Prof. Ergys Mertiri/
Tirana e dikurshme është pikturuar nga udhëtarë të ndryshëm me përshkrime fantastike. Një qytet i organizuar në funksion të intimitetit, qetësisë, natyrës, me rrugët dhe rrugicat gjarpërushe, pemishtet e shumta, vijat e ujit që qarkullonin ngado… Një qytet ku banorët janë dhe ndjehen njerëz në plot kuptimin e fjalës. Në të kundërt, sot ky qytet të ofron vetëm smok, stres, tension, neveritje të përditshme nga shpërfytyrimi estetik.
Sot ky qytet organizohet jo më rreth nevojës së banorëve për të jetuar qetë, mirë dhe këndshëm, por rreth interesave për të fituar e përfituar para, të disa zengjinëve ish-pabuksë të pasuruar vonë nëpërmjet aferave me bashkinë e qeverinë. Ky qytet nuk ka sot kopshtijet dhe avllitë e dikurshme, por ka kullat arrogante të pushtetit korruptiv, nuk ka më vijat e ujit, por depozitat nëpër tarraca pallatesh, nuk ka më fushat dhe hapësirat me plepa e selvi, por ngushtësinë marramendëse të një jete të mbërthyer asfiksueshëm në mungesë hapësirash, mungesë shërbimesh, mungesë zhvillimi.
Friedrich Markgraf, një udhëtar gjerman që vizitoi Tiranë rreth një shekull më parë, ofron një përshkrim për këtë qytet që nuk e beson dot sot.
“Pemishtet e shumta të gjelbërta të tij i kanë fshehur shtëpitë, aq sa nuk i shohim edhe pse jemi mes tyre. Dua të them se Tirana, ndër qytetet e tjera të Ballkanit, ka një parlapëlqim për kopshtet e shtëpive. Vetëm në qendër të qytetit ku ka dyqane, shtëpitë ndërtohen bri njëra-tjetrës, disa prej tyre në dy kate, përndryshe, secila shtëpi është e ndërtuar në mes të gjelbërimit. Rrugën dredha-dredha e ndan nga pjesa e gjelbër, një mur i lartë qerpici i veshur sipër me tjegulla dhe i ndërprerë nga një portal. (…) Pemët e larta hovin pas mureve: caracat ngjajnë si vidhe që bëjnë fruta, piramida plepash që nuk mungojnë vendeve mocalore në Ballkan, dhe një tjetër rresht selvish, hardhish, fiqsh deti a shegësh me ngjyrën e ndezur gjak (…) Prej andej, rruga hapet drejt një sheshi me ullinj të gjelbër në serm, selvi të errëta, ndër të cilat shfaqet një xhami prej druri që fsheh murin e saj të bardhë borë”.
Çfarë shkoi keq me këtë popull që përfunduam këtu, a ma thotë dot kush?
Pfoto by: 123rf.com