5 Marsi
Jam përpjekur deri sot me qindra herë të shkruaja për 5 Marsin, por nuk kam mundur. Jo pse nuk ia kam filluar, jo pse s’kam provuar, por pse nuk ia kam dalë kurrë.
Sido që filloja, ngado që ia nisja, kahdo që vazhdoja, fjalëve iu ndodhte një ngërç i pashmangshëm, i pashpjegueshëm, një tjetërsim i predestinuar. Asnjë renditje e tyre nuk më bindtte që mund ta përfshinte të plotë aktin e flijimit të Jasharajve.
Dhe aty e kuptova që fjalët janë tokësore, e sakrifica e Jasharajve është e përtejme.
Në tokë vlejnë ligjet fizike të vdekatarëve e 5 Marsi i takon një dimensioni tjetër.
Asnjë fjalë, asnjë mendim, asnjë shprehje, hiç asnjë këngë, kurrnjëfarë arti apo vepre çfarëdoqoftë – nuk është e aftë ta prek palcën e kësaj sakrifice.
Asnjë falënderim nuk mund ta shterë flijimin të cilit duam t’i falemi.
Nuk ka përkulje që të mund të jetë aq e thellë sa ta përçojë pietetin meritor.
Nuk ka mirënjohje aq të lartë sa t’ia jep hakun rënies së tyre heroike.
Kjo ndodh meqë 5 Marsi është akti suprem i lirisë sonë kombëtare.
Ngjarja më e rëndësishme për shqiptarët me të cilën filloi shekulli XX ishte pavarësia e Shqipërisë, kurse ngjarja më e rëndësishme me të cilën u mbyll ky qindvjeçar ishte çlirimi i Kosovës.
E ngjarja më e rëndësishme brenda çlirimit padyshim që është rënia heroike dhe sakrifica kolosale e Jasharajve me në krye Komandantin legjendar, Adem Jashari.
Çlirimi është liri de fakto. Kurse pavarësia është liri de jure.
Të jesh çlirimtar do të thotë të jesh i gatshëm deri në fund brenda të drejtës.
Më 5 Mars të vitit 1998 krejt kombi shqiptar dhe fati ynë varej në idealin Jasharajve.
Kulla e tyre u shndërrua në shtëpinë e kombit.
Kurse flijimi i tyre u kthye në frymë të çlirimit.
Deri më 5 Mars e kemi dëshiruar lirinë.
Pas 5 Marsit liria na ka përshkuar neve.
Ajo është bërë princip i shpirtit tonë kolektiv.
Deri më 5 Mars kemi menduar se heronjtë janë individë.
Pas 5 Marsit dëshmor u bë krejt populli.
Deri më 5 Mars çlirimi ishte përpjekje dhe mundësi.
Pas 5 Marsit çlirimi u bë imperativ.
Rënia e Jasharajve e bëri ushtri UÇK-në.
Ajo popullin e ktheu në një bashkësi e cila jetën nuk e kupton si diçka që mund të shpëtohet, por si më të çmuarën që duhet të jepet.
Deri më 5 Mars donim të fitojmë.
Pas 5 Marsit nuk mund të humbnim më.
Sepse krejt populli u bë UÇK.
Por historia e vështirë e popullit tonë na mëson se asnjë akt, sado i lartë të jetë, nuk fillon si pikënisje absolute nga asgjëja.
Adem e Hamëz Jashari me në krye Bacën Shaban, e gjithë familja ishin të mishëruar me lavdinë dhe guximin e Skënderbeut dhe vizionin e Hasan Prishtinës.
Ata ishin të brumosur me përpjekjen e gjatë e të pamposhtur të popullit tonë për t’u çliruar nga sundimi i huaj.
Ata familjarisht e sublimojnë në mënyrë ideale gatishmërinë më të lartë në kombin tonë për të mos kursyer asgjë për lirinë.
Lufta jonë çlirimtare, Ushtria e Lavdishme Çlirimtare e Kosovës, dëshmorët e martirët tanë që e dhanë jetën për lirinë tonë, janë vlera jonë më e shenjtë kombëtare.
Sepse ajo është gjaku dhe shpirti i atdheut.
Janë krejt çka jemi dhe krejt çka kemi.
Lavdi Jasharajve heroikë!
Lavdi dëshmorëve të rënë!
Lavdi të gjithë atyre që e dhanë jetën për lirinë e kombit tonë!