• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONTI I SONETEVE

February 1, 2023 by s p

NGA FERRI NË PARAJSË…

– për Uran Kostrecin, në 85 vjetorin

e lindjes, sa pa ikur janari i tij –

Nga Visar Zhiti

Edhe ti dje a pardje, njëlloj është, gjithmonë në të kaluarën, kishe datëlindjen, se në të tashmen s’ndodh asgjë për Ty, vetëm harrim…

Ke qenë në burg gjatë, shumë gjatë se nuk duronin dot kundërshtitë e tua, ëndrrën tënde të lirisë, por sot nuk durojnë dot poezinë tënde të shkruar në burg, janë me kafazin, jo me zogun flatra-dhëmbur, ndoshta kështu do të nisje ti një sonet të ri…

Por unë po shtoj fjalët që kam thënë për ty, bashkëvuajtës shpirti:

NJË TITULL NDERI

Më vjen të vë titullin “Kont” tani që shkruaj Uran Kostreci, jo vetëm pse kemi një Kont Urani në historinë e lavdishme të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, të atij burrit plot besë, që i qëndroi në krah Heroit Kombëtar dhe, edhe kur Sulltan Murati I a II a të dy ishin gati që t’i jepte mushka me florinj, që ta shiste Skënderbeun dhe ai s’u korruptua kurrë, na e dëshmon historia, por kështu dhe Urani im, i qendroi besnik vuajtjes së tij, burgut, idealit, nuk u korruptuar asnjëhere, i pa epur deri në ashpërsi, nga shkaku i drejtësisë, i dhëmbshur deri në lotë, nga shkaku i mirësisë, poet, madje i sonetit, tringëllimës në shqip, që e shkruajti pa ndërprerje, e buronte, me një begati rimash, duke e bërë armën e tij, si një shpatë argjendi marciale, plot gurë të çmuar, me atë godiste të keqen që i dilte përpara dhe nderonte si një kalorës virtytet dhe emrat e lartë, ata të Ballit të Kombit. Secilit më të shquarve u ka kushtuar nga një sonet, që ua ka dhënë si dekorate. Vërtet Uran Kostreci kishte diçka kalorsiake prej konti, një vetmi fisnike dhe me miq plot, bredharak dhe i qendrueshëm, që s’të falte dhe falës, zë lartë dhe i urtë, dinjitoz e i hijshëm, i gjatë, me një kapele republike mbi krye, si një enigmë, me një shkak. Dhe me mendime republikane, konservatore, me cigaren në buzë si një shpotí, duhej ca tym, duhej. Portret dhe poeti dhe ashtu ishte. I përkiste letërsisë tjetër, asaj që erdhi nga burgjet dhe internimet. Dhe në librin tim, në sprovën “Kartela të Realizmit të Dënuar”, është dhe ajo e ustait të soneteve, qendrestarit të burgjeve që tha: “burgu s’më bëri asgjë mua”. E gjithë vuajtja për këtë sfidë…

KARTELA E DHËMBSHME

E URAN KOSTRECIT:

…pasionanti i soneteve të klasicizmit, i atyre tringëllimave që duket se u krijuan qysh në shekullin XIII për t’i kënduar dashurisë dhe gëzimeve, por që në poezinë moderne shqipe, në letërsinë tjetër, u kthyen në klithma apokaliptike. Që i vogël Uran Kostreci u njoh me persekutimin komunist, i arrestojnë babanë si nacionalist, i nxjerrin nga shtëpia familjarisht… duke u rritur, duke iu shtuar dëshira për shkollë, ia del të mbarojë “Normalen” e Elbasanit, bëhet dhe mësues, por do të shkruante keq në një poezi për Enverin, vetëm arratisja do të mund ta shpëtonte, por e kapin në Liqenin e Pogradecit dhe e dënojnë me burg, e mbyllin në Burrel… I burgosuri Ejëll Çoba i dha mësime italishteje dhe Danten, Koço Tasi i bëri filozofi, Kudret Kokoshi i përforcoi sonetin dhe nacionalizmin, ndërsa rebelizmin e kishte vetë në gjak. Kur ishte në vitin e 15–të të burgut, e dënojnë prapë me 8 vjet të tjera, me akuzën se kishte sharë Enverin, hakamarrje për poezinë që nuk ia gjetën dikur. Mbas 20 vitesh, e lirojnë, sipas tij nga shkaku i “Lëvizjeve në Kosovë”. Punon hamall dhe e arrestojnë prapë dhe prapë në internim dhe ai prapë do që të arratiset dhe arrestojnë në tren dhe ai u ikën prapë… kur përmendet nga goditja me hekur në kokë, e sheh veten me pranga në duar. Mbas torturave të shpejta, një gjyq i shpejtë në Elbasan dhe e dënojnë me 3 vjet të tjera burg. “Epopeja e karkalecave”, poemë e Uran Kostrecit doli nga burgu bashkë me të, jo e shkruar, e kishte në mbamendje dhe u bë e njohur si satire. s’bëhet fjalë për epideminë e karkalecëve, që ra kur komunistët morën pushtetin, por është si një kacafytje letrare me një satirë tjetër të një shkrimtari të socrealizmit, e cila qe futur dhe në tekstet e shkollave, nga që përqeshte patriotët dhe luftën e tyre duke shtrembëruar të vërtetat historike. Urani i soneteve, i zgjedhur dhe si kryetar i Partisë Demokratike në Elbasan, i përvishet punës së antigenocidit, heton nga ata që ishin përgjegjës për persekutimet komuniste, nja 30 të tillë i bëjnë gati dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, por lirohen shpejt nga rrëmujat e ’97 dhe mbetet i rrezikuari përsëri Urani i burgjeve dhe ikën, tani ia del, shkon në SHBA, kërkon strehim politik dhe strehohet te shoqata shqiparo–amerikane “Vatra”. Në 2007 kthehet në atdhe, boton një libër me sonete dhe një novelë. Shkruan sonete vazhdimisht, edhe kur ishte 80 vjeç, ja atje mes njerëzve te një tryezë në kafenenë “Piazza” në qendër të Tiranës dhe nuk e heqte nga kryet borsalinën.

Ca kuqo artistë, a për frik’ a për pare,

Kur ferr qe Atdheu, iu lëpin tiranit:

Ja shitnë ata, gjer dje, shpirtin shejtanit!

Duke u tërhequr… këmba–dore zvarre,

Bënë ata filma e rrejtën ashiqare,

Se kuqot gjasme i dhan’ dërmën gjermanit..

Ndonse vran’ shqipo për qejf të Dushanit!

Çka u bë dje, s’po thotë askush gjë fare,

Po qysh dhe sot… ca filma me kulakë,

Spiunë amerikanë e priftërinj,

Prap’ shfaqen… çoroditin mjaft të rinj,

Që s’njohin komunizmë e s’dinë aspak

Qysh kuqua Atdhen burgosi, derdhi gjak

E n’ internim ai vrau dhe çiliminj.

Ishte soneti ÇORODITJE, një mesazh me vlerë për gjithë artet e letërsinë…

A e dinin pse Uran Kostreci e mbante borsalinën vazhdimisht, nuk e hiqte as brenda, në takime e salla veprimtarish, nuk donte që t’i dukej në kokë një vragë e përthellët plumbi. E kishte që nga atëhere, kur e qëlluan rojat në burg, teksa u ishte hedhur përsipër telave me gjëmba të ferrit për t’u vrarë, xhupi i të burgosurit iu shpupurit nga plumbat duke shpërndarë copëza pambuku të zi si pendë korbash dhe ai ra i vrarë. Kur ia zvarritën kufomën për te një nga birucat, një Zot e di se ç’engjëll erdhi dhe e ringjalli…Që të mos duket as si hero dhe as si viktimë, – do të shkruante studiuesi Uran Butka, – ai mban atë kapele republike.

* * *

Kaq herë i bëri dredha vdekjes dhe s’ja kishte frikën asaj. Dilte nga spitali si më buzagaz, pas çdo operacioni, Edhe me Covid-19 sikur tallej. Le të rivinte. E donte jetën, por më shumë nderin e saj. I pa lodhur, më së fundmi vendosi të shplodhej. 83 vjeç mbylli sytë përgjithmonë… por mbeti ajo xixëllimë sysh sikur donte të thosh që i pashë edhe ferr edhe parajsë. Në fakt tek ai më shumë panë… Ndizte një cigare dhe nën tymin e saj shkruante një sonet tjetër. Ai vërtet u bë një lloj konti i vonë i sonetit të harruar. Atdhetar së pari. Dhe shkruante dhe për Kosovën, dhe për Çamërinë, për demokracinë, SHBA-në, për burrat sërisht, për politikën e ditës… sonete morali. Si porositë. Pa zor. Dhe si të ishin frymëmarrja e fundit. Si poet ai ka shumë frymëmarrje të fundit. Lajmi u dha se do të kishte homazhe në nderim të tij. Dhe ku? Në Godinën e ish të Përndjekurve Politikë. Atje,.. një tjetë trishtim dhe ky, i përndjekur deri në vdekje. I ndarë. Atje…. Duket sikur homazhet kështu mund të bëheshin njëlloj dhe në qelitë e burgut të Burrelit. A s’kishte shteti salla institucionesh të kulturës, ku nën hijen e Flamurit Kombëtar, të silleshin dhe kurorat me lule, se Uran Kostreci u bë emër i njohur i poezisë së tanishme, mediatik me intervistat, emblematik si qendrestar, zë i kujtesës së vuajtjes së madhe, që përbashkon dhe jo që ndan popullin…

* * *

…mungon në tryezat me miqtë, në kuvende, në shëtitjet vetmitare rrugëve, por gjithsesi është më shumë se më parë, zë poeti, kumbimesh që në letra quhen sonete, që vuajtja e lartësoi si Njeri. Dhe kishte datëlindjen dje, pardje, do të ishte 85 vjeç në këtë fund janari…

Filed Under: ESSE Tagged With: Jozef Radi, Lazer Radi, Visar Zhiti

FUQIZIMI I SHQIPTARËVE NË SERBI DO TË DOBËSONTE SYNIMET NACIONALISTE SERBOMËDHA NË KOSOVË

January 30, 2023 by s p

Meliza Haradinaj – Stublla/

Shqiptarët anembanë botës duhet t’a kuptojnë që të drejtat e mohuara të shqiptarëve në Serbi nuk fitohen vetëm duke kërkuar reciprocitet përmes dialogut Kosovë – Serbi!

Tani është momenti më i favorshëm që Shqipëria zyrtare t’i bëjë kërkesë dhe ankesë formale Serbisë – me të cilën ka marrëdhënie bilaterale – që të ndalojë shtypjen dhe shkeljet flagrante të të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

Shqipëria do të duhej pastaj të nisë lobim ndërkombëtar deri në Këshill të Sigurimit të OKB-së për mungesën e këtyre të drejtave themelore – të cilat Serbia paturpësisht i shkelë brenda saj – por i kërkon të shumëfishuara për komunitetin serb jashtë saj (Asociacioni njëetnik në Kosovë).

Me këtë veprim, Shqipëria do realizonte detyrimin e kujdesit kombëtar për shqiptarët në Serbi, dhe detyrimin e ndihmës ndërshtetërore ndaj Kosovës – duke ia lehtësuar sadopak barrën e rëndë të presionit për themelimin e një asociacioni mbi baza njëetnike përbrenda aparatit të shtetit.

Vetëm duke fuqizuar shqiptarët në Serbi, do të dobësohen synimet nacionaliste serbomëdha në Kosovë!

Filed Under: ESSE Tagged With: MELIZA HARADINAJ

VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT

January 28, 2023 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë njofton dashamirësit e librit dhe publikun e gjërë se nesër, më 29 janar 2023 ora 11 AM do të organizojnë promovimin e veprimtarisë shkencore të Prof. Asoc. Dr. Besim Muhadrit, profesor në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.

Me këtë rast do të promovohen këto vepra:

1. “Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”;

2. “Profesor Rexhep Krasniqi-Një jetë në shërbim të Shqipërisë etnike”;

3. “Esencat e mendimit letrar” dhe

4. Studies on Albanian Literature and Ethnology

Për librat e Prof. Besim Muhadrit do të flasin studiuesit shqiptaro-amerikanë: Dr. Bexhet Asani, Dr.Paulin Marku, Fran Shkreli, Idriz Lamaj, Valdete Cenalia, Pal Ndrecaj, Adnan Mehmeti dhe Dok. Arjeta Ferlushkaj.

Pjesë nga krijimtaria e autorit do të interpretojnë aktorët e komunitetit: Shaban Lajçi dhe Shpend Gjocaj.

Promovimi mbahet në ambientet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, në orën 11 AM.

Adresa: 2437 Southern Blvd, The Bronx, NY 10458

Ftohet media dhe publiku i gjërë që të marrë pjesë.

Filed Under: ESSE Tagged With: BEsim Muhadri

Bibla e parë

January 27, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Bibla, e shkruar në lëkurën e dhisë në gjuhën e hershme etiopiane Geez, është gjithashtu Bibla e parë e ilustruar në botë. Dhe në mendje vjen Mbretëresha Victoria e Anglisë. Ajo i dhuroi perandorit etiopian një Bibël Gutenberg (produkt i shekullit të 16-të) Perandori, ia ktheu gjestin. Dhe i dhuroi mbretëreshës një Bibël të ilustruar të shekullit të 5-të.

Mbretëresha gjithashtu shkëmbeu me të diçka unike; një mesazh audio të regjistruar. Fatkeqësisht, regjistrimi i saj erdhi me udhëzime që duhej të shkatërrohej pas dëgjimit, gjë që u bë. Regjistrimi nga perandori etiopian megjithatë u ruajt.

A do të ishte e saktë të supozohej se krishterimi erdhi në Etiopi përpara se në Evropë?

Krishterimi duket se gjeti një cep në Etiopi. Ekziston një cep tjetër ku krishterimi mbijetoi në zonat malore në Egjipt.

Krishterimi filloi të përhapej në Etiopi ndoshta në të njëjtën kohë si për të gjithë Perandorinë Romake, gjatë shekujve 1-3, megjithëse prania e tij ishte mjaft minimale, nëse jo pothuajse inekzistente. Por tekstet e hershme të krishtera e përmendin atë si vend ungjillizimi, duke lënë të kuptohet realiteti i mundshëm i predikimit të krishterë në jug të Egjiptit.

Është “Pagëzimi i Eunukut”, pikturë nga Rembrandt më 1626, që u frymëzia në një nga rastet e para të konvertimeve në Veprat e Apostujve (të shkruara rreth viteve 80–90). Piktura tregon pagëzimin nga dhjaku të një eunuku etiopian në rrugën midis Jerusalemit dhe Gazës. Etiopiani është simbol i vullnetit për të përhapur Ungjillin në të gjithë botën, si emri i përgjithësuar për popujt afrikanë që jetojnë në jug të Egjiptit dhe Saharasë.

Për Eunukun etiopian tregohet gjithashtu mes hebrenjve, duke u konsideruar ndoshta një çifut etiopian që po kthehej nga adhurimi në Jersualem dhe lexonte nga Dhiata e vjetër hebraike, duke mos e kuptuar atë, për johebrenjtë – grekët politeistë dhe Romakët. E vërteta që qëndron pas kësaj anekdote është se përpjekjet për ungjillëzimin e etiopianëve, së pari ndaj atyre që ishin të pranishëm në provincat romake të Egjiptit, Judesë dhe Sirisë për arsye të ndryshme, sigurisht filluan që në fund të shekullit të parë pas Krishtit.

Piktura “Martirizimi i Shën Mateut” e Caravaggios, rreth vitit 1599, frymëzohet nga një grumbull shkrimesh të shekullit VI, që u përdorën më vonë si burime në Légende Doré nga Jacques de Voragine në shekullin XIII, Apostulli Mateu shkoi në Etiopi me Eunukun e pagëzuar. Atje, Mateu ringjalli princin Euphranor, i cili sapo kishte vdekur nga sëmundja, dhe me këtë mrekulli ktheu në besimin e krishterë gjithë familjen mbretërore. Por shpejt, një princ pagan pushtoi Fronin. I zemëruar kur Mateu refuzoi ta lejonte të bënte një martesë që do të legjitimonte sundimin e tij, apostulli u vra nga ushtarët e mbretit ndërsa po jepte meshën. Kjo ndodhi në vitet 80 të erës sonë.

Çështja është se, ndërsa dëshmitë arkeologjike janë shumë të pakta, dhe burimet letrare dhe hagiografike të dyshimta në rastin më të mirë, ekziston një probabilitet që predikuesi i krishterë të ketë rënë në kontakt me popullin etiopian dhe ndoshta edhe të ketë ardhur në Etiopi nëpërmjet rrugëve tregtare të detit të Kuq. Ndonëse nuk ishin vërtet të suksesshëm në përhapjen e besimit të krishterë në rajon për tre shekujt e parë të epokës.

Krishterimi filloi të bëhej i rëndësishëm si fe në rajon vetëm gjatë shekullit të IV, në një krishterim afër monofizitizmit egjiptian (greqisht monos, “vetëm, i vetmuar”) dhe physis, një fjalë që ka shumë kuptime, “natyrë” në këtë kontekst, një doktrinë që përcakton natyrën e Jezu Krishtit si vetëm hyjnore.

Pavarësisht nga rëndësia e Krishterimit dhe Islamit në Etiopi për shekujt e ardhshëm, besimet pagane mbetën shumë të forta në popullatat e ndryshme etiopiane pasi Etiopia nuk do të strukturohej kurrë në mënyrë efikase.

Konvertimi i dy krahinave, Ezanë dhe Axum, e bëri Etiopinë mbretërinë e dytë që pranoi krishterimin si fenë e saj shtetërore. Armenia ishte e para, me Triditatin që e shpalli besim zyrtar në vitin 301, në humbjen e politeizmit dhe zoroastrianizmit armen.

Perandoria Romake, nga ana e saj, doli e treta. Për të gjitha politikat kryesisht pro-kristiane të konstantinianëve, Perandoria u bë zyrtarisht e krishterë vetëm në vitin 380 me Ediktin e Selanikut nga Theodosius I, që shpalli krishterimin niceas si “katolik”, çka do të thotë “universal” – dhe duke dënuar lëvizjet e tjera të krishtera si herezi dhe duke ndaluar zyrtarisht kultet tradicionale nga jeta publike.

Gjithsesi, ky krishterim shërbeu edhe si një shtytësë për pavarësinë dhe zgjerimin e mbretërisë etiopiane. Tregtari bizantin i shekullit të VI, Cosmas Indicopleustes, i cili po bënte një ndalesë në qytetin port të Adulis, u caktua për të kopjuar mbishkrimet greke të dy punimeve të mëdha prej guri në këtë qytet etiopean, për të shërbyer si frymëzim, për një monument fitoreje për të festuar një pushtim të ardhshëm të Himyarit.

Njëri ishte një pllakë që datonte nga sundimi i faraonit Ptoleme III (246 – 222 pes), i cili bëri një fushatë në Etiopi për të rikthyer elefantët e luftës dhe ngriti një monument për të dekurajuar rebelimin kundër Egjiptit. Tjetri ishte një fron i shekullit 2-3 të e.s., ndërtuar nga mbretër axumitë si monument kushtuar fitoreve dhe sundimit të tyre ushtarak.

Kopja e skicës që Kozmai e mbajti për vete dhe ajo që ka arritur, tregon për inatin e gjatë që ekzistonte midis Axumitëve dhe Himiaritëve. Një mbret aksumit i shekullit 2-3 të e.s., emri i të cilit humbi në Histori, zgjeroi mbretërinë e tij në veri dhe në lindje në të dy brigjet e Detit të Kuq, duke hapur një tregti të drejtpërdrejtë tokësore me Egjiptin romak. Megjithatë, rreth viteve 290–300 të erës sonë, Axumitët u ndoqën nga Arabia Jugore nga fiset lokale, duke përfshirë himaritët që u bënë fuqia dominuese në rajon.

Himarotët politeistë, kryesisht besnikë ndaj perëndisë së diellit, kishin një numër të konsiderueshëm komunitetesh hebreje dhe disa të krishtera që jetonin pranë tyre. Rreth vitit 390, mbreti Al-Kamil, u shërua nga një plagë e rëndë që kishte marë në mbrojtje të qytetit Jethribit – Madina e ardhshme – dhe u bë mbreti i parë jemenas që pranoi judaizmin si fenë e tij. Menjëherë, elitat himarite përdorën besimin e tyre monoteist të sapogjetur për të riafirmuar autoritetin e tyre qendror. Nga fillimi i shekullit të V të e.s., mbishkrimet mbretërore nuk u referoheshin më perëndive të vjetra, por të Vetmit Zot. Hebraishtja gjithashtu filloi të bëhej gjithnjë e më e zakonshme dhe sundimtarët himaritë gjithashtu erdhën ta quanin veten si popull i Izraelit. Meqenëse krishterimi ishte adoptuar nga rivalët e tyre të vjetër aksumitë, konvertimi i Himiarit në Judaizëm ishte pothuajse një reagim për të pohuar pavarësinë e tyre dhe shërbeu si shkas për persekutime aktive kundër subjekteve të tyre të krishterë.

Një mëkëmbës u emërua në mesin e Himiaritëve për të qeverisur në vitin 531 me tensione të përtëritura midis sundimtarëve të krishterë dhe shumicës lokale hebreje. Megjithatë, fuqia e tyre u zgjerua duke u shtrirë deri në Mekë, për të luftuar me fisin pagan Kurejsh. Ky dominim do të zgjaste deri në vitin 630, datë e ardhjes së Islamit në rajon.

Por…historia paraislamike e Etiopisë nuk është aq e njohur sa ajo e Perandorisë Romake, Greqisë apo Egjiptit. Pra, është gjithmonë interesante të mësosh pak.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Njё arap Vlore qё quhet Otello

January 25, 2023 by s p

Dr. Iris Halili/

Me Otello, Arapi i Vlorës , Ben Blushi sjell në letrat shqipe librin më të mirë të dashurisë. Sёrish na intereson universalja si koncept, fabula intriguese, shkrimi si art mё vete, shkrimtari i çliruar nga skemat dhe origjinaliteti. Blushi i ka rrokur nё njё dorё tё gjitha kёto. Çudia ёshtё ulur diku, andej, nga njё kёnd gjoja i parёndёsishёm: letërsia e tij ёshtё tërësisht frojdiste.

Autori ka arritur tё krijojё një roman ku klasikja, romantikja e modernia gërshetohen mjeshtёrisht në një mit universal dhe kjo ёshtё shenjё edhe e letërsisë bashkëkohore më të sukseshme nё botё.

Lexojmё: mendimi pёrshkon gjithё librin, ёshtё filli lidhёs i karaktereve, vёzhgimi i hollё tё depёrton, pёrfundimi nuk ёshtё njё, po njё sistem i tёrё pёrfundimesh qё kthehen nё filozofi jete. Blushi e sheh botën me sy të zhveshur, krejt të lirë, vetvetishëm, sikurse duhet të shprehet shkrimtari i mirfilltë.

Është i mbushur me elemente tё njё feje qё besohet, aq sa ta gjejё atje revoltën për dashurinë. Është aq familjar, sa të vlerёsojë kanunet e kёsaj bёrthame tё vogёl tё shoqёrisё, por pa hezituar ta ndajë dashurinë prej saj, duke e përcaktuar si një perandori më vete, apo si “e vetmja sëmundje ngjitëse qё duhet përballuar” . Si kurorёzim i gjithçkaje, triumfon lirija dhe dashuria, si e vetmja zgjidhje e mrekullueshme, që të gёzon, tё mbush e tё zbras nё tё njёjtёn kohё, pasi kёto janё ndjenja “gjithmonë të pangopura” . Kjo është edhe fjalia e fundit e romanit. Po pse shpresonim nё njё mbyllje tjetёr mё teatrale, me fjalё tё latuara e tё lumtura?! Ndoshta, sepse kjo ёshtё skema e njё pёrralle. Por, ai, kasten, i shmanget.

Sipas Blushit, të gjitha historitë, zgjidhjet, luftrat apo intrigat bëhen vetëm në emër të dashurisë, dallgёt e sё cilёs shtyjnё pёrpara jetёn qё i pёrngjan njё anijeje.

Dashuria ёshtё gjithkund. Nuk nguron ta bёjё reale kёtё ndjenjё qё mendja shpesh e fut nё njё strofull virtuale. E ndesh nё çdo faqe, nuk njeh konvencione, nuk njeh Bibёl, Kuran, as Afrikë, apo Europë, as vlonjat, as venedikas, as burrё, as grua, as të pasur, as të varfër, as pasha, as komandant, as prijës, as piktor, as të bardhë, as të zi. Perandorinë e dashurisë e vendos mes shpirtrave, por edhe trupave. Sepse dashuria është ashti: ekziston si lëng, si trup, si gotё, domethёnё ёshtё materia dhe qiellorja. “Gratë në fillim prekin trupin dhe lëkurën dhe pasi i kanë pushtuar ato, kërkojnë zemrën dhe shpirtin. Otello, e kishte dhe zemrën dhe shpirtin, por lëkura ia kishte mbuluar të dyja. Desdemona ishte trembur nga lëkura e tij. Nuk mund ta donte sepse ai ishte Arap..”

Dhe e vёrteta e madhe: dashuria nuk gjendet lehtë, humb po aq lehtë nёse nuk e shtrёngon fort dhe, bie nga qielli pikё-pikё, si shi i dёshiruar nё krahёt e njё shkretёtire. “Duke zgjedhur atë që do, mes gjërave apo njerёzve që nuk do, e mëson shpirtin dhe trupin tënd t’i kushtohet diçkaje, që pasi mendon se të duhet, mund ta duash dhe nëse vendos ta duash, përpiqesh ta marrësh dhe nëse e merr, lufton që ta mbrosh dhe, nëse e mbron, detyrohet ta ruash, sepse nëse nuk e ruan, e humb” .

Të bën të mendosh se dashuria është në ajër. Nuk mjafton ta shikosh, ta gjesh, por më e vështira është ta bësh tënden, duke mos harruar kurrë ta ushqesh. Me përcaktime gati çehoviane, Blushi e konsideron dashurinë një sëmundje qё shёrohet vetёm nga vetvetja, ripёrtёrihet nga forca e madhe qё lind ndjenja e madhe.“Plagët e dashurisë kanë një veti: ato nuk i shëron asnjë ilaç tjetër, përveç dashurisë. Plagët e thikës nuk mbyllen me thikë, plagët e zjarrit nuk shuhen me zjarr, ato të murtajës nuk zbuten me murtajë, ndërsa plagët e dashurisë qetësohen vetëm me dashuri. Dashuria është edhe sëmundja edhe ilaçi i dhembjeve të veta” .

Dashuria është sublime, sfiduese, i mbijeton çdo rregulli, guri a huri. “Lëngu i dashurisë nuk vjetërohet. Vitet nuk e kalbin, por e forcojnë. Njerёzit kanë arritur t’i shpëtojnë dashuritë e tyre edhe pse i kanë lënë të presin në shi, i kanë hedhur në det, i kanë harruar në rërë, apo i kanë groposur në male..Por dashuria është më e fortë dhe prandaj atë e trajtojnë keq, duke ditur se ajo i mbijeton çdo klime” .

Të gjitha karakteret e Blushit janë karaktere që dashurojnë me mënyrën e tyre dhe që lexuesi i njeh pak a shumë prej Shakespear-it dhe veprёs sё tij Tragjedia e Otellos, arapit tё Venetikut . Po t’i referoheshim Roland Barthes-it, semiologut francez, do të thoshim se Blushi ka “vjedhur” mitin shekspirian të xhelozisë. Sipas Barthes-it, simbolet e njerёzimit janë vërtitur gjithmonë rreth një universialiteti dhe artet s’kanë bërë gjë tjetër veçse tё “vjedhin” këto simbole apo mite. Kohё pas kohe, shkrimtar pas shkrimtari, ato transformohen, çmitizohen, domethёnё, mund t’u jepet krejt një tjetër pamje, ose të merren të plota duke u “vjedhur” tërësisht. Ajo që sjell origjinalitetin dhe krijon artin e mëvetësishëm, është forma me të cilën përcillet miti nëpërmjet gjuhës artistike . Po të vazhdonim me kёtё teori, do të thonim se tek romani “Otello, Arapi i Vlorës” kemi transformimin e mitit shekspirian, pa shkuar deri në çmitizim tё tejskajshёm, përderisa janё ruajtur pikё pёr pikё konvencionet e emrave apo simboli i shamisë sё tradhёtisё. Dashuria ёshtё, nё tё dyja veprat, fija lidhëse e pandarë që vë në lëvizje të gjitha ngjarjet. Miti i transformuar tek Blushi, shtrihet në dy kontinente gjeografike, por në tre botë të ndryshme historike: në Venedik, shkretёtirë afrikane dhe Vlorë. “Nje vit në Vlorë ishte më shumë se një vit në shkretëtirë, dhe një vit në shkretëtirë ishte më shumë se një vit në Vendik” , shkruan. Përcaktimi më i mirë i secilёs botё vjen nga krahasimi qё bёjnё personazhet e librit që udhëtojnë sa andej këndej. Dhe për të treguar ndryshimin, Blushit i duhet shumë art, që atij s’i mungon, i duhen shumë hollёsi e hulumtime historike, zbёrthime psikologjike, njohje kulturore e djersitje klimaterike. Dhe na jep devizën e madhe, se popujt dallohen edhe nga mënyra si dashurojnë. Pёr tё bёrё kёtё, i mjafton vetëm një personazh, Otelloja dhe shumё tё tjerё, çikёrrima, në funksion të tij. Otello, një personazh i dashuruar, që përpiqet të pёrjetojë dashurinë e tij, rrethuar nga të tjerë. “Vjedhja” e mitit vazhdon edhe tek detaji i shamisë. Në të dy tragjeditë, shamija bëhet shkak për vdekjen e Desdemonës, vetёm se tek Shakespeare-i shamija e gjendur në xhepin e Kasos, e vënë nga Jago, krijoi xhelozinë e tërbuar të Otellos, ndërsa Otelloja i Blushit është i brishtë në karakter, por i fuqishëm në dashuri, aq sa të mund ta përballojë xhelozinë dhe të përpiqet edhe një herë për ta fituar atë. Dashuria si koncept duket disi e transformuar nga i pari tek i dyti, sikur rrugët nga dhe tek dashuria janë hedhur krejt tё transformuara. Ndryshe nga Shekspiri, Blushi beson se dashuria është triumfuese ndaj tradhëtisë, apo të paktën heroi i tij, Otello, beson kështu. Thotё: “Si çdo burrë, edhe ai do të qetësohej, me shpresën se mund të merrte nga krahët e një burri tjetër gruan që kishte dashur, pavarësisht se ajo ishte pak e shkopsitur dhe ndoshta e mbushur me vulat e dhëmbëve të tij. E megjithatë Otello do ta falte. Si çdo burrë ai donte Desdemonën dhe jo të shkuarën e saj. Në fund të fundit dashuria është më e fortë se tradhtia, sikundёr e ardhmja është më e fortë se e shkuara. Tradhtitë bëhen në të shkuarën, dashuritë në të ardhmen dhe prandaj dashuritë janë të lidhura me shpresën, ndërsa tradhtitë me harresën” .

Nё thelb, edhe tё kёsaj vepre, ёshtё raporti dashuri- xhelozi, dy ndjenja tё fuqishme njerёzore qё ndёrtojnё dhe shkatёrrojnё, nё tё njёjtёn kohё. Dashuria nuk jeton dot pa xhelozinё dhe kjo e fundit ёshtё si ai krimbi i vogёl qё e shoqёron pa u ndier dhe e gёrryen. Jagoja, sёrish ushqen ligёsinё, xhelozinё, sёrish brenda tij rreh njё zemёr e vogёl, qё bёn tё duket e vogёl edhe kёtё ndjenjё tё madhe qё shpesh mendon vetёm pёr vete, e shpesh mbushet me njolla tё çuditshme, tё zeza, qё quhen xhelozi.

Brenda një romantizmi dhe fataliteti të tillë, ndërtohet Otelloja e Blushit. Ai arrin të krijojë një tekst origjinal, tё ndërtuar tërësisht nga një rrëfim i gjallё, me ngjyra tё llojllojshme qё i vishen edhe intrigave rrёnqethёse, edhe mendimit universal që pёrshkruan çdo hollёsi të një mjedisi shqiptar, vlonjat më saktë, nё dukje periferik.

Çelёsi pёr zbёrthimin e shumё episodeve, ёshtё psikoanaliza. Pas traditës modeste të Migjenit dhe Ernest Koliqit, Ben Blushi është ndёr tё parёt shkrimtarё shqiptarё tërësisht frojdist. Kjo duket që nga përcaktimet që bën për jetёn dhe ekzistencën në pёrgjithёsi, e deri tek ndërtimi i karaktereve, që janë tërësisht prototipe frojdiste. Fëmijëria, si mosha vendimtare që përcakton karakterin e njeriut, meriton edhe vёmendjen e Blushit. Ai thotё: “Çdo vendim që marrim e ka burimin tek fëmijëria jonë. Urrejtja, dashuria, tradhtia, lumturia dhe xhelozia. Fëmijëria i mëson njeriut të gjitha artet e shpirtit, sepse është e vetmja shkollë në të cilën të drejton instikti dhe jo vullneti. Njeriu rritet dhe plaket duke humbur fëmijërinë e vet dhe prandaj i kërkon aty përgjigjet e çdo ndryshimi që i ndodh” .

Jago, ky karakter tjetër i huazuar nga miti shekspirian, sipas psikoanalizës, do të cilësohej si nekrofil i lindur. Marrëdhënien e tij me motrat e zbërthen Freud-it me teorinё për nekrofilinë apo xhelozinë për motrën a vёllanё e vogёl, tё sapolindur . Kompleksi i Edipit nga i cili Jago nuk u çlirua dot kurrë, është djepi ku rritet dhe vepron nekrofilia e tij. Edhe fizikisht Blushi e përshkruan Jagon me tiparet dalluese të një nekrofili me sy vjollcë dhe flokë të kuq dhe që përgjatë gjithë kohës ndërtohet si vetë “thelbi i problemit”. Të sqarojmë lexuesit se Jago i Blushit, sikundёr ai i Shakespear-it, duket si personazh dytësor në roman, por nё tё vërtetё, ai ёshtё “zoti” vendimtar i fateve të personazheve kryesore, që mbeten pёrherё biofilë të brishtë. Marrja e Jagos si huazim shekspirian, por edhe si karakter, është bërë përsosur nga Blushi, deri në atë pikë sa askush nuk mund të thotë se është kopjuar, pasi janë tërësisht të kundërta rrethanat, arsyet pse e bëjnë Jagon të lig, apo veprimet e tij tё poshtra.

Po kështu “fshehja” e Desdemonës në shtëpi kur ishte ende e vogël. Ajo “luan” me të atin që rend me një përkushtim të pashembullt prej prindi për ta gjetur. Na shkon ndёr mend t’i japim njё kuptim psikoanalist kёtij episodi, sipas të cilit fëmija vepron sikur do të donte të vepronin të rriturit, çka do të thotë se Desdemona e vogël nuk e do praninë e të atit në shtëpi e pёrpiqet t’i fshihet atij. Aq i vërtetë është ky ngulmim, sa urdhёri i të atit pёr tё mёnjanuar dashurinë e Otello arapit, është shumë domethënës e të shpie tek teoria tjetër e Freud-it që ka të bëjë me kompleksin e Elektrës. Desdemona nuk u çlirua kurrë nga ky kompleks, ndaj dhe përfundoi nё mёnyrё tragjike. Vetë dashuria si një forcë e pavetëdijshme e konceptuar si e tillë nga Blushi, e gjen përgjigjen tek teoritë frojdiste.

Romani mbetet shumë origjinal dhe i guximshëm, për nga përcaktimet që i bën Shqipërisë dhe shqiptarëve. Pavarёsisht se të gjitha ngjarjet në roman kanë si bosht dashurinë, Blushi ndalet gjatë në episode të trilluara historike, duke sjellë karaktere po kaq të trilluara, por të njohur historikisht, si Marko Polo, apo Balshajt. Themi se këto karaktere janë sa historike, aq edhe fictionale, sepse fantazia e shkrimtarit nuk rresht së ndërtuari ato literarisht, çka do të thotë, se ato duhen marrë pikë së pari si të tilla.

Sipas autorit, shqiptarët kanë gёzuar atё fat që u vinte i imponuar nga vetë karakteri i tyre. “Zoti i ka dhënë Vlorës gjithçka ka pasur në dorë: natyrën, detin, qiellin, diellin dhe erën, me përjashtim të njerëzve. Me njerëzit dhe sidomos me shqiptarët Zoti është treguar i kursyer. Ata nuk dinë të punojnë, nuk dinë ta shfrytëzojnë natyrën dhe prandaj nuk dinë të luftojnë” .

Diku, më përpara, autori shprehet: “Nganjëherë ngrihem natën dhe mendoj se sa e bukur do të ishte Vlora sikur ne të ishim më të zgjuar, më të dhimsur dhe më të ndershëm”. Pastaj: “Ai qytet ka më shumë vrasёs se peshkatarë, më shumë hajdutë se luftëtarë, më pak trima se kusarë”. Blushi na sjell ndër mend shkrimtarin Kasёm Trebeshina, pasi shkruan sipas stilit të tij dhe në gojë të personazhit që është emëruar thjesht Turku vë këto fjalë: “Nëse Shqiptarët do të dinin të ndryshonin veten, Vlora nuk do të ishte kaq e mjerë. Megjithatë, unë nuk i urrej ata. Urrejtja që kanë për njëri -tjetrin mjafton dhe më shijon sepse më shërben për t’i pushtuar sa më shpejt, pa i lodhur ushtarët e mi” .

Universialiteti i romanit mbështetet në të gjitha mesazhet që përcjell shkrimtari, të tilla që do të mbeten aktuale edhe për lexuesin e pas pesёdhjetё viteve. Boshti kryesor i romanit mbetet dashuria qё merret me shpirtrat. “Asaj nuk i interesojnë trupat, duart, këmbët , muskujt apo organet e tjera. Ato janë çështje mishi, jo dashurie. Për dashurinë, të gjitha zemrat janë njëlloj, pavarësisht se në cilin gjoks rrahin”, ashtu sikurse dashuria kalonte “nga fjala, bukuria dhe vetmia” .

Për të gjitha këto që thamë, mendoj se studiuesit e letërsisë, do të vazhdojnё të shkruajnë për Otello, Arapin e Vlorës, edhe nё tё ardhmen. Ndoshta një regjisor do të tundohej në realizimin kinematografik të këtij romani. Edhe pse do t’i duhej të punonte shumë për t’u hyrë në brendësi personazheve të Blushit, që janë vërtetё të vështirë për t’u përtypur. Ndoshta do tё tё duhen dy frymё pёr t’i parё e pёr t’i kuptuar, dy zemra pёr t’i dashur e shumё pyetje brenda vetes pёr të përballuar sinqeritetin e Blushit. Edhe ai vetё lodhet e shpërthen në pёrfundime apoliptike: “Si me të gjitha gjërat e vlefshme, edhe me fuqinë, shqiptarët, nuk lidhen për një kohë të gjatë. Ndoshta ata nuk kanë çfarë t’i bëjnë fuqive të natyrës, diellit, erës, shiut, natës dhe tërmetit, por fuqitë njerëzore dinë t’i shkatërrojnë më mirë se kushdo duke i tradhtuar…. Copëtimi është arti i tyre. Ata ishin kundër çdo gjëje të madhe që u jepte mundësi ta zvogëlonin”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Iris Halili, Njё arap Vlore qё quhet Otello

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 136
  • 137
  • 138
  • 139
  • 140
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT