• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Supersticioni i Cvajgut për Aleksandër Moisiun, botuar në rumanisht, në revistën “ALBANICA”, në Bukuresht

August 23, 2025 by s p

Luan Rama/

Ka qenë pikërisht pikëtakimi i aktorit të famshëm Josef Kainz me aktorin e ri Aleksandër Moisi, në shfaqjen e komedisë Tartufi, që lançoi karrierën artistike të këtij djaloshi të ri që vinte nga brigjet e Adriatikut. Ishte Kainz që e ndihmoi të shkonte në Pragë dhe të interpretonte në trupën e teatrit gjerman të Pragës “Neuves Deutsches Theater”. Kainz kishte parë në sytë dhe zërin e aktorit të ri, gjeniun e ardhshëm të teatrit të ardhshëm. Por Kainz do të vdiste mjerisht një vit më vonë dhe nuk do ta shikonte me sytë e tij ngjitjen e lavdishme të Moisiut në skenën e teatrit europian dhe botëror.

Ishte viti 1910, kur Kainz ishte kthyer nga një turne dhe Cvajg (Zweig) kishte shkuar ta takonte në “Hôtel Sacher”, ku banoni aktori i madh i “Burgtheater”. Cvajg kishte shkruar një dramë që të interpretohej posaçërisht si aktori më i shquar gjerman i asaj kohe dhe tani donte të bisedonte me të. Kur e kërkoi në hotel, i thanë se nga turneu teatral ai ishte kthyer tepër i sëmurë dhe e kishin çuar menjëherë në spital. “Të nesërmen ai u operua nga kanceri”, – kujtonte Cvajg. Ai kishte rendur menjëherë që ta takonte në spital dhe në shtrat, ndeshi vështrimin e trishtë të aktorit. “Vallë Zoti, do të më lerë që të mund të interpretoj dramën tënde? – i kishte pëshpëritur Josef Kainz. Disa javë më pas, Cvajg shoqëronte arkivolin e tij në varreza. Më vonë, me vdekjen e Kainz, aktori që zuri lavdinë e tij si aktori më i mirë i teatrit gjerman ishte pikërisht Aleksandër Moisiu.

Pas tre vjetëve që qëndroi në Pragë, ku interpretoi rolet e tij të famshme si Edipi mbret, Romeo dhe Zhyljeta, e shumë role të tjera të teatrit të kohës, Moisiu u kthye pranë “Burgtheater”, të cilin atë kohë e drejtonte Max Reinhardt. Por një aktor tjetër do të vdiste pa arritur të luante dramën e tij: ky ishte Matkowsky, një tjetër aktor i dëgjuar i teatrit. Që nga ajo kohë, Cvajg u dëshpërua rreth të ardhmes se tij si dramaturg dhe bë një njeri supersticioz. Megjithatë drejtori i një teatri i kërkoi një dramë për trupën e tij dhe Cvajg e shkroi. Ishte drama Shtëpia buzë detit. Kur drejtori i paraqiti listën e aktorëve që do të luanin, ai u gëzua që nuk kishte ndonjë emër shumë të njohur, çka e qetetësoi shpirtin e tij. Por 15 ditë para se të fillonin provat drejtori i teatrit vdiq. Megjithatë, Cvajg vazhdoi te shkruante për teatrin dhe dramat e tij Jeremie dhe Valpone kishin korrur një sukses ndërkombëtar. Në vitin 1931, kur mbaroi dramën e re Qengji i të varfërit (L’Agneau du pauvre), Cvajg mori një letër nga miku i tij Aleksandër Moisi, i cili i kërkonte t’i rezervonte atij rolin kryesor. Por duke qenë se Moisiu ishte aktori më i madh i kohës, Cvajg u tremb dhe nuk deshi që Moisiu ta merrte atë rol, edhe pse e dinte që më mirë se ai askush tjetër nuk mund ta interpretonte. Dhe ashtu bëri: ai refuzoi që atë rol ta luante Moisiu, duke menduar se kjo gjë mund të sillte vdekjen e aktorit dhe njëkohësisht mikut të tij.

Ai nuk mund të harronte fatin që kishin patur më parë Kainz dhe Matkowsky me rolet e tij. «Me një aftësi tërheqëse të jashtëzakonshme, inteligjent dhe i gjallë në skenë dhe që dinte të komunikonte aq bukur sharmin e tij personal, unë nuk mund të kisha një interpret më ideal sesa Moisiun», – shkruante Cvajg në atë kohë, – pra për miqësinë që kisha me të dhe nisur nga supersticioni im, unë e refuzova atë perfeksion të skenës së teatrit gjerman».

Ndërkohë Cvajg vazhdonte udhëtimet e tij nëpër Europë, duke besuar gjithnjë në krijimin e një komuniteti shpirtëror e artistik europian, ku artistët ta ndjenin veten si në shtëpinë e tyre kudo që të ishin: në Paris, Londër, Berlin, Romë, Vjenë, Pragë, etj. Por ardhja e nazizmit në fuqi, zgjedhja e Hitlerit si kancelar i ri i Gjermanisë, «Nata e kristalit» me progromet anti-semite dhe djegja e librave të tij në oborret e universiteteve gjermane nga nazistët, i thyen ëndrrat e Cvajgut për krijimin e një Europe të re të kulturës. Europiani i madh u detyrua të largohet nga Gjermania bashkë me të dashurën apo sekretaren e tij, anglezen Charlotte Altmann, me të cilën kur shkoi gjatë luftës në Brazil, në dëshpërimin më të madh për tragjedinë e Europës ai vrau veten bashkë me të, në një hotel të Brazilit. Sidoqoftë, disa vite para kësaj tragjedie personale, Cvajg shkruante romanet e tij dhe udhëtonte midis Parisit, Italisë dhe Vjenës.

«Në vitin 1935 isha në Zyrih, – kujtonte ai në librin e tij «Bota e së djeshmes», – dhe mora një telegram nga Milano, dërguar nga Moisiu. Më njoftonte se do të vinte po atë mbrëmje në Zyrih për të më takuar, duke mu lutur që ta prisja. Cudi mendova me vete. Cfarë ka urgjente për të thënë? Tani s’kam shkruar ndonjë dramë të re dhe prej vitesh jam larguar nga teatri. Por sigurisht, atë njeri të dashur e të përzemërt do ta prisja. Duke zbritur nga vagoni ai nxitoi drejt meje. U përqafuam fort, «alla italiane» dhe në veturën që na mori, me padurimin e tij të zakonshëm, ai më kërkoi se ç’mund të bëja për të. Kishte një kërkesë të madhe ndaj meje. Pirandelo i kishte bërë një nder të madh, duke i besuar atij një dramë të re që po shkruante Nuk i dihet kurrë (Non si sa mai), jo vetëm që ta interpretonte, por edhe që shfaqja premierë për herë të parë të bëhej në teatrin e Vjenës dhe në gjuhen gjermane. Ishte hera e parë që një mjeshtër i tillë italian i jepte një prioritet veprës së tij që më parë të luhej jashtë Italisë. Madje këtë s’do ta bënte kurrë as për Parisin.

Por Pirandelo, i cili nuk donte që gjatë përkthimit të humbiste karakteri muzikor dhe harmonik i dramës të tij përkthimi në gjermanisht të mos bëhej nga një përkthyes i zakonshëm por ai kishte shprehur dëshirën të bëhej nga unë meqë i njihte dijet time në gjuhën e tij. Pirandelo kishte hezituar të më kërkonte drejtpërdrejt këtë gjë dhe të humbisja kohën time me përkthimin, por ishte vetë Moisiu që e kishte marrë përsipër të më jepte dorëshkrimin e Pirandelos. Sigurisht, prej vitesh, përkthimi nuk ishte më një punë imja Por unë e adhuroja Pirandelon, me të cilin isha takuar shpesh dhe s’mund ta zhgënjeja, duke e refuzuar këtë dëshirë. Nga ana tjetër, ishte një gëzim që t’i dëshmoja mikut tim të afërt një shprehje tjetër miqësie. Për një apo dy javë unë i braktisa punët e mia dhe pak më vonë drama e përkthyer nga unë u njoftua nga Teatri i Vjenës për premierën e ardhme ndërkombëtare, që me sa dukej, nisur nga ana politike do t’i jepej një lloj solemniteti. Pirandelo kishte premtuar se do të ishte i pranishëm dhe meqë atëherë Musolini hiqej si mbrojtësi i Austrisë, e gjithë klasa politike austriake me kancelarin në krye, kishin nioftuar gjithashtu se do të ishin në shfaqje. Kjo premierë duhej të ishte njëkohësisht një demostrim publik i miqësisë austro-italiane (në realiteti i protektoratit italian mbi Austrinë). Rastësisht unë u ndodha në Vjenë ato ditë kur do të fillonin provat teatrale. Gëzohesha që do të takoja Pirandelon dhe madje isha kureshtar të dëgjoja fjalët e përkthimit tim nën diksionin muzikor të Moisiut. Por e njëjta ngjarje u përsërit si një çerek shekulli më parë, me një analogji fantomatike.

Kur një mëngjes të bukur hapa gazetën, mësova se Moisiu kishte ardhur nga Zvicra me një grip tepër të fortë dhe se provat duhej të shtyheshin për shkak të sëmundjes së tij. “Një grip”, mendova, s’do të jetë diçka tepër e rëndësishme. Por zemra po më rrihte fort kur po afrohesha drejt “Grand Hôtel”, ku do të shikoja mikun tim të sëmurë. – Lëvduar Zotit! – i thoja vetes, për tu siguruar që nuk është në Hôtel Sacher, si dikur Kainz, i cili banonte aty. Mu shfaq menjëherë kujtimi i vizitës time tek Kainz dhe kjo më rrënqethi. Dhe ja, të njëjtat rrethana po përsëriteshin në një interval kohe me aktorin më të madh të asaj kohe, Moisi. Por unë nuk arrita ta shoh Moisiun, pasi ethet e kishin çuar në delir. Dy ditë më vonë unë u gjenda, ashtu si dhe dikur me Kainz, para arkivolit të Moisiut, në vend që ta shikoja atë në provat e përgatitjes së shfaqjes…”

Vdekja e papritur e Moisiut i prishi gjithë planet e teatrit të Vjenës. Gruan e tij Johanna Terwin e la të tronditur humbja e burrit të saj të mrekullueshëm, atje në Lugano. Moisiu prehej tani në Marcote. Kritika botërore ngrinte lart kontributin e tij në skenën botërore të teatrit. Mesazhet e ngushëllimit vinin nga e gjithë bota artistike. Pirandello u trishtua jashtë mase, po kështu dhe çifti Pio Campa dhe aktorja e famshme Wanda Capodaglio si dhe në veçanti Stefan Cvajg, i cili më së fundi kuptoi se një force e çuditshme kishte përcaktuar që dramat e tij asnjëherë nuk do t’i luanin aktorët e mëdhenj, për çka dhe mendoi se nuk do të shkruante më për teatrin. Në universitetin e Milanos ai do të fliste për madhështinë aktoriale të aktorit Moisiu dhe rolet e famshme të tij si Hamleti, Fedja, Jedernann-i, Fausti e të tjerë që mbetën maja të teatrit të kohës. Megjithatë një fat tjetër do ta ndiqte Cvajgun, akoma më tragjik. Në vitin 1942 pas bredhjeve nëpër Europë dhe vdekjes së trishtë të nënës së tij në shtëpinë e tyre në Salzburg, bashkë me gruan e tij Charlotte ata i dhanë fund jetës së tyre. Bota e ngërthyer në luftë kishte shijen e hirit të vdekjes.

Filed Under: ESSE

Fjodor Dostoyevsky na tregon dramën e jetës në një skenë pa spektatorë

August 22, 2025 by s p

Albert Vataj/

PO kjo është edhe pse secili në mënyrën e vet rreket ta “shpëtojë” veten nga një ndëshkim kaq i pamëshirshëm i ligjësisë së jetës…”Por më thuaj, a mund të durojë një person kaq shumë dhimbje pa bërtitur? “Pa u shkatërruar? A mund të mbajë njeriu në zemrën e tij kaq shumë vetmi, kaq shumë frikë dhe të qëndrojë akoma sikur asgjë nuk ka ndodhur? A nuk është e çuditshme se si mund të buzëqeshim ndërkohë që digjemi brenda? Si mund ta përshëndesim njëri-tjetrin ndërkohë që jemi duke vdekur ngadalë?

Shiko përreth teje… të gjithë mbajnë maska, të gjithë fshehin pas syve të tyre një histori që nuk guxonin ta tregonin, një plagë që nuk mund ta dëgjonin. Miku im, ne nuk jetojmë; ne i luajmë rolet tona shkëlqyeshëm deri në fund, dhe kur bie perdja, askush nuk i dëgjon duartrokitjet… askush nuk e mban mend. ” Ky përkufizim i jashtëzakonshëm është si një pasqyrë e shpirtit njerëzor të çarë mes skenës dhe prapaskenës. Ai është Dostoyevskian në thelb, sepse e zhvesh njeriun nga çdo iluzion, duke e vendosur përballë një të vërtete të patjetërsueshme. Njeriu nuk është vetëm qenie që jeton, por aktor luan dramën e tij tragjik-komike dhe e përjeton në çdo ind dhe nerv, në çdo gulç dhe ofsham. Dhimbja, vetmia, frika, këto nuk shuhen, por maskohen, derisa shfaqja e jetës të mbarojë.

Këtu qëndron madhështia e këtij vizioni. Në një botë ku të gjithë luajnë rolet e tyre, buzëqeshja është një petk i stolisur, përshëndetja një replikë, kurse heshtja, tragjedia e vërtetë. Dhe ironia më therëse është se, ndryshe nga teatri ku të paktën pret duartrokitje, në dramën e jetës nuk ka as spektatorë të kujdesshëm, as memorie që të përkujtojë vuajtjen tonë, dhimbjen tënde apo t’i lagen faqet nga lotët e tu.

Ky përkufizim është një homazh i errët ndaj aftësisë së njeriut për të duruar të padurueshmen, për të fshehur zjarrin nën hirit e buzëqeshjes, për të bërë nga dhimbja një rol të shndritshëm, ndonëse pa publik. Një manifest për tragjedinë e fshehur që secili bart dhe që, megjithëse nuk e ndan dot, e bën të duket si pjesë e një skenografie të përbashkët. Një Dostoyevsk i thënë me fjalët e ditës, por me të njëjtën peshë të përjetshme: drama e njeriut nuk është ajo që shfaq, por ajo që nuk guxon të tregojë kurrë, ajo që duke u’a fshehur të tjerëve, besojmë se nuk i’a bëjmë të pranishme as vetes.

Filed Under: ESSE

Karma ChatGPT

August 19, 2025 by s p

Anila Prifti/

Nuk është rastësi që ChatGPT po vepron si karma. Po vendos në një realitet të ri ata që për shumë kohë sunduan fjalën dhe mendimin si pronë të tyre. Sot, pikërisht ata “mendimtarë” që dikur perçmonin të tjerët si “analfabetë”, janë të tronditur sepse përballë tyre po dalin njerëz që nuk i kishin imagjinuar kurrë si të barabartë në të drejtën për të shkruar.

Në këtë rast, ata do të donin më mirë të mos ekzistonin, sesa të ndanin mendimin me ata që dikur i shpërfillin.

Kishin harruar që fjala ka ekzistuar para tyre. Është gdhendur në dru, në gur, është hedhur në mure qelish, është shkruar me gishta në rërën e detit, në rrugë, kudo…aty ku askush s’e kontrollonte. Sepse shkrimi nuk është privilegj, por formë e qenies.

Tani që teknologjia ka hapur portën e “ferrit”, po shfaqen tri botë:

Mendimtaret arkaike qe shkruanin per salltanetet, te frikesuar sepse nuk po dallohen me mes zerave te shumte;

Ata qe s’kane shkruar kurre, jo se nuk kane dashur, por sepse nuk lejoheshin, ose jane ndjere te frustruar per dijet dhe mjetet e tyre dhe tani po guxojne te flasin, te shprehen, te duken, edhe pse jo te “perkryer”;

Dhe ata qe kane shkruar ne te gjitha kohet, jo per pushtet, as per fame, por sepse shkrimi ishte menyra e tyre per te jetuar.

Këta të fundit nuk janë në garë e as nuk kanë frikë. Sepse kurrë nuk e kane perdorur fjalen per te dominuar, por per te kuptuar boten dhe veten. Pra, disa po zbehen, disa po “shkelqejne” dhe disa thjesht po vazhdojne rrugen e tyre si gjithmone. Karma nuk godet, ajo te vendos aty ku ke kerkuar vete te jesh.

Thone se kush e perdor fjalen per te kapur bretkosa, ne fund zhytet në baltën e moçalishtes që krijoi.

Filed Under: ESSE

Homazh: Frederik Rreshpja (1940-2006)

August 16, 2025 by s p

Mehmet Kraja/

Poezia e Reshpes është pikëtakimi më i ndritshëm i poezisë së Shqipërisë me poezinë e Kosovës. Kjo nuk është studiuar dhe nuk është shkruar ende…Në dhjetor të vitit 1980 me një grup shkrimtarësh të Kosovës, siç ishte zakoni, vizituam Shqipërinë. Duke kaluar Malin e Krrabës, në rrugë e sipër nga Tirana për Elbasan, shoqëruesi ynë, atëherë kritik letrar i njohur, meqë ishim vetëm ne të dy në makinë, më tha: Të intereson të dish gjë, çfarëdo dhe për këdo? Po, i thash. Ku është Frederik Rreshpja? Disa ditë përpara kisha lexuar një përmbledhje me poezi të zgjedhura botuar nga “Rilindja”, përgatitur nga Ali Podrimja, me titull “Enise, Enise” dhe në gazetën “Rilindja” po ato ditë kisha shkruar një recension lavdërues për poezinë e Rreshpes, e cila ishte ndryshe nga poezia që atëherë shkruhej në Shqipëri…

Shoqëruesi më tha shkurt: Frederik Rreshpja është në burg, por jo për atë që mund të mendosh ti. Kaq. Nuk e ngava ma andej. Mbi dhjetë vjet më vonë u gjenda sërish në Tiranë, tani në rrethana të tjera. Shqipëria vuante çmendurinë e saj të rënies së komunizmit. Rreshpen e “takova” si kryeredaktor i revistës “Ora”, një model arrivist i shtypit prokomunist, që ia kalonte edhe “Zërit të popullit”. Më pas, gjatë viteve ’90 Rreshpja ishte botues dhe poet që vuante transicionin dhe biografinë e vet. Por ajo që më ka bërë përshtypje, ishte pandjeshmëria ndaj një fati të përmbysur të një poeti nga më të mirët të Shqipërisë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Janë po ata që sot shkruajnë lamente për të…Këto gjëra dihen, pavarësisht nëse janë shkruar ose jo. Por një gjë nuk është shkruar: poezia e Reshpes është pikëtakimi më i ndritshëm i poezisë së Shqipërisë me atë të Kosovës.

Filed Under: ESSE

Vepra “Portret vrasësish në grup”, apo “deus absconditus”?

August 15, 2025 by s p

Arben Iliazi/

Para pak kohësh kam lexuar një intervistë të shkrimtarit Dashnor Kokonozi për ObserverKult, mbi krijimtarinë dhe procesin krijues ku, mes të tjerash, thuhet: Te romani “Portret vrasësish në grup”, mjaft më parë se të përvijoja subjektin, realiteti shqiptar dhe i ndonjë vendi tjetër me kishte shtyrë drejt idesë se procesi i shndërrimit të diktaturave në demokraci nuk mund të funksiononte normalisht si më parë me demokracitë e mëdha, se ai ishte mbyllur tashmë, sikurse ishte mbyllur procesi magjik i evolucionit të shndërrimit të majmunit në njeri. Duheshin gjetur rrugë të tjera, të cilat edhe parashtrohen në roman në mënyrë gati provokuese, nisur nga “përvoja” politike e primatëve”.

Intrigohem menjëherë kur dëgjoj fjalën “provokim” nga një shkrimtar, ndaj u interesova për ta gjetur librin.

Ja një fragment nga romani:

“ – Atëherë a mund të thuhet se edhe veprimtaria, të themi politike e majmunëve është provë tjetër e prejardhjes sonë prej tyre? – pyeti Kloteska duke qeshur.

– Ne nuk rrjedhim nga majmunët, – tha prof. Waal, duke e kërkuar me sy nëpër sallë, – ne jemi majmunë. Bashkë me ta, majmunët, njerëzit bëjnë pjesë në klasën e hominidëve. Më thjesht nuk bëhet.

Në sallë shpërthyen të qeshura, që u shoqëruan nga duartrokitje të gjata”.

***

Kisha lexuar vetëm romanin e parë të Dashnor Kokonozit, “Shtrati i Prokustit” (1989), ku sfidohet infantilizmi i diktaturës. 

Një njohës i mirë i regjimit totalitar, autori edhe në këtë roman, ravijëzon një këndvështrim të tijin, duke shenjuar një realitet historik, ku neurozat ndjekin njëra-tjetrën. Në parantezë mund të them se Kokonozi nuk është nga ata shkrimtarë që bien pre e nostalgjisë.

“Portret vrasësish në grup”, është një roman modern, me një intrigë turbulluese, duke artikuluar disa universe semantike, ku tregohet se çfarë ndodh me njeriun demokratik në procesin e shndërrimit antropologjik të shoqërive moderne. Antropologjia ka ndikuar mbi shkrimtarin në integrimin mes dimensionit sintaksor dhe dimensionit semantik.

Në qendër të romanit është historia e një grupi studentësh, të cilët duke zgjedhur të mos largohen nga vendi vihen në kërkim të një të ardhmeje tjetër, këtë herë nisur nga zbulimet më të fundit të antropologëve. Ishin këta që duke vëzhguar primatët kishin zbuluar se edhe paraardhësit, kur punët nuk shkonin mirë, ndodheshin para mëdyshjes nëse duhej të braktisnin koloninë, apo t’i zgjidhnin problemet duke vënë në jetë protokollet e ritualeve të tyre, mjaft të lashtë.

Shoqëritë njerëzore, ashtu si individët, në lojërat e tyre, ëndërrat dhe deliret e tyre, nuk krijojnë asnjëherë modele në mënyrë absolute, porse e kufizojnë veten duke zgjedhur kombinime të caktuara të një repertori ideal.

Romani flet për një filozofi tjetër të historisë, ku demokracia nuk ka skema të gatshme, por duket pikërisht në gjestet e thjeshta të jetës së përditshme, ku gjithë kombet e rruzullit kanë mënyrën e tyre për të qenë të pashembullt dhe të papërsëritshëm. I armatosur me imperativat e antropologjisë sociale, autori ka meritën se i fut bëmat njerëzore brenda kontekstit dhe i gjykon të pashkëputura nga konteksti ku janë përftuar, në bazë të kritereve jashtëkohore. Asgjë nuk zhvillohet ashtu siç mendojnë njerëzit. As rendi shoqëror dhe liria nuk mund të jenë “deus absconditus” (Perëndia i fshehur). Vetëm njeriu i iluminuar mund të quhet i lirë. Në vend t’ua nënshtrojë faktet normave ideale, autori vë në dukje se vetë normat kanë një gjenezë e një kontekst të tyren. Nuk ka asgjë absolute, por vetëm ndodhi rajonale dhe parime rrethanore. Në këtë roman thjesht jemi përpara historisë së shpagimit, si përshembull vetëvrasjes së një vajze, dashuria e së cilës vdes në zyrat e policisë dhe kjo mbetet për t’u vërtetuar, sikundër mbetet për t’u vërtetuar edhe ideja apo ambicia e dikujt, që kërkon të mbrojë doktoraturën e tij duke u ofruar vendeve të dështuara për eksperimentim një alternativë të demokracisë athinase. Është e vërtetë që retë e mendimit të turbullt u përhapën nga dielli i Athinës, pasi miti ia dorëzoi armët arsyes, dhe kjo ngjarje do të shënonte fillimin e historisë së mirëfilltë. Por për autorin, kjo mënyrë të menduari të veçantë dhe të përkohshëm, në mungesë të sensit historik, të bën të dalësh nga vetja. Nuk mund t’i qasesh një epoke të re të historisë njerëzore, duke prekur kafkat e antikitetit. Epoka e re mund të ketë rrënjë filozofike në shekujt e kaluar, por progresi moral i njerëzimit duhet lidhur me progresin e tij intelektual, duke u vendosur njëkohësisht në truallin politik të mbrojtjes së lirive dhe në atë kulturor të formimit të individëve.

Pra nuk mund t’ia nënshtrosh epshmërinë e pafundme njerëzore një vetie kinse identike për të gjithë, apo një mase të njëtrajtshme. Sokrati duhet të krahasohet më njerëzit e kohës së tij dhe të merret si model për atë kohë, jo për kohët moderne.

Platoni dhe Aristoteli, pas Sokratit, ditën të vënë re se njeriu është thelbësisht një qënie shoqërore. Ajo që bënë pasardhësit e tyre është parashtrimi si i lartë i idealit të njeriut të urtë të shkëputur nga jeta shoqërore. Por lidhja e ideve nuk mund të jetë gjithmonë e tillë, ndaj ndryshimet e gjera politike ndodhin jashtë skemave tradicionale. 

Njeriu nuk është produkt i të gjitha kohëve, ndaj çdo periudhe historike dhe çdo kombi të rruzullit tokësor i përgjigjet një tip specifik i antinomisë së lirisë, që është në origjinë të ekzistencës, në transhendencën e tij.

Shkrimtari ynë është i sigurtë në kuptimësinë e kohës, se njeriu është i pandarë nga situata, ndryshe nga disa autorë “modernë”, që nisen ta pushtojnë botën e historisë duke u armatosur me norma universale. Opusi krijues i Dashnor Kokonozit është mjaft i pasur, me vepra si: Shtrati i Prokustit, Habia, Trans, Transaksioni, Familja e Shenjtë, Martesa e palumtur e Stanishit, e të tjera.

Mund të jetë një imazh i teksti

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 615
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale
  • We invite you to join us for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • U festua Nata e Kadrit te Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury
  • “VATRA”, “ONUFRI” DHE QENDRA KULTURORE “NËNË TEREZA” PROMOVUAN ROMANIN “BRENGA” TË AUTORIT DR.PASHKO CAMAJ
  • Komunikatë Zyrtare nga Oborri Mbretëror Shqiptar
  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT