• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Giacomo Vuxani – “Fashisti”- Arbëresh nga Zara që e deshi aq shumë Shqiperinë

January 5, 2023 by s p

NGA NDREK GJINI/

Giacomo Vuxani (Arbanasi, 20 Korrik 1886 – Trieste, 7 Prill 1964) ishte një politikan dhe patriot shqiptaro – italian i lindur në fshatin Arbanas të Borgo Erizzo (tani Arbanasi), në periferi e qytetit te Zarës ne Kroaci.

Historiografia Shqiptare i ka borxh këtij intelektuali të shquar, këtij patrioti dhe veprimtari të palodhur që e deshi aq shumë Shqiperinë dhe shqiptarët.

Giacomo Vuxani u la në hije nga historianët komunistë duke u etiketuar si zyrtar i lartë i regjimit fashist. Mjaftoi ky etiketim dhe gjithcka u mbyll me kaq, duke fshirë me një të rënë të lapsit tërë luftën dhe punët e vyera të Vuxanit në dobi të çeshtjës shqiptare.

Askush nuk mori mundimin te kërkoje nëpër arkiva, të studiojë apo të nxjerrë në dritë veprimtarinë e tij në Shqipëri që nga Shpallja e Pavarsisë e deri në mbarim te Luftës së Dytë Botërore. Ekzistojnë aty me mijëra e mijëra faqe. Mjafton vetëm vullneti i mirë. Askush nuk denjoi të shfletojë apo studiojë rreth letërkëmbimit apo takimeve të tij me kolosë të letrave dhe politikës Shqiptare si Faik Konica, Shtjefën Gjeçovi dhe Fan Noli, apo të shkruajë rreth kontributit të tij kur Vuxani punonte në Tiranë si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Tokave të Lirueme, më minister Eqrem Bej Vlorën. Ministri kjo, që merrej me administrimin, integrimin dhe zhvillimin e pjesëve etnike të Shqipërisë. Ato ishin tokat e liruara nga okupatori serb në Kosovë, Dibër, Strugë, Plavë, Guci, Tuz dhe Ulqin, që iu bashkëngjitën shtetit shqiptar pas kapitullimit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene në 1941.

Për të kuptuar madhështinë dhe punët e vyera në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve të këtij kolosi të diasporës shqiptare mjafton të lexojmë nekrologjinë e shkruar me rastin e vdjekjës së Vuxanit nga Ernest Koliqi dhe të botuar në revistën “Shejzat” “Le Pleiadi) Viti VIII n.5-6 Maj -Qershor 1964; faqja. 155-158 “, me Kryeredaktor Martin Camajn.

Kjo nekrologji është shkruar e botuar në Italisht dhe hapet me fjalët: “Në agimin e 7 Prillit të shkuar, i rrethuar nga familjarët e tij, qetësisht u shua Giacomo Vuxani një nga eksponentët më të njohur të diasporës sonë.”

Giacomo Vuxani i kreu studimet e mesme klasike në Zarë, në vitin 1910. Më pas ai regjistrohet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Gracit, në Austri. Në të njëjtën kohë ai nisi të marre pjesë intensivisht në jetën italiane të qytetit të lindjes së tij, Zarës, dhe në veprimtaritë e shoqatave atdhetare e nacionaliste, duke kryer detyra të besuara, nën udheheqjen e ndritur të atdhetarëve Dalmatë, si Ziliotto dhe Ghiglianovich. Giacomo Vuxani kurrë nuk harroi gjuhën e atdheut të të parëve të tij, gjuhën Shqipe, të cilën familja e tij e fliste dhe ruante me shumë dashuri e passion ashtu sic ruante dhe zakonet e traditat shqiptare.

Në vitin 1910, Giacomo Vuxani promovon e organizon “Shoqatën Italo- Shqiptare” të Borgo Erizzos, që kultivon lidhjet me Shqipërinë, dhe beshkëpunon me eksponëntët më të shenjuar të diasporës, si Prof.Zef Skiroi (Giuseppe Scirò) dhe Rosolino Petrotta.

Në vitin 1901, në Borgo Erizzo funksiononte një shkollë në gjuhen shqipe, ku dha mësim edhe atdhetari i paharruar franceskan, at Pashko Bardhi, shkrimtar me pseudonimin Vorf Dukagjini, Bib Gjeta dhe Oshkap Idhrabi. Giacomo Vuxani bashkëpunoi ngushtë edhe revistën “Albania” “Bruksel – Londër,1897-1909). Vuxani posedonte ne mënyrë të admirueshme jo vetëm të folurën arbëreshe të vëndit të lindjes, por dhe gjuhën e atdheut mëmë, shqipen, që përbënte objektin e studimeve të tij. Lexonte shumë në shqip, dhe ishte mik dhe mbeshtetës i revistës “Shejzat.”

Në vitin 1914 Vuxani organizoi një delegacion arbëreshësh, që erdhën në Shqipëri për të vizituar atdheun e baballarëve dhe për të nderuar Princ Vidin, simbol i lirise dhe pavarësisë kombëtare.

Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore e detyron Vuxanin të ndërpresë studimet dhe e rreshton në radhët e ushtrise Austro-Hungareze. Në Shqipëri ai fillimisht vjen në rolin e përkthyesit.

Gjatë pushtimit Austro-Hungarez të Shqipërise, e cila ishte një periudhë me progres të veçantë dhe impuls për studimet shqiptare, Vuxani krijon shumë miqësi me eksponëntët më të spikatur të kulturës shqipetare të asaj kohe.

Në fund të Luftës së Parë Botërore, në Maj të vitit1919, Vuxani vendoset në shërbim të Prefekturës së Zarës, ku qëndron për 23 vjet. Shpesh qeveria italiane i besonte atij misione të rëndësishme. Ne vitin 1921, Vuxani u dërgua me mission në Durrës dhe Tiranë. Në vitin 1926 ai u dërgua me mission në Bari, ku gjithmonë ruajti lidhjet e miqësisë shqiptaro-italiane. Qeveria italiane e ftoi Vuxanin në Shqipëri në vitin 1940, me mision organizativ. Ai punoi aty me shumë impenjim, dhe kontriboi me shumë dashuri për të krijuar miqësi, bashkëpunim dhe respekt reciprok mes shqiptarëve dhe italianeve, të cilëve një fat historik i përbashkët ua impononte të jetonin e punonin bashkë.

Ne vitin 1942 Vuxani emërohet pranë Ministrisë së Tokave të Lirueme, me minister Eqrem Vloren. Në atë ministri ai mbante detyrën e Këshilltarit të Përhershëm, sot i vlefshëm me postin e Sekretarit te Shtetit apo Sekretarit të Përgjithshëm.

Në ato vite, edhe pse në një kohë të shkurtër, Vuxani bëri një pune kolosale në drejtim të rivendosjes së kufinjëve etnike shqiptare. Ai në Parlamentin Shqiptar përfaqësoi Bashkësine Shqiptare të Borgo Erizzo, (Arbanasi). Shqipëria e madhe atëhere konceptohej si një familje e madhe etnike, brënda kufijve etnike të saj, që përfshinin edhe pjesë të diasporës.

Në atë Parlament Shqiptar me Giacomo Vuxanin, si deputet ishte edhe atdhetari i pafat avokat Terenzio Tocci, perfaqësues i komunitetit shqiptar të Kalabrisë, apo Rosolino Petrotta dhe Pierino Maurea, perfaqesues të lokaliteteve respektive në Sicili dhe Molise të Italisë.

Me 16 Prill të vitit 1943, Giacomo Vuxani rimerr shërbimin pranë Prefekturës së Zarës. Këtu nisi një nga periudhat më të vështira të jetës së tij. Rreziqe të të gjitha llojeve; të gjitha këto për të pakësuar vuajtjet e Zarës së tij. Siç qe rasti kur në kohën e bombardimeve ajrore Anglo – Amerikane të 16 dhe 30 Dhjetorit 1943, ku ai qendroi në krye të detyrës, duke ndihmuar me gjithë fuqitë e tij popullsinë në nevojë të qytetit të tij të lindjes, Zarës.

Giacomo Vuxani nuk u tërhoq edhe kur Zara u pushtua nga trupat Jugosllave me 31 Tetor të vitit 1944. I arrestuar një ditë më pas, me 1 Nëntor të vitit 1944, ai pësoi tortura duke rrezikuar edhe të pushkatohej. Pas vendosjes së regjimit komunist në Zarë dhë në krejt Jugosllavinë ai vendoset në Trieste, ku merret me trajtimin dhe ndihmën e refugjatëve shqiptarë të ardhur kryesisht nga Jugosllavia.

Koliqi shkruan në nekrologjinë rreth Giacomo Vuxanit se: “Kush kishte rastin të vizitonte shtëpinë e Vuxanit në Trieste do ta shihte atë pranë familjarëve të tij, duke u drithëruar nga një entusiazëm rinor, ndërsa tregonte dy flamuj të ruajtur me fanatizëm; atë Italian të Komunës së Zarës, të sjellë fshehurazi në Itali nga ai, dhe atë Shqiptar të Shoqatës Arbëreshe të Borgo Erizzos.

Donte klasikët grekë dhe latinë, kishte gjithmonë mbi komodinë, afër shtratit ndonjë vepër në original të tyre. Së fundmi, në periudhën e sëmundjes mbante një volum të zgjedhur nga Ovidi.”

Koliqi thotë se: “Në shqiptarët e Shqipërisë nderojmë Vuxanin, një nga përsonalitet më përfaqësues të diasporës sonë, një të zgjedhurin tonë që ka lënë dëshmi të ndritura të virtyteve bujare të shqiptarisë dhe të besnikërisë ndaj kultit të traditave të tij fisnike atdhetare.”

Përveç dokumenteve arkivore të Parlementit Shqiptar të periudhës kur Vuxani ishte deputet si dhe të dokumenteve dhe veprimarive të tij si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Tokave të Lirueme, në Tiranë, një ndihme shumë të madhe për kerkime e studime më të thelluara rreth kësaj figure mund të jepte dhe kontakti me familjarë të Vuxanit.

Me 23 Tetor të vitit 2005 djali i Vuxanit, në atë kohë 79 vjec, doktor Giuseppe Vuxani, i shkruan një letër redaksisë së revistës së Arbëreshëve të Italisë, Arbitalia. Fakt ky që tregon se Vuxani e ka ruajtur me fanatizëm gjuhën dhe kulturën Shqiptare, dhe e ka përcjellë atë edhe tek fëmijët e tij.

Ne ate letër djali i tij shkruan: “Jam doktor Giuseppe Vuxani, i lindur në koloninë me origjinë shqiptare të Borgo Erizzos (aktualisht Arbanasi), në ish-provincën italiane të Zarës (në Dalmaci), tashmë nën sovranitetin e shtetit të Kroacisë, me emrin Zadar. Jam 79 vjeç dhe banoj në Trieste.

Kam lënë, bashkë me shumë bashkëfshatarë të mi vendin e lindjes në vitin e largët 1948, në vijim të Traktatit të Paqës, me të cilin qyteti i Zarës i përkiste Jugosllavise. Në atë kohë në fshat flitej ende shqipja e vjetër e prindërve, që morën arratinë nga dominimi turk, në 1725, të ardhur nga dy vënde afër Shkodrës. Ata u sistemuan në periferi të Zarës dhe kur isha femijë më thërrisnin në shqip Zef, dhe ruaj ende në kujtesë fjalët më të zakonshme në shqip që fliteshin atëhere. Babai im qe një eksponent i vendosur i diasporës shqiptare, i impenjuar në ndihmë të Pavarësisë së Shqipërisë. Im atë ishte themeluesi dhe sekretari i Shoqatës Italo-Shqiptare të Borgo Erizzos. Në atë kohë ai qëndronte vazhdimisht në kontakt me eksponentë të kolonive shqiptare në Itali. Veçanërisht domethënës qe Kuvendi i Triestes në vitin 1913.

Në vitet 30 gjuhetari i famshëm italian Carlo Tagliavini ekzaminoi me kujdes gjuhën shqipe të folur në Borgo Erizzo dhe shkroi një libër mbi këtë argument.

Për më teper kanë mundur të shpetojnë vetem disa deshmi të vogla, por interesante të origjinës së shqiptarëve, që do te doja t’ua ofroja qëndres suaj kulturore.

Duke udhetuar ne internet jam njohur me websitin tuaj, por nuk njoh vecse Homepagen tuaj, ku gjeta dhe adresen e e-mailit.”, përfundon letrën e tij Giuseppe Vuxani.

Kjo letër e djalit të tij është domethënëse dhe shume inkurajuese, duke na bërë të besojmë se ka akoma shpresë se diçka nga thesari arkivor i lënë nga ky kolos i diasporës Shqiptare mund të shpëtohet.

Filed Under: ESSE

Liruar nga ligji

January 4, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

A nuk e dini pse po u flas atyre që e njohin ligjin? Se ligji ka pushtet mbi dikë vetëm për aq kohë sa ai njeri jeton.

Ligji është i mirë dhe i keq. Megjithatë, njeriu nuk do ta kishte ditur se çfarë ishte e keqe po të mos ishte “ligji”. Sepse nuk do ta kishte ditur se çfarë ishte në të vërtetë “tradhëtia” nëse ligji i dikurshëm nuk do të thoshte: “Mos ik se tradhëton”.

Përveç ligjit, e keqja ishte e vdekur. Pa ligj njeriu ishte gjallë. Kur erdhi ligji, e keqja lindi. Vetë ligji që kishte për qëllim të sillte jetë, në të vërtetë solli vdekjen. Sepse e keqja, duke shfrytëzuar mundësinë e dhënë nga ligji, mashtroi. Në mënyrë që e keqja të mund të njihej si e keqe, ligji u përdor për të sjellë vdekjen, që keqja të bëhej krejtësisht e keqe.

Dihet se ligji është i frymës, por njeriu është joshpirtëror, i shitur si skllav. Nuk e kupton atë që bën. Atë që do të bëjë nuk e bën. E di që e mira nuk banon brenda tij. Sepse nuk bën të mirën që do, por të keqen që nuk do ta bëjë, këtë vazhdon ta bëjë. Tani, nëse bën atë që nuk do, nuk është më ai që e bën, por është e keqja që jeton në të.

Kështu është ligji në fuqi: edhe pse njeriu dëshiron të bëj të mirën, e keqja është me të. Ai sheh një ligj tjetër që vepron përbrenda, që lufton kundër ligjit të mendjes dhe e bën rob të ligjit të së keqes. Nga ky mjerim ai edhe ikën. Kush do ta shpëtojë nga trupi që i nënshtrohet vdekjes?

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Kosova si “klinikë” shpirtërore e nacionalizmit serb!

January 3, 2023 by s p

Shkruan Mehmet PRISHTINA/

Çdo lëshim i Prëndimit ndaj aventurave nacionaliste të Vuçiqit është një favor për Putinin, i cili përmes Kosovës synon të destabilizojë Europën. Sa më pak të ketë ndikim Kosova si shtet në veriun e Kosovës, aq më e dukshme bëhet Rusia me politikën e saj destabilizuese në këtë pjesë të rajonit.

Viti që po lëmë pas u mbyll me heqjen e barrikadave serbe në veri të Kosovës. Largimi i barrikadave ishte kushtëzuar me lirimin nga paraburgimi të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiç, i cili u arrestua për dyshimet se kishte organizuar sulmin e kryer ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Kosovës në pjesën veriore në fillim të muajit dhjetor.

Barrikadat edhe kësaj radhe u përdorën si mjet shantazhi, ku Serbia tash më nuk po e fsheh qëllimin e saj grabitçar për të qenë bashkëpronare e Kosovës, për aq sa asaj i konvenon ta trajtojë çështjen serbe si proces të papërfunduar. Të gjitha qeveritë serbe në Beograd pushtetin e kanë mbajtur duke projektuar plane e ide të cilat janë përdorur për të mbajtur gjallë hegjemoninë përmes metodave më brutale. Tani Serbisë i ka mbetur Kosova si poligoni i fundit i kësaj hegjemonie dhe gjithkush që ka iluzione se Serbia tërhiqet vullnetarisht nga këto aspirata e ka shumë gabim. Në Serbi janë ndërruar disa pushtete me orientime të djathta e të majta, por të gjithë e kanë përdorur Kosovën si “klinikë” për të mbajtur gjallë gjendjen shpirtërore të nacionalizmit serb.

I fundit që po tregohet më këmbëngulës në trajtimin e Kosovës si terapi nacionaliste, është presidenti serb Aleksandar Vuçiq. I ardhur nga shkolla radikale serbe e urrejtjes dhe i kalitur në shkollën millosheviqiane të manipulimit, Vuçiqi aktualisht, pa e penguar askush nga Brukseli dhe Washingtoni, është dinozauri i fundit i politikës serbomadhe që ende po mbijeton me metodat e njëjta që shpien në shkatërrimin e ish-Jugosllavisë.

Kosova për Vuçiqin është një tokë e “shenjtë serbe”, prandaj ai në këtë tokë sillet si t’i teket dhe vendos barrikada sa herë që rejtingu i tij matet në kandarët e manipulimit me serbët e Kosovës. Po të ishte ndryshe, serbët e Kosovës deri tani do të nxirrnin një lider kredibil që do t’i përfaqësonte interest e tyre në institucionet e Kosovës. Serbët lokalë nuk kanë lider të tyre, sepse Vuçiqi vazhdon t’i manipuloj ata duke i përfaqësuar problemet e serbëve si pjesë e axhendës së tij kundër shtetit të Kosovës. Kjo axhendë do të jetë në fuqi deri sa Vuçqi ta bëjë Kosovën si Bosnjë dhe Hercegoninën, sepse një shtet i konsolidur i Kosovës atij jo vetëm që nuk i konvenon, por edhe ia zhvesh qëllimet hegjemoniste që ka. Për rrjedhojë, barrikadat mund të përdoren sërish si mjet shantazhi deri në krizën e ardhshme që Beogradi vet e shkakton, sepse vetëm në këtë mënyrë llogaridhënia për dështimet në luftimin e krimit e korrupsionit, për rënien ekonomike, për papunësinë, për migrimin masiv të të rinjëve, do të shtyhet deri në zgjedhjet e radhës kur Vuçiqi sërish do të del me një narrativë edhe më të dhimbshme për “fatin e mjerë” të serbëve të Kosovës.

Duke komentuar ngjarjet e fundit, Edward Joseph, pedagog në Universitetin e Uashingtonit dhe ish-zëvendës shef i misionit të OSBE-së në Kosovë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka zbërthyer më së miri synimet e mëpastajme dhe prapaskenat e Serbisë pas heqjes së barrikadave në veri të Kosovës.

“Ato barrikada, të cilat për fat të mirë janë hequr, janë vetëm një metaforë, sepse mes Serbisë dhe Kosovës ka ‘barrikada gjigante’. Ka edhe ‘barrikada’ në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë, këto ‘barrikada’ shërbejnë si ‘urë’ ndërmjet Serbisë dhe Rusisë”, ka thënë Joseph.

Eksperti amerikan ka paralajmëruar se Vuçiç po përgatit një tjetër skenar për krizë në Kosovë. Ai shton se nëse vendosen barrikada, mund të korren përfitime. Joseph shprehet se të gjithë e dinë se cila është çështja kryesore aktuale në veri të Kosovës dhe këtë e dinë edhe serbët atje.

“Çështja kryesore është sundimi i ligjit në atë fushë. Prandaj, është problem edhe për serbët në veri të Kosovës, e jo vetëm për institucionet në Prishtinë, të cilat përpiqen të zgjerojnë kontrollin e tyre në atë rajon. Më saktë, lind pyetja se kush është në krye të zbatimit të ligjit”, tha Joseph.

Njëra prej arsyeve se pse Beogradit i pengon konsolidimi i shtetit të Kosovës, është pikërisht çështja e luftimit të krimit dhe konrabandës që po mundohet ta zbatojë Qeveria e Kosovës. Siç raportuan edhe shumë media të pavarur të Beogradit, në barrikadat e fundit në veri të Kosovës nuk luftohej për kurfarë kauze serbe. Aty luftohej për më shumë kontrollë nga bandat e lidhura me Vuçiqin , prandaj me të drejtë mediat gjermane konstatuan se është irrituese që BE-NATO pranuan kushtet e Vuçiqit, sepse heqja e barrikadave nuk e zgjidh konfliktin. “Kosova mbetet një fuçi baruti”, ndërkohë që me të drejtë shumë analistë dhe vëzhgues e kritikojnë politikën e perëndimit kundrejt Serbisë si zbutëse.

Gazeta austriake “Der Standard” më së miri e ka trajtuar këtë politkë të pakuptimit të perendimit, duke konstatuar se përmes mënyrës se si u zgjidh konflikti nga BE, e mira më e rëndësishme e demokracive perëndimore, shteti ligjor u bë i negociueshëm.

“Është veçanërisht irrituese, që BE dhe NATO i pranuan kushtet e aktivistëve militantë, që janë nën kontrollin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe nuk kanë mandat. […]Bilanci i krizës së inskenuar Serbi-Kosovë është fatal: Kosova nuk mund të kujdeset që të gjithë pronarët e automjeteve të përdorin targat e parapara, dhe nuk mund të mbajë në kohën e duhur zgjedhje. Njerëz, që ilegalisht, bllokojnë trafikun nuk mund të nxirren para përgjegjësisë, dhe policia e vendit nuk mund të zbatojë monopolin e pushtetit”, konkludon “Der Standard”.

Çdo lëshim i Prëndimit ndaj aventurave nacionaliste të Vuçiqit është një favor për Putinin, i cili përmes Kosovës synon të destabilizojë Europën. Por Brukseli si duket ende nuk e ka kuptuar se influenca ruse në Ballkan nuk mund të ndalet duke i bërë lëshime të njëpasnjëshme Vuçiqit. Fatkqeqësisht këto lëshime po bien mbi kurrizin e Kosovës, e cila është e detyruar të heqë dorë nga e drejta legjitime për të ushtruar ndikimin e shtetit ligjor në tërë teritorin. Sa më pak të ketë ndikim Kosova si shtet në veriun e Kosovës, aq më e dukshme bëhet Rusia me politikën e saj destabilizuese në këtë pjesë të rajonit.

Prishtinë, 01 janar 2023

Filed Under: ESSE Tagged With: Mehmet Prishtina

Të ecësh mbi pasqyrë duke u shikuar, por pa e thyer!

December 30, 2022 by s p

Gëzimi më i madh i njeriut qenka atëherë kur arrin ta bësh dikend të lumtur. Kjo zatën më ka ndodhur kohëve të fundit, kur pjesë e Ansamblit u bënë disa të rinjë që premtojnë shumë, me ç’rast përjetova emocione të paprovuara deri më tani, sepse për punësimin e tyre unë u gëzova më shumë se ata vet.

Shkruan: Shkodran Tolaj*

Një prej dilemave që më ka shoqëruar kur e mora drejtimin e Ansmablit Shtetëror, ishte nëse unë do të arrij të vendosi një balancë në mes të aftësive të mia menaxhuese dhe krijimit të një kulture kohezive të ekipit të këngëtarëve, valltarëve , instrumentistëve dhe stafit përcjellës adminstrativ. Po vija në një detyrë që nuk e kisha të panohur si vokacion, por ishte një terren i pashkelur sa i përket përgjegjësive menaxhuese. Sado që më rrotulloheshin në kokë disa nga rregullat që kisha lexuar mbi të qenit menaxher i sukseshëm, megjithatë kjo nuk më hynte shumë në punë, sepse sfidat që më prisnin për të drejtuar një Ansambël të ri të posathemeluar, nuk arrinin të absorboheshin brenda atyre rregullave. Ka shumë rëndësi koha kur drejton një institucion: në fillim , apo pas disa viteve kur para teje dikush tjetër ta ka trasuar rrugën?
Duke i marrë parasysh të gjithë këta faktorë, por duke u nisur edhe nga fakti se unë vija nga shkollat më të avancuara gjermane të bërjes muzikë, atëherë pa humbur kohë mu desht të sistemoj një regjistër krejt të ri dhe autonom të prioriteteve menaxhuese, duke u përqëndruar kryesisht në një lajtmotiv: Një drejtues është i sukseshëm atëherë kur arrin të bëhet burim motivimi për ekipin që drejton. Dhe jo rastësisht, çdo mëngjes, kur filloj punën, më ndjek ky lajtmotiv, të cilin mundohem ta ushqej me pasionin e njeriut i cili më pak ësht i vetvetes e më tepër i të tjerëve.
Shkathtësia për të deleguar punët, vizioni i qëndrueshëm për zhvillimin e Ansamblit, përhapja në publik e sukseseve, afirmimi i vlerave tona kombëtare në botë përmes programeve artistike, detektimi i anëve të padukeshme të talentit të anëtarëve të Ansamblit dhe përtërirja eAnsamblit me talentë të rinjë, ishin disa nga prioritetet e mia, të cilat jam munduar t’i mbindërtoj në kauza, pa të cilat mendoj se Ansambli nuk do ta arrinte këtë sukses që e ka aktualisht.

Gjithkush e ka të drejtën e Zotit ta gjykoj punën që bëjmë, madje këtë e kam kërkuar disa herë nga mediat, por megjithatë kjo nuk i ka përmbushur pritjet e mia, sepse kam dashur që puna që bëjmë të jetë nën thjerrëzën e opinionit publik, sidomos të ekspertëve dhe njohësve të artit të këndimit e vallëzimit. Kjo nuk don të thotë se nuk kemi qenë të pranishëm në media, të cilat i faleminderoj nga zemra, por kultivimi i shijes estetike bëhet vetëm atëherë kur ka kritikë të mirëfillt nga ata që e njohin mirë artin. Shpresoj shumë që në të ardhmen të kemi edhe studiues e kritikë që ndjekin rrjedhat muzikore te ne, në mënyrë që të krijohet një sistem i valorizimit të vlerave, sepse pa këtë sistem e kemi vështirë të dallojmë vlerën nga jovlera, artin e mirëfillt nga tallavaja, talentin e vërtetë nga improvizuesi etj.
Në çdo mjedis kulturor, nëse një ansambël shtetëror merr çmim prestigjioz në një festival ndërkombëtar, siç ndodhi me pjesëmarrjen tonë më 27 korrik në festivalin e mbajtur në Byjyk-Çekmeçe në Turqi, prej nga u kthyem me Çmim të parë, pas triumfit në Hungari, apo pas vlerësimit me çmimin e parë në Veliko Trnovo të Bullgarisë, vitin e kaluar, sigurisht që këto ngjarje nuk do të përbënin vetëm lajm , por edhe një mundësi ideale për kritikën që të shpreh gjykimet e saj mbi të arriturat dhe sugjerimet eventuale. Kjo i ndihmon shumë artistëve, sepse mund të jetë mënyra më e mirë për të ecur mbi një pasqyrë në të cilën duhesh të shikohesh, por të cilën nuk guxon ta thyesh.
Për të drejtuar një institucion të rëndësishëm, siç është Ansambli Shtetëror, a mjafton vetëm karizma, personaliteti, aftësia për të deleguar punët, apo nevojitet edhe diçka përtej kësaj. Në kërkim të “përtej kësaj” unë kam ardhur në përfundim se drejtuesi i mirë duhet të ketë shpirtin e pasur me dashuri e devotshmëri për punën dhe për ata me të cilën punon. Pa dimensionin shpirtëror mbetet e varfër çfarëdo përpjekje që bën, sepse çfarëdo qasje tjetër që nuk e ka shpirtëroren brenda, të bën një burokrat që nuk arrin të kesh sensin e përjetimit të gjërave të bukura dhe të vështira gjatë punës që bën.
Mbase një punë me plot ngarkesa fizike e psikike, një punë që kërkon kondicion dhe përqëndrim maksimal, nuk mund të kurorëzohet me sukses nëse nuk shoqërohet me integrimin e komponentës shpirtërore në sensin e bashkëpunimit dhe koordinimit. Një drejtues që arrin të kap në ajër këtë sens, konsideroj se ka bërë punën e duhur, pa anashkaluar edhe kontributin e punonjësve e bashkëpunëtorëve të cilët në momente të caktuar të japin kurajo për të tejkaluar dilemat e çastit.
Me kalimin e kohës e kuptova se edhe drejtimi i një institucioni është art më vete që kërkon të investosh për çdo ditë punë, dije, kreativitet dhe përkushtim maksimal ndaj projekteve. Por e gjithë kjo nuk mund të bëhet nëse punën që bën nuk e kupton si mision, andaj që në ditën e parë i kam thënë vetes se po i hyj një misioni të cilin duhet ta kryej me përgjegjësi të lartë profesionale e kombëtare. Ende ka kohë për ta rrumbullaksuar këtë mision, por ajo çka mbetet në të ardhmen është mbindërtimi i përvojës së deritanishme me një vizion i cili gjithsesi duhet të përmbaj në vete disa objektiva që lidhen ngusht me zhvillimin e Ansamblit në pikëpmaje të performancës artsitike e kadrovike si dhe me zgjerimin e gamës së kërkesave estetike ndaj projekteve të radhës.

Gjatë studimeve në Gjermani e kisha dëgjuar nga profesorët e mi se menaxherët nuk lindin domosdoshmërisht në udhëheqje, por udhëheqësit e mirë shpesh bëhen menaxherë të shkëlqyeshëm, sepse e kuptojnë rëndesën e përgjegjësisë për të qenë i pari në maratonën të cilës t’i duhesh t’i prijsh.
Maratona që kam nisur, ende nuk ka përfunduar, por në vrapim e sipër kam kuptuar se nuk është njësoj të jesh i pari në një maratonë sportive dhe i pari në një institucion. Sepse në maratonën sportive egozmi është i lejueshëm, kurse në drejtimin e institucionit kjo as që mund të merret me mend. Përkundrazi. Egoja jote shkrihet në pellgun e gjerë të ambicjeve të të tjerëve dhe në fund ngelë dëshira jote për të pa të tjerët më mirë se veten, për t’u gëzuar ti më shumë se ai që punësohet. Kjo zatën më ka ndodhur kohëve të fundit, kur pjesë e Ansamblit u bënë disa të rinjë që premtojnë shumë, me ç’rast përjetova emocione të paprovuara deri më tani, dhe për një herë e kuptova se gëzimi më i madh i njeriut qenka atëherë kur arrin ta bësh dikend të lumtur.
Këtë ese të fundvitit po e përmbylli me një thënie brilante të studiuesit Andy Stanley: “Udhëheqësit që nuk dëgjojnë, në fund do të rrethohen nga njerëz që nuk kanë asgjë për të thënë”. Prandaj unë do të vazhdoj të mbaj një ekuilibër midis dhënies së udhëzimeve dhe dëgjimit të komenteve e sugjerimeve nga të tjerët, përfshi edhe ata me të cilët punoj çdo ditë.
Nëse lumturia e të tjerëve varet nga sjelljet tona, atëherë shpresoj që edhe në vitin që po vjen sasia e lumturisë të rritet bashkë me fuqinë kohezive (shpirtërore-fizike) të Ansamblit për t’i sjellë publikut të mrekullueshëm programe edhe më të arrira artistike.

Gëzuar 2023!

Shkup, 30 dhjetor 2023

*Autori është drejtor i Ansmablit Nacional të Këngëve dhe Valleve Shqipe në MV

Filed Under: ESSE Tagged With: shkodran tolaj

SI PËRKUJTOHEJ FISHTA NË VITIN 1971…TEK ARBËRESHËT

December 29, 2022 by s p

Frano Kulli/

Na e përshkruan Ernes Koliqi një përkujtim syresh, në “Shejzat” e tij. – Shqiptarët e diasporës – shkruan ai – të cilëve nuk ua ka helmatisë shqisen nji propagandë dinake e zhgatrrimtare e me burim të huej qi denon si shprehje antishqiptare mun undyrën mâ gjeniune shpirtnore të kombit t’onë, kanë përkujtue gjithkund në botën e lirë auktorin e Lahutës së malcís.

Është viti 1971, rasti për të cilin na bën me dije Koliqi, njëri prej atyre shkrimtarëve të shënuar në historinë e letërsisë shqipe. Qendra ndërkombëtare e Studimeve Shqiptare të Palermos, e cila “përsjell tash sa vjet me nisma të parreshtuna lartushtuese [që ushtojnë së larti], çdo rasë në shênj të historís ase të kulturës sonë” e kishte programuar qysh në prill të atij viti, atë që do të bëhej e rreth së cilës do të përbashkoheshin më të dallueshmit puntorë të kulturës kombëtare në diasporë. Atë Zef Valentini ishte në krye të kësaj qendre e, për rrjedhojë edhe në krye të këtij kremtimi. Italiani jezuit, ndër albanologët më të shquar në botë, i ndodhur aty, qysh prej 15 dhjetorit të 1955-ës, atëherë kur u vendos në drejtimin e Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Palermos, e cila u bë një nga qendrat e spikatura të kulturës së vërtetë shqiptare jashtë Shqipërisë. At Valentini me ardhjen e trupave gjermane më 1943, u largua nga Shqipëria drejt Romës e vijoi punët në Institutin Oriental Papnor. Rikthehej në Italinë e tij, mbas dy dekadave që kishte zatetë për herë të parë në Shkodër (me 1922) në Urdhnin e Jezuitve aty, tashma i realizuar në shkallë të epërme, me një vepër monumentale në fushë të Albanologjisë. Edhe më heret, para mbarimit të luftës së dytë botërore, më 5 dhjetor 1940 kur ende ishte në Shqipëri, qe emëruar anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Me 1941 u vendos në Tiranë, ku u caktua edhe sekretar i këshillit të Institutit e vijoi aty derisa i riatdhesua. Pa iu ndarë asnjëherë, derisa mbylli sytë, albanologjisë e kulturës shqiptare.

E në këtë hulli, me 27 nëntor të atij viti (1971) në Aula Magna të Universitetit të Palermos (vërté e madhnueshme – e përshkruan Koliqi) u mblodh Kongresi i VII i Qendrës “Rozolin Petrota”, kushtuar i gjithi Fishtës, në përvjetorin e 100-të të lindjes. Me një varg referatash tue u mbajt fryma e naltë shkencore qi duhet të dallojë të tilla nisma, përfundim ky i Koliqit, që mishërohej në vetë ligjëruesit dhe kapacitetin e tyre shkencor, kulturor e shqiptarídashës.

At Valentini, drejtuesi i Qendrës trajtoi argumentin zgjedhë prej tij: “At Fishta misjonar”. Në këtë pikëpamje At Gjergji njihet pak, arsyetonte ai edhe pse me zell të madh ka ushtrue detyrat e tij si famullitar e predikatar; si mësues në kurse fetare e si bashkëpuntor në të përkohëshme e fletore të përshpirtëshme. Mbas At Valentinit, i erdhi radha prof. Koliqit, tema e të cilit “Fishta në shërbim të politikës kombëtare”, parashtroi idenë se veprimtarisë aq e dobishme dhe e frytëshme e Poetit Kombëtar në dobi të atdheut, qe frut i përkushtimit të tij, tue qëndrue sipër rrymave politike siç e veçonte me theks të posaçëm kumtuesi.

Kurse prof. Namik Resulli i Universitetit të Napolit, historian i letërsisë, akademik shqiptar shtjelloi temën “Struktura të poezisë së Fishtës, një anë shumë interesante e prodhimit letrar fishtjan, tue vu në dukje ndikimin që pati në té fryma e ligjeve doksore, d.m.th. ajo e Kanunit. Prof. Resuli, bashkëkohës e bashkëpunëtor i Koliqit, pasi kishte doktoruar “Mbi shtresëzimet në gjuhën shqipe”në fillim të viteve ’30, gjatë viteve 1940 – 44 ai qe dhe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Vijoi aktivitetin e vet intelektual si pjesëtar i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Universitetin e Palermos (1948-1957). Në vitin 1955 Resuli mori gradën shkencore (“libera docenza”) në Gjuhën e Letërsinë Shqipe dhe u emërua kreu i Studimeve Shqiptare në Institutin Universitar Oriental të Napolit (1958-1968) dhe vazhdoi aty si profesor deri më 1975. U mor me studime të ndryshme në fushën e Filologjisë Ilirike.U emërua kreu i Institutit të Studimeve Shqiptare në Romë më 1975, pasi ndërroi jetë Koliqi.

Martin Camaj i Universitetit të Mÿnchenit, gjuhëtar akademik, me hollësinë e pregatitjes së tij gjuhësore, kishte zgjedhur të fliste mbi “Gjuhen e Gjergj Fishtës në Lahuten e Malcis’ “. Me nji përimtim depertues ditunuer parashtroi lidhjet e ngushta të ligjrimit fishtjan me të folmen popullore dhe procesin krijues të shprehjeve typike fishtiane tue ndjekë për s’afërmi kallepin e trajtave të popullit.Në këtë shndërrim shpesh nuk mund të përcaktohet, përsa i përket njaj thanjeje a lokucjoni, a e mori Fishta prej popullit apo populli prej Fishtës.-kështu e përcakton Koliqi në “Shejzat”, thelbin e ligjëratës së Camajt, në atë takim përkujtimor.

I fundit që e mori fjalën për të kumtuar ishte Prof. Papas Ignac Parrino, docent i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Palermos, i cili “e ka begatë albanologjín me nji perkthim literal shumë të censhëm të Lahutës, përsjellë me shënime të gjithnuerta historike, gjuhësore, letrare, etnografike, juridike (të së drejtës kanunore), estetike etj”. Docenti i ri foli mbi temën “Fishta në prespektivën e kulturës shqiptare” dhe, tue prekë anët e ndryshme të veprës fishtjane u perqëndrue në caktimin e vlerës kryesore të saj, d.m.th. në zbulim të botkuptimit të shqiptarit, botkuptim i themeluem në vlera të nalta njerëzore si nderi, burrnija, mikpritja, kulti i Perendis e i trashigimit stergjyshuer”, shënon Koliqi.

Kurse nga preludi i Kongresit, në bisedat përgatitore, mbase duhet veçuar ky kumt i Koliqit: “Na, në botë të lirë ku nuk pengohet me mjete dhunëshme kulti i shqiptarizmit të njëmendtë e kemi për detyrë përkujtimin e auktorit të Lahutës së malcis’. Mirë qofshin të ardhuna kremtimet të çdo lloji, por mos të lehet mbas dore mënyra e dêjë për të nderue Poetin qi bani të nderueshëm gjakun shqiptar. Ajo mënyrë nuk asht tjetër veçse leximi i veprave të tija…ku tregohet rruga qi duhet ndjekun për t’u radhitë ndershmënisht përbri kombeve të përparueme”.

…Palermo, 1971. Asokohe, këtu në Shqipëri nuk pipëtinte asnjë tingull prej andej; përmendja e emrit të Fishtës ishte “blafemí ”.

“GJERGJ FISHTA”, Portret, Pashk Pervathi, 2022

Filed Under: ESSE Tagged With: Frano Kulli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 140
  • 141
  • 142
  • 143
  • 144
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT