• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

STANDARTI I DYFISHTË I ERDOGANIT MBI “GJENOCIDIN”

November 2, 2023 by s p

Nga GIAN ANTONIO STELLA/

“Corriere della Sera”, 28 tetor 2023 – Përktheu: Eugjen Merlika/

Ata të Hamasit, thotë Erdogani, nuk janë terroristë por “luftëtarë” për “popullin e tyre e tokën e tyre”. Po kurdët që mbrojtën Kobanen dhe armenët e përzënë nga azerët? Sigurisht, të përcaktohet se cili është kufiri i saktë mes “dhunës së ligjëshme” dhe mizorisë barbare të atij që revoltohet ndoshta është e pamundur. Historia e shekujve të fundit është plot me bomba të shpërthyera nga gjindje të bindura se nuk kanë alternativa e akoma më tepër se janë në të drejtë pa marrë parasysh “dëmet anësore”. Ndonjëherë mund të jetë në të drejtë. Por shkandullon përçmimi me të cilin presidenti turk merr të drejtën të shpërndajë patenta “luftëtarësh atdhetarë” atyre që janë shtyrë deri në therjen e të sapolindurve dhe t’u a mohojë jo vetëm izraelianëve të çakërdisur nga agresioni, por edhe militantëve kurdë të damkosur si “terroristë” edhe se ecnin nëpër rrugë në ndihmë të Kobanes kurde, të rrethuar nga grykëprerësit e Isis. Ose militantëve armenë të territorit të mbyllur të Nagorno-Karabakut, një tokë e krishterë dhe armene prej dymijë vitesh, e mbrojtur në një luftë të përgjakëshme me azerët shiitë mbas fundit të “nënës së madhe” sovjetike dhe të zbrazur pak javë më parë nga përzënia biblike e së paku njëqindmijë të shpërngulushish armenë. Një përzënie e përshëndetur nga Rexhep Taip Erdogani me këto fjalë: “Na ka bërë krenarë fakti që Azerbaixhani e ka çuar përpara veprimin ushtarak në kohë të shkurtëra e me respektin më të madh për civilët”. Tekstualisht. Nuk mjaftoi, presidenti turk I ka shtuar ligjëratës së tij në mbrojtje të Hamasit ndonjë fjalë tjetër mbi luftën në vazhdim: “kishim synime të mira, por e mori lumi atë punë. Kishim në program të shkonim në Izrael, por nuk do të shkojmë. Gjysma e viktimave palestineze janë fëmijë, të cilëve u shtohen gra e pleq. Një masakër që po arrin përmasat e një gjenocidi. Rilexojmë: gjenocidi. Saktësisht ajo fjalë kundër së cilës ai kundërvepron çmendurisht kur ndonjëri guxon t’I a bashkëngjisë plojës së armenëve në Turqi një shekull më parë. Dy pesha e dy masa.

“Corriere della Sera”, 28 tetor 2023 – Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Editorial

Nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin

May 31, 2023 by s p

Albin Kurti/

Të dashur qytetarë,

Kryetarët e zgjedhur nga zgjedhjet e 23 prillit, përkundër daljes së ultë në zgjedhje për shkak të bojkotit të diktuar dhe detyruar mbi serbët e Kosovës, megjithatë janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve.

Prandaj, ata kanë mbështetjen tonë të plotë, të pakushtëzuar dhe të pandërprerë.

Demokracia nuk mund të suspendohet, e as të mbahet peng. Ushtrimi i saj është garant i paqes dhe sigurisë, assesi kërcënim apo rrezikim.

Republika e Kosovës është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Me institucione qeverisëse dhe të sigurisë të cilat trajnimet profesionale dhe orientimin vleror e kanë nga dhe kah shoqëritë perëndimore.

E dje, na u dëshmua përfundimisht dhe të gjithëve, se kë kemi përballë: grupe të së djathtës ekstreme me maska, që vandalizojnë, sulmojnë, djegin çdo gjë që nuk e konsiderojnë serbe, e që lartësojnë simbole nacionaliste dhe shoviniste, si kryqi me katër S-ja dhe Z-ja e agresionit rus në Ukrainë.

Ekstremistët dhe milicët kanë emra të veçantë. Ata nuk janë populli. Komuniteti serb duhet të çlirohet prej tyre. Ne i kemi identifikuar shumicën e tyre dje dhe sot. Nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin e më të fuqishëm se shteti.

Të tillë janë kriminelët multi-milionerë si Milan Radojçiq e Zvonko Veselinoviq. Ata janë pronarë të mëdhenj të bizneseve e të kontrabandës, që i kushtëzojnë punëtorët e varfër të tyre, të dalin në protesta të dhunshme. Në fakt, kjo është mënyra e vetë shefave të tyre urdhërdhënës në Beograd ndaj administratës publike: mënyra e Aleksandar Vuçiq, Aleksandar Vulin dhe Ivica Daçiq.

Unë e di të dashur qytetarë që në grumbullimet dje dhe sot ka pasur edhe protestues paqësor. Por protestat dje e sot nuk ishin paqësore. Një protestë që sulmon policinë e cila e ruan rendin dhe zbaton ligjin, pjesëtarët e KFOR-it që e ruajnë qetësinë dhe stabilitetin, dhe gazetarët të cilët raportojnë mbi ngjarjet nga terreni, nuk janë protestë për komunën, por për pushtet. Në Kosovë, pushteti mund të merret vetëm përmes zgjedhjeve. Jo me dhunë dhe krim.

Policia jonë dhe KFOR-i atje janë kufiri ndërmjet ekstremistëve të dhunshëm dhe institucioneve paqësore.

Orëve të fundit, institucionet tona kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët. Por përveç shqetësimeve dhe brengave, dje na u dëshmua para syve se edhe kërcënimet dhe rreziqet i kemi të përbashkëta.

Dhjetëra të lënduarve ju dëshiroj shërim të plotë dhe të shpejtë. Falënderoj kryetarët e komunave që përkundër vështirësive kanë shfaqur vullnetin e sinqertë për t’u shërbyer qytetarëve i cili dëshmohet edhe në këto situata. Falënderoj policët e Kosovës, që përkundër tensioneve dhe sulmeve, kanë kryer detyrat e tyre me profesionalizmin më të lartë. Falënderoj pjesëtarët e KFOR-it që përkundër synimeve të huaja për destablizim, po ruajnë paqen dhe sigurinë. Falënderoj gazetarët dhe mediat që përkundër rreziqeve dhe pasigurisë, na sollën me zë dhe figurë fytyrën e vërtetë të protestave të milicëve të dhunshëm. E falënderoj veçanërisht qytetarët e Republikës sonë për mirëbesimin dhe mbështetjen.

Filed Under: Editorial

Bashkimi dhe guximi na rikthejnë lirinë tonë të cunguar apo të humbur

May 3, 2023 by s p

Deklaratë e UGSH në Ditën Botërore të Lirisë së Medias

Tiranë më 3 Maj 2023

Sot është Dita Botërore e Lirisë së Medias. Përkon me 30 vjetorin e kësaj dite të shpallur nga Kombet e Bashkuara.

Në këtë 30 vjetor, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndan vlerësimin për punën dhe sakrificat e gazetarëve shqiptarë në përballje me misionin e tyre të vështirë.

Vlerësojmë se liria e medias, por veçanërisht ajo e gazetarit, mbetet e penguar dhe e trysnuar egërsisht nga politike dhe grupe të caktuara, determinuese mbi shoqërinë aktuale shqiptare. Në këto grupe përfshihen pronarët e mediave, partitokracia e vendit, grupe të fuqishme të interesit ekonomik dhe financiar, struktura të krimit të organizuar dhe influenca të ndryshme nga jashtë vendit, qoftë shtetërore qoftë edhe të tjera, përfshi edhe shërbime të huaja.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh brengën e moskordinimit dhe të mungesës së solidaritetit reagues të strukturave dhe organizatave të gazetarëve në Shqipëri.

Në këtë ditë, UGSH apelon për reagim të bashkuar për rikthimin e besueshmërisë publike ndaj raportimeve të gazetarëve, për integritet dhe sovranitet në praktikat ditore të informimit dhe raportimit, për shtim të kurajos dhe guximit për raportim të thelluar, për transparencë dhe investigim, për përballje dhe refuzim të censurës dhe verëcensurimit si dhe për protestë ndaj gjendjes financiare, kushteve të pandryshuara në sistemin e pagave të masës së madhe të gazetarëve dhe punonjësve mediatikë në vend.

UGSH bëhet mbështetës i fuqishëm i nismave vetërregulluese dhe kërkues i këmbëngulshëm i standardeve në media dhe në entet rregullatore shqiptare, pavarësi dhe distancim nga ndikimet politike dhe imponim nga aktorët e ndryshëm me potenciale financiare dhe ndikim në vendimmarrje.

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Filed Under: Editorial

“EDITORIAL”, NJË KRYEVEPËR E MENDIMIT KRITIK, KRIJUES DHE PUBLICISTIK TË DALIP GRECËS

May 1, 2023 by s p

Sokol PAJA/

Libri “Editorial” që vjen para lexuesit nga editori i ndjerë i gazetës “Dielli” Dalip Greca, përbën një vlerë dhe risi të madhe në dokumentimin e mendimit kritik, krijues dhe publicistik të z.Greca. Ky libër përmbledh në vetvete një kontribut shkencor dhe publicistik rreth historisë së “Vatrës”, të “Diellit”, vatranëve, të patriotëve shqiptarë e veprimtarëve në mërgatën shqiptare të Amerikës. Nëpërmjet librit “Editorial” publiku i gjërë njihet në detaje rreth veprimtarisë memuaristike dhe publicistike të Editorit të Diellit 2009 – 2021 Dalip Greca, fazave në të cilat ka kaluar “Dielli”, “Vatra”, komuniteti shqiptar përgjatë drejtimit të “Diellit” nga z.Greca.

Me profesionalizëm dhe mjeshtri Dalip Greca e drejtoi “Diellin” për 12 vite dhe la gjurmë të pashlyshme në historinë e “Diellit”, Federatës Vatra e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dalip Greca ishte një gazetar me profil të lartë, kishte të zhvilluar një aftësi specifike të gazetarisë dokumentare. Nëpërmjet librit “Editorial” vijnë të paraqitura dhe të skalitura editorialet më me peshë në historinë 12 vjeçare të z.Greca që kanë mbajtur gjallë gazetën “Dielli”. Bien në sy shkrimet patriotike për Kosovën,Çamërinë, shqiptarët në trojet etnike e mërgatën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nëpërmjet eksperiencës së tij të gjatë në media, libri “Editorial” i Dalip Grecës është një libër shumë i arrirë mediatik, publicistik dhe historik. “Editorial” padyshim është një libër që do u vlejë Fakulteteve të Gazetarisë në Shqipëri e Kosovë, studiesve e kërkuesve shkencorë në fushën e medias, shkencave humane, albanologjike e studiuesve shqiptarë në Universitetet e Amerikës. “Editorial” do të jetë një libër që do të na tregojë shumë histori dhe rrëfenja që me stilin që i shkruan Dalip Greca dhe mënyrën sesi ia ka ofruar publikut, tregohet shpirti i madh i Dalip Grecës si patriot, vatran, dokumentues, ekspert i lartë i çështjeve të trajtuara, njohës i shumë fushave dhe mbi të gjitha amanetqar i “Diellit” dhe “Vatrës”.

Falenderim dhe mirënjohje Federatës “Vatra” për botimin e librit “Editorial” që ashtu si me librin “Editorët e “Diellit” në 110 vite histori” përmbush një amanet të Dalip Grecës pas vdekjes për nxjerrjen në pah të krijimtarisë dhe kontributit të tij të lartë në Federatën “Vatra” dhe në gazetën “Dielli”. Falenderim special studiuesve Idriz Lamajt e Dr. Paulin Markut, vajzës së Dalipit Elisabeta Greca të cilët gjatë gjithë kohës ndihmuan në përgatitjen me korrektësi dhe profesionalizëm të lartë të këtij botimi. Mirënjohje redaktores Luljeta Xhediku dhe Adnan Mehmetit që dhanë një ndihmesë të veçantë në këtë botim.

Libri “Editorial” i Dalip Grecës në tematikat e trajtuara dhe kontributin publicistik e historik e bëjnë një vepër të shkëlqyer në historinë e medias shqiptare dhe të mërgatës Shqiptare në Shtete e Bashkuara të Amerikës. Libri “Editorial” i Dalip Grecës për nga mënyra e trajtimit të çështjeve, mënyrës së hulumtimit të fenomeneve, fakteve, dokumentave, analizës së fakteve, trajtimit dhe shfletimit të dokumenteve, perspektivës dhe vendosmërisë për t’iu shkuar deri në fund çështjeve që ngre, e bëjnë një botim me vlerë historike të patjetërsueshme në publicistikën shqiptare.

Filed Under: Editorial Tagged With: Sokol Paja

Në Prillin 1996 nisi kalimi i kufirit nga Kosova në Shqipëri pa viza dalëse

April 5, 2023 by s p

-Pas botimit të reportazhit tim të Marsit 1996 “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, që edhe u përkthye dhe arriti edhe te diplomatë më erdhi edhe mesazhi se kurrë më nuk do të jetë ashtu ai kufi…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, Prill  2023/ Para 27 viteve, në 1 Prill 1996 për herë të parë kalova kufirin Kosovë-Shqipëri nëpër vendkalim kufitar, në Vërmicë-Morinë, ishte dita e parë e heqjes së vizave dalëse. Viteve më parë udhëtoja drejt Shqipërisë duke kaluar nëpër Mal të Zi, e ilegalisht në një rast i nisur nga Ulqini duke ecur këmbë drejt Shkodrës, e në një rast tjetër duke ecur këmbë nga Kumanova në Maqedoni drejt Preshevës – Kosovës Lindore…

“Lajmi i fundit” në gazetën e Kosovës “Bujku”  në ballinë, i shkruar në 1 Prill 1996  nga Prizreni e Kukësi,   kishte titullin “Kufiri Kosovë-Shqipëri kalohet pa viza dalëse”  dhe në fund paralajmëronte: “Raport më të gjerë nga të dy anët e kufirit ndërshqiptar japim në numrin e nesërm”.

Në pasditën e 1 Prillit 1996 shkova deri në Kukës dhe u ktheva në Prizren e natën vonë në Prishtinë për të shkruar raportin nga ai udhëtim. Një fragment të atij raportimi e kam ribotuar me titull “Kronikë kufiri” para më shumë se çerek shekulli kur kam shkruar reportazhin e ardhmërisë – futuristik “Udhëtimi për në Prizren” botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996. Këtë reportazh futuristik që paralajmëronte bashkimin kombëtar – heqjen e kufirit Shqipëri-Kosovë e lidhjen edhe me autostradë e gjejë në Arkivin Shtetëror të Kosovës të botuar në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, dhe në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë të botuar në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja që dilte në Tiranë pasi në Prishtinë u ndalua me dhunë nga Serbia okupatore. Brenda reportazhit është edhe shënimi “Kronikë kufiri” – pjesë nga shkrimi që kam bërë në 1 Prill 1996 nga kufiri Kosovë-Shqipëri,  të cilin vetëm zogjtë e kalonin pa pengesa…

“Udhëtimi për në Prizren” ishte reportazhi i dytë i ardhmërisë që kam shkruar. I pari ishte “KOSOVË: REPORTAZHI I ARDHMËRISË – Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995 dhe është botuar në atë fundvit në të dy kryeqytetet shqiptare, ndërsa i treti ishte  “Kufiri i ëndrrës”  që e kam shkruar në fundvitin 1997, botuar në 3 Janar 1998…

Reportazhet e ardhmërisë i botoja edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip edhe me shumë raportime që bëja si korrespondent në Prishtinë i Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë që nga 24 Maji i vitit 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë, kur lideri historik i lëvizjes për liri e pavarësi Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President.

Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet e ardhmërisë – futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur nga 17 Shkurti 2008…

Reportazhi i ardhmërisë II “Udhëtimi për në Prizren” i para më shumë se çerek shekulli ishte ky:

 UDHËTIMI PËR NË PRIZREN

(Reportazhi i ardhmërisë II)

Behlul JASHARI

Nuk kishte arritur as t’i shfletojë mirë botimet e  mëngjesit, të gazetave që i kishte marrë në Tiranë, e as ta pijë deri në fund kafenë. Udhëtimi me aeroplan nga Rinasi deri në Sllatinë kishte zgjatur vetëm njëzet e tre minuta. Kishte fluturuar mbi brerimat e bardha të reve, e nga dritarja nuk kishte mundur as përafërsisht të shohë a të përcaktojë se ku mund të jetë vija e kufirit, prej nga vinte lajmi i ditës, që e kishin botuar të gjitha gazetat: “Hiqen gurët e kufirit…”  Njoftohej se lumjanët me daulle, si në dasma, kishin dalë t’i hiqnin gurët, që para shumë e shumë viteve kishin venë kufi midis tokave të tyre. Nuk ishte ky kurrëfarë incidenti kufitar, por edhe paralajmërim i një ngjarjeje, për të cilën reporteri nga Tirana ishte nisur për në Prizren.

            Kishte ardhur më parë në Prishtinë për të shfletuar kronikat e viteve të bujshme të Kosovës. Donte të bënte edhe një kronikë ngjarjesh që i paraprinë një Kuvendi të madh kombëtar, që do të mbahej pas një kohe në Prizren, në kryeqytetin e Lidhjes Shqiptare. Në Prizren pritej edhe  manifestimi qendror i përurimit të autostradës Lezhë-Prizren-Prishtinë, të ndërtuar nëpër shtigjet e rrugës së vjetër  Lis-Dardani…

            Pikërisht udhëtimet Kosovë-Shqipëri nëpër vite ishin një nga interesimet gjatë shpalimit të kronikave në Bibliotekën Kombëtare e Universitare  në Prishtinë. Viti 1996 iu duk se ishte një vit kthesë. Më 1 prill të këtij viti,  për herë të parë pas shumë viteve,  shqiptarët e Kosovës së pushtuar filluan të udhëtojë për në Shqipëri pa viza dalëse, që i kishte aplikuar regjimi i Beogradit për të penguar komunikimet ndërshqiptare. Rexhimi i vizave ishte tepër rigjid. Vetëm brenda një viti mbi një mijë shqiptarëve të Kosovës iu kishin konfiskuar pasaportat e u ishin shqiptuar dënime nga policia e nga gjyqet serbe vetëm e vetëm pse kishin udhëtuar në Shqipëri pa viza dalëve. Po, udhëtimet nuk ndaleshin me gjithë vrasjet në kufirin e ndodhur nën kontrollin e hekurt të forcave serbe.

            Pasi ishte hequr regjimi i vizave dalëse, sipas kronikave të kohës, Prizreni priste të bëhet qendër shumë e rëndësishme e komunikimeve ndërshqiptare nëpër magjistralin Prishtinë-Lezhë. Magjistrali është quajtur rrugë e ardhmërisë nëpër shumë shkrime gazetash  të vitit 1996, kur nga Prishtina për në Tiranë udhëtohej më shumë nëpër Podgoricë apo Shkup dhe udhëtimi zgjaste deri shtatëmbëdhjetë orë. Ishte llogaritur se magjistrali Lezhë-Prizren do të shkurtonte për tre herë rrugën nga Kosova për në bregdetin shqiptar. Midis këtyre dy qyteteve shqiptare  ai magjistral i shtrirë nëpër luginat e lumenjeve Fani i Vogël e  Drini i Bardhë do të kishte maksimum 130 kilometra…

            Tek shfletonte kronikat e vitit 1996 në Kosovë, gazetarit nga Tirana përshtypje të veçantë i bëri edhe një titull i madh në faqen e parë të gazetës: “Jemi zotuar për të ardhmen  e lirinë tuaj”. Ishin këto fjalët e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit Xhon Kornbllum në hapjen e Zyrës Amerikane në Kryeqytetin e Kosovës, më 5 qershor. “Kjo është një ditë historike për Kosovën”, deklaronte me këtë rast presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova.

            Shfletimi i kronikave për përfaqësinë e parë të një shteti të hapur në Kosovë ia përkujtoi se duhet të shkojë brenda ditës në ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë, në kuadrin e ambasadave në kryeqytet…

            Derisa po kthehej, kishte rënë nata, rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të ndriçuara me neon ishin të mbushura plot njerëz.  Masa e njerëzve që shëtitinin në atë mbrëmje të këndshme ia kujtoi të dhënën se numri i banorëve të Kosovës kishte arritur në mbi tre milionë.

            U ndal më gjatë para reklamave të kinemave e teatrove të kryeqytetit. E shihte se do ta kishte vështirë të përcaktohej ku të shkojë, por as nuk kishte kohë. E priste takimi me kolegët gazetarë të Prishtinës në hotelin “Bozhurët e Kosovës”, ku ishte vendosur. I pihej edhe një raki rrushi e Rahovecit…

            Po, kishte pirë edhe ca më shumë, dhe derisa po lexonte teletekstin shqiptar dhe gazetat e mbrëmjes, e kishte zënë gjumi. E kishte zgjuar herët cingërrima e telefonit. Ishte një telefonatë nga Tirana, që e paralajmëronte se pas një ore duhej të paraqitej drejtpërdrejt me raport për lajmet e mëngjesit në Televizion.

            Raportin e kishte në mendje, po, megjithatë, po e shkruante edhe në letër: “Në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën pritet me interesim shumë të madh  Kuvendi gjithëkombëtar, që do të mbahet në Prizren. Pritet edhe përurimi i magjistralit…Heqja e gurëve që shënonin kufirin është manifestim i entuziazmit e gëzimit të popullit për bashkimin kombëtar që paralajmërohet…”

            Pas festës së madhe që paralajmërohej me mbajtjen e Kuvendit kombëtar në Prizren po e priste edhe një festë e bukur: Dita e Verëzes – Dita e Luleve.

Është kjo një festë e lashtë iliro-pagane, që, pos në Prizren e rrethinë, nga të gjitha trojet shqiptare festohet vetëm edhe në Elbasan, në të njëjtën ditë, më 14 mars,  po me emër ca ndryshe: Ditë e Verës – Ditë e Luleve. Prandaj, në këtë festë në Prizren udhëton edhe një delegacion nga qyteti i Elbasanit.

            Kështu, si një surprizë hyn edhe Festa e Luleve në reportazhin e ardhmërisë të reporterit në udhë për në Prizren, prej nga do të kthehet përsëri në Tiranë, për herë të parë nëpër magjistralin e sapoperuruar, vetëm për afër dy orë. E, në Vermicë s’do të jetë më pika kufitare, s’do të jetë më kufiri…

KRONIKË KUFIRI

Kufiri Kosovë-Shqipëri nuk është më si fundi i botës. Pas shumë vitesh kalohet sot për herë të parë pa viza dalëse nëpër pikën kufitare të Vermicës. Po, megjithatë, aty ende ndalojnë forcat serbe dhe është një kontroll i hekurt.

Në njërën anë – bunkerët e betonit, që kanë mbetur si të harruar e janë mbuluar nga ferrat e bari.

Në anën tjetër – “piramidat e betonit”, kaherë të vendosura në zonën kufitare si “pengesa antitanke”.

E, mbi të gjitha pejzazhet shqiptare, midis të cilave sikur mbytet vija e mallkuar e kufirit të aq shumë ndarjeve. Mbi malet e ashpra me borë të Sharrit, Pashtrikut e Koretnikut fluturon një Shqiponjë, nëpër qiellin e përflakur nga dielli në pranverë si në sfondin e flamurit.

E, jo vetëm stinën, por edhe kohën që vjen, sikur e paralajmërojnë dallëndyshet e lejlekët që fluturojnë mbi syprinat e kaltra të lumit të Drinit.

Megjithatë, vetëm zogjtë kalojnë kufirin pa pengesa…(Vermicë, 1 prill 1996)

NGA REPORTAZHI IM I MARSIT 1996 “MURI NDËRSHQIPTAR SI ‘FUNDI I BOTËS’”:

E më pak se dy javë para 1 Prillit 1996, jo rrugës po nëpër male fshehtas nëpër shtetrrethimin e forcave serbe shkova deri afër kufirit Kosovë-Shqipëri dhe nga një kodrinë shihja si dukej e çka ndodhte në vendkalimin kufitar në Vermicë-Morinë, prej nga shkrujta reportazhin “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, të cilin e botova në gazetën e rezistencës “Bujku” më Prishtinë para 27 viteve, në 18 Mars 1996.

Reportazhin e dërgova edhe në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë. Në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetura” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë e gjejë se reportazhi është botuar në 19 Mars 1996 edhe në gazetën Rilindja që dilte në Tiranë pas ndalimit nga regjimi okupues në Prishtinë. Në atë reportazh mes tjerash, kam shkruar:

“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren.

Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 Marsit.

Donin të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrethinë”…

***

Pas botimit të reportazhit “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, që edhe u përkthye dhe arriti edhe te diplomatë më erdhi edhe mesazhi se kurrë më nuk do të jetë ashtu ai kufi…

Në gazetën “Bujku” reportazhi ka nënshkrimin edhe të korrespondentit të saj në Prizren, Fatmir Pireci, bashkë me të cilin shkuam drejt kufirit…

Filed Under: Editorial Tagged With: Behlul Jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT