• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi

March 26, 2026 by s p

Albert Vataj/

Diogjeni i Sinopës (rreth 412–323 p.e.s.) mbetet një nga figurat më tronditëse dhe më të papajtueshme me kohën e vet, në historinë e filozofisë dhe kurajoja e mendimit, që është ndeshur kërcënueshëm me të keqen, në përpjekje për ta shpëtuar njeriun nga vargonjtë e robërisë së vesit, egos dhe megallomanisë.

Ai nuk ishte thjesht përfaqësues i Cinizmit. Ai ishte vetë mishërimi i saj. Një njeri që e shndërroi jetën në provë të mendimit dhe mendimin në akt sfidues ndaj çdo norme të rreme.

Në një botë që i lutej pasurisë, famës dhe pushtetit, Diogjeni zgjodhi të jetojë si një kundërthënie e gjallë, i zhveshur nga tepricat, por i pasur në liri.

Për të, virtyti nuk ishte një koncept abstrakt, por një mënyrë jetese radikale. Ai besonte se njeriu duhet të jetojë “sipas natyrës”, duke hedhur tej çdo artificë që shoqëria imponon si vlerë. Kjo e çoi atë në një përplasje të vazhdueshme me konvencionet, të cilat ai i demaskonte me një ironi të pamëshirshme dhe një guxim të rrallë. Ai nuk predikonte nga një podium, ai predikonte duke jetuar sipas filozofisë dhe mësimeve të tij.

Një nga imazhet më tronditëse që historia ka ruajtur për të është ai i jetesës në një enë të madhe qeramike, shpesh e quajtur “fuçi”. Kjo zgjedhje nuk ishte varfëri e detyruar, por një akt filozofik, një deklaratë se njeriu mund të jetë i lirë vetëm kur nuk ka nevojë për asgjë.

Kur pa një djalë që pinte ujë me duar, ai hodhi kupën e tij, duke pranuar se kishte qenë ende i tepërt në thjeshtësinë e vet. Ky gjest i vogël përmban një të vërtetë të madhe, liria lind nga çlirimi, jo nga zotërimi.

Ironia e tij therëse u përplas edhe me figurat më të fuqishme të kohës.

Takimi me Aleksandri i Madh është bërë emblemë e këtij përplasjeje. Kur pushtuesi i botës i ofroi t’i plotësonte çdo dëshirë si shprehje e vlerësimit, Diogjeni iu përgjigj me një qetësi të pamposhtur, dhe gjest ikonik, “Lëviz pak më tutje, se më ke zënë diellin.” Në këtë fjali të thjeshtë qëndron një filozofi e tërë. Kjo ishte një postulat. Ai që zotëron veten nuk ka nevojë për asgjë nga të tjerët, as edhe nga një perandor.

Edhe kur fati e hodhi në skllavëri, ai nuk e humbi kurrë sovranitetin e tij të brendshëm.

I kapur nga piratët dhe i shitur në treg, ai nuk e përkufizoi veten nga zinxhirët, por nga aftësia për të sunduar vetveten. Kur u pyet se çfarë dinte të bënte, u përgjigj: “Di të sundoj njerëzit.” Dhe kur pa Xeniades, kërkoi të blihej prej tij, jo si shërbëtor, por si mësues. Në këtë përmbysje rolesh, Diogjeni dëshmoi se autoriteti i vërtetë nuk buron nga pushteti formal, por nga epërsia morale.

Në shtëpinë e Xeniadesit, ai nuk jetoi si skllav, por si edukator. Ai u mësoi fëmijëve të tij vetëpërmbajtjen, qëndrueshmërinë dhe artin e të jetuarit me pak, një arsim që nuk synonte të prodhonte njerëz të suksesshëm sipas standardeve të shoqërisë, por njerëz të lirë sipas ligjësive të natyrës.

Trashëgimia e tij tejkalon kufijtë e kohës. Mendimi i tij u bë një burim frymëzimi për filozofët stoikë si Epikteti, Seneka dhe Marcus Aurelius, të cilët e zhvilluan më tej idenë e lirisë së brendshme, të qëndrueshmërisë përballë fatit dhe të zotërimit të vetvetes. Në këtë kuptim, Diogjeni nuk ishte një margjinal i historisë, por një themelues i një etike që i reziston kohës, shkund edhe sot vetëdijen njerëzore.

Ai nuk la pas traktate apo sisteme të ndërlikuara filozofike. Ai la një jetë, dhe kjo jetë ishte argumenti i tij më i fortë, predikimi më i thellë i besimit te vlerat. Në një epokë ku njeriu matet me atë që zotëron, Diogjeni na sfidon ende sot me një pyetje thelbësore, çfarë mbetet nga ne, kur i heqim të gjitha ato që mendojmë se na përkasin? Ai ishte, në thelb, një provokim i përhershëm ndaj ndërgjegjes njerëzore, një kujtesë se liria nuk jepet, por fitohet duke mos pasur nevojë për të.

Filed Under: ESSE

Agimi i një epoke të re…

March 23, 2026 by s p

Pse fillimi i shekullit XXI mund të ripërcaktojë qytetërimin njerëzor.

Nga Cafo Boga

Dy herë në vit, Toka arrin një moment të rrallë ekuilibri kur dita dhe nata bëhen të barabarta në të gjithë planetin. Ekuinoksi pranveror i 21 marsit është parë prej shekujsh si simbol i rilindjes dhe i fillimit të një cikli të ri në natyrë. Në shumë tradita të lashta ai lidhej edhe me idenë e hapjes së një epoke të re – një moment kur drita fillon të mbizotërojë mbi errësirën dhe jeta rikthehet në botën natyrore. Megjithatë, ndërsa cikli astronomik përsëritet çdo vit, kthesat e mëdha në historinë e qytetërimit njerëzor ndodhin shumë më rrallë – ndonjëherë vetëm një herë në disa shekuj. Dekadat e para të shekullit XXI po duken gjithnjë e më shumë si një moment i tillë, ku revolucionet teknologjike, zhvendosjet në balancat gjeopolitike, transformimet demografike dhe tranzicioni drejt sistemeve të reja energjetike po bashkohen për të ndryshuar rrjedhën e historisë njerëzore.

Revolucionet teknologjike, zhvendosjet në fuqinë globale, ndryshimet demografike dhe kalimi drejt burimeve të reja të energjisë po zhvillohen me një ritëm të paprecedentë. Së bashku, këto procese mund të shënojnë fillimin e një transformimi historik të krahasueshëm me Rilindjen Evropiane ose Revolucionin Industrial – një transformim që mund të formësojë trajektoren e qytetërimit njerëzor për breza të tërë.

Çdo brez priret të besojë se jeton në kohë të jashtëzakonshme, por vetëm disa periudha në histori shënojnë vërtet fillimin e një kapitulli të ri për njerëzimin. Rilindja e shekullit XV ndryshoi rrënjësisht dijen dhe eksplorimin e botës. Revolucioni Industrial transformoi ekonomitë dhe shoqëritë. Pas Luftës së Dytë Botërore u krijua një rend i ri politik dhe ekonomik global që formësoi gjysmën e dytë të shekullit XX.

Sot, në dekadat e para të shekullit XXI, njerëzimi mund të jetë përsëri pranë një momenti të tillë kthese historike.

Teknologjia dhe qytetërimi i ri digjital

Në qendër të këtij transformimi qëndron përshpejtimi i jashtëzakonshëm i teknologjisë. Inteligjenca artificiale, robotika, bioteknologjia dhe rrjetet globale digjitale po ndryshojnë tashmë mënyrën se si funksionojnë shoqëritë.

Në veçanti, inteligjenca artificiale mund të bëhet teknologjia përcaktuese e këtij shekulli. Aplikimet e saj shtrihen pothuajse në çdo fushë – nga mjekësia dhe prodhimi industrial deri te financat, arsimi dhe siguria kombëtare. Sistemet që analizojnë sasi të mëdha të dhënash dhe kryejnë detyra komplekse mund të ndryshojnë rrënjësisht natyrën e punës dhe produktivitetin ekonomik.

Ndërkohë, bioteknologjia po hap horizonte të reja në mjekësi, ndërsa lidhja globale digjitale po mundëson bashkëpunim shkencor në një shkallë të paprecedentë. Së bashku, këto zhvillime po hedhin themelet e asaj që shumë analistë e quajnë një qytetërim të ri digjital.

Një rend global në ndryshim

Këto transformime teknologjike po ndodhin paralelisht me ndryshime të rëndësishme në skenën gjeopolitike. Sistemi ndërkombëtar i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore po evoluon gradualisht drejt një strukture më shumëpolare.

Fuqitë ekonomike në rritje, si Kina dhe India, po riformësojnë tregtinë dhe ndikimin global, ndërsa aleancat rajonale po fitojnë rëndësi gjithnjë e më të madhe. Periudhat e tranzicionit gjeopolitik shpesh sjellin pasiguri, por ato krijojnë gjithashtu mundësi për forma të reja bashkëpunimi dhe për institucione të reja ndërkombëtare.

Historia tregon se momente të tilla – kur ndryshimi teknologjik dhe riorganizimi politik ndodhin njëkohësisht – shpesh shënojnë fillimin e një faze të re historike.

Tranzicioni energjetik

Një tjetër ndryshim i madh lidhet me transformimin e sistemeve globale të energjisë. Për më shumë se një shekull ekonomia botërore është mbështetur kryesisht te lëndët djegëse fosile. Sot, megjithatë, teknologjitë e energjisë së rinovueshme, si energjia diellore dhe ajo e erës, së bashku me përparimet në ruajtjen e energjisë dhe në energjinë bërthamore, po riformësojnë gradualisht bazat e zhvillimit industrial.

Tranzicionet energjetike historikisht kanë transformuar ekonomitë globale. Kalimi nga druri te qymyri ndihmoi në lindjen e Revolucionit Industrial, ndërsa kalimi te nafta fuqizoi ekonominë moderne të shekullit XX. Lëvizja drejt sistemeve energjetike më të pastra dhe më të larmishme mund të transformojë përsëri marrëdhëniet ekonomike dhe gjeopolitike.

Mësime për vendet e vogla

Për vendet më të vogla – veçanërisht për ato në rajone si Ballkani – tranzicioni global që po zhvillohet paraqet njëkohësisht rreziqe dhe mundësi. Në një botë gjithnjë e më shumëpolare, forca e tyre më e madhe mund të jetë fleksibiliteti dhe aftësia për t’u përshtatur.

Duke investuar në arsim, në infrastrukturë digjitale dhe në aftësi teknologjike, shtetet e vogla mund të pozicionohen brenda ekonomisë së re të dijes në vend që të mbeten në periferi të saj. Po aq e rëndësishme është edhe ndërtimi i institucioneve të qëndrueshme demokratike, respektimi i shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimi rajonal, të cilat krijojnë stabilitetin e nevojshëm për të tërhequr investime dhe inovacion.

Në vend që të përpiqen të konkurrojnë me fuqitë e mëdha për nga madhësia, vendet e vogla mund të kenë sukses duke u specializuar në sektorë strategjikë si shërbimet e avancuara, turizmi i qëndrueshëm, energjia e rinovueshme dhe teknologjitë e specializuara.

Për vendet e Ballkanit Perëndimor – përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut – ky moment paraqet një mundësi të veçantë për të thelluar bashkëpunimin rajonal, për të forcuar lidhjet me institucionet euro-atlantike dhe për të shfrytëzuar pozicionin e tyre strategjik gjeografik dhe rrjetet e diasporës për t’u integruar më plotësisht në ekonominë globale.

Në të njëjtën kohë, shtetet e vogla përfitojnë duke ruajtur marrëdhënie konstruktive me një gamë të gjerë partnerësh ndërkombëtarë dhe duke mos u mbështetur te një fuqi e vetme mbrojtëse. Në një rend global në ndryshim, marrëdhëniet e diversifikuara diplomatike dhe ekonomike rrisin qëndrueshmërinë dhe ndihmojnë në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar. Vetë historia e Ballkanit ofron shumë shembuj që tregojnë se mbështetja e tepërt te një mbrojtës i vetëm i jashtëm mund t’i bëjë vendet e vogla të cenueshme kur ndryshojnë balancat gjeopolitike.

Filed Under: ESSE

Besimi ndaj së mirës…

March 21, 2026 by s p

Agim Baçi/

Sociologu i famshëm, Niklas Luhman, në librin e tij, “Teoritë e shoqërisë” shprehet se “besimi është akt themelor i jetës sociale”. Pra, ne mund të kemi fakte të publikuara pa fund për skandale, mund të publikojmë me emra mashtrimet ndaj nesh, e sërish mund të mos kemi asnjë reagim publik, sepse ne kemi humbur besimin, sepse kemi humbur fuqinë e qëndrimeve morale përballë të keqes, përballë të padrejtës.

Gjithkush mund t’i bëjë pyeje vetes- sa herë ne apo ata që janë rreth e kanë dënuar vjedhjen, shpifjen dhe gjuhën e urrejtjes? Sa nga ne i refuzojnë politikanët që krenohen se arrijnë të vënë në vështirësi kundërshtarin politik përmes bullizimit, përmes sajimit të fakteve, sajimit të gënjeshtarve, të linçimit. Sa nga ne kanë kërkuar fakte e argumente për akuzat që bëhen rëndom në media tradicionale apo rrjete sociale?

Thënë hapur, nëse ne nuk arrijmë të jemi refuzues dhe kundërshtues ndaj atyre që na gënjejnë, që na mashtrojnë apo që përhapin dhunë, që ushqejnë urrejtjen e që bullizojnë, atëherë përse duhet të presim ndryshimin? Ne kemi dështuar në përkthimin e asaj që dihet në qëndrime morale, në reagime të forta për të drejtën, duke e refuzuar të keqen edhe kur nuk na ndodh ne personalisht, po ndodh diku rreth nesh, afër nesh, të kolegu, të fqinji.

Pa kthyer sytë nga besimi ndaj së mirës dhe nëse nuk kemi qëndrime morale ndaj asaj që nuk shkon në këtë vend, as faktet e as furtunat në gotat e rrjeshme sociale nuk do mundet të ndryshojnë zemrën e së keqes.

Filed Under: ESSE

18 mars 2026, 78 vite nga lindja e poetit martir Vilson Blloshmi!

March 18, 2026 by s p

Bujar Leskaj/

Saharaja s’di të ëndërrojë.

Ajo bluan gurë me mend’ e saj…

Saharaja s’ka këngë të këndojë,

Saharaja s’ka as lot të qajë.

Saharaja nuk ka miq e shokë,

Saharaja nuk ka bijë, as bir.

Saharaja është një copë tokë,

Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.

Vargjet janë marrë nga poezia e Vilson Blloshmit, me titull “Saharaja”.

Aktakuza, e cila dënoi me vdekje poetin, ndër të tjera lidhet edhe me këtë poezi, për krahasimin e Shqipërisë me shkretëtirën e Saharasë.

Vilson Blloshmi lindi më 18 mars të vitit 1948 në Bërzeshtë të Librazhdit. Ndoqi shkollën e mesme Pedagogjike në Elbasan dhe pas mbarimit të saj, ndonëse me rezultate të shkëlqyera, nuk u lejua të vazhdonte shkollën e lartë.

Pas diplomimit në Elbasan punoi si bujk, druvar dhe minator. Gjatë kësaj kohe iu përkushtua shkrimit dhe përkthimit, por pa patur mundësi t’i botojë për shkak të të qenit pjesëtar i një familje “armiqsh të regjimit komunist”.

Duke qenë se ishte me biografi të “keqe”, Vilson Blloshmi përndiqej nga Sigurimi i Shtetit. U arrestua në vitin 1977 me akuzën “sabotim në ekonomi dhe agjitacion e propagandë për dobësimin dhe minimin e pushtetit popullor”.

Ditarët, përkthimet dhe poezitë iu sekuestruan dhe iu nënshtruan hetimit në detaje u përpunuan në zyrat e Sigurimit, u përdorën si mbështetje për akuzën e sabotimit në gjyqin kundër tij, dhe pas pushkatimit të autorit e deri në vitin 2000 u kyçën të varrosura në arkiva. Letërsia e tij përbënte rrezik për regjimin komunist shqiptar.

Në datë 13 qershor 1977 Gjykata e Librazhdit dënoi poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka me “vdekje me pushkatim”, vendim i cili u zbatua në datën 17 korrik 1977.

Në vitin 1994 Vilson Blloshmit iu dha dekorata “Martir i Demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha dhe në vitin 2010 Presidenti Bamir Topi “Nderi i Kombit”. Në vitin 2006, u shpall “Qytetar Nderi” i Librazhdit dhe u përurua në qendër të qytetit memoriali kushtuar dy poetëve martirë, Vilson Blloshmi e Genc Leka, i projektuar nga skulptori i mrekullueshëm Sadik Spahia.

Falë përpjekjeve të parreshtura të vëllait të tij, antikomunistit dhe demokratit, heroit të gjallë Bedri Blloshmi dhe punës së studiuesit të njohur Prof. Sadik Bejko, vepra e Vilson Blloshmit përbën një rast unikal se gjithë sa u botua pas vdekjes së tij u nxorr nga arkivat e policisë dhe Sigurimit të Shtetit dhe sot është e njohur gjerësisht nga lexuesit shqiptarë.

Nderim përjetë poetit Vilson Blloshmi, i cili sot do të ishte 78 vjeç dhe që jetoi një jetë si në vargjet e dhimbshme e dinjitoze të tij:

Më mirë një jetë e zezë me faqe të bardhë

Se sa një jetë e bardhë me faqe të zezë!

Filed Under: ESSE

Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por stresi i jep krahë: Pse biem pre e gënjeshtrave?

March 17, 2026 by s p

Nga Fatjona R. Lubonja Ed.D

(Edukim, Neuroshkencë & Shëndet)/

Populli ynë thotë se njeriu i shpejtuar është i gabuar dhe ky udhëzim gjen shpjegim të plotë në neuroshkencë. Kur ndodhemi përballë një mashtrimi që kërkon veprim të menjëhershëm, si për

shembull një telefonatë ku na thonë se duhet të paguajmë një gjobë urgjente, ne biem pre e asaj që shkenca e quan rrëmbim neurologjik. Në këto momente, urtësia popullore se gënjeshtra

i ka këmbët e shkurtra duket se nuk mjafton, sepse stresi na e lidh gjykimin dhe na bën të besojmë edhe gjërat më të pabesueshme.

Sipas studimeve situatat që na vënë nën presionin e kohës shkaktojnë një rritje të kortizolit (Dickerson & Kemeny, 2004). Paaftësia për të dalluar një gënjeshtër nuk është një e metë

karakteri, por një përgjigje biologjike e parashikueshme ndaj rrëmbimit neurologjik.

Kur jemi në vështirësi apo gjendje stresi, truri ynë instinktivisht kërkon dikë ku të mbështetet, një lloj prirjeje për të gjetur mikun në ditë të vështirë. Në këtë pikë, truri fillon të besojë te manipuluesi apo gënjeshtra, jo sepse është naiv, por sepse kimikisht po kërkon një aleat për të ulur ankthin. Për më tepër, ndërsa stresi na bën shumë të ndjeshëm ndaj kërcënimeve fizike, zbeh ndjeshëm

aftësinë tonë për të dalluar mashtrimin social (Spreng et al., 2016). Në fund të ditës, manipuluesi nuk ka fituar sepse është më i zgjuar, por sepse ka arritur të çaktivizojë përkohësisht sistemin tuaj të alarmit. Duke kuptuar këtë mekanizëm, ne mund të mësojmë të

ndalojmë, të marrim frymë dhe t’i japim kohë trurit tonë logjik që të kthehet në punë përpara se të bëjmë lëvizjen e gabuar. Prandaj, kur ndjeni se dikush po ju nxiton dhe po ju shton ankthin,

kujtoni se mendja e turbullt nuk sheh qartë.

Duke marrë pak kohë për t’u qetësuar, ju lejoni që mjegulla e kortizolit të largohet dhe t’i ktheheni qartësisë (Akinola, M., & Mendes, W. B., 2012). Si të “rindizni” trurin tuaj logjik në disa hapa? Kur ndjeni stres apo panik, mos merrni asnjë vendim të menjëhershëm. Trurit i duhen të paktën një minutë e gjysmë të normalizojë kortizolin (Taylor, J. B., 2008; 2023). Thjesht thoni: “Më duhen dy minuta kohë,” dhe largohuni nga biseda. Gjithashtu, mundohuni të aktivizoni shqisat duke u përqëndruar te ambienti rreth jush, për shembull, numëroni pesë objekte me ngjyrë të kaltër në dhomë, ose prekni diçka të ftohtë. Kjo ndihmon në zgjerimin dhe riorientimin e vëmendjes duke e bërë më të lehtë dallimin e dyshimeve.

Fatjona R. Lubonja Ed.D është studiuese dhe autore e shumë shkrimeve. Ka studiuar Neuroshkencë, Edukim dhe Shkencat e Shëndetit në Columbia University, New York dhe është specializuar në Universitetin e Harvardit, MA, USA #fatjonalubonja

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 637
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PJETËR MESHKALLA, NJË JETË QË NUK U PËRKUL
  • Kursi i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare “Sevasti Qiriazi” në Katerini, gjuhë dhe identitet kombëtar te shqiptarët në Greqi
  • Kristo Dako, një jetë në shërbim të kombit (1876–1941)
  • Shqipëria në faqet e historisë: Kryengritja e vitit 1911 në pasqyrën e “The New York Times”
  • AMERIKA DHE SHQIPTARËT – NJË MIQËSI QË NUK NJEH KOHË
  • “Historia e operas Rozafa”
  • UÇK dhe trashëgimia institucionale
  • VEPËR MONUMENTALE KUSHTUAR MBRETËRESHËS TEUTË
  • TEODOR LAÇO, RREFIMTARI E PROTAGONISTI I LETRAVE E POLITIKES SHQIPTARE
  • Dy pashallarë dhe njё president në Konferencën e Parisit
  • Mjeshtri i skicimit të identitetit shqiptar – In Memoriam Mjeshtri i Madh Sali Shijaku
  • Koha për debat serioz, reflektim dhe zgjidhje
  • MJEKU KURON, NATYRA SHËRON…
  • Vitet parisiane të Hasan Tahsinit…
  • KONSULLATA SHQIPTARE NË MICHIGAN – NJË KËRKESË E VJETËR E DIASPORËS QË TANI PRET TË BËHET REALITET

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT