• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pa zbukurime novelistike

August 3, 2022 by s p

(Zak Ceka e Ali Belshaku)

Nga Tasim Çiftja (1925-1993)

Ushtrimi i terrorit mbi popullin, për t’u pasqyruar në letërsi dhe në shtypin e ditës, nuk ka ndonjë nevojë zbukuruese. Është veprimi më i shpëlarë si asnjë tjetër. Jo se do të konfrontohem me ata që i novelizojnë përshkrimet me elemente letrare (bëjnë mirë), është fjala që terrorizimi i popullit eci nëpër forma e mënyra të pabesueshme, aq sa brezat, duke u njohur me to, do të na quajnë fantastë.

Rreth 4 mijë të burgosur politikë, të sjellë në Vloçisht, nga disa burgje rrethesh, për tharjen e Maliqit më 1947 (jo më 1948 kur punimet për të burgosurit ishin përqëndruar pas urës derdhëse), pra më 1947, pavarësiht nga mundimet e punës 14 orëshe tepër të rëndë, nën kërbaç, shoqërohej çdo ditë me rrahje, vrasje, groposje për së gjalli. Nuk u mor vesh (e si do të merrej vesh?) përse u qëllua me automatik mbi të burgosurin arsimtar nga Kruja që ishte duke punuar; ai djal’ i dashur do të ishte nja 28 a 30 vjeç kur u qëllua vet’ i tretë.

Çdo ditë proçedohej groposja për së gjalli, duke lënë kokën jasht’. Nuk mbeti pa u groposur së gjalli me kokën jasht’ vëç ndonjë përqidje e vogël. Kështu e pësuan edhe Arshi Pipa e Mitrush Kuteli (atje e apelonin Dhimitër Pasko).

(Këto emra mbahen mend sepse ishin të njohur si figura letrare e kulturore, po emra fshatarësh, klerikësh, pleq, që edhe mbasi i nxirrnin nga groposja, ata vdisnin gjatë natës në barakë, siç ishte Ethem Sufali nga Peqini. Ishte fillimi i mbas Luftës, pra përqindja më e madhe ballistë (organizata atdhetare e popullit po e paguante humbjen e lirisë së Atdheut).

E gjithë kjo parapesëmijëvjeçare, bëhej ndofta për programe sërbe, siç kuptohet sot në renditjen totale të ngjarjeve, në atë procedim ditor. E të vjen të inatosesh sot në në demokraci, duke dëgjuar Kadarenë të thotë “Pipiç”, pra serb! Lufta kundra popullit shqiptar si komb shqiptar, kështu ka vazhduar, e maskuar në emërtimin “lufta e klasave”, a deri sot në librat e Kadaresë.

Atë ditë pati një ndryshim të vogël. Të burgosurit Zak Ceka dhe Ali Belshaku, që të dy nga Peqini, gjatë rrahjes së zakonshme që po pësonin si gjithë të tjerët, folën përafërsisht kështu:

-në biruca na rrahët, në hetuesi na rrahët, mustaqet na i shkulët, tani pas dënimit përsëri po na rrihni, kjo është poshtëruese, përse nuk na vritni më mirë, burri rron për të vdekur, jo për t’u poshtëruar.

Kjo gjendje folëse e shtoi më shumë rrahjen, ndërsa vinte aty komandanti i Kampit Tasi Marku.

-Ç’ësht’-pyet komandant Tasi

-këta duan të vdesin- i thanë.

– e po mirë, hapni gropën.

Ia nisën të hapin gropën, për të cilën zakonisht qemë përshtatur, por shpejt sytë e të burgosurve u zgurdulluan, gropa i kaloi përmasat e varrosjes kokëjasht’ si përditërisht…ajo thellohej e thellohej,sa ata të dy, Zaku dhe Aliu, të shtyrë me goditje lopatash, ranë brenda dhe nuk u dukeshin mbi sipërfaqe as flokët. U hodh vazhdimisht, me shpejtësi, dheu. U ndje Zaku apo Aliu, zëri qe i stonuar:

-këtë që po bëni ju nuk e bëri as Hitleri.

Gropa u mbush me dhé, këtë herë pa kokën jasht’. U thirr traktori, i cili u ndodh aty, (ndofta i parapregatitur). I kaloi dy herë sipër për të sheshuar dheun. Ky qe egzekutimi i dy trimave shqiptarë nga Peqini.

Është detyrë e të gjithë atyre që e mbajnë mend, ta japin këtë të vërtetë pa zbukurime.

Elbasan, 1991

Filed Under: ESSE Tagged With: hektor ciftja, tasim ciftja

Njeriu dhe liria e tij

August 2, 2022 by s p

Lazer Stani/

E kam menduar shumë herë me veten: Çfarë më ka bërë njeri të lirë? I kam dhënë përgjigje të ndryshme kësaj pyetjeje në kohë të ndryshme, por gjithnjë duke mbetur të bindja e hershme se njeriu lind me lirinë e tij. Tjetër është vetëdija e lirisë, guximi për ta mbrojtur lirinë tende gjithnjë të kërcënuar. Ne jemi rritur në një kohë të keqe për lirinë, nën një diktaturë nga më të egrat e imagjinueshme. E megjithatë them se kam qenë njeri i lirë. Pikërisht për këtë kam shkruar dhe një tregim me titullin “Idioti udhëton për Amerikë”.
Kërcënimit më të madh të lirisë në rininë time i bëra ballë me idenë e arratisjes.
Në momentet kur qendroja para hartave, unë nuk mund ta kuptoja se përse unë nuk mund ta shkelja një vend, vetëm pse atje jetonte një popull tjetër, i përkiste një shteti tjetër.
Toka është e njeriut, jo e qeverive apo diktatorëve që ngrejnë gardhe, mure të pakalueshme.
Ideja e arratisjes tek unë ka qenë shumë e hershme edhe pse nuk u arratisa kurrë. Ishte një sekret që më sillte ngazëllim, më zbulonte mundësi të pafundme. Ajo më bënte t’i qendoja larg realitetit, të mos i kushtoja asnjë kujdes karrierës time të ardhme në vendin ku jetoja. Jetoja me vetën time dhe për veten time.
Më kujtohet ankthi dhe tundimi i një dite tetori, ndërsa rrija në bregun e këtejmë të Bunës. Në bregun tjetër gjendej një kishë e vjetër, e braktisur më dukej, ndërsa këtej kishat ishin rrafshuar. Mjafton të notoje njëqind metra dhe gjendëshe përtej kufirit, në botën tjetër, të mistershme dhe të panjohur. Pak me tutje mbi bregun e ngritur rrinin duke u ngrohur në diell tre ushtarë, rojtës të kufirit, të qetë, të qeshur, lozanjarë. Dhe ta mendosh se ata djem mund të shndërrohehsin në vrasës të pamëshirshëm, sapo dikush të provonte të hidhej në ujë në tentativë për të mbërritur bregun tjetër, bregun e huaj. Bënte shumë ftohtë, toka rrotull kishte ngrirë. Unë ngrohesha me idenë se një ditë do ta kaloja këtë kufi, gjallë a vdekur.
U ktheva prapë të puna e detyruar, xhveshja e misrit, me një ngazëllim që më kishte pushtuar shpirtin, i ngjashëm me ngazëllimin e dashurisë së parë. Këtë të fshehtë timen e ndava më vonë me mikun tim Noc Dedën (Shtëpinë) dhe për shumë vite, me orë e net të tëra diskutonim idenë tonë të arratisjes, thurnim plane pas planesh, të bindur se nuk kishim rrugë tjetër. Ajo që na ndaloi, pasi morëm diplomat universitare, ishte gjyshi im i sëmurë. I premtova Nocit se kur gjyshi të mos ishte më gjallë, unë do të arratisesha së bashku me të në vjeshtën e parë. E doja aq shumë tim gjysh sa nuk mund ta braktisja në asnjë rrethanë.
Kur ai u nda nga kjo jetë, një vit më vonë miku im u arratis, ndërsa unë mbeta këtu, për të mos u arratisur më kurrë, se kufijtë ranë dhe në një farë mënyre liritë politike u vendosën. Arratisja nuk kishte më kuptim.
Por instinkti i lirisë, kështu po e quaj, nuk funksionon vetëm në një drejtim. Ka plot njerëz jo të lirë në shoqëritë e lira. Unë them se kam qenë dhe jam njeri i lirë, duke paguar për këtë një çmim të vazhdueshëm. Kostoja e lirisë është e rëndë në çdo kohë e në çdo shoqëri, por vetëm ndjesia e lirisë e bën këtë jetë të jetueshme. (Pjesë nga një bisedë me Albana Shalën). 

Filed Under: ESSE Tagged With: lazer Stani

2 gusht 1943, Marrëveshja e Mukjes, shans i bashkimit, peng i tradhëtisë

August 2, 2022 by s p

Emin Azemi/

Ky është edhe titulli i një libri, por që në vetvete shpjegon shumëçka dhe nuk lë shumë hapësirë për interpretime të shumanshme.

Marrëveshja e Mukjes u nënshkrua më 2 gusht 1943 në fshatin shqiptar të Mukjes midis Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste të Shqipërisë për të bashkërenduar rezistencën shqiptare në Luftën e Dytë Botërore.
Një mosmarrëveshje u ngrit në lidhje me statusin e Kosovës. Ndërsa Balli Kombëtar propozoi për të luftuar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përfaqësuesit komunistë kundërshtuan ashpër. Më në fund u arrit një kompromis, ku çështja e Kosovës të vendosej në një referendum të popullit të saj në fund të luftës.

Marrëveshja u konsiderua kundërrevolucionare nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, i deleguari i të cilëve pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë Svetozar Vukmanoviç-Tempo ushtronte ndikim të konsiderueshëm mbi komunistët shqiptare e veçanërisht mbi drejtuesin e tyre, Enver Hoxha. Si pasojë, kjo marrëveshje u dënua zyrtarisht nga Enver Hoxha në një takim të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë.

Pjesëmarrësit:

Hasan Dosti, Mit’hat Frashëri, Thoma Orollogaj, Skënder Muço, Hysni Lepenica, Isuf Luzaj, Kadri Cakrani, major Raif Fratari, Nexhat Peshkëpija, Halil Mëniku, Ismail Petrela, Vasil Andoni, N.Kolonel Jahja Çaçi, Myslim Peza, Abaz Kupi, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Omer Nishani, Sulo Bogdo, Shefqet Beja, Medar Shtylla, Stefan, Haki Stërmilli, G. Nushi

Filed Under: ESSE Tagged With: Emin Azemi

PERËNDIMI TANI ZBULON BRISHTËSINË E DREJTUESVE TË TIJ

August 1, 2022 by s p

Nga FEDERICO RAMPINI/

“E ardhmja është Italia dhe është e zymtë”. Është titulli i një komenti të shfaqur në New York Times mbas dorëheqjes së Draghit.  Përimtimet e amerikanëve mbi Italinë nuk janë gjithmonë të besueshëm. Nxjerrin në pah megjithatë një ndijesi të përhapur: që kriza politike italiane është pjesë e një rënieje të drejtimit të përgjithshëm, aq më shumë shqetësuese sepse ndodh në sfondin e problemeve të rëndësishëm, një lufte në zemrën e Evropës, pjesërisht që tani të harruar, një ekonomie që shkon drejt rënies, belegut të perandorive autoritare me dëshira zotëruese. Mungonte vetëm Covidi i Joe Bidenit për t’i shtuar një cekje vetiake ndijimit të vështirësive të Perëndimit. Lamtumira e Mario Draghit shihet në këtë kontekst  Italia është gjithmonë një e vëzhguar e posaçme për lëndueshmërinë e saj, duke filluar nga borxhi publik; paqëndrueshmëria e qeverive të saj nuk është e re, por këtë herë kriza e saj politike rëndohet nga pasiguritë që trishtojnë bashkëpuntorët dhe aleatët e saj më të rëndësishëm. 

Amerika ka një president të brishtë në të gjithë drejtimet. Veç shëndetit, popullariteti i tij ka rënë më poshtë edhe në krahasim me humnerën në të cilën gjëndej Donald Trump-i në të njëjtën periudhë të mandatit të tij. Bideni-t i është hequr besimi edhe nga të tijtë: shumica e zgjedhësve demokratë nuk e gjykon t’aftë për një mandat të dytë. Krahu i majtë i partisë së tij – që zotëron mediat – e quan një tradhëtar për lëshimet mbi Green New Deal dhe mbi imigracionin; por është më shumë qëndra e moderuar që ka rëndësi sepse në të luhen zgjedhjet administrative të nëndorit. Shumica e heshtur e partisë demokratike  vë re një shmangie drejt qëndrimeve më radikale dhe hemoragjia e votave drejt republikanëve është pothuajse e sigurtë. Kush lexon vetëm mediat e klasës drejtuese përparimtare ka përshtypjen se vëmëndja e amerikanëve është përqëndruar në hetimin parlamentar mbi “grushtin e shtetit të orvatur” të 6 janarit 2021. Nuk është kështu. Shumica e amerikanëve e gjykon qeverinë e saj nga inflaksioni, humbja e fuqisë blerëse, pasiguria e përgjithëshme, përfshirë edhe shtimin e kriminalitetit. Prandaj në kançeleritë e huaja  tashmë ka filluar loja e basteve mbi çfarë do të jetë politika e jashtëme amerikane e mbas – Biden-it.  

Nuk është më mirë Evropa perëndimore. Janë të paktë ata që e qajnë Boris Xhonsonin, por ndërmjet tyre ndoshta është Volodimir Zelenski, që mund të bënte llogari mbi mbështetjen e tij të pakushtëzuar. Emmanuel Macron ka formuar një qeveri pa një shumicë parlamentare e duhet të përqëndrohet mbi problemet e ekonomisë, duke lënë në plan të dytë dëshirat për drejtim të Evropës dhe orvatjet pa frut për bisedime të drejtpërdrejta me Vladimir Putinin. E sëmura më shqetësuese është Gjermania. “Mrekullia e dytë gjermane”, ajo që ndodhi në vitet nëntëdhjetë, i lejoi kombit më të rëndësishëm evropian të dilte nga një krizë (çmimet fillestare të ribashkimit) në sajë të një sëre përbërësish. Dy prej tyre spikasnin më shumë: gazi rus ekonomik dhe i bollshëm; tregjet e Lindjes (Kina në krye) të stërhapura e t’etura për “Made in Germany). Të dy këta përbërës tashmë i përkasin së shkuarës; modeli gjerman duhet rishpikur. Kjo krizë identiteti  arrin në një mungesë drejtimi shqetësuese. Olaf Scholz është hija e një kançelari. Deri tani i vetmi vendim i fuqishëm është plani i racionimit të energjisë elektrike në vjeshtë-dimër, me mbyllje me rradhë të fabrikave. Të gjithë do të dëshironim të dinim se cila është strategjia afatgjatë e Gjermanisë, cili është propozimi i Berlinit për Evropën, cila është nisma kundrejt kundërshtarësh e rivalësh strategjikë në Moskë e në Pekin. Dalja nga skena e Draghit vërtetohet si hallka e një zinxhiri të gjatë dobësish. Tani për tani Perëndimi mbetet i shtrënguar në lidhjen e tij, nuk ka tradhëti në vijën e tij të ndihmës për Ukrainën dhe sanksionet ekonomike. Por me kohë, kushedi. Zelenski ka tradhëuar frikërat e tij kur i telefonoi në çastet e fundit Draghit për t’a bindur të tërhiqte dorëheqjen.

Brishtësive tona Putini i përgjigjet duke na përshkruar ne perëndimorëve  si “miliardi i artë”. Shprehja ka një histori të hershme të propagandës kombëtariste ruse. Lidhet me gjuhën e kryetarëve komunistë kundër imperializmit dhe rishkolonializmit të Vëndeve kapitalistë. Shpluhurimi i atyre argumenteve të luftës së ftohtë ka një shije cinike dhe hipokrite, tani që Kina është zonja e vërtetë e Afrikës dhe Divizioni Wagner i mercenarëve rusë zëvendëson repartet franceze për të mbështetur regjimet ushtarake  në Jugë të Sahelit. Kështu, përfytyresa e “miliardit të artë” ka një farë suksesi mes atij numëri të gjërë Vëndesh që kanë ringjallur “lëvizjen e të pa-angazhuarve” (viti i lindjes 1955, në zemrën e luftës së ftohtë). Ajo shumicë qeverish aziatike, afrikane, latinoameikane që nuk pranojnë t’u bashkohen sanksioneve tona kundër Rusisë, që nuk qëndrojnë as këndej as andej, kanë drejtues të formuar në universitetet perëndimore, ku mësohet (si n’ata kineze e ruse) që e vetmja perandori e së keqes është Amerika, i vetmi qytetërim agresiv është Perëndimi. Fakti është që Kina e Rusia janë tani perandoritë e vërteta koloniale, që rilindja e imperializmave rajonale si ata otomanë, arabë, persianë, janë të parëndësishëm përballë fuqisë së “miliardit t’artë”. Në të vërtetë, si nivel jetese, Gjiri Persik që pret me krahë hapur oligarkët rusë është m’i artë se ne. Por deri edhe sheikët e vajgurit adhurojnë përdorimin e propagandës kundër-koloniale kur i shkon për shtat interesave të tyre.

Përgjigja e Perëndimit është e vagëlluar, simbas përfytyresës e ngjajshmërisë së udhëheqësve të tyre. Biden-i valëvitet deri edhe mbi Taivanin, guri i ardhshëm i provës së rendit botëror mbas Ukrainës. Presidenti amerikan ka premtuar se do t’a mbrojë në rast sulmi ushtarak kinez. Por tani kërkon të bindë kryetaren e Dhomës së deputetëve, Nancy Pelosi, të mos shkojë në Taivan nga frika e kundërveprimeve të Pekinit. Bashkimi Evropian nuk ka një strategji të qartë për të tëhequr në zonën e tij të ndikimit Mesdheun Jugor, ku rriten ndërhyrjet gjeopolitike e ushtarake të Putinit, Xisë, Erdoganit, për më shumë të ajatollahëve iranianë. Deri edhe marrëveshja për piskamën grurë – e gjitha për t’u vërtetuar mbas raketave mbi Odesë – është pjekur brënda një trekëndëshi Rusi-Ukrainë-Turqi, pa një rol të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara ose të Bashkimit Evropian.

“Corriere della Sera”, 23 korrik 2022   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika

SA VENDI I TËRË, SA GJITHË BOTA

July 29, 2022 by s p

( Ndjesi)

…Unë përkëdhelem me aq dëshirë me dialektet. Më përkëdhelet me to. Më flitet me to. Më shkruhet.

…Me gegnishten e soj-llojshme, me shkodranishten perlë në ballë. Me dialektin e dardanëve, kosovarëve. Gjuhë besnike. E fortë gur e burrnore. Rezistente në kohra.

Përkëdhelem e flitem me labçen e lehtë e atë të rëndë, domuze. Me gjirokastritshen nikoqire, me çamçen muzikale, korçarçen pretencioze e pak mëndjemadhkë, tironcen…e tabonit, e Zogut te Zi me të cilën u rrita, copë turinit, me kavajishten-tregtarçen safi, me elbasonllien qibare e me shumë e shumë të tjera çudira, në një pëllëmbë vend-sa gjithë Bota…

Të gjitha më ledhatojnë veshin, kujtesën, më risjellin fēmininë, gjyshen, lagjen, shoqninë nga gjithë Shqypnia. Seicila pjesë nga koloriti, larmia, kulturat, zakonet e bukura. Të gjitha së bashku janë gjuha e mëmës e e tatës, e imja, e motrës time, e djalit tim të parë e të dytit, e miqve të mi të dashur. E mësuesve të mi që ma mësuan. E dheut tim

…Unë përkëdhelem me të gjithë dialektet që njoh, por jam i pangopur me aq e vete ca më tej. ……Përkëdhelem edhe me gjuhët që di…Me gjuhët që mësova e i dashurova. Me gjuhët që vazhdoj t’i eksploroj e me të cilat punoj…

…Me anglishten e sidomos me atë british-english perlë, që nuk fal amerikanizma e që e dua më shumë. Po çudi kam mall edhe për american-english rebele që bën pa rreshtur eksperimente…Se kam jetuar jo pak e e lashë një copë shpirti atje…

Me frëngjishten elegante, galante, gjuhën e parë europiane që mësova e dashurova bashkë me kulturë të saj të pasosur,brilante, të rafinuar…Dora dorës pothuaj njëheraz, me italishten e lehtë si era e të bukur si vera, si dashuria, si lirika, si kanconetat, si gjithë Bella Italia.

Me rusishten e ëmbël, përkëdhelëse, aq të pasur e të paanë. Gjuhë e mëmës të fëmijës tim të dytë. E gruas time të mirë

Po edhe me atë greqishte të pasur e të kulluar që ka ushqyer gjithë gjuhët e botës e që ja hyra ca pak vite më parë e e praktikoja kur shkoja në Greqi. Edhe me të ngalasem(gjirokastritshe) herë herë. Ashtu pak. Me të prekur. Me ndonjë puthje të lehtë. Duhet ti rikthehem e ta takoj prapë atë mike të re-të vjetër…Ta bëj timen e të më bëjë të sajin…

Përmes dialekteve e gjuhëve përqafoj vendin tim e eksploroj e mësoj të dua edhe të tjerē vende. E tu përqafoj kulturat. Me aq sa mund të përqafosh të mëdhatë, bukuritë monumentale, thellësitë e magjishme, lartësitë e papara marramendëse…Kulturat e larmishme të botës.Pasuri pa fund

…Së paku arrij t’i prek, sado pak. T’i adhuroj…Tu falem…

E kam bredhur mirë Shqipërinë…Jo pak botën…

Sa më shumë kam njohur, aq më shumë e kam ndjerë botën timen, të afërt…aspak të madhe e armiqësore…Veç të vogël, të ditur, të dashur…të shtrenjtë…Kur do ta njiohëh, e gjithnjë më shumë e njeh vendin, botën…sa më pranë i vete, aq më shumë e ndjen…

…Të bën të ndjehesh i saj, të bën ta ndjesh tënden…

Jam sa gjithë vendi, ndjehem sa gjithë Bota.

Prof. Dr. Ylli Pango

Filed Under: ESSE Tagged With: Ylli Pango

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 162
  • 163
  • 164
  • 165
  • 166
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT