Haradinaj: Për Kosovën ka filluar një epokë e re, po jetësohet projekti më i madh i energjisë së ripërtëritshme në vend/
Prishtinë, 19 dhjetor 2019
“Për Kosovën ka filluar një epokë e re, epoka e investimeve strategjike, investim ky më i madhi që ka ndodhur ndonjëherë në zhvillimin e Kosovës”, kështu ka deklaruar kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në konferencën e përbashkët për media me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, duke njoftuar se është shënuar një sukses i madh për Kosovën, është finalizuar e tërë procedura për Parkun e Erës në Bajgorë, i ndërmarrjes SOWI Kosovo, projekti më i madh i energjisë së ripërtëritshme në vend, i cili do të mundësojë hapjen e qindra vendeve të reja të punës.
Kryeministri në detyrë Haradinaj tha se të mërkurën është nënshkruar përmbyllja financiare me BERZH-in, dhe përveç BERZH, projekti që parasheh investime prej 170 milionë euro, ka gjetur mbështetje financiare edhe nga bankat prestigjioze Erste Group Bank dhe NLB Bank, derisa mbulesa financiare është ofruar nga Agjencia Gjermane Euler Hermes.
“SOWI Kosovo, ndërmarrja me pronësi kosovare, gjermane dhe izraelite, që është investitori i parë i shpallur strategjik në Kosovë, do të vendosë 27 turbina të prodhuesit General Electric në rajonin e Bajgorës, me kapacitet të instaluar prej 105 megavatësh, për të prodhuar energji elektrike pa dëme në mjedis. Kjo energji elektrike është më se e nevojshme në vendin tonë, dhe përveç tjerash, me këto kapacitete ne përmbushim caqet për energji të ripërtëritshme më herët se që jemi zotuar”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke theksuar se projekti do të përfundojë së ndërtuari në vitin 2021.
E veçanta e projektit të SOWI Kosovo, sipas kryeministrit në detyrë Haradinaj, është se ka bashkuar shtete të ndryshme, Kosovën, Gjermaninë, SHBA-në, Izraelin, Slloveninë dhe Austrinë, derisa edhe përmbyllja financiare po bëhet pikërisht në ditëlindjen e shtatë të BERZH në Kosovë, e që është shembulli më i mirë i bashkëpunimit, në të cilin vendi ynë luajti rol aktiv dhe shumë të rëndësishëm.
Më tej, kryeministri në detyrë Haradinaj, theksoi se ashtu sikurse ndërmarrjes SOWI Kosovo, Qeveria e Kosovës gjatë këtyre dy vjetëve u ka qëndruar pranë gjithë investitorëve në vend dhe atyre të huaj, duke ofruar gjithë përkrahjen.
“Puna e përbashkët e institucioneve të Qeverisë dhe kompanisë SOWI Kosovo, ka rezultuar në më shumë se 20 leje, kërkesa këto që rrjedhin nga korniza ligjore në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke falënderuar administratën dhe personelin e Qeverisë së Kosovës, për asistencën profesionale të ofruar dhe për profesionalizmin e treguar në procesimin e kërkesave të investitorëve të huaj, dhe të ndërmarrjes SOWI Kosovo në veçanti.
Po ashtu, kryeministri në detyrë Haradinaj, ka falënderuar ambasadorin Christian Heldt dhe gjithë stafin e ambasadës Gjermane nën lidershipin e ambasadorit për një përkrahje të vazhdueshme për këtë projekt.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, tha se kjo ishte një punë ekipore e vërtetë dhe se kjo tregon se kur të gjithë palët e interesit bashkëpunojnë, mund të bëhen gjëra që veprojnë mirë në Kosovë.
“Siç e përmendi kryeministri ky është projekti i parë i tillë në kornizën ligjore për investime strategjike. Unë si ambasador gjerman jam shumë krenar që një projekt i tillë në energjinë e ripërtëritshme mund të bëhet brenda kësaj kornize. Ka pasur shumë sfida dhe ky është momenti që t’i falënderojmë të gjitha palët e interesit nga ana e biznesit, mirëpo gjithashtu edhe administratën kosovare, Qeverinë dhe agjencitë që kanë luajtur rol të rëndësishëm për të bërë këtë që të ndodh”, tha ambasadori gjerman, Heldt.
Ceremonia e nënshkrimit, siç u shpreh ambasadori Heldt, ka qenë mbresëlënëse dhe ka treguar se bashkëpunimi shpie në rezultate dhe se është shumë i lumtur për këtë pasi energjia e ripërtëritshme shpie drejt një të ardhme ku Kosova po merr më shumë autonomi në aspektin e energjisë së pastër.