• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Dasma e madhe”

July 21, 2019 by dgreca

Nga Reshat Kripa/

            Nuk është në karakterin tim të zhvillojë polemikë, por nuk mund të hesht kur një grup hijesh të vetëquajtur “veteranë të luftës nacional-çlirimtare”, por që nuk kanë asgjë të përbashkët me veteranët e vërtetë dhe ish-punonjës të Sigurimit të Shtetit apo drejtorë të burgjeve komuniste bëjnë deklarata të paskrupullta në të cilat kërkojnë të denigrojnë figura të shquara të inteligjencës së sotme  që rrjedhin nga shtresa më e nderuar e shoqërisë shqiptare, shtresa e të përndjekurve politikë nga rregjimi komunist.                                                                                                        Këtyre monstrave, mbeturina të kalbura të sistemit komunist, na u qenka prishur qetësia nga botimi i një libri mbi krimet e komunistave gjatë luftës së dytë botërore. Çudia më e madhe është se libri për të cilin bëjnë fjalë ata është botuar nga Instituti për Studimin dhe Pasojat e Krimeve Komunste, me miratimin e bordit të tij drejtues, qysh në vitin 2015 dhe vetën tani, pas katër viteve, na u kujtuan këto monstra ta kundërshtojnë, madje edhe në një seancë parlamentare E pra këto hiena ia arritën që t’i impononin Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërise vendimin që t’i hiqnin Institutit të Hetimit të Krimevë dhe Pasojave të Rregjimit Komunist të drejtën e hetimit të periudhes së të ashtuquajturës luftë nacinal-çlirimtare. Këto hiena na qenkan shqetësuar sepse, sipas tyre, na qenka përgojuar lufta nacional- çlirimtare dhe dëshmorët e saj, se ajo paska qenë vetëm një luftë kundër pushtuesve të huaj ku nuk qenka kryer asnjë krim dhe se krimet na paskan filluar vetën pas vitit 1944 kur u vendos pushteti komunist.                            Por, në të vërtetë, a kishte kriminelë në rradhët e lëvisjes së ashtuquajtur nacional-çlirimtare? A janë kryer krime nga komunistët gjatë kësaj periudhe? Për të sqaruar më mirë këtë problem le të hedhim vështrimin prapa, në vitet e zjarrta të luftës, kur në Shqipëri përballë fashizmit dhe nazizmit qëndronin dy forca kryesore. Nga njera anë forcat nacionaliste të përfaqësuar nga Balli Kombëtar dhe Legaliteti, të udhëhequra nga Mit-hat Frashëri dhe Abas Kupi, ndërsa nga ana tjetër Fronti Nacional-Çlirimtar i udhëhequr nga figura më e errët që ka nxjerrë ky komb, Enver Hoxha, prapa të cilit qëndronin jugosllavët me përfaqësuesit e tyre Mugosha dhe Popoviç, për të gllabëruar Shqipërinë ose në pamundësi të saj Kosovën martire. Këto forca kanë zhvilluar disa beteja të përbashkëta kundër pushtuesve fashistë, beteja që sot hienat e kuqe mundohen t’i kalojnë në heshtje, madje t’i harrojnë fare.

Si keni kurajon të mohoni të vërtetën  në këtë mënyrë? Ku e latë kontributin e Abaz Kupit në luftën kundër pushtuesve? Po kontributin e Muharrem Bajraktarit, Gani Kryeziut, Gjon Marka Gjonit, Jup Kastratit dhe të tjerëve? Po betejat e Gjormit më 29  dhjetor 1942-2 janar 1943, Voskopojës më 14 janar, Greshicës 5 shkurt, Ruzhdijes 13 mars, Selenicës 1 prill, Mogilës dhe Miricës në qershor, Krujës dhe Matit në gusht apo Drashovicës në shtator 1943, a nuk ishin beteja të përbashkëta të forcave nacionaliste me ato të Frontit Nacionalçlirimtar? Nëqoftëse nuk ishin të tilla, nëqoftëse nacionalistët paskëshin bashkëpunuar me okupatorin, si u ulët me ta në gusht të vitit 1943 për të biseduar për të ardhmen në Mukje? Përse i mohoni? Kjo ndodh se ju nuk keni kurajon të pranoni të vërtetën.  Ju vetëm i shërbeni asaj klike që populli e përmbysi në fundin e vitit 1990. 

            Por komunizmi, që nuk ishte tjetër veçse një variant më i egër i fashizmit, nuk mund të pranonte një gjë të tillë. Pa u tharë ende boja me të cilën u nënshkrua kjo marrëveshje u hodh poshtë nga komunistët. Atëherë filloi lufta vëllavrasëse dhe bashkë me të edhe krimet.                                   Më 10 shtator 1943 në Tragjas vriten tradhëtisht, duke pirë ujë, dy djelmosha nga Sevasteri, Asaf Grabova dhe Ismail Isaj, i pari 28 dhe i dyti 23 vjeç. Ishte dita e parë e vëllavrasjes. Tre ditë më vonë, më 13 shtator 1943, pas provokimit të bërë nga Bedri Spahiu dhe Shemsi Totozani, vriten në përpjekje me italianët, komandanti trim i Ballit Kombëtar Hysni Lepenica së bashku me 35 komandantë të tjerë çetash. A nuk janë krime këto raste? Lufta çlirimtare ishte kthyer në luftë civile.                                                                                           Komunistët kaluan nga një krim në tjetrin. Në Bolenë vriten pranë shtëpisë së tyre një familje e tërë, përfshirë edhe gra, ajo e Sabri, Islam, Bilo, Numan, Mahmude dhe Dyzene Novruzit, si dhe familja tjetër e Peshqeshe, Fako, Bilo dhe Gani Çelomemajt. Në Kuç kriminelët komunistë vrasin në pabesi tetë antarë të familjes Sadikaj: Jupen, Lamen, Isan, Memon, Arapin, Merxhanen, Hetemen dhe Memenë. A nuk është krim zhdukja e familjeve të pafajshme?                  Para syve më del beteja e Goskovës më 19 shtator 1943 midis forcave nacionaliste dhe atyre partizane. Luftëtarët i propozojnë komandantit Safet Butka të sulmojnë forcat komuniste.  Ai  përgjigjet:                                                                                                                                                – Kjo nuk do të bëhet kurrë, sa të jem unë gjallë. Vetëm po të kalohet mbi trupin tim. Në këtë mënyrë, të parin dhe të fundit shqiptar që mund të vrasë, është vetja e ime.                                   Dhe trimi e mbajti fjalën e thënë. Ai nuk mund të qëllonte kundër vëllezërve të tij, paçka se kishin bindje të kundërta me  të. Përpara këtij fakti tragjik, vrau veten. Një shembull i qartë i diferencës ndërmjet personalitetit të një nacionalisti dhe një komunisti.                                                      Para syve më del gjithashtu figura heroike e Hysni Toskës, pjesëmarrës i çetave të 1911—1912-ës,  shpalljes  së pavarësisë,  pjesëmarrës i  luftës së  Vlorës,  deputet i  parlamentit shqiptar e të tjera kur mbetet i rrethuar nga forcat e komanduara nga Neshat Hysi, në banesën e tij  së bashku me gruan Rabijen, vajzën Ervehenë dhe djalin Skënderin. Të katër qëndrojnë duke luftuar si burrat. Në fund, për të mos u dorëzuar Hysniu vret veten, ndërsa Skënderi mundi të ikë, por kapet pas disa ditësh dhe pushkatohet. Erveheja mbetet e plagosur në shtëpi. Kriminelët i djegin edhe shtëpinë. Po ky a nuk është një krim i shëmtuar?                          Një epope më  vete është  edhe  beteja e  Dukatit  në Vlorë  më  30 nëntor 1943. Një shembull kuptim plotë i krimeve të kryera nga kriminelët komunistë. Batalionet “Asim Zeneli“, “Halim Xhelo” dhe “Antonio Gramshi“, sulmojnë fshatin në pabesi natën. Forcat nacionaliste, të komanduara nga trimi Maliq Koshena i përgjigjen zjarrit me zjarr. Komunisti Myrto Sadiku nga Tërbaçi i drejtohet dukatasit Murat Bodo:                                                                                                Hidhe armën, fashist i ndyrë!                                                                                                  Ndërsa Murati i përgjigjet me bejte:                                                                                        – S’jam fashist por i dukat,                                                                                                                   As ti rus, por i tërbaç,                                                                                                                            Po na qenka taksirat,                                                                                                                           Që na vjen, na vret në prak!                                                                                                  Në    këtë    betejë      vriten      njëzetetre     djem, pesëmbëdhjetë partizanë dhe tetë ballistë. Partizanët detyrohen të tërhiqen, duke lënë të vrarët në fushën e betejës. Populli i Dukatit i varrosi të njëzetetre njeri pranë tjetrit dhe gratë dukatase i qanë së bashku:

            Korba, na u vranë djemtë,                                                                                                       Ca këtu dhe ca në çetë,                                                                                                Ca në çetë, ca në parti,                                                                                                 Vaj medet o Shqipëri! 

            Ky ishte karakteri i vërtetë i nacionalistëve shqiptarë që i dallonte nga egërsia e shfrenuar e komunistëve.

Le të vazhdojmë më tej. A nuk ishte një krim i pa dëgjuar në historinë e Shqipërisë ekzekutimi i gjashtëdhjetepesë  bujqve të pafajshëm që i groposi brenda një dite në një varr të përbashkët udhëheqësi juaj krimineli Mehmet Shehu, apo njëqindepesë martirët e Libohovës të vrarë në një ditë dhe shtatëmbëdhjetë të pushkatuarit në Gjirokastër ku midis tyre mbeti i vrarë martiri  Boço Kalo me të birin e ri fare? Kush të mundet le të përgjigjet.

Më lejoni tani t’u përshkruaj dy ngjarje të cilat i kam mbijetuar vetë.

Kam qenë i vogël në ato vite, por përpara syve të mi kanë mbetur të gjalla dy skena të paharruara. Ishte shtatori i vitit 1943. Banonim në Tiranë, në një rrugicë në rrugën e Kavajës, përballë asaj të ish Radio Tiranës. Një mëngjes, ndërsa po bëheshim gati për të shkuar në shkollë, dëgjojmë dy krisma revolveri dhe menjëherë  pas saj  një  klithmë të  tmerrshme.  Dolëm me  vrap përjashta dhe para portës së shtëpisë së fqinjit përballë pamë të shtrirë, të gjakosur trupin e djalit të shtëpisë dhe nënën e tij të ngratë që vajtonte mbi kufomën e të birit. Atë mbrëmje im atë u kthye vonë, i shoqëruar nga një miku i tij. Kishin qenë në familjen e të vrarit. Akoma kam parasysh fjalët e mikut që i thosh tim eti:

            – Më vjen shumë keq për këto që filluan të ndodhin. Tani në vend të luftës çlirimtare do të kemi luftën vllavrasëse.

            Djali kishte qenë një aktivist i Ballit Kombëtar për qytetin e Tiranës.                                      Ngjarja e dytë ka të bëjë me ditët e luftës së Tiranës, në nëntorin e vitit 1944. Atëherë banonim në Pazarin e Ri, në shtëpinë e doktor Kërçikut. Një natë trokiti porta e shtëpisë. E hapëm dhe brënda hynë një skuadër partizanësh.                                                                            – Duam doktor Kërçikun. – tha komandanti tyre                                                                      Burri i hallës që banonte së bashku me  ne,  doktor Bajram Emiri, u thotë:

            – Doktor  Kërçiku nuk  banon  këtu, por  po  patët nevojë edhe unë jam mjek dhe mund t’ju ndihmoj.

            – Jo, jo duam doktor Kërçikun, – tha komandanti.

Doktori e kuptoi qëllimin e tyre. Dërgoi me vrap vëllan tim të madh , i cili nëpërmjet një porte që lidhte oborrin tonë me atë të doktorit, e lajmëroi atë përpara se të mbërrinin partizanët. Doktor Bajrami tha: 

– E kërkonin për ta vrarë, ashtu si vranë Akil Sakiqin, ushtarakun e shquar që banon në rrugën e Pishës, siç vranë Mumtaz dhe Vesim Kokalarin, botuesit e njohur të “ Mesagjerisë Shqiptare “, ashtu si vranë gazetarin e njohur Nebil Çika te kafe Kursali. Po shyqyr që mundëm ta lajmërojmë dhe ai  shpëtoi.

         Më vonë do të mësoja për  masakrën  e kryer   ato ditë, ku mbetën të vrarë tridhjetetetë intelektualë.

            Kjo ishte tablloja e atyre viteve të tmerrshme, vite që i ka pasqyruar me vërtetësi, duke u mbështetur në dokumenta historike të nxjerra nga arshivat shtetërore Uran Butka në librin e tij që do të mbetet si një perlë e historiografisë së re shqiptare.

                  Në krye të këtij kori të hienave të kuqe qëndron një ish gjykatës i regjimit komunist që në ndërgjegjen e tij mban shumë dënime të njerëzve të pafashëm dhe që tani ka uzurpuar fronin e deputetit të Kuvendit të Shqiparisë.                                                                                                          Para syve kam gazetën “55” datë 27 shkurt 1999. Ajo ka një shkrim të gjatë kushtuar kësaj monstre. Sipas tij kjo hienë, duke qenë me detyrë gjyqtar, në vitin 1985, ka kryer një gjyq fiktiv kundër katër ushtarakëve që mbaheshin në arrest. Ai urdhëroi sekretaren e tij të përpilonte një proces-verbal sipas të cilit gjyqi na paskej qenë zhvilluar në rregull dhe duke caktuar edhe dënimet për sejcilin prej tyre, të cilat ua komunikoi personalisht të akuzuarve. Një gjë e tillë u zbulua nga rekursi që bënë të pandehurit në Gjykatën e Lartë. Kjo ra në sy edhe të anëtarëve të Byrosë Politike të Partisë së Punës. Anëtari i kësaj byroje, Rita Marko, porositi që gjyqtari të çohej për ndjekje penale nën akuzat “ Për heqje të padrejtë të lirisë” dhe “ Për shpërdorim të detyrës”. Por gjyqtari me ndërhyrjen  e Sulo Gradecit pranë Ramiz Alisë detyroi kryetarin e Gjykatës së Lartë ta kthejë dënimin nga ndjekje penale në përjashtim nga organet e drejtësisë.  Por mjeshtri i mashtrimeve nuk u mjaftua me kaq. Nëpërmjet manovrimeve të ulta të tij ai bëri te heshte Komisionin e Kontrollit të Figurave kur ishte kandidat për deputet dhe kështu mundi të hynte në Kuvendin e Shqipërisë. Cilido që kërkon të mësojë më shumë për këtë çështje le të lexojë gazetën që citova më lart. 

            Së fundi, për ta mbyllur, më lejoni të citoj disa vargje nga poeti i njohur Ali Asllani, i cili në poezinë “Dasma e madhe“ shkruan pikërisht për atë periudhë të errët të historisë së kombit tonë:

Un’të them se jam i kuq ti më thua jam i bardhë,

un’me huq e ti me huq, pra… të zezat radhë radhë!

Nën’e zezë, motër e zezë, bab’i zi e babëzi,

Në një çap- një varrezë, ky atdheu yn’i zi.

Ky atdheu yn’i zi, na u bë skëterr i vrerit,

Varen eshtrat e shqiptarit nëpër sqepe të skifterit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Reshat Kripa-Dasma e madhe

Dy fjalë për fjalën

July 12, 2019 by dgreca

Nga Anton Çefa/
“Fjala e harmonizuar mund të pasqyrojë format e shpirtit, ashtu edhe fytyrën e madhërishme të botës, e cila u jep jetë atyre.”/

De Rada
“Fjala ka aq nji fuqi në vedvedi, sa mos me e ndalë as giatsija e kohës,
as gjansija e hapësinës, e si mundet me e permbledhë të gjith kohën në nji ças e hapësinën në nji pikë, kshtu ajo deperton qiellen, i vjen rrotull e okolle
rruzullimit, edhe na parashtron bukuri e madhni të reja, rysë e then
kryeneqsit e rrashtave ma të forta të njerzvet.”

At Gjergj Fishta

Hyji e krijoi botën me fjalën e Tij. Ai tha dhe u bë. Për Hyjin, fjala është
krijim. Krijim i çdo gjëje. Për njerëzimin, fjala është zbulim përmes emërtimit.
Fjala, si emërtim i sendeve e dukurive, është veprimi i parë krijues artistik i njeriut,
nëpërmjet të të cilit u shpikën format verbale dhe u përsosën në kalim të kohëve.
Dhjetëra-mija vjet më parë, të parët tanë, banorët e shpellave, në dramën e
përditshme të gjuetisë, u mësuan të veshnin mendimet e tyre me fjalë.
Me krijimin e fjalës, në procesin e komunikimit lindi gjuha, një nga
realizimet më të mëdha të njerëzimit. Pa aftësinë e të folurit, përdorimit të gjuhës,
nuk mund të jetësohej qytetërimi njerëzor. Nëpërmjet gjuhës si sistem i hapur e
krijues, jashtëzakonisht eptimore (fleksibël), realizohet komunikimi i ideve dhe
koncepteve abstrakte si dhe tejbartja (transmetimi) e tyre nga një brezni në tjetrën.
Nga fjala si kumt u kalua në fjalën si kuptim alternativ, të ndryshëm, dhe u
krijua fjala poetike dhe, me anën e saj, teksti letrar që mishëron shumëkuptimësinë,
çka është në natyrën e veprës letrare. Përpjekja për të njohur të bukurën dhe vlerat
e tjera estetike të gjërave e dukurive dhe, në rastin tonë, tek letërsia artistike, të çon
drejt mjetit me të cilin shfaqet ajo, tek fjala poetike. Në veprën letrare, është fjala
që end fillin e së bukurës në shtratin e tekstit gjuhësor, deri në sublimitetin e saj. A
nuk është dukuria e së bukurës, “forma” më e lartë, më e fisme, më e kulluar e
shpirtit të njeriut? Prandaj, letërsia artistike është në krye të arteve dhe në gjirin e
saj, poezia që zë kryet e vendit.
Poeti, tregimtari, e shprehin atë, fjalën, që është gjithnjë një kumt që bart një
vlerë estetike, duke na përcjellë një mesazh, d. m. th. një vlerë humane. Detyra e

kritikës është pikërisht ta zbulojë atë, vlerën estetike, që përmban fjala e endur në
një strukturë tekstore.
Për t’u pohuar është edhe pafuqishmëria e fjalës për të shprehur çdo
“dridhje” të shpirtit a për të hedhur dritë edhe në skutat më të errëta të vetëdijes
dhe sidomos të nënvetëdijes. Lasgushi, reformatori më i madh i gjuhës poetike
shqipe dhe mjeshtër i mbaruar i saj, e ka ndjerë veten “të huaj”, të paaftë për të
shprehur çdo gjë:
“O gjuhë-e shentëruar, o mall me shpirtin plot,
O vetëtim’ e qjellit që fërfëllon me flakë,
O djellë-i llaftaruar që ndrin si pikë lot . . .
Si pikë lot e ndritur po ndrij në reze t’uaj,
Po ndrij e papandehur po qaj pak e nga pakë,
Sepse prej botës s’uaj kam mbetur kaq i huaj . . .”
Në dy vargjet e fundit të kësaj poezie, Lasgushi e ka qartësuar më tej këtë
situatë, duke iu drejtuar gjuhës me epitetin “o mos-e kuvenduar”. Në këto dy
vargje, ai na ka dhënë atributin e gjuhës si kumt, si burim drite (dijeje,
informacioni), dashuri-dhimbjen e tij për të dhe njëkohësisht pafuqishmërinë,
paaftësinë e saj për të depërtuar në skajet më të hijesuara të shpirtit:
“Ti ndrin në thelb të jetës si dritë e përvëluar,
O gjuhë e zemrës sime, o mos-e-kuvenduar”.
Këtë “mos-kuvendim” e pati poetizuar më parë mësuesi dhe udhëheqësi i tij
i parë shpirtëror e artistik, Naimi: “E ku shkruhen në kartë / fjalët e gjuhës së
zjarrtë ? ”
Është detyrë e kritikës letrare t’i hapë “fjalës së palosur” “kindën e një pale”,
pra, të zbërthejë shumëkuptimësinë e fjalës. Estetika ka parashtruar dhe
argumentuar në vijimësi rrugë dhe metoda për të analizuar veprën artistike. Kështu
kemi, ndër të tjera, interpretime formaliste, ekzistencialiste, marksiste,
sociologjike, psikanalitike, strukturaliste, simboliste, semantike, etj. Nuk kemi
kurrë një përfundim të saktësuar, por kemi udhë ecjeje përpara plot rrugëza e
kthesa me zhvillime nga më të ndryshmet, në më të shumtën e rasteve
kontradiktore.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Defa- Dy faale per fjalen

Shkrimtari Maku Pone u nda nga Jeta

July 10, 2019 by dgreca

MAKU PONE, U NDA NGA NE…/

Nga Pellumb KULLA?
Janë të hidhur lajme si këta. 
Largësia sikur ua shton goditjen mbi ne, që e vuajmë humbjen e miqve të dashur, të tillë si poeti dhe dramaturgu Maku Pone.
Jeta e solli që ai dhe unë të njiheshim në një fushë ku u lodhëm, vuajtëm dhe gëzuam tok. Fjalët që vumë ne, në buzët e artistëve të skenës, frymëzimi, emocionet që sollëm na e bënë lidhjen tonë miqësore më të fortë
Në teatrin dhe estradën e qytetit tonë të bukur të Fierit, në jetën letraro-artistike të qytetit, miku im fjalë ëmbël, krijoi një atmosferë pjellorie, një filtër të çmuar për krijimtarinë time dhe të bashkëpunëtorëve tanë. 
Ishte mjaft i sinqertë dhe produktiv inkurajimi i krijimtarisë, teksa i miri Maku udhëhoqi për shumë vite me radhë shoqatën e krijuesve letraro-artistikë të atij qarku, me krijimtarinë e tij vetjake dhe me sendërtimin e një mjedisi aq miqësor për shkrimtarët, piktorët, skulptorët dhe kompozitorët fierakë.
Veçanërisht ne, që punuam në teatër falenderojmë fatin që shkrimtari Maku Pone erdhi në krye të këshillit artistik të teatrit dhe të estradës, në përkujdesjen e lëndës, si të thuash, të miellit, për magjen e skenës të teatrit “Bylis” Janë shumë kuptimplotë homazhet dhe përcjellja që do t’i bëhen nesër, të mërkurën, nga parasalla e atij teatri. Është një pikëllim i shtuar për mua mungesa ime dhe e Xhuljetës në atë nderim dhe në atë përcjellje. 
Se nuk mund të rri pa nënvizuar, që personalisht unë i detyrohem më tepër se kujtdo, atij njeriu të mirë dhe kurajoz për nxitjen dhe mbrojtjen e gjithanëshme që, në mënyrë të veçantë, unë e pata më shumë se kushdo nevojë jetike të ethëshme.

Ndjej një lehtësim që para disa muajsh vrapova të gëzoja tok me të përvjetorin e tij të tetëdhjetë. Është e pangushëllueshme që urimet tona patën shpirt, por jo forcë që t’ia zgjatnin edhe ca jetën këtij njeriu të rrallë. Dhe pikërisht nga shkrimi që publikova asaj dite, po huazoj edhe një herë falenderimin tim:
Të faleminderit, Maku i shtrenjtë, që për mua, njërin nga miqtë e tu të afërt dhe për familjen tënde të dashur, jetove aq bukur! 
Të qoftë i lehtë dheu që do të të hedhin shokët tonë të përbashkët dhe rrugë të mbarë të kesh nëpër kujtimet tona të bukura!…

Florida, 8 korrik 2019

Filed Under: ESSE Tagged With: Maku Pone-iku-Pellumb Kulla

ME ATDHETARIZEM PO SHEMBEN EDHE KUJTIMET…

July 10, 2019 by dgreca

KJO ISHTE SHTËPIA E ATDHETARIT LUIGJ GURAKUQI/



ME  ATDHETARIZEM
PO  SHEMBEN EDHE  KUJTIMET…/

NGA LUIGJ GURAKUQI…/

Te ti m’flutron mendimi, o shpiza e ime,/

Kur vjen ma i thershëm malli me m’trazue;/

Te ti, ku nisa s’parit me jetue,/

Ku çela sytë, ku u reva , e pata gzime.

Gjith her’ ndër mend t’ kam ty, ku laç kujtime

T’ ambla, qi jetën m’ pan nji ditëgazmue;

Vetëm n’ dhe t’ huej, tue vuejt e tue largue,

T’kam n’zemër ty, ku ndieva t’ parët dashtnime.

Ai skaj ma i vogli i yt, ma e vogla skut

E jotja, ka për mue aq ambëlsi

Sa veq kujtimi i ynë shpirtin m’kputë,

E kur me ra shkoi n’mbramje, me mjeri

Ty t’ mendoj, e i thom vedit: oh a ma i butë

Shtrati e ma i kandshëm a pushimi n’shpi!

Shenim nga F.Radovani:

Shembjet e shtëpijave t’ Atdhetarve  At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Osman Kazazi, 

Prek Cali dhe ndonjëtjeter, që nuk po ua “kujtoj”, asht vepra ma tradhtare që po bahet 

në Shqipninë e Veriut, ndaj Atyne Shqiptarëve që nuk kursyen asgja per Atdhe. 

Perveç barit me shka ushqehen “prof. e dr, e Akademisë së Shqipnisë” ?!

E pra, po mos t’ ishte një Ky Burrë, kurr n’ Shqipni s’ u ngrit Flamur..?! 

            Pergatiti: Fritz Radovani- Melbourne, 8 Korrik 2019.                   

Filed Under: ESSE Tagged With: Shtepia e Luigj Gurakuqit-Fritz Radovani-Shemben Kujtimet

NJË MBRËMJE ME FAMILJEN MICOTAQIS

July 9, 2019 by dgreca

Marrë nga libri “Rrëfimet e komshiut”…/

Nga  Abdurrahim Ashiku-Athine/

Kisha ditë që nuk e kisha takuar. Më mungonte humori dhe e qeshura e tij, një e qeshur sikur rrjedh nga kroje të thella ujëkristal.

Kishte arsye. Kësaj radhe ishte lidhur pas të vëllait që nuk bënte hap pa të, pa iu ngjit përdore si ngjitet fëmija pas prindit. Athina e kishte befasuar me rrugët, lëvizjet, trafikun, zhurmën. I mësuar në ngushtësinë e shtëpisë së vogël private diku andej nga kodrat e Rrashbullit, me klasën ku jepte mësim dhe grupin muzikor që i jepte gjellë bukës së mësuesit dhe ndonjë tra shtëpisë ende në ndërtim, Athina i dukej e pakapshme, madje e frikshme.

U përqafuam me të dhe me vëllanë, mbasi me të isha njohur në Golem të Kavajës verën e kaluar. Pritëm dritën jeshile të semaforit për të kaluar Patisionin e për tu shtruar në atë mjedis të vjetër lokalesh që mban në vetvete Fokion Negri.

U ulëm dhe porositëm kafenë e zakonshme.

Tek gjerbnim amalgamën e kafenjtë në një cep buzësh kapa fijen e njohur të buzëqeshjes, fije që i shfaqej sa herë kishte ndonjë të re nga “Fronti i kamerierit”, siç thoshim me shaka.

– Mbrëmë kisha mysafir në tavolinë Micotaqin…

– Kë? Micotaqin? Atë të madhin?

– Jo vetëm atë, por edhe me të shoqen, Marikën edhe të bijën, Dorën, edhe djalin, Qirjakon…

– Dhe…?

– Edhe duzinën e rojeve që rrethoi lokalin.

– Kaq?

– Ishim lajmëruar, sigurisht se do të vinte dikush i madh por se kush, pronari nuk ma tha. Ai, për çdo gjë ka besim të plotë tek unë dhe shërbimet e veçanta mi jep vetëm mua. Bëra gati si zakonisht tavolinën duke  u kujdesur deri në hollësi. Kur behu në hyrje të lokalit ndjeva njerëzit të luanin vendit, madje të ngrihen në këmbë. Nuk munguan edhe disa përplasje duarsh në shenjë respekti apo tifozëri partiake. Ju e dini se në lokalin tonë vijnë nga të gjitha partitë dh nga të gjitha shkallët e pasurisë.

Në krahun e djathtë, sapo kaloi portën mori Dorën, kurse në të majtën Qirjakon.

Pasi u rehatuan u urova mirëseardhjen dhe i ftova për porosinë.

Më dëgjoi, më mati nga koka tek këmbët, më pa në sy dhe me atë zërin e tij bubullues më pyeti:

– Kritikos ise?

– Ohi!- i përgjigjem prerë duke ngritur kokën lart. – Ime Alvanos!

Priste, ndaj edhe pyeti, ti them se jam Kritikos, Kretas sepse nga Kreta i ka rrënjët megjithëse kretasit asnjëherë nuk ia kanë dhënë votën, as atij kur bëhej e ribëhej kryeministër, dhe as sot partisë së tij “Demokracia e Re”. Përgjigja ime, e prerë, e befasoi.

Të them të drejtën, asnjëherë, në asnjë rast, edhe atëherë kur isha ilegal, nuk e kam mohuar  se jam shqiptar. Pse ta mohoj?

Pashë në ato të dhjeta të sekondave se si kërciti kolltuku, si notoi shikimi sa tek e bija tek i biri. Pashë se si buzët ia përshkoi një fill i hollë qeshje. Nuk e mora vesh natyrën e atij filli derisa nga goja e hapur nuk do të dilte një zë i fortë, bubullues…

– Ho, ho, ho! – qeshi ai sa u drodh lokali

– Ha, ha, ha! – qeshi e shoqja

– Ha, ha, ha! – qeshi e bija.

– Ha, ha, ha! – qeshi i biri

Ishte një shpërthim gazi që nuk e kisha dëgjuar e ndjerë ndonjëherë, një bubullimë si pas flakës së rrufesë në qiell me shi, një gaz që vazhdoi për minuta e i dha lokalit tjetër ngjyrë.

Porositën, dhe ndërsa drejtohesha tek kuzhina për të lënë porosinë, ndjeva mbi sup një dorë të rëndë. Kthehem dhe përpara më del fytyra dyngjyrëshe e shoqëruesit.

– Pse qeshi kryeministri? – Më pyeti paksa me arrogancë.

– Më pyeti në se jam nga Kreta, Kritikos.

– Dhe ti si iu përgjigje?

– I thashë se jam nga Shqipëria, Alvanos.

E pashë si ia përshkoi fytyrën një qeshje që nuk mungoi të bëhej e zëshme.

E pashë se si bisedën ua tregoi rojeve të tjera të cilët u shkrinë në gaz.

Kur qesh shefi, qeshin të gjithë.

– Kaq? – i them

– Kaq. Çfarë do tjetër?

– Lanë ndonjë bakshish kur ikën?

– Hëëë!- mërmëriti dhe vazhdoi:

– Të pasurit i mbajnë xhepat qepur me pe dore…

Kohë të reja…

Athinë, 22 mars 2011

Filed Under: ESSE Tagged With: Abdurrahim Ashiku-Micotaqis- Athine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 262
  • 263
  • 264
  • 265
  • 266
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT