-Konferencë shtypi e përbashkët e fundvitit e Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë: Pavarësisht pritjeve për një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik në vitin 2019, faktorë të ndryshëm kanë ndikuar negativisht në këtë aspect. Viti 2020 të karakterizohet me dialog më të fuqishëm me sektorin privat/
PRISHTINË, 21 Dhjetor 2019-Gazeta DIELLI/ Zhvillimet politike në gjysmën e dytë të vitit pas dorëheqjes së Qeverisë ndikuan pashmangshëm në të arritura të kufizuara dhe rezultate jo të kënaqshme në atë që u promovua si vit i zhvillimit ekonomik, derisa Qeveria e re duhet të vazhdojë reformat në mjedisin e të bërit biznes. Kjo u tha sot gjatë një konference të përbashkët për media të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë. Gjatë kësaj konference, drejtuesit më të lartë të dy odave ekonomike folën për zhvillimet në aspektin ekonomik përgjatë vitit 2019, si dhe prezantuan rekomandimet e tyre për vitin e ardhshëm.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se pavarësisht pritjeve për një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik në vitin 2019, faktorë të ndryshëm kanë ndikuar negativisht në këtë aspekt, duke përmendur krizën politike si njërin ndër faktorët kryesor i cili sipas tij ka ndikuar negativisht në konfidencën e të bërit biznes si në mesin e investitorëve të brendshëm, ashtu edhe atyre të jashtëm. Ai shtoi se vonesa në konstituimin e qeverisë së re mund të krijojë dëme të pariparueshme për ekonominë e vendit. Rukiqi gjithashtu theksoi se temat e natyrës politike kanë lënë në hije reformat në politikat fiskale dhe ekonomike gjë e cila ka rezultuar në ngadalësimin e rritjes së eksportit dhe investimeve të huaja ne vend. Duke shpalosur rekomandimet për qeverinë e re, Rukiqi theksoi rëndësinë e dialogut më të fuqishëm ndërmjet sektorit privat dhe atij publik por edhe promovimin e përbashkët të eksporteve të Kosovës. Ai po ashtu tha se Qeveria e re duhet të shtyjë përpara themelimin e Gjykatës Komerciale, e cila tashmë ka marrë mbështetje nga të dyja odat ekonomike.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, vlerësoi për keqardhje mungesën e rezultateve pozitive në fund të vitit. Në këtë aspekt, Zeka përmendi uljen për disa vende në Raportin e të Bërit Biznes të Bankës Botërore 2020. Ndërsa, si zhvillim më pozitiv ai përmendi renditjen e përmirësuar për pesë vende në Indeksin e Lirisë Ekonomike të publikuar nga Fondacioni Heritage i cili vlerëson zhvillimet në fushën e sundimit të ligjit, efikasitetit rregullator, madhësisë së qeverisë dhe tregut të hapur. Për sa i përket rekomandimeve për vitin 2020, dhe rrjedhimisht për qeverinë e re, Zeka tha se ndër prioritetet kryesore duhet të jetë hartimi i një strategjie kombëtare të zhvillimit ekonomik, si pikë orientuese dhe referuese për të gjitha vendimet e qeverisë dhe ministrive përkatëse. Ai më tej tha se përmbyllja e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do të ndikonte në rritjen e stabilitetit politik dhe mundësitë për tërheqje të investimeve amerikane dhe investimeve të tjera të huaja, jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë rajonin e Ballkanit perëndimor.
Çështje tjetër me prioritet e cila duhet të zërë vend në axhendën e Qeverisë ishte edhe ngritja e cilësisë së arsimit, si dhe zvogëlimi i hendekut ndërmjet kërkesës dhe ofertës në tregun e punës, derisa pikënisje në këtë aspekt duhet të jenë rezultatet e dobëta në raportin e PISA-së, si dhe masat që vendet e ranguara më mirë në këtë raport kanë ndërmarrë në këtë aspekt./b.j/