• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA, LISI RRËNJËTHELLË NË TOKËN E LIRISË

April 1, 2014 by dgreca

EDITORIAL I DIELLIT/

Federata Panshqiptare e Amërikës VATRA, me 28 prill të vitit 2014 do të mbushë 102 vjetë jetë në tokën e bekuar të Amerikës, ndërsa zëri i saj, regjistri më i vjetër i jetës kolektive të shqiptarëve, DIELLI, me 15 shkurt 2014 festoi ditëlindjen e 105-të. Duket se Vatra dhe Dielli, përbëjnë binomin historik të shqiptarëve të Amerikës dhe janë të mosvdekshëm, thënë ndryshe –të përjetshëm.Në këtë jetëgjatësi për më shumë se një shekull, Vatra dhe Dielli kanë ngrohur shpirtrat e shqiptarëve dhe kanë mbajtur gjallë idenë Kombëtare. Nuk kishte ngjarje Kombëtare ku nuk dëgjohej zëri i  Vatrës, këshilla që vinte prej saj, ishte orientim Kombëtar. Kur mblidhej Kuvendi i Pavarësisë në Vlorë, kreu i Vatrës, Faik Konica këshillonte: Hidhini sytë nga Perëndimi, jo nga Lindja! Kur do të përzgjidhej princi –Mbret për të qeverisur Shqipërinë, Vatra udhëzonte, një princ të dërguar dhe përkrahur nga Evropa! Kur Shqipëria humbi shtetin, kishte Vatrën që luante rolin e shtetit të munguar.

Vatra dërgoi ambasadorë në Evropë; Mehmet Konicën në Londër, dr. Mihal Turtullin dhe Mithat Frashërin në Zvicër, pagoi jo vetëm ata por edhe diplomatë amerikanë dhe europianë për të lobuar për çështjen shqiptare. Dita 3 qershor 1917 ka hyrë në historinë Kombëtare si Dita e Shpëtimit të Shqipërisë nga Shqiptarët e Amerikës nën drejtimin e Vatrës. I pari që e dha sinjalin e një fushate të madhe ishte delegati i Vatrës në Zvicër dr. Turtulli, i cili krahas një letre mallëngjyese kishte dërguar Një mijë dollarë për të çelë fushatën, që do të çonte në shpëtimin e Shqipërisë, që kërcënohej nga zhbërja. Kaq u desh. Vatranët e kuptuan detyrën e tyre. Vatra do të mbetej e turpërua për jetë nëse nuk i përgjigje ftesës dhe dhuratës të dr. Turtullit. U vendos që e Diela e 3 Qershorit të shpallej Dita e Shpëtimit të Shqipërisë. Dr. Turtulli këshillonte që së paku të mblidheshin 40 mijë dollarë nga kjo fushatë. U vendos që kjo të mos ishte vetëm fushatë e Vatrës, por të ftoheshin edhe shoqëritë e tjera, përfshi dhe ato fetare. Qëllimi ishte që të siguroheshin të ardhura të mjaftueshme që të ngrihej një komitet për Shpëtimin e Shqipërisë. U caktuan delegatët Mehmet e Konitza dhe dr. Turtulli që në bashkëpunin me shqiptarët e Amerikës të ngrinin Komitetin. Puna e Komitetit syntonte që të sigurohej një Shqipëri me kufijtë e saj ethnografik në Konferencën e Paqes dhe pas paqes të organziohet një parti kombëtare për të mbrojtur atdhenë nga antikombëtarët.

Komisioni organizator i fushatës përbëhej nag Kryetari- Kol Tromara, Sekretari- Loni Kristo, Kontrollorët- Xhevat Harxhi, Aqif Përmeti, Emin Bilibashi dhe Fan S. Noli. Në Thirrjen që nënshkroi kryetari Tromara e sekretari Loni Kristo, bëhej thirrje që të niste fushata me qëllimin final të grumbulloheshin 40 miëj dollarë që për kohën ishte shumë e madhe. Të nxitur edhe nga poezia e Nolit” Jepni për Nënën”, shqiptarë mblodhen gati katërfishin e asaj shume që synonin.Në thirrje shkruhej”Perëndia na zgjodhi ne shqiptarët e Amerikës si shpëtimtarë të Shqipërisë”!

Editori i Diellit, Bahri Omari, në komentin e tij e përqaste misionin e shqipatrëve të Amerikës me atë të francezëve më 1871, kur Bismarku kishte kërkuar në Versajë 5 miliardë franga dëmshpërblim për të liruar vendet e pushtuara. Bismarku kishte pandehë se këtë shumë nuk kishin ku e gjenin francezët, por ai nuk kishte llogaritur shpirtin patriotik të popullit francez, që e pagoi shumën në një kohë të shkurtër. Kështu dhe ne shqiptarët e Amerikës, shkruante Bahri Omari, nuk do ta lëmë Atdheun tonë peng!Dhe Shqiptarët e Amerikës nuk u turpëruan-mblodhën rreth $160 mijë.

Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës shkoi në kryeqytet por arka e shtetit ishte bosh. Mithat Frashëri vjen tek shqiptarët e Amerikës dhe vatranët e presin me bujari.Organizojnë Huanë kombëtare dhe mbledhin gati 198 mijë dollarë. Shumë tepër e madhe për kohën.Edhe sot ndodhen fletët origjinale të Huasë Kombëtare, që tepëruan, të cilat mbajnë emrin e Minsitrit të Financave N. Coba dhe të arkëtarit të Vatrës G. Katundi. Por detyrat e Vatrës nuk mbaruan me kaq. Shtypshkronja e Diellit, që u ble në nëntor 1913 dërgoi qindra mijëra libra për shkollat shqipe në Shqipëri për dy dekada, më 1920 dërgoi bandën muzikore të Vatrës në mbrojtje të kufijëve jugorë të Shqipërisë nga grekërit dhe në Luftën e Vlorës kundër italianëve.

Kontributet e Vatrës kanë vazhduar për vite e vite. Gazeta e saj Dielli ka kryer detyrën e vet në ndriçimin e mendjeve të shqiptarëve dhe është kthyer në shkollë kombëtare. Natyrisht që në më shumë se një shekull jetë Vatra ka pasë edhe ulje-ngritjet e saj. Ka pasë sulme, kurthe, intriga nga brenda dhe jashtë, për ta shpërbërë atë, por jetgjatësia e saj tregon se rrënjët janë ngulur thellë në tokën e lirisë-Vatra është lisi rrënjëthellë në tokën e lirisë. Armiqtë dhe kundërshtarët e luftonin, skepticistët fërkonin duart dhe shpresonin se “Vatra” dhe “Dielli” do të shuheshin shpejt, se misioni i tyre kishte mbaruar, se Vatra me kalimin e viteve ishte plakur dhe e kishte lënë koha pas. Veçanërisht e vështirë ishte mbijetesa e Vatrës gjatë luftës së ftohtë. Lufta kundër saj ishte e shumfishtë, nga kundërshtarët helenikë, nga shteti komunist me emisarët e vet, sigurimi i shtetit shqiptar, nga UDB-jugosllave dhe shërbëtorët e Tiranës dhe Beogradit.Megjithë përpjekjet e mëdha të Tiranës komuniste për të përcarë diasporën shqiptare në Amerikë, duke vënë përballë nacionalistët- Legaliteti, Balli,Blloku Indipendent, të prirur nga Vatra me Diellin –nga njëra anë, dhe përkrahësit e sistemit nga ana tjetër-me Organizatën Shqipëria e  Lirë + Misioni Shqiptar në Kombet e Bashkuara,- me gazetën”Liria”, nacionalizmi qëndroi, Vatra nuk ra, kështjella falso e Shqipërisë së Lirë- u rrëzua. Por Vatra ia arriti që të mbahej gjallë nga atdhetarët nacionalistë. Kombi, për Vatrën, mbetet detyrë mbi gjithçka.

Pas shembjes të sistemit komunist Vatra, shpresoi se demokracia do të ishte reale në Shqipëri, por nuk rreshti së kërkuari dënimin e krimeve të komunizmit, dekomunistizimin e shoqërisë, integrimin e ish të përndjekurëve politikë, kthimin e pronave tek pronarët e vërtetë, luftën pa kompromis kundër korrupsionit etj.

Viti i 100 vjetorit të themelimit ia shtoi fuqitë Vatrës. Degët e reja që u ngritën në Washington D.C dhe Michigan, ishin shenja premtuse të kthesës drejt rritjes numerike të saj dhe rritjes cilësore.Festimi madhështor me  më shumë se 1000 pjesmarrës, nxori në pah fuqinë në rritje të Vatrës. Më pas lindën degët e reja si në Jacksonville në Florida, Hudson Valley, South Florida, Queens, dhe në prag të Kuvendit, habia ishte dega e S Westchester që u përfaqësua me një grupim të vogël në “promovimin e ditëlindjes”  së saj me shampanjë dhe një kek, ku ishte shkruar emri”dega e South Westchester”. Para Kuvendit u paraqit një listë me shumë emra, por as sot nuk janë depozituar fletët e regjstrimit dhe pagesat për shumicën e anëtarëve të pretenduar. Çuditërisht dega nuk u ndje mirë me emrin e pagëzimit , një ditë prej ditësh ndërroi edhe emër dhe vendosi që të krijonte struktura më vete.Madje dhe të registrohej si e atillë.

Një nga thashethemet që po shpërndajnë disa nga ideatorët e saj është se” Federata Vatra na qenka e paligjshme! “ Shih kur të na mohojnë ndonjë ditë se nuk kanë egzistuar as themeluesit e Vatrës, të na mohojnë edhe Nolin e Konicën! Çfarë nuk pritet!

Historia e Vatrës është publike dhe e njohur në Shtetin Amerikan së paku këtu  e 102 vite të shkuara. Për ata që nuk e dinë, po e shfletojmë: Vatra me atë emër simbolik aq kuptimplotë për shqiptarët, që ka për Kumbarë Faik Konicën, Fan Nolin, Kristo Floqin dhe Paskal Aleksin së bashku me delegatët e shoqërive- Elia Tromara, Kristo Kirka, Dr. Kostë Kota, Lambi Çikozi dhe Kostika Treska,- që u bënë themeli i Federatës, arriti që të realizoi bashkimin e shqiptarëve të Amerikës. Fara e bashkimit ishte hedhë qysh me Albanian e Konicës, vazhdoi (më 9 tetor 1909 erdhi Konica si editor ) me Diellin dhe u konkretizua në pragun e Pvarësisë së Shqipërisë me themelimin e Federatës. Mëma e Vatrës ishte shoqëria më e fuqishme e asaj kohe, që kishte dhe gazetën më të zëshme” Diellin”- shoqëria Besa-Besën. Editori i atëhershëm i Diellit Kristo Floqi u bë inisiator dhe Chairman i takimit të parë të 24 Dhjetorit 1911. Vendtakimi ishte në 724 Washington Street, ku u bisedua me hollësi për bashkimin e shoqatave.Kjo mbledhje, me propozimin e Marko Adams, konfirmoi komisionin katërsh, Faik Konica, Fan Noli, Kristo Floqi dhe Paskal Aleksi. Komisioni u mblodh me 13 shkurt 1912 dhe zgjodhi si sekretar të vet Atë Fan S Noli. Në Thirrjen që hartoi komisioni binte në sy qartësia çfarë synohej për të krijuar një bashkësi që t’i përgjigjej kohës së shqetësuar që kalonte Kombi. Mbledhja e dytë u caktua me 3 mars 1912, takimi tjetër me 17 Mars, ku Komisioni i Bashkimit u takua me Delegatët e dërguar nga Shoqatat, të cilët do të trasonin rrugën e vështirë për të arritur bashkimin. Delegatët ishin: Elia Tromara, Kristo Kirka, Dr. Kostë Kota, Lambi Çikozi dhe Kostika Treska. Takimi i 24 Marsit ishte më i frytshëm, aty u arrit dakordësia edhe për gazetën Dielli, e cila do të ishte gazeta e Shoqatës që lindëte prej bashkimit. Po aty u caktuan Faik Konitza dhe Kristo Floqi, që të gjenin një avokat amerikan dhe ata të ishin përgjegjës për Kanunoren e përkohshme.

Takimi tjetër, ku do të miratohej edhe Kanunorja e përkohshme u la që të organizohej me 31 Mars. Komisioni dhe delegatët u mblodhën në Kishën e Shën Gjergjit në adresën: 227 Tremont Street, Boston Mass. Në atë takim u bë pagëzimi i Shoqatës së bashkur me emrin e shumëpëlqyer”Vatra”. U përdor termi”Federatë” me qëllim që të mos kishte qejfmbetje nga kryetarët e shoqatave bashkuese.

Miratimi i Kanunores u la për takimin e 9 prillit. Komisioni i bashkimit dhe delegatët u mblodhën në Kishën Shën Gjergji nën drejtimin e Fan S Noli.Ky takim u mor me Kanunoren; fillimisht u lexua Kanunorja në anglisht , më pas edhe në shqip. Leximi u përsërit nyje për nyje, madje disa herë. Pas shumë bisedimeve u votua një pjesë e kanunores, e cila përmblidhte fillimin, qëndrimin e qëllimin e Federatës VATRA, si dhe detyrat e Komisionit Qendror, i cili do të formohej nga një sekretar i përgjithshëm, një arkëtar i përgjithshëm dhe kontrollorët, gjithsej 5 vetë. Nuk u përfunduan diskutimet gjatë atij takimi që zgjati deri në 10 të natës, kështu që u la të vazhdohej me14 prill. Është interesant fakti i mungesës të dy personave në këtë takim; editori i Diellit, Kristo Floqi,nuk kishte arritur të mbërrinte në kohë nga që vazhdonte të kërkonte të holla për Diellin nëpër koloni, ndërsa dr. Kost Kotta, qëlloi që atë ditë i duhej të ishte në çeljen e shkollës shqipe në Southbridge (jemi në vitin 1912!).

Mbledhja arriti që ta votonte të gjithë Kanunoren dhe u dhanë porosi për takimin tjetër që do të mbahej me 28 prill 1912 në Kishën e Shën Gjergjit.

Vjen kështu dita historike e 28 prillit 1912, ku Komisioni i bashkimit dhe delegatët deklaruan:” E quajmë të formuar Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA prej shoqërive “Besa-Besën”, “Flamuri i Krujës”,” Kombëtare” dhe “Dallëndyshja”. U zgjodh komisioni i përkohshëm për drejtimin e Federatës: Sekretar At Fan Noli, arkëtar- Lambi Çikozi, Manager i Diellit- Kristo Kirka. Organizator të degëve Faik Konitza, Kristo Floqi. Mbikqyrës të Diellit: Paskal Aleksi, Elia Tromara, Kosta Vasil. U la për detyrë që më 12 Maj të niste organizimi i degëve.

Në Klaendarin e Vatrës përshkruhen ditëlindjet e degëve, me 12 Maj lindi dega e parë e Vatrës. Detyrën për organizimin e kësaj dege e kishte At Fan Noli. Ishin të pranishëm dhe folën edhe Faik Konica e Kristo Floqi. Kryetar i degës së parë u zgjodh Kristo Kirka.Pleqësia e degës përbëhej nga Kristo Aristidi-arkëtar,Ilia Zografi-sekretar, anëtarë-pleq; Kosta Ratska, Efthim Natsi, Nikolla Caknaqi dhe Petro Lazar. Të dielën pasuse, me 19 maj u organizua dega nr. 8 në South Framingham-Milford, Mass, me kryetar Kristo Kosta –Gjyrezi, po atë ditë u organizua edhe dega në Brockton Mass,  si dhe dega nr 5 në Worcester, me 26 maj u themelua dega nr. 2 në Lynn, Mass, dega nr. 9 në Hudson-Marlboro, Mass, me 2 qershor lindi dega nr. 4, Manchester, N. H, dega në Tauton, Mass, me 9 qershor u themelua dega Nr. 13 në Lonsdale, R.I, dega nr. 12 në Natick, me 16 qershor lindi dega nr. 7 Biddeford-Saco. Po atë ditë u krijua dega në Cochituate, Mass, , po atë ditë u themelua edhe dega nr. 10 në Southbridge, Mass. Vazhdoi krijimi i degëve me ritme të shpejta. Shqiptarët e prisnin si një sihariq të gëzuar krijimin e  çdo dege dhe mezi i prisnin organizatorët. Gati në çdo javë krijoheshin dy ose më shuëm degë.Në kalendarin e Vatrës janë shënuar ditëlindjet e 65 degëve edhe pse numri i tyre më pas iu afrua 80-tës.

VATRA u njoh zyrtarisht prej Shtetit të Massachusetts dhe mori diplomën e saj(Charter), të shënuar prej zotit Albert P. Langtry, sekretarit të Shtetit. Emrat e atyre që bënë aplikatën për njohje dhe që janë shkruar në diplomë, janë Faik Be Konitza, Lambi Chikozi, Fan S. Noli, Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Çere, Kosta Kotta.

Vatra dhe Dielli kanë kaluar çaste të vështira nga që dhe jetgjatësia e tyre ka shkaktuar zili e lakmi. Kur nuk e kanë bërë për vete Vatrën, janë përpjekur që ta përçajnë.Siç shkruante ish editori i Diellit dhe sekretari i Vatërs për vitet 1958-59, i ndjeri Peter R. Prifti, misteri i jetëgjatësisë së Vatrës dhe Diellit, ka disa arsye. Arsyeja numër një është shërbimi madhështor që i bëri atdheut Vatra gjatë 12 vjetëve, që kur u themelua më 1912 dhe deri më 1924. Me punën e shkëlqyer që bëri në atë periudhë, Vatra rrëmbeu zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe u fut thellë në shpirtin e tyre, madje kaq thellë sa nuk mund ta harronin as brezi i imigrantëve të parë që e krijoi atë shoqatë, as brezat që pasuan 20, 40 dhe 60 vjet më vonë, deri në ditët tona. Vatra dhe Dielli u bënë fanar i shkëlqyer që ndriçonte rrugën e shqiptarëve në atë periudhë të artë, dhe trumbetë e fuqishme që ndizte zemrat e tyre flakë me ndjenjat e atdhedashurisë. Oshëtimat e asaj trumbete nuk heshtën, nuk u tretën në hapësirë, por tingëllojnë edhe sot në veshët e shqiptarëve.Vatra, do të jetë jetëgjatë sepse “Shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë të thjeshtë, por si një institut, apo monument historik. Si e tillë, ajo qëndron përmbi interesat lokale, të kufizuara dhe kalimtare të këtij ose atij grupi. Ndonëse është marrë me politikë – se me politikë u angazhua edhe  Skënderbeu dhe Ismail Qemali – ajo shihet gati si simbol kombëtar, që përfaqëson dhe bashkon të gjithë shqiptarët, pa dallim. Ja një tjetër arsye  që shpjegon jetëgjatësinë e Vatrës dhe DIELLIT.”

Filed Under: Editorial Tagged With: dalip greca, LISI RRËNJËTHELLË, NË TOKËN E LIRISË, Vatra

Jasharajt dhe Liria Kombëtare

April 1, 2014 by dgreca

Nga Albin KURTI/

Në njërën anë, UÇK-ja, dhe, në anën tjetër, Adem, Hamëz e Shaban Jashari me familjen e gjerë të tyre, nuk mund të paramendohen pa njëra-tjetrën. Në fakt, s’ka vend këtu për formim fjalie me ‘në njërën anë e në anën tjetër’ dhe ‘njëra-tjetrën’ sepse s’ka këtu as dy anë e as ‘tjetër’. Rënia heroike e 58 shqiptarëve të bashkuar, e që iu përkisnin tre brezave, të gjitha moshave dhe të dy gjinive, nuk ishte vetëm luftë për liri por edhe liri për luftë. Ata e shpallën veten të lirë individualisht e familjarisht për të luftuar për lirinë tonë kolektive e kombëtare.

Me Jasharajt nis lufta çlirimtare dhe ushtria çlirimtare. Ata filluan ushtrinë që do të luftonte dhe luftuan për ushtrinë tonë. Forcat e shumta policore e ushtarake të Serbisë po i luftonin ata tre ditë rresht në marsin e vitit 1998 sepse luftonin ushtrinë tonë çlirimtare që po lindte në luftë me ushtrinë okupatore. Vetëmohimi ishte edhe i paparë edhe i paimagjinueshëm, andaj beteja treditore quhet Epope kurse Adem Jashari quhet Komandant Legjendar, thua se ishte personazh e karakter legjendash të pabesueshme që u rrëfehen si përralla fëmijëve. Mbase edhe sot e kësaj dite vazhdon disi të mos besohet Adem Jashari, porsi një e kaluar e pakapërthyeshme mendërisht që i thërret në ndihmë imagjinatës përkundër logjikës. Rrëfimi për Adem Jasharin i shndërron të gjithë në fëmijë që dëgjojnë përrallën për të fjetur por ja që pikërisht për shkak të përrallës bëhen edhe më të zgjuar seç ishin më parë.

UÇK-ja është momenti kur e drejta politike pajiset me forcë të zbatimit. Të gjitha ato që mendoheshin të kenë qenë qëllime politike në vitet e ’90-ta u rikuptimësuan si dëshira shoqërore. Nëpërmjet UÇK-së politika u zhvesh në naivitetin e saj për ta tejkaluar atë një çast më pas. UÇK-ja shënon momentin kur vetëdijësohesh për fëmijërinë dhe njëkohësisht e tejkalon atë. Ajo na ktheu në realitet për ta transformuar atë realitet (e i cili tashmë kishte ndryshuar me vetë kthimin tek ai).

Sot, institucionet zyrtare të shtetit të Kosovës e përkujtojnë Epopenë e UÇK-së së 5, 6 e 7 marsit 1998, sikurse edhe vetë UÇK-në, me një distancë të sforcuar. Ceremonitë e ndryshme shtetërore dhe qeveritare shërbejnë për të kujtuar atë që është harruar por pa nxjerrë mësim dhe që të mos nxirret mësim. Përkujtohet e kaluara në mënyrën dhe masën që të mos mbahet mend ajo. Mbi të gjitha, ajo sjellet në të tashmen si një e kaluar e shkuar përgjithmonë: e depolitizuar sepse pa aktualitetin e saj. Këso përkujtimesh konfirmojnë harresën.

Institucionet e Republikës së Kosovës realisht nuk e njohin UÇK-në. Ajo s’përmendet në Deklaratën e Pavarësisë dhe as në Kushtetutën e shtetit. Në emër të çlirimit, Kosovës iu mor UÇK-ja, ndërkaq në emër të pavarësisë, edhe TMK-ja. Ushtrinë që e krijuan dëshmorët nën pushtim, e zhbënë disa politikanë në liri. Por, liria pa ushtri është liri në rrezik, është liri e brishtë, gjithnjë e më e brishtë, deri atëherë kur nga brishtësia as nuk shihet e as nuk ndjehet liria. Sot, nga Policia e Kosovës dhe nga Forcat e Sigurisë së Kosovës është përjashtuar fryma dhe simbolet e UÇK-së, trashëgimia dhe misioni i saj. Nuk është e rastësishme që shpallja e pavarësisë pa UÇK-në dhe ligji i shtetit pa UÇK-në kanë rezultuar me pavarësi pa sovranitet dhe me shtet pa integritet. Edhe kur (nuk) përmenden nga Qeveria, luftëtarët e UÇK-së konsiderohen si pjesë e problemit (social) në Kosovë e jo si ata që sakrifikuan për zgjidhje (politike).

Dëshmorët janë njerëz të jashtëzakonshëm; Jasharajt janë dëshmorë të jashtëzakonshëm. Dëshmorët me në krye Jasharajt gjithçka që bënë, asgjë s’e kishin për vete. Çkado që ne bëjmë për dëshmorët e bëjmë për vete si komb e si shoqëri. E, mbase, çkado që ne bëjmë për vete individualisht e veçmas, më shumë bëjmë për armiqtë tanë.

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Albin Kurti, Jasharajt dhe Liria Kombetare

LUFTA NË KOSOVË ISHTE NË MBROJTJE TË VLERAVE NJERËZORE

March 26, 2014 by dgreca

   Nga Frank Shkreli/

Të hënën që kaloi udhëheqsit e vendeve më të industrializuara perëndimore u takuan në Hague për për të biseduar mbi ankesimin e Krimesë nga Rusia dhe si rrjedhim për të vendosur sanksione të tjera ndaj Rusisë si ndëshkim për këtë agresion,  një shkelje kjo e të drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetit territorial të Ukrainës.  Një prej ndëshkimeve që udhëheqsit perëndimorë vendosën ndaj Rusisë ishte që të pezullohej antarësia e sajë në G-8.  Arsyeja për këtë, thanë udhëheqsit perëndimorë është se kur Moska u pranua si anëtare grupit të vendeve më të industrializuara në botë,  ata ishin të mendimit se Rusia ndante të njëjtat vlera njerëzore dhe universale me grupin. Është e qartë tani, thanë ata se, me aneksimin e Krimesë, Rusia jo vetëm që nuk ndanë të njëjtat vlera njerzore me vendet perëndimore, por ajo i ka shkelur brutalisht ato të drejta.

I pyetur të martën gjatë një konferencë shtypi me gazetarët në Hague në lidhje me paralelizmat — që janë bërë nga propaganda ruse, përfshirë Presidentin rus Vladimir Putin dhe ambasadorin rus në Tiranë — midis ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë 15-vjetë më pare, dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia kohët e fundit — Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama u përgjigj se, dy rastet janë krejtë të ndryshme nga njëra tjetra dhe se krahasimi i agresionit rus në Krime me rastin e Kosovës 15-vjetë më parë,  sipas tij, ”është një krahasim që nuk ka absolutisht asnjë kuptim”.

Lufta për çlirimin e Kosovës ishte një luftë për të ndaluar agresionin dhe gjenocidin serb kundër popullësisë shqiptare në Kosovë.  Ajo ishte një luftë në mbrojtje të vlerave njerëzore universal, të njohura ndërkombëtarisht dhe të pranuara me marrveshje të nënshkruara nga të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara. Sulmet ajrore të NATO-s kundër Serbisë nuk u ndërmorën për të aneksuar ose për të grabitur territor.  Ishte një luftë në mbrojtje të vlerave njerëzore. Ishte një ndërmarrje fisnike për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik të popullësisë shqiptare nga trojet e veta mijë vjeçare.

Kjo nuk ndodhi në Krime! Ka zero provë për ndonjë masë kundër rusëve etnikë atje, siç pretendon Putini. Asnjë provë nuk ka se rusët etnikë atje kërcënoheshin me barbarizmat me të cilat u përballën shqiptarët e Kosovës.  Të thuhet se kishte ngjashmëri midis Kosovës dhe Krimesë, është një propagandë përçmuese dhe poshtëruese, dhe është një fyerje ndaj mijëra viktimave shqiptare të masakruara nga forcat terrroriste serbe  të Millosheviqit, si dhe për familjet e tyre. Por, nëqoftse sipas tovarishq Putinit, ekzistojnë paralelizma midis Kosovës 15 vjetë më parë dhe Krimesë sot, atëherë pse nuk e njohe pavarësinë e shtetit të Kosovës?  Jo vetëm që nuk e njeh, por ti dhe diplomatët tu anë e mbanë botës dhe në të gjitha organizmat ndërkombëtare, vazhdoni ta kundërshtoni ekzistencën e shteti të ri të Kosovës, të njohur tanimë nga diplomacia e më shumë se 100-vendeve të botës.  Anton Çekov, një bashkombas i yti, ka pas thënë se “Hipokrizia është një gjëndje shpirtërore psikopatike revoltuese.”

Agresioni rus në Krime u bë me qëllim për të gëlltitur territor, pasi rusët etnikë në atë krahinë nuk i trazonte njeri, ndërsa sulmet ajrore të NATO-s në Kosovë u ndërmorën në emër të vlerave universale, në përgjigje të një gjenocidi të vërtetë dhe të spastrimit etnik të shqiptarve nga forcat terroriste serbe,  gjë që nuk ishte parë në Europë ç’prej Luftës së Dytë Botërore.

15-vjetë më parë – më 24 Mars, 1999 — Organizata e Atlantikut Verior, NATO filloi sulmet ajrore kundër forcave serbe dhe objektivave ushtarake të saj, në Kosovë dhe anë e mbanë Serbisë.  Duke njoftuar fillimin e operacioneve ushtarake të NATO-s, Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton iu drejtua kombit amerikan me një fjalim nga Shtëpia e Bardhë duke shpjeguar arsyet e fillimit të bombardimeve, siç tha ai, “Kundër forcave  të Serbisë që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë.  Ne po veprojmë kështu për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm nga një ofensivë ushtarake në rritje e sipër”, ka thënë presidenti Klinton. “Po veprojmë për të parandaluar një luftë më të madhe dhe për të shuar një fuçi baruti mu në zemër të Europës, që dy herë më parë në këtë shekull, ka ndezur kontinentin me rezultate katastrofale. Duke vepruar tani, ne po mbrojmë vlerat dhe interesat tona dhe po çojmë përpara kauzën e paqës”, ka deklaruar Presidenti Clinton.

Edhe dy protagonistë të tjerë, përkrahës të sulmeve ajrore kundër brutalitetit të forcave policore dhe ushtarake serbe ndaj popullësisë civile shqiptare — ish-Komandanti Suprem i forcave të  aleancës së NATO-s, Gjenerali amerikan Wesley Clark dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Javier Solana — në fjalimet dhe shkrimet e tyre, justifikonin sulmin ajror kundër Serbisë 15 vjetë më parë, si një akt në mbrojtje të vlerave njerëzore dhe të parimeve të lirisë dhe demokracisë.  Në rastin e Kosovës, Havier Solana ka thënë se, “Ato vlera duhet të mbrohen nga sulmet e një udhëheqësi brutal politik, politika e të cilit po mbjellë urrejtje anë e mbanë Europës.”  Me rastin e mbajtjes së konferencës së nivelit të lartë në Washington, me rastin e 50-vjetorit të themelimit të NATO-s në prill të vitit 1999, Havier Solana ka thënë se mbledhja e nivelit të lartë, nja dy javë pas fillimit të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë,  kishte si përqendrim të bisedimeve “Sa gjëndjen në Kosovë aq edhe të ardhmen e sigurisë euro-atlantike në përgjithësi, pasi  në këtë takim do ritheksohet rishtas angazhimi ynë ndaj këtyre vlerave bazë njerëzore…dhe ndaj detyrimit tonë për t’i mbrojtur ato kur të kërcënohen.”

Ndërsa ish-Komandanti Suprem i forcave të NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Gjenerali Wesley Clark ka shkruar me atë rast se, “Të gjitha 19 vendet anëtare (aq kishte atëherë) të NATO-s — si dhe mbi 40 shtete partnere tona – e dinë se Republika Federale e Jugosllavisë përbën një sfidë ndaj vlerave të cilat aleanca e NATO-s i ka mbrojtur gjatë 50-viteve të kaluara: ndaj demokracisë, lirisë individuale dhe zbatimit të ligjit. Këto janë vlera të komunitetit ndërkombëtar, vlera të cilat ne do t’i mbrojmë edhe në 1000- vjeçarin e ardhëshëm.”  Vlerat e regjimit të Millosheviqit – të bazuara në urrejtje etnike dhe në një brutalitet sistematik kundër popullësisë shqiptare në Kosovë– ka thënë Gjenerali Clark – i përkasin një epoke të zezë mesjetare dhe si të tilla nuk kanë vend në botën e sotëme.

Deklaratave të Putinit dhe të zyrtarëve të tjerë rusë, se ekzistojnë paralelizma midis Krimesë dhe gjenocidit në Kosovë 15 vjetë më parë,  u janë kundërvenë   udhëheqsit dhe zyrtarët më të lartë amerikanë duke i hedhur poshtë ato krahasime, përfshirë presidentin Barak Obama, Sekretarin amerikan të Shtetit John Kerry, si edhe ish-zyrtarë amerikanë të cilët, në atë kohë kishin përgjegjësi për përpilimin e politikës amerikane karshi Kosovës, ndër të tjerë   ish Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright, ish-zevëndës Sekretari i Shtetit Strobe Talbot, ish-ambasadori Chris Hill si dhe dyzina komentatorësh dhe analistësh amerikanë. Të gjithë e kanë hedhur poshtë krahasimin midis dy rasteve. Në Kosovë shkeleshin vlerat bazë njërzore, aty bëhej gjenocid kundër shqiptarëve autoktonë të atyre trevave.  Ky është ndryshimi me Krimenë!

Andaj, në bazë të këtyre vlerave njerëzore, në emër të të cilave u çlirua Kosova, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, së bashku me autoritetet e Republikës së Kosovës,  duhet që në këtë përvjetor të angazhohen dyfish dhe të bëjnë ç’mos që të përshpejtojnë përpjekjet serioze për antarësimin sa më shpejt të Republikës së Kosovës në NATO dhe në organizmat e tjera euro-atlantike, ashtuqë vlerat e përbashkëta universale – liria, demokracia dhe të drejtat e njeriut – shkelja brutale e të cilave 15 vjetë të shkuara bindën Përendimin të mbronte Kosovën — të avancohen dhe të çimentohen. Ashtuqë, edhe në Ballkanin Përendimor, më në fund, të krijohet një siguri euro-atlantike, e bazuar në këto vlera të përbashkëta njërzore, për hir të një paqeje stabile dhe afatgjatë në atë pjesë të Europës.

 

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, Lufta e Kosoves, ne mbrojtje, te vlerave njerezore

TË BASHKUAR KUNDËR AGRESIONIT RUS

March 25, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të hënën, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama u takua në Hague me udhëheqsit e grupit G-7 të vendeve më të industrializuara të botës.  Udhëheqsit e  Kanadasë, të Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara , si dhe Presidenti i Këshillit të Europës dhe Presidenti i Komisionit Europian lëshuan të ashtuquajturën, ”Deklaratë e Hague-ës”, me të cilën shprehën qëndrimin e përbashkët në mbështetje të sovranitetit, integritetit territorial dhe të pavarësisë së Ukrainës dhe njëkohësisht dënuan agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.  Si ndëshkim ndaj Moskës, ata njoftuan gjithashtu edhe përjashtimin e Rusisë nga G-8 me arsyetimin se “ky grup ishte formuar për shkak të  vlerave, qëndrimeve dhe përgjegjësive të përbashkëta”, duke thënë se veprimet e Rusisë javët e fundit ndaj Ukrainës, nuk janë në përputhje me këto vlera.  Udhëheqsit e G-8 njoftuan gjithashtu mos pjesmarrjen e tyre në takimin e nivelit të lartë të G-8 që ishte në plan të mbahej në qytetin rus Soçi, duke thënë se do të anullojnë pjesmarrjen në formatin e G-8 dhe në vend të saj do të takohen si G-7 në Qershor, në Bruksel.

Në deklaratën e tyre, udhëheqsit e 7 vendeve më të industrializuara të botës thanë se ligji ndërkombëtar ndalon grabitjen me forcë të territorit të një shteti, dhe dënuan përpjekjet ilegale të Rusisë për aneksimin e Krimesë, si një masë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe me detyrimet ndërkombëtare.  Në deklaratën e tyre ata theksuan qendrimin e përbashkët se masat e Rusisë do të kenë pasoja të rënda, duke thënë se si shtete individe dhe si grup kolektiv, ata kanë vendosur një seri sanksionesh kundër Rusisë, personave dhe entiteteve që janë përgjegjës për situatën e krijuar në Ukrainë.  Udhëheqsit e G-7 thanë gjithashtu në deklaratën e tyre, se ata janë të gatshëm të shtojnë masat ndëshkuese ndaj Rusisë, duke përfshirë sanksionet që do të prekin sektorë të ndryshëm të ekonomisë ruse, nëqoftse Moska nuk fillon të qetësojë gjëndjen, duke përdorur kanalet diplomatike, që sipas tyre mbeten të hapura për bisedime.  Ata nënvijuan se “Rusia ka një alternativë të qartë…Rusia duhet të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, dhe njëkohësisht të fillojë bisedimet me qeverinë e atij vendi dhe të jetë e hapur dhe e gatëshme për ndërmjetsim ndërkombëtar për zgjidhjen e shqetsimeve legjitime që ajo mund të ketë.”

Grupi G-8 njëherazi ritheksoi qendrimin e tyre të “vendosur, në mbështetje të popullit ukrainas, i cili po përpiqet të rivendosë unitetin, demokracinë, stabilitetin politik dhe prosperitetin ekonomik të vendit”.

Pyetja është nëse kjo deklaratë e udhëheqsve të vendeve më të industrializuara, G-7, e bërë të hënën në Hague, është e mjaftueshme ose jo për të ndryshuar masat që Vladimir Putini ka ndërmarrë deri tani dhe nëse do të mund të parandalojë zbatimin e planeve të mëtejshme të tij për të grabitur territore të tjera të Ukrainës, ose ndonjë vendi tjetër në periferi të Rusisë.  Dhe nëse sanksionet e njoftuara deri tani nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Europian (BE), do të kenë ndonjë efekt negativ në ekonominë ruse, apo janë vetëm simbolike?

Paul Ivan, një analist i Qëndrës Europiane për Politikë në Bruksel tha për BBC-në, se “Rusia mund të humbasë shumë nga sanksionet. Rusët janë më të varur nga ekonomia europiane se sa varemi ne nga ekonomia e tyre”, shtoi Paul Ivan dhe nënvijoi se më shumë se gjysma e buxhetit të Rusisë vjen nga gazi dhe nafta që ajo shet në Europë dhe se sanksionet perëndimore ndaj këtij sektori të ekonomisë ruse mund të jenë më shumë se simbolike.  Për më tepër, Bashkimi Europian ka njoftuar se është duke marrë masa për të qenë më pak i varur nga burimet energjetike të Rusisë, megjithëse sipas burimeve nga kjo organizatë, vetëm 25% e gazit që përdorin vendet e BE-së importohet nga Federata Ruse.

Ndërsa, vërejtës të tjerë mendojnë se, historikisht, sanksionet nuk janë aq të efektshëme. Një ndër ta është Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, i cili thotë për REL se këtu kemi të bëjmë me të ardhmen e Ukrainës dhe se gjëja më me rëndësi tani është që të ndihmohet Ukraina, ekonomikisht dhe politikisht, që demokracia e re në atë vend të dalë me sukses. “Çdo ndihmë për Ukrainën”, sipas kryediplomatit suedez, “është një shkop për Moskën”.

Ndërkaq, edhe nga kjo anë e Atlantikut, Senati amerikan zhvilloi dje një debat duke avancuar një projekt ligj me 78 vota në favor dhe 17 kundër, për të imponuar sanksione amerikane kundër Rusisë dhe për të ndihmuar Ukrainën ekonomikisht dhe politikisht, si dhe për të promovuar demokracinë dhe sigurimin në atë vend.  Shtëpia e Bardhë e mirëpriti masën e ndërmarrë nga Senati amerikan, duke thënë se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të luajnë rolin kryesor për të ndihmuar Ukrainën.

Por ka edhe zëra të tjera, kryesisht kritikë ndaj politikës së administratës së Presidentit Obama karshi gjëndjes së krijuar në Ukrainë si edhe për zhvillimin e marrëdhënjeve amerikano-ruse, në përgjithësi. Njëri ndër analistët e njohur amerikan Çarlës Krauthamer – komentet e të cilit lexohen anë embanë Amerikës — tha për rrjet televizionit Fox se Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë Vladimir Putinin të mendojë mirë mbi koston e agresioneve të tjera, duke  sugjeruar se Shtetet e Bashkuara duhet t’i ishin përgjigjur pozitivisht asaj që thuhet se ishte një kërkesë   nga Ukraina për furnizim me armë.  Komentatori amerikan shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk po ofrojnë asnjë masë konkrete që t’a bëjnë Putinin të mendojë mirë se çfarë mund të ndodhë, nëqoftse ai ndërmerr ndonjë agresion tjetër kundër sovranitetit territorial të vendeve në periferi të Rusisë, dhe kjo sipas tij, në vetëvete është një skandal.

Ndërsa profesori Timothy Snyder pranë Universitetit Yale këtu në Shtetet e Bashkuara, në një kryeartikull për CNN thotë se nëqoftse Rusia lejohet të kapërdij Ukrainën, atëherë sistemi europian ka marrë fund.  Ai shkruan se kriza në Ukrainë po i detyron europianët të mendojnë përsëri për periudhën e idhët të viteve 30-të të shekullit të kaluar, si dhe mbi origjinën dhe shkaqet e Luftës së Dytë Botërore.   Profesori amerikan Timothy Snyder shkruan se, ashtu siç justifikon sot Putini agresionin e tij në Ukrainë  për të mbrojtur pakicën ruse atje, edhe Hitleri më 1938 në Austri pretendonte të mbronte pakicat etnike gjermane.  Me rënjen e Austrisë, shkruan ai, udhëheqsit europianë tradhëtuan Çekosllavakinë dhe pjesa tjetër është histori. Profesori Snyder përfundon duke nënvijuar se grabitja e Krimesë nga Rusia putiniste kishte për qëllim të paraqitej si një sfidë ndaj Europës — për të provuar se vlerat Europiane nuk mund të mbrojnë as vetveten.

Ky është një moment historik, sidomos për Europën, por edhe për botën. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian duhet të mbështesin paqën në Europë nepërmjet një politike dhe masash të forta për të kundërshtuar agresionin e Rusisë putiniste në Ukrainë dhe më gjërë. Së bashku, duhet t’ia bëjnë të qartë Moskës se ata nuk do të injorojnë faktet e historisë, për të cilat flet më lartë profesori amerikan Timothy Snyder, dhe as nuk do të injorojnë politikën agresive të një udhëheqsi të çmendur që dëshiron të ri-krijojë atë që Presidenti amrikan Ronald Reagan ka quajtur, “perandoria e së keqës”. Kjo është një luftë midis të mirës dhe të keqes, e cila duhet të fitohet nga forcat e paqës në Europë dhe të stabilitetit në botë.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, TË BASHKUAR KUNDËR AGRESIONIT RUS

Serbia dhe Kosova drejt BE-së 15 vite pas bombardimeve të NATO-s

March 23, 2014 by dgreca

Kur avionët e NATO-s lëshuan bombat e para, në mars të vitit 1999, mbi Serbinë për ta detyruar që të ndërpresë represionin e saj kundër popullsisë dhe forcave kosovare, një anëtarësim në BE ishte i paimagjinueshëm si për Beogradin ashtu edhe për Prishtinën.

Pesëmbëdhjetë vite më vonë, këta armiq të vjetër ecin krahë më krahë në rrugën evropiane, pasi arritën në prill të vitit 2013 një marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve, nën mbikqyrjen e Brukselit.
Ndonëse Serbia refuzon haptas që ta njohë pavarësinë që Kosova shpalli në vitin 2008, por vullneti i saj për të përmirësuar marrëdhëniet me këtë territor të populluar nga një shumicë shqiptare i ka mundësuar Beogradit që të hapë në janar negociatat për të hyrë në Bashkimin Evropian.
Madje edhe Kosova nga ana e saj ka filluar negociatat për të arritur një marrëveshje asocim-stabilizimi, etapa e parë kjo për tu afruar me BE-në.
Pavarësisht kundërvënies së Beogradit ndaj pavarësisë së Kososvës, e njohur deri sot nga SHBA-ja dhe 23 nga 28 vende të BE-së, “mund të vërrjemë një farë zbutje nga autoritetet serbe ndaj shkëputjes së Kosovës”, thekson analisti Miodrag Radojeviç, i Institutit të Studimeve Politike të Beogradit.
“Pjesmarrja e Serbisë në dialog me Kosovën tregon se ajo e ka pranuar ‘de facto’ realitetin kosovar”, shtoi ai.
“Një ndikim të lartë në përmirësimin e marrëdhënieve do të mundësohet vetëm nëse BE-ja hap dyert e saj për të dyja palët, duke ofruar një prespektivë evropiane të qartë”, vlerëson Adrian Qollaku, një analist politik nga Prishtina.

Referendumi i Krimesë zgjon të kaluarënFushata ajrore e NATO-s që zgjati 78 ditë ka mbetur e ngulitur në kujtimet si të serbëve ashtu edhe të shqiptarëve të Kosovës. Por pavarësisht vizionit të njëjtë për një të ardhe evropiane, suveniret e tyre do të jenë krejt të ndryshme.
Por edhe referendumi i 16 marsit në gadishullin ukrainas të Krimesë, në përfundim të të cilit 97 për qind e banorëve u shprehën në favor të bashkimit me Rusinë, ka zgjuar gjithashtu disa kujtime.
Mbi të gjitha, pasi kishte dënuar prej shumë vitesh shkëputjen e Kosovës, Moska, aleati kryesor i Serbisë, e citoi këtë çështje si shembull për veprimet e saj në Krime.
NATO-ja filloi bombardimet më 24 mars 1999, pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pas refuzimit nga ana e presidentit serb Sllobodan Millosheviç që të ndërpresë gjenocidet në popullsi dhe shtypjen e forcave të armatosura kosovare.
Ndërhyrja e NATO-s përfundoi në qershor pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova.

Makthet e luftës vazhdojnë

Në Beograd, në qendër të qytetit, godinat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme të epokës së Millosheviçit, të shkatërruara nga bombat e Natos vazhdojnë të mbeten të rrënuara.
Në Kosovë, ku zonat e forcave dhe të autoriteteve serbe u bombarduan gjithashtu nga NATO-ja, nuk mbetet asnjë shenjë e këtyre bombardimeve
Në vendin ku ndodhej në Prishtinë shtabi i përgjithshëm i policisë serbe, është ndërtuar një godinë krejt e re që është Ministria kosovare e Punëve të Brendshme.
“Ishte si një tërmet dhe gjëmim një kohësisht”, tregon Qerim Ahmeti, 32 vjeç, dëshmitar kur u bombardua baza e policisë serbe në Prishtinë.
“Por nuk kishim frike. I luteshim Zotiti që të mbijetonim dhe që forcat sebe të largoheshin nga Kosova”, vazhdon ai.
Nga ana tjetër në Beograd , Vlatka Reljiç, e mënjanon gjithnjë rrugën e shkurtër që e dërgon për në shtëpi, që të mos shohë dëmet e shkaktuara nga bombardimet.
“Mendoj se nuk do të kalojë kurrë nga ajo rrugë. Ajo nuk ishte lufta ime dhe kam gjithnjë makthe”. thotë ajo.
Sipas shifrave zyrtare të Beogradit, rreth 2 500 civilë serb u vranë dhe rreth 12 500 të tjerë u plagosën gjatë 11 javëve që zgjatën bombardimet. Organizata e Mbrojtjes së të drejtave të njeriut “Human Rights Watch” vlerëson se numri i civilëve të vrarë gjatë bombardimeve është rreth 500.
Nga ana tjetër viktimat që solli lufta në Kosovë ishin shumë të larta meqënse edhe lufta u krye në territorin e saj, sipas organizatave ndërkombëtare numri i civilëve të vrarë është rreth shtatë mijë deri në nëntë mijë persona, ndërsa Departamenti amerikan i Shtetit vlerëson rreth 10 mijë numrin e të vdekurve, kjo ishte edhe arsyeja kryesore e ndërhyrjes së NATO-s e cila duhet të ndalontë gjenocidet dhe krimet ndaj njerëzimit.
Në total numërohen rreth 13 mijë viktima civile nga pala serbe dhe ajo kosovare. Makthe këto që ende vazhdojnë të mbeten në popullsinë e dy vendeve dhe që duket se janë rizgjuar me ngjarjet e Krimesë dhe deklaratat e Moskës, por shpresa dhe ëndërrat e përbashkëta për një të ardhe evropiane në paqe po ndikon në përmirësimin dhe afrimin e këtyre dy kombeve fqinje

 

Filed Under: Editorial Tagged With: bombardimeve të NATO-s, Serbia dhe Kosova drejt BE-së 15 vite pas

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT