• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NËSE EDHE DEMOKRATËT E SHBA NUK  BESOJNË MË NË DEMOKRACINË

October 24, 2023 by s p

Nga MASSIMO GAGGI – Përktheu: Eugjen Merlika – “Corriere della Sera”, 19 tetor 2023

Për 38 % të republikanëve është e pranueshme t’u kundërshtohet me dhunë teprimit të kundërshtarëve të tyre politikë: demokratëve, të parë si radikalë skajorë. Nuk është një risi ajo që del nga hulumtimi i fundit i Universitetit të Virxhinias (një mostër prej dymijë zgjedhësish të regjistruar): që kur, mbas votimeve të 2020, Donald Trump ka filluar të flasë për zgjedhje të vjedhura, për shumë përkrahës të tij dhuna është kthyer në një vegël politike të ligjëshme. Risia qëndron, veç rritjes së adhuruesve të kryengritjes, në faktin se edhe demokratët janë të gatshëm të rebelohen, e në një masë edhe më të madhe (41%) teprimeve të një regjimi konservator skajor (pra të një fitoreje të re të Trumpit që ka thënë se është i gatshëm të shtrijë pushtetet e tij, duke shtypur autonominë e institucioneve të pavarur).

Hulumtimet, dihet, kanë një vlerë relative, por edhe të tjera kërkime (si ai i të besueshmit Pew Research Center: tashmë vetëm 16% e amerikanëve mendon se qeveria po bën gjërat e duhura) tregojnë se në Shtetet e Bashkuara, një vit para presidencialeve, ai votim bëhet gjithënjë e më shumë një afat dramatik për qëndresën e demokracisë më të hershme të botës: ajo shëmbëlltyrë e demokracisë liberale pragmatiste dhe të efektëshme që studjuesi politik Alexis de Tocqueville zbuloi dy qindvjetorë më parë e i a propozoi një Evrope të qeverisur nga mbretëritë, regjime autoritare e shkundje revolucionesh. Presidenca Biden duhej të shënonte kthimin në një dialektikë demokratike dhe në një rikthim të besueshmërisë së institucioneve republikane, duke mbyllur një parantezë prej katër vitesh të revolucionit populist të Trump-it. Nuk qe ashtu për polarizimin skajor të politikës së SHBA, për dobësitë e Bidenit (aspak karizmë, moshë e thyer) që kanë lënë në hije përfundimet pohenike të qeverisë së tij e,veçanërisht, për mos njohjen nga një pjesë e madhe e së djathtës së ligjëshmërisë së zgjedhjes së tij. E gjitha kjo e shumëzuar e shpejtuar nga përdorimi i çoroditur i rrjeteve sociale. Kështu sot edhe Rick Hasen, drejtori i Projektit për mbrojtjen e demokracisë në Universitetin e Kalifornisë flet për piskamë kur lexon se 31% të mbështetësve të Trump-it e 24 % t’atyre të Bidenit e quajnë sistemin e sotëm demokratik jo më të përdorëshëm: duhet të kërkohet, simbas tyre, një sistem alternativ.

Përktheu: Eugjen Merlika – “Corriere della Sera”, 19 tetor 2023                

Filed Under: Ekonomi

Klani i Novi Sadit

October 23, 2023 by s p

Albin Kurti/

Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq.

Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS.

Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin.

Në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj.

Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar.

Filed Under: Ekonomi

“Mbyllja e qeverisë”: karakteristika dhe shpjegime

October 20, 2023 by s p

Dr. Ernest Nasto 

Ekspert i politikës amerikane/

Një aspekt karakteristik i politikës amerikane, tepër i pranishëm prej gati një muaji, ështe dukuria e njohur me emrin “mbyllje e qeverisë” (government shutdown) që në thelb do të thotë ndërprerje e funksionimit të shërbimeve qeveritare në disa fusha të caktuara. Një ndërprerje e tillë ka ndodhur dhjetë herë gjatë 40 viteve të fundit në një kohë që në vende të tjera, qeveritë vazhdojnë të funksionojnë edhe në situata luftrash apo krizash kushtetuese. Përse pra vazhdon të ndodhë kjo dukuri specifikisht amerikane? 

Fakti është që për shumicën e vendeve pezullimi i shërbimeve të ofruara nga qeveria është një ngjarje e rrallë, pothuaj katastrofike, që mund të mendohet vetëm në raste revolucionesh, pushtimesh ose fatkeqësish të mëdha natyrore. Për këtë arsye është disi e pakuptueshme që ky lloj pezullimi të provokohet me dëshirë nga drejtuesit politikë të superfuqisë botërore në kohë paqeje. Në rastin më të fundit, atë të muajit të kaluar, një marrëveshje në çastin e fundit bëri të mundur që Kongresi ta shmangë mbylljen duke miratuar një projekt-ligj afatshkurtër për vazhdimin e funksioneve edhe për 45 ditë të tjera. Kjo do të thotë se politikanët do të duhet të kthehen në tryezën e negociatave në mes të nëntorit dhe vendi mund të përballet sërish me një pezullim tjetër, sapo të mbarojë financimi i përkohshëm. 

Një dukuri e tillë vazhdon të ndodhë sepse sistemi federal i qeverisjes në Shtetet e Bashkuara lejon mundësinë që degët e ndryshme të pushtetit, që i shpjeguam në një artikull të kaluar (1), të jenë nën kontrollin e partive të ndryshme. Kjo ishte një strukturë e krijuar nga etërit themelues me qëllim të  inkurajimit të diskutimit të lirë e të kompromiseve, por e cila për fat të keq ka pasur efektin e kundërt në 40 vitet e fundit. 

Efekti në fjalë u mundësua nga ana ligjore bazuar në një interpretim të ngushtë nga Prokurori i Përgjithshëm më 1980, në kohën e administratës së Jimmy Carter, të një Ligji për shpenzimet të miratuar në shekullin XIX i cili e ndalonte qeverinë të lidhte kontrata pa miratimin e kongresit. Ndërkaq gjatë gati një shekulli qeveria kishte lejuar vazhdimin e shpenzimeve të nevojshme edhe nëse ato nuk mbuloheshin. Kjo ndryshoi me interpretimin e ri: shpenzimet s’do të lejoheshin më nëse s’ishin parashikuar në buxhet apo nëse fondet ishin mbaruar. 

Mbyllja e parë ndodhi pak më vonë, më 1981, kur Presidenti Ronald Reagan vuri veton ndaj një projektligji financimi, dhe zgjati për disa ditë. Që atëherë, ka pasur një numër syresh që janë pasuar me ndalimin e disa shërbimeve dhe kanë zgjatur prej gjysëm dite deri në më shumë se një muaj, ndërsa më e gjata ka qenë ajo e periudhës dhjetor 2018 – janar 2019 nën presidencën Trump. Disa shërbime thelbësore vazhduan të funksiononin, si p.sh. ushtria apo sigurimet shoqërore, në një kohë që u pezullua pagesa e disa qindra mijëra punonjësve të administratës federale. Sipas vlerësimeve të Shtëpise së Bardhë mbyllja cënoi negativisht rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) me 0.1 përqind për çdo javë të pezullimit të pagave. 

Duhet theksuar se mbyllje të tilla janë praktikisht të pamundura në vende të tjera. Sistemi parlamentar i përdorur nga shumica e demokracive evropiane siguron që ekzekutivi dhe legjislativi të kontrollohen nga e njëjta parti ose koalicion. Në mënyrë të natyrshme mund të ndodhë që parlamenti të refuzojë një buxhet të propozuar nga kryeministri, por ai veprim ka të ngjarë të shkaktojë rënien e qeverisë, shoqëruar me zgjedhje të reja, por jo me ndalesa të shërbimeve si parqet kombëtare, rimbursimet e taksave apo programet e ndihmave ushqimore. 

Një rast i tillë p.sh. ishte pikërisht ajo që ndodhi në Kanada në vitin 2011, kur partitë opozitare hodhën poshtë buxhetin e propozuar nga Partia Konservatore e kryeministrit të atëhershëm Stephen Harper. Ai drejtonte asokohe një qeveri të pakicës, në kuptimin që konservatorët s’kishin shumicën e vendeve në parlament, megjithatë qeverisnin me mbështetjen e partive të vogla. Por në rastin konkret partitë në fjalë refuzuan mbështetjen për buxhetin, gjë që çoi në një mocion mosbesimi nga Dhoma e Komuneve (dhoma e ulët e parlamentit kanadez), në dorëheqjen e kryeministrit dhe në zgjedhje të parakohshme. Gjatë tërë kësaj kohe shërbimet qeveritare vazhduan pa asnjë ndërprerje. 

Një shembull tjetër kuptimplote është ai i Belgjikës, e cila për 589 ditë me rradhë ndërmjet viteve 2010-2011 nuk drejtohej nga një qeveri e zgjedhur me procedurë të plotë, e megjithatë të gjitha shërbimet qeveritare vazhduan te kryhen pa asnjë problem. 

Edhe Irlanda në vitet 2016-2020 drejtohej nga një qeveri e pakicës e cila mbështetej në parlament nga nga një numër partish jashtë koalicionit, dhe përsëri të gjitha shërbimet qeveritare vazhduan normalisht në saje të marrëveshjeve të posaçme ndërmjet partive. 

Ndërkaq, interpretimi i ngushtë që përmendëm më lart ka bërë që SHBA të dallohen jo vetëm nga demokracitë parlamentare, por edhe nga ato me sistem të ngjashëm presidencial, në të cilat presidenti është njëkohësisht edhe kryetar i qeverisë. Kështu p.sh. në Brazil dega egzekutive e pushtetit (presidenti dhe administrata), ka kompetenca të gjera që mundësojnë vazhdimin e funksioneve qeverisëse edhe në mungesë të një buxheti të miratuar nga legjislatura.

Si përfundim mund të themi se një bashkëpunimi i frytshëm ndërmjet partive është bërë gjithnjë e më i rrallë në Shtetet e Bashkuara, dhe për fat të keq partitë kundërshtare duken shumë të gatshme të përdorin funksionimin e përditshëm të qeverisë si një mjet presioni ndaj palës tjetër vetëm për interesa të ngushta. Kërcënimi për mbyllje tash së fundi ishte kësisoj rezultat i presionit të një pakice kongresmenësh republikanë të vijës së ashpër që kërkojnë shkurtime të thella të shpenzimeve të cilat nuk mbështeten as nga kolegët e tyre centristë e as nga demokratët. Viktimë e këtyre grindjeve ra më në fund edhe Kryetari Dhomës (Speaker), Kevin McCarthy, i cili u shkarkua në fillim të tetorit dhe Dhoma e Përfaqësuesve është ende pa kryetar.

Ligji i financimit afatshkurtër u miratua ndërkaq pa fonde shtesë për luftën në Ukrainë, mirëpo me kohën që po kalon dhe me afrimin e 15 nëntorit, mbetet për t’u parë se çfarë lloj marrëveshjeje do të arrihet në kushtet e reja të krijuara nga rindezja e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe nga negociatat e stërzgjatura për zgjedhjen e kryetarit të dhomes. E gjithë kjo s’mund të thuhet se ndihmon në forcimin e besimit tek Shtetet e Bashkuara për të cilën bota e sotme ka aq shumë nevojë si faktor stabiliteti. 

====== 

(1) https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=pfbid02cqisEqgUzWJ7pA6znF9Ae56mZU343xU4jo1mcYwfo1hmKkasTuvv72GeLSNG3urKl&id=100064755940971&mibextid=Nif5oz

*Autori është n/kryetar i degës së Federatës Vatra për Chicagon

Filed Under: Ekonomi

Llixhat e Elbasanit, një perlë e harruar dhe kujtesë për pushtetarët

October 18, 2023 by s p

Resmi Corbaxhi/

Sapo lame Elbasanin dhe hymë ne rrugën e Cerrikut na bëjnë përshtypje ndërtimet e shumta në të dy anët e rrugës. Para syve tanë shfaqet begatia e vjeshtës, e cila vec ngjyrave të preferuara sjell dhe nje shumëllojshmëri prodhimesh frutore dhe bujqësore. Rrushi i verdhë qelibar e kokërrmadh të shkel syrin, po ashtu fiku i bardhë dhe i zi, molla dhe dardha vjeshtake, pa harruar as shegën e as hurmën qe ka filluar te zverdhet.

– Kemi edhe shume?

Pasagjeri që ndodhej në krah e kuptoi që nuk kisha qenë ndonjëherë në ato anë.

– Pothuajse mbrritëm – u pergjegj ai duke me pyetur: – Nuk keni qenë më pare? -Para 30 vitesh, gruaja vunta nga reumatizma.

– Edhe pak dhe mbrritëm.

Era e ujrave terminale e mbylli bisedën tone si për të na njoftuar që kishim hyrë ne zonën e Llixhave. Vend i gjelbëruar kodra të lidhura njera me tjetrën, dhe mes tyre hotele të shumta njeri më i mire se tjetri. Mes këtij vendi të bekuar hotelet kurative konkurojne njeri tjetrin. Rreth njëqind vjet më pare studimi i bërë nga mjeku cek Ing Dr Benno Wintere nën kujdesin personal të mbretit Zog tregoi se përmbajtja kimike e ujrave termale ishin ndihmuese për shërimin e shumë sëmundjeve të ndryshme sidomos atyre reumatizmale. Në vitin 1932 Grigor Nosi ndërtoi hotelin e pare te quajtur park-llixha “Nosi”. Shoferi, një banor nga Tregani na tregon qe Llixhat ndodhen nē palcën e 35 hektarëve të gjelbëruar ku zotëron më tepër pisha e kultivuar. Para nesh shfaqet hoteli “Nosi” ndërtuar afërsisht 100 vjet më pare, fatkeqësisht tani jashtë funksionit, por me një arkitekturë interesante, e cila. i reziston ende kohës. Më pas para nesh parakalojnë emrat e hoteleve te tjera si “Alfa”, “Jance” “Ylli”, “Miqesia”, “Boci”… Të gjithe janë rreth e rrotull zones së gjelbëruar. Kemi prenontuar ne hotel “Puka”. Që në hyrje të imponohet respekti. Shesh I pastër, lule të shumta, trëndafilë shumë ngjyrash që megjithëse vjeshtë ende ruajne freskinë. Pemë të shumtë dekorative, stola e tavolina për pushuesit. Mbi të gjitha nje personel mikpritës. Nuk e kisha menduar që edhe ne Shqipëri të kishte standarte që u përshateshin atyre europiane. I tregova në telefon mikut tim që më kishte rekomanduar këtë hotel ku ndodhesha. Një histori e trishtë dhe e dhimbshme.kur u njoha me cfarë kishte ndodhur. Ajo godinë me standarte europiane per pak do te kishte pasur të njëjtin fat si “Prestige Resort”..Megjithëse me dokumenta të rregullta, gjatë ndërtimit të hotelit njerëz të papërgjegjshëm mbështjellë me petkun e pushtetarit mbrritën aty për të prishur godinën pothuajse të përfunduar. Kur e pyetëm pronarin e saj se cfarë kishte ndodhur, ai përgjigjet shkurt: – Le tia lemë të shkuarës, me gjithë dëmin moral që krijuan njerëz te vegjël me smirë dhe xhelozi. Gjatë bisedës me të na bëri përshtypje një fakt tjetër. Nuk pranon elozhe, komplimente por shton se e ndihmoj më atë dhe stafin e tij nqs i them në sy atë ku calon puna e tyre.

I them që janë nga më të mirët por ai nuk e pranon.

– Ka edhe të tjerë, nuk jemi vetëm ne në Llixha.Nuk jemi të rënë nga qielli.Kemi edhe ne kusuret tona. Isha nisur me mendimin t’a falenderoja por fjalët e tij nuk lane hapësirën e duhur.

Për ne.befasi ishte edhe guzhina, ku vec tavës tradicionale elbasanase, provuam shumllojshmëri gatimesh të trevës. Të gjitha të shijshme dhe me prodhime vendi. Ishte dëshira e gjithë frkuentuesve të ujrave termale të testonin prodhimet vendase jo vetëm i gatesës nëpër hotele por e jashtë ambienteve të tyre. Dëshmi për këtë ishte tregu i perimeve nëse mund ta quajmë kështu pasi shitej kudo në cdo rrugë që të lidhte me hotetet.Gjeje rrushin e bardhë dhe të zi, fikun, mollën, arrën dhe cdo gjë tjetër që prodhohej në zonën e Lixhave. Nuk mungonte as era e misrit të pjekur, që të ngacmonte nuhatjen dhe nuk mund të rrije pa e provuar atë. Fatkeqësisht mungon një informacion dhe guide për kulinarinë e zones. Një obsion i harruar për zhvillimin e turizmit në këtë zone.

Në hotel banjot bëheshin nën kontrollin e mjekut ndërsa shërbimi shëndetsor nuk mungonte për 24 orë. Gjithcka brenda standarteve shendetsore. Vec ndjeje keqardhje për atë që po ju tregojmë tani. Jo shume larg këtij hoteli ndodhet edhe përroi ku ende ekziston një burim ujrash termale si relike e kohës së diktaturës. Një cadër e ngritur aty ofron shërbimi për njerëz të varfër. Mungojnë si kushtet sanitare ashtu edhe ato higjenike. Për mjek a infermier as që bëhet fjale.Qendrimi dhjetë minuta ne ujrat termale kushton më pak se njeqind lekë të reja. Vijne ata që nuk kanë mundesi të qëndrojnë në hotele.Nuk kanë pretendime për kushtet. I afrohemi një gruaje.

– Përse vini këtu?

– Ku të shkoj? Atje – tregon me kokë – nje hotel- s’ma mbam xhepi. Vij cdo dite nga Elbasani me urban, dymijë lekë të vjetra vajtje ardhje. Vij këtu kur më mbetet ndonjë lekë. Më dhembin këmbët, e kur përdor llixhat, ndihem më mire. Na u kujtua dhe gjesti i Todi Pukës, pronarit të hotel ‘Puka”. Hera herës sheh njerëz qe nuk kanë mundësi ekonomike por gjejne përkrahjen e tij, duke qëndruar falas në hotel.Por këtë fat nuk e kanë të gjithë. Le të kthehemi përsëri në bisedën me gruan në pellgun e mbetur nga llixhat e kohës së diktaturës.

– Nuk ke frikë, këtu ska as doctor?

– Si ta ketë shkruajtur Zoti, kur kujtoj sa më dhembin kockat i harroj te gjitha. Për të ardhur keq që në mes investimesh kaq serioze e të domosdoshme ende gjenden gjurmë – deshmi të së kaluarës.që dhembin, Përroi mbetet edhe një burim papastertie, dhe vend ku derdhen mbeturinat që bëhen burim epidemie gjatë verës. Është e vertetë që ekziston një rrugë e shtruar buzë përroit nga qendra deri në hotelin e vjetër “Nosi”, por është po aq e vërtetë frika ekzistuese e pushuesve nga mbeturinat, papastërtitë dhe era mbytëse e ndonjë kafshe të ngordhur. Mbrëmjeve mungesa e dritave e bën të pamundur qarkullimin në këtë segment. Në qendër ka edhe nje treg i lënë ne mëshirë te fatit. Megjithëse pronarët përpiqen të shërbejnë për pushuesit në mënyrë te kulturuar, paguajnë taksat, kujdesi i Bashkisë e anashkalon dhe le ne mëshirë të fatitkujdesin ndaj tyre dhe mjedisit ku ata shërbejne. Sa here që ka shira të rrembyeshëm gjithë mbeturinat mblidhen në qendër, duke harruar që këtë perle të harruar e vizitojne jo vetem shqiptaret por edhe shtetas të huaj. Dikur kjo qendër ishte rrethuar me lulishte ku mbizotëronin lulet shumëngjyrëshe. Shkëlqente nga pastërtia. Edhe kuajt kishin mbrojtëse për të mos lëshuar mbeturinat nëpër gjithë rrugët e llixhave. Në të kundërtën gjobiteshe. Po sot? Nuk duam të shtojmë më tepër nga sa shkruam më lart. Fatkeqësi të lesh nje bukuri të tillë në ketë gjendje kur ke taksapagues të fuqishem. Po ku shkojnë taksat e tyre?! Nuk ka transparence si menaxhohen ato. Pushtetarët gjatë këtyre dekadave harrojnë që investimet duhet të fillojnë pikërisht në shërbimet e qendrave kurative.Përmirësimi i rrugëve shihet si alternativa më e mire për pushuesit. Pronarët e hoteleve shpesh here janë të detyruar me shpenzimet e tyre të shtrojnë rrugët që lidhëse me rrugën kryesore megjithëse janë taksapaguesit më të mëdhenj. Gjithcka i êshtë lënë spontanitetit. Nuk ka një guide turistike për këtë perle vetëm dhjetë kilometra larg Elbasanit dhe më pak se një orë e gjysëm larg Tiranës. LLixhat te vendosura në qendër te afro tre mijë hektarëve të gjelberuar janë interesante per florën dhe faunën që e rrethojnë. Aq më tepër kushtet aktuale te qendrës dhe zonës rreth tyre lenë shumë për të dëshiruar, dhe një shijë jo të mire për frekuentuesit e huaj të ujrave terminale. Për më tepër pasi Llixhat janë i vetmi vend ku mblidhen shqiptarë nga të gjitha trevat. Mjafton të shikosh targat e makinave në parkimin e hotel “Puka” të bindesh për këtë. Makina nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Danimarka, Zvicra, Gjermania, Greqia, flasin për origjinën e frekuentuesve. Gani Mulliqi nga Vushtrica e Kosovës ka ardhur me nënën e vet.

– Ka edhe vende të tjera, por nana këtu ndihet mire. Është viti i gjashtë që vijmë dhe ndihemi si në shtëpinë tone. Ka edhe autobuz për në Prishtinë.

Të njëjtën gjë na thotë edhe Raufi, një shqiptar që jeton në Filandë.

– Verën e kalojmë në shtëpinë tone në Gostivar,, por nuk harrojmë të planifikojmë një dhjetë ditor këtu në Llixhat e Elbasanit. Është bukur, gjelbërim, por dëshironim që të ishte kështu edhe jashtë hotelit….. Qëndron pak dhe shton: – Nejse, jemi mirë është shumë bukur. Një bashkim të tillë shqiptarësh e gjen vetëm në LLixhat e Elbasanit….

Mbrëmja zbret ngadalë dhe bashkë me të edhe freskia aq e dëshiruar pas një dite të nxehtë. Dritat dhe zbukurimet e gjithe hoteleve krijojnë një bukuri të vërtetë magjepse. Sheshi para hotelit është mbushur plot. Njerëz të njohur dhe të panjohur përshëndeten, bëjnë foto së bashku, shkëmbejnë adresat, numurat e telefonave, dhe presin ritualin e përnatshëm, këngët dhe valletnga gjithë trevat shqiptare. Disa prej tyre largohen dhe të tjere janë të mirëpritur ditën e nesërme.

– Na mungojnë shqiptarët e Malit të Zi. Nuk di cfarë ndodh, mungese informacioni, e ndonje guide, por jam shume i bindur që edhe ata do të jenë një ditë këtu – shton Noldi administrator i hotelit duke tërhequr Ganiun në vallen e Rugovës. Ndërsa jane caste të gëzueshme na tërhoqi vëmendjen ndihmes mjeku Durim Vrapi. E dalluam nga bluza e bardhë. U ndal në tavolinën përballë nesh. Veshi na kapi copëza të shkëputura bisede me një të moshuar. Nje natë më parë ka shpenzuar orë të tëra pranë saj dhe kujdesi nuk mungon as aty ku njerëzit argëtohen. Mbi të gjitha shqiptarët njohin njeri tjetrin, shkëmbejne përvojën e njeri tjetrit dhe të gjithë mendojnë; Sa e madhe është Shqipëria/ Oh sa mire me ken shqyptar.. Dhe te gjitha këto I gjen ne Llixhat e Elbasanit, një perlë e mrekullueshme në afërsi të Elbasanit. Qendra curative me ujra termale, me një klimë ku rrallë temperaturat zbresin ne minus, është bërë tërheqëse për gjithë shqiptarët dhe e harruar për pushtetarët që kujtohen vetëm të vjelin taksat e tyre.

Photo by: https://agroweb.org/…/afer…/ujerat-termale-elbasanit/

Filed Under: Ekonomi

Patriotët Adrian Kostaqi dhe Vilgert Kosova vizituan Vatrën

October 18, 2023 by s p

Dielli/

New York, 17 Tetor 2023 – Patriotët Adrian Kostaqi dhe Vilgert Kosova vizituan Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA. Të shoqëruar nga vatranët veprimtarë të çështjes kombëtare z.Anton Raja dhe z.Kujtim Funiqi, miqtë u njohën nëpërmjet Editorit të Diellit rreth historisë së themelimit të Federatës Vatra, gazetës Dielli, historisë së emigracionit politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe marrëdhëniet shekullore shqiptaro-amerikane nën udhëheqjen dhe rolin e padiskutueshëm të Federatës Vatra. Miqtë Kostaqi e Kosova, shprehën respekt dhe vlerësim për historinë dhe punën e jashtëzakonshme të Vatrës dhe apeluan që çdo shqiptaro-amerikan duhet ta mbështesë e përkrahë Vatrën në misionin e saj patriotik, kulturor dhe komunitar. “Shqipëria dhe Kosova si shtete duhet të angazhohen fuqishëm në përkrahje të Vatrës. Historia e kombit tonë është pashmangshmërisht e lidhur me Vatrën. Vetëm nëpërmjet vëllazërisë, bashkëpunimit dhe unifikimit do të ecim përpara si shoqëri, shtete e komb” tha ndër të tjera z.Adrian Kostaqi.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 84
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • …
  • 226
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT