• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Day of the Open Embassies-Gazmend Freitag

May 13, 2017 by dgreca

„Baresha” and “Die Braut von Mitrovica” – the work of the Albanian painter Gazmend Freitag in the Albanian Embassy in Vienna/

DAY OF THE OPEN EMBASSIESDay of the Open Embassies / Art Exhibit/ May 19th, 2017. 11 AM/The Day of the Open Embassies provides the opportunity to visit the Albanian Embassy in Vienna and admire the work of the Albanian painter Gazmend Freitag. Rooted in the tradition of the European impressionists, the forty-eight year old artist prefers oil paintings, drawings and book illustrations. He is well known for his soulful interpretation of Albanian motives, which he captures in portraits, landscapes and nude drawings. Some of them will be on view, such as the lovely “Baresha” or “The Eagle”, both of them paintings in oil. As well to be admired are the graphic portrait of  Pjetër Bogdani and  Dr. Marianne Graf, President of the Albanian- Partnership Board, as well as the drawing of „Die Braut von Mitrovica“. All three have been published in various media. It is the third exhibit of Gazmend Freitag’s work in the Albanian Embassy.

Shown as well are paintings by Iliriana Ajeti and Photographs by Gjergj Mazi. The exhibition is open to the public until the end of May .

Registration is required for a guided tour. Please contact us at: tel:  01/4000 04.       

e-mail: post@bv04.wien.gv.at. A valid identity card or passport are rquired.

Embassy of Albania, Vienna

Prinz-Eugen-Straße 18

1040 Vienna | AUSTRIA

Filed Under: Emigracion Tagged With: Art Exhibit, Day of the Open Embassies, Gazmend Freitag, Vienna

INA TOSKA-NJË HISTORI QË MË DHA RRAHJE TË FORTA ZEMRE DHE LOT NË SY

May 12, 2017 by dgreca

1 Ina portret ok Historia qe po përcjell sot do të mbetet e paharruar për mua. Më ka bërë që zemra të më rrahë fort, të  më dalin lot dhimbje dhe gëzimi!/1 Ina ekspoz1 Mesazhi Ina

Ina Toska  dhe pasioni për të sjellë dinamikën e jetës nëpërmjet fotografisë. ‘’Fotot e saj tregojnë  shumë’’. Ato janë një apel  për shoqërinë Shqiptare, të ndërgjegjësohet dhe te drejtojë sytë e mëndjes  tek fëmijët me  probleme  shëndeti, sepse  kur u jepet dashuri dhe kujdes, ata munden  të  ecin me vullnet, të  realizohen si profesionistë dhe vajza të mira, por mbi të gjitha janë  aktive  dhe  prekin  suksesin!

Nga Dr. Liliana PERE-TIRANE/

 Instinkti ynë bazë nuk është të mbijetuarit, por familja-Fëmijët në një shoqëri të integruar. Shumica nga ne do të jepnin jetën për një anëtar të familjes, pa diskutuar fare që  prioriteti ynë më i madh janë fëmijët.”Njerëzimi, u ka borxh fëmijëve gjërat më të mira që ai mund t’iu ofrojë”- Thuhet -Në hyrjen e deklaratës që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, shpalli më 20 nëntor, 1959 “Deklarta  për të Drejtat e Fëmijës”.Por sa bëjmë  ne  dhe  Shoqëria jonë për fëmijët ?Secili bën një  psikoanalizë në  raport me të  drejta-detyrimet –  dhe reflektimet në  tribu-në e tij familjare. Më tej shikon me lupë rfleksionet ne cdo strukturë  të  shtetit dhe shoqërisë deri në pushtetet  e mëdha.Në cdo  shoqëri,  kategoria më e ndjeshme janë fëmijët dhe të moshuarit, (sigurisht përfshihen dhe qytetarët) .Qytetarët intelektualë  janë  pjesa më  koshiente se si duhet të  reagojnë  në  raport me fenomenet e ditës, qëndrimin e ngujuar të opozitës. Apo analiza pseudoanalistësh që me fantazitë e tyre  kanë  mbushur televizionet dhe kanë trullosur njerëzit.Mendoj se këto qëndrime shkaktojnë një disekuilibër, një reaksion negativ  kombëtar dhe ndërkombëtar  prekin interesat e të  gjithë Shqiptarëve, mos kryerjen e reformave të detyrueshme për një shtet të fortë, të drejtë  dhe dëmtimin e imazhit të Kombit..

Le të  mos i bëjmë traumatike proceset dhe reformat integruese por  t’i   kalojmë me qetësi maturi, dhe mirekuptim të  vonuar,  dhe të  mos i mundojmë shtresat e dobëta,  me kriza artificiale  pushtetarësh.Për  të qëne nje individ i forte dhe i shëndetshem domosdoshmërisht duhet te kesh akses në shërbimet shëndetësore që do të thotë përdorimi në kohën e duhur të shërbimeve shëndetësore personale për të pasur një shëndet të mirë.Aksesi i kufizuar në kujdesin shëndetësor ndikon te aftësia e fëmijëve për të arritur potencialin e plotë të tyre duke ndikuar direct në cilësinë e jetës së tyre.Pavarësisht përmirësimeve që vërehen në vitet e fundit, mungesa e aksesit nga shtresat e dobeta që janë më vulnerabël, informacioni i paplotë mbi përfitimet e mbulimit nga sigurimet shëndetësore, dhe pagesat me lekë në dorë vazhdojnë të ngelen një shqetësim.Ndjej se duhet të përmënd -Familjet e varfra ne zonat e thella rurale, qofte  dhe  nëper qendra të Rajoneve, të cilat nuk janë në dijeni të marrjes së shërbimit dhe përjashtimit nga pagesat e sigurimeve shëndetësore.Ata  detyrohen të paguajnë shuma të konsiderueshme direkt në marrjen e shërbimit ose heqin dorë nga një trajtim që nevojitet së tepërmi. Eshte per të ardhur keq shumë  keq. Shpresoj shumë qe te rregullohet ky aksesim  i  nevojshem dhe jetik  në te ardhmen.Ne gratë duhet te advokojme fuqishëm për nje akses te fuqishëm në kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen financiar të atyre që janë më vulnerabël dhe që kanë më shumë nevojë për kujdes shëndetësor por nuk mund ta paguajnë atë, sidomos femijet, jeta jone.Nuk është e drejtë vetëm në parim por është e drejtë edhe në praktikë.Të fokusohesh  në realizimin  e te drejtave eshte realizim efikas për kostot që çojnë  në rritje ekonomike të qëndrueshme për një kohë të gjatë për të arritur objektivat per të  ndërtuar nje individ te forte, shoqëri të  civilizuar dhe  shtet  të drejtë e të  integruar.

-Në hulumtimet e mia, publikimeve të  profileve  të  dhjetëra e dhjetëra gra-ve shqiptare qe jane baza e krijimit te jetes dhe emancipimi i shoqerisë  në çdo cep të botës, gra elitare që kanë  arritur majat e Shkencës. Humanizmit .  Albanologjisë.  Politikës. Artit, Letërsise, Muzikës.  Piksynimi  im ka qene te sjell zerin e tyre, nepermjet historive, te shikojmë e degjojme boten e qyteteruar, per posibilitetet qe u krijohen, dhe  të marrim modelet më  te mira me shume vlera,  ti bejme pjese të  themeleve tona.Shumë  herë edhe  jam mallëngjyer thelle, inspiruar nga forca e  këtyre grave, nga rrugëtimi shpeshherë i vështirë që kanë përjetuar gjatë  jetës, sepse mbi  gjithshka ato jane gra, nëna dhe i presin dhe shumë detyrime të  tjera për femijet dhe familjen.Statusi i tyre eshte i ndryshem ne vënde te ndryshme, por i nderuar në  luftë  me sfidat që jep natyrshëm jeta,  per të  edukuar femijë  të mirë, per nje shoqeri te shëndetshme dhe te integruarNdjehem pjesë e historisë dhe perpjekjeve të  tyre për të ndërtuar nje sistem vlerash,  si grua, si nënë dhe si profesioniste dhe forcimin e rolit te gruas.

Por  nje ndjeshmeri dhe thirrje nga brenda meje vjen historia për femijët shqiptarë me probleme shëndeti. Sa mire dhe sa gezueshem ecin ata ne jetë  kur kanë dashurinë  dhe  përkrahjen totale te familjareve te tyre dhe shoqerisë.Midis semundjes -Doktorit –Dashurise dhe Perpjekjeve – ‘’Fiton Dashuria’’  je u jepet pa limit nga te afermit familjarët e me tej. Po kaq e suksesshme është dhe historia e Inës.  Sa shumë do të  dëshiroja të kisha mundësi të ndihmoja shtresa në nevojë.

Historia e Inës – Profili/

Historia që po përcjell sot do të mbetet e paharruar për mua. Më ka bërë që zemra të më rrahë fort, të  më dalin lot dhimbje dhe gëzimi!

Është historia e  një vajze të re që nuk u përkul kurrë para fatkeqësive të jetës, nuk pranoi asnjëherë të trajtohej si “e veçantë”, si dikush që s’mund të jetë e barabartë me të tjerët. Me vullnetin e saj të pashoq tregoi se mund të arrish gjithçka dëshiron në se lufton fort, pa u ndalur dhe më shumë se të tjerët. Kjo është historia e mrekullueshme e Inës, histori suksesi, shpengimi, lufte të përditshme… një histori që radhitet me merita të plota së bashku me ato të grave elitare.

Ina Toska lindi në qytetin e Fierit në një mëngjes të bukur korriku të vitit 1988. Ishte fëmija i parë që erdhi në jetë në familjen e re Toska, dhe lumturia e prindërve të saj ishte e papërshkruar. Emrin ia zgjodhi halla e saj.

Ina ishte një vogëlushe e bukur dhe mjaft e shëndetshme, gëzimi më i madh i familjes. Ishte vetëm tre ditëshe kur kaloi sëmundjen e verdhëzës e cila i shkaktoi temperaturë të lartë. Pas një qëndrimi të gjatë në spital e shoqëruar nga mamaja e saj, kthehet në shtëpi.

Me kalimin e ditëve dhe muajve kuptohej që kishte diçka që nuk shkonte me shëndetin e saj. Ishte gati një vjeçe, nuk fliste asnjë fjalë dhe nuk rrinte dot ulur. Prindërit filluan të shqetësoheshin sepse kuptuan që Ina kishte probleme edhe me dëgjimin. Ina rritej, por hapat e parë i hodhi kur ishte tre vjeçe, në rërën e plazhit ku prindërit e çonin shpesh. Ato hapa të parë ishin të pasigurt dhe rrëzohej shpesh.

Një rol të rëndësishëm në këtë periudhë ka luajtur gjyshja e saj, nënë Vita, e cila u përkushtua me gjithë shpirt. Në këtë moshë pas një vizite mjekësore në Tiranë, mjekët u thanë prindërve se Ina kishte një sëmundje të pashërueshme, por me kalimin e viteve do të kishte përmirësime të dukshme. Vitet kalonin, Ina rritej, ecte ngadalë dhe thoshte disa fjalë të thjeshta. I ati e shëtiste shumë, e çonte në cirk, në plazh dhe e merrte me vehte edhe kur gjuante peshk.

Ina ishte një vogëlushe e dashur, e zgjuar, simpatike, paqësore dhe me një vullnet të jashtëzakonshëm. Prindërit e regjistruan në një kopësht me fëmijë të tjerë që s’kishin probleme. Atje Ina u ndje me të vërtetë shumë  mirë  dhe dita-ditës bënte përmirësime.

Prindërit e çuan edhe në Greqi ku mjekët i këshilluan përdorimin e aparatit të dëgjimit dhe të  luante vazhdimisht me lodra dhe me fëmije të ashtuquajtur “normalë”. Kur Ina ishte katër vjeçe erdhi në jetë motra e saj Kaltra e më pas, vellai Arditi.

Ajo i donte shumë e luante me ta. Në moshën shtatë vjeçare me rekomandimin  e mjekëve shqiptarë, Ina shkon sërish me të atin në Greqi. Mjekët këtë herë  ishin më shumë entuziast për të ardhmen e saj duke dhënë shpresa të mëdha se Ina do të arrinte të fliste, të dëgjonte, sigurisht pa përjashtuar ndonjë vështirësi. Asaj i pëlqente të luante me lodra dhe shpesh  me top dhe me letra me djemtë e lagjes.

Ajo gjithmonë tregohej e dashur me ta. Kur shokët e saj grindeshin, ajo mundohej t’i ndante dhe me fjalët gjysma-gjysma mundohej t’u thoshte diçka.

Gjatë viteve që shkonte në kopësht, mësoi të ushqehej vetë, të vishej, arriti të mbante lapsin dhe ngjyrat në duar me pak vështirësi. Në moshën tetë vjeçare shkon në klasë  të parë në shkollën “Naim Frashëri”. Arriti të mësojë të shkruante, të lexonte e të fliste.

U miqësua shumë me shokët e shoqet e klasës  dhe mundohej me të gjitha forcat të ecte përkrah tyre.

Mësuesja thoshte se Ina ishte shumë  e zgjuar dhe kishte vullnet të jashtëzakonshëm. Gjithësesi klasa e parë ishte shumë  e vështirë.

Atë vit prindërit hapën edhe një lokal të vogël dhe mamasë  së Inës i duhej të punonte deri vonë. Ina e priste që të bënin së bashku detyrat. Ato duhej të ishin pa gabime sepse ajo dëshironte të merrte yll ose flamur.

Nuk ishte e lehtë për të, të shkruante me stilolaps; e shtrëngonte aq shumë saqë griste dhe fletën. Por nuk u  dorëzua; filloi t’i bënte detyrat me laps në mënyrë që gabimet të mund të fshiheshin. E përsëriti dy herë klasën e parë derisa arriti ta kalonte me sukses. Në klasën e dytë ishte në të njëjtën klasë me të motrën.

Mësueset e fillores, Fotini e Jorgjia, i qëndruan gjithmonë pranë dhe bënë të pamundurën që Ina të ecte përkrah fëmijëve normalë. Pas mbarimit të fillores, prindërit menduan që tetëvjeçaren Ina ta përfundonte në një qendër të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Vlorë.

Por Ina atë ditë Vjeshte që shkoi me prindërit në këtë qendër, nuk pranoi të vazhdonte studimet aty. Ajo ndihej dhe ishte e barabartë me të tjerët!

Kështu, mbaroi nëntëvjeçaren në shkollën “Naim Frashëri”. Në të njëjtën kohë Ina shkonte me babain në Tiranë në qendrën e zhvillimit të fëmijëve duke u ushtruar me mësues të veçantë në shqiptimin e fjalëve, bënte fizioterapi dhe takime me psikolog.

Ina ishte e pandalshme, e pathyeshme; përfundoi me sukses nëntëvjeçaren dhe më pas  shkollën e mesme jo publike “Alen” ku u diplomua për mësuese.

Pas marrjes së diplomës, duke mos arritur të vazhdonte studimet e larta, filloi të aktivizohej në shumë aktivitete e qendra të ndryshme. Ina nuk kryqëzoi duart dhe të priste gjithçka nga të tjerët.

Kultivoi pasionin e saj për fotografinë dhe mënyrën e saj të veçante të komunikimit e vuri në shërbim të të tjerëve. Një vit pas përfundimit të gjimnazit, filloi të punonte si vullnetare në kopshtin nr 2 në Fier.

Ky ishte edhe momenti vendimtar i kthesës së madhe që mori jeta e saj. Në këtë kopësht ku shkoi për një vit rresht rresht, ajo ndjeu ngrohtësinë e stafit dhe të fëmijëve, e pa vehten për herë të parë të dobishme për shoqërinë.

Pas kësaj eksperience pozitive Ina u pranua si vullnetare në qendrën e fëmijëve me aftësi të kufizuara, “Jeta ime”. Gjatë punës në këtë qendër, Ina bënte fotografi të shumta të fëmijëve gjatë aktiviteteve të ndryshme.

Duke parë këtë pasion  të madh të saj për fotografinë, drejtoresha e qendrës e caktoi si fotografe zyrtare. Ajo ka realizuar fotografi të mrekullueshme të fëmijëve gjatë ditës së tyre dhe aktiviteteve të shumta.

Ka publikuar shumë nga këto fotografi në mënyrë që shoqëria civile të ndërgjegjësohet për këta fëmijë, për problemet që kanë, por mbi të gjitha për arritjet e tyre. Ina punon si vullnetare duke ndihmuar këta fëmijë, duke folur me ta, duke i shoqëruar në aktivitete të ndryshme.

Ajo i njeh shumë mirë problemet e tyre, flet me ta, u jep kurajë.

Aktualisht punon si vullnetare e fotografe në  qendrën  “Horizont” për fëmijë e të rinj me PAK, si animatore dhe fotografe pranë shoqatës “DEA”, fotografe në disa aktivitete të kopshteve e shkollave në Fier, fotografe në lëvizjet rinore të Parlamentit Rinor dhe të Bashkisë Fier në

nismën “Po, rinia mundet”, pjesëmarrëse në disa konferenca e seminare për të drejtat e PAK, e ftuar në disa emisione për promovimin  e talentit të saj, fotografinë. Në 3 dhjetor 2015, hapi ekspozitën e saj të parë me titullin shumë kuptimplotë “Mos fshi aftësitë e mia”. Me vullnetin e saj, me punën e saj, me talentin e saj, arriti të realizojë ëndrrën e saj më të madhe; të jetë e pavarur, të jetë e barabartë me të tjerët. Ja pse jam më se e bindur që një histori e tillë suksesi meriton gjithë vëmendjen tonë.

Për më shumë, ndiqni bashkëbisedimin që bëra me Inën:

Pyetje:E dashur Ina, kam parë disa nga fotografitë e realizuara prej teje dhe jam mrekulluar. Ke arritur të kapësh momente fantastike, tejet të veçanta dhe talenti yt bie në sy menjëherë. A mund të na tregosh si ka lindur ky pasion për fotografinë, për këtë art sa të bukur po aq dhe kuptimplotë?

Ina-Përgjigje : Është e vërtetë se fotografia është një art me të cilin mund të shprehen me mijëra fjalë edhe pa folur fare. Unë që ditët e para të jetës sime kam pasur probleme me komunikimin, dëgjimin, ekuilibrin. Por jeta, na kompenson me dhunti të tjera. Që e vogël, fillova të shikoja me kujdes e kërshëri çdo objekt, çdo gjë që më rrethonte, çdo lëvizje të personave që kisha përpara. Dhe çuditërisht arrija të kuptoja emocionet e momentit, domethënien e një shikimi. Për mua çdo moment i fiksuar në fotografi merrte një rëndësi të veçante.

Kur fillova të bëja fotografitë e para në qendrën për fëmijë me aftësi të kufizuara, m’u duk sikur më në fund, kisha rilindur, kisha gjetur vetveten, mënyrën time direkte  për të komunikuar me botën që shumë herë s’ka kohë të të presë, sepse është në lëvizje të vazhdueshme me një shpejtësi që jo të gjithë arrijnë t’i shkojnë pas.

Pyetje: Arrite të gjesh një mënyrë për të shprehur se ju mundeni që me anë  të fotografisë të shprehesh dinamiken e jetes me pozitivitet ? Por ti nuk je ndalur vetëm me kaq; ke mbaruar shkollën e mesme dhe je diplomuar për mësuese, ke dhënë ndihmën tënde si vullnetare në disa kopshte, shkolla dhe qendra të fëmijëve me aftësi të kufizuara… Sa e vështirë ka qenë kjo për ty dhe sa vendimtare ka qenë ndihma dhe mbështetja e familjes, e shkollës dhe shoqërisë?

Përgjigje:Nuk ka qenë e lehtë… Në klasë të parë shkova në moshën tetë vjeçare. Kisha probleme të shumta, nuk arrija të shprehesha siç duhet, kisha probleme me dëgjimin, nuk arrija të mbaja stilolapsin mirë në dorë. Për mua e rëndësishme ishte që mësuesit e shokët e shoqet e klasës të më shihnin si të barabartë me ta. Unë punoja shumë, më shumë se shokët e klasës sime që të arrija të njëjtat rezultate me ta. Kam pasur fatin të kem një familje të mrekullueshme e cila më ka mbështetur e mësuar që të mos dorëzohem; po të bija një herë, të ngrihesha sërish në këmbë. Edhe mësueset e mia kanë qenë të mrekullueshme. Dua të përmend këtu mësueset e fillores Fotini e Jorgjia, mësuesen  e klasës së pestë Egla Bare, mësuesen kujdestare të shkollës së mesme Blerta Begaj. Në vitin e parë drejtori i shkollës më dha edhe një medalje si nxënëse shembullore. Mbështetja e përditshme e tyre, durimi që kanë pasur me mua, kanë qenë vendimtare në ecurinë time.

Pyetje : Sapo mbarove shkollën e mesme fillove të kërkoje menjëherë punë. Fillimisht fillove punë si vullnetare në një kopësht. Kjo të ndihmoi edhe të bëje njohuri të reja jo vetëm me fëmije por edhe me edukatore, mësues, psikologe, duke krijuar kështu shoqërinë tënde. A të ndihmoi puna të bëheshe shembull edhe për persona të tjerë me aftësi të kufizuara? Mendon se arritjet e tua frymëzojnë edhe vajza e djem të rinj që të luftojnë me të gjitha forcat për të arritur ëndrrat e tyre, pikësynimet që kanë në  jetë?

Përgjigje :Është më se e vërtetë, se ambienti ku punoja si vullnetare më njohu me shumë persona të tjerë. Kam njohur mjeken veterinare Luiza, një psikologe në Fier që quhet Esmeralda, një psikologe nga Tirana, Brunilda. Kam njohur shumë fëmijë të mrekullueshëm dhe prindërit  e tyre. Gjatë një ekskursioni në Voskopojë kam njohur një shoqe që quhet Desa. Edhe  FRESSH-i në Fier ka qenë një forum që më ka ndihmuar me integrimin tim në shoqëri. Kaloj shumë kohë  duke punuar me fotografitë e mia, i shoh me kujdes. Më pëlqen të shikoj atë moment unik që ka kapur aparati fotografik. Jeta ime është e lidhur ngushtë me fotografinë dhe jam gjatë gjithë kohës duke punuar për të realizuar fotografi dhe për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme. Unë kam ecur falë punës dhe dua të vazhdoj të punoj e të bëj jetën time. Dëshiroj që të njëjtën gjë të bëjnë edhe shumë vajza dhe djem të tjerë e të jenë të zotët e vehtes së tyre. Shpresoj me të vërtete që të frymëzohen prej fotografive të mia e të kërkojnë pa reshtur vendin e tyre në shoqëri.

Pyetje: A mund  të na  përshkruash  dicka,  si ju mund të kapni një moment unik, një emocion të veçantë për projektet e deritanishme dhe pikësynimet për të ardhmen?

Pergjigje:Me fotografinë kam filluar të merrem herët duke u përmirësuar vazhdimisht  dhe duke  arritur drejt profesionalizmit. Besoj se puna ime dhe pasioni im janë paksa unik. Kam një eksperiencë mjaft të mirë dhe të pasur gjatë gjithë kësaj kohe. Personalisht mundohem t’i lëvroj të gjitha llojet e mundësive, mirëpo si çdo fotografe edhe unë kam një rrymë që e preferoj dhe i jap pak më tepër rëndësi dhe më shumë dashuri. Është një emocion i papërshkruar  që ti mund të kapësh një moment unik, një emocion të veçantë dhe mund ta ruash atë gjatë gjithë jetës. Të qenit fotograf është gjithashtu një hobi që të mban emocionalisht të lidhur më shumë me gjithçka që të rrethon në botën reale, bëhesh pjesë e saj dhe mundohesh ta “ruash” atë e ta shpërndash më vonë. Mua më pëlqen të jem sa më reale  dhe origjinale në punën që bëj. Publikoj punimet e mia në faqe të ndryshme në Shqipëri dhe jashtë saj. Kam filluar të kem mjaft pëlqime dhe shpërndarje të punës sime nëpër blog, faqe dhe portale të ndryshme.  Një ndër projektet e mia është hapja e një studioje fotografike personale ku mund të punoj gjatë kohës së lirë si një artiste/fotografe profesioniste.

Pyetje: Liliana. Ju jetoni ne qytetin e Fierit nje qytet i bukur me plot culture ne historine e tij, me njeres te bute dhe punetore keni cilesi qe te mahnisin, te lene pa fjale, per vullnetin dhe ambicjen positive si dhe bonsensin per te ndihmuar femijet me problem shendeti. Mund te tregoni pak me teper ju lutem?

Pergjigje : Prej disa vitesh jam e angazhuar vullnetarisht në jetën sociale të qytetit të Fierit e më gjerë. Tani për tani jam pjesë aktive e aktiviteteve në qendrën ditore “Horizont” që ka hapur dyert në qytetin e Fierit.

Qëndroj shumë kohë me specialistët e qendrës duke ndjekur terapitë e fëmijëve, duke ndihmuar me teknika te ndryshme, pasi duke qenë një person me aftësi të kufizuara, unë më mirë se kushdo tjetër mund të kuptoj dhe ndihmoj këta fëmijë.

Po ashtu, prej gjashtë vitesh punoj si animatore dhe fotografe në çdo aktivitet që zhvillohet jashtë, si në qendrën ditore “Jeta Ime”,  në Bashkinë Fier, në qendrën sociale Marialdo, Parlamentin Rinor Fier, Bibliotekën e qytetit, seminare e konferenca të ndryshme që zhvillohen brenda dhe jashtë qytetit për të drejtat e PAK. Çdo verë  jam pjesë aktive e kampeve verore që organizohen prej shoqatave  jofitimprurëse si DEA, Parlamenti Rinor, shkolla, kopshte… Pasioni im  për fotografinë nuk ndalet.  Më shoqëron në çdo moment; me një foto flas më shumë se çdo fjalë në botë. Kam qenë pjesëmarrëses në aktivitete që zhvillohen nga shkollat publike të Fierit ku kam qenë e ftuar si fotografe profesioniste.

I kërkoj t’më jap një mesazh mesazh per te gjithe shoqërinë shqiptare, nga shpirti i saj artistik, një mesazh nga Ina e forte, e zgjuar, simpatike me vullnet të pashembullt, aktive dhe plotesisht e suksesshme,  cili do të ishte ai?

Ina : Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar,  3 Dhjetor 2015,  kam hapur  ekspozitën time të parë me titull: ”MOS FSHI AFTESITE E MIA”. Do të vazhdoj të shkoj përpara  në  këtë rrugë të bukur duke i thënë botës “PO, UNE JAM SI JU! ”.

Mesazhi im për të gjithë ata që hasin vështirësi  si të miat në jetë është që në çdo drejtim që të shkojnë, të punojnë me gjithë zemër. Jeta është një dhuratë për t’u jetuar në çdo moment. Bota është  shumë e madhe dhe ka vend për të gjithë. Prandaj unë apo dikush si unë, ka një pjesë vendi në këtë botë.

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Ina Toska, Liliana Pere, Pasioni per Fotografine

REVOLTA E SPAÇIT & E QAFË BARIT DO TË PËRKUJTOHEN NË VATËR

May 12, 2017 by dgreca

1 OK RevoltaKUJTES Ë – REVOLTA E SPAÇIT DHE E QAFË BARIT DO TË PËRKUJTOHEN NË VATËR/

5 RevoltaMe nismën e një grupi ish të burgosurish dhe të përndjekurish politik, nën drejtimin e Pëllumb Lamaj në bashkëpunim me Federatën Panshqiptare të Amerikës “VATRA” do të organizohet me 20 Maj 2017, përkujtimi i Revoltave të Spaçit dhe të Qafë-Barit.

Do të shfaqet dokumentari historik, që përjetëson revoltën e Spaçit i realizuar nga Pëllumb Lamaj” “Spaçi, Simboli i Rezitences Anti- Komuniste, në Shqipëri”. Dokumentari zgjat 30 minuta.

Tubimi perkujtimor organizohet në Selinë e Vatrës dhe do të nisë  në orën 2.00 pm.Adresa: 2437 Southern BLVD, BRONX, NY 10158.

***

KUJTESË: REVOLTA E SPAÇIT nisi më 21 maj 1973 dhe zgjati 3 ditë, të burgosurit shpalosën në tarracën e burgut një flamur të Skënderbeut pa yllin komunist, duke kënduar dhe hedhur parrulla kundër diktaturës, derisa u shtyp me gjak. 4 nga të burgosurit u dënuan me pushkatim, 8 të tjerë u ridënuan me 25 vjet burg, 70 të tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan.Katër të pushkatuarit ishin Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai.

REVOLTA E QAFË-BARIT– Nisi me 20 maj1984. Në këtë burg ishin 500 të burgosur politikë që ishin dënuar mbi 25 vite burg, të cilët shfrytëzoheshin egërsisht dhe punonin nëpër galeritë e minierës me tre turne.Pas shumë vitesh torturash çnjerëzore të dënuarit shpërthyen në revolta më 20 maj 1984. I gjithë kampi u rrethua me forca ushtarake.Të plagosurit hiqeshin zvarre…Sander Sokolin, e tërhoqën zvarrë në mes të kampit, e shtrinë mbi një dru dhe e këputen në mes. Tom Ndoin dhe Sokol Sokolin i pushkatuan.Të gjithë të dënuarit i lanë të lidhur, pa rroba dhe me orë të tëra jashtë dhe i ridënuan.

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: dalip greca, Kujtese, Pellumb Lamaj, Revolta e Spacit

NJOFTIM-KERKOHET SEKRETAR TEKNIK-PART TIMES

May 10, 2017 by dgreca

1 MisioniMisioni i Republikës së Shqipërisë ka një pozicion për punonjës part-time në detyrën e Sekretarit Teknik të Ambasadores, si dhe është i interesuar që në periudha të ndryshme të vitit të pranojë si praktikantë/intern të reja dhe të rinj studentë shqiptarë.

Në të dyja rastet kërkesat kryesore janë njohja shumë mire e gjuhëve shqip dhe anglisht.Ai/ajo duhet të kenë aftësi të mira në komunikim.

Të jenë të pajisur me dokumenta qendrimi në New York. (vizitorët me viza turistike nuk lejohen të kryejnë këto detyra).

Detyrat kryesore të Sekretarit Teknik:

  • Konfirmimi dhe hedhja në axhendë e të gjitha takimeve të Titullarit, ose “regret” kur titullari nuk ka mundesi.
  • Në momentin që merret kërkesë për takim ose pjesëmarrje në një event, menjëherë informohet titullari, dhe në varësi të përgjigjes nga titullari procedohet me hedhjen në agjendë.
  • Bëhet konfirmimi me shkrim dhe më pas gjithnjë me telefon lidhur me datën dhe orarin. Një ditë përpara ose dhe ditën e takimit bëhet përsëri rikonfirmimi i takimit me telefon.
  • Për të gjitha takimet/eventet do të shënohen qartë në outlook ora, adresa, në cilin kryqezim rrugësh ndodhet adresa, emri i personit me të cilin taket, emri i Misionit/organizatës, qëllimi i takimit, si dhe detajet se kush dhe përse fton për një pritje, drekë apo darkë.
  • Në rastet kur kërkohet një takim nga titullari me një homolog të një shteti tjetër, së pari dërgohet një email lidhur me kërkesën dhe më pas kontaktohet me tel paradhoma e misionit përkatës lidhur me kërkesën dërguar me e-mail.

Detyrat kryesore të Intern:

  • Të ndejkë punime të aktiviteteve të ndryshme që zhvillohen në OKB nën mbikqyrjen e stafit diplomatik të Misionit.
  • Të përgatisë memo informative në gjuhën shqipe për aktivitetet e ndjekura.
  • Të asisitojë, stafin diplomatik në përgatitjen e eventeve të organizuara nga Misioni.

Personat e interesuar mund të kontaktojnë Misionin:

me e-mail në adresën albania.un@albania-un.org

ose të telefonojnë në numrin 212 249 2059

Filed Under: Emigracion Tagged With: Misioni Shqiptar, OKB-Kerkese, sekretar, vend pune

“O Shqiptarë! Nënës mos ia bëni varrë!”

May 5, 2017 by dgreca

 “O Shqiptarë! Nënës mos ia bëni  varrë!” (Fan S. Noli)/

48 Repishti

 Shkruan:Prof. Sami  Repishti/ Ridgefield, CT. USA./

– Gjendja politike e trazueme, zhvillimi i pa mjaftueshëm ekonomik, e paqa sociale gjysëm e thyeme në Shqipëri sot, më frikësojnë! Me afrimin e datës së zgjedhjeve të 18 qershorit “opozita”politike kercënon me bojkot. Kërkohet “nji qeveri teknike” me sigurue “zgjedhje te lira dhe të drejta” sepse partitë në pushtet akuzohen se nuk gëzojnë mirëbesimin e duhun. Koalicioni sundimtar po thyhet. Zgjedhja e presidentit të ri ka tregue thellësinë e mosmarrëveshjes. Si përfundim, Presidenti, kryetar i Shtetit “emnohet” nga udhëheqsit e nji partie politike, pa konsultim me “opozitën” demokratike, dhe me 24 korrik konfirmohet nga nji Parlament i ri i zgjedhun dy muej mbas “emnimit”. Parlamenti i ven vulen nji dokumenti të cilin nuk e ka konceptue, shkrue ose aprovue ma parë. I gjithë operacioni i zgjedhjes së Presidentit na kujton metodat mesjetare të zgjedhjes së “Mbretit”nga baronët, kalorës të Oborrit. Sot, këto “zgjedhës” jane baronët e ri me pasuni prrallore të grumullueme me mjete të dyshimta. Në çdo etapë të procesit nuk ashtë përfillë vullneti i lirë i popullit, që ironikisht quhet “sovrani”. Nji ndërtesë e ngritun mbi këto themele rrezikon me qenë jo e besueshme dhe jo jetëgjatë.

Ashtu si shumë bashkatdhetarë, edhe unë frikësohem sepse jemi para nji udhëtimi të rrezikshëm, drejt nji kaosi shtetnor, dhe vetëm nji hap larg “luftës së nxehtë” që vendi njohu në vitin 1997, me të gjitha rrjedhimet shkatërrimtare .…dhe derën e hapun për të gjitha!

Problemet që rrjedhin edhe nga nji pabarazi e turpshme ekonomike, me vorfëni sidomos në zonat rurale dhe malore të harrueme, pagesa të ulëta deri në dhimbje, papunësi, sidomos për të rinjtë, ndërsa krimi, korrupsioni dhe kanabis sativa lulëzojnë, janë tregues se besimi popullor në aftësinë e “Shtetit” me sigurue nji jetë me dinjitet po grryhet nga ky realitet i frikëshëm. Nga dëshprimi rritet numri i atyne që janë të bindun se Shqipëria ashtë vendi i degradimit moral dhe mbrapambetjes ekonomike si rezultat i qeveritarëve të perceptuem si “ klasë hajdutësh” që veprojnë si kapitalistët e pamëshirëshëm, “…udhëheqës politikë që nuk janë tregue të aftë me udhëheq këte vend gjatë tranzicionit.”(D.L.Pillips) Rrjedhimi ashtë nji emigrim i mallkuem që shterrë energjitë vitale të popullsisë.

Ankimet e shumëta tregojnë humbjen e besimit në nji të ardhme ma të mirë, nji ndjenjë të fortë inferioriteti ndaj kombeve tjera, dhe nji pa aftësi me arrijtë nivelin e zhvillimit që të tjerët gëzojnë. Në Shqipëri, në vend që të ndizet qiriu që na jep dritë, mallkohet errësina që na mbulon.

Perspektivë e frikëshme! Shqipëria po tregon se ende nuk ashtë formue si shtet organik, koordinim sistematik në shërbim të nji tanësie shtetnore. Në Shqipëri qytetarët nuk janë ende koshient për detyrat e tyne ndaj Atdheut nanë. Ministri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, në largimin e tij nga Shqipëria deklaroi:”…E le vendin me përfundimin e hidhur se këtu ka shumë për të berë që njerëzit të bashkëjetojnë brenda një kornize rregullash.”Anti-kompliment i randë!

Nji burim i “së djathtës” shkruen: “KM Edi Rama drejton nji ndërmarrje kriminale që e ktheu Shqipërinë në qendrën europiane të organizuar të trafikut të drogës”. Nji tjetër burim i “së majtës” paraqet gjendjen në Shqipëri “me ngjyra trendafili”. Qytetarët e ndershëm janë të hutuem,-ashtu si Ministri gjerman. Besimi në authoritetin ashtë damtue randë. Pa autoritet nuk ka “shtet”, dhe pa “shtet” tatpjetja rritet çdo ditë e ma shumë drejt gremines së hapun nga vetë shqiptarët…!

Thirrjet për rrëzimin e “autoritetit’ me dhunë janë akte të rrezikëshme që synojnë shkatërrimin, edhe kështu të dobët të strukturës shtetnore të vendit. Dhe kur këto thirrje bahen nga elementë shqiptarë, ata cilësohen nga bota e jashtëme si “marrëzina!” Në rastin ekstrem, edhe si “trathëti!”

Në nji situatë të këtillë, nuk duhet të mbështetemi në retorikë politike si udhëheqja e mendimeve tona, sado tërheqse të jetë ajo, sepse retorika politike ka shumë ngrohtësi, dhe pak arsye. Shqipëria  ka nevojë për mendimtarë të pavarun, larg propagandës dhe “fake news”, të mirë informuem dhe të lirë me u çfaqë. Këto “të drejta qytetare” i siguron vetëm nji “shtet i lirë”.

Kontrasti “e drejta” dhe “shteti” në dukje nji paradoks, ashtë i pranishëm kudo dhe kurdoherë në mendjet e qytetarëve të informuem. Në SHBA, rinia edukohet me parimin se çdo qenie njerëzore lindë me disa “të drejta” të garantueme vetëm për faktin se jemi qenie njerëzore, e që percaktohen si “të drejta natyrale”: jeta, liria dhe ekzistenca përherë e ma e lumtun (the pursuit of happiness). Ata nuk janë “të drejta që na jep “shteti” (të drejta pozitive), sepse vetë “shteti” formohet nga ne dhe per ne, e vepron vetëm për nji qellim: me respektue, dhe me mbrojtë këto “të drejta natyrale” të qytetarëve.

Nji pozicionim i këtill i njohun si “the American exceptionalism” shpesh herë ashtë i keqinterpretuem si nji “e drejtë me qenë mbi të tjerët”, ose “imperializëm”. Ashtë e kundërta: të gjithë janë të barabartë para ligjit, me të drejta të plota dhe të pacenueshme. Dhetë amendamentet e para të Kushtetutës Amerikane janë përcaktime ligjore që mbrojnë këte barazi dhe “qytetarin” e lirë nga ndërhymja e “shtetit”. Të rinjtë amerikanë edukohen me mendue se identiteti amerikan ashtë  lidhun, së pari dhe fuqimisht, me nji ide, dhe jo me nji copë tokë ose nji grup racor të veçantë. Ky qendrim e ban SHBA-n nji vend “exceptional”, të ndryshëm, të dalluem nga vendet tjera.

Ky qendrim doli në sipërfaqe me fuqi edhe me zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA. Senatori Ben Sasse (R.Nebraska) i frikësuem nga zhvillimet e padëshirueshme në politikën amerikane, foli për nji “zgjim të tribalizmit”, dhe shtoi: ”Unë jam kundër ‘nji identiteti politik’. Unë jam për “nji politikë ideore’ që na tregon se çdo të thotë emni ‘Amerikë’, dhe cili ashtë qellimi i jetës sonë të përbashkët!”

Shqip: do të kujdesohen shqiptarët me mbrojtë nji vend që quhet “Shqipëri” dhe se qellimi i shqiptarëve ashtë nji jetë e përbashkët në këte “Shqipëri”? A do të vazhdojnë shqiptarët me jetue të ndamë në grupe e fise me identitete lokaliste, pa “nji ide qendrore” që i bashkon, pa konceptin e jetës së përbashkët për të gjithë pa dallim, pa përjashtim? Sepse, Shqipëria nuk ashtë ”çifliku i babajt” por Atdheu i të gjithë shqiptarëve!

Nga përgjigja korrekte e kësaj dileme që përballojmë akoma sot, mbas 105 vjet pavarësie, varet e ardhmja e jonë si nji popull me perspektivë europiane. Sepse edhe vetë Bashkimi Europian (B.E.) në thelb, ashtë nji “ide” ma shumë se çdo gja tjetër: ideja e nji kontinenti të lirë, paqësor dhe të sigurtë për të gjithë 500 miljonë plus qytetarët që e banojnë. B.E. që dëshmojme na sot ashtë vetëm skeleti që nevojitet me ushqye e me realizue këte ide.

Fatkeqsisht idetë fisnike të Botës së Lirë, sidomos ata të mbas L2B, gjetën nji terren anmiqsor në vendin tonë, ku popullsia i u nënshtrue nji indoktrinimi të ashpër dhe nji fryme hakmarrëse. Nji shembull: në “Plenumin e Gruas…” Tiranë, 1979, Nexhmije Hoxha, bashkëshorte e diktatorit E.H., deklaronte:” …Ne do të persekutojmë armiqtë e popullit deri në brezin e shtatë, madje do të lejmë fëmijtë e tyre të pamartuar”…nji skenë makabre qe ekzekutoi Sigurimi i Shtetit komunist, dhe nji përsëritje makabre e praktikës naziste të hitlerianëve kundër izraelitëve …! E pabesueshme, por e vërtetë!

Cila ashtë vlera morale e politike e “lëvizjes anti-fashiste” që reklamojnë ende përkrahsit e saj kur ata ballafaqohen me krime të këtilla të përbindëshme? Le të gjykojmë me dorë në zemër…!

Kjo atmosferë e rrezikëshme përballohet nga anti-teza –rezistenca anti-komuniste, me plagët e trashëgueme nga e kaluemja e çmendun. I mbijetuemi i Auschwitz-it, John Amery, shkruen:” Kushdo që ashtë torturue, kurrë nuk e ndjen veten të sigurtë përsëri në këte tokë!” Ish të persekutuemët shqiptarë anti-komunistë kanë përbuzë hakmarrjen – cilësi shtazarake- dhe kanë kërkue “drejtësi, e cila u ashtë mohue me pretekste absurde. Megjithë këte gjest kaq fisnik që rregjistron historia e popullit tonë, qendrimi i “fajtorit” që nuk kërkon falje për krimet e kryeme, asgjason procesin e “pajtimit” dhe “bashkimit”, nji proces që na mundon të gjithëve, dhe që na pengon në çdo hap të jetës së përditëshme

Efektet e nji fryme të këtillë helmojnë ende sot atmosferën shoqënore e politike të vendit tonë me rezultate shkatërrimtare dhe kercënojnë të mbeten efektive edhe për breznitë e ardhme. Ashtë mallkimi që na ndjek në mënyrë të pamëshirëshme! Kështu ngjet kur pjesëtarë të Qeverisë deklarojnë haptazi se janë “krynaltë” për prindët e tyne me të kaluemen kriminele. Këtu ndershmënia vdes, dhe vargu i gënjeshtrave dhe i mashtrimeve me ndërgjegje të plotë lindë e rritet deri në monstruozitet. (Mbasardhësit e kriminelëve nazistë nuk u martuen ose nuk banë fëmijë me qellim që të zhdukej nga faqja e dheut kjo racë xhelatësh!).

Në Shqipëri, ra heshtja pothuejse e plotë. Kundër kësaj heshtje mbytëse shkrimtari Primo Levi, i Auschwitz-it, në shenj proteste, vari veten në litar, nji mesazh që tingëlloi në botën mbar. Nuk u ndigjue në Shqipëri . Unë uroj të mos jemi ”në pritje të Z. Godot!” kur shpreh bindjen time se do të vijë dita që Shqipëria do të udhëhiqet nga nji grupim burrash e grashë të ndershëm, të pajisun me guxim qytetar dhe zemërgjanësi, që refuzojnë dukjet e jashtëme, e që nuk hipnotizohen nga “e keqja” por dedikojnë mendjen e djersën e tyne shërbimit për popull e atdhe. Shkruej kështu sepse të shumtë janë ata që qeverisen Shqipërinë; shumë të paktë janë ata që qeverisen Shqipërinë si akt angazhimi patriotik, me mend e me djersë….e që do të kujtohen! Andërr? Jo! Nji dëshirë e ngritun në pasion!

Na duhet guximi dhe vendosmënia për punë ndërtimtare, shpresa dhe sidomos pajtimi në mes nesh, dialogu i hapët dhe i edukuem. Na duhet patriotizmi –dashunia e sherbimi për vendin që quejmë atdhe, pa humbe në errësinën e nacionalizmit romantik e agresiv, sepse nji strategji e ndërtueme mbi “territore” nuk ka sukses. Na duhet fryma e mirëkuptimit të ndërsjellë. Ajo që nuk na duhet ashtë polarizimi i politikës së vendit, dhe personalizimi i politikës si profesion. Si rrjedhim, sot në Shqipëri, nuk kemi “parti kombëtare” por “parti të Tiranës”, nji rezervoar kuadrosh të ricikluemë…!

******

Zgjidhja e ngerçit politik në Shqipëri sot, nuk mund të bahet me përjashtimin e partive të opozitës, aq ma pak të PD-së, forcë politike me kapital moral të madh. Votimet nuk janë legjitime pa opozitën, megjithë manipulimet politike të mbrapaskenës. Nji akt i këtill mohon sakrificat e rezistencës heroike anti-komuniste dhe përjashton mundësinë e tyne me marrë pjesë në qeverisjen e vendit.  Kjo tezë ashtë krejtësisht e papranueshme dhe duhet përjashtue! Modalitetet janë nji problem teknik që zgjidhet nga ata që duen Shqipërinë ma shumë se “partinë”. Bojkotimi  Parlamentit ashtë akt primitiv dhe anti-demokratik, sepse në Parlament zhvillohet debati i lire që sjellë marrëveshjen. Nji qeveri e re duhet të gëzojë jo vetëm besimin e shumicës që e ka votue por edhe të elementit të pavarun e asnjanës. Grindjet pozitë-opozitë rrezikojnë me kthye zgjedhjet e 18 qershorit 2017 në nji replikë të zgjedhjeve të 2 nandorit 1945: nji arkë për “Frontin Demokratik” dhe “arka boshe” për “armiqtë e popullit”.

Këtu lindë nevoja e nji kompromisi të thellë, ndoshta edhe historik të pranuem lirisht nga shumica dërmuese e popullsisë, dhe i hapun për të gjithë!

Nuk kanë vlerë akuzat absurde që qarkullojnë në tregun e mjeteve të informimit. Aq ma pak kur ata synojnë me diskreditue miqtë e aleatët tonë, e ambasadorët e tyne, akuza banale që na kujtojnë 45 vjetët e izolimit komunist. Ashtë qendrim infantil, ashtë qendrim vetë-damtues! Shqipëria krenohet të jetë nji demokraci parlamentare –megjithë të metat parlamentare! – që kerkojnë ndryshime rranjësore. Nuk ka shqiptar normal që andrron kthimin e rregjimit komunist dhe përdorimin e mjeteve të E.H. me arrijtë qellimet e diktatorit: mbajtjen e pushtetit me dhunë, e të rolit udhëheqës të PPSH-së “permanent dhe absolut” me “grusht të hekurt”! Shqipëria ashtë kandidat serioz për anëtarsim në B.E., me sigurinë e vendit të garantueme nga NATO, me pluralizëm politik, e shtypin e lirë (të paktën nominal!). Ndamja e qeverisjes në tre pushtete teorikisht ekziston, me gjithë komprometimin e thellë të sistemit gjyqsor (që shpresohet të riformohet). Pa dyshim ka shpresë!

Shqipëria nuk  ashtë nji ishull! Jetojmë në Ballkanin perëndimor të kontinentit europian, sot zonë e trazueme.   Ka shumë mundësi që rajoni të priret drejt nji vale pakënaqsishë në nji masë të madhe. Këto vitet e fundit, “Moska ka hapë nji front e ri në Ballkan me qellim krijimi të nji krize politike”, shkruen J.Bugajski. Ai vazhdon:” Pikësynimi nuk ashtë me pakësue perspektivat (për vendet ballkanike) e hymjes në NATO dhe B.E., por në forma kercënuese me kthye Ballkanin në nji zonë ku konfliktet shkaktojnë ramjen e influencës së Perëndimit, dhe ngritjen e asaj ruse.

Tre shtete: Maqedonia, Bosnia dhe Kosova paraqiten si konstruksione politike të përkohëshme dhe artificiale dhe përparimi i tyne drejt Europës duhet të ndalohet. Shqipëria akuzohet se me ndihmën e Washingtonit kërkon coptimin e Serbisë dhe të Maqedonisë për formimin e nji ‘Shqipërie të  Madhe’”- pjellë e fantazive serbo-greke.

Kjo situatë, propagandon shtypi rus, mund të sjellë konfliktin në mes të kombësive, dhe të detyrojë Shqipërinë (e Kosovën) me ndërhye në mbrojtjen e bashkatdhëtarëve të tyne. Ndërhymja ringjallë rivalitetin serbo-shqiptar, me zhvillime të padëshirueshme, që tërheqin, mundësisht, edhe Turqinë e Greqinë në konflikt. Për studjuesët e origjinës se L1B, nji skenar i këtill nuk ashtë i mundun. Megjithëse historia nuk përsëritet,  ajo përmban tinguj të ngjashëm!

Që nga viti 2000, na jemi dëshmitarë të ngritjes së nji rreziku të ri: “populizmit”, dhe lëvizjes së politikës së nacionalizmit agresiv, lëvizje që kerkon kthimin e pushtetit në duert e “kombit-shtet”, larg nga institucionet ndërkombëtare të mbas L2B, si NATO, B.E. edhe UNO-si dhe nji serie organizatash ekonomike, shoqënore e kulturore që përbajnë strukturën e ruejtjes së paqës që nga viti 1945.

“Përgjigja e jonë ashtë edukimi i popullsisë, kryesisht rinisë sonë”- shkruen Dr. Moshe Kantor-“me të drejtat e vlerat e tolerancës, demokracisë, bashkëndamjes së përgjegjsisë dhe sigurimit tonë. Në se vlerat nuk kalohen nga nji brezni në tjetrën organikisht, e që sistemet tona arsimore mund të japin për këte brezni, veçanërisht në vitet e krizës dhe mbrapambetjes ekonomike, përfundimi do të ishte fatal”.

Duhet të mobilizohet qytetaria e ndershme dhe koshiente!

Para së gjithash, të projektohen vijat kryesore të diskursit politik: nji bërthamë me ide koherente të kohës që jetojmë. Përcaktohen problemet që kërkojnë zgjidhje, dhe debatohen. Asgja nuk pranohet pa bindje të plotë, dhe në se nuk i përgjigjet shqetësimeve të popullit mbar.

“Vlerat intelektuale dhe shkencore grumullohen në botën tonë; ata kalojnë nga nji brezni në tjetrën”, spjegon filozofi anglez John Gray. “Nuk ashtë kështu me vlerat morale, që fatkeqsisht nuk kanë këte efekt grumullimi”. Kjo ashtë arsyeja që çdo brezni duhet të mësojë këto vlera nga vetë eksperienca e tyne; në se jo, krijohet mundësia e nji katastrofe te re…” shton ai.

Çfarë mund të bajmë për breznitë e ardhme? Me paraqitë përvojën e terrorit të kuq si paralajmerim i të ardhmes që i kercënon. Rishtazi, Presidenti i Izraelit ftoi ish Presidentin e Gjermanisë me marrë pjesë në përkujtim të Holokaustit. A mund të imagjinojmë na nji ftesë nga ish të përndjekurit drejtue trashëgimtarëve të terrorit të kuq me vizitue Bedenin, Vloçishtin, moçalet e Myzeqesë, Burrelin, Spaçin, Qafë Barin e vende tjera shenjte ku pushojnë pa gjurmë, pa shenj kufomat e mijëra viktimave të pafajshme të komunizmit? A jemi na aq të pjekun për nji gjest të këtill që do të trondiste edhe ndërgjegjen ma të fjetun? Gjeste të këtilla sot nuk janë “e kaluemja- e harruemja”; ata janë përpjekje për nji mirëkuptim, sot dhe nesër, nga ata që kërkojnë përsëritjen e katastrofës….!

Në Europë dhe në Amerikën e Veriut sidomos, qytetarët kanë tendencën me spjegue, për çdo epokë, vendin e tyne në botën ku jetojnë. Ky spjegim ashtë zakonisht optimist dhe perparimtar: kontribut për pasuninë e përbashkët të njerëzimit. Vlerat perëndimore, randësia e diskursit të lirë dhe racional, e drejta e pronësisë si bazë e lirisë së individit, nevoja për forume publike dhe për informata janë vlera që popujt e mëdhej trashëguen, e lajnë trashëgim. Kjo cilësi ”e burrave të shtetit” iu dha popujve sensin e misionit të përbashkët, me nji fjalor të përbashkët, si dhe nji kuadër mbrenda të cilit argumentimet politike gjejnë fushë veprimi për zbulimin e piksynimeve të përbashkëta.

Me humbjen e besimit në qytetnimin perëndimor nga sulmet e gjithanëshme, ai u konceptue si histori e shtypjeve të vazhdueshme. Propaganda komuniste zen këtu vendin e parë! Tue fillue me diktaturën e shumicës, tue kalue në diktaturën e pakicës, e tue përfundue me “diktaturën e njëshit!” trashgimia e jonë e pasun u pezullue. Shtetet mafioze u çfaqën në çdo kand të botës, bashkë me “dorën e hekurt”. Fituen partitë e ekstremit. Vlerat liberale në familje –bërthamë e shoqënisë- u sulmuen randë në shkollat tona. Studentët e pakulturuemë u banë agresivë, jo tolerantë, abuzues, e tallës të mësuesve në shkollë e prindëve në shtëpi….! E frikëshme!

Mjaft persona nuk e kuptuen, edhe ma shumë të tjerë nuk e vranë mendjen me kuptue. Çdo gja perëndimore u gjykue si “reaksionare” dhe “shtypëse”. Ma në fund, ndërtesa e ngritun mbi këto parime, u shemb. Ajo që na mbeti ishte nevoja urgjente me rindërtue botën e re, botën e vlerave dhe ideve shoqënore të qytetnueme, hap mba hapi, çdo ditë nga pak…!

Ma shumë se partitë politike, ma shumë se zgjedhjet katër vjeçare, vendi i jonë ka nevojë absolute për rindërtimin moral të shoqënisë sonë shqiptare. Dhe kjo, “sous peine de mort”! Nën kercënimin e zhdukjes sonë si komb me identitet shqiptar…! Mos e dhashtë Zoti!

Filed Under: Emigracion Tagged With: “O Shqiptarë! Nënës, mos ia bëni, Sami repishti, varre

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 150
  • 151
  • 152
  • 153
  • 154
  • …
  • 179
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT