• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mos heshtni, zotërinj!

June 9, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Luftëtari i shquar i të drejtave të njeriut, në mënyrë të veçantë i njerëzve me ngjyrë, Doktor Martin Luter King, ka thënë:Ajo që është më e rrezikshme nuk është vetëm njeriu i keq, por dhe heshtja e njerëzve të mirë./
M’u kujtua kjo aforizmë, pasi vë re se edhe në ditët tona, kur demokracia mendohet se ka arritur shkallët më të larta, vihen re raste të heshtjes së pajustifikuar të personaliteteve të ndryshme shtetërore apo partiake karshi protestave të bëra, sidomos nga përfaqësues të shtresave të veçanta shoqërore siç është për shembull ajo e të përndjekurve politik nga regjimi totalitar. Këtu e kam fjalën për grevën e urisë të shpallur qysh prej 13 ditësh nga një grup përfaqësuesish të kësaj shtrese.
Dëgjuam një deklaratë për shtyp të njerit nga përfaqësuesit e kësaj greve, Gjergj Hani, drejtuar Presidentit të Republikës, zotit Bujar Nishani, Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, zotit Ilir meta, Kryeministrit të vendit, zotit Edi Rama, Kryetarit të opozitës, zotit Lulzim Basha, Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, OSBE-së, Këshillit të Europës, Bashkimit Europian, të gjithë mediave të shkruara dhe audio-vizive. Deklarata ishte nënshkruar nga:

1. Fatmir Hoxha, – Lindur në kamp internimi. Familjarisht 120 vite burg dhe internim
2. Gjergj Hani, – 10 vite burg politik
3. Fazli Deliu, – 27 vite burg politik
4. Lulzim Emini, – 8 vite burg politik, 35 vite burg dhe internim familjarisht
5. Ilmi Osmani, – 13 vite burg politik
6. Syrja Fero Babaj, – 25 vite burg dhe internim për motive politike.
7. Fadil Dema, – 5 vite burg politik dhe pas tij internim
8. Vilson Dida, – i internuar, babaj 25 vite burg politik.
9. Fiqiri Hyzellari, – babai i vdekur në burgun e Burelit
10. Agron Cico, – i internuar, babai 15 vite burg politik.

Çfarë kërkojnë kata martirë që po sakrifikojnë jetën e tyre për një kauzë të shenjtë?

1. Dënimi i diktatorit Enver Hoxha si ideator dhe zbatues i ideologjisë totalitare që sundoi vendin për 46 vite. Heqja e të gjitha titujve të fituara gjatë periudhës komuniste.
2. Hapjen e dosjeve për ish-bashkëpuntorët e Sigurimit të Shtetit dhe të atyre që i detyruan të bëhen të tillë për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore dhe lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive dhe të shkruar.
3. Kthimin në punë të të gjithë të pushuarve padrejtësisht nga administrata shtetërore dhe që kanë fitur gjyqet përkatëse.
4. Përfundimin e dëmshpërblimit financiar brenda afateve të caktuara në ligj dhe premtimeve të dhëna gjatë fushatës elektorale.

Këto janë kërkesat e tyre. Ka 13 ditë që këto kërkesa përsëriten por çdo gjë, bie në veshin
e shurdhër të politikës, me përjashtim të ndonjë konference shtypi të opozitës. Gjëndja e grevistëve sa vete dhe po rëndohet më tepër. Mos vallë doni sakrificën sublime të tyre? Ata janë të gatshëm ta bëjnë edhe atë, por ky do të jetë turpi juaj. Ndaj unë ju drejtohem juve dhe ju them: – Mos heshtni, zotërinj!

Mos heshtni, zoti President i Republikës! Ju jeni Kryetari i Shtetit. Përdoreni
autoritetin tuaj për sensibilizimin e çështjes së tyre. Jeni ju që duhet të ndërhyni pranë organeve qeveritare, për zgjidhjen e problemit. Jeni ju që duhet të ndërhyni pranë autoriteteve ndërkombëtare për arbitrimin e çështjes në fjalë.
– Mos heshtni, zoti Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë! Ishit ju që deklaruat se kushdo
ka të drejtë të bëjë të drejtë urie. Për çfarë të drejte flisni? Për atë të humbjes së jetës së tyre, apo të heshtjes tuaj?
– Mos heshtni zoti Kryeministër i Shqipërisë! Jeni ju i pari, që duhej t’iu kthenit një përgjigje grevistëve. Është e drejta juaj t’ua ktheni atë, pozitive apo negative, por një përgjigje ata e duan.
– Mos heshtni zoti Kryetar i opozitës! Është e drejta juaj që ta ngrini deri në qiell zërin për të drejtat e të përndjekurve politikë dhe jo vetëm me konferenca shtypi por edhe me sensibilizimin e autoriteteve ndërkombëtare.
– Mos heshtni, zotërinj të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë! Një nga shkaqet përse ata që ndodhen në grevë kanë qenë dënuar nga regjimi komunist, ishte edhe arsyeja sepse donin një Shqipëri si gjithë bota perëndimore demokratike. Ndërhyni pranë qeverisë shqiptare për zgjidhjen e kërkesave të tyre.
– Mos heshtni, përfaqësues të mediave të shkruara dhe atyre audio-vizive! Ju keni një armë të fortë për të ngritur zërin në kupë të qiellit në mbrojtje të këtyre martirëve.

Mos heshtni zotërinj! Heshtja e juaj është vrasje për ta. Dërgoni përfaqësuesit tuaj pranë tyre! Dëgjojini dhe vendosni! Ata duan një përgjigje nga secili prej jush.
Mos harroni sentencën e përmendur në krye të këtij shkrimi nga i paharruari Doktor Martin Luter King.

Filed Under: Editorial Tagged With: Greva e te perndjekureve, Mos heshtni, reshat kripa, zoterinj

KANADAJA NDERON VIKTIMAT E KOMUNIZMIT

June 3, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Ndërsa në Varshavë të Polonisë janë mbledhur udhëheqsit botërorë, përfshirë edhe Presdientin amerikan Barak Obama dhe Presidentin shqiptar Bujar Nishani — për të kujtuar 25-vjetorin e përmbysjes së komunizmit në atë vend dhe eventualisht në të gjithë Europën Lindore, ndërkohë media kandeze njofton se në këtë përvjetor Kanadaja ka vendosur të ndërtojë në kryeqytetin e saj Otava një monument kushtuar viktimave të komunizmit në mbarë botën, një lajm ky që është vendosur edhe në portalin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Polonisë.
Media kanadeze njofton se mbrëmjen e të premtës që kaloi, në Qëndrën Kongres të Otavasë u organizua një darkë me qëllim mbledhje fondesh për përfundimin e ndërtimit të monumentit të viktimave të komunizmit, ku thuhet se ndër të pranishmit që mori pjesë dhe që kontriboi për këtë qëllim, ishte edhe Kryeministri i Kanadasë, Stephen Harper i cili mbajti edhe fjalimin kryesor me këtë rast.
Njoftohet se nisma për ndërtimin në Kanada të monumentit të viktimave të komunizmit kishte filluar në Kanada ç’prej vitit 2008, me mbështetjen e përfaqsuesve të Kongresit Polak të Kanadasë, ndonëse në bordin e drejtorëve për realizimin e këtij projekti thuhet se marrin pjesë edhe përfqsues të komuniteteteve të tjera etnike nga Europa Lindore dhe Qendërore, e që tani jetojnë në Kanada. Në darkën e të premtes që kaloi, me qëllim mbledhje fondesh për monumentin kushtuar viktimave të komunizmit në botë, përveç Kryeminstrit, morën pjesë edhe politikanë të tjerë të njohur të vendit, biznismenë të dalluar kanadezë, si dhe përfaqsues diplomatikë nga vende të ndryshme të Europës Lindore, të akredituar në Kanada.
Në fjalimin e tij mbi të këqiat e komunizmit, Kryeministri konservator i Kanadasë, Stephen Harper u tha të pranishëmve se Monumenti kushtuar viktimave të komunizmit, “Do të nderojë për të gjitha kohërat, qindëra miliona burra, gra e fëmijë, të cilët kanë vuajtur dhe që vazhdojnë të vuajnë nga tirania e komunizmit – do të nderojë ata që kanë mbijetuar nga ato vuajtje, si dhe të ata që fatkeqsisht, nuk i shpëtuan asaj tiranie.”Udhëheqsi kanadez shtoi se, “Kanadaja ka nevojë për këtë monument. Ne i jemi mirënjohës organizatës “Për nderë të Lirisë” (Tribute to Liberty) e cila mori iniciativën për ndërtimin e këtij monumenti, e që na kujton emërat dhe tregimet e atyre të cilët u vranë nga njëra prej murtajave ideologjike më vdekje prurëse që ka njohur bota – murtaja e komunizmit. Ky monument është një shënjë që përcakton rrugën tonë si komb në të ardhmen dhe i cili njëkohësisht do të ndihmojë që ne të sigurohemi se nuk do të devijojmë nga rruga e jonë e përcaktuar”, theksoi Kryeministri i Kanadasë, Stephen Harper. Brezave të ardhëshëm të kanadezëve, tha kryeministri Harper, duhet tu kujtohet se liria dhe demokracia janë fituar me vuajtje e sakrifica.
Fjalimin e tij, Kryeministri kanadez e lidhi edhe me gjëndjen aktuale në Europë, pikërisht me presidentin rus Vladimir Putin dhe adhuruesit e tjerë të komunizmit. Ai shfaqi përkrahjen e vendit të tij pë Ukrainën dhe shtoi se, “ekspansionizmi dhe militarizmi rus”, kërcënojnë sigurinë botërore. Ai tha se, “E keqja paraqitet në shumë forma dhe duket sikurë, herë pas here, e çpikë veten në trajta të ndryshme. Por sidoqë e keqja t’a përcaktojë ideologjinë e vet –qoftë nacizëm, marksizëm-leninizëm, ose sot terrorizëm – të gjitha këto kanë një gjë të përbashkët: shkatërrimin e jetës dhe zhdukjen e lirive të njeriut.”
Ne, tha udhëheqsi kandez, e njohim mirë këtë shkatërrim. Ne si kanadezë shtoi ai, e ndiejmë me dhëmbje të madhe atë histori shkatërruese, sepse jo më pak se “çereku i popullësisë së Kanadasë ishin robër të komunizmit, ose janë djelmë e vajza të atyre që ishin robëruar nga ideologjitë e regjimeve komuniste europiano-lindore. Ata që kanë vuajtur të zezën e komunizmit”, shtoi ai, “kanë gjetur gjithmonë strehim në Kanada”.
Ndërsa kryetari i bordit të entit “Tribute to Liberty”, Ludwik Klimkowski, duke njoftuar se fituesi për ndërtimin e monumentit në Kanada — i cili do kushtojë 4-milionë dollarë për tu ndërtuar, do të njoftohet në gusht, 2014 — tha se, “ishte krenarë për mbështetjen që ka marrë nga donatorët, gjë që tregon se kanadezët nuk do të harrojnë vuajtjet e atyre që kanë jetuar në regjimet diktatoriale komuniste.” Z. Klimkowski tha me këtë rast se, “ne kemi të pakën dy gjenerata njerzish që nuk dinë asgjë mbi komunizmin dhe krimet e atij sistemi.” Andaj, shtoi ai, “Me këtë monument, fëmijtë tuaj, nipat dhe mbesat tuaja nuk do të harrojnë kurrë viktimat e komunizmit.”
Thuhet se Monumenti i Viktimave të Komunizmit në kryeqytetin kanadez, Otava do të vendoset në një vend ideal për t’u parë nga të gjithë, jo larg nga ndërtesat e parlamentit të vendit dhe të Gjykatës së Lartë. Në njoftim thuhet gjithashtu se vendi ku do të vendoset monumenti kushtuar viktimave të komunizmit, është i rëndësishëm pasi do t’u kujtojë kanadezëve vlerën dhe rëndësinë për të nderuar dhe për të kujtuar të gjitha viktimat e komunizmit kudo. Thuhet se ky monument do të jetë një shënjë e gjallë, por edhe një paralajmërim kundër një ideologjie totalitare për të gjithë brezat e ardhëshëm.
Por mbi të gjitha, tha Ministri i Punës i Kanadasë, Jason Kenney, “Ky monument do t’u kujtojë gjithashtu të gjithë kanadezëve se glorifikimi i simboleve komuniste është një fyerje e kujtimit të këtyre viktimave dhe njëkohësisht u kujton qytetarëve të Kanadasë, vlerat themelore të vendit ku jetojnë”, shtoi ministri kanadez Jason Kenney.
Është ky një koment interesant i një ministri kanadez përballë dukurive të fundit të shpalosjes së portretit të Enver Hoxhës në disa ceremoni zyrtare në Shqipëri, të cilat shumë vërejtës i konsideruan si fyese ndaj viktimave të komunizmit në Shqipëri, veçanërisht pasi simbolet dhe portretet e diktatorit u shpalosën me njohurinë dhe miratimin e udhëheqsve më të lartë të vendit. Siç duket për Shqipërinë e sotëme është më e rëndësishme që të shpalosen vlerat e regjimit komunist se sa të kujtohen mijëra viktimat e paafajshme të atij regjimi diktatorial.
Ndërtimi i monumentit kushtuar viktimave të komunizmit në kryeqytetin Otava, ashtu siç theksuan edhe udhëheqsit më të lartë kanadezë, përveç se kujton viktimat, është njëkohësisht edhe një simbol i vlerave themelore njerëzore, në bazë të cilave jetojnë kanadezët, dmth, respekti për jetën njerëzore, për lirinë dhe demokracinë për të gjithë. Fatkeqsisht, dukuritë e fundit në Shqipëri – vendi që ka vuajtur më së shumti nga komunizmi — të bindin se klasa politike e atij vendi, jo vetëm që nuk është shkëputur nga ajo e kaluar, që Kryeminsitri i Kanadasë e cilësoi si “ideologjia helmuese e komunizmit” të shekullit të kaluar, por po përpiqet me vepra ta ruaj e ta mbrojë atë të kaluar për qëllime të veta të ngushta politike dhe ekonomike, në kurriz të një populli shumë të vuajtur dhe që vazhdon të vuaj pasojat e atij regjimi. Kryeministri kanadez, tha se për Kanadanë Monumenti i viktimave të komunizmit në Otava, “Është një shënjë që përcakton rrugën tonë si komb në të ardhmen dhe i cili njëkohësisht do të ndihmojë që ne të sigurohemi se nuk do të devijojmë nga rruga e jonë e përcaktuar”. Cilën rrugë do të ndjekë kombi shqiptar, rrugën e vlerave bazë njerëzore të jetës së njeriut, të lirisë dhe demokracisë perëndimore, apo rrugën e përcaktuar gjysëm shekulli më parë nga një ish-diktator, pasojat e regjimit të të cilit shihen ende anë e mbanë vendit? Nëse kryeministri i Kanadasë u shpreh se vendi i tij, i cili kurrë nuk u qeveris nga një regjim komunist ka nevojë për një monument të tillë, a nuk ka nevojë Shqipëria për një momument kushtuar viktimave të regjimit komunist të Enver Hoxhës, në këtë 15 vjetor të përmbysjes së komunizmit? Sa të ndryshme janë vlerat bazë njerëzore të Kanadasë nga ato të Shqipërisë! Sa larg është Shqipëria nga Kanadaja, dhe jo vetëm gjeografikisht!

Filed Under: Editorial Tagged With: e komunizmit, Frank shkreli, KANADAJA NDERON, viktimat

PROVOKIM NË SHENJTËRIM

June 2, 2014 by dgreca

TOLERANCA FETARE E SHQIPTAREVE DHE PROVOKIMI IRINEJ-JANULLATOS-RAMA NE MES/
IM ZOT NOLI: FALI SE NUK DIJNE C’BEJNE!
Nga Dalip Greca/
Bashkimi i ortodoksizmit botëror në kryeqytetin shqiptar më 1 Qershor 2014 me rastin e Shënjtërimit të Kishës së re, Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, ishte një rast që vuri në provë tolerancën ndërfetare shqiptare dhe frymën antishqiptare të ortodoksizmit serbo-grek. Shqiptarët edhe një herë treguan tolerancën e tyre fetare që mbetet sërish një nga vlerat e cënuara më pak nga erozioni kohor shumëvjeçar i tranzicionit postkomunist dhe sherrnajës politike, ndërsa ortodoksizmi sllavo-grek fatkeqsisht mbetet ende i përfshirë nga ekspasioni territorial për trojet etnike shqiptare dhe fryma e antishqiptarizmit të përbetuar.
Natyrish që njeriu i Zotit, eksarku serb Irinej, tregoi edhe një herë intolerancën e fesë që përfaqëson, fallsitetin e fesë që predikon, tregoi primitivizmin e tij ultranacionalist, pabesueshmërinë fetare, tregoi se është ai vetë frymëzuesi i sloganit se “Kosova-është Serbi” dhe se Kosova është e shënjtë për Serbinë”, se “ Serbia nuk e lë Kosovën për Bashkimin Evropian” etj…Ky udhëheqës shpirtëror i tragjedisë ballkanike, gjeti kohë që të prishte festën e ortodoksve shqiptarë në Ditën e Shënjtërimit të Tempullit, madje edhe në sy të vetë Patriarkut Ekumenik Bartholomeu të Kostandinopojës! Zot, na ruaj nga blasfemitë! Ta besojmë?
Qëndrimi i Kryepeshkopit Serb në Tiranë, deklarata provokative e tij në ditën e shënjtërimit, nuk ra nga qielli dhe nuk ishte e papritur; ai e ka këtë slogan-moto të shërbesës së vet fetare dhe është ideali i tij ultranacionalist. A nuk ishte ky primat i ortodoksizmit sllav që nxiti shpirtrat e serbëve në luftën e çmendur nacionaliste dhe bekoi armët e vrasësve e kriminelëve serb?
A nuk po e udhëheq ai kursin antieuropian të Serbisë?
Çfarë prisnim nga ai, të kërkonte falje për krimet e serbëve në Kosovë?
Dekarata e tij natyrisht që nuk ishte e papritur dhe nuk ka pse interpretohet si e atille.Dhe nuk është e para herë që deklaron se Serbisë nuk i duhet Europa pa Kosovën,vendi më i shenjtë i Serbisë! Problemi qëndron se përse iu krijuan kushtet që ta bënte atë deklaratë mu në zemër të Shqipërisë?
Ftesa që iu bë, nga njëra anë, shpreh tolerancën e shqiptarëve, por a duhej toleranca me ekstremsitin ultranacionalist?
Pavarësisht presioneve që mund të ketë pasë Kryeministri i Shqipërisë për të mos e përjashtuar nga lista e të ftuarëve, ai duhej që ta kishte menduar se ekstremizmi serb vazhdon të jetë agresiv dhe se “Kosova-tokë e shenjtë e serbisë’, mbetet ende platformë e Shtetit dhe Kishës Serbe, njësoj si para lufte. Po, nëse Rama e ka pasë të kushtëzuar ftesën e Kryepeshkopit me vizitën e përgojuar dhe të shtyrë disa herë,viztë që Kryeministri ynëka ndërmend të bëjë në Beograd, ky është një kompromis antikombëtar dhe i dënueshëm.Shqiptarët nuk kanë për t’ia falur.
Nuk mund të justifikohet Kryeministri me bojkotimin e pretenduar të drekës zyrtare, që paska bërë dhe nga një deklarate, ku është servirur një fjali as mish as peshk, të cilën media afër kryeminsitrit është përpjekë ta ngjyrosë emocionalisht dhe t’i fusë pranë togfjalshin” reagim i ashpër.” Ku është ashpërsia, në reagimin që ai i ka cilësuar deklarimet e Irinejt“tërësisht të padëshirueshme “!
Fjala e padëshirueshme, nuk thotë asgjë, dhe vetëm ashpërsi nuk ka. Në fakt ato deklarime nuk janë vetëm të padëshirueshme, por të dënushme. Thënë shqip; kryeministri e goditi kryepeshkopin me pambuk!
Që në titull, provokimin në ditën e shenjtërimit, e kemi cilësuar si vepër në bashkëpunim të Kryepeshkopit Janullatos me Irinejn, pavarësisht se në mes është Kryeministri Rama, që nuk mund t’i ikë përgjegjësisë.
Përse është dyshja Janullatos-Irinej? Kush e hartoi protokollin e të ftuarëve, Kisha apo shteti? Në Shqipëri Kisha është e pavarur nga Shteti dhe është e drejta e saj që të bëjë ftesat, siç është e drejta e kreut të qeverisë të shpallë person non grata kryepriftin e fandaksuar që e ka shpirtin të rënduar nga mëkatet ndaj Kosovës, dhe nga gjaku i shqiptarëve të pafajshëm të Kosovës, vrarë nga kriminelët, armët e të cilëve i ka bekuar pikërisht ai prift shpirt zi. Kam mendimin se po të ishte për Qeverinë, e majtë apo e djathtë, kushdo që do të ishte në pushtet, nuk do të linte jashtë ftese dhe dy kishat ortodokse të vendeve fqinjë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, me të cilat Shqipëria ka marrdhënie relativisht të mira. Mirëpo ato nuk u ftuan sepse Kisha serbe nuk i njeh dhe po të ftoheshin ato, do t’i prishej qejfi kryepeshkopit Irinej. Fortlumturia e Tij, kryepeshkopi ynë grek, nuk mund t’ia prishte qejfin”vëllamit” serb.Kjo është e vërtetuar dhe nuk ka nevojë për arsyetim më të thellë. A nuk ishin bashkë në një mendim edhe në kohëluftës e Kosovës?
Po t’i shtojmë kësaj logjike edhe dekleratën televizive përmes zëdhënësit të Kishës Ortodokse Autoqefale, Thoma Dhima,”se deklarata e patriarkut serb është tërësisht personale”, interpretimi bëhet më i lehtë. Zëdhënësi i Janullatosit përpiqet të lajë duart nga përgjegjësia dhe të shfajësojë Fortlumturinë. Në fakt nuk thotë asnjë fjalë për prishjen e festës fetare të besimtarëve shqiptar.
Nga ana e saj politika shqiptare, si gjithmonë, u ngatërrua me vete dhe e komentoi deklaratën trimërore të kreut të Kishës serbe fare përciptas.U mor vetëm me Irinejn, pa thënë asnjë fjalë për Fotlumturinë Janullatos, që është në krye të Kishës Autoqefale ,përkohësisht, gati që prej një çerek shekulli. Dhe të gjithë të këqiat vijnë prej uzurpimit që ai i ka bërë fronit të Kryepeshkopit, edhe pse nuk është shqiptar me gjak e gjuhë, siç e kërkon. Edhe pse në Statutin e Kishës Autoqefale Shqiptare ,hartuar në Korçë 29 qershor 1929, thuhet se “Gjuha zyrtare e Kishës ëshët shqipja”, Janullatosi ka kohë që predikon se Zoti ka për zemër Gjuhën helene!Dhe vazhdon të qëndrojë përjetësisht në krye të fronit për merita të politikës naïve shqiptare!Zot, na ruaj nga politikanet naïve dhe shtetaret e pa pergjegjshem!
Ku shkoi mundi I martirëve të Kishës Shqiptare? Po kryevepra e Imzot Nolit? I vetmi, Kryebashkiaku I Prishtinës, Shpend Ahmetaj, pati guximin që të zinte me gojë në atë situatë tensioni emrin e Im Zot Nolit, në prononcimin e tij qytetar, duke shtruar pyetjen: Çfarë do të thoshte Noli?
Vërtetë, çfarë do të thoshte Noli për humbjen e Autoqefalisë reale ët Kishës Autoqefale Shqiptare? Politika e Tiranës ka kohë që nuk merret me Nolin, ndoshta e quajnë ët vjetëruar mentalitetin e tij të dikurshëm për rrezikun që i vjen Kishës Shqiptare nga ajo greke, që e ka mallkuar, siç ka mallkuar dhe gjuhën shqipe. Ndoshta pyetjes së Shpend Ahmetit mund t’i japin përgjigje ata predikojnë dhe luten tek tempulli i Nolit, në Kryekishën e Shën Gjergjit, ku nuk mungon portreti i madh i Nolit të Madh! Eh, imzot, po kalojmë kohë të vështira!Fali se nuk kanë se ç’bëjnë!
Në gjykimin tim, akti i Kryepeshkopit serb ishte provokim në shënjtërim, pavarësisht se ata të Kishës Autoqefale Shqiptare të udhëhequr nga Janullatosi nuk e cilësuan të atillë-, ata thjesht, ia faturuan atij si deklaratë personale, dhe kaq!
Po t’i shtojme tablose serbo-greke ne Tirane dhe pjesmarrjen e Geixhit,ne ceremonine e Janullatosit,faktet e nxjerrin ne drite te diellit antishqiptarizmin e nje shenjterimi te provokuar, jo nga shqiptaret.
Jo zotëri, ishte fyerje për besimtarët shqiptarë dhe provokim për telerancën fetare shqiptare.

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, Im Zot, noli, PROVOKIM NË SHENJTËRIM

Editorial i Diellit:NË PRAG TË KUVENDIT TË VATRËS

May 31, 2014 by dgreca

Me 14 Qershor 2014, në orën 10 para dite, do të nisë punimet Kuvendi Vjetor i Vatrës, i cili do t’i japë një shtysë të re problemeve organizative dhe do të gjallërojë më tej Vatrën. Kuvendet e Vatrës kanë qenë përherë manifestime demokratike të kuvendimeve të lira për ta çuar përpara punën e Vatrës. Vetë qëndrueshmëria dhe jetëgjatësia historike e organizatës më të vjetër shqiptare në botë, dëshmojnë rolin dhe forcën e saj.
Historikisht Kuvendet e Vatrës kanë nisën 102 vite të shkuara. I pari Kuvend është organizuar me 14 korrik 1912. Po ndalemi pak në kronikën e tij: Punimet e Kuvendin nisën në orën 1 të pasdrekës. Chairman u zgjodh z. Lambi Kreshpani. Në sesionin e parë të Kuvendit u zgjodh udhëheqësia e rregullt e Federatës. Sekretar i përgjithshëm u zgjodh Faik Bej Konitza, Arkëtar i përgjithshëm Lambi Çikozi, kontrollorë : Kristo Floqi, Paskal Aleksi, Vangjel Gjika dhe Josif Pani. Menaxher i Diellit u zgjodh Kristo Kirka. Kush ishin pjesmarrësit në këtë Kuvend? Morën pjesë 14 kryetarë të degëve të ngritura deri në atë kohë: Lambi Kreshpani, kryetar i degës Chochituate, Kristo Kirka- i degës në qendër-Boston, Elia Tromara-Peabody; George D. Luarasi-Lonsdale, Andrea Kristo-Brockton, Vangje S. Sotiri, -Worcester, Sotir Gjika-Southbridge, Theodos P. Spiro-Manchester, Kosma Augel-Marlboro-Hudson, Kristo Kosta-South Framingham-Milford, George Kristo-Taunton, Coci Janaq- Lewiston, Miche Frashëri- Natick, Stathi Suli-Biddeford-Saco.
Kapitali që ndodhej në zotërim të arkëtarit Çikozi me 15 korrik 1912 ishte $922,58.
Ky Kuvend ka një zhvillim të veçantë, ai u mblodh në një seancë të dytë , dy javë pas së parës. Seanca e dytë u mbajt me 28 korrik 1912 në Naomi Hall, 724 WashingtonStreet, Boston. Chairman i kësaj séance ishte atdhetari Kristo Kirka. Fillimisht u votua buxheti i Federatës sipas këtij bilanci:Të ardhura për motin 1912-1913, $2.131.13, shpenzimet $1,525.00
Kuvendi do të mblidhej edhe në një seancë të tretë me 11 gusht 1912 me chairman Lambi Kreshpani. U dorëhoqën kontrollorët; Kristo Floqi, Vangjel Gjika, Paskal Aleksi dhe në vend të tyre u zgjodhën At Fan Noli, Andrea Kristo dhe Koli Caknaqi.
Nuk kaloi shumë kohë dhe me 8 Dhjetor u mbajt në Boston një Kuvend tjetër i Pazakonshëm, që pati për Chairman At Naum Çere. Ky Kuvend mori si vendim që të dërgohej Faik bej Kontiza si delegate i Vatrës në Europë dhe në Shqipëri. Qëllimi ishte që të shtronte para Kombit dhe politikës mendime për të zgjedhur një përfaqësues nga një derë Mbretërore për Fronin e Shqipërisë. Në vend të Fan Nolit dhe Kol Caknaqit, që u larguan prej Amerikës, u zgjodhën në vend të tyre, At Naum Çere dhe Lambi Lara.
Një muaj më pas, me 12 janar u mblodh një tjetër Kuvend i Pazakontë. Chairman u zgjodh Stathi Sauli. Qëllimi i Kuvendit ishte marrja e vendimit për botimin e Diellit dy herë në javë.
Dy muaj më pas u mblodh sërish një Kuvend i Pazakontë. Ishte data 16 shkurt. Kuvendi u mbajt në zyrat e Vatrës që aso kohe ishin në adresën: 10 Ferdinand Street, Boston. U vendos që z. Faik Konitza të dërgohej në Kongresin e Triestës.
Kuvendi i dytë i rregullt i Vatrës u mblodh sërish në korrik, me 4-6 korrik1913. Ky kuvend zgjodhi kryetar dhe menaxher të Diellit Kristo Dako, sekretar Loni Kristo, arkëtar Hari Kaçka, kontrollorë-Nikolla Dishnica, Thanas Idrizi, Xhafer Ymer dhe Mihal Kreshpani.
Mes Kuvendit të dytë dhe të tretë sërish pati Kuvende të pazakontë. I pari u mblodh me 20 korrik 1913 dhe u mbajt në: Cupid Hall, 724 WashingtonStreet, Boston. Cairman i këtij Kuvendi ishte Pando Ekonomi Progri dhe sekretar Lazar Kozma. Kuvendi vendosi që Vatra të kishte një president dhe si i tillë u vendos Kristo Dako. Menaxher i Diellit u zgjodh Hamid Lumi. Buxheti për motin 1913-14 u miratua me këto raporte: $3,200.00 të ardhurat, dhe shpënzimet: $1,520.00.
Kuvendi i dytë i pazakontë u mblodh me 24 gusht 1913 nën drejtimin e Kosta Hotova dhe sekretar Paskal Aleksi. Në Kuvend dha dorëheqje, pasi do të largohej nga Amerika Kristo Dako. Dorëheqja dha edhe menaxheri i Diellit Hamit Lumi. Redaktor i përkohshëm u zgjodh Paskal Aleksi, menaxher i Diellit dhe kryetar i Vatrës u zgjodh Vangjel Gjika.
I treti Kuvend i pazakontë mes dy kuvendeve ishte ai që u mblodh me 10-16 Janar 1914 në zyrën e vatrës , që ndodhej në 97 Compton Street. Chairman ishte Kostë Lepsisht dhe sekretar Efthim Natsi. Morën pjesë 28 kryetarë të degëve dhe delegatë. Z. Vangjel Gjika dha dorëheqjen sepse u largua nga Amerika. Në këtë Kuvend u vendos që Dielli të botohej tri herë në javë. Komisioni i ri që zgjodhi Kuvendi përbëhej nga: Anastas Pandel, Paskal Aleksi, Vani Cani, Sokrat Naum, sekretar Loni Kristo. Editor i Diellit u zgjodh Denis Kamburi në vend të Paskal Aleksi që dha dorëheqjen.
Kështu vazhduan Kuvendet e Vatrës të zgjidhnin problemet e çastit apo dhe ato të perspektivës vatrane. Kuvendi i tretë i rregullt u mbajt me 4 korrik 1914, Kuvendi i katër me 4 korrik 1915, Kuvendi i pestë me 2 korrik 1916. Një kongresë maratonë ishte Kuvendi i gjashtë që i zhvilloi punimet nga 1-12 korrik 1917. Ky Kuvend pati për chairman Hasan Bitincka, sekretar Ndreko Stavro. Kuvendi zgjodhi komisionin e ri që do të drejtonte Vatrën deri në Kuvendin e shtatë: Kryetar At Fan S.Noli, sekretar Loni Kristo, arkëtar Goni Katundi, Editor i Diellit Bahri Omari, ndihmës Andon Frashëri, Kontrollorë; Hasan Bitincka, Miçe Bardho, Shefki Aliko, Stathi Suli, menaxher Akif Përmeti, , sekretar Ndreko Stavro. Inspektorët e Vatrës dhe Diellit: Nikolla Dishnica, Emin Bilibashi dhe Vangjel Miller. Buxheti i Vatrës u miratua sipas këtij bilanci: të ardhura- $7,832.00; Shpenzime $6,200.00. Buxheti i Diellit-të ardhura 14,825, shpenzime $14,734.
Ky Kuvend zgjodhi delegatë dhe bashkëpunëtorë të Mehmet Konicës- Dr. Mihal Turtulli dhe Nikolla Kasnetsi. Kuvendi vendosi që të vazhdonte fushata që kishte nisë me 3 qershor për të grumbulluar rreth 40 mijë dollar me qëllim që delegatët e Vatrës të vazhdonin propogandën për të drejtat e Shqipërisë. Kuvendi miratoi këtë program:” delegatët të sigurojnë me çfarëdo mënyre legjitime nga Fuqitë e Mëdha dhe nga Kongresi i Paqes një Shqipëri në kufijtë e saj ethnografikë, me indipendencë mbretërore të plotë, një Shqipëri për shqiptarët politikisht dhe ekonomikisht, dhe të bëjnë të njohura të drejtat e Shqipërisë, me anën e shtypit europian dhe me anë konferencash në tërë botën e qytetëruar. U vendos që miqve të dëshmuar të shqiptarëve Miss Edith Durham, Elise dhe Hon. Aubrey Herbert t’u jepej nga një dhuratë mirënjohjeje për shërbimet e tyre në çështjen tonë Kombëtare.
Kuvendete vatrës vazhduan vit pas viti. Pati një shkeputje pas viteve ’90 deri në 100 vjetorin e Vatrës, kur kuvendet nuk u bënë rregullisht.
Kuvendi i vitit të kaluar rivendosi rregullsinë dhe ky kuvend që do të mblidhet me 14 qershor 2014 do të vijojë traditën e kahershme të Vatrës. Në këtë Kuvend vatranët vijnë pas riorganizimit të disa degëve të reja dhe forcimit të degëve të mëparshme. Më e fundit është dega e re Hratford. Kuvendi do të diskutojë rreth Kanunores së përshtatur. Projekti ka kaluar nga Komisioni, tek kryesia dhe tek degët. Pas diskutimeve nëpër degë ai do t’i paraqitet Kuvendit projekti për miratim. Në qendër të këtij Kuvendi do të jenë edhe problemet organizative, shtrirja e Vatrës në shtetet e tjerë të Amerikës, hartimi i një program për të nesërmen e Federatës, propozime e mendime, botimet e Vatrës etj.
Le t’i urojmë punime të mbara Kuvendit të Vatrës!
Ne Foto: Komisioni themelues i vatres

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, editorial i Diellit, NË PRAG TË KUVENDIT TË VATRËS

Kryehokatari i qeverise së oborrit

May 29, 2014 by dgreca

Nga Mesila DODA/deputete
Unë besoj se debati i sotëm në këtë parlament do duhej të përqëndrohej në situatën politike të vendit, situatë e cila është pak të themi se është e rënduar. Është nje situatë në të cilën dy greva urie zhvillohen jashtë këtyre mureve, njëra e ish të dënuarve politikë dhe tjetra e të pushuarve nga administrate, është një situate që nuk ngjason aspak me atë të një vendi në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat por të një vendi në prag të një shpërthimi civil, ku palët kanë mbërritur në një armiqësi që nuk ka asnjë shpjegim dhe asnjë arsye të mdodhë nga një maxhorancë që ka ardhur në pushtet me numra të tillë të mëdhenj.
Kam zgjedhur të ndalem mbi një moment shumë të rëndësishëm të javës së kaluar. Përpara disa ditësh Kryetari i Kuvendit, zoti Meta, ju drejtua një deputeti të opozitës dhe i tha: “Mirupafshim në Kongresin e Përmetit”. E quajtëm si batutë, e konsideruam si barcaletën e rradhës por në më pak se dy javë ndodhi. Ndodhi përkujtimi i Kongresit të Përmetit i cili sot u mundua të amnistohej si ngjarje dhe të konsiderohej thjesht si një event që ish pjesë e LANC. Kryetari i Kuvendit deklaroi se ish krenar për atë ngjarje dhe se do e përkujtonte cdo vit këtë kongres.
Dua të ndalem në disa nga këto vendime dhe të mësoj se për cilin prej tyre është krenar.
Në stemën e RPSSH(emërtesë që i ngjeth mishtë kujtdo që ka jetuar në kohë të diktaturës) ndodhet data 24 maj 1944, si dita e parë e vendosjes së diktaturës komuniste në vend. Në vendimin e Kongresit thuhet: Të mos njihet asnjë qeveri që mund të formohet brenda apo jashtë vendit, kundër vullnetit që përfaqson Keshilli Antifashist Nacionalclirimtar. Të vazhdohet lufta kundër tradhëtarëve të grumbulluar rreth qeverisë kuislinge, Ballit, Legalitetit dhe kundër cdo klike reaksionare që eventualisht mund të vijë në të ardhmen, duke i shpallur armiq edhe të palindurit ende. Nuk di për cilin nga këto akte është krenar Kryetari i Kuvendit dhe madje zgjedh të përkulet para cilit prej këtyre akteve?
Kongresi i Përmetit ka edhe një dimension tjetër. Deklarata zyrtare e botuar në 21 dhjetor 1944 dhe e paribotuar asnjëherë më vonë, thotë se Lufta shënon vëllazërimin e popullit tonë më popujt e tjerë të Ballkanit dhe krijon kushtet për krijimin e një konfederate Ballkanike. Kjo deklaratë vlen de facto me një shprehje zyrtare të dëshirës për tu bashkuar me ish-Jugosllavinë. Ky është dimensioni patriotic i Kongresit të Përmetit, shitja e trojeve shqiptare dhe interesave kombetare dhe bashkim me Jugosllavinë.
Por ka edhe një dimension tjetër Kongresi i Përmetit. Në këtë Kongres u ndalua hyrja e Mbretit Zog në Shqipëri dhe bashkë me të u deklarua mosnjohja e gjithë koncesioneve që Mbreti Zog kish nënshkruar. Koncesionet amerikane, angleze u shpallën të pavlefshme dhe qysh në atë moment u vendos mosnjohja dhe mospranimi i marrdhënieve me aleatin tonë strategjik USA. Sot do duhet të na thoni, jeni me partnerët strategjikë apo jeni me Enverin? Jeni me mbretin Zog apo me Enverin? të gjithë këto bashkë në një vend nuk qëndrojnë dot.
Kanë ndodhur shumë ngjarje të tilla përgjatë kësaj periudhe. Herën e parë, kur portreti i diktatorit u shfaq prapa kurrizit të Kryeministrit tek Varrezat e Deshmorëve e quajtët të rastësishme dhe deklaruat se nuk e patë. Herën e dytë, Ministri i Drejtësisë zoti Naco, u përkul para portretit të diktatorit, ju thatë nuk e pamë megjithse portreti ish aty para tij. Pak muaj më vonë ish-kryeministri i një vendi antar i NATO-s, zoti Majko së bashku me deputeten ngriti lart grushtin e proletariatit por ju thatë se e kishit për bashkimin dhe nuk kish sfond komunist.
Kësaj here në mënyrë të qartë e të programuar, pjesë të një strategjie për të glorifikuar të kaluarën, pjesë të një strategjie për të risjellë ndarjen ideologjike të këtij vendi nderuat ditën e parë të diktaturës, Kongresin e Përmetit.
Unë besoj se qeverisja juaj ka shumë probleme, të natyrës politike ekonomike dhe sociale por tendenca për të risjellë dhe glorifikuar të kaluarën dhe diktaturën, një epokë të dënuar me ligj dhe me dy rezoluta të cilat ju nuk i keni votuar asnjëherë në këtë parlament, është një fill i kuq, një fill ideologjik që po ju ndjek pas përgjatë qeverisjes suaj.
Ne kemi disa detyra në këtë parlament, detyra për të cilat unë kam folur edhe herë të tjera.
Ne kemi detyrë të parë të miratojmë një rezolutë ku të denojmë krimet e komunizmit dhe të heqim cdo nder dhe cdo titull të dhënë diktatorit Enver Hoxha dhe kësaj here duhet të votoni edhe Ju. Votoni për herë të parë nëse e ndjeni që jeni ndarë nga ai rregjim.
Të gjithë së basku duhet të mratojmë ligjin për lustracionin, atë ligj që u shpall antikushtetues nga disa njerëz që ishin kokë e këmbë të përfshirë në krimet e komunizmit dhe këtë herë do duhet të votoni edhe Ju.
Vecanërisht, të gjithë ne deputetët e këtij parlamenti do duhet të votojmë një Komision Hetimor për krimet e Enver Hoxhës, për krimet që ai ka bërë gjatë Luftës dhe pas Luftës dhe këtë duhet ta bëjmë të gjithë bashk Ju dhe Ne. Duhet të jetë një akt i përbashkët i këtij parlamenti pasi ata që vijnë pas nesh kanë nevojë për të vërteta dhe ne duhet ti japim të vërtetat e historisë. Askush s’do na e falë nëse vazhdojmë të shtiremi dhe grindemi për ato cka ndodhur para dhe gjatë Luftës së II Botërore dhe të mos flasim e të quajmë krimin me emrin e tij të vërtetë. Ende në historinë tuaj, pavarsinë e shpalli Ismail Qemali, edhe ky një gjysëm tradhëtari me një grusht tradhëtarësh të tjerë, dhe ky nuk është i vemi akt që kerkon drejtësinë dhe të vërtetën.
Por ky raport me historinë nuk është i vetmi problem i juaji.
Sot ju qeverisni falë njemilion votave, fakt që e keni përmendur shpesh si motivin tuaj të krenarisë, Sot ato janë kthyer në njemilion probleme falë premtive që nuk u mbajtën kurrë, premtimeve për shëndetësi falas, legalizim falas, rritje e sigurisë dhe rendit publik që nuk erdhi kurrë, shtim i mirqënies së sigurisë së fëmijve në shkolla, siguri e cila sot është më keq se asnjëherë falë një gjendje të paprinciptë e të pandodhur kurrë më parë të trafikut të lëndëve narkotike në Shqipëri.
Sot ju keni një problem të madh me njëri-tjetrin. Kjo qeverisje e juaja nuk është qeverisje socialiste, kjo është qeverisje e oborrit. Janë aty miq e mikesha, kushurinj e kushurira, të afërm e shok, por nuk gjen mes tyre askënd nga ju, socialistët që keni 20 vjet që jeni përballë nesh në këtë sallë, që keni 20 vjet që jeni përballë nesh në skenën politike shqiptare. Kjo nuk është qeveri socialiste, kjo është qeveri e oborrit.
Do ta mbyll këtë fjalë me një cështje që debatohet shpesh dhe që është prania e kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit në lëvizjen e Dhjetorit. Problemi i vetëm i pranisë suaj në atë lëvizje është një, parimor dhe ndarës, Dhjetoristi nuk tradhëton kurrë atë cfarë përfaqson ajo kohë. Dhjetoristi nuk e pranon Enver Hoxhën, dhjetoristi nuk përkulet kurre para Enver Hoxhës, dhjetoristi nuk përkulet para simboleve të diktaturës, para datës së parë të vendosjes së diktaturës, para datës së prishjes me partnerët strategjike, duhet të vendosni me kë jeni sepse edhe dhjetorist edhe enverist nuk shkojnë bashkë..
Më së fundi do i kërkoj kryeministrit të Shqipërisë, atë që shqiptarët e kanë votuar për të drejtuar,që të mos vijë në këtë sallë për të bërë kryehokatarin. Kur opozita ngren shqetësime, kur opozita ngre akuza duhet të përgjigjet seriozisht. Askush nuk e ka votuar për të thënë barcaleta!

Filed Under: Editorial Tagged With: i qeverise, Kryehokatari, Mesula Doda, së oborrit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT