• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

COPRA NGA GJYQI… I PA MBARUAR

April 15, 2018 by dgreca

1 Rruget e Ferritnga libri “Rrugët e Ferrit” i Visar Zhitit/1 Visar  Në 14 dhe 15 prill të vitit 1980 në qytetin e Kukësit u bë gjyqi i hapur ndaj poetit Visar Zhiti, atëhere mësues në një fshat të largët. Dënohej për fjalën e lirë, për poezitë e tij me burg dhe me heqjen e së drejtës elektorale, të botimit dhe profesionit.     

      Eshtë një gjyq që duket sikur kërkon të vazhdojë me forma të tjera, me po atë akuzë e gjuhë, nga segmente të caktuara “të veglave të mbetura të diktaturës së dikurshme”.

      Një ndjesi e tillë mbartet në burgologjitë “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë” të shkrimtarit Visar Zhit, libra të rëndësishëm, monumentaltë, ku tregohet me forcé për burgjet e Spaçit e të Qafë-Barit.

      Po sjellim një pjezës në shërbim të kujtesës kolektive, si dëshmi por dhe që të ndërgjegjësojmë për të mos qenë indiferente dhe të sprapsim sulmet kundër fjalës së lirë, që na thotë të vërtetën.

      *   *   *

I lidhur me pranga, mes dy policëve të armatosur, po prisja në bankën e të akuzuarit, në krye, por anash, në sallën e madhe, bosh të gjyqit. E dija ku më kishin sjellë, në gjykatën e re, në qendër të qytetit. Ngrehinë gri, vazhdimisht e ftohtë si nën erëra. Isha endur rrugëve ndanë saj, ku kalimtarët rralloheshin ose nxitonin t’i largoheshin si të yshtur nga një e keqe. S’kisha ndjekur ndonjëherë ndonjë gjyq, s’i duroja dot dënimet.

I hapur apo i mbyllur do të jetë gjyqi im? Unë kisha thënë: më mirë të hapur. I hapur, sigurisht, tundi kryet hetuesi. Duhej ta shihnin si goditej armiku. Në vendin e lartë kryesor, sipër tryezave me cohë të kuqe të trupit gjykues, që ende s’kishte ardhur, pashë parullat e tmerrshme për luftën e klasave dhe për dënime të pamëshirshme ndaj armikut të brendshëm. Citatet pushtonin tërësisht ballinën, me emrin e Enver Hoxhës poshtë, shkruar me të kuqe, kurse fjala “armik” sterronte, me shkronja të zeza pisë kudo.

…Ku isha unë? I asgjëkundshëm, buzë një lumi të tretë, as Drini i Bardhë dhe as i Zi, pa realitet. Sepse po dënohesh.

Poshtë mbytej Kukësi i Vjetër prej ujërave të liqenit të hidrocentralit, që i kishin dhënë emrin “Drita e Partisë”. Veç mbi mbytje ngrihej Partia. A ta them këtë në gjyq? Edhe Kukësi i Ri po mbytej. Nën diktaturë si… Po mbytesha unë. Përmbyteshim nga një llum tmerri.

…Njëri nga policët e mi u ndërrua me një tjetër, të cilit i dha armën automatike, që, pasi u ul bri meje, e vuri midis gjunjëve ashtu si polici në anën përkarshi. Ngjanin si të ishin pasqyrime dhe unë mes tyre, ujë.

Dy armë për mua…

…Një rrapëllimë, si një sulm, revolucion province, më solli në vete. Qenë hapur dyert në fund të sallës së gjyqit, jo andej nga u futëm ne, dhe po vërshonin njerëz, me zhurmë, shtyheshin, sa më afër kreut, mundësisht. Kishte nga ata që seç tundnin në duar, ftesat me sa duket, dhe mëtonin për vende më të mira në spektaklin e zi. Pra s’kishte asnjë rebelim, protestë. As kryengritje. Të gjitha këto populli im i kishte harruar, i përkisnin një lloji tjetër arkeologjie.

Ndjeva dallgë. Radhët dallgë-dallgë po mbusheshin me fytyra, të dëshpërimit të gëzueshëm.

– S’lejohet të shohësh nga salla, – më urdhëroi polici…

– Se mos ka ardhur ndonjë nga familjarët e mi. Si e ka rregulli, lajmërohen?

– Afishohen datat e gjyqeve në korridorin e gjykatës.

– Po sa është data sot? – u interesova befas.

– 14 prill.

(- Pranverë tamam.)

– Të gjyqeve politike, jo, nuk lajmërohen, – ndërhyri polici tjetër.

– Pse politikan është, kaq i ri? – u ngurtësua polici që s’dinte gjë ç’isha unë.

Njerëzit zhurmonin si në kinema, sikur do të kishte shfaqje estrade. Kulmi, filloi dhe loja. Një të marri, çdo qytet ka lolon e vet, të cilin e ngacmojnë të gjithë, të kënaqur që s’janë si ai, por më keq, ia rrëmbyen kapelën nga koka dhe ia hidhnin sa nga njëri tek tjetri, nga skaji këtej i sallës në skajin andej, dhe ai kërcente mbi karriget tutje-tëhu. Rendte. Donte kapelën e tij fluturake. Kur i qëlloi të turrej jo shumë larg nga podiumi i vogël me parmakë si ballkon, ku rrinim unë me policët e mi anash, ndali dhe më pa me sytë e sëmurë. Uli kokën dhe s’e kërkoi më kapelën. Siç duket, e kuptoi, ka raste kur kapela është një turp. Dhe jo vetëm ajo.

…midis rreshtave, në rruginat e vogla, kishin shtuar karrige, kurse nga fundi rrinin dhe më këmbë. Ja, një grup i pikëlluar fëmijësh, nxënës të mi. Kokulur, të urtë. Mbase besonin se makina qethëse e shtetit i kishte ngulur dhëmbëzat e vet edhe te mendimet e mia, te metaforat, idetë, i kishte bërë zero dhe trutë. Njëri nga ata ngriti kokën për të më parë, a isha i tëri, a i kisha të gjitha gjymtyrët, a kuptoja dhe, kur i shkela syrin, aq shumë u çmerit, sa filloi të lajmëronte dhe të tjerët, duke i shkundur, seç u thoshte dhe ata sikur shkrinin nga një ankth. “Ngri-shkri” është dhe një lojë, më duket.

…Përtej kolegët e mi, tepër festivë, si në piknik, si në oborr të shkollës.

– Çohu! – dëgjova të më urdhëronte njëri nga policët. Ata, bashkë me gjithë njerëzit në sallë, qenë ngritur në këmbë. Zhurmat e fundit ranë si suva muresh, si korniza nga një tërmet i pritshëm. Po hynte trupi gjykues…    Gjykatësi, i akullt i tëri, i mësuar me mynxyra, pasi bëri shenjë të uleshim të gjithë, u kthye nga unë dhe më duket se pyeti në isha dakord të më gjykonin ata:

– Mërgim Dragushi, gjyqtar, me Hamit Dungën dhe Ymer Bashën, ndihmësgjyqtarë?

– Po. Njëlloj është për mua, nuk ju njoh, – thashë.

– Mos rri ashtu, – më urdhëroi polici me zë të ulët. S’duhej të dukesha krenar.

– Ke të drejtën e fjalës, – më tha gjykatësi me zë të lartë, por që s’ishte dot i lartë, dhe salla duhej të mbante qetësi, nëse do të donin të dëgjonin. – Ke të drejtën e mbrojtjes, – po vazhdonte ai dhe mund të mbaja shënime, por s’duhej të bërtisja, as të shaja. Ndryshe gjyqi zhvillohej edhe pa praninë time…

S’e di a iu dha fjala prokurorit apo vetë e dinte radhën, ai u ngrit më këmbë, atje pas tryezës së tij të vogël, në anë të trinisë së përbindshme gjykuese, ballë për ballë me mua. Ashtu trupmadh, pa shprehje në fytyrë, si i zbrazur nga fryma, me flokë të shkurtër, por të hirtë e të butë, të shtrirë përpara si të xhelatëve klasikë, po ai xhup i trashë me kafshë te jaka si e mbërthyer e gjallë, nisi të lexonte, keq, shumë keq, me gabime të trasha ortoepike, akuzën, kopjen e zbehtë të së cilës unë e mbaja mbi gjunjët që më dridheshin. Përgatitur nga Nexhat Selimi, kryexhevapnxjerrësi me hu i oborrit të Enver Pashait. Ishte po ajo, autopsia a aktekspertiza e dy (sh)krimtarëve, sozitë e të cilëve, gjoja si punëtorë a ndihmësgjyqtarë, i shihja aty, në krye.

…Po dëgjoja të flitej për poezinë, pra gjendja duhej të zbutej, të çdramatizohej disi, por ajo u bë më absurde, sharëse dhe e egër. Kisha shkruar me qëllim të keq politik, nxija realitetin, isha hermetik, dekadent, pesimist, doja të çoroditja mendjet e njerëzve, që Partia i kthjellon. Shikoni deri ku arrin, kërkoja diell të dytë, a është parë e dëgjuar kjo? Kisha dalë kundër Partisë, herë hapur dhe herë s’guxoja, nga frika e popullit, por fshihesha pas… metagaforeve armiqësore, edhe kundër udhëheqësit të lavdishëm me poezinë “Sfinksi” etj., kundër klasës punëtore që ky armik te poezia “Lustraxhinjtë” shkruan se janë te këmbët, është kundër socializmit dhe realizmit socialist. Mbrojtës i klasave të përmbysura, të cilave dhe u përket, kisha bërë thirrje të hapur për kryengritje dhe për përmbysje si te poezitë… nuk dëgjoja dot më, ndërkohë sa keq lexonte prokurori, të vinte të protestoje! Ju lutem, lexojini mirë poezitë e mia, ky është tjetër dënim! Pastaj u hodh te lidhjet e mia armiqësore, me të gjallët dhe me të vdekurit, rrëmujshëm, që kur isha student, me poetin e burgosur Frederik Rreshpja, por dhe me poetin revizionist sovjetik Jevtushenko, donim dhe ta përkthenim, me priftin reaksionar dhe poetin antibolshevik, Gjergj Fishta, lidhjet e mia vazhdonin me francezin Bodler, dekadent i shpallur, kompozitorin reaksionar gjerman Wagner, me hermetikun italian Ungareti, me anglezët, dhe arrinin deri në Japoni. I shtrembëroi mizorisht të gjithë emrat. Me siguri e bënte dhe me qëllim, jo se s’ishte aq i trashë, por për të thënë se ata aq vlerë kanë për ne, s’na duhen, kemi Partinë. Dhe pa çarë kokën për homoniminë në shqip e përsëdyti emrin e poetit Takuboku, duke thënë “taketukja”…

Gjykatësi pa nga unë dhe u kthye nga salla si për të marrë lejen e popullit.

– I pandehur, e pranon Akuzën? – pyeti ftohtë.

Brenda heshtjes u vorbullua një heshtje tjetër, më e thellë, përpirëse e tëra. U ngrita më këmbë:

– Jo, nuk e pranoj, natyrisht!…

Gjyqi juaj është dhunë, duhet gjyq tjetër. Gjyq për gjyqin…

– Kalojmë me dëshmitarët, – thirri gjykatësi.

…Tani po më dridhej i gjithë trupi. Dukshëm. Nuk i mposhtja dot. S’kisha folur kurrë para kaq shumë njerëzve. Më hutonte dhe drita, dhe salla e pamatë. Ndryshe është klasa me nxënësit. Jam dhe i qethur. Ashtu i kafkët, fjalët e mia do të duken sikur nuk i përkasin më botës së të gjallëve, por thjesht një makthi të një dite gjyqi dhe aq. S’më duhej asnjë rol, përveç ai i vetes dhe i së vërtetës sime.

– Zoti gjykatës, zotërinj të pranishëm, zoti prokuror! Është vuajtje të flasësh siç jam unë i shtrënguar ta bëj.

– Ke qenë i cenuar, je prekur, i pandehur? – më pyeti gjykatësi.

– Uria, minjtë. I mbyllur… S’kishte nevojë për tortura të tjera. Mjafton dhe kërcënimi. Ënjtja, veshkat. Trysni psikologjike dhe shpirtërore, po, vazhdimisht. Por ajo që më shkatërron, është se me mua duan të sajojnë armikun, jo se e kanë zbuluar. Nuk ka asnjë provë serioze që ju të merrni kurajën të dënoni një jetë. Poezitë e mia, që dikush i quan armiqësore, së pari nuk janë të tilla, sepse nuk mundin, nuk është ky misioni, i çdo poezie qoftë, përkundrazi. Së dyti, poezitë e mia ende s’janë libër, s’kanë lexues dhe nuk i kanë bërë kurrkujt agjitacion dhe propagandë kundër Partisë dhe shtetit.

Prokurori u ngrit vrikthi më këmbë, se ç’donte të thoshte, por gjykatësi i bëri shenjë me dorë që të mos më pengonte…

Në sallë filluan mërmërimat. Prita sa mbaruan. Gjykatësi s’deshi të ma jepte fjalën prapë, por mua më duhej të thosha, e kisha vendosur:

– Me 100 lepuj nuk formohet dot një kalë, me 100 supozime nuk formohet dot një provë. Kështu thotë një proverb, – dhe nuk shtova: anglez. – Ju doni të më dënoni me supozime.

– I pandehuri, – kërceu prokurori – është kundër tufëzimit të bagëtive, e dëgjuat.

– …kundër është ky gjyq! – Më kapi një dhembje koke më keq se në qeli.

Prokurori po lexonte pjesë nga ditari im, pashë që ia zgjati hetuesi nga radhët e para të sallës, ndalte te fletët e përthyera. Ato që s’i kuptonte, i mbulonte me të thirrura. “…hapëm gropa si varre të vegjël… nxorëm patate e futëm brenda të shtunën tonë të masakruar… Një mollë hëngri Adami me Evën dhe i përzunë nga Parajsa. Përditë ha mollë të egra këtu unë (kemi mbetur pa bukë, s’ka…) dhe s’po i shpëtoj dot kësaj parajse të tmerrshme…” Flaku ditarin…

Njerëzit ishin nemitur. Dallgët e kokëve hidhnin shkëndijime sysh me habi gojësh që shuheshin pa mbërritur të gjitha tek unë.

Ndjeva se po më rrallohej ajri përreth. E kotë, thashë me zë. Pranoje hëpërhë mynxyrën ashtu siç të vjen batërdi e pandreqshme…

– Do të lypësh mëshirë, i pandehur? – pyeti gjykatësi, duke më parë më gjatë, por gjithmonë i akullt.

E kishin shumë qejf dhe mezi e prisnin rënien e kundërshtarit te këmbët, të mposhtur, që kërkon mëshirë. M’u fanit arena, e qarkuar nga pafundësia e duarve me gishtin e madh poshtë, duke e tundur në kërkim të dënimit. Por populli im s’ka duar të lira, i ka të lidhura me zinxhirë, po thosha me vete, me poezi të papërfunduara dot. Komunistët nuk e njohin mëshirën. Ata njohin veç një dorë, atë që i udhëheq drejt dhunës.

– Jam mësues, – ngrita zërin tim të lodhur, – pra, pishtar drite, – dhe heshta. (Mos duhej të shtoja “siç thotë Partia”?) (Ishte sforcimi i fundit.) – Dhe, si i tillë, – vazhdova, – kam flakën time, por edhe tymin tim… Nuk duhet ta shuajmë flakën… me gjyq. – Dhe heshta mes heshtjes së rëndë si rërë. S’kuptova ç’përshtypje bëra, por më erdhi keq për veten, m’u duk se pata shpresë për një çast.

Trinia gjykuese, duke kthyer kokët nga njëri-tjetri, i afronin, se ç’mërmëritnin duke mbuluar fjalët me pëllëmbë ose me ndonjë fletore nga të miat, që i kishin marrë për provë, nëse do të duhej t’i përdornin, vendosi të tërhiqej mënjanë.

      Gjykatësi nuk urdhëroi të m’i hiqnin prangat, por shkurt dhe thatë tha:

– Gjyqi do të vazhdojë nesër…

Vendimi

Nuk po lëvizte asgjë, veç po përsëritej si në ankth dita e djeshme, prangat, makina, salla e gjyqit, banka e të akuzuarit, trinia e inkuizicionit (Minosi, Eakusi, Radamanti, kështu quheshin? Po, po, këta janë gjyqtarët e botës së përtejme!), prokurori, policët e mi, të pranishmit në sallë, patjetër dhe i akuzuari, unë dhe jo unë, turma e nemitur, dhe nuk po e përjetoja, jo, isha përtej asaj vorbulle të vdekur, jashtë kufomës sime, shpirt, po i këqyrja të gjitha me një ftohtësi të nxehtë, pa i kuptuar pse bëheshin, për se duheshin.

Gjykatësi në këmbë po lexonte atë që lexoi prokurori dje, dhe ne në këmbë po dëgjonim. Poezia ime po më fuste frikën tani. Ajo paskësh qenë një bombë shkatërrimtare, që, mbi të gjitha, donte të hidhte në erë shtetin dhe Partinë. Po unë do të flas? Çfarë do të them apo nuk vlen asgjë? Dëgjo, dreqi e marrrtë, se janë për ty këto:

…Vepra kriminale e të pandehurit paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore, sepse drejtohet kundër shtetit të diktaturës së proletariatit.

Në masën e dënimit gjykata ka parasysh rrezikshmërinë e theksuar shoqërore të veprës kriminale, rrezikshmërinë shoqërore të vetë të pandehurit, i cila ka vazhduar për një periudhë té gjatë në rrugën kriminale me gjithë vërejtjet që i janë bërë herë pas here, ka parasysh origjinën e tij shoqërore, arsimin dhe moshën e të pandehurit.

Për këtë arsye

Gjykata duke u bazuar në nenet 249-159 të K.Pr.P.

  Vendosi

të deklarojë fajtor të pandehurin Visar Zhiti për agjitacion e propagandë kundër shtetit dhe në bazë të nenit 55/1 të K. Penal e dënon me 10 vjet heqje lirie… Vuatja e dënimit i fillon nga data që është arrestuar.

Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit… ………………………………………………………

Sekretari                    Gjyqtari

Rexhep Gashi                 Mërgim Dragusha

(Firma)                     (Firma)

Dhe vula në mes si gropë e zezë që të hedh në ferr… Nuk po e ndieja që po m’i shtrëngonin duart me pranga.

      *   *   *

 Edhe nëse prangat e diktaturës së dikurshme janë të ndryshkura, ka ende mendësira të atilla, akuza si atëhere, veprime të dhunshme dhe arrivizëm diktatorial, që arrin edhe kreun e shtetit…

Dhe vërtet, poezia mbetet përgjigjia e vetme, që edhe ajo duket si e mënjanuar dhe e nëpërkëmbur?!.

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: COPRA NGA GJYQI…, I PA MBARUAR, Visar Zhiti

ARIZONA, SIMPOZIUM MBI HISTORINE E SHQIPERISE DHE GJUHES SHQIPE

April 10, 2018 by dgreca

1kryesore arizNGA LULZIM MULLIQI/SHBA/1 KocaniKeto dite ne njeren nga ambientet e Qendres kulturore komunitare”Aviano Community Center”,nen patronatin e Shoqates Shqiptaro-Amerikane te Grave te Arizones dhe ne bashkepunim me Qendren Kulturore Shqiptaro-Amerikane”Shqipe e Arizones”,u mbajt simpoziumi shkencor,i pari i ketij lloji ne margaten shqiptare te Amerikes me temen bosht” Historia e Shqiperise dhe e gjuhes shqipe” me panelisten,lektoren,autoren dhe pedagogen universitare nga Shqiperia,Assoc.prof.Elena Kocaqi.

3 nenshkrimNe emer te Shoqates Shqiptaro-Amerikane te grave te Arizones,kete simpozium e shpalli te hapur,dr.Elonia Lasku,e cila pershendeti te gjithe pjesemarresit e pranishem,duke theksuar se ky eshte nje eveniment i rendesishem shkencor,kombetar dhe kulturor,per komunitetin shqiptar te Arizones dhe mbare margaten shqiptare te Amerikes.Me pas,ajo ftoi ne foltore pedagogen universitare,Assoc.prof,Elena Kocaqi,e cila kishte ardhur enkas nga Shqiperia per te prezantuar punimet e saja shkencore,perkitazi me te rejat e fundit te shkences shqiptare dedikuar historise se Shqiperise dhe gjuhes shqipe.4 profesoriNe kete simpozium edhe njehere u konstatua se rrenjet tona jane a qe te lashta dhe aqe te thella,ku historia,gjuha dhe kultura e jone shqiptare,eshte pertej trashegimise europiane.Dhe duket qarte gjithandej,se shkencetaret tane po punojne me seriozitetin me te madh per percaktimin e fakteve te qarta dhe te sakta,qe argumentojne autoktonine e shqiptareve,si populli me i vjeter ne mbare Gadishullin Ballkanik.Poashtu,ne kete simpozium u tha se askush nuk mundet ta mohoj dot qe “stergjysherit tane” ishin ne Gadishullin Ballkanik dhe ne Europe,perpara se vete europianet e sotem te ishin ketu.Ne vijim te kumteses se saj shkencore panelistja e ketij simpoziumi shkencor,Assoc.prof.Elena Kocaqi,theksoi se duke u mbeshtetur ne argumentet shkencore eshte vertetuar se Gadishulli Ballkanik ne veri eshte banuar nga Iliret dhe ne jug nga pellazget.Gjithashtu eshte vertetuar se edhe disa nga fiset gjermane e kane origjinen e tyre nga Iliret.Nderkaq,Iliret,Pellasget,Dardanet,Trojanet,Thrakas

sit,Muzet flisnin shqip.Lufta e Trojes ishte lufte ndermjet fiseve shqipfolese.Dardanet trojane luftuan me Mikenasit,Spartanet me Akejt,etj.Te gjithe kete flisnin nje gjuhe,gjuhen shqipe.Ne baze te burimeve historike,nuk kishte greke ne luften e Trojes.Emri grek,nuk eshte permendur kurre ne Iliaden e Homerit.Me pas Assoc.prof Elena Kocaqi,theksoi se “Gjuha Shqipe dhe alfabeti pellazg eshte baza e alfabetit te greqishtes se vjeter dhe latinishtes.Keshtu qe gjuha shqipe eshte drejtpersedrejti pasardhese e gjuhes pellasge.Gjate ketij simpoziumi kishte pyetje te shumta nga bashkeatdhetaret tane si mbi origjinen e shqiponjes ne flamurit e heroit tone kombetare “ Gjergj Kastriotit-Skenderbeut”,pastaj kishte edhe pyetje  te tjera si :Roli i Perandorise Osmane ne shtypjen e popullates shqiptare ne Ballkan.Pastaj,roli i kishes serbe dhe greke ne sllavizimin,perkatesisht greqizimin e popullates shqiptare.Keto deshmi historike jane shume te vjetera dhe datojne ne nje lashtesi te larget,keto mund  ti gjejme edhe ne pllaka guri te lashta me mbishkrime te vjetra dhe objekte te ndryshme te shkruara ne lashtesi.Nga ky simpozium u ftuan shqiptaret e mergates dhe te gjithe shqiptaret kudo qe jane,te jene gjithmone krenare per origjinen e tyre te lashte dhe autoktone ne trojet e tyre etnike.Ne pauzen e simpoziumit panelistja dhe lektorja,Assoc.prof.Elena Kocaqi,per te gjithe pjesemarresit e ketij simpoziumi shperndau gratis librin e saj shkencor me titull” ZHDUKJA E SHQIPTAREVE NGA TROJET E TYRE NE SHEKUJT XIX -XX.”Ne fund vlene te permendet se zhvillimin e ketij aktiviteti te rendesishem shkencor,kombetar dhe kulturor per Komunitetin Shqiptar te Arizones e ndihmuan aktivistet e devotshem dhe te dalluar, si ish-kryetari i ketij komuniteti,prof.dr.Arben Lasku,pastaj Adi dhe Kristina Kellici,si dhe Gerti e Zamira Qalliaj.Nderkaq,sponsore te ketij simpoziumi ishin:Nora Qorri,Merita Kraja dhe dr.Elonia Lasku.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Arizona, Histori e gjuhe shqipe, Lulzim Mulliqi, Simpozium

Pëllumb Xhufi: një intelektual i mbrujtur në Perëndim!

March 30, 2018 by dgreca

-Duket se virusi komunist është tepër rezistent e asnjë lloj kure nuk e shuan dot plotësisht/

1-ilir-harshova-600x400-300x237

NGA ILIR HASHORVA/

 Arben Putoja në librin e tij “Jetë me kujtime”, thotë:“Enver Hoxha përqafoi hap pas hapi metodat ekstreme të ideologjisë komuniste. Unë që e kam njohur personalisht …, e kam pasur gjithnjë të vështirë të konceptoj një intelektual të mbrujtur sadopak me kulturën franceze, të ndjekë verbërisht dogmat staliniste, të ndërmarrë e të zbatojë në shkallë të gjerë një politikë shtypjeje të pamëshirshme.”

Duke perifrazuar Arben Puton, mund të them për Pëllumb Xhufin: E kam shumë të vështirë të konceptoj një intelektual të mbrujtur sado pak më kulturën perëndimore, të ndjekë verbërisht dogmat enveriste dhe të t’i dale përkrah krimit komunist.

Duket se virusi komunist është tepër rezistent e asnjë lloj kure nuk e shuan dot plotësisht.

Në një bisedë që bën në emisionin e Dritan Hilës në televizion, Pëllumb Xhufi indinjohet thellësisht, sepse kampi i internimit i Tepelenës është krahasuar me kampin nazist të Aushvicit dhe është quajtur Aushvici shqiptar. Ai e shpjegon kështu, se përse nuk duhet quajtur ashtu: “sepse kazermat ku u strehuan të internuarit ishin me tulla dhe se kampi i Maliqit ishte më i tmerrshëm se ai i Tepelenës”. Thotë se e ka parë vetë atë kamp, aty nga vitet gjashtëdhjetë (i bie që të ketë qenë rreth 15 vjeç!), pasi kishte aty një shok ushtar dhe prandaj flet me baza!

Me të vërtetë është për të vënë duart në kokë me logjikën e këtij historiani (unë besoj se asnjë person i ideologjizuar nuk mund të jetë a të bëhet historia, çfarëdo shkolle të bëjë e çfarëdo kulture që të marrë), që del të paktën një herë në javë në televizion për t’u mbushur mendjen shqiptarëve për drejtësinë e politikës komuniste në Shqipëri.

Së pari, qenia me tulla e kazermave të kampit të Tepelenës nuk e ndryshon fare krahasimin që bëhet me Aushvicin, pasi edhe kapanonët e Aushvicit ishin me tulla. Së dyti, në qoftë se kampi i Maliqit ishte më i tmerrshëm se kampi i Tepelenës (megjithëse Pëllumbi nuk thotë se ç’e bënte atë kamp më të tmerrshëm), nuk do të thotë se kampi i Tepelenës nuk ishte i tmerrshëm dhe i ngjashëm me Aushvicin, pasi edhe Aushvici nuk ishte kampi më i tmerrshëm nazist, në atë kamp edhe punohej. Kampi i Treblinkës ishte më i tmerrshëm, pasi në atë kamp, ata që çoheshin, çoheshin drejt e për t’u vrarë. Duke lënë mënjanë arsyet e Xhufit, ndonëse  krahasimi i kampit komunist të Tepelenës me atë të nazist të Aushvicit mund të jetë edhe pak i ekzagjeruar, ashtu siç janë në përgjithësi krahasimet apo metaforat kur duhet theksuar diçka, krahasimi nuk është shumë larg realitetit. Kampi ka qenë vërtet i tmerrshëm dhe jashtë çdo standardi human.

Pëllumb Xhufi thotë se ka parë dokumentet e CIA-s për atë kamp, por nuk thotë se ç’thonë dokumentet e CIA-s për çështjen që ngre dhe mbron, nuk thotë nëse në të janë kryer apo jo krime dhe krim nuk është vetëm vrasja me plumb nga gardiani apo polici, apo mbytja në llucë dhe varrosja po aty, siç ka bërë komandanti i kampit të Maliqit, Stasi Markoja (vëllai i Rita Markos, anëtarit të kupolës më të lartë komuniste, i Byrosë Politike) me të internuarit e atij kampi, krim është edhe çdo gjë tjetër që u bë në atë kamp: që nga ushqimi dhe nga kushtet e jetës që bënin të vdisnin çdo ditë të rritur e çiliminj, e deri te internimi aty i njerëzve pa asnjë faj personal.

Pëllumb Xhufi thotë se në atë kamp ishin mbyllur familjarë të atyre që ishin arratisur në Jugosllavi dhe stërviteshin aty për të rrëzuar pushtetin e Enver Hoxhës. Informatat për këtë pohim, siç thotë vetë, i kishte marrë nga një shok! Në bazë të këtyre informatave prej shokut, justifikon internimin e mijëra familjarëve të të arratisurve në kampin e Tepelenës! Ndërsa për aktivitetin e shqiptarëve të arratisur mjaftohet me ato “që i ka thënë një shok”, për kampin e Tepelenës ka vajtur dhe ka parë dokumentet e CIA-s në Amerikë, që në të vërtetë nuk thonë ndonjë gjë të rëndësishme, dhe nuk ka marrë mundimin të shkojë e të pyesë asnjë të mbijetuar të atij kampi që i ka gjallë në Shqipëri, për të marrë vesh se  ç‘kishte ndodhur vërtetë në atë kamp.

Të dalësh sot përkrah krimeve të komunizmit, në një kohë që, ndonëse jo të gjitha, por edhe ato krime që janë bërë të njohura deri tashti, janë të mjafta për ta quajtur sistemin komunist jo diktatorial, por kriminal, në një kohë kur duam të futemi në Europë, sado i mbrujtur të jesh me komunizëm, është krim në vete.

Në tetor të vitit 1998, drejtësia gjermane kërkoi që Le Pen-it, Kryetar i partisë së Djathtë Franceze (Fronti Nacional) t’i hiqej imuniteti parlamentar nga Parlamenti Evropian (dhe në të vërtetë iu hoq), për t’iu nënshtruar hetimeve të drejtësisë gjermane, sepse një vit më parë kishte thënë në Gjermani: “Furrat e gazit (krematoriumet ku nazistët digjnin trupat e hebrenjve) kanë qenë vetëm  një pjesë e vogël (një detaj) i historisë së Luftës së Dytë Botërore”. Sipas ligjeve antinaziste gjermane, kjo deklaratë konsiderohej si nxitje e urrejtjes raciale dhe dënohej deri në 5 vjet burg. Ligjet antinaziste (në kuadër të denazistizimit) në Gjermani janë shumë të forta edhe sot, pas më shumë se 70 vjetësh të mundjes së nazizmit. E kush mund të kritikohet, akuzohet apo dënohet sot në Shqipëri se thotë diçka në favor të shtetit të vjetër komunist dhe të krimeve të tij?!

Mbeturinat e komunizmit në Shqipëri janë të forta si në veprime, edhe në mendësi. Ato janë të forta dhe aktive në mos pranimin e krimit komunist apo në justifikimin e tij dhe krejt të ngjashme me veprimet dhe me mendësitë naziste.

Oto Olendorfi, komandanti i divizionit vrasës nazist D, baba i pesë fëmijëve, njeri i arsimuar mirë, kur u pyet në Gjyqin e Nurembergut për vrasjet, shpjegoi se ato ishin kryer për vetëmbrojtje. Kur iu tha në gjyq se kishte qenë Gjermania ajo që kishte sulmuar fqinjët, ai tha se Gjermania e dinte se fqinjët ndonjë ditë do ta sulmonin dhe prandaj ajo i sulmoi e para. Kur pastaj u pyet se përse u vranë të gjithë hebrenjtë, ai u përgjigj se hebrenjtë ishin në favor të bolshevikëve dhe, prandaj, duheshin eliminuar edhe ata. Dhe kur u pyet më në fund se përse u vranë mijëra fëmijë, ai tha se ata do të rriteshin dhe kur të merrnin vesh se ne kishim eliminuar prindërit e tyre, do të bëheshin armiqtë tanë. “Ne po punonim për një siguri afatgjatë, prandaj na duhej t’i vritnim edhe ata” – tha Olendorfi. Oto Olendorfi u dënua me vdekje dhe u var në burgun Landsberg në Bavari më 8 korrik të vitit 1951.

Në librin e tyre “Mëngjesi i magjistarëve”, Luis Povels  (Louis Pauwels) dhe Jacques Berzhier (Zhak Bergier),  thonë kështu për ato që panë dhe dëgjuan në Gjyqin e Nurembergut:

“Disa seksione të Gjyqit të Nurembergut ishin pa kuptim. Gjykatësit nuk mundnin të krijonin asnjë lloj komunikimi me ata që ishin përgjegjës… Përballeshin dy botë të ndryshme që nuk mund të komunikonin. Ishte njëlloj si të gjykoje krijesa nga Marsi me standardet e qytetërimit nga toka… Një qytetërim krejtësisht i ndryshëm ishte krijuar në Gjermani në harkun e pak viteve dhe bota as që e kishte kuptuar se ç’ndodhte. Nismëtarët e atij qytetërimi nuk kishin asnjë ngjashmëri intelektuale, morale apo shpirtërore me ne… përveçse ngjashmërisë së jashtme.” Po kështu u krijua një qytetërim anormal edhe në Shqipëri gjatë komunizmit, qytetërim që vazhdon të mbijetojë edhe sot në mbeturinat e atij regjimi dhe, po kështu, ai qytetërim është krejt i ndryshëm dhe i pakuptueshëm për qytetërimin normal e human.

Dhe, për ta mbyllur këtë shkrim për justifikimet komuniste dhe kriminale të Pëllumb Xhufit, po citoj përsëri një pjesë nga libri i Arben Putos, edhe ky komunist dogmatik si Pëllumb Xhufi, por që nga fund i jetës i thirri pak mendjes dhe i pa më qartë punët e komunizmit: Ai shkruan:

“E kam përmendur vetë, por edhe im atë, Qazua, e ka shkruar në kujtimet se ka qenë simpatizant i Fan Nolit. Në kohën e qeverisë s tij, ai u emërua sekretar i Prefektures së Gjirokastrës. Pas rikthimit të Zogut, nuk qenë të paktë ata që u goditën edhe në nivel të qeverisjes lokale. Më 1925, ai u internua dy here: një here në Krujë dhe një here në ishullin e Sazanit. Por familjen e tij, ne fëmijët, nuk na preku njeri.”

E shani Zogun, e quani kriminel, e quani satrap, por nuk kuptoni sa larg jeni prej tij!

Vërtet, mirë me baballarët që qenkan arratisur në Jugosllavi si armiq aktivë të komunizmit e që, po t’i kapnin, justifikohej dënimi, po me pleqtë, gratë, nënat e fëmijët ç’patën që i internuan dhe vranë rreth 300 prej tyre? Dhe internimet nuk ndodhën vetëm atëherë, ato vazhduan pa ndërprerje, deri sa dha shpirt ai regjim kriminal. Dhe justifikimi është po ai që jep Olendorfi për krimin nazist: pasardhësit e armiqve tanë, kur të rriteshin, do të bëheshin edhe ata armiq e, prandaj, duhej të eliminoheshin që në atë kohë!

Le të shpresojmë se një ditë, ashtu si Arben Putos, do t’i vijnë mend edhe Pëllumb Xhufit dhe do të flasë më realisht për komunizmin dhe krimet e tij. Por edhe në mos i ardhshin mend, edhe në mos foltë, edhe në vazhdoftë kështu, vendi nuk humbet ndonjë gjë të madhe nga ky e nga njerëz si ky. E vërteta po del çdo ditë në shesh. Komunizmi ishte sinonimi i krimit e kush e mohon këtë, është vetë kriminel.

 

Nju Jork, mars, 2018                                     Ilir Hashorva

Filed Under: Emigracion Tagged With: Ilir Hashorve, Kampi i Tepelenes, pellumb xhufi

VIZITE TEK ZOTI AGIM KARAGJOZI

March 19, 2018 by dgreca

Kryetari i Vatres z. Dritan Mishto vizitoi Presidentin e Nderit te Vatrs, z. Agim Karagjozi/

1 Karagjozi

Kryetari i Federatës Panshqiptare Vatra Dritan Mishto,i shoqëruar nga zv/kryetari Agim Rexhaj dhe anetari  i Kryesisë, arkëtar i Vatrës, Marjan Cubi, vizituan ish kryetarin e Vatrës, President Nderi I saj, z. Agim Karagjozi, i cili gjendet në rehabilitim mjekësor.

Gjatë takimit përfaqësuesit e Vatrës shprehën gëzimin që z.Agim Karagjozi vazhdonte të ishte mirë dhe në përmirësim shëndetsor. Ata biseduan përzemërsisht rreth aktivitetit të sotëm të Vatrës dhe ndër vite, duke rikujtuar edhe respektin e madh që figura të kombit si Presidenti Rugova, etj kishin dhe kanë për z.Agim Karagjozi.

I pranishëm në takim, z.Zydi Karagjozi, i cili është anëtar i Këshillit Drejtues të Vatrës, falenderoi vizitorët për respektin dhe interesimin e treguar vazhdimisht për ish Kryetarin e Vatrës , për dy dekada, z.Agim Karagjozi.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Agim Karagjozin, Kryetari Mishto, vizite

KREJT JETËN NË SHËRBIM TË FJALËS SHQIPE

March 19, 2018 by dgreca

Portrete mërgimtarësh të suksesshëm/

imri

Nga Sabit Abdyli/

Imri Trena që nga vendosja e tij në Norvegji nuk reshti së punuari në shërbim të të ardhurve shqiptarë në Norvegji në vitin 1999. Që në ditët e para organizoi brenda kampeve shkollën dhe manifestime kulturore më fëmijët që kishin përjetuar trauma nga ushtria e policia gjakatare serbe që i nxori me plumba e zjarr nga shtëpitë e tokat denbabaden të tyre. Nuk reshti së angazhuari me gjithë qenien e tij për t’ju lehtësuar dhembjen e dhënë shpresa fëmijëve se nuk jemi të humbur, por edhe në këto kushte do mësojmë germat, këngët e gjithçka tjetër të nisur në tokën nënë. Me rastin e festave kombëtare përgatiti programe kulturore. Ndërkohë hapi edhe klasë mësimi të gjuhës shqipe. Imri Trena i lindur në fshatin Begracë, komuna e Kaçanikut, agronom me profesion, i cili kishte punuar edhe si mësues vazhdoi duke zgjeruar aktivitetin e tij në ruajtjen e gjuhës e traditave shqiptare. Hapi një radio ku nga studio e saj përhapi në etër fjalën e muzikën shqipe, informoi për situatën në tokat shqiptare, mblodhi rreth radios gjithë shqiptarët anë e kënd botës, foli me ta, u dha mikrofonin në dorë të shprehin dhembjet e gëzimet, kujtojnë e gjejnë të afërmit që lufta i kish përplasur edhe përtej oqeaneve, u dha në dorë mikrofonin talenteve të fjalës së shkruar, këngës, humorit, rapsodëve, duke i bërë kështu me emër përmes valëve të radios së tij. Imriu kur nuk është në studio të radios, është me nxënësit, kur nuk është në shkollë, është me ndonjë aktivitet kulturor, gjithmonë në punë dhe pak orët që i mbeten shkruan poezi, tekste këngësh etj. Kudo i suksesshëm. I suksesshëm edhe për faktin se ka ndihmesën e bashkëshortes, djemve e vajzës. Ka mbi 20 vepra të botuara. Radioja kryeredaktor i së cilës është Imriu dëgjohet gjithandej botës. Me punë e program 100% shqip ka një armatë të tërë dëgjuesish të të gjitha moshave, gjinive e rajoneve. Argëton e informon, interviston njerëz të kulturës, këngës, sportit e artit, organizon në radio konkurse të diturisë nga fusha e dijes etj. Gjithmonë me mesazhe të shëndosha e në frymën kristal shqip.

Filed Under: Emigracion Tagged With: KREJT JETËN NË SHËRBIM, Sabit Abdyli, TË FJALËS SHQIPE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 129
  • 130
  • 131
  • 132
  • 133
  • …
  • 183
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT