• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Trekëndëshi” i skulptorit serb në Prishtinë dhe modeli i shqiptarit jugosllav

July 29, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Prishtina, ndoshta, është e vetmi kryeqytet në botë që nuk ka një monument apo obeliks i cili do reflekton kujtesën historike kombëtare të një populli shumicë, përkatësisht të shqiptarëve që përbëjnë mbi 95 për qind të popullatës së Republikës.

Derisa të gjithë e pranojmë, kështu shkruhet edhe në librat e historisë, se ne shqiptarët kemi qenë të përndjekur dhe të pushtuar nga Beogradi, se këtu ka pas spastrim etnik, dëbime, kolonizim dhe represion permanent shtetëror, askund në kryqytetin tonë nuk ka një obeliks apo monument që përkujton dhe nderon viktimata shumta të regjimit komunist jugosllav.

E tillë ishte edhe periudha e vite 50 dhe 60-të të shekullit XX, kut në Kosovë kuminstët jugosllavë zhvilluan të ashtuquajtutin “Aksion i mbledhjes së armëve” dhe dëbimi i shqiptarëve për në Turqi.

Po e kësaj periudhe është edhe përmendorja e “Vëllazërim-Bashkimit”, që edhe sot qëndron në Sheshin mes ndërtesës së vjetër të Komunës së Prishtinës dhe ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Monumenti synon të simbolizojë “vëllazërinë dhe bashkimin midis shqiptarëve, serbëve, malazezëve dhe të tjerëve.

Sheshi dhe monumentet në të janë dizajnuar dhe skulptorit serb nga Leskovci, Miodrag Živković. Obelisku ëshzë ndërtuar në periudhën më të egër të përndjekjes së shqiptarëve nga Jugosllavia sociaiste 1959-1961.

Lokacioni ku u ndërtua Sheshi Vëllazërim Bashkim dikur ishte Çarshia e Vjetër e Prishtinës, bërthama ekonomike, sociale dhe kulturore e qytetit. Çarshia kishte rreth 365 dyqane në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Ajo u shkatërrua me moton “Rrënojmë të vjetrën, ndërtojmë të renë”. Pra, qëllimi ishte të tjetërsohej idenziteti i Prishtinës dhe t’i përrshtatej imazhit të soc-realizmit jugosllav.

Ndërsa, 25 vjet pas çlirimit nuk ka një obeliks që reflekton identitetin dhe të kaluarën kulturore dhe historike të shqiptarëve të Kosovës. Ky akulturim i vendit provohet të justifikohet me terma të ruajtjes të monumenteve të një regjimi i cili në emër të “vëllazërim bashkimit” provonte të proklamonte se kishte zgjidhur çështjen kombëtare të shiptarëve të Kosovës. Ideja e vëllazërim bashkimit synonte të krijomte modelin e shqiptarit jugosllav dhe parapelisht me këtë zhbërje e identitetit shqiptar. Në sytë e shqiptarëve të Kosovës sllogani i vëllazërim-bashkimit nënkuptonte braktisje të çdo gjëje shqiptare dhe përvetësim i kulturës dhe mënyrës jugosllave së jetesë sllave, përfshirë këtu edhe pranimin e pabarzisë dhe të diskriminimit të shqiptarëve. Nëse kjo ishte tendencë për të krijuar modelin e shqiptarit jugosllav, e që do të thoshte pa asnjë dyshim tjetërsim i identitetit shqiptar, atëherë ky obelisk i skulptorit serb duhet larguar nga ai shesh dhe paralelisht me këtë duhet ndërtuar një obeliks të Republikës apo të një obeliks në nderim të të gjitha viktimave të komunizmit jugosllav, ngjashëm siç kanë bërë edhe shtetet e Evropës Lindore të çliruara nga ”vëllazëria” sovjetike.

Filed Under: Emigracion

DISA EMËRTIME GJEOGRAFIKE ME EMRIN ALBAN(Y) NE AMERIKËN E VERIUT

July 26, 2024 by s p

DR. ALBERT KURTI/

Nga shfletimi i literaturave të ndryshme, enciklopedive të njohur botërore dhe kërkimet në internet, mund të gjejmë lehtësisht vende të ndryshme gjeografike, si; qytet, lumë, liqen, kodër, mal, etj., me emrin Alban ose Albany. Emërtimet Alban(y) i gjejmë jo vetëm në Europë, por edhe në Amerikën e Veriut. Edhe pse shumë studiues nuk japin shumë shpjegime, por thjeshtë shkruajnë se i kanë vendosur kolonizatorët nga Europa. Në fakt emërtimet Alban(y) e kanë origjinë nga emri i fisit ilir të Albanëve. Disa prej këtyre emërtimeve gjeografike do t’i përshkruaj shkurtimisht karakteristikat e tyre.

Një nga vendbanimet më të njohurat me emrin Albany ndodhet në shtetin e Nju Jorkut (New York). Aty ku ndodhet sot ky qytet ishte arenë përplasjesh ndërmjet holandezëve dhe anglezëve. Fillimisht qyteti quhej Beverwijck, më pas në 1664 ky emër u ndryshua në Albany, për ndër të Dukës së Albanit. Duka e Albanit ishte një titull skocez i dhënë që nga viti 1398, për një djalë të vogël të mbretit të Skocezëve (Albany, Dukes of- Hugh Chisholm). Emri rrjedh nga Alba, emri gaelik për Skocinë. Emri Alba ishte edhe shkurtimi i emrit të fisit ilir të Albanëve. Një fakt që e mbështet këtë është edhe kryqi i zbuluar në Ilirinë e Jugut (Shqipërinë e Mesme) skocezët e kanë sot në flamurin e tyre kombëtare (Libri Misteri i Shfaqur, The Secret Unveiled-Albert Kurti).

Albany City shtrihet 230 km në veri të qytetit të Nju Jorkut. Është qytet-port, termini verior i kanalit të thellë të lumit Hudson, dhe një pikë transshipmenti natyror midis anijëve që lundrojnë në oqean dhe rrugëve të Sistemit të Kanaleve të Shtetit të Nju Jorkut për në Liqenet e Mëdha. Që nga viti 1797 Albany është kryeqytet i shtetit të Nju Jorkut (Britannica). Aktualisht në këtë qytet banojnë 101 mijë banorë.

Një tjetër vendbanim me emrin Albany, por me madhësi shumë të vogël ndodhet në qarkun Prince, në ishullin Princ Eduards në Kanada.

Në shtetin e Oregonit në SHBA, konstatohet një tjetër qytet me emrin Albany, i themeluar në vitin 1848. Ai është qendra e qarkut të Lin dhe përsa i përket numrit të popullsisë, renditet në vendin e 11 në këtë shtet (City Populations: Adair Village-Echo). Në regjistrimin e vitit 2020, qyteti numëron rreth 56 mijë banorë. Vendbanimi shtrihet në luginën e Willamette dhe popullsia merret kryesisht me aktivitetet bujqësore.

Me emrin Albany nuk kemi jo vetëm vendbanime, por edhe liqene apo kodra e male. Një nga këta është liqeni Albany në shtetin e Uinskonsit (Wisconsin): ndodhet në jug. Ai është liqen glacial dhe ekzistonte midis vitëve 15000 dhe 12600 vjet (Wikipedia). Albany si liqen u formua nga shkrirja e ujit nga një akullnajë në tërheqje (zhdukje). Liqeni u tha rreth 10500 vjet më parë për shkak të rikthimit të akullnajave.

Një mal me emrin Mont Alban e ndeshemi në Meksikë. Ky mal shtrihet në shtetin e Oaksakës (Oaxaca) në jugperëndim të Meksikës. Ai përfaqëson rrënojat e qendrës së lashtë të Zapotec (Britannica), në lartësi 400 m mbi nivelin e detit. Këtu ndodhet një nga zonat më të rëndësishme arkeologjike në Meksikë.

Filed Under: Emigracion

Dorëshkrimet e Detit të Vdekur

July 25, 2024 by s p

Luan Rama/

Kur shkon në Izrael, një nga habitë e mëdha veç tempujve të vjetër, si Muri i Lotëve, Kopështi i Ullinjve, Via Dolorosa, Varri i Krishtit apo Portat e Jeruzalemit, është dhe Deti i Vdekur, një det dikur i lundrueshëm, por që prej dymijë vjetësh quhet «Deti i Kripur». Ky det, që izraelitët e sotëm e quajnë «Yam ha Melakh», është një det i mbyllur dhe i mbytur nga kripa, duke u shterur nga viti në vit. Kur futesh të lahesh në «Detin e Vdekur» të duket sikur futesh në një det vaji dhe sapo del, rrezet e para të diellit e përthajnë kripën dhe ti shpejt mbulohesh nga një cipë kripe e bardhë. Ky është Deti i Vdekur, të cilin e përshkruan në kronikat e tij dhe ish gjenerali hebre Flavius Jozef, i cili u kap rob romakët dhe pranoi, në shkëmbim të jetës, të rrinte me kamandantët romakë Vespanien dhe Titius dhe të shkruante kronikat e shekullit të I të Jeruzalemit dhe të Krishtërimit. Në një nga përshkrimet e tij, ai tregon dhe se si romakët, që nuk e njihnin Detin e Vdekur, hodhën nga anija një turmë robërish çifutë të lidhur, me idenë që t’i mbysnin, por ata kishin shpëtuar, meqë uji i kripur i kishte mbajtur gjithnjë lart.

Dorëshkrimet e Detit të Vdekur nuk janë thjesht një kuriozitet shkencor. As historia e shkrimit të Biblës, apo e përkthimit dhe e botimit të saj në shekujt e mëvonshëm, nuk është thjesht një dëshmi historike, e largët për botën tonë. Në fakt, të interesohesh sot për ato do të thotë të interesohesh për rrënjët dhe burimet e një kulture të vjetër ku është mbrujtur ndërgjegja e popujve tanë; popujt e një zone të gjërë gjeografike, që kapërcen Mesdheun dhe Evropën, ku në më shumë se dy mijë vjet, konstitucioni shpirtëror, letërsia dhe bota shpirtërore me ritet e saj, artet e historia e mendimit, janë ngjizur me profecitë e vjetra të Detit të Vdekur dhe tregimet e mëpasme biblike. Mjafton të përmëndësh faktin se nga shkolla pikturale italiane e «Quatrocentos», nga Rembrandt-i e deri tek Marc Chagall në shekullin e XX, tema biblike ka qënë nga më të fuqishmet dhe mbresëlënëset.

Pikërisht buzë Detit të Vdekur, pasi kalon kështjellën e famshme dhe një nga kështjellat më heroike të rezistencës hebraike ndaj romakëve, Masada, (ku janë dhe pallatet e «nderura» të mbretit Herod të ndërtuara më parë), tutje, ku fillojnë shkëmbenjtë e thepisur dhe shkretëtirat, në Kumran, janë gjetur dorëshkrimet më të vjetra hebraike që ekzistojnë deri më sot. Zbulimet e tyre përbëjnë padyshim aventurat më të mëdha në fushën e dorëshkrimeve të vjetra gjatë shekullit XX. Çfarë ishin ato dhe kush i kishte shkruar? Si u zbuluan dhe si u deshifruan e u bënë të njohura për gjithë njerëzimin? Vallë ishin ato një pjesë e bibliotekës hebraike të Antikitetit?

Beduinët dhe aventura e pergamenëve

——-

Në dimrin e viteve 1946-1947, tre barinj të tribusë Ta’amre, ruanin dhitë në afërsi të vëndit të quajtur Khirbet Qumran, jo larg nga gjurmët e një qytetërimi të vjetër hebraik. Pikërisht në ato rrëpira marramëndëse, një çast dhitë u zhdukën dhe duke i kërkuar e kacavjerrë, barinjtë gjetën dy vrima jo të mëdha. Ata hodhën gurë në to dhe menjëherë e kuptuan se ishin shpella të vjetra. Hodhën litarët dhe zbritën. Habia e tyre ishte e madhe kur në atë mjedis të thatë, u shfaqën para tyre qypa të panumurt si dhe dorëshkrime që ishin lënë rrëzë shkëmbinjve që prej njëmijë vjetësh. Që atëherë askush nuk kishte mundur t’i prekte ato dorëshkrime. Sigurisht gjuha e këtyre kodikëve të vjetër ishte e panjohur për ta, por idea se mund t’i shisnin tek ndonjë antikuar, i bëri t’i merrnin disa prej tyre. Por ata nuk e dinin se në duart e tyre kishin marrë me vete dorëshkrimet më të vjetra të shkruara nga hebrenjtë: Rrodhanin e Isakut, Manualin e Dishepullit dhe Komentuesin Habacue.

Disa javë më vonë ata u kthyen dhe veç asaj shpelle filluan të kontrollojnë dhe në shpellat pranë. Më së fundi, rrodhanët e mbledhur, të futur nëpër thasë, ata i çuan në Bethlehem, në dyqanin e një tregëtari antikuarësh i quajtur Ibrahim Ijha. Atëherë Bethlehemi ishte në zonën palestineze. Tregëtari dyshoi se ata i kishin vjedhur diku dhe nuk deshi të ngatërrohej me këtë histori, duke u thënë se ato nuk i interesonin, por se mund të shkonin tek një arab kristian, i quajtur Kando. Dhe ashtu ndodhi. Arabi Kando ua bleu për 5 livra palestineze dhe menjëherë mendoi të fitonte dhjetëfishin e tyre. Duke menduar fillimthi se ato ishin shkruar në gjuhën siriake, ai iu drejtuar metropolitit Athanas Josué Samuel në manastirin e Shën Markut. Për habinë e metropolitit, dokumentet e ardhur nga Kumrani ishin shumë të vjetër dhe të shkruar në parshëmen, mbi lëkurë dhie apo delesh, dhe të mbledhur në rrodhan. Ai e kuptoi se kishte në duar një thesar të rrallë. Kështu filloi dhe aventura e dorëshkrimeve të Detit të Vdekur që për një kohë të gjatë mbetën në duart e metropolitit dhe antikuarëve, të shpërndarë në disa vënde gjersa më së fundi ranë në duart e paleografëve dhe ekipeve të specializuara. Meqë atëherë bëhej luftë, nga frika se mos digjeshin bashkë me manastirin, metropoliti Samuel, i dërgoi në Liban dhe që andej, me njerëzit e tij i nisi në Amerikë. Meqë studjuesit amerikanë treguan interes të veçantë, ai e rriti çmimin e 7 rrodhanëve, edhe pse një epigrafist hebre, Eleazar Sukenik, kërkonte me ngulm t’ia blinte. Vite më vonë, kur Jordania kërkoi t’i fuste në dorë këta rrodhanë, duke e akuzuar metropolitin si hajdut të pasurisë kulturore, përmes një lajmërimi të botuar në Wall Street Journal, metropoliti i shiti ato për 250 mijë dollarë. Por ai që i bleu, nuk ishte tjetër veçse i biri i epigrafistit izraelit Sukenik, që kishte kohë që ishte vënë në gjurmë të tyre.

Shpejt, në rrënojat e qytetërimit të vjetër Khirbet-Qumran filluan punën ekspeditat e arkeologëve. Rrodhanët e parë ngjallën interesimin e veçantë, veçanërisht të izraelitëve. Deri në fund të vitit 1947 ishin zbuluar 7 rrodhanë, por gjatë viteve 1952-1956, u zbuluan dhe 10 shpella të tjera të Wadi-së, po në Kumran, ku u gjetën shumë materiale e mbishkrime me një vlerë të jashtëzakonëshme. Beduinët, që e mësuan se dorëshkrimet e shpellave mund të shiteshin shtrenjtë, filluan të gjurmojnë në shpella të tjera në zonën përreth dhe nuk vonoi që gjetje të tjera u shfaqën në pazaret e Palestinës. Ndërkohë historianë të shumtë në qëndrat më të mëdha historike të botës filluan të hedhin hipotezat e tyre: vallë këto dorëshkrime ishin pjesa që kishte mbetur nga biblioteka e pasur e Jeruzalemit? Apo kishin të bënin me bibliotekën e «esenianëve» të tërhequr nga Jeruzalemi, meqë atëherë ataishin në kundërshtim me judaizmin zyrtar të Jeruzalemit? Kur ishin shkruar ato? Nga kush? Vallë ishin shkruar vërtet në periudhën e viteve 250 p.e.s. deri në vitin 60 të erës sonë, që është dhe data e largimit të banorëve «esenianë», pasi Kumrani u shkatërrua plotësisht nga romakët? Shumë pyetje lidheshin me dorëshkrimet për të cilat filloi një konkurrencë e madhe se kush t’i vinte në dorë, jo vetëm midis institucioneve, dhe në rradhë të parë studjuesve izraelitë dhe studjuesve katolikë të mesazhit biblik, por edhe midis shteteve, pasi më parë Kumrani ishte nën juridiksionin e Jordanisë, por pas «Luftës së 6 ditëve» më 1967, zona kaloi nën kontrollin Izraelit, dhe si përfundim edhe dorëshkrimet e gjetura në Kumran. Sigurisht, Vatikanit i interesonin së tepërmi këto dorëshkrime, meqë lidheshin me Testamentin e Vjetër, para Krishtit, të integruar siç dihet më pas në Biblën zyrtare.

Zbulimi i Kumranit ishte për paleografët, arkeologët dhe historianët një parajsë e vërtetë shkencore. Tashmë, përmes «karbonit 14» mund të saktësohej me ekzaktësi vjetërsia e tyre. Dorëshkrimet e Kumranit ishin të dy llojeve: të natyrës biblike dhe jo biblike, pra të llojit të tregimeve historike. Në këta rrodhanë kishte dhe pjesë nga Libri i Jakobit, nga Pentateque apo Eksodi, nga Deuteronome, etj. Disa kodikë ishin dhe në gjuhën e vjetër aramene, (para hebraishte), si Apokrifi i Gjenezës, Testamenti i Levit, fragmente nga Henoch Targun, etj. Autori anonim apokrif i Gjenezës kishte një gjuhë të bukur. Ai i këndonte veç të tjerash dhe bukurisë së Sarës, gruas së patriarkut Abraham, atit të hebrenjve: «Sa e bukur është fytyra e saj, sa të admirueshme e të buta i ka flokët. Të ëmbla janë sytë e saj, të hijshme janë gjinjtë me bardhësinë e tyre. Po krahët, sa të bukur janë! Dhe këmbët po ashtu, të përsosura. Asnjë virgjëreshë apo nuse që hyn në dhomën e saj natën e parë të martesës, nuk është aq e bukur sa ajo…»

Ndërkohë, një ekip i kryesuar nga prifti domenikan, biblisti i njohur dhe studjuesi i Shkollës Biblike dhe Arkeologjike të Jeruzalemit, Roland de Vaux, nisi hulumtimet dhe bëri studimin shkencor të teksteve të Kumranit. Në 200 dorëshkrimet e Shkrime hebraike, gjënden pothuaj gjithë librat e Biblës hebraike, përveç Librit të Esther-it dhe Libri i Nehemie-s. Në «bibliotekën» e Kumranit, ku u gjetën dhe plot psallme liturgjike (himnet pseudo-davidike), apo tekste të vjetra me një gjuhë paleo-hebraike me 22 shkronja, (që siç duket është huazuar nga fenikasit), janë dhe librat e parë si Libri i Tobit apo Ben Sira, si dhe Letra e Jeremisë, të cilat nuk janë përfshirë në Testamentin e Vjetër të integruar në Bibël, siç ekziston ajo dhe sot. Përveç rrodhanit të Himneve, Këngës për Holokaustin e Sabbat, në shpellat e Kumranit u gjet dhe një dorëshkrim i shkruar në fleta të mëdha bakri, me gdhëndje dhe në gjuhën hebraishte, ku studjuesit deshifruan se në të shkruhej për vëndet e fshehta nëpër Jude, ku ishte fshehur thesari i Tempullit të shkatërruar gjatë revoltave çifute në vitin 66 dhe 70 të erës sonë.

Që në fillim rezultoi se dorëshkrimet e shpellës numër 4 ishin dorëshkrimet më të pasura, pasi ato përmblidhnin 500 dorëshkrime. Dhe meqë ishte zbuluar nga beduinët, vite me rradhë qëndroi enigma nëse dhe dorëshkrime të tjera ishin shitur andej këndej nga beduinët dhe që i përkisnin pikërisht shpellave të Kumranit.

Pas bashkimit të fragmenteve të shumta të gjetura në Kumran, filloi puna e deshifrimit dhe e përgatitjes së tyre për botim. Eleazar Sukenik deshifroi rrodhanin e shpellës numur 1; rrodhanet e Samuelit u deshifruan dhe u përgatitën për botim nga J. Trever, M. Burrow dhe W. Browie të «Shkollës Amerikane të Kërkimeve Orientale». Një sensacion më vete bëri në atë kohë deklarata e profesorit të njohur të Sorbonës, në Paris, André-Dupont Sommer, i cili pohoi se në tekstet e vjetra të Kumranit dhe në ato të krishterëve të parë të Krishterimit, kishte gjetur përngjasime të mëdha. Deri në atë kohë, ishte një lloj herezie të konsideroje një lidhje midis kristianizmit dhe judaizmit, por profesori Sommer, vërtetoi përmes teksteve se atë që kërkonte prijësi shpirtëror i esenienëve, të njëjtën gjë kërkonte dhe Zoti i Galileut, Jezu Krishti, pra predikimi i pendesës, përuljes, varfërisë, ndihmës dhe dashurisë për tjetrin, besnikërisë bashkëshortore.

Koleksioni Schechter

——

Në fakt, që në vitin 1897, anglezi me origjinë çifute, Solomon Schechter, ishte informuar nga dy mikesha të tij që vinin nga Kajro, (të cilat i dhanë dhe ca fletë të vjetra të çuditshme), për ekzistencën e disa librave të vjetër në sinagogën mijëvjeçare të Kajros të quajtur Ben-Ezra. Pasi dalloi në to disa gjurmë tepër të vjetra të librave hebraikë, Schechter u nis t’i kërkonte vetë ato. Ai u fut në depon plot pluhur që hebrenjtë e quanin «gueniza», dhe duke rrëmuar në atë grumbull të çrregullt e të paprekur për shekujsh nga dora e njeriut, kishte shtënë në duar Shkrimet e Damasit. Ky ishte rrodhani i parë i dokumenteve të Kumranit, i quajtur Ekleziastik, të gjetur nga dijetarët. Ai quhej kështu sepse «esenianët» që kishin banuar në Kumran, kur kishin ikur, i kishin marrë me vete shumë nga librat e shenjtë dhe ishin vendosur në Damaskun e Sirisë, që t’i shpëtonin persekutimeve nga romakët. Schechter e çoi këtë rrodhan në universitetin e Kembrixhit dhe filloi të punonte për deshifrimin e tij. Ai e dinte se prej njëmijë vjetësh ky tekst në versionin hebraik kishte humbur, por katolikët e kishin integruar të marrë nga Bibla e shkruar në greqisht, e quajtur ndryshe «Septante». Zbulimi ishte i madh, pasi dokumentet më të vjetra hebraike deri atëherë ishin ato të shekullit II të erës sonë, (Mishna, ishte dokumenti më i vjetër i judaizmit rabinik, i vitit 200 e.s.). Kështu, «Koleksioni i Schechter», i përbërë prej 140 mijë fletësh, u quajt me termin shkencor “Cario-Damasus”, apo «Kodiku Damasus», dhe studjuesit e mëvonshëm të shekullit XX, gjetën në atë tekst judeo-kristian një ungjill më të hershëm se ungjillet e katër evangjelistëve të parë.

Dorëshkrimet e Detit të Vdekur, (në total 900 dorëshkrime, ku ndër më kryesorët janë 11 libra), janë padyshim me një vlerë të paçmuar jo vetëm për historikun e teksteve biblike, por edhe për plotësimin e disa pasazheve që sot janë në Bibël. Disa studjues thonë se komuniteti hebre i «esenianëve» të Kumranit, (atëherë ndër sektet hebraike ishin dhe «farisejtë», sadysienët, hasidienët, etj), ky komunitet ishte ai i Shën Gjon Pagëzorit, (Jean Baptiste), i cili ishte nga më të afërtit e Jezusë. Ishte pikërisht ai që shkoi në shkretëtirë, në zonën e Kumranit, duke u thënë pasuesve të tij: «Përgatisni udhën e Zotit dhe bëjini të drejta shtigjet e tij.»

Rrodhani më i gjatë i dorëshkrimeve të Detit të Vdekur që ishte ruajtur më mirë dhe që ishte më i gjati mes të tjerëve, 8,75 m, është «Rrodhani i Tempullit» që ishte Torah e hebrenjve, i cili, siç pohojnë disa studjues, është shkruar në periudhën e viteve 150-125 p.e.s. Ai na ndihmon të kuptojmë më mirë tekstet e kristianizmit të hershëm primitiv.

Filed Under: Emigracion

Dy herë më të lashtë

July 23, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Kush ishte populli i parë që kolonizoi Amerikën? Deri pak vite më parë, besohej se kultura e parë amerikane ishte ajo e Clovis, paraardhësve të vendasve të Amerikës së Veriut. Për më tepër, njerëzit mendohej se kishin mbërritur në atë kontinent jo më herët se rreth 14,000 vjet më parë. Prandaj, në këtë “rindërtim” të historisë, qytetërimet e para do të kishin qenë ato të Amerikës së Veriut, ndërsa Aztekët, Majat dhe Inkasit do të kishin ardhur shumë më vonë. Zbulimet e fundit, duke përfshirë analizën e ADN-së, kanë nxjerrë në pah se si arkeologjia ishte edhe një herë e gabuar. Qytetërimet e para të Amerikës ishin popujt e Amerikës Qendrore dhe Jugore, të paktën 15,000 – 20,000 vjet më herët se sa besohej më parë. Dhe këto popullsi erdhën nga deti, nga Siberia dhe Sundaland (kontinenti që u zhduk për shkak të shkrirjes, që korrespondon me Indonezinë e sotme dhe ishujt përreth).

Në fakt, rreth vitit 2020 disa studiues publikuan rezultatet e zbulimit të mbetjeve njerëzore në shpellën Chiquihuite, në Meksikë. Gërmimet filluan në vitin 2012. Gërmime më të gjera u kryen në 2016 dhe 2017. Puna u botua në revistën Nature. Ajo që u gjet në shpellë revolucionarizoi plotësisht mendimin e arkeologëve. Studimi, i paraqitur nga Ciprian Ardelean, një arkeolog në Universitetin Autonom të Zacatecas (Meksikë) dhe kolegët e tij, sugjeron se njerëzit kanë jetuar në Meksikën qendrore të paktën 26,500 vjet më parë. Profesori thotë: “Duhen shekuj ose mijëvjeçarë që njerëzit të kalojnë Beringinë dhe të mbërrijnë në mes të Meksikës.” Më vonë, ai shton: “Duhen shumë vite prani të mëparshme për t’i çuar atje, qofshin ato nga deti ose nga toka.” Kjo do të thotë se njerëzit kanë qenë në Amerikën Qendrore më shume se 30,000 vjet më parë.

Por kjo nuk është e gjitha. Një tjetër qendër kërkimore ka zbuluar se popullatat vendase të Amerikës Qendrore dhe Jugore nuk kanë vetëm një paraardhës, por kanë dy. Si të thuash, ata kanë një “popull nënë”, i cili identifikohet si “popullsia Y” dhe që janë banorët origjinalë të Sundaland nga e kaluara e largët, rreth kohës së shkrirjes. Por ata kanë edhe një “popull baba”, që janë Inupiat, të ardhur nga Siberia.

Këto zbulime revolucionarizojnë rrënjësisht të gjitha besimet arkeologjike për të kaluarën e Amerikës. Kush i kishte rrënojat më të vjetra të gjetura në ato toka atëherë? Cili qytetërim i së kaluarës ishte në gjendje të krijonte gjeopolimere në majën e Andeve? Kush i krijoi vizatimet gjigante të Nazca-s dhe mbi të gjitha për çfarë qëllimi? Dhe mbi të gjitha: nëse 30,000 vjet më parë njerëzit mund të udhëtonin nga Australia në Amerikën Qendrore, çfarë i pengoi ata të shkonin nga Amerika Qendrore në Egjipt, siç duket se tregojnë tani dëshmi të ndryshme?

Filed Under: Emigracion

Shqiptarë, Atdheu po shuhet

July 22, 2024 by s p

Ajet Delaj/

Kombi shqiptar i ka mbijetuar dallgëve përgjatë historisë dhe ka arritur të mbijetojë me gjithë humbjet e mëdha që kemi pasur herë për fajin tonë e herë prej armiqve tanë që nuk kanë qenë të pakët. E dua Atdheun tim megjithëse nuk më ka afruar asgjë e për më tej akoma shtetarët e pushtetarët në 34 vitet e fundit na kanë  mohuar trashëgiminë  dhe të drejtën e votës. Problemi nuk qendron tek ne pasi lavdi Zotit edhe pse kemi arritur të integrohemi në perëndim prapë nuk e harrojmë apo më keq akoma nuk e mohojnë Atdheun, por tek kalamajtë  tanë   e besoj edhe tek tërë fëmijët e emigrantëve këtu në Shtetet e Bashkuara e pse jo edhe në Europë  pasi nuk kemi asgjë për tu thënë që ta ndiejnë veten shqiptarë kur Atdhe kanë Amerikën apo Europën. Fëmijët tanë po arsimohen në universitetet më presigjoze të këtij vendi të madh e po punësohen në nivelet më të larta të këtij shteti demokratik gjë që nuk kanë asnjë nevojë për asgjë nga ai vend prapë ne si prindër mundohemi herë pas here që t’ua theksojmë se janë shqiptarë. Na dëgjojnë për respekt si prindër që jemi e kur vijmë në Atdhe e blejnë nga një shqiponjë suvenir për ta vendosur në qafë më  shumë për t’na e bërë qefin neve sesa e kuptojnë domethënien e sajë.

Fëmijët tanë po rriten në Atdheun e tyre që ju ka dhënë të gjitha mundësitë dhe po arrijnë majat e shoqërisë amerikane por nëse nuk na kanë pyetur gjer tani jam i sigurtë që nesër me siguri kanë për t’na pyetur: Çfarë ju ka afruar Atdheu juaj juve që nuk keni reshtur së thëni që kur keni lindur se ne duhet të jemi e të ndihemi shqiptarë. Pyetje boll e vështirë mbas tërë atij patriotizmi folklorik e patetik që kemi bërë ndër vite me fëmijët tanë që lindën e po rriten në perendim. Fatkeqësisht asgjë. Po çfarë po kërkojmë ne të ikurit që mbase jemi egoist e Atdheu nuk ka mundësi e nuk mundet të na e afrojë si pikë apo si sadisfaksion këtu në Atdheun e ri.

Në masën më të madhe diaspora shqiptare po të doni e 200 viteve të fundit jemi të dëbuar nga Atdheu e për fatkeqësinë e Atdheut në disa hapësira shqiptare në Ballkan të kërcënuar me jetë e bukë nga pushtuesit  e për faqen e zezë të shqiptarëve diaspora e Shqipërisë zyrtare në 112 vitet e fundit shqiptarët janë dëbuar nga Atdheu nga shqiptarët me të njëjtat metoda që pushtuesit i kanë dëbuar shqiptarët nga trojet e tyre në hapësirat shqiptare në Ballkanin perëndimorë apo me sakte Gadishullin Ilirik. Në krejt hapësirat shqiptare të ish-Jugosllavisë diaspora shqiptare e atyre hapësirave e gëzojnë të drejtën e votës e të pronës kurse për turpin e faqen e zeze të shtetit shqiptar 112 vjeçar, diaspora e Shqipërisë zyrtare nuk i gëzojnë këto tëe drejta themelore.

Po çfarë është Atdheu nëse na mohojnë tokën e të parëve, pra trashëgiminë e vullnetin për tu shprehur me votë për të ardhmen e atij vendi që quhet Shqipëri. Pra na mohojnë të shkuarën dhe të ardhmen që duhej të na lidhte shpirtërisht e materialisht me atë që duhet të ishte Atdheu ynë e Atdheu i fëmijëve tanë. Vetë jeta është interes e politikanet natyrshem i shohim njerëzit, fenomenet , zhvillimet shoqërore e politike nga këndëvështrimi i interesave të tyre . Rrekem të kuptoj interesin e politikës shqiptare të këtyre 34 viteve të fundit që në tërë veprimtarinë e tyre kanë prodhuar braktisje masive të Atdheut pra shkombëtarizim e pse jo edhe varfëri për pjesën dërrmuese të popullsisë.

Varfëria do ishte shumë herë më e madhe nëse nuk do ishte kontributi i diasporës , i kësaj diaspore që pushteti i votuar apo lejuar nga familjarët e tyre në Atdhe ju ka mohuar trashëgiminë e paluajtshme dhe ardhmërinë e shprehur me votë. Me dashamirësinë më të madhe ndaj pushtetit përgjatë 34 viteve të fundit në Shqipëri nuk arrij të kuptoj interesin e kësaj politike në raport të drejtë me interesin kombëtar të Shqipërisë e shqiptarëve. Nuk mendoj se duhet të mundohem shumë për të gjetur jo një por një mori faktesh e argumentash që lehtësisht e klasifikojnë pushtetin politik e shtetëror të 34 viteve të fundit si pushtet anti shqiptar. Për ta mbyllur aty ku e nisa, unë nuk gjej asnjë argument për t’u thënë fëmijëve të   mi që të ndihen e deklarohen krenarë se janë shqiptarë pasi Atdheu i prindërve të tyre përveç atyre që shkruajta më lart për rreth 50 vite ishte një shtet vasal nën sllavo-komunistet e në 34 vitet e fundit sundohet nga anti-shqiptarët dasha edhe më keq.

Bashkatdhetarë të nderuar në Atdhe e diasporë nëse unë kam të drejtë në këto që po shkruaj atëherë ju duhet të ngriheni në këmbë se Atdheu jo vetëm është në rrezik por po shuhet nëse kemi sy në ballë për të shikuar e mend në kokë për të kuptuar. Një gjë e them me bindje të plotë se kombi shqiptar ka prodhuar burra e gra me emër të madh në sytë e Europës dhe botës e jam po kaq i bindur së kombi Shqiptar ka edhe sot burra e gra që janë të zot me i dalë zot Atdheut mjafton ti dëgjoni e ndiqni pas në mbrojtje të interesave tuaja. Mjaft votuat sharlatanët e injorantet e radhës që po e groposin Atdheun tonë së bashku me ne fizikisht apo emocionalisht.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 180
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT