• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BUSTI I DISIDENTIT ANTI-KOMUNIST ÇEK VACLAV HAVEL NË KONGRESIN AMERIKAN

September 30, 2014 by dgreca

“E vërteta dhe dashuria duhet të triumfojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjet” (Vaclav Havel)/
Nga Frank Shkreli/
Ish-disidenti anti-komunist çek Vaclav Havel, i cili ka ndërruar jetë tre vjetë më parë, konsiderohet si njeriu i cili simbolizon mbarimin e luftës së ftohtë dhe fillimin e konsolidimit të lirisë e të demokracisë dhe i cili njëkohsisht njihet edhe si simbol i pajtimit në ish-vendet komuniste të kontinentit europian, do të renditet me më të mëdhejtë e demokracisë amerikane.
Për të nderuar jetën dhe trashëgiminë e ish dramaturgut dhe ish disidentit anti-komunist çek, i këthyer në një luftëtar lirie dhe demokracie, Vaclav Havel-in, Dhoma e Përfaqsuesve e Kongresit të Shteteve të Bashkuara ka vendosur të dedikojë bustin e tij më 19 të nëntorit, në sallën e Kongresit që quhet Forumi i Lirisë. Aty, busti i Vaclav Havelit do të vendoset pranë busteve të më të mëdhejve të historisë amerikane, Xhorxh Uashingtonit dhe Abraham Linkolnit, por edhe pranë ish-kryeminstrit britanik, Uinston Çurçillit. 19 nëntori shënon 25-vjetorin e Revolucionit anti-komunist të Kadifenjtë të Çekisë, revolucion ky që i solli vendit të tij lirinë, demokracinë dhe pavarësinë nga dominimi i komunizmit sovjetik.
Këtë njoftim e bëri më 22 shtator, Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit amerikan, republikani Xhon Boehner i cili nepërmjet një letre njoftoi për këtë vendim të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqsuesve, si dhe anëtarët e Senatit amerikan. Në letrën dërguar kolegëve të tij ligjvenës të të dy partive — demokratëve dhe republikanëve — udhëheqsi republikan i Dhomës së Përfaqsuesve tha se, “Si dramaturg i këthyer në një politikan disident, Vaclav Havel kishte kaluar vite në burg, vetëm e vetëm, sepse gjatë jetës së tij ka sfiduar ideologjinë dhe legjitimitetin e regjimit komunist që sundonte vendin e tij Çekosllovakinë, gjatë Luftës së Ftohtë. Në vazhdim të letrës, Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve u tha kolegëve të tij se, “Në 25-vjetorin e Revolucionit të Kadifenjtë, revolucion ky i cili çliroi popullin e tij dhe që çoi në zgjedhjen e Vaclav Havel-it si president, ne do të mblidhemi që të kujtojmë atë dhe të gjithë ata, sakrifikicat e të cilëve ndihmuan në përmbysjen e Përdes së Hekurt.” Atë ditë,pothuaj 25 vjetë më parë, më 17 Nëntor, 1989, Vaclav Havel udhëhoqi demonstratën paqësore të studentëve në Pragë, e cila çoi në një numër ngjarjesh që pasuan demonstratën dhe të cilat më në fund rezultuan në rrëximin e regjimit komunist të Çekosllovakisë.
Autorizimi për vendosjen e bustit mbrenda hapësirës së Kongresit amerikan — e që është në përfundim e sipër nga skulptori çek Lubomir Janecka — e ka zanafillën në rezolutën e miratuar njëzëri nga ligjvensit e të dy partive kryesore të Kongresit amerikan, Marsin që kaloi, me qëllim sipas fjalëve të rezolutës për të, “nderuar jetën dhe trashëgiminë e Vaclav Haveli-it”. Duke paraqitur rezolutën në Kongresin amerikan më heret këtë vit, për autorizimin e vendosjes së bustit të disidentit antikomunist çek në Forumin e Lirisë në kryeqendrën e demokracisë botërore, sponsorizuesi kryesor i rezolutës, kongresisti Ed Rois ka thënë se, “Si dramaturg, Vaclav Haveli nxori në shesh absurditetin e ideologjisë komuniste dhe njëkohsisht diskreditoi regjimin komunist shtypës të Çekosllovakisë.” Siç dihet, pas ndërhyrjes brutale të sovjetikëve komunistë për të shtypur lëvizjen e njohur si Pranvera e Pragës, në vitin 1968, që kërkonte një liberalizim më të madh politik, Havelit iu hoq e drejta që të vazhdonte punën në teatër, në përpjekje nga autoritetet komuniste për t’ia mbyllur gojën. Por, ashtu siç deklaroi edhe kongresisti amerikan, Ed Rois, “Komunistët e nënvlersuan tepër pasionin e Vaclav Havelit për liri. Në vend që të dorëzohej përballë frikësimeve të tyre, ai e shtoi veprimtarinë e tij politike, duke luajtur rolin kryesor në përpilimin e asaj që tani njihet si Karta 77 mbi të drejtat e njeriut. Ai njëherazi ishte edhe njëri prej anëtarve themelues të kësaj organizate disidentesh anti-komunistë, të bazuar në të njëjtat parime”, theksoi kongresisti amerikan. Dhjetë vjetë para shëmbjes së komunizmit, më 1979, Vaclav Havel kishte formuar Komitetin për Mbrojtjen e të Persekutuarve Padrejtsisht.Këto dhe veprimtari të tjera antikomuniste, në mbështetje të lirisë dhe demokracisë, tha Kongresisti Rois, shkaktuan që Vaclav Havel të burgosej disa herë nga autoritetet komuniste çeke, por më në fund shtoi ai, “Vaclav Haveli dhe kauza e lirisë, triumfuan”.
Edhe pas rënjës se komunizmit, Vaclav Havel nuk pushoi veprimtarinë e tij në mbështetje të lirisë dhe demokracisë anë e mbanë botës, përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën.Vaclav Havel njihte mirë vuajtjet e shqiptarëve nën regjimin e Enver Hoxhës, si njërin prej regjimeve më të egëra komuniste, jo vetëm në Europë por edhe në botë. Gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar, Vaclav Havel ishte ndër të parët në Europë i cili luftoi duke kundërshtuar politikën serbe të gjenocidit kundër shqiptarëve në trojet e veta në Kosovë, me mbështetjen e tij për sulmet ajrore të aleancës perëndimore të NATO-s në fushatëan e saj për çlirimin e Kosovës. Në lidhje me Kosovën, ai ishte shprehur se “Edhe më parë kam mbrojtur qëndrimin se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë sa më parë për të mbrojtur jetën e njerëzve të pafajshëm nga arbitrariteti i shtetit”, ka thënë ai në mbështetje të sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave kriminale të ish-regjimit serb të Millosheviçit. Jiri Pehe, njëri prej këshilltarëve të tij ka thënë se “Kur ai, mbështeti bombardimin e Serbisë më 1999 ose invadimin e Irakut me 2003, ai nuk fliste për objektiva të mëdha gjeopoliitke ose strategjike, por theksonte nevojën për të ndaluar abuzimet dhe shkeljen e të drejtave të njeriut nga diktatorë brutalë.” Dhe më 2011, Vaclav Havel u qëndroi besnik parimeve të tija, duke ftuar Presidenten e Republikës së Kosovës që të merrte pjesë më 2011 në punimet e konferencës vjetore prestigjioze ndërkombëtare –Forumi 2000 — në Pragë, megjithë kundërshtimet e mëdha nga Serbia. Ishte kjo një thyerje e akullit për pjesmarrjen e Presidentes së Kosovës në mbledhje ndërkombëtare megjithë fushatën dhe këmbënguljen e Serbisë për të mos pranuar përfaqsuesit më të lartë të Kosovës në takime të tilla ndërkombëtare.
Nëse më lejohet një notë personale, gjatë vizitës së parë të tij zyrtare në Washington më 1990, Vaclav Havel kishte kërkuar të vizitonte shërbimin çek të VOA-s për tu takuar me gazetarët e shërbimit çekosllovak të VOA-s dhe për arsye të detyrës së atëhershme, si Këshilltar i Programeve radiofonike të divizionit europian të VOA-s, pata rastin dhe fatin e mirë të isha pjesë e pritjes së Zotit Havel në kryeqëndrën Zërit të Amerikës. Ai takim dukej si një diçka nga bota e përrallave: në kryeqendrën e Zërit të Amerikës, ndodheshim ball për ball me disidentin e famshëm antikomunist çek, mbështetsin e flakët të të drejtave të njeriut në botë dhe njërin prej minuesve kryesorë të komunizmit ndërkombëtar, për të cilin në të gjitha transmetimet e VOA-s, kishim folur pothuaj për çdo ditë, për aktivitetin e tij dhe të kolegëve të tij disidentë, çekë dhe të tjerë anë e mbanë Europës. Diçka e madhe dhe historike me përmasa botërore kishte ndodhur në fund të shekullit 20-tët, dhe ja tani — në Uashington dhe për më tepër në kryeqendrën e Zërit të Amerikës — shtërnguam duartë me njërin prej protagonistëve kryesorë të kësaj historie. Ishte një takim që nuk fshihet lehtë nha kujtesa! Megjithëse ende ishte vështirë të besonim, ne në të vërtetë ishim në prani të njërit prej realizuesve të ëndrrës shekullore për liri dhe demokraci për të gjithë popujt.Ja ky ishte Vaclav Haveli, i cili pas vizitës në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongres vizitoi VOA- dhe busti i të cilit tani me akt të Kongresit amerikan do të vendoset mbrenda hapësirës së parlamentit më të njohur dhe më të rëndësishëm të botës. I thjeshtë në nivel njerëzor, human i cili, siç na tha me atë rast e ndjente për detyrë të vinte tek VOA dhe të takonte bashkatdhetarët e tij, zërin e të cilëve e kishte dëgjuar për vite me radhë e të cilët, sipas tij, kishin dhënë një kontribut të madh në informimin e tij dhe të kolegëve të tij gjatë ditëve më të zeza të vendit të tyre.Ky ishte Vaclav Havel, mirënjohës!
Një ditë para se të miratohej rezoluta nga Kongresi amerikan, ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, gjithashtu me origjinë çeke dhe mbështetse e fortë e të drejtave të shqiptarëve — gjë që ajo e tregoi gjatë luftës për çlirimin e Kosovës — ka thënë gjatë një konference kushtuar trashëgimisë morale dhe politike të Vaclav Havelit se ai meriton të nderohej nga Kongresi Amerikan sepse, sipas saj “Ai tregoi se një vend i vogël mund të ndryshojë shumë gjëra kur ka udhëheqsin e duhur me parime morale”.
Rezoluta për të nderuar Vaclav Havel-in me një bust në Kongresin amerikan përkrah baballarëve të kombit amerikan, ishte një përpjekje që u mbështet nga të dy partitë kryesore të Amerikës, ndërkohë që sponsorizuesi kryesor i rezolutës, kongresisti republikan nga Kalifornia ka thënë se, “Trashëgimia e këtij luftëtari të lirisë shërben si frymëzim edhe për aktivistët e sotëm paqësor për demokraci”, dhe si i tillë është shprehur ai, në emër të të gjithë kolegëve të tij, imazhi i disidentit anti-komunist Vaclav Havel-it përballë kampionëve të tjerë të lirisë në Forumin e Lirisë të tempullit të demokracisë amerikane që është Kongresi — “Do tu kujtojë brezave të ardhëshëm ndikimin që një njeri i vetëm mund të ketë në avancimin dhe në mbrojtjen e lirisë.” Vaclav Havel si president i Çekosllovakisë ishte ftuar të mbante një fjalim para Kongresit amerikan, vetëm dy muaj pasi ishte zgjedhur në atë detyrë më 1990. Ndonëse ai ndër të tjera foli mbi ndërgjegjen morale të njerëzve në përgjithësi, por të politikanëve në veçanti – tani prania bustit të tij do të jetë e përhershme dhe e përjetësuar në kujtesën e miliona njerëzve jo vetëm nga Amerika por nga e mbarë bota, që çdo vit vizitojnë Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Por për më tepër, busti i disidentit anti-komunist çek në Kongresin amerikan do tu kujtojë të gjithëve dhe për gjithmonë triumfin e shpirtit njerëzor, mbi atë që vet Vaclav Havel kishte cilësuar në fjalimin e tij para dy dhomave të Kongresit amerikan 25 vjetë më parë, si “një sistem totalitar komunist i cili jo vetëm në radhët e çekëve dhe sllovakëve, por në mbarë popujt e Bashkimit Sovjetik dhe të popujve të tjerë të skllavëruar nga regjimet komuniste, ka lënë pas një trashëgimi të një numëri të madh e të panjohur të vrarësh, një spektër të pa fund vuajtjesh njerëzore, një dështim të tmershëm ekonomik, dhe mbi të gjitha” ka thënë ai, “komunizmi ishte një sistem që ka lënë pas një poshtërim njerëzor të përmasave jashtzakonisht të mëdha. Na ka sjellur tmerre që fatkeqsisht ende nuk dihen”, u ka thënë ai dy dhomave të Kongresit 25 vjetë më parë. Kjo është trashëgimia e komunizmit sipas ish disidentit anti-komunist Vaclav Havel, busti i të cilit tani do të vendoset me Kongresin amerikan më 19 Nëntor të këtij viti, në shënjë nderimi për të po se po, por njëkohsisht është edhe një simbol dhe shënjë kujtese që Shtetet e bashkuara të Amerikës duan që brezat e ardhëshëm amerikanë dhe të huaj të mos harrojnë as krimet dhe viktimat e komunizmit kudo.
Ne Foto: Skulptori çek, Lubomir Janecka duke përfudnuar bustin e Vaclav Javelit që do të vendoset në Forumin e Lirisë të Kongresit amerikan.

Filed Under: Editorial Tagged With: Busti Havelit, Frank shkreli, ne Kongresin amerikan

Rëndësia e shoqërisë civile

September 25, 2014 by dgreca

Nga Frank SHKRELI/
Gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithëshsme të Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama mbajti pardje një fjalim para forumit të Nismës Globale Klinton, mbi rëndësinë që ai u kushton organizatave të shoqërisë civile anë e mbanë botës. Presidenti amerikan tha se të gjitha vendet mund të jenë më të begatë dhe të përparojnë më shpejt nëqoftse promovojnë dhe mbështesin veprimtarinë e shoqërive civile. Ai lavdëroi, para pjesëmarrësve të forumit të ish-Presidentit Bill Klinton, punën e atyre që ai cilësoi si, “qytetarë me kurajo”, të cilët promovojnë demokracinë, biznesin, lirinë e fesë dhe lirinë e fjalës, përball masave të qeverive që i kërcënojnë ata me burgim, e madje edhe me vdekje.
Duke premtuar mbështetjen e tij të plotë për lëvizjet që përkrahin dhe promovojnë lirinë anë e mbanë botës, Presidenti Obama tha se “Mbështetja e Amerikës për shoqërinë civile është një çështje e sigurimit kombëtar.” Duke përmendur raste të veçanta grupesh civile nga bota, përfshirë Kubën, Rusinë dhe Palestinën, Z. Obama theksoi se, “Janë udhëheqsit e grupeve të shoqërisë civile, ata që në shumë mënyra, me veprimtarinë e tyre, do të kenë efekte më të qëndrueshme dhe më të përhershme”, në shoqëritë ku veprojnë, sepse, shtoi ai,”titulli më i rëndësishëm nuk është as ‘President’ dhe as ‘Kryeministër’”, por tha ai, “Titulli më i rëndësishëm është qytetar”.
Duke folur në takimin e Nismës Globale Klinton në Nju Jork të martën, Presidenti Obama u tha të pranishëmve se si, zëri i vetëm një qytetari mund të na kujtojë se pse ekzistenca e shoqërisë civile në cilindo vend, është aq e rëndësishme. “Kur njerëzit janë të lirë të shprehin lirisht mendimet e tyre dhe kur qytetarët mbajnë përgjegjës dhe kërkojnë llogari nga udhëheqsit e tyre politikë, atëherë qeveritë janë më të përgjegjëshme, më efektive dhe më transparente në punën e tyre. Kur biznismenët janë të lirë të krijojnë dhe të zhvillojnë idetë e tyre të reja, atëherë ekonomia dallohet nga inovacioni dhe si e tillë tërheq më shumë tregti dhe investime dhe më në fund, si rrjedhim, bëhet një ekonomi më e begatë dhe më e shëndosh.”
Presidenti Obama vazhdoi fjalimin e tij mbi rëndësinë që ai mendon se ka shoqëria civile, duke thenë se, “Kur komunitetet e ndryshme, përfshirë dhe pakicat, janë të lira të jetojnë, të luten dhe të dashurojnë sipas dëshirës së tyre dhe atëherë kur kombet zbatojnë të drejtat bazë të popujve të vet — duke përfshirë veçanërisht, të drejtat e grave dhe të vajzave — atëherë ka më shumë të ngjarë që ato vende të përparojnë dhe të kenë një jetesë më të mirë për të gjithë. Nëqoftse dëshironi shtete të forta dhe të sukseshme”, atëherë shtoi Presidenti Obama, “Ju kini nevojë për një shoqëri civile të fortë dhe aktive.”
Janë qytetarët, burra dhe gra, të cilët janë të vendosur të përcaktojnë vetë të ardhmen e tyre — ata të cilët, gjatë gjithë historisë, kanë qenë shtytësit kryesorë të ndryshimeve dhe përparimit, tha Z. Obama. Qytetari, shtoi ai, është një forcë e fuqishme për ndryshim në shoqëri dhe theksoi se kjo është arsyeja se pse gjithnjë e më shumë qeveritë anë e mbanë botës, po bëjnë ç’mos për të shuar zërin dhe për të ndalur veprimtarinë e shoqërisë civile. Presidenti Obama përmendi me emër Rusinë, Kinën dhe Venezulën, ndër të tjera, si vende që nuk janë miqësore ndaj veprimtraisë së grupeve të shoqërisë civile në vendet e tyre. Duke shprehur gjithnjë mbështetjen e tij për shoqërinë civile në të gjithë botën, Presidenti Obama paralajmëroi se vihet re se, “Shtypja në rritje e sipër e shoqërisë civile, është në të vërtetë një fushatë për të minuar vetë idenë e demokracisë.” Dhe si rrejdhim, shtoi ai, “Ajo që është e nevojshme tani, është bërja e një fushate edhe më të madhe në mbështetje të demokracisë”, nga ana jonë, tha Presidenti Obama.
Në përputhje me këtë angazhim, Z. Obama njoftoi një numër masash të reja që do të marrin Shtetet e Bashkuara në mbështetje dhe në promovimin e organizatave të shoqërisë civile anë e mbanë botës. Ai u angazhua se të gjitha departmentet dhe agjencitë federale amerikane do të konsultohen më rregullisht me grupe të shoqërisë civile. Shtetet e Bashkuara, tha Presdenti Obama, do të kundërshtojnë përpjekjet e qeverive të huaja për të urdhëruar ose për të imponuar se cila do të jetë ndihma amerikane për shoqëritë civile dhe do të kundërshtojnë gjithashtu edhe kufizimin e lirisë së të shprehurit, dhe kufizimet ndaj lirisë për tu mbledhur ose për të demonstruar në mënyrë paqësore. Ndër masa të tjera në përkrahje të shoqërisë civile anë e mbanë botës, Presidenti Obama njoftoi se do krijohen qëndra të reja ku grupet e shoqërisë civile do të kenë mundësi të ndërlidhen, të komunikojnë dhe të nxjerrin informacion në lidhje me teknologjinë dhe financimin për të cilin kanë nevojë për të venë në zbatim idetë e tyre. Zoti Obama premtoi gjithashtu se Amerika do të ofrojë një mbështetje më të madhe dhe fonde më të mëdha për grupet e shoqërisë civile anë e mbanë botës, përfshirë ndihmën ligjore, ndihmat urgjente dhe mbështetjen teknike.
Presidenti Obama i siguroi shoqëritë civile kudo se ndonëse realiteti i politikës së sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara i detyron ato që nganjëherë të punojnë me qeveri që nuk i respektojnë të drejtat universale të qytetarve të tyre, kjo tha ai, nuk do të thotë se të drejtat e njeriut duhet të sakrifikohen për hir të ndonjë politike tjetër. Megjithëse, nganjëherë mbështetja e të drejtave të njeriut nga ana e Shteteve të Bashkuara, tha ai, shkakton konflikte e mosmarrveshje me vendet që nuk i zbatojnë ato të drejta, “Shtetet e Bashkuara nuk do të pushojnë së foluri në mbështetje të të drejtave të njeriut, për të gjithë njerëzit pa dallim dhe njëkohsisht do tu bëjnë presione qeverive që të zbatojnë këto të drejta dhe liri universale për popujt e vet. Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga kjo, sepse, kjo politikë është pjesë e qenjes sonë, e identitetit tonë dhe është pjesë e qëndrimit tonë mbi zbatimin e këtyre të drejtave për të gjithë njerëzit.”
Presidenti Obama e përfundoi fjalimin e tij në mbështetje të shoqërisë civile, të marten në Nju Jork, duke u thënë atyre se nuk jeni vetëm. “Edhe nëqoftëse përball kufizimeve të veprimtarisë suaj, të presioneve dhe frikësimeve ndaj jush, ata (qeveritë) përpiqen tu thonë se bota nuk çanë kokën për ju, se miqët tuaj u kanë harruar, mos u besoni”, tha Presidenti Obama, duke i siguruar përfaqsuesit e shoqërive civile, “Se ju nuk jeni vetëm. Ju, kurrë nuk jeni vetëm.”

Filed Under: Editorial Tagged With: e shoqërisë civile, Frank shkreli, rendesia

Shqipëria nderon martirë të kombit dhe fesë

September 18, 2014 by dgreca

Nga Frank SHKRELI/
Tre ditë para se të shkelë në tokën arbërore për vizitën e tij në Tiranë, Papa Francesku ka përshëndetur gjatë një meshe në Vatikan, shqiptarët dhe ka falenderuar popullin shqiptar për përgatitjet që ka ndërmarrë për ta pritur atë sa më mirë me rastin e vizitës së tij në kryeqytetin e shqiptarëve, ndërsa ka theksuar edhe njëherë shembullin e tolerancës fetare ndër shqiptarët, si një prej arsyeve kryesore të vizitës së tij në Shqipëri, duke thënë tekstualisht këto: “Të dielën, me ndihmën e Zotit do të shkoj në Shqipëri. Kam vendosur ta vizitoj këtë vend, sepse ka vuajtur shumë për shkak të një regjimi të tmerrshëm ateist dhe tani po mundësojnë një bashkëjetesë paqësore midis besimeve të ndryshme fetare. Përshëndes popullin shqiptar dhe i falënderoj ata për përgatitjet për vizitën time. U kërkoj të gjithëve që të më shoqërojnë me lutje”, ka thënë Papa disa ditë para udhtimit të tij drejtë Tiranës.
Në pritje të Papa Françeskut, rrugët e Tiranës, në mënyrën më dinjitoze janë dekoruar me flamujt e kombit shqiptar dhe të Vatikanit, ndërkohë që bulevardi i “Dëshmorëve të kombit” ku do të kalojë Papa për të shkuar tek Sheshi “Nënë Tereza”, është mbuluar në të dy anët me portretet e disa dyzina klerikësh katolikë, të vrarë mizorisht nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Siç duket nga përgatitjet shtetërore dhe qeveritare, kjo vizitë e Papës do të jetë tepër dinjitoze, ashtu siç duhet dhe siç e kanë traditë shqiptarët. Megjithëse Papa Françeskut i pëlqen thjeshtësia, është me vend që kjo pritje të reflektojë dëshirën e Papës që ai ka shprehur se me vizitën e tij do të kujtojë vuajtjet e popullit shiqptar. Andaj kjo vizitë, ndër të tjera, duhet të jetë një dëshmi e tragjedisë së klerit katolik shqiptar gjatë regjimit komunist, e këtyre viktimave të pafajshme të vrarë nga një dorë e pamëshirshme e një shteti terrorist. Duhet të jetë një dëshmi jo vetëm për vet shqiptarët, por dhe për botën e cila këtë të djelë do të jetë e pranishme aty në mes të Tiranës, nepërmjet më shumë se 1600 gazetarëve. Sepse, megjithëse Shqipëria e vogël në krahasim me shtetet e tjera ish-komuniste ku gjithashtu persekutohej feja, numri i klerikëve katolikë shqiptarë të vrarë, proporcionalisht, duhet të jetë numri më i madh në krahasim me numrin e viktimave të klerit katolik në ish vendet komuniste të Europës Lindore, gjë që e bën tragjedinë, e jo vetëm të klerit katolik –por edhe atij mysliman dhe ortodoks shqiptar — si një ndër terroret dhe masakrat më të egëra komuniste, që ka njohur bota.
Shpresohet që kjo ekspozitë e mrekullueshme në qëndër të Tiranës, përveç dëshmisë që tregon, të jetë njëkohsisht edhe fillimi i përjetsimit të kujtimit të tragjedisë së këtyre viktimave të pafajshme — dhe jo vetëm tragjedisë së tyre por edhe fatit dhe historisë moderne të kombit. Sepse me vrasjen e këtyre klerikëve nga regjimi komunist, u zhdukën ato që Ernest Koliqi i pat cilësuar ata në një shkrim si, “Rreze Qytetnie të Fikuna”, duke përmendur poetnit dhe shkrimtarët e njohur klerikë, si Vinçenc Prenushi, Anton Harapi, Bernardin Palaj, Lazer Shantoja, Ndre Zadeja, Nikoll Gazulli, Aleksandër Sirdani e shumë e shumë të tjerë. Ishin këto viktima të komunizmit, portretet e të cilëve janë vendosur në qëndër të Tiranaës me shumë të tjerë, të cilët Ernest Koliqi i kishte njohur personalisht, e të cilët sipas tij, “Ishin Artista të fjalës, që ndërsa e holluen shqipen tue ia shtue mjetet shprehëse, ata synojshin rritjen e breznive të reja në zjarmin e idealit kombëtar.” Koliqi vazhdon shkrimin e tij me rastin 20-vjetorit të fillimit të tragjedisë së klerikëve shqiptar që u shlnua këtu në Amerikë më 1966, duke thënë se, klerikët e martirizuar, “Na çilën sytë me pa shkëlqimin e trashëgimit tonë stërgjyshor. Ndikuen në shpirtin tonë krenarinë e emnit shqiptar. Fetarë po, dhe të përpikshëm, por edhe atdhetarë të qitun.”
Periudha e komunizmit si në gjithë botën tjetër, për nga egërsia me të cilën trajtonet kundërshtarët, ishte një kapitull i historisë së Shqipërisë dhe të shqiptarve me të cilën nuk mund të ndjehet askush krenar. Përveç tjerash, zhdukja fizike e këtyre klerikëve dhe eliminimi i veprave të tyre letrare dhe kombëtare ka varfëruar përgjithmonë edhe vet historinë dhe kulturën kombëtare të shiqptarëve. Ndoshta ky ishte edhe qëllimi i atyre që ndërmorën këtë vëllavrasje me urdhëra të të huajve, fillimisht nën urdhërat e jugosllavëve e më vonë të rusëve, qëllimi i të cilëve ka qenë gjtihmonë që të ndalonjnë zhvillimin dhe prirjet përparimtare perëndimore ndër shqiptarët, dhe njëkoshisht të zhdukin edhe ndjenjat kombëtare të shqiptarëve. Ishin këto krime çnjerzore të ndërmarra nga një regjim i tërbuar me ideologjinë komuniste sllavo-aziatike i cili nuk kishte asgjë të bënte me kombin shqiptar dhe as nuk i shërbente interesave të tij.
Por fatbardhsisht planet e tyre, megjithse e çuan shumë mbrapa kombin shqiptar nuk dolën me sukses. Kujtimi i këtyre viktimave të komunizmit siç pasqyrohet nga përgatitjet për vizitën e Papa Françeskut në Tiranë nga qeveria, nga shteti si edhe nga besimtarët e tre besimeve fetare dhe i mbarë populli shqiptar këtë djelë, vërteton fjalët e poetit kombëtar At Gjergj Fishtës kushtuar dëshmorëve:
“….E kur Shqyptari ndër ma të largtat mote
Nepër të cilat do të endet jeta e njerit,
Kur të këndoj Shqyptari m’ato kangë kreshnike
Sa gjaku e mundi kje prej jush dikue
Për me u ndërtue Atdheu i tij Shqypnia:
-O të lumtë ata, ka me brohoritë me vedi
Që flija e Atdheut e ban, e tue dhanë jetën,
Liri Atdheut e të ambël jetë i suellën.
E ai vorret tua atëherë ka me kërkue
E ka me i gjetë, e ka me i ruejt, si ruhet
Altari i Atdheut: e me kunora të blerta
Ka me i lulëzue, e mbasandej ju besën
ka për tua dhanë mbi vorr, se kurr për së gjallit
s’ka me e koritun namin tuej e nderen
Se ka me dekë për Atdhe si desin burrat,
Si diqët — qe– ju për një Shqypni të lirueme”
Në Shqipëri dhe ndër shqiptarët kudo ndihet një shprehje krenarie për pritjen që po i bëhet Papa Françeskut në vizitën e tij Tiranë të djelën që vjen si dhe kujtimit që me këtë rast po u bëhet të viktimave të regjimit komunist të klerit katolik. Ndoshta kjo vizitë e Papës është edhe një rast i mirë për tu zotuar se shqiptarët sot e tutje — këtyre dhe të gjitha viktimave të komunizmit shqiptar të të gjitha feve e të gjitha krahinave — s’ka “me ua koritur namin e as nderin”, pasi këta si viktima të pafajshme, humbën jetën për lirinë që gëzon sot Shqipëria dhe kombi shqiptar. Ky është një obligim jo vetëm fetar e moral por edhe atdhetar, një angazhim ky që më në fund do të sjellë paqë e pajtim dhe do të çojë në një manifestim të shërimit të plagëve kombëtare.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, martirë, Shqipëria nderon, të kombit dhe fesë

“Shenjtenia e Juej: Miresevini ne atdheun tone!”

September 15, 2014 by dgreca

Nga Prof. Sami REPISHTI*/
Jam mirenjohes qe me jepet mundesia me fole sot para kesaj Konference kuptimplote qe mbahet vetem 8 dite para vizites se Atit te Shenjte ne token tone arbenore, vizite qe une pershendes: “Shenjtenia e Juej: Miresevini ne atdheun tone!”. Vizita konsakron randesine e se kaluemes sone tragjike, dhe synon, njikohesisht, perkrahjen e Selise se Shenjte per klerin katolik shqiptar ne perpjekjet e tia me forcue sa ma shume veprimtarine e tij ne sherbim te grigjes shqiptare, me ringjalle “Nji Shqiperi me Zotin, dhe per njeriun!”
Jeta me dha mundesi me deshmue periudhen e letargjise dhe vorfenise ne vitet e Monarkise, okupacionin ushtarak fashist, vitin kalimtar te ordive shkaterruese naziste ne vendin tone, 15 vjet te rregjimit komunist, dhe sot periudhen e nji tranzicioni anemik e te pa planifikuem, kaosi i te cilit mundon qindera mijera shqiptare, dhe shkakton nji konfuzion te gjithembarshem ne mendjet e individeve dhe te kolektivit shqiptar. Sot, Shqiperia, ende e pasherueme nga plaget e murtajes komuniste, ende e trazueme nga meturinat helmuese te saj ne jeten e perditeshme e ne ndergjegjen e seicilit, mban te gjalle nji te kalueme monstruoze qe refuzon me vdeke, dhe nuk gjen fuqi te mjaftueshme me ushqye te rene e lire e demokratike qe duhet te linde…!
Ne kete mes te padeshirueshem, une shoh veten si deshmitar okular i epokave qe kam jetue. Si i ketill duhet te flas, sepse heshtja ashte e papranueshme. Me fole don te thote me thane te verteten qe, pa qene absolute per arsye te kontekstit qe e permban, ashte shprehja e nji deshmitari me te gjithe vleren qe kjo mund te kete. Ky qendrim me ka detyrue moralisht me tregue ngjarje te jetueme, sidomos gjate viteve te diktatures se proletariatit, dhe me theksue ate qe quej”esenciale” ne jeten e popullit tone: vuejtjen e pameritueme, dhe forcen e karakteritme iqendrue besnik vetes para kercenimeve, tue pershi edhe ate te jetes. Sot perseris, se ne katastrofen tone komuniste, ka pase nji element qe ka mbajte nji qendrim frymezues per ne e per brezenite e ardhme. Ky element ka qene popullsia katolike shqiptare, dhe udheheqsit e saj shpirtenor, kleri katolik apostolik roman shqiptar. Binomi “Fe e Atdhe” gjate viteve te diktatures se kuqe, u tregue nji fortese e pathyeshme, dhe e paperkuleshme!
Kjo ashte nji e vertete,qe une perseris: Te akuzuem pa faj, te arrestuem pa faj, te torturuem pa faj, te denuem pa faj dhe te pushkatuem pa faj, ata i qendruen besnike fese dhe Kishes, ata nuk harruen asnjihere Nanen Shqiperi.. Para skuadrave te ekzekutimit, thirrjet ma te shpeshta kane qene: “Rrofte Krishti-Mbret, Rrofte Papa, Rrofte Shqipnia!”. Dhe kane ra ne heshtjen e perhereshme, kane fitue lavdine e perhereshme, dhe mirenjohjen e perhereshme te mbar nji populli !
Shoqenia shqiptare nuk do te sherohet kurre nga rrjedhimet e murtajes komuniste, persa kohe qe nuk del ne shesh e verteta. Martirizimi i klerit katolik shqiptar, dhe persekutimi i veçante i besimtareve katolike shqiptare jane dy “fakte” qe duhen theksue, dhe duhen studjue si manifestime monstruoze te diskriminimit fetar dhe politik ne Shqiperi. Ky ashte nji proces. Hapi i pare ashte zbulimi i se vertetes, dokumentimi dhe popullarizimi i saj.
Asgjasimi fizik i klerit katolik shqiptar ka qene nji fenomen unik, ne kohen tone e ne hapesinen shqiptare. Prandej, duhet studjue sistematikisht qe te kuptohet e te mos perseritet. Pse ngjau kjo katastrofe per katoliket shqiptare? Cilet jane faktoret qe e prodhuen? Cilat jane forcat shoqenore qe e ushtruen, dhe cila ishte fryma qe ushqeu keto forca? Pse “Lleshrat dhe Markrat e Veriut u vrane faj e pa faj” siç pohonte krimineli Pandi Kristo ne Burgun e Burrelit?
Shqiperia pret nji pergjigje!
Pak randesi ka pase per xhelatet ekzekutues “fakti” qe ky grup i veçante perbante kolonen vertebrore te nji shoqenie shqiptare te organizueme per qendrese ne kryengritjet kombetare, qe nga Skenderbeu deri ne Diten e Pavaresise; qe ky grup i veçante mbajti te gjalle shqiptarizmin per pese shekuj te gjate robenie otomane; qe ky grup i veçante lavroi gjuhen shqipe dhe e mesoi ate ne shkolla, qe hapi spitale e shtepia per pleqte, qe u kujdesue per te vorfenit, dhe me shume randesi, zbuti atmosferen e ashper te hakmarrjes ne malesite tona, tue ofrue frymen e faljes se fajit dhe pajtimin.Ashte ky grup i veçante qe dha fretnit me zhgunin e vorfenise ne katundet ma te vorfena, dhe murgeshat e pervuejtuna ne sherbim te lagjeve ma te mjerueme ne qytetet tona….dhe ashte ky grup i veçante qe vazhdon me predikue, ashtu si ne te kaluemen,”…per te krishteret…dashuria shkon deri ne dashuri per armikun” (1) Madheshti shpirtenore!
Pak randesi ka pase per xhelatet ekzekutues “fakti” se historia e popullit shqiptar nuk njeh nji rast te vetem kur kleri dhe besimtaret katolike te mos kene qene pjesemarres, e ne shume raste udheheqes, ne kalvarin shume shekullor te vendit tone, e ne luftat kunder anmiqve kercenues; dhe tashti vone, ne forcimin e nji Shqiperie te lire qe perpiqet me qene europiane.Me kete, katoliket shqiptare ritheksojne randesine e “atdheut” shqiptar. Ata keshillojne se “…detyra e qytetareveeshte t’ijapin ndihmen e tyne pushtetit civil e shoqerise me shpirtin e se vertetes, drejtesise, solidaritetit, dhe lirise. Dashuria dhe sherbimi ndaj atdheut rrjedhin nga detyra e mirenjohjes, dhe nga rendi i dashurise,” Detyre qytetare e vertete!
Kjo “detyre” nuk ashte bindje e verbet, as rrjedhimi i nji frikesimi, sepse “…qytetaret jane te detyruar ne ndergjegje,e te mos i ndjekin ato ligje te autoriteteve civile qe jane ne kundershtim me kerkesat e rendit moral, me te drejtat themelore te personit dhe memesimet e Ungjillit”(2), nji pozicionim qe Imzot Desmond Tutu i Afrikes Jugore, ne ditet e “apartheid”-it e quente “e drejta kristiane me u revoltue!” Çdo akt ligjor çdo veprim i pushtetit civil qe kufizon lirine e te drejtat e qytetarit te lire ashte moralisht i gabueshem, dhe ligjerisht i pa vlere. Ne kete deklarate une shoh edhe thelbin e rezistences anti-komuniste te vellazenve dhemotrave tona katolike: nji revolte kunder shtypjes se fese, kunder asgjasimit fizik te klerit katolik shqiptar- dhe e pershendes! Per Kishen katolike shqiptare “…mosbindja civile…perben nje te drejte te pacenueshme, e te pa tjetersueshme te personit, nje te drejte qe ne, ipeshkevinjte, bejme thirrje qe ta ushtrojne te gjithe”(3)
***
Sot, andrra e keqe ka perfundue! Por ne gjindemi para nji procesi sherimi ne vendin tone, para detyres se rande te rindertimit moral per te gjithe ne. Jo vetem ata qe jane pergjegjes direkt per krimet e kryeme, por edhe ata qe margjinalisht ndiehen fajtore, – sepse kane heshte dhe ketu ka nji numer te madh!- duhet te kalojne neper procesin e rivleresimit te pergjegjsise se tyne, te qendrimit te tyne imoral ose amoral ne ditet e veshtira, kundrejt grupit shoqenor numerikisht ma te vogel, por ma te persekutuem se te tjeret, popullsise katolike shqiptare.
Pavaresisht nga rruga qe secili nga ne do te zgjedhe ne vete-vleresimin si qenie njerezore me dinjitet, statusi i katolikeve ne ish-Shqiperine komuniste na paraqitet si nji rast unik i viktimes se persektueme pa meshire e pa pushim, ne nji bote shqiptare te shurdhet, te verbet, memece, qe lejoi humbjen e mijera viktimave te pafajshme. Dhe, ashtu si do te perpiqemi me lehtesue shpirtet tone, me pastrue zemrat tona, na duhet te dalim me nji angazhim solemn, dhe me deklarue se tragjedia e kalueme e katolikeve shqiptare nuk duhet te perseritet kurre! Kurre ma! Çdo qendrim tjeter do te sanksiononte kalbezimin tone moral!

Me 4 maj 1991, u perkujtue katastrofa e klerit katolik shqiptar ne Qendren Jezuite te Universitetit te San Francisco-s (SHBA).Me ftesen e te ndjerit xhakonit Gjon Sinishta mora pjese. Dom Simon Jubani u nderue me nji diplome “honoris causa”. Si foles i ftuem, une theksova faktet si nji deshmitar okular, “…si nji deshmitar i brezenise sime te konsumueme nga erresina, i zemruem e i perbuzun”; une fola si “deshmitar i persekutimit te bashkekombesve te mi te izoluem, qe perballuen nji fat nga i cili nuk mund te shkeputen, dhe njikohesisht si nji deshmitar i shpirtemadhesise se tyne qe u ngrit nga zjarri infernal qe perpiqej me asgjasue viktimen…” Fola si deshmitar i fisnikerise shpirtenore te gjithe atyne qe, duer-thate, perballojshin tiranine komuniste qe ushtroi ma shume dhune se nevojitej me na asgjasue…! Ate dite ne San Francisco shume pyetje u sollen ne koken time. Shume viktima nuk e humben besimin ne Zotin edhe kur shpata varej mbi koket e tyne. Por a kemi zbulue kuptimin e thelle te vuejtjes pa faj? Akemi krijue “kulturen e vuejtjes” se qellimeshme e thellesisht te pranueme? Sepse vuejtja pa qellim ashte idiotike. Çfare duhet te baj nji i pafajshem, i deshpruem e i perbuzun ne jete? Vetevrasje? Keto pyetje me mundojshin ne ate dite perkujtimi…dhe vazhdojne edhe sot!
Per fat te mire, erdhi zhvillimi i ngjarjeve ne Shqiperi: shpresa e ushqyeme me besim. Tashti ndigjohet kumbona e kishes perseri; dhe perseri muezini thrret besimtaret per adhurim teZotit. Sot, shqiptaret luten, meditojne, shpresojne perseri. Sot, po zbret vala e vuejtjeve qe urrejtja krijoi ne marrezine e vet, dhe shpresojme se do tezevendesohet me nji fryme te re, te heshtun por plot gjalleni, me mirekuptim, por pa harrue te kaluemen. Sot, ish te persekutuemet kane perbuze hakmarrjen, nji fitore morale shqiptare me perpjestimehistorike,e qe kepute zinxhirin e hakmarrjes. Sepse falja e fajit ka zanafille hyjnore, ashte karakteristike e shpirte-madhesise, dhe ky ashte nji ogur i mire,
nji shprese e re qe shoqenia shqiptare ka vendose mos-perseritjen e tragjedise se kalueme. Sot, Kisha katolike shqiptare, viktima kryesore, deklaron: “Ne, nuk gjykojme!“
Nga qelite e erreta te tortures, dhe nga kampet e vdekjes ish-komuniste te Shqiperise sime te martirizueme, nji bote e re perpiqet me linde, nji shoqeni e re po ngrihet, nji brezeni e re po rritet me i dhane forme nji te ardhmje ma te mire per vete dhe per prindet e tyne qe sot vuejne nga pesha e fajit te heshtjes. Feja tradicionale po tregon se nuk ashte vjetrue, dhe se mendimi shkencor nuk ka pase sukses me na kurue nga deshprimi ekzistencial. Nji hap cilesor ashte hjedhe…!
Nga forma feminore e besimit, nepermjet vuejtjes, shqiptaret po hyjne ne burrenimin shpirtenor. Shqiperia duhet te jete e gatshme per nji experience, fetare ndoshta, por kuptimplote qe, une shpresoj, do te jete nji element dominues, e do t’i jap formen ma njerezore shoqenise sone shqiptare. Martirizimi i klerit shqiptar, dhe sidomos i klerit katolik, nuk mund te jete i pa qellimshem. Por, sakrificat e tyne do te njohin vleresimin e tyne te plote, dhe mirenjohjen e perhereshme vetem atehere kur parimet qe ata mbrojten me çmimin e jetes se tyne do te pasunojne mendimin tone, dhe do te udheheqin veprat e bashke-atdhetareve te tyne ne te ardhmen.
Keshtu mendova une ne vitin 1991 ne San Francisco, me hapjen e Shqiperise per boten e jashteme. Keshtu mendoj edhe sot….por me nji siguri ma te vogel. Indiferencaper te kaluemen tone tragjike qe une deshmoj, burim kryesor i heshtjes para krimit te kryem, ….me frikeson!
Falemnderit!
Ridgefield, CT, SHBA Sami Repishti
13 shtator 2014
ish i burgosun politik ne Shqiperine
komuniste,dhe ne Jugosllavine komuniste

Fides et Patria-Fe e Atdhe. Letra Baritore e Ipeshkevinjve te Shqiperise. (Tirane:2012), f.5.
Idem, f.7
Imzot Rrok Mirdita. Per nji Shqiperi me Zotin. v.II (Tirane:2003)
* SHËNIM: Ky eshte nfjalimi qe profesor Sami Repishti, i ftuar të jepte kontributin e tij në një tubimin të mbajtur te Henen me 15 Shtator 2014 në Tiranë.Në pamundësi për të qenë i pranishëm, fjalimi i është dërguar konferencës së Tiranës, e cila zhvilloi punimet në lidhje me vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri. Profesor Repishtit i ishte kërkuar kontributi i tij në lidhje me këtë Konferencë dhe ai dërgoi komentet e tij që po publikojme ne Dielli. Profesori i nderuar, si gjithmonë, fletë nga pikëpamja e një dëshmitari okular i vuajtjeve të shumë bashkatdhetarve të tij, me të cilët ai vet ka ndarë kryesisht vuajtjet, në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe të burgjeve komuniste të ish-Jugosllavisë. Kjo përvojë e ka bërë Profesor Repishtin, që gjithë jetën e tij t’ia kushtonte pendën dhe mendjen, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive bazë të individit, jo vetëm për shqiptarët në trojet e veta në Ballkan, por për të gjithë njerëzit anë e mbanë botës, pasi beson se të drejtat e njeriut janë universale, për të gjithë pa dallim. Fjalimin dhe kete shenim te shkurter i dergoi z. Frank Shkreli.

Filed Under: Editorial Tagged With: “Shenjtenia e Juej:, Miresevini, ne atdheun tone!”, Sami repishti

KOALICIONI NDËRKOMBËTAR KUNDËR GRUPIT TERRORIST ISIL

September 15, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Shtetet e Bashkuara, nuk humbën kohë për të venë në lëvizje sa më shpejtë zbatimin e strategjisë të Presidentit Barak Obama të njoftuar javën që kaloi, për të luftuar grupin terrorist ISIL/ISIS në Irak dhe në Siri. Si një ndër masat e para, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në një deklaratë për median dje njoftoi se Gjenerali në pension, dhe ish-komandanti i forcave amerikane në Afganistan, John Allen do të marrë përsipër rolin e Bashkrenduesit të Koalicionit Ndërkombëtar për të luftuar grupin terrorist ISIL në Irak dhe në Siri. Shtetet e Bashkuara, tha John Kerry, i kanë kërkuar njërit prej ekspertëve më të respektuar dhe me përvojë ushtarake, Gjeneralit John Allen që t’i bashkohet Departmanetit Amerikan të Shtetit për të shërbyer si Përfaqsues i Posaçëm i Presidentit për Koalicionin Global kundër grupit terrorist ISIL. Në këtë detyrë, Gjenerali Allen, sipas Z. Kerry,do të ndihmojë në krijimin dhe në organizimin e koalicionit ndërkombëtar që sipas lajmeve,deri tani, ka arritur në 40-vende dhe të koordinojë përpjekjet dhe veprimtaritë e shumëta të këtij grupimi global, me qëllim të dobësimit, degradimit dhe më në fund të shkatërrimit të grupit terrorist ISIL. Sekretari i Shtetit John Kerry e cilësoi Gjeneralin Allen, jovetëm si “një patriot dhe udhëheqës të shquar, por edhe si mendimtar, akademik dhe profesor i Akademisë Detare të Shteteve të Bashkuara”. Ai njoftoi njëkohsisht edhe emërimin si zëvendës të tij të Z. Brett McGurk, me rankun e ambasadorit, i cili deri tani ishte në detyrën e Zëvëndës Ndihmësit të Sekretarit të Shtetit me përgjegjësi për Irakun dhe për Iranin, në Byronë për Punët e Lindjes së Mesme.Z. Kerry e cilësoi Z. McGurk si njërin prej ekspertëve më të dalluar amerikanë për çështjet e Irakut. Z.Brett McGurk ka punuar ngushtë gjatë disa viteve të fundit me ambasadorët amerikanë në Bagdad, përfshirë edhe emërat e njohur për lexuesit shqiptarë, ambasadorët Christopher Hill dhe James Jeffrey, të cilët më heret në karierën e tyre diplomatike kishin shërbyer në Tiranë. Ndër këto 40-vende që tani i janë bashkuar këtij koalicioni është edhe Shqipëria, qeveria e cilës njoftoi muajin e kaluar se Tirana po i bashkohet koalicionit botëror që luftojnë të ashtuquajturin shtet islamik i Irakut dhe Levantit dhe praktikat e tij barbare e terroriste. Në një deklaratë për media, qeveria shqiptare tha se do të mbështesë qeverinë e Irakut me armë e municione për të luftuar këtë organizatë terroriste duke shtuar se, “Çdo vendim dhe kontribut i Shqipërisë në këtë drejtim, është i mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe i sinkronizuar me partnerët tanë strategjikë e aleatët tanë në NATO e në BE”, thuhet më tej në deklaratën e qeverisë së Shqipërisë.

Edhe Presidenti Obama, gjatë fjalimit të përjavshëm në radio tha të shtunën se Gjenerali John Allen do të shërbejë si përfaqsues i tij i posaçëm për të organizuar dhe për të bashkrenduar veprimtaritë e koalicionit global në rritje e sipër, kundër grupit terrorist ISIL. Në fjalimin e tij javor në radio, Presidenti Obama tha se “Për të përballuar këtë kërcënim, ne duhet të jemi të mençur dhe të përdorim fuqinë tonë me mençuri dhe kujdes. Dhe njëkohsisht”, shtoi ai “të evitojmë gabimet e së kaluarës.” Fuqia ushtarake amerikane”, tha Presidenti Obama, “nuk e ka shoqen në botë, por kjo ndërmarrje nuk do të thotë se duhet të jetë vetëm lufta e Amerikës.” Udhëheqsi amerikan tha në fjalimin e tij të përjavshëm të shtunën se, “Ajo që nevojitet tani është një fushatë e pamëshirshme antiterroriste, me objektiva të caktuara kundër grupit ISIL, duke kombinuar fuqinë ushtarake ajrore amerikane me kontributet e aleatëve dhe partnerëve amerikanë dhe duke mbështetur më shumë forcat të cilat janë duke luftuar terroristët në Irak.Ai siguroi amerikanët, se “Kjo është pikërisht, ajo që jemi duke bërë tani”, u shpreh Presidenti.

Z. Obama tha në fjalimin e tij javor se edhe shtete të tjera po i bashkohen koalicionit anti-terrorist, duke shtuar se disa shtete arabe kanë pranuar tanimë që të shtojnë ndihmat e tyre për qeverinë e re të Irakut dhe kanë rënë dakort që të bëjnë atë që u takon në luftën kundër terroristëve të grupit ISIL, përfshirë edhe “aspektet ushtarake”, tha udhëheqsi amerikan.

Ndërkaq, opozita republikane dhe kundërshtarët e tij politikë e kanë kritikuar Presidentin Obama se ka pritur shumë kohë për të organizuar një koalicion ndërkombëtar për të sulmuar grupin terrorist ISIL dhe se duhej të ndërmerrte më heret sulmet kundër këtij grupi.Por, administrata Obama ka vazhduar të theksojë nevojën dhe rëndësinë e krijimit të një koalicioni ndërkombëtar për të luftuar grupin terrorist, ISIL.
Gjenerali Allen duket se e njeh mirë rrezikun që vjen nga grupi terrorist ISIL.Në një artikull me titull “Të shkatërrohet tani shteti islamik” ISIL, të botuar muajin që kaloi, Gjenerali John Allen ka shkruar se grupi terrorist ISIL përbën një rrezik të vërtetë jo vetëm ndaj ekzistencës së Irakut, por edhe ndaj rendit dhe sigurisë në Europë dhe në Amerikë. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim, u shreh ai në artikull, se grupi terrorist ISIL, “përbën një rrezik të qartë dhe të tanishëm ndaj Shteteve të Bashkuara.”E vetmja pyetje, shtoi ai, është nëse Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët dhe partnerët e tyre, do të veprojnë vendosmërisht tani, për derisa kanë ende kohë për të influencuar situatën dhe për të shkatërruar grupin islamik, ISIL. Në artikullin e tij të botuar më 20 gusht, Gjenerali John Allen u shpreh gjithashtu se influenca e rekrutëve të huaj në radhët e këtij grupi terrorist, sidomos të atyre nga Perëndimi, do të ndihet në shtetet europiane dhe në Amerikë për shumë vjetë në të ardhmen — pa marrë parasyshë se cili do të jetë fati dhe kauza e grupit terrorist, ISIL. Gjenerali Allen e përfundon shkrimin e tij duke shprehur besimin e tij se një përgjigje e gjithëanshme amerikane dhe ndërkombëtare tani, është jetike për shkatërrimin e këtij grupi dhe për zhdukjen e këtij kërcënimi.Grupi ISIL i cili e quan veten “Shteti Islamik”, shkruan Gjenerali Allen, nuk ka të bëjë aspak me njerëzimin dhe si i tillë duhet të zhduket.”Nëqoftse nuk veprojmë tani, do t’a paguajmë më vonë”, paralajmëroi gjenerali amerikan John Allennë artikullin e tij të muajit të kaluar.
Gjenerali Allen — i posa emëruar nga Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry në detyrën e Bashkrenduesit të Koalicionit Ndërkombëtar për të luftuar grupin terrorist, ISIL dhe përfaqsues i posaçëm i Presidentit Obama për Koalicionin Global kundër grupit terrorist ISIL — ka një përvojë të gjatë në Lindjen e Mesme dhe ka punuar ngusht me udhëheqës të ndryshëm të shteteve të atij rajoni, përfshirë edhe përfaqsues të grupeve të ndryshme fetare. Gjenerali Allen është një veteran misionesh të vështira dhe sfiduese në rajonin e Lindjes së Mesme dhe në Afganistan, por mbetet për tu pa nëse do të ketë sukses në misionin e tij më të fundit dhe ndoshta më të vështirë dhe më sfidues se çdo një tjetër ndërmarrje të më parëshme të karierës së tij.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, GRUPIT TERRORIST ISIL, KOALICIONINDËRKOMBËTAR, Kunder

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT