• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RILINDJA DEMOKRATIKE…

January 6, 2024 by s p

– Isha dhe unë te të parët –

Përsiatje e shpejtë nga Visar Zhiti

RD – britmë lirie, mendim ndryshe i beftë, vizion, emocion i Shqipërisë, që vendosi të ndryshonte, – kështu po e shikonim dhe besuam aq sa dinim…

33 vjet më parë,

në 5 janar 1991 doli numri i parë i gazetës së parë opozitare, që u lejua mbas një nate të gjatë diktature, më të egrës në Europë.

Ata që e deshën atë gazetë shtoheshin gjithnjë e më shumë, u bë një popull që e priste, mbanin radhën për ta marë, e shpërndanin, e ruanin…

Mblodhi ajo rreth vetes gazetarë të përzgjedhur, guximtarë, të caktuar, ëndërrimtarë, idealistë, të mashtruar dhe mashtues, bashkëpunëtorë, mjeshtra të shkrimit, poetë, të dënuar, ish të burgosur, karrieristë, nga Blloku, dështakë, përçarës, do të ishim bashkë, redaksi e demokracisë, e kaosit, e zhgënjimeve, do të pasuroheshin, do të varfëroheshin edhe më, do të vdisnin, do të martoheshin, do të bëheshin deputetë, ministra, diplomatê, do të përjashtoheshin, do të iknin, do të dezertonin, do të mërgonin, do të ndërronin kryeredaktor prapë, nga ata të dikurshmit, ish komunistë, do të dekoroheshin në festat e përvjetorëve të gazetës, shpesh ata që bënë më pak, kur gazeta s’do të shitej si dikur, kur do ta shanin rregullisht, etj, etj, por gjithsesi mbetet e para, gazeta e ndryshimit të madh.

Dhe po (ri)zbulonim Vitet ‘30 të shekullit të kaluar, atë pluralizëm mendimi e gazetarie të begatë, perëndimore si kurrë ndonjëherë.

Po ndryshimi me kë po bëhej tani? Me ata që bënë dhe diktaturën? Rëndësi ka ndryshimi, thoshim…

Nuk po bëhemi ne si ata, po thosha, ata po bëhen si ne… demokratë…

Dhe ëndërronim të bënim një Shqipëri më të mirë…

Ndërkaq kujtoj kur fillova punë si gazetar në “RD”, gazeta e parë opozitare. Kisha dalë nga burgu e punoja si punëtor krahu në fabrikën e tullave në Lushnje, kisha refuzuar serish me vendosmëri bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit dhe përndjekja po mpakej, nisën të më flisnin dhe nga ata të njohur që s’më flisnin për arsye politike dhe ushtronin me zell luftën e tyre të klasave dhe, për çudi, s’po më flisnin ndoca nga ata që më kishin folur, siç duket më donin ashtu, përherë të goditur, – mendoja dhe buzëqeshja trishtueshëm.

Në RD” e nisa me poezi, ashtu siç e kisha lënë, “Dordolecët” – një ironi, pastaj nxora shkrimin “Koha bën njerëz dhe njerëzit bëjnë kohë”, etj, etj.

Po shkëlqenin emra në gazetarinë e re shqiptare. Vërshoi mendim i ri qytetar, kultura, por edhe revanshi i Realizmit Socialist, i Socializmit Real në fakt. Po aq sa ishte kohë ndyshimesh, dukej dhe si kohë konvertimesh…

Kur po dënohej atëhere vejusha e diktatorit, e shikoja si metaforë të diktaturës-vejushe, më shqetësonte dhe botova në dy faqe gazete në “RD” artikullin “Nexhmije Hoxha është dënuar me shekuj”. Diktatura-vejane…

Në kohën e krizës së gazetës “RD”dhe jo vetëm të saj, përgatisja faqet letrare, po kështu botoja çdo të diel nga një poezi në gazetën pranë, “TemA”, po mirëpriteshin, edhe në gazetën “55” botoja, etj, doja shtypin opozitar, por shpesh mbetesha pa punë nga ndërprerjet, gjithsesi vazhdova, isha mësuar, unë kisha shkruar fshehurazi dhe në burg…

Po, në burg, aty ishin të parët, ata që deshën një Shqipëri tjetër, të lirë, të begatë, euroatlantike, që u ngritën në revolta brenda telave me gjemba, shpalosën Flamurin me shqiponjën dy krenore pa yll e i ridënuan e i vranë…

Studentët e dhjetorit do të vinin kurorën e fitores…

Dhe do ta thosha këtë.

Do kështu do të vijoja të botoja më së shumti në të përditshmet shqiptare, që nga “Koha jonë” e “Sot” te “Liberale” e “Dita”, “Telegraf” e “Mapo” e “Shekulli” e “Fjala”, etj, te “Gazeta Shqiptare” e deri te “Panorama”, në të përjavshmen “Nacional”, te revista letrare “illz”, te gazeta më e re “ExLibris”, po dhe në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, e Jugut për ne, në Mal të Zi, etj, në media në diasporë, në Itali, te arbëreshët, në Zvicër në “Voal”, te “Revista letrare”, në Rumani te “Albanica”, në Mbretërinë e Bashkuar te “Fjala e lirë”, në SHBA “Dielli” dhe “Illyria”, te revista e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë “Pena”, te “Peizazhet e fjalës” së mençur dhe të bukur…

Sa i lirë shtypi? Sa shtypës? Sa opozitar? Nuk e kam fjalën për ato media kulturore që kanë pronar shkrimtarët e tyre e na gjenden, por për ato gazeta social-politike të partive dhe oligarkëve. Sa informim japin dhe sa të vërteta sjellin, kur informimi është i njëanshëm dhe të vërtetat jo të duhurat? Kur duket se përbashkuese është e keqja për të gjithë…

33 vjet “RD” – shyp opozitar dhe pozitar, nëse mund të themi. Ishim të tyret dhe ne e ata a ishin po aq dhe tanët? – kemi të drejtë të pyesim. Se është permanent pushteti që i duhet bërë ballë.

Rëndësi vërtet kishte ndryshimi, por si? Edhe kjo ka rëndësi po aq shumë…

Më jepni një gazetë dhe të shikoni po nuk përmbysa një pushtet, – thoshim se kishte thënë një diktator i kuq dhe unë botova atëhere në “RD”, që më jepni një gazetë dhe të shikoni po nuk ngrita një shtet. Po a ta jep kush atë gazetë? Duhet ta krijosh vetë, së pari brenda vetes. Është liria e gjithsecilit. Që mund të kishim bërë më shumë, por edhe më mirë…

Opozita është prapë në rrugë, me liderin e saj të mbyllur me detyrim, të ngujuar në shtëpi, që sheh nga dritarja ashtu si mbështetësit e tij edhe çarjen. Festë s’mund të ketë…

Opozita është pushteti moral i një vendi, kështu thoshim. Shprishja e saj është shprishje e moralit… Që vjen dhe nga brenda, jo vetëm nga jashtë saj. Ashtu si liria edhe ajo së pari është e brendshme. Të ndërgjegjësohet sërish dhe të bashkohet sërish, jo vetëm si lëvizje, por si frymë, arritja të mos jetë tjetër nga nisja si ideal, me synim atdheun dhe jo pushtetin, drejtësinë si pronë dhe pronën si drejtësi, me strategji të rifitojë aleatët e natyrshëm euroatlantikë, vetveten së pari, me yll polar një Rilindje Demokratike…

Urim apo mision?

May be an image of text

See Insights and Ads

Create Ad

All reactions:

11

Filed Under: Ekonomi

Ushtria Terrakota  kineze 2200 vjeçare që u zbulua nga fermerët më 1974

January 5, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Perandori i parë i Kinës, Qin Shi Huang, që ndërtoi Mauzoleumin e tij

Ushtria Terrakota dhe kompleksi i varrimit të Qin Shi Huang janë cilësuar si vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dhe mbeten disa nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike në histori.

Më 29 mars 1974, fermerë fshatarë që hapnin puse në periferitë lindore të Xi’an, Shaanxi filluan të gjenin shigjeta të lashta dhe objekte të tjera të rëndësishme. 

Arkeologët zbritën në vend dhe gjetën shpejt një nga gjetjet më të mëdha arkeologjike moderne të zbuluara ndonjëherë, Ushtrinë Terrakota të Perandorit Qin. 

Rreth 8,000 ushtarë, 130 karroca me 520 kuaj dhe 150 kuaj kalorës. 

Ushtria Terrakota është një koleksion skulpturash terrakote që përshkruajnë ushtritë e Qin Shi Huang, perandorit të parë të Kinës. Është një formë e artit funeral të varrosur me perandorin në 210–209 para epokes sone me qëllim për ta mbrojtur atë në jetën e tij të përtejme.

Shifrat ndryshojnë në lartësi sipas gradës së tyre, më të lartat janë gjeneralët.  Shifrat përfshijnë luftëtarë, karroca dhe kuaj. Vlerësimet nga viti 2007 ishin se tre gropat që përmbanin Ushtrinë Terrakota mbajnë më shumë se 8,000 ushtarë, 130 karroca me 520 kuaj dhe 150 kuaj kalorës, shumica e të cilëve mbeten në vend në gropat pranë mauzoleumit të Qin Shi Huang. Figura të tjera terrakote joushtarake u gjetën në gropa të tjera, duke përfshirë zyrtarë, akrobatë, të fortë dhe muzikantë.

Perandori i Kinës Qin Shi Huang është një nga ato figura legjendare despotike, por piktoresk që duken shumë të mëdha për të ekzistuar ndonjëherë. Megjithatë Qin ekzistonte dhe ishte përgjegjës për bashkimin e Kinës dhe për ndërtimin e pjesës më të madhe të Murit të Madh. Ai ndërtoi edhe një monument tjetër të madh, mauzoleun e tij.

Mauzoleumi i perandorit, i cili sundoi nga viti 221 deri në 210 para Krishtit, ndodhet në distriktin Lintong, Xi’an, Shaanxi. Ai ruhet nga ushtria ikonë terrakote, skulptura që synojnë ta mbrojnë atë në jetën e përtejme.

“Mjeshtrit u urdhëruan të bënin harqe dhe shigjeta të përgatitura për t’u qëlluar ndaj kujtdo që përpiqej të hynte në varr. Mërkuri u përdor për të stimuluar njëqind lumenjtë, Yangtze,  lumin e Verdhë, dhe detin e madh, dhe u vendos të rrjedhë mekanikisht, thotë historiani në tekstin e tij, sipas IFL Science.

Sipas një raporti nga “Business Insider”, ndërsa disa shkencëtarë i hedhin poshtë pretendimet si trillime, një studim i vitit 2020 tregoi se përqendrimet e mërkurit rreth varrit ishin në nivele dukshëm më të larta se sa pritej.

Ndërtimi i varrit u përshkrua nga historiani Sima Qian (145–90 pes) në Records of the Grand Historian, i pari nga 24 historitë dinastike të Kinës, i shkruar një shekull pas përfundimit të mauzoleut. Puna në mauzoleum filloi në vitin 246 Para eres sone, menjëherë pasi perandori Qin (atëherë 13 vjeç) zevendesoi babain e tij si Mbret i Qin-it, dhe projekti përfundimisht përfshiu 700,000 punëtorë të rekrutuar. Gjeografi Li Daoyuan, duke shkruar gjashtë shekuj pas vdekjes së perandorit të parë, regjistroi në Shui Jing Zhu se mali Li ishte një vend i favorizuar për shkak të gjeologjisë së tij të favorshme: “i famshëm për minierat e tij, ana veriore ishte e pasur me ar.  Perandori i parë, ishte lakmues për reputacionin e tij të shkëlqyer, prandaj zgjodhi të varrosej atje”

Perandori dhe eliksiri i pavdekësisë

Në vitin 211 para Krishtit thuhet se një meteor i madh ka rënë në Dongjun në rrjedhën e poshtme të Lumit të Verdhë dhe dikush ka shkruar fjalët kryengritëse “Perandori i parë do të vdesë dhe toka e tij do të ndahet”. Perandori dërgoi një sekretar perandorak për të hetuar këtë profeci. Askush nuk do ta rrëfente veprën, kështu që të gjithë që jetonin aty pranë u vranë dhe guri u pluhuros.

Shi Huangdi u fiksua me idenë e pavdekësisë. Siç shënon Sima Qian, këshilltarët e tij e këshilluan atë se barishtet e pavdekësisë nuk do të funksiononin derisa ai të mund të lëvizte pa u vëzhguar.

Sundimtari i dinastisë Qin, Qin Shi Huang, i frikësohej vdekjes dhe kërkonte një mënyrë për të jetuar përgjithmonë. Ai i besoi Xu Fu detyrën për të gjetur eliksirin sekret të pavdekësisë.

Gjatë turneut të tij të pestë në Kinën Lindore, Perandori u sëmur rëndë në Pingyuanjin (konteja Pingyuan, Shandong) dhe vdiq në korrik ose gusht 210 para eres sone në pallatin në prefekturën Shaqiu rreth dy muaj udhëtim nga kryeqyteti Xianyang, në moshën 49 vjeçare.

Shkaku i vdekjes së Qin Shi Huang mbetet i panjohur, megjithëse ai ishte rraskapitur nga sundimi i tij shumëvjeçar.  Një hipotezë thotë se ai u helmua nga një eliksir që përmbante merkur, që iu dha nga alkimistët e oborrit dhe mjekët në kërkimin e tij për pavdekësinë.

Tani për tani, varri i Qin Shi Huang mbetet i vulosur, me misteret e tij të ruajtura. Megjithatë, ndërsa përparimet shkencore vazhdojnë, mund të jetë vetëm çështje kohe përpara se të zbulojmë me siguri sekretet që kanë mbetur të patrazuara për më shumë se dy mijëvjeçarë.

Presidenti Regan dhe Nancy Reagan vizitojne Ushtrine Terracotta

Ne nje foto te tyre gjate vizites, me 1984 jane kapur ne një moment magjepsës në histori, duke shfaqur ish-presidentin e SHBA- së Ronald Reagan dhe zonjen e pare Nancy gjatë vizitës së tyre në Ushtrinë Terrakota në Xi’an, Kinë në vitin 1984. Ky imazh i rrallë ofron një paraqitje të shkurtër të një momenti kryesor në marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe nënvizon fuqinë e diplomacisë kulturore në lehtësimin e tensioneve ndërmjet kombeve.

Diplomacia e Reganit duke vizituar Ushtrinë Terrakota ishte një pjesë kyçe e përpjekjeve të Reganit për të përmirësuar marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Kinës, të cilat ishin tensionuar për shumë vite. Fotoja kap një moment të sinqertë midis Reaganëve dhe mikpritësve të tyre kinezë, duke treguar lidhjen njerëzore që mund të krijohet përmes shkëmbimit kulturor.

Presidenti Clinton, Hillary dhe Chelsea midis luftëtarëve të Terrakotës

Bill Clinton, Hillary dhe vajza e tyre Chelsea vizitojnë Luftëtarët dhe Kuajt 

Ushtrinë Terrakota në Xi’an, ne provincën Shaanxi të Kinës veriperëndimore, më 26 qershor 1998, e vizituan dhe Bill Clinton kur ishte president i SHBA-së. 

Klintonët bën turne në seksionin Mutianyu të Murit të Madh, 79 km në verilindje të Pekinit, më 28 qershor 1998. 

Në shumë gazeta të rëndësishme kineze u shkruajt se: “Për shumicën e grave kineze, Hillary Rodham Clinton, nuk kishte nevojë për prezantime të mëtejshme.

Në sytë e tyre, ish-zonja e parë e SHBA-së 61-vjeçare, e cila bëri një përpjekje serioze për t’u bërë presidentja e parë femër e Amerikës vitin e kaluar, ka krijuar një imazh të forcës, këmbënguljes, fuqisë dhe mençurisë për gratë e botës.

“Ajo ka dhënë një shembull të mirë që gratë kanë të drejtën dhe fuqinë për të bërë një ndryshim dhe për të ndryshuar botën,” tha Hong Huang – vajza e mësuesit të anglishtes së kryetarit të ndjerë Mao Zhang Hanzhi – i cili tani është një nga sipërmarrësit më me ndikim në gjuhën kineze si media e shkruar dhe një bloger i famshëm.

Filed Under: Ekonomi

Presidentja Osmani në takim Sekretarin Cameron: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, hap i domosdoshëm paqen dhe stabilitetin në rajon

January 4, 2024 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Lordin David Cameron.

Në takim u diskutua për raportet e shkëlqyera Kosovë-Mbretëri e Bashkuar, përkushtimin për thellim të bashkëpunimit ndërshtetëror, forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, si dhe situatën e sigurisë në rajon e më gjerë.

Presidentja Osmani falënderoi sekretarin Cameron për mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar përgjatë viteve, përfshirë edhe mbështetjen diplomatike në procesin e integrimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare.

Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe, si hap i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë.

Ngjashëm, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e anëtarësimit në Këshillin e Evropës për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut.

Në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë, me ç’rast Presidentja Osmani e informoi sekretarin Cameron për përpjekjet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, përfshirë aktin e agresionit dhe aktin terrorist kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator.

Presidentja falënderoi sekretarin Cameron për shtimin e trupave britanike në kuadër të KFOR-it, duke potencuar rëndësinë e bashkëpunimit për sigurinë e kufirit me Serbinë.

Në këtë drejtim, Presidentja foli edhe për grupet terroriste, të mbështetura nga Beogradi, të cilat vazhdojnë të krijojnë frikë dhe intimidim brenda komunitetit serb.

Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani theksoi se Kosova është shembull në rajon sa i përket të drejtave të komunitetit joshumicë, ndërsa riafirmoi përkushtimin e plotë të Kosovës për ta fuqizuar çdo qytetar, pa dallim.

Filed Under: Ekonomi

Përse ne zgjedhim gjithmonë liderë politikë të gabuar?

January 3, 2024 by s p

Artan Nati/

Pushteti tërheq ata që kanë më shumë gjasa ta abuzojnë me të dhe më pas i bën ata më të keq. Pra, si të ndalojmë së votuari për psikopatët narcisistë?

Autori Douglas Adams dikur shkroi për një planet në të cilin njerëzit sundohen nga të fortët e hardhucave. Ka një paradoks: planeti është një demokraci, njerëzit urrejnë hardhucat dhe janë më të shumtë në numër se ato dhe megjithatë hardhucat gjithmonë zgjidhen në krye. Rezulton se njerëzit votojnë për hardhucat për një arsye të thjeshtë: “Nëse nuk do ta bënin … hardhuca e gabuar mund të marrë pushtetin.”

Duket sikur ai planet është më afër Tokës dhe shumë më afër Shqipërisë në situatën në të cilën ndodhemi. Ne na pëlqen të urrejmë udhëheqësit tanë dhe ata shpesh e meritojnë urrejtjen tonë. Liderët tanë kryesorë të tranzicionit 30 vjeçar nuk bëjnë përjashtim dhe në rastin tonë ne zgjjedhim liderin e një partie(hardhucën më pak të rrezikshme) sepse kemi frikë se hardhuca tjetër (lideri i partisë tjetër) mund të marrë pushtetin. Ndërsa ne të tjerët ndiqnim rregullat që ata vendosën, ata vetë i thyen me paturpësi këto rregulla. Në fakt, në Shqipërinë e sotshme, sistemi ynë i qeverisjes i shpërblen ata që gënjejnë, mashtrojnë dhe përfshihen në zullume, përderisa ata përdorin fjalor demokratik dhe duke na i servirur me buzëqeshje mashtruese.

Përse ndodhemi në këtë situatë?: Ne mund të kemi alternativa më të mira dhe udhëheqës më të mirë. Por për të kuptuar se si, duhet të gjejmë përgjigjen e pyetjes: pse përfundojmë me këta njerëz në pushtet që nuk janë të aftë për të menaxhuar pa vjjedhur e mashtruar?

Së pari, pushteti është magnetik për njerëzit e korruptuar. Pothuajse kudo që shikonjmë, lloji më i keq i njerëzve tërhiqen nga fitimi i autoritetit mbi të tjerët. Kjo është veçanërisht e vërtetë për njerëzit me një koktej psikologjik veçanërisht shkatërrues siç janë makiavelizmi, narcisizmi dhe psikopatia.

Nuk besoj se është fare e vështirë të kuptosh se këta janë liderët tanë të pozitës, opozitës si edhe drejtuesit e bizneseve të korruptuara,, të cilët janë narcisistë makiavelianë, ndoshta me një dozë psikopatie. Në ekstremet, këta individë janë në mënyrë të paimagjinueshme shkatërrues.

Së dyti, pushteti tenton të korruptojë. Ka shumë studime që tregojnë se njerëzit e mirë dhe me qëllime të mira shpesh i nënshtrohen efekteve gërryese të pushtetit.

Së treti, ne u japim pushtet njerëzve të gabuar për arsye të gabuara. Pushteti është relacional dhe nuk mund të jesh lider pa ndjekës. Ne mund të dëshirojmë ta harrojmë, por shumë nga liderët që ne urrejmë më shumë, u zgjodhën me votë të lirë, të tillë janë Hitleri dhe Hugo Chavez, Rodrigo Duterte dhe Vladimir Putin duke mbërritur tek liderët tanë kryesorë si edhe drejtuesit e institucioneve të tjeraj. Ka arsye të ndërlikuara pse ne joshemi nga sharlatanët dhe njerëzit e fortë, me rrënjë në të kaluarën e lashtë të specieve tona. Psikologët evolucionarë argumentojnë se truri ynë nuk ka evoluar shumë që nga Epoka e Gurit, kur ndjekja e një gjuetari të fortë me shumë vetëbesim mund të ketë qenë një ide e mirë. Shoqëritë tona kanë ndryshuar rrënjësisht dhe kjo nuk është më një strategji e zgjuar, ndërkohë që truri i qënieve njerëzore nuk ka ndryshuar shumë.

Ajo që i bën këto tre tendenca toksike më interesante është se ato janë të njohura në të gjithë globin dhe përgjatë mijëvjeçarëve. Më e keqja është se, secila nga këto tendenca përforcon tjetrën, duke e komplikuar problemin. Njerëzit e korruptuar tërhiqen në mënyrë disproporcionale në pushtet, janë disproporcionalisht të aftë për të hapur rrugën e tyre drejt pushtetit dhe në mënyrë disproporcionale ka të ngjarë të kapen pas pushtetit pasi ta kenë marrë atë.

Si mund ta zëvendësojmë klasën tonë të korruptuar në pushtet me njerëz që nuk e duan pushtetin, por do ta përdorin atë me drejtësi?

Përgjigja qëndron në ndryshimin e sistemeve që qeverisin shoqëritë tona. Sistemet ose përshpejtojnë mundësinë e angazhimit të njerëzve të korruptuar në pushtet ose i ngadalësojnë ata. Ne nuk mund të ndalojmë disa prirje të lindura, por mund të bllokojmë më të këqijtë mes nesh që të marrin pushtetin, ose të paktën të kufizojmë dëmin që ata bëjnë pasi të arrijnë atje.

Sistemet e mira tërheqin njerëz të mirë dhe sistemet e kalbura tërheqin njerëz të kalbur. Njerëzit mund të kenë disa prirje shkatërruese kur bëhet fjalë për përdorimin e pushtetit, por ne mund t’i kundërshtojmë ato me reformat e duhura. Për shembull Danimarka dhe Shqipëria. Danimarka si një nga vendet më demokratike në botë ka ndërtuar një sistem të tillë që thith në qeveri dhe administratë publike njerëz të pakorruptuar dhe niveli i korrupsionit pothuajse është zero,ndërsa në Shqipëri sistemi egsistues dhe i manipuluar qëllimisht nga liderët tanë të korruptuar thith njerëzit e korruptuar dhe ka shance të ulëta që njerëit e ndershëm të mbijetojnë në këtë sistem.

Si fillim, ne nuk duhet të pranojmë të votojmë për kandidatë që zgjidhen nga kryetarët e partive pa asnjë meritë dhe pa kaluar në primare. Ne duhet të zgjedhim vetë përfaqësuesit tanë përndryshe do të udhëhiqemi nga njerëz inferior apo hajdutë ordinerë siç ndodh rëndom tek ne dhe lista vazhdon. A duhet të habitemi që megalomanët e etur për pushtet janë ata që janë më të etur për ta vënë veten përpara për të kërkuar pushtet?

Më mirë është të zgjedhim ata që do ta shihnin pushtetin si një barrë dhe jo si një thirrje.Thelbi jetësor i një demokracie është pjesëmarrja aktive e njerëzve. Nuk ka asgjë më demokratike sesa t’i ofrosh secilit qytetar një mundësi të barabartë për të udhëhequr. Nëse presim të shohim se kush ecën përpara, siç bëjmë shpesh në shoqërinë tonë, ne kemi vetëm veten për të fajësuar kur përfundojmë me një narcisist të etur për pushtet në krye.

Shkrimtari dhe komentatori politik amerikan William F. Buckley Jr thotë:”Unë do të pranoja më mirë të qeveriseshim nga 535 personat e parë në librin e telefonit se sa nga kongresi amerikan”. Kjo për shkak se njerëzit më të tërhequr nga pushteti janë zakonisht më pak të përshtatshëm për ta përdorur atë.

Nëse do të ketë një sfidë lidershipi, mbase ne duhet të krijojmë sisteme që prodhojnë lider jo të sigurtë, por të aftë sepse ne shpesh ngatërrojmë sigurinë me aftsinë. Përndryshe ne do të vazhdojmë të ngecim në planetin tonë absurd të Douglas Adams, të dënuar të jetojmë me vlerësimin e tij të mprehtë, por fatkeq: “Është një fakt i njohur që ata njerëz që duan më shumë të sundojnë njerëzit janë ata. më së paku të përshtatshëm për ta bërë këtë … kushdo që është në gjendje të bëhet president apo drejtues kryesor nuk duhet të lejohet në asnjë rast të bëjë këtë punë.”

Filed Under: Ekonomi

Çfarë sjell Viti i Ri -Pagat minimale rriten më 1 janar

December 29, 2023 by s p

Përktheu Rafael Floqi/

Punëtorët me pagë minimale në 22 shtete do të shohin më shumë para në pagat e tyre në vitin e ri.

Këto rritje do të prekin rreth 9.9 milionë punëtorë, sipas Institutit të Politikave Ekonomike (EPI), i cili vlerëson se këto paga të rritura do të shtojnë një pagë shtesë prej 6.95 miliardë dollarësh.

Përveç këtyre 22 shteteve, 38 qytete dhe qarqe do të rrisin gjithashtu pagat e tyre minimale mbi minimumet shtetërore më 1 janar.

Sipas Departamentit të Punës, 20 shtete do të ruajnë pagën minimale federale prej 7,25 dollarësh në orë.

Dhe sipas EPI, nga 17.6 milionë punëtorë që fitojnë më pak se 15 dollarë në orë, gati gjysma jetojnë në ato 20 shtete që vazhdojnë t’i përmbahen pagës minimale federale – e cila nuk ka ndryshuar që nga viti 2009.

Megjithatë, kostoja e jetesës është rritur shumë.

Sipas indeksit të çmimeve të konsumit të Byrosë së Statistikave të Punës, një dollar në vitin 2023 mund të blejë afërsisht 70% të asaj që mund të blinte në vitin 2009.

Dhe gjatë vitit të kaluar, inflacioni dhe kostoja në rritje e pothuajse çdo gjëje – nga banesat te sendet ushqimore – ka detyruar shumë amerikanë të shterojnë kursimet e tyre dhe të shkojnë më thellë në borxhe.

Ndërsa ekonomia e SHBA-së po provon të jetë e fuqishme për sa i përket shitjeve me pakicë, numrit të lartë të vendeve të punës dhe një norme të ngadalësuar të inflacionit, ata që fitojnë pagë minimale e kanë pasur më të vështirë të paguajnë qiranë dhe të blejnë mallra shtëpiake thelbësore, duke përfshirë sende ushqimore.

Sipas të dhënave të EPI, afro 58% e punëtorëve që do të përfitojnë nga rritja e ardhshme e pagave janë gra. Nëntë për qind janë me ngjyrë dhe gati 38 për qind janë hispanikë.

Mbi një e katërta e atyre që do të përfitojnë nga rritja e pagave janë prindër, gjë që mund të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në standardet e tyre të jetesës, duke qenë se gati 20% e punëtorëve që përfitojnë pagë minimale kanë aktualisht të ardhura nën kufirin e varfërisë.

Së fundmi, demokratët e Senatit prezantuan Aktin e Rritjes së Pagave të vitit 2023 në korrik. Nëse miratohet, do të rriste gradualisht pagën minimale federale në 17 dollarë në orë deri në vitin 2028.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 75
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • …
  • 227
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Polikrizat e shoqërisë në optikën e sociologut Gëzim Tushi
  • HEROIZMI I NJË FAMILJE NË FUND TË SHEKULLIT XX PËR ÇLIRIMIN E VENDIT NGA OKUPATORI SERB
  • SOT 19 VITE NGA SHUARJA E PISHTARIT TË KARVANIT TË KORIFENJVE TË FILMIT, KADRI ROSHIT
  • Përvjetori i harruar i Fishtës
  • We are forever grateful to the USA and our Euro-Atlantic allies for their continuous support
  • Një vizitë e veçantë te Vatra…
  • Vatra Chairman Dr. Elmi Berisha and Prishtina Mayor Përparim Rama met with officials at the U.S. Department of State
  • Shtylla kushtetuese e unitetit kombëtar dhe prova vendimtare e pjekurisë politike
  • KUR POLITIKANËT E SHQIPËRISË DHE TË KOSOVËS “PUSHTOJNË” WASHINGTONIN 
  • 𝐙𝐠𝐣𝐞𝐝𝐡𝐣𝐚 𝐞 𝐆𝐞𝐨𝐫𝐠𝐞 𝐖𝐚𝐬𝐡𝐢𝐧𝐠𝐭𝐨𝐧 𝐬𝐢 𝐏𝐫𝐞𝐬𝐢𝐝𝐞𝐧𝐭𝐢 𝐢 𝐩𝐚𝐫𝐞̈ 𝐢 𝐒𝐇𝐁𝐀
  • “VOA” DHE SHQIPËRIA
  • Grenlanda, rëndësia kritike e ishullit për mbrojtjen raketore dhe interesat gjeostrategjike të ShBA
  • AMBASADA PRANË DALLGËVE TË OQEANIT
  • “Eksodi i zogjve të Çamërisë”, poema e re e Luan Ramës
  • Shqiptarët dhe dy anët e medaljes së sistemit osman të mileteve

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT