• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A ËSHTË KY BREZI I NDRYSHIMEVE?

November 17, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Në një  prej shkrimeve të mia  nja një javë më parë  duke shprehur  mendimin  tim ndaj planeve ndërkombëtare për të shkatërruar armët kimike të Sirisë në Shqipëri, u shpreha se  është për tu admiruar fakti se grupe të rinisë, organizatash civile dhe jo qeveritare kishin filluar të protestonin kundër këtij propozimi,  dhe njëkohësisht  kërkuan diskutim të hapur dhe transparencë te plotë në lidhje me kapacitetet që ka Shqipëria për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, si dhe për një debat të hapur mbi pasojat e rënda që mund të rrjedhnin nga një operacion i tillë.  Kryeministri i vendit, Z. Edi Rama, pas një heshtjeje të gjatë dhe hesitimesh —  nën presionin e protestave të mbrendshme nga dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë të grupeve të ndryshme të shoqërisë civile, kryesisht të rinjë e të reja universitarë, i tha më në fund Jo propozimit të ndërkombëtarëve, të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara, për shkatërrimin e armëve kimike siriane në territorin shqiptar.   Analistë, komentues dhe politikanë të të gjitha ngjyrave po shkruajnë dhe komentojnë se kush “fitoi” dhe kush “humbi” nga ngjarjet e javës së kaluar.   Është e qartë se duke gjykuar për nga mënyra se si u morën me këtë çështje autoritetet shqiptare, ”humbëse”  ishte  kryesisht politika shqiptare, si pozita ashtu edhe opozita, por dhe institucionet shtetërore në përgjithësi, pasi nuk kishte asnjë koordinim midis tyre për miratimin e një qendrimi të përbashkët, pro ose kundër —  për një çështje kaq të rëndësishme — siç ishte tranferimi i armëve kimike siriane për tu shkatërruar në Shqipëri.  Por, aty ku dështoi politika shqiptare, fatbardhësisht, besoj se doli fituese Shqipëria dhe shqiptarët.  Doli fituese e ardhmja e Shqipërisë dhe veçanërisht shoqëria civile shqiptare, e cila deri me ketë rast ndoshta ekzistonte vetëm në emër.  Në mungesë të një bashkrendimi politik zyrtar dhe në një boshllëk të plotë transparence nga zyrtarët shqiptarë, organizimi i protestave dhe i demonstratave paqësore  kundër shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri, ishte roli më i mirë që mund të luanin këto organizata civile në këtë rast. Ndonëse si të tilla, javën që kaloi, ato ndoshta fillimisht pa ditur, ushtruan një rol tepër të rëndësishëm për zhvillimin dhe përforcimin e mëtejshëm të demokracisë së vërtetë në Shqipëri.

Gjithashtu, ditët e fundit është folur e përfolur aq shumë edhe për rolin e Shteteve të Bashkuara në këtë mes dhe për ndikimin që vendimi i Kryeministrit shqiptar Z. Edi Rama, për të mos lejuar dërgimin e armëve kimike siriane në Shqipëri, mund të ketë në marrëdhënjet shqiptaro-amerikane, tani dhe në të ardhmen.  Duhet theksuar se Departmenti Amerikan i Shtetit, nepërmjet zëdhënses së tij, u prononcua të premtën se JO-ja e Kryeministrit Rama nuk do të ketë asnjë ndikim në marrëdhënjet e shkëlqyeshme midis dy vendeve.  Nuk mund të ishte ndryshe!  Për më tepër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk kishin se si të jenë as të zhgënjyera nga vendimi i vonuar  kundër që mori Kryeministri Rama nën presionin e protestave paqësore dhe spontane të mijëra shqiptarëve kundër transportimit dhe shkatërrimit të armëve kimike siriane në tokën shqiptare.   Sepse dihet botërisht se Amerika është  ”nëna” e të gjitha demonstratave dhe protestave civile për kauza të llojlojshme, të mbrendshme dhe të jashtëme.  Për më tepër, janë Shtetet e Bashkuara ato që me dekada tani kanë financuar me fondet e taksa-paguesve amerikanë shoqëri civile anë e mbanë botës, e sidomos  kanë mbështetur krijimin e organizatave jo-qeveritare në vendet ish-komuniste gjatë 20-vjetëve të fundit, përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën, me besimin se në asnjë vend, e sidomos në vendet e pas diktaturës komuniste, nuk mund të ketë demokraci  vërtetë funksionale, pa një shoqëri civile  efektive.   Si të tilla, bëhet fjalë për organizata vërtetë të shoqërisë civile, që veprojnë një demokraci funksionale, ku ato respektojnë ligjin dhe të drejtat e të tjerëve, tolerantë ndaj pikpamjeve të kundërta dhe të cilat punojnë në mbrojtje të interesave të përbashkëta të shoqërisë civile dhe të shtetit.  Si të tilla, dhe për nga natyra, ato duhet pa tjetër të jenë të pavarura nga politika dhe nga qeveria.  Ka ndodhur që në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë, grupe që e kanë quajtur veten të shoqërisë civile kanë vepruar për llogari të njërës ose tjetrës palë politike.  Grupe të tilla nuk mund të konsiderohen organizata të shoqërisë civile, të pakën në kuptimin e fjalës siç kuptohet këtu në Amerikë, por vegla të partive.    Roli kryesor i organizatave të vërteta të shoqërisë civile, është që nepërmjet veprimtarisë së tyre, të kufizojnë dhe të kontrollojnë  pushtetin qeveritar, të udhëheqsve dhe  të zyrtarëve politikë, dhe njëkohësisht të kërkojnë informacion dhe transparencë nga organet qeveritare për çështje madhore të interesit publik, ashtuqë këto ente jo-qeveritare të jenë të afta të kryejnë misionin e tyre të caktuar, për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, dhe njëkohësisht për të inkurajuar  dhe për të lehtësuar debatin publik mbi çështjet jetike të vendit duke shprehur mendimin e tyre lirisht dhe pa frikë ndëshkimi.  Gjatë karjerës time kam marrë pjesë në  disa trajnime  të anëtarve të shoqërive civile nga Europa lindore dhe më kujtohet se ekspertët flisnin për organizatat e shoqërisë civile edhe si ente për trajnimin e udhëheqësve të ardhëshëm politikë, pasi ata si anëtarë të shoqërive civile nën rrethana normale veprimtarie dhe të pavarur nga influencat politike, merren me zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme  në interes të publikut, në një atmosferë tolerance e mirëkuptimi, ndryshe nga politikanët e karjerës.

Protestat paqësore të grupeve jo-qeveritare të shoqërisë civile dhe të rinisë që u zhvilluan javën e kaluar anë e mbanë Shqipërisë, e që filluan si rrjedhim i mungesës së informacionit zyrtar, ndihmuan në informimin e publikut shqiptar dhe botëror mbi një çështje tepër me rëndësi për shoqërinë shqiptare, por edhe për botën, dmth., të transportimit dhe të shkatërrimit të mundshëm të armëve kimike siriane në territorin shqiptar.   Ky brez i ri i shqiptarëve, kryesisht të lindur pas rënjes së komunizmit pak më shumë se 20-vjetë më parë, me protestat e javës që kaloi, tregoi se është i gatëshëm të luaj rolin e tij efektiv dhe legjitim si një katalist udhëheqës për ndryshim, ndoshta epokal, si dhe për zhvillimin e marrëdhënjeve më të mira midis shtetit dhe qytetarëve, për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt për të gjithë.

Protestat paqësore të organizatave jo-qeveritare të javës së kaluar anë e mbanë Shqipërisë, ka mundësi nëqoftse me të vërtetë mbeten të pavarura nga politika,  të kenë shënuar një këthesë historike për vendin, që do të mbahet mend si mbarimi i diçkaje të vjetër dhe fillimi i diçkaje të re.  Ishte ky një triumf i papritur por i mirëseardhur.  Siç ka thënë edhe ish-Presidenti  amerikan Xhon Kenedi, “Në historinë e gjatë të botës, vetëm disa gjeneratave u është dhënë mundësia të luajnë rolin e tyre në mbrojtje të  lirisë, në momentin e kanosjes së rrezikut më të madh ndaj saj.”  A është ky brezi i ri i shqiptarëve ai që do të luaj këtë rol historik për kombin e vet?

Ky brez i ri shqiptarësh, përsëri sipas fjalëve të arta të Xhon Kenedi, me protestat e organizuara javën e kaluar, tregoi se kur e lypi nevoja, ata nuk kërkuan se çfarë mund të bëjë vendi i tyre për ta, por çfarë mund të bëjnë ata për Atdheun e vet dhe për të ardhmen e kombit  shqiptar, në një moment kur vendi kishte nevojën e intervenimit të këtij brezi për mbrojtjen e interesave të përbashkëta.  Le të shpresojmë se kësaj gjenerate të re shqiptare, siç ka thënë Xhon Kenedi, i është dorëzuar stafeta e lirisë dhe e demokracisë së vërtetë — këtij brezi të rinjsh dhe të rejash shqiptare, të lindur pas rënjës së komunizmit, krenarë të prejardhjes së tyre ilire, të gatshëm për të mbrojtur interesat e Atdheut dhe të kombit, mbështetës të lirive dhe të drejtave të njeriut, për veten dhe për bashkombasit e vet — të drejta këto që historikisht u janë mohuar të parëve të tyre ndër shekuj.  Qartë,  ndihet  nevoja e një përtërirjeje rrënjësore, pas shumë  zhgënjimesh  dhe mjerimesh.   Ndihet nevoja edhe për një xhveshje njëherë e mirë nga tradita dhe kultura politike e një ideologjie të huaj e cila ka lënë aq shumë plagë në trup të kombit gjatë 50-viteve të fundit.  A është këjo kryengritja e të rinjve ndaj kësaj kulture politike?  A është ky brezi i ri i lindur pas rrëximit të komunizmit, ai i cili do të shpërvjelë mëngët dhe i cili do të ndërtojë shtetin e ri modern, duke i dëshmuar botës dinjitetin e pashoqtë kombëtar të shqiptarëve?

Filed Under: Analiza Tagged With: a eshte, Frank shkreli, ky brezi i dnryshimeve

GABOVE, ZOTI RAMA,… PROVOKOVE DASHURINE SHQIPTARO-AMERIKANE!

November 15, 2013 by dgreca

Provokove shqiptarët, provokove ndërkombëtarët, provokove fisnikërinë shqiptare e dashurinë shqiptaro-amerikane. Na provokove të Gjithëve. Provokove edhe Vetëveten. Gabove, zoti Rama!/

Nga Ramiz LUSHAJ/

Gabove, zoti Rama edhe para dy orëve teksa në FB e Twiter fjalathue: “Sot në 17.00 do të mbaj publikisht qëndrimin tim mbi çështjen e armëve kimike”(!), sepse na le me pritë shumë gjatë e po i bie tepër shkurt. Mijëra shqiptarë në të gjitha qarqet e Shqipërisë, në kryeqytetet e Prishtinës e të Shkupit, prej ditësh rrijnë në protesta me ideale e sakrifica dhe nuk ua thue dy fjalë të përbotshme: Faleminderit! Më falni! Faleminderit që u batë pjesë e një vendimmarrjeje kombëtare, politike, qytetare! Më falni, se unë jam “pro” demontimit të armëve kimike siriane në Shqipëri! Apo ndryshe: Na falni për shqetësimin e këtyre ditëve! Ju zoti kryeministër, pse keni 85 vota mazhoritare në Parlament, nuk duhej t’i linit protestuesit rreth 85 orë rrugëve e shesheve të Shqipërisë për pa iu përgjigj atyre me përgjegjësi shtetare për një javë rrjesht. Gabove, zoti Rama!
Gabove, zoti Rama, pasi stërgjatje të tilla kohore politike, sipas një klasiku britanik, janë “shkolla pabesie”. Kie mbetë në udhëkryq. Me ba hap para për miratimin qeveritar të ardhjes së plehrave kimike tregohesh i pabesë me popullin tand. Me ba hap mbrapa për mos miratimin e ardhjes së tyre tregohesh i pabesë me miqtë tanë ndërkombëtarë. Nuk është faji i popullit tonë dhe as i miqëve tanë ndërkombëtarë. Kryekëput është faji yt. I bane disi kundra të dy palët: edhe popullin shqiptar, edhe miqtë euro-atlantik. Basketbollove për kosh në të dy anët mbi gropen e armëve kimike, po re vet mbrenda. Ju nuk mund ta futni Shqipërinë si “sanduiç” në mes Europës e Amerikës, pasi nuk ka asnjë ndarje të tillë në integrimet shqiptare drejt NATO-s e Bashkimit Europian. As ju, zoti Rama, nuk mund të rriteni si lis politik mbi ato plehra kimike siriane. Ka ndodh ndonjëherë ndër vite në ndonjë shkrim me të ra në qafë si tepër, çka iu kërkoj të falur, po ju kësaj rradhe na keni ra në qafë të gjithëve. Na vjen keq trefish: për popullin tonë, për miqtë tanë ndërkombëtarë, për kryeministrin e vendit tonë. Na vjen keq se u bane politikan “Gërdec”! Gabove, zoti Rama!
Gabove, zoti Rama, sepse provokove popullin shqiptar në Shqipërinë Londineze e në krejt Shqipërinë Natyrale, mbi të gjitha provokove popullin ma pro-amerikan në botën e sotme. Provokove trashëgiminë e thesartë e të pacënueshme Uashingtoniane e Linkolniane, Uillsioniane e Ruzveltiane, të dy Bushëve e dy Klintonëve, të Obamës, që me fjalët e veprat e tyre e mbrojtën e lartësuan Shqipërinë, Kosovën euro-atlantike, Çështjen Shqiptare në Ballkan. Provokove duke fol me kode politike, duke ba rebuse politike, duke hy në labirinthe politike. Ju nuk mund të na pultoni e as të na cënoni astenji fije si anglo-sakson, nga përkushtimi ynë shpirtëror pro-amerikan. U fute në këtë çështje me dëshirë e do të dalësh me pahir! Tashti kie me mendue si me i monopolue e interpertue këto protesta qytetare shqiptare, ose me ua lanë fajin etërve bio-politikë, ose meritën bijëve bio-politikë, ose me ia lanë fajin opozitës së djathtë, ose…me e ba fajtor të rradhës ambasadorin Arvizu….? Gabove, zoti Rama!
Gabove, zoti Rama. Çelsi i kodit tand (jo)politik ka dy fjalë: “qëndrimin tim”. Ju nuk jeni fuqi mbinatyrore e kësaj Shqipërie të mirë. Ju jeni në detyrën e kryeministërit si jetëdhënës i obligimeve e projekteve qeveritare në të drejtë e në të mirë të shqiptarëve dhe astenjë grimë si jetëmarrës i tyre me plehrat kimike siriane. Po ju, kryeministri ynë, mund të sakrifikoni jetë shqiptare, miqësinë shqiptaro-amerikane për karrierën tande politike që thue se do me lanë gjurmë në historinë shqiptare. Doni të baheni i madh, po jeni duke mbet i vogël si në rastin famëkeq: “plehrat kimike siriane”. Ndërmorët një nismë vetjake, me vullnetin tand të lirë, para disa javësh duke vetkërkue ardhjen e këtyre plehrave kimike në Shqipëri, sepse duke e krye këtë akt mendoni se Amerika do të japin liçensën: Baj çka të duash në Shqipërinë Londineze…!!! Po, ju zoti kryeministër i vendit tim, nuk merrni për shembull Presidentin Obama, i cili me të drejtën kushtetuese amerikane mund të dekretonte luftën me Sirinë, po ia kaloi këtë të drejtë Kongresit e Senatit Amerikan, arriti deri tek çarmatosja politike, ushtarake e kimike të Sirisë! Kjo nuk ndodh tek ju, kryeministri ynë, pasi veproni duke menduar e gabuar se mund të merreni qëndrime vetjake edhe për një akt kaq madhor ndërkombëtar, edhe për jetët e njerëzve të thjeshtë.
Gabove, zoti Rama! E di pse? Në Twiter ju bani një njoftim deklarativ me 14 fjalë, po aty keni keqshkruar gjuhën Shqipe. Aty mungojnë pesë shkronjë “ë” dhe një “ç” (!) E përmenda këtë fakt se vet kryeministri Rama fjalaflet në Shqipëri e jashtë saj se po sakatosej Shqipja nga mazhoranca e tetë viteve të maparshme nga mosshkruarja e saj me këto germa. Nuk është puna se po duam ta “kapim” këtë gabim ma tepër se ortografik. Si në këtë rast ka veprue me (ndër)kombëtarët edhe për çështjen e plehrave kimike siriane. Gabove, zoti Rama!
Gabove, zoti Rama. Këto sfida politike e ekologjike i përjetove dje, më 15 nëntor 2013, edhe në Podgoricë. Jo vetëm se shqiptarët etnikë i quajte “pakicë shqiptare”(!), po për faktin se ndërkohë që përballë kryeministrisë në Tiranë protestonin shqiptarët kundër plehërave kimike të Sirisë, të cilëve nuk iu ktheje përgjigje njerëzore e as zyrtare, ju përballë homologut tuaj malazez, kryeministrit kundërshqiptar, Milo Gjukanoviç, në konferencë shtypi, po flisni për projekte të pastrimit ekologjik të ujërave në pjesën e Malit të Zi të shkaktuara bërllok edhe nga prurje të Drinit, etj. Ju zoti Rama tashma jeni kryeministri ynë, kryeministri i Shqipërisë tonë dhe nuk mund të bani politikë (ndër)kombëtare sikur të lyenit fasada të pallateve treanëshe me shigjeta vetëm në anët që i shohin udhëtarët, ndaj duhet të mbështeteni ma shumë jo vetëm politikisht tek Meta i bashkëqeverisjes, të bashkëpunoni denjësisht në të tilla sipërmarrje me një anglo-sakson si Basha i opozitës, të besoni ma shpirtërisht e me besë me popullin tuaj, të mos luani basketboll politik me ndërkombëtarët. Të mendosh se ti je Shqipëria është tepër herët, edhe pse na drejtohesh në mënyrë disi brutale e antikushtetuese “qëndrimin tim”. Po se kush është në të vërtetë politikani Edi Rama, do ta mësojmë sot në orën 17.00 të pragmbramjes. Provokove shqiptarët, provokove ndërkombëtarët, provokove fisnikërinë shqiptare e dashurinë shqiptaro-amerikane. Na provokove të Gjithëve. Provokove edhe Vetëveten. Gabove, zoti Rama!

(Foto :Kortezi Ora News TV)

Filed Under: Analiza Tagged With: gabove z. rama, na provokove, Ramiz Lushaj

TË PROTESTOSH ËSHTË LEGJITIME! TË JESH ANTIAMERIKAN JO!

November 15, 2013 by dgreca

Të protestojmë por t’i themi jo histerisë antiamerikane të tipit të Fatos Lubonjës me shokë/

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Një popull i nëpërkëmbur 50 vjet nga diktatura dhe 23 vjet nga tranzicioni del dhe proteston për herë të parë në mënyrë masive në një protestë ambientaliste kundër çarmatimit të lëndëve kimike nga Siria!
Është e drejta e tij të kërkojë të drejtat, por pa humbur logjikën dhe pa lejuar të manipulohet nga partitë kryesore si të jetë dele.
Le të fillojë një erë e re për qytetarin e Shqipërisë, era e përgjegjshmërive dhe përgjegjësive që i takojnë, pa i lejuar vetes që ta përdorin si turmë, si mish për top, ashtu si është indoktrinuar nga politika dhe enturazhet e saj këta 23 vjet tranzicion.
Duke përjashtuar protestat e studentëve që sollën përmbysjen e diktaturës, për 23 vjet tranzicion kemi parë protesta të orkestruara politikisht sa nga njëri krah i politikës në tjetrin.
Për 23 vjet tranzicion kemi parë mitingje dhe mitingashë të dirigjuar sa nga njëri krah politik në tjetrin, që kanë humbur mijëra orë të jetës së tyre duke iu bindur urdhërit politik, pa menduar asnjëherë se këto orë do të duhej t’ia kushtonin familjes dhe punës e cila siguron begatinë dhe prosperitetin për vete dhe fëmijët.
Për 23 vjet tranzicion shqiptarët nuk kanë protestuar për të kërkuar të drejtat e tyre,  të drejtat e viktimave të diktaturës, për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare,  për një sistem shtetëror sipas standarteve Perëndimore.
Për 23 vjet tranzicion shqiptarët kanë protestuar për të përmbushur makutërinë dhe pangopësinë e klasës politike e cila i ka katandisur dhe diskriminuar duke i lënë të jenë si qytetarët e dorës të fundit e të paintegruar në BE.
Për 23 vjet tranzicion qytetarët e Shqipërisë nuk kanë protestuar kundër keqqeverisjes; kundër të qenit viktimë e sistemeve nepotike dhe klienteliste; kundër të qenit viktimë e korrupsionit, kundër të qenit viktimë e degradimit të sistemit të zhdrejtësisë, kundër të qenit viktimë e shpërdorimit të pushtetit nga pushtetarët!
Për 23 vjet tranzicion shqiptarët nuk kanë protestuar për të ndërtuar një sistem zgjedhor sipas standarteve të civilizimit Perëndimor, ku vota e tyre të jetë transparente dhe të shkojë tek më i mirë dhe jo tek i zgjedhuri i kryetarit të partisë; nuk kanë protestuar kurrë si Sovran, por si servitor i politikës.
Për 23 vjet tranzicion qytetarët e Shqipërisë nuk kanë protestuar për të patur media të lira dhe të pavarura, të cilat të jenë zëdhënëse të zërit qytetar, të mendimit të lirë dhe jo megafonë të politikës, të pasunarëve të rinj e të njerëzve të lidhur me sistemin e diktaturës që edhe sot e kësaj dite vjellin vrerë e zeher kundër imperializmit amerikan.
Për 23 vjet tranzicion qytetarët e Shqipërisë nuk kanë protestuar kundër pensioneve minimale të prindërve e gjyshërve të tyre, jeta e të cilëve ishte e mbushur me halle e derte në diktaturë ndërsa tani me të ardhurat që marrin u duhet vetëm sa të mbajnë frymën gjallë; nuk kanë protestuar as për tregun e zi të punës, as për tregun e zi të marihuanës, nuk kanë protestuar as për vlera dhe për moral!
Për 23 vjet tranzicion qytetarët e Shqipërisë ndoqën pas si bagëtia klasën politike e cila u tall me ta sa deshi, i përdori ata si deshi, i mashtroi ata kur deshi, dhe kështu do të vazhdojë që t’i përdorë sa e kur të dojë, nëse shqiptarët nuk do të ndërgjegjësohen dhe vetëdijësohen se ata janë zot të fatit të tyre!
Të jesh zot i fatit tënd do të thotë të protestosh pa e humbur logjikën, pa të ikur mendja që të harrosh historinë tënde, pa të kapur amnezia e të mos dish të dallosh se cilët janë miqtë e armiqtë e kombit tënd, të harrosh se diktatura ishte armiku më i madh i Shqiptarëve, e cila i izoloi shiqiptarët si miu në çark në bunkeret e dhunës  kriminale, ku ligjet e diktaturës mbështeteshin në vëllavrasjen.
Këtyre ditëve, në vend të një sensibilizimi të organizuar, në vend të një sensibilizimi mediatik që nuk do të toleronte as çoroditjen dhe panikun e shqiptarëve, kemi parë se si po përdoren armët kimike për të shfryrë pezmet antiamerikane të mbetura në grykë të disave që nga koha e diktaturës.
Kemi dëgjuar se si Fatos Lubonja nuk i konsideron SHBA si aleat strategjik të shqiptarëve, kemi dëgjuar se si Fatos Lubonja kërkon ta shpallë non grata ambasadorin e aleatit tonë jetik, kemi dëgjuar e ç’nuk kemi dëgjuar, që në fakt nuk duhet e nuk duam që t’i dëgjojmë, sepse opinioni publik duhet të dëgjojë çka i duhet dhe i bën mirë për higjenën e trurit dhe shpirtit.
Opinionit publik dhe rinisë i duhet t’i mbyllë veshët me dyll si Odiseu për të mos i dëgjuar as Fatos Lubonjën me përrallisjet e tij dhe të shokëve të tij dhe as politikanët e Shqipërisë, sepse ky stan vepron jo për të mbrojtur interesat e qytetarëve, as për të mbrojtur interesat e protestuesve, por veç për interes të pushtetit të tyre.
Përveç protestave mbarëpopullore që sollën përmbysjen e sistemit diktatorial, për gati çerek shekulli tranzicion kemi parë se si populli shqiptar i shkon pas si bisht partive me bindje të verbër e shurdhmecëri të bindur, herë si mitingashë e herë si protestues – jo për të fituar të drejtat e veta, por për t’i dhënë me votën e tij privilegjet e politikës.
Prej protestave mbarëpopullore në mbështetje të studentëve, është hera e parë, që në dukje shohim se populli proteston i paorkestruar dhe i padirigjuar nga politika, por i pasensibilizuar, i paorientuar, duke rrezikuar të manipulohet rishtas.
—

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, por jo antiamerikanizem, protesto

Qytetarët Shqipëtarë Vendosin Kundër Armëve Kimike në Shqipëri, Paqësisht

November 14, 2013 by dgreca

Nga ALFONS RAKAJ/

Ditët e fundit opinioni publik në Shqipëri po zien. Mundësia e transferimit të armëve kimike të regjimit vrastar të Asadit në Shqipëri ka bërë që Shqipëtarët të ndjehen të ndikuar dhe ndijuar që të flasin. Pas prononcimit të Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe Kryeministrit Edi Rama që Shqipërisë i është këkruar ndihmë qytetarët kane dalur në shesh për ta bërë të qartë se ata janë kundër.

Në vitet e fundit kemi parë që sheshet e kryeqytetit të përjetojnë protesta të ndryshme. Herë për fushata elektorale, her për të kundërshtuar një vendim të caktuar siç ishte ndergjegjesimi kundër importit  të plehrave, kundër marrëveshjës së detit me Greqinë apo edhe manifestimeve për 100 vjetorin e themelimit të shtetit Shqipëtar. Por të gjitha këto kane një element të përbashkët që kjo protestë nuk e ka.

Ky ndryshim ka të bëjë me përfshirjen e politikës.Partial Socialiste që tani është në pushtet e ka qenë në zemër të organizimit të protestave të ndryshme vitet e fundit. Tani ajo është në pushtet dhe mbart përgjegjësinë për vendimin që do të merret, pavarsisht sesi do të jetë ai. Ky realitet e bën të pamundur që ajo të përfshihet në protesta. Në të vërtetë, Partia Socialiste ka qenë ajo që ka kërkuar të qetësojë protestuesit. Gjatë konferencës për shtyp me Komisionerin Për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fule, Kryeministri Rama u shpreh se asnjë vendim nuk është marrur dhe s’ka vend për panik. Qytetarët Shqipëtar menduan ndryshe, dhe vazhduan protestën me një organizim edhe më të madh të nesërmen. Të tilla prononcime nuk kanë munguar edhe nga Ministria e Jashtme ndërsa Kryeministria ka ripërseritur që s’ka vend për alarm dhe  “që Shqipëria do të dalë jo vetëm më kokën lart, por e fituar dhe edhe më e pastër seç është sot.” Por Shqipëtarët, të zhgënjyer më pare nga politika vendosen të dalin në shesh sërish.

Partia Demokratike, si zëri kryesor i opozitës ka bërë edhe ajo prononcimet e saj kundër Vendimit. vendimit. Në korrnizen politike si fuqi opozitare, ajo ka akuzuar Kryeministrin Rama për mungesë transparence ndaj qytetarëve. Kjo u bë më e qartë në seancën plenare të ditës së Ejnte kur deputetet femra të kësaj force politike ndërzunë foltorën e Kuvendit. Ish-Kryeministri Berisha, tani si deputet dhe si zëri më ndikues i kësaj force politike, në Kuvend kërkoj interpelancë me Kryeministrin Rama i cili ndodhet jashtë vendit në vizitë zyrtare. Por sërish, edhe psë në qendër të një vendimi politik, qytetarët vendosën të mos e lejojnë aktivizimin e tyre të marrë ngjyrime politike. Kjo u bë plotësisht e qartë ndërsa ato nuk lejuan që kryetari i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha I shoqëruar edhe nga ish-Kryeministri Berisha të merrte mikrofonin dhe të mbante fjalim përpara protestuesve. Kori i qytetarëve njëherazi fishkëllej dhe u ngrit kundër sapo Basha mori mikrofonin. Kjo ndodhi pak pasi kryetari I Kuvendit, Ilir Meta shkoj të mbante fjalim përpara tyre (në një kohë tjeter me Bashën dhe Berishn) dhe kërkoj të bind qytetarët se të dhënat e publikuara gjër tani janë të pavërteta. Qytetarët, sic tregohet qartë në vidjot e publikuara nga Top-Channel, ngrihen dhe thërrasin në kor njëherazi “Jo Armëve Në këtë mes janë dy zhvillime krejtësisht të pëlqyeshme dhe në shërbim të vendit. Këto dy të mira kanë të bëjnë me nivelin e demokracisë në Shqipëri si dhe me aftësinë e popullit Shqipëtar të shohë përtej politikës së ditës.

Shqipëtarët po protestojnë me vullnetin e tyre. Po vetëorganizohen dhe po shprehin qartë bindjet e tyre, mu përpara politikanëve aty përballë Kuvendit, Kryeministrisë madje edhe përpara Ambasadës Amerikane, vendi që kë bërë kërkesën që Shqipëria të pranoj armët kimike Siriane. Të tilla imazhe janë mbreslënëse kur të gjitha këto protesta kanë në përbërje të tyre një pjesë të konsiderueshme të anëtarëve femra dhe zhvillohen në një mjedis krejtësisht paqësor.

Aftësia e organizatorëve të protestave, si dhe vetë qytetarëve pjesmarrës të mos lejojnë që kjo protestë të Shqipëtarët po protestojnë me vullnetin e tyre. Po vetëorganizohen dhe po shprehin qartë bindjet e tyre, mu përpara politikanëve aty përballë Kuvendit, Kryeministrisë madje edhe përpara Ambasadës Amerikane, vendi që kë bërë kërkesën që Shqipëria të pranoj armët kimike Siriane. Të tilla imazhe janë mbreslënëse kur të gjitha këto protesta kanë në përbërje të tyre një pjesë të konsiderueshme të anëtarëve femra dhe zhvillohen në një mjedis krejtësisht paqësor.

Aftësia e organizatorëve të protestave, si dhe vetë qytetarëve pjesmarrës të mos lejojnë që kjo

protestë të kthehet në një tubim politik është vërtetë për tu përshëndetur. Kjo tregon një maturi dhe ndërgjegjësim që kapërcen edhe ambjentin e politizuar, edhe ndikimet politike dhe mbi të gjitha pasqyron dashurinë e madhë të Shqiptarëve për vendin e tyre. Shqipëtarët nuk po ngrihën kundër ndonjë partie politike të caktuar, madje as kundër ndonjë vendimi, pasi një vendim mbi këtë çështjë nuk është marruar akoma, por kundër kësaj mundësie. Madje, ato nuk po ngrihen kundër Amerikës, por kundër kësaj kërkese sepse drejtësisht e shohin Shqipërinë si të paaftë ti ç’montojë ato në kushtet e duhura të sigurisë. Imazhet e shpërthimit në Gërdec janë akoma të freskëta në mendjen e Shqiptarëve.

Prandaj ato thonë hapurazi se pranimi i tyre do të ishte një barrë e pamundur për vendin tone.

Shqipëtarët kanë vendosur kundër por do të duhët të shohim në ditët në vijim nëse Tirana zyrtare

do të bëjë të njëjtën gjë. Sikurse u shpreh deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi, “qeveria të dëgjojë popullin.” Më në fund, nuk duhet harruar që populli gjithnjë ka të drejtë dhe qeveria e tanishme e di këtë më së miri pas zgjedhjeve të 23 Qërshorit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Alfons Rakaj, armet kimike, protestat, qytetaret shqiptare

Thoti apo Morsi?

November 14, 2013 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/

Kush është Morsi dhe kush ishte Thoti në tokën e faraonëve? sa janë të vlerëshme për ne këto figura që të krahasohen? Përplasje epokash e kisha quajtur ballafaqimin e këtyre dy personazheve të shkrimit tim. Në të njejtën ditë u shkrua edhe për Thotin e edhe për Morsin. Me të cilin protogonist të shkrimeve humbasim kohë , i shlyejmë gjurmët tona dhe e neverisim botën e qytetëruar ? dhe me të cilin e rrisim krenarinë kombëtare ?

Thoti ishte shpikësi i alfabetit hieroglifik fonetik egjiptian, mbi bazën e gjuhës pellazge-shqipe dhe i përkiste kombit arbër .Vetë emri i tij, shpjegohet vetëm në shqip, dmth: ai që na thotë… Do të ndalem në këtë aspekt të veçantë të doktrinës së Thotit, pasi e gjykoj si të rëndësishëm, themelor në formimin e njeriut të fortë (e përdor këtë cilësor në kuptimin i plotë, jo i mangët), si të domosdoshëm për ta inicuar, (mësuar-.) që fëmijë, gradualisht, jo vetëm në gjimnastikën fizike – për t i dhënë forcë dhe harmoni trupit, por edhe në atë të intelektit dhe të vullnetit (të këtij mbi të gjitha) – për ta bërë njeri të vetëdijshëm, me moral dhe të pushtetshëm: të përgatitur, të kalitur, të gatshëm për tu përfshirë në shoqëri si element i vlefshëm (pra i domosdoshëm dhe i dobishëm F.D); të aftë, sepse të paisur me energjinë e nevojshme për të prodhuar, me ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë, të mira dhe pasuri, në kuptimin më të gjerë dhe tepër fisnik të fjalës. Ky shtjellim i Xh.Katapanos, zbërthen rrugën e hyjnizimit të njerëzve, sipas moralit të besimit pellazg që mësohej në shkollën e mistereve të Thotit. (F.D) …. apo …. Për herë të parë, pas shumë muajsh pritje e vuajtje, publiku pati rastin ta shohë Presidentin e izoluar, Dr. Muhamed Mursi. Edhe pse i burgosur, ai megjithatë u shfaq krenar dhe madhështor si gjithmonë. Doli para gjykatësve për të dëshmuar madhështinë e personalitetit të njeriut të formësuar, të matur, e besimtar. Me krenari vazhdimisht përsëriste se është vullneti i popullit të tij që e bëri dhe kërkon që ai të jetë President. Ai është i zgjedhuri. Ai nuk duhet të gjykohet. Atij duhet t i lirohet rruga që të vazhdojë të ecë tutje me vullnetin e popullit. Puçi është imponim. Është dhunë ndaj vullnetit të popullit dhe shtypje e së vërtetës. Puçi është pretendim i rrejshëm se kinse situata, aktuale, po e do kështu. (Sh.K)

Cili na jep nderë , Thoti apo Morsi ?… të vazhdojmë …

Vaje te shqiptarëve(disa) dhe lotë të kotë që të përvëlojnë” nga dhëmbshuria për diçka e për dikend që aspak nuk na përket e as nuk na gërget: . Është interesant se Egjipti ka pasur shumë faraonë por edhe zullumqarë, përfshirë të atillë që eliminonin kundërshtarët e tyre politik si Muhamed Ali Pasha, me origjinë shqiptare, Naseri e Mubaraku. Ndërsa krejt në fund na shfaqet edhe faraoni i kohës moderne, Abdulfetah Sisi, i cili vret dhe masakron popullin paqësor e duarthatë, duke ekzekutuar në mënyrë brutale mbi një mijë protestues, shumica e të cilëve gra e fëmijë, dhe atë para syve të botës demokratike .(Sh.K

Kush është Morsi? Sa është për shqiptarët dhe mbarë shqiptarët i rëndësishëm ky njeri?

Së këndejmi, gjatë periudhës së tij bashkëkohore padyshim se Egjipti njohu vetëm një sundimtar të butë, të qetë e të urtë, pra Muhamed Mursin. Por si duket shumë kë e paska penguar një pushtetar i butë e i dashur për popullin në Egjipt, ndaj dora ogurzezë nuk arriti dot ta përballonte që Egjipti të ecë përpara. Andaj edhe e hoqën, madje edhe e burgosen nën akuzat e rrejshme ndër më të rëndat. Ah sa e padrejtë dhe e verbër është bota, atë që i kishte duart e zhytura me gjakun e të pafajshmëve mbi tridhjetë vite,

Husni Mubarakun, e liruan ndërsa atë që e zgjodhi populli, me votën e lirë, që jetonte thjeshtë në mesin e popullit duke mos pranuar në asnjë mënyrë të dallohej prej tij, e rrëzuan bile edhe po e akuzojnë rëndë. Ec e pritë ditë të mira në këtë lloje bote. Apo ndoshta këtë afërsi të madhe, mes tij dhe qytetarëve, nuk mund ta përballonin dot të tjerët për rreth, vëllezër, shokë, miq e komshi , të cilët ishin mësuar që në Egjipt të dëgjohet zëri i një njeriu, assesi zëri i popullit.

Ku qëndron e vërteta e ngjarjeve në Egjipt ? T´ishim shqiptarët ndonjë fuqi e madhe botërore ekonomike , ushtarake apo turistike , atherë kishim thënë so ndoshta atyre të politikës sonë shtetërore do do të duhej t i qasen sa më me ngulm ndërrimeve atje ( në Egjypt). Por kështu si jemi , pse ta mundojmë xhematin tonë me përralla bashkëkohore? Aty ku buajt shkrryhën, bretkocat e vogla është mirë që të skajohen .

Kultivimi i kultit të Thotit apo i atij të Mursit (Morsit) i ndihmon ardhmërisë sonë në Europë ? ….. E ndërkohë një lajm i mirë , një lajm që jep shpresë :

Manojlovski dëshmon në Kongresin Amerikan për njohjen e identitetit të shqiptarëve ortodoks në Maqedoni. Duke folur për këtë temë tabu tash e 72 vjet të regjimeve komuniste e totalitare, ai ka theksuar se në krahinën shqiptare të Rekës së Epërme me 17 katunde kryesisht shqiptare ortodokse, jetojnë më shumë se 250 mijë shqiptarë autokton me traditën shekullore të gjuhës, të kulturës dhe traditës shqiptare të besimit ortodoks. Shqiptarët ortodoks, ka thënë Branko Manojlovski, jemi populli i ndaluar dhe përmes skenarëve të njohur sllavomqedonas dhe të kohës komuniste në ish-Jugosllavi, bënë që bashkëkombësit e mi shqiptar ortodoks mbetën në orët e harresës historike

Të gjithë neve pa ndasi fetare duhet t i japim jetë kësaj dëshmije per shqiptaret ortodoks te Maqedonise

( Për shkrimin e këtij artikulli i huazova: Si u hyjnëzua «Besa» e Arbërve në tempujt e Faraonëve (Fatbardha Demi) dhe NGADHËNJIMI I SË VËRTETËS NË TOKËN E FARAONËVE (Shefqet Krasniqi) )

Fahri Xharra, Gjakove

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fahri Xhara, Toti apo Morsi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 932
  • 933
  • 934
  • 935
  • 936
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT