• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DY FJALE PER PATRONAZHISTET

April 24, 2021 by dgreca

Vetem dy fjali per Patronazhistet…Patronazhistet po veprojne edhe ne SHBA e Kanda…Pervec “rekrutimit” , tash po sulmojne edhe Diellin online dhe Facebook-un nga postohen mesazhe dhe shkrime per te votuar Ndryshimin- nderhyjne ne status, frenojne pelqimet, cenojne privatesine. Besoj se pas te Henes nuk do te jete nevoja te ndryshojme here pas here paswordet pasi te Dielen do te votohet ndryshimi!

Filed Under: ESSE Tagged With: dalip greca, Dy fjale, patronazhistet

PROFECIA E ZISO VANGJELIT

April 22, 2021 by dgreca

– nga Visar ZHITI –

Në nderim të bashkëvuajtësit, të urtit dhe të harruarit të brengosur, Ziso Vangjeli, por dhe të një ideali të përbashkët, në burgologjinë time “Rrugët e ferrit”, krahas portretit kam venë dhe fjalë të tij. “Profecia e Ziso Vangjelit” po quhet, që gjithsesi ka të vërtetën dhe përgjegjësinë time, jo vetëm kujtesën time, pra, unë jam deshmitari i vetëm i saj dhe përkujdesësi i estetikës së atij mendimi të vyer. Që nuk mund të citohet pa përmendur burimin siç shoh në këtë video anonime, ku lexohen të plota dy faqe për Ziso Vangjelin nga libri im, për besueshmërinë e të cilave përgjigjem unë si mbartës i asaj porosie.Po kështu sentenca e mëposhtme: “… nuk jam unë njeri kundër komunistëve, janë komunistët kunder njeriut.” – është pjesë në vazhdim e librit, janë fjalë të autorit, pra të miat. Duke qenë origjinale, një zbulim në përvojën time, nuk mund të përsëriten pa thënë autorin, aq më keq si të tjetërkujt siç bëhet në këtë video. Janë bërë dhe në vepra më të mëdha deri dhe në romane. I them këto për hir të së vërtetës dhe të pronësisë së autorit, korrektesës ndaj hulumtimit, dokumentit dhe respektit ndaj krijimit dhe vetes. Citimi dhe marrja e lejes është detyrim, mbrojtje me ligj e një të drejte. E di që është kohë vjedhjesh shumë më të rënda, por… nuk po zgjatem.Nderkaq gjej rastin dhe përgëzoj mikun tim dhe bashkëvuajtësin tim, personazh dhe ky në burgologjinë time, Esat Myftari, i arratisur dikur nga Kosova dhe që punuam bashkë në diplomaci, i cili në librin e tij memuaristik “Vdekja jote, jeta ime”, dalë së voni, kujton me adhurim Ziso Vangjelin tonë. Po e vazhdojnë dhe bashkëvuajtës të tjerë…Diktaturat kanë shumë frikë nga kujtesa. Dhe nga e vërteta. Dhe nga arti…https://youtu.be/B0iZZOCmViw

Filed Under: ESSE Tagged With: “PROFECIA E ZISO VANGJELIT, Visar Zhiti

SHËRIM TË SHPEJTË KOÇO RISTANI !

April 18, 2021 by dgreca

I dashur Prof. Miho ju uroj shendet e gjithe te mirat ne te lashten Athine .Te lutem kame nje porosi nga Donika Ristani bashkshortja e Kocos .Vite me pare keni botuar nje shkrim per Kocon Mjeshtri I Pastelit .A mundet ta ripublikoni ne gazete perseri (Koco nuk eshte mire shendeterisht ka thuajse 2 vite qe eshte ne situata jo te mira nga Alzheimer. )Une flas shpesh ju e dini qe me teoer jame si nje vella me Kocon dhe ju nje mik I vyer Ndihem I trishtuar askerkujt sdo ja deshiroja kto situata .Nuk hahet dot njeriu me fatin e jetes .Profesor I dashur ju uroj te mira per ju e perhere me vitalitet e frymezues ne botimet tuaja Shendet per ju dhe familjen tuaj Te lutem jepi te fala Jani Zhongos .Jame mire familjarisht Ne kto kohe kame ne proces nje film me animation 

Ju perqafoj 

Me respekt Vlash. New York 16/04/2021

I dashur Vlash Droboniku!,Me dhe nje lajm te trishtuar, nderkohe qe po na ikin miqte tane-artista, nga te mirat qe kemei akoma…Do t’ia plotesj dëshirn Zonjës së tij të nderuar, sa kam jetë edhe unë në kete botë të trishtë! Ndofta qe sonte, Te perafoj me shume mall….

“Mbreti” i Pastelit 

***

NË STUDION E PIKTORIT KOÇO RISTANI 

Nuk e pandehja se në njërën nga rrugicat e Korçës do të përballesha pas aq motesh me një mik të vjetër, piktorin Koço Ristani. Ishte po aq i qeshur e qyfyrexhi si njëherë e një kohë. Dikush e pat quajtur atëherë “Mbret të Pastelit” dhe kjo superlativë nuk më kishte pëlqyer shumë. Korça qe mburrur me një piktor të madh, sikundër qe Vangjush Mio dhe në hierarkinë e vlerave, nuk qe dëgjuar dikush tjetër…Pata thënë me vete se ky përcaktim do të ishte si ato “erashkat” që përdoren dendur në shtypin shqiptar. Piktori, përkundër këtij paragjykimi, m’u duk po ai njeri që kisha njohur më parë në bankat e Institutit të Arteve, po me atë humor që bënte me Nellën (Minella Borovën) dhe po me atë vështrim të përzemërt. 

Në studion e tij do të ulesha rehat-rehat në kolltukun e vetëm, me shumë kënaqësi. Atje mbretëronte një kaos i vërtetë, si një “rregull” i përhershëm që u pëlqen shumë piktorëve. Mbi tavolinën e rrumbullakët vura re romanin voluminoz të Dritëro Agollit “Arka e Djallit”. Hapa fontespicin dhe atje, me habi, më zuri syri një shënim të autorit, me disa rreshta që do t’i kishte zili gjithkush: “Koços, mikut tim të vjetër, piktorit të brishtë dhe elegant, mbretit të pastelit”. Dritëro. 

Vegimi 

Kështu u gjenda në mbretërinë e tij të pasur duke harruar gjithçka, Vështrimi im tani përpinte njërën pas tjetrës tablotë e shumta, ca të ekspozuara, shumica stivë mbi njëra-tjetrën. Një raft i shtrembëruar nga pesha e skicave dhe fletëve plot etyde e ide, një tavolinë e mbushur edhe ajo me albume, ku dallohej një shishe e bardhë me raki mani, siç do të mësoja më pas dhe po ai mjedis i hutuar që endej si pa rrugëdalje. Koçoja qëndronte aty buzëqeshur, me një mjekër të shkurtër të zbardhëllyer tanimë nga “Dëbora “ e fundit, sikur nuk dinte se ku të më vinte që të rrija e të rehatohesha e sikur nuk dinte ç’të më rrëfente më parë, pas asaj mungese aq të gjatë, kur gati e patëm harruar njëri-tjetrin. Pastaj, siç dukej, e mori veten, rrëkëllyem të dy gotat me atë lëngun e bekuar të manit dhe nisi të më tregonte punët e fundit, ndërsa unë mrekullohesha ashtu i zhytur në po atë kolltuk ku vinin e uleshin njerëzit e mëdhenj të Shqipërisë si Kadareja dhe Agolli, sa herë që ia behnin në Korçë e donin t’u vidheshin protokolleve zyrtare. 

Duke parë pastaj një e nga një pikturat e stivosura do të gjeja aty, në mbretërinë e rrëmujës, ca punë, të cilat jo vetëm do të më pëlqenin shumë, por do të më ngjallnin edhe kujtime të një moshe më të re. Ja tek me erdhi ndër mend njëri prej studentëve e miqve të mi të mëvonshëm, në papafingon e të cilit, sa herë vija në Korçë, do të bisedonim jo vetëm për teatrin, por edhe për të dashurën e tij. Biseda kalonte tek ajo, sepse Koçoja i kishte bërë një portret të mrekullueshëm dhe ne të dy e soditnim si një vegim, jashtë së zakonshmes. Ia thashë “mbretit të pastelit” këtë fakt dhe ai u vu ta kërkonte portretin e dikurshëm në dëngun e madh të krijimeve të tij të vjetra. Dhe e gjeti. U befasova në një pozicion të kundërt. Dikur, përkrah mikut tim, tek shëtisnim nga” Lëndina e Lotëve”,vija re tinëzisht brishtësinë e saj , të veshur me magjinë e vajzës naive, por tani portreti, në këndvështrimin e piktorit, kishte marrë ngjyrime të një bukurie të ftohtë, duke ekspozuar deri në thellësinë e shpirtit të saj karakterin e paqëndrueshëm të ëngjëllushesdjallushe… 

E pata vënë re menjëherë,-shtoi ai kur pa se unë isha i përpirë i tëri pas portretit,- Ishte një femër gjakftohtësisht e akullt që e bëri shokun tonë të vuante aq tepër. Dhe gra të tilla gjithmonë të braktisin…Të braktisin për një pasuri, për një pozitë më të lartë, për… 

Dhe Koçoja gati e vërtiti portretin sikur ta kishte gjetur në rrugë. Mua më mbeti mendja te miku ynë fatkeq, i cili nga zhgënjimi e marazi emigroi në kontinentin e largët, në anën tjetër të globit. Gjithsesi nuk mund ta harronte, edhe pse kaluan vite. Janë katastrofa shpirtërore që i shkaktojnë gra të pashpirta dhe duhej një artist si Koço Ristani që ta shprehte në telajo gjithë këtë psikologji njerëzore të dyanshme. 

Bota piktorike 

Bota e Koço Ristanit, bota e tij them, është stivosur mes kornizash të vjetra e të reja, ashtu siç e kap ai fluturimthi, siç i ndodh ai “trëk” i fortë që has rrugës, kafeneve, lëndinave, përballë kishave të vjetra, buzë liqenit a kodrinave të blerta që rrethojnë Korçën që ka në sfond Malin e Thatë. Në këtë studjo te rrëmujshme të katit të katërt të një pallati, karshi sheshit të Kinemasë së dikurshme “Majistik” derdhen e fiksohen në telajo mendimet e tij të zymta e të gëzuara, frymëzimi, e bukura dhe e gjithë natyra njerëzore e shprehur në art. Një botë e tërë është po aty me të gjitha ngjyrat e saj. Natyrat e qeta që dalin nga furça e piktorit kanë sjellë peisazhet e rrugëve karakteristike të Korçës, akuarelet e shumta kanë fiksuar brigjet e Liqenit të Pogradecit apo pemishtet ngjyrë ari të vjeshtës dhe nuk ka se si mos të mbushesh me lirizëm. Një lirizëm poetik. Teknika e pastelit e ka ndihmuar piktorin të zhbirojë në thellësi shpirtin e ngrohtë të njeriut dhe të natyrës përreth tij. Qilimi i dëborës të ngazëllen, si një mrekulli e natyrës, po aq sa edhe një vazo me lule shumëngjyrëshe që nuk mund të mos më kujtojnë veprat e piktorit të famshëm Pol Sezan. Pastaj, ja edhe një shtëpi tjetër karakteristike korçare, çatia e së cilës e mbuluar nga dëbora, ndrit aq shumë në mugëtirë sa habitesh me impresionizmin mjeshtëror të piktorit. Mandej, ja edhe tabloja ekspresive që paraqet Kishën e Ristozit në Mborje të Korçës, e cila ngjan se ka mbetur në telajon e madhe si një mrekulli qiellore. Objektin e shenjtë e rrethon një dritë e kuqërreme, pastaj bluja, kafja dhe e zeza, të kombinuara mjeshtërisht krijojnë një mozaik të tillë sa edhe një tablo e Van Gogut. Teknika e Pastelit është më tepër se kushdo tjetër më afër impresionizmit dhe kjo i bën krijimet e Koço Ristanit sa origjinale, aq edhe te bukura. 

Piktorit i interesojnë të gjitha ndjesitë njerëzore, të syrit dhe të shpirtit. Ja tek shoh një kompozim tjetër ku paraqiten dy të dashuruar në përqafimin e tyre të zjarrtë që do të ngazëllente edhe njeriun me ndjesitë më të akullta. I prirur më shumë nga realizmi, për shkak të shkollës që ka mbaruar, Koço Ristani, megjithatë është një artist origjinal që vërtetësinë e figurës njerëzore di ta interpretojë artistikisht, duke vendosur aty frymëzimin e tij, me një etikë estetike bashkëkohore. I tillë është edhe portreti i aktorit Jani Riza, i cili nuk arriti kurrë ta shihte veten të pikturuar nga “mbreti i pastelit”. Sapo kishte bërë disa seanca modelimi në studion e piktorit, ku vinte shpesh për t’u çlodhur në këtë “botë ndryshe” dhe për të soditur artin e këtij piktori, me të cilin e rrëkëllente edhe ndonjë gotë raki mani. .. Po Jani dhe ata që do të vinin pas tij do të magjepseshin me portretin e poetit Lasgush Poradeci. Aty ka një magji piktorike që e ndjen më shumë kur zhytesh në të thella. Poeti vjen para teje si hije e mistershme, si të ishte pjesë e shpirtit të tij liqenor, një njësim i shpirtit të tij me natyrën. Nuk dallojmë asnjë nuancë shprehëse te fytyra e Lasgushit, po njëherësh është po ai, i tëri, me pallton e vjetër që ia merr era, me atë trup të hollë e të kërrusur. I them mikut tim të vjetër se kjo vepër është një nga pikturat e tij më të mira dhe tani e kuptoja studjuesen e huaj Ivanka Gergova kur thoshte se Koço Ristani është si “….ai demi në vijat e bardha!” 

Filli poetik 

Që të jesh piktor nuk do të thotë që të jesh medoemos edhe poet, ndonëse piktura e ka në thelbin e vet poezinë. Edhe piktori. Mirëpo, kur në shpirtin e njeriut vlojnë që të dyja, doemos që piktura del akoma më intime, më e ndjerë , më lirike. Një duf tanimë i dyfishtë shfryn mbi kanavacë, por edhe në letër… 

Miku im poet është megjithëmend një poet i mirë, jo se i ka ndjerë nga afër vargjet e frymëzuara të Lasgushit, të Kadaresë dhe të Agollit, porse lëndën poetike ai e kishte ngjizur qysh në lindje në shpirtin e tij prej bohemi. Duke u endur buzë liqenit edhe ai, Koço Piktori, me trekëndëshin e kavaletit mbi kurriz, i lindin në shpirt vargje të tilla: “Dogja liqenin me flekadan,/ nga dëshira për të gjetur poetin,/ mbi mal shpërthen një vullkan…” Dhe hedh mbi kanavacë, si një trajtë vullkanike figurën e Lasgushit, që zapton të tërë liqenin dhe erërat e forta i rrëmbejnë pallton…Duke pritur dëborën e parë mbi rrugicat e serenatave të Korçës, mbi çatitë me tjegulla të kuqe, mbi pemë dhe mbi supet e statujave, Koço-poeti do të shkruajë: “ I bardhi shirit i borës,/ Diçka më mërmëriste…” Këto dhe të tjera janë lajtmotive që do të përbënin, jo thjesht thelbin e shpirtit të tij poetik, por edhe shprehjen e tablove të tij me pastel. Duke qenë vetë poet, ai i sheh me sytë e mendjes krijimet e Nolit, të Lasgushit e të Kutelit, si vizione të gjalla, të cilat duhet të shihen me sy, sikundër ndihen nëpër vargje. Ndaj ai ka krijuar cikle albumesh të plota me figura të përkryera poetike që ngjizen nëpër ngjyra me po atë shpirt poetik. 

E, ky Koço Ristani, piktori-poet, ka lënë mbresa të forta e të pashlyeshme në të gjitha vendet ku kaloi dhe u ekspozua vepra e tij, si në Rusi, Suedi, Gjermani, Greqi e Maqedoni dhe mbresat e përkufizimet tona nuk janë veçse një shfaqje e thjeshtë e vlerave të tij artistike e njerëzore… ( Botuar në “ Gazeta e Athinës” dhe në librin “ Biseda me Muzat”. Viti 2008)

Filed Under: ESSE Tagged With: Koço Ristani, Miho Gjini, Vlash droboniku

DR. MEHMET RUKIQI: NJERIU I DY EPOKAVE SHQIPTARE

April 17, 2021 by dgreca

Hazir MEHMETI, Vjenë /

“Mërgata shqiptare e ka sjell Kosovën ku është sot”   

          Takim me njeriun e dy epokave shqiptare në Kosovë, Prof. Dr.Mehmet Rukiqin, studiues dhe mbledhës i shquar i folklorit  shqiptar.

         Në kohën tonë nuk mund të gjesh njëri të tillë popullor sot, sikurse  Prof. Dr. Mehmeti Rukiqin.  Ai kaloi së bashku jetën e tij me jetën dhe frymëmarrjen e kombit në dy epoka; të odës dhe Universiteti. 

Kisha lexuar e dëgjuar për Dr.Mehemet Rukiqin, por nuk kisha pas rastin deri tani ta dëgjoj. Zëri i tij i lehtë dhe bindës të kujtonte mençurinë njeriut të kalitur kohëve jo të lehta në udhëkryqet tona drejt rrugës së progresit e rritjes sonë. Apo, të kujtonte thënien e njohur të shkrimtarit austriak Stefan Cvejg “Zëri i intelektualit është i qetë”. Këtyre riprekjeve mendore u shtohet qartësia bindëse e shprehjes, veti e kuvendit të odës që nga lashtësia përmes anekdotave popullore, apo, ashtu siç i quanin në gjuhën e lashtësisë dokumente. Dhe, vet folësi është dokument në vete kohëve të ngritjeve të tij që nga rapsodia, mësuesia, shkenca në auditorët me vlera kombëtare dhe ndërkombëtare.

             Njeriu i lidhur me qytetarin e thjeshtë jetës, trashëgon madhështinë e njerëzores, atë që shkëlqen dhe jep forcë e optimizëm gjithmonë. Kjo shihet gjithandej tek Dr.Mehmet Rukiqi, jo vetëm shkencëtar por edhe dokument kohëve këmbëkryq në truallin stërgjyshor që nga Drenica gjerë në bibliotekat e shumë vendeve ku zë vend filozofia bashkë me  etnografinë e popujve. Institucioni i Odave tani ka kaluar në formën moderne ashtu siç e kërkon progresi në ecjen me kohën, bibliotekave dhe auditorëve ku shkenca nxjerr faktet e saja. Ishte nismëtari i takimit tonë shkrimtari, publicisti e veprimtari i njohur galicas, miku im nderuar, z.Bedri Tahiri. 

     Mërgata 

 Miku i qetë në karrigen e tij të drunjtë nën hijen e bungut famëmadh të Gërmisë, rregullon syzet dhe pa u ngutur e fillon bisedën sikur dikur ulur këmbëkryq në odën e Drenicës. 

“Marr në përgjithësi, mërgata është një kaptinë e veçantë në historinë kombëtare. Ka raste të ngatërrimeve të diasporës me mërgatën, Diasporë janë arbëreshet e Italisë, të Zarës. Përse? Arsyeja është se kur ata kanë dal, kanë dal me ka krejt prej vendit të vet dhe më as që kanë ëndërruar dhe këqyrë prej vendlindjes. Kurse mërgata, vet fjala mërgatë e ka kuptimin e largimit përkohësisht për ndonjë arsye ekonomike, politike dhe gjithsesi rrënjët i mban në vendlindjen e vet, mendimet i mbanë në vendlindjen e vet, gjuhën e ruan sikur sytë e vet, fëmijët i shkollon në gjuhën amtare.

     Sot për sot, mërgata është duke luajtur rolin e dorës së parë në ngritjen e shtetit të vet. Kam dëgjuar nga shumë njerëz, se Kosovën mërgata shqiptare e ka sjell ashtu siç është sot, dhe pajtohem, është shumë me vend. Së pari i ka ndihmuar luftën, pastaj ndërtimit, dhe sot çdo gjë që shihet e ndërtuar në Kosovë, shihet se është e meritë e mërgatës shqiptare…”.

       Kujtesa

Vepra e mërgatës shqiptare, sa i përket odës, si institucion i traditës popullore kombëtare që nga ilirët e këtej, ku veçohet oda e burrave e quajtur kështu pasi më shumë kanë ndenjur burrat, dukuri e cila është shfaqur me ardhjen e osmanlinjve. Prej vitit 1389 kur ka hy osmanlija. Përndryshe, para ardhjes së tyre, në oda kanë ndenjur edhe gratë së bashku me burrat ku kanë biseduar dhe kanë planifikuar punët e shtëpisë, të fushës së bashku me radhë. Kur vjen osmanlija dhe një pjesë e pranon fenë islame, është nda oda e burrave. 
      Oda është quajtur edhe shkollë, arsyeja e kësaj është rendi i fjalës që është mbajtur ku janë ulur burrat dhe përmbajtja, rëndësia, pesha e fjalëve që janë folur në odën e burrave. Aty ai që ka folur është dëgjuar nga të gjithë.  Në ato tubime ku një flet e të tjerët dëgjojnë, e merr kuptimin e shkollës sikurse në shkollë ku arsimtari në orë flet dhe nxënësit e dëgjojnë jo vetëm me vëmendje por me gjithë qenin përpiqen t’i marrin fjalët e tij me respekt. Kjo ishte rëndësia e parë e odës kur nuk kishte shkrim-lexim. Kjo ka bërë që njerëzit tanë ta ruajnë mençurinë e tyre. Mençuria me diturinë dallojnë sikurse teoria me praktikën.

]Shkolla në kuptimin e shkrimit dhe të leximit është dituri. Oda në kuptimin e mençurisë, në kuptimin e dialogut ka luajtur rolin e dorës së parë dhe njerëzit brenda popullit shqiptar i ke pasur njerëzit më të mençur, madje prej epokës antike e deri më sot. Për një shumicë të filozofëve thuhet se kanë prejardhje e përbashkët diku ngjitur prej pellazgëve, ilirëve e këtej. Mençuria tek ne ishte traditë dhe tjetër është t’i thuash njeriut i ditur e tjetër t’i thuash i mençur.  I dituri, është e “blerë” dituria kurse mençuria është me punë. 

 Burim gjuhësore e filozofike 

Drenica ishte rajoni më të begatshme të folklorit burimor shqiptar, i cili tërhoqi studiues të shquar të traditës dhe folklorit siç ishte Anton Çeta, Zekirja Rexha, Fzli Syla, Demush Shala, Shefqet Pllana e disa të tjerë. Studiues nga gjenerata e re ishin nga Instituti Albanologjik Kombëtar i Kosovës siç ishin: Adem Zejnullahu, Enver Mehmeti, Zymer Neziri, Sadri Fetiu, Anton Berisha, Muzafere Mustafa, Ukë Xhemaj e disa të tjerë. Nga këta studiues u mblodh një pjesë e thesarit folklorik duke u botuar përmbledhje të veçanta si në prozë ashtu edhe në poezinë popullore me ndonjë vështrim të argumentuar me peshë shkencore. Tematika e krijimtarisë së tyre si me këngë ashtu edhe me tregime, ngërthen po thuaj se në të gjitha rrjedhat e jetës e të punës në ambientin përkatës. 


        Krijuesit dhe bartësit e krijimeve popullore në Drenicë i dhanë krahë e dorë etnogjenezës shqiptare në përgjithësi, i kontribuuan ruajtjes dhe transmetimit të parimeve tradicionale, e kuptuan drejtë autoktoninë dhe të huazuarën në kulturën shqiptare. Pasqyruan formën e dukjes dhe rregullat kanunore popullore etike e juridike. U angazhuan në mënyrë të veçantë për zgjedhjen e çështjes kombëtare. Vepra e këngëtarëve popullor spikat me aftësitë gjuhësore dhe informative, me aspiratat për dituri sa më të gjithanshme, u dalluan me shkathtësi etike, filozofike, logjike, psikologjike e sociale. Ata mbajtën lidhje të vazhdueshme me rapsodët e rajoneve tjera përreth. Ata gëzuan autoritet të pashoq tek populli dhe quhen popullor. Krijuese popullor është grada më e lartë e një personaliteti krijues. 

Dr. Mehmet Rukiqi Shkollën fillore e kreu në Tërstenik, Gjimnazin në Drenas, Shkollën Normale dhe Fakultetin Filozofik në Prishtinë. Rreth 20 vite punoi në arsim. Në vitin 1984, në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe mbrojti tezën e magjistraturës me titull “Anekdota gojore shqiptare” kurse në vitin 1994 mbrojti tezën e doktoratës me titull “Krijues dhe bartës të tregimeve popullore në Drenicë”. Në folkloristikën kosovare konsiderohet si njëri ndër nxënësit dhe studentët më të zellshëm të Anton Çettës.

Veprat:

  • Anekdota gojore shqiptare”
  • “Krijues dhe bartës të tregimeve popullore në Drenicë”
  • “Tahir Berisha: mendimtar popullor”
  • “Azem Galica: në traditën popullore”
  • “Krijuesi dhe krijimtaria anekdotike”
  • “Anekdota popullore – I, II, III, IV, V, VI, VII, VIII, IX, X”…

Filed Under: ESSE Tagged With: Dr. Mehmet Rukiqi, Hazir Mehmeti

NDËRGJEGJE E VRARË APO CINIZËM VETVRASËS

April 12, 2021 by dgreca

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë/

Pas gjithë asaj katrahure, ku të tjerët e prenë  kërthizën e qenies  sonë, ne sikur gjurmojmë në shtratin e iluzioneve, se ,,të tjerët janë fajtor”.  Dhe duke qenë të tjerët fajtor, vjen mashtrimi, se, të tjerët do merren me fajet dhe dënimin e fajtorëve. Kjo logjikë aspak frytdhënëse do bëhet pjesë e gjumit tonë.

        Ndërgjegjja personale është pjesë e një tërësie pa të cilën nuk mbijeton dot jashtë ndërgjegjes kolektive. Individi i ka caktuar vetë limitet e saj ndijor që rikthehen në limitet vlerësues kolektiv nacional. Parë nga kjo prizëm çdo shqiptar do duhej të ri-pyes vetën: ku jam unë në detyrimet ndaj personales e të përbashkëtës, njerëzores? Kur në histori shikohen rrjedhat e jetës së njeriut tonë, do shohim veten në raport me të tjerët, apo të tjerët në raport me ne. Këto  jenë të lidhura dhe të tërhequra njëra me tjetrën në ,,lojën e litarit”. Derisa të tjerët e luajtën lojën mirë ndaj nesh, apo të paktën kështu na duket ne, ne nuk ishim lojtarë të tillë. Jo vetëm dje por as sot.

Këtu do hynte njëra nga hallkat e të përbashkëtës, përgjegjësia e jonë në bërjen të njohura masakrat si elemente gjenocidi kundër popullit shqiptar. Apo siç e quajti hebreu guximtar Leo Frendling, qe para një shekulli veprën e tij “Golgota Shqiptare” e botuar në Vjenë më 1913. Apo dëshmitë nga Edit Durham mbi krimet serbe e malazeze të shprehura deri në kanibalizëm ndaj popullsisë shqiptare.

Si duket nuk u  mësuan, vlerësuan e as gjykuan në radhë të parë prej nesh ashtu si do duhej. Në kohë, çdo gjë që nuk dihet e nuk vlerësohet, nuk gjykohet ashtu si duhet edhe harrohet shpejt. Kjo ka për pasojë përsëritjen, tragjiken  në trevat tona shekuj me radhë qe nga antikiteti. Trojet tona u gjymtuan, tkurren ashtu siç është më keq. Kjo na përcolli deri këtu ku jemi aktualisht.

Masakrat e shekullit të kaluar ishin të ashpra. Nga ngulfatka që përjetuam sikur nuk patëm kohë të merremi me to. Pushtimi ishte i egër por edhe gabimet tona ishin shpesh herë fatale në historinë tonë aspak mike. Pas gjithë asaj katrahure, ku të tjerët e prenë  kërthizën e qenies  sonë, ne sikur gjurmojmë në shtratin e iluzioneve, se ,,të tjerët janë fajtor”.  Dhe duke qenë të tjerët fajtor, vjen mashtrimi, se, të tjerët do merren me fajet dhe dënimin e fajtorëve. Kjo logjikë aspak frytdhënëse do bëhet pjesë e gjumit tonë.

Fqinjët tanë grek e sllav ishin ata që u zgjeruan në territoret etnike shqiptare. Masakrat që ushtruan për ta dhanë fryte, fituan territor të ri, u zgjeruan dhe forcuan orekset grabitëse. Bile luftuan edhe mes veti, se cili do marr më shumë territor shqiptar. Për ta ky ishte vetëm një plaçkë e mbetur nga largimi i pushtimit shekullor turk në Ballkan.

A mund t’i numërojmë të krejt veprimet e tyre shfarosëse. Të gjitha dokumentet e masakrave më çnjerëzore që ushtruan serbet në trevat shqiptare në Toplicë, Vrajë, Medvexhë, Sanxhak, Kosovë, Tivar, Plavë e Gusi etj, nuk u hulumtuan dhe  nuk u denoncuan. Pushtuesit grek në Çamëri shkretuan çdo gjë shqiptare, masakruan barbarisht shqiptar dhe sot e luaj lojën e Epirit Verior në raport me shqiptarët e dobët nga të gjitha aspektet.  Masakrat e ushtrisë greke të prira nga krimineli Zerva, nuk u denoncuan asnjëherë faktikisht atje ku duhet, në gjyqet ndërkombëtare. Kjo do bëhej nga institucionet shtetërore, nga individët e dëmtuar, shoqatat, familjet e dëmtuara. Cili nga politikanët e lartë guxoi ti shtroi në bisedimet bilaterale me grekun gjenocidin mbi popullin çam? Bile, disa politikanë shqiptar    në momentet më të ndjeshme, siç janë zgjedhjet parlamentar, të presidentit, vrapojnë në Greqi që ta marrin bekimin e grekut për fitoren e tij ndaj rivalit, pa marr parasysh interesat kombëtare.  Fatkeqësisht kjo po përsëritet që nga pavarësia e një pjese dhe e  tragjikes së dy të tretave të territorit etnik shqiptar. Edhe tani njëqindvjetori i pavarësisë do duhej të na mobilizoj në mbledhje mend dhe korrigjimin e asaj çka është e mundur. Aq sa na bën krenar pavarësia, po aq na përkujton tragjiken e copëtimit të 93 mijë kilometrave dhe grabitjen nga armiqtë tanë shekullor.  Koha është të aktivizohemi në përkujtimin e të gjitha akteve gjenocide që u ushtruan në trevat shqiptare, të denoncohen në gjyqe dhe organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pronës dhe dëmtimeve fizike tjera. Të dokumentohen pjesë të historisë sonë të trashëguar në breza. Nxjerrja e të vërtetës mbi historinë shqiptare dhe gjenocidin e gjithanshëm të ushtruar nga serbo-sllavët. Kjo nuk ishte e lehtë në faza të caktuara të historisë sonë. Këtë e dëshmon rasti i albanologut kroat Milan Shuflaj.

            Njëra nga masakrat më të përgjakshme ishte  Masakra e Tivarit në vitin 1945. Aty  u vranë shqiptarë, të gjithë djem të ri të pa armatosur dhe të marr peng nga falanga çetnike- komuniste. I vetmi faj i tyre ishte se  ata ishin shqiptar dhe jetonin në trevat e lashta stërgjyshore.  Tivari mbeti aty, kodra buzë deti me godinën  ku u ekzekutuan po aty. Derisa dje ishte temë e ndaluar dhe dikush do e pësonte fatin e Shuflajt, sot është shumë më lehtë që të organizohet një përkujtim, një simpozium, një përmendore, një lutje, një film. Kjo do duhej të ishte frymëzim i krijuesve shqiptar në thurjen e veprave letrare po edhe filmave.  Gjeneratat duhej të mësonin dhe edukoheshin jo për hakmarrje por në respekt të vlerës së jetës së shuar të aq shumë të rinjve shqiptar të pafajshëm. Le të mësohet e gjykohet drejt gjendja dhe qëndrimi i të tjerëve ndaj nesh në etapat historike kur populli pësoj gjenocid e holokaust nga më të rëndit në glob.

            Vetëm në shekullin e kaluar trevat shqiptare u rrafshuan katër herë. Ato u ngritën si Feniksi nga dheu dhe u ringjall në truallin e lashtë ilir duke i treguar armikut se ne jemi e do mbesim këtu. Por ne ku jemi sot, në nxjerrjen e fakteve para opinionit botëror të pastrimeve etnike që i ushtruan serbet, grekët e bullgarët. Shqiptarët para një shekulli ishin në numër më të madh se serbët dhe grekët së bashku. Fakte këto nga burime të shumta pikërisht në arkivat e atyre vendeve. Vetëm Serbia ka hartuar 24 programe për shfarosjen e shqiptarëve qe nga viti 1844 me ,,Naçertania” deri tek Memorandumi i të ashtuquajtur ,,Akademi Serbe” e vitit 1986. Por holokausti shqiptar daton me shekuj dhe saktësisht siç shkruan ,,The Irish Times”para disa vitesh me titullin ,,Gjashtëqind vjet masakra të serbëve mbi shqiptarët”. Një fakt ky se shfarosja e shqiptarëve ishte gjenocid i përmasave biblike.

U shuan mbi 5oo fshatra nga rrethi i Nishit, Pllanës, Vranjes. Nipërit e mbesat e tyre që shpëtuan i gjejmë sot ,,muhaxhir” në vise të ndryshme në Ballkan e deri në Azi. Çamëria u shkretua nga greku i cili synon akoma pushtimin e viseve shqiptare. Nga fakte të pamohueshme vërtetohet se holokausti i parë në Europë ishte ai shqiptar. Disa e quajtën edhe ,,Golgota shqiptare” e pa krahasuar me asnjë popull në Europë. Zërit të hebreut Leo Frojndling nga Vjena, drejtuar Anglisë dhe Francës në emër të humanizmit dhe qytetërimit që t’i mbroj nga zhdukja shqiptarët nga gjenocidi kanibal serb, iu përgjigjen me copëtimin e trevave shqiptare, duke i shpërblyer kështu serbet kriminel me territore shqiptare. Kjo ishte Europa e qytetëruar e asaj kohe.  Në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve në shekuj na mbetet detyrë e ngutshme dhe detyrim ndaj brezave të tërë në shekuj.

       Tani me krijimin e rrethanave të reja do duhej të lëvizin gjërat në zbardhjen e krimeve, ndryshimin e qëndrimit tonë ndaj tyre. Do duhej një strategji kombëtar mbrojtëse nga masakrat e mundshme në të ardhmen. Mësimi i saj do duhej të fillonte shekuj më parë duke bashkuar energjitë në dokumentimin dhe shtruarjen e lëndëve para gjykatave përkatëse kudo në Europë, , veçan në Kosovë.

        Këtë po përpiqen ta bëjnë vetëm individë veprimtar dhe pak shoqata të shoqërisë civile. Ku zëri i tyre i vetmuar dhe i shterur nga mungesat materiale nuk dëgjohet më larg se matanë rrugës. Këtu do hynte shoqata ,,Ngrite Zërin” e cila aktivitetin e saj e ka shtri në disa komuna të Kosovës. Selia e saj  në Drenicën e martirizuar pareshtur në shekuj e  pret ndihmën nga ne. Atë që do duhej ta bëjnë organet shtetërore të Kosovë po përpiqet ta bëjë shoqata dhe njerëzit e saj vullnetmirë dhe patriot.

Një vepër me vlerë në këtë vazhdë është ajo e  Dr. Nysret Pllana, me punën e tij studimore e të faktuar me argumente në librin e tij të cilin e promovoi në disa qendra të Europës. Një promovim ky i vonuar pas sulmit  nga deputeti në PU – Dick Marti. Dhe kur u aktivizua ky zë ndjellakeq?  Atëherë kur Kosova bënte hapa e parë të lindjes. Ashtu sikur hienat që krimin e presin nga lindja e re, edhe armiqtë e përbetuar dhe veglat e tyre u sulën mbi Kosovën e posa lindur e të gjakosur pareshtur. Ky do duhej të ishte edhe një mësim për ne. Armiku nuk fle.

Një kapitull tjetër fare i pa hulumtuar dhe e pa denoncuar është masakra e Tivarit më 1 prill të vitit 1945 nga forcat çetnike-komuniste serbo-malazeze mbi të rinjtë shqiptar të marr peng nga të gjitha viset e Kosovës. Asnjë kurorë lulesh nga nënat shqiptare, asnjë drite qiriu, asnjë pllakë përkujtimor në vendin ku u vranë rreth 3ooo të rinj. A është kjo një absurditet i llojit të veçantë i vet shqiptarëve, disa nga të cilët e ndihmuan masakrën. Apo në jugun e trevave shqiptare, Çamërinë martire, krim makaber me përmasa biblike.

Kjo tregon dobësinë tonë në radhë të parë si komb e pastaj edhe si individ. Po nuk e denoncuam gjithanshëm gjenocidin mbi kombin tonë ai do përsëritët. Element tregues është sot qëndrimi serb, grek, maqedonas e malazez ndaj shqiptarëve. Fyerja dhe nënçmimi i përditshëm është prekës. Është koha që ne të shohim pak më larg ,,se hunda”, përndryshe do ngelim vetëm në iluzione që sjellin gjumë e shkatërrim të mëtejmë të qenies shqiptare.

Filed Under: ESSE Tagged With: Hazir Mehmeti, Vinizem vetevrases

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 209
  • 210
  • 211
  • 212
  • 213
  • …
  • 606
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT