• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TRAGJEDIA E QYTETIT TIM HISTORIK

January 29, 2013 by dgreca

NGA IBRAHIM KOLARI/

 Prej disa vitesh jetoj midis Dibres dhe New Yorkut midis varferise dibrane dhe luksit amerikan, por me ne fund vendosa qe pergjithmone te jetoj ne Dibren time, ne token qe me lindi duke kandiduar per kryetar Komune si i pamvarur. Duke kerkuar perkrahjen e popullit te thjeshte dhe partive politike per nje Diber me te bukur, per me shume vende pune qe Dibranet mos braktisin me kete toke,per ti thene STOP mergimit.
Dibranet edhe sot, ashtu si ne shekullin e kaluar po marrin rrugen e lodhshme dhe te dhimbshme te mergimit, duke braktisur vendlindjen per te mos u kthyer me kurre te gjalle, por vetem me arkivolet qe eshtrat tu prehen ne Dibren e varfer. Shumica e kandidateve per kryetar komune ne vitet e shkuara kane premtuar gjithmon se do hapin vende te reja pune ,do ndertonin shkolla, do kujdeseshin per infrastrukturen e qytetit per ruge dhe trotuare qe automjetet dhe qytetaret te ecin lirshem dhe te sigurt. Ata premtonin se do punonin per nje qytet te paster, me shume uje dhe mirqenie per banoret, por pasi uleshin ne karrigen e bute te Komunes ata i haronin premtimet dhe perseri kishin nje Diber jo te paster, me mungesa te ujit, nuk jane ndertuar asnje fabrike, asnje shtepi pleqesh. Por dibranet a e meritojne kete gjendje te mjerueshme ?

Kuptohet asnjehere, sepse ne dibranet jemi pasardhesit e Skenderbeut, kryengritesit e cetave kombetare qe kundershtuan cdo perdhoses te tokes arberore. Dibra dhe dibranet i rezistuan tragjedise se madhe te vitit 1913 ku pati shperngulje te banoreve per mos me kthyer me kurre, por edhe pas 100 vitesh nga ajo tragjedi ne po ndeshemi me nje tragjedi edhe me te rene, te braktisjes nga bijte e saj qe nuk e kthejne koken pas. Dhe faji me i madh i tragjedise se Dibres bie mbi ne. Dibranet te pas vitit 1990 ishin deputet, ministria,gjeneral shefa te UCK, por ata nuk bene asgje per Dibren, nuk shtruan asnje meter rruge me asfalt, ata ulen me kete harese te shkuaren e historise Dibrane.

Diaspora shqiptare prej shume vitesh i ka respektuar politikanet, deputetet, ministrat, kryetaret e komunaveqe vinin ne SHBA per vizita. Ketyre u siguronin takime me personalitete te larta te Amerikes, shtronin darka solidarizimi per ngritjen e ekonomise ne Maqedoni, ne Dibër Natyrale ,por shqiptaro- amerikanet gjithmon kur vizitonim vendlindjen verenin se asnje ndryshim nuk ishte bere,asnje investim me fondet qe u kishim besuar,atehere vendosem vete te investojme ne vendlindje ,ne Dibren tone. Kur investova mbi 1 milion dollare ne Diber shumica e miqve te mi ishin pesimiste sepse do humbisja te tere pasurine qe kisha bere ne SHBA por une kisha vendosur te beja dicka per Dibren time. Bleva nje ndermarje duke punesuar kryefamiljare qe e kishin gjendjen ekonomike shume te dobet per tju siguruar nje rroge per te ardhmen e familjeve te tyre. U mundova prej kaq vitesh te beja dicka me shume per qytetaret e vendlindjes time, por ndesha ne vesh te shurdher sepse politikaneve tane nuk ju intereson jeta dhe familja e votuesve te tyre. Ata kane nevoje vetem ne diten e votimeve dhe pas asaj dite votuesi genjehet, harohet,poshterohet dhe injorohet tej masa. Por votuesi nuk e meritojne kete poshterim,ata meritojne respektin me te madh sepse ju kane besuar voten, per te ardhmen e tyre.

Mendoj se me ne fund ka ardhur koha qe disa gjera per dibranet ,por edhe per qytetaret ne Maqedoni diaspora shqiptare duhet ti menaxhoje vete, pra nese do kemi neser kretar Komune i ardhur nga SHBA ose Evropa atehere do te krijohet besimi i investitoreve te huaj per te financuar Dibren. Dibra ka me shume nevoje se kurre qe mergimtaret te investojne ne Diber me mirbesim duke kontribuar ne te gjitha sferat e jetes, ekonomise, kultures per me shume mirqenie per qytetaret. Me qellim qe qytetari mos kete 10 euro vetem diten e votimeve, por ai te kete nje rroge mujore te sigurte per te ardhmen e femijeve, votuesi nuk ka nevoje qe vetem diten e votimeve pakon me sheqer,makarona, vaj dhe miell por ne dollapin e tij ushqimor te kete gjithmone ushqime dhe shume sende tjera te nevojshme.

Ashtu si disa vite me pare kur mora guximin per te investuar ne Diber po e marr guximin per te konkuruar per Kryetar Komune i pamvarur,por qe ti arrijme qellimet humanitare,per nje jete me te mire ,une kam nevoje per perkrahjen e qytetareve, kam per voten e sinqerte, per te hapur vende te reja pune, per te mos e mare rrugen e lodhshme dhe te dhimbshme te mergimit me femijet tane. Une po ju drejtohem me sinqeritet dhe veprat e mia humane qe kam financuar nder vite ne Diber ,Shqiperi,Kosove dhe SHBA.Une e dua Dibren e madhe ashtu sic duhet te jete ne te vertete,por ne sot kemi nje Diber te braktisur, te haruar, te shkateruar ne te gjithe sferat e jetes, mua kjo me dhemb shume, une ndihem keq kur shoh femijet qe lypin, trishtohem kur nje prind nuk mund t’ia plotosoje deshirat elementare femijeve te tij. Une ika i varfer nga Dibra ne moshen e njome, por i faleminderohem Amerikes qe me dha mundesine te krijoj nje pasuri, qe femijet e mi te kene nje te ardhshme te sigurte ,prandaj une ju lutem sot bashkeqytetareve te mij te me japin mundesine per te udhehequr Komunen e Dibres qe te gjithe se bashku te mundemi te ndryshojme per te mire ekonomimine e qytetit tone.

Pra te dashur qytetare pagesa ime mujore si kryetar Komune nuk do te perdoret ne xhirollogarine time , por do te perdoret per nxenesit e shkollave neper fakullteteve ku te jete e nevojshme. Pagesa ime si kryetar Komune le te jete 1 euro ne vit.

Filed Under: Editorial Tagged With: Dibra, historik, Ibrahim Kolari, Tragjedia e qytetit tim

Lapidari i Preshevës si diversion për bisedimet në Bruksel

January 13, 2013 by dgreca

Nga Dr. Enver Bytyçi/

Një lapidar pranë godinës së komunës së Preshevës ka krijuar tension në Luginë Shqiptarët në këtë komunë para disa muajsh e ngritën këtë përmendore, me qëllim që të përkujtohej një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e kësaj treve, të banuar po nga shqiptarët. Eshtë fjala për revoltën e armatosur të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e cila u zhvillua në vitin 2000 nën emrin “UÇPMB”. Kjo revoltë u kushtoi jetën e 27 ushtarëve, në mesin e të cilëve edhe Komandant Lleshit, i cili udhëhiqte sulmet dhe aksionet e shqiptarëve kundër stacioneve policore e pikave ushtarake serbe.

Aso kohe në pushtet ishte partia e Ivica Daçiç, e cila udhëhiqej nga komandanti i fushatës asgjësuese të shqiptarëve në Kosovë, Sllobodan Milosheviç. Pasuesi i Milosheviçit, tashmë kryeministër i Serbisë, pra Ivica Daçiç, paralajmëroi në fillim të janarit se do të bojkotonte bisedimet me Kosovën, të sponsorizuara nga Brukseli, nëse shqiptarët e Preshevës nuk e shkatërrojnë lapidarin kushtuar luftës së drejtë e të shenjtë për liri e barazi. Ose, thoshte ai, qeveria e Serbisë do ta shkatërronte këtë lapidar me dhunë. Shqiptarët paralajmëruan se një hap i tillë i kryeministrit serb do ta çonte rajonin në një konflikt të pashmangshëm, ndoshta më të madh se ai i vitit 2000. Kështu Lugina e Preshevës u përfshi edhe njëherë në vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë paralajmëroi vendet fqinjë dhe u kërkoi atyre të heqin dorë nga albanofobia. Me ndërmjetësimin e ambasadorëve perëndimorë në Beograd, ku përshihej dhe ai amerikan, përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës u takuan dhe vendosën që lapidari të mos prishet. Ivica Daçiç duket se është tërhequr nga pozicioni i fillimit dhe në kuvendin e Serbisë ka deklaruar para dy ditësh se nuk mund të ndërptiten bisedimet me Kosovën. Shqiptarët në Luginë kanë kërkuar përmes anëtarëvë komunalë që të përfshihen në këto bisedime, sa duket me synimin për ta avancuar pozitën e tyre në raport të drejtë e të barabartë me serbët në Kosovë.

Nga e gjithë kjo panoramë e një lufte të ftohtë midis shqiptarëve dhe serbëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë mund të analizonim disa dukuri dhe të shkonim në disa përfundime logjike të zhvillimeve të fundit.

Së pari: Ivica Daçiç e motivoi vendimin e tij për prishjen e lapidarit me dy “arësyetime”, me atë se sipas tij “të rënët e UÇPMB-së ishin terroristë”, si dhe me paragjykimin tjetër, sipas të cilit “Ngritja e lapidarit është bërë për të dëshmuar se Serbia nuk ka sovranitet në këtë pjesë të territorit të saj”. Në rastin e etikës për “terrorizëm” përgjigja është dhënë në mometin kur ka ndodhur konflikti. Në verën e vitit 2000 është nënshkruar një marrëveshje, me të cilën të dy palët kanë ulur armët dhe serbët janë zotuar se “do t´i respektonin të drejtat e shqiptarëve në Luginë”. Nga ky moment, sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk mund të bëhet më fjalë për akte terrorizmi e madje as për qëndrime ekstremiste. Alibia e Daçiç për “terrorizmin e shqiptarëve” kundër stacioneve policore është e sajuar me qëllime politike dhe e ndikuar nga psikologjia, politika dhe praktika e Milosheviçit për zgjidhjen e konflikteve në rajon. Ky qëndrim i kryeministrit serb shkon në drejtimin që historikisht ka shkuar politika serbe, sipas së cilës “serbët janë viktima, shqiptarët agresorët”. Por bota tashmë e ka parë me sytë e saj se cili ka qenë roli i Serbisë në luftën e saj shfarosëse kundër shqiptarëve.

Ndërkaq arësyetimi i dytë për “sovranitetin serb në Luginë” dhe të ashtuquajturin vënie në dyshim të këtij sovraniteti nga shqiptarët është automatikisht jashtë kontestit në të cilat zhvillohen ngjarjet. Vendosja e përmendoreve dhe lapidarëve është kompetencë e pushtetit vendor dhe komunat shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kanë të drejtën sovrane të vendosin për to. Asnjë qeveri demokratike në botë nuk mund të imponojë pushtetin lokal sa i përket vendimmarrjes për çeshtje të tilla. Nëse do të ndohte ndryshe, atëhere komunat dhe bashkitë që përfaqësojnë opozitën do të paralizoheshin, komunat dhe bashkitë që drejtohen nga pakicat do të asgjësoheshin dhe kështu të drejtat e vetëqeverisjes dhe të drejtat e tjera që burojnë prej saj do të zhdukeshin. Kjo logjikë duhet t´i kushtojë në pikëpamje të diferencave që paraqet kryeministri i Serbisë në lidhje me pakicat, krahasuar me konventat ndërkombëtare. E parë në këtë kontekst, një qëndrim dhe arësyetim i tillë duhet marrë në konsideratë në Bruksel e kryeqendrat e tjera perendimore sa i përket vlerësimit të hapave që Beogradi ka bërë në plotësimin e kushteve për pranim në BE. Nëse do të kishte ndodhur ky lloj konflikti në Shqipëri dhe nëse kryeministri i Shqipërisë do të kishte bërë një presion të tillë, jam i sigurt se të gjitha boritë e Brukselit do të ishin në piskamë kundër tij dhe kundër Shqipërisë. Por nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh një gjë e tillë kur është fjala për kryeministrin e Serbisë dhe vetë Serbinë. Nëse kryeministri i Kosovës ose kryetari i një komune në Luginë do të kishte kontestuar lapidarët serbë, të cilët u kushtohen terroristëve të dëshmuar në luftën kundër shqiptarëve, atëherë Europa do të na kishte vënë në “bankën e të akuzuarve”. Vetëm politikanët serbë kanë akses në Bruksel të sillen si të duan me shqiptarët.

Së dyti: Bie në sy se kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, prishjen e lapidarit në Preshevë me bisedimet në Bruksel i pati kushtëzuar. Ndoshta kjo kishte të bënte me një presion të radhës ndaj Bashkimit Europian. Aq më tepër po të kemi parasysh faktin se në Serbi shumë prej politikanëve, përfshirë presidentin Nikoliç, ose një prej eksponentëve të opozitës, si Vojisllav Koshtunica, janë të orientuar qartësisht drejt Moskës. Daçiç me kërcënimin për ndërprerjen e bisedimeve donte të tatonte pulsin e institucioneve të Prishtinës, të Tiranës e para së gjithash njëherësh pulsin e politikanëve të Brukselit dhe kundërshtarëve të tij në Beograd. Ai e dinte se skema e tërheqjes nga bisedimet është e mbetet rruga e gabuar për Beogradin. Por megjithatë ai kërkon që ta fusë vendin e tij në një krizë të pakthyeshme, e pas dështimit të marrë stafetën e ngritjes së partisë së tij në elektoratin serb. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar një sjellje e tillë, duke manipuluar me shqiptarët, i ka dhënë atij fitoren e paimagjnueshme në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar. Kjo eksperiencë e vyeshme për Daçiç përdoret me efektivitet edhe në rastin e lapidarit të ngritur në Preshevë. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet fakti që asnjë prej udhëheqësve të tjerë në Beograd nuk është ndjerë sa i përket këtij lloj konflikti.

Së treti: Zoti Daçiç po përdor Preshevën edhe si shenjë e model të provës se nuk është vështirë të destabilizohet rajoni. Me ultimatumin e tij, ai shkaktoi reagimin e shqiptarëve, reagim që për hir të së vërtetës duhet vlerësuar i moderuar, por edhe i vendosur. Me këtë rast reagoi gjithashtu kryeministri i Shqipërisë, por jo kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili duket se është më shumë i shqetësuar për “dështimin” e bisedimeve me Serbinë, sesa për fatin e shqiptarëve. Daçiç llogariti që me këtë presion të mobilizojë edhe Prishtinën, me qëllim që ajo të refuzojë bisedimet dhe të fajësojë shqiptarët për dështimin e këtyre bisedimeve. Kur u pa se kjo nuk po ndodh, atëherë kryeministri i Serbisë u tërhoq dhe mbrojti me shumë takt rrugën e bisedimeve, duke paralajmëruar kundërshtarët e këtyre bisedimeve në Beograd, se Serbia mund të izolohej e të bëhej përsëri “delja e zezë” e Ballkanit. Këtë mesazh ai e ritheksoi të premten e kaluar para deputetëve se “Sovraniteti i Serbisë në Kosovë gati se nuk ekziston fare. Ne sot duhet të kërkojmë mbështetjen për politikën e cila do ta ndërpres ninullën se është e mjaftueshme vetëm që të fshihemi pas rezolutës dhe se problemi i Kosovës do të zgjidhet”. Por ama Daçiç arriti diçka thelbësore. Ndonëse Thaçi ishte betuar se nuk do të shkonte “kurrë” në bisedime për veriun e Kosovës, ai më 17 janar, një muaj para pesë vjetorit të pavarësisë, do të ulet e të bisedojë me kryemnistrin serb pikërisht për fatin e veriut të Mitrovicës. Dhe të bisedosh për një çeshtje të tillë, ekskluzive si çeshtje e brendshme e Kosovës, do të thotë se do t´i duhet të bëjë lëshime. Se deri ku do të shkojnë këto lëshim, le të presim datën 18 janar. Megjithatë shqiptarët dhe institucionet e Kosovës kanë detyrë dhe të drejtë të mos pajtohen me asnjë lloj koncensioni territorial e politik në dobi të Serbisë.

Pra, përfaqësuesit e Kosovës në këto bisedime do të shkojnë “si derr në thes”, sepse nuk mjafton sllogani “ne kemi pakon e Ahtisaarit”. Kryeministri Thaçi duhet të shkojë më 17 janar në Bruksel me axhendën e tij, në të cilën të pasqyrohet e zbërthyer pakoja e Ahtisarit dhe e adaptuar në kushtet e krijuara në veri të Mitrovicës. Këshilltarët e tij ka nevojë që ta njoftojnë kryeministrin me të gjitha leximet midis rrjeshtave të platformës serbe dhe të projektit të baroneshës Ashton, sepse mundet që BE nga lodhja dhe rendja drejt suksesit personal të indërmjetësuesit të paraqesë një plan të dëmshëm për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, pra në dëm të interesave të shqiptarëve. Përfaqësuesit e Kosovës në bisedime duhet të bëjnë të qartë se asnjë m2 tokë nuk mund të humbet më nga ana e shqiptarëve, pasi ata kanë humbur gati gjysmën e territoreve në shekullin e kaluar si rezultat i dhunës, terrorit dhe ekspansionit të Serbisë në këto territore.

Së katërti: Kryeministri Daçiç kishte për qëllim që me presionin ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës të bënte presion në Europë, që ajo të pranonte sa më shumë prej opcioneve të platformës së Serbisë për Kosovën. Ai është i bindur se sa më shumë kohë kalon, aq më shumë do të dobësohet prezenca e Beogradit në Kosovë. Prandaj dhe rend me ngut që të institucionalizojë me një marrëveshje konkrete praninë e vet në Republikën e Kosovës, duke synuar krijimin e një minishteti serb brenda territorit të saj. Do ta kishte ky minishtet serb emrin e Republikës Srpska në Bosnjë, ose jo, kjo ka pak rëndësi. E rëndësishmë për Serbinë është të jetë “gozhdë Nastradini” në këtë vend. Pikërisht këtë duhet ta evitojë Hashim Thaçi. Nëse është i vendosur në këtë qëndrim dhe ka besim se e eviton, ai do të meritojë respektin e shqiptarëve, nëse jo, atëherë më mirë për të është të japë dorëheqje, jo për t´ia dhënë postin e tij Ramush Haradinajt, por për ta çuar vendin në zgjedhje të reja. Më pas Haradinaj le të rikthehet në karriken e kryeministrit të Kosovës.

Së pesti: Në Luginën e Preshevës Serbia po arrin një sukes të pjesshëm. Me diversionn e saj për lapidarin, ajo ka arritur t´i mobilizojë një grup shqiptarësh e t´i adresojë kundër qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Ky akt shënoi një precedent të paparë më parë dhe besoj se kjo i duhej Beogradit, me qëllim që aktorët shqiptarë të përçahen. Do të ishte krejt normale, nëse përfaqësuesit e zgjedhur të Luginës së Preshevës do të kërkonin në mënyrë të instucuionalizuar e konkretisht ndihmën e qeverisë së Tiranës e asaj të Prishtinës. Por demonstrimet me fyerje kundër Berishës dhe Thaçit, në vend që ato të drejtoheshin kundër kryeministrit serb, Daçiç, shkojnë në dobi të qëllimeve dhe synimeve serbe në këtë rast. Eshtë në të drejtën e këshilltarëve shqiptarë në Preshevë, nëse ata duan apo nuk duan ta prishin lapidarin. Dhe këtë ata e kanë shprehur me vendosmëri. Ndaj askush nuk mund ta përceptojë pse duhej një sjellje e tillë e disa dhjetra shqiptarëve, të cilët demonstruan kundër Shqipërisë dhe Kosovës.

Dhe së fundi: Tensionet në Luginën e Preshevës nuk kanë qenë këto kohë të veçuara. Në Kosovë nuk janë lejuar për vizitë disa personalitete të Serbisë, përfshirë presidentin dhe kryetaren e Parlamentit të këtij vendi. Kjo ndodhi jo vetëm se drejtuesit e Kosovës donin të dërgonin në Beograd një sinjal të vendosmërisë së tyre në mbrojtje të sovranitetit. Kjo ndodhi gjithashtu për t´i ardhur në ndihmë kryeministrit serb, Ivica Daçiç, i cili i ndodhur ngushtë përballë presioneve të partnerëve të tij në qeverisje, mund t´u kujtonte atyre se “Nëse do të ishim të zotët e sovranë në Kosovë, atëherë ju do të kishit shkuar pa pengesa atje”. Por kjo i ka tensionuar më shumë marrëdhëniet midis Prishtinës e Beogradit. Ndërkohë në Maqedoni dëgjohen ende thirrjet “Shqiptar imirë është shqiptari i vdekur”, thirrje të cilat të kujtojnë histerinë serbe të kohës së Milosheviçit. Kjo do të thotë se në Maqedoni ka forca të interesuara për kaos dhe konflikt në rajonin tonë. Nëse i shtojmë kësaj garniture edhe garniturën e gatshme në Beograd, nëse përmendim këtu edhe disa simptoma të rrezikshme që vijnë nga finji ynë jugor, Greqia, kur është fjala për qëndrimin e saj ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë, atëherë merret lehtë me mend se rajoni noton në një vorbull të rrezikshme për paqen e stabilitetin e tij.

Presheva ka dhënë një mësim të jashtëzakonshëm. Krahas brishtësisë së paqes në këtë rajon, ajo dha edhe njehërë mesazhin se shqiptarët nuk e duan konfliktin, nuk duan përçarjen, nuk duan dhunën dhe janë të prirur drejt respektit për vetveten, pa lënduar askënd tjetër në këtë rajon. Në këtë kuptim është mirë që në skenën politike të këtij rajoni ka ende fansa dhe nostalgjikë të Milosheviçit e Shejshelit, siç janë në Serbi presidenti, kryeministri dhe disa krerë të opoziës. Eshtë mirë që në Maqedoni Gruevski me të tijët nxit maqedonët kundër shqiptarëve. Kemi raste të përsëritura të dëshmojmë pjekuri, por pa u frikësuar nga sulmet dhe diversionet antishqiptare të llojeve të ndryshme.

Filed Under: Editorial Tagged With: diversion, Dr. Enver Bytyci, Lapidari i Presheves, ne Bruksel, per bisedimet

MESAZH I PRINCIT LEKA II PER VITIN E RI

January 1, 2013 by dgreca

Tiranë, më 1 Janar 2013/

Bashkatdhetarë të dashur,/
Motra dhe vëllezër,/

Në këtë ditë të parë të Vitit të Ri, ju uroj Gëzuar dhe për shumë vjet, duke shpresuar që gjatë këtij viti do të realizojë secili nga ne projektet e veta personale dhe të gjithë së bashku projektet tona kombëtare.
Viti që kaloi ishte i vecantë për popullin shqiptar. Përveç kremtimit dhe festimeve që shënuan në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë 100-vjetorin e Pavarësisë, kthimi në Atdhe i eshtrave të Mbretit Zog dhe ngritja e monumentit të tij, dëshmuan se shteti shqiptar ka marrë tashmë një orientim të ri. Vlerësimi që iu bë figurave historike tregon se heret a vonë e drejta dhe e vërteta del në drite.

Për mua ky ishte një vit reflektimi. Ndarja nga jeta e babait tim, Mbretit Leka I, ishte një moment i vështirë për Familjen Mbretërore! Falë mbështetjes të Popullit Shqiptar kam gjetur forcë dhe kam marrë angazhimin solemn të vazhdoj rrugën e të parëve duke qenë gati të punoj dhe jetoj në shërbim të atdheut.

Të dashur bashkatdhetarë,
Përveç arritjeve që populli shqiptar ka realizuar, na mbetet ende një rrugë e gjatë derisa të realizojmë aspiratat e rilindasve dhe patriotëve tanë drejt bashkimit kombëtar. Kudo në trojet etnike faktori shqiptar është bërë me i rëndësishëm, madje po bëhet më vendimtar dhe po gëzon mbështetjen e aleatëve tanë të natyrshem. Duhet të dijmë ti kalojmë divergjencat politike apo krahinore si edhe interesat e ngushta, për ti dhënë përparësi projekteve afatgjata të popullit dhe kombit.

Jo gjithmonë historia ka qenë në favorin tonë. Vendosja e kufijve në vitin 1913 duhet të rivlerësohet në kohën e duhur dhe nëpërmjet një rruge paqësore. Kjo nuk nënkupton qëndrimin pasiv të popullit shqiptar, përkundrazi. Duke rritur nivelin politiko-ekonomik, shoqëror e demokratik kudo që ndodhen shqiptarët, hyrja në Europë do të na gjejë një komb më të begatshëm, më të fuqishëm, më dinjitoz, më të përgatitur e më të besueshëm për realizimin e kesaj ëndërre të madhe .
Padyshim në këtë proces jo të lehtë Familja Mbretërore do të ketë rolin e saj të pazëvendësueshëm si simbol i unitetit kombëtar. Ne do të mbështesim çdo iniciativë në këtë drejtim dhe çdo nismë në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve kudo që ata ndodhen, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri, Luginën e Preshevës dhe trojet e tjera etnike.
Edhe një herë, Gëzuar Vitin e Ri. Zoti ju dhëntë shëndet, lumturi dhe begati në familjet tuaja dhe e pastë në mbrojtjen e vet popullin dhe kombin shqiptar.

 

Princ Leka II

Filed Under: Editorial Tagged With: Mesazh i Princit Leka II, per Vitin e Ri

NJIHUNI ME SHQIPTARIN E SUKSESSHEM TE NEW YORKUT

December 29, 2012 by dgreca

Deri tani Retrophin- a, theksonë Forbesi i ka ngritur të ardhurat e saj vjetore deri në 4.000.000 dollarë në vit në një seri prodhimesh farmacuetike. Shkreli, thotë se ai nuk mund të “zbulojë” se sa kompania ka në bankë, por thotë se kompania është e financuar kryesisht në një “fitim të madh” dhe me bazë…/

 Nga BEQIR SINA, New York/

NEW YORK : Duke iu referuar revistës prestigjoze Forbes, numëri i fundit i saj thuhet se :”Martin Shkreli, një 29-vjeçarë shqiptaro amerikan, është një nga themeluesit e parë i kompanisë MSMB Capital me bazë në New York. Ai është i njohur mirë si një investitor dhe aktivist që ka “luftuar” me miliarderët dhe drejtuesit e industrisë së prodhimit të ilaçeve nëpërmjet blog posts, në stackmarket si shareholder letters, regullator për aksioneret, dhe madje edhe ka pasë një tentativë për marrjen e kësaj kompanie.

Por, si Forbes, tani Shkreli thotë se ai është duke i dhënë paratë përsëri fondit për investitorët që të përqëndrohen në një përpjekje të re: në një fillim të ri, të quajtur Retrophin, për të cilën ai është shef ekzekutiv. Kompania është duke u përgatitur për të filluar një gjykim klinik të ilaçeve të saj më të përparuara, me emrin e koduar RE-021, në tremujorin e parë të vitit 2013.

Shkreli është optimist, bazuar në bisedat me Administratën Federale të Ushqimit dhe Ilaçeve, se ky studim i vetmë mund të jetë e mjaftueshm për të marrë miratimin e përshpejtuar për mjekësinë në SHBA

“Unë do të doja, thotë Shkreli të përqëndrohem në jetën time në krijimin e ilaçeve të reja për njerëzit që vuajnë nga sëmundje të rralla”. Pra, Shkreli, i cili tani është një anëtar i revistës prestigjoze amerikane Forbes në klasifikimin vjetor 30 nën 30 në njerëzit më të sukseshëm në botë në industrinë e Financave.

Si pjesë e planit të tij për prodhimin e ilaçit Retrophin, kompania është duke shkuar sot përmes kundër-bashkimit, të kompanisë – blerjen e saj nga Gateway Desert, në mënyrë që të rrisi tregtinë mbi- simbolin OTCBB: RTRX. Shkreli, thotë se ai planifikon të futetet shumë shpejtë në listën e kompanisë në Nasdaq në fillim të vitit 2013, me Retrophinën.

Kundër bashkimit për kompaninë e tij – janë parë zakonisht si një shenjë paralajmëruese për investitorët, edhe pse ata kanë qenë duke përdorur më parë produkte farmacuetike nga kompanitë bioteknologjike që citohen në tregun e pafavorshëm për ofertat fillestare publike.

Më së shumti kompania Farmaceutike Infinity, një nga më të mirët-performuese në rezervat Biotech për këtë vit, doli në publik nëpërmjet një shkrirje mbasi të gjithë ishin kundër bashkimit, të saj.

Sipas revistë Forbes, thuhet se Shkreli e filloi karrierën e tij në vitin 2000 në kompaninë Cramer & Berkowitz. Ai është i njohur mirë për investitorët e superkompanisë farmacuetike Biotech dhe është dalluar për një përpjekje të “egër” për të marrë kontrollin e saj Farmaceutikë në AMAG, në vitin 2011.

Forbes komenton se ai “Këtë e ka bërë për qëllimin specifik, me një “goditje” për menaxhimin e kompanisë dhe ndalimin e e saj në një shkrirje të propozuar më parë. Kur bashkimi i planifikuar u ndalu, të gjithë e dinin që e këtë e bëri Shkreli. Ai gjithashtu paraqiti një peticion në Food and Drug Administration FDA duke argumentuar se një insulinë e prodhuar nga Mannkind, firma Biotech drejtuar nga miliarderi Al Mann, nuk duhet të miratohet. Dhe kështu ndodhi “Ajo nuk ishte miratuar!”. Në atë kohë, ai ishte pjesë në aksionet Mannkind. Ai publikisht kritikoi vendimin e kompanisë farmacuetike Pfizer për të zëvendësuar shefin ekzekutiv Jeffrey Kindler me Ian Read , duke argumentuar se kompania kishte nevojë për një perspektivë të re.”

Një grup i cili quhet Qytetarët për Përgjegjësi dhe Etikë në Uashington, një grup që synon të ketë interesa të veçanta në Beltway, ka akuzuar, Shkrelin se ai “përpiqet të fusë pikëpamjet e tij mjekësore në Food and Drug Administration FDA .”

Revista Forbes shkruan se Shkreli i lodhur është duke u përpjekur për të riformuar zhvillimin e industrisë së ilaçeve në SHBA. Ai është duke punuar për të gjetë një mundësi në një serë sëmundje të veçanta. Njëra prej tyre është e quajtur focal segmental glomerulosclerosis (FSGS). Sëmundje, kjo e cila ka si shkakun kryesor atë të dështimit të veshkave, dhe është një sëmundje që prek rreth 50.000 njerëz në SHBA për çdo vit. Shumica e atyre që janë diagnostikuar janë fëmijë.

Forbes nënvizon duke iu rferuar studimit të Martin Shkreli :” Se kjo ka qenë një arsye shkencore për të besuar se një medikament që është i kombinuar me veprimin e dy llojeve të ndryshme të barnave atë të hipertensionit mund të ndihmojë edhe në mënyrë të ngadalshëme për të ndërtuar-zhvillimin e proteinave në urinë dhe mosdëmtim të veshkave nga sëmundja.

Shkreli e dinte se Ligand Pharmaceuticals dhe Bristol-Myers Squibb kishte qenë duke punuar në një gjë të tillë të prodhimit të ilaçeve dhe për të licencuar atë.

“Është me të vërtetë mbresëlënëse se ata janë të gatshëm për të parë që FSGS është si provë e tyre e parë për të parë suksesin. Por, unë thotë Howard Trachtman, drejtor në pavionin pediatric nephrology të spitalit New York University Hospital, qendra mjeksore Langone Medical Center – mund të flas për përvojën personale me kompanitë e prodhimit të ilaçeve të tjera – kur ata kanë qenë në përpjeke për të shëruar këtë sëmundje. Është e vështirë që të ketë sukses dhe kemi nevojë për ide të reja dhe unë mendoj se është mjaft mbresëlënëse, ideja e re e Martin Shkrelit me Retrophin-ën . ”

Në shtator Retrophin-a emroi Stephen Aselage, si shef ekzekutiv i marketingut nga BioMarin, ku ai ishte oficer – shefi ekzekutiv i saj. Por, Shkreli nuk ka lëvizur duke mbajtur një vend në CEO. Megjithatë Aselage mbetet i përfshirë me kompaninë, thotë Shkreli .

Deri tani Retrophin- a, theksonë Forbesi i ka ngritur të ardhurat e saj vjetore deri në 4.000.000 dollarë në vit në një seri prodhimesh farmacuetike. Shkreli, thotë se ai nuk mund të “zbulojë” se sa kompania ka në bankë, por thotë se kompania është e financuar kryesisht në një “fitim të madh” dhe me bazë.

 

Filed Under: Editorial Tagged With: Beqir Sina, Martin Shkreli

XHORXH H. W. BUSH DHE PARALAJMERIMI I KRISHTLINDJES 20-VJETË MË PARË

December 28, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të Ënjten u njoftua se ish presidenti i Shteteve të Bashkuara Xhorxh H.W. Bush vazhdon të qendrojë në pavionin e kujdesit intensiv në spitalin Metodist të Hjustonit në Teksas.   Fillimisht ai u shtrua ne spital me 23 Nëntor sepse vuante nga bronkiti por,  siç duket gjendja e tij ka ardhur duke u përkeqsuar dhe tani është nën mbikqyrjen intensive të mjekëve pas një seri ndërlikimesh mjekësore, përfshirë edhe ethet.   Megjithë gjëndjen e rëndë shëndëtsore, media amerikane citon zëdhënsin e ish-presidentit Bush se ai është në gjendje të komunikojë me mjekët e tij dhe mjekët në përgjithësi janë optimistë se ish-presidenti do të mund ta kalojë edhe këte sfidë.

Ish presidenti 88 vjeçar u shtrua në spital muajin e kaluar nga bronkiti. Zëdhënësi i tij tha se zoti Bush u transferua në pavionin e kujdesit intensiv të djelën pas një seri komplikacionesh, përfshirë edhe ethet e vazhdueshme.    Pritet që ai të vazhdojë të qendrojë në spital, ndoshta për një kohë të pacaktuar megjithëse sipas shefes së stafit të ish-presidentit Bush, atij është duke iu berë “perkujdesja më e mirë mjekësore në botë. ”

Ish-presidenti republikan Xhorxh Bush, i cili eshte në moshen 88 vjecare, ka shërbyer si presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një afat presidencial, prej vitit 1989 e deri ne vitin 1993.   Në historinë amerikane dhe botërore ai do të njihet për udhëheqjen e koalicionit të gjerë të kombeve, koalicion ky që detyroi tërheqjen e forcave irakiane të diktatorit Sadam Hussein nga Kuvajti në vitin 1991.   Zoti Bush, si rradhë ndonjë udheheqës tjetër amerikan, ka pasur një karjerë të gjatë prej katër dekadash me detyra të ndryshme me rëndësi në qeverine federale dhe në Kongresin amerikan. Ai ka shërbyer si anëtar i Kongresit, si ambasador i Amerikës pranë Kombeve të Bashkuara, si ambasador në Republikën Popullore të Kinës pas rivendosjes së marrëdhënjeve diplomatike midis Pekinit dhe Uashingtonit, si drejtor i CIA-s dhe pas një fushate të ashpër për president mekundërshtarin e tij republikan Ronald Reagan. Kur ky i fundit zgjidhet president, Zoti Bush shërben si zëvendës-president i Presidentit Ronald Reagan për dy afate, nga viti 1981 e deri ne 1989.

Por për ne shqiptarët, ish-presidenti Xhorxh H. W. Bush do të mbahet mendë për të ashtuquajturin “paralajmërim i Krishtlindjes”, një letër secrete këjo që ai i pat dërguar presidentit të atëhershëm serb, dhe kasapit të Ballkanit, Sllobodan Milloseviç.  Ishte ekkzaktërisht 20-vjetë më pare këtë javë, më 25 Dhjetor – Ditën e Krishtlindjes të vitit 1992.   Mesazhi i ish-presidentit Bush ishte i qartë dhe i përpikët dhe nuk lente hapësirë për dyshim:  “Në rast se në Kosovë ndodhë një konflikt i cili shkaktohet nga provokimet serbe, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatëshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë si edhe mbrenda vetë territorit të Serbisë.”

Kjo deklaratë e Presidentit Bush u bë më vonë baza e politikës amerikane ndaj Kosovës për dekadën shumë të vështirë për shqiptarët e Kosovës gjatë 1990-ave.   Këjo politikë e Uashingtonit, e përcaktuar nga Presidenti Xhorxh Bush, u përsërit here pas here gjatë 90-ave nga Presidenti demokrat Bill Klinton dhe zyrtarët e lartë të administratës së tij.   “Jemi të gatëshëm të përgjigjemi ndaj serbëve, në rast të një konflikti në Kosovë, i shkaktuar ose i provokuar nga Serbet”,  pat thënë Sekretari i Shtetit në administraten e ish-Presidentit Klinton, Uorren Kristofer me 13 Shkurt 1993.   Dhe, “Politika amerikane nuk ka ndryshuar” pat deklaruar më 4 Mars të vitit 1998, Robert Gelbard, përfaqsues i posaçëm amerikan për Ballkanin kur u pyet nëse ishte gjithnjë në fuqi paralajmërimi i Presidentit Bush.    Dhe më në fund,  vet ish-Presidenti Bill Klinton, në Mars të vitit 1999 tha në Uashington se, “Vija e kuqe ishte shkelur….dhe nuk besoj se duhet të rrimë duarkryq ndërsa mijëra veta vriten e masakrohen dhe varrosen në fusha topi, para se ne të bejme diçka”, pë t’I ndaluar ato.   Me 24 Mars, 1999, Presidenti Klinton urdhëroi fillimin e sulmeve ajrore të NATO-s kundër objektivave serbe në Kosovë dhe anë e mbanë Serbisë.

Ishte pra këjo politikë amerikane, e përcaktuar dhe e deklaruar nga ish-presidenti republikan Xhorxh H. W. Bush  — dhe e zbatuar nga ish-presidenti demokrat Bill Klinton, e cila më në fund bëri të mundur përdorimin e të vetmit opcion që kishte Amerika dhe aleatët e saj evropianë kundër forcave serbe, e që ishte përdorimi i forcës ushtarake kundër Serbisë për masakrat në Kosovë dhe për shpërnguljen e detyrueshme  të qindra mijëra shqiptarëve nga trojet e veta.  Ishte këjo një politikë  që më në fund vendosi fatin e Millosheviqit dhe të Serbisë — por më me rëndësi për historinë e kombit shqiptar është se këjo  politikë e durueshme dhe serioze e prononcuar nga presidenti Xhorxh Bush dhe e përkrahur nga republikanët dhe demokratët, dy partitë kryesore të Shteteve të Bashkuara — ajo që më në fund çoi në çlirimin e Kosovës nga forcat ushtarake dhe policore terroriste serbe dhe përfundimisht, në pavarësinë e shtetit të Kosoves, 5-vjetori i së cilës festohet brenda disa javëve.

Duke i uruar shërim të shpejtë dhe shëndet në ditët që i kanë mbetur në këtë botë — në këtë 20-vjetor të paralajmërimit të Krishtlindjes që ai bëri më 25 Dhjetor, 1992 kundër shkeljes së vijes së kuqe në Kosovë nga forcat ushtarake dhe policore të Millosheviçit  — me mirënjohje dhe falenderim përkujtojmë dhe lutemi për shëndetin e ish-presidentit Xhorxh H. W. Bush.

Filed Under: Editorial, Opinion Tagged With: Frank shkreli, Krishtlindjet, paralajmeroii, Xhorxh w Bush

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT