• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA, PAVARËSIM ENERGJETIK…

September 29, 2020 by dgreca

-Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE), trup i Rrjetit Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike (ENTSO-E), vendosi që Marrëveshja e re e Kyçjes, e nënshkruar më 30.06.2020, në mes të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe ENTSO-E, të hyjë në fuqi, me ç’rast e bën të mundur pavarësimin energjetik të Kosovës/

-Nga historiku i “autostradës” energjetike Shqipëri-Kosovë: Në 21 Dhjetor të vitit 2013, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri…/

-Marrëveshja në mes KOSTT dhe ENTSO-E – pavarësim elektro-energjetik i Kosovës nga Serbia. Republika e Kosovës del nga Blloku rregullues Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut, për t’iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri/

PRISHTINË, 29 Shtator 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ 

Behlul JASHARI-Korrespondenti i Diellit ne Kosove-

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, njoftoi sot se Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE), trup i Rrjetit Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike (ENTSO-E), vendosi që Marrëveshja e re e Kyçjes, e nënshkruar më 30.06.2020, në mes të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe ENTSO-E, të hyjë në fuqi, me ç’rast e bën të mundur pavarësimin energjetik të vendit tonë.

Më tej, kryeministri Hoti tha se ENTSO-E, vlerësoi që KOSTT ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe është e gatshme të operojë e pavarur nga Serbia, si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Kosovë – Shqipëri.

“Nga e drejta jonë dhe mbështetja e miqve u bë i mundur pavarësimi energjetik”, tha kryeministri Hoti.

Kosova dhe Shqipëria lidhen edhe me “autostradë” energjetike – ky është historiku:

Në 28 Qershor 2016 është finalizuar ‘autostrada’ energjetike, projekti më i rëndësishëm energjetik – Linja e interkoneksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë, e cila ka një gjatësi totale prej 241.1 km, nga të cilat 151.1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km në territorin e Kosovës, duke i hapur kështu rrugë tregut të përbashkët të energjisë.

Ceremonia e inaugurimit u zhvillua në kryeqytetin shqiptar – në Nënstacionin Tirana 2, me pjesëmrrjen e përfaqësuesve të Shqipërisë e Kosovës.

 Projekti ka vlerën 75 milionë euro dhe u financua nga Qeveria Gjermane përmes bankës KfW nëpërmjet kredive të zhvillimit. Me linjën e interkoneksionit 400 kV, Shqipëria dhe Kosova do të mund të përfitojnë për shkak të kombinimit të burimeve të prodhimit të energjisë. Shqipëria e bazon prodhimin e energjisë në 95 për qind nga hidrocentralet, ndërsa Kosova nga termocentralet.

 Në 17 Dhjetor 2015, në Kosovë u bë  inaugurimi i Projektit “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Inaugurimi u bë pasi në “autostradën” energjetike të Kosovës drejt Shqipërisë u bë edhe energjizimi testues i linjës së re interkonektive të tensionit të lartë 400 kV deri në kufi, e cila lidhë nënstacionet Kosova B dhe Tirana 2, duke kaluar nëpër territorin kosovar në zonat e 8 komunave – Obiliq, Vushtrri, Drenas, Malishevë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e Junik  dhe të  mëse 45 fshatrave.

Në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, në pjesën kosovare në fund të muajit Shtator 2015 u përfundua me ngritjen e të gjitha shtyllave elektrike. Ngritja e shtyllës së fundit elektrike – 239 u bë pranë kufirit në Qafë Morinë, ndërkohë që ishin shtruar mbi 50 km përçues elektrikë.

Në 21 Dhjetor të vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.

Në Forumin e Nivelit të Lartë me temën “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, i zhvilluar në Prishtinë në fillim të Marsit 2016, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe mbështetur nga USAID-i, pjesëmarrësit u pajtuan se një komponentë shumë e rëndësishme për stabilitetin e furnizimit dhe operimit të sistemit është tregu i përbashkët i energjisë elektrike me Shqipërinë.

“Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë – i bazuar kryesisht në hidro dhe i gjenerimit të Kosovës – i bazuar kryesisht në thëngjill, është konsideruar si alternativa më e lirë dhe e sigurt për furnizim të përbashkët të dyja vendeve, duke eliminuar kështu mungesën sezonale”, u theksua në përfundimet e Forumit të Nivelit të Lartë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, në Prishtinë.

MINISTRJA HARADINAJ STUBLLA PËRSHËNDET PAVARËSIMIN ENERGJETIK TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj.Meliza Haradinaj Stublla, ka përshëndetur votimin e suksesshëm në takimin e sotëm midis RGCE – ENTSO-E, i cili jetëson pavarësimin energjetik të Republikës së Kosovës.

Në këtë takim u votua hyrja në fuqi e marrëveshjes së kyçjes në mes Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO –E), e nënshkruar më 30 qershor 2020.

“Sukses i plotë, u jetësua pavarësimi energjetik të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë operatorët nga shtetet mike, por edhe nga ato që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që votuan dhe na përkrahen në kuadër të Grupit Regjional të Evropës Kontinentale, që nga sot marrëveshja të hyjë në fuqi”, tha Ministrja Haradinaj Stublla.

Kryediplomatja tha se jetësimi i pavarësisë energjetike për Republikën e Kosovës, është një lajm i rëndësishëm për popullin dhe shtetin e Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe plotësimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

“Shpreh mirënjohjen e thellë Gjermanisë, Francës, Italisë dhe gjitha vendeve anëtare të Grupit Regjional të Evropës Kontinentale. Ky sukses vjen pas një fushate të fuqishme dhe intensive të realizuar me sukses bashkë me miqtë e aleatët tanë. Urime Kosovë e dashur!”, ka deklaruar Ministrja Haradinaj Stublla.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, kosova, PAVARËSIM ENERGJETIK

SHQIPTARËT NË ZVICËR DHE MASAT SHTETËRORE NDAJ COVID-19

September 24, 2020 by dgreca

Dr. Fatime Berisha Imeri nga Zvicra rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e Covid-19 dhe shqiptarët që jetojnë në Zvicër. Sipas Dr. Fatime Berisha Imeri, efekti i Covid-19 në shëndetin mendor është i pamohueshmëm dhe përmasat e vërteta do të shihen më vonë. Ndikimi negativ në zhvillimin psikosocial të fëmijëve do të vërtetohet pas shumë viteve. Me Dr. Fatime Berisha Imeri bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

ZVICRA PËRBALLË COVID-19

Aktualisht vërehet rritje e numrit të të infekturave por stagnim i numrit të vdekjeve nga Covid-19  krahasuar me fazën e fillimit. Lëvizjet më të mëdha të njerëzve dhe udhëtimet në vende me numër më të lartë të rasteve me Covid-19 mendohet se janë shkaku kryesor i rritjes së numrit të të infektuarve. Autoritetet zvicerane kanë zgjeruar listën e shteteve nga të cilat udhëtarët duhet t`i nënshtrohen karantinës 10 ditëshe. Nga 14 shtatori qeveria zvicerane perveç zgjerimit të listës së shteteve nga të cilat udhëtarët duhet t`i nënshtrohen karantinës, ka futur edhe rajone të ndryshme të shteteve me të cilat kufizohet, siç është Franca. Një test negativ për RT-PCR nuk mjafton që individi të lirohet nga karantina. Qeveria ka vendosur qe një kohë të gjatë edhe të ashtuquajturin „Contact Tracing“ ku bëhet  identifikimi i të gjithë atyre individëve që kanë pasur kontakt me një person pozitiv për Covid-19. Varësisht nga intensiteti dhe kohëzgjatja e kontaktit përcaktohet edhe për ata individë karantina ose testi RT-PCR. Në konferencën për media në fillim të shtatorit,  qeveria zvicerane dhe ministri i shëndetësisë kanë deklaruar se me çdo kusht do të parandalohet një Lockdoën i nivelit të marsit 2020. Tash për tash maskat janë të obliguara në shitore dhe ambienete publike të mbyllura kurse në rrugë njerëzit nuk janë të obliguar të vejnë maska. Dua të permend faktin se Zvicra nuk e ka kufizuar lirinë e lëvizjes në asnjë fazë të Covid-it . Njerëzit kanë mundur të dalin dhe të lëvizin lirshëm edhe në kohën e Lockdown-it, atëherë kur nuk kanë punuar shitoret e mëdha të tekstilit dhe produkteve ndërtimore, restoranet, muzetë dhe kompanitë e tjera jashtë sektorit shëndetësor. Shumica kanë punuar nga shtëpia (home-ofice) apo nuk kanë punuar fare dhe kanë qëndruar në shtëpi. Për këtë arsye numri i njërzve në rrugë ka qenë shumë më i ulët se zakonisht edhepse nuk e kanë pasur të ndaluar të dalin.

PASOJAT E COVID-19 NË SHOQËRINË ZVICERIANE

Statistika zyrtare nga qeveria zvicerane ende nuk kemi, por  raportet e një studimi nga SRG Corona-Monitors thonë:

1. Nevoja e shtuar për kujdesin ndaj fëmijëve kishte efekte të ndryshme në punësim, sidomos në atë të gjinisë femrore.

2. Të anketuarit me të ardhura të larta dhe një nivel më të lartë arsimimi, treguan që kishin veshtirësi në punë dhe detyrimet e tyre familjare për kujdesin ndaj fëmijëve.

3. Puna nga shtëpia për kategoritë e caktuara, duke u kujdesur njëkohësisht për fëmijët e tyre: këto kategori deklaruan që ishin mjaft të mundimshme dhe kanë ndikuar negativisht në psikologjinë e tyre.

4. Dhuna në familje kishte një rritje prej 0.9%.

5. Divorcet  kishin një rënje prej 0.5% sipas ketij studimi, ndoshta edhe për arsye se gjyqet kanë punuar me orar të reduktuar. Mendohet se numri i kërkesave për divorc do të rritet, gjë që është parë edhe në shumë shtete tjera por nuk janë publikuar ende statistika të sakta zyrtare.

Mediat raportojnë shpesh për ndikimet negative të Covidit në shoqëri. Efekti në shëndetin mendor është i pamohueshmëm dhe përmasat e vërteta do të shihen ende më vonë. Se çfarë ndikimi afatgjatë do të ketë në zhvillimin psikosocial të fëmijëve do të vërtetohet pas shumë viteve. Për shkak të krizës ekonomike që do të ashpërsohet si pasojë e Lockdoën-it, ekziston         frikë e bazuar që numri i vetëvrasjeve do të rritet në mënyre masive viteve në vijim.

NDIKIMI I COVID-19 NË EKONOMI DHE TURIZËM NË ZVICËR

Ndikimi është i përmasave të papara deri më sot por ende nuk dihet shifra e vërtetë e dëmit ekonomik. Shumë kompani janë të rrezikuara dhe  kanë  probleme serioze të mbijetesës. Turizmi është një ndër sekoret më të prekura edhe për vetë faktin se liria e udhëtimit është ende shumë e kufizuar. Shumë pak njerëz kanë shkuar në pushime dhe shumë pak turistë kanë ardhur të kalojnë pushimin në Zvicër. Kjo ndikon negativisht në hotelieri, agjensionet turistike, kompanitë ajrore, aeroportet, restoranet, vendet e vizituara turistike dhe në shumë sektore tjera.

SHQIPTARËT NË ZVICËR

Jam pak e njoftuar me situatën e individëve mirëpo e di që sivjet shumica pushimin e kanë kaluar këtu dhe nuk kanë shkuar në Kosovë. Nga kriza ekonomike më së shumti janë të prekur pronarët e restoraneve dhe kompanive të vogla. Nëse dilni sot në vende publike nuk do të vëreni dallime të mëdha në krahasim me periudhën para Coronës. As në kohën e Lockdown-it rrugët dhe sheshet nuk kanë qenë  plotësisht të boshatisura siç i kemi në kujtime pamjet nga Kina, Italia dhe shumë shtete tjera që kanë aplikuar masat e rrepta të orës policore. Sot njerëzit mundohen të mbajnë distancën e referuar, kurse në mjetet e transportit publik mbajnë maska dhe mundësisht nuk ulen afër njëri tjetrit. Mbajtja e distancës sociale vërehet sidomos në ambientet publike të mbyllura ku maskat janë të obliguara. Pikat kryesore të qytetit janë të përmbushura si zakonisht, kurse në restorane ka më pak mysafirë si pasojë e rregullave mbi distancën minimale mes dy tavolinave në restoran.

MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Njerëzimi ka përjetuar shumë epidemi dhe pandemi dhe të gjitha i ka mbijetuar. Kjo pandemi dallon nga të tjerat shkaku i  masave rigoroze të cilat i ka vendosur politika, gjë që bota asnjëherë më parë nuk e ka përjetuar. Mirëpo, edhe kjo gjendje patjetër do të kalojë. Në njërën anë shpresojmë që virusi të lë imunitet një kohë të gjatë. Në anën tjetër përvoja më e madhe në trajtimin medikamentoz të duhr do të ulë shkallën e vdekshmërisë. Kurse një vaksinë efikase dhe e sigurtë do të ndihmojë më së shumti në zhdukjen e virusit. I përshëndes të gjithë shqiptarët kudo që që janë dhe ata që jetojnë në SHBA, në mesin e të cilëve kam edhe familjarë me të cilët dëgjohem rregullisht dhe  jam e e informuar për së afërmi me situatën atje. Ju dëshiroj të gjithëve mbarësi dhe shëndet!

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Dr. Fatime Berisha Imeri, Sokol Paja, zvicer

Odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë me grup punues për marrëveshjen e Uashingtonit

September 22, 2020 by dgreca

–Grenell: Marrëveshja do të krijojë vende të reja pune–

Odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar që të krijojnë një grup punues, që do të ndihmojë qeveritë e të dyja shteteve për të zbatuar projektet e marrëveshjes së Uashingtonit nga 4 shtatori, si dhe të ofrojë mbështetje për zbatimin e projekteve të infrastrukturës, energjisë dhe krijimit të vendeve të punës.

Në rezidencën e ambasadorit amerikan në Beograd, Anthony Godfrey, të martën u mbajt takimi i përfaqësuesve të odave ekonomike të Kosovës dhe Serbisë me delegacionin të Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit të Shteteve të Bashkuara.

Në takim kanë marrë pjesë drejtori i Korporatës, Adam Boelher, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell , ambasadori Godfrey, përfaqësuesit e odave të Kosovës dhe Serbisë, Berat Rukiqi, përkatësisht Marko Çadezh si dhe kryetari i Odës amerikane në Serbi, Zoran Petroviq.

Boehler: Normalizimi ekonomik do të thotë investim

Kryeshefi ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler, tha se Kosova dhe Serbia me marrëveshjen për normalizim ekonomik, kanë “të mirën e popullit dhe jo politikës”.

“Dua të shpreh mirënjohjen për Prishtinë dhe Beogradin që kanë vendosur në të mirën e popullit dhe jo politikë sepse në fund të fundit, normalizimi ekonomik do të thotë investim. Kjo nuk është një situatë kur një vend humb e një tjetër fiton”, tha Boehler.

Pas takimit, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se marrëveshja e arritur në Uashington më 4 shtator për normalizim ekonomik, është marrëveshje e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë si dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Temat politike nuk kanë dhënë investime dhe hapje të vendeve të reja të punës. Ajo që do të bëjmë ne është të fokusohemi në prioritetet e projekteve të ekonomisë dhe shumë të tjera”, tha Rukiqi.

Ndërkaq, kreu i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh tha se do të dëshmohet se marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë, ka sjellë stabilitet në rajon.

“Tash kemi një ekip të përbashkët për të mbështetur projektet dhe për të dhënë ekspertizë qeverive tona që të zbatojnë projektet”, tha Çadezh.

Grenell: Marrëveshja do të krijojë vende të reja pune

Ndërkaq, i dërguari i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell, tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendosi në rend të parë çështjet ekonomike, sa i përket Kosovës dhe Serbisë.

“Ne nuk do të ishim këtu po të mos ishte presidenti Donald Trump, i cili besoi se mund të bëhej diçka ndryshe dhe që beson se ekonomika duhet të jetë në rend të parë”, tha Grenell duke shtuar se shteti nuk krijon vende pune, por sektori privat.

“Ajo që kemi bërë në Uashington është e mrekullueshme, por nuk është e gjitha, ne duam që ju të na mbani përgjegjës dhe ajo që është në letër duhet të kthehet në punë”, shtoi Grenell.

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Anthony Godfrey, e përshkroi vizitën e delegacionit amerikan si një sinjal të fuqisë së marrëveshjes së Uashingtonit, duke shtuar se ata tani kanë arritur një marrëveshje të re që “do të përmirësojë tregtinë, komunikimet dhe përmirësojë standardet e jetesës së njerëzve në rajon”.

Delegacioni amerikan ka arritur në Beograd në orët e vona të së hënës.

Presidenca serbe ka paralajmëruar se Boelher dhe Grenell do të takohen me presidentin dhe kryeministren serbe, për të nënshkruar deklaratën e përbashkët për bashkëpunim ekonomik.

Një dokument të tillë, zyrtarët amerikanë kanë nënshkruar të hënën edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

“Marrëveshja që kemi nënshkruar sot (21 shtator) ka qenë zotim për të përshpejtuar investimet në Kosovë. Ne kemi qenë duke punuar në përgatitjet për mundësitë e asaj që ndodhi disa javë më parë. Kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin tonë dhe kemi projekte në vlerë deri në 1 miliard dollar. Aty përfshihet Autostrada e Paqes, hekurudha, gazi i lëngshëm natyror. Kemi biseduar edhe për mundësinë e investimit në një resort të skijimit. Po ashtu do të ofrojmë mbështetje direkte për bizneset e vogla dhe të mesme”, ka thënë Boehler në Prishtinë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Kosove, Odat ekonomike, Serbi

Nderim dhe respekt për punën e bërë nga shoqata “Duart e hapura”….

September 19, 2020 by dgreca

Aleksander Nilaj, President i Shoqates”Duart e Hapura” ne New York-

-Filozofia e vërtetë shihet te sjelljet e jo te fjalët (Mone)-

Shkruan: Violeta Mirakaj-New York-

Violeta Mirakaj.

Vjeshta sapo ka nisur të përkëdhelë ajrin dhe të prarojë degët e pemëve. Ditët, javët, muajtë zvarriten në trysninë që është krijuar për shkak të rrezikut të virusit. Dhe se janë prish ekuilibret  standarte të jetës së mëparshme spikat qartë thënia e Alber Kamy :- “ E dua këtë jetë duke u përhumbur i tëri brenda saj dhe dua të flas me zemër të hapur për të:- Ajo më jep krenarinë e fatit tim njerëzor. Lumturia është e thjeshtë dhe se Njeriu është përherë në marrëveshje me natyrën” .                                                                                                                                                                       Të shkosh te monumenti i Njeriut është një rrugë e gjatë, një rrugë përçapjeje se është fjala për një monument ndryshe. Nuk bëhet fjalë për  monumentin e një politikani, i një luftëtari, por i njeriut të thjeshtë në të gjithë kuptimin e plotë të fjalës. Në pamje të parë nuk ta krijon idenë si mund të krijohet ku mund ta gjejmë. Sigurisht të mençurit e të gjithë kohërave kanë përsëritur gjithmonë të njejtën gjë.  Gjatë gjithë historisë njerëzore në situate të ndryshme në kohë dhe vende të ndryshme, ka qenë të pranishëm ndihma, solidariteti për t’u dhënë ndihmë njeri- tjetrit.  Sidomos në gjysmën e dytë të shekullit 20-të, edhe në këtë fillim  të këtij shekulli, grupimet dhe organizatat jo fitimprurëse joqeveritare janë të shumta, me qëllime dhe realizime të ndryshme, regjistruar në përputhje me dispozitat e legjislacionit të shteteve përkatëse. Duke e parë nga ky këndvështrim mund të renditen aktet e shumta bamirësie, ndihmën ndaj njerëzve në nevojë në situata dhe kohë të ndryshme si  në rangun nacional dhe internacional. Gjithësecila ka specifikën dhe biografinë e saj, të aktiviteteve dhe ndihmës në dobi të mirëqenies së njeriut. Gjithëseciili është dëshmitar  për këtë fakt, dhe aq më tepër  në këtë kohë pandemie, Covid-19. Në dritën dramatike të historisë së Covid- 19 , njerëzit zhvishen nga misteri i tyre shqetësues. Gjithçka në pamje të parë ishte e qetë në normalitet, tani e gjithë bota ndjehet  pezull dhe në këtë pritje universale. Shoqata “ Duar të hapura” me president Aleksander Nilaj me miqtë e tij si Kastriot Murataj etj. dhe me më shumë se 30 vullnetarë  punojnë në ditë të javës, si në ditë pushimi dhe fund jave. E kanë intesifikuar punën e tyre më shumë gjatë këtij viti, ku virusi merimangë ka futur në rrjetën e saj gati gjithë globin tokësor; ka bërë që gjithë aktiviteti njerëzor të futet në një qerthull vrastar, në një situate diabolike, në një hamulli që të merr frymën.  Pra në këto muaj të parehatshëm në një nga lagjet e Bronksit në Pelham Parkway, ku numri i banorëve shqiptar është i madh, një komunitet i cili dallohet në shumëllojshmërinë e aktiviteteve, për gjallërinë e saj, për mbështetjen  në kushtet e emigracionit të njeri -tjetrit, të bie në sy veprimtaria e shoqatës “Me duar të hapura” me president Aleksandër Nilaj …..                                                                                                           

Po bëhen 8 vjet ecurie, ku duart e kësaj shoqate janë të hapura për njerëzit në nevojë, jo vetëm për komunitetin shqiptar po për gjithë komunitetet, për te gjithë besimet dhe ngjyrat. Aktiviteti i kësaj shoqate  ka mbështetjen jo vetëm nga komuniteti, ku vullnetarë të shumtë japin ndihmesë  të ndryshme si pas kohës dhe mundësive, por ndjehet dhe përkrahja nga politika si dhe nga organizmat qeveritare me perfaqësuesit dhe mekanizmat e saj. Dhe bukurisht gjen vend proverbi arab :- “Bota është në anën e atij që reagon”. 

Z. Aleksandër duke ofruar pranë kësaj shoqate miq dhe njerëz të devotshëm si Kastriot Murataj, me modestinë karakteristikë të karakerit të tij; duket sikur thotë se, bota ku jeton gjithësecili, varet në rradhë të parë nga mënyra vetjake e të kuptuarit të saj, e cila përputhet me karakteristikat subjektive të çdokujt, sipas të cilave, ajo mund të duket e varfër dhe e shkretë ose e pasur, e denjë dhe e këndshme. Pra, nga gjërat e vogla në pamje të parë përgatitja dhe sistemimi, shpërndarja e pakove me ushqime në dyert e shtëpive të  të moshuarëve,  të të semurëve dhe të të paaftëve etj. arrihen gjëra të mëdha, jeta e njeriut është e sigurtë. Nëse kërkoni gjëra pozitive, ato do t’i merrni. Ky është ligj themelor i natyrës. Këtë gjë duket se e materializon një shqiptaro- amerikan nga Selca e Kelmendit, Z.A.Nilaj.                                                                                                   

Rrethi i Kelmendit, më saktë i Selcës prej nga ka origjinën e pajisi me dashurinë për njeriun në nevojë. Është historia e këtij vendi me banorët e saj të mrekullueshëm që kanë bërë histori; si në Luftën për Pavarësin Kombëtare, ku burrat e vendit u mblodhën  dhe me mençuri hartuan Memorandumin drejtuar Portës së Lartë për njohjen  e kombësisë shqiptare me administratë dhe shkollë shqipe. Janë betejat antiturke u zhvilluan tek Qafa e Kestecit dhe Suka e Mkushit; apo aty në Zall të Bruzit, trimëresha e këtyre anëve, Nora e Kelmendit vrau pashain turk. Këtu është vendlindja e Dedë Gjerit, Nikë Lekës, komandatë të pamposhtur në luftrat për liri.                                                                                                                                               Një nga idhujt frymëzimi për Aleksandër Nilaj ashtu si e thotë vetë është Nënë Tereza. “Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe. Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Gjej kohë të bësh mirësi. Dhe A.Nilaj me shoqatën e tij “Duartë e hapura”me grupin e vullnetarëve, si dhe bashkëpunimin edhe me organizimet dhe shoqatat e tjera me qeverinë vendore bëjnë të mundur shpërdarje me sukses në destinacionin e duhur të ushqimeve dhe gjithçka. Emrat janë të shumtë për punën e bërë si Sandra Pabon e cila ndan rreth 300 kuti me ushqime, apo Marko, Milena Marios dhe Anthoni.Përfaqësuesja e 80-th district e ansamblesë Nathalia Fernandez  gjen kohë të dalë në terren , duke organizuar me përgjegjësi kohën dhe vendin ku do të shpërndahen ushqimet. Shoqata amerkane – shqiptare “Duartë e Hapura” shpërndan ushqime të freskëta çdo ditë për popullsinë e komunitetit.  Mbi 10000 kutia me ushqime dhe 3500 paund produkte ushqimore, maska mbrojtëse, deyifiktues duarsh e të tjera për situatën duke patur kooperim si dhe me”Bake back America”- me devizën-“T’u bësh mirë të tjerëve është më e mira e të gjithëve. Të punosh do të thotë të mbushësh jetën me gëzim. Në një rast emergjence është marrëzi të kryqëzosh duart, është më mirë të përcaktosh rrugët dhe të mbash veten të zënë. Bamirësi nga Kelmendi mahniti Amerikanët- Ndihmon  të varfërit pa kërkuar asgjë, u çon para dhe ushqime… Ai i ndihmon të tjerët pa asnjë interes dhe pa ndonjë  financim nga qyteti i New Yorkut. Aktiviteti për këtë periudhë kaq problematike si në gjithë botën është intesive, por njëkohësisht është në vazhdimësi të ditëve festive si Hallueen, shpërndan kunguj, çokollata etc. në Williamsbridge dhe në vende të tjera. Pavarësisht shiut të rëndë , u dorëzojnë rreth 400 kunguj (pumkins) familjeve dhe antarëve të komunitetit, si dhe jashtë në lagje të tjera, bëhen operime për mbledhje fondesh bamirësie si dhe dhurata ushqimore. Në një intervistë Z. Nilaj thotë –“Ushqimet të gjitha i kemi donacion. Një pjesë e marrim nga “Food Bank”, rezervë ushqimore, që është e shtetit; ndërsa ushqimet e tjera i japin organizata të ndryshme , biznese të ndryshme. Vazhdon të tregojë kemi dhe bisnese shqiptare që na kanë përkrahur shumë.”  I shkon për së mbari thënies ë O. Uajlld- “Për njeriun gjëja më e rëndësishme është të ketë, ndërsa ai nuk e di se gjëja më e rëndesishme është të jetë”. Shpirti i bardhë dhe  i madh i Z.Nilaj spikat në përpjekjet që ka bërë të mundur të krijoj një bashkëpunim të suksesshëm me dy Shoqata Para dhe Tetraplegjikëve Shkodër dhe në Malësinë e Madhe. Humanisti, veprimtari nga Kelmendi vazhdon me sfidimet, jep sërisht sinjale pozitive, tregon se ka ende njerëz edhe pse janë larg atdheut, dhe pse jeta e përditshme për veten dhe mbajtjen e familjes kërkon shumë mund dhe djersë, gjen kohë dhe mundësi të ndihmojë të gëzojë shpirtërat e njerëzve në nevojë në vendlindjen e tij. Dy shoqatave të para dhe tetraplegjikëve t’u dhurohen karroca për të lëvizur.  

Ç’gëzim të pamatë për këta njerëz të kenë mjete përkatëse për të lëvizur…shpirti mbushet plot . Pra, njerëzit e mirë njihen lehtësisht nga përparësitë e shumta të fjalës e të veprimit dhe nga virtytet e tyre. Ky është monumenti që doja të ngrihesh  për njeriun e mirë. Njeriu atje ku rron, atje mund të bëhet edhe i lumtur. Gjej kohë të bësh mirësi. Humanizmi është një histori që përsëritet. Nëse kërkoni gjëra pozitive, ato do të merrni. Ky është  ligj themelor i natyres. Mos u trego indiferent ndaj vuajtjeve të të tjerëve se përndryshe nuk e meriton emrin Njeri. Kthehu në qenie e ndjeshme dhe vlerëso kushtet njerëzore. Të jesh njeri është një gjë shumë e bukur.

New York

Shtator 2020

Filed Under: Ekonomi, Featured Tagged With: Aleksander Nilaj, duart e hapura, Violeta Mirakaj

Katër tonë kokainë- Hetim 5 vjeçar: Shkatërrohet banda e sofistikuar shqiptare

September 17, 2020 by dgreca

Një hetim 5-vjeçar i udhëhequr nga Italia kulmoi këtë javë në 20 arrestime dhe paraburgime në të gjithë Evropën. Katër tonë kokainë dhe 5 milionë euro në dore janë kapur gjatë arrestimeve.

Një operacion i pashembullt ndërkombëtar që përfshin autoritetet gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit në 10 vende ka rezultuar në shkatërrimin e plotë të grupit kriminal-KOMPANIA BELLO, e cila përbëhej nga shqipfolës, një nga rrjetet më aktive të trafikut të kokainës në Evropë, bëhet e ditur nga Europoli.

Në operacionin e zhvilluar më datën 15 shtator, sipas Europolit, janë arrestuar 20  persona shqiptarë në vende të ndryshme të botës: në Itali (5), Holandë (2), Gjermani (2), Greqi (2), Rumani (1), Hungari (1), Spanjë (1), Shqipëri (5) dhe në Dubai të Emierateve të Bashkuara Arabe (1).

Të arrestuarit dyshohen për trafik ndërkombëtar të substancave narkotike, mbajtje dhe shpërndarje të paligjshme të drogës dhe sulme brutale, përfshirë edhe vrasje. Këto arrestime vijojnë pas arrestimeve të 84 anëtarëve të tjerë të këtij grupi në Itali, Ekuador, Holandë, Mbretëri e Bashkuar, Zvicër dhe Gjermani, bëhet e ditur më tej nga Europoli.

Hetimet zgjatën gjithsej 5 vjet dhe udhëhiqeshin nga Policia e Shtetit Italian (Polizia di Stato) nën drejtimin e Prokurorisë Publike të Firences, bëhet e ditur më tej nga Europoli. Në hetime veç Italisë morën pjesë edhe autoritetet e Holandës. Gjatë këtij hetimi shumë vjeçar janë kapur gjithsej 4 tonë kokainë dhe mbi 5.5 milionë euro në cash.

Një model i sofistikuar

Për vite me radhë, importuesit ndërkombëtarë të kokainës punonin veçmas nga shitësit me shumicë dhe bandat që shpërndanin drogën nëpër rrugë. Por rrjeti i shqiptarëve e kishte rrëzuar këtë model dhe e kishte marrë vetë nën kontroll gjithë zinxhirin: që  nga rregullimi i dërgesave të mëdha nga Amerika e Jugut e deri te shpërndarja në të gjithë Evropën.

Duke përdorur mjete të sofistikuara të koduara komunikimi, kreu i organizatës – një shtetas shqiptar 40-vjeçar me banim në Ekuador – negocionte drejtpërdrejt me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut, organizonte dërgesat e mëdha të kokainës në portet kryesore të Evropës dhe, me ndihmën e bashkëpunëtorëve të vendosur në Itali, Holandë dhe Shqipëri, organizonte shpërndarjen në të gjithë Evropën. Kokaina kontrabandohej në Evropë, e fshehur në automjete, në të cilat ishin montuar enkas ndarje të fshehta të sofistikuara, njofton më tej Europoli.

Kriminelët i pastronin të ardhurat e tyre duke përdorur një sistem ilegal transfertash  me origjinë kineze, i njohur si sistemi Fei Ch’ien. Njerëzit që përdorin fei ch’ien depozitojnë një shumë në një “agjenci” të rrjetit në një vend. Një operator tjetër tërheq shumën ekuivalente diku tjetër në botë dhe ia jep marrësit. Duke mos lënë asnjë gjurmë provash, rrjeti besohet të ketë pastruar kështu miliona euro përmes këtij sistemi.

Një strategji e përbashkët

Operacioni i quajtur nga policia italiane, LOS BLANCOS, i koordinuar në nivelin ndërkombëtar nga Europol dhe Eurojust, kishte filluar në vitin 2015, njofton më tej Europol. Veç dy shteteve të përmendura më sipër, në të kanë marrë pjesë edhe Greqia, Hungaria, Rumania, Gjermania, Spanja, Britania e Madhe, Shqipëria dhe Emiratet e Dubait.(ash)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Banda e sofistikuar, Kokaine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 141
  • 142
  • 143
  • 144
  • 145
  • …
  • 232
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT