Nga Arlinda Gjonaj/
TIRANE, 3 Prill/ATSH/- Në Tiranë zhvilloi punimet konferenca “Aspirata për një treg të përbashkët, Shqipëri-Kosovë”, organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë së Shqipërisë dhe Kosovës, në bashkëpunim me Revistën Monitor.
Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi e pranishme në konferencë tha se qeveria mbetet e angazhuar për lehtësimin e barrierave tregtare.
“Në tre mbledhjet e qeverisë janë detyra që lidhen me krijimin e e një hapësire me bashkëpunuese mes dy vendeve tona. Bashkë me homologen nga Kosova jemi përpjekur për të krijuar hapësira për më shumë bashkëpunim”, u shpreh Ekonomi.
Ndërsa ministrja e Industrise dhe Tregtise se Kosoves, Hykmete Bajramaj u shpreh se dy qeverite kane bere perpjekje te medha per heqjen e barrierave.
Ministri i Zhvillimit të Kosovës Blerand Stavileci tha se të dy vendet kanë varësi të lartë nga importet dhe industri jo të zhvilluar. Bizneset synojnë fitime afatshkurtra dhe të shpejta duke mos u përqendruar te industria prodhuese. “ Duhen lidhje infrastrukturore që ka shënuar përparime si në telekomunikacion, energji etj”, tha Stavileci.
Në lidhje me energjinë ai tha se kanë arritur marrëveshje me një kompani amerikane për të ndërtuar termocentralet me kapacitet 450 megavat. Ai u shpreh optimist në lidhje me funksionimin e bursës së energjisë.
Irena Beqiraj, këshilltare e kryeministrit Edi Rama për ekonominë tha se Ballkani Perëndimor deri në vitin 2015 ka pasur investime kryesisht në shërbime. Investitori i huaj kërkon stabilitet makro, forcë pune të kualifikuar, siguri pune, si dhe stabilitet politik dhe jo sherre etnike.
Sipas saj duhen unifikuar certifikatat dhe qeveria po punon për këtë.
Analisti i tregtisë, Ilir Ciko tha se struktura e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve mbetet tepër e varfër dhe e përqendruar, duke pasqyruar realitetet ekonomike të tyre.
Ciko tha se rajoni duhet parë si pjesë aspiruese për në Bashkimin Europian, ku duhet të synohet një hapësirë më e integruar shqiptare, çka kërkon një angazhim e koordinim të posaçëm institucional. “Shqipëria dhe Kosova kanë ende punë për të arritur një integrim më të thelluar ekonomik mes tyre”, theksoi ai.
Sipas tij, thelbi i diskutimit duhet të zhvendoset nga trajtimi i shkëmbimeve tregtare mes Kosovës e Shqipërisë drejt një tregu tërheqës të përbashkët për bizneset lokale dhe ato të huaja.
Ai rekomandoi që hapja e tregut të brendshëm për konkurrencë të drejtë mes bizneseve vendase, përtej kufirit, apo të huaja mbetet çelësi kryesor për të rritur konkurrueshmërinë e bizneseve të Kosovës e Shqipërisë.
Elemente të tjera lehtësuese do të ishin zhvillimi i infrastrukturës lidhëse, shfrytëzimi i përbashkët i mundësive komplementare (energji, turizëm, miniera etj.), lehtësimi dhe eliminimi i mëtejshëm i procedurave doganore, harmonizimi i procedurave administrative, njehsimi i faktorëve të tjerë të klimës së biznesit, përfshirë qasjen fiskale ndaj bizneseve, etj.
Alban Zusi, sipërmarrës, gjatë fjalës së tij tha se tregtia me Kosovën realizohet nga bizneset e mëdha, që janë në fushën e tullave, çimentos, etj., e që në total janë rreth 15.
Bizneset e vogla dhe të mesme, tha ai, nuk punojnë, për shkak të kostos së lartë.
Saimir Sinani, përfaqësues i doganave shqiptare tha se dogana ka qenë e prirur që çdo element për lehtësimin e procedurave dhe uljen e kostove të shohë me përparësi. “ Prej kohësh funksionon traziti i përbashkët me Kosovën dhe përdorimi i deklaratës së thjeshtuar”, tha z. Sinani.
Era Jashari, përfaqësuese e Dhomës Amerikane të Tregtisë së Kosovës, tha se sipas statistikave nga Banka Qendrore e Kosovës, investimet shqiptare në Kosovë në vitin 2016 ishin 28.6 milionë euro (12% e totalit), nga 40.1 milionë euro në 2015-n. Në total, investimet kumulative nga Shqipëria në Kosovë, nga viti 2007 kanë arritur në 193 milionë euro.
“Në vitin 2015, Shqipëria u rendit ndër pesë investitorët kryesorë të Kosovës, pas Zvicrës, Turqisë, Gjermanisë dhe Austrisë”, tha ajo.
Investimet nga Shqipëria, në bazë të aktivitetit ekonomik, në vitin 2016 ishin kryesisht në pasuritë e paluajtshme, ndërmjetësimin financiar, tregtinë me shumicë e pakicë dhe industri përpunuese.
Në vite, investimet që kanë dominuar, sipas prezantimit të znj. Jashari kanë qenë në fushën e pasurive të paluajtshme-ndërtim dhe ndërmjetësimit financiar. Në periudhën 2013-2016, investimet në pasuri të paluajtshme dhe ndërtim ishin përkatësisht 28.1 dhe 23.6 milionë euro dhe në ndërmjetësimin financiar rreth 20.3 milionë euro.
Ndërsa investimet nga Kosova në Shqipëri, në vitin 2016, ishin 15.6 milionë euro. Vlera më e lartë e investimeve nga Shqipëria në Kosovë sesa anasjelltas ngre pikëpyetjen nëse klima e investimeve në Shqipëri është më jo favorizuese në raport me atë të Kosovës.
Për periudhën 2013-2016, investimet në pasuritë e paluajtshme nga Kosova në Shqipëri, që zënë peshën kryesore, ishin 23.8 milionë euro dhe në shërbime tregtare 7.2 milionë euro.
Nga Shqipëria në Kosovë ushtrojnë aktivitetin 903 biznese, ndërsa nga Kosova në Shqipëri rreth 600. Jashari tha se falimentimi i bizneseve nga Kosova në Shqipëri është një aktivitete normal, teksa ka një konkurrencë të lartë me bizneset greke e italiane.
Jashari shtoi se bizneset e Kosovës kanë më shumë probleme me lejet e ndërtimit dhe pagesën e taksave e tatimeve. “Investimet mes dy vendeve janë shumë më të ulëta se potenciali, pavarësisht përmirësimit të infrastrukturës”, tha znj.Jashari. Ajo shton se duhen përmirësuar procedurat doganore.
Avni Ponari, drejtues i kompanisë së sigurimeve “Sigal” thotë se edhe Kosova dhe Shqipëria kanë të njëjtën natyre, të njëjtën formë organizimi. “Industria e sigurimi sot, në të gjithë rajonin nuk është e zhvilluar. Sigurimet për frymë në Shqipëri janë 25 euro, në Kosovë 50 euro kurse në Kroaci 700 euro. Në Kosovë paguajmë një taksë për qarkullimin prej 5% dhe për shkak të kësaj takse, në Kosovë, sigurimet janë me humbje”, tha z.Ponari.
Ministri i Zhvillimit të Kosovës Blerand Stavileci tha se të dy vendet kanë varësi të lartë nga importet dhe industri jo të zhvilluar. Bizneset synojnë fitime afatshkurtra dhe të shpejta duke mos u përqendruar te industria prodhuese. “ Duhen lidhje infrastrukturore që ka shënuar përparime si në telekomunikacion, energji etj”, tha z.Stavileci.
Në lidhje me energjinë ai tha se kanë arritur marrëveshje me një kompani amerikane për të ndërtuar termocentralet me kapacitet 450 megavat. Ai u shpreh optimist në lidhje me funksionimin e bursës së energjisë.
Irena Beqiraj, këshilltare e kryeministrit Edi Rama për ekonominë tha se Ballkani Perëndimor deri në vitin 2015 ka pasur investime kryesisht në shërbime. Investitori i huaj kërkon stabilitet makro, forcë pune të kualifikuar, siguri pune, si dhe stabilitet politik dhe jo sherre etnike.Sipas saj duhen unifikuar çertifikatat dhe qeveria po punon për këtë.