• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJERËZ TË TRAZUAR…

April 4, 2025 by s p

Kastriot Fetahu/

Ishte libri “Mallkuar qoftë ajo ditë”, lexuar në vitet e adoleshencës, ai që më frenoi në stacionin e mendimit për ngjyrën e lëkurës së njeriut. Do të tregohem i padrejtë nëse do të ndaloj së qeni i sinqertë. Entoni me lëkurën e bardhë dhe Stivi me ngjyrë, dy vëllezër, në një ditë u ndodhën në sallën e gjyqit përballë njëri-tjetrit dhe bashkë për të shpëtuar njëri-tjetrin. Entoni avokat, ndërsa Stivi aktivist për mbrojtjen e të drejtave të zezakëve në Afriken e Jugut, faji i vetëm i të cilit ishte pse shkoi në shtëpinë e vëllait në lagjen e të bardhëve.

Nëna e tyre Meri, një metise, jetonte me frikën se një ditë kariera e Entonit do të ndërpritej nga ngjyra e errët e lëkurës së të vëllait, Stivit. Nuk e mbaj mend nëse lotova, po prej atij libri në jetën time u projektua një kauzë “Soweto”, bandustanet e saj, kampet e zezakëve në regjimin e Aparteidit të Afrikës së Jugut nën pushtetin e të bardhëve me presidentin e fundit Frederik De Klerk.

Pyetja se ku qëndron zotësia ime që kam ngjyrën e lëkurës të bardhë, ishte aq e pakuptimtë. Unë nuk kisha asnjë meritë në këtë gjë, ndaj vuaja pse “Soweto” ekzistonte si një plantacion njerëzish me ngjyrë në një botë të civilizuar. Në shkollën tetëvjeçare ajo ishte një vajzë e bukur, një vajze e urtë, e ndrojtur, recitonte vjershat më bukur nga të gjithë ne. Ishte e ndjeshme dhe gjithmonë shumë e kujdesshme, e ndrydhur, i mungonte lirshmëria e moshës dhe dukej sikur ndiqte me shumë vemendje çdo zhvillim shoqëror për të qenë e pranueshme dhe e barabartë në çdo gjë midis nesh. Me ngjyrën e lëkurës së Esmeraldës së Hygoit në “Katedralen” e famshme, zbukuronte mozaikun e klasës. Një ditë kur po recitonte poezi, në një çast njërën prej fjalëve e shqiptoi me një ndryshim shkronje, me ngjyrat e dialektit të gjuhës në shtëpinë e saj. Ne shpërthyem në ilaritet, ndërsa ajo zuri fytyrën me duar dhe qau. Edhe sot ndihem në faj pse ata qeshën me një lapsus për shkak të dialektit.

A nuk ju duket se ajo vajzë në gjenezë vjen si produkt i njerëzve që kanë qarë me shekuj? Edhe sa shekuj duhet të qante? Çfarë ishte më shumë se kaq dallimi racial? Unë isha gjithmonë Stivi, po ata? “Çfarë kënaqësie mund të provosh kur shikon tjetrin në vështirësi?” Këtë mendoja dhe nuk e gjeja dot atëherë kur klasa me ilaritetin absurd bullizoi një engjëll mes dy gjuhësh. Kur dhe ku mësohen dashuria dhe urrejtja?

Ndërkohë lajmet shpërndanin përditë ngjarjet në Soweto dhe burgun e Mandelës. Asokohe guxova dhe pyeta veten se çfarë roli ka komunizmi në këtë ngjarje?

Kur isha student nuk kaloja dot në “Bllok”, pasi ruhej me ushtarë të gardës dhe me polici. Kjo zonë e Tiranës më dukej mistike, si një vend me heshtjen e perëndive, si “jashtë shtetit.”

Nuk e gjeja dot nëse ishte dallim racial apo klasor, që nuk më lejonin të ecja në trotuarin ngjitur me Bllokun në rrugën “Sami Frashëri”, apo ndoshta kishte emër tjetër? Ndërkohë portretet e zymta e të padeshifruar të atyre që nuk gjetën kurrë prehje nga lufta e klasave, më ngecin në një kaos trafiku mendor edhe sot. A nuk ishte dallim racial politik, krijimi i “aborigjenëve të rinj” nga teoria e Leninit? Rrudhesha në fytyrë, sikur të hidhja njëherësh një gotë “Wisky”, kur studentët “tironc” na quanin katunarë ne të rretheve. Çfarë zotësie kishin më shumë se unë ata, pyesja veten. Ku qëndron merita se kishin lindur në Tiranë apo ishin vendosur atje si bij të baballarëve të afërt me pushtetin? Me atë logjikë, sot që jetoj në Boston, për analogji ata do t’i etiketonin “katunarë” qytetarët tiranas në raportin Tiranë – Boston, se i ngjan raportit të qytetit tim me Tiranën e asaj kohe.

Lulëzonte urrejtja në një tjetër fjalë, “malok” për veriorët, nën zë apo në grupe jashtë prezencës së tyre.

A na bashkonte apo na ndante komunizmi?

Nëse po, pse diferencoheshim në “tironc” që ishin gjithmonë “patricët” dhe ne të tjerët, katunarë, fshatarë, malokë. romë, egjiptian, shule apo emra të çfarëdoshëm që përfaqësonin ndasi më të vogla në numër dhe territor? Gjërat tek të cilat besoja, dukeshin si një univers i kithët me “patricët”. Shumë pyetje drejt vetes nuk gjenin dot kuptimet e përbashkëta.

Vuaja dhe që t’i shpëtoja autobullizimit, strehoesha në vetminë time si e vetmja mbrojtje, pasi trishtimi ishte një gjendje statike mbi të cilën mbivendosej çdo gjendje tjetër.

Njerëzit “vetvrasës” si derivat i vuajtjeve shpirtërore duan të arratisen shpejt nga kjo botë, ata nuk duan të japin shpjegime pse fati i tyre i kufizon shumë në ëndrra dhe realitete shpirtërore. Kush na e ka borxh një jetë më të mirë, se sa rinia që kaluam në vitet ‘80?

Vajzat studente, në teorinë e planeve të jetës, na trajtonin si “rezervë” ne, studentët e rretheve dhe kjo ishte një aksiomë të cilën nuk përpiqesha kurrë ta zgjidhja. Pse duhej të pleksej me çështjet e zemrës vendbanimi ynë? Ndoshta kishin të drejtë, sepse lëvizja e lirë ishte koncept i panjohur. Po përse vallë?

S’po i bëj më ndonjë të mirë kësaj bote, mendoja përderisa ekzistonin ide të tilla hapur apo fshehur pas nënqeshjeve cinike fyese të “patricëve” të ndryshëm në llojin e tyre.

Ideja për të eksploruar aspektet psikologjike e filozofike të këtyre fenomeneve, ma bëri detyrën më të vështirë nga sa e mendoja. Njeriu nuk kërkon të vdesë sepse ka ëndrra dhe iluzione, por a ishin njëlloj për të gjithë? Sa e dyshimtë është kjo gjë, i ngjan ndryshimit të thellësisë së detit edhe pse ai ka emrin det kudo në sipërfaqen e mbuluar nga uji i kripur. Ndodhte që të më zgjohej shpresa nën vrulle suksesi të papërfillshëm, por që ndizte ngjyra të bukura çastesh gjurmëlënëse në jetë. Dukej sikur më plaçkiste shpirtin identiteti im gjeografiko-politik edhe pse te ne nuk ekzistonte “Soweto” dhe as Sabra e Shatila të Bejrutit.

Ura mes instiktit dhe logjikës, ligjit dhe shkeljes, pasionit dhe moralit, dëshirave dhe objektivave, imagjinatës dhe mundësisë qëndronte e mbyllur tek unë.

Isha një njeri i trazuar, një student i ngatërruar që as urën drejt vetes nuk e ndërtova dot, një qenie njerëzore laboratorike e ekzistencializmit Sartrian.

Në moshën 22 vjeçare Gandhi kishte tre fëmijë, Mozart 30 simfoni, Evariste Galois shkencëtar me shpikje teoremash matematike, Evan Spiegel, themeluesi i Snapchat, miliarder, ndërsa unë nuk guxoja të kisha as… ëndrra. Vazhdoj të mendoj se të gjithë janë brenda të njëjtës vlerë dhe bij të lirisë, madje edhe bij të të njëjtit Zot. Po ndërkohë edhe sot më godet në mendimin e fundit, të pathënë kurrë më parë, ideja “A jemi racistë ne shqiptarët?”. Një pyetje e vendosur brenda një kornize ndërtuar me “pse” pafundësisht. Kjo ide më zvogëlonte gjithmonë si domosdoshmëri e arsyetimit të plagosur për mungesën e lumturisë në kohën e pamjaftueshme. Liria nuk është për egoistët, po rruga e kërkimit të së vërtetës brenda vetes në raport me të gjithë botën. “Mallkuar qoftë ajo ditë” nuk ekziston më dhe as “Soweto” nuk ka më tej dy ngjyra.

Ndërsa vazhdoj të jem gjithmonë Stivi…

Filed Under: ESSE

𝐍𝐢𝐬𝐣𝐚 𝐞 𝐳𝐛𝐚𝐭𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐏𝐥𝐚𝐧𝐢𝐭 𝐌𝐚𝐫𝐬𝐡𝐚𝐥𝐥

April 3, 2025 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Në këtë ditë më 3 prill të vitit 1948, Presidenti i SHBA Harry S. Truman nënshkroi në ligj planin e George C. Marshall, i njohur si Plani Marshall, pas Luftës së Dytë Botërore, për të ringjallur ekonomitë e vendeve të Evropës Perëndimore dhe Jugore në mënyrë që të nxitej demokracia në kontinent e të frenohej zgjerimi i influencës komuniste.

Plani Marshall u projektua për të rehabilituar ekonomitë e 17 vendeve të Evropës në mënyrë që të krijoheshin kushte të qëndrueshme në të cilat institucionet demokratike mund të mbijetonin pas luftës.

Shtetet e Bashkuara transferuan 13.3 miliardë dollarë (170 miliardë sot) në programe të rimëkëmbjes ekonomike për ekonomitë e Evropës Perëndimore ndërkohë që çlirimi i Evropës nga nazizmi kushtoi jetën e 400,000 mijë amerikanëve të vrarë e mbi 600,000 të plagosur.

Falë ndërhyrjes amerikane në luftë, jetëve të rëna dhe ndihmës së pakursyer financiare Evropa gëzon statusin që ka deri më sot.

Filed Under: ESSE

Krenari kombëtare!

April 2, 2025 by s p

Shkruan: Robert NUHA/

Prezantimi i shfaqjes “Pas Luftës, Kush jemi Ne?!”, në Théâtre du Gymnase Marie Bell, në Paris, më, 24.03.2025, dhe në Claridge Events në Bruksel, më, 26.03.2025. Një eksperiencë e paharrueshme me një Shfaqje artistike, dedikuar historisë sonë të lavdishme dhe të dhimbshme, në shenjë falënderimi për miqtë tanë ndërkombëtarë, e në veçanti për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ju bënë krah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, na e bënë lirinë realitet, pas më shumë se Një Shekull robërie.

Një ndërmarrje e tillë artistike do të duhej të përkrahej nga shteti, sepse, përveç temës që shfaqja mbartë, ajo gjithashtu prezanton kualitetet më të larta artistike, figurat e artistët ndër më të rëndësishmit në vend. Format skenik jo i shpeshtë dhe sigurisht lojë artistike që po lë mbresa të jashtëzakonshme kudo që po shfaqet. Një iniciativë e tillë, krejt personale e Prof. Nusret Pllanës, do të duhej të merrte vëmendjen e duhur institucionale dhe, jo ti mbetej kohës, e pesha edhe financiare, ta rëndoj një person të vetëm.

Gjithsesi, ne, me gjithë vështirësitë që kishim, kaluam çaste të paharrueshme dhe u prezantuam në formën më të dinjitetshme artistike.

Sigurisht, kjo është meritë e ekipës së punës, dhe një trupë prej 35 personash, të cilët u bëmë bashkë, që të prezantohemi në dy qendrat Europiane të Artit.

Krenari kombëtare, sepse dëshmia më e fuqishme e zhanrit dans teatër, e cila komunikon shqip dhe thërret me gjuhën universale, duke komunikuar nëpërmjet gërshetimit të arteve në modalitietet më origjinale, të ardhura në skenë nga puna e palodhshme, nga eksplorimi në laboratoret artistike e të gjithë artistëve pjesëmarrës, u paraqit dinjitetshëm para Europës, për ti hapur rrugë udhëtimeve tjera, si në; Gjermani, New York, Detroit e Dallas, për të cilat kësaj radhe shpresoj që institucionet kompetente të Republikës së Kosovës ta marrin seriozisht detyrën që ato kanë përballë nesh!

Të prezantosh një shfaqje të tillë, dans teatër, me komponim muzikor të interpretuar ‘live’, e cila është ndërtuar në formë të tillë sa ka depërtuar në çdo qelizë të interpretëve duke u bërë kështu Njësh, me konceptin total të shfaqjes, është mburrje për një punë kolosale të mjeshtrit Trimor Dhomi.

Ndaj, shfrytëzoj rastin të falënderoj secilin dhe secilën, që bënë të mundur këtë udhëtim dhe prezantim me karakter kombëtar e në veçanti z.Hazis Vardar , Nexhmedin Demiri dhe Muzafer Demiri, për mbështetjen që na keni ofruar, pa kushte, por me deshirën që ne të dalim sa më të suksesshëm, edhe në Paris e Bruksel, siç edhe dolëm, duke u duartrokitur një kohë të gjatë nga të pranishmit, në mesin e të cilëve, përveç kurbetçarëve tanë të shumtë, miqëve tanë francez e belgë, ishin prezent edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Paris, z. Mehdi Halimi, ndërkaq në Bruksel, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, z. Ferit Hoxha dhe Konsulli i Republikës së Kosovës, z. Miftar Kryeziu. Artistë dhe Artiste të shfaqjes , që tashmë është mburrja ime më e madhe, ju Faleminderit për çdo gjë, për cdo ditë, për çdo pjesë shpirtërore që e mishëruat në rolet dhe punët tuaja!

Jam krenar me të gjithë Ju!

Filed Under: ESSE

Siguria e rreme në marrëdhëniet njerëzore dhe iluzioni i qëndrueshmërisë…

March 31, 2025 by s p

Irena Dragoti/

Në rrjedhën e pandalshme të jetës njerëzore, miqësitë, shoqëritë apo dashuritë shpesh perceptohen si diçka që na përket dhe që do të mbetet e pandryshuar pavarësisht kohës, rritjes apo sjelljeve tona. Kjo lloj sigurie, që shpesh nuk analizohet, është kultivuar deri diku nga shoqëria ku jetojmë. Ajo na ka mësuar të kemi zemrat më të mëdha se plagët tona! Natyrshëm lind pyetja se çfarë e justifikon këtë siguri? A është produkt i reciprocitetit të vërtetë apo formë e kamufluar e egoizmit tonë?

Njeriu ka prirjen të mbështetet tek të tjerët për ndjenjën e përkatësisë dhe vazhdimësisë, në këtë kuptim, një mike, shoqe apo partnere perceptohet si një element konstant i ekzistencës sonë ndaj kemi prirjen drejt shoqërizimit i cili presupozohet të frymojë mbi reciprocitetin. Në çastin që marrëdhëniet e krijuara mes mikesh, shoqesh apo partnerësh i marrim të mirëqena, biem në qasje të njëanshme, të interesuar për pritshmëritë tona. Kjo ndodh si prej egoizmit e nënvlerësimit, ashtu edhe prej mosnjohjes së vehtes a personalitetit të dyfishtë tek disa syresh. Kjo ndodh kur mendojmë se gatishmëria njerëzore në kujdes e përkushtim na përket si lider vlerash. Me dashje apo pa e shndërrojmë sigurinë e marrëdhënies në iluzion që zgjat deri në momentin kur vetëdija për brishtësinë e tyre na godet me forcë.

Por, a kanë qenë ndonjëherë reale këto marrëdhënie përderisa arrijnë pikën e humbjes apo zvarritjes? Kjo qëndron si dilemë morale dhe ekzistenciale. Si individë të prirur ndaj vetëkënaqësisë dhe harresës nuk kultivojmë një ndërgjegjësim më të madh për vlerën tonë jashtë këtyre mardhënieve. As nuk kuptojmë se ndjenja e dorëzimit ndaj një marrëdhënieje në dukje “perfekte” duhet të ngacmojë e ndezë mekanizma psikologjikë njëjtë me antitrupat për të neutralizuar në mendje“ virusin e zvarritjes”

Marrëdhënie në dukje ideale, na bëjnë që shpesh të heqim dorë nga shumë pjesë të vetes si liria, shpengimi, rebelizmi, madje dhe vetëbesimi, duke i shndërruar në një garë me vehten për ta mbrojtur nga humbja. Në thelb, ky është iluzioni. Sakrifikojmë veten për një siguri që në fakt nuk ekziston por e fantazon frika. Marrëdhëniet e ndërtuara mbi frikën e humbjes janë forma të varësisë emocionale. Ne dorëzohemi, pranojmë më pak sesa meritojmë, duke u transformuar në një version të deformuar karakterial të vetvetes. Kur arrijmë këtë pikë, shpesh nuk e pëlqejmë më veten tonë, duke u bllokuar edhe në rrugëdalje.

Miqtë, shokët apo partnerët që na bëjnë të ndiejmë se vetëm ata mund të na japin plotësinë e vetes shndërrohen nga bekim në pengesë për rritjen.

Pse është kaq e vështirë të shpëtojmë prej mardhënieve tilla?

– Varësia emocionale:

Kemi dorëzuar veten tek të tjerët si burimin kryesor të lumturisë sonë.

-Frika nga boshllëku

– Besimi i tepruar që mund të rezultojë shantazhues

Ti ke ekzistuar dhe do të ekzistoje nëse nuk do të manipuloje vehten. Marrdhënia më e rëndësishme që kemi në jetë është ajo me veten. Nëse ndiejmë se jemi shndërruar në dikë që nuk e duam por as e njohim më, kjo është prangosja me e rëndë e rritjes sonë. Shumë njerëz nuk duan liri, parapëlqejnë nënshtrimin nga autoriteti i një individi njëjtë si ajo nga një strukture si një lloj “sadomazokizmi”mendor që i jep kënaqësi e lumturi nëpërmjet dhembjes. Atëherë ky individ edhe nëse i shpëton njërës mardhënie ka gjasa që gjithë jetën të ndertojë të njëjtë gjë. Siç ka individë që bëjnë beteja të vazhdueshme mes logjikës e emocionit, argumentojnë qartë rrugën e duhur por i mungon forca.

Shohim përsosjen në papërsosje mardhëniesh!

“Asgjë nuk është më e rrezikshme se miqtë që ndihen të sigurt në vendin e tyre,- thotë Baltasar Gracián

Në shumë raste, trajtimi si “prani e garantuar” nuk vjen nga një person i vetëm, por nga një dinamikë më e gjerë shoqërore. Disa na mbajnë pranë “si barnë”sepse janë të lënduar diku tjetër, disa si “rrezik” që duhet mbajt nën kontroll, disa si mëshire, apo vrarje ndërgjegjeje e disa prej naivitetit tonë. Në çastin që siguria diku tjetër sfunon gjitha këto, menefregizmi institucionalizohet. Madje faturohesh edhe nga pjesa e fajit për shkak të:

1- Vetëmbrojtjes a vetjustifikimit

Njeriu, thuhet nga psikologë të njohur, ka një mekanizëm të lindur mbrojtës që e ndihmon të shmangë dhembjen e vetëpranimit. –

2- Barrës së reciprocitetit

3- Egocentrizmit dhe ndjenjës së viktimizimit

Shpesh njerëzit ju trajtojnë pikërisht ashtu siç ata kanë “precipituar” nga mungesat e tyre, por kjo nuk duhet të na bëjë t’i justifikojmë. Thjesht duhet të ndalojmë së qeni naiv, apo së pranuari modelet si rastësi. Kur një mardhënie njerëzore ju tregon kufijtë, besojeni atë . Reciprociteti nuk do tju bënte kurrë të pyesni veten se ku e keni vendin…

Filed Under: ESSE

Lideri i Kombit apo Lideri i Ofertës Europiane?

March 27, 2025 by s p

Nga Kristina Nano

Doktorante, James Madison University, SHBA/

Në skenën e tejngopur me retorikë të politikës shqiptare, Kryeministri Edi Rama u shfaq sërish me një premtim të vjetër të ricikluar si ofertë e re: “Ma jepni mandatin e katërt, që t’ju fus në Europë deri në vitin 2027 ose 2030.” Edi Rama, mjeshtër i narrativës personale, kërkon të përkufizojë veten jo si thjesht një Kryeministër i përkohshëm, por si i vetmi çelës që hap portën e Europës për shqiptarët.

Por le të ndalemi. Jo për të debatuar afatet, ato janë si valët e propagandës që i heq dhe i sjell sipas erës së sondazheve, por për të shqyrtuar thelbin e kësaj motoje: a mund të jetë integrimi europian pronë e një njeriu? A mund të jetë objektiv elektoral ajo që duhet të jetë projekt i përbashkët kombëtar?

Në këtë çast, lind pyetja themelore:

Kush është lideri i vërtetë i një kombi?

Ai që ofron rrugën drejt qytetërimit, apo ai që e përvetëson atë rrugë për të zgjatur pushtetin e vet?

Që nga antikiteti, figura e Liderit-Shpëtimtar (Soter në greqisht) ka përndjekur popujt në kriza.

Populli i zhgënjyer, i lodhur nga rraskapitja e përditshme, kërkon një “Mesia politik” që premton të jetë ura drejt një bote më të mirë.

Por siç shkruante Max Weber, “karizma e liderit është gjithmonë një monedhë që inflacionohet shpejt kur bie në grackën e rutinës së pushtetit.”

Një lider që e përdor karizmën për të konsumuar një ideal të përbashkët në funksion të mbijetesës së vet politike, nuk është më prijës, por manipulator i ndërgjegjes kombëtare.

Edi Rama nuk premton thjesht reforma.

Ai premton shpëtimin.

Por shpëtimi që lidhet me emrin e një njeriu të vetëm, nuk është më shpëtim, është fushatë.

Ai shfaqet si mbret i padukshëm i qytetërimit europian, që vetëm po i dhamë “besën e mandatit të katërt”, do të na çojë në përqafimin e Brukselit.

Por në këtë rrëfim, ndodh një perversitet konceptual: Europianizimi kthehet në monedhë pushteti, jo në proces emancipimi kombëtar.

Kjo është blasfemi politike.

Integrimi europian është aspirata e çdo shqiptari, është projekti më i rëndësishëm i përbashkët i kombit tonë pas pluralizmit, dhe jo bileta e radhës në lotarinë e pushtetit personal të një lideri.

“Unë ose kaos!”, “Unë ose izolimi!”, “Unë ose dështimi!”, këto janë formulat e shekujve të errësirës, jo të një shoqërie që synon të jetë pjesë e familjes europiane të demokracive të zhvilluara.

Kur lidershipi reduktohet në imazh, kur programet bëhen spote, dhe kur votuesi trajtohet si konsumator, atëherë politika shndërrohet në teatër shitjeje, jo në akt shërbimi.

Guy Debord, në veprën “Shoqëria e Spektaklit”, shkruante se në botën moderne realiteti zëvendësohet nga imazhi dhe spektri i spektaklit e përthith substancën e të vërtetës.

Edi Rama është artist i këtij spektakli.

Ai e pikturon vetveten si misionar, ndërkohë që rrënon besimin në institucionalitet, në bashkëpunim politik dhe në shoqëri civile.

Në këtë logjikë, çdo kundërshtar i integrimit të pronësuar prej tij, cilësohet si anti-europian, pengues, sabotues.

Ai nuk sheh më kundërshtarë politikë, por heretikë apo pamundësues të Europës.

Jean Monnet, një nga etërit themelues të Bashkimit Europian, thoshte:

“Ne nuk bashkojmë shtete, por bashkojmë njerëz.”

Kjo do të thotë se integrimi nuk është një lojë me një fitues dhe shumë humbës. Është një rrugëtim kolektiv që kërkon ndërtimin e institucioneve, konsensusin e shoqërisë, reformimin e drejtësisë, luftën ndaj korrupsionit, mediat e lira dhe konkurrencën politike reale.

Asgjë nga këto nuk mund të arrihet përmes një lideri që përdor BE-në si dekori i skenës së vet personale.

Përkundrazi, kjo i largon shqiptarët nga Europa.

Kur lideri bëhet më i rëndësishëm se procesi, atëherë nuk kemi më udhëheqje, por kult personaliteti.

Kur lideri kërkon të bëhet historia, atëherë historia ndalon së ecuri.

Shqipëria nuk ka nevojë për liderë të përjetshëm.

Ka nevojë për institucione që i mbijetojnë liderëve.

Ky është thelbi i republikës demokratike.

Këtë e shkroi Montesquieu, e shpërtheu John Locke, e jetësuan etërit themelues amerikanë.

Asnjë vend nuk u bë i qytetëruar duke besuar se shpëtimi vjen nga një lider që “i di të gjitha, bën të gjitha dhe vendos për të gjitha”.

Demokracia është ndërtim kolektiv, jo teatër me një protagonist absolut.

Nëse Edi Rama e do integrimin vërtet, ai duhet të punojë për të forcuar institucionet, jo për të zbehur opozitën.

Të krijojë garë reale, jo lojë me kukulla.

Të lejojë kundërshtimin, jo të blejë pëlqimin.

Lideri i Kombit nuk është ai që fiton më shumë mandate.

Është ai që mbjell kulturën e bashkëpunimit politik, që lë pas një shtet të fortë, dhe që është i zëvendësueshëm sepse ka krijuar një sistem që nuk varet nga ai.

Edi Rama e ka bërë të kundërtën.

Ai ka ndërthurur qeverisjen me arrogancën, reformat me propagandën, drejtësinë me kontrollin.

Dhe tani, kërkon edhe një mandat, që të përfundojë rrugën europiane që e ka kthyer në autostradë private.

Shqipëria nuk ka nevojë për një Lider të Ofertës Europiane.

Ka nevojë për një lidership që shërben dhe largohet.

Që ndërton dhe nuk kthehet më.

Që hap rrugën dhe s’e zë për vete.

Që shikon Europën si destinacion të një populli, jo si shenjë triumfi personale.

Prandaj, përballë këtij marketingu të lodhshëm elektoral, le t’i themi me zë të qartë:

Jo, zoti Kryeministër.

Integrimi europian nuk është monedhë për mandatin e katërt.

Është destinacion i një kombi që s’mund ta përfaqësojë vetëm një emër.

Është rrugëtim i një shoqërie që meriton të ecë edhe pa ju.

Në vitin 2025, Shqipëria ka nevojë për më shumë vetëdije, jo për më shumë retorikë.

Për më shumë institucione që ecin vetë, jo për liderë që s’i lënë vend askujt tjetër.

Ka ardhur koha ta ndajmë liderin e kombit nga lideri i ofertës së rradhës.

Europa nuk pret më.

Ajo kërkon dinjitet, seriozitet dhe bashkëpunim, jo anëtarësim me spektakël dhe selfie.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 616
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri
  • “Fjalimet që përgjakën Ballkanin”
  • Kur drejtësia hyn në oborrin e mbretit, parlamenti del roje te dera!
  • Ngërçi Presidencial në Kosovë zbulon një dobësi të Kushtetutës
  • Mid’hat Abdyl Frashëri, 25 mars 1880 – 3 tetor 1949
  • ABIDIN DINO, ARTISTI MË I MADH TURK ME ORIGJINË SHQIPTARE I SHEKULLIT XX
  • Lufta e Vraninës (1862) – qëndresa heroike e Oso Kukës dhe mbrojtja e kufijve shqiptarë
  • “Brenga” e Tonin Mirakajt, sipas Pashko R. Camajt
  • Lavdi heronjve të Kosovës Luan Haradinaj, Shkëlzen Haradinaj dhe Enver Haradinaj
  • 24 Marsi 1999 – Ndërhyrja që ndryshoi historinë e Kosovës dhe ridimensionoi rendin ndërkombëtar
  • Ndërhyrja e NATO-s si vijimësi historike e aspiratës shtetndërtuese shqiptare
  • GJENET & AMBIENTI…
  • The Unsaid and the Spoken, Scholar Marta Verginella discusses speaking as the antidote to shame
  • KUR HISTORIA TROKITI NË DERË
  • ALBANIAN TEEN DANCING CLASSES

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT