• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Banka Botërore me vlerësim të lartë për Kosovën

May 16, 2023 by s p

Në një komunikatë të lëshuar në fillim të kësaj jave, Bordi Ekzekutiv i Drejtorëve të Grupit të Bankës Botërore, kanë thënë se ata mbështesin Kosovën në përshpejtimin e konkurrencës së saj për krijimin e vendeve të punës dhe standard më të lartë të jetesës.

Sipas Bankës Botërore, brenda 10 viteve të fundit Kosova ka shënuar progres të qëndrueshëm ekonomik, me një rritje prej afër 50% të të ardhurave për kokë banori dhe me një ulje prej 35% të shkallës së varfërisë, duke performuar më mirë sesa vendet me të ardhura të ngjashme për kokë banori.

Drejtori i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu është shprehur se Kosova mund të përfitojë nga riorientimi i Ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit, duke rritur punësimin më cilësor për të gjithë dhe duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm që mbron mjedisin dhe gjeneratat e ardhshme.

Në vitin e kaluar, Kosova kishte shënuar vlerën më të lartë ndonjëherë të eksporteve, rreth 920 milionë euro. Ndërkaq këtë vit vlera e eksportit pritet që për herë të parë kalojë shumën prej 1 miliard euro. Si rezultat, raporti eksport-import viteve të fundit ka shënuar përmirësim të dukshëm. Nga 1 me 9 sa ishte në vitin 2019, në më pak se 1 me 6 sa është aktualisht.

I njëjti institucion, muajin e kaluar ka publikuar raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, në të cilin parashikon që Kosova do ta ketë rritjen më të lartë ekonomike në Ballkanin Perëndimor në tre vitet e ardhshme; 2023, 2024 dhe 2025.

Filed Under: Emigracion

TAKIM NË CHICAGO

May 9, 2023 by s p

Kastriot Fetahu/

Sa herë njoftohem për mbledhjen e Vatrës së Chicagos, ndjej ngazëllim, se më ngjason si forumi “Klubi i Parisit”, nuk e di pse, por edhe si një takim miqsh, i cili më zgjon copëza jete, që edhe pse flenë, qëndrojnë gjithmonë zgjuar.

Nuk i kam treguar kurrë askujt, se në jetën time vetëm një herë më ka ndodhur të doja një aktore në adoleshencë, kur kam parë filmin “Në emër të popullit”, të cilin bashkë me filmin “Si hyra në polici”, Hoxha i përdori si provë për goditjen në art, kulturë dhe letërsi në plenumin e PPSH të vitit 1974.

Ishte një personazh, Katina, që se ç’ kishte diçka magjike, më hipnotizonte si gjarpri Boa prenë e vet përpara se ta gëlltisë.

-Djema si jeni, po ju vajza,- përshëndeti kryetarja jonë.

Mu kujtua ai tipi që më pyeti, po Mirela Kaninin e keni zgjedhur kryetare se është grua e bukur?

Jo, i thashë prerë, se është grua e mençur dhe shkrimtare me katër libra…Agatha Christie e Vatrës!

Mirelën sa më shumë e shikoj, aq më shumë më ngjan me Raçen e filmit, shoqja e ngushtë e Katinës.

Përshëndetjes së saj nuk ju përgjegja. Nuk e di pse ju rebelohesha përshëndetjeve. Më duken si kot, si false dhe distancuese.

Ja përshembull, kur takohesha me të dashurën kur isha student, nuk përshëndetesha kurrë…

Në mbledhje shkoj gjithmonë me profesor Ernest Nasto. Ai, një “tradhëtar”, se e la Shqipërinë në 1989 për specializim në Francë dhe nuk u kthye më.

Kur bisedojmë, se takohemi për kafe pasi banojmë të dy në downtown Chicago, ai më sjell në mendje pragmatizmin racional të Jimmy Carter dhe pasionin për të mbrojtur idetë si Ronald Reagan.

Mbledhjet tona i ngjajnë një mëngjesi pune, që nuk e kam përjetuar në Tiranë.

Me Bledi Stefën flasim për Tiranën dhe dilemat ekzistenciale të ndara midis vendit tonë dhe Atdheut të dytë. Bledi është kolegu im si inxhinier në Vatrën e Chicagos bashkë me Artanin dhe një altruist që të imponohet me edukatën dhe maturimin e fjalës.

Aty midis të tjerash, propozova një ftesë për një grup arbëreshësh…

Ok, tha Mirela, po çfarë janë si vlerë?

Nuk do të shkoj ti marr te klubi i fshatit “San Demetrio Corone”, i thashë me të qeshur.

E pra, vazhdoi Mirela… dhe qeshëm edhe më tej.

-Ok- tha Ardian Ruci, se një fundjavë i mbajmë me shpenzimet tona dhe vetëm bileta ju ngelet atyre, po mos na sill gra se nuk i sistemojmë dot.

Gratë i marrim në shtëpitë tona, i thashë pafajsisht, duke krijuar një ilaritet me të qeshura…

Adin e kemi zemrën e Vatrës së Chicagos. Po iku ky, mendova me vehten, do iki dhe unë, se Vatra pa Adin kampion, bëhet anemike!

Po Olsi Çomi Tahon pse nuk e mbaj mend si fytyrë (?), më kaploi mendimi në çast se nuk erdhi as këtë herë në mbledhje. Më kishte bërë përshtypje si një biznesmen dhe punëtor i zoti.

Po më largoi nga ky mendim zysha, që propozoi të bënim organizime për fëmijë. Ju nuk e njihni zyshën. Ajo është Aurora Ajdini, ka një zë mezzosoprano dhe një sjellje si prej babaxhani.

Zysha po të ishte bërë këngëtare, do e linte pas Vikenën, mezzosopranon e Tiranës, mendova.

Eshtë zëtrashë Vikena?

Apo nuk i ngjan dhe Katinës së filmit tim të adoleshencës…

Më kujtonte gjithmonë, (nuk e di pse), Franklin D Roosevelt me thënien e tij -Mbani mend, mbani mend gjithmonë, se të gjithë ne, dhe ju dhe unë në veçanti, rrjedhim nga emigrantë dhe revolucionarë.-

Kur po diskutonim për suveniret me logon e Vatrës, u ndez një debat i madh dhe i bukur.

Artani Nati është një mik i rrallë dhe tejet racional. Ai është biznesmen, më pëlqen stili i mendimeve të tij, i ngjan një korpusi të pandryshueshëm metalik prodhuar me metale të çmuara dhe edhe në këtë debat po kështu foli.

Mirela dhe disa ishin për logon e Vatrës me mbishkrimin “ Përjetë shqiptar”…

Në çast mendova, se a thotë anglezi “Përjetë anglez”, apo irishi “Përjetë irish”?

Dhe e shpreha këtë gjë…

Sportiviteti dhe e qeshura janë emërues i bisedave tona dhe në atë situatë e sipër propozova “Jam shqiptar”!

Po prisja reagimin.

Ju nuk keni shans ta njihni Mirelën, sesi drejton një mbledhje.

Nuk kam parë një grua më elokuente dhe vetëm kur tha… po ne femrat si do e marrim çantën me “Jam shqiptar”?

Përsëri gaz i madh.

Por edhe duhej argument për ta rrëzuar atë…

Është unisex, ja prita në çast, plus një mbishkrim i shkurtër që godet edhe emocionalisht.

Në mendje më erdhi fjala “Popull”, a është popull një shqiptare, apo populleshë?

Dhe qesha me vehte me bindjen se “Jam shqiptar” është saktë si mbishkrim.

Më kundërshtuan përsëri dhe edhe më përkrahën. Artani si racional, po kështu edhe Shkëlzen Cakeri, të cilin nuk e njihja shumë, por më krijoi idenë se është një djalë i mençur me shije artisti.

Zysha është pak si kategorike dhe me Mirelën mbronin feminizmin.

Qeshnim dhe diskutonim.

Në çast ju kujtova miqve të mi Volterin me “Unë nuk jam dakord me atë që thua, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tënde që ta thuash!”

Këtë ta shkruajmë, tha profesori dhe do na i blejnë të gjitha suveniret, duke ngjallur përsëri të qeshurat tona.

Kënaqësi të punosh me këta njerëz, mendova, midis të cilëve dhe Emanuela Ebris Cako.

Ajo flet pak dhe shumë e përkushtuar, në një çast kur po e shihja, më ngjau me Iskrën e filmit…

Ej, mos të ngecin sytë tek Emanuela pse është e bukur, po pse është e mençur, frenova vehten.

Pse poetet shikojnë të bukurën (?), vazhdova monologun, të cilin ma ndërpreu Mirela se e hodhi në votë mbishkrimin…

“Jam shqiptar” është emocion kudo jashtë kufijve dhe edhe në suveniret e Vatrës së Chicagos po kështu.

Prej kohësh bluaj në mëndje “Mërgata e qyqeve” të Nasho Jorgaqit…

Pse akoma ai libër…

Ne jemi një kryesi idealiste, që punojmë vullnetarisht e, bëjmë gjëra të bukura për komunitetin me projektet dhe realizimet tona.

Po qeveria në Tiranë pse është pa transparencë dhe jo idealiste?

Nuk vazhdova, sepse kisha kërkesën për ndihmë financiare nga prindërit pensionistë…

Shqipëria e Chicagos është modeli se si duhet të jetë Shqipëria e Shqipërisë, vazhdova përsiatjen duke ndjekur gugatjen e të qeshurave të miqve të mi absolutisht të mirë dhe shpirtbukur të Vatrës së Chicagos.

Ka shpresë…

Filed Under: Emigracion

LIRIA DHE POEZIA

May 5, 2023 by s p

Kastriot Fetahu/

Poezia që sapo lexova, sikur i kishte çekiçë ato rreshtat e dhëmbëzuar si tehu i asaj sharrës së drurit në mësimin e shkronjës “sh” në abetare. Një kandar nga ata me gurë, në mendjen time, bënte gjithmonë atë zhurmën “rrak-shtrak”, njëjtë me atë të atij fshatarit plak që del e shet fiq në fundin e mëhallës e dukej sikur peshonte poezitë e lexuara.

Ajo pyetja se me çfarë maten apo peshohen poezitë më rëndonte gjithmonë si guri i kandarit në fundin e bishtit…

Nuk e kam gjetur dot shpjegimin pse vjetërimi i njeriut është në përpjesëtim të drejtë me zhvillimin progresiv të mendimit filozofik të tij!

– Sa vjeç ishte Chehov kur shkroi “Xhaxha Vanja”? – doja të hiqja mendjen, po përsëri vargjet sharrë të asaj poezie, nuk dija nëse më sharronin, apo godisnin trurin, si një sqep qukapiku në një dru të vjetër…

Mirë që nuk e lexova autoren.

Unë tjetërsohesha sa herë lexoja ca si poezi ku shkronja “ë” mungonte në fund të fjalës dhe shkruheshin me vargje shkronjëmunguar!

Po të ishte ajo poetja e bukur, autorja e kësaj poezie, do e shaja unë?

Jo, jo, atë nuk mundem edhe në turrën e druve të më digjni dhe sikur në vend të kardinalëve të Vatikanit, vendimin ta marrin ata dy këpucarët e vjetër në atë kthinën pranë dyqanit të zarzavateve tē rrugicës sime.

Po… vërtetë pse duhet ta përbuz atë poeten, vetëm pse lexova diçka që i ngjan poezisë, aq sa katrori i ngjan rrethit?

Po sikur ajo ta mësoj këtë e të më thotë se çfarë dështaku jam në pjesën tjetër të jetës apo në shkenca të tjera jashtë letërsisë?

Po sikur të më tregojë se sa i pavlerë jam para Hygo, Pushkin, Marquez, Dickinson, Charles Baudelaire e të tjerë?

Ja që edhe unë jam ca mediokër në boshtin e abshisave për vlerën numerike letrare, që atashohem në të.

Lutem të jem në anën e djathtë të origjinës së tij!

Mu kujtua ai filmi me Hipolitin…

Nënqesha, se popuj të tjerë kanë nxjerrë Nobelistë dhe nuk endin në qiejt e tyre të mendimit të tilla re të ngarkuara me jone urrejtjeje kundër amatorëve.

Qytetërimi është solidaritet, respekt e dashuri, dialogova me vehten!

Pse e minojmë paqen sociale ne??

Po për klimën e komunitetit të krijuesve, të fundit jemi në Europë?

Letërsia është opinion apo shumatore aksiomash?

Po opinioni është e vërteta apo arsyetim variabël në kohëra që lidhen midis tyre me ura?

Limiti në sistemin e referimit të gjykimit të drejtë për vlerat letrare nuk jam unë dhe nuk duhet ta harroj, që të mos zhytem në delirim personaliteti e të bie në pozitat e një narcisti, pasi njësia matëse e mediokritetit është relative dhe jo një etalon i “Louvre Museum”, arsyetova!

Sikur të ishte gjallë Konfuci.

Po Bukowski do të më rreshtonte tek inteligjentët plot dyshime apo do të më degdiste andej nga ata idiotët e mbushur plot vetbesim??

Më kujtohet zysha e matematikës kur ngrinte zërin në klasë, se nuk kuptonin limitin dhe më drejtohej mua ta shpjegoja.

Po unë pse nuk vazhdova matematikën ku shkëlqeja, po kërkoj të provoj se mund të bëhem poet?

Qesha përsëri, se më kishte intriguar gjithmonë ideja empirike, që poetët kanë dashnore të bukura dhe se femrat e bukura nuk i donin as limitet dhe as integralet.

Po… nuk u bëra dot dhe as e gëzova dot këtë benefit.

Mirë se ajo vajza nuk shkruan si duhet, por është e lirë të “zhgarravisë”, me pasionin që ka, ç’të dojë brenda etikës, se ndodhet në “shtëpinë e vet”, po unë ç’ dreqin dua që vjell kundër saj çorbën, që më thartohet në stomakun e mendjes?

“Të shkruash nuk është një variabël ekuacioni eksponencial, po një artificë aforistike e përjashtuar nga teoria e dialektikës së Hegelit”, “shantazhova” vehten për të ndaluar bullizmin kundër platonikëve.

A është poezia monopol i disave??

Ej, sa i madh është treguar Platoni kur ka formuluar arsyen pse shkruajmë poezi!

Dikush në ditën e saj kumtoi që “nuk lexova asnjë varg, se nuk postoi asnjë nga këta poetë…”

Ky sikur të jetë Maoja i ri, që hyjnizon këtë herë “katërshen kineze”!

Sa mirë që nuk jam Poet, po një dashnor fjalësh të ngatërruara midis metafora profanësh dhe krahasime nga ato të fëmijërisë kur dallgën e dija një kafshë më grabitqare se peshkaqeni!?

Kulmi arriti kur dikush tjetër donte të ngjiste malin e kritikës letrare pa qënë as matrioshkë e Sizifit, kur komentonte me shkrim analfabetik si hieroglifet e “Epit të Gilgameshit” te statusi i tij, duke theksuar “na mbytën… injorantët e poezisë”.

Kjo firmos “me gjisht”, mendova, se duket që nuk ka lexuar as “Gjysmagjelin” të ilustruar me figura!

Në USA jetojnë në paqe në diversitet racash.

Kjo është një prej judenjve, që do të gjuante me gurë Jezusin e jo Barabën me verdiktet inkuizitivë që jep për krijuesit.

Kushedi se sa e shëmtuar është në shpirt dhe sa asimetrike duhet ta ketë fytyrën!

-Unë di shumë libra të cilët i kanë mërzitur lexuesit e tyre, por unë nuk di asnjë libër që ka bërë vërtet ndonjë të keqe,- më erdhi në kujtesë kjo thënie e një prej mëndjeve më të ndritura në botë, VOLTERI.

Sa trishtim kur të shajnë “mediokër!”

Po Kadare quhet kështu, krahasuar me Dostojevskin apo Tolstoin??

Përgjigja nuk është një postulat, sepse hipotezohet mbi sisteme referimi dhe përsëri të vërtetat janë relative!

Edhe pika e mbështetjes së levës së Arkimedit nuk është absolute.

Pse Raskolnikov është antihero?

Sa dua të jem si ai, pasi hero nuk u bëra dot kurrë.

Kush jemi ne, që etiketojmë “mediokër” njerëzit me dëshirat pozitive në nivele shprehjeje masovike modeste, duke zbrazur mllefin me një lloj kënaqësie sadiste dhe cinizëm të pafre?

Kritika letrare nuk ka të bëjë me etiketimin e krijuesit në rrjete sociale, por të veprës së tij në forume të caktuara dhe në raporte individësh të vetëpranuar, i fola vetes si për të marrë anën e njerëzve të ekuilibruar, që nuk nxitojnë si mushka në errësirë.

Tani vërtet nuk ngatërroj katrorin me rrethin, po ndodh që edhe unë ndonjëherë kordën e quaj tangjente në poezi!!

Komuniteti i poetëve më ngjan si ai bregu i detit me guralecë, ku asnjë nuk është i njëjtë me një guralec tjetër në madhësi, formë dhe ngjyrë!!

E vështirë për mua, e më keq akoma për këtë të “Gjysmagjelit”, të kuptojmë për ç’ vlerë të “N” targohesh “mediokër” në këtë relacion?!

A nuk janë cilësuar mediokre edhe “produkte” të shkrimtarëve e poetëve të shquar?

Mediokriteti më duket si atmosfera që mbështjell sipërfaqen e tokës dhe… të gjithë kemi kontakt me të!!

Mungesa e dashurisë në shpirtrat tanë dhe frustrimi nga dështimet, mendova, nuk na jep të drejtën ta kompensojmë me pogrome vrastare mbi shpirtrat e brishtë.

Sa i madh atamani Taras Bulba që u bënte ballë pogromeve të panëve polakë!!

Duhet të kërkojmë ekzorcistë për të larguar demonët që na kanë pushtuar, po nuk duhet ti ngatërrojmë me magjistarët fallxhorë horoskopllinj.

Qetësova veten, se të paktën nuk jam ajo që me “shfryrje hipopotamike” mallkon si plakat e xhindosura kur ju thyenim xhamat e shtëpisë, duke luajtur me top në fëmijëri dhe sa keq që as ngjan fare me plakën Nurihan!!

Kur do të zbulohet algoritmi që të dallojë ligësinë e njeriut nga mediokriteti i tij… po vrisja mendjen!

A nuk është më mirë të ketë sa më shumë Poetë dhe sa më pak kriminelë e të korruptuar?

Nuk ka ndodhur që të vrasë ndonjë Poet një grua, po atëherë pse e përçmojmë “mediokër” pjesën që përpiqet të gërmëzoj në “shtëpinë e vet”?

As ai Poeti italian nuk e vrau Xhuliana De Sio te “Dramë dashurie”!!

Një “ushtri” Poetësh na duhet për të rilindur popullin, vazhdova, nisur nga Sigmund Freud që thotë: “Njerëzit nuk e duan vërtet lirinë, sepse liria përfshin përgjegjësi dhe shumica e njerëzve janë të frikësuar nga përgjegjësia.”

A mos ndoshta padashur kam ndihmuar të ndërtohet një sistem aparteidi letrar në këtë rrjet social?

Nëse është kështu, do të më kishte zili edhe vetë Frederik de Klerk, i fundit president aparteidi, që i dorëzoi pushtetin Nelson Mandelës në Pretorian e largët, por ai nuk jeton më.

Vendosa t’i shkruaj asaj poetes, që të mos ndihet si një digë behari për vërshimet e dimrit, por edhe pse dua ta trishtoj De Klerkun, hije në shpirtrat tanë.

Çekiçët dhe sharra… pushuan në mendjen time!

Filed Under: Emigracion Tagged With: KASTRIOT FETAHU

Më 5 maj të vitit 1842 u lind Babë Dudë Karbunara

May 5, 2023 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Më 5 maj të vitit 1842 u lind Jorgji Karbunara (Babë Dudë Karbunara). U lind në Berat në një familje atdhetare. Ka qenë rilindës, mësues i gjuhës shqipe, atdhetar dhe iluminist shqiptar. Jorgji Karbunara u rrit në dyqanin e të atit, mes bisedave për çetat patriotike të Sinjës, Tërpanit e bëmave të Rrapo Hekalit. Shqipen e shkruar e mësoi fshehur me abetaren “Evëtari” të Naum Veqilharxhit. Në vitin 1898, Babë Dudë Karbunara u bë nismëtar në krijimin e degës së shoqërisë “Bashkimi” në Berat. Punoi për shpërndarjen e librave në gjuhën shqipe. Që ditën kur u shpall Kushtetuta Turke më 1908, patriotët beratas hapën shkollën shqipe në katin e fundit të një dyqani 3-katësh të Muharrem Rulit, të drejtuar nga Babë Duda e ku mësonin fillimisht 55 nxënës. Gjatë viteve 1911-1912, Babë Duda luftoi me atdhetarë për rritjen e lëvizjes së armatosur me çetat e Hysen e Servet Zaloshnjes. Beratasit në vlerësim të veprës së mësuesit të shqipes e zgjodhën delegat 72-vjeçarin Jorgji Karbunara në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912 ku edhe nënshkroi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Filed Under: Emigracion

ELITA ÇAME NË PERIUDHËN 1945-1990 DHE PERIUDHËN POSTKOMUNISTE

April 19, 2023 by s p

Petrit Begati/


Me shpërnguljen e dhunshme që përfundoi në 12-15 Mars 1945, popullata çame u vendos në Shqipëri me statusin e refugjatit politik, të pranuar edhe nga organizmat ndërkombëtare të asaj kohe. Kjo popullatë për herë të parë u mblodh pas elitës së saj të krahut të majtë, si krah fitues në koalicionin antifashist, e cila tashmë mori përsipër të bëhet zëdhënsia e kësaj popullate të martirizuar. Janë mbajtur dy kuvende, të cilat ishin në nivelin e një kongresi. Kongresi i parë u mbajt në Shalës në korrik të vitit 1944, dhe Kongresi i Dytë Çam në Vlorë, në shtator të vitit 1945. Kongresi i dytë shënon një pikë kthese në rolin dhe detyrën e elitës çame. Popullata çame do të mblidhet rreth Komitetit Antifashist Çam, i cili do të marrë atributet e një lloj pushteti për këtë popullsi të emigruar. Ngjarjet e mëvonshme që dihen
tashmë sollën eleminimin e këtij organizimi. Regjimi komunist do të mundohet ta shfrytëzoj këtë elitë per interesat e tij, dhe kjo elitë do të vendoset në shërbim të këtij regjimi. Më vonë kjo elitë do të persekutohet dhe do të eleminohet nga partia në pushtet, ashtu sikurse do t`i nënshtrohej persekutimit e gjithë popullsia çame. Kjo elitë u tradhëtua në kontributin e saj nga partia në pushtet. Kështu do të braktiseshin edhe të drejtat dhe kërkesa e popullsisë çame për t`u kthyer në vatrën e saj në Çamëri. Deri në prag të shëmbjes së komunizmit kjo popullatë me një sakrificë dhe vetmohim të jashtëzakonshëm ju përshtat realitetit të hidhur, që ju imponua duke dëshmuar vitalitet dhe dashuri për vlerat e saj, duke bërë një luftë të heshtur për mbijetesë. Terrori fizik i së kaluarës u zëvëndësua tani me terror psikologjik. Por ajo nuk do të dorëzohet asnjëherë, do të ruajë shpresat në gjirin e saj të shumëvuajtur, dhe do t´i kushtoj vëmendje së ardhmes, edukimit dhe arsimimit të fëmijëve të saj, e bindur se nga radhët e saj do të dalin njerëz të ndërgjegjshëm intelektual, që do të dinë të marrin përsipër
misionin historik të ndërprerë, dhe të realizonin ëndrrën e saj “kthimin në trojet e veta”.

Elita Çame në periudhën post komuniste.


Akti më kulmor i kësaj periudhe është dalja e njerëzëve të rinj apo të Elitës së re Çame, në skenën re të politikës shqiptare. Duke vlerësuar momentin historik që po kalonte vendi, në përpjekje për përmbysjen e komunizmit, intelektual të vetëdijshëm çamë realizuan aktin më sublim, themelimin e Shoqërisë Atdhetare Çamëria si domosdoshmëri historike, së cilës asaj i kishte munguar deri në këtë moment. Nuk ishte e lehtë që të krijohej një organizim i popullsisë çame në vitet 90-91 në Shqipëri, kur akoma nuk ishte përmbysur pusheti i vjetër komunist, pushtet i cili në mënyrë djallëzore po përgatiste skemën e vet pluraliste, për
ndryshimin e sistemit, me qëllim që të krijonin një demokraci në themel të së cilës të ishin përsëri ata vetë dhe të vazhdonin të ushtronin kontrollin e tyre pushtetor, për të siguruar
mundësinë e një revanshi politik në të ardhmen. Gjenerata e intelektualëve çamë të kësaj kohe, pjestar i së cilës kam patur fatin të jem edhe unë, ishte një gjeneratë e përvuajtur dhe e papërlyer me regjimin komunist. Ajo diti me mjaftë mënçuri të distancohet dhe nuk lejoj të bëhet pjesë e lojrave të pushtetit, që po i vinte fundi. Pra e thënë troç kemi nderin të themi që organizimi i Lëvizjes Çame nuk ishte vepër e Ramiz Alisë apo e kulisave të tij. Ajo u mbrojt gjithashu me mënçuri, që të mos vihej nën kontollin e partisë në pushtet, dhe të të gjitha grupimeve të reja politike që po dilnin në skenën pluraliste shqiptare, që tetntonin t`a bënin pjesë të lojrave të tyre dhe t`a shfrytëzonin për interesat e tyre politike. Drejtuesit e Shoqërisë Atdhetare Çamëria, tashmë të zgjedhur dhe të votbesuar nga Komuniteti Çam, mori fizionominë e një elite të përgjegjëshme, serioze, e cila ishte e gatshme të merrte në
dorë fatin e çështjes së saj të nëpërkëmbur, dhe të lënë në harresë. Deviza e kësaj elite, e cila do të mirëpritej dhe do të mbështetej kolegjialisht nga e gjithë popullata çame ishte, “Çamëria është vatra jonë e përbashkët, dhe Çamëria mbi të gjitha:!”. Me shumë kujdes u mënjanuan tendenca të ndryshme për t´a kanalizuar veprimtarinë e kësaj shqoqërie në drejtime të majta apo të dhjathta, si dhe në ndarje krahinore, të cilat shfaqeshin në shprehje të tilla si “po na komandojnë filaqotët apo paramthiotët, apo margëlliçiotët”. Ne e kuptuam që mund të realizonim amanetin e prindërve tanë, vetëm nëse do të ndiqnim me këmbëngulje dhe rigorozitet si ide lëvizëse tonën: “Çamëria mbi të gjitha”, duke qënë në të gjithë veprimtarinë tonë transparent me popullin çam. Kujtoj me respekt të veçantë kryetarin e parë të kësaj shoqërie të ndjerin z. Abaz Dojaka dhe stafin e tij, i cili me mënçurinë e një vizionari të vërtetë çam, dhe me urtësi të thellë, shmangu frymën e përçarjes, së mosbesimit dhe betonoj themelet e një shoqëie të shëndoshë të aftë për t`u bërë ballë sfidave të reja, që do të hidhnin themelet e rrugës së duhur për zgjidhjen e Çështjes Çame. Periudha e viteve 1991-1997 rezulton si një periudhë shumë e rëndësishme për fatet e kësaj çështjeje, me përpjekje titanike për t`a ngritur nga pluhuri i harresës kolektive shqiptare. Elita çame e zgjedhur nga popullata çame për ta drejtuar atë, demostroi energji të pa para për sensibilizimin e kësaj çështje, si në planin ndërkombëtar, ashtu dhe në rrafshin e përpjekjeve diplomatike të shtetit të ri shqiptar post komunist. Ne do të ushtronim veprimtarinë tonë në këtë periudhë historike në kushte të vështira, në krahasim me kushtet që ka elita e sotme çame, qoftë nga ana financiare, ashtu edhe nga situata politike në të cilat kalonte vendi në atë kohë. Ne u mbështetëm vetëm tek idealizmi ynë i fortë shpirtëror dhe i popullsisë që na mbështeste,
prandaj dhe arritëm të hidhnim hapa shumë të rëndësishëm për të ardhmen në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, hapa që do t`i lehtësonin punën brezave të ardhshëm, që do të hynin në Elitën Çame. Këto arritje tashmë dihen dhe janë të evidentuara. Ajo që dua të theksoj, dhe mendoj që duhet të konsiderohet ndër të tjera si shqetësim për politikën që ndjek elita e sotme, është mungesa e përpjekjeve, për të gjetur dhe vazhduar rrugën e dialogut me shtetin grek dhe përafaqsuesit e saj, si një domosdoshmëri për të çuar përpara Çështjen Çame, pa të cilën nuk mund të ketë zgjidhje të kësaj çështjeje. Në këtë aspekt dëshiroj të prezantoj edhe njëherë një moment me shumë rëndësi, i cili lidhet me takimin e parë të drejtuesve të kësaj shoqërie me Ambasadën greke në mars të vitit 1992 në Tiranë, e cila u zhvillua me kërkesën dhe insistimin tonë zyrtar. Pritja u realizua dhe u konsiderua zyrtare nga të dyja palët. Ky takim që do ta cilësoja si takim historik midis të dy palëve, ishte hapi i parë
i instalimit bilateral të një dialogu apo negocimi midis shtetit grek dhe perfaqësuesve të ish shtetasve të tyre shqiptarë të Çamërisë. Ndonëse për arsye taktike ky takim nuk iu bë i ditur opinionit publik të asaj kohe, ky takim duhet të shërbejë për politikanët e sotëm aktivë të Çështjes Çame, si një dëshmi e pakundërshtueshme që problemi çam ekziston edhe për shtetin dhe qeveritë greke, pavarsisht nga ajo që deklarohet prej tyre. Për fat të keq ne ndjekim me keqardhje, që lidershipi i ri çam nuk po bën asnjë lloj përpjekje për të vazhduar këtë dialog, që do të çonte përpara çështjen çame. Duke parë realitetin në sy, jemi të vetëdijshëm që nuk ka qenë dhe nuk është e lehtë të punosh për zgjidhjen e Çështjes Çame, e cila ka mbetur pezull midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë. Vështirësitë dhe pengesat janë të shumta dhe të natyrave të ndryshme, të cilat sillen si nga shteti grek ashtu edhe nga shteti shqiptar. Ajo që dua të theksoj me forcë, është që veprimtaria e të gjithë shtetit shqiptar, që nga vitet 90 dhe deri sot ka dëshmuar paaftësi dhe papërgjegjësi për të bërë hapa konkrete
në lidhje me Çështjen Çame, po për fat të keq e kanë keqinterpretuar dhe keqtrajtuar këtë çështje kombëtare. Ky lloj qëndrimi i papërgjegjshëm i qeverive shqiptare, të cilën ata janë munduar ta shfrytëzojnë për interesat e tyre konjukturale, i ka shkaktuar shumë dëme Çështjes Çame. Në këto kushte kërkohet para së gjithash nga i gjithë komuniteti çam dhe elita e tij, shumë energji për të rikoperuar këto dëme të shkaktuara. Këto momente shtrojnë përpara inteligjencës çame detyrën, që të jetë më e vëmëndshme dhe më konsekuente në hapat që ndërmerr, mbasi plagët e së kaluarës nuk janë tharë akoma dhe nuk do të duronin më të reja. Ajo që dua të ngre si një shqetësim timin personal, të cilin e kam vënë re edhe tek bashkpatriotë të tjerë, lidhet me daljen në skenën politite çame të partisë PDI dhe PDIU. E kuptoj dëshirën e politikanëve të rinj çamë për një evoluim të skemës politike çame, si një kërkesë të kohës dhe si dialektikë të ecurisë së Çështjes. Ne vëmë re me keqardhje, që puna e bërë nga aktivistët e rinj, lë shumë për të dëshiruar. Çështja çame nuk ka evoluar, nuk ka ecuri, që do të afronte zgjidhjen e saj. Konstatohet të kemi një ngërç politik në radhët e komunitetit Çam dhe levave drejtuese të saj. Shtrojmë pyetjen: Ky ngërç ka të bëjë me daljen e një partie në skenën politike çame, apo ka të bëjë me rolin dhe konceptin politik të lidershipit të saj?! Personalisht kam qenë edhe për evoluimin e Çështjes Çame, nëpërmjet një partie politike, që do t`a përfaqsonte atë direkt në jetën parlamentare shqiptare. Por kam qënë gjithashtu edhe kundër zbehjes dhe anashkalimit të rolit të të vetmit organizim përfaqsues kolegjial të komunitetit çam, të ngritur me aq sakrifica dhe përpjekje të – SH.A. “Çamëria”. Ngre shqetësimin, se ku është kjo shoqëri sot? Përse ka rënë në heshtje? A është e gjykuar dhe vlerësohet si dobiprurëse përqëndrimi i çështjes vetëm në një levë apo strukturë? A është vërtetë e zgjedhur nga komuniteti ynë elita e sotme drejtuese çame, apo rezulton si një klasë politike apo politikanësh të vetëzgjedhur? A janë të besueshme figurat dhe hapat që ata kanë ndërmarrë për përfaqsimin dinjitoz të Çështjes Çame? A kanë vazhduar ata rrugën e Çështjes Çame me të njëjtin zell dhe filozofi si brezi i politikanëve çamë te 1991? Nga një krahasim dhe analizë e ftohtë e veprimtarisë të së djeshmes dhe të sotmen nxjerr në pah, që çështja çame nuk po lëviz. Për fat të keq nuk shohim hapa konkrete për ndërkombëtarizimin e mëtejshëm të kësaj çështjeje, por vëmë re një stepje, një qëndrim në vend. Nuk ka asnjë shenjë për të vazhduar dialogun me shtetin grek dhe përfaqsuesit e saj në Tiranë, por shohim vetëm pozicionime deklarative deri diku të panevojshme, populiste dhe të pa arsyetuara thellë për ngjarje dhe episode të ditës. Nuk rezulton asnjë përpjekje apo takim me përfaqsuesit e BE-së, së paku këtu në Tiranë, për të bërë prezente problemet me të cilat ballafaqohet sot Komuniteti ynë Çam. Prisja dhe pres më shumë nga dalja në skenë e partisë Çame. Prisja që
ajo të bënte hapa më konkrete, që do të afronin drejt zgjidhjes së çështjes Çame, por jo largimin apo ngecjen e saj në vend, duke harxhuar energji jo efiçente. Një e metë e madhe e liderve politikë çamë të sotëm, është mungesa e transparencës kundrejt atij komuniteti në emër të të cilit ata flasin. Mendoj që sot nuk ka një vizion të qartë, në filozofinë tonë të
zgjidhjes së problemit. Mungon bashkëveprimi dhe kordinimi i vlerave më të mira çame. Nuk shohim asnjë përpjekje serioze për të vënë urat lidhëse me diasporën e vjetër dhe të re çame, për të rrjeshtuar dhe përqëndruar forcat në një front të vetëm të përbashkët. Shohim vetëm një amulli apo veprime populiste. Eshtë kërkuar nga përfaqsues të Disporës sonë, konkretisht nga i nderuari z. Ahmet Xhafo, para një viti mbajtja e një Kongesi apo Kuvendi Çam, si një domosdoshmëri për realitetet e krijuara. Deri më sot është heshtur në lidhje me këtë kërkesë. Shtroj përsëri pyetjen: kush e pengon mbajtjen e një Kongresi të tretë Çam? Çështja Çame nuk duhet të kthehet si patericë për mbështetjen e njërës apo të një force tjetër politike qeverisëse në Shqipëri. Ajo nuk duhet të shfrytëzohet për interesa të vogla të çastit. Ajo duhet të ruhet nga çdo spekullim politik dhe të shërbejë për elitën si forcë lëvizëse, e cila duhet të ketë si mision të saj parësor zgjidhjen e kësaj çështjeje, dhe e gjithë puna e saj duhet të drejtohet në funksion të kësaj zgjidhjeje. Çështja Çame nuk duhet të lejohet të bjerë kurrë në
gabimet e politikës aktuale të Tiranës, në marrëdhëniet me shtetin fqinj, Greqinë. Për fat të keq tonin, shohim që ekziston një realitet i hidhur, që qeveria shqiptare nuk tregon asnjë
interes për të vazhduar dialogun me qeverinë Greke, të filluar në vitet `95, në lidhje me ketë çështje. Duhet të pranojmë njëkohësisht që kjo çështje është dëmtuar edhe nga një qëndrim pasiv i komunitetit çam, i cili nuk është treguar më shumë këmbëngulës në kërkesat e tij
ndaj qeverisë shqiptare. Për sa kohë që ne çamët do t`ia varim në qafë zgjidhjen e problemit tonë tërësisht qeverive shqiptare, siç është dëshmuar deri më sot, apo të vetizolohemi në
interesa dhe kërkesa minimale, aq më të pa shpresë do të jemi. Duke u nisur nga përvoja dhe dëshira personale për të përmirësuar përpjekjet tona të përbashkëta sygjeroj: Thirrjen e Kongresit apo Kuvendit të tretë mbarë Çam!

Marrë nga libri: “ÇAMËRIA – NJË ZË QË DUHET DËGJUAR”

Foto: Nga Kongresi i Dytë Çam në Vlorë, më 23 Shtator 1945. Në sallë janë të ftuar e të pranishëm dhe përfaqësues të huaj të akredituar në Tiranë, si ai amerikan, anglez etj.

Filed Under: Emigracion Tagged With: petrit begati

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • …
  • 180
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT