• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“MaShqip.com”, dritarja e re e lajmit dhe fakteve nga Bostoni

November 28, 2025 by s p

Editorial / Flamur VEZAJ/

“MaShqip.com“, nis rrugëtimin pikërisht në Ditën e Pavarësisë, më 28 Nëntor, një datë që simbolizon fillimin, sakrificën dhe krenarinë tonë kombëtare. Për herë të parë, një media online në gjuhën shqipe lind në Boston, pikërisht aty ku dikur lindi edhe gazeta historike “Dielli”, e cila edhe sot e kësaj dite botohet falë Federatës Pan Shqiptare “Vatra”.

Ky medium, do të jetë një dritare e lajmeve të rëndësishme, të bazuara vetëm në fakte. Një media ndryshe nga të tjerat: këtu nuk do të gjeni lajme për prerje shiriti apo deklarata boshe, por vetëm realitetin e verifikuar dhe të dokumentuar.

Prej vitesh tashmë e dini se jam larguar nga Shqipëria, por edhe pse fizikisht larg, interesi për vendin nuk më është shuar kurrë. Për këtë arsye, pas hapjes së studios dhe podcastit “Ma Shqip me Flamur Vezaj”, erdhi koha për të hedhur hapin e radhës, një media të mirëfilltë lajmesh online.

Fillimisht do të fokusohemi tek “Aktualiteti”, me emra të njohur e të respektuar të gazetarisë shqiptare, që do të sjellin lajmet më të rëndësishme nga Shqipëria dhe Kosova. Një hapësirë e veçantë do t’i kushtohet lajmeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’ju informuar mbi zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore, si dhe mbi vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt komunitetin shqiptar këtu.

Një tjetër rubrikë e rëndësishme do të jetë ajo e “Diasporës Shqiptare” në SHBA, ku do të pasqyrohen ngjarjet, aktivitetet dhe arritjet e komunitetit tonë në mbarë Amerikën. Intervista dhe personazhe interesantë e të suksesshëm.

Në MaShqip.com do të gjeni gjithashtu lajme nga Kosova, Sporti, Kultura, si dhe histori njerëzore që frymëzojnë dhe prekin publikun. Po ashtu, faqja do të jetë një dritare për bizneset shqiptare që duan të promovojnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe transparente.

Përveç lajmeve, MaShqip.com do të ofrojë hapësirë për opinionet, analizat dhe mendimet e pavarura, pa censurë, por gjithmonë me respekt dhe pa gjuhë fyese. Çdo lexues që dëshiron të ndajë një mendim apo të shkruajë një opinion, mund të dërgojë shkrimin e tij në adresën: info@mashqip.com.

Në thelb, MaShqip.com do të mbetet një zë i pavarur, kritik dhe i drejtë, që i shërben vetëm së vërtetës dhe interesit publik. Ne besojmë se gazetaria nuk është thjesht raportim lajmesh, por një mision për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.

Ky projekt nuk është vetëm një media, por një urë lidhëse midis diasporës shqiptare dhe atdheut, për të sjellë më afër informacionin, mendimin kritik dhe debatin qytetar.

Në këtë rrugëtim, ftojmë çdo shqiptar në SHBA apo kudo në botë, të kontribuojë me ide, shkrime dhe denoncime për çështje me interes publik. MaShqip.com është një platformë e hapur për të gjithë ata që besojnë se fjala e lirë dhe e vërteta janë themelet e demokracisë.

Filed Under: Editorial

NËNË TEREZA MURGESHË E MËSHIRËS, DHE DIPLOMATE E NDËRGJEGJES

October 10, 2025 by s p

(Me shkas, përvjetorët: 1965 kur Papa Pali VI e nënshkroi “Decretum Laudis”; Ne vitin 1985, kur Presidenti amerikan Ronald Reagan i dorëzoi Nënë Terezës “Medaljen Presidenciale të Lirisë” dhe  në vitin 1996, Presidenti Clinton e shpalli Nënë Terezën “Qytetare Nderi të Amerikës” )

Nga Prof. dr. Skender ASANI 

Ka ngjarje në historinë e njerëzimit që nuk maten me vite, por me dritën që lënë pas; nuk shënohen vetëm në kalendar, por në kujtesën e përjetshme të shpirtit njerëzor. Një prej këtyre ngjarjeve është rruga e shenjtë që përshkoi Nënë Tereza nga Kalkuta në Vatikan e deri në Shtëpinë e Bardhë një udhëtim që bashkoi qiellin me tokën, përulësinë me madhështinë, dashurinë me politikën. Ajo që nisi si një mision i heshtur dashurie u shndërrua në një testament global për njerëzimin, ku drita e një gruaje shqiptare ndriçoi botën dhe krijoi një urë të shenjtë ndërmjet kombit të saj dhe Amerikës. Në këtë udhëtim shpirtëror, historia e saj bëhet jo vetëm kujtim, por mësim; jo vetëm nderim, por thirrje për ta parë dashurinë si themel të diplomacisë dhe miqësisë ndërkombëtare.

Ishte viti 1965 kur Papa Pali VI nënshkroi “Decretum Laudis”, dekretin me të cilin njohu në nivel papnor “Misionarët e Dashurisë” urdhërin e themeluar nga Nënë Tereza. Në atë çast, dashuria mori formë ligjore; përulësia mori vulë hyjnore; dhe shërbimi ndaj më të varfërve të të varfërve u shpall si Ungjill i gjallë mbi tokë. Ishte momenti kur qielli, përmes Kishës, bekoi tokën me një dritë që do të përhapej në çdo kontinent.

Një grua e vogël me shpirt të madh, që kishte nisur misionin e saj në rrugicat e ndotura të Kalkutës, tashmë merrte bekimin për ta bërë dashurinë universale. “Decretum Laudis” nuk ishte thjesht një akt juridik ishte një shpërthim drite që shndërroi heshtjen në fjalë, varfërinë në dhuratë, dhe dhimbjen në bekim. Pas këtij momenti, rrugët e botës nisën të mbusheshin me sari të bardha e shirita blu simbol i një dashurie që nuk njihte kufij, racë apo besim. Ishte dashuria që fliste me duart që shërbenin, me sytë që qanin bashkë me të sëmurët, me zemrën që nuk pyeste kush je, por vetëm nëse ke nevojë për dashuri.

Tridhjetë vjet më vonë, kjo dashuri e institucionalizuar mori një tjetër vulë, këtë herë nga zemra e lirisë botërore Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte viti 1985, kur Presidenti amerikan Ronald Reagan i dorëzoi Nënë Terezës “Medaljen Presidenciale të Lirisë”, nderin më të lartë që Amerika ia jep një qytetari që ka ndriçuar ndërgjegjen e botës.

Në atë ditë të shenjtë, Shtëpia e Bardhë u shndërrua në një tempull shpirtëror. Brenda saj, përballë pushtetit të tokës, qëndronte përulësia e qiellit. Një grua me sari të bardhë e blu, përballë udhëheqësit të botës së lirë, mishëronte bashkimin e mëshirës me fuqinë, të shpirtit me politikën, të dashurisë me drejtësinë.

Presidenti Reagan tha me ndjeshmëri të thellë:

“Shpirtmirësia e disa njerëzve i kapërcen të gjithë kufijtë kombëtarë.”

Dhe në atë çast, nuk u nderua vetëm një murgeshë nga Kalkuta u nderua shpirti shqiptar, i mishëruar në dashuri, përulësi dhe shërbim ndaj njeriut. Amerika u përkul me respekt para bijës së një kombi të vogël, por me zemër të madhe, duke e njohur tek ajo jo vetëm një shenjtore, por një dritë që lidhte dy popuj shqiptarët dhe amerikanët në një miqësi të bekuar nga Zoti.

Mërgata shqiptare, e cila kishte filluar të krijonte miqësinë me Amerikën që në shekullin XIX dhe e kishte forcuar në shekullin XX, e gjeti te Nënë Tereza një përfaqësuese të shpirtit shqiptar në arenën botërore. Ajo e thelloi këtë miqësi në mënyrën më të natyrshme e më njerëzore përmes marrëdhënieve të saj me presidentët amerikanë Ronald Reagan, George H. W. Bush dhe Bill Clinton. Këta e panë tek ajo jo vetëm shenjtërinë, por edhe shpirtin e një kombi që do të gjente shpëtim përmes përkrahjes së Amerikës në momentet më të errëta të historisë. Ishin këto takime shpirtërore që krijuan urën e pashlyeshme midis dashurisë së saj dhe politikës amerikane një mision i heshtur, por thelbësor, që duhet të mbetet busull për politikëbërjen shqiptare sot.

Për Nënë Terezën, medalja nuk ishte shpërblim, por thirrje për më shumë dashuri. Ajo tha me përulësi:

“Unë jam vetëm një laps i vogël në dorën e Zotit. Ai është Ai që shkruan.”

Kështu ajo e ktheu çdo nder njerëzor në një akt hyjnor. Nuk kërkoi asgjë për vete kërkoi që “të kujdeseshin për popullin tim shqiptar, sidomos për Kosovën”. Në ato fjalë, diplomacia u shndërrua në lutje, dhe politika në ndërgjegje.

Ky raport shpirtëror midis Nënës Terezë dhe Amerikës vazhdoi edhe përtej Reaganit. Presidentët George Bush dhe Bill Clinton e dëgjuan atë jo si murgeshë, por si ndërgjegje të njerëzimit. Në vitin 1996, Presidenti Clinton e shpalli Nënë Terezën “Qytetare Nderi të Amerikës”, e ajo e quajti këtë “dhuratë nga Zoti”. Dhe në vitin 1999, kur lufta në Kosovë përplaste kufijtë e dhimbjes, ishte pikërisht fryma e saj që dukej se udhëhiqte ndërhyrjen humanitare të Amerikës.

Kur Presidenti Clinton vizitoi kampin e refugjatëve në Stenkovec, në vendlindjen e Nënës Terezë, ai tha me emocione:

“Këta njerëz janë dëshmia e gjallë e asaj për të cilën ne duhet të luftojmë për dinjitetin, për jetën dhe për paqen.”

Në atë moment, historia politike dhe ajo shpirtërore u bashkuan. Ishte sikur shpirti i Nënës Terezë fluturonte mbi botë, duke i kujtuar njerëzimit se liria pa dashuri është e zbrazët, dhe dashuria pa veprim është e paplotë.

Sot, në 50-vjetorin e Medaljes së Lirisë, kujtojmë jo vetëm një nderim historik, por një testament moral e diplomatik që duhet të udhëheqë edhe politikbërjen shqiptare. Nënë Tereza nuk ishte vetëm murgesha e mëshirës, por diplomatja e ndërgjegjes, që me fjalët e saj të buta dhe veprat e saj të mëdha krijoi ura midis popujve, kulturave dhe feve. Ajo e ktheu dashurinë në politikë të zemrës, dhe përulësinë në instrument të lirisë.

Për shqiptarët, ajo është jo vetëm shenjtore e Kishës, por shenjtore e kombit zëri që na kujton se miqësia me Amerikën nuk është rastësi historike, por bekim hyjnor që duhet ruajtur e kultivuar. Sot, kur bota përballet me ndasi, politika shqiptare duhet të mësojë nga ajo se diplomacia e vërtetë lind nga dashuria, nga mirënjohja dhe nga respekti për lirinë e tjetrit.

Le ta kuptojmë se ajo që Reagan, Bush dhe Clinton panë tek Nënë Tereza dritën shqiptare që i përkiste botës është një trashëgimi që na obligon. Një kujtesë se marrëdhëniet me Amerikën nuk janë vetëm kapitull politik, por mision shpirtëror që na lidh me idealet më të larta të njerëzimit. Sepse ajo që nisi me “Decretum Laudis” dhe u kurorëzua me “Medaljen e Lirisë”, është rrëfimi i një dashurie që udhëheq ende botën dashuria që vjen nga Zoti, dhe që duhet të mbetet busull e përjetshme për çdo zemër dhe çdo udhëheqës shqiptar.

Shkup, 09 tetor 2025

Filed Under: Editorial

Shqiptarët dhe fushata elektorale në Maqedoninë e Veriut

September 2, 2025 by s p

Bekim Adili/

Fushata elektorale në Maqedoninë e Veriut ka nisur jo me ide dhe platforma zhvillimore, por me akuza dhe fyerje. Një qasje e vjetër, që nuk frymëzon. Përkundrazi krijon vetëm zhgënjim. Ndërkoh qytetari i lodhur nga ky zhargon politikë, nga partitë shqiptare pret më shumë. Aleanca Kombëtare për Integrim, me trashëgiminë që mban mbi supe, ka detyrimin të dalë me një ofertë serioze. Të fokusuar tek avancimi i pushtetit lokal dhe krijimi i një platforme të mirëfilltë për një autonomi politiko teritoriale të vetëqeverisjes. Një qasje e tillë do ta ndihmonte edhe koalicionin VLEN të largohej nga retorika e akuzave dhe të paraqiste programe konkrete.

Sepse, sot qytetari shqiptar dhe veçanërisht të rinjtë kërkojnë përgjigje konkrete ndaj disa pyetjeve thelbësore në mesin e të cilave janë:

– Si do të forcohet pushteti lokal !?

– Si do të krijohen vende pune për të rinjtë dhe hapsira investimi !?

– Si do të mbrohet dhe avancohet arsimi, kultura dhe gjuha shqipe !?

– Si do të sigurohet që shqiptarët në qeveri të jenë faktor vendimmarrës e jo thjesht dekor politik !? Ku, në vend të këtyre përgjigjeve, realiteti është i hidhur.

Komunat shqiptare vuajnë nga një diskriminim i hapur fiskal, të cilin më poshtë e keni të ilustruar në grafik zyrtar të vitit 2023. Ku, psh nga 1.500 € tatim personal që paguan një qytetar, komuna e tij merr vetëm 45 €. Nga 1.000 € TVSH të konsumit, i kthehen vetëm 20–30 €. Në total, komunës i kthehen rreth 370 deri në 400 € për banor në vit, prej të cilave vetëm 70 deri në 80 € nga taksat direkte të qytetarit. Ndërkohë, diaspora që kontribon me mbi 1.5 miliardë euro remitanca në vit, ( dërgesa parash). është përjashtuar nga regjistrimi si “jo rezidente”. Ata pavarësishtë se janë tatim pagues të pronës dhe TVSH-së , nuk llogariten në përllogaritjen e ndarjes për buxhetet lokale. Si rrjedhojë komunat tona do të kenë më pak buxhet.

Politika majorizuese nga ana e qeverisë, të cilat do të ndikojnë në rritjen masive të largimit nga të rinjtë dhe distancimin e diasporës nga vendlindja. Këto sfida marrin peshë të veçantë edhe për shkak të procesit të integrimit europian. Ku, premtimet për anëtarsim në BE, gjithashtu nuk kanë sjellë rezultate. Që do të thotë, se pa një strategji të qartë e cila lidhet edhe me respektimin e vullnetit të elektoratit shqiptarë, apo respektimin e fituesit në përfaqësimin etnik në qeverisje, shqiptarët rrezikojnë të mbeten thjesht spektatorë të zhvillimeve, në vend që të jenë faktorë të barabartë në vendimmarrje. Pra, shqiptarët sot nuk kanë nevojë për cirkun politik të rradhës. Por ata duan vizion, platforma të studiuara dhe vendime të guximshme. Vetëm kështu shqiptarët mund të jenë partnerë të barabartë e jo vëzhgues të përcaktimit të politikave në shtetin ku jetojmë.

Filed Under: Editorial

Çamëria preokupim profesional dhe kombëtar

July 26, 2025 by s p

Botimet që trajtojnë tema nga hapësira etnogjeografike shqiptare janë inspiruese për lexuesit e pasionuar sepse janë në favor të avancimit të njohurive të identitetit kombëtar shqiptar. Në këtë gamë të botimeve të tilla vend të veçantë zënë ata kushtuar krahinës martire të Çamërisë, ku studiues profileve të ndryshme kanë dhënë kontributin e tyre profesional e kombëtar, në favor të shpalosjes së vlerave shumëdimensionale të këtij mjedisi të hapësirës shqiptare.

Nail Draga

Në lidhje me këtë çështje kontribut të rëndësishëm ka dhënë pedagogu dhe studiuesi Selman Sheme(1946-2025), i cili opinionit i është prezantuar me botime të veçanta nga fusha e gjeografisë, ku krahina e Çamërisë ishte preokupim i veçantë profesional. Dhe nuk ka si të ishte ndryshe, sepse ai ishte me origjinë nga kjo krahinë, andaj çdo botim i tij paraqet homazh për këtë mjedis të hapësirës etnogjeografike shqiptare e cila padrejtësisht iu shkëput Shqipërisë. Me këtë rast po do të të trajtojmë botimin Monumente natyrore dhe kulturore të Çamërisë, West Print, Tiranë, 2012. Në këtë botim autori trajton trojet shqiptare dhe regjionalizimin etnogjeografik,ndërsa më pas ofron të dhëna për ndarjen rajonale etnografike të Shqipërisë në shek.XIX-XX, duke vazhduar me veçoritë e përgjithshme fiziko-gjeografike në përgjithësi e ato gjeografiko-etnologjikë të Çamërisë. Në veçanti janë trajtuar rajonet gjeografike të Çamërisë si ai i Filatit, Gumenicës, Paramithisë, Margëlliëit, Pargës, Prevezës, Artës dhe i Janinës.

Çamëria-preokupim profesional

Nga përmbajtja e prezantuar del se autori si preokupim profesional ka krahinën e Çamërisë, e cila gjindet në pjesën jugore të hapësirës etnogjeografike shqiptare, e cila shtrihet nga liqeni i Butrintit dhe lumi i Pavllës në veri e deri në gjirin e Artës në jug. Kemi të bëjmë me një krahinë ndonëse e banuar me shumicë absolute shqiptare në sajë të vendimeve të Konferencës së Londrës(1913) iu dhurua Greqisë. Nga ajo kohë e më pas shqiptarët e kësaj krahine vazhdimisht kanë qenë të rrezikuar nga pushteti grekë, duke përjetuar dhunë, vrasje e shpërngulje me qellim të politikës së tyre të spastrimit etnik, nga popullsia shqiptare. Kemi të bëjmë me politikën greke të asimilimit dhe helenizimit të popullsisë shqiptare sipas “Megali ides”,proces i cili ka vazhduar vite më radhë, duke arritur kulmin në vitlt 1944-45. Kemi të bëjmë me projektin qeveritar grek të spastrimit etnik të Çamërisë nga shqiptarët e ate kryesisht ata të fesë islame, ndërsa ata të fesë ortodokse llogariteshin sin grekë!

Harta e Çamërisë

Politika greke e spastrimit etnik në Çamëri

Për të arritur këtë qellim ata përdorën të gjitha mënyrat: si grabitja e tokës, përjashtimi i popullsisë nga pjesëmarrja në administratën shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amtare, burgosjet, torturimet e popullsisë, dëbimet me dhunë e deri të masakrat e përgjakshme. Po ashtu pushteti grek veproi me kapacitet të plotë për të ndryshuar strukturën etnike të popullsisë nëpërmejt kolonizimit të krahinës duke vendosur kryesisht kolonë grek por edhe vlleh të ardhur nga pjesët e ndryshme të Greqisë por edhe nga Azia e vogël, në sajë të marrëveshjes së Lozanës(1923) për shkëmbim të popullsisë në mes Turqisë e Greqisë. Ishte kjo marrëveshje e cila ka goditur shqiptarët e fesë islame, rreth 55.000, sepse politika greke i konsideronte si turq, andaj i ka dëbuar për në Turqi. Në këtë drejtim spastrimi etnik ka qenë i pranishëm edhe jashtë Çamërisë, në vendbanimet shqiptare në Kostur e Follorinë ku u shpërngulen rreth 35.000 shqiptarë, duke i detyruar të vendosën në Turqi. Por, me gjithë këto shpërngulje të dhunshme deri në prag të Luftës së Dytë Botërore, Çamëria vazhdonte të ishte një krahinë etnike homogjene ku mbi 82% të popullsisë e përbënin shqiptarët.

Sipas statistikave greke të vitit 1937, Çamëria kishte 279 fshatra me një popullsi prej 112.619 banorë nga të cilët 20.200 banorë ishin grekofon dhe 92.419 ishin shqiptarë. Popullsia shqiptare përbëhej nga 59.419 banorë të fesë ortodokse dhe 33.000 banorë të fesë islame. Procesi i shpërnguljes së popullsisë çame nga trojet e veta u fut në një fazë të re gjatë luftës italo-greke(1940-1941) dhe arriti pikën më kulmore me ngjarjet e vitit 1944-45. Goditja fatale e popullsisë shqiptare, ka ndodhur me 27 qershor 1944, ku forcat e EDES-it grek, nën udhëheqjen e gjeneralit Napoleon Zerva, kryen një nga masakrat më të rënda ndaj shqiptarëve të Çamërisë në qytetin e Paramithisë. Rreth 600 burra, gra dhe fëmjë u vranë barbarisht. Në muajt që pasuan, mbi 2.700 shqiptarë të tjerë u masakruan, u dogjën 68 fshatra dhe 5800 shtëpi. Si pasojë e këtij gjenocidi ishin të detyruar të shpërngulën nga vatrat e tyre në Çamëri rreth 35.000 shqiptarë myslimanë të cilët u vendosën në Shqipëri, ndërsa një pjesë në Turqi. Dhe nga këto masakra nuk mbeti asnjë shqiptarë i përkatësisë islame, nga del se spastrimi etnik kishte edhe karakter fetar.

Shqiptarët ortodoks drejt asimilimit

Pas Luftës së Dytë Botërore, popullsia shqiptare ortodokse në Çamëri e gjetiu në Greqi është përballur me politikë diskriminuese, raciste e asimiluese, sepse pushteti grek ndaloi përdorimin e gjuhës shqipe e me ketë edhe mësimin e saj në shkollë. Nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i shqiptarëve në Greqi, por sipas të dhënave për vitin 2006, në strukturën e grupeve etnike shqiptarë janë 1.5%. Ndërsa sipas llogaritjeve të thjeshtë në Greqi nga 11 milion banorë të Greqisë, grupi ernik shqiptar në tregues absolut arrin në rreth 165.000 banorë. Pjesa ma e madhe e kësaj popullsie shqiptare ortodokse jeton në Çamëri, si dhe në rrethet e Prevezës, Artës e Janinës. Ndonëse procesi i asimilimit e ka bërë të vetën, gjuha shqipe flitet në familje dhe e rezervuar në mjedise publike. Përfundimisht popullsia shqiptare në Çamëri e ndodhur nën trysninë e helenizimit nëpërmjet diskriminimit e persekutimit nuk e deklaron publikisht identittein e vet kombëtar.

27 Qershor 1944-Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë

Në kohën e diktaturës në Shqipëri deri në vitin 1991 ndaj masakrave të grekëve kundër çamëve nuk i është kushtuar vemendja e duhur. Vetëm në pluralizëm kjo çështje mori peshën e duhur, duke njoftuar opinionin e gjerë me pozitën e popullsisë çame. Në nderim martirizimit të popullsisë çame, Kuvendi i Shqipërisë, më 30 qershor 1994, shpalli 27 qershorin si “Ditën e Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”, duke e përfshirë në kalendarin kombëtar përkujtimor.

Zgjidhje sipas standardëve ndërkombëtare

Me vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri nga viti 1991, ndonëse janë bërë përpjekje për të zgjidhur çështjen çame por asnjë Qeveri e Shqipërisë nuk ia ka arritur që me Greqinë të gjejë gjuhë të përbashket, duke mbetur çështje e pazgjidhur. Sepse çështja çame nuk është vetëm e drejtave e lirive të individit, apo të pronës, por është më shumë sepse është çështje politike e cila kërkon zgjidhje sipas standardëve demokratike ndërkombëtare.

Sipas të dhënave në Shqipëri numri i përgjithshëm i popullsisë çame është rreth 250.000 të cilët në Çamëri kanë pronat e tyre duke qenë trashëgimtar legal por qeveritarët grek refuzojnë të trajtohet kjo çështje, madje nuk lejojnë që çamët të shkojnë as si vizitor në trojet e tyre stërgjyshore. Pavarësisht raportëve politike në mes dy vendëve, çështja e Çamërisë kërkon zgjidhje sipas standardëve ndërkombëtare, ku Shqipëria si shteti amë duhet të luaj rolin që i takon në mbrojtje të identitetit kombëtar shqiptar.

Literaturë e obliguar jo vetëm për nxënsit

Duke marrë parasysh vlerën shumëdimensionale të këtij botimi, mendoj se ai duhet të jetë si literaturë e obliguar jo vetëm për nxënësit në shkollat fillore e të mesme, për tu njoftuar me të kaluarën dhe të tashmën e kësaj krahine të martirizuar shqiptare.

Krahas paraqitjes tekstuale botimi është i pasur me shumë fotografi të natyrës së Çamërisë dhe monumenteve të kulturës në këtë mjedis. Ndërsa vlerë e veçantë e këtij botimi paraqet perkthimi i tekstit në gjuhën angleze që do iu shërbejë edhe lexuesve të huaj për të kuptuar të kaluarën dhe të tashmën e kësaj krahine etnogjeografike shqiptare.

(Korrik 2025)

*Selman Sheme, Monumente natyrore dhe kulturore të Çamërisë, “Wes Print”, Tiranë, 2012.

Filed Under: Editorial

Mallkimi i diktaturave komuniste

June 18, 2025 by s p

Agim Baçi/

Shumë vende evropiane që kaluan mallkimin e diktaturave komuniste kanë mundur që të ringrihen pasi kanë mundur të shohin në sy vetveten. Pendesa e mjaft prej aktorëve të së ligësisë kriminale dhe, sidomos, kërkesa e fortë e shoqërisë për të zbardhur të shkuarën e vet, solli në këto vende që gabimet e ndërtimit të institucioneve në demokraci të ishin më të kapërcyeshme. Ndërsa ne, në 35 vite, në vend të ndëshkimit të së keqes, e lamë të shkuarën të ishte pjesë e përditshmërisë pa asnjë ndjenjë faji, pa asnjë pendesë. E për pasojë, rifituam servizlimin, hipokirizinë dhe një shoqëri të gënjeshtërt, që mbeti peng i së shkuarës. Të edukuarit me fabrikimin e së keqes na drejtuan në gjykata, prokurori, e për më tepër, në politikërje, duke i lënë rrugën të keqes që të bashkëjetojë pa u turpëruar për atë që ndodhi në gati pesëdhjetë vite krimesh e dhunimesh. Ky mosdënim i së shkuarës është edhe “ridënimi” ynë si shoqëri- një ridënim që e lamë vetë të ndodhte, sepse “dëshmitarët e rremë” të së ardhmes i morëm nga ata që diktatura i kish përgatitur për të mbajtur gjallë perversitetin e përditshëm, pa u penduar për asgjë kriminale që bënë në atë sistem.

Kështu, pasi kemi lënë këtë të keqe të triumfojë, nuk ka pse habitemi sot që Spaçi apo Qafë Bari të shkojnë drejt rrënimit, drejt zhdukjes, e në vend të tyre të lulëzojë turizmi te ish Piramida, apo te ish shtëpia e diktatorit, duke e sjellë të shkuarën kriminale të estetizuar për turistë. “Nuk ndërtohet parajsa me muratorët e ferrit”, shkruan shkrimtari Kim Memhemti. Por ne e sfiduam këtë shprehje, duke i lënë projektuesit e ferrit të djeshëm të na shesin projektet e tyre për parajsën e demokracisë. Dhe harruam që demokracia bëhet nga ata që mendojnë si të tillë, që veprojnë si të tillë, e jo nga nostalgjikët e një sistemi që vetëm Njeriun me Dinjitet dhe të Drejtën nuk e përfillte kurrë.

(foto e marrë nga muri i Migen Qiraxhi)

Filed Under: Editorial

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT