Erion Muça*/
1. Ndihmoni nxënësit të identifikojnë dhe zhvillojnë prirjet dhe talentet duke i mbështetur ti promovojnë kështu suksesi i tyre do të jetë i garantuar. Kjo do të stimulojë konkurencën e kohëve moderne e rritur ndershmërinë dhe meritokracinë. Duhet hequr dorë nga cilësimi i aktivëve si harrakatë dhe hiperaktivëve si të prapte duke minimalisht ndrydhur dhe maksimalisht bullizuar. Mbështesni rritjen e mesatares së nxënësve duke vlerësuar çdo përpjekje të tyre për diferencbërje nga të tjerët bazuar në prirje dhe projekte duke i mbështetur në ide dhe iniciativa të pavarura dhe lërini ekselentët të ecin vetë si dhe dinë pasi talenti është rrallëherë ekselenti dhe shpeshherë ai gjendet ku s’ta pret mendja, e po aq shpesh bllokohet nga paragjykimet dhe steriotipet.
2. Zgjidhni zanatet, profilet dhe degët e perspektivës për ti patur si zotësi dhe profile pune. Shmangni degët për pasion nëse ai është i lidhur me zbulimin e një planeti të ri apo ato që zgjidhen në mungesë informacioni, se na sugjeron shoqja, shoku apo se familja mendon kështu dhe kështu do bëj. Më mirë lexoni, dëgjoni dhe kuptoni veten mbi atë që doni vërtet të jeni dhe të bëni e se çfarë kërkohet më shumë në treg duke marrë një vendim sesa të vuani pasojat e mendimeve personale të të tjerëve që fatkeqësisht shpeshherë kthehen në dëmin tuaj më të madh.
3. Identifikoni kompanitë dhe sipërmarrjet që po përmirësohen dhe “zënë mend” nga kriza e burimeve njerëzore dhe jo ato që kanë mbetur prapa e i duket sikur ja ke nevojën e të thonë “po të mbajmë me bukë”. Rritja artificiale e pagave nga këto tipologji kompanish është më tepër e kushtëzuar nga rrethanat dhe që në rastin e parë të jeni të sigurtë që të ngarkojnë përgjegjësinë e 5 pozicioneve që të amortizojnë shpenzimet e shkaktuara me pagën e lartë.
4.Jini analitikë dhe arsyetoni para se të punësoheni nëse sipërmarrja ose nuk ka standartet e duhura në kohën e IA ose nuk bën përpjekje për ti krijuar dhe zhvilluar ato, lidhur me sistemet e promovimit të brendshëm, mekanizma fiks të incentivimit me sisteme bonusesh dhe benefitesh mbi bazë produktiviteti, performance, rezultatesh apo edhe eksperience të gjatë në një sipërmarrje për punonjësit.
5. Matni dhe njihni që pa filluar një punë mentalitetin dhe qasjen e drejtimit të një sipërmarrje.
Ka shumë rëndësi se si do ndjeheni në punë, sa do rriteni dhe zhvilloheni në të, sa vlerë ka puna dhe profesionalizmi juaj për sipërmarrjen pasi vetëm paga nuk e mbulon dhe justifikon mungesën e motivimit deri në zhgënjim që mund të keni nga ambienti i brendshëm pesimist dhe mbytës.
6. Negocioni për pagën pasi tregu vendas dhe europian ka uri për punonjës dhe ky është momenti juaj për të vendosur kushtet e punës dhe barazisë në marrëdhënien lidhur me të.
Niseni pritshmërinë nga niveli i pretenduar i pagës pasi është instrument i cili nuk është fiks por objekt i personalizuar diskutimi mbi bazë kombinimi mes pretendimit, mundësisë, interesit të ndërsjelltë, kërkesave të sipërmarrjes dhe markës personale e profesionale të punonjësit.
7. Merrni përsipër përgjegjësi të drejtpërdrejta vetjake mbi punën por sidomos për rezultatet pasi çdo sipërmarrje do zhvillim dhe ju duhet ta garantoni me punën tuaj atë që në start duke e prirë drejt suksesit.
8. Kujdes.. kërkoni cilësi pune dhe jo mjafton ta keni atë.
Puna duhet të shoqërohet medoemos me një profesion dhe zanat. Shmangni sa më shumë të mundeni sa jeni në kohë dhe në rini, punët e thjeshta apo ato që mund të gjeni lehtësisht për të marrë një pagë por që nuk ju bëjnë të përfundoni duke përfituar një profesion apo zanat pas përvojës së gjatë dhe rezultateve të arritura. Ndonjëherë sakrifiko pak duke kërkuar në menyrë inteligjente punën sesa ecja me shprehjen “të futësh këmbët” kur mungojnë masivisht sistemet e promovimit të brendshëm në shumë sipërmarrje duke rrezikuar të mbetesh në një vend dhe në një profil e nivel pune për shumë vite.
9. Ruani veten që mos katandiseni nga profesionistë në numra.
Mos e lini veten në dorë të tregut e kërkesës t’ju hedhë dhe t’ju presë gjithandej nga nevoja për punë që keni. Ruani staturën dhe përpiquni gjithmonë të punoni minimumi në punë të lidhura me degë të afërta dhe të ngjashme me fushën e arsimit, kualifikimeve dhe zanatit që keni duke çeduar minimalisht vetëm një nivel më poshtë formimit që keni për tu përshtatur me një punë të caktuar. Mos bëni një punë e cila ju rrëzon deri në shkatërrim arsimin, investimin, arritjet profesionale duke ju vrarë ëndrrat dhe besimin që do jeni një ditë të sukseshëm. Sakrifica më e madhe sot është të dish dhe të jesh i ndërgjegjshëm sesa vlen e çfarë potenciali ke dhe sesi ti përshtasësh me një profesion apo zanat, me të cilin të punosh si për veten si freelancer apo profesionist i vetëpunësuar ashtu dhe tek tjetri. Nëse do punosh ke tjetri duhet ti parashtrosh modelin, pretendimin dhe standartet e tua si ato të duhurat e pse jo ti kërkosh llogari sipas mundësisë dhe rastit, se pse ka mbetur 100 vite prapa lidhur me motivimin e vlerësimin e punonjësve.
10. Zhvilloni aftësitë multifunksionale, ato multiskills dhe ato që lidhen me komunikimin, prezantimin dhe zgjidhjen e problemeve. Me to dhe me aftësitë për tu përshtatur me ndryshimet e shpeshta dhe ambjentuar shpejt me to duke zoteruar në kohë reale tempin dhe punën që keni për të bërë, keni arritur të keni në dorë disa armë të forta për ti vënë në dispozicion të punëdhënësit dhe prezantuar si asete personale dhe profesionale shumë të vyera.
11. Përditësoni profesionin, njohuritë dhe aftësitë që keni çdo ditë, javë dhe maksimalisht muaj lidhur me punën që bëni apo profesionin e zanatin që keni. Me automatizimin, robotizimin, digjitalizimin, kodimin dhe shumë më tepër me prezencën e Inteligjences Artificiale në shumë sektorë dhe industri po lindin çdo ditë 500-600 pune, profesione dhe profile të reja. Këto profile janë zgjatime, shtojca dhe komponentë të kohës në dukje të ngjashme dhe plotësuese me profilet tradicionale por që mospërditësimi mbi to është thelbësisht skualifikues dhe ju nxjerr me thjeshtësinë me të madhe dhe menjëherë totalisht jashtë tregut.
12. Mësoni të përdorni inteligjencën artificiale dhe zhvilloni sa gjykoni aftësitë në sigurinë kibernetike pasi janë mjete pune efiçente nëse jeni “shoferë të zotë” në profesionin dhe zanatin që keni. Në këtë menyre do dispononi mjetet e duhura mbrojtëse për të penguar si ata që “fusin hundët në punët e të dhënat e të tjerëve” ashtu edhe do jeni të përgatitur në luftën e aktualitetit përballë lajmit të fundit lidhur me risitë e IA në dobi të njerëzimit.
13. Papunësia e të rinjve do të ulet kur të gjithë ata që punojnë në punët trende të kohës online me dëshirë dhe vetëdije të deklarojnë të ardhurat e fituara sepse e kanë një motiv të fortë për ta bërë dhe do kenë të gjitha lehtësirat e duhura. Papunësia do ulet nëse do rishikohet taksa e vetëpunësimit që hyn në fuqi në Janar 2024 lidhur me mundësi start-upesh individuale me bazë inovacionin dhe kreativitetin. Papunësia do ulet kur ritmet dhe niveli i emigracionit të ulet progresivisht dhe kur shifrat e natalitetit të shënojnë një epërsi logjike rritje përballë mortalitetit. Papunësia e të rinjve do të ulet nëse do mbështetet në një sistem unik vetëpunësimi i të rinjve dhe financohet me kusht që pas mbështetjes përmes një plani biznesi të mund të ketë ecuri dhe stabilitet për ti siguruar zhvillimin e sipërmarrjes dhe vazhdimësinë e saj në menyrë të pavarur. Papunësia e të rinjve do të përmirësohet nëse talentet do të ndihmohen me politika publike dhe skema konkrete suporti për praktikat dhe eksperimentet teknike që ti patentojnë shpikjet dhe projektet e tyre duke i komercializuar ato. Papunësia e të rinjve do të ulet nëse do të edukonim fillimin e aksesit me punën që 15-16 vjeç dhe të rregullonim mekanizmat për të zgjeruar fashën e mundësive dhe kushteve të të miturve në punë dhe shumëfishimin e kategorive të punëve duke lehtësuar dhe burokracirat e sipërmarrjeve kur duan të punësojnë një 15-16 vjeçar. Papunësia e të rinjve do të ulet nëse do të krijohen dhe funksionojnë skemat dhe strukturat standarte fikse dhe të konsoliduara të identifikimit dhe kultivimit të prirjeve dhe talentit që në klasën e 7-8. Papunësia do të ulet po të ekzistonte informacioni kombëtar i ofertës për punë ku çdokush do njihte kapacitetin real të tregut. Në këtë aspekt të rinjtë do të kishin mundësinë të ballafaqonin talentin dhe prirjet e tyre përballë kërkesave të tregut që të nxirrnin llogaritë e tyre e merrnin një vendim në fund. Nëse këto politika dhe masa mbështetëse, fiskale dhe sociale nuk ndërmerren atëherë objektivi shumëvjeçar për ta ulur nën 20% papunësinë e të rinjve 15-29 vjeç do të mbetet serish objektiv i së ardhmes.
14. Në të gjitha rastet pavarësisht profilit, punës apo profesionit që keni duhet të përpiqeni të jeni më të zotët në atë që bëni.
Puna flet vetë pavarësisht se çfarë natyre ka apo cilit lloji dhe kategorie i përket apo sa e vështirë bëhet në kushtet e tregut vendas suksesi përmes sinqeritetit, përkushtimit, profesionalizmit dhe ndershmërisë.
Behuni profesionistë në punën që bëni dhe më të mirët sesi e bëni atë dhe promovojeni fort atë që jeni. Vetëm kështu modelet e deformuara të vipllëkut injorant, të vetëshpallur e të pamerituar, në shpërfillje të meritokracisë dhe profesionalizmit, do të na duken të gjithëve në 2024 si makth i së shkuarës dhe pjesë e një përralle të së kaluarës.
*Pedagog dhe Studiues i Çështjeve të Karrierës dhe Punësimit.