• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Trepça, interes vital dhe strategjik për Kosovën

April 7, 2017 by dgreca

-Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Strategji Përmbyllëse për procesin e  privatizimit/likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore/

1 Trepca

 -Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, sa i përket Trepçës diskutoi lidhur me ecurinë e draftimit të raportit nga kontraktori për studim të fizibilitetit, i cili pritet të finalizohet gjatë muajit vijues dhe do të sqarojë një sërë çështjesh, si dhe do t’i hapë rrugë tranzicionit të kësaj ndërmarrjeje me interes vital dhe strategjik për Kosovën/
 
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 7 Prill 2017/ Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti sot mbledhjen e radhës, ku u diskutuan dhe u morën vendime të rëndësishme për procesin e privatizimit dhe përmbylljen e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë.
Sipas rekomandimit të Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Bordi në këtë mbledhje miratoi Strategjinë Përmbyllëse për procesin e  privatizimit/likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore.
Gjatë kësaj mbledhje, Bordi i Drejtorëve miratoi shpalljen e Shitjes së Aseteve përmes Likuidimit 32. Veç kësaj, Bordi miratoi edhe transaksionet e Shitjes së Aseteve përmes Likuidimit 30, ku hapja  e ofertave ishte mbajtur më datë 22 mars 2017.
 
Sa i përket Trepçës, Bordi diskutoi lidhur me ecurinë e draftimit të raportit nga kontraktori për studim të fizibilitetit, i cili pritet të finalizohet gjatë muajit vijues dhe do të sqarojë një sërë çështjesh, si dhe do t’i hapë rrugë tranzicionit të kësaj ndërmarrjeje me interes vital dhe strategjik për Kosovën.
Bordi po ashtu miratoi Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për vitet 2018-2020, si dhe Udhëzuesin dhe pagesat për tatimin në pronë të Ndërmarrjeve në likuidim. 
Bordi miratoi edhe vendosjen nën masë të administrimit direkt për Ndërmarrjes Shoqërore Iliria në Pejë, si dhe shqyrtoi raportin përfundimtar për Kombinatit Bujqësor “Agrokultura” me seli në Ferizaj, i cili do t’i dorëzohet Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për vendim mbi mbylljen e likuidimit të kësaj ndërmarrje. 
Pikë të rendit të ditës përbënte edhe vlerësimi i komisionit për çmimet e disa qiradhënieve direkte, të cilin Bordi e miratoi. Për më tepër Bordi miratoi rezultatet e ofertimit nga qiradhënia e disa aseteve përmes shpalljes publike të datës 03.02.2017. 
Në vazhdën e përmirësimit të administrimit të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, Bordi shqyrtoi planimetrinë e re të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, pra strukturën e re të lokaleve, e cila pas shqyrtimit nga ana e Bordit të Drejtorëve u miratua dhe rrjedhimisht me të edhe u bënë ndryshime të rëndësishme në qiradhëniet në Pallat. Si rrjedhojë e kësaj, u mundësua edhe sjellja e brendit botërorë KFC (Kentacky Fried Chicken) si qiramarrës në Pallat, dhe amadamentimi i qiradhënies aktuale me American School of Kosova. 
Bordi poashtu miratoi raportin e Komisionit të banesave të ndërmarrjeve shoqërore, i cili përbëhej nga gjithsejtë 16 kërkesa të shqyrtuara. 
 
Në këtë mbledhje poashtu u miratua propozimi për përmbushje të vendimit administrativ për bartje të pronës nga Kombinatit Bujqësor “Kooperimi” te Kisha Ortodokse Serbe Gorazhdec.

Ndër të tjera, Bordi diskutoi disa çështje të tjera që lidhen me veprimtarinë e përditshme të Agjencisë, siç është fillimi i procedurave të vlerësimit të performancës së Menaxhmentit për vitin 2016, ku edhe formoi një komision nga anëtarët e Bordit siç parashihet me ligj dhe rregulloret relevante në fuqi. 
Agjencia Kosovare e Privatizimit në një konferencë shtypi në prag të vitit 2017 deklaronte se për këtë vit ka përcaktuar 14 objektiva kryesore, ndërkohë që ende nuk i ka shitur 1.764 asete të ndërmarrjeve shoqërore, ndërsa që nga qershori 2002 kur është themeluar, atëherë si Agjenci Kosovare e Mirëbesimit, ka nënshkruar 1.286 kontrata të shitjes së ndërmarrjeve të reja dhe të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim.
Bordi i Drejtorëve kryesuar nga Petrit Gashi  dhe Menaxhmenti i drejtuar nga Ekrem Hajdari bënë prezantimin e punës dhe aktiviteteve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit gjatë vitit 2016, ku theksuan edhe se çështjet e ngritura në objektivat e vitit 2017 janë përcaktuar që të jenë në përputhje me interesin e përgjithshëm të Kosovës për të përfunduar procesin e privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore pa vonesa të mëtejme.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, interes vital, Kosove, Trepca

EKONOMI- NAFTA E ZEZË PËR DITË TË BARDHA NË SHQIPËRI

April 7, 2017 by dgreca

Nga Prof. Asoc. Dr. Vangjel Kici /Toronto/

Deri në vitin 1990, të ardhurat e shtetit shqiptar siguroheshin kryesisht nga eksporti i naftës, kromit, bakrit dhe i produkteve bujqësore. Nafta dhe minierat ishin pasuri shtetërore. Bujqësia gjithashtu drejtohej nga shteti. Ajo ishte e kolektivizuar dhe e mekanizuar. Kishte kooperativa bujqësore dhe ferma.

Më 1990, sikurse në shumë vende të tjera të botës, regjimi komunist në Shqipëri dështoi, por ai e la vendin tonë pa borxhe, dhe me industri dhe bujqësi relativisht të zhvilluar. Shqipëria kishte shumë fabrika, uzina, kombinate, vendburime nafte dhe gazi, miniera të shumta të kromit, bakrit, hekur-nikelit etj. Popullin regjimi komunist e la të varfër, por në përgjithësi të punësuar.

Pas vitit 1990, kalimi nga regjimi komunist për në ekonomin e tregut u bë duke shkatërruar plotësisht industrin dhe bujqësin. Kjo nuk ndodhi në asnjë vend tjetër të Europës Lindore. Përveç të tjerave, u shkatërrua edhe baza e industrisë së naftës: U mbyllën institutet shkencore, ndërmarrjet e shpimit dhe uzinat mekanike të naftës. U zhduk një numër i madh sondash shpimi etj. Shumë shkencëtarve të naftës, që u hodhën në rrugë, “u doli llotaria amerikane”, dhe ikën jashtë shtetit. Të gjitha këto shkatërrime u bënë, që të mos kishte mundësi rikthimi prap tek nafta si pasuri shtetërore (kombëtare). Naftën ta merrnin të huajt, në bashkëpunim me qeveritarët tanë. Vendburimet e naftës dhe minierat qeveria ua dha me konçesione korruptive kompanive të huaja dhe privatve vendas, të lidhur me qeverin. Në këto kushte, në Shqipëri u krijua papunësi e madhe dhe varfëri ekonomike ekstreme. Shqiptarët kanë humbur shpresat dhe besimin tek e ardhmja. Ata po braktisin masivisht Shqipërin. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, deri tani ka ikur nga Shqipëria 40% e popullsisë, dhe ikja vazhdon. por kryeministrin Rama kjo ikje kaq e madhe nuk e shqetëson aspak! Në botën perëndimore roli i shtetit në

ekonomi ka pësuar rënie, por nuk është zhdukur. Përkundrazi, në Shqipëri roli i shtetit në ekonomi është zhdukur plotësisht, sepse gjithçka është privatizuar. Por, në një shtet si Shqipëria, ku ligji nuk sundon aspak, privatizimet janë shoqëruar me grabitje të pasurisë kombëtare. Në këto kushte, shtetit nuk i ka mbetur pothuajse asnjë pasurí. Ai nuk ka plan, dhe as strategji për zhvillimin ekonomik. Gjithçka i është lënë iniciativës private spontane. Përveç të tjerave, shteti nuk merret fare me kërkime dhe prodhim nafte, mineralesh etj., sepse ua ka dhënë të huajve me konçesione korruptive. Ai nuk ka prodhime për eksport, që të sigurojë të ardhura. Prandaj, sot Shqipëria mbahet vetëm me taksa, tatime, dogana dhe borxhe nga bankat e huaja. Deri tani borxhi i jashtëm i Shqipërisë ka arritur mbi 9 miliardë dollarë, dhe ai vazhdon të rritet. Me se do të shlyhen këto borxhe? Për këtë askush nuk mendon. Zoti Rama, në fushatën zgjedhore deklaroi se do të investojë 1 miliard dollarë, gjatë 3 viteve të ardhshëm, për rindërtimin e infrastrukturës rrugore, arsimore dhe shëndetësore. Kështu premton të hapë vende të reja pune, por këto janë të përkohshme, sepse pas mbarimit të ndërtimit të rrugës, apo të shkollës etj., punëtorët do të mbeten prap pa punë. Pra, paratë do të investohen atje ku nuk prodhohet për eksport. Kështu do të zhytemi thellë e më thellë në borxhe. Edhe partitë e tjera politike (PD, LSI etj.) bëjnë premtime në havá, pa asnjë bazë reale, sikurse kanë bërë edhe gjatë fushatave të mëparshme zgjedhore.

Autori i këtij shkrimi mendon se ka një rrugëdalje nga kjo situatë e errët, dhe kjo është: Nafta dhe gazi t’i rikthehen popullit. Ato të shpallen pasurí shtetërore (kombëtare), sikurse i ka Norvegjia dhe shumë shtete të tjera perëndimore. Ky veprim do të bënte një revolucion në ekonomin shqiptare. Kjo klasë politike (PD, PS, LSI etj.) nuk mund ta bëjë këtë revolucion, i cili është kundër interesave korruptive të sajë. Prandaj, për të arritur

këtë qellim, qeveria duhet të zgjidhet nga populli dhe t’i shërbejë atij. Jo qeverí, që u shërbejnë vetëm të huajve dhe interesave të veta, sikurse të gjitha qeveritë pas vitit 1990. Pra, kërkohet që roli i shtetit të jetë qendror në industrinë e naftës dhe të gazit. Si model të kemi Norvegjin. Të zbatojmë me përpikmëri programin e naftës, të përpiluar nga eksperienca norvegjeze. Norvegjia, vetëm duke u bazuar tek nafta dhe gazi, e zhvilloi të gjithë ekonomin e vendit, zhduku papunësin dhe rriti shumë mirëqënien e popullit. Ajo ka siguruar një fond rezervë (Fondi i Naftës), që është për brezat e ardhshëm, dhe që deri tani ka arritur mbi 900 miliardë dollarë, dhe vazhdon të rritet. Norvegjia ka 5 milionë banorë (sa Shqipëria me Kosovën). Populli norvegjez është i vogël, por vazhdimisht ka zgjedhur qeverí të afta, besnike ndaj popullit, që mendojnë dhe veprojnë për të mirën e tij. Populli shqiptar vazhdimisht ka zgjedhur qeverí të paafta, të pabesa ndaj popullit, mashtruese, antipopullore, që u shërbejnë vetëm të huajve dhe vetes së tyre. Pra, të gjitha varen nga zgjedhjet në Shqipëri. Është krim i shëmtuar t’u japësh votën prap këtyre politikanve të korruptuar dhe drejtuesë të PD, PS dhe LSI, që janë  provuar të gjithë se kush janë, gjatë 25 viteve të fundit. Janë pikërisht  këta, që e shkatërruan, shitën dhe grabitën Shqipërinë, pas vitit 1990.

Për t’u rikthyer tek nafta shtetërore, duhet që kompania shtetërore e naftës, Albpetrol, të mos privatizohet. Do të ishte mirë sikur Shqipëria me Kosovën të kishin një kompani të përbashkët shtetërore të naftës, me kapital të përbashkët, përfshir deri 30% kapital privat shqiptar.. Kjo kompani, dhe Drejtoria e Naftës, të jenë të pavarura nga shteti. Lidhjet e tyre me shtetin të jenë sipas modelit të Norvegjisë. Kompania e naftës të ketë 4 Seksione: Seksioni i Kërkimit, Seksioni i Prodhimit, Seksioni i Përpunimit dhe Seksioni i Marketingut (tregtimit). Seksioni i Kërkimit të ketë Institutin e Kërkimeve dhe Projektimeve për Naftë dhe Gaz, si dhe Gjeofizikën. Seksioni i Prodhimit të ketë Institutin Teknologjik të Naftës. Të gjitha këto, fillimisht të jenë me kuadro tepër të reduktuara. Seksioni i Përpunimit të ketë uzinat e përpunimit të naftës. Dy uzinat mekanike të naftës (në Kuçovë dhe në Patos) gradualisht të ringrihen. Të rihapet një Ndërmarrje Shpim-Kërkimi dhe një Ndërmarrje Shpim-Shfrytëzimi (fillimisht me nga 2-3 sonda shpimi). Teknikumi i Naftës të rihapet dhe të pregatisë teknikë nafte. Fakulteti Gjeologji-Miniera në Tiranë, që është gati duke u mbyllur, të vazhdojë të pregatisë ing. gjeologë nafte dhe miniere, ing. shpimi, ing. gjeofizikë, ing. hidrogjeologë etj. Kështu do të hapen shumë vende të reja dhe të përherëshme pune, jo vetëm në sektorin e naftës, por edhe në sektorët ndihmës: Ndërtim, transport, tregëti, mekanik etj.

 

A i ka mundësitë Shqipëria, në bashkëpunim edhe me Kosovën, për ringritjen e sektorit të naftës shtetërore? Po, i ka të gjitha mundësitë, por të huajt, në bashkëpunim me qeveritarët tanë të korruptuar, do ta pengojnë atë me çdo mënyrë. Qeveria e sotme justifikohet se nafta nuk mund të zhvillohet nga shteti, sepse nuk ka pará, dhe sepse strukturat gjoja ndodhen vetëm në thellësi të mëdha dhe me kosto të lartë kërkimi, por këto nuk janë aspak të vërteta. Qeveria do të ketë pará, kur të shtetëzojë naftën, kromin etj., kurse struktura të cekta ka plot. Pra, për të realizuar sa më sipër, duhen:

1- Specialistët 2- Kapitali financiar 3- Perspektiva naftëgazmbajtëse.

 

★Në Shqipëri kanë mbetur akoma specialistë të profileve të ndryshme të naftës. Ka Ing. gjeologë me përvojë për projektimin e puseve të kërkimit, specialistë mikropaleontologë dhe petrografë, Ing. për shpimin e puseve, Ing. vendburimesh, Ing. gjeofizikë (seismikë) etj. Shumica e tyre janë pensionistë, por besoj se do të jenë të gatshëm të angazhohen në naftë, me kohë të plotë ose të pjesëshme, sëpaku 1-2 vjet, kundrejt shpërblimit përkatës. Pranë tyre të punësohen inxhinierë të rinj, të cilët të specializohen nga të vjetrit.

 

★Kapitali financiar mund të sigurohet nga këto burime:

1- Të prishen të gjitha marrëveshjet konçesionare të vendburimeve ekzistuese të naftës dhe të gazit. Kompanitë e huaja të naftës, nëpërmjet kontratave të padrejta, vetëm po na grabisin. Ato nuk kanë sjell asnjë zhvillim të naftës apo të ekonomisë, por vetëm varfëri. Grabitja është kaq e madhe, saqë Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit nuk mund ta dënojë Shqipërinë, për prishjen e njëanëshme të kontratave. Pas shtetëzimit (nacionalizimit), këto vendburime nafte do t’i sjellin kompanisë shtetërore të naftës të ardhura të mjaftueshme, për zhvillimin e naftës nga vet shqiptarët.

2- Të vihen në punë paratë e popullit (sipas modelit norvegjez).

3- Nafta e vendburimeve të reja, në strukturat e cekta dhe me kosto relativisht të ulët, që pritet të zbulohen shumë shpejt, do të sillte të ardhura të rëndësishme. Theksoj se në fillim duhen kërkuar me shpime vetëm strukturat e cekta dhe të pregatitura mirë. Pra, mundësia e zbulimit të naftës dhe të gazit të jetë sa më e madhe dhe me kosto sa më të ulët.

4- Po të jetë nevoja, le të marrim edhe kredi nga bankat e huaja. Nafta garanton shlyerjen e borxheve.

 

★Perspektiva naftëgazmbajtëse e Shqipëri-Kosovës është e madhe.

– Deri tani, prania industriale e naftës dhe e gazit është vërtetuar vetëm në Shqipërin Jugperëndimore. Këtu grupi im i gjeologve njeh prej kohësh një strukturë të cekët dhe me perspektivë të madhe për naftë dhe gaz. Gëlqerorët e kësaj strukture janë të mbuluar nga argjilat (flishi), dhe ndodhen në thellësin rreth 1300 m. Struktura është e pregatitur me të gjithë kompleksin e punimeve gjeologo-gjeofizike, dhe është e gatshme për kryerjen e një shpim kërkimi. Grupi e ka gati projektin për shpimin e këtij pusi. Avantazhet e strukturës: Është e pregatitur, e cekët dhe e madhe (mbi 14 km gjatësi, ose linjë strukturore e cekët, me gjatësi mbi 60 km). Zbulimi shumë i mundshëm, i naftës dhe i gazit në këtë strukturë të cekët dhe me kosto relativisht të ulët, do të sillte të ardhura të mëdha për kompaninë shtetërore të naftës. Në vitin 2011, për këtë strukturë, kërkuam ndihmën e ish kryeministrit Berisha, por ai na sorollati dhe nuk tregoi asnjë interes. Në vitin 2014 kërkuam ndihmën e kryeministrit Rama, por edhe ai na sorollat dhe nuk tregoj interes, sepse e gjithë Shqipëria u është dhënë në dispozicion të huajve, me konçesione për kërkimin dhe shfrytëzimin e naftës dhe të gazit. Shteti shqiptar nuk merret me kërkime nafte dhe gazi. Përveç strukturës së lartëpërmendur, ka edhe struktura të tjera të cekta, të pregatitura për shpime kërkimi. Qeveria i ka dhënë këto struktura me konçesione gjoja për kërkim nafte dhe gazi tek kompanitë mafioze me bazë në det (offshore), por ato gjatë dy vjetve nuk kanë kryer asnjë punim kërkimi. Këto që shkruaj janë lehtësisht të verifikueshme. Kjo është shkelje shumë e rëndë e Ligjit të Naftës në Shqipëri. Në fakt, këto liçensa dhe kompani mafioze i shfrytëzojnë qeveritarët tanë për pastrimin e parave të pista të drogës etj. Kush do fakte për megakorrupsionin qeveritar, ja ku i ka! Pra, pas vitit 1990, të huajt kanë bërë pak kërkime për naftë dhe gaz në Shqipëri. Prandaj, gjatë 25 vjetve të fundit, nuk ka pothuajkse asnjë zbulim të ri nafte dhe gazi.

– Perspektivë për naftë dhe gaz ka e gjithë Shqipëria Perëndimore (Zona Jonike dhe Ultësira Adriatike).

 

– Gjatë viteve të fundit është hapur perspektivë e madhe për naftë dhe gaz në të gjithë Shqipërinë Lindore, që vazhdon pothuajse në të gjithë Kosovën (Brezi Mirditë-Kosovë). Brezi i Mirditës përfshin rreth 1/3 e sipërfaqes së Republikës së Shqipërisë. Ky brez ka shumë struktura magmatike gjigante (diapire), poshtë të cilave pritet të jenë gëlqerorët naftëgazmbajtës. Në njërën nga këto struktura (masivi i Bulqizës), në thellësitë e minierës së kromit ka pasur disa herë shpërthime të fuqishme të gazit metan, të shoqëruara me viktima (gaz i lagur, shoqërues i naftës). Ky gaz nafte tregon: Ja ku jemi!, por qeveria bënë sehir. Ajo nuk punon për popullin. Thellimi i mëtejshëm i minierës ka rrezik të madh, sepse nuk e njohim thellësinë. Mund ta prekim padáshur, dhe të shpërthejë kapela gjigante e gazit. Kjo do të ishte një superkatastrofë! Theksoj se vetëm zbulimi i mundshëm, i vendburimit gjigant të naftës dhe të gazit, në gëlqerorët poshtë masivit të Bulqizës, mund ta ngrinte lartë ekonomin e Shqipërisë. Nafta dhe gazi i Brezit të Mirditës pritet të jenë me cilësi më të mira (jo bituminoze, jo squfurore). Ky zbulim do të hapte perspektivë të madhe për Shqipërinë dhe Kosovën. Brezi Mirditë-Kosovë, nga ana gjeologjike, ngjan me brezin naftëgazmbajtës të Azerbajxhanit (basen pas-harkut vullkanik). Ky konkluzion duhet t’i tërhiqte vëmendjen çdo qeverie shqiptare, për t’i shpallur naftën dhe gazin pasuri strategjike kombëtare. Përkundrazi, qeveria Rama-Meta, sikurse ajo Berisha-Meta, e kanë nxjerr në shitje kompaninë shtetërore të naftës Albpetrol dhe në ankand (shitje) për kërkime nafte dhe gazi të gjithë Shqipërinë. Këto qeveri janë, pa asnjë dyshim, antishqiptare.

– Rajoni Maqellarë-Peshkopi ka perspektivë të madhe për naftë dhe gaz në gëlqerorët, në thellësi të vogla. Në këtë rajon ndodhen edhe dy diapire kriprash (gips dhe anhidrit). Njëri ndodhet pranë Peshkopisë (i rrethuar nga Llixha, Bellovë, Cerjan, Zagrad, Rabdishtë, Grevë), kurse tjetri ndodhet pakëz më tej (i rrethuar nga Zimur, Bahutë, Dipjakë, Sllatinë, Vlesh, Radomirë, Presh). Në gëlqerorët poshtë këtyre kriprave, në thellësi të vogla dhe me kosto relativisht të ulët, pritet të ketë naftë dhe gaz, sikurse ka në shumë vende të botës. Me diapir bota nënkupton naftë dhe gaz. Është gjynah i madh, që populli i krahinës së Dibrës të vuajë nga papunësia dhe varfëria ekonomike, vetëm sepse qeveritë tona janë të paafta. Ato janë të afta vetëm për mashtrime, pabesí, grabitje…

Filed Under: Ekonomi Tagged With: NAFTA E ZEZË, ne Shqiperi, PËR DITË TË BARDHA, VANGJEL KICI

Qeveria, vendime për Kosovën në Programet e BE-së

April 6, 2017 by dgreca

-Edhe 6 projekte ndihmojnë përafrimin me legjislacionin evropian/

PRISHTINË, 5 Prill 2017-B.Jashari/ Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi kërkesën për dhënien e autorizimit Ministres së Integrimit Evropian nga Presidenti i Republikës për lidhjen e Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Kjo marrëveshje financiare rregullon zbatimin e programit të IPA 2016 i cili përfshin 6 projekte të cilat do të ndihmojnë përafrimin me legjislacionin evropian.

U miratua edhe kërkesa për dhënien e autorizimit ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nga Presidenti i Republikës së Kosovës për lidhjen e Marrëveshjes së bashkëpunimit me Agjencinë Austriake për Zhvillim-ADA për financimin dhe drejtimin e zbatimit të projektit “HERAS-Arsimi i Lartë, Hulumtimi dhe Shkencat Aplikative-Kosovë”. Projekti ka për qëllim të kontribuoi në funksionimin sa më të mirë të arsimit të lartë dhe shkencës në Kosovë në përputhje me parimet e fushës evropiane të arsimit të lartë si dhe në përputhje me fushën evropiane të kërkimit me qëllim afatgjatë në përkrahjen e zhvillimit socio-ekonomik të vendit. Projekti do të implementohet në një periudhë trevjeçare 2017-2019 dhe do të financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim-ADA 90 për qind dhe i bashkë financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me 10 për qind.

Qeveria, poashtu, miratoi vendimin për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Kosovës në Programet e BE-së: Erasmus +, COSME, Evropa për Qytetarët dhe Evropa Kreative. Në nëntorin e vitit të kaluar është nënshkruar Marrëveshja kornizë për qasjen e  Kosovës në programet e BE-së. Qëllimi i këtyre programeve është promovimi i bashkëpunimit të vendeve dhe qytetarëve të Ballkanit Perëndimor me ata të Bashkimit Evropian, në fushat e interesit të veçantë. Nga 17 programe që ka Bashkimi Evropian, Kosova pas një studimi dhe analize se nga cilat nga këto programe mund të përfitoj më shumë, dhe ka përzgjedhur këto 4 programe si më të përshtatshmet. Pas miratimit të sotëm, institucionet përgjegjëse do të fillojnë procedurat e nevojshme për anëtarësimet e lartcekura.

Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, mbajti sot pasdite mbledhjen e rregullt, të 140-të me radhë, në të cilën miratoi rregullore, udhëzime dhe vendime nga fusha e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: IPA 2016, kosova, marrveshje

Për tre muaj, mbi 2 milionë euro të falsifikuara në Kosovë

April 5, 2017 by dgreca

Vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti, Policia e Kosovës ka konfiskuar mbi 2 milionë euro para të falsifikuara, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të policisë.

Gjatë këtyre tre muajve policia thotë të ketë trajtuar 243 raste të falsifikimit të parave në vlerë prej 2 milionë e 140 mijë eurove dhe ka arrestuar 18 persona të cilët kanë qenë të involvuar në veprime të tilla të kundërligjshme.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka thënë për Radion Evropa e Lirë se rastet e tilla të parave të falsifikuara raportohen nga qytetarët dhe nga autoritetet e ndryshme bankare.

“Policia e Kosovës ka realizuar një numër të aktiviteteve policore kundër veprave penale që, sipas Kodit Penal, cilësohen ‘Falsifikim i parasë’, dhe mund të konkludojmë se si rezultat i këtyre përpjekjeve operacionale janë arrestuar persona të dyshuar, janë konfiskuar dëshmi relevante duke përfshirë edhe para të falsifikuara”.

“Referuar statistikave gjatë periudhës janar – mars të këtij viti, në luftimin e kësaj dukurie që ka ndikim edhe në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës polica ka të raportuar 243 raste derisa vlera e parave të falsifikuara kap shifrën e 2 milionë e 140 mijë euro, derisa janë arrestuar 18 persona”, bënë të ditur Hoxha.

Kartëmonedha më e falsifikuar në tregun e Kosovës, sipas policisë, është bankënota prej 50 euro.

Në anën tjetër, zyrtarë të bankës Qendrore të Kosovës në një përgjigje të dërguar përmes postës elektronike kanë prezantuar të dhënat në lidhje me paratë e falsifikuara të cilët ata i marrin nga Laboratori i Forenzikës së Kosovës.

“Sa i përket kartëmonedhave euro të falsifikuara dhe që janë konfiskuar në nivel të Kosovës gjatë vitit 2016-të , të ndara sipas denominimeve janë si në vijim: gjithsej në total janë konfiskuar 824 copë kartëmonedha të falsifikuara dhe 123 copë monedha të falsifikuara”, thuhet në përgjigjen e Bankës Qendrore të Kosovës.

Vënia e parave të falsifikuara në qarkullim ka efekte negative në ekonominë e vendit thonë ekspertë dhe përfaqësues të shoqatave të bankave në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kohëve të fundit kanë vërejtur se ka një rritje të qarkullimit të parave të falsifikuara në ekonomin e vendit.

Duke pasur parasysh këtë, shton Balija, janë duke ushtruar vigjilencë në këtë drejtim duke identifikuar bankënotat e falsifikuara që tentojnë të deponohen në banka dhe më pas të veprojnë sipas ligjeve në fuqi.

“Kjo shkakton probleme qoftë për bizneset dhe qytetarët që deponojnë apo i përdorin këto para, pasi që merren në pyetje dhe iu kërkohet përgjegjësi për prejardhjen e këtyre parave. Përveç kësaj, kjo ndihmon në financimin e ekonomisë së zezë ose edhe më keq veprimtaritë kriminale dhe financimit të terrorizmit, prandaj është një humbje e madhe për shtetin nëse nuk konfiskohen apo nuk evitohen me kohë këto situata”.

Mejdi Bektashi, profesor i lëndës Analiza Ekonomike e së Drejtës, në Fakultetin Juridik, thekson se vlera e lartë e parave të falsifikuara të cilat mund të jenë të pranishëm në tregun e Kosovës kanë efekte negative.

“Është një fenomen jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën. Banka Qendrore Evropiane viteve të fundit ka marrë masa shtesë të sigurisë duke i zëvendësuar eurot vlera të ndryshme me bankënota shtesë të sigurisë. Edhe në Kosovë ka raste të shumta si të euros ashtu edhe falsifikimit të dollarëve apo valutave tjera që mund të kenë efekte negative në mirëbesimin e qytetarëve ndaj valutave të caktuara”, thekson Bektashi.

Përveç eurove të falsifikuara, në vitin 2012 Policia e Kosovës pati konfiskuar rreth 1 milion dollarë të falsifikuara.

Në janar të vitit 2012, Kosova kishte konvertuar valutën nga valuta gjermane marka në valutën euro.

Në atë kohë Banka Qendrore e Kosovës në bashkëpunim me Policinë bënë angazhime të veçanta në fushën e edukimit dhe luftimit të parave falso, si dhe themeluan Komitetin kombëtar për luftimin e parave falso. (Luljeta Krasniqi Veseli REL)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: 2 milion Euro, 3 muaj, fallsifikim, Kosove

Aspirata për një treg të përbashkët Shqipëri-Kosovë

April 3, 2017 by dgreca

Nga Arlinda Gjonaj/

Foto Flor Abazaj (1)TIRANE, 3 Prill/ATSH/- Në Tiranë zhvilloi punimet konferenca “Aspirata për një treg të përbashkët, Shqipëri-Kosovë”, organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë së Shqipërisë dhe Kosovës, në bashkëpunim me Revistën Monitor.

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi e pranishme në konferencë tha se qeveria mbetet e angazhuar për lehtësimin e barrierave tregtare.

“Në tre mbledhjet e qeverisë janë detyra që lidhen me krijimin e e një hapësire me bashkëpunuese mes dy vendeve tona. Bashkë me homologen nga Kosova jemi përpjekur për të krijuar hapësira për më shumë bashkëpunim”, u shpreh Ekonomi.

Ndërsa ministrja e Industrise dhe Tregtise se Kosoves, Hykmete Bajramaj u shpreh se dy qeverite kane bere perpjekje te medha per heqjen e barrierave.

Ministri i Zhvillimit të Kosovës Blerand Stavileci tha se të dy vendet kanë varësi të lartë nga importet dhe industri jo të zhvilluar. Bizneset synojnë fitime afatshkurtra dhe të shpejta duke mos u përqendruar te industria prodhuese. “ Duhen lidhje infrastrukturore që ka shënuar përparime si në telekomunikacion, energji etj”, tha Stavileci.
Në lidhje me energjinë ai tha se kanë arritur marrëveshje me një kompani amerikane për të ndërtuar termocentralet me kapacitet 450 megavat. Ai u shpreh optimist në lidhje me funksionimin e bursës së energjisë.

Irena Beqiraj, këshilltare e kryeministrit Edi Rama për ekonominë tha se Ballkani Perëndimor deri në vitin 2015 ka pasur investime kryesisht në shërbime. Investitori i huaj kërkon stabilitet makro, forcë pune të kualifikuar, siguri pune, si dhe stabilitet politik dhe jo sherre etnike.
Sipas saj duhen unifikuar certifikatat dhe qeveria po punon për këtë.

Analisti i tregtisë, Ilir Ciko tha se struktura e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve mbetet tepër e varfër dhe e përqendruar, duke pasqyruar realitetet ekonomike të tyre.Foto Flor Abazaj (2)
Ciko tha se rajoni duhet parë si pjesë aspiruese për në Bashkimin Europian, ku duhet të synohet një hapësirë më e integruar shqiptare, çka kërkon një angazhim e koordinim të posaçëm institucional. “Shqipëria dhe Kosova kanë ende punë për të arritur një integrim më të thelluar ekonomik mes tyre”, theksoi ai.

Sipas tij, thelbi i diskutimit duhet të zhvendoset nga trajtimi i shkëmbimeve tregtare mes Kosovës e Shqipërisë drejt një tregu tërheqës të përbashkët për bizneset lokale dhe ato të huaja.
Ai rekomandoi që hapja e tregut të brendshëm për konkurrencë të drejtë mes bizneseve vendase, përtej kufirit, apo të huaja mbetet çelësi kryesor për të rritur konkurrueshmërinë e bizneseve të Kosovës e Shqipërisë.

Elemente të tjera lehtësuese do të ishin zhvillimi i infrastrukturës lidhëse, shfrytëzimi i përbashkët i mundësive komplementare (energji, turizëm, miniera etj.), lehtësimi dhe eliminimi i mëtejshëm i procedurave doganore, harmonizimi i procedurave administrative, njehsimi i faktorëve të tjerë të klimës së biznesit, përfshirë qasjen fiskale ndaj bizneseve, etj.
Alban Zusi, sipërmarrës, gjatë fjalës së tij tha se tregtia me Kosovën realizohet nga bizneset e mëdha, që janë në fushën e tullave, çimentos, etj., e që në total janë rreth 15.
Bizneset e vogla dhe të mesme, tha ai, nuk punojnë, për shkak të kostos së lartë.

Saimir Sinani, përfaqësues i doganave shqiptare tha se dogana ka qenë e prirur që çdo element për lehtësimin e procedurave dhe uljen e kostove të shohë me përparësi. “ Prej kohësh funksionon traziti i përbashkët me Kosovën dhe përdorimi i deklaratës së thjeshtuar”, tha z. Sinani.

Era Jashari, përfaqësuese e Dhomës Amerikane të Tregtisë së Kosovës, tha se sipas statistikave nga Banka Qendrore e Kosovës, investimet shqiptare në Kosovë në vitin 2016 ishin 28.6 milionë euro (12% e totalit), nga 40.1 milionë euro në 2015-n. Në total, investimet kumulative nga Shqipëria në Kosovë, nga viti 2007 kanë arritur në 193 milionë euro.

“Në vitin 2015, Shqipëria u rendit ndër pesë investitorët kryesorë të Kosovës, pas Zvicrës, Turqisë, Gjermanisë dhe Austrisë”, tha ajo.Foto Flor Abazaj (3)
Investimet nga Shqipëria, në bazë të aktivitetit ekonomik, në vitin 2016 ishin kryesisht në pasuritë e paluajtshme, ndërmjetësimin financiar, tregtinë me shumicë e pakicë dhe industri përpunuese.

Në vite, investimet që kanë dominuar, sipas prezantimit të znj. Jashari kanë qenë në fushën e pasurive të paluajtshme-ndërtim dhe ndërmjetësimit financiar. Në periudhën 2013-2016, investimet në pasuri të paluajtshme dhe ndërtim ishin përkatësisht 28.1 dhe 23.6 milionë euro dhe në ndërmjetësimin financiar rreth 20.3 milionë euro.

Ndërsa investimet nga Kosova në Shqipëri, në vitin 2016, ishin 15.6 milionë euro. Vlera më e lartë e investimeve nga Shqipëria në Kosovë sesa anasjelltas ngre pikëpyetjen nëse klima e investimeve në Shqipëri është më jo favorizuese në raport me atë të Kosovës.

Për periudhën 2013-2016, investimet në pasuritë e paluajtshme nga Kosova në Shqipëri, që zënë peshën kryesore, ishin 23.8 milionë euro dhe në shërbime tregtare 7.2 milionë euro.
Nga Shqipëria në Kosovë ushtrojnë aktivitetin 903 biznese, ndërsa nga Kosova në Shqipëri rreth 600. Jashari tha se falimentimi i bizneseve nga Kosova në Shqipëri është një aktivitete normal, teksa ka një konkurrencë të lartë me bizneset greke e italiane.

Jashari shtoi se bizneset e Kosovës kanë më shumë probleme me lejet e ndërtimit dhe pagesën e taksave e tatimeve. “Investimet mes dy vendeve janë shumë më të ulëta se potenciali, pavarësisht përmirësimit të infrastrukturës”, tha znj.Jashari. Ajo shton se duhen përmirësuar procedurat doganore.

Avni Ponari, drejtues i kompanisë së sigurimeve “Sigal” thotë se edhe Kosova dhe Shqipëria kanë të njëjtën natyre, të njëjtën formë organizimi. “Industria e sigurimi sot, në të gjithë rajonin nuk është e zhvilluar. Sigurimet për frymë në Shqipëri janë 25 euro, në Kosovë 50 euro kurse në Kroaci 700 euro. Në Kosovë paguajmë një taksë për qarkullimin prej 5% dhe për shkak të kësaj takse, në Kosovë, sigurimet janë me humbje”, tha z.Ponari.

Ministri i Zhvillimit të Kosovës Blerand Stavileci tha se të dy vendet kanë varësi të lartë nga importet dhe industri jo të zhvilluar. Bizneset synojnë fitime afatshkurtra dhe të shpejta duke mos u përqendruar te industria prodhuese. “ Duhen lidhje infrastrukturore që ka shënuar përparime si në telekomunikacion, energji etj”, tha z.Stavileci.

Në lidhje me energjinë ai tha se kanë arritur marrëveshje me një kompani amerikane për të ndërtuar termocentralet me kapacitet 450 megavat. Ai u shpreh optimist në lidhje me funksionimin e bursës së energjisë.

Irena Beqiraj, këshilltare e kryeministrit Edi Rama për ekonominë tha se Ballkani Perëndimor deri në vitin 2015 ka pasur investime kryesisht në shërbime. Investitori i huaj kërkon stabilitet makro, forcë pune të kualifikuar, siguri pune, si dhe stabilitet politik dhe jo sherre etnike.Sipas saj duhen unifikuar çertifikatat dhe qeveria po punon për këtë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Arlinda Gjonaj, Shqiperi Kosove, treg i perbashket

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 188
  • 189
  • 190
  • 191
  • 192
  • …
  • 229
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË PORTRET QË VAZHDON TË PASUROHET
  • Përkujtojmë sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta, rilindësin Jeronim de Rada
  • LETËR E HAPUR KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS, Z. ALBIN KURTI
  • Skënderbeu në prozën dhe shtypin amerikan
  • Kur harrojmë historinë dhe rrënjët tona, rrezikojmë të humbasim vetveten
  • SHBA-ja dhe Izraeli nisën njё sulm të madh ndaj objektivave në mbarë Iranin
  • “Portret Historik” – Mehdi Frashëri: Një profil mes shtetformimit dhe historiografisë
  • Drejtësia ndërkombëtare, narrativat gjeopolitike dhe kohezioni shqiptar
  • EDITORI I DIELLIT DR. ATHANAS GEGAJ, PERSONALITET I VATRËS E SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
  • Kosova’s Fight For Justice And Healing Starts In Albanian Homes
  • FILARMONIA E KOSOVËS  KONCERT FESTIV NË VJENË
  • Refat Gurrazezi, djaloshi nga Skrapari që drejtoi në SHBA për 11 vjet gazetën “Dielli” dhe për 14 vjet ishte sekretar i “Vatrës”
  • JAKUP KRASNIQI, MISIONARI I MADH LËVIZJES KOMBËTARE
  • Kush e bleu kokën e Ali Pashë Tepelenës: Fundi i luanit të Janinës
  • PËR LIBRIN E SHPENDI TOPOLLAJT “KADAREJA I PAVDEKSHËM”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT