• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Si ka mundësi që një qytet të kthehet nga një hapësirë paqeje dhe hijeshije në një përbindësh dehumanizues betoni?

April 11, 2023 by s p

Prof. Ergys Mertiri/

Tirana e dikurshme është pikturuar nga udhëtarë të ndryshëm me përshkrime fantastike. Një qytet i organizuar në funksion të intimitetit, qetësisë, natyrës, me rrugët dhe rrugicat gjarpërushe, pemishtet e shumta, vijat e ujit që qarkullonin ngado… Një qytet ku banorët janë dhe ndjehen njerëz në plot kuptimin e fjalës. Në të kundërt, sot ky qytet të ofron vetëm smok, stres, tension, neveritje të përditshme nga shpërfytyrimi estetik.

Sot ky qytet organizohet jo më rreth nevojës së banorëve për të jetuar qetë, mirë dhe këndshëm, por rreth interesave për të fituar e përfituar para, të disa zengjinëve ish-pabuksë të pasuruar vonë nëpërmjet aferave me bashkinë e qeverinë. Ky qytet nuk ka sot kopshtijet dhe avllitë e dikurshme, por ka kullat arrogante të pushtetit korruptiv, nuk ka më vijat e ujit, por depozitat nëpër tarraca pallatesh, nuk ka më fushat dhe hapësirat me plepa e selvi, por ngushtësinë marramendëse të një jete të mbërthyer asfiksueshëm në mungesë hapësirash, mungesë shërbimesh, mungesë zhvillimi.

Friedrich Markgraf, një udhëtar gjerman që vizitoi Tiranë rreth një shekull më parë, ofron një përshkrim për këtë qytet që nuk e beson dot sot.

“Pemishtet e shumta të gjelbërta të tij i kanë fshehur shtëpitë, aq sa nuk i shohim edhe pse jemi mes tyre. Dua të them se Tirana, ndër qytetet e tjera të Ballkanit, ka një parlapëlqim për kopshtet e shtëpive. Vetëm në qendër të qytetit ku ka dyqane, shtëpitë ndërtohen bri njëra-tjetrës, disa prej tyre në dy kate, përndryshe, secila shtëpi është e ndërtuar në mes të gjelbërimit. Rrugën dredha-dredha e ndan nga pjesa e gjelbër, një mur i lartë qerpici i veshur sipër me tjegulla dhe i ndërprerë nga një portal. (…) Pemët e larta hovin pas mureve: caracat ngjajnë si vidhe që bëjnë fruta, piramida plepash që nuk mungojnë vendeve mocalore në Ballkan, dhe një tjetër rresht selvish, hardhish, fiqsh deti a shegësh me ngjyrën e ndezur gjak (…) Prej andej, rruga hapet drejt një sheshi me ullinj të gjelbër në serm, selvi të errëta, ndër të cilat shfaqet një xhami prej druri që fsheh murin e saj të bardhë borë”.

Çfarë shkoi keq me këtë popull që përfunduam këtu, a ma thotë dot kush?

Pfoto by: 123rf.com

Filed Under: ESSE

Autokracia që qeverisë Shqipërinë

April 10, 2023 by s p

Lek Mirakaj/

Vazhdimisht gjatë intervistave e debateve politike në studiot televizive, shtrohet si argument, që qeveria përdoret gjatë fushatave elektorale. Konstatim më se i vërtetë, thjeshtë më lind e drejta të pyes, mbi çfarë kriteresh një parti është në pozita qeverisese? Përgjigjja është mbi premtimet e saj gjatë fushatës elektorale.

Partitë opozitare kanë gjithë të drejtën që ta godasin partinë në qeverisje, gjatë fushatës elektorale, për mos realizimet, ndërsa qeveria gjatë të njëjtës periudhë të caktuar nuk paska të drejtë të investojë në arritjet e saj. Partitë gjatë fushatave mbeshteten, (vazhdimisht opozitat), mbi kritikat për dobësitë e mos realizimet e premtimeve të qeverisë, ndërsa qeveritë mbi realizimet e premtimeve dhe prespektivat e të ardhmes. Nëse një qeveri i jep pensionistit, shtresës më të diskriminuar të shoqërisë një bonus, është e drejta e saj ta bëjë kur të dojë, po ashtu do kuptohesh edhe opozita nëse me argumente do provonte se qeveria me bonusin e saj nuk ka shfrytëzuar mundësitë financiare që ka shteti, se bonusi duhet të ishte pesë apo dhjetë herë më i madh dhe ndoshta permanent. Këtë lloj opozite do e kuptonte çdo pensionistit, po ti bësh presion qeverisë që gjatë fushatës mos ti jap bonusin pensionistit, që me atë bonus mund të ushqehet disa ditë, kjo është e pa kuptueshme edhe e pa pranueshme për çdo njeri normal, po mund të thoja dhe e pa moralshme.

Opozitat fitojnë kur elektorati humbet besimin te qeveria dhe kur opozitat ofrojne zgjidhje për hallet e elektoratit.

Sado i shëmtuar të jetë kryeministri, sado i koruptuar apo i pa aftë të jetë ekipi drejtues, sa kohë që opozita do kërkojë alibinë për humbjen e radhës, te vjedhja e votës, te blerja e votës se pensionistit me bonusin apo favore që mund ti bëhen qytetarit gjatë fushatës, asnjëherë nuk do jetë në gjendje të fitojë besimin e elektoratit. Qeveritë vijnë në pushtet me premtime, arritjet është drejta e tyre ti përdorin kur ato e shohin të arsyeshme, ashtu si është drejta e opozitës ti shfrytëzojë tërë dobësitë e të metat e qeverisjes, kur e sheh ajo të arsyeshme. Fatkeqësisht, ne nuk kemi opozitë, ta quejsh vehten opozitë se lakmon pushtetin e tërë ditën grindesh se kush është burrë më i mirë, kësaj nuk i thonë opozitë. Një opozitë që nuk arrin të ketë parasyshe, se elektorati që vendos për fatet e qeverisjes është me i ri se gjithë periudha e palo demokracisë, e demokracisë në “tranzicjon” term i turpshëm për tu përdorur mbas 32 vjetësh, është thjeshtë miopi politike. Quaje si të duash, po ajo opozitë nuk është. Ti flasësh të riut të sotëm me të njëjtën gjuhë si në vitet 90-të, që na ngrinte në këmbë neve qe nuk kishim pase asnjë të drejtë, më e pakta është jo bindëse, për mos të thënë qesharake. Kjo që kemi sot, nuk është opozitë, është i mbyturi që kapet pas fijes së kashtës.

Një ekip drejtues i opozitës, ku njëra palë pret që geshtenjat do ja nxjerrë nga zjarri “miku i madh” dhe një ekip drejtues që shkon dhe han në torbën e bariut, nuk kanë asnjë shans që ti sjellin asgjë të mirë vendit, aq më pak të bindin elektoratin, vetëm konsolidojnë pushtetin autokrat që e kanë krijuar vetë me veprimet e mos veprimet e tyre, autokracinë që qeverisë vendin.

Filed Under: ESSE Tagged With: lek mirakaj

PAPA FRANÇESKU ME KARDINALIN SHQIPTAR ERNEST SIMONIN PËR BEKIMIN “URBIS ET ORBI”, ME RASTIN E PASHKËVE, 2023

April 8, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli/

Fjala dhe bekimi drejtuar, “Urbi et Orbi” –qytetit të Romës dhe Botës mbarë – është bekimi dhe rasti më solemn i Kishës Katolike dhe rezervohet për rastet më solemne të Kishës, siç janë Pashkët e Krishtlindjet. Bekimet “Urbi et Orbi”, drejtuar qytetit të Romës dhe Botës, jepen nga e ashtuquajtura “loggia” e Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë, normalisht në orën 12 të mesditës dhe transmetohen anë e mbanë botës nga enti evropian, European Broadcasting Union dhe nga lidhje të tjera transmetuese botërore. Predikimi dhe bekimi me këtë rast përfundon me përshëndetje dhe urim nga Papa, për festën e rastit, në shumë gjuhë të huaja, përfshir gjuhën shqipe.

Një lajm shumë i bukur ky! Këtë të djelë të Pashkëve (2023), krah për krah me Papa Françeskun në atë platformë për të bekuar “Urbi et Orbi” dhe për të përshëndetur Botën mbarë me rastin e kësaj feste të madhe për Kishën Katolike, do të jetë Kardinali shqiptar, Ernest Simoni, sipas një njoftimi nga Radio Vatikani shqip. Ky lajm më solli ndër mend kohën gjatë luftës së ftohtë kurnë raste të tilla edhe Zëri i Amerikës transmetonte pa vonesë përshëndetjet e Papës, drejtuar botës në gjuhë të ndryshme, përfshir edhe gjuhën shqipe.

Natyrisht se ky është një moment historik dhe i paharrueshëm për Kardinalin Ernest Simonin, personalisht, por edhe për Kishën e vuajtur Katolike shqiptare. Frank Shkreli: Kardinali Ernest Simoni, martiri i gjallë i kombit shqiptar | Gazeta Telegraf. E gjithë bota do mësojë se megjithë përpjekjet prej gjyësm shekulli të regjimit komunist të Enver Hoxhës, për ta zhdukur atë dhe klerikët e saj nga faqja e dheut, Kisha Katolike shqiptare qenka gjallë.

Reagimi i Kardinalit shqiptar për të qenë bashkë me papën në këtë moment ishte, kuptueshëm, tepër emocionues dhe i papritshëm. “Emocion i jashtëzakonshëm me marrë lajmin e shoqnimit të Atit Shêjt në bekimin “Urbi et Orbi”, si kardinal daikon”, është shprehur Kardinal Simoni për Radio Vatikanin – “lêne ma me kremtue të dielen e Pashkëve në atë balkon, nga i cili, gjatë historisë së Kishës, shumë Papë i kanë drejtue lutje dhe bekime botës mbarë”, ka thenë ai.

Është ky një moment vërtetë i rëndësishëm në jetën e Ernest Simonit, Kardinalit të moshuar 94-vjeçar nga Shqipëria, përfaqsues i Kishës së martizuar Katolike Shqiptare, i cili është emëruar kardinal nga Papa për dëshminë e tij dhe besnikërinë e tij ndaj fesë së tij gjatë 28-viteve burgim e punë të detyruar, “besnik i patrembur”, siç e ka quajtur atë Papa Françesku, duke filluar nga viti 1961 e deri në vitin 1991.

“E kush do ta besonte, kur diktatura korrte e grinte kryekreje meshtarët, se njëri prej tyre do të ngjitej një ditë të lumnueshme Pashkësh, aty ku ngjiten përfaqësusit më në zë të krishterimit? “Armiku i popullit” i akuzuar se kishte kremtuar Meshë për pushimin e pasosur të Presidentit katolik John Fitzgerald Kennedy, i vrarë në Dallas në vitin ’63…”, thuhet në lajmin e botuar për këtë ngjarje nga Radio Vatikani dhe citon një deklaratë të Kardinal Ernest Simonit mbi përvojn e tij në burgjet e Enver Hoxhës:

“Kur isha në burg” – kujton ai – “e zbardhte agimi, nuk e dijshim a do ta shihshim ma diellin në perëndim mbas ditës të kalueme me tortura, ngacmime, dhunë dhe marrje në pyetje, ku na kërkohej të trathtojshim deri dhe përmbajtjen e rrëfimeve. Gjatë ndalimit në kampet e punës, në minierat ku nxirrnim bakër dhe pirit, po të kishte ra një gur në tunele, të gjithë do të fluturojshim në Parriz, njeni-mbas-tjetrit, tue pasë parasysh kushtet e pasigurta në të cilat kemi punue, pa asnjë siguri apo mbrojtje”.

Kjo, ishte jeta e kardinalit! Megjithatë, kurrë nuk e humbi shpresën: “Nuk do ta kisha besue kurrë se mbas aq shumë goditjesh, dhimbjesh mizore të shkaktueme prej zinxhirëve që m’i shtërngonin tmerrësisht kyçet, mbasi më kishin heqë lirinë e, mbi të gjitha, pa mujtë me ushtrue shërbimin e priftit për t’i shërbye njerëzve dhe për të shpallë Lajmin e Madh të Shëlbimit, do të jetojshe tashti ditë kaq të bukura, të pasuna me dhanti shpirtnore në shërbim të besimtarëve, për shpëtimin e shpirtënve. Nuk e kisha mendue kurrë se do të merrja Mitrën e kardinalit, dhuratë e madhe e papritun, dhuratë, që nuk do ta heq kurrë ma. Nuk më mbetë tjetër, veçse me e falënderue me gjithë zemër Papën Françesku; të lutemi për Atin e Shenjtë, që Zoti t’i japë forcë dhe shëndet në shërbesën e tij universale, si pasardhës i Shën Pjetrit”, ka përfunduar Kardinal Ernest Simoni reagimin e tij ndaj nderit që i ka bërë Papa Françesku këtij prelati të lartë të Kishës Katolike Shqiptare, duke e ftuar t’i bashkohet atij me rastin e festës së Pashkëve për të uruar, bekuar dhe për të përshëndetur mbarë botën me këtë rast.

Jetë të gjatë edhe Kardinalit Ernest Simoni, ashtuqë edhe ky të jetojë për të dëshmuar duke treguar krimet barbare të regjimit komunist të Enver Hoxhës, jo vetëm kundër Kishës Katolike dhe klerit të saj, por kundër një Kombi të zënë rob për një gjysëm shekulli!

Paqë të gjithë shqiptarëve me Zotin dhe me njëri tjetrin!

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli

Qytetërime

April 7, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Nuk ka dëshmi të qytetërimeve para 12,000 viteve, megjithëse ka shumë prova në dispozicion që paraprijnë historitë e shkruara. Ekziston më shumë se një përkufizim i “civilizimit”; Dictionery.com: “kultura totale dhe mënyra e jetesës së një populli, kombi, rajoni ose qytetërimi klasik e një periudhe të caktuar”. Klima dhe qytetërime të njëpasnjëshme fatkeqësisht kanë (dhe vazhdojnë të) shkatërrojnë të dhënat e këtyre popujve, të cilët kanë përfshirë traditat gojore, artin dhe mjetet.Shpellat Juukan në Australinë Perëndimore besohet të jenë dëshmi të 46,000 viteve të banimit të vazhdueshëm njerëzor, përkatësisht kulturës dhe traditave indigjene. Të hedhura në erë në vitin 2020, për nxjerrjen e mineralit të hekurit, shpellat strehonin piktura shkëmbore, vegla kockash dhe veshje. Pavarësisht se banorët e qytetit hiqnin gurët për ndërtesa deri në vitet 1970, një pjesë e Kurtheve të Peshkut Brewarrina mbetet tipar i Uellsit të Ri. Një nga strukturat më të lashta të njohura të krijuara nga njeriu, këto kurthe detyronin peshqit të notonin në rrjedhën e sipërme në pellgje mbajtëse që mund t’u përshtateshin lehtësisht ndryshimit të stinëve dhe niveleve të ujit. Të dhënat arkeologjike datojnë këtë sistem kurthi afërsisht 40,000 vjet dhe konsiderohet qendror për zhvillimin e aktiviteteve indigjene shpirtërore/rituale, sociale dhe tregtare.Kërkimet vazhdojnë në kontinente të tjera duke hetuar Revolucionin Neolitik (revolucioni bujqësor dhe përfundimi i Epokës së Akullnajave 12,000 vjet më parë). Kjo shkaktoi Epokën e Akullit në hemisferën veriore, ku besohet se qytetërimet e hershme u shpërndanë, dhe u detyruan të kthehen në stilin e jetesës nomade.Ndërkohë, studimet gjenomike tregojnë se popujt indigjenë australianë i përkasin qytetërimit më të vjetër në botë që daton 75,000 vjet më parë.Foto: Bota.al

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Iluzioni i transparencës

April 6, 2023 by s p

Agim Baçi/

Politologu i njohur Ivan Krastev, në një studim të gjatë lidhur me krizën e sotme të demokracisë, thekson faktin se kriza më e madhe ka të bëjë me krizën tonë ndaj besimit, e më së pari ndaj besimit se mund të ndryshojmë. Dhe në fakt, gjithkush nga ne, sot mendon se di më shumë se sa paraardhësit, por njëkohësisht, beson se ka më pak fuqi për të ndryshuar realitetin se sa paraardhësit. Po çfarë nuk shkon në këtë epokë ku gjithsecili denoncon, jep fakte, dërgon në rrjetet sociale foto skandalesh, dhe sërish mundësia për ndryshim mbetet gjithnjë e më e paktë, dhe se qeveritë dhe personat që e mbështesin qeverinë vijojnë të zgjerojnë pushtetin e tyre? Një analizë e politologëve që merret me këtë çështje, vë theksin te humbja e debatit ideologjik. Pra, në këtë komunikim me kaq shumë miq virtualë dhe pak realë, shumëkush nga ne nuk e ka më të qartë kufirin mes atij që mund të konsiderojë mik dhe atij që ka armik. Pra kontrolli ynë për të dhënat rreth nesh, për njohjen me skandale, nuk përkthehet në një instrument që të dimë për të zgjedhur më mirë.Në Shqipëri p.sh paradoski është mëse i dukshëm- mbi 70 % e shqiptarëve e shohin prej disa vitesh të ardhmen jashtë Shqipërisë, dhe sërish rezulton se po të votohet sot, qeveria ka vota për të mbajtur pushtetin që qytetarët nuk e duan!!!!. Ky paradoks nuk ndryshon edhe kur botohen skandale, e as kur emra të korruptuarish nuk janë më sekret.Po pse sot në këtë fuqi të madhe të transparencës, të denoncimit, të nxjerrjes së fakteve, mbetemi kaq të pafuqishëm për ndryshim?Sociologu i famshëm, Niklas Luhman, në librin e tij, “Teoritë e shoqërisë” shprehet se “besimi është akt themelor i jetës sociale”. Pra, ne kemi faktet, por kemi humbur besimin. Ne kemi faktet por kemi humbur fuqinë tonë dhe qëndrimet morale përballë të keqes, përballë të padrejtës. Sepse ne publikojmë qëndrime në rrjete sociale por nuk bëhemi bashkë në një protestë kundër të keqes, kundër mashtrimit, kundër atyre që vijnë si të fortë për të na rrëmbyer votën. Sa nga ne e dënojnë sot shpifjen, gjuhën e urrejtjes? Sa nga ne i refuzojnë politikanët që krenohen se arrijnë të vënë në vështirësi kundërshtarin përmes bullizimit, përmes sajimit të fakteve, sajimit të gënjeshtarve, të linçimit, dhe jo të dhënies së argumenteve? E nëse ne nuk arrijmë të jemi ndëshkues ndaj atyre që na gënjejnë, që mashtrojnë që përhapin dhunë, që ushqejnë urrejtjen, që bullizojnë, atëherë, përse duhet të presim ndryshimin?Pra, ne sot jemi përballë faktit se, jo se nuk dimë për politikat e mbrapshta, por përballë faktit se këto që dimë sot nuk i përkthejmë në qëndrime morale, në reagime vetjake për të drejtën. Ideja se “populli e di” nuk ka asnjë kuptim nëse ne nuk e mbrojmë të drejtën duke kërkuar aleancë të fortë.Nëse nuk reagojmë, qeveria do e kontrollojë gjithnjë e më shumë zemërimin tonë, duke na dhënë iluzionin se kemi demokraci përmes denoncimit në rrjete sociale, ndërkohë që këto qëndrime të veçuara, egosite të secilit prej nesh, mbeten thjesht në linçime e jo bashkim për një kauzë të drejtë. Madje në jo pak raste gjithçka mbetet thjesht në linçime anonime, në sharje. Këto qëndrime të veçuara, egosite, më shumë se sa fuqinë për të ndryshuar, forcojnë hijen e komploteve rreth nesh, – “komplote” që i shërbejnë më së shumti atyre që duan të kontrollojnë këtë zemërim të qytetarëve ndaj keqqeverisjes përmes asaj që na e shesin për trasnparencë.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 126
  • 127
  • 128
  • 129
  • 130
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT