• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATIKANI – PARTNER STRATEGJIK…PO ATJE S’KEMI AMBASADOR?

June 16, 2022 by s p

Frano Kulli

C:\Users\User\Desktop\PORTRETI 1.jpg

Më grishi fjala në Kuvendin e Shqipërisë e nënkryetarit të tij, Agron Gjekmarkaj. Më pëlqeu fort kumti yt në parlament, i dashur Agron; gjithë ajo çfarë rendit e thua, mbas vizitës Suaj në Vatikan dhe për pritjen nga Ati i Shejtë, Papa Françesku të ju, dy udhëheqësive parakë të Kuvendit të Shqipërisë; kryetares, zonja Nikolla dhe ju.

Mua e shumë të tjerëve si unë, si ti,  si krejt rrethi yt e i imi e i njerëzve që i takojmë këtij besimi e vokacioni për më tepër, e që përbëjmë rreth 13% të kësaj popullatës së këtushme (sipas censusit  zyrtar shtetror të para do viteve) na përbën gëzim dërgata juaj specifikisht. Sigurisht, siç është e konsiderueshme dhe e mirëpritur cilado vizitë e përfaqësive të shqiptarëve atje, për të cilët, pa dallim “dielli lind andej nga perëndon”.

Edhe rezymeja jote e historisë së mardhënieve të Vatikanit me Shqipërinë , e shtjelluar mbarë e mbarë, në plotpërputhje me të vërtetën historike, është një theks në nevojë për t’u thënë e përsëritë shpesh e shpesh, gjithashtu. Kurse kërkesa e thirrja juaj drejtuar atij Kuvendi dhe Qeverisë shqiptare që ta shpallë Vatikanin “Partner strategjik si detyrim ndaj shekujve e si nevojë e jona për shekujt që na presin” e mirëpritur dhe në sinkron me ndjesitë e përherëshme të shqiptarëve  

Mirë e bukur, sa s’ka e ke thanë. Po ti a e beson se do të konsiderohet kjo kërkesë e jotja, i dashur Agron ? A beson ti se servilizmi ksenofob që nderet në atë sallë si një pecë e rreckë e hollueme prej përdorimit të tepërt e lejon të konsiderohet ky kumti e thirrja jote pa marrë bekimin në anët e tjera të horizontit ; nga lindja kryesisht a nga perëndimi qoftë ? Andej nga të fryjë era ma e fortë që i tund e i shkund qeniet pa shtyllë kurrizore, që janë në shumicë në atë aulë ? E në krejt establishmentin politik të ne shqiptarëve këtu.

E pabesueshme se kjo mund të ndodhë.

Ati i Shejtë, siç ju e theksoni si kumtin më të freskët në rezymenë tuaj, e pati zgjedhë Shqipërinë për vizitën e parë në Europë fill mbas shugurimit të tij. Nderim i pashembullt i tij për ne shqiptarët. Në vijim të nderimit e përkrahjes së përherëshme që ne shqiptarëve na është ofruar prej Selisë së Shejtë. 

Papa Françesku erdhi këtu në 2014. Dhe solli kumtin se Kisha Universale Katolike kishte shpallë të Lumë 38 Martirë të besimit e të fesë në Shqipëri. Po prej asaj kohe më saktë, prej gushtit të 2013, kur kthyen prej andej, të ndjerin Rrok Logu, ne nuk kemi mundur të dërgojmë një…Ambasador tek Ai në Vatikan. 

Ndërsa, prej dy vjetësh, pjesë e diplomacisë së atij shteti edhe një shqiptar. Artur Kola, një prift i ri dioqezan nga Zadrima e Lezhës emëruar nga Kreu i Kishës Katolike, në trupën diplomatike të Vatikanit, shërben në Përfaqësinë Papnore në Republikën e Bregut të Fildishtë. Është  i dyti, qysh prej se ka qenë në atë shërbim në fundin e shekullit XIX dhe në agun e shekullit XX, shqiptari i madh Abat Prend Doçi.

  Selia e Shenjtë mban marrëdhënie diplomatike me 170 shtete dhe merr pjesë në 43 organizata të ndryshme botërore me statusin e anëtarit ose të vëzhguesit të përhershëm. Dom Arturi është i pari diplomat efektiv shqiptar në diplomacinë e Selisë së Shenjtë si përfaqësues i saj në njërën nga përfaqësitë e shumta të akredituara nëpër botë. Në Bregun e Fildishtë në Afrikën perëndimore.

Në marrëdhëniet me Shqipërinë, veçmas pas pavarësisë nga 1912-a e këndej kur formësohet edhe shteti i parë shqiptar, Selia e Shenjtë ka qenë kurdoherë dashamirëse e në krah të saj. Mjafton të ndërlidhësh vetëm disa pika të historisë së kësaj marrëdhënieje për ta mbështetur me fakte pohimin e mësipërm.

Me fuqi shpëtuese, përtej se shpirtërore ka qenë mbështetja diplomatike e Papës Benedikti XV në vitin 1919, kur një përfaqësi e Misëve (delegatëve) në Konferencën e Paqes në Paris, kryesuar nga Imzot Luigj Bumçi i paraqet kërkesën për ta akorduar ndikimin e vet moral te Fuqitë e Mëdha që të shpëtoheshin dy qytete shqiptare, Korça e Gjirokastra nga aneksimi grek, si dhe Vlora nga ai italian. Dhe ashtu ndodhi, falë asaj mbështetjeje të drejtë e të përzemërt, trupi i copëtuar i Shqipërisë nuk u përpjesëtua edhe më tepër ndër lakmitë shovene të fqinjëve.

Më 26 nëntor 1994, nja një vit e gjysmë mbasi kishte puthur, i ulur në gjunjë, tokën e shqiptarëve të martirizuar, Papa Gjon Pali i dytë-Shenjt, ndër tridhjetë Kardinalët e rinj njërin e zgjedh nga Shqipëria. Dom Mikel Koliqi bëhet i pari kardinal shqiptar në historinë e Katolicizmit shqiptar. I burgosur e syrgjynosur për 38 vjet, prelat i përvuajtur i klerit katolik, kontributor i shënjuar i çështjes kombëtare të shqiptarëve, në sinkron me intelektualët e shquar iluministë e atdhetarë.

Në vitin 1984 , në një vizitë baritore në Barin e Italisë, Gjon Pali i dytë-Papë,ndër të tjera pati thënë: “Prej këtij qyteti mendimi im është drejtuar po ashtu kah vëllezërit dhe motrat e Shqipërisë, të cilët s’kanë mundësi që botërisht ta tregojnë fenë e tyre, që është e drejta themelore e njeriut. Ndërsa ju porosis të luteni për ta, dëshiroj t’ju them se ata janë posaçërisht të pranishëm në zemrën time…”. Kjo ndodhte asohere, kur tashmë perëndimi e kishte lënë Shqipërinë e shqiptarët në mjerimin e vet, nën regjimin shtypës e mizor të diktatorit Hoxha.

Kurse më 21 shtator 2014, Papa Françesku i sapozgjedhur në krye të Kishës, vizitën e parë në Europë e bën në Shqipërinë tonë. “Me këtë udhëtim të shkurtër dëshiroj të përforcoj në besim Kishën në Shqipëri e të dëshmoj inkurajimin dhe dashurinë time ndaj një vendi që ka vuajtur gjatë pasojat e një ideologjie të së kaluarës”, pati deklaruar Papa, kur i dha botës kumtin e vizitës së tij të shënuar.

…Dashuri, respekte dhe përkrahje për popullin tonë nga Selia e shenjtë ka pasë përgjatë historisë. Sidomos në ditët e trishta të vuajtjes sonë. Kurse reagimi ynë, vetëm në kufijtë e propagandës e agjitimit ka qenë, thuajse gjithherë, vetëm sa për fasadë e mjaft më pak mirënjohës e falënderues.

Ka pasë, për hir të së vërtetës në fillimet e pasdiktaturës një akt për t’u shënuar. Willy Kamsi, ka qenë një përfaqësim yni me të vërtetë i denjë, me një qytetari e kulturë oksidentale të shkallës sipërore… Porse, ja, po bëhen nja 9 vjet që ky shteti ynë e diplomacia e tij zhele e ka lënë përfaqësinë tonë në Selinë e Shenjtë pa ambasador. Si pingpong qokash. Ndërmjet udhëheqësish, kryeministra e ish kryeministra, që sillen për gishti prej një mjeti propagande e trushpërlarjeje e interesave të tij. 

Po, po e vërteta është kjo, e vërtetë e cila ka mënjanuar edhe përfaqësues shumë dinjitozë, siç mund të ishin Ardian Ndreca e Visar Zhiti.

Filed Under: ESSE

LETËR FALENDERIMI DHE MIRËNJOHJE

June 15, 2022 by s p

Dr. Paulin Marku/



I nderuar Kryetar i Federatës Pan-shqiptare të Amerikës “Vatra” z. Elmi Berisha 

Anëtarë të Kryesisë së “Vatres”

Me lejoni që nëpërmjet kësaj letre publike, t’ju falënderoj dhe të shpreh mirënjohjen time të thellë për besueshmërinë tuaj që dëshmuat për të kryesuar organizimin e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare me temë:
“Vatra ” 110-vjet në shërbim të atdheut dhe kombit shqiptar”

Një përgjegjësi dhe peshë e madhe por falë bashkëpunimit me grupin organizativ të konferencës dhe kontributit të çmuar të profesionistëve të fushës arritëm të finalizojmë me sukses këtë aktivitet shkencor. 

Në këtë konferencë shkencore morën pjesë me ligjëratat e tyre:

akademik, studiues, profesorë dhe gazetarë profesionist të fushës, të cilët u bënë pjesë e rëndësishme e aktivitetit për të trajtuar historinë e lavdishme të Vatrës sonë shekullore.

Gjej rastin të falënderoj të gjithë ligjëruesit për gadishmërinë e tyre profesionale e shkencore. Pjesëmarrja e tyre, fizikisht apo online me kumtesa mjaft interesante e cilësore, i dhanë konferencës dimensione shkencore duke sjellë në vëmendje të opinionit public e shkencor historinë e lavdishme të Vatrës, e lidhur ngusht me historinë tonë kombëtare. 

Trajtimi i çështjeve thelbësore nga profesionistë që janë marrë me Vatrën apo me periudhën historike dhe falë njohurive që ata kanë me dokumente arkivore, vendase dhe të huaja, monografi, revista studimore shkencore, gazeta kombëtare e ndërkombëtare, bëri të mundur që të kemi kumtesa cilësore për të zbardhur të shkuarën e lavdishme të veprimtarisë së Vatrës dhe vatranëve.


Ju jam thellësisht mirënjohës për bashkëpunimin dhe finalizimin me sukses të këtij aktiviteti shkencorë. Ndiej detyrim moral e profesional, të falënderoj 20 ligjeruesit që shprehen gadishmërinë e pakursyer dhe pa kushte për të marrë pjesë me ligjëratat e tyre shkencore.

Falënderoj grupin organizativ të Konferences Shkencore Ndërkombëtare për bashkëpunimin e tyre,

Falënderoj, të gjithë ata që ishin pjesë e këtij aktiviteti prezent në sallë dhe on-line. 

Po ashtu, dëshiroj të falënderoj, z. Mark Gjonaj për mundësimin e sallës gratis në dispozicion të aktivitetit,

Mirënjohje të thellë për Profesor Nikolla Pano, Idriz Lamaj, Frank Shkreli e Beqir Meta për këshillat dhe sugjerimet e vyera shkencore.

Gazetën “Dielli” me editor Sokol Paja që bashkëpunuan për të pasqyruar në mënyrë profesionale mbarëvajtjen e aktivitetit,

Dr. Elton Mara për të krijuar lidhjet me platformën webinar online,

Falënderoj mediat që morën pjesë,

Falënderoj, fotografin Dritan Haxhia,

Falënderoj çdo person që bashkëpunoi për realizimin me sukses të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare, të cilët shprehen gadishmërinë e tyre për të mbështetur dhe për të bashkëpunuar duke më këshilluar e sugjeruar sa herë që pata nevojë.

Së fundmi, falënderoj edhe familjen time që më mirëkuptuan angazhimin tim disa mujor dhe mos prezencën time.

Filed Under: ESSE

Në Prizrenin e Besëlidhjes është mbajtur Sesion shkencor në nder të ish – Kryeministrit të Shqipërisë Etnike, Mustafa Kruja

June 14, 2022 by s p

Shkruan: Lekë Mrijaj/

Më 12 qershor 2022, në ambientet e hotel “Luxori” pikërisht në Prizrenin e Besëlidhjes Shqiptare, është mbajtur Sesioni shkencor dedikuar firmëtarit të Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë dhe Kryeministrit të Shqipërisë Etnike Mustafa Kruja njëkohësisht është trajtue tema: “Personaliteti shumplanësh i Mustafa Kruja dhe ndihmesa e tij themelore në jetën kulturore e politike të kombit shqiptarë me rastin e 135 vjetorit të lindjes (1887-2022)”.

Organizimi në fjalë i Sesionit është realizuar nën patronatin e Shoqatës së Intelektualëve ” Trojet e Arbërit” e cila kryesohet nga mr. sc. Nue Oroshi, kryetar dhe bashpuntorët e tij profesional, intelektual, krijues e studiues të lartë shkencor nga Kosova, Shqipëria dhe mergata shqiptare.

Ishte moderatorja e cili e hapi Sessionin shkencor ndaj e i ftoj të pranishmit qe në shënj nderi ta nderojnë himnin e flamurit kombëtar. Në vazhdim nga Fatime Kalimashi është deklamuar një recital poetik i Ernest Koliqit me titull: “Kanga e Kapidan Markut”.

Fjalën e hapjes s’bashku me kumtesën e tij e bëri, z. Eugen Merlika (nipi i Mustafa Merlika Kruja).

Me këngën “Thërret Prizreni mori Shkodër”, e rapsodit të mirënjohur, Mirak Ukaj është mbyll pjesa solemne e cila menjiherë i dha hapsirë referuesve për pjesën shkencore.

Në këtë Sesion pjesëmarrës ishin edhe shumë studiues të cilët u paraqitën me kumtesat e tyre para audiencës dhe bashkolegëve të tyre studiues siq ishin:

Sesioni Shkencor nisi me këto kumtesa:

Prof. Nexhmedin Spahiu me temën: “MUSTAFA KRUJA FIGURË E NDRITUR INTELEKTUALE DHE E PJEKUR DHE E PJEKUR POLITIKE E SHEK. XX,

DR. SC. QERIM LITA: “MUSTAFA KRUJA DHE TOKAT E LIRUARA”,

TOMË MRIJAJ: “DRITË FRAGMENTALE E JETËS DHE VEPRIMTARISË PATRIOTIKE DHE ENCIKLOPEDIKE E BURRSHTETASIT MUSTAFA MERLIKA KRUJA”,

DR. BEDIM MORINA: “MUSTAFA MERLIKA KRUJA POLITIKANI I SHQUAR DHE NËNSHKRUESI I PAVARSISË SË SHQIPËRISË”,

FAZLI HAJRIZI: “PERSONALITETI I MUSTAFA KRUJËS NË DRITËN E LETËRKËMBIMEVE”,

DR. ZOG ÇOÇAJ: “KONTRIBUTI I MUSTAFA KRUJËS PËR KOSOVËN”,

MR.SC. NUE OROSHI: “LETËRKËMBIMET NË MES TË MUSTAFA MERLIKA KRUJES DHE KAPEDANËVE TË MIRDITËS GJON MARKA GJONI DHE VËLLEZËRVE MARK DHE NUE GJON MARKU” etj.

Që të gjithë këta studiues shkencore të cilet morën pjesë në këtë Sesion përmes kumtesave të tyre lapidare dhanë një kontribut të çmuar karshi Kryeministrit të Shqiperisë Etnike, Mustafa Kruja. Sesioni shkencor është përcjellë edhe nga korospodenti i Zërit të Amerikës, Beqir Sina.

Krejt në fund, Sessionin e sotëm shkencor, suksesshem e shpalli të mbyllur studiuesi i mirënjohur dhe intelektuali, z. Tomë Mrijaj, dhe me një fjalë falenderuese i falënderoj pjesëmarrësit, panelistët për kontributin e tyre të çmuar dhe ashtu si përherë sikurse në të kaluarën, u premtua se kumtesat në fjalë do të botohen me një botim me një numër të veçantë nga Shoqata e Intelektualëve “Trojet e Arbërit”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Leke Mrijaj

AMERIKANIZMA NË SHËRBIM TË SHQIPTARIZMËS PETER ÇIKOS SHËMBULL I PËRBASHKIMIT TË SHQIPTARËVE 

June 14, 2022 by s p

Fjala në konferencën: “Vatra -110 Vjet në Shërbim të Atdheut dhe Komunitetit Shqiptar në Amerikë”

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Në historinë e saj 110-vjeçare, Federata Pan-Shqiptare Vatra, me të drejtë, krenohet me të kaluarën e saj në mbrojtje të interesave kombëtare, në përgjithësi. Krenare për aktivitetet e shumëta që ka organizuar dhe organizon.  

Kanë qenë dhe janë këto aktivitete që e kanë bërë Vatrën, vatër për të gjithë, përbashkuese, në përpjekjet e saj për idealin gjithnjë të pa realizuar – vëllazërimin dhe përbashkimin e shqiptarëve. Por, njëkohësisht, me vazhdimsinë e saj, Vatra edhe në moshën 110-vjeçare sot po i tregon botës shqiptare dhe shoqërisë amerikane, ku jetojmë, se megjith sfidat me të cilat përballet  komuniteti shqiptaro-amerikan, por edhe Kombi shqiptar në përgjithësi — organizime si ky përvjetor, tregojnë se shqiptarët janë të vetdijshëm të vlerave të veta historike, shpirtërore dhe identitare – që i ruajnë si trashëgimi e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.

Dëshiroj që në këtë 110-vjetor — shkurtimisht  — të nënvijoj rolin përbashkues të Federatës Pan-Shqiptare Vatra — në bashkpunim me diasporën anti-komuniste matanë oqeanit dhe me Arbëreshët e Italisë — duke marrë si shembull, festimet e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skenderbe në Vatikan dhe në Romë, prillin e vitit 1968. Le të shërbejë ky si një mesazh i rëndësishëm simbolik, por jetik për brezin e sotëm të diasporës shqiptare këtu në Amerikë, për të bashkpunuar për realizimin e “përbashkimit vëllazëror”, në komunitetin shqiptaro-amerikan, si një porosi e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skenderbe. 

Kryesia e atëhershme e Vatrës me në krye Peter (Chicos) Çikos dhe qindra shqiptarë nga të gjitha anët e botës, ishin ftuar të merrnin pjesë në celebrimet  e organizuara në Romë dhe në Vatikan në prill të vitit 1968,  me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbeu.  Për nga organizimi dhe pjesëmarrja mbarë shqiptare, ky tubim ka mbetur një veprimtari e paharrueshme dhe historike e diasporës, organizuar nga Arbëreshët e Italisë me ndihmën thelbësore dhe nën drejtimin e përfaqësuesve të diasporës së pas luftës, si Prof. Ernest Koliqi me bashkpuntorët e tij në Itali. 

Ishte pra prilli i vitit 1968, kulmi i luftës së ftohët. Më vonë atë vit, (në gusht) ish-Bashkimi Sovjetik do të pushtonte Çekosllovakinë dhe Shqipëria jonë e mjerë komuniste ishte zhytur në zjarrin vet-shkatërrues të lëvizjes më të turpshme të shekullit të kaluar për shqiptarët – të ashtuquajturit “revolucion kulturor” kinez –dhuratë nga Kina maoiste e që kishte për qëllim çkombtarizimin — zhdukjen e identitetit dhe të historisë së vërtetë të shqiptarëve – në lavdi të marksizëm-leninizmit ndërkombëtar.

Në këtë atmosferë të tensionuar kombëtare dhe ndërkombëtare, diaspora anti-komuniste në Evropë me Arbëreshët e Italisë dhe me Vatrën e Amerikës, vërshuan në Romë e Vatikan për t’i treguar botës me plot krenari dhe dinjitet– se pa marrë parasyshë se ç’po ndodhte në Shqipërinë e Enver Hoxhës në atë kohë – shqiptarët, si komb ishin të bashkuar rreth Fatosit të tyre trim, Gjergj Kastriotit-Skenderbe – në një frymë vëllazërimi e përbashkimi, pa dallim feje a krahine. 

“Gjaku arbënuer njofti nji triumf të papritun n’ato ditë”, do të komentonte krye-organizatori i celebrimeve të 500-vjetorit të Skenderbeut në Vatikan, Profesor Ernest Koliqi.   

Një rol të rëndësishëm – historik, mund të thuhet — në realizimin e këtij, “triumfi” arbëror, ka luajtur edhe kjo Vatër, 110-vjetorin e të cilës shënojmë sot.  Delegacioni i Vatrës në Vatikan, përbëhej nga ndër më të mirët e diasporës shqiptare anti-komuniste të asaj kohe – figura me emër në diasporë, por të urrejtur nga regjimi komunist në Atdhe. 

Ja si e përshkruante Ernest Koliqi praninë e vatranëve në festimet e 500-vjetorit të vdekjes së Kryetrimit të shqiptarëve: “Nji tubë zojash të ndritshme e zotnijsh të zgjedhun, përfaqësoi — në rrethe arbëreshe e shqiptare – Federatën e mirënjohun që dikur aq hov i dha përpjekjeve për rilindje të Atdheut dhe sot mban naltë zanin e Shqipnisë në botën perëndimore. Hijet e madhnueshme të Nolit e të Faik Konicës na shfaqeshin para syve, tue vërejtë ndër rrjeshtat tonë kryesinë vatrane, të atyne dy Patriotëve të paharrueshëm, themeltarë të Shoqatës.  Kishim përshtypjen se drita e agimeve të reja të Rilindjes atë ditë po reshte mbi Bashkimin e Arbëreshëve me Shqiptarë. E bashkë me atë dritë, rrezja e bekimit të Perendisë”, do të shkruante Ernest Koliqi.  Pjesëmarrja e vatranëve në manifestimet përbashkuese të 500-vjetorit të Skenderbeut, Koliqi e ka cilësuar si një prani që ua, “shtoi shkëlqimin kremtimeve”.

Në vazhdim të temës së “përbashkimit”, në këtë 110-vjetor të Vatrës, dua të kujtoj një ish-Kryetar të Vatrës, një shembull të “përbashkimit të shqiptarëve” në diasporë, të ndjerin Peter Chicos. Jo me fjalët e mia pasi, fatkeqësisht, nuk e kam njohur, por bazuar në vlerësimet e të tjerëve.  

Me rastin e kalimit të tij në amshim të parakohëshëm, Gazeta Boston Globe shkruante, ndër të tjera, se Departamenti Amerikan i Shtetit, duke njohur aftësitë e Peter Çikos si udhëheqës i komunitetit shqiptaro-amerikan, sanksionoi në vitin 1968 disa simpoziume ndërkombëtare nën drejtimin e tij dhe të Federatës Pan-Shqiptare Vatra, me rastin e 500-vjetorit të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skenderbe, në Romë, në Vatikan dhe në Nju Jork.

 “Atëherë, për herë të parë”, theksonte gazeta amerikane Boston Globe, “Në Katedralën e Shën Patrikut në Nju Jork, u mbajtën shërbimet ekumenike fetare Katolike, Ortodokse dhe Myslimane.”  Gazeta shënonte gjithashtu se Peter Çikos ishte pritur në Vatikan nga Papa Pali i VI me rastin e ceremonive kushtuar 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit Skendërbe në vitin 1968, ku ai kishte dhënë ndihmesën e tij në organizimin e manifestimeve madhështore me atë rast, në krye të një delegacioni mjaft të madh shqiptaro-amerikanësh, pa dallim feje a krahine, që mori pjesë në ato ceremoni.  Shqiptarët e mbledhur atje për të përkujtuar dhe nderuar Fatosin e tyre të Madh, por njëkohësisht, edhe për t’i shpalosur botës një dëshmi të pashoqtë identiteti dhe dinjiteti kombëtar, bashkpunimi dhe marrëveshje vëllazërore. 

Ernest Koliqi kishte krijuar një respekt të jashtzakonshëm për aftësitë organizuese, për gatishmërinë dhe prirjet e Peter Çhicos për të frymëzuar dhe bashkuar diasporën shqiptare në Amerikë dhe më gjërë.  “I lindun e i rritun në tokën amerikane dhe si i tillë i përjashtuem nga ndasitë që ligshtojnë botën shqiptare, ai drejtoi veprimtarinë e vet dhe të rrethit vatran në harmonizim të atyne forcave të shpërndara”, ka shkruar Koliqi në një editorial botuar në revistën Shëjzat, kushtuar jetës dhe veprimtarisë patriotike të Peter Genc Çikos. “Me dinamizëm amerikan, i përkrahun nga rrethi i vjetër si dhe nga dashamirë të ri, ia doli qëllimit në skaj. Ai organizoi në Boston e në New York manifestimet dhe organizimet ma të shkëlqyeshme që njofti diaspora shqiptare sot e kësaj dite. Mblodhi në nji ndjesi vëllaznore Vatranë, Arbëreshë e Shqiptarë të mërgatës, pa dallim besimesh e krahinash, kulturash e rrymash politike.” 

Ernest Koliqi e ka pagëzuar Peter Çikos, si “Unifikuesi”, në historinë e diasporës dhe të shqiptarëve, në përgjithësi. “Kjo i jep Atij të drejtën m’u quejtun në historinë e diasporës sonë, Çikos Unjisuesi, ose (Unifikatori) i gjakut të shprishur”, sipas Koliqit.  

Ndërsa një tjetër eksponent i mërgatës së atëhershme shqiptare, Tahir Kolgjini e ka kujtuar ish-Kryetarin e Vatrës si një njeri me “Sjellje simpatike, t’urtë, i cili krijoi marrëdhënie të përzemërta me grupet e ndryshme, pa ardhun ndesh me programet e tyne”. 

Muar pjesë në 500-vjetorin e përkujtimuer të Heroit Kombëtar në Romë. Shkoi edhe në gjirin e Arbëreshve në Itali, vizitoi vende të tjera të Evropës, rregulloi në mënyrë shembullore përkujtimin e Heroit tonë në Shtetet e Bashkueme”, e të tjera. Për të gjitha këto, sipas Tahir Kolgjinit, “Qëllimi i tij ishte për t’ia bamë të njohun botës se raca shqiptare ashtë e gjallë kulturalisht dhe fizikisht. Nderoi Vatrën, nderoi Diellin. Nderoi botën shqiptare. Nderoi edhe vetveten…Me pak fjalë, ngriti naltë sedrën kombëtare, tue mbajtun në kambë moralin e shqiptarëve, që ishin të dënuem me qëndrue larg Atdheut.”

Ndërsa Martin Camaj, një tjetër bashk-kohas i ish-Kryetarit të Vatrës, ka shkruar se e kishte njohur Peter Çikon si, “Një burrë të rrahun me jetë, realist, me cilësi të mbara e të nevojshme të një shqiptari të vendosun e krenar — për të ia pasë lakmi”.   Peter Genc Çikos, ka shkruar Martin Camaj, ishte ndër ata shqiptarë të cilët i, “Sollën nderimin emnit shqiptar në botën amerikane.”

Ishin këto ndjenja ndaj një shqiptaro- amerikani si Peter Çikos që i kishin lënë përshtypje të thella edhe albanalogut të njohur Italian, At Zef Valentinit.   “Me ‘të (Peter Chicos) në krye të Vatrës kishte hypë breznija e re e Shqiptarëve të Amerikës dhe ashtu kishte hyr përnjimend AMERIKANIZMA në shërbim të SHQIPTARIZMËS”, do të shkruante At Zef Valentini.

Ndërsa, Skendër H. Hasani në një shënim botuar në revistën Shëjzat të Ernest Koliqit ka shkruar se Peter Genc Çikos, si Kryetar i Vatrës por edhe si njeri dhe si shqiptaro-amerikan i brumosur dhe i ushqyer me më të mirat e dy kulturave tona – asaj shqiptare dhe amerikane – i tregoi, “Diasporës shqiptare se ç’rrugë duhet marrë e si mund të dëgjohet zëri i tyre në botë. Me urtësi e butësi, por me program të caktuar, ai bëri që të përtrihet me hov roli historik i Vatrës”, është shprehur ai ndër të tjera.

Unë, me qëllim solla në vëmendje, në këtë 110-vjetor rolin e ish-Kryetarit të Vatrës Peter Genc Chicos dhe vlerësimet e punës së tij si vatran dhe si shqiptaro-amerikan, e mbi të gjitha rolin e tij përbashkues që ai luante në Vatër dhe në komunitet – si një shembull, mundësisht, për t’u ndjekur e për t’u kopjuar nga brezi i ri.  Peter Genc Chicos kishte një përparsi të madhe si i lindur dhe i rritur në Amerikë, por me ndjenja të thella dhe dashuri për Shqipërinë. Ai nuk ishte as pjesë, as viktimë e ndasive që, historikisht, kanë ligështuar dhe po ligështojnë botën shqiptare edhe sot, jo vetëm në trojet tona, por edhe këtu në Amerikë.

Periudha e Peter Chicos si Kryetar i Vatrës ishte me të vërtetë — siç është shprehur dikur albanologu italian At Zef Valentini — një periudhë historike unifikuese e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe Vatrës, një kohë kur në këtë komunitet, përnjimend kishte hyrë fryma e, “Amerikanizmës në shërbim të Shqiptarizmës”.

Prandaj, urimi im në këtë 110-vjetor të VATRËS është i thjeshtë dhe I realizueshëm: Uroj që fryma e Amerikanizmës së Peter Chicos të jetë gjithmonë në shërbim të Shqiptarizmës, me vatranë si ish-Kryetari i Vatrës dhe unifikuesi i shqiptarëve, i ndjeri Peter Chicos.

Peter Chicos ka ndërruar jetë tepër i ri, në korrik të vitit 1970, në moshën 51-vjeçare. I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij!

E Vatra rroftë e qoftë sot dhe për jetë të jetës! Ju falënderoj për durimin!

Frank Shkreli

*Fjala me rastin e 110-Vjetorit të themelimit të Federatës Pan-Shqiptare Vatra: Peter Chicos, shembull i përbashkimit shqiptar – “Amerikanizma në Shërbim të Shqiptarizmës”, Nju  Jork, 12 Qershor, 2022

KUSH ISHTE PETER CHICOS: Ishte fillim Korriku i vitit 1970 kur në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe më gjërë u përhap lajmi i zi se, papritmas, kishte ndërruar jetë nga një goditje në zemër, Peter Genc Chikos (Çikos), Kryetari i Federatës Pan-shqiptare, Vatra.  Si udhëheqës i organizatës më të madhe shqiptaro-amerikane, Peter Çikos ishte, natyrisht, i njohur në radhët e komunitetit shqiptar në Amerikë, por ishte gjithashtu i njohur edhe në komunitetin më të gjërë amerikan ku jetonte e vepronte, sidomos në qytetin Boston të shtetit Masaçusets.  

Gazeta e njohur amerikane Boston Globe kishte njoftuar vdekjen e para kohëshme, të Peter Çikos në moshën 51-vjeçare, duke venë në dukje arritjet në jetën dhe veprimtarinë e tij, përfshirë medaljet që kishte fituar si përfundim i heroizmit të tij në Luftën e dytë Botërore.  Shkruante për detyrat e ndryshme me rëndësi që kishte kryer në ushtrinë amerikane, përfshirë detyrën e oficerit zë inteligjencës ushtarake në stafin e Gjeneralit Dwight Eisenhower gjatë invadimit të Francës, si pjesëtar i Grupit të 6-të të Ushtrisë Amerikane, ndërsa ka shërbyer më vonë edhe si anëtar i Misionit për Kontrollin e Berlinit.  Ndërkohë që largohet me nderimet më të larta nga radhët e ushtrisë amerikane pas luftës, Peter Çikos me të kthyer në Boston ndihmoi në themelimin e Shoqatës së Veteranëve shqiptaro-amerikanë dhe fillon një jetë të re si civil, pa uniformën ushtarake.

Në një shënim nekrologjik, Gazeta Boston Globe shënonte se me të dalë nga ushtria, Peter Çikos vazhdoi veprimtarinë e tij në komunitetin shqiptaro-amerikan, bazuar në gjurmët që kishte lënë, si shembull babai i tij, Harris (Llambi) Çikos, njëri prej themeluesve të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe njëherazi Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, një organizatë patriotike shqiptare, siç e ka cilësuar Vatrën me atë rast gazeta Boston Globe.  Kjo gazetë ndër më të mëdhat e asaj kohe, por që edhe sot gëzon influencë në Amerikë, shkruante edhe për përpjekjet personale redaksionale të Peter Çikos në mbështetje të gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-shqiptare Vatra, si dhe për ndihmën financiare që ai jepte për botimin e gazetës që në atë kohë dilte një herë në javë. 

Frank Shkreli

Drejstuesit e seancave të Konferencës: “Vatra -110-Vjet në Shërbim të Atdheut dhe Komunitetit Shqiptar në Amerikë”

Inline image

A picture containing person, person, curtain, white

Description automatically generated

Peter (Chicos) Çikos ish-Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare, Vatra, 1969 duke folur në Hotelin “Americana” në Manhattan të Nju Jorkut në tubimin me rastin e 60-vjetorit të gazetës Dielli – Ish officer i inteligjencës ushtarake në stafin e Gjeneralit Dwight Eisenhower gjatë invadimit të Francës dhe pjesëtar i Grupit të VI të Ushtrisë Amerikane, ndërsa ka shërbyer më vonë edhe si anëtar i Misionit për Kontrollin e Berlinit i Përherëshëm qoftë kujtimi i tij!

A person in a suit

Description automatically generated with medium confidence
A group of people standing together

Description automatically generated with medium confidence

Peter Çikos me Z. Anthony Athanas në Romë/Vatikan, prill, 1968 – 500-vjetori i Gjergj Kastriotit -Skenderbe

A picture containing text, person, group, old

Description automatically generated

Peter Çikos, i dyti nga e majta, te varri i Faik Konicës me Mons. Zef Oroshin, Nikoll Shkoza, Prof.Ernest Koliqi, Ndue Gjomarkaj, Christo Thanas, Dr Ismail Vërlaci, Ing, Ago Agaj, Sejdi Bytyçi dhe Gjon Buçaj

Inline image

Drejtuesit e seancave

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli

POPUJT PËRCJELLIN MESAZHIN E PAQES DHE BASHKIMIT

June 10, 2022 by s p

Nga Ramazan Çeka/

“Aulona Inter Folk Festival” sërish me një spektakël madhështor në qytetin e Vlorës, aty ku flamujt ndërkombëtarë shpalosen nga arti e kultura e kombeve.

   Në qytetin e bukur bregdetar të Vlorës, për tre ditë e netë rradhazi, ashtu siç bashkohen ujërat e dy detrave tanë të mrekullueshëm, u bashkuan edhe artistë popullorë nga trevat shqiptare, por edhe të Europës për të marrë pjesë në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Inter Folk Festival”, që ishte edhe edicioni i 14-të i këtij spektakli madhështor, i cili hapi e mbylli me sukses siparin e tij me datat 28-29-30  maj 2022.

   Edhe pse ky festival për qytetin e Vlorës është bërë traditë, sërish mund të them me bindje se për të gjithë të pranishmit duket si hera e parë, pasi sjell emocione që nuk përshkruhen me fjalë dhe as që përsëriten shpesh, pikërisht se spektakle të tilla të organizuar në një festival janë tejet të rralla për shtete shumë të zhvilluara e shumë më të mëdha nga ç’është vendi ynë, aq më tepër për një qytet si ç’është Vlora jonë, ku një grup organizatorësh vullnetmirë sakrifikojnë gjithëçka për të dhënë më të mirën e mundshme për realizimin e tij.

   Përgatitjet për organizimin dhe mbarvajtjen e festivalit kishin nisur muaj më parë dhe si gjithmonë nën kujdesin e veçantë të artistit të paarritshëm, punëtor dhe vizionar, me kulturë e pasion e, mbi të gjitha, me shumë dashuri, Sejmen Gjokoli “Mjeshtër i Madh”, që me projekt-planet e tij ka fituar prej vitesh besimin e Bashkisë së qytetit e Ministrisë së Kulturës, që si gjithmonë vazhdon ta mbështesë në këtë angazhim kulturor.

   Kështu institucionet e qeverisjes vendore vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe vlersojnë këtë aktivitet me vlera shumëpalëshe, i cili përkon edhe me hapjen e sezonit të turizmit bregdetar të gërshetuar kaq bukur edhe me turizmin kulturor nëpërmjet të cilit Vlora vazhdon të promovojë vetveten me gjithçka të bukur që gjindet në brendësi të saj. 

   Përgjatë gjithë këtyre ditëve, u zhvilluan aktivitete të shumta e të larmishme deri në mbyllje të këtij edicioni të katërmbëdhjetë të “Aulona Inter Folk Festival” në darkën e gëzimit të mbarvajtjes dhe suksesit të festivalit me të katërmbëdhjetë ansamblet folklorike pjesmarrëse, të cilët për koincidencë rastisën të ishin të njëjtë në numër sa dhe vetë edicionet.

   Si një kolor i ylbertë rrezatuan qytetin bregdetar të Vlorës të shtatë flamujt e ardhur nga shtatë shtete të Ballkanit dhe Europës, të cilët po të ishin pikë për t’u mbledhur sërish do formonin numrin katërmbëdhjetë. Të gjitha grupet ishin më shumë se entuziaste për pjesmarrjen, aq sa improvizonin skena me shfaqje artistike kudo ku gjenin shesh, hapësira të mrekullueshme që, për hirë të së vërtetës Vlorës së bukur nuk i mungojnë.

   E kështu për tri ditë me radhë këto ansamble e kthyen Vlorën dhe rrethinat e saj në një skenë gjigante, natyrale, ku ritmet e valleve e ngjyrat e larmishme potente të kostumeve të mrekullueshëm përndritën jo vetëm skenën zyrtare të festivalit, por edhe rrugët, trotuaret, sheshet e mjediset e tjera të qytetit mikpritës, duke i dhuruar një spektakël madhështor folklorik me këngë e valle tradicionale nga popuj të Ballkanit dhe Europës.

   Sipas organizatorëve edicioni i këtij viti e çoi në 105 numërin e përgjithshëm të ansambleve e grupeve folklorikë të ngjitur në skenën e këtij festivali në këto katërmbëdhjetë vite, duke sjellë në qytetin e Vlorës plot 3850 artistë nga 28 vende të Ballkanit, Europës e Azisë.

   Ky edicion pati një program shumë të larmishëm dhe plot risi, i cili nxiti shpirtin e garës mes pjesëmarrësve, çka vihej re jo vetëm tek tematika e këngëve dhe valleve, por edhe tek interpretimi dhe demonstrimi i koreografisë dhe kostumografisë si pjesë e kulturës popullore të vendeve pjesëmarrëse dhe që peshonte dukshëm në vlerësimin e Komitetin Organizator.

   Në këtë edicion pati një performancë të shkëlqyer gjithëpërfshirëse, pasi si në një paradë të prezantimit të kostumeve ansamblet pjesmarrëse për herë të parë performuan para koncertit, duke e kthyer pedonalen e qytetit të Vlorës në një pasarelë si një ylber shumëngjyrësh deri në Bulevardin “Ismail Qemali” të qytetit. 

   Mes ovacionesh e duartrokitjesh siparin e këtij festivali e hapën të zotët e shtëpisë me një këngë elegjiake si homazh për poetin dhe regjisorin Petrit Ruka, i cili prej nisjes së këtij festivali ka qenë anëtar i bordit të Qendrës Kulturore “Aulona” dhe regjisor i përvitshëm i festivalit. Pikërisht ky festival i dha nderin, vlerësimin dhe respektin e merituar këtij njeriu me kontribut të jashtëzakonshëm për këtë qytet. 

   Festivali gjithashtu nderoi edhe burrin e shquar të kombit Hasan Prishtina, i cili para pak kohësh me rastin e 110 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë “erdhi” në Vlorë i derdhur në bronx në një shtatore dinjitoze për figurën dhe veprën e tij për t’u përjetësuar krah Plakut të urtë Ismail Bej Vlora. 

   Në këtë edicion morën pjesë edhe shumë grupe folklorike nga viset shqiptare dhe nga Vlora, për të konkuruar, përshëndetur dhe uruar mirëseardhjen performuan Ansamblet “Krahu i Shqiponjës Taip Madani” e “P & E”, si dhe grupet polifonike “Krojet e Velçës” dhe “Bilbili”.

   Gjirokastra u përfaqësua nga Ansambli “Lunxhëria”, Saranda nga grupi i valleve “Rodhon to Amarandon”, Kosova u përfaqsua nga Ansambli “Isa Boletini” e “Anamorava”, Mali i Zi u përfaqësua me Ansamblin “Trojet Tona”, kurse shqiptarët me banim në Zvicër, të cilët kishin udhëtuar rreth 2000 km u përfaqësuan nga grupi popullor “Hareja”.

   Nga grupet e interfolkut Rumania u përfaqësua me Ansamblin “Crisana”, Bullgaria u përfaqësua me Ansamblin “Zdravets”, kurse Moldavia u përfaqësua më Ansamblin “Izvorasul”.

   Për performancat e të gjitha grupeve pjesëmarrëse gjuha nuk ishte aspak një barrier, pasi popujt i transmetojnë mesazhet përmes një pasurie të pashterrëshme që janë folklori dhe trashëgimia etnokulturore. Performancat e grupit nga Moldavia dukej sikur tingëllonin shqip.

   Një përgatitje e jashtëzakonshme e cila ngjalli edhe mjaft emocione tek të pranishmit ishte performanca e realizuar nga një grup qytetarësh amerikanë të ardhur në Vlorë për pushime, të cilët me ambicjen e tyre në një kohë rekord mësuan të interpretojnë me shumë krenari vallen shqipe. Nën drejtimin e koreografit të AKKVP, Genc Kastrati, ata performuan në skenë duke përshëndetur festivalin, veshur me kostume popullore nga kostumografia “Tradita Popullore – Edlira” e Edlira Sulaj, duke fituar kështu një dashamirsi të jashtëzakonshme nga publiku, çka u reflektua në duartrokitjet e gjata.

   Përgjatë gjithë atyre ditëve pjesëmarrësit e festivalit patën fatin të njihen me qytetin e Vlorës dhe resurset kulturore e historike të tij. Kështu ata vizituan mjaft vende historike e arkeologjike. Organizatorët u mundësuan atyre edhe një udhëtim ekstra për të vizituar Manastirin në Ishullin e Zvërnecit, si dhe të njihen me plazhet e mrekullueshme të Radhimës ku Resorti “Bojo” për një ditë u vendos i tëri në dispozicion të pjesëmarrësve.

   Pasi përformuan për dy netë rradhazi erdhën në natën finale të festivalit dhe u ngjitën në skenë të gjitha grupet pjesëmarrëse, ku me pjesët e tyre më të zgjedhura sollën për qytetarët e Vlorës një spektakël të jashtëzakonshëm folklori, duke mbyllur kështu me shumë sukses edicionin XIV të “Aulona Inter Folk Festival”, 2022.

   Për arritjen e këtij suksesi meritë të veçantë ka edhe moderatorja tashmë e njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë Silvana Braçe, e cila me buzëqeshjen magjike dhe profesionalizmin e saj u bë një urë lidhëse mes gjithë artistëve pjesëmarrës dhe publikut të mrekullueshëm.

   Kupën e edicionit të XIV të festivalit e fitoi Ansambli “Izvorasul” nga qyteti Cahul, Moldavi, të cilën, pas një përshëndetje zyrtare për festivalin si zot shtëpie, ua dorëzoi kryetari i Bashkisë së Vlorës z. Dritan Leli.

   Gjithashtu një tjetër vlerësim i merituar dhe i gjetur si kohë e si vend u bë nga kryetari i Bashkisë së qytetit të Vlorës, pikërisht në skenën e “Aulona Folk Festival” për drejtorin e këtij festivali z.Sejmen Gjokoli, i cili u vlerësua me “Mirënjohje” për kontributet në fushën e trashëgimisë shpirtërore tashmë të shtrira në disa dekada, për punën më Folk Grup “Bilbili” që po i mbush 30 vjet, por Aulona Folk Festival është ai eveniment që ka ngjallur dhe ngjall të tjera emocione.

   Sejmen Gjokoli me kontributin e tij, si dhe bashkëpunimin me specialistë e dashamirës të kulturës, i kanë instaluar qytetit një institucion trashëgimie më vete, një portë komunikuese shpirtërore me këngë e valle e vlera etnografike të kombeve të tjera ballkanike, europiane dhe botërore.

   Në fund për të gjitha grupet pjesmarrëse u ndanë diploma dhe dhurata me emblemën e festivalit.

   Një vlerësim përcjelli edhe unë si gazetar për kolegët e Radio Televizionit Shqiptar regjisorin Llesh Nikolla dhe operatorët Shkelzen Sinani e Gjergj Reveli, të cilët bënë një punë të palodhur për të pasqyruar këtë spektakël në ekranin e vogël në çdo shtëpi shqiptare.

   Me një falenderim dhe vlerësim do ta mbyll këtë shkrim me fjalët më të mira për gazetën “Dielli” që gjithmonë me dashamirësi krijon hapsira për të pasqyruar aktivitete të tilla që janë krenari për artin e kulturën shqiptare.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ramazan Ceka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 170
  • 171
  • 172
  • 173
  • 174
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT