Mbi 1,000 migrantë dhe refugjatë nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika kanë arritur në Hungari nga Serbia, nëpërmjet një udhe ndërkufitare hekurudhore, në afërsi të fshatit hungarez, Roszke. Policia e Hungarisë raportohet se i ka shoqëruar ata në qendrën më të afërt të regjistrimit.
Vala e re e migrantëve që arrijnë Bashkimin Evropian, vjen pasi autoritetet maqedonase kanë rihapur kufirin me Greqinë, duke lejuar hyrjen e mbi 7,000 emigrantëve gjatë tre ditëve të fundit.
Serbia dhe Maqedonia, të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, kanë qenë të ngufatura me migrantë këtë verë, të cilët përpiqen të arrijnë bllokun evropian përmes rrugëve të Ballkanit perëndimor.
Të premten e kaluar, Maqedonia ka mbyllur kufirin me Greqinë për migrantët, duke përdorur edhe forcën kundër atyre që kanë bërë përpjekje të kalojnë kufirin.
Sipas agjencisë kufitare të BE-së, Frontex, rreth 102,000 migrantë kanë hyrë në BE përmes Maqedonisë, Serbisë, Bosnjës, Shqipërisë, Malit të Zi ose Kosovës në periudhën janar-korrik, të këtij viti.
Kjo, krahasuar me vetëm 8,000 në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Grupi që ka arritur në Hungari, i përbërë kryesisht nga refugjatë sirianë, ka kaluar përmes një seksioni të kufirit që nuk është ende i rrethuar me tela.
Qeveria e Hungarisë është duke ndërtuar një gardh përgjatë kufirit me Serbinë, në përpjekje për të ndaluar valën e emigrantëve. Afati për përfundimin e këtij muri me tela është 31 gushti.
Budapesti po ashtu planifikon që në muajin shtator të kalojë legjislacionin që kriminalizon kalimin e paligjshëm të kufirit ose çdo përpjekje për të kapërcyer gardhin.
Vala e parë e migrantëve që kanë arritur në Hungari do të ndiqet shpejt edhe nga të tjerë, pasi, nga fundjava, 7,000 deri në 10,000 njerëz kanë hyrë në Maqedoni nga Greqia dhe shumica prej tyre janë tani nëpër Serbi.
Rritja e numrit të emigrantëve ka brengosur udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe ka detyruar vendet e varfra të Ballkanit që të merren me ta.
Komisionari i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara ka kritikuar vendet e pasura të Bashkimit Evropian, si Gjermaninë dhe Suedinë, për mbështetje jo të mjaftueshme financiare për shtetet e varfra.
“Problemi nuk do të zhduket shpejt dhe ai prek gjithë Evropën”, ka thënë drejtori i Byrosë në Evropë të OKB-së, Vincent Cochotel.
Bashkimi Evropian i ka ndarë tashmë Maqedonisë 90,000 euro për ta ndihmuar në mbulimin e nevojave themelore për migrantët. Greqia, ndërkaq, pritet të marrë rreth 425 milionë euro për menaxhimin e kufijve dhe për krijimin e një qendre për shqyrtimin e kërkesave për azil.
“Duhet të kuptojmë se hedhja e fajit nuk sjell ndonjë rezultat pozitiv”, ka thënë shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Ajo po ashtu ka theksuar nevojën që të trajtohen shkaqet rrënjësore të migrimit, siç janë konflikti në Siri, trazirat në Afganistan dhe disa pjesë të Afrikës, si dhe dështimi për të krijuar qeverinë e unitetit kombëtar në Libi.Përgatiti: Valona Tela
Der Spiegel: Dibrani në ishullin grek që u hapi dyert emigrantëve
Shaqir Xhani u ka hapur derën emigrantëve dhe refugjatëve nga Lindja e Mesme. 19-vjeçari shqiptar përktheu menynë e restorantit të tij në arabisht, u ofroi ushqim falas refugjatëve dhe u dha çadra për të fjetur
U largua drejt Greqisë me familjen kur ishte vetëm dy vjeç dhe tani është bërë pronari i një restoranti në ishullin turistik grek, Kos, aty ku ditë më parë ka pasur përplasje mes policisë dhe emigrantëve ilegalë që tentojnë Evropën.
Shaqir Xhani, i njohur si Atis Tsanis në Greqi, është 19-vjeçari nga Dibra, i cili është bërë personazhi i revistës prestigjioze gjermane, “Der Spiegel”.
Gazeta shkruan se ai është i vetmi që u ka hapur derën emigrantëve dhe refugjatëve nga Lindja e Mesme. Ndërsa shumë pronarë restorantesh i refuzojnë refugjatët të futen, ai e sheh këtë situatë me pragmatizëm.
“Këta janë njerëz si gjithë të tjerët që kanë nevojë të hanë. Që kur vura në menynë jashtë ‘FastFood’-it gjuhën arabe, restoranti im është gjithmonë plot,” ka thënë Shaqiri.
Restoranti i tij ndodhet në shëtitoren e plazhit, aty ku ndodhen çadra të shumta me refugjatë sirianë, pakistanezë, afganë e iranianë. 19-vjeçari shqiptar u ka shpesh ofruar ushqim falas refugjatëve dhe u ka dhënë çadra që të flenë gjatë natës.(Dergoi per Diellin A.Ashiku-Athine)
Ambasada Gjermane publikon kalendarin e kthimit të azilkërkuesve shqiptarë
Që Shqipëria është një nga vendet me numrin më të madh të azilkërkuese në Gjermani, këtë e tregon qartë numri i të kthyerve në atdhe. Deri në fund të shtatorit është bërë plani për rikthimin e të paktën 1400 azilkërkuesve dhe më shumë se gjysma e tyre janë nga Shqipëria.
Ambasada Gjermane shpërndau një listë me datat kur azilkërkuesit do të kthehen, numrin e tyre, si dhe kombësinë. Shumica dërrmuese janë shqiptarë dhe kosovarë, më pak serbë dhe maqedonas. Ambasada Gjermane bëri të ditur se kjo listë është pjesë e aksionit të ndërmarrë nga institucionet gjermane për kthimin e përshpejtuar të azilkërkuesve shqiptarë.
Gjatë ditës, Ambasada Gjermane në Tiranë sqaroi edhe një pretendim të shfaqur nga disa azilkërkues në mediat shqiptare, sipas të cilëve autoritetet gjermane nuk i kishin informuar përpara fluturimit të kthimit për në Shqipëri, por u kishin thënë se po i zhvendosnin drejt një qendre tjetër brenda Gjermanisë. Përfaqësia diplomatike gjermane thotë se ky është një pretendim i rremë. Personat që janë subjekt i rikthimit apo i dëbimit nga Gjermania në kuadër të procedurave të azilkërkimit informohen rreth masave të synuara në përputhje me të gjitha parimet e shtetit ligjor përmes policisë dhe me asistencën e përkthyesve, thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane. Zyra e saj në Tiranë sqaroi se “autoritetet përkatëse gjermane janë të pranishme gjatë gjithë procesit të dëbimit dhe u përgjigjen pyetjeve të azilkërkuesve të refuzuar me mbështetjen e përkthyesve, që do të thotë se azilkërkuesit informohen plotësisht rreth të gjitha masave që kanë të bëjnë me ta.”
Riatdhesimi i azilkërkuesve do të bëhet me avionë “charter” si më poshtë:
20.08.2015 – rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë
26.08.2015 – rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë
02.09.2015 – rreth 70 shqiptarë (data e saktë nuk është përcaktuar ende përfundimisht)
03.09.2015 – rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë
10.09.2015 – rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë
15.09.2015 – rreth 70 shqiptarë dhe 70 maqedonas
16.09.2015 – rreth 70 shqiptarë dhe 70 serbë
17.09.2015 – rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë
22.09.2015 – rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë
29.09.2015 – rreth 70 shqiptarë
30.09.2015 – rreth 70 shqiptarë dhe 70 kosovarë
KUJTESE-156 mijë shtetas shqiptarë duhet të riaplikojnë për pasaporta për fëmijët e tyre
U prodhuan gabim me afat 10-vjeçar, 156 mijë fëmijë shqiptarë, riaplikim për pasaporta/
156 mijë shtetas shqiptarë duhet të riaplikojnë për pasaporta për fëmijët e tyre, për shkak të një gabimi teknik gjatë prodhimit të dokumentit biometrik në vitet 2009-2010.
Drejtoresha e sistemeve informatike në Drejtorinë e Pergjithshme të Gjendjes Civile, Miranda Harizaj, sqaron se pasaportat, për shtetasit deri në 16 vjeç, aksidentalisht janë prodhuar me afat 10-vjeçar, ndërsa duhet të ishin me afat përdorimi për 5 vite. “Siç dihet, në ligjin për pajisjen me pasaportë të shtetasve shqiptarë, afati i vlefshmërisë për shtetasit nën 16 vjeç është 5 vite. Për periudhën Prill 2009-Korrik 2010, Ministria e Punëve të Brendshme ka prodhuar 156 mijë pasaporta për shtetasit nën 16 vjeç në momentin e aplikimit, të cilët kanë pasur afat të pasaktë vlefshmërie. Afati i tyre i vlefshmërisë, në vend që të ishte për 5 vite, ishte bërë 10 vite. Kjo ka ndodhur për shkak të një gabimi teknik në sistem, që u konstatua me vonesë dhe ndryshimet e nevojshme për përmirësimin e sistemit bënë, që të identifikoheshin gjatë kësaj periudhe pasaportat e tyre. Ky korrigjim ka filluar në korrik të vitit 2010 dhe pas kësaj date është vijuar me prodhimin e pasaportave me afatet e duhura”, shprehet Miranda Harizaj, Drejtore e Sistemeve informatike. Por a janë të informuar qytetarët për këtë ndryshim? Për më tepër që mjaft familjarë udhëtojnë jashtë vendit së bashku me fëmijët në këtë periudhë për pushimet e verës? “Me konstatimin e këtij problemi, le të themi me afrimin e periudhës së skadimit të atyre pasaportave, në sistemin TIMS të kontrollit të kufirit – ku vlerësohen dokumentet e identifikimit të të gjithë shtetasve që dalin apo hyjnë në Shqipëri, – është bërë zëvendësimi. Për menaxhimin e këtij problemi, pasi e vlerësoi me ekspertët përkatës, Ministria e Punëve të Brendshme propozoi shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së këtyre pasaportave për këta shtetas me 1 vit, në mënyrë që t’iu lihej kohë për njoftimin dhe për pajisjen me dokumentin e ri. Në këtë kuadër, ky akt kalimtar ligjor për shtyrjen e tyre me 1 vit ka hyrë në fuqi më 21 prill 2014, kohë gjatë së cilës Ministria e Punëve të Brendshme menjëherë ka realizuar planin dhe ka menaxhuar situatën për njoftimin e këtyre shtetasve që janë në list”, vijoi më tej Miranda Harizaj. Sipas Harizajt, kërkesat e shtetasve për të ribërë pasaportën për fëmijët e tyre ka ndikuar që të ketë radhë në sportele, duke qenë se gjatë verës mjaft emigrantë aplikojnë për pasaportën biometrike kur kthehen në atdhe.
Masa të rrepta në kufi për parandalimin e azilkërkuesve
Çeshtja e azilkerkuesve eshte bere problem ne Gjermani e ne krejt BE. Ndaj doli sot numri nje i Policise shqiptare. “Të gjithë strukturat policore janë të angazhuara për të ndaluar çdo lloj organizimi për qëllim azilkërkimi”. Kështu është shprehur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako në një deklaratë për mediat nga aeroporti i Rinasit ku inspektoi masat e marra nga policia për parandalimin e azilkërkuesve.
Haki Çako gjithashtu tha se Policia Shqiptare është në partneritet të ngushtë me autoritetet gjermane dhe të vendeve të tjera të BE-së për të ndaluar këto iniciativa. Ndërkaq drejtori Çako i bëri apel te gjithe qytetareve qe deshirojne te punojne ne vendet e BE-se ta bejne nepermjet procedurave ligjore.
“Këto veprime jo vetëm penalizojnë vetë qytetarët sepse u digjet mundësia për të lëvizur lirshëm për arsye turizmi apo nevoja të tjera, por krijojnë dhe një imazh jo të duhur për Shqipërinë.Por u sigurojmë që çdo mundësi që është bazë ligjore për të krijuar mundësi punësimi të ligjshme, e u sigurojmë bazën e nevojshme për të mos qëndruar nëpër kampe si dhe i krijojmë lehtësira për udhëtime të qeta.” u shpreh Drejtori i Përgjithshëm.
Çako shtoi se pikat kufitare ne Shqiperi jane nen masa te rrepta monitorimi.
Çako: “Të gjitha pikat e kontrollit kufitar në Shqipëri janë të përforcuara e të monitoruara me masa të rrepta, pasi jemi në bashkëpunim me një sërë projektesh të BE-së në konsolidimin e stabilitetin e objektivave të policisë së shtetit shqiptar”
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shteti tha se në Shqipëri kanë hyrë e kanë dalë 9 milion qytetarë në 6 maujt e parë të këtij viti, nga këta 2.2 milion të huaj që e kanë vizituar Shqipërinë
“Sot Shqipëria është ndër destinacionet më të preferuara e të frekuentuara qoftë në turizëm por edhe për investime pasi vetëm në 6 muaj të këtij viti, Shqipëria është vizituar nga 9 milion qytetarë të ndryshëm që kanë hyrë e dalë në Shqipëri. Shifër e rëndësishme është hyrja e dalja e shtetasve të huaj, rreth 2.2 milion shtetas të huaj kanë ardhur në Shqipëri për interesa të ndryshme” tha Çako.
- « Previous Page
- 1
- …
- 178
- 179
- 180
- 181
- 182
- …
- 186
- Next Page »