• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Arkitektura dhe rezistenca për liri 

April 6, 2022 by s p

Shkruan: Arianit Bytyçi, arkitekt

Komuna e Prishtinës gjatë largimit të antenave satelitore nga ndërtesat duhet të ketë parasysh mbi të gjitha mesazhin që kanë pëçuar ato gjatë viteve nëntëdhjeta, e sidomos gjatë viteve 1998-1999 – mesazhin e rezistencës gjithëpopullore, mesazhin e luftës çlirimtare, mesazhin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës. Prandaj, në koordinim me insitucionet përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Komuna duhet t’i konservojë dy apo tri ndërtesa të banimit me shumë njësi, ku janë të vendosura antenat satelitore në lagjet emblematike të Prishtinës. Pas konservimit të këtyre ndërtesave dhe pas prezentimit vizual të rrëfimit për rëndësinë e antenave satelitore gjatë periudhës së okupimit, këto ndërtesa do të ishin më shumë se ndërtesa – ato do të bëheshin simbol arkitektonik i rezistencës për liri dhe i emancipimit kombëtar e kulturor në kohë të vëshitira. 

Pavarësisht bindjeve politike, besoj se për komunitetin e arkitektëve në Kosovë është lajm i mirë që në krye të kryeqyetetit tonë, Prishtinës, tashmë është zgjedhur kryetar njëri nga ne arkitektët, arkitekti me përvojë ndërkombëtare, Përparim Rama. Për më tepër është po ashtu lajm i mirë që në krye të njërës prej drejtorive me të rëndësishme të komunës, asaj të Urbanizmit, Përparimi ka përzgjedhur poashtu kolegun tonë, arkitektin e ngritur intelektualisht, Arbër Sadikin. Duke pasur për bazë se kryeqyteti ynë, ashtu si çdo kryeqytet botëror, mbi të gjitha ka të bëjë me planifikimin hapësinor, me urbanizmin, me arkitekturën, të cilat kanë reflektimet dhe ndikimet e veta gjithandej qytetit, jam i prirur të besoj se arkitektët që do të udhëheqin Prishtinën për 4 vitet e ardhshme, kanë dijen, besoj edhe guximin e vullnetin për t’ia kthyer të mbarën Prishtinës që të funksionojë si kryeqytet i mirëfilltë me identitet urban e arkitektonik. 

Jam i vetëdijshëm që në gjithë këtë proces reformash Përparimi dhe stafi që ai ka përzgjedhur bashkë me partnerët tjerë, do të përballen edhe me kufizime që paraqiten në legjislacionin e ndërtimit që është në fuqi në Kosovë, për të cilat personalisht kam alarmuar shumë vite më parë institucionet e Kosovës përmes shkrimeve të mia. Ashtu siç është e njohur nga profesionistët e fushës të cilët për çdo ditë përballen me këtë legjislacion, Ligji i Ndërtimit dhe aktet tjera nënligjore të ndërtimit në fuqi, nuk e shohin ndërtimin si proces të krijimit të vlerave arkitektonike, por më shumë si proces teknik e teknologjik. Prandaj, është e domosdoshme reforma ligjore, e cila do të krijonte hapësirë të duhur që institucionet e nivelit lokal dhe ato qëndror të kontribojnë në krijimin e vlerave të mirëfillta arkitektonike në Kosovë.

Në të njejtën kohë, besoj se është lajm i mirë që në krye të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është po ashtu njëri nga kolegët tanë, arkitekti Liburn Aliu, i cili e ka përvojën profesionale, por edhe politike, duke pasur parasysh faktin se për disa mandate ka qene deputet dhe ka udhëhequr një komision të rëndësishëm parlamentar, dhe tani i ka të gjitha mundësitë që të inicojë reformën ligjore, e cila do ta fuqizonte rolin e arkitekturës në procesin e ndërtimit. Lidhur me këtë çështje, pas shkrimeve të mia publike lidhur me domosdonë e hartimit, zbatimit dhe monitorimit të zbatimit të Politikës së Arkitekturës së Kosovës, si njëri nga mjetete që do t’i jepte kahje edhe reformës ligjore, dhe pas adresimeve të mia drejtuar disa kryeministrave me radhë, unë vite më parë pata takuar kolegun arkitekt, Liburn Aliu, në kohën kur ai udhëhiqte Komisionin për Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Kosovës. Duke e njohur Liburnin nga koha e studimeve në Fakultetin e Arkitekturës, pas diskutimeve tona, u patëm pajtuar që është e domosdoshme reforma e duhur ligjore në legjislacionin parësor dhe dytësor të ndërtimit dhe planifikimit hapësinor, si dhe ndërmarrja e hapave tjerë që do të mundësonin afirmimin dhe jetësimin e vlerave të mirëfillta arkitektonike dhe urbanistike në qytetete e fshatrat tona. Asokohe bashkë me Liburnin dhe mikun tonë të përbashkët, veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, Bajrush Xhemajli, patëm arritur të parandalonim degradimin dhe komprometimin që me apo pa vetëdije synohej të bëhej në mënyrë diletante e pa asnjë procedurë konkursi nga disa njerëz përmes një “monumenti” kiç dhe pa asnjë vlerë të mirëfilltë skulpturale dhe arkitektonike, që ndërlidhej me një temë aq të ndjeshme: flijimin për lirinë e Kosovës. Asokohe, u pajtuam që për këtë monument dhe për të gjitha monumentet tjera të lirisë, duhet përgatitur konkurse të mirëfillta arkitektonike, me detyra projektuese te përgatitura mirë, të cilat do të inkurajonin pjesëmarrjen e arkitektëve, skulptorëve e krijuesve tjerë vendorë e ndërkombëtare dhe në këtë mënyrë të arrihej që të realizohen monumente të mirëfillta me vlera origjinale arkitektonike, që do të dërgonin mesazhin e duhur në botë. Tani besoj se është koha që të bëhet më shumë se aq. Tani është koha që ministria që udhëheqë Liburni, bashkë me ministritë tjera, siç është Ministria e Kulturës dhe ministritë dhe insitucionet tjera qendrore e lokale të cilat në një formë apo tjetër merren me ndërtim, të ndërmarrin nismën e hartimit të Politikës së Arkitekturës, e cila do të mundësontë koordinimin ndërinstitucional në fushën e Arkitekturës dhe rrjedhimisht edhe të reformave në legjislacionin e ndërtimit dhe planifikimit hapësinor.

Antena satelitore – si simbol i rezistencës gjithëpopullore

Për të dëshmuar se sa i rëndësishëm është koordinimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërmarrja e reformave të domosdoshme, po e sjell në vëmendje nismën e Komunës së Prishtinës për largimin e antenave satelitore nga ndërtesat, të cilat antena ashtu siç thotë njoftimi i Drejtorisë së Shërbimeve Publike “rrezikojnë edhe sigurinë e qytetarëve….dhe gjithashtu ndikojnë edhe në estetikën e qytetit”.

Duke e përkrahur në parim çdo nismë që ka për qëllim mes shumë çështjeve të rëndësishme, edhe estetikën e qytetit, unë mendoj se krahas kësaj nisme, Komuna e Prishtinës duhet të shikojë mundësinë e hartimit të një rregulloreje të analizuar mirë, e cila në mënyrë të detajuar do të trajtonte aspektin e dukjes dhe vëllimit të objekteve arkitektonike në Prishtinë, objekteve ekzistuese dhe atyre që planifikohen të ndërtohen, si dhe mundësinë e hartimit të një rregulloreje komunale që do të trajtonte krijimin e hapësirave të përbashkëta publike, hapësirave rekreative dhe atyre gjelbëruese, që do trajtoheshin përmes zgjidhjeve urbane të blloqeve të ndërtimit të cilat do t’i paraprinin dhënies së lejeve të ndërtimit. Unë jam i vetëdijshëm që ky proces kërkon edhe implementimin e reformës ligjore, që e potencova më lartë, por kjo gjë besoj se nuk mund ta ndalojë komunën e Prishtinës që në koordinim me Ministrinë e Mjedisit, të Planifikimit Hapësinor dhe të Infrastrukturës të fillojë të trajtojë më me seriozitet aspektin arkitektonik dhe urbanistik të kryeqytetit, dke mos pritur kohën derisa të fillojë zbatimi i reformës ligjore.

Duke u kthyer, tek tema e largimit të antenave satelitore nga ndërtesat në Prishtinë, e cila është motivi i këtij shkrimi për arkitekturën, dua të rikthej në kujtesë edhe një gjë jashtëzakonisht të rëndësishme lidhur me antenat satelitore: Komuna e Prishtinës gjatë këtij procesi duhet të ketë parasysh mbi të gjitha aspektin e mesazhit që kanë pëçuar antenat satelitore gjate viteve nëntëdhjeta e sidomos gjatë viteve 1998-1999 – mesazhin e rezistencës gjithëpopullore, mesazhin e luftës çlirimtare, mesazhin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës. 

Prandaj, pas nje analize gjithpërfshirëse, Komuna e Prishtinës në koordinim me insitucionet përgjegjëse për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duhet të shikojnë mundësinë e konservimit të dy apo tri ndërtesa të banimit me shumë njësi, ku janë të vendosura antenat satelitore në lagjet emblematike të Prishtinës, në Ulpianë, Dardani dhe Bregun e Dellit, duke mos i hequr antenat satelitore nga ato lagje. Pas konservimit të këtyre ndërtesave dhe pas prezentimit vizual të rrëfimit për rëndësinë e antenave satelitore gjatë periudhës së rezistencës gjithëpopullore për liri, këto ndërtesa do të ishin më shumë se ndërtesa – ato do të bëheshin simbol i rezistencës dhe i emancipimit kombëtar e kulturor në kohë të vëshitira. 

Përveç tjerash, komuna e Prishtinës bashkë me institucionet qendore, siç është Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Kulturës do të mund të përgatisnin edhe një konkurs ndërkombëtar arkitektonik, që do të sensibilizonte artistët, skulptorët, arkitektët, piktorët dhe krijuesit tjerë vendorë e ndërkombëtarë, që bashkërisht përmes pjatave satelitore të viteve nëntëdhjeta të krijonin një vepër arti, skulpture e arkitekture, e cila si një vepër unike do të ishte poashtu dëshmi bashkëkohore e rezistencës për çlirim përmes medias. 

Përderisa në vitet shtatëdhjeta dhe tëtëdhjeta, antenat analoge përmes të cilave në mënyrë ilegale prindërit dhe gjyshërit tanë shikonin programin e Televizionit Shqiptar dhe dëgjonin programin e Radio Tiranës, si mundësi e vetëdijësimit dhe emancipimit kombëtar për çlirim, në vitet nëntëdhjeta antenat satelitore ishin mundësia e vetme e thyerjes së territ informativ, përmes të cilave të gjithë ne shikonim Programin Satelitor të Televizionit Shqiptar, por edhe mediat botërore, si CNN, BBC, Sky News, EuroNews, MTV, etj. 

Unë dhe gjenerata ime kemi jetuar dhe jemi edukuar me Programin Satelitor të Televizionit Shqiptar. Jemi edukuar në frymën e rezistencës për çlirim, që ka përçuar programi i TVSH-së përmes emisioneve për funksionimin e institucioneve të rezistencës për çlirim, përmes emisionit që i parapriu demonstratës madhështore studentore të 1 Tetorit 1997 e përmes paraqitjes së parë publike të zëdhënësit të UÇK-së në qershor ’98 në Kleçkë, që u transmetua në TVSH. E kemi mbajtur shpresën për liri përmes emisioneve për UÇĶ-në, përmes Betimit të UÇK-së, përmes marshit urban të ushtarëve te UÇK-së, ku ishte sinkronizuar zëri i artistëve kosovare, Poqit, Xuxit e të tjerëve, në mënyrë që marshi ushtarak të prezentohej sa më i artikuluar, përmes  emisioneve për terriroret e çliruara nga UÇK dhe emisioneve për mbijetesën e popullatës civile. Si sot më kujtohet emisioni i transmetuar në tetor të vitit 1998 pas ofensivës së shtatorit, emisioni me titullin kuptimplotë “…këtu jemi!”, që dërgonte mesazhin që ÙÇK nuk është shpartalluar, por do të jetë këtu, në Kosovë deri në çlirimin definitiv të Kosovës. Ne dhe familjet tona kemi bashkëjetuar me këto emisione, që i kemi shikuar përmes antenave satelitore, për të cilat kemi nostalgji, e të cilat sot po synohet të largohen të gjitha, pa asnjë përjashtim.

Për këtë arsye, i bëj thirrje kolegëve arkitektë: kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, drejtorit të Urbanizmit, Arbër Sadiki, e po ashtu edhe ministrit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës, Liburn Aliu, që me një koordinim ndërinsitucional edhe me Ministrinë e Kulturës dhe institucionet vartëse të saj të kenë kujdes që në rastin e antenave satelitore të trajtojnë me kujdes aspektin e ruajtjes se trashëgimisë kulturore dhe rrjedhimisht të ruajtjes së kujtesës kolektive, për aryse se nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që përmes veprimeve arbitrare të harrohet historia e rezistencës gjithëpopullore për liri, që është përçuar edhe përmes antenave satelitore.

Në fund, por jo më pak e rëndësishme: gjatë viteve të nëntedhjeta ne si popull përmes antenave satelitore jemi emancipuar e vetëdijësuar edhe në aspektin kulturor përmes këngëve të prezentuara në Festivalin e Kënges në Radiotelevizionin Shqiptar, përmes këngës së Ilir Shaqirit “Jam Evropë”, si dhe përmes këngëve të Luan Zhegut, Sherif Merdanit, Aurela Gaçes, Ledina Çelos, Redon Makashit, Aleksandër Gjokës e Elton Dedës, Mira Konçit, Françesk Radit e Manjola Nallbanit, e deri te kënga historike e Luan Zhegut kushtuar simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçit. Antenat satelitore gjatë viteve nëntëdhjeta në Prishtinë e në lokalitete tjera të Kosovës na kanë mundësuar që për herë të parë përveç në audiokaseta, të dëgjojmë muzikë botërore edhe në kanalin satelitor të MTV-së. Këngët e Guns N’Roses, Metallica, Aerosmith, Iron Maiden, Bon Jovi, Pink Floyd, Sepultura, e deri te “Zombie” i The Cranberries, për gjeneratën tonë mbajnë vulën e antenave satelitore të viteve nëntëdhjëta. 

Prandaj, mos na e fshini kujtesën kolektive të rezistencës për çlirim. Na i ruani së paku tri objekte me antena satelitore në Prishtinë!

Filed Under: ESSE

SKANDALI I RADHËS NË “SISTEMIN E RI TË DREJTËSISË” NË SHQIPËRI – SPASTRIM “MALOKËSH”

April 5, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person in a suit and tie

Description automatically generated with medium confidence

Nuk mjaftonte spastrimi i ish-të përndjekurve, vktimave të komunizmit dhe familjarëve të tyre nga reforma e re e drejtësisë.  Në Shqipëri, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) është institucion i pavarur, që për mision të punës së tij pretendon se siguron mbrojtjen efektive nga diskriminimi dhe sjelljet që e nxisin atë. Ky ent bëri një deklaratë — KMD udhëzon shmangien e paragjykimeve dhe përkatësive në vlerësimin profesional – ATSH – (ata.gov.al) — botuar të djelën me 3 prill, në portalin e vet në lidhje me një incident të rëndë diskriminimi në procesin e vetingut. Megjithëse me një të lexuar është vështirë të thuhet se për çfarë rast diskriminimi e ka fjalën KMD-ja.  Por pas një deshifrimi nga disa media të pavarura në Tiranë — se mediat e mëdha të oborrit të qeverisë nuk e kanë përmendur ende këtë skandal — mësohet se kemi të bëjmë me një rast konkret të ditëve të fundit në Tiranë, e që ka të bëjë me spastrimet dhe diskriminimet në sistemin e drejtësisë, si dikur në ish-regjimin e qoftëlargut. 

Ndryshimi është se kësaj radhe e quajnë (veting) – gjoja spastrimi i drejtësisë nga të korruptuarit — dhe sponsorizohet dhe mbështetet nga asgjë më pak se Ambasada Amerikane dhe Bashkimi Evropian, me disa suksese deri tani.  Dihet se të ashtuquajturat “reforma” në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, me qëllim, po përjashtonte kandidatët nga radhët e ish të përndjekurve të kohës së komunizmit dhe familjeve të tyre. Por kjo nuk i prishte kujt punë, as autoriteteve vendase as sponsorizuesve ndërkombëtarë. Falë kësaj heshtjeje, duket se vetingu i “sistemit të ri të drejtësisë” e paska zgjëruar aktrivitetin e tij të spastrimit — jo vetëm të atyre që mund të jenë pinjollë të familjeve të vuajtura anti-komuniste – por tani sipas disa mediave në Shqipëri, “Mësohet se Vettingu po heq nga sistemi i drejtësisë, kryesisht, ata që janë nga Mirdita, Tropoja, Kukësi, Puka dhe Burreli”. Për mua, ky subjekt është tepër i pakëndëshëm për ta trajtuar, por provokimi është i papranueshëm.

Sidoqoftë, mund lexojeni më sipër deklaratën në linkun KMD-së, “institucionit të pavarur, që siguron mbrojtjen efektive nga diskriminimi” në Shqipëri dhe nëqoftse nuk e kuptoni se për ke dhe për çfarë flet institucioni, do përpiqem ta shpjegoj, bazuar në disa të dhëna të botuara deri tani në median shqiptare.  Duket se kemi të bëjmë me një spastrim të qëllimshëm të kandidatëv të padëshiruar, bazuar në origjinën ose përkatësinë krahinore të tyre, që të jenë pjesë e sistemit të ri juridik në Shqipëri, si prokurorë e gjykatës.  Unë kam venë dukje, në të kaluarën, faktin se sipas disa burimeve, vetingu, padrejtësisht, ka spastruar nga drejtësia, sidomos kandidatët nga radhët e të përndjekurve të komunizmit, ose familjeve të tyre. Por tani problemi duket se është edhe më i madh se vetingu përfshinë edhe një kategori tjetër të shqiptarëve: origjinën ose përkatësinë krahinore duke spastruar nga sistemi i drejtësisë ata që janë me origjinë nga pjesa veriore e Shqipërisë.  Kam qenë edhe kritik i asaj reforme pasi kam kundërshtuar vazhdimisht përfshirjen pothuaj, ekskluzivisht, si mbikqyrës të kësaj reforme të prokurorëve dhe gjykatësve të edukuar dhe të punësuar në ish-regjimin komunist, ndërkohë që janë përjashtuar ose nuk janë konsideruar për detyra të larta përfaqsues të shtresave të tjera të shoqërisë shqiptare, siç janë ish-të përndjekurit ose pasardhësit e tyre, viktima të regjimit komunist kriminal të Enver Hoxhës.  Tani shohim se rrethi i të përjashtuarve shkon përtej ish-të përndjekurve.  Rasti i fundit i diskriminimit nga vetingu është ai i Prokurores Elisabeta Imeraj, e cila paragjykohet bazuar në origjinën e saj, se ajo është nga Veriu, një “maloke nga Tropoja”, siç e quan Genta Bungo dhe si e tillë duhet të shkarkohet për shkak të origjinës, sipas rekomandimit të anëtares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, (KPA) Genta Bungo.

Megjithëse kjo është një shkelje e rëndë ligjore, deri tani as Kryeministri as ndonjë ent tjetër qeveritar nuk ka reaguar në lidhje me këtë shkelje flagrante të ligjit. Madje as deklarata e KMD-së nuk i refereohet drejtë për drejtë – me emër dhe mbiemër — këtij rasti. Ku janë të mençurit e Kombit që nuk flasin për të dënuar dukuri të tilla urrejtjesh krahinore?  Për më tepër, ajo që më shqetëson mua edhe më shumë është fakti se as Ambasada Amerikane as të dërguarit e Bashkimit Evropian në Tiranë — që financojnë reformën në drejtësi në Shqipëri– nuk kanë bërë asnjë koment për abuzimet në veting, as më heret, as për rastin e fundit. Për mua kanë qenë tepër problematike emërimet dhe dekorimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve të ish-regjimit komunist në detyra kyçe të drejtësisë në procesin e vetingut. 

Gjëndja është shumë më keq se ç’mendoja unë. Sipas disa burimeve në media dhe të tjera, KPK ka larguar me shumicë prokurorë dhe gjyqtarë që kanë prejardhjen nga Veriu i Shqipërisë – një “reformë” kjo reformë që financohet kryesisht nga taksapaguesit amerikanë.  “Mund t’u përmend plot emra “malokësh” që i ka këputur vettingu pa asnjë shkak, provë apo llogjikë ligjore”, tha ditët e fundit analisti dhe ish-Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani në një program televiziv.

Ky është një problem i madh në fakt dhe në përceptim për qeverinë shqiptare dhe për mbështetsit ndërkombëtarë të “reformës së re të drejtësisë”, në Tiranë, të cilët janë duke themeluar një sistem drejtësie me “dvorana” të ish-regjimit komunist dhe me “bungot” e post-komunizmit – duke krijuar një sistem drejtësie shumë diskriminues dhe urrejtës deri në palc ndaj një pjese të madhe të shqiptarëve duke përdorur metodat përçarëse enveriste shqiptari kundër shqiptarit – duke përdorur ish-ideologjinë komuniste dhe krahinat si pretekst.   

Përball heshtjes ndaj këtij fenomeni — nga entet përkatëse shqiptare në Tiranë si dhe ndërkombëtarët, përfshir Ambasadën Amerikane në Shqipëri — dhe kësaj situate të shëmtuar në vetingun e drejtësisë shqiptare,  taksapaguesit shqiptaro-amerikanë si dhe organizatat e ndryshme në Amerikë kanë edhe ata përgjegjësinë e tyre që të reagojnë ndaj dukurive të tilla përçarëse në sistemin e drejtësisë. Shqiptaro-amerikanët duhet të jenë më të interesuar se çka po ndodhë në Atdhe në përgjithësi dhe, veçanërisht, si shpenzohen taksat e tyre në Shqipëri, në emër të reformës në drejtësi, ndërkohë që, ditën për diell, merren vendime diskriminuese për shkak përkatësie dhe jo aftësie, pa asnjë ndëshkim për shkelsit e ligjit. Diçka që është e kundërligjshme në Shtetet e Bashkuara por edhe në Shqipëri. 

Ndërkaq, heshtja e Ambasadës amerikane në Tiranë në lidhje me këtë çeshtje dhe me abuzimet që bëhen në procesin e vetingut, siç është rasti i prokurores Imeraj, është imorale dhe e pajustifikueshme. Këtu në Amerikë, praktika të tilla i quajmë linçime — në këtë rast të shqiptarëve me origjinë nga Veriu i Shqipërisë – linçim i financuar me fonde nepërmjet ambasadës amerikane në Tiranë.  Ky mund të jetë një akt kriminal dhe si i tillë nevojitë hetime të menjëhershme nga autoritetet e besueshme shqiptare, nëqoftse ka të tilla, por sidomos nga entet që financojnë vetingun, si USAID dhe vet Ambasada Amerikane.  Në mungesë të kësaj i mbetet Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Shtetit ose Kongresit të Shteteve të Bashkuara të bejnë hetimet e nevojshme për të zbuluar të vërtetën se për çka dreqin po përdoren fondet amerikane në Shqipëri.  Kjo është shpresa ime! Por, sidoqoftë, kur abuzime të tilla lejohen në një program që financohet dhe ka vulën aprovuese të Shteteve të Bashkuara, kjo është shumë shqetësuese. Në minimum dhe për hir të kredibilitetit të vet  dhe Shteteve të Bashkuara, Ambasada Amerikane në Tiranë nuk mund të qendrojë indiferente ndaj një fenomeni të tillë trazues dhe abuzues me reformën në drejtësi, të cilën e ka marrë përsipër si një projekt të saj me rëndësi.

PS — Sa për dijeni, Zonja Bungo dhe të tjerë që mendojnë si ti, unë nuk njoh “malokë” as “maloke”, por malësorë e malësore, njoh shumë, në të vërtetë. Jam vet një prej tyre.  Në Amerikë jemi, shumë, shumë. Këtu kemi gjetur liri e drejtësi dhe askush nuk na ofendon me epitetin “malok” as “maloke”.  Madje këta “malokët” dhe “maloket” që jetojnë në Amerikë kanë bërë shumë gjëra të mira për Shqipërinë e për Kosovën, gjatë dekadave, pa pyetur as për krahinë as për ideologji, por për interesat kombëtare në përgjithësi dhe për të gjithë shqipotarët pa asnjë dallim.  

Megjithëse jetoj mbi 50-vjet në Amerikë, identiteti im mbetet ai i malësorit, gjë për të cilën jam krenar. Për mbi 50-vjetë në Amerikë kam konkuruar për disa detyra gjatë viteve, por asnjëherë nuk më pyeti njeri për origjinën time, as për krahinën nga vijë.  Ky identitet prej malësori, që ti do e quaje “malok”, nuk më ka penguar mua as të tjerë si unë me origjinë nga ato treva që të arrijmë nivelet më të larta që na kanë mundësuar aftësitë tona, Amerika jonë e dashur dhe drejtësia amerikane. Këtë drejtësi që gëzojmë ne “malokët” dhe “maloket” në Amerikë, do të dëshironim të gëzonin edhe bashkëvëllezërit dhe bashkmotrat tona në Atdhe – pasi “drejtësia re” nepërmjet vetingut, në Shqipëri po zbatohet, kryesisht, falë mbështetjes financiare nga Shtetet e Bashkuara – pra me taksat tona.

Për mbi 50-vjetë në Amerikë kam konkuruar për disa detyra të nivelit të ultë dhe të lartë, por asnjëherë nuk më pyeti njeri për origjinën time.  Shqiptarët si unë i cilësoni si malokë e maloke (njerëz të pagdhendur dhe të trashë), sigurisht, me një përulje dhe urrejtje të theksuar, trashëgimi e Enver Hoxhës kjo.  Por të huajt që kanë pasur rastin të njohin këta “malokë” e “maloke” të Shqipërisë së Veriut, siç ka qenë historianja angleze Edith Durham në vitin 1908 i ka cilësuar ata si “besnikë dhe “kurajoz”:  “Çdo sukses që mund të kem arritur, ia kushtoj vetëm ndihmës bujare dhe dashamirëse që gjeta gjatë gjithë udhëtimit, nga të gjithë, pa përjashtim, por në mënyrë të veçantë nga françeskanët dhe priftërinjtë misionarë të Malësisë dhe udhërrëfyesi im Mark; por po ashtu, mikpritësve dhe udhërrëfyesve nga të gjitha racat dhe fetë që unë kam takuar.  Njerëz besnikë, kurajozë, e mikpritës, të cilët ndoshta është e shkruar në Librin e Fatit të mos i shoh më, por, kur njeriu tregohet i njerëzishëm e i mëshirshëm me të huajin, kjo dëshmon se është Qytetar i Botës; e se Zemra e tij s’është një ishull i ndarë nga Tokat e tjera, por një Kontinent që me to bashkohet.”  Edith Durham, High Albania

Frank Shkreli

                              A picture containing person, wall, indoor, person

Description automatically generated Prokurorja Elisabeta Imeraj, “malokja nga Tropoja” që për shkak të origjinës duhet të shkarkohet nga detyra e saj, sipas Genta Bungos

                                    See the source imageSipas Edith Durham, malësori është: “Qytetar i Botës; e se Zemra e tij s’është një ishull i ndarë nga Tokat e tjera, por një Kontinent që me to bashkohet”.  Kot mundoheni se nuk e ndani dot malësorin nga “Tokat e tjera”, jo – kudo që të gjëndet ai sot, madje edhe në Amerikë!

Filed Under: ESSE

“FLUTURAT”

April 4, 2022 by s p

April 10 / 2022 , 301 Main Avenue,Hawley,18428,US 3 pm-8 pm. Join us @ Ravyn & Robyn for an entertaining and inspiring fundraising event with live music by world renown guitarist Spiros Exaras, food and wine, as the award winning Albanian director, Bujar Alimani introduces the documentary “FLUTURAT” (BUTTERFLIES.) A documentary telling the real stories of strong and wonderful women born and raised in concentration camps. 100% of the funds raised will be used for the documentary’s completion (editing, special effects, & post-production.) Participants will be mentioned and thanked in the ending credits. Tickets and a donation link in case you are unable to make it to this event below: https://fluturat.eventbrite.com/ .

Filed Under: ESSE

111 VITE NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE

April 3, 2022 by s p

Zef Ujkaj/

Sot kujtojmë 111- vjetorin e Kryengritjes së Malësisë, një prej ngjarjeve  më të rëndësishme historike jo vetëm për Malësinë,  por edhe për historinë e popullit shqiptar në tërësi. 

Dua të sjell në vëmendjen tuaj  disa nga momentet  më  kyçe të kryengritjes:

  • ngritjen e flamurit kuq e zi më 6 prill në Bratilë të Deçiqit, për herë të parë pas pesë shekujsh robërie në trojet shqiptare,
  • vendimet e Kuvendit të Greçës, duke i ofruar Rilindjes Kombëtare Shqiptare një memorandum, i cili do të bëhej programi bazë i luftës për liri e pavarësi të Shqipërisë,
  • marrëveshjen e Podgoricës të 2 gushtit, nga e cila mësojmë se turqit u detyruan të ulen në tryezën e bisedimeve, duke i marrë në konsideratë kërkesat e shqiptarëve.

Pas luftrave të shumta përgjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, shqiptarët kishin realizuar disa prej pikësynimeve të tyre në rrafshin kombëtar, kulturor e politik, por ardhja e xhonturqve në pushtet dhe masat antishqiptare si mbyllja e shkollave shqipe, klubeve apo gazetave; përndjekja e mësuesve dhe veprimtarëve shqiptarë; mohimi i kombësisë, mbledhja me dhunë e taksave të vjetra dhe vendosja e taksave të reja; çarmatimi, rekrutimi etj., shkaktuan pakënaqësi të madhe në mesin e tyre, dhe sollën shpërthimin e kryengritjeve pothuajse në të katër vilajetet. Xhonturqit nuk qëndruan duarkryq, por dërguan Shefqet Turgut Pashën për të shtypur kryengritjen e Kosovës dhe të Malësisë së Madhe, e cila ishte më e tensionuar se sa në krahinat e tjera. Nga terrori i egër i ushtrisë turke, shumë shqiptarë u detyruan të kërkonin strehim në Mal të Zi. 

    Malësorët themeluan  Komitetin e Podgoricës me në krye Sokol Bacin, Komitet, i cili shënoi pikënisjen për organizimin e kryengritjes antiosmane dhe bëri të mundur sigurimin e armatimeve, strehimin e emigrantëve dhe prezantimin e çështjes shqiptare nëpër qarqet diplomatike, si dhe afrimin e shumë patriotëve shqiptarë. Ndërkohë Krajl Nikolla synonte që lëvizjen e shqiptarëve ta shfrytëzonte për interesat e Malit të Zi. Kur malësorët nuk bënë kompromis ai iu ndërpreu ndihmat ushqimore dhe i detyroi të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Kryengritësit nuk pranuan të dorëzoheshin në dorë të xhonturqve, por shpërthyen në kryengritje të armatosur për të fituar lirinë e shumëkërkuar. Në këto rrethana më 24 mars 1911, në Rapshë të Hotit filloi Kryengritja e udhëhequr nga burri trim e i mençur Dedë Gjo Luli, kryengritje e cila do të përhapej shumë shpejt në të gjithë territorin e Malësisë heroike dhe do të shkaktonte panik tek autoritetet osmane. Valiu famëkeq i Shkodrës, Bedri Pasha duke u munduar të shkaktonte përçarje mes kryengritësve i dha asaj ngjyrime fetare duke e  quajtur Kryengritje të të krishterëve. Malësorët dërguan disa përfaqësues, për të bindur vullnetarët, që iu ishin bashkuar osmanëve, se kjo kryengritje ishte e drejtuar vetëm kundra autoriteteve otomane dhe kishte objektiv kryesor çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha e huaj. Shumë prej tyre reflektuan dhe dezertuan prej ushtrive të pushtuesit duke u bërë shembull tregues se turqit nuk do të mund të përçanin shqiptarët në baza fetare.

    Kryengritësve të Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit e Shkrelit iu bashkuan shumë patriotë shkodranë, malësorë nga Trieshi, Koja, Fundënat, dukagjinas etj. Kryengritja e Malësisë vuri në lëvizje edhe krahina të tjera, në veri e jug të vendit, të cilat treguan mbështetjen e tyre përmes shpërthimit të kryengritjeve. Edhe shqiptarët e Amerikës i dolën në krah Kryengritjes, po ashtu  arbëreshët e Italisë, me synimin që Kryengritja të shtrihej në të gjitha territoret shqiptare, të sigurohej mbështetje nga qeveritë e huaja dhe të ndërkombëtarizohej çështja shqiptare.

    Më 30 mars në Cetinë u mbajt mbledhja e udhëheqësve të kryengritjes, e cila miratoi një memorandum, të miratuar nga Muharrem Bushati, Isa Boletini, Sokol Baci, Ded Gjo Luli, Abdulla Aga, Preng Kola dhe Mehmet Shpend, drejtuar Fuqive të Mëdha. Me anë të këtij dokumenti kërkohej paprekshmëria e territoreve shqiptare; njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në të katër vilajetet, njohja e kombësisë shqiptare; shpenzimi i të ardhurave buxhetore në dobi të vendit etj. Megjithëse Porta u bëri shqiptarëve disa lëshime, kryengritësit  nuk do të ndaleshin, derisa të arrihej autonomia  e  plotë e Shqipërisë. 

    Më 6 prill, pas luftimeve të ashpra, malësorët morën Deçiqin dhe po atë ditë në majën e Bratilës, Nikë Gjelosh Luli do të ngrinte për herë të parë, pas kaq shekujsh robërie flamurin në emër të të gjithë shqiptarëve. Ngritja e flamurit, do të shërbente si një tregues i qartë, se qëllimi i Kryengritjes së vitit 1911 ishte mëvetësimi i Shqipërisë. Shpirti i kësaj kryengritjeje ishte Dedë Gjo’ Luli, ky burrë energjik, me karakter të fortë, që kurrë nuk bëri asnjë kompromis në kurriz të të drejtave të shqiptarëve. Lajmin e ngritjes së flamurit në Deçiq e botoi  fillimisht gazeta e kolonisë shqiptare në Sofje “Liria e Shqipërisë” Aty  thuhet: “…malësorët luftojnë me flamur t’kuq me shqiponjen e zezë me dy krena, …. me bajrakun e Skënderbeut”. 

    Osmanët e cilësuan ngritjen e flamurit si disfatë, prandaj intesifikuan sulmet. Por meqënëse Bedri Pasha nuk po shënonte ndonjë sukses në shtypjen e Kryengritjes, në vend të tij u emërua Shefqet Turgut pasha, i cili zbarkoi në territoret shqiptare me një fuqi ushtarake të konsiderueshme, sikurse dhe materiale të shumta luftarake. Ai do të nxirrte në Shkodër një proklamatë prej 12 nenesh, duke iu premtuar kryengritësve falje nëse dorëzoheshin brenda 5 ditëve. Kryengritësit iu përgjigjën kësaj thirrjeje me një deklaratë, që u miratua në mbledhjen e mbajtur në Pikalë, deklaratë e cila iu dorëzua konsujve të huaj në Cetinë më 12 maj. Dokumenti konsistonte në parandalimin e masave ekstreme të ndërmarra nga osmanët kundrejt shqiptarëve. Sipas tyre kthimi në atdhe do të realizohej vetëm në rast se kërkesat e kryengritësve do të realizoheshin, kur Stambolli të siguronte drejtësi dhe barazi mes shqiptarëve, kur të respektonte zakonet dhe traditat e tyre, kur populli shqiptar të pranohej si komb, të jetonte i lirë si çdo popull tjetër, në të kundërt do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut për çlirimin e atdheut. 

Austro-Hungaria dhe Rusia kërkuan prej Portës që shqiptarëve t’u bëheshin disa lëshime në mënyrë që krizës t’i jepej fund. Kështu që, më 17 qershor osmanët shpallen amnisti të përgjithshme për kryengritësit shqiptarë nëse dorëzonin armët brenda një afati 10-ditor, por përpjekja e tyre rezultoi e dështuar. Meqë pjesa më e madhe e kryengritësve ishin katolikë, Stambolli kërkoi ndihmën e Arqipeshkvit të Shkodrës, Jak Serreqi, që të ndërmjetësonte midis dy palëve. Edhe ky mision dështoi pasi pikat e marrëveshjes binin ndesh me idenë e qartë të malësorëve për  autonominë e Shqipërisë. 

    Me nismën e Komitetit të Podgoricës, u mblodh në pllajën e Greçës, në Malësinë e Madhe Kuvendi i Përgjithshëm i krerëve shqiptarë, i cili më 23 qershor miratoi dokumentin më të rëndësishëm të kryengritjes, të njohur me emrin “Memorandumi i Greçës”. Me këtë akt kryengritja e armatosur e malësorëve kishte tani një program kombëtar në të cilin aderuan tashmë të gjithë shqiptarët. Memorandumi i Greçës parashtronte një program të plotë të autonomisë së Shqipërisë, ashtu siç ishte konceptuar ajo në platformën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare qysh nga koha e Lidhjes së Prizrenit. Ky memorandum kishte një rëndësi të veçantë, sepse dilte nga gjiri i kryengritjes dhe në formulimin e tij morën pjesë atdhetarë të krahinave të ndryshme të vendit e të kolonive shqiptare të mërgimit. Përmbajtja kombëtare e këtij memorandumi ishte një argument i fuqishëm për të kundërshtuar trillimet e qeverisë turke dhe të propagandës së shteteve fqinje, që mohonin karakterin e vërtetë kombëtar të lëvizjes shqiptare dhe e paraqisnin kryengritjen e malësorëve si kryengritje fetare për ruajtjen e venomeve të vjetra lokale. Më 26 qershor, “Libri i Kuq” iu paraqit ambasadorit turk në Mal të Zi, mbretit malazez dhe ambasadorëve të Fuqive të Mëdha të akredituara në Cetinë. Një memorandum i veçantë do t’i dërgohej edhe qeverisë angleze. Qeveria osmane i hodhi poshtë kërkesat e malësorëve pasi plotësimi i tyre nënkuptonte shkatërrimin dhe fundosjen e Perandorisë.

    Duke qenë se Porta e Lartë nuk po i detyronte dot malësorët të ulnin armët, kërcënoi Malin e Zi me luftë nëse do të vazhdonte të strehonte më tej malësorët, gjithashtu kërkoi ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha. Ndërhyrja e Rusisë dhe Austro-Hungarisë, bëri që osmanët dhe malazezët të diskutonin çështjen e rregullimit të kufirit mes tyre, dëbimin e emigrantëve kryengritës nga Mali i Zi dhe përfitimin e kompensimeve materiale për mbajtjen e emigrantëve shqiptarë. Pas gjithë tentativave, Mali i Zi premtoi sigurimin e paqes mes malësorëve dhe osmanëve. Por meqënëse malësorët nuk lëviznin nga kërkesat e Greçës, osmanët paralajmëruan që do t’i ndiqnin kryengritësit malësorë edhe brenda kufirit malazez. Për arsye se kjo ndërhyrje parashikonte fillimin e luftës malazezo-osmane dhe më tej ballkanike, Mali i Zi kërcënoi malësorët me zi të bukës. Malësorët, duke konsideruar si të vetmen rrugëdalje marrëveshjen e pjesshme të ofruar nga osmanët, u ulën në tryezën e bisedimeve. Të gjendur mes dy zjarresh dhe pa asnjë mbështetje, më 2 gusht 1911 malësorët nënshkruan në Podgoricë marrëveshjen e paqes me përfaqësuesit e qeverisë xhonturke. Fakti që Perandoria Osmane u detyrua të nënshkuante një marrëveshje me malësorët, në sytë e shqiptarëve zhveshi mitin e pathyeshmërisë së saj dhe përgatiti rrugën drejt organizimit të revolucionit kombëtar shqiptar të vitit 1912. Pavarësisht gjithë shpërblimeve, posteve dhe pensioneve të ofruara nga xhonturqit,  Dedë Gjo Luli nuk pranoi të kthehej në atdhe për sa kohë që nuk njihej autonomia e Shqipërisë. Duke qenë se ndërkombëtarët nuk dhanë asnjë garanci lidhur me lëshimet e bëra, Porta nuk do të zbatonte pothuajse asnjë pikë të koncensioneve. Kur  kryengritësit u kthyen në shtëpitë e tyre, xhonturqit iu rikthyen politikës antishqiptare. Ata bënë gjithçka që zbatimi i pikave të marrëveshjes së Podgoricës, që fillimisht iu premtua gjithë sanxhakut të Shkodrës, të kufizohej vetëm në krahinën e Malësisë së Madhe e më pas për malësorët e riatdhesuar nga Mali i Zi. Të ndodhur në një situatë kritike, malësorët do të bëjnë gjithçka që të sigurojnë armë dhe të fillojnë  kryengritjen e radhës për çlirim të plotë nga pushtimi turk. Ndërkohë shtetet ballkanike, duke e vlerësuar autonominë e Shqipërisë si një pengesë për plotësimin e synimeve të tyre pushtuese ndaj tokave shqiptare, vunë të gjitha forcat për ta penguar Kryengritjen e Malësisë dhe për të mos lejuar që ajo të kthehej në kryengritje të përgjithshme. Me ngritjen e flamurit kombëtar në Bratilën e Deçiqit dhe me programin mbarëkombëtar të Greçës u vërtetua se Kryengritja nuk ishte as lëvizje lokale, as fetare dhe as e nxitur nga Mali i Zi. Aq e rëndësishme ka qenë për Shqipërinë Kryengritja e Malësisë së Madhe, sa themeluesi i shtetit shqiptar, Ismail Qemali, do të shkruante lidhur me të: “Trima malësor – shqiptarë që i zbardhen faqen Shqipërisë për gjithë jetën”. Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 tregoi qartazi se ishte një kryengritje e bazuar në idenë kombëtare për pavarësi.Ajo përbën një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë dhe na bën edhe sot të ndihemi krenarë që jemi bijtë e Malësisë heroike. 

Filed Under: ESSE

KRYEMINISTRI RAMA TALLET ME AMERIKËN NË PRANI TË YURI KIM

April 2, 2022 by s p

Me aluzion e cilësoi atë si Sekretare të Partisë së Punës

                                                       Nga Frank Shkreli

A person in a suit and tie

Description automatically generated with medium confidence

Heret ose vonë do ndodhte edhe kjo në Shqipërinë e çudirave. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është tallur publikisht, pa kursyer fjalë as inat ndaj Amerikës, madje edhe në prani të Ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim.  Rasti ishte një ceremoni që u zhvillua me 18 mars në një prej sallave të Universitetit Bujqësor  në Tiranë për nënshkrimin e një marrveshje midis Universitetit të Bujqësisë (UBT) dhe Universitetit të Miçiganit të Shteteve të Bashkuara.   Nëqoftse dikush mendonte se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane — 32 vjet pas rivendosjes së tyre me 15 Mars, 1991 dhe në prak të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Washingtonit dhe Tiranës në fillim të shekullit të kaluar – të pakën duke përjashtuar periudhën e zezë të regjimit të Enver Hoxhës — konsiderohen si diçka e shenjtë dhe se janë aq të veçanta dhe të paprekshme për dy popujt tanë – mendoni mirë edhe njëherë – Think again!

Sidoqoftë, siç shihet nga videoja që pason– Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural | Facebooke – (Shikoni 5-minutat e fundit të videos për subjektin e këtij shkrimi modest), çdo gjë duket se shkoi mirë fillimisht, folën të gjithë që ishin në program të flisnin, përfaqsues të dy universiteteve, si dhe Ambasadorja amerikane, Z. Kim dhe më në fund edhe Kryeministri Rama.  Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, duke e lidhur nënshkrimin e marrëveshjes midis dy universiteteve, me 100-vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, tha: “Nuk mendoj se ka mënyrë më të përshtatshme për të festuar 100 vjet së bashku. Siç shumë prej jush e dinë, janë bërë 100 vjet që kur Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria vendosën, zyrtarisht, marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Dhe është shumë e përshtatshme që, ndërsa festojmë 100 vjet së bashku, ne bëjmë diçka që mishëron vërtet rritjen, aktin e punimit të tokës së bashku, kultivimin e ushqimit së bashku, mbështetjen e njëri-tjetrit. Prandaj ne jemi shumë të kënaqur që shohim nënshkrimin e këtij Memorandumi Mirëkuptimi sot”, është shprehur Zonja Kim.

Por, ndërsa Zonja Kim po fliste me të gjitha tonet pozitive për marrëveshjen dhe për marrëdhëniet dy palëshe, dukej se Kryeministri i Shqipërisë po vlonte brenda vetes, i zemëruar për diçka, me Amerikën.  Rama nuk tregoi se pse ishte aq i trazuar dhe çfarë po e shqetësonte që të ishte aq kritik dhe ironik, deri në tallje, ndaj Shteteve të Bashkuara, por më në fund u “shfry”, nxorri inatin, duke folur rëndë dhe duke ofenduar Amerikën para trupit akademik të universitetit shqiptar, (të cilët zgërthiheshin nga komentet e Edi Ramës si dikur kur Enver Hoxha kritikonte Amerikën në Kongreset e Partisë komuniste), studentëve afganë e shqiptarë, përfaqsuesëve të Universitetit të Michiganit, zyrtarëve të USAID, të cilët sipas gjasave nënshkruan edhe çekun për këtë marrëveshje. Kryeministrit shqiptar nuk ia ndiente fare!  Ai, në fjalën e tij paralajmëroi afganët që të mos “mërziteshin” se “përtej oqeanit”, (në Amerikë) “nuk do t’ju trajtojnë kaq mirë sa ju trajtojnë këtu”.   Se, “SHBA po marrin jo aq (afganë) sa premtuan, por një pjesë, se e kanë një çikë të zakontë që premtojnë shumë dhe bëjnë më pak seç premtojnë, por kur vjen puna tek gjërat konkrete. Por kur vjen puna tek standardet dhe vlerat pastaj aty na japin pa pushim gjatë gjithë kohës dhe nga ato kanë shumë. Ne i marrim me kënaqësi dhe po qe puna për standarde, për vlera, për predikime, i kemi këtu. Nuk ka ditë natë, të na japin me bujari të madhe, ça duhet të bëni dhe kur vjen puna tek gjërat konkrete japin, por një çikë më me kujdes, se nuk kanë të shkretët, nuk janë në pozitë që të japin shumë, s’ka problem. Na vjen shumë mirë që sot jemi të gjithë bashkë këtu, edhe me ambasadoren. Më pëlqeu shumë ajo pjesa që tha rektori, ju garantojmë zonja ambasadore, m’u kujtua koha kur vinte sekretari i partisë dhe thoshte ai dekani vjetër, ju garantojmë se do punojmë që partia dhe populli të jenë krenarë për ne. Edhe ne ju garantojmë, patjetër. Faleminderit shumë, këto kisha unë dhe suksese, rroftë miqësia shqiptaro-afgane”, ka uruar me ironi Rama, me këtë rast.

Yuri Kim: “Çfarë nuk shkon me ty?” (What’s wrong with you”), ka reaguar Zonja Kim, shoqëruar me të qeshurat e saja, megjithëse nuk kishte asgjë për tu qeshur pas ironizimit dhe kritikave të Edi Ramës ndaj marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. “Jam e sigurt që nuk ishte përkthimi korrekt. Dëgjova diçka të çuditshme”, ishte reagimi i Zonjës Kim, në vend që të kundërshtonte fjalët ofenduese të Edi Ramës kundër Amerikës dhe të mbronte nderin e vendit që ajo përfaqëson si dhe ndihmat (financiare dhe të tjera) që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë dhe japin për Shqipërinë, jo vetëm këto 30-vite tranzicion, por edhe gjatë 100-viteve të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Pasi siç është shprehur dikur Fan Noli, Shqipëria është një vend që, “i ka aq shumë borxh Amerikës”.  

Pa asnjë përgjigje të mëtejshme nga Zonja Kim, këtu përfundoi ofendimi publik i Kryeministrit Rama ndaj Shteteve të Bashkuara dhe ndaj Zonjës Kim. Unë kam qenë kritik i Zonjës Kim për shumë gjëra të veprimtarisë së saj në Tiranë gjatë dy viteve të kaluara, sidomos për perceptimin e një numri të madh shqiptarësh, si dhe të opozitës), e të qenit palë me qeverinë Rama për shumë çeshtje, përfshir mos dënimin e krimeve të komunizmit dhe mospërballimin e Shqipërisë me të kaluarën e sajë komuniste, ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste evropiane. Koha po e tregon se kisha të drejtë.  Bazuar në miqësinë e ngushtë që mund të kenë këta të dy si shokë ose miq, mund të jetë që Edi Rama i justifikon këto ofendime ndaj Zonjës Kim dhe SHBA-ave si diçka midis nesh, ose si bisedë kafeneshë.  Por sa për kujtesë: Në atë tubim, Zonja Kim ishte përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Zonja Kim nuk ishte aty si, “Sekretare e Partisë së Punës”, së Shqipërisë, siç aludoi Rama.  Normalisht, në Shqipëri, ajo as nuk duhet të flasë në emër të ndonjë partie, personi ose interesi tjetër, përveç Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendit që përfaqëson. 

Prandaj, si një shtetas shqiptaro-amerikan, — në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane – i bëj thirrje Z. Rama, t’i kërkojë falje Zonjës Kim dhe nepërmjet saj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Gjuha që përdori në takimin e 18 marsit 2022, publikisht, kundër Shteteve të Bashkuara, nuk është e përashtatëshme, diplomatikisht, as e denjë për një Kryeministër të Shqipërisë. Si udhëheqës i Shqipërisë (një vend mike e Shteteve të Bashkuara), është turp të talleni dhe të ironizoni me Amerikën, ashtu siç bëtë në tubimin e 18 marsit, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, gjatë nënshkrimit të marrveshjes së re midis dy universiteteve në fjalë — Shtetet e Bashkuara – Shqipëri — sidomos kur bie në përvjetorin e 100-të të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Me këtë rast mungonte, fatkeqësisht, edhe reagimi i duhur i Zonjës Kim. “What’s wrong with you”, nuk mjaftonte me këtër rast. 

Në këtë ndërkohë, Ambasada amerikane në Tiranë dha një lajm të mirë për marrëdhçniet amerikano-shqiptare, duke njoftuar këtë javë se vlefshmëria e vizave për aplikantët shqiptarë të kualifikuar për viza të reja turistike dhe biznesi në Amerikë do të zgjatet nga 3 vjet në 10 vjet, gjë që do të thotë se vizat turistike dhe të biznesit të dhëna pas ditës së sotme, do të jenë të vlefshme për udhëtime deri në vitin 2032. Jam dakort se, ashtu siç thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë, ky është një lajm i jashtëzakonshëm ndërsa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.  Është ky një lajm që u prit me kënaqësi edhe nga të gjithë shqiptarët kudo, përfshir komunitetin shqiptaro-amerikan, në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.  

Por ky lajm i mirë nuk largon aspak shijen e keqe që lanë në gojët tona kritikat dhe ironia e Edi Ramës në llogari të Amerikës, në cedremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes midis Universitetit Shtetëror të Miçiganit dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës me 18 mars, 2022 – ku ishin të pranishëm Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim dhe Kryeministri Edi Rama.  Fatkeqësisht tubimi u shëndërrua në një skenë të turpshme dhe ofenduese për marrëdhëniet midis dy vendeve tona në këtë 100-vjetor të vendosjes së tyre në vitin 1922. Nuk më mbet tjetër veçse të bej thirrje: Mos u tallni me marrëdhëniet amerikano-shqiptare, sidomos në një përvjetor si ky.  Dhe mos ofendoni Shtetet e Bashkuara dhe popullin amerikan me mosmirënjohjen tuaj arrogante ndaj të gjithave që Amerika ka bërë për Kombin shqiptar gjatë më shumë se 100-viteve të kaluara.  Mirënjohja është një virtyt civil dhe shoqëror. Populli amerikan është i durueshëm — duron dhe falë, por as nuk harron. 

Për shumicën e shqiptarëve kudo – e sidomos për komunitetin shqiptaro-amerikan — marrëdhëniet midis popullit amerikan dhe shqiptar — janë të shenjta për shumicën e shqiptarëve kudo.  Prandaj, ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes midis Universitetit Shtetëror të Miçiganit dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës me 18 mars, 2022 — me pjesëmarrjen e Kryeministri Rama dhe Ambasadores amerikane në Tiranë – u këthye në një skenë të turpshme, ofenduese dhe jo diplomatike ndaj Amerikës!  E padenjë për dy kombet tona mike që nuk krijon një atmosferë aspak të mirë në marrëdhëniet dypalëshe, sidomos në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, një jubilar historik që meriton të festohet nga të gjithë ne.

Por, njëkohësisht, mos harroni se shumë shqiptarë kanë dhenë jetën për këto marrëdhënie midis dy kombeve tona, shumë janë dënuar dhe ekzekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, vetëm e vetëm sepse mbronin vlerat, liritë dhe demokracinë amerikane, ose thjeshtë, vetëm e vetëm se dëgjonin Zërin e Amerikës gjatë viteve. Të pakën ndaj këtyre viktimave të komunizmit – për hir të së vërtetës – të tregohet pak më shumë respekt për këto marrëdhënie, të pakën në publik dhe në këtë 100-vjetor! 

Frank Shkreli

Video e plotë e ceremonisë e datës 18 mars, 2022

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural | Facebook

Logoja zyrtare me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve amerikano-shqiptare

May be an image of text

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 181
  • 182
  • 183
  • 184
  • 185
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT