• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Empathy

February 21, 2018 by dgreca

…siç thonë, vetëm i vuajturi ia di atij që vuan. Kjo quhet ndryshe, Empathy, dhe një shoqëri pa këtë ndjenjë i përket llojit të dytë të njerëzve./

1 astrit LULUSHI

Nga Astrit Lulushi/

Gjuha shpreh dhe fjala përcakton. Gjuha është konkrete, fjala është abstrakte. Farë është për atë që e merr dhe mbjell (mendon, kujdeset, kultivon), dhe bërdhamë për atë që ha dhe e nxjerr (keqtrajton, shpërdoron, dhunon). Dhe gjuha shqipe i ka të dyja. Në këtë rast, karakteri përcaktohet se cilën fjalë përdor për t’u shprehur; fara përfaqëson prodhuesin; bërthama, keqtrajtuesin.
Bota me njerëz, prej miliona vitesh në ekzistencë, ka krijuar ligjet dhe prirjet e veta, dhe natyra njerëzit i ka ndarë në dy lloje; një që krijon, ndërton, kultivon; dhe lloji tjetër që prish, shkatërron, rrënon. Në këtë mori, shpesh njeriu ndjen të jetë askush, përveç vetes – në një botë që me çdo kusht përpiqet ta bëjë atë si gjithë të tjerët – do të thotë të jetë gjithmonë në luftë.
Thuhet se nga të gjitha tiranitë më e keqja është ajo që persekuton mendjen. Dhe nga ky lloj persekutimi fillon gjithçka; me mendje të persekutuar, njeriu i kthehet zemrës, mbyllet në të dhe krijon botën e vet që askush nuk mund të hyjë a t’ia prekë. Kjo është arsyeja që zemra (shpirti) është gjithmonë burim i çdo vepre të mirë. Dhe, siç thonë, vetëm i vuajturi ia di atij që vuan. Kjo quhet ndryshe, Empathy, dhe një shoqëri pa këtë ndjenjë i përket llojit të dytë të njerëzve.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Empathy

Vogëlushja kosovare dhe…një gur varri i trishtuar në Vlorë

February 17, 2018 by dgreca

1-gezim-llojdia

Nga Gëzim Llojdia/

 1.Në varrezat civile të Vlorës një gurë varri i trishtuar. Sipër me bojë të zezë shkruar:kosovare. Në faqen ballore j:Ferjale Spasoli 1990-1999.

-Vogëlushe ti ike nga vatra jote në atë  orë e trishtuar. Në të kobshme orë. Orë e fjalë kambanash binin në erë. Morte.Plagë. Gjak ende kullonin krahët e prerë të kombit kirurgjikisht nga trupi  amë. Shenjë të thella në trupin e Shqipërisë,c’prej 1912.

-Të përzunë cetnikët,ushtarët e një  shteti agresor. Të përzunë me dhunë me armë  kallashë,bomba,krisma,zjarre,sharje,ulurima. Le trojet ,shtëpinë,avllinë,djepin që të përkundi,kopshtajat gjithçka ngase ora e hasmit ishte në lëvizje. Ndërkaq ky mot i zi mbrinte. Ikën fshatra të tërë me vargan,ngarkuar mjeteve të punës.Pas era e flakës.pishës dhe xixës së hasmit. Ndonëse i tillë, nga thellësia e kraharorit nxore  mallkimin.Nga iridet e syve:solli lotin. Nga buzët dëshpërimi. Nga zemra: rruzuj mallkimi.

-Ti ardhe në shtetin amë . Ti u nise dhe erdhe në qytetin e Flamurit .Ti ardhe atëherë kur shteti amë kishte dalë vetë nga ëndrra e keqe’ 97.

Vështirë se më parë në Shqipërinë e një tranzicioni të mundimshëm, mund të gjeje kushte. Qytetet e shtetit amë sapo kishin dalë nga luftërat  e tyre. Fshatrat si në mesjetë.

-Çfarë ishte lufta e 97 në shtetin amë?

Burokratët, ziliqarët, pushtetmbajtësit  , burracakët me një fjalë përvijonin fytyrën e  një shteti,që po gremisej çdo ditë në humnerë,madje për ta shpejtuar këtë ata i dhanë dorën e fundit drejt honit më të thellë. Kundërshtarët të vendosur në rrugën e tyre.U dha,për në pushtet shkonte  nëpër një pyllishteje më flakë e armë. Kjo ishte vogëlushe ‘97.

Ti ardhe në shtetin amë kur tiparet e tyre  ishin :ngjyra e verdhë e syve të ngrirë.Pra sapo kishin dalë nga lufta e çuditshme .Diagrami i rrahjeve të zemrës ishte tregues i një lufte ,që s’merrej vesh kush luftonte,me kë luftonte.

Jo pak qytetarët e qytetit të Flamurit kishin mbushur varrezat civile të Babicës me arkëmorti.Si rrallë shqiptarët nuk vdisnin nga Zoti,që u kishte dhënë jetën,por vriteshin ditën me diell në qytetin historik,nga kallashët e plumbave rrëmintar. Mirëpo cilado qoftë e vërteta,shkaqet e saj për ju o politikanë të kësaj kohe dhe të gjithë krahëve,për ju projektues të zinj. Për ju ndërtues e zbatues varrezash. U shtrembërofshi këmbë e kurriz,djall e bijë djallësh.Bukë,o Zot i madh ,mos u dhënçin në pleqëri të thellë. Strehë,mos gjeçi në ditë të zezë.

2.Kështu ti ardhe në qytetin e Flamurit.Ti erdhe në shtetin amë aty ku dielli muzgjeve tè shumèpritura qielli pèrflaket.Vogëlushe ti ardhe në qytetin tonë pèrpara njè sinfoni të  brishtè,aty  ditènetèt e gjata,me zèrin e dridhur tingujve pèrhumben. Ishujve tè vecuar pèrhapet largèsia,duke u tretur dalèngadalè heshtjes sè saj,krahève tè zgjatur mbetet njè shpresè.Ti ardhe pikërishtë për këtë shpresë vogëlushe!Dhe një ditë befasisht ti  u sëmure ,pra cfarë të ngjau?Si ndodhi që jeta jote upërmbys. Vogëlushe  ike për ti shpëtuar një tmerri pa fund. Shpresoje dhe ëndërroje  të ishe larg plumbave. Shpresoje dhe  ëndërroje që një ditë ,që tmerri të mbetej pas. Ëndërroje të riktheheshe në vatrën tënde .Ëndërroje të ishe e qeshur,  lumturisht.

Ardhja jote ,qiellin e pastër brenda vetes shpalosje. Ti solle pranë çdo cicërimë dhe fëshfërime gjethesh,erën e ngrohté shpërndaje kudo,té ndërroj fushëpamjen e  muzgut zbehur. Pranverat e ikura klithin njëzëri,duke marré me vete çdo ankim,té gjitha ngjyrat kërkojnë koloret e tyre. Brenda teje buronin  ujëvarë,rrjedhshmërinë e saj duket se diçka e ndali, ,ndërfutur mes  një hapësire e zbrazét,ti u ende  drejtimesh qé si kupton as vet.      Dhe një ditë të vitit 1999 defitnitivisht ,sytë i mbylle. Karvani i mortorëve u ngjit  te kodrina,përjetësisht aty flenë të ikurit nga kjo botë. Dhe rapsodi një miku im Nertesi Asllani këndonte dhimbshëm me vargje plumbi:“Eh, Babice, Babice,/C’dhimbje mba mbi vete,/ Sa pak jete të plote! Sa shume copra jete!Karvanë me lule, /Krushq të qetë, pa zhurmë, /Tabutet mbi supe,/ Dhendurret në gjumë”…….

-Një lutje prano ti udhëtar te dërrasa e këtij varri të vetmuar ,aty hidh një lule mbi dheun e  butë.

-Vogëlushe, hasmi iku detyrimisht nga toka dhe vatra?Po ti pamundësish nuk u ktheve në trojet e tua. Stacioni i fundit i jetës ishte këtu në tokën amë .Perëndia të dha jetë,hasmi ta ndërpreu në 9 vite.Mbetur përjetësisht në këtë  qytet vogëlushe,si kohë  dhe tregues i një lufte, që  shkau ka bërë me shqiptarët .Nëse në folklor thuhet:Ku ka rrjedhur do pikojë do vej soji më soj…që dmth shqiptarët do kenë trojet e tyre, që u ka dhënë Perëndia, si një lindje që pas perëndimit vjen.Për  ardhacakët udhët dihen ,nga sytë këmbët drejt muzgjeve  ,ngricave pa fund  nga ku  nisën  me taborët dhe ulërimë .Le të kthehen në ditënetët  e tyre .Atje të  luten për mëkatet  e tyre .Perëndia gjithsesi  i mëshiroftë për krimet  e tyre.

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Llojdia, Vogelushja kosovare

Në Shqipëri ra Monarkia e kuqe, fatkeqësisht, ‘monarkët e kuq’ mbijetuen

February 15, 2018 by dgreca

1-Repishti-300x212

Disa citime nga shkrimet e kohëve të fundit të Prof. Sami Repishti- ideologu i ditëve tona/

anton-cefa

Zgjedhur nga Anton Çefa/

– “Nëse e kaluemja kishte në esencë nji element tragjik, përsëritja e saj  tek ne do të ishte vetëm nji komedi fatale.”

*“Mbas votimeve të vitit 1945, perdja e hekurt ra mbi vendin tonë, dhe zgjedhjet e ardhme deri në vitin 1992 ishin nji tallje me të drejtën e popullit për votime, dhe nji manifestim i padëshirueshëm i nënshtrimit të përgjithshëm para frikës së persekutimit.”

*“Fatkeqësisht idetë fisnike të Botës së Lirë, sidomos ata të mbas Luftës së Dytë Botnore gjeten nji terren anmiqsor në vendin tonë, ku popullsia iu nënshtrue nji indoktrinimi të ashpër dhe nji fryme hakmarrëse.”

*“Ish – të persekutuemt shqiptarë antikomunistë kanë përbuzë hakmarrjen – cilësi shtazarake –  dhe kanë kërkue ‘drejtësi’, e cila u  asht mohue me pretekste absurde . . . Qendrimi i ‘fajtorit’ që nuk kërkon falje për krimet e kryeme, asgjason procesin e ‘pajtimit’ dhe ‘bashkimit’, nji proces qi na mundon të gjithëve, dhe që na pengon në çdo hap të jetës së përditshme.”

*“Nji klasë e re e privilegjueme ka ardhë në fuqi dhe asht mbajtë me dhunë, por ka deshtue në krijimin e nji shoqënije të re që trajton të gjithë qytetarët me dinjitet, tue mbjellë kështu farën e vetëshkatërrimit.”

*“Koncepti i qytetarit përmban pjesëmarrjen koshiente në jetën shoqënore e politike të vendit; pjesëmarrja asht pengesa kryesore në luftën kundra diktaturës dhe ideologjive totalitare.”

*“Që nga viti 2000, ne jemi dëshmitarë të ngritjes së nji rreziku të ri: ‘populizmit’, dhe lëvizjes së politikës së nacionalizmit agresiv, lëvizje që kërkon kthimin e pushtetit në duert e ‘kombit – shtet’ larg nga institucionet ndërkombëtare të mbas Luftës së Dytë Botënore, si NATO, B. E., dhe UNO-s, dhe nji serie organizatash ekonomike shoqënore e kulturore që përbajnë strukturën e ruejtjes së paqes që nga viti 1945.”

*“Roli historik i çdo shqiptari, dhe ai kolektiv i shoqënisë së lirë shqiptare asht përpjekja me u mbrojtë nga rreziku i ringjalljes së diktaturës në vendin tonë.”

*“Gabimi në politikë nuk falet. Aq ma shumë për ne që kemi përjetue katastrofën gjysëm shekullore. Kjo e vertetë na detyron me studjue historinë, të kaluemen tonë, sidomos atë të dekadave të fundit, dhe me kuptue cilat janë rranjët e tiranisë që na kërcënon, dhe cilat janë përgjigjet tona që na imponohen.”

*“Kultivimi ‘i njëshit udhëheqës’ si mjeti i vetëm i ‘shpëtimit’ të vendit përfundon në ‘kultin e individit’; një zgjidhje e mbrapshtë, dhe pa-evitueshmenisht tiranike.”

*“Për fat të mirë, ideja se autoriteti ‘objektiv’ mund të zgjidhë ‘ngërçin’ politik në vendin tonë tue qendrue larg politizimit partizanesk po rritet.”

*“Zgjedhjet nuk janë pjesore për ‘partitë politike’ të vendit; ata janë të përgjithshme, për të gjithë vendin. Ato janë për të ardhmen e ‘Nanës Shqipëri’, të ardhmen e të gjithë qytetarëve, pa përjashtim. Ky mentalitet duhet të mbizotnojë mendjet e votuesve para arkës së votimit, ditën e zgjedhjeve.”

*“Nji botë me qenie njerëzore plot dinjitet asht nji ideal që duhet të realizohet. Shpesh herë vështirësitë tona janë ma të mëdhha se aftësitë tona. Por historia na mëson se  randësia e mos-komprometimit me ‘murtajën’ diktatoriale asht vlera ma e naltë, e mbrojtja ma e mirë kundër përhapjes së diktaturës. Dinjiteti për të gjithë asht nji ideal i arritshëm.”

*“Gjendja e krijueme tregon nji përqendrim të fortë të tre pushteteve në duert e nji partie politike të vetme.Teorikisht, ajo asht nji kombinim forcash që lehtësojnë rrugën drejt nji regjimi autoritar, i cili damton  zhvillimin demokratik të vendit.”

*“Me ramjen finale të komunizmit, periudha e tranzicionit në demokraci tregoi se e vjetra refuzon me vdekë, dhe e reja demokratike nuk gjen fuqi të mjaftueshme me lindë dhe me u forcue. Sot, nevoja e rishqyrtimit të rrugës së kalueme gjatë këtyre 27 vjetëve asht e domosdoshme për të gjithë, sidomos tashti me krijimin e nji situate të re koncentrimi të pushtetit që rrezikon vetë demokracinë.”

*“Çdo popull ka nji  shpirt; shpirti i shqiptarit asht tradita shekullore e vlerave tona morale të besës, nderit, mikpritjes, burrënisë, lidhja me tokën e vendlindjes . . . Kur kjo traditë u thye nga uria e zgjedha politike, vendin tonë e mbuloi pabesia, shvlerësimi i nderit e burrënisë, dënimi me vdekje i mikpritjes, arratisja,  e talljet publike ‘për mbeturinat e së kaluemes së errët reaksionare . . .’ Terreni politik mbeti i hapun për abuzime, spekulime, çthurje morale e politike pa asnji pengesë. Shpesh të inkurajuem nga vetë ‘pushteti i popullit’. Lindi  ‘njeriu i ri’ ! Natyrisht, faktet kanë rrjedhime, efektet e të cilëve i pësojmë edhe sot.”

*     “Lavdia e madhe e revolucionit paqësor të vitit 1989 në Europën Lindore ka qenë natyra e qytetnueme, paqësore dhe civile e këtij revolucioni. Ai doli me sukses në organizimin e rezistencës civile dhe në ndërtimin e shoqënisë civile pothuejse tanësisht me mjete jo të dhunëshme. Ky asht edhe shembulli shqiptar i studentëve tonë heroikë të 8 dhetorit 1990, që shpresojmë të frymëzojë transformimin e shtetit dhe shoqënisë shqiptare në të ardhmen me zbulimin e tij të përgjegjësisë civile. Ky asht edhe shembulli i viktimave të komunizmit që përbuzen idenë e urrejtjes dhe hakmarrjes, dhe vunë shpresat e tyne në drejtësi, që i mashtroi randë.”

*“Në Shqipëri, me ramjen e ‘Monarkisë së kuqe’, fatkeqësisht, ‘monarkët e kuq’ mbijetuen. . . Faktori paqësor mbetet për mue nji element etik i dorës së parë. Personalisht e kam përkrahë që në fillim, sepse ky faktor tregonte edhe rrugën që duhet të ndjekim në politikë.

*“Sot kemi nji kryeminister që ka mundësinë me u ba nji diktator i vërtetë me përkrahjen e atyne që mbushin radhët e institucioneve tona legjislative dhe ekzekutive. Ma shumë se gjysma e Kuvendit janë anëtarë të zgjedhun me gisht nga kryeministri dhe të ‘aprovuem’ nga votuesit që as i njohin fare kandidatët. Me nji Kuvend të tillë, mund të kalohen ligje që i përshtaten vetëm kryeministrit. Opozita asht e pafuqishme me e ndalue, dhe ka zgjedhë rrugën ma të gabueme: abandonimin e Kuvenndit, i vetmi forum ku flitet lirisht dhe mesazhi transmetohet për  ata që duen ta ndigjojnë.”

*“Presidenti, teorikisht arbitri final i Shtetit, asht emnue nga kryeministri, dhe ka arsye me besue se nuk do të kundërshtojë kryeministrin në veprimet e tia, megjithëse natyra e tij e fortë mund të na vejë para situatash të paparashikueshme.”

*“Gjykata Kushtetuese varet në nji masë të madhe nga anëtarët e emnuem nga kryeministri dhe të aprovuem nga Kuvendi i kontrolluem prej tij. Pavarësia e tre pushteteve në demokraci asht damtue randë.”

*“Nga zhvillimet e 27 viteve të fundit del e qartë se qeveritë nuk kanë synue ngritjen e nji Shteti funksional, i sunduem nga ligji dhe jo nga individi. Këto qeveri janë përqendrue në krijimin e legjioneve përkrahësish të bindun ose ‘të bindun’ ideologjikisht, si dhe spekulatorë që përfitojnë nga forca brute e Shtetit  që ata mbështesin. Rezultati asht dalja në skenë e nji ‘shoqnie të nënshtrueme’, ku jetët e individëve janë lehtësisht të kontrollueme dhe të drejtueme nga nalt.”

*“Randësia e demaskimit dhe informimit publik të personave dhe krimeve asht e padiskutueshme. Ashtu si asht e padiskutueshme randësia e ‘kujtesës’ dhe përbuzja e ‘harresës’. Si mund të vendoset paqa sociale në mes të kriminelit dhe viktimës, marrëdhanjet e maparshme, nji jetë ‘normale’, në nji botë ku kujtimet e llahtarisë diktatoriale janë aq të thella? . . .  Si mund të pranojmë që ende sot kriminelët të rikujtojnë me nostalgji rregjimin e krimit, vazhdojnë ‘dënimin’ e viktimave, mbrojnë aktin kriminal të tyne ose të prindëve të tyne, dhe që sot përkrahin lëvizje politike që duen kthimin e regjimit të ‘hurit e të litarit’, dhe e justifikojnë me shprehje se ‘koha’, kjo e panjohun që nuk lejon pushim për meditim, shlyen kujtesën tonë sot pjesërisht, dhe për breznitë e ardhshme, totalisht ?

*“Nji gja asht e sigurtë: asnjeni prej ‘atyne’ që ndihmuen vullnetarisht – ose u detyruen me u bindë –  nuk do të jetë në gjendje me ‘shkund përgjegjësinë për qendrimin e tyne gjatë periudhës 45 – vjeçare të terrorit të organizuem me mjete shkencore. Edhe në qoftë se nuk asht ‘fajtor’, ai / ajo duhet të ndiej veten të turpnuem. Viktimat e persekutimeve komuniste duhet të qendrojnë larg nga këto elementë mjeranë që kanë humbë humanitetin e tyne, solidaritetin natyral me qeniet njerëzore në ditët e vështira. Kështu ka qenë me fashistët, me nazistët, dhe kështu asht edhe për komunistët. Nuk duhet të harrojmë!

*“Harresa’ e krimeve të kryeme asht nji fenomen që vetëm koha mbulon, edhe të kaluemen tonë pa mëshirë! Mbetet gjykimi i aktit, dhe mundësia e faljes së tij. Falja e aktit asht nji gjest vullnetar vetëm për vuejtësit e krimit, kategoria e vetme dhe e privilegjueme, e aftë racionalisht dhe e paisun moralisht me falë fajin  . . . Asnji nuk ka të drejtë me falë në emën të viktimës . . . Sot na duhet të luftojmë ‘harresën’, sepse jemi të bindun se heshtja përfaqson rrezikun ma të madh të përsëritjes së tmerrit të kaluem.”

*“Viktimët e terrorit të kuq gjeten guxim të mjaftueshëm më përbuzë urrejtjen dhe pjellën e saj, hakmarrjen. Me këtë qendrim, ata kanë fisnikërue qeniet e tyne dhe kanë dhanë nji shembull të shkëlqyeshëm për historinë e popullit tonë. Ky gjest sublim mbeti pa përgjigje ! Fatkeqësi ! Randësia e gjykimit dhe e dënimit të fajeve të këtilla asht e padiskutueshme. Këtë nuk duhet ta harrojmë, sepse harresa ban të mundun përsëritjen e së kaluemes . . . Duhet folë, duhet tregue e përshkrue ferri komunist me të gjitha mjetet, por pa dhunë. Dhuna nuk asht arma jonë; drejtësia po !”

*“Sot ballafaqohemi me fazën e dytë të rindërtimit moral të jetës sonë në Shqipëri. Në fazën e parë kemi përbuzë urrejtjen dhe hakmarrjen. Sot kemi shpresë së do të jetë e mundun me ba hapin e dytë: pajtimin në mes nesh, sepse edhe na, viktimët, kemi nevojë për paqen tonë të humbun.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, citime, Prof. Sami Repishti

ÇFARË MJERIMI !

February 14, 2018 by dgreca

Duke dëgjuar një emision televiziv/ 

1-xhevair-lleshi-zyre

Nga Xhevair Lleshi/ Një nga ata që më dukej serioz në një diskutim për artin më bëri të sëmurë. Diskutohej në gjuhën shqipe dhe secili fliste shqip si në Kohën e Qepës. «Nuk muj me fol nrysh» të vjen përgjigjja. Dhe zorrët e fjalëve të vijnë grykë! Fjalët elegante, të zgjedhura, të hajthme, miqësore, të ngrohta, fjalët që ndezin zemra, ato që nënkuptohen, që mbeten në grykë, që nuk shfaqen, fjalët që gjithmonë janë të zëna me punë – këto mungojnë! Nuk i gjen më. Nuk i dëgjon më! «Nuk muj me fol nrysh !» E ç’të keqe ka? Më mirë në kotnajën e fjalëve pa cak, pa atë hollësinë e nevojshme të domosdosë së të folurit të kthjellët e të normuar të gjuhës shqipe.

NË TELEVIZION FLITET SHQIPE STANDARDE ! Jo fjalë të ditës, jo fjalë që nuk zbardhen dot as në dritën e diellit, as përmes gjakrave të nxehtë, jo fjalë që kërkojnë ndonjë skenar të veçantë, por një e folur me tharm, që trondit shpirtin dhe mbahet mend. «Nuk muj me fol nrysh» Dhe mund të jesh zv.ministër apo ministër dhe të flasësh kështu? Kush të duron? O Zot! Fjalë të rrethuara me njëmijë dialekte. Ja, mbaroi fjalimi  ministror me fjalët nëpër duar (jo nga goja e as nga mendja!), po fjalë me skenar… Dhe mbledhjet janë të pafundme për dashurinë e fjalës shqipe të kulluar, të shqipes së kulluar! «Nuk muj me fol nrysh !» Të këputet shpirti në mes të punës, të pushimit, të ngehjes dhe kështu me radhë drejt një realiteti të përbuzur të përnatshëm në emisionet televizive. Kushti i parë për të qenë nëpunës i lartë apo i ulët është: të flasësh bukur gjuhën shqipe! «Un e kom pas ni hall.» Do të duhet luajtur brydhët kjo pjesë orkestrale e fjalës së bukur shqipe. Në korin e madh të të folurit shqipja e saktë dhe të mrekullueshme ka ngritur flamurin e bardhë. Është dorëzuar, duke u nënshtruar përplot bindje, se gjuha shqipe MBROHET NGA LIGJI… Çfarë mjerimi!

Filed Under: ESSE Tagged With: ÇFARË MJERIMI !, Xhevair Lleshi

Gjuhë

February 13, 2018 by dgreca

1 astrit LULUSHI

nga Astrit Lulushi/Fjalët e vitit të kaluar i përkasin gjuhës së vitit të kaluar, dhe fjalët e vitit të ardhshëm pritet t’i përkasin vitit të ardhshëm, shkruante T.E Eliot në 1930 në Four Quartets, një seri prej katër poezish, që është konsideruar si vepra e tij më e mirë. Ai jepti sinjalin se fjalët do të fliten ndryshe.
Duhet pranuar, se anglishtja është gjuhë e zhvilluar, jo për nga numri i fjalëve, as gramatikës a mënyrave të shqiptimit, por ndikimit. Kjo gjithashtu tregon se gjuhët e tjera si shqipja, me gjithë lakueshmërinë, që buron nga lashtësia e saj, mund të ketë filluar një udhëtim drejt të panjohurës dhe pritet të ndryshojë deri deri në njehsim në formë me atë gjuhë që do të dalë nga anglishtja e sofistikuar ku emrat nuk lakohen.
Dhe pa lakimin e emrit kuptimi i fjalisë në shqip transformohet: – Ai i tha Genc dhe ky nuk pranoi. (Nuk pranoi çfarë? Emrin e tij?) – Njeriut u duhen aftësitë e një gjuhëtari që deshifron mbishkrime të lashta për të kuptuar këtë fjali e të tjera të shumta pa emra te lakuar që kanë filluar të shfaqen në gazeta e shtypin elektronik shqiptar.
Zhvillimi i gjuhës vjen me zhvillimin krahas të njerëzve që e flasin. Kur ky zhvillim nuk është i barabartë njëra palë nuk e kupton tjetrën. Koha tregon se në këtë garë njerëzit kanë mbetur prapa dhe gjuha ka përparuar.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Gjuhë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 293
  • 294
  • 295
  • 296
  • 297
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT