• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË VATËR E DASHUR DHE E ZJARRTË KOMBËTARE

January 31, 2022 by s p

(Roli i kishës shqiptare “Zoja e Shkodrës për çështjen kombëtare)


Prend Ndoja/


Disa nga ata që nuk u pajtuan me komunizmin në Shqipëri përjetuan vuajtjet më çnjerëzore nën kthetrat dhe egërsinë kriminale të atij regjimi, ose u ekzekutuan pa mëshirë. Ndërsa një pjesë tjetër mori arratinë. Të gjithë e dimë rrezikshmërinë e një akti të tillë. Por atyre u kishte shkuar thika në asht dhe, në momentin e ikjes, përveç vetes së rraskapitur, çdo gjë tjetër e lanë pas, familjen, të afërmit, atdheun. Me vete morën pasigurinë e së ardhmes, por edhe shpresën që lindte sapo kaloje kufirin, peshën e vuajtjeve dhe të mallit, kujtimet e një jete të vështirë, lotët e nënës e të familjarëve. E mbi faqe një pikë lot që nuk e thante lehtë as era e udhëtimit të gjatë.
Hija e zezë komuniste gllabëronte jetë njerëzish, kërkonte krerët e rezistencës, në veçanti i kërkonte krerët e panënshtruar ndonjëherë më parë në trevat e Mirditës. Në Malin e Shenjtë të Mirditës kishte hyrë shpata e djallit të kuq, tronditjet i ngjanin tërmetit të një shkalle të lartë që rrënonte male dhe çante gurët e bjeshkëve; rrëzonte lisa me rrënjë shekullore, që u kishin bërë ballë të gjitha stuhive dhe kohërave të mëparshme.
Ishte viti 1951, kur mbi 200 trupa të forcave komuniste e kishin rrethuar Mirditën. Urdhri ishte dhënë drejtpërdrejt nga kreu komunist, Enver Hoxha, për të likujduar priftin e fshatit, don Zef Oroshin. Për të zbatuar atë urdhër ishte ngarkuar njeriu famëkeq, i ashtuquajturi toger Baba me shokë.
Në atë ditë të rëndë, gjatë ceremonisë së meshës, don Zef Oroshi e kishte nuhatur që jashtë mureve të kishës po e priste vdekja. Për ta shmangur vdekjen, ai e shkurtoi predikimin dhe e mbaroi meshën para kohe. Ndërsa jashtë kriminelët e komunizmit prisnin që ta prangosin apo ta pushkatonin. Por prifti i zgjuar, i ndihmuar edhe nga bashkëfshatarët, doli nëpërmjet një dere sekrete, iku maleve dhe iu bashkëngjit forcave antikomuniste të Mirditës. Pastaj më vonë e kaloi kufirin për në Kosovë e në Itali, për t’u larguar pastaj përfundimisht drejt Amerikës.
Deri në vitin 1969, shqiptarët e besimit katolik në Nju Jork, i zhvillonin lutjet e ceremonitë fetare në kishat katolike amerikane, në lagje të ndryshme të qytetit me rrethinat e tij. Gjatë atij viti, me kujdesin e drejtpërdrejtë dhe me kryesimin e kryemeshtarit mirditas, don Zef Oroshi, themelohet kisha e parë katolike shqiptare në Amerikë, në këtë adresë: 4221 Park Avenue, Bronx, New York. Mesha e parë u celebrua natën e Krishtlindjes, në po të njëjtin vit.
Gjatë viteve `70, udhëtimet nga Shqipëria drejt Amerikës ishin të rralla. Në atë udhë të largët, më shumë kishte udhëtarë nga shqiptarët që jetonin në trevat e Malit të Zi.
Me ardhjen e don Zef Oroshit në Amerikë, lidhja me figura të larta të shtetit të Nju Jorkut filloi të zinte vendin e duhur, që pa dyshim ishte në të mirë të kombit dhe, në veçanti, të komunitetit tonë në qytetin e madh metropolitan amerikan. Prezantimi i popullit tonë në syrin dhe mendjet e vendësve filloi të marrë pamjen e merituar. Gjatë këtyre viteve, përreth kishës “Zoja e Këshillit të mirë”, ishte një komunitet i vogël, por unik, e, pothuajse të gjithë e njihnin njëri – tjetrin.
Themelimi i kishës së parë shqiptare në Amerikë u bë në baza të shëndosha fetare dhe kombëtare. Don Zef Oroshi kishte afërsi vëllazërore me të gjithë vëllezërit dhe motrat e tij të të njëjtit komb, pa marrë parasysh besimin apo rajonin nga vinin. Ngaqë shumë prej tyre e kishin luftuar komunizmin, ata vazhdonin të qëndronin të bashkuar edhe në mërgim. Don Zefi, pas vdekjes së Abaz Kupit, çdo javë, për dy vjet radhazi, lutej në meshën e shenjtë për shpirtin e Abaz Kupit. Gjithashtu lutej edhe për shpirtin e Mit’hat Frashërit. Të shpeshta ishin edhe vizitat që bënte te varri i tyre. Mbi rrasën e varrit të Abaz Kupit ishte gdhendur numri 444, që simbolizonte Kuvendin e Lezhës të vitit 1444.
Në mbledhjen e të hollave për blerjen dhe ndërtimin e kishës, kishin marrë pjesë edhe vëllezërit e besimit islam. Jehona e një vëllazërimi të tillë do të përcillej shumë vite më vonë në Shkodër, në prag të rënies së komunizmit, kur prifti i dalë nga burgu, Simon Jubani, tek kisha e vogël e Varreve të Rrmajit mbajti meshën e parë nën rrethimin e ish-sigurimit të shtetit. Por ai rrethim nuk i pengoi qindra e qindra besimtarë katolikë, myslimanë e ortodoksë të Shkodrës që të shkonin e ta ndiqnin atë meshë. E njëjta gjë ndodhi po në atë qytet pak ditë më vonë kur u bë ceremonia fetare tek xhamia e Plumbit dhe morën pjesë besimtarë të tri besimeve në Shkodër. Xhamia e Plumbit ndodhet pranë kalasë së Rozafatit në hyrje të Shkodrës. Po në faqen e kodrës, mbi të cilën ngrihet kjo kala, ndodhet edhe kisha “Zoja e Shkodrës”. Edhe kjo një dëshmi e vëllazërimit midis besimeve fetare midis shqiptarëve.
Në shumë aspekte, kisha “Zoja e Shkodrës” e Nju Jorkut jepte pamjen e një qendre shqiptare, ku mërgimtarët gjenin një pjesë të atdheut të tyre. Aty organizonin mbrëmje festive, pas diskutimeve që mbaheshin për hallet e tejskajshme të atdheut dhe familjarëve në vendet e tyre. Skenat mbusheshin me simbole kombëtare, muzikë dhe valle shqipe.
Kishën e vizitonin shumë personalitete të larta vendore, si dhe personalitete të kombit tonë, si Nënë Tereza, princ Leka me familjen e tij etj. Në fillim të viteve `60, në Amerikë don Zefi ishte njeriu i afërt i Fan S. Nolit. Shoqata panshqiptare “Vatra”, e themeluar nga Noli, ishte vërtet një vatër që i ngrohte të gjithë shqiptarët dhe i bënte bashkë nën një çati të përbashkët.Gjatë gjithë atyre viteve e deri më tani, ”Vatra” vijoi ta ruante lidhjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Kishën shqiptare.Te ”Vatra” dhe tek gazeta ”Dielli” mbahej gjallë realisht dhe me një vizion të palëkundshëm fryma kombëtare. Aty, kombi dhe bindjet fetare përqafoheshin si engjëj mes vetes. Andaj ”Vatra” dhe Kisha shfaqeshin të përbashkëta në shumë manifestime kombëtare.
Siç e kam theksuar edhe në librin tim “Udhës së mërgimtarit”, mërgimi i atyre viteve ishte i rëndë. Mërgimtarët e pafajshëm ishin të dënuar me peshën e rëndë të mërgimit të asaj kohe. Ata u farkëtuan përmes shkrepëtimave të kohërave të vështira. Në mendjet e tyre rëndonte pesha për vëllezërit dhe motrat e lënë nën kërcënimin e rrezikshëm dhe persekutimin e egër komunist. Shumë nga ata e kishin humbur shpresën se një ditë do të takoheshin me familjet e tyre dhe me atdheun. Në një gjendje të tillë, ata idealisht qëndronin të fortë, nuk u lëkundën nga vuajtja dhe malli. Punonin me ndershmëri për t’u integruar në jetën amerikane, shtrëngoheshin pranë njëri-tjetrit, ndihmonin njëri-tjetrin duke u gjendur pranë në ditë të mira e të vështira. U dhimbte shpirti kur dëgjonin për vuajtjet e vëllezërve dhe motrave të tyre në atdhe. E përqafonin atdheun prej së largu, e, më shumë e urrenin komunizmin si shkaktar vuajtjesh.
Aty nga fundi i viteve ’80, i ftuar nga L. Ndreca, në lokalin e R. Danit në ”Queens”, sëbashku me L.Nokaj, me origjinë nga Laçi, që ishte i ikur nga Shqipëria që në fillimet e para të komunizmit, ishim pjesë në një tubim, ku merrnin pjesë shumë nga luftëtarët dhe udhëheqësit që kishin luftuar kundër komunizmit në Shqipëri. Tek i shikoje, binte në sy guximi i tyre për ta luftuar komunizmin, si dhe respekti ndaj autoritetit të eprorëve të tyre të pranishëm.
Me kalimin e viteve tek njeriut dihet që zemra e humb ritmin e dikurshëm të rinisë, e ndien peshën e viteve të kaluara udhëve në kohë të rënda. Kështu edhe tek don Zef Oroshi, mirditori me zemrën gur, në vitet e pleqërisë ajo ishte bërë si një shpuzë e mbetur pas flakës së rinisë. Një ditë, në vitet e fundit të jetës së tij, ishte mërzitur shumë për dy vëllezërit, motrën dhe Shqipërinë. Ishte duke shëtitur brigjeve të Oqeanit përreth Nju Jorkut. Diku u ndal dhe duke e drejtuar dorën nga jugu, në hapësiren mbi valët e detit, e pyeti shokun që e shoqëronte:-Tomë, a i bie të jetë andej Shqipnia? Dhe një buzëqeshje ia shndriti fytyrën si një rreze dielli, pasi në një moment, iu duk se e afroi më afër vetes Shqipërinë. Por, Shqipëria ishte e paarritshme, ishte e humbur atje larg, përtej oqeanit dhe maleve, në rrethimin e hekurt të diktaturës komuniste. U ndal dhe pas një frymëmarrjeje të thellë, mallkoi armiqtë që ia shkaktuan ato plagë popullit dhe vendit të tij dhe shpërtheu në vaj me zë të madh, duke i përmendur anëtarët e familjes dhe atdheun e tij.
Dr. Monsinjor Zef Oroshi doli në pension në vitin 1985. Në vitin 1973 don Rrok Mirdita kishte ardhur nga Tivari në Amerikë. Nga pozita e ndihmësmeshtarit, që kishte ushtruar për disa vite më parë, kaloi si zëvendësues i plotë i punës së dr. Monsinjor Zef Oroshit. Pak vite pas pensionimit, me një mall sa një oqean për vendlindjen e familjen, don Zef Oroshi kaloi në amshim, më 15.03.1989. Dom Rroku vazhdoi si meshtar i mrekullueshëm, në një bazë të përgatitur mirë nga paraardhësi i tij, dr. Monsinjor Zef Oroshi.
Don Rroku ishte i përkushtuar, që përmes predikimit ta ruajë edhe traditën tonë të krishterë të besimit, që ishte luftuar me mbylljen e kishave nga pushteti komunist. Pra, ta sillte dhe ta kultivonte traditën tonë të vjetër të krishterë në një kontinent të ri. Mbante tubime dhe manifestime me karakter fetar dhe kombëtar. Më 26 shtator të vitit 1989 është blerë toka për ndërtimin e kishës së re “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale, New York. Më vonë, kardinali O’Connor e shpalli famullinë e parë katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork. Në simpoziumin që u mbajt për nder të përvjetorit të Pjetër Bogdanit, mori pjesë edhe dr. Ibrahim Rogova, i cili që nga ai moment, ishte vizitor i pandashëm i Kishës katolike shqiptare në Nju Jork sa herë që vinte në SHBA.
Don Rrok Mirdita, më 25.12.1992, në moshën 53 vjeçare u emërua ipeshkëv i Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës. Pas shërbimit të suksesshëm në atë detyre fisnike dhe të shenjtë, ai vdiq më 7 dhjetor 2015, në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Me largimin e don Rrok Mirditës nga Nju Jorku për në Shqipëri, vendin e tij e zuri dom Pjeter Popaj, që shumë kohë më parë ishte ndihmësmeshtar në Kishën ”Zoja e Shkodrës”. Don Pjetër Popaj, edhe pse vazhdonte një vizion të së kaluarës, solli me vete frymën e aktualitetit. Ai ishte bekuar nga Nënë Tereza dhe mendoj se është i vetmi shqiptar tek i cili Nënë Tereza kishte ndjerë hirin e Zotit. Ishte ulur në gjunjë, duke ia puthur duart e duke kërkuar bekimin e tij.
Në predikimet e don Pjetrit reflekton thjeshtësia; tonet e ulëta të zërit i fuqizon arsyeja dhe saktësia e fjalës. Horizonti i diturisë së tij ngjan me bibliotekat e mirëpajisura me shkrime e libra, që nga zanafilla e këndej.
Nga ai, shpesh i kam dëgjuar këto fjalë:
-Populli shqiptar ka dhënë mjaft dëshmi se e do Zotin.
-Ka dhënë mjaft dëshmi se e do atdheun.
-Nuk ka shqiptar/e në botë që nuk e do vendlindjen.
-Nuk ka vend në botë të cilit i kushtohen këngë dhe lutje më të mira se sa ato që shqiptarët i kushtojnë dhe i këndojnë vendit të tyre.
-Asnjë tokë në botë nuk mund t’i prodhojë frytet më të mira se sa toka jonë për ne.
-Ne nuk e kemi zgjedhur të jemi shqiptarë, është dhuratë nga Zoti. Të gjithë sëbashku duhet që ta kultivojmë këtë dhuratë.
-Çdo përpjekje për ndarje është kundër dhuratës që Zoti na e dhuroi.
-Asnjë sukses nuk mund të arrihet nëse jemi të ndarë.
-T’i lutemi Zotit, në shenjë falënderimi që e kemi njëri-tjetrin.
Në sallën e Kishës ”Zoja e Shkodrës” mbahen manifestime fetare dhe kombëtare, si dhe tubime për çështje të ndryshme mbarëkombëtare, apo të komunitetit tonë në Nju Jork. Kishën ”Zoja e Shkodrës” mund ta quajmë Kisha Shqiptare – derë e hapur e çdo njeriu që shpreh dëshirën t‘i afrohet kishës dhe kombit. Me organizimin e Kishës shqiptare të Nju Jorkut, janë të shpeshta rastet, kur aty celebrohet mesha e përbashkët nga predikuesit e fesë katolike, islame, ortodokse e bektashinj. Kam marrë pjesë shpesh në celebrimin e meshëve të tilla dhe mund të them se ishte një kënaqësi e madhe, por edhe krenari kombëtare, të shohësh raste të tilla, që prezantonin harmoninë fetare para të gjitha kombeve të tjera. Ky është vërtet një shembull me të cilin mund të krenohemi dhe që e theksoi edhe Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri.
Kur nuk i kishim senatorët tanë dhe imazhit tonë kombëtar i kanosej ndonjë rrezik nga gabimçarët tanë, don Pjetri ishte përballë medieve me fakte bindëse, duke i treguar botës se ne nuk jemi terroristë, apo racistë, siç pretendohej ndonjëherë të paraqiteshin shqiptarët. Mediet kishin filluar me nxitim të jepnin një pamje shumë të dëmshme për imazhin e kombit tonë, por don Pjetri ishte aty me praninë e tij, duke i sqaruar vuajtjet që i kishte përjetuar populli ynë, i shtypur nën sunduesit okupatorë të pamëshirshëm. Ai thoshte: “Si popull, jemi gjithmonë pranë dhe krah i popujve që vijnë nga orgjina e vujtjes dhe e robërisë, sepse të tillë ishim edhe ne, të robëruar. E kështu vijon të jetë akoma një pjesë e kombit tonë. Pra, me një fjalë, nacionalizmi nuk është dukuri që ekziston në bashkësinë tonë kombëtare”.
Mbrojtja dhe krijimi i një atmosfere të tillë rreth Kishës ka ndikim të madh në unitetin e bashkatdhetarëve tanë në Nju Jork. Kisha Shqiptare ”Zoja e Shkodrës” në Nju Jork është një bërthamë e lidhur ngushtë me burimin e të mirave tona kombëtare, e njëkohësisht, përmban rreth vetes të gjallë atë që ne mërgimtarët e lamë pas kur mërguam. Aktivitetet në fushën e kulturës kombëtare janë të panumërta, duke filluar që nga kori i kishës, që ka filluar në gjuhën tonë amtare që në vitet`60 e gjer te ”Rozafati” i sotëm në qendrën ”Nënë Tereza”. Në këtë qendër, përveç përgatitjes së talenteve të reja për përdorimin e instrumenteve tona muzikore kombëtare, përgatiten edhe shfaqje teatrale dhe koncerte të shumta. Për vite me radhë janë mbajtur e vazhdojnë të mbahen festivale të ndryshme për komunitetin e Nju Jorkut, si dhe ato me përmbajtje mbarëkombëtare, ku marrin pjesë artistë nga të gjitha trevat shqiptare.
Në ditët festive, që nga Uashingtoni dhe qendrat më të mëdha, në veçanti Nju Jorku, mbulohen me flamuj shqiptarë. Është nder dhe krenari kur shikon se flamuri ynë kombëtar mbahet në zyrat e senarorëve e presidentëve dhe me dorën e tyre ngrihet lart për festat tona kombëtare. Ky është respekt për kombin tonë, por edhe për komunitetin shqiptar në Amerikë, që është bërë jo vetëm një faktor i rëndësishëm ekonomik, por edhe një faktor bashkimi, një faktor që ka ngritur imazhin e vendit tonë në kontinentin amerikan.
Sot, të thuash që je shqiptar në Nju Jork, pa dyshim që është krenari. Shumë nga kombet e tjera na shikojnë me lakmi për arritjet dhe imazhin e lartë që i kemi dhënë popullit dhe kombit tonë.
Shkollimi dhe emancipimi i hovshëm në të gjitha sferat i shqiptarëve në Amerikë është një arritje e shpejtë e të mirave që koha e sotme na i ofron, gjë që i sherbeu dhe po i shërben kombit tonë.
Nëse politika në trojet tona vazhdon të jetë pengesë e zhvillimit të një jete të begatshme me standarde të kohës, komuniteti shqiptar në Amerikë është derë e hapur për të evitur të keqen. Mendoj se në një të ardhme mund të mbështetemi tek modeli i funksionimit të shtetit të Izraelit, i cili udhëzohet nga kokat e atyre njerëzve të përgatitur dhe të mençur që i kanë në Amerikë.
Roli i Kishës shqiptare ”Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, me punën dhe kontributin e dhënë për bashkatdhetarët e saj, për kombin si dhe për vetë shtetin e Nju Jorkut është një shembull i mirë, është mirësi, është shpresë, është ushqim i pastër për qelizat dhe palcën e kombit tonë.
Prend Ndoja, Long Island Ny

Filed Under: Emigracion

Çfarë do të bëhet kur pas pak vjetësh do të pensionohet një numër i madh i mësuesëve të gjuhës amtare në Suedi?

January 29, 2022 by s p

Nga XHAVIT ÇITAKU

Sipas të dhënave statistikore, që për çdo vjet i publikojnë organet shkollore në Suedi, në procesin e mësimit të gjuhës amtare janë të përfshirë diku rreth 62 për qind e fëmijëve shqiptar ose rreth 5500 sish që jetojnë në këtë shtet skandinav. Krahasuar me shtetet tjera europiane dhe më gjerë ku jeton numër i madh i komunitetit shqiptar, kjo gjendje e tashme në arsimin shqip kënaq dhe të jep shpresa se me një punë më energjike të të gjithëve në të ardhmen në këtë çështje jetike për shqiptarët do të arrihen rezultate më të mira. Sipas mësuesit, veprimtarit dhe kryetarit të Lidhjes së Shoqatave Shqiptare “ Iliria” në Malme, Murat Koci,, për mosvijimin e rreth 40 për qind të nxnësve shqiptar në mësimin e gjuhës amtare po ndikojnë një varg faktorësh sikurse janë niveli i ulët arsimor i familjes, niveli social, komunikimi brenda familjes, ambiciet e familjes dhe komuniteti që i rrethon.

Investimi në arsimin shqip në diasporë është investim direkt në shtetin amë

Njëri ndër faktorët që po ndikon negativisht për një pjesëmarrje më të madhe të nxënësve shqiptar në procesin mësimor të gjuhës amtare, sipas Murat Kocit, është edhe  neglizhenca e një angazhimi shumë më të madh të organeve shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës, qoftë me tekste shkollore apo edhe me një propagandë të mirëfilltë mediatike për të josh me shumë sidoms prindërit për t’i dërguar fëmijët e tyre në mësimin e gjuhës së nënës. Me një fjal, thotë ai, këto dy shtete nuk kanë investuar as për së afërmi sa është dashur për arsimin shqip në diasporë, ivestim ky që do të kthehej dhjetëfish shteteve tona respektive. Është mëkat i madh që të mos shfrytëzohen kushtet ideale që i krijon sistemi suedez shkollor, i cili gjuhën amtare e barazon me të gjitha lëndet tjera që mësohen nëpër shkollat e këtij vendi. Dhe nuk qendron arsyetimi i një numri të konsiderueshëm të prindërve se mësimi i gjuhës amtare pengon mësimin e gjuhës suedeze, angleze etj. Përkundrazi, sipas një studimi të bërë lidhur më këtë, është ardhur në përfundim se kjo gjë vetëm sa e pasuron dhe e ndihmon akoma më shumë çdo nxënës tash e në të ardhmen në përfundimin me sukses të arsimimit  në të gjitha nivelet. Shteti suedez ofron mundësinë  edhe tö hapjes së shkollave shqipe për mësimin e të gjitha lëndëve, mirëpo për këtë gjë nevojitën kuadro të cilat tashpërtash mungojnë. Edhe për këtë mundësi shtetet tona do të duhej të mendojnë dhe të marrin hapa konkret që bile në ndonjë qytet më të madh, sidomos në Malme, ku besohet se jetojnë diku rreth 20 mijë shqiptar, të hapet një shkollë e tillë. Realizimi i këtij synimi të mësuesëve dhe intelektualëve tjerë shqiptar, shteteve tona nuk do t’iu kushtonte asgjë, sepse të gjitha shpenzimet dhe nevojat e domosdoshme për të funksionuar ky lloj shkollimi do t’i heq shteti suedez. I vetmi obligim do të mbetët sigurimi i kuadrove profesionale për mbarëvajtjen e mësimit shqip në të dy nivelet në atë fillor dhe të mesëm. Se sa të kujdesshëm janë organet e këtij shteti skandinav tregon edhe shembulli i Universitetit të Uppsales i njohur ndërkombëtarisht, i cili ka futur në planprogramet mësimore edhe shqipen si gjuhë amtare, shton Murat Koci.

Shteti shqiptar dhe ai i Kosovës duhet të përgadisin kuadro për mësimin e gjuhës amtare në diasporë  

Brengë të madhe Murat Koci ka edhe për një problem të madh, strategjik e jetik për diasporën shqiptare. Është fjala se për tre- katër vjetet e ardhshëm një numër i konsiderueshëm i mësuesëve do të pensionohet, ndërkaq kuadro të tjera të kualifikuara që do t’i zëvëndësojnë ata tashpërtash nuk ka. Bile, shton ai, po të mos kishin ardhur disa mësues nga Shqipëria dhe Greqia, që kanë plotësuar deri në njëfarë mase boshllekun e mungësës së mësimdhnësve, atëherë puna do të qendronte shumë keq. Së këndejmi, organet kompetente të shteteve tona respektive duhet të fillojnë qysh tash për të përgatit kuadrot që i nevojitën nxënësve shqiptar, në të kundërten neglizhenca e tyre do t’i kushtoj shumë shtrenjtë diasporës shqiptare në Suedi dhe kudo në botë e më së shumti shqiptarisë në përgjithësi. Deri para dhjetë vitesh ishin organet shkollore suedeze që përgadisnin kuadrot për mësimin e gjuhës amtare, mirëpo kjo praktik e mrekullueshme është ndëprerë dhe iu ka mbetur për “ barrë” komunitetit shqiptar që të kujdeset vetë në këtë çështje shumë të rëndësishme. Murat Koci thekson se në komunikimet që ka pasur me organet kompetente në Kosovë ka ngritur alarmin për këtë çështje tepër të ndieshme, por deri me tash ende nuk ka lëvizje serioze, që është për t’u habitur e brengosur shumë, njëkohësisht. 

Bashkëbiseduesi ynë brengën më të madhe e ka se nëse nuk ngritën kuadro profesionale në vitet në vijim atëherë mësimi i gjuhës amtare do të dëmtohet shumë, ngaqë shkollat do të punësojnë edhe të tillët që nuk kanë kompetencë dhe arsimim të duhur. Pra, si mësues do të mund të punojë edhe një individë që vetëm di të flasë shqip, bile edhe  me shkollim fillor. 

Fëmija shqiptar e mësimin e gjuhës amtare e ndjek në greqisht!   

Një fenomen jo fort i theksuar ka filluartë jetë prezent në shkollat suedeze në të cilat edhe pse prindërit janë shqiptar, fëmijët e tyre mësimin e gjuhës amtare po e ndjekin në greqisht. Është fjala për disa familje të imigracionit shqiptar që kanë ardhur nga Greqia për shkak të një krize ekonomike që mbretëron në atë vend dhe të cilat janë vendosur në Suedi. Vërtetë kjo është për t’u habitur se si mund të ndodh një gjë e tillë aq më tepër kur kihet parasysh fakti se Suedia ka shkallën më të lartë të demokratizimit në të gjitha poret e jetës dhe askënd nuk e detyron që të ndjek mësimin një gjuhë e cila nk është gjuhë e origjinës përkatësisht amtare. Do të thotë se nëse këto familje kanë qenë të detyruara të veprojnë kësisoj në Greqi, këtu vlejnë rregulla të tjera joobliguese për të gjithë fëmijët pa marrë parasysh identitetin e tyre fetar e kombëtar. Për këtë fenomen të pazakont deri me tash me neveri flet edhe mësuesi Murat Koci, i cili përkujton se në bazë të ligjit dhe rregullave të tjera që duhet t’i ndjekin me përpikëri shkollat, këta fëmijë shqiptar nuk kanë të drejt të vijojnë mësimin në greqishte si gjuhë amtare. Edhe nëse ato familje kanë shtetësinë greke apo edhe nëse fëmijët kanë lindur në Greqi, kjo nuk ua jap të drejtën që të veprojnë kësisoj, sepse origjina e gjuhës së tyre është shqipja. Raste të tilla ka edhe nga imigracioni shqiptar që kohëve të fundit ka ardhur nga Italia, por që tashpërtash është numër minor. Për të ndalur këtë trend antikombëtar do të duhej të angazhohej edhe ambasada shqiptare dhe Ministria e Diasporës, të cilat kanë për obligim që të kontaktojnë me këto familje dhe t’ua bëjnë me dije se kjo mënyrë e detyruar për fëmijët të ndjekin mësimin e gjuhës amtare në greqisht, që në të vërtetë është gjuhë e huaj sikurse që është Suedishtja është pafalshme dhe që nuk mund të tolerohet. Po ashtu, Ministria e Arsimit dhe Diasporës do të duhej që këtë çështje ta ngrisin edhe tek organet kompetete suedeze në mënyrë që të pengojnë përhapjen e kësaj dukurie të pazakontë në shkollat  ku mbahet mësimi i gjuhës amtare.

Frika nga asimilimi i rrëmbyeshëm

Murat Koci ka braktisur vendlindjen tash e tridhjetë vjet më parë. Puna dhe angazhimi i tij parësor ka qenë mësimdhënia e gjuhës amtare për fëmijët shqiptar, punë këtë që e bënë akoma. Kontributi i tij i madh është evident, i prekshëm e me plot rezultate në përfshirjen e një numri sa më të madh të nxënësve shqiptar në mësimin e gjuhës së nënës. Ishte aktivist i madh dhe në çdo takim me bashkatdhetarë e sidomos nëpër shoqata ai ngriti zërin se sa i rëndësishëm është mësimi i gjuhës shqipe që është bazë për ruajtjen e identitetit kombëtar, Në të vërtetë, thotë ai, kemi miliona shqiptarë që jetojnë në Turqi, Lindjen e Afërt e Azi, që ndihen krenar për prejardhjen e tyre shqiptare, mirëpo ata nuk dinë të flasin gjuhën e tyre të origjinës dhe së atyre pak ose pak nuk ua kemi pa “ Hajrin”. Me keqardhje ai permend edhe disa shembuj të dhimbshëm në shkollat shqipe në Suedi ku ka nxënës që nuk i di dy- tre fjalë shqip.

Duke qenë një njohës i mirë i integrimit të shqiptarëve në shoqërinë suedeze, Murat Koci, me krenari thekson se ky integrim është bërë vërtetë rrëmbyeshëm. Nuk ka universitet e institucion shkollor n[ t[ cilat nuk janë të përfshirë pjesëtarë të komunitetit shqiptar. Ka drejtor spitalesh, politikan, deputet, udhëheqës fabrikash, doktorë shkencash e magjistra, ekonomist, juristë, avokatë, drejtor teatrosh, sportist të dalluar, policë, oficer e ushtarak. Thënë troç emri shqiptar ka marrë një dimesion tjetër, një dimension të punës e rezultateve konkrete në çdo fushë të punës e jetës. Sado që ndien kënaqësi e bëhet shumë krenar për këtë nam, për këtë shkallë kaq të lartë e të shpejt të integrimit shoqëror, bashkëbiseduesi ynë  e ka kapluar një frikë e madhe sepse, siç thotë ai, sa më i rrëmbyeshëm është prezent  ky integrim, po aq i rrëmyeshëm do të jetë edhe asimilimi i shqiptarëve në këtë vend të largët. Ndaj rekomandimi i tij është se qeveritë e të dy shteteve tona duhet të punojnë shumë e me shpejtësi të madhe që kjo të mos ndodh. Obligim kombëtar kanë edhe prindërit dhe komuniteti shqiptar në pëgjithësi që ky fenomen të mos ndodh shpejt.

Filed Under: Emigracion

Duke kujtuar kardinalin e pare shqiptar ne 25 vjetorin e ndarjes nga jeta…Mikel Koliqi ( 29 Shtator 1902- 28 Janar 1997)

January 28, 2022 by s p

Saimir Z. Kadiu/

Me 26 nëntor 1994, në sallën “Paolo IV”, kryesuar nga Papa Gjon Pali i Dytë, u mblodh Konçistori, për emërimin e kardinalëve të rinj, ndërsa të nesërmen, në Bazilikën e Shën Pjetrit u zhvillua ceremonia e dytë, gjatë së cilës, të emëruarit merrnin unazën e kardinalit.Gjatë ceremonisë, kardinalët e rinj iu gunjëzuan Papës. Dom Mikelin nuk e linte mosha ( 92 vjec) e shëndeti, kështu që qëndroi i ulur në karrige dhe Papa do ta bekonte.Por në atë moment do të ndodhte diçka e papritur; për herë të parë në historinë 2000 vjeçare të Kishës, një Papë u gjunjëzua para një Kardinali !!!Me 28 nëntor 1994, Papa e priti në audiencë Kardinalin dhe njerëzit e tij. Mediat botërore i kushtuan vëmendje të veçantë emërtimit kardinal të Dom Mikelit, jo vetëm si kardinal i parë nga Shqipëria, por edhe si 92 vjeçar. Por Dom Mikeli qëndroi gjithnjë i njëjti person, me thjeshtësinë e njeriut të madh, që e karakterizoi gjithë jetën. Ai tha: “Papa më ka zgjedhur mua për kardinal se isha më i moshuari” dhe “titullin e kardinalit e ka marrë gjithë Shqipëria.”Per fatin e tij te keq dhe per turpin tone kombetar, ky njeri i perendise, kardinali i pare shqiptar, duke filluar nga viti 1945, kaloi 4 dekada te tera ne burgjet dhe internimet e diktatures per te vetmin “mekat” qe besonte ne zot dhe qe nuk besonte ne parajsen e premtuar ne toke te komunisteve. Pervec kesaj ai ishte edhe vellai i madh i shkrimtarit dhe intelektualit te madh Ernest Koliqi…. Kaq mjaftonte qe studenti i shkelqyer i seminarit ” Corso di Venezia” te Milanos, kompozitori i talentuar dhe patrioti i madh shkodran, te fillonte zbritjen ne rrathet e ferrit komunist.Këtë figurë shembullore kishtare e kombëtare po e kujtojmë me fjalët e imzot Klaudio Maria Çelit, ish Kryetar i Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, i cili, si përfaqësues i Selisë së Shenjtë, gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri në vitin 1991 e pati njohur e takuar në Shkodër dom Mikel Koliqin. Rasti qe një ndër takimet e para që përfaqësuesit e Vatikanit takonin popullin dhe klerin e persekutuar, që posa kishin dal nga dimri egër i diktaturës ateiste të komunizmit.Ja si e kujton Imzot Çeli, Meshën e kremtuar në Katedralen e Shkodrës, më 21 mars 1991:“Sapo e kishim filluar Meshën, kur hyri në Kishë monsinjor Koliqi. Ishte vikari i përgjithshëm, që kishte shpëtuar gjallë nga persekutimi: fizikisht i shkatërruar, por tmerrësisht i gjallë e i fuqishëm në shpirt.Hyri në Kishë i mbajtur për krahësh nga dy të rinj. Figurë interesante, emocionuese. Madje fjala interesante nuk mjafton për të shprehur atë që ndjemë të gjithë atë çast, sepse ishte një pamje e papërshkrueshme. Më tha: “Unë nuk dal ma prej shtëpie, por kur më thanë se ju jeni këtu, e ndjeva për detyrë të isha i pranishëm, në një çast kaq të pritur, kur përfaqësuesi i Papës asht mes nesh!Fillova homelinë. E kujtoj akoma, sepse më delte nga zemra, pa pasur nevojë fare për përgatitje. E, me që ishte data 21 mars, shqiptova fjalët: “Dimri po shkon! Sot fillon pranvera!”.

Filed Under: Emigracion

Televizioni dhe mjerimi moral i shqiptarëve

January 26, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Jeta kulturore-shpirtërore-argëtuese e shqiptarëve sot është një katastrofë. Mundësitë e ofruara janë: shtëpi-kafene-punë dhe punë-kafene-shtëpi, përjashto një numër të vogël që me paratë e prindërve bëjnë jetë nate. Në darkë shqiptari pas një vakti me kos apo një “lugë” gjellë të mbetuar nga dreka, shtrirë në divan, fillon e gëlltitë si ëmbëlsirë deri në mesnatë programet televizive. Me hir o me pahir ndjek lajmet në njëzetë kanale, që japin kronika për kriminelë e hajdutë, qeveritarë të korruptuar, aksidente rrugore, vrasje në familje, vrasje me pagesë, përleshje bandash, madje edhe numrin e të vdekurve nga përplasja e trenave në Indi, apo përmbytjet nga shirat në ishujt Bali e Mozambik. Shto mbi këto bëmat, llogjet e këshillat e neveritshme për gjithçka, madje edhe përtej Shqipërisë, të kryeministrit të gjithëditur, që është pilaf e nuk i mbyllet gryka gjithë ditën  nëpër televizione e kuadri bëhet i plot. 

 Sikur të mos mjaftonin lajmet e pilaf-kryeministrit, pesë ditët e javës në shumicën e televizioneve do të shikosh rracën e poshtër të gazetarëve miliarderë alias opinionistëve, të një shtetit të rreckosur, mbuluar nga varfëria e krimi, që tallin rrapin e trapin nja dy orë të mira, duke gënjyer, dezinformuar, të bëjnë të bardhën të zezë e të zezën të bardhë sipas kërkesave e porosive të atyre që i paguajnë. E vetmja gjë e sigurt nga këto cirqe televizive (me ndonjë përjashtim) është që urrejtja dhe varfëria midis shqiptarëve rritet e rritet deri në pafundësi. Është një megasistem i gjithë propagande, (harrojeni rastësinë) i ngritur nga parallinjtë e politika, ku analistët miliarderë iu tredhin trutë shqiptarëve, të mos dinë ku është e keqja e të ngrihen kundër saj. Kjo lloj propagande dhe disa emisione televizive si do e shohim më poshtë, ia kanë dalë t’i shndërrojnë shumicën e shqiptarëve në pula, që kur i zë flama, nuk orientohen dot e ecin kuturu, derisa ngecin në ndonjë bodrum,  gardh a shkurre e aty presin ngordhjen. 

Pastaj vijnë ato emisione të papërshtatshme, në çdo orë të ditës e të mbrëmjes, që pa hezitim do t’i emërtoja fëlliqësira, lapërdhira e kurvërira. Ato japin modelin më të zi të arritjes së suksesit, famës e të jetës  prrallore. Për këtë mjafton një trup i bukur dhe nxjerrja në shesh e të gjitha hireve, të mbuluara shpesh me gjethe ulliri dhe më tej si një automat, të kryesh veprime dhe të flasësh ato fjalë që t’i kanë mësuar më parë ustallarët e emisionit. Si mundet tridhjetë apo dyzetë femra njëherësh të dashurohen në një çast me një njeri që e shohin për herë të parë, t’i qepen, e ta bëjnë “telef” Princin (i pari tuaf, i sotmi pelivan) e të shpikin mijëra marifete, nga “krevati” te “dollapi” që ta bëjnë për vete? Në këtë emision zgjidhen vajza e djem me bukuri fizike të admirueshme. Shumë prej tyre kur fillojnë e flasin janë aq budallanjë e të papërgjegjshëm sa vërtetë ndjen keqardhje e mëshirë. E vetmja vlerë mbetet bukuria fizike, e nxjerrë hapur në shitje, që sigurisht nuk mjafton për tu marrë si model i jetës për të rinjtë.

Emisioni “Përputhen” është një tjetër gallatë. Qëllimi aty është të gjesh dashurinë, dmth njeriun me të cilin do të kalosh jetën. Dashuria midis mashkullit e femrës është diçka hyjnore, është si të vdesësh e të ngjallesh sërish, të prekësh ferrin e të jetosh parajsën, është bekim nga Zoti. Kur kjo ndodh aty flet zemra dhe shpërthen lumturia. Njerëzit nuk llapin e zihen por këndojnë, nuk ecin e zvarriten por fluturojnë. Në praninë e ekranit, të një dyzine njerëzish e mijëra të tjerëve që të ndjekin vështirë, që këto të ndodhin. Në “Përputhen” mund të shikosh modelin më të shëmtuar të femrës teleshmëne, llafazane me një fjalor rruge të papranueshëm për një emison televiziv. Një dyzinë djemsh bukuranë, duke pritur të thirren në takim, shndërrohen  nga sektori i femrave në lolo e gaztorë, ( njëra madje do vetëm fëmijë nga një mashkull i bukur dhe aq.) rrotullojnë sytë në orbita rrethore nga akuzat e ofendimet, që u adresohen, duke zhvilluar dialogë kilometrikë me një shqipe për të vajtuar e që nuk kanë lidhje me dashurinë. Aty mund të shohësh gjithçka, po dashuri të rinjsh jo. Ka thjesht shfaqje teatrale, zënka banale, pazare të shumllojshme miushësh e miushesh. 

Është dhe emisioni i “Fratellos” i motivuar gjithsesi, se fiton 100.000 euro. Mund të dalësh me brekë po edhe pa to, mund të bësh seks në vaskë për hir të spektaklit, (të fitosh mijëra ndjekës, që diskutojnë e bënë vërtetë apo me gjasme) të fërkohesh me partneren e re në çdo cep të mundshëm, të bërtasësh si dikur në rradhën e vajgurit, të llomotitësh e mjaullish gjithë ditën e perëndisë si maçokët e macet majë çatisë. Shpesh, në këto emisione televizive më qyqarët, e më të leqendisurit paraqiten të ashtuquajturit opinionistë gra e burra, që nuk janë të gjithë rrota djathi apo karroce. Këta të dhimbsen, sepse për hir të pagesës që marrin, duhet t’i japin vlerë e justifikojnë emisionin dhe shumë djem e vajza jashtë standardit e moralit shoqëror. Në dreq të venë ato para, nëse kanë pak sedër, kur e kuptojnë, që aty luhet keq e shpifur, ndërsa dëmi, që i sjellin këto emisione shoqërisë shqiptare, veçanërisht rinisë i kalon kufijtë e të pakorrigjueshmes. Veç propagandës për të paraqitur një Shqipëri ndryshe nga e vërteta mjerane, në këto emisione televizive shuma e parave të hedhura e harxhuara është marramendëse. 

PS. Pjesa dërrmuese e rinisë shkollore e studentore, me politikat arsimore qeveritare të ndjekura deri sot, e kalojnë ditën në kafene, duke parë celular ose ëndërruar sesi do të gjejnë një mënyrë për t’ia mbathur nga Shqipëria. Sikur paratë e “Përputhen,”  “Princit” dhe “Fratellos” që nuk deklarohen kurrë ( janë miliarda lekë) të shkonin në pasurimin e bibliotekave të shkollave e universiteteve, në organizimin e festivaleve të ansambleve artistikë, të teatrove, të kampionateve sportive të ndryshme, në konkurse historie, letërsie e gjeografie, pse jo dhe bukurie, midis shkollave apo universiteteve, në vend të këtyre emisioneve pocaqi, do të kishim mijëra të rinj e të reja të aktivizuara në veprimtari sportive e kulturore gjithëvjetore, plot dëshira dhe të shëndetshëm. Me pak kujdes, e dashuri për njerëzit e të ardhmen e Shqipëris kjo realizohet. Eksperiencë për këtë ka.


Filed Under: Emigracion

Si u arrestova në Prishtinë nga policia serbe në Janar 1993

January 19, 2022 by s p

-Në Janar 1993 u arrestova në Prishtinë nga  Policia e Serbisë pse kisha botuar në gazetën tradicionale e historike Rilindja shkrimet për grevën e minatorëve të Trepçës në mbrojtje të Kosovës të Shkurtit 1989. Gazeta e rezistencës “Bujku” e datës 19 Janar 1993 raportonte për arrestimin dhe protestën e gazetarëve të Rilindjes…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 19 Janar 2022/ Para 29 viteve, gazeta e rezistencës “Bujku” e datës 19 Janar 1993  shkruante dhe protestonte për arresimin tim në Prishtinë nga policia serbe…

Në Kosovë në vitin 1989 nga 20 deri 28 Shkurt, për tetë ditë me radhë,  u zhvillua greva  e urisë e 1.300 minatorëve të Trepçës, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë, rezistencë e fuqishme kundër rrënimit të dhunëshëm dhe kundërkushtetues të autonomisë që me Kushtetutën e vitit 1974 kishte Kosova si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën shtatë shtete.

Greva e minatorëve, e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët,  u pasua me demonstratat gjithëpopullore, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Në këto rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 Mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova…

Në kohën e grevës së minatorëve të Trepçës në Shkurt 1989 isha redaktor – shef i deskut (për ngjarjet e ditës) në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja. Thuaja gjithë gazetën e mbushnim me raportimet e gjera të ekipeve speciale të gazetarëve e të korrespondentëve për grevën e minatorëve e kërkesat e tyre në mbrojtje të Kosovës, për liri e demokraci, për përkrahjen gjithëpopullore.

Pas grevës kishte arrestime, së pari e arrestuan gazetarin e redaktorin shumëvjeçar të Rilindjes, Zenun Çelaj, i cili gjatë gjithë kohës së grevës ka raporuar në krye të ekipit nga miniera e Trepçës në Stantërg…

Mua më arrestuan pse si redaktor i gazetës Rilindja kam botuar shkrimet për grevën, kërkesat e minatorëve e përkrahjen.

Ishte ditë e diel, 17 Janar 1993. Shkova në Pallatin Rilindja në zyrat e gazetës, nuk bëja asnjë ditë pushim për raportimet për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, nga teleksi – e vetmja lidhje e mundëshme në atë kohë nga Kosova në Shqipëri…Kur sapo dola, derisa po ecja fill vetëm një rrugice të afërt nëpër Lagjen Pejton të Prishtinës, policët serbë që kishin dalë në pritë më rrëmbyen, arrestuan… “Kaherë të kërkojmë…”, më thanë. Kishte kohë të gjatë që nuk u përgjigjesha ftesave të gjykatës serbe…

Gazeta e rezistencës “Bujku”, e datës 19 Janar 1993, me titullin “U arrestua gazetari i ‘Rilindjes’ Behlul Jashari”, ka shkruar  se veprimtari i njohur i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut “avokati Bajram Kelmendi kuptoi se klienti i tij u mor në polici lidhur me një proces gjyqësor që zgjat që nga viti 1989 e që ka të bëjë me shkrimet e ‘Rilindjes’ në shkurt të atij viti për grevën e njohur të minatorëve të ‘Trepçës’”.

Gazeta shkruante se pasi më kishin mbajtur “deri dje në orën 8 të mëngjesit në një qeli të ftohtë” më dërguan në Gjykatën Komunale të Prishtinës, e cila më liroi pasi “gjyqi caktoi seancën gjyqësore për 29 Janar”.

“Protestë e gazetarëve të ‘Rilindjes’” ishte titulli tjetër i gazetës, e ku theksohej se protestohej kundër arrestimit tim dhe “përgjithësisht kundër respresionit të pushtetit serb ndaj gazetarëve dhe informimit shqiptar” dhe shprehej zotimi se “edhe në këto kushte të rënda do të vazhdojnë misionin”…

Kujtoj sot se kur më dërguan me pranga policia serbe, në Gjykatë pash se në mbështetje për lirimin tim bashkë me avokatin e veprimtarin për të drejtat e liritë njerëzore Bajram Kelmendi, të cilin me dy bijtë e tij në mars 1999 në Prishtinë  forcat serbe i rrëmbyn në shtëpi dhe i ekzekutuan, ishte edhe shkrimtari i njohur shqiptar Azem Shkreli. I kujtoj edhe sot e gjithmonë me shumë vlerësim e respekt…

Para 31 viteve, me datë 18 Janar 1991,  në Prishtinë nisi të dalë gazeta e përditshme “Bujku”, kryeredaktori i parë-themelues i së cilës isha,  e cila ishte gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, të cilën me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, e nxorëm gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja të ndaluar nga Serbia okupatore. “Bujku” ishte gazeta që sfidonte ndalimin e të vetmes së përditshme shqipe në Kosovë…

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • 89
  • …
  • 180
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT