Nga Sulejman GJANA (*)/
Propozimi i LSI për festim madhështor të 70 vjetorit të “çlirimit”, për ngritje komitetesh shtetërorë dhe restaurim monumentesh e lapidarësh, 10 muaj para kohe dhe pa kurrfarë nevojash elektorale, rizbuloi nostalgjinë majtiste për “Komandantin legjendar” të ushtrisë partizane, dy herë “Hero i Popullit shqiptar” dhe një herë “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, shokun Enver Hoxha. Ky akt i paramenduar shpjegoi gjithashtu edhe prapavijën politike të debatit të paradokohshëm mbi figurën e Hoxhës, debat publik në të cilin, jo rastësisht, u përfshinë edhe personazhe tejet të rëndësishëm të letrave dhe politikës nga të dy anët e kufirit ndërshqiptar, sikurse Jakup Krasniqi, Rexhep Qosja e Kristo Frashëri, që u shprehën me superlativa për ish diktatorin. Qëndrim që dikur, në vitin 1991, teksa vuante muajt e fundit të dënimit në burgjet e Serbisë, në gazetën serbe “Veçerni list”, e mbajti edhe heroi i rezistencës antiserbe Adem Demaçi, që deklaroi se “Enver Hoxha ishte dhe mbetet burri më i madh që ka nxjerrë kombi shqiptar”.
Janë pikërisht këto vlerësime e qëndrime të këtyre personazheve në adresë të diktatorit, (të gjithë simpatizantë të Ramës), që më bëjnë të besoj se, jo rastësisht, u shfaq portreti i Enverit në “Varrezat e Kombit” dhe në foton që kryesocialisti futi për këtë eveniment në face-book-un e tij.
Natyrisht që kryeministri shkoi të bënte homazhet e 29 nëntorit në emër të shallkuqave pionerë dhe fatosë të dikurshëm të Enverit, bash për yllkuqat që dhanë jetën me emrin e Stalinit dhe Titos në gojë. Por ai shkoi gjithashtu t’i bënte homazhe edhe vetë monumentit “Nënë Shqipëri”, realizuar nga Kristaq Rama sipas modelit rus, imituar prej tij nga veprat skulpturore që i ishin fiksuar qysh kur studionte në Rusi, e ku gruaja-simbol ngren lart, me dorën e djathtë, simbolin yll me 5 cepa, që sipas Kristaqit na qënkesh simboli i Shqipërisë dhe i të rënëve për nder të saj.
Padyshim që skulptorët realizues të këtij monumenti ishin frymëzuar nga Enveri në vitet 70’, që la flokët e gjata sapo iu faneps ëndrra për të imituar rilindësit e mëdhenj, teksa era i merrte leshrat sa herë që shkonte në kodrat e Fuat beut për të vënë kurora mbi eshtrat e atyre që e sollën në pushtet.
Ndaj në imitim të leshrave erëflladitur të Enverit, skulptorët e Realizmit komunist me shkollim rus, nën drejtimin e Kristaqit realizuan draperinë valëvitëse të palave të fustanit të gruas-nënë shqiptare, e cila edhe kur ishte Shotë, Norë apo Tringë Smajli, kish ngritur lart veçse flamurin kuqezi, por kurrë yje të kuq.
Enveri me shokë e dinin mirë se, ata që ishin kalbur në varreza nuk ishin veçse komandantët dhe komisarët e “Akademisë” së Dushanit dhe Miladinit, të shoqëruar nga “Herojtë e Popullit shqiptar” të rënë në Spanjë për Republikën komuniste spanjolle, apo nga ata 600 partizanët e rënë për çlirimin e Malit të Zi dhe Bosnjes, gjatë inkursionit të brigadave shqiptare në Jugosllavi, sikurse thotë edhe kënga komuniste: “Nga Kuçi në Vishegrad / rrugën e lamë me gjak…”.
Mendoj se ka të drejtë miku im hokatar, kur thotë se procesionet e përvitshme në të ashtuquajturat “Varrezat e Kombit”, po t’i mbivendosësh dhe t’u heqësh vetëm cepat, pra veteranët e larguar nga jeta për arsye biologjike apo lufta e klasave, si dhe tek-tuk ndonjë rishtar të hierarkuar në pushtet, kanë pothuajse të njëjtën përbërje qysh prej 40 vjetësh. Dhe kjo sepse shallkuqat e dikurshëm janë bërë pushtetarë apo politikanë, ndërsa ish pushtetarët janë vetëshpallur veteranë, duke regjistruar paradoksin e qindra ish korrierëve partizanë, nga 5-12 vjeç, apo të “veteranëve” të sotshëm 70 vjeçarë, që kanë lindur kur ka mbaruar Lufta e Dytë Botërore. Çka do të thotë se, sipas tij, në Shqipëri është krijuar një grupim procesionarësh profesionistë, naivë e aspak idealistë, që besojnë se tek “Varrezat e Kombit” prehen frymorët që bartin shpirtin e lirisë dhe martirizimit të këtij vendi. Takëm ky, që po t’u shtosh edhe interesaxhinjtë politikë, krijon populacionin qesharak të “antifashistëve” të këtij vendi.
Fantazistët më të guximshëm e konsiderojnë risjelljen e fotos së Enverit nga Rama si një provokim të qëllimshëm për të nxitur debate që do ta mbanin atë në qendër të vëmendjes, (pavarësisht kostos së deklaratave, shkrimeve apo artikulimeve antienveriste qysh në janar të vitit 1991), i ngjashëm me kërkesat ndaj libretistëve të skeçeve të “Portokalli”-së, të cilëve u kërkonte çdo javë çfarëdolloj talljeje apo banalizimi të figurës së tij, gjithsesi të mjaftueshme për ta mbajtur atë gjithmonë në qendër të vëmendjes publike, në një skemë të njimendtë piari dhe marketingu politik.
Ndërsa analistët më të përkorë të Ramës e konsiderojnë risjelljen e Enverit si kënaqje e porositur e “hermafroditëve” majtistë shqiptarë, që paradoksalisht bashkojnë enverizmin me socialdemokracinë europeiste në amalgamën PPSH-PS, vetëm e vetëm për të qenë gjithëherët në pushtet. Sikurse veprojnë edhe me antifashizmin, që e përdorin thjesht për të legjitimuar pushtetin e djeshëm, atë të sotëm e atë të ardhshëm, për të cilin një eksponente e së Majtës shprehej dikur se “do ta marrim dhe do ta mbajmë deri atëherë kur askush nuk do të mund të kujtohet se kur e kemi marrë për herë të fundit”.
Kurse takëmi tjetër i pretendentëve për radiografë e skaneristë të Ramës, e lidh futjen në skenar të fotos së Enverit, me synimet e kryesocialistit shqiptar për të joshur majtistët e Kosovës e për t’ua bashkuar ata majtistëve shqiptarë, në përmbushjen e kahershme të ambicjes për të qenë lideri i shumicës së shqiptarëve, këtej e matanë kufirit. Qëllim të cilin, sipas tyre, e shpjegojnë të gjitha lëvizjet politike dhe ecejaket e panumërta të tij në segmentin Tiranë-Prishtinë.
Ndoshta kjo është pasojë e këshillave të Shkëlzen Maliqit, që besohet se i njeh jo pak kosovarët edhepse gjuhët e liga thonë se komunikon më lehtë serbisht sesa shqip, por ndoshta është edhe imitim i lojës politike të Berishës për t’u bërë e mbetur strumbullari i faktorit politik dhe i mbarë shqiptarëve në Ballkan, çka do ta rriste fuqimisht peshën e kryesocialistit në sytë e ndërkombëtarëve, krahas mbështetjes dhe jetëgjatësisë në pushtet.
Se për çfarë “antifashizmi” flet Rama, mjafton të shohësh lugatin e bojatisur së fundmi, që e shesin për “Partizan të Panjohur” e që u hakërrehet gojëshqyer bashkëqytetarëve që medemek “çliroi”, për të kuptuar simbolikën dhe gjëmën e çizmes dhe dyfekut të tij për 50 vjet. Sepse është pikërisht ky “partizan Meke” që la shkopin e dhive dhe mori skeptrin e Mbretit dhe Perandorit, për t’u shtrirë sa gjatë-gjerë në krevatin e të gjithëpushtetshmit dhe mbi kurrizin e shqiptarëve.
Po për çfarë “antifashizmi” flet Rama, që ka si elektorat ribentropo-molotovcat që dikur glorifikonin Hitlerin dhe racën ariane, që mburrnin Duçen, që si prekursorë freshistë frekuentonin dopolavorot e Xhovani Xhiros teksa shanin atdheun e prapambetur dhe “mbretin anadollak e shakaxhi të përparimit”, që u veshën balila për të parë Romën e për t’u bërë me gazmend nënshtetas të mbretërisë-perandori të Viktor Emanuelit III. Veprime e mendime të cilat vetëm gjysma syresh i braktisën kur Hitleri theu paktin Ribentrop-Molotov dhe sulmoi Rusinë, kurse gjysma tjetër mbetën anëtarë të Partisë fashiste që duatrokisnin Ettore Muti-n, Galeazzo Çiano-n e Francesko Jakomoni-n, për t’u bërë më pas komunistë. Dhe këto janë akuza të vetë Enverit për gjysmën e lidershipit të PKSH e të ushtrisë partizane, të cilët i eleminoi gjatë luftës për pushtet, natyrisht duke kursyer ca kokrra sa për farë, ngaqë në të vërtetë nuk kishte gjë me fashizmin korporatisto-kooperativist që kolektivizonte pronat private dhe që kishte si moto trekëndëshin revolucionaro-fashist “bukë, litarë, festa”.
Enveristët “antifashistë” të sotëm bëjnë sikur harrojnë se antifashistët e parë në këtë vend ishin zogistët dhe jo komunistët. Në fakt, pavarësisht shtrembërimeve të historisë gjatë diktaturës komuniste dhe pluralizmit, e vërteta është se ishin pikërisht komunistët që pritën me lule, si çlirimtarë, Çianon dhe Parianin, që shpallën se “fashizmi nuk po e pushtonte Shqipërinë por po e begatonte dhe nëpërmjet industrializimit po krijonte proletariatin që do të mundësonte krijimin e partisë komuniste, e cila do të bashkëjetonte në demokracinë fashiste sikurse PKI e krerët e saj Luixhi Longo e Palmiro Toliati (që më pas Duçja i burgosi si antifashistë prorusë), por kurrsesi si Francesko Mateoti, që e kërkoi vetë belanë duke iu kundërvënë pushtetit dhe jo duke bashkëjetuar paqësisht me të”.
Ky takëm harron se ishin vetëm legalistët zogistë ata që iu kundërvunë me armë pushtimit fashist nga 7-10 prill 1939, ndërkohë që komunistët u tubuan në dyert e burgjeve për të pritur “heronjtë” komunistë, që dilnin triumfatorë të çliruar nga vëllezërit fashistë, teksa këmbeheshin me mijëra antifashistët zogistë që u arrestuan, u dënuan me burgime të gjata dhe u internuan në ishujt e shkretuar të Italisë.
Ne legalistët zogistë nuk mburremi me luftën tonë kundër fashizmit, sepse nuk mund të konsiderojmë meritë detyrën ndaj atdheut dhe as gjobë pushteti gjakun e derdhur. Për ne antifashizmi është ideologji dhe jo vlerë, është pozicionim i detyruar dhe jo lejtmotiv. Për ne vlerë dhe detyrim madhor e i përjetshëm mbetet kombëtarizmi, Shqipëria Etnike dhe shqiptarët.
Nuk i shpikëm ne shqiptarët fashizmin dhe nazizmin, nuk i ftuam ne në atdheun tonë. Nuk e shpallëm dhe nuk e filluam ne Luftën e Dytë Botërore, por e filluan nazifashistët dhe e shpallën “plutokracitë” europiane që flirtuan deri në lodhje me Hitlerin, Duçen dhe Hirohiton, që bënë pakte me ta në emër të ekuilibreve të rinj europianë e botërorë dhe ndarjes së kolonive e zonave të influencës. E filluan dhe e shpallën ata që u prishën në pazaret e tyre të ndyra e shekullore, nga të cilat shqiptarët gjithnjë kanë dalë të humbur.
Ishin dhe mbeten komunistët e internacionalistët e këtij vendi ata që, për dekada, u janë qepur pas ndërkombëtarëve në blloqe e aleanca, vetëm e vetëm për të marrë e trashëguar pushtete, duke bërë pazar me trojet dhe interesat shqiptare.
Ne kombëtaristët kemi bashkuar historikisht dhe vazhdojmë të bashkojmë kontribute dhe vlera me fuqitë që u duan të mirën shqiptarëve dhe bëjmë aleanca që gjithmonë në fundore respektojnë dhe mbrojnë interesat e shqiptarëve.
Ne kërkojmë partneritet, respekt të ndërsjelltë dhe reciprocitet të vlerësimeve e qëndrimeve. Ne nuk flemë nëpër çartera e nuk i zemë derën askujt, nuk këndojmë hosanara majekrahi dhe nuk lypim miqësi e dashni me zor. Jemi dinjitozë, respektojmë vetveten, miqtë e sinqertë dhe vlerat tona.
Nuk e kemi problem nëse nuk na llogarisin tek antifashistët. Madje do të na bënin nder, pasi nuk kemi ndërmend që për ideologjira të na fusin në një vathë me Stalinin, Titon, Rankoviçin, Napolon Zervën, Millosheviçin e Sheshelin, e aq më pak me Enverin dhe bandën e gjakatarëve të tij.
Komunistët shqiptarë janë më unikalët në botë, teksa shpallën heroj dhe dëshmorë të shqiptarëve ata që u vranë në toka të huaja, duke luftuar për kauza dhe popuj të huaj, apo ata që u vranë në luftën civile me bashkatdhetarët, thjesht në kacafytjen për pushtet. Të vrarë këta që në të gjithë botën quhen veçse viktima të një lufte vëllavrasëse.
Edi Rama e di mirë këtë fakt allashqiptar dhe përvojë mbarëbotërore, të cilën e ka stigmatizuar aq bukur në librin e tij “Refleksione…”, me bashkautor Ardian Klosin, në vitin 1991.
Pikërisht vlerësimi real i Luftës Antifashiste si Luftë Civile gjatë LDB, u dha atij dhe Klosit mungesën e komplekseve për të shkuar në Paris e për të takuar pa droje kryeballistin Abaz Ermenji, i cili i priti mjaft mirë këta djelmoshë, të cilëve u ofroi ndihmë dhe miqësi të pakushtëzuar, paçka se Ardian Klosi ishte nipi i dëshmorit komunist të Pojskës, Ptoleme Xhuvani, si dhe nipi i gruas së diktatorit të fundit komunist, Ramiz Alisë, kurse Rama ishte biri i hierarkut më të lartë për artet dhe kulturën në Kuvendin Popullor (kryetar i Komisionit përkatës), dhe nip i Spiro Kolekës.
Por sot Edi Rama ka ndryshuar qëndrim dhe bindje nga koha e “Refleksioneve…” për LDB, ngaqë është bërë kryetar i partisë së trashëguar nga Enveri e Ramizi.
Sa për të ashtuquajturën Luftë Antifashiste Nacional-çlirimtare, do të mjaftonte emërtimi dhe bilanci qesharak i saj për ta harruar heroikën e pretenduar. Sepse në asnjë vend nuk ka luftë Nacional-çlirimtare (pra komb-çliruese), kur më shumë se gjysma e kombit, jo vetëm që mbetet jashtë kufijve shtetërorë e kombëtarë, por ripushtohet nga pushtuesit që morën arratinë për 4 vite pas shembjes së Jugosllavisë mbretërore nga Italia dhe më pas Gjermania gjatë LDB. Dhe ajo që është më e keqja, ripushtohet pasi çarmatoset në mirëbesim nga vëllezërit e një gjaku, të cilët ndihmojnë pushtuesit duke i vrarë bashkë me ta.
Le të pyetet Rrahman Parllaku se çfarë ka bërë Divizioni i komanduar prej Hysni Kapos, Ramiz Alisë, prej tij dhe Shefqet Peçit, gjatë qëndrimit afro 18 mujor në Metohi e Kosovë, deri në mesvitin 1946. Le të dëshmojë ai për ngjarjet, para komisionit parlamentar ende të pashfuqizuar në detyrën e tij për “hetimin e masakrës së Tivarit”.
Për afro 3 dekada, dhjetëra ndihmësit e Ndreçi Plasarit nuk gjetën më shumë se 2800 personazhe për t’i futur në kolanën e famshme “Yje të pashuar” e për t’i shpallur “dëshmorë”, ndonëse çereku kishin vdekur në krevat nga sëmundjet, ishin viktima të rastit, të gjendur në vendin e gabuar e në momentin e gabuar, pra pa armë në dorë dhe aspak në formacione luftuese, apo ishin jetëhumbur në aksionet për rindërtimin e vendit pas luftës, për çka kolana u bë objekt talljeje, sidomos për jetëshkrimet e sajuara, qesharake, stereotipe e të mbushura me heroika në adresë mjeranësh të pafat që i kapi plumbi, apo që kishin vdekur nga tifo e marrë nga konservat italiane që kishin pësuar bombazh biokimik.
Sa për okupatorët e vrarë italianë e gjermanë, do të mjaftonin deklarimet e oficerëve britanikë Dejvid Smajli, Bill Maklin, Xhulian Emeri dhe Piter Kemp, në librat e tyre, ku dëshmojnë se u kishin dalë rrylat e fytit për të bindur edhe më trimat e komunistëve, Mehmet Shehun e Nexhip Vinçanin për të ndërmarrë operacione sulmuese, apo për të bindur Shtabin aleat në Bari që të mos dërgonte ndihma për partizanët, sa kohë që nuk i vërtetonin betejat e tyre dhe okupatorët e vrarë me medalionet e marra prej tyre, që ishin edhe parakushti për furnizime.
Sipas këtyre britanikëve, nëse bëhet fjalë për ndoca qindra okupatorë të vrarë, më shumë se gjysmën i kishin vrarë ballistët dhe zogistët, krahas britanikëve, në aksione të përbashkëta apo të përveçme.
Madje këta oficerë të misioneve aleate, këmbëngulin se nga ky numër duhen përjashtuar italianët dhe gjermanët e vdekur në Shqipëri pas plagosjes në frontet e luftës italo-greke, apo që vinin nga Greqia pas pushtimit gjerman dhe pas luftimeve të tyre me britanikët, në ishuj dhe në stere.
Gjithashtu këta britanikë pretendojnë se nga numri i fryrë i okupatorëve të vrarë duhet të zbriten robërit e dorëzuar e të masakruar më pas nga komunistët, sikundër vepruan Mehmet Shehu dhe Kadri Hoxha me shokë, që i vranë robërit e gjorë për t’u grabitur rrobat, këpucët, orët, unazat dhe dhëmbët e florinjtë, në kundërshtim edhe me Konventën e Gjenevës për Robërit e Luftës. Fakt ky që i rrezikoi jetën Kadri Hoxhës gjatë misionit në Bari si përfaqësues i Shtabit komunist aleat shqiptar, teksa kolegët e tij perëndimorë e akuzuan për krime lufte dhe urdhëruan arrestimin e tij, çka e detyroi t’ia mbathte e të kthehej në Shqipëri, duke i shpëtuar dënimit.
E nëse i rikthehemi enverizmit të ditëve të mbrame të enveristëve në pushtet, duhet pohuar se Ramizi u tregua tejet dinak teksa ndërseu njerëzit e tij që u prinin turmave të revoltuara, për t’i drejtuar kah sheshet e për të rrezuar e hequr zvarrë bronxet dhe mermerët e monumenteve kushtuar diktatorit, duke shpëtuar paq familjen e tij, të Enverit dhe ato të bllokmenëve.
Dukej qartë që përvoja rumune i kish shërbyer si mësim, ndonëse Nexhmija bëri të xhindosurën duke e akuzuar se ishte bashkërrëzues i Enverit, pasi sipas saj kish çmontuar bullonat e bazamenteve të monumenteve.
Por edhe për bronxet dhe mermeret Ramizi u hakmorr ndaj shqiptarëve, teksa nxiti falangat enveriste të ndëshkojnë shqiptarët e rebeluar e të paarmatosur, gjatë terrorit që pasoi për 48 orë 20 shkurtin 1991, ku u masakruan mbi 20 të pafajshëm.
Komunistët që dijnë të luajnë me simbolikat, i përdorën ato mjeshtërisht për të kumtuar mesazhet e zeza për shqiptarët dhe ndërkombëtarët në fillimet e pluralizmit dhe sidomos në ngjarjet e shkurt-marsit të vitit 1991, kur rezistonin të hiqnin simbolet dhe emrin e diktatorit nga sheshet, institucionet dhe kudo ku e kishin vendosur në mbarë vendin.
Do të mjaftonte rasti i 14 vjeçarit Spartak Deliu, ekzekutuar me snajper në kokë, si kumt gjakatar mbarsur me simbolikën se ata shqiptarë që guxuan të rebelohen kundër diktaturës, do të merrnin si ndëshkim vrasjen e ardhmërisë me plumb në ballë, gjë që më pas nuk rezultoi e pabazuar, sidomos gjatë vitit 1997.
Pas pushtimit, të trembur nga kryengritjet e mundshme të matjanëve zogistë, fashistët ndërtuan në vendlindjen e Mbretit Zog (në qytetin e themeluar prej Tij, Burrelin kryqendër e krahinës), garnizonin më të madh të përqendruar në sheshe dhe kazerma që zinin një sipërfaqe prej 30 hektarësh, tejet i fortifikuar, ku ishin instaluar 5 mijë trupa dhe armatime të rënda, shoqëruar me njësi shtesë për mbrojtjen e burgut të tejmbushur me zogistë dhe të tjera që ruanin kampin stërmadh të Përqendrimit në Komsi, 10 kilometër në periferi të qytetit, ku ishin burgosur mijëra antifashistë nga gjithë Shqipëria e Ballkani, çka e kishte shndërruar Matin në një burg gjigant. Por më 31 korrik 1943, tre mijë zogistë matjanë sulmuan garnizonin fashist dhe njësitë shoqëruese në të gjitha drejtimet, duke i shpartalluar dhe duke mundësuar çlirimin e mijëra të burgosurve e të internuarve, të cilët i strehoi populli nëpër fshatra e male. Fashistët nuk mund ta toleronin këtë sfidë të zogistëve dhe ndonëse në prag të kapitullimit të plotë, vendosën ta ndëshkonin Matin zogist, të cilin e sulmuan me tre autokolona prej mijëra trupash të shoqëruara me mjete të blinduara, nga tre drejtime të ndryshme. Në këtë përballje të pabarabartë fashistët arritën t’i zhvendosin kryengritësit në male dhe të djegin thuajse gjithë krahinën.
Pas “çlirimit”, komunistët që kishin shtënë vetëm në ajër me bataretë e fitores, e përvetësuan 31 korrikun e zogistëve matjanë, pa harruar të zinin vendin e fashistëve në garnizonin e gatshëm, ku instaluan korpusin më të madh ushtarak të vendit, me mijëra trupa dhe armatime, nga frika e ndonjë kryengritjeje zogiste.
Pikërisht në këtë korpus, ku mbi 95 % e efektivit ishin jo matianë, komunistët kishin vendosur një bust të Enverit, që pas rënies së komunizmit mbrohej 24 orë me mitrolozë të rëndë gulinov dhe ushtarë të shumtë, në ndërresa të pandërprera. Pikërisht këtë korpus dhe ruajtjen e bustit të Enverit edhe pas 20 shkurtit 1991, i komandonte një oficer madhor enverist tropojan, B. K., i cili ishte betuar të ekzekutonte të gjithë kundërshtarët e regjimit që do të tentonin ta rrëzonin bustin. Dhe ky enverist i përzgjedhur simbolikisht nga Tropoja, rezistoi dhe qëndroi në detyrë deri në fund të gushtit 1991, bashkë me bustin, të cilin e hoqën vetëm kur arritën ta shkarkonin enveristin me urdhër special të ministrit të Mbrojtjes së Qeverisë së Stabilitetit.
Padyshim që Enveri rron në zemrat e enveristëve, rron në mendjet e rehabilituesve që glorifikojnë 29 nëntorin e antifashizmin, duke u thënë shqiptarëve se “ushtria e lavdishme çlirimtare kishte një komandant që e udhëhoqi drejt fitores dhe u çliroi juve mosmirënjohësve…”. Enveri rron në zemrat dhe mendjet e të gjithë atyre bashkëpunëtorëve të tij që u vetërehabilituan teksa e lanë vetëm dhe ia faturuan për nja dy dekada, atij dhe sistemit, të gjitha të këqijat. Enveri rron në zemrat e ushtarakëve vrasës të kufirit, që ekzekutuan qindra djem e vajza që synonin të shpëtonin nga “parajsa” komuniste, rron në zemrat dhe mendjet e gardianëve dhe xhelatëve të qelive, rron në mendjet dhe zemrat e gjakatarëve të Sigurimit e ish hetuesve, që janë shndërruar më së shumti në juristë institucionesh, në gjyqtarë, prokurorë e avokatë, duke i lënë pakicën e pensionuar për shkak të moshës së shtyrë në “shoqatat e ushtarakëve të liruar”, që kërkojnë pensione të majme për hiç luftërat, por vetëm për gjakun e derdhur të shqiptarëve, si dhe medemek angazhimin e mundshëm si rezervistë të ushtrisë anëtare të NATO-s, kur ta lypë nevoja.
Shenjat e para të rehabilitimit publik të Enverit filluan me këmbënguljen për të ruajtur 29 nëntorin, për të përfunduar ironikisht tek pretendimi i një enveristi se të gjitha fajet i paskësh pasur sistemi, se i tillë ishte, dhe se edhe vetë Enveri ishte përndjekur fshehurazi nga Koçi dhe Kadriu në emër të sistemit, duke u rrezikuar madje deri edhe me jetë si kunat i Bahri Omarit. Thënë shkurt, sipas këtij takëmi edhe Enveri pas vdekjes, si dhe Nexhmija për së gjalli, duhet të regjistrohen në shoqatat e ish të persekutuarve nga regjimi komunist!!!
Komunistët dhe më pas socialistët si trashëgimtarë ideologjkë, të aseteve materiale dhe të elektoratit ish-komunist, edhe sot e kësaj dite nuk kanë kërkuar ende falje publike dhe nuk kanë shfaqur pendesë institucionale për krimet barbare ndaj bashkatdhetarëve, gjatë dhe pas luftës vëllavrasëse, për gjysmë shekulli. E vetmja që ka kërkuar falje individuale publike është ish hierarkja e lartë e nomenklaturës komuniste Liri Belishova, pasuar nga Bedri Spahiu në gjysmëpendesën e tij në promemorjen e botuar në vitin 1991.
Sa kohë që viktimat nuk u hakmorrën, vrasësit nuk shfaqën pendesë dhe asnjëanësit mbetën soditës pasivë, asgjë nuk ndryshoi dhe shqiptarët mbetën po ata në bilancin dhe kahjet e jetës së tyre nën diktaturë apo jashtë kufijve, në mërgatë.
Të papenduarit le të mbajnë antifashizmin, Enverin dhe damkën e Kainit, si për të vërtetuar thënien se “gungaçin e drejton veç tabuti”.(Ne Foto: Enver Hoxha me Dushsn Mugoshen dhe Miladin Popovicin)
(*) Kryetar i PLL( E falenderojme z. Gjana qe e dergoi shkrimin per gazeten DIELLI
petraq says
shkrimi i ketije artikulli perbehet nga copeza ndodhish mbi jeten e enverit e te shqiperise.ne shkrim nuk ka nje boshte mbi te cilin zhvillohet jeta e nje vendi apo nje personi.kritikat e bera per figuren e enver hoxhes jane fjale te degjuara posht e larte dhe te mara nga njeres gjysmake qe i kane thene keto fjale per te shprehur mllefin e tyre.enver hoxha sikunder dhe ahmet zogu ish mbret i shqiptarve nga viti 1928 deri ne vitin 1939 jane njeres pozitiv per arsye se pavaresist ideve te tyre mbi klasat kane siguruar pavaresine e shqiperise.per kohen qe kane sunduar.e ta ete te kjarte nje here e pergjithmone artikull shruesi se enver hoxha nuk ka pasur miqesi vetem me jugosllavine por dhe me angline e ameriken me rusine e me kinen me te cilet e ka prishur dhe tane shqiperia eshte e lidhur ne menyre te perjeteshme me ameriken.mos i fryni zjarrit kote .gjithe udheheqesit shqiptar qe kane mbrojtur pamvaresine e shqiperise dote jetojne per jete ne zemrat e shqiptareve.
Ahmet Hoti says
Artikulli eshte i mrekullueshem. Kendveshtrimi unikal, bashkohore dhe me logjike qe pershkohet nga liria perendimore. Logjika e shkrimit eshte shume e qarte per ate qe don me e pa.
Perpjekjet per ta glorifiku Enverin nepermjet antifatishmit te tij jane te qarta. Dihet se fituesi shkruan historine, por ne interesin e kombit eshte te shkruhet e verteta. Italianet erdhen ne Shqiperi me 7 prill. Partia komuniste u krijua dy vjet e shtate muaj me vone, me 8 nentor 1941. Partizanet filluan te dalin maleve veren e 1942 dhe kerkuan bashrendim perpjekjesh me zogistat ne konferencen e pezes tre vjet e gjysem pas ardhjes se italianeve. Italia kapitulloi ne shtator te 1943. i bie qe partizanet komuniste ta kene luftuar Italine e shumta nje vjet nga kater e gjysem qe ajo ndenji. Atehere kush ka te drejte te rrahin gjoksin per lufte njerzit duhet ta gjykojne vete. Sa per gjermanet askush si ka luftu. Lexoni letrat e Enverit nga vrimat ku fshihej me shtabin ne dimrin e 43 – 44′. Majtistet kerkojne ta fryjne enverin si antifashist qe te behen vete te pranueshem me perendimin, i cili gjithnje i sheh si trahigimtaret e tij.