• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DELEGACIONI I BIZNESEVE AMERIKANE NË KOSOVË

March 13, 2019 by dgreca

-Delegacioni i bizneseve amerikane diskuton mundësitë e bashkëpunimit me bizneset kosovare. Takime në Qeverinë e Kosovës, në Ministrinë e Zvillimit Ekonomik, Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë…/

PRISHTINË, 13 Mars 2019-Gazeta DIELLI/ Një delegacion i bizneseve amerikane bashkë me Konzullen e përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija, në vizitë në Kosovë po diskuton mundësitë e bashkëpunimit me bizneset kosovare. Themeluesi dhe Shefi Ekzekutiv i kompanisë amerikane MD Squared Property Group, Michael Mintz, tha se kapacitetet e të rinjve dhe ndërmarrësve në Kosovë si dhe talenti i tyre janë të jashtëzakonshme.

KRYEMINISTRI HARADINAJ PRITI NË TAKIM DELEGACIONIN E INVESTITORËVE AMERIKANË 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim delegacionin e investitorëve amerikanë, të kryesuar nga Michael Mintz, themelues dhe shef ekzekutiv i kompanisë “Squared Property Group LLC”, me të cilët ka biseduar mbi situatën aktuale ekonomike në vend, duke thënë se Kosova ka krijuar klimë tejet të favorshme për investimet e huaja.

Në këtë takim, kryeministri Haradinaj theksoi se me rritjen ekonomike më të madhe në rajon, zvogëlimin e tarifave tatimore, reformat thelbësore në sundim të ligjit dhe ato fiskale, si dhe me ligjin për investime strategjike, Kosova ka hyrë në hartën e vendeve atraktive dhe të sigurta për investitorët e huaj.

“Kosova tashmë e ka Ligjin për Investime Strategjike, që krijon lehtësira dhe kushte të mira për investitorët e huaj. Janë themeluar tri zona të veçanta ekonomike të gatshme për të pritur investitorët e huaj”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke përmendur edhe projektet e mëdha energjetike, ato të energjisë alternative.

Ndër tjerash, gjatë bashkëbisedimit me këtë delegacion, kryeministri Haradinaj shtoi se Kosova tashmë është kthyer në një adresë të besueshme për investime amerikane.

Nga ana e tyre, delegacioni i investitorëve amerikanë falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen duke shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit mes tyre.

DELEGACIONI I BIZNESEVE AMERIKANE, TAKIM NË MINISTRINË E ZHVILLIMIT EKONOMIK

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, priti delegacionin e bizneseve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga konsullja e Kosovës në SHBA, Teuta Sahatqija, me të cilët diskutoi rreth sektorit të teknologjisë informative dhe komunikimit (TIK), sektorit të energjisë dhe klimës të të bërit biznes në Kosovë.

Delegacioni i kryesuar nga znj. Sahatqija, Ani Zeldan, kryeshef ekzekutiv i Quantum Media Group, themeluesja e Partners in Digital Health, Tory Cenaj, avokati Nelson Happy dhe gazetari nga The Washington Diplomat, Larry Luxner, u interesuan rreth klimës së të bërit biznes në Kosovë dhe rreth projekteve në sektorin e TIK dhe atë të energjisë.

Ministri Lluka i informoi se Kosova ka një sistem fiskal shumë të favorshëm për biznese, është një qendër lidhëse në Evropë dhe se Banka Botërore e ka cilësuar si vendin e dytë në rajon në raportin e të bërit biznes.

“Kosova ka një sistem fiskal shumë të favorshëm për biznese, është vendi me borxhin më të vogël publik përshtatur GDP-së, është urë lidhëse me vendet e Evropës dhe ka qasje në tri porte detare, atë të Selanikut, Durrësit dhe të Malit të Zi. Në raportin e të bërit biznes Kosova radhitet e 40-ta në botë dhe e dyta në rajon”, u shpreh ministri Lluka.

Sektori i TIK është i vetmi sektor në Kosovë i cili ka bilanc tregtar pozitiv dhe është sektor i cili u ka mundësuar të rinjve të vendit të punojnë për vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë, është sektor në të cilin ka projekte të ndryshme dhe nga i cili gjenerojnë vende pune.

“Sektori i teknologjisë informative është sektor i cili ka bilanc tregtar pozitiv dhe është sektor në të cilin kompanitë vendase kryejnë shërbime ‘outsource’ për kompanitë në Evropë, SH.B.A. dhe më gjerë dhe është sektor në të cilin truri nuk ikën nga vendi. Projekti Kosovo Digital Economy (KODE), në të cilin projekt me ndihmën e Bankës Botërore do të investohen 25 milionë euro për shtrirjen e infrastrukturës së rrjetit të internetit në 96% të territorit të Kosovës me synim të veçantë në zonat rurale”, tha ministri Lluka.

Kreu i MZHE-së delegacionin e bizneseve nga ShBA e informoi rreth “Tech Park Prishtina” dhe “Training and Innovation Park” në Prizren ku parashihet që të krijohen qendra për trajnime dhe qendra të ekselencës digjitale në të cilën do të trajnohen bizneset dhe të rinjtë e vendit.

Përfaqësuesit e delegacionit gjithashtu u interesuan rreth sektorit të energjisë, zhvillimeve dhe projekteve të cilat janë duke u zhvilluar.

Ministri Lluka iu shpreh se Kosova e ka synim  përmirësimin e gjendjes së furnizimit me energji elektrike, dhe këtë e dëshmon fakti i nënshkrimit të marrëveshjes me kompaninë “Countur Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, si dhe rreth mënyrave të gjenerimit të energjisë nga mbeturinat.

Në fund, përfaqësuesit e bizneseve nga SHBA falënderuan ministrin Lluka për informacionet e dhëna dhe thanë se do të mbeten në kontakt në mënyrë që të informohen më detajisht rreth sektorëve që mbulon Ministria e Zhvillimit Ekonomik ashtu që të shihen hapësirat për investime në të ardhmen.

ODA EKONOMIKE AMERIKANE NË KOSOVË PRITI NË VIZITË DELEGACIONIN E BIZNESEVE TË SHBA

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë priti në vizitë delegacionin e bizneseve amerikane të udhëhequr nga Konzullja e përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Teuta Sahatqija, ku bizneset anëtare patën rastin të shkëmbejnë mundësi bashkëpunimi me ato amerikane si dhe krijimin e lidhjeve të reja në sektorë të ndryshëm.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se ky takim është një mundësi e mirë për të ndërtuar dhe krijuar bashkëpunime të reja me kompanitë amerikane, si dhe një rast i veçantë që bizneset amerikane të njihen me disa nga storiet e suksesit të Kosovës. Zeka falenderoi Ambasadoren Sahatqija jo vetëm për punën e saj në përfaqësimin e Kosovës në Nju Jork por edhe në ndërtimin e marrëdhënieve mes bizneseve si dhe nxitjen e relacioneve ekonomike mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e e cila është edhe misioni i Odës Ekonomike Amerikane. 

Konzullja e përgjithshme e Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija, tha se prioriteti ynë kryesor mbetet krijimi i lidhjeve dhe partneriteteve mes bizneseve kosovare dhe atyre amerikane, si dhe përmirësimi i imazhit të kompanive tona në tregjet ndërkombëtare. Ajo tha se përmes kësaj vizite jemi duke synuar bashkëpunime të reja për bizneset tona duke pasur parasysh kapacitetet e tyre gjë e cila do të ndikojë edhe më tutje në krijimin e imazhit të Kosovës si një vend i përshtatshëm dhe atraktiv për investime të huaja.Themeluesi dhe Shefi Ekzekutiv i kompanisë amerikane MD Squared Property Group, Michael Mintz, tha se kapacitetet e të rinjve dhe ndërmarrësve në Kosovë si dhe talenti i tyre janë të jashtëzakonshme. Ai tha se janë mjaft të impresionuar me zhvillimin e bizneseve në Kosovë si dhe mbështetjen e sektorit privat dhe qeverisë në kultivimin e kapitalit njerëzor si dhe lehtësirave të tjera në zhvillimin e bizneseve në vend./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: ne Kosove

Trepça, zbatim Statutit të ri

March 11, 2019 by dgreca

-Regjistrimi i Shoqërisë Aksionare Trepça, koordinim për zbatim të Statutit të ri/

PRISHTINË, 11 Mars  2019-Gazeta DIELLI/ Menaxhmenti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit  (AKP) priti sot në takim ministrin e Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, i cili informoi lidhur me regjistrimin e Shoqërisë Aksionare Trepça.

“Gjatë këtij takimi theks i veçantë u vendos mbi rëndësinë e koordinimit të ngushtë në mes të këtyre dy institucioneve përmes ekipeve të përbashkëta me Shoqërinë Aksionare Trepça në mënyrë që të gjitha obligimet që dalin nga ligjet relevante për institucionet tona të përmbushen me kohë”, thekson njoftimi i dërguar.

Gjiganti ekonomik Trepça në 2019-tën u bë me Statut të ri. Në 3 shkurt Propozim-Statuti i Shoqërisë Aksionare Trepça Sh.A.​ u procedua Kuvendin 120 anëtarësh dhe kaloi me 80 vota pro, pasi i propozuar nga Bordi Mbikëqyrës është miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës në 25 janar. Versionin e ri të Projekt-Statutit Qeveria e dërgoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, i cili në 8 tetor 2016 ka shqyrtuar edhe për herë të dytë dhe ka miratuar Ligjin për Trepçën.

 Miratimi Statusit të Shoqërisë Aksionare Trepça Sh.A. mundëson zbatimin e Ligjit për Trepçën dhe versioni i ri është në pajtueshmëri të plotë nga të gjithë akterët që ndikohen nga kjo kompani, është theksuar në mbledhjen e Qeverisë dhe në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Trepça, pasuri e madhe shumëmiliardëshe e Kosovës, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna. Përfundimi i luftës para gati 20 viteve, në qershorin 1999, Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial dhe në Kosovën e lirë nisën përpjekjet për rimëkëmbje./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Status I ri

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit e SHBA viziton Kosovën

February 27, 2019 by dgreca

-Momentalisht MCC është duke zbatuar për Kosovën Programin e Pragut të grantit të vogël i cili përkrahë investimet në efikasitetin e energjisë dhe punësimin e femrave në sektorin e energjisë, si dhe shtimin e të dhënave publike për gjyqësinë, mjedisin, dhe fuqinë punëtore/
PRISHTINË, 27 Shkurt 2019- Gazeta DIELLI/ Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit vizitoi Kosovën për të diskutuar potencialin për kompaktin e ri për të avancuar rritjen ekonomike./
1 Mijevjecari
Ambasada Amerikane në Prishtinë dërgoi sot këtë njoftim per DIELLIN:
 
Një delegacion nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-ve (MCC) ka vizituar Kosovën javën e kaluar për të diskutuar potencialin për përdorimin e një kompakt programi të MCC-së për të reduktuar varfërinë dhe për të promovuar rritjen ekonomike këtu. Bordi i Drejtorëve i MCC-së ka përzgjedhur Kosovën si të përshtatshme për një MCC kompakt program dhjetorin e kaluar. Kosova duhet të vazhdojë të tregojë përparim kundër korrupsionit në mënyrë që të marrë këtë financim dhe ndihmë.
Delegacioni, i udhëhequr nga zëvendëskryetarja e Departamentit për Çështje Kongresionale dhe Marrëdhënie me Publikun, Karen Sessions, u takua me zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës dhe me udhëheqës nga sektori privat. Ata diskutuan qasjen e MCC-së në luftën kundër varfërisë përmes rritjes ekonomike. Një faktor që frenon rritjen ekonomike është korrupsioni lidhur me të cilin rangimi global i Kosovës është i ulët. Kosova duhet të ri-përzgjedhet nga Bordi i Drejtorëve të MCC-së çdo vit të zhvillimit kompakt, dhe do të vlerësohet përmes fletënotimit të MCC-së që përmban një vlerësim të përpjekjeve për reduktimin e korrupsionit.
Momentalisht MCC është duke zbatuar për Kosovën Programin e Pragut të grantit të vogël i cili përkrahë investimet në efikasitetin e energjisë dhe punësimin e femrave në sektorin e energjisë, si dhe shtimin e të dhënave publike për gjyqësinë, mjedisin, dhe fuqinë punëtore.
Me 20 shkurt 2019 zëvendëskryetarja Sessions ndihmoi në nisjen e projektit “Gratë në Energji” që është pjesë e Programit të Pragut të MCC-së për Kosovën. Ky projekt mbështetë mundësitë për pjesëmarrjen e femrave si të punësuara dhe si ndërmarrëse në këtë sektor gjersa i rritë mundësitë ekonomike për femrat dhe përkrahë një program të bursave. Momentalisht zbatohet nga Fondaconi i Mijëvjeçarit i Kosovës dhe do të vazhdojë deri në vitin 2021./b.j/
27 February 2019
 
Millennium Challenge Corporation Visited Kosovo to Discuss Potential for New Compact to Advance Economic Growth
 
PRISTINA – A delegation from the U.S. Government’s Millennium Challenge Corporation (MCC) visited Kosovo last week to discuss the potential MCC compact to reduce poverty and promote economic growth here. Kosovo was selected by MCC’s Board of Directors as eligible for an MCC compact last December. Kosovo must continue to demonstrate progress against corruption in order to receive this funding and assistance.
The delegation, led by MCC Vice President for the Department of Congressional and Public Affairs Karen Sessions, met with senior Kosovo Government officials and private-sector leaders. They discussed MCC’s approach to fighting poverty through economic growth. One factor constraining economic growth is corruption, in which Kosovo’s global ranking is low. Kosovo must be re-selected by the MCC Board of Directors each year of compact development, and will be evaluated using MCC’s scorecard, which includes an evaluation of efforts to reduce corruption.
MCC is currently implementing MCC’s small grant Kosovo Threshold Program, which supports investments in energy efficiency and women’s employment in the energy sector, as well as increasing publicly available data on the judiciary, the environment, and the labor force.
On February 20, 2019, VP Sessions helped launch the Women in Energy project under MCC’s Kosovo Threshold Program. The project supports opportunities for women to participate as employees and entrepreneurs in this sector, while strengthening economic opportunities for women and supporting a scholarship program. It is currently being implemented by the Millennium Foundation Kosovo and will continue through 2021.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Korporata e Mijevjecarit, viziton Kosoven

MESNATA E FTOHTË E MASAKRES BARBARE- 68 VJET MË PARË-

February 26, 2019 by dgreca

1-agimi-bib-300x208Nga Agim Xh. Dëshnica/Emrat

1 T epushkatuarit

Pas pyetjeve e kërkimeve të shumta, aty nga viti 1993, buzë lumit Erzen, nën një kodrinë afër Urës së Beshirit, u zbulua një gropë me eshtra njerëzish. Ç’qe ajo gropë!? Prania e grave të përzishme dhe e burrave të tronditur, tregonte se nuk ishte gjetur një tumë ilire, por një varr i përbashkët, varr makabër i motit 1951. Nga shenja të ndryshme ata njohën mbetjet nga trupat e 22 njerëzve të dashur, të pushkatuar në mesnatën e 26 shkurtit 1951, të lidhur tok me tela me gjemba, midis tyre dhe një vajzë. Oh, tmerr! Përse i vranë ata?

Nuk do të mjaftonin vrasjet e shumë patriotëve, pa gjyq e me gjyq, që nisën qysh nga nëntori i vitit 1944, kur sadisti Mehmet Shehu, i njohur për epitetet “terror i bardhë”, “terror i kuq”, në vitin 1949 do të shprehej: “Ne duhet ta ashpërsojmë luftën kundër armiqve të pushtetit tonë, të vrasim njerëz, që të mundemi ta përballojmë situatën.”

Viti 1951 ishte një kohë, kur shumë qytetarë të zhgënjyer shpresonin, se pas prishjes me jugosllavët, do të ndodhnin ndryshime të thella. Ata që kishin radio, dëgjonin Radio Londrën, me sinjalin e njohur “Ju flet Londra!”, apo Ankaranë, me “Burasi Ankara!” Shpresonin më kot! Ndërkohë natën, aktivistët e Frontit Demokratik, kërkonin nëpër rrugët e tarracat e Tiranës fletushkat e hedhura, ndoshta nga qielli, kurse ditën nëpër trotuare, civilë të paguar gjurmonin kalimtarë të dyshimtë. Në mure u dukën pankarta me fjalën e rreptë “Vigjilencë!” Në Durrës, kur qytetarët ktheheshin në shtëpi, gjenin mbi radio letra me shënimin tronditës: ”Mos e hapni në kanalet italiane!” Në bregdet pushuesit porositeshin të ndërprisnin lojën me domino e të hynin ndër fjetore. Nga dritaret dukej në muzg patrulla e rojeve bregdetare me armë në duar. Banorët e majmur të Bllokut, natën shihnin ëndrra të frikshme me sulme të befasishme nga deti e ajri dhe nga malet. Ndaj zgjoheshin të trembur dhe në mbledhje të fshehta, hartonin lista arrestimesh me emra të diktuara nga krerët kryesorë të partisë, disa të njoftuara edhe nga agjentët e sigurimit.

Befas, në krahun e shkretë të oborrit të Ambasadës Sovjetike në rrugën e Durrësit në Tiranë, shpërtheu një sasi e pakët dinamiti, nga e cila u thyen vetëm disa xhama. Dhe ja, brenda një nate, sipas listave të përgatitura qysh më parë, u shoqëruan të lidhur mbi treqind vetë, midis tyre, Sabiha Kasimati, dijetare e Institutit të Shkencave, Jonuz Kaceli, nga familja e madhe e Kacelëve, Fejzi Dika, i lauruar në Montepelier për filozofi dhe pedagogji, poet e mendimtar patriot, Ing. Vasil Noçka, një prej yjeve të Universitetit të Shtutgardit, Prof. Ibrahim Babamusta, personalitet i njohur i kulturës perëndimore, Gaqo Qano, doktor i kirurgjisë dentare, i kthyer nga studimet në SHBA, Gani Strazimiri, inxhinier i shquar i ndërtimit, Rrok Radovani, profesor i kimisë, Tefik Gabrani, ekonomist, zotërues i disa gjuhëve, patriot i kthyer nga Selaniku në atdhe për Kosovën e shumë të tjerë. Nga listat e zeza nën diktatin e E. Hoxhës dhe të M. Shehut, u përzgjodhën për pushkatim 22 vetë,të gjithë banues në Tiranë.Shumë njerëz qenë të bindur se atentati dhe arrestimet u kryen me urdhër nga lart, me anën e shërbimit të fshehtë, me emrin Sigurimi i Shtetit, duke fashitur kështu ëndrrat e shpresat e qytetarëve për shembjen e diktaturës. Asnjë nuk u pyet për ngjarjen e bujëshme me dinamit, por veç për ndodhi e biografi të paraluftës. Madje, pati zyrtarë rusë, që ndërhynë për lirimin e disave prej tyre. Ishte koha, kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, po bënin hapat e para. Viktitimat e terrorit komunist, të pushkatuar pa faj e pa gjyq, më 26  shkurt 1951 pranë Urës së Beshirit. Të  lidhur tok me tela u varrosën  në një gropë  të përnbashkët- një krim barbarar i padëgjuar në histori.

Ata 22 fatkeqë, pasi lindën, u rritën dhe u shkolluan, ecën nëpër udhën e jetës, herë me gëzime të pakta, herë të tronditur nga zhgënjime, apo nga dramat familjare, së fundi do t’i priste një mbarim tragjik, nga dora gjakatare e tiranit komunist E.Hoxha dhe e xhelatit M. Shehu. Pas arrestimit, u pushkatuan në mbarim të pesë ditëve, pa prokuror, pa gjyq e pa asnjë shpjegim zyrtar,në mesnatën e 26 shkurtit të vitit 1951, pranë Urës së Beshirit.Ky veprim u quajt i përligjur, sipas një dekreti mizor me gjashtë nene, për “veprimtari terroriste“, që u hartua me vonesë nga kreu i Ministrisë së Brendshme M. Shehu dhe u miratua rrufeshëm nga Presidumi i Kuvendit Popullor dhe Byroja e PPSH, më 26 shkurt 1951, kur gjithçka, pa gjyq, kishte marrë fund. Ministri i Drejtësisë u përjashtua nga kjo orgji juridike e pështirë. 26 shkurti shënon një datë të zezë të drejtësisë shqiptare që ngjeth jo vetëm çdo jurist në botë, por edhe njeriun më të thjeshtë.Një oficer i lartë i asaj kohe të mbrapshtë dëshmon: “Për pushkatimin e këtyre personave, nuk u bë gjyq! Ata u çuan direkt në vendin e pushkatimit dhe nuk u la kohë për gjykimin e çështjes.“Pra, asnjë seancë gjyqësore nuk u zhvillua. Nuk u dëgjua as prokurori, as gjyqtari. Mungonin dëshmitarët dhe avokati. Viktimat, të lidhur me tela me gjemba të kohës së luftës, i hipën në një kamion. Jonuz Kacelin të vdekur nga torturat e hodhën nga dritarja. Askush prej tyre nuk u njoh me vendimin. Në mes të natës, kur era e maleve ulërinte si mallkim, i pushkatuan barbarisht të gjithë ashtu siç qenë, të lidhur tok.Kur krismat e armëve pushuan, u dëgjua britma e dhimbshme e një gruaje: “Ç’i paskam bërë perëndisë!“ Ishte Sabihaja! Plumbi nuk e kishte kapur! Atëherë iu sulën dhe ia shuan jetën, duke e qëlluar egërsisht me kondakët e pushkëve. Pas disa çasteve, britmat e saj pushuan. Ndihej vetëm ulërima e erës dhe rrjedha e tërbuar e Erzenit. Një vetull hëne e pikëlluar rrezëllinte midis reve. Të vrarët, ashtu siç qenë, i mbuluan shkel e shko, në një gropë të përbashkët. Gjithçka kishte marrë fund. U dëgjua një motor që u ndez. Xhelatët, pasi mbaruan detyrën me sukses, u zhdukën si hajna nëpër natë. Të nesërmen nëpër shtëpitë e Tiranës, fshatarët e fshatit pranë, trokitën të tronditur dhe rrëfyen ç’kishte ndodhur në mesnatë.Vite më vonë, ndërsa punohej për shpyllëzimin e asaj zone, një traktoristi i ra të fikët, kur pa që traktori nxori papritur një kufomë gruaje dhe po e hiqte zvarrë. Qe trupi i patretur i martires Sabiha Kasimati…

Pas ekzekutimit të viktimave, që shkuan drejt vdekjes pa e ditur pse, dokumentet gjyqësore u plotësuan të mangëta. Kur viktimat nuk jetonin më, nga një dokument i vonuar gjyqësor, merret vesh një vandalizëm i paparë, se më datën 27 shkurt 1951, një trup gjyqtarësh fantazmë i përbërë nga tre vetë, pa praninë e prokurorit, kishte dhënë vendimin e dënimit me vdekje për 22 të vdekur! Në atë dokument të turpshëm mungon sërish një nënshkrim.

Pra, bllokmenët, uzurpatorët e Shqipërisë, me atë vrasje, kërcënuan gjithë popullin liridashës, kërcënuan drejtësinë, kërcënuan edhe Zotin. Me këtë rast, E. Hoxha u rek të tregonte dashurinë e madhe për miqtë e rinj sovjetikë, e mbi të gjitha të qetësonte jetën e tij të mbrapsht. As Shekspiri i tragjedive, s’do të mund të gjente fjalë për të treguar, sesi brenda një nate u krye ajo masakër e llahtarshme.

Pas atij akti kriminal, diktatori E. Hoxha do të hakërrehej me grushtin lart: “Reaksioni i brendshëm është strukur si miu dhe po lëvizi, e piu e zeza!”

Ja, cilët ishin ata, shumica në moshë të re, që humbën jetën, pa asnjë faj, nga pushkatimi mizor në natën e ftohtë të 26 shkurtit 1951:

Sabiha Kasimati,

38 vjeçe. E lindur në Edërne të Turqisë,e diplomuar në Itali. Megjithëse iu ofrua një vend pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo vajzë patriote e ditur, nga fisi njohur i Kasimatëve. dëshiroi vendin e saj, Shqipërinë, ndaj më 1945, u kthye në atdhe dhe punoi në Institutin e Shkencave, krahas shkencëtarëve të shquar në histori. Si ishte  e mundur të dënohej pa faj e të masakrohej egërsisht një engjëllushe e atillë?  Për atë krim barbar ndaj asaj vajze të rrallë dijetare, fajtor ishte vetë dora e përbindëshit ziliqar E. Hoxha. Kumti i saj njërzor jeton edhe sot:“evolucioni është në natyrën e gjërave. Me dhunë nuk shkohet dot as në socializëm, as në demokraci; shkohet drejt shkatërrimit.”

Manush Peshkëpia,

39 vjeç, poet patriot, lindur në Vlorë. Analistët e letërsisë e rendisin krahas me Fishtën, Poradecin, Koliqin, Kutelin etj. Ja, si është shprehur intelektuali i shquar Vedat Kokona:“Shumë nga shokët e mivdiqën zemërplasur pas dekadash me vuajtje dhe mjerime. Një nga këta fatzinj ishe edhe ti, Manush. Askush në këtë sallë dhe jashtë saj nuk të ka njohur si të kam njohur unë, si vëllai, gjashtëdhjetë vjet më parë… Shumë njerëz kam njohur në jetën time, pak kam çmuar, shumë pak kam dashur siç të kam dashur ty. Ti shkruaje vjersha pa e hequr veten poet, të mos jesh poet në vargje, nuk është faj. Faj është të mos jesh njeri. Ti, Manush, ishe poet njeri!” Edhe pas pushkatimit nga terrori i kuq në mesnatën e 26 shkurtit, ky poet njeri mbeti i gjallë në vargje e në dritë.

Tefik Shehu,

39 vjeç, lindi në Gjakovë. I diplomuar në Zagreb për ekonomi, financë dhe drejtësi. Në vitin 1939 u vendos e punoi në Tiranë. Pas pushtimit të Shqipërisë u kthye në Gjakovë. Atje u arrestua nga serbët, por mundi të shpëtonte me ndihmën e nacionalistëve shqiptarë. Më 1945 u arrestua nga komunistët shqiptarë në Tiranë, por me ndihmën e avokatit Koço Dilo, shpëtoi nga pushkatimi. Më 26 shkurt 1951, askush nuk mundi ta mbronte nga kriminelët.

Pjerin Guraziu,

45 vjeç, lindur në Shkodër. Doktor i Shkencave Ekonomike, sportist me arritje të nivelit ndërkombëtar. Pedagog në shkollën tregtare të Vlorës. Drejtor i Doganës së Tiranës më 1938. Pas luftës, shef finance në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Bujqësisë. Anëtar i komisionit për organizimin e garave atletike në Ballkaniadën e vitit 1946. Për këto aftësi meritoi pushkatimin.

Jonuz Kaceli,

43 vjeç, lindi në Tiranë, në familjen e madhe patriote të Kacelëve, e njohur për shërbime në dobi të atdheut, në ekonomi, kulturë, art etj. Më vonë, sipas një dëshmitari, për këto vlera, sadisti ministër i Ministrisë së Brendshme M. Shehu e vrau me tortura dhe e hodhi nga dritarja.

Anton Delhysa,

47 vjeç, lindur në Prizren. Specialist ndërtimi, kishte kryer me përfundime të shkëlqyera Shkollën Teknike të Fulzit. Njihet si drejtues i punimeve për ndërtimin e Shkollës Amerikane në Golem të Kavajës, të rikonstruksionit të Shkollës Teknike të Fulzit dhe të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Pas luftës drejtoi punimet për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Maliq, për spitalin e Gjirokastrës, për fabrikën e tullave në Vorë, etj. Për punën e tij, u dekorua edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Së fundi, u shpërblye me pushkatim!…

Haki Kodra,

30 vjeç. Lindi në Dibër të Madhe. Pasi u diplomua për ekonomi në Universitetin e Zagrebit, u kthye në Dibër, ku ngriti një biznes të madh, por u luftua nga serbët, ndaj u largua dhe u vendos më 1940 në Tiranë. Pas luftës punoi në sektorin ekonomik. Në vitin e zi 1951 u pushkatua pa mëshirë e pafaj nga terroristët e kuq shqiptarë.

Gafur Jegeni,

41 vjeç. Lindi në Dibër. Ishte një nga përfaqësuesit e shquar të Jegenëve të Dibrës. Kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali. Nga viti 1935 më 1937, komandant i kufirit bregdetar të Shqipërisë. Në ditët e prillit 1939 në Vlorë, me gradën kapiten, kreu detyrën si patriot për mbrojtjen e atdheut. U arrestua dhe gjyqi ushtarak e dënoi me vdekje, më pas u internua në Ventotene. U lirua nga anglo-amerikanët më 1943. Pas kësaj u tërhoq nga ushtria. Në shkurt të vitit 1951, në vend të plotonit ushtarak italian të ekzekutimit, u ndodh përballë skuadrës së pushkatimit barbar me ushtarë shqiptarë, që mbanin yll të kuq në ballë.

Myftar Jegeni,

36 vjeç. Lindi në Dibër. Kreu Akademinë Ushtarake më 1937 në Itali. Me gradën kapiten më 7 prill 1939, luftoi në Durrës për mbrojtjen e atdheut, më pas edhe kundër ushtrisë gjermane. Kundërshtoi masakrat jugosllave, ndaj serbët, pasi e arrestuan, e dërguan në duart e komunistëve në Shqipëri. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, punoi llogaritar në një ndërmarrje ndërtimi në Tiranë, deri në vitin 1951. Nuk mundi të punonte më, sepse në atë mesnatë të zezë e pushkatuan pabesisht.

Reiz Selfo,

lindur në Gjirokastër. U shqua si një nga sipërmarrësit e aftë në tregëti dhe në ndërtim. Disa nga veprat, si Firma “Selfo” në Vlorë, Ura e famshme e Dragotit mbi lumin Vjosë, Ura e Bënçës në Tepelenë, disa shkolla, ndër to, Gjimnazi në Gjirokastër dhe shumë të tjera, janë tregues të qartë të ndihmës së tij për lulëzimin e Shqipërisë. Si njeri bamirës dikur i dha ndihmë financiare edhe vetë E. Hoxhës, por dora e atij diktatori gjaktar, më 26 shkurt 1951, ia rrëmbeu jetën pa mëshirë biznesmenit të madh patriot.

Qemal Kacaruho,

49 vjeç. Lindi në Gjirokastër. Ekonomist, zotërues i disa gjuhëve të huaja. Në vitet 20-40 punoi si kryeinspektor në doganën e Sarandës, më pas drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe i Tatimeve në Ministrinë e Financave. Ndërkohë, mori pjesë në luftën kundër pushtueve italo-gjermanë. Pas luftës nuk u pranua të punonte si ekonomist në Tiranë, por jashtë saj, në minierën e Rubikut. Së fundi, e lanë jashtë edhe nga jeta, por nuk mundën ta fshinin nga kujtesa e kombit.

Zyhdi Herri,

30 vjeç. Lindi në Tiranë. Mësoi në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës, më pas vazhdoi studimet për drejtësi. Gjatë luftës bashkëpunoi me Frontin N.Çl. Pas luftës, ishte kryeredaktor i gazetës Bashkmi në Tiranë. Më pas e priti nata e ftohtë e pushkatimit pa gjyq e pa faj.

Gjon Temali,

47 vjeç. Shkodran. Në vitet 40 studioi për farmaci në Universitetin e Firences. Nga viti 1946 deri në shkurt të vitit 1951, farmacist në Spitalin e Tiranës. Ky njeri, i përkushtuar në shërbimin human të mjeksisë, u desh të vritej si “terrorist”, pa gjyq e pa faj!

Petro Konomi,

30 vjeç. Lindur në Kajro. Kreu studimet e larta në Turqi, në Robert Kolezh, mandej në Akademinë Ushtarake në Itali. Gjatë luftës përkrahu Frontin N.Çl. Pas luftës u emërua në ATSH. Edhe ky punonjës korrekt, duhej lidhur me tela, për t’u vrarë barbarisht!

Niko Lezo,

50 vjeç. Lindur në Delvinë. Kimist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Kreu Universitetin e Tuluzës në vitin 1921. Dy vjet më pas, ngriti të parin laborator kimik në Tiranë. Po atë vit zgjidhet deputet i Delvinës. Më 1940 arrestohet e internohet në Ventotene. Pas luftës, punon sërish kimist në laboratorin, që tashmë ishte nën vartësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Ky themelues i paharruar i laboratorit të parë shqiptar, u pushkatua pa mëshirë për kurrfarë faji!

Pandeli Nova,

59 vjeç. Lindur në Opar, në një familje të pasur. Ekonomist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Deri në vitin 1944 u mor me tregëti dhe njëkohësisht ndihmoi Frontin N.Çl. Pas luftës punoi në një shoqëri tregtare çeko-shqiptare. Prind i një djali partizan. Në mesatën e 26 shkurtit 1951, dëgjoni për herë fundit, zërin e ashpër të komandantit komunist: Zjarr!

Thoma Katundi,

më i “vjetri” në moshë, 64 vjeç! Lindur në Katund të Korçës. Ish Vatran në SHBA. I djegur nga malli, u kthye në atdhe dhe punoi me ndershmëri. I edukuar nga idetë demokratike amerikane, duke përbuzur çdo tirani, humbi jetën më 26 shkurt 1951. Faji i tij nuk ishte vetëm dashuria për lirinë, por edhe malli për atdheun!

Mehmet Shkupi,

58 vjeç. Lindi në Shkup dhe banoi në Tiranë. Ish pronar me arsim të mesëm dhe me profesion mjeshtër kaloriferi. Dyshohej si “agjent” i Legatës Franceze dhe se, gjoja, zhvillonte veprimtari terroriste. Pra, u dënua me vdekje pa asnjë provë e pa gjyq konkrete e pa gjyq!

Ali Qorraliu,

61 vjeç, tiranas i pasur, jurist. Kreu studimet e larta në Kolegjin Juridik të Selanikut. Në kohën e luftës përkrahu Ballin Kombëtar, ndaj edhe u burgos nga regjimi komunist. Si u lirua, e arrestuan së dyti herë si “terrorist“ dhe e pushkatuan pa mëshirë, pa gjyq! Kur u zbulua ai varr i kobshëm masiv, u vu re se para pushkatimit ia kishin shkulur dhëmbët e florinjtë!

Fadil Dizdari,

me origjinë nga Shkodra, lindur në Kavajë. Në kohën e Zogut kishte punuar si sekretar prefekture. I dashuruar pas librave, mbante hapur një librari në qendër të Tiranës. U arrestua dhe u pushktua pa gjyq, i dyshuar si “terrorist”, e “armik i pushtetit popullor.” Në të vërtetë, faji i tij ishte bujaria. Shiste pothuajse falas kryeveprat botërore, të ashtuquajtuar libra “të verdha” të autorëve me famë, si Viktor Hygo, Aleksandër Dyma, Frederik Shiler, etj. Nga ai shpëtoi vetëm unaza e fejesës, që u gjet në gropë, për të dëshmuar krimin e fshehtë e barbar në atë mesnatë të paharruar.

Hekuran Troka,

32 vjeç. Lindi në Kuçovë dhe banoi në Tiranë, me profesion tregtar. Në listën e zezë për atë djalë të hijshëm, ishte shënuar: “tregtar i dyshimtë spekulant”, “agjent i shërbimeve të huaja” dhe “ terrorist.” U pushkatua i dyshuar, pa gjyq. Familja iu internua dhe punoi në punë të rënda për bukën e gojës!

Lluka Rashkoviç,

51 vjeç. Lindur në Mal të Zi. Ardhur në Shqipëri me familjen në kohën e mbretërisë. Merrej me transport udhëtarësh. Ishte jashtë çdo rryme politike. Për jetën e pastër dhe punën e ndershme në shërbim të qytetarëve, e arrestuan dhe e pushkatuan pa gjyq!

Për atë gropë të braktisur në errësirën e ftohtë 60 vjet më parë nga xhelatët e nga fajtorët e shekullit, folën eshtrat, folën edhe gurët, folën arkivat e zbuluara edhe ato si gropa e të vrarëve. Foli kujtesa e njerëzve të ndershëm, e motrave, vëllezërive e nipave, foli kujtesa e një populli të tërë. Ishte një e folur me zë të lartë, që ta dëgjonte bota. për të marrë vesh, se ç’ishte në të vërtetë Republika Popullore Socialiste, ose Komuniste, e E. Hoxhës dhe e M. Shehut, “fanari ndriçues”, burgu e varri i përbashkët i shqiptarëve

 

 

Sabiha Kasimati Reiz Selfo Pjerin Guraziu Anton Delhysa Zydi Herri
Gafur Jegeni Myftar Jegeni Manush Peshkëpia Niko Laze Luka Rankovic
Haki Kodra Thoma Katundi Tefik Shehu Gjon Temali Ali Qoreliu
Fadil Dizdari Jonuz Kaceli  

PA FOTO:

     Hekuran Troka

     Petro Konomi

     Pandeli Nova

     Qemal Kasaruho

     Mehmet Shkupi

 

Ekzekutorët  

RRJEDHA E LUMIT NEN URE

Kushtuar 22 shqiptarëve të vrarë,

pa gjyq e pa faj, në vitin 1951,

pranë Urës sëBeshirit.

 

Erzeni trishtueshëm te Urë e Beshirit rrjedh,

e sillet e shtillet  vorbulla te bregu nën gjeth.

 

Me zhaurimë në zall, mbi bar hedh lot-stërkala

sado krim  në terr, me pëshpërimë përhapet fjala!

 

Dritaret e hijet, dushqet e shkurret, tregojnë,

për gropë martirësh në heshtje dhe gurët vajtojnë.

 

Dhe toka e zezë për njerëz të mirë pa faj,

ndër tela me gjemba thurur gjallë, skaj më skaj.

 

Cilës epoke tiranësh u përkasin, o antropolog,

këto eshtra shpupurisur në pluhur, lidhur tok?!

 

Mos janë ilire, në errësira kohësh vrarë

nga sëpata, shigjeta e ushta hordhish barbarë?

 

Jo, jo! Vrastarët nuk janë prej fisesh leshtorë,

por komisarë të kuq, me yll të kuq gjëmbor!

 

Komisarë qelish, pa gjyqe, pa firmë e vulë.

Komisarë pa shpirt, pa besë, pa mend e pa turp.

 

Komisarë që japin me hakërrime mandatën,

me ngjirje, plotonë, krisma e plumba natën.

 

Dhe bisha fle, kur ngryset në pyll a në shpellë!

Dhe ujët fle, drurët prehen në gjumë të thellë!

 

Më kot fërkojnë duart me gjak komisarët,

më kot mundohen të harrohen gjithë të vrarët!

 

Nga gropa, nga gropa shpirtrat fluturuan lart,

me fllad Perëndie u qetua çdo lëngatë!

 

Një poet qiejsh ndër muza, libra diturie,

një bir Kosove e burrë i urtë malsie!

 

Njeri fisnik nga derë artistësh lulëzimi!

Ekonomist një tjetër me ëndrra përparimi!

Tjetri vatran, zhuritur nga mall mërgimi!

 

Një ëngjëllore, nimfa e gjallërisë ujore,

Sabi, Sabihaja, puhiza mëngjezore!

 

Në lumej, det, oqean dëgjohet thirrja e saj,

shpirti fëminor endet livadhesh në parajsë.

 

Mërmërojnë valët: Sabiha! Sabiha!

Buçasin dallgët: Sabi! Sabiha! Sabiha!

 

Erzeni u zgjua, te urë e Beshirit rrjedh,

e sillet e shtillet nën lule e gjeth,

 

me zhaurimë në zall e mbi bar hedh lot-stërkala,

për krime terri me oshëtimë përhapet fjala!

————————–

Filed Under: Ekonomi Tagged With: 68 VJET MË PARË-, Agim Xh Deshnica, MESNATA E FTOHTË E MASAKRES BARBARE-

TREPÇA, MBROJTJE KOSOVËS

February 20, 2019 by dgreca

-Veprimtari në e Stanterg në 30 vjetorin e grevës së madhe të minatorëve të Trepçës në mbrojtje të Kosovës. Kryeministri Ramush Haradinaj: Mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e atëhershme të minatorëve, luanëve të nëntokës tonë, është kthimi i Trepçës në burim jete/

1 Flet ramushi1 greva1 Mitrovica

-Greva  e urisë e 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  shkurt 1989, ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë, rezistencë e fuqishme kundër rrënimit të dhunëshëm dhe kundërkushtetues të autonomisë që me Kushtetutën e vitit 1974 kishte Kosova, e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët, u pasua me demonstratat gjithëpopullore/

-Sa Ari e Argjend prodhonte Trepça – gjiganti i ekonomisë së Kosovës/

-Si u arrestova pse botova në gazetën tradicionale e historike Rilindja shkrimet për grevën e minatorëve të Trepçës në mbrojtje të Kosovës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*

STANTËRG-MITROVICË, 20 Shkurt 2019/ Në minierën e Stantergut të Mitrovicës u mbajt sot manifestimi i 30 vjetorit të grevës së madhe të minatorëve të Trepçës të vitit 1989 në mbrojtje të Kosovës.

“Mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e atëhershme të minatorëve, luanëve të nëntokës tonë, është kthimi i Trepçës në burim jete”, u shpreh  kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në minierën e Stantërgut.

Ai shtoi se, ne sot nuk kemi ardhur këtu vetëm ta kujtojmë atë sakrificë të atëhershme, por kemi ardhë ta konfirmojmë se atëherë e kemi ditur se çfarë duam, e po ashtu e dimë edhe sot.

“Kemi pasur vështirësi e do të kemi, por më besoni se jemi në të drejtën tonë dhe nuk do të ndalemi të punojmë me secilin, qoftë pozitë apo opozitë, veri apo jug. Do të punojmë me secilin për rikthimin e Trepçës, pra sot minatorët i uroj për statutin e Trepçës dhe urime për Trepçën kompani sipas ligjit të Kosovës”,  tha Haradinaj.

Tani, shtoi ai, menaxhmenti dhe të gjithë që marrin vendime për Trepçën duhet ta diskutojnë një plan veprimi se si do të veprojnë dhe do t’i qasen asaj.

Kryeministrit Haradinaj iu nda një mirënjohje nga kryetari i Sindikatës së Trepçës, Shyqyri Sadiku.

Menaxheri i ndërmarrjes Trepça, Xhevdet Tahiri, duke kujtuar grevën e para 30 vitesh, tha se kjo ishte një rezistencë gjithëkombëtare, pasi aty u bashkua mbarë populli shqiptar duke apeluar që kjo sakrificë e bërë në të kaluarën sot duhet të shërbejë për unifikim në drejtim të arritjes së objektivave zhvillimore ne ndërmarrjen Trepça.

Në Trepçë, për tetë ditë me radhë, aq sa kishte zgjatur greva e urisë,  tradicionalisht zhvillohen veprimtari përkujtimi dhe vlerësimi të “Javës së Minatorëve”.

Greva  e urisë e 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  shkurt 1989, ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë, rezistencë e fuqishme kundër rrënimit të dhunëshëm dhe kundërkushtetues të autonomisë që me Kushtetutën e vitit 1974 kishte Kosova si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën shtatë shtete.

Greva minatorëve, e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët,  u pasua me demonstratat gjithëpopullore të po para 30 vjetëve, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Në këto rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.

Trepça, pasuri e madhe shumëmiliardëshe e Kosovës, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna.

Përfundimi i luftës para gati 20 viteve, në qershorin 1999, Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial dhe në Kosovën e lirë nisën përpjekjet për rimëkëmbje.

Brenda 45 viteve, nga  viti 1945 deri në 1990, në Trepçë janë prodhuar gjithësej 10.710 kg ari i pastërtisë së lartë. Mesatarja ishte 238 kg ari për një vit, sipas të dhënave të ekspertëve, njohësve të gjigandit ekonomik të Kosovës. Edhe 113 tonë argjend të pastër brenda një viti është një nga të dhënat e prodhimit në Trepçë në atë kohë.

Gjiganti ekonomik Trepça në 2019-tën u bë me Statut të ri. Në 3 shkurt Propozim-Statuti i Shoqërisë Aksionare Trepça Sh.A. u procedua Kuvendin 120 anëtarësh dhe kaloi me 80 vota pro, pasi i propozuar nga Bordi Mbikëqyrës është miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës në 25 janar. Versionin e ri të Projekt-Statutit Qeveria e dërgoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, i cili në 8 tetor 2016 ka shqyrtuar edhe për herë të dytë dhe ka miratuar Ligjin për Trepçën.

 Statuti i Trepçës përcakton themeluesit e shoqërisë aksionare, aksionet e tyre, veprimtarinë, strukturën organizative, kapitalin themeltar, menaxhimin, afarizmin dhe të gjitha çështjet organizative që lidhen me kompaninë.

Emërtimi i shoqërisë aksionare është Trepça Sh.A dhe selia është në Parkun Industrial të Mitrovicës.

Miratimi Statusit të Shoqërisë Aksionare Trepça Sh.A. mundëson zbatimin e Ligjit për Trepçën dhe versioni i ri është në pajtueshmëri të plotë nga të gjithë akterët që ndikohen nga kjo kompani, është theksuar në mbledhjen e Qeverisë dhe në seancën e Kuvendit të Kosovës.

 ***

SHËNIM I SOTËM, 20 SHKURT 2019: SI U ARRESTOVA PSE BOTOVA NË GAZETËN TRADICIONALE E HISTORIKE RILINDJA SHKRIMET PËR GREVËN E MINATORËVE TË TREPÇËS NË MBROJTJE TË KOSOVËS

Në kohën e grevës së minatorëve të Trepçës në shkurt 1989, para 30 viteve, isha redaktor – shef i deskut (për ngjarjet e ditës) në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja. Thuaja gjithë gazetën e mbushnim me raportimet e gjera të ekipeve speciale të gazetarëve e të korrespondentëve për grevën e minatorëve e kërkesat e tyre në mbrojtje të Kosovës, për liri e demokraci, për përkrahjen gjithëpopullore.

Pas grevës kishte arrestime, së pari arrestuan gazetarin e redaktorin shumëvjeçar të Rilindjes, Zenun Çelaj, i cili gjatë gjithë kohës së grevës ka raporuar në krye të ekipit nga miniera e Trepçës në Stantërg…

Mua më arrestuan pse si redaktor i gazetës Rilindja kam botuar shkrimet për grevën, kërkesat e minatorëve e përkrahjen.

Ishte ditë e diel, 17 janar 1993. Shkova në Pallatin Rilindja në zyrat e gazetës, nuk bëja asnjë ditë pushim për raportimet për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë, nga telexi, e vetmja lidhje e mundëshme në atë kohë nga Kosova në Shqipëri…Kur sapo dola, derisa po ecja fill vetëm një rrugice të afërt nëpër lagjen e Pejton të Prishtinës, policët serbë që kishin dalë në pritë më rrëmbyen, arrestuan… “Kaherë të kërkojmë…”, më thanë. Kishte kohë të gjatë që nuk u përgjigjesha ftesave të gjykatës serbe.

Gazeta e rezistencës “Bujku”, e datës 19 janar 1993, me titullin “U arrestua gazetari i ‘Rilindjes’ Behlul Jashari”, ka shkruar  se veprimtari i njohur i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut “avokati Bajram Kelmendi kuptoi se klienti i tij u mor në polici lidhur me një proces gjyqësor që zgjat që nga viti 1989 e që ka të bëjë me shkrimet e ‘Rilindjes’ në shkurt të atij viti për grevën e njohur të minatorëve të ‘Trepçës’”.

Gazeta shkruante se pasi më kishin mbajtur “deri dje në orën 8 të mëngjesit në një qeli të ftohtë” më dërguan në Gjykatën Komunale, e cila më liroi pasi “gjyqi caktoi seancën gjyqësore për 29 janar”.

“Protestë e gazetarëve të ‘Rilindjes’” ishte titulli tjetër i gazetës, e ku theksohej se protestohej kundër arrestimit tim dhe “përgjithësisht kundër respresionit të pushtetit serb ndaj gazetarëve dhe informimit shqiptar” dhe shprehej zotimi se “edhe në këto kushte të rënda do të vazhdojnë misionin”…

Kujtoj sot se kur më dërguan me pranga policia serbe, në Gjykatë pash se në mbështetje për lirimin tim bashkë me avokatin e veprimtarin për të drejtat e liritë njerëzore Bajram Kelmendi, të cilin me dy bijtë e tij në mars 1999 në Prishtinë  forcat serbe i rrëmbyn në shtëpi dhe i ekzekutuan, ishte edhe shkrimtari i njohur shqiptar Azem Shkreli. I kujtoj edhe sot e gjithmonë me shumë vlerësim e respekt.

me shume fotografi gjeni ne faqen e re te Gazetes Dielli( Dielli Gazeta Newspaper

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, MBROJTJE KOSOVËS, Trepca

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 148
  • 149
  • 150
  • 151
  • 152
  • …
  • 226
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT