• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ME MIKUN TONË JOSEPH J. DIOGUARDI NË NEW YORK

January 31, 2022 by s p

Nga Jusuf Buxhovi/

Takimet me mikun tonë, ish kongresmenin amerikan dhe kryetar shumëvjeçar i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, arbëreshin Joseph J. DioGuardi, paraqesin një përjetim të veçantë, meqë ato ndërlidhen me rolin dhe rëndësinë e personalitetit që i dha impulset më të fuqishme agazhimit të SHBA-ve për çështjen e Kosovës nga fundvitet e tetëdhejta, ato të nëntëdhjeta e deri te pavarësia e saj. Në këtë zhvillim historik ndër më të rëndësishmit, DioGardi, bashkoi komunitetin shqiptaro-amerikan në dobi të çështjes së Kosovës dhe, njëherësh, ndikoi që një numër i madh senatorësh dhe kongresmenësh amerikanë të sensibilizojnë politikën amerikane në përkrahje të saj në të gjitha fazat, gjë që u pasqyrua me ndërhyrjen ushtarake të marsit-qershorit të vitit 1999 ndaj forcave policore dhe ushtarake jugosllave si dhe në proceset që çuan të pavarësia e saj, ku politika amerikane pati fjalën kryesore. Miku ynë DioGuardi, nuk reshti së punuari për Kosovën edhe pas shpalljes së pavarësisë së saj.Gjatë takimit të sotëm, theksoi se roli i lobit shqiparo-amerikan edhe mëtutje mbetet i rëndësishëm, që të ruajë, po edhe të thellojë lidhjet me senatorët dhe kongresmenët amerikanë, në mënyrë që ata t’i ketë përkrah kur po përballohet me sfidat e dialogut me Serbinë.

Filed Under: ESSE

NDERIM PËR MJESHTRAT

January 29, 2022 by s p

Presidenti i Republikës së Shqipërisë nderon artistë dhe sportistë të shquar shkodranë.

Nga Ramazan Çeka 

Fillimi i Vitit të Ri solli për artistët dhe sportistët shkodranë një eveniment të rëndësishëm, sepse më të spikaturit e tyre për veprimtarinë e gjatë e të suksesshme artistike e sportive u vlerësuan nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. 

   Në sallën e Këshillit Bashkiak të qytetit të Shkodrës të tejmbushur jo me këshilltarë, por me një publik të mrekullueshëm nga Shkodra, Malësia e Madhe, Dukagjini dhe të gjitha trevat shqiptare, pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar u nominuan emrat e më të shquarëve ndër vite dhe u akorduan për ta titujt e lartë, të cilët iu dorëzuan me dorën e tij nga vetë Presidenti. 

   Të gjithë të dekoruarit me fjalë zemre dhe shumë emocion shprehen falenderimin për vlerësimin e punës së tyre. Një ndër ta isha edhe unë, që sot u nderova me titullin “Mjeshtër i Madh”. 

   Ceremonia e dekorimit filloi me dhënien e titullit të lartë “Nderi i Kombit” këngëtarit të shquar dhe të paharruar të këngës popullore shkodrane, bilbilit të “Ahengut Shkodran” Shyqyri Alushi (pas vdekjes), një vlerësim që tregon se ky kollos i këngës popullore do të jetë përjetësisht nderi i artit dhe kulturës sonë kombëtare. Në vazhdim nga fusha e artit dhe kulturës u nderuan me titullin “Mjeshtër i Madh” Agron Dizdari, Merita Smaja, Nimet Salabegu, Adnan Bala, Ilmi Kurti dhe Mhill Çun Gjonaj (pas vdekjes), një nga rapsodët më të shquar e të spikatur të Veriut të Shqipërisë, një nga zërat më autentikë të çiftelisë, krijues dhe instrumentist virtuoz, i cili ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme për folkorin dukagjinas e më gjerë. 

   Ndërsa nga fusha e sportit titulli “Nderi i Kombit” iu akordua ish trajnerit të shquar të atletikës, mësuesit të palodhur të shumë e shumë brezave Feti Dizdari (pas vdekjes). Më pas u dorëzuan edhe dhjetë tituj të tjerë “Mjeshtër i Madh” të akorduar për sportistë e tranierë të disiplinave të ndryshme. Me këtë titull të lartë u dekoruan Artenca Tufi dhe Millojka Vaso, Ismet Hoxha, Selami Dani, Viktor Jubani, Nikolin Qyrsaqi, Ferid Borshi, Fatmir Axhani si dhe Millan Vaso dhe Artan Bushati (pas vdekjes). 

   Paqyrimi i këtij evenimenti në këtë shkrim më shoqëron edhe mua me emocione të forta, pasi një datë tejet e rëndësishme u shtua sot në kalendarin e jetës time, një datë dhe ditë e paharrueshme, në të cilën u ndjeva shumë i plotësuar dhe shumë i vlerësuar për marrjen e titullit “Mjeshtër i Madh” të akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta, dekoratë të cilën ai ma dorëzoi me dorën e tij sot në ambjentet e Bashkisë Shkodër. 

   Siç e përshkrova edhe më lart gjithçka filloi në sallën e Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Në mes të gjithë atyre të pranishmëve unë u ndjeva njeriu më i lumtur dhe më i nderuar, jo vetëm për vlerësimin, por edhe për vendin që më rezervuan në krah të Presidentit, duke më radhit mes të njerëzve të shquar, jo vetëm të qytetit tonë, por të mbarë Shqipërisë.

   Për mua do të mbetet i paharruar ai moment kur z. Ilir Meta citoi publikisht vargjet e mia: “Amerikë ëndrra e Botës, nuk i ke vlerat e Shkodrës”.

   Këtë vlerësim pune dhe kontributi të dhënë ndër vite si poet dhe publicist, ua dedikoj atyre që më çmuan dhe më propozuan në emër të institucionit të Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë me Kryetar z. Aleksandër Çipa, si dhe z. Gaspër Marku Kryetar i Unionit të Gazetarëve të Qarkut Shkodër. 

   Kjo punë e gjatë dhe e vazhdueshme, me vështirësitë e veta, ka ardhur si një ngacmim shpirtëror duke zgjuar brenda meje atë pasionin e kahershëm të viteve rinore, ku edhe pata prekur sukseset e para të profesionit, pasi gjatë gjithë jetës sime fizikisht e shpirtërisht kam qenë i lidhur mbas fushës së artit e kulturës dhe artikulimit të fjalës së shkruar, që më ka frymëzuar gjithmonë. Këtë pasion të brendshëm, e zgjova, e riktheva dhe e bëra të prekshëm, konkret, nëpërmjet krijimtarisë sime poetike dhe publicistike. 

   Ashtu si gjithë misionarët e artit edhe unë hyra në këtë rrugë me guxim, por dhe i bindur në aftësitë e mia, të cilat e kishin prekur suksesin qysh në moshën 20 vjeçare. Edhe pse kam qenë më pak aktiv për disa vite, u riktheve me një siguri e vetbesim të madh, se do jem përsëri në gjëndje të korri suksese, gjë që edhe ja dola. Mora parasysh çdo gjë, edhe vështirësitë që mund të më dilnin përpara, por hap pas hapi, falë punës këmbëbgulëse, u ndjeva më i sigurtë dhe më i vlerësuar, jo vetëm nga të gjithë kolegët, por edhe nga të gjithë artistët bashkëpunëtorë, një motiv më shumë ky, që unë të vazhdoj në këtë rrugë. 

   Duke lënë mënjanë modestinë, më duhet të them se, që në fillim, kisha një dëshirë dhe një peng që duhej ta shfaqja, por edhe ta realizoja. Kisha vënë re se në mediat e shkruara, por edhe ato vizive mungonte pasqyrimi i jetës dhe krijimtarisë të gjigandëve të skenës dhe të letrave dhe unë i vura detyrë vetes, që krahas krijimtarisë poetike, të merresha me këtë fushë e ta plotësoja këtë boshllek të madh. Dhe kështu fillova të botoj me radhë artikuj në shtypin e përditshëm për këto personalitete, artikuj që nuk ishin vetëm shkrime informative, por më tej edhe hulumtime biografike duke sprovuar kështu të portretizoj secilin prej tyre si njerëz dhe si artistë të shquar. 

   Ndihem shumë krenar që në faqet e gazetave, në rubrikat kulturore e artistike, kam botuar për ta, por edhe kam bashkëpunuar në krijimtarinë time me pjesën më të madhe të artistëve të shquar të skenës e ekranit. Dhe ata nuk janë pak. Ata janë gurë të çmuar në gjerdanin e artit e kulturës shqiptare. Ata janë kollosët e të gjithë brezave, artistë që kanë lënë gjurmë jo vetëm në Shkodër, por edhe më gjërë, duke filluar me dramaturgun e madh Fadil Kraja, muzikologun e shquar Ferid Bala, studiuesin dhe drejtuesin e artit dhe kulturës Isa Alibali, me këngëtarët virtuozë shkodranë Bik Ndoja e Shyqyri Alushi, legjendat e këngës shqiptare nga Kosova Nexhmije Pagarusha dhe Ismet Peja, e duke vazhduar më pas me një brez më të ri, me “Mjeshtrat e Mëdhenj” të këngës: Bujar Qamili, Bashkim Alibali, Frederik Ndoci, Myfarete Laze, Vjoleta Zefi, Mukades Çanga, Merita Halili, Shkurte Fejza, Valbona Mema, si dhe me këngëtarët e mrekullueshëm Fatmira Breçani, Artiola Toska, Shkëlzen Jetishi, Nikollë Nikprelaj, Shaban Gjekaj, Albërije Hadërgjonaj, Nik Çarku, Demir Zena, Selami Kolonja, Alma Velaj, Hajro Pepaj, Ymer Bajrami, Visar Peja, Edi Furra, Edi Ermeni, Afërdita Demaku, Gëzim Salaj, Hajro Ceka etj. 

   Bashkëpunim të frytshëm e të suksesshëm kam pasur edhe me kompozitorët më të njohur në Shqipëri e Kosovë: “Mjeshtrat e Mëdhenj” Prof. Zef Çoba, Edmond Zhulali, Kolë Susaj, Skender Doshlani, Shpëtim Saraçi, Mark Kaftalli, Kujtim Alia, Edi Balili, Alban Furtuna, Gjergj Leka, Fatmir Lela, Sabah Bytyçi, Pranvera Badivuku, Florent Boshnjaku, Ilir Shaqiri, Valton Beqiri, Raif Hyseni, Nexhat (Wirusi) Mujovi, Burim Krasniqi, Behar Neli, Gëzim Mneri, Ilir Balla, Tonin Tarnaku, Ilir Zoga, Roland Guli, Gazmen Kraja, Zyhni Beqiraj, Luan Dagistani, Andi Unaza, Zaim Merkulaj, Artion Qamili, djali im Arsidi etj, për të vazhduar me aktorët gjigantë të skenës shqiptare Paulin Preka, Ymer Bala, Zyliha Miloti, Gëzim Kruja, Zef Deda, Besnik Çinari, Drande Xhaj, Sandër Ruçi, Edmond Halili e shumë të tjerë. Në gjithë këtë galeri emrash të artistëve të shquar zë vend edhe një shkodran i thekur, kompozitori dhe regjisori i Radio Televizionit Shqiptar Osman Mula.  

   Në punën time i kam kushtuar vëmendje të madhe edhe aktiviteteve të shumta e të larmishme kulturoro-artistike të zhvilluara jo vetem në Shkodër e në gjitha Trojet Shqiptare, por edhe në Europë e deri në Amerikë. Gjithashtu duhet të permend edhe realizimin e disa dokumentarëve si skenarist, realizime që  janë mirëpritur me vlerësime, jo vetëm nga publiku, por edhe nga kolegët e kësaj fushe. 

   Për gjithë këtë punë të pamatshme ndjehem tejet i lumtur, por edhe krenar, pasi jam vlerësuar, jo vetëm nga lexuesit e thjeshtë, por edhe nga personalitete të artit, kulturës dhe fushave të tjera sociale dhe jam i bindur që kam përmbushur atë obligim që i kisha vënë vetes. 

   Ky vlerësim natyrisht është edhe nota më e lartë që kam marrë në jeten time, për çka së pari dua të falenderoj familjen time për mbështetjen, por edhe miqtë e bashkëpunëtorët e shumtë shkodranë e më gjërë, pasi rrethi i bashkëpunimeve të mia është i shtrirë në të gjithë Shqipërinë, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi e deri në Amerikën e Largët. 

   Falenderoj nga zemra për mbështetjen profesionale dhe vllazërore Mjeshtrin e mjeshtrave, të pavdekshmin prof. Fadil Kraja, si dhe mikun tim të mirë mëndjendritur, mjeshtrin e pendës dhe të penelit, profesorin e letërsisë Osman Kozmaj. Një falenderim të veçantë kam për dy gazetat e përditshme: “Telegraf”, “Dita” dhe “Nacional”, por edhe për gazetën “Bota Sot” në Europë dhe gazetën “Dielli” në Amerikë, të cilat u bënë për mua tribuna nga ku unë përcolla idetë dhe mendimet e mia si gazetar. 

   Çdo njeri ndjehet i lumtur kur një ditë sheh se puna e tij është vlerësuar. Kjo lumturi erdhi edhe tek unë sot, kur Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta më akordoj titullin “Mjeshtër i Madh” duke u shprehur me fjalët: “Artisti, poeti që do të vlerësojmë tani është Ramazan Çeka, një personalitet me kontribute të shumta, veçanërisht në fushën e artit muzikor. Gjatë punës së tij disa dekadëshe Ramazan Çeka është autor i mijëra teksteve të shumë këngëve, që janë kënduar në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në trojet shqiptare. Ramazan Çeka është një nga poetët dhe publicistët më të shquar të qytetit të Shkodrës, i cili me penën e tij ka pasqyruar dhe përçuar vlerat kombëtare, në të gjitha trevat shqiptare dhe nëpër botë. Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për kontributin dhe vlerat e tij si poet e publicist kam kënaqësinë të vlerësoj Ramazan Çekën me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: Zotit Ramazan Çeka: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin dhe vlerat e mëdha krijuese si poet, publicist dhe tekst-shkrues i muzikës popullore dhe qytetare shkodrane, e cila këndohet nga shqiptarët, anembanë botës, si dhe për bukurinë e fjalëve dhe të melodisë së saj.” Ky vlerësim nuk është për mua vetëm një çmim për t’u krenuar që ma pasuron jetën time, por një obligim dhe stimul për të punuar, pasi pesha e tij më shton përgjegjësitë për të dhënë akoma më shumë nga vetja, që këtë punë krijuese, studiuese, e propoganduese ta çoj më tej, sepse sot shoqëria jonë ka nevojë të informohet për gjëra të bukura, larg “kronikave të zeza”, larg debateve politike, që sjellin pesimizëm, cilësi që populli ynë nuk e ka as në gen, as në gjak.

   Artistët e mëdhenj me veprat e tyre, me artin e tyre e ushqejnë shpirtërisht shoqërinë njerëzore dhe veprat e tyre do t’i pasqyroj gjatë gjithë jetës sime.

   Faleminderit të gjithë atyre që kontribuan në dhënjen e këtij çmimi e në veçanti mirënjohje të përzemërta Shkëqesisë së Tij z. Ilir Meta, President i Republikës së Shqipërisë. Një falenderim akoma më të përzemërt kam për deputetin e Qarkut Shkodër z. Agron Çela, i cili bëri të mundur që gëzimit tim t’i shtonte edhe nderimin e ardhjes së Presidentit të Shqipërisë në sofrën që familja ime shtroi në Shirokën e bukur buzë Liqenit për miqt e mi të nderuar Anila Basha, Engjell Ndocaj, Ben Tafili, Bujar Qamili, Nikollë Nikprelaj, Edmond Ndou, Linda Kavaja, Osman Kozmaj etj.

   Edhe kjo drekë kaloi me një atmosferë të këndshme, ku vetë Presidenti e ndjeu veten si një prej nesh, duke u bërë pjesë e këngëve të bukura që sollën këngëtarët e mrekullueshëm Bujar Qamili e Nikollë Nikprelaj, i bindur se qejfi bëhet me shkodranë.

   Ky eveniment u ndoq dhe u transmetua nga televizionet lokale dhe ato kombëtare. 

   Mirënjohje të përjetshme të gjithëve! 

   Janar 2022                                                                            

Filed Under: ESSE

ZËRI UNIVERSAL KUNDËR TOTALITARIZMIT – ISMAIL KADARE

January 28, 2022 by s p

86-VJETORI I LINDJES

Xhelal Zejneli

“Si çdo shkrimtar i madh, Eskili ishte i ndërgjegjshëm se, në krahasim me një  zyrtar –  të mesëm apo të lartë – që përfaqësonte shtetin, ai ishte një princ, dhe jo vetëm i artit, por i gjithë kombit të vet. Si i tillë, ai qëndronte më lartë se çdo burrë shteti dhe se fati i Greqisë i rëndonte atij mbi supe më shumë se ç’i rëndonte ndoshta krejt mekanizmit të shtetit grek.”

Ismail Kadare

ISMAIL KADARE (1936- ) – Shkrimtar gjenial, i njohur në përmasa botërore, i përkthyer në 45 gjuhë të botës. Lindi në Gjirokastër. Studioi gjuhën dhe letërsinë në Universitetin e Tiranës. Para vitit 1960 studio letërsinë edhe në Institutin Gorki në Moskë. I martuar me shkrimtaren Elena Kadare (1943- ), e para grua në Shqipëri që botoi një roman të plotë – “Një lindje e vështirë”, Tiranë, 1970. Kanë dy vajza – Gresën dhe Besianën. Në fund të vitit 1990, bashkë me familjen u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Paris. Lidhjet me atdheun nuk i ndërpreu kurrë. Është një ndër shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit XX. 

*   *   *

Kadareja nuk ka qenë as shkrimtar oborri, as eksponent i regjimit dhe as konformist. Përkundrazi, ai ka qenë disident i heshtur. Kudo në veprat e tij, regjimin diktatorial e sulmon në formën e alegorive. Vepra e tij duhet të vlerësohet nga një pikëpamje tërësisht letrare, pra me kritere estetike. Fuqia e realizmit socialist ishe e pamjaftueshme përpara një talenti, siç ishte Kadare. Kadare krijoi një vepër me karakter universal, por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Veprat e tij janë pasqyrim i peripecive të jetës politike shqiptare. Ai është zëri universal kundër totalitarizmit.

Për krijimtarinë e vet letrare Kadareja është shpërblyer me çmime letrare ndërkombëtare prestigjioze dhe me dekorime, në shumë vende të botës: në Francë, në Britani të Madhe, në Spanjë, në Itali, në Austri, në Izrael, në ShBA etj. Është vlerësuar lart dhe është dekoruar edhe në Kosovë. 

Çmimet dhe titujt më prestigjioz me të cilët është dekoruar Kadareja: 

–  Prix Mondial Cino Del Duca, Francë 1992; 

– Në vitin 1996 Kadareja u shpall anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës;

– Presidenti i Shqipërisë e dekoroi me Urdhrin “Nderi i Kombit”;

– Çmimi Bokacio, Itali 1997;

– Herder Prize, Austri 1998;

– Ovid Prize, Rumani 2003; 

– Man Brooker International Prize, Britani e Madhe, 2005; kandidatë për këtë çmim ishin edhe nobelisti gjerman Gynter Gras (Gunter Wilhelm Grass, 1827-2015), nobelisti kolumbian, i famshmi Gabriel Garsia Markez (Marquez, 1927-2014), nobelisti japonez Kenzaburo Oe (1935-) i lauruar me Çmimin Nobel më 1994. 

– Çmimi Princ of Asturias Awards për artet, Spanjë 2009; ishin 31 kandidatë nga 25 vende të botës;

– Çmimi Lerici Pea, Itali 2010;

— Çmimi i Jerusalemit që në qarqet letrare botërore njihet si pararendës i Nobelit për letërsi, Izrael, 2015;

– Në vitin 2017 u nderua me titullin prestigjioz Komandant i Legjionit të Nderit, titull ky që e rendit Kadarenë në mesin e 250 personaliteteve më të shquara të botës;

– Çmimi “Nomino” në qytetin Udino të Italisë, 2018; 

– Çmimi ndërkombëtar për letërsi Neustadt, i njohur si Nobeli amerikan, Oklahoma, ShBA, 16 tetor 2019;

– Më 31.12.2019 Presidenti i Francës Emanyel Makron ia jep titullin Oficer i Madh i Legjionit të Nderit;

– Çmimi Pak Kyongui, Korea e Jugut, 2019 (në mesin e 350 anëtarëve); etj.

*   *   *

Veprat – Ka shkruar poezi, tregime, ese dhe romane. Ka shkruar edhe sprova, studime letrare, kritika, përshtypje udhëtimesh. Është edhe autor përkthimesh. Më 1961, bashkë me Dritëro Agollin (1931-2017) dhe me Fatos Arapin (1930- ) solli risi në poezinë shqipe: F. Arapi me përmbledhjen Shtigje poetike, Tiranë 1962, D. Agolli me përmbledhjen poetike Hapat e mia në asfalt, Tiranë 1961 dhe Kadareja me përmbledhjen Shekulli im, Tiranë 1961. Që të tre, realizuan qëllime estetike, të ndryshme prej poetëve paraardhës.

Vëllimet poetike të Kadaresë: Frymëzime djaloshare (1954), Ëndërrime (1957), Ëndërr industriale (1960), Shekulli im (1961), poemat epiko-lirike Poemë e blinduar (1962), Përse mendohen këto male (1964), Shqiponjat fluturojnë lart (1966), Shqipëria dhe tri Romat; vëllimet Motive me diell (1968), Koha (1976). Në një përmbledhje me titull Pa formë është qielli janë përfshirë 100 poezitë dhe poemat e Kadaresë.

Në pjesën më të madhe të poezive të tij, përdori vargun e lirë. Në poezinë intime, poeti flet me të dashurën që është larg tij. 

Në poezinë e Kadaresë mbizotëron miti i së kaluarës. Poeti evokon lavdinë e dikurshme. Poezia e tij është thuajse përherë optimiste, sidomos tema e qëndresës shumëshekullore të popullit shqiptar në rrugën e tij të gjatë. Poezia e tij hyjnizon historinë kombëtare, qëndresën epike të shqiptarëve, tokën e të parëve, gjuhën shqipe. Himnizon qëndresën në motin e madh – në epokën e Gjergj Kastriotit. Himnizon periudhën e humanizmit evropian. Në poezinë Balada e zhvarrimit flet për fatin e shqiptarëve pas vdekjes së Gjergj Kastriotit. 

Shqiptarët, popull vazhdimisht në rrudhje.  

PROZA 

Romani Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Tiranë 1963 flet për një gjeneral të një vendi të huaj, të shoqëruar nga prifti, i cili vjen në Shqipëri, në fushëbetejat e saj, për t’i mbledhur eshtrat e ushtarëve të vrarë. Këta ushtarë kishin ardhur në Shqipëri për ta pushtuar atë dhe për ta nënshtruar, por aty kishin gjetur vdekjen.

Më1965, në revistën Nëntori u botua romani i shkurtër Përbindëshi. Vepra ra viktimë e censurës staliniste. Libri u ribotua pas një çerek shekulli në Prizren 1990 dhe Tiranë 1991. Përbindëshi në fjalë nuk ishte veçse kali i Trojës para portave të Ilionit, por këtu – përbindësh në përthyerjen e kohës. Për kritikën zyrtare, romani mund të kishte aludime politike.   

Vitet 1966-1969 janë vite të “Revolucionit Kulturor”.  Vepra Lëkura e daulles (1967) u botua në revistën “Nëntori”, për të dalë si libër më vete me titullin Dasma. Romani Dasma, Tiranë 1968, me vlera artistike të kufizuara, trajton temën e emancipimit të femrës. 

Në vitet ‘70, Kadareja i kthehet prozës historike.  

Romani Kështjella, Tiranë 1970 është vepër e qëndresës historike të shqiptarëve, përmendore e heroizmit kombëtar. Kadareja i kthen sytë nga mesjeta shqiptare. Kemi rrethimin e një kështjelle shqiptare nga një ushtri turke prej 70.000 vetash. Ngjarja zhvillohet në shek. XV, në epokën e Gjergj Kastriotit. Autori pasqyron rrethimin nga turqit të një kështjelle mesjetare shqiptare, që simbolizon Shqipërinë në fushatat e Perandorisë Osmane për ta nënshtruar atë. Shqipëria shihet me sytë e një të huaji – pashait turk. Vepra drejtohet kundër pushtuesve të huaj. Kemi qëndresën e arbërve të shekullit XV. Kështjella simbolizon qëndresën, rrethimin ose ngujimin (izolimin). Ky roman të kujton romanin Il deserto dei Tatari, Milano 1940 (Shkretëtira e tatarëve) të romancierit, tregimtarit dhe dramaturgut italian Dino Buxati (Dino Buzzati, mbiemri paraprak Buzzati-Traverso, 1906-1972).  

Më 1967 doli vepra Qyteti jugut. Më vonë, Qyteti i jugut shërbeu si bazë për lindjen e romanit Kronikë në gur, Tiranë 1971 me 18 kapituj dhe një epilog. Në të flitet për Gjirokastrën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më 1975 u botua në Tiranë romani Nëntori i një kryeqyteti. Këtu bëhet fjalë për luftën e partizanëve kundër pushtimit gjerman në Tiranë më 1944.  

Romani Dimri i vetmisë së madhe, Tiranë 1973, flet për prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Është vepër me përmasa historike e politike. Është një analizë psikologjike e gjendjes së shoqërisë gjatë periudhës totalitare. Pas një rishikimi të autorit, në vitin 1977 doli në Tiranë me titullin Dimri i madh.      

Dimri i vetmisë së madhe duhej të ishte libri i dytë i triptikut “Koha e grindjes”, një sagë bashkëkohore mbi tre acarimet e Shqipërisë: me Jugosllavinë, më pas me Bashkimin Sovjetik, e së fundmi me maoizmin kinez. Libri i parë, grindja me jugosllavët, nuk u shkrua kurrë. Pjesa përmbyllëse e diptikut Koha e grindjes, d.m.th. libri i tretë Koncert në fund të dimrit, i shkruar në vitet 1980-1981, ia doli ta shohë dritën e botimit vetëm pas shtatë vitesh. Kritika zyrtare e cilësoi romanin si vepër antisocialiste që satirizonte komunizmin shqiptar dhe atë botëror. Romani u botua më 1988, pak para rënies së komunizmit. 

Romani i parë Qyteti pa reklama është shkruar në Moskë, në vjeshtë të vitit 1959, kur autori ishte 23 vjeç.

Romani Muzgu i perëndive të stepës (1978) është vepër bashkëkohore me elemente autobiografike, si Kronikë në gur. Autori flet për jetën studentore të vet si student në Institutin Gorki të Letërsisë Botërore në Moskë, pak pas prishjes së raporteve ndërmjet Tiranës dhe Moskës. Kemi një histori dashurie të Kadaresë me një vajzë ruse. Kemi dhe një kapitull për shkrimtarin disident Boris Pasternak (1890-1960), autor i romanit Doktor Zhivago (1958). Në vitin 1958, në Perëndim iu dha Paternkut çmimi “Nobel”, por pas një fushate të egër që u ndërmor kundër tij në BRSS, ai refuzoi ta pranonte.  

Romani Daullet e shiut denoncon izolimin e zgjedhur vullnetarisht. Ka qenë titulli fillestar i romanit Rrethimi. Për herë të parë është botuar në vitin 1970.

Në romanin Ura me tri harqe, Tiranë 1978 autori u kthehet fillesave mitike të historisë së Shqipërisë. I jep jetë një legjende shqiptare dhe ballkanike – murimit. Legjenda e murimit të një qenieje njerëzore në themelet e një ure apo të një kështjelle është e përhapur në letërsinë gojore shqiptare. P. sh. legjenda e kështjellës së Rozafës. Autori na jep një Shqipëri me princa, kontë, dukë, ipeshkvinj, udhëtarë të ditur, prelatë të shkolluar. Balada shqiptare është e vetmja në Ballkan që bën fjalë për murimin në kështjellë.

Novela Komisioni i festës (1977 )është një tjetër histori ballkanike. Jemi në Shqipërinë e shekullit XIX, të mbërthyer në darët e Perandorisë Osmane. Më 1830 Mehmed Reshid pasha vjen në Manastir për të shpallur një amnisti për fiset kryengritëse. Gjatë kremtimit të këtij akti, trupat e tij masakruan 500 krerë me familjet e tyre, duke zhdukur kësisoj të gjithë krerët e Shqipërisë së jugut. 

Romanet Muzgu i perëndive të stepës dhe Kamarja e turpit, si dhe novela Komisioni i festës janë shkruar në vitet 1972-1976. 

Romani Pashallëqet e mëdha (1978) flet për pashallëkun e Ali pashë Tepelenës (1741-1822), Luanit të Janinës. Ky e krijoi shtetin e tij autonom në Shqipërinë e jugut dhe mbajti marrëdhënie diplomatike me Napoleonin dhe Perëndimin. Kryengritja e tij u shua nga Porta e Lartë. Në janar 1822, Ali pasha u kap dhe u ekzekutua duke ia prerë edhe kokën në një ishull në liqenin e Janinës ku ishte ngujuar. Kokën e çoi në Stamboll korrieri i mbretëror Tunxh Hatai për t’u ekspozuar për publikun në kamaren e turpit. Në disa botime në gjuhë të huaja, romani mban titullin Kamarja e turpit. 

Shumë tregime dhe romane të shkurtra të Kadaresë janë botuar në tri përmbledhje: Emblema e dikurshme, Tiranë 1977, Gjakftohtësia, Tiranë 1980 dhe Koha e shkrimeve, Tiranë 1986. Dy vëllimet e fundit qenë thellësisht jokonformiste. 

Breznia e Hankonatëve (1977) është roman i shkurtër me 78 episode. Autori vë në dukje zellin, paragjykimet, konfliktet dhe rivalitetet e vogla, arritjet dhe dështimet e kësaj familjeje, duke e ndjekur nga brezi në brez gjatë një periudhe prej dy shekujsh. Është një rrëfim i gjatë, saga e një familjeje të vjetër të Gjirokastrës, shkruar në formë kronike, traditë kjo në kulturën shqiptare që nis me “Rrethimin e Shkodrës” të historianit Marin Barleti (rreth 1450-1512) të shkruar në gjuhën latine.   

Në romanin Kush e solli Doruntinën? (1979) autori zhytet në të kaluarën legjendare të Shqipërisë, në një legjendë. Para nesh kemi historinë e Kostandinit dhe të së motrës Doruntinës. Një grua plakë ka nëntë djem e një vajzë. Tetë nga djemtë i kanë vdekur. Nëna nguron ta martojë larg të bijën. Kostandini ndërkaq ia jep fjalën se do t’ia sjellë të bijën sa herë të dëshirojë e ëma. Kostandini vdes. Nëna digjet nga malli për të bijën. Mallkon të birin e vdekur që nuk e mbajti fjalën, besën. Ndonëse i vdekur, për ta mbajtur fjalën, besën, Kostandini çohet nga varri dhe niset në Boheminë e largët për te motra. Në një natë tetori të mjegullt, Doruntina mbërrin tek e ëma. Por ajo tanimë ishte në agoni. Papritmas, Zonja mëmë dhe e bija Doruntina, vdesin. Kostandini rikthehet për ta trazuar shpirtin e të gjallëve. Kush vërtet ishte personi që e solli Doruntinën?! Me çështjen merret kapiten Stresi, nëpunës i ulët në Shqipërinë mesjetare.  Kjo të kujton romanin e teoricienit, kritikut dhe romancierit italian Umberto Eko (1932-2016) Il nome della rosa (Emri i trëndafilit, 1980).

Romani Prilli i thyer (1978) u botua në vëllimin Gjakftohtësia. Ka ngjashmëri me Kush e solli Doruntinën? Subjekti fillon me një vrasje. Ngjarja zhvillohet në vitet 1930. Gjorg Berisha ka kryer atë që ka kërkuar babai i tij – të vërë nderin në vend duke vrarë vrasësin e të vëllait nga fisi i Kryeqyqes. Kemi të bëjmë me gjakmarrjen të parashikuar me të drejtën zakonore shqiptare – Kanunin e Lekë Dukagjinit. Gjakmarrja kishte fshirë nga faqja e dheut familje të tëra. Gjorgu ndoqi kanunin, duke u bërë edhe vetë viktimë e radhës. E vranë në lule të moshës, në mes të prillit, në muajin e pranverës, muaj i jetës. Prilli i thyer është ekranizuar tri herë në versione kinematografike të ndryshme. I fundmi, i titulluar “Përtej diellit”, është realizuar nën regjinë e regjisorit brazilian Uolltër Sales (Walter Moreira Salles Jr., 1956- ).

*   *   *

Shënim: Kodifikimin monumental dhe botimin e së drejtës zakonore shqiptare, Kanuni i Lekë Dukagjinit, e bëri studiuesi i kulturës shqiptare, i cili la gjurmë në fushën e arkeologjisë, Shtjefën Konstatin Gjeçov-Kryeziu (1874-1929). Gjeçovi ishte i pari folklorist shqiptar që mblodhi letërsinë gojore në një mënyrë më sistematike dhe më shkencore. Në vendbanime të caktuara të Shqipërisë së veriut, përfshirë Laçin rrëzë malësisë së Kurbinit, Gomsiqen në lindje të Shkodrës, Thethin, në cepin verior dhe Rubikun në rrethin e Mirditës – mes fisesh malësore – Gjeçovi mblodhi material për letërsinë gojore, kanunin fisnor, lëndë arkeologjike, si dhe objekte të kulturës popullore.  Kanuni i Lekë Dukagjinit u botua në Shkodër, në vitin 1933, d.m.th. pas vdekjes së Gjeçovit.

*   *   *

Romani Nëpunësi i pallatit të ëndrrave, Tiranë 1981 është botuar edhe si Pallati i ëndrrave. Është konsideruar si kryevepër e Kadaresë. Këtu e kemi botën e Franc Kafkës (1883-1924) dhe të romanit “1984” të Xhorxh Oruellit (George Orwell, 1903-1950). Personazh i romanit është Mark Alemi. Ky caktohet me punë në Tabir Saraj që ndodhet në Stamboll. Kjo zyrë shtetërore e Perandorisë Osmane merret me studimin e ëndrrave. Detyrë e Mark Alemit është të interpretojë ëndrrat për t’u dhënë mundësi autoriteteve osmane të mbysin që në embrion çdo rebelim kundër Perandorisë. Nëpërmjet kësaj vepre autori demaskon edhe regjimet totalitare.

Romani Krushqit janë të ngrirë u botua më 1986 në Koha e shkrimeve. Flet për ngjarjet dhe kryengritjen shqiptare në Kosovë në mars dhe prill të vitit 1981. Kërkesa e shqiptarëve për statusin e republikës brenda Federatës jugosllave u ndesh me vendosjen e shtetrrethimit nga Beogradi. Sipas legjendës, ora e mitologjisë shqiptare i ngrin krushqit para se të arrijnë, në mënyrë që të parandalohet ajo që nuk duhet të ndodhë. Janë dy ditë nga jeta e Teuta Shkrelit, kirurge në një spital të Prishtinës gjatë ngjarjeve të përgjakshme të sipërthëna. Serbët ëndërrojnë kohën e Aleksandër Rankoviqit (1909-1983), i cili është personifikim i gjenocidit serb mbi shqiptarët.   

Edhe romani Viti i mbrapshtë u botua në librin Koha e shkrimeve. Flitet për vitin 1914, vit i rrëmujshëm dhe vendimtar në luftën e shtetit shqiptar të sapolindur, për të mbetur gjallë. Është viti kur mbi qiellin e Ballkanit kaloi kometa e Hale-Bopit. Në Shqipëri mbretëronte rrëmuja dhe jo princi gjerman Vilhelm Vid (1876-1945). Qeveria e Turhan Pashës kontrollonte vetëm një pjesë të territorit të vendit. Ndër shqiptarë kishte përplasje interesash. Po kështu edhe midis francezëve, britanikëve dhe holandezëve. Shtetet fqinje ndërkaq, kishin aspirata ekspansioniste. Forcat greke, serbe dhe malazeze e kishin shkelur vendin. Pas gjashtë muajve princi largohet nga Shqipëria.

Tregimi Sjellësi i fatkeqësisë – Islamo nox (1984) – Sulltani kishte urdhëruar që të gjitha femrat e Perandorisë Osmane të mbuloheshin me perçe. Rrobaqepëse nga dhjetë qytete turke përgatitën gjysmëmilioni perçe për motrat kokëforta evropiane. Perçet u ngarkuan në mushkat e Haxhi Miletit dhe prej Stambolli morën rrugën për në Shqipëri. 

Romani Koncert në fund të dimrit, Tiranë 1988 ka mjaft paralele me romanin Dimri i madh. Kemi një kronikë 700 faqesh. Është një vështrim grotesk mbi shkëputjen e Shqipërisë nga Kina postmaoiste më 1978. Personazhet Besnik Struga, Skënder Bermema dhe Marku tani janë 17 vjet më të mëdhenj se në kohën e prishjes së Shqipërisë me sovjetikët. Si në veprat e tjera, edhe në këtë roman autori përdor gjerësisht simbole. 

Në romanin Dosja H dy studiues fiktivë irlandezo-amerikanë, Maks Roth dhe Vili Norton nisen për në malet e Shqipërisë veriore të paraluftës, me magnetofon në dorë, në kërkim të atdheut të eposit. Të dy folkloristët kanë për synim të hetojnë ekzistimin e një lidhjeje të mundshme ndërmjet poezisë homerike dhe këngëve heroike të kënduara me lahutë nga malësorët shqiptarë. Nënprefekti i zonës ua qep prapa agjentin sekret Dullë Baxhanë për t’i vëzhguar. Popullata vendase dyshon mos të ardhurit nga jashtë janë spiunë? E bastisin selinë e tyre në Hanin e Rrashtbuallit. Pajisjen e tyre, me zërin e incizuar të fshatarëve, e shkatërrojnë. Misioni i tyre në Shqipëri merr fund. Romani në fjalë është një satirë. Ngjarjet zhvillohen në vitin 1930. Autori u jep një goditje anësore edhe prirjeve izolacioniste të autoriteteve të pasluftës.       

Me studimin letrar Autobiografia e popullit në vargje, Tiranë 1971, princi i kombit – Kadare, kërkon të zbulojë rrënjët e legjendave dhe të poezisë popullore që aq shumë e kanë tërhequr në prozën e vet. 

Studimi më i shkurtër Mbi eposin e kreshnikëve (1979) heton prejardhjen e ciklit kryesor të eposit heroik shqiptar që njihet me emrin Këngë kreshnikësh apo cikli i Mujit dhe Halilit. Shtatqin vjet do t’i djeg kullat, i kanoset armikut, heroi kreshnik i eposit shqiptar.  

Në monografinë Eskili, ky humbës i madh, Tiranë 1990, Kadare flet për babanë e tragjedisë antike greke, Eskilin (rreth 525-456 para erës sonë), i cili ka shkruar 80 pjesë. Prej tyre kanë shpëtuar vetëm shtatë. 

Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, Tiranë 1991 është një sprovë për Migjenin (1911-1938) i cili me skicat në prozë dhe me përmbledhjen poetike Vargjet e lira, Tiranë 1936 dhe 1944, i dha fund romantizmit në letrat shqiptare. Në këtë monografi Kadareja shkruan: “Ka diktatura të tmerrshme e djallëzisht të përsosura ku profesioni i shkrimtarit është një mallkim i vërtetë”. Në këtë sprovë Kadareja përfshiu edhe një trajtim të gjerë “të autorëve reaksionarë” të lënë në heshtje nga kritika letrare zyrtare. 

 Ftesë në studio, Tiranë 1990 është botimi i fundit i Kadaresë para largimit për në Francë në vjeshtë të vitit 1990. Libri përmban 32 poezi si dhe përkthime poezish nga greqishtja, kinezishtja, frëngjishtja, rumanishtja dhe rusishtja. Libri përmban edhe refleksione për letërsinë e artet si dhe për ngjarjet aktuale. Autori lanë edhe ca llogari të vjetra me shkrimtarë rivalë. 

Dy muaj para rënies së pushtetit monist, me gruan Eelenën si dhe me dy vajzat, Kadareja iku nga Tirana dhe kërkoi strehim politik në Francë. Motivet e largimit Kadareja i shpjegoi në të përditshmen parisiene Le Monde. 

Nga një dhjetor në tjetrin, Paris, shkurt 1991 është një kronikë që mbulon periudhën nga dhjetori 1989 deri në dhjetor 1990. Libri ka edhe tone sarkastike. Në frëngjisht, libri doli me titullin Printemps albanais, Paris 1991 (Pranvera shqiptare). Vepra është vazhdim i librit Ftesë në studio. Vala e parë e emigrimeve nëpërmjet ambasadave gjermane, italiane dhe franceze në Tiranë, në korrik të vitit 1990 shkakton panik në aristokracinë e kuqe. Kadare botoi edhe letërkëmbimin me presidentin Ramiz Alia në maj 1990. 

Pesha e kryqit, Paris 1991 është vepra e dytë e Kadaresë e botuar në mërgim. Mendohet si vazhdim i librit Ftesë në studio. Të dyja veprat u botuan në një vëllim të vetëm prej 558 faqesh në frëngjishte. Nga një dhjetor në tjetrin, Ftesë në studio dhe Pesha e kryqit formojnë një lloj trilogjie politiko-letrare. Pesha e kryqit zbulon ankthin e Kadaresë gjatë viteve të pushtetit diktatorial. Është autobiografia e një romancieri nën regjimin stalinist i cili boton vepra pa qenë i sigurt për reagimin e gjysmëperëndive të Byrosë Politike. Në këtë libër, autori flet për vuajtjet e veta nën regjimin komunist, por jo edhe për agoninë më konkrete të shumë shkrimtarëve dhe artistëve të tjerë. Mbase kjo, nuk ka qenë qëllimi i veprës.

Romani Piramida është një alegori politike e historike. Gjysma është shkruar në Shqipëri dhe gjysma tjetër në Francë. U botua pjesë-pjesë si tregim në gazetën Rilindja demokratike në janar 1991. Në Paris autori e zgjeroi në roman 17 kapitujsh. Së pari, më 1992, doli në frëngjisht, i përkthyer nga Jusuf Vrioni (2016-2001; është i biri i Iljaz bej Vrionit). Është një rrëfim marramendës i idesë dhe i ndërtimit të piramidës së Keopsit në Egjiptin e lashtë, por edhe i pushtetit politik absolut, e madje i marrëzisë njerëzore. 

“Arkeologu i diktaturës, Kadareja zbërthen hieroglifet e tmerrit që tiranët e të gjitha ngjyrave kanë damkosur në trupin e viktimave të tyre” – thotë zhurnalisti letrar Andre Klavel (André Clavel, 1946-2019).           

Romani Pasardhësi (2006) është shkruar në Paris. Kadareja sjell në kujtesë enigmën e 13 dhjetorit, vdekjen misterioze në dhomën e gjumit të pasardhësit të diktatorit komunist. Në trupin e pasardhësit u gjend një plumb në zemër. Vajza e Agamenonit dhe Pasardhësi përbëjnë një  diptik.  

Tregimi Leximi i Hamletit si dhe dy novelat “Raporti i fshehtë” dhe “Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit”; tregimi Ditë kafenesh është botuar si libër më vete në Amerikë;

Qorrfermani për shkak të subjektit delikat, mbeti i pabotuar;

Hija, Vajza e Agamemnonit, Nata me hënë janë shkruar në vitet 1984-1986 në Tiranë;

Romani Spiritus është shkruar në Francë në vitet 1995-1996. Në të trajtohen njgarje që u përkasin dy kohëve: përpara dhe pas komunizmit;

Romani Lulet e ftohta të marsit është shkruar në Francë në vitet 1998-2000. Është një nga veprat e rralla të autorit, subjekti i së cilës bazohet tërësisht në ngjarjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Është vepra më e pikëlluar e Kadaresë, gati një requiem. Autori del hapur përballë realitetit shqiptar, i zymtë dhe pesimist, për një tokë që e braktisën perënditë. Marsi nuk është veçse i ftohtë. Të ftohta janë dhe lulet.

 Novela Tri këngë zie për Kosovën është shkruar dhe është botuar në prag të shpërthimit të luftës në Kosovë. 

Në Çlirimi i Serbisë prej Kosovës Kadare flet për ndarjen midis shqiptarëve dhe serbëve, për shtrembërimin e historisë nga serbët, për arsyen përse ishte dashur që Serbia të ishte e para që ta njihte pavarësinë e Kosovës.  

Dy romanet e shkurtra Shkaba dhe Çështje të marrëzisë; Shkaba është shkruar në verën e vitit 1995 në Deauville të Normandisë.

Romani Aktori i njohur më parë me titullin “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”;

Kadareja është i pasionuar për tragjedinë dhe për dy përfaqësuesit e saj – babanë e tragjedisë antike Eskilin (Eleuzinë, Atikë, 525-/524 – Gela, Sicili, 456/455 para K.) dhe babanë e tragjedisë moderne Uilljëm Shekspirin (William Shakespeare, 1564-1616). Miku, besa dhe gjakmarrja janë rrotat e mekanizmit të tragjedisë antike.     

Tre romanet e fundit Aksidenti i shkruar në vitet 2003-2004, u botua në frëngjisht nga shtëpia botuese Fayard; Darka e gabuar, Tiranë 2008 dhe E penguara shkruar në vitet 2008-2009;

Sprovat Dantja i pashmangshëm, Hamleti, princi i vështirë dhe Don Kishoti në Ballkan janë shkruar dhe janë botuar pas rënies së komunizmit. 

Ra ky mort e u pamë (1999) është një ditar për Kosovën; sprovat Kushëriri i engjëjve dhe Arti si mëkat; Legjenda e legjendave; Sorkadhet e trembura, një synops i gjerë për tjetër art; dy dialogë të Kadaresë: me revistën “Hylli i Dritës” dhe E vërteta që del nga qilarët me publicistin dhe shkrimtarin francez Stefan Kurtua (Stéphane Courtois, 1947- ) botuar në Odile Jacob si pasthënie e botimit frëngjisht të librit të Prof. Shaban Sinanit; sprova Identiteti europian i shqiptarëve.

Drama Stinë e mërzitshme në Olimp është e vetmja pjesë teatrale e Kadaresë. Autori rindërton trilogjinë e famshme të Eskilit, prej së cilës, pas humbjes së pjesës së parë dhe të tretë, ka mbetur vetëm pjesa e mesme “Prometheu i lidhur”.

Vepra e Kadaresë – princit të kombit – vazhdimisht ka qenë në listën e kandidatëve për çmimin “Nobel”, në emër të letërsisë shqiptare. 

Xhelal Zejneli

Filed Under: ESSE

NJE MENU JU LUTEM!

January 28, 2022 by s p

Prof. Dr. Ylli Pango/

…Kjo ishte nje dyndje e papare. Në universitete u pa e natyrshme të ulej koha e studimit, dhe të jepeshin diploma me afat të shkurtuar. U dhanë fillimisht diploma mujore, e më pas javore. Së fundmi edhe diploma të ditës. Provimet u reduktuan në një: Test smart. Mjafton që profesorit, t’i krijohej bindja, nga sytë, se studenti a kandidati për diplomë zotëronte aftësi potenciale per mjek, president, inxhinier, analist, mesues, valltar dhe diplomohej brenda dites. Pedagoget arrinin t’ja dilnin edhe në rastet kur studenti a i testuari heshttte me kokfortesi. Në keso rastesh diploma jepej per kunj. Prej inotit:”Ti ben sikur nuk e do, po diplomen ke per ta marre pa tjeter Nuk na i hedh dot. E kuptuam që e meriton”. Si rregull, fituesit me pas, i jepej nje kafe dhe pyetej nese ishte i kenaqur me vleresimin.Zgjidhjet ishin kreative, por prape vijonte të kishte dyndje në sportelet e diplomave. Për të lehtësuar edhe më tej njerëzit, njëra nga partitë e forta, shpalli në programin e saj, kalimin në procesin e diplomave me porosi.I takon asaj edhe merita e futjes se konceptit te ri te Menuse se diplomave. Kësisoj secili pasketaj, me menu perpara, mund të porosiste pedagogun e turnit në shërbim( kamarierin akademik), per pjatancen me llojin e deshiruar te diplomës, shoqeruar dhe me garniturën( titullin) përkatëse. Natyrisht kundrejt çmimeve bollshem te arsyeshme përbri.Partia novatore, që më vonë ndrroi dhe emrin per tu quajtur Partia e Dijes, e mbajti premtimin kur erdhi në pushtet. Universitet u pajisen te gjithe me menu dhe pjatanca.Te mahnitur nga gjetja e re, vershuan ketu te eturit per dije nga vendet fqinje te zhvilluara por me pak te ndriçuara. Ata erdhen me bileta vajtje ardhje ditore e u diplomuan vetetimthi ne universitetet tona me te mira me emrat joshes Diamanti, Fasada, Mesdheu, Europa, Amerika, Planeti, Universi…Së fundmi, duke parë se edhe kesisoj, vargu i pafund i njerezve të etur për dije, e uritur per diploma, triploma, mballoma,mastera, doktorata, profesorata etj, vijonte të shumfishohej pa limit, u vendos me akt normativ qeveritar, të hapeshin universitetet fshatare, ato fushore, universitetet e njesive, lagjeve dhe së fundmi ato shtëpiake. Numri i universiteteve në vend po barazohej me shpejtësi me atë të banorëve. Së fundmi vendi mori çmimin special per perqindjen më të lartë të analfabetizmit universitar në botë“Gjithmone e kam pasë ditur, se dija ka qene ushqimi i preferuar i ketyre njerezve” tha ne ceremonine e rastit, kryekamarieri akademik i rradhes…( nga Libri “VIP”- 2007)

Filed Under: ESSE

Dorët

January 27, 2022 by s p


Astrit Lulushi/

Dorianët quheshi njerëz që pranonin e jepnin dhurata. Ata janë kahasuar edhe me hebrenjtë si popull i zgjedhur që mbajti një besëlidhje me Perëndinë dhe iu caktua një Tokë e Shenjtë. Për të arritur në këtë përfundim, antropologu Edward Hall mbështetet në versionin e mitit nga Herodoti i cili thotë se banorët nuk u quajtën “grekë” derisa Dorët arritën në Peloponez.
Një episod tjetër, dhe ndoshta i harruar në historinë e studimeve, është përpjekja për të theksuar etimologjinë e emrit Dorian me kuptimin e ‘dorës’. Kjo, nga ana tjetër, lidhet me një interpretim të simbolit të famshëm në mburojat spartane, që kishte kuptimin e një dore me gishtin e madh të shtrirë, dhe jo atë të shkronjës fillestare të emrit Lacedaimon. Duke pasur parasysh origjinën e legjendës së mburojës spartane, ka pasur përpjekje për të sugjeruar se emri e Dorëve mund të jetë menduar si një konfuzion midis shkronjës L për Lacedaimon dhe imazhit të dorës.
Kur Dorianët morën Greqinë, rreth viteve 1200 pes ata zbritën nga malet e Epirit dhe Maqedonisë. Ishte periudhë e turbullt, thatësira ​​afatgjatë dhe ndoshta sulmet nga njerëzit e detit kishin bërë kërdinë në rajon. Regjimi mikenas, i rënduar nga tërmetet, u shemb. Nëse Dorianët ishin përgjegjës për rënien përfundimtare apo morën kontrollin e vendit që e gjetën të paqeverisur, për këtë historianët janë të pavendosur. E sigurt është se shumë gjëra ndryshuan pas ardhjes së tyre. Popullsia u zvogëlua në mënyrë dramatike për shkak të fatkeqësive të përmendura më sipër.
Tiryns, një kështjellë mikene, u braktis pas rënies së epokës së bronzit.
Shumica e qendrave urbane u braktisën (Mikena në Peloponez dhe Knossos në Kretë u banuan për 100 vjet të tjera). Teba u ribanua mjaft shpejt dhe Athina (për arsye të panjohura) mbeti e paprekur nga të ardhurit (athinasit e periudhës klasike mburreshin për këtë), po ashtu edhe kolonitë mikene në Azinë e Vogël, si Mileti.
Pra, gradualisht u shfaqën qendra të reja urbane; Sparta në Lakoni, Eretria (Lefkandi), Chalkis në ishullin Eubea, dhe harta e Greqisë historike filloi të formohej.
Edhe administrata ndryshoi. Nuk kishte më një mbretëri dhe pallate të vetme. Çdo qytet i pavarur drejtohej nga një njeriu, por institucioni Demos (ose Damos), grumbullimi i qytetarëve, mbeti në përdorim. Demos-i në këtë periudhë ishte një tubim ku mund të bisedonin vetëm të pasurit dhe të rëndësishmit, por gradualisht evoluoi në Demos për të gjithë qytetarët.
Struktura shoqërore dhe feja mbetën afërsisht të njëjta; shoqëria mbeti patriarkale, perënditë olimpike adhuroheshin ende, por megaroni miken (ku mbaheshin ceremonitë fetare gjatë periudhës mikene) evoluoi në tempujt e periudhës historike. Edhe një gjë, ritualet e varrimit u kthyen në epokën para-mikenase; djegia e të vdekurve pushoi dhe varret ishin individuale, jo më varre familjare.
Shkrimi u zhduk për gati 400 vjet. Ai u kthye në rajon rreth vitit 750 pes, si një version i përmirësuar i atij fenikas.
Ekonomia nuk kishte fare puls për shekuj…
Arti gjithashtu ndryshoi në mënyrë dramatike. Artifaktet elegante mikene (sidomos ato me vlerë) ua lanë vendin atyre shumë më pak artistike të periudhës protogjeometrike. Megjithatë, kjo qeramikë më pak artistike ishte e cilësisë më të mirë, pasi ishte e lustruar dhe e bëri të zgjasë pothuajse e paprekur deri në ditët tona.
Kjo qeramikë e avancuar, e vërejtur nga tregtarët fenikas, filloi të eksportohej dhe kështu ekonomia, pasuria dhe më në fund qytetërimi klasik u kthyen në rajon.
Gjithashtu, zbritja e Dorëve nga veriu, nga malet e Epirit e Maqedonisë, dhe krijimi i etnosit grek prej tyre, bëri që historianët këto vende të origjinës t’i quanin greke.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 192
  • 193
  • 194
  • 195
  • 196
  • …
  • 606
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT