• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

mafia Vs. Mafia

August 22, 2018 by dgreca

1-Astrit-Lulushi-286x300

Nga Astrit Lulushi/

The Italians

Libri monografik  “The Italians” botuar që në vitin 1964, sot konsiderohet klasik dhe është paraqitja më e mirë që italianëve u bëhet para lexuesve anglo-sakson. Libri është shkruar nga gazetari i njohur italian i mes shekullit XX, Luigi Barzini. Është e vërtetë se disa gjëra janë përmirësuar dhe një numër mënyrash mendimi kanë ndryshuar, por në parimi, mënyra e jetesës dhe e të menduarit janë pak a shumë të njëjta.

Autori mbulon periudha të gjera të historisë me një mënyrë koncize dhe, megjithatë, jep detaje. “Italianët” është shqyrtim i hollësishëm, i hulumtuar, i shkruar mirë i historisë politike, fetare dhe kulturore të Italisë. Barzini i bën analizë thelbësore karakterit të një populli të ndërlikuar, të gjallë dhe plot diversitet të një vendi të qeverisur nga dy kultura; ajo e atyre që jetojnë në Italinë Veriore dhe ata që jetojnë në rajonin me diell, jugor të vendit.

Italianët përveç sasisë së vlerave të shumta,  janë ngarkuar edhe me një sasi krimi,  ku Mafia zë vendin kryesor. Në libër, Barzini shkruan se fjala Mafia njihet për dy gjëra; një, e cila duhet të shkruhet me “m” të vogël, por është nëna e së dytës, me “M” të madhe, e cila përfaqëson mafiozët.

Mafia me “m” të vogël është filozofi e jetës, konceptim i shoqërisë, kod moral, ndjeshmëri e veçantë, që mbizotëron midis të gjithë sicilianëve. Ata mësohen që në djep se duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin, të shoqërohen me miqtë e tyre dhe të luftojnë armiqtë e përbashkët edhe kur miqtë janë të gabuar dhe armiqtë kanë të drejtë, secili duhet ta mbrojë dinjitetin e tij me çdo kusht dhe kurrë të mos lejojë që pështjellimet dhe fyerjet më të vogla të harrohen, dhe gjithmonë të kenë kujdes nga autoritetet zyrtare dhe ligjet. …

Mafia, në kuptimin e dytë, dhe me “M” të madhe, është organizatë ilegale me famë botërore, që sundon mbi vetëm një pjesë të Sicilisë: kërcënimet e saj janë të tmerrshme në Palermo, Partinico apo Agrigento, por injorohen në Messina, Catania dhe Syracuse Nuk është një shoqatë e organizuar në mënyrë strikte, me hierarki, statute të shkruara, seli qendrore, elitë sunduese dhe shef të padiskutueshëm. Mafia është një formacion spontan, si një koloni milingonash ose një mbledhje e lirshme dhe e rastësishme, ku çdo pjesëmarrës i bindet rregullave të tij entomologjike, secili grup i fuqishëm në zotërimin e tij të vogël, i pavarur, i nënshtruar ndaj vullnetit të udhëheqësit të vet, secili duke imponuar formën e ngurtë të drejtësisë primitive. Në raste të rralla emergjence, Mafia mobilizohet dhe bëhet një konfederatë e lirshme….

 

Mafia operon kryesisht në perëndim të Sicilisë, në zonat me prodhim të pasur bujqësor. Askush nuk e di sa mafiozë ka. Vetëm një pakicë e sicilianëve janë mafiozë, në kuptimin kriminal të fjalës. Shumë nuk e dinë sinqerisht nëse janë mafiozë apo jo. Sicilianët perëndimorë duhet, si rregull, të mbajnë marrëdhënie të mira me Mafian në fshatin e tyre të lindjes ose në lagjen e qytetit, ata duhet të mbrojnë familjen, punën, pronën ose biznesin e tyre dhe për të mos patur probleme. Mafia është për ta një fakt i jetës, një nga kushtet e përhershme të ekzistencës, si klima, me rreshje a diell. Shpesh është e pamundur të heqësh një vijë ndarëse mes mafiozit dhe jo mafiozit.

Gjithkush, sigurisht, e di (ndonëse këto gjëra kurrë nuk janë pranuar hapur) se problemet që Mafia mbron janë pothuajse gjithmonë probleme të krijuar e kontrolluar nga vetë Mafia. Dihet se tributet që një viktimë i paguan shefit lokal mafioz mund të krahasohet me haraçin e një feudali të fuqishëm. Por marrëdhënia midis Mafies dhe viktimave të saj nuk është e kufizuar vetëm në mbledhjen e parave, por vjen gjithmonë një ditë kur edhe Mafia ka nevojë për një favor në këmbim, dhe tjetri zbulon se ai nuk mund të refuzojë. Një biznesmen gjen se duhet të japë një vend pune për një ish-të dënuar, një bankier i jep një hua një klienti të rrezikshëm, një fermer strehon persona të panjohur për disa ditë pa bërë pyetje se kush janë, dhe njeriu i ndershëm mban mend diçka që nuk e njihte kurrë dhe harron diçka që ai pa, duke u bërë dëshmitar i rremë. Të gjithë këta njerëz gradualisht futen në rrjet, me shpresën për të shmangur probleme, që nuk mund t’i zgjidhnin dot vetë.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Mafia, The Italians

Ownership and Will

August 18, 2018 by dgreca

1 Lindita KOmani

Nga Lindita Komani/

Ç’kemi kuptuar nga mënyra si mbështesin amerikanët zhvillimin e një shteti? 27 vjet angazhim i pjesshëm në Shqipëri dhe 19 vjet angazhim i plotë në Kosovë duhet të na kishin familjarizuar me këtë temë aq sa ta dinim në ajër se çfarë është e nevojshme për të pasur vëmendje dhe konsiderim nga ana e tyre kur jemi në nevojë.

Kushdo që ka punuar të paktën një herë me mentorë, punëdhënës, biznesmenë, investues, politikëbërës amerikanë, dashur-padashur e ka kuptuar që gjëja më e rëndësishme që amerikanët shohin teksa gjykojnë për seriozitetin e një partneri biznesi, biznesi të ri, apo edhe punonjësi, a të riu që ka nevojë për mentorim, është “ownership and will”. “Ownership” në sensin e zotërimit të temës që shqyrtohet nga ana e kapacitetit intelektual, financiar, politik si dhe gatishmërisë për të marrë përgjegjësi për temën dhe “will” në sensin e njohur, atë të vullnetit për t’i kryer gjërat. Amerika është një shtet që ka çliruar veten dhe është ngritur bazuar në pushtetin e kapacitetit, aftësisë për të marrë përgjegjësi dhe vullnetit për t’i çuar gjërat përpara, të qytetarëve të saj. Me këtë mentalitet janë rritur amerikanët që i njohim apo nuk i njohim. Industria e filmave përpiqet vazhdimisht ta përcjellë këtë mesazh përmes filmave që prodhon e promovon në nivel botëror, si ata me kaubojsa ashtu edhe të ditëve të sotshme, me qytetarë të thjeshtë, forca rendi, shkencëtarë, politikanë, heronj, të zhanrit realist apo fantashkencë, por siç duket nga filmat na pëlqen të marrim vetëm rrjedhën e cekët të një filmi dhe dukjen e aktorëve dhe jo më shumë.

Po të bëjmë një “state of nation” të parë nga syri amerikan, të tillë që të përfshijë edhe Shqipërinë edhe Kosovën ku shqiptarët e kanë shtetin në dorë, nuk është çudi që rezultati i vëzhgimit të jetë “lack of ownership and will”. Kaq i thjeshtë. Qytetarët në shtetet tona zgjedhin përgjithësisht qeveri që i mbajnë në vendnumëro ose i kthejnë mbrapsht në kohë. Në vend që të bëjnë, politikëbërësit zhbëjnë, flasin e fryhen, mashtrojnë. Fokusi në shoqëri dhe kjo ndikuar nga faktorë të ndryshëm, por me peshë më të madhe nga media, është te tema që nuk adresojnë gjëmat e shoqërisë, te ato të lehtat, të argëtimit pa fre, fitimit të lehtë të jetës. Qytetarët largohen, të lodhur e të varfëruar, vetëpërzihen, duke hequr dorë nga “ownership” dhe nga “will” për ta pasur shtetin të tyrin. Amerikanët në kushte lirie kurrë nuk do e linin veten të përziheshin nga Amerika siç kemi lënë ne veten në kushte lirie të përzihemi nga politikëbërësit tanë. Do t’i ngjisnin politikëbërësit në anije siç ndoshta mund ta kenë bërë në kohën e revolucionit të tyre, dhe do t’i degdisnin. Ky është ndryshimi thelbësor dhe ndoshta edhe kriteri kryesor që duhet të mbajmë në mendje kur gjykojmë nëse amerikanët na marrin apo s’na marrin seriozisht.

Ndoshta ngjashëm mund të ndodhë edhe nëse hedhim sytë më tej apo më afër për nga BE e të bëjmë një “state of union”. Pa u ndalur në tema të tjera që iu takon shtetasve të BE-së t’i hulumtojnë e kuptojnë, të paktën sa i përket temës së negociatave me Kosovës e Serbisë, ajo që mund të vëzhgohet është “lack of ownership and will”. Situatë e ngjashme me vitet ’90 kur nuk kishte qëndrim të fortë lidhur me sa po ndodhte në Kosovë, tema i shkiste për duarsh Europës dhe përgjegjësi ajo nuk mbante për paaftësinë e çuarjes përpara të axhendës. Që ndodhi për aq gjatë derisa Amerika u desh të drejtonte ndërhyrjen ushtarake përmes NATO-s që gjërat të merrnin një drejtim në Kosovën që po zbrazej nga shqiptarët të cilët po përziheshin masivisht me dhunë. Në atë kohë shqiptarët në Kosovë, në vazhdimësi dhe me ngulm, treguan si “ownership” ashtu edhe “will” dhe këtë në disa drejtime, me rezistencë të pashoqe paqësore në Kosovë, me diasporën me kontribute të jashtëzakonshme në lobim, në mbajtjen me financa të një qeverie që ushtronte veprimtari në mërgim e në arsimimin e të rinjve qoftë edhe në kushte të rënda, dhe me UÇK-në si forcë e gatshme për luftë në terren. Në atë kohë e për këtë temë të paktën edhe ne shqiptarët në Shqipëri treguam në vazhdimësi si “ownership” ashtu edhe will, me ndihmën për qeverinë e Kosovës, për mbështetjen e UÇK-së, për pritjen e qindra-mijëra njerëzve të përzënë nga shtëpitë e tyre, me lobim e diplomaci. Ndaj edhe u morëm seriozisht.

Kujtesën e kemi të freskët. Ndaj të kthehemi në ditën kur presidenti Thaçi doli me deklaratën gjëmuese lidhur me korrigjimin e kufirit, deklaratë të cilën ai nuk është lodhur ta korrigjojë disa herë deri tani se fjalët janë më të lehta të korrigjohen sesa veprat si kufiri, dy fakte domethënëse meritojnë të shquhen. Kryeministri Haradinaj zhvilloi një takim të gjatë me një gjeneral amerikan dhe ambasadorin amerikan, ndërkohë që në Tiranë u shpërnda lajmi se baza e Kuçovës do të bëhet bazë e NATO-s.

“Ownership and will”, ata që ishin faktori kryesor në çlirimin e Shqipërisë nga komunizmi dhe Kosovës nga Serbia po e tregojnë, edhe tani që duket sikur po kanë qëndrim të paqartë diplomatik. Por para se të tregojmë me gisht nga ata që po ndihmojnë dy shtetet tona që kanë forca ushtarake të pakta përballë fqinjësh shumë herë më të përgatitur për situatë konfliktesh e lufte, të shohim nga vetja e liderët tanë respektivë, të cilët zhvillojnë punë shtetërore në mënyrë private e japin premtime private për çështje shtetërore dhe lënë tema si kufiri i Kosovës të zgjidhen nga palë të treta të huaja jo-shtetërore e të cilat nuk kanë asnjë legjitimitet me pushtetin e votës së qytetarëve të dy shteteve të pavarura. Vlen të pyetet në këtë pikë se cilët përfaqësojnë presidenti Thaçi e kryeministri Rama aktualisht? Ç’legjitimitet kanë ata të dy të bëjnë atë që po bëjnë, në mënyrë të fshehtë? Vlen të shohim nga vetja dhe të vrasim mendjen e gjejmë mënyrën se si duke bashkuar forcat, si qytetarë të rrezikuar ta ushtrojmë “ownership and will” pa i çuar shtetet tona në katastrofë lufte. Vetëm kështu mund të na marrin seriozisht.

Filed Under: ESSE Tagged With: Lindit Komani, Ownership and Will

POPULLI TË SHEH LAKURIQ, SIKUR EDHE ME TENEQE TË VISHESH

August 16, 2018 by dgreca

1 Ndini

-Një vështrim mbi librin me aforizma të Dritëro Agollit-/

2 Fuati-Driteroi-300x218

Nga Fuat Memelli/1 DriteroSa herë lexoj letërsi artistike, prozë apo poezi, nënvizoj pjesët që më pëlqejnë. Është ky një zakon i hershëm që nga vitet ei rinisë. Pjesëve të nënvizuara, i kthehem herë pas here, për t’i shijuar përsëri. Kështu më ndodhi edhe me librin me aforizma ( thënie të mënçura) të Dritëro Agollit me titull “Nulla dies sine linea”(Asnjë ditë pa një vizë (ose pa një linjë). Aforizmat Tolstoi i ka quajtur ”mënçuri e vërtetë, pa shumë fjalë”. Titullin e librit “Nulla dies, sine linea”, i cili është pak i veçantë dhe jo i kuptueshëm për një lexues të thjeshtë, e shpjegon vetë Dritëroi. Këto fjalë janë përdorur nga Plini, historian dhe mendimtar romak, për piktorin e famshëm të Greqisë antike Apelles, që jetoi në shekullin e katërt para erës sonë, i cili ishte mik dhe portretist i Aleksandrit të Madh. Duke lexuar librin, i cili është botim i vitit 2017, mund të them se pothuaj të gjitha thëniet, i kam nënvizuar. Nuk po e theksoj këtë për të lartësuar  veprën, pasi ajo flet vetë. Pas çdo thënie, ndien kënaqësi për fjalët e zgjedhura për të shprehur në pak fjalë një mendim filozofik, për nuhatjen e autorit duke vëzhguar fenomenet e ndryshme që shfaqen në jetën shiptare e më gjerë, që nga politikanët e deri te njerzit e thjeshtë. Shpesh Dritëroi godet me “shuplakat” e humorit, pasi siç dihet, kjo ka qënë një gjini e preferuar e tij, ka qënë një nga “armët” që e ka përdorur si në letërsi, edhe në bisedat e ndryshme. Tek shkruaj këto rradhë më kujtohet thënia e tij para 20 e ca vjetëve për demokracinë tonë të shtrembëruar, të cilën e quajti atë “shkërdhatokraci”.

Aforizmat e këtij libri, janë shkruar ndër vite nga Dritëroi. Ato i gjen te romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”” Njeriu me top” “Trëndafili në gotë” te drama “Fytyra e dytë”, etj. Siç shprehet vetë Dritëroi “pa kuptuar janë mbushur fletorka”. Studjuesi i njohur Shaban Sinani, i cili i bën një analizë të thelluar kësaj vepre shprehet : “Ky është një libër i pangjashëm me të tjerë, jo vetëm në kornizë të veprës së Dritëro Agollit, por në gjithë letërsinë shqipe fund e krye”. Thëniet përshkohen nga figura të bukura si metafora etj dhe tingëllojnë si poezi. Shumë prej tyre kanë si “shtrat” folklorin tonë. Siç shprehet autori “unë të vetmen kredi që mar, e mar nga kredia që më jep  Banka e Folklorit”. Me disa thënie Dritëroi vesin e keq të njeriut, gënjeshtrën. Ai është i sinqertë, kur një njërën prej tyre thotë:” Unë e kam gënjyer gruan time vetëm në fushën e rakisë dhe të duhanit”.

Thëniet ndarë në 15 kapituj, sipas tematikës, duke filluar që nga Atdheu, pushteti , politika; natyra , shoqëria, morali; jeta , vdekja, feja; miqësia, dashuria martesa; puna, pasuria, varfëria; ….gjuha, fakti, gazeta;  letërsia , arti ,filozofia ,etj. Libri pa dritën e botimit në vitin 2017. Nuk u botua më parë, pasi Dritëroi kur ishte pyetur për botimin e aforizmave, nga vajza e tij, Elona, në pranverën e vitit 2016, qe ishte përgjigjur: “Jo, jo. Nuk janë gati”. Ai deshte t’i rikthehej përsëri, të “krasittëe” ndonjërën, ta zbukuronte ndonjë, ta hiqte fare ndonjë tjetër, por…nuk mundi, pasi e thirri përjetësia. Pak muaj pas ndarjes nga jeta, bashkëshortja e tij , Sadija, Elona tok me studjuesin Shaban Sinani, u morën me këtë punë dhe ia dhanë lexuesit. Nuk po zgjatem, pasi nuk dua të merem me analizën e veprës, të cilën e kam bërë me mjeshtëri Shaban Sinani, ndoshta edhe të tjerë profesionistë. Për ta shijuar sado pak ju lexues, po i bashkëngjis këtyre rradhëve vetëm disa nga thënie, të mara në kapituj të ndryshëm. Lexojeni dhe do të shijoni fjalën e mënçur të Dritëroit. Kur ta mbaroni librin, do të thoni :” Të lumtë mëndja dhe pena, i paharruari Dritëro!”.

*Parlamentin pse nuk e quajmë, pallavrament.

*Në luftën politike, shpesh qëllohet rabecka me top.

*Në gjirin e natës, zgjohet dita.

* Fleta është gjuha e pyllit.

*Më thuaj me cilin pi, të them se ç’meze ha.

*Vetëm vdekja e realizon planin qind për qind.

*Zoti nuk shkon në Parlamentin e Shqipërisë, pasi ka frikë se ha ndonjë grusht.

*Miku sytë i ka në tavolinë, veshët në kuzhinë.

*Zhveshja e gruas nga çitjanet, i ngjan zhveshjes së hënës nga retë.

*Ishte i lodhur si presh i zier.

*Të varfërit hanë sasi, të pasurit cilësi.

*Në pleqëri bëjmë llogarinë e viteve të djegura të rinisë sonë.

*Shekujt janë gjerdanë vitesh të varur në gjerdanin e kohës.

*Vetmia nuk ka dhëmbë, por ha veçanërisht pleqtë.

*Na vjen keq për ditën që iku se nuk i dhamë gjë me vete.

*Vetëm kafshët nuk gënjejnë.

*Nuk di të luajë valle, thotë dyshemeja është e shtrembër.

*Sheqeri i frazës, shton diabetin e mendimit.

*Mendimet i ka pus të thella, por kovën që i nxjerr e ka të shpuar.

*Mund të jesh më ditituri, por s’mund të jesh më i miri.

*Pjatalëpirësi është më i mirë se sahanlëpirësi.

*Shumë veshë specializohen për të dëgjuar, në rradhë të parë pronarin dhe shefin.

*Formalist: kokër are, pa thelb brenda.

*Vetëm të shpresosh do të thotë të ngrohësh duart në dritën e yjeve.

*Shpresa na i bën me dorë edhe kur jemi në shtratin e vdekjes.

*Më mirë të vuash nga plaga në trup se nga plaga në shpirt.

*Në ujë noton vetëm trupi, në raki noton edhe trupi edhe mëndja.

*Pija në fillim zbraz xhepin, pastaj trutë.

*Poezia e parë lindi kur njeriu filloi të mërzitej.

*Kënga e gëzimit dhe kënga e trishtimit, kanë të përbashkët mallin.

Filed Under: ESSE Tagged With: Dritero Agolli, Fuat Memelli, Populli lakuriq

O shtypësi im, unë jam siç më do ti!

August 14, 2018 by dgreca

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike/

1 AurelDasareti-250x285Pa dashur veten nuk mund të duash të tjerët. Urrejtja për veten është plotësisht e njëjtë me egoizmin e tejskajshëm dhe të shkakton të njëjtin izolim të tmerrshëm, të njëjtin dëshpërim. Edhe milingonat bëjnë luftëra (për ta mbrojtur territorin e vet),edhe bletët kanë një Shtet, edhe kastorët grumbullojnë ushqime për konsum. 

***

Vetëmohimi,tragjedia jonë. Sot mes shqiptarëve të trojeve dhe diasporës flitet shumë për vlerat. Por ka një “vlerë”për të cilën pothuajse askush nuk flet dhe pothuajse askush nuk dëshiron ta përmend: vetë-mohimin. Të mohosh veten, t`i thuash jo vetvetes, Kombit tënd, Tokës tënde, Atdheut tënd – a është kjo vlerë që ne nuk duhet ta humbasim?

Prej kësaj ne kemi fjalën vetë-mohim, një vlerë që ka kapërcyer vijën e kuqe. Armiqtë e brendshëm, llomotitin bukur për mohimin dhe nënshtrimin, duke theksuar se këto “vlera” (copëtimi “korrigjim i kufirit”të Kosovës dhe Shqipërisë dhe falja e atyre tokave, detit, ujit dhe ajrit Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë)nuk janë negative, por se ato na vënë në të vërtetë në rrugën e “paqes” fqinjësore lirisë dhe prosperitetit.

Kur ne e nënshtrojmë dhe e mohojmë vetveten, bëhemi të lirë të vlerësojmë njerëzit e tjerë. Ëndrrat dhe planet e tyre janë të rëndësishme për ne. Kemi hyrë në një formë të re dhe të “mrekullueshme” të “lirisë”, lirinë për të hequr të drejtat tona për të mirën dhe në dobi të të tjerëve, pushtuesve gjakatarë – armiqve shekullor.

Atëherë për herë të parë mund t’i duam njerëzit e tjerë (armiqtë) pa kushte. Ne nuk jemi të shqetësuar që ata të na tregojnë përkatësisht dashuri të ngjashme. Ne nuk duhet të zemërohemi dhe shqetësohemi që tjerët na trajtojnë në mënyrë të veçantë, me poshtërsi. Ne duhet të kënaqemi kur të tjerët të kenë sukses. Ne ndiejmë trishtim të vërtetë dhe përlotemi kur ata dështojnë. Kjo do të thotë se pastaj ne do të mërzitemi më pak nëse planet tona nuk shkojnë ashtu siç dëshironim, vetëm nëse planet e të tjerëve (pushtuesve) ecin mirë për ta. Ne kemi ardhur në përfundim se është shumë më mirë t`u shërbejmë fqinjëve nazistë/racistë dhe dashakeqëve tjerë sesa të arrijmë qëllimet që neve na pëlqejnë.

Vetë-mohimi, një nga vlerat dhe virtytet më të vështira të të gjitha vlerave, lidhet me të qenët i përulur, tre hapa mbrapa – dhe le të vendosin fqinjët për fatin tonë.

Sunduesi i Kosovës, Taçi, me bërllok tjerë që e rrethojnë dhe bashkëpunojnë, i detyron shqiptarët ta mohojnë vetveten dhe vendlindjen, duke marrë kudo me vete kryqin e tij sllavo-ortodoks të dhuruar nga Sllobodan Milosheviqi.

(Të sqarohemi, pasi nuk jam korrekt politikisht, i quaj bërllok, pisa, kopilë, fëlliqësira etj vetëm ata që e meritojnë titullin. Është naivitet të quhen “zotëri”tradhtarët që shkelin mbi gjakun e mbi 20.000 shqiptarëve civil të masakruar të të gjitha moshave dhe po aq femrave të dhunuara seksualisht nga çetnikët, vetëm në gjenocidin e fundit 1998-99. Ok?).

Nëse e ndjekim presidentin Taçi dhe gjithë ata bërllok tjerë shqipfolës: politikë-bërës, pseudo-intelektualë, pseudo-gazetarë, pseudo priftërinj ortodoks dhe hoxhallarë, vetë-mohues të kombit shqiptar, shohim se fitoret më të mëdha të mbretërisë së këtyre tradhtarëve kanë të bëjnë me i thënë: JO vullnetit të popullit dhe Vendit të tyre që i lindi, por i thonë PO vullnetit të fqinjëve pushtues kasap gjakatarë.

***

Duhet të dallojmë qeverinë nga shteti (vendi). Qeveritarët dhe zyrtarët janë vetëm udhëtarët e rastit të historisë, do të vdesin një ditë, kurse shteti (Shqipëria natyrale) do të jetojë në përjetësi. Asnjëherë mos i lavdëroni politikë-bërësit, sepse edhe nëse ata rastësisht kanë kryer ndonjë punë të suksesshme për shoqërinë, janë të paguar për shërbimin, jo falas. Të tillët i forcojnë pozicionet në qeverisje, vjedhin sa mundin dhe në fund presin t`i varrosin si“heronj”.Ndërkaq popullata është varfëruar deri në trishtim, prandaj bie hovshëm edhe nataliteti. Nevojtarët lypin lëmosh rrugëve; për varfanjakun qeveritari, politikani dhe zyrtari më i mirë është ai që i jep një copë bukë. Prandaj edhe manipulohen në votime.

***

Politikanët e juaj para se me i hy këtij profesioni të lezetshëm nuk posedonin asnjë pasuri, ama brenda disa muajve pasi i hynë “politikës” zotërojnë pasuri astronomike. Kasollet përdhese, të bëra me thupra të thurura ose me qerpiçë dhe të mbuluara me kashtë, i zëvendësuan me pallate shumë të shtrenjta. Leckat i zëvendësuan me tesha të modës, biçikletat e prishura me automobil modern, diplomat e shkollës fëmijërore 4 vjeçare i zëvendësuan me diploma universitetesh dhe akademikësh të blera në rrugë për disa lek.Pasuritë e tyre janë joligjore, të fituara nga keqpërdorimi i detyrës, ryshfeti, korrupsioni, krimi i organizuar. Duhet të konfiskohen. Mirëpo askush nuk mund t`i dënoj sepse nuk funksionon Ligji. Mbrohen me imunitetin e “politikanit”, dhe ata shfrytëzojnë rastin deri sa kanë poste të larta, të marrin ryshfet si kundërvlerë gjatë shitjes së pronave shoqërore tek persona ose sipërmarrje të ndryshme etj. Kanë punësuar të vetët kudo. Dhe, si të pamoralshëm e kriminel, nuk janë budallenj të largohen vullnetarisht nga “vendet e punës”. Largimi do të ishte fundi definitiv i tyre, prandaj 30 vjet me radhë, që të fitojnë në kohë, u premtojnë fusha e male vetëm që t`i leni rehat të vazhdojnë aktivitetin “patriotik”.

***

Krahas qartësisë së qëllimit, në letrat e intelektualëve të mirëfilltë dhe atdhetarëve, të cilët në damarët e tyre kanë gjak shqiptari, le të ndihet edhe një nëntekst i fuqishëm polemik kundër  keqdashësve të Vendit dhe Kombit. Le të shprehet temperamenti i shkruesit,zemrae zjarrtë e patriotit.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Aurel Dasareti, O shtypësi im, unë jam siç më do ti!

LIRI MENDIMIT

August 8, 2018 by dgreca

1-Astrit-Lulushi-286x300Nga Astrit Lulushi/

Lufta e parë e madhe për liri zhvillohet në sferën e mendimit. Historia e njeriut të civilizuar është historia e konfliktit të pandërprerë midis lirisë dhe tiranisë. Çdo fitore për lirinë është hap i ri drejt progresit. Kështu, përparimi mund të matet nga sasia e lirisë së fituar. Jo, si je? por, sa liri ke? – kjo duhet të jetë pyetja e parë që duhet t’i bëhet sot njeriut. Autoriteti nuk ka besim tek liria. Ai mendon se njerëzit kanë nevojë për kontroll, madje të fortë.  Liria beson se njeriu rritet më mirë ndërsa fiton gjithnjë e më shumë liri. Liria e mendimit nxit njohuritë e për të njohur të shkuarën, jetuar të sotmen e planifikuar të ardhmen.  Kush mund ta bëjë këtë më mirë sesa njeriu që mendon i lirë? Tirania proteston, dhe hap zyra për të menduar për njerëzit. Fama (personaliteti, karakteri) krijuar me punën e tjetrit është famë e vjedhur, i ngjan njeriut të keq që gjithmonë është në përndjekje e përgojim të njeriut të urtë. Forca e të keqes është e fuqishme, sepse të këqinjtë janë të shumtë. Kjo e bën mirësinë të jetojë si peshku në thellësi. Mundësia e ndëshkimit nëse  del në sipërfaqe është e rrezikshme. Kështu edhe njerëzit shtyhen të keq-interpretojnë e keq-zbatojnë edhe ligjet më të mira.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Liri mendimit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 278
  • 279
  • 280
  • 281
  • 282
  • …
  • 606
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT