i tillë. I poshtënënshkruari i këtyre radhëve nuk i bën apotheozë atij dhe asnjë kooperative të përtashme politike, aq më pak ansamblit të tyre paraçlirimtar. Po këta të dy? Ishin frikamanë? Nëse nuk patën frikë, aherë përse nuk u flijuan në zallahinë e flakës kryengritëse? Apo, nëse nuk e bënë këtë vetë, aherë përse i kurseu dora e gjatë serbiane, kur, sado të mbuluar nga protagonizmi ose ferexhja, mund ti arrinte gjithmonë?

Tani, si kurorë e trajektores së “Supremësit”, vjen fragmenti hijekeq në stuhinë e atij fundmijëvjeti dramatik. Në një rast (e në një libër) tjetër, që do ta mësonim pas luftës, ai, si një arnesar i përvuajtshëm i kultit të tij zhelan, monologonte : “eh o i mjerë, erdhe këtu në Parisin dimëror dhe nënshkrove autonominë për Kosovën nën Sërbi”! Akti ishte, padurueshëm, i vërtetë. Grafikoni i vrojtimeve tejpamëse të tij rrëzohej vazhdimisht. Shkelte mbi ide e fillesa, si mbi barin e fushës së shkretë. Kishte pleduar fillimisht bashkimin e Kombit nga ambientet komode kabinetike, më pas, kur themelonte një Lëvizje politike alternative në mesdekadën e fundme të qindvjetshit të ikur, pati rënë në Republikë (të federuar, mbase, me Jugosllavinë e tretë të Zhablakut të cilën e preferonte dhe folësi i Ushtrisë çlirimtare J.K., në një prononcim për “Europën e lirë”) dhe në Konferencën parisiene të paqes (viti 1999), vegimi i tij politik mbyllej me status Autonomie nën stemën e shtetit sërbian. Meqë gjëma, me shkronjë e mes tyre (më pas do të interpretohej si pragmatizëm dhe real-politikë) ishte e ligë, a ishte, njëherësh, vërtetësisht i paqtë e katarsist, pranimi i hapur i saj apo veçse një shtirje e shplarje hipokrite para popullit dhe historisë?

5.

E kësisoj, krejt ndryshe nga kolosi Grass, këta miqët e tij të penës e aktivizmit, kanë njësuar mënyrat e instrumentet, kanë retushuar biografitë e figurat dhe kanë rinuar pozicionet e aleancat për të arritur caksynimin e dyfishtë: pakti me politikën dhe vëndzënja në tempullin e lavdisë. Meraku sfilitës është i përnatshëm e gjumëprishës. Kurse sheshi, ah ky sheshi i ngratë, është aq i vocërr për tu lënë pak hapsirë të gjithë heronjëve të luftës e punës, të burgjeve e letrave, të korrupsioneve patriotike dhe të pushteteve të shkërdhyera. Emblema ngado. Merita. Supore. Por dhe populli, ah ky popull, tepër i vogël i gjori për madhështinë e tyre. Ndaj, mbase, nuk duhet vonuar e Guverna vizionare, pedante e altruiste e Kosovës, të ndajë fonde buxhetore për një shesh të ri madhor. Mbi të ose poshtë tij. S’ka rëndësi. Mjaft që të ketë vënd për kuaj me njerëz  dhe për njerëz pa kuaj, dinjitozë të dytë, për shtatoret e përjetësisë. E populli? Si ta shtojmë e përzgjërojmë atë? Vështirë, mjerisht! Mirëpo, për ngushëllim, nëse jo numërin – aherë, së paku, ta përnaltësojmë shpirtin e tij, që të njohë e parzmojë madhnorët në arkivin e tij! E, diku në një nga raftet e veçuar, të palosë edhe “Brumësin” që s’i trëmbet mortit trupor, edhe “Supremësin” që heq e vuan për grabitjen e shesheve heroike. Le të lutemi për ta. Për jetën e këndejme të statujtë dhe për faljen e andejme të Rregullatorit suprem.

Është vështirë të bësh jetëshkrimin e kohëve dhe rendeve politikë, shkruan Ch.G. von Krockow (“Portret burrash të shquar gjermanë”), sepse vetëm në shekullin e 20-të, gati të gjithë, 4 në Perëndim e 5 sish në Lindje, afishoheshin si armiqë të sistemit pararendës. Është e dhimbshme të mendosh, ndërkaq, që dinjitarë të quajtur  formatmëdhenj, ishin përherë në bedena kundër armiqësorëve të ikur dhe asnjëherë (ose rrallëherë) kundër sistemeve a rendeve pozitivë, nga të shumtët e poshtnorët që përftuan këtyre trojeve. Disidenca, termi dhe vetë vlera e saj, si çlirim shpirtëror nga autoriteti dhunëtar i Kishës apo tiranisë politike, ekziston tash 400 e ca vjet (1573). Porse, mjerisht, ky nënqiell nuk i njohu kurrë!

Kushedi, mbase ka gjithnjë kohë për fisnikërim a përdhosje. Të rënët dhe kujtimi i tyre nuk janë drynuar ende thellë e paprekshëm në legjendën e lashtësisë. Janë promemorje e gjallë mes nesh. Currilët e rinj të gjakut pikëzojnë sërish mbi gjurmët e vjetra të tyre!.. (Ilustrimi: Karikature nga mjeshtri Medi Belortaja)

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Endrit Dukagjini, Kodi peshtymor

PRESIDENCA E RADHËS E BASHKMIT EUROPIAN NGA GREQIA

January 14, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Me 1 Janar, Greqia mori presidencën e radhës të Bashkimit Europian (BE) dhe sot më 15 janar, Kryeminsitri i Greqisë, Antonis Samaras do t’i paraqesë sesjonit plenar të BE-ës në Strasburg prioritetet e presidencës greke.  Sipas burimeve të cituara nga media, prioritetet e presidencës greke për BE-ën, gjatë gjashtë muajve të ardhëshëm, do të jenë rritja ekonomike dhe krijimi i punëve të reja, zbatimi i marrëveshjes historike bankare që është arritur fundin e vitit të kaluar nga ministrat e financave të vendeve europiane, si dhe politika e imigracionit dhe e çështjeve detare.

Disa analistë po e krahasojnë presidencën greke e radhës të BE-ës  si një tragji-komedi greke, duke marrë parasyshë se gjatë tre viteve të kaluara ishte Bashkimi Europian ai që i dha Greqisë një hua prej  më shumë se 320-miliardë dollarësh në përpjekje për të shpëtuar ekonominë greke nga një falimentim i përgjithshëm.  Kjo, përball edhe një papunësie prej 30-për qind dhe të një papunësie prej 58 për qind  në radhët e rinisë në Greqi dhe përball zemërimeve dhe pakënaqësive në rritje që, sipas ekspertëve mund të çojnë në trazira anë e mbanë vendit.

Por megjithë këto probleme, Kryeministri grek, Antonis Samaras duke u shprehur më optimist, ka thënë se masat shtërnguese që ka ndërmarrë vendi i tij, të imponuara  nga BE, kanë shënuar rezultate dhe se viti i ri do të sjellë, “mundësinë e këthimit të normalitetit”.   Edhe zyrtarët europianë, përfshirë edhe Presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, duke pretenduar se Greqia është në rrugën e ringjalljes ekonomike, ka thënë se megjithë problemet  e mëdha që ekzitojnë gjithnjë, “Greqia e ka kaluar periudhën më të vështirë të krizës…..dhe se është shënuar një përparim i dukshëm.”

Por vërejtës të tjerë e shikojnë ndryshe krizën ekonomike dhe gjëndjen eksplosive shoqërore që ka pllakosur Greqinë me vite tani, dhe kanë mendime të kundërta  mbi  presidencën e radhës të Greqisë duke thënë se Athina do të përballet me sfida të mëdha gjatë gjashtë muajve të presidencës së radhës të Bashkimit Europian.  Ata thonë se masat shtërnguese ekonomike dhe financiare kanë detyruar pushimin nga puna të më shumë se çerekut të  forcës puntore, duke hedhur qindra mijëra familje nga niveli i jetesës së klasës së mesme në një nivel varfërie — duke krijuar kështu, sipas tyre,  një gjëndje që nuk mund të tolerohet më. Ata theksojnë gjithashtu se nuk në radhët e qytetarëve grekë, ekziston besimi që udhëheqja e Greqisë është e aftë të heq vendin nga situata e rëndë në të cilën e ka zhytur veten, dhe aq më pak të jetë e aftë të kryesojë BE-ën.   Aris Chatzistefanou, një gazetar grek i cili ka punuar për BBC-në britanike dhe për disa media greke tha në lidhje me aftësitë e vendit të tij për të udhëhequr BE-ën se, “të thuash se një shtet si Greqia mund të udhëheqë Bashkimin Europian, është njësoj si të thuash se një republikë bananesh në Amerikën Latine të viteve 1970,  mund të kishte ndryshuar politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”, dhe shtoi se “Greqia nuk mund të bëjë asgjë dhe se këta janë vetëm një cirk njerzish që pretendojnë të udhëheqin BE-në.    Gazetari tjetër grek Mathaios Tsimitakis, në një koment i krahasoi problemet përball të cilave gjëndet vendi i tij, me një tragjedi të Greqisë së vjetër, plot e përplot tragjike, sipas tij, të “shkaktuar nga vendime të gabuara, nga dështimi i moralit dhe nga mungesa e karakterit”, dhe shtoi se edhe  analiza që qeveria greke u ka bërë shkaqeve dhe e pasojave të krizës, është gjithashtu tragjike.  Përveç problemeve politike dhe ekonomike të mbrendshme, presidenca greke e radhës në krye të Bashkimit Europian, përballet edhe me faktorë të jashtëm, që do të pengojnë arritjen e ndonjë suksesi.  Janë zgjedhjet për parlamentin europian që do të mbahen  në Maj si dhe përçarjet serioze në radhët të BE-ës  në lidhje me përpjekjet tepër delikate për të krijuar një sistem të përbashkët bankar.  Në lidhje me këtë Zsolt Darvas, një ekonomist pranë Institutit Bruegle në Bruksel i tha agjencisë franceze të lajmeve se, ai “nuk pret që presidenca greke të jetë aq e suksesshme në krahasim me presidencat e mëparshme”, dhe theksoi se, “do të jetë shumë e vështirë për Greqinë të realizojë agjendën e saj, kryesisht për arsye të problemeve të saja të mbrendshme,  por edhe për arsye të mos efikasitetit të administratës publike të Athinës, si edhe për shkak të presioneve të kohës që imponojnë zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Europian”, që do mbahen në Maj.

Megjithëse Athina zyrtare ka premtuar një presidencë “spartane” të radhës në BE, dhe ndërkohë që kryeministri grek Samaras e ka cilësuar presidencën gjashtmujore greke, si një “presidencë e shpresës për një Europë më të madhe dhe më të mirë”, analistët janë të mendimit se kur të merren parasyshë problemet e mëdha politike, financiare dhe ekonomike të lartë përmendura, me të cilat përballet sot Greqia –mundësitë për realizimin e pritjeve dhe  të shpresave për një presidencë të suksesshme greke duken tepër të vogëla, për të mos thënë të paqëndrueshme.

Por për fatin e mirë, presidenca e radhës e BE-së është shumë më pak e rëndësishme se ç’ishte më përpara,  ç’prej zgjedhjes së një presidenti të Këshillit të Europës më 2009 në bazë të traktatit të Lisbonës – post ky që sot mbahet nga belgu, Herman Van Rompuy.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Presidenca e Greqise

Mbi marifetin psikanalitik “loyalty mod” të Ardian Vehbiut

January 14, 2014 by dgreca

….Është qesharake, denigruese që të marrësh këtë moment të reagimit të një grupi tankistësh në romanin “Koncerti”e ta përcaktosh si model të shprehjes të dashurisë e besnikërisë së shkrimtarit për partinë…. Më naive apo më fëminore s’ka si bëhet/

 Nga Minella Aleksi/

Më tërhoqi vëmëndjen një shkrim i A. Vehbiut para pak ditësh te gazeta Exspress ku ai për të shpjeguar dukurinë sipas tij “Tradhëti e besnikëve” kishte gjurmuar e gjetur modelin fanta-shkencor të ofruar në librin Quarantine.Më bëri përshtypje të veçantë endja gjatë e gjatë e modelit për të dalë më në fund te roli i shkrimtarit Kadare përgjatë viteve të diktaturës “si besnik i E. Hoxhës”.Ata lexues që janë të interesuar i ftoj ti shkojnë deri në fund këtyre argumentave që parashtroj pavarësisht nga vlerësimi pro ose kundër. I ftoj mbasi nuk dyshoj që studjuesi i përmendur në këtë shkrim do bëj të heshturin, do bëj si ajo vajza kur dikush i futet në shtrat, ajo bën sikur fle.Me mënyrën sesi z.Vehbiu e argumenton opinionin e tij nga vepra e Kadaresë, ky episod prej tij merr sot një rëndësi që edhe për kohën kur ka ndodhur nuk ka pasur ndonjë vlerësim apo jehonë. Është qesharake, denigruese që të marrësh këtë moment të reagimit të një grupi tankistësh në romanin “Koncerti”e ta përcaktosh si model të shprehjes të dashurisë e besnikërisë së shkrimtarit për partinë…. Më naive apo më fëminore s’ka si bëhet.

Shkurt për dijeni të lexuesit. Loja ushtarake me rrethim të godinës së komitetit të partisë është një ndodhi që nuk është krijuar nga fantazia e shkrimtarit. Ajo ishte diçka reale, e pëshpëritur, të cilën qytetarët kur e dëgjuan e konsideruan si “gomarllëk” të atyre që e menduan ndërsa refuzimin e komandës tankiste si shprehje të frikës e të servilizmit ndaj partisë.

«Koncerti» është vepër themelore e Kadaresë, e përkthyer dhe e çmuar në gjithë botën si një nga tablotë më të pamëshirshme të komunizmit. Kur kritika botërore përmend shprehjen «atmosferë shekspiriane», si referencë kryesore merret ky roman. Kurse për studjuesin tonë, meqenëse një nga personazhet e rastit të librit, një oficer me bindje komuniste, i cili nuk pranon të rrethojë me tanke ndërtesën e komitetit të partisë, kjo mjafton si argument që të vërtetojë se autori ka të njëjtat bindje. Vallë nuk e di Vehbiu atë që ka mësuar çdo nxënës shkolle se autori i një romani s’mund të identifikohet me personazhet? Përndryshe ku do t’i fusnim vrasësit, të cilët te Kadareja janë me shumicë?

Në shkrimin e z. A. Vehbiu ndjehet një tis ngazëllimi sepse duket që mendon se nëpërmjet krahasimeve të paraqitura ka gjetur më në fund mënyrën e duhur për të implikuar shkrimtarin Kadare si një besnik i Kupolës (Esemble-it) diktatoriale.

Nga mënyra sesi e shtjellon idenë te shkrimi me titull “Tradhëtia e besnikëve” kërkon me ngulm të na bindë se shkrimtari Kadare ka qënë mbartës i një misioni tepër diabolik, mekanizmi i të cilit më në fund është bërë i qartë në një libër të shkruar më 1992 nga një shkrimtar australian. Një analogjizëm që mbështetje shkencore nuk i gjen dot, me të vërtetë fantazist..

A. Vehbiu për të gjetur këtë model na paska humbur shumë kohë, një çerek shekulli derisa ndeshi në librin “Quarantine” , në modelin që e ndihmoi për të arritur që të kapi “funksionin djallëzor” të shkrimtarit Kadare me librat e tij në jetën e shqiptarëve këto 50 vitet e fundit. Po mendoja, çfarë humbje e madhe, çfarë gjëme do ishte për historinë e diktaturës shqiptare sikur ky, libri Quarantine, të mos na i kishte rënë në dorë eseistit tonë A. Vehbiu. Dhe pa këtë libër në pluhurin e historisë do harrohej historia e tankistave besnikë që refuzuan urdhërin.

Këmbëngulës në obsesionin e tij për të denigruar shkrimtarin Kadare, përpiqet me shumë mundim, duke ecur në një rrugë interpretative shumë të gjatë e me shumë dredha paradoksesh. Mundohet që të bashkëngjit arsyetime të cilat kanë në thelb një kontradiktë themelore me të vërtetën e kohës për të cilën bën fjalë në shkrim.

Do doja t’i thoja ose t’i kujtoja se, ajo çka A. Vehbiu e shtron si tezë në lidhje me atë që ne njerëzit lindim me një “loyalty mod” të çkyçur e që më pas në “time and mind evolution” kyçet në një drejtim të caktuar shoqëror, na vjen e shpjeguar qartë në një botim të autorit A. O. Hickman me titull “Exit, Voice, Loyalty”, (largimi-dalja, tentativa për riparim të mardhënies, besnikëri). Tezën e tij shumë racionale ky autor e ka riparaqitur në një ese në vitin 1992 kur ka analizuar rënien e strukturës social-politike të Gjermanisë Lindore, në planin e situatës së organizatave politike dhe të situatës ekonomiko- shoqërore.

Pra kemi nga njëra anë një keqinterpretim të qëllimshëm nga Vehbiu, aspak bindës në argumentat e përdorura në funksion të një qëllimi të parafiksuar dhe nga ana tjetër interpretimin e A. Hickman Të bazuar në një teren shoqëror politik konkret, real, jo në fanta-shkencë dhe sidomos lodhës. Na u mbars mali dhe na polli një mi “tankist”. Në këtë rast artikulli psikanalitik me këtë motivin e tankistëve ngjan sikur është kërkuar me urgjencë. Ndoshta nga mungesa e shkrimeve anti Kadare kohët e fundit ishte krijuar një boshllëk!??.

Në shkrimin “Tradhëtia e besnikëve” A. Vehbiu e quan shkrimtarin Kadare “kallëzimtari i romanit”, një mënyrë tepër banale të shprehuri për një studjues, i cili me sharlatanizëm letrar duket që na thotë se bëhet fjalë për një të tretë, për një kallëzimtar i cili egziston veças romanit dhe autorit. Sikur të bëhej fjalë për një gazetar i cili në nëj film dokumentar komenton ngjarjet që pasqyrohen në film. Kjo mënyrë të shprehuri më duket tinëzare, pak prej frikacaku, ku u thotë lexuesve se kemi të bëjmë me njëkomentues që kallëzon. Në fakt kallzuesi është vet denigruesi, Vehbiu. Kjo e ka kapsulën e helmët të mbuluar me shejtanllëk. Ngaqë një njeri i thjeshtë kur lexon hyrjen e artikullit të Vehbiut, psikanalizë krejt pa vend, e kupton dhe i beson në mënyrë naive. Për inerci i beson edhe përrallës së oficerit tankist që refuzoi rrethimin me tanke të komitetit të partisë dhe për pasojë shkrimtari I.Kadare duke afirmuar këtë fakt ka firmosur si të thuash dhe ai besnikërinë e tij ndaj E. Hoxhës. (Këtë kërkon e don të thotë Vehbiu). Ku e paska gjetur në gjithë atë roman voluminoz, që përshkruan një realitet të frikshëm e që mosha jonë e njeh kaq mirë, mikroepisodin e tankeve!. Z. Vehbiu të më falni po në qoftë se në këtë roman kaq të trishtë nuk keni ndjerë një lloj talljeje të hollë që nga fillimi deri në fund që Autori i bën regjimit dhe jetës së asaj kohe, nqse ju jeni njëqind përqind i sigurtë në atë që shkruani dhe konstatoni, në këtë rast unë do ju kërkoja sinqerisht një ndjesë të fortë për analizën kritike që ju bëj. Dhe do u jepja një këshillë: “Mos shkruani më se jua marrin për ters”.

 Natyrisht që për sa po parashtroj në këtë artikull nuk kanë për të më munguar etiketimet si adhurues, partizan i verbër i Kadaresë, etj, etj. Me këtë rast dua të vë në dukje që shkrimtarin Kadare e kam takuar, kam pirë kafe po aq sa herë kam takuar dhe kam pirë kafe me shkrimtarin H. Balzak, shkrimtarin E. Heminguej, shkrimtarin E. Remark, shkrimtarin D. Buxati, etj. Pra nuk e kam takuar asnjëherë. Si plot të tjerë kam shijuar pafundësisht artin në veprat e tyre, shoqërinë ideore dhe ushqimin shpirtëror që me talentin e rrallë këta magjistarë të mendimit dhe të fjalës kanë prodhuar për të gjithë ne.

Mendoj se nuk gaboj në konstatimin që, A. Vehbiu e ushqen veten në mënyrë rritëse i nxitur edhe nga ata të njohur përreth tij që e lëvdojnë se ai tashmë është një eseist i afirmuar, më shumë i prirur si eseist sesa si shkrimtar. Do uroja me gjithë zemër që kjo të ishte kështu. Mirëpo i endur në dy dekadat e fundit sa në një vend në një tjetër në kërkim të afirmimit, Vehbiu nuk ka sjellë ose parashtruar ndonjë test bindës që të bind një opinion me ide apo tezë që të tërheqë vëmëndjen e opinionit kulturor. Mënyrën më të mirë për afirmim dhe përfitim ka gjetur atë të hedhjes herë pas here të mendimeve kondraverse mbi aspekte të veprës së shkrimtarit Kadare. Kam përshtypjen se ka disa njerëz të cilët për shkak të rrethanave, (origjinës familjare e të shoqërisë familjare përreth tyre), ushqehen dhe fillojnë të kenë një autovlerësim të lartë të mbështetur në opinionet që thuhen lartë e poshtë për kapacitetin e tyre që në fillim. Kapacitet që mendoj se më shumë iu atribuohet nga lidhja që u bëhet me familjen e tyre të njohur në shoqëri, me emrin e një prindi që si profesionist ka shkëlqyer, etj. Pra kanë një bazë nisjeje, fillimi prezantues, hyrjeje në klasën e personave publik shumë më të kollajtë për shkak të këtyre rrethanave më sipër, sesa krahasuar me shumë të tjerë që nuk e kanë pasur këtë “pedanë” kërcimi në shoqëri. (sa për ilustrim të mungesës së “pedanës”, afirmim me përpjekjet e meritat e veta përmend gazetarët Mero Baze, Përparim Halili, M. Nano, A. Thano, etj.)

Këta lloj “kapacitetesh kulturore” si A. Vehbiu të befasojnë kur ua dëgjon argumentat e pa plota, shpesh kapërcyese në rrjedhëshmërinë e tyre, gjatë një interviste, në një bisedë serioze të nivelit të lartë, kur u lexon ndonjë libër, etj. sepse i influencuar edhe nga thëniet lartë e poshtë të ndonjë opinionisti i ke menduar si njerëz prej të cilëve do dëgjosh mendime dhe përfundime logjike që përcaktojnë rol të prekshëm, të dukshëm në ambjentin shoqëror.

Këta lloj tipash, (përfshi edhe A. Vehbiun – alias U. Eco shqiptar ?? ah, mos harroni – ka edhe një VVebsite si U. Eco) më ngjajnë si makinat e markave më të mira luksoze ku si shembull, një makine “Kadillak” mbasi i kanë hequr motorin e vet i kanë instaluarnjë motorr motorr çiklete të vjetër “Java” 250 kubik – dy kohësh. Kadillaku hijerëndë lëviz, por nuk merr dot shpejtësinë që i ka hije për emrin që mban, sforcohet, zhurmon, përpëlitet, ama merret vesh shpejt se trupin metalik e ka të klasit të parë ndërsa motorrin për fat të keq e ka të “Javës”.

 

Para pak kohësh vura re se A. Vehbiu ka publikuar një libër me titull “Sende që nxirrte deti”. Niveli i studjuesit, eseistit ku e konsiderojnë A. Vehbiun, ishte zhgënjyes edhe me këtë libër. Mendoja me vete se, eseisti A. Vehbiu e ka një mundësi të mirë, të veçantë si temë studimore, që do sillte një vlerë të pamohueshme për shoqërinë mirëpo i mungon kapaciteti intelektual për tu marrë me mëndje të hapur me atë temë. E kam fjalën për studimin dhe mësimet që mund të nxiren nga sistemi i punës me ekspertizat psikiatrike specifike që bëheshin në diktaturë nga Prof. Y. Vehbiu i madh brenda asaj filozofie që Vehbiu i vogël e quan “loyalty mod” besnikërie.

Kjo më kujtoi kohën kur mbas bashkimit të Gjermanisë shoqëria gjermane i drejtohej homologut gjerman të neuropsikiatrit shqiptar Y. Vehbiu me fjalët: nuk mjafton të na tregosh presionin që ushtronte STASS-i mbi ju në lidhje me ekspertizat psikiatrike të kundërshtarëve, raportin e detajuar të të cilave e adresonit në K.Q. të Partisë. Na shpjegoni atë tjetrën, sesa besnikë, sesa me mëndje të kyçur, me “loyalty mod” i keni qëndruar besnikë Partisë në interpretimin e këtyre ekspertizave, në rekomandimet dhe informacionet përkatëse, subjektivizmin pro partiak për individë të caktuar të pa nënështruar. Këtu mendoj se me mëndje të hapur, të çkyçur, studjuesi A. Vehbiu do ndihmonte realisht shoqërinë, do ngrihej seriozisht në nivelin e eseistit studjues. Gjë që duket se nuk ka për të ndodhur asnjëherë. As Vehbiu i madh dhe as Vehbiu i vogël nuk kanë dashur që të çkyçen në kohën e duhur, të hapen e të merren me këtë problem. Kuptohet t’a studiojnë si fenomen, si instrument dhune të diktaturës, pa cënuar privatësinë e pacientëve të egzaminuar. Kjo më bën të mendoj se te këta lloj tipash “loyalty mod” vazhdon të mbetet e gjallë dhe e shëndoshë, në kuptimin që siç pëlqen të shprehet Z. Vehbiu qeni mbetet kafshë besnike edhe kur e ka humbur të zonë, në kuptimin e pa të keq.

Shtyhem të bëj pyetjen –vallë a e ka kuptuar dhe rilexuar letërsinë e Kadaresë ky i mbajtur për gjuhëtar, A. Vehbiu ashtu si unë e si shumë të tjerë lexues shqiptar?. Përgjigjen vetes ia arsyetova thjeshtë. Padyshim, ky student i viteve kur shkrimtari jepte leksione të letërsisë moderne, është ushqyer me veprat e tij në vitet e rinisë, është e pamundur që të mos e mendojë, të mos e ketë diskutuar në ato vite rinie, nën atë frymë që e mendonin shumica jonë që e lexonim. Kur kam lexuar veprën e S. Ngjelës, gjeta rikonfirmim të atij opinioni dominues, ashtu si e kisha menduar personalisht se librat e shkrimtarit Kadare e emancipuan mendimin shoqëror shqiptar në vitet më të errëta të diktaturës. Mendoj se nuk ka sesi të jesh studjues serioz kur veprën letrare të shkrimtarit Kadare në ato vite e shikon nën optikën dashakeqe denigruese të shkrimtarit “besnik” ndaj dogmës ideologjike të asaj kohe. Natyrisht që nuk mund të pajtohem me atë denigrim të parafiksuar që në mënyrë përsëritëse autori A. Vehbiu i bën figurës së shkrimtarit me prapamendime që nuk i shpjegoj dot. Ose që mund t’i shpjegoj por me një disavantazh të madh moral për Z. Vehbiu.

Shtrohet pyetja: “përse këto sulme të përsëritura kundër shkrimtarit Kadare?” Për një gjë jam i sigurtë. Ata që e sulmojnë me qëllim të mbrapshtë denigrimi si vlerë e mendimit dhe letrave mbarë shqiptare ia njohin shumë mirë rëndësinë, ia dinë “karatët” që ka shkrimtari Kadare për kombin shqiptar. Ndryshe do sulmonin sëpaku një herë D. Agollin që edhe atë kur duan i vënë të dy në një kandar ose për atë që i ka shërbyer regjimit ose që me “Zylon”është tallur me regjimin në kulmin e forcë së tij.

Si çdo ndërtesë që ka themelet e qoshet e strukturës, njëlloj për ndërtesën e kulturës tonë kombëtare shkrimtari Kadare është njëra nga qoshet që përbën konstruktin e kulturës dhe identitetit shqiptar. Në vend të vlerave shqiptaro-europiane, ne lejojmë sulmet kundër Nënë Terezës, kundër Skënderbeut si orientim europian, kundër Rilindjes Kombëtare, mohimin dhe përbaltjen e tyre. Moment që ngjall shumë trishtim është ai kur me rastin e çmimit “Booker” në periudhën kur kandidatët e çmimit u shpallën botërisht, i vetmi kandidat që pati vota kundër prej vendit të vet ishte Kadare. Akuzat ishin aq të pabesueshme saqë në vend që ta pengonin autorin shqiptar, me siguri do i kenë bërë mirë.

Si për çdo pyetje që përsëritet edhe përgjigjet janë të shumta dhe të përsëritura. Disa përmendin cmirën që zgjojnë vetvetiu njerëzit e shquar, dhe që është e njohur kudo. Të tjerë e shpjegojnë me çmimin Nobel që, sipas tyre, Shqipëria s’duhet ta marrë. Të tjerë e lidhin me konjukturat politike, zilitë dhe rivalitetin mes ballkanasve. Ka edhe nga ata që bëjnë fajtor adhuruesit e shkrimtarit, të cilët nxisin reagimin e kundërt.

Mendoj se mllefi i vazhdueshëm kundër Kadaresë ka lidhje të ngushtë me një dimension europianist që Kadare përfaqëson. Ky është shkrimtari që jo vetëm i hapi rrugën gjerësisht letërsisë shqipe për tu integruar në atë europiane, por që idenë e Europës e ka mbrojtur në të gjitha qëndrimet e tij.

Ndoshta nuk hyj ndër ata që janë të dhënë pas teorive armiqësore dhe që shumë gjëra i shpjegojnë si fryt i tyre. Mohimi i vlerave tona, përpara se të jetë pjesë e një plani të mirëorganizuar antishqiptar, është gjithashtu pjellë e frymës së mediokritetit tonë. Më bën përshtypje, më impresionon fakti që qysh në vitet 70’ Kadareja, në nje poezi dedikuar Majakovskit, ka kapur diçka tepër të veçantë, që gjëndet tepër rrallë, në mijëra himnet e kohës që u shkruan për Majakovskin. Është tema e mediokritetit që, sipas Kadaresë, e vuri poshtë poetin e famshëm.

«Duke kënduar himnin e gjithë mediokërve:

Ti ishe i madh, po ne ta hëngrëm kokën».

Pra dyzet e katër vite më parë Kadare ka kuptuar dhe goditur fuqishëm atë që ne po vuajmë sot, rolin e mediokërve.

Është vështirë të shpjegohet ndryshe ai që është quajtur «fenomeni Kadare». Është jo vetëm më i njohuri shkrimtar shqiptar, por një ndër më të njohurit e kohës në plan ndërkombëtar. Me qindra studime janë shkruar për të, me dhjetëra libra, pa përmendur artikujt e panumërt dhe çmimet e shumta që ka fituar. Qëllon jo rrallë që njohja e vlerësimi jashtë vendit i shkrimtarit nuk koincidon me njohjen dhe adhurimin brenda vendit të vet. Me Kadarenë kjo nuk ndodh dhe mund të thuhet se ai është po aq i njohur e i vlerësuar midis lexuesve shqiptarë sa dhe lexuesve të botës.

Jam habitur veçanërisht kur në shkrimet e një italiani me emrin Alessandro Leogrande, kam gjetur një dashakeqësi të hidhur që më ka tingëlluar si një gjë e njohur për veshin. Ndër të tjera, përmendej «jashtëqitja e kombit», shprehje me të cilën gjoja Kadare kishte karakterizuar refugjatët shqiptarë dhe që ky italian, na qenkish në dijeni, bashkë me shpifje të tjera të sigurimit shqiptar.

Këto shkrime ky italian vazhdon t’i botojë andej-këndej në shtypin italian, serb, rumun, bosnjak, dhe nuk e fsheh që të dhënat i vijnë nga Shqipëria, madje tregon dhe emrat e kallzuesve («spiunëve», siç do t’i quante Kadareja).

A.Vehbiu, siç është thënë shumë herë, tregohet tinzar në shkrimet e tij. Në rastin e Kadaresë, disa herë bën sikur e mbron nga shpifjet për ta sulmuar më keq. Tipike është rasti i shprehjes së shëmtuar «jashtëqitja e kombit», që shteti shqiptar ia shpiku shkrimtarit për ta diskretituar. Në një diskutim për të, kur një gjysëm anonim, që ka mundësi të jetë një nga pseudonimet e Vehbiut, e sulmon Kadarenë, Vehbiu ndërhyn gjoja për të mbrojtur shkrimtarin. Është fjala për mitingun e madh të Tiranës kundër refugjatëve të vitit 1990, ku gjoja u përdor prej Kadaresë shprehja «jashtëqitja e kombit». Vehbiu shkruan: «Unë pishën nuk ia kam mbajtur Kadaresë por, me sa di unë, në atë miting Kadare nuk ka folur». Mjerim intelektual. Si studjues në këtë rast Vehbiu nuk ka dashur të shkoj më tej për të zbuluar e verifikuar të Vërtetën e pastër për të cilën ka nevojë shoqëria.

E vërteta është gjysëm e falsifikuar. Në atë miting, ku kanë qenë njëqind mijë dëshmitarë, përfshirë edhe shkruesin e këtyre radhëve, Kadareja jo nuk ka folur, por NUK KA QëNë FARE ATY. Për shpifjen kundër tij janë bërë disa përgënjeshtrime, por Vehbiu që gjurmon çdo gjë të shkrimtarit, nuk e ditka të vërtetën. Studjuesit le ta dëshmojnë faktin, dm.th intervistën e shkruar ku e ka thënë Kadare këtë shprehje, në çfarë libri gjëndet, nëse kanë ndonjë inçizim ku Kadare e thotë. Për nivelin që përfaqson shkrimtari Kadare nuk mund të pranohet nga opinioni shoqëror një shpifje e fabrikuar nga dikush dhe e përhapur nga 2-3 të tjerë, shpifje e cila përsëritet sa herë ua kërkon interesi qëllimkeq për shkrimtarin dhe për shqiptarët.

Mohimi i vlerave po bëhet sëmundje në Shqipëri. Para disa muajsh është trajtuar kjo në një artikull të gjerë, ku i njejti njeri që po përmendet në këtë shkrim, Ardian Vehbiu, është kritikuar për të njejtën gjë. Ishte fjala për krahasimin midis dy shkrimtarëve të njohur të Ballkanit: Ivo Andriçit dhe Kadaresë. Është e drejtë e Vehbiut që, pavarësisht se është studjues shqiptar, të jetë i paanshëm dhe të ketë preferencat e tija në vlerësimin e «dy rivalëve» të Ballkanit. Mirëpo s’ka si të mos habitemi kur shikojmë se objektiviteti i studjuesit shqiptar prishet tamam në favor të shkrimtarit serb. Siç është vënë në dukje në artikullin pararendës, fare haptas Vehbiu shkruan se Ivo Andriçi duhet të hyjë në leximet e detyrueshme për lexuesin shqiptar, gjë që nuk e thotë për Kadarenë dhe lexuesin serb. Po përse qenka i detyrueshëm Andriçi për shqiptarët dhe s’qënka i detyrueshëm Kadareja për serbët? Ngaqë Andriçi është i përzier kokë e këmbë në doktrinën Çubrilloviç për zhdukjen e kombit shqiptar, kurse Kadareja nuk ka asnjë njollë të ngjashme ndaj kombit serb?

Kur ia do interesi Vehbiu thotë se s’duhet përzier vepra me biografinë e shkrimtarit, siç ndodh me rastin Andriç-Kadare. Mirëpo po i njejti Vehbi, kur bije fjala te personazhi oficer te «Koncerti», që nuk çon tanket te komiteti i partisë, vrapon ta shpallë si alter ego të shkrimtarit! ( me sa duket këtyre zbulimeve ia ka parë hajrin).

Në këtë pikë, imoraliteti te studjuesi shqiptar Vehbiu del shkoqur. Ai bije brenda me këmbët e veta kur shtjellon «gabimet» e të dy shkrimtarëve, të cilët, të shtyrë nga nacionalizmi, sipas tij, kanë dëmtuar artin e tyre. Për të shkëlqyer e për t’u duartrokitur për paanësinë e vet, Vehbiu i vë në plan të njejtë «gabimet e rivalëve», pavarësisht se shkrimtari serb ka nënshkruar draftin për shfarrosjen e kombit shqiptar e Kadareja s’e ka bërë këtë për serbët? Në vend që A.Vehbiu të reflektonte nga kritika e mësipërme, në shkrimin «Tradhtia e besnikëve» ai futet edhe më thellë në qëndrim të pamoralshëm.

Para disa vitesh u zbulua dhe u botua një dokument i rrallë i Sigurimit, ku Kadare akuzohej si komplotist kundër shtetit. Dokumenti është i vitit 1982, pjesë e dosjes hetimore e ish ministrit Ziçishti, i akuzuar si komplotist, torturuar dhe pushkatuar. Hetuesi që ka marrë nê pyetje ish ministrin që ka pêrpiluar proces-verbalin ku Kadare figuron si pjesëtar i komplotit quhet Ferit Sula dhe është ende gjallë sot. Pas botimit të dokumentit një gazetare shqiptare ka arritur të intervistojë hetuesin, duke shënuar një rast tepër të rrallë ku dokumentet e fshehta vërtetohen nga burime të ndryshme. Dosjet e tilla si komploti i ish-kryeministrit, ndonëse të mbushura me fantazira, përgatiteshin me dijeni dhe urdhra nga lart, dhe kjo dosje vërteton se së paku në vitin 1982 Kadare ishte vënë në shënjestër për t’u shpallur armik.

Fakte si ky janë kuptimplotë e të mjaftueshme për të kuptuar raportet e një shkrimtari me shtetin. Mirëpo analistë si A.Vehbiu, që janë gati të rendin pas çdo thashethemeje (si ajo e jashtëqitjes së kombit) bëjnë sikur nuk i dinë.

Kriza morale që zotëron sot në shoqërinë shqiptare është aq e dukshme saqë askush s’guxon ta mohojë. Anarkia e mendimit, shthurja e vlerave, mungesa e frymës pozitive në gjithçka, rendja pas negatives, s’bëjnë gjë tjetër veçse e shtojnë kaosin shqiptar. Kjo rënie është e stisur dhe e mirë ushqyer në të gjitha drejtimet.

Stabiliteti moral i një shoqërie është një kusht për normalitetin e një vendi. Dhe në këtë rast, kultura ka një rol të pazëvendësueshëm. Letërsia e nivelit të lartë, prania e shkrimtarëve të shquar, ndihmojnë dhe nuk pengojnë në asnjë rast përparimin e brezave të rinj në art.

Para ca kohe në një shkrim të tij Prof. Skënder Gjoni, duke e patur vështirë të shpjegojë pasionin e një prej detraktorëve më të zellshëm kundër shkrimtarëve të shquar shqiptarë (F. Lubonja), e ka kërkuar shkakun te egërsia e njerit prej prindërve të tij, i dalluar si vrasës tepër i pasionuar, në vitet e para pas luftës.

Për shumë njerëz, një mënyrë e tillë të menduari gjykohet si e padrejtë. Për ta e keqja duhet kërkuar tek vetë detraktorët. Te vogëlsia e tyre shpirtërore, te smira e sëmurë, së fundi te fakti që duke qenë shpesh ende të parealizuar, në vend që të përfitojnë nga prania e kolegëve të tyre të suksesshëm, bëjnë të kundërtën.

Po të vijë puna për të zgjedhur cili nga shpjegimet është më i keqi për ta, mendoj se smira e shkrimtarit të vogël është gjëja më turpëruese.

A. Vehbiu parashtron nevojën e një debati mbi “loyalty mod” në kohën e sotme kur shprehjet “tradhëtoi partinë” dëgjohen jo rrallë nga gojët e partiakëve shqiptarë. Do ti sugjeroja studjuesit Vehbiu që një studim social-filozofik ezaurues mbi këtë temë mund ta gjejë në tre volumet e autorit S. Ngjela. Sigurisht nëse ka kurajo dhe maturi studjuesi serioz për të ngjitur shkallë studjuesi të vërtetë.

Do e mbyll këtë shkrim me një mendim mbi komentet që bëhen në fund të artikujve në gazetat. Sado që përmbajnë subjektivizëm, shpesh edhe nivel të ulët, megjithatë në tërësinë e tyre i konsideroj si një tregues, aq më tepër kur në masën më shumë se 90% shkojnë pro ose kundër një personi ose çështjeje kombëtare që trajtohet në shkrim. Në rastet kur në shkrim autori merret vesh që ka qëllim të keq, që është tinzar dhe mashtrues ndaj një figure ose personaliteti shoqëror, ndaj një fenomeni apo sjelljeje shoqërore, atëhere konstatohet shumë qartë se moria e pafund e komentuesve përqëndrohen me shumicë absolute në dënimin që i bëjnë këtyre lloj autorësh denigrues, këtyre lloj pseudo opinionistash e pseudo analistash me qëllime të helmëta, duke treguar se dijnë të dalin në mbrojtje të së vërtetës, qoftë ajo në rrafsh personaliteti, qoftë në rrafsh çështjeje kombëtare.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ismail Kadare, Marifeti i ardian Vebiut, Minella Aleksi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 920
  • 921
  • 922
  • 923
  • 924
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”
  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT