• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA si m’u duk

April 10, 2016 by dgreca

NGA MARJANA BULKU/NEW YORK/

Aty mund të “takosh ” Portrete historike që koha nuk i fshiu, as distancat e largëta që na ndanë, foto historike që flasin sa një mijë fjalë dhe fjalë që mbartin larminë informative të qindra fotove edhe pse bardhë e zi. Aty mund të kuptosh se cfarë ishte dhe është transparenca,dallon  se si ato kontribute që shqiptarët e Amerikës ia dërgonin vendit amë publikohen në mënyrë të detajuar jo si reklamë por si mirnjohje, jo si mburrje por si detyrim që vjen natyrshëm nxitur nga atdhedashuria.Aty mund te ndjesh se si shkruhet dhe ruhet historia edhe pse permes debatesh .

Për herë të parë Vatrën e vizitova me artisten e madhe shqiptare Tinka Kurti e m’u duk sikur po asistoja në ndonje nga rolet e saj gjigande ende te painterpretuara,ekluzive,sidomos kur ajo i afrohet botimit me foton e Nanë Terezës dhe reciton vargje që i kishte shkruar për të në vitin 1997.Në fakt nuk ishin thjesht vargje por tingellonin si lutje që artikuluar prej Artistes se Popullit Tinka Kurti mbartin fuqi të jashtëzakonshme (sa keq që nuk asistuam me kamerat e Albanian Culture TV një moment si ky). U perlot, na perloti…sic vetem artistet dijne.

Portretet historike qe duket sikur te urojne mirseardhjen ne Vater  e që për mua janë aq të dashur edhe nga pikpamja letrare; Konica dhe Noli, më flasin shumë mbi dualitetet tona historike shpesh konfliktuale për shkak të moskuptimit apo mospranimit të pluralizmit të ideve.Ata janë në dy këndet e sallës modeste të sistemuara si dy kreret e simbolit tone mbi flamur dhe pasaporta per te cilin te huajt pyesin jo pa kureshtje, mirmbajtur shkelqyer dhe që prezantohen në mënyrë të palodhur nga editorialisti i Diellit dhe ciceroni (nëse mund ta quaj kështu) i këtij muzeumi të improvizuar shqiptar tashmë, Zotit Dalip Greca, mu në New Yorkun gjigand. Me sytë e fiksuar pas Konicës nëpër mendim më vijnë aktet e tij aq qytetare e pro shqiptare, personazhet delikatë e kualitativë që ndesheshin me realitetin e egër synatë që mbillte politika e padrejtë për të asfiksuar të drejtën, të bukurën, të moralshmen. “Unë doja të zbusja shkëmbin…” një mision i pamundur zulluland…

E pamundur ti ikësh asaj cka izolimi nuk na la të dijmë rreth këtyre shqiptarëve të mëdhenj që i bëjnë nder gjithkujt.Ata e njohën aq mirë Shqipërinë dhe shqiptarët, e bënë aq të njohur atë në botën gjigande, shkruajtën për të, kontribuan letersise,politikes diplomacise , u zhgënjyen, nuk e harruan kurrë Shqiperine edhe kur ajo i mohoi sepse ndërtuan Shqipërinë tjetër, atë që e pagëzuan 104- vjet më parë me emrin Vatra. E ruajtën Shqipërinë edhe kur asaj i bënte roje kufiri me gjëmba, e deshën Shqipërinë edhe kur ajo dhunohej nga diktatura, e mbrojtën atë kur lakmitë e gërryejtën, e sollën deri në ditët tona me libra e shkrime, ngjarje e veprime që meritojnë mirënjohje dhe nderim. Sa debitore është letërsia shqipe ndaj të madhit Faik Konica duke ia mohuar kryevendin në piramidën e letërsisë shqiptare dhe historisë së saj të realizmit socialist aspak realist.Sa debitor eshte shteti shqiptar ndaj atyre qindra persekutimesh te padrejta qe mbartin fisniket qe lane Shqiperine por historite e tyre shkruhen e ruhen ne Vater. Aty kupton se historia është plurale, ajo flet përmes të shkuarës dhe të tashmes duke tentuar të nesërmen. Ajo nuk mund të jetë kurrsesi pronë e partive apo mllefeve personale. Vatra ne syte e mi është një copëz e vogël Shqipërie që e duan njerëzit e mëdhenj, të thjeshtët dhe të zakonshmit por që e lartësojnë veprat e mira, ato që xhelozitë dhe smirat, tinëzitë dhe babëzitë nuk i arrijnë dot.

Muret e vatrës janë histori, plot me shkrime, ngjarje, personazhe që historia jonë e shkruar njëanshmërisht, e diktuar nga miopizmi diktatorial nuk na i mësoi kurrë. Mjediset e Vatrës mbartin plot ndodhi, promovime e ngjarje te thjeshta e madhore që e mbajnë atë në jetë.Nëpër bisedat tona me zotin Greca kemi përsëritur se nxënësit që mësojnë shqip në SHBA pse jo edhe në Shqipëtari  kanë rastin më të mirë që ekskursionet studimore ti kryejnë në Vatër. ”Është si teqe”, -shprehet Greca, në kuptimin se aty qoftë edhe duke e vizituar ndjen një lloj qetësimi që të sjell takimi me etërit e Kombit tonë, ata që e lindën e që ndofta mund ta rilindin sërishmi Kombin dhe vetveten duke mos ia asfiksuar historinë. Në librin me përshtypje të vatrës janë plot emra që hyjnë e dalin, kontributorë dhe dashamirës, kritikë dhe nihilistë, indiferentë dhe nga ata që kanë dhënë mjaft nga djersa dhe mundi i tyre sepse Vatra është një copë atdhe diku në Amerikën e largët, ku flitet shqip, festohet shqip, debatohet shqip ëndërrohet shqip.

Filed Under: ESSE Tagged With: Marjana Bulku, si m'u duk, Vatra

ABDULLA MANOPULLI – NJË SHPIRT ARTISTI

April 9, 2016 by dgreca

…. Ish prokurorë të përgjithshëm, ish kryetarë të gjykatës së lartë, ish kryetarë të gjykatës ushtarake, ish togerë-komandantë të togës së pushkatimit, të burgosur politikë – mjeshtër të mëdhenj, kandidatë të përsosur të titullit Nder i Kombit, Artistë të Popullit, Mësues të Popullit, Heronj të Popullit, H… lëre më mirë se e zgjata shumë listën. Të dëgjosh ata, or mik është ç’është, llogje Kavaje, ta them unë, Dulla. Se s’ta kam me hile! Janë të gjitha histori më vete. M’u faneps dhe po ta tregoj ty, po vetëm ty ama, se ç’bën ti më tej unë s’mbaj përgjegjësi. Po doli fjala nga mëhalla, e mori vesh tërë mëhalla…./

Ese nga Xhevair Lleshi/

Papritur u takuam në rrugë. Fytyrë e fisme, e mbushur plot energji të mprehtë, brenda natyrës së tij të qeshur dhe ironike, i dashur me të gjithë, edhe kur tregon për vizitat në Tomor dhe ndenjjet e tij të gjata në ish-turizmin e Beratit. Po kësaj radhe më duket se donte të më tregonte diçka krejt të veçantë. «Xhev, – më tha, – e dëgjove sot në mëngjes emisionin e Bashkim Hoxhës në News 24? Jo? Ou, paske humbur shansin e madh!…» «Pse?» «Isha unë, – shtoi, – dhe fola pak si gjatë. Provova ca emocione që s’i kisha ndjerë më parë. Domethënë thashë diçka të bukur, të organizuar mirë dhe të figurshme. Se ti e di që unë edhe flas me figura. Natyrisht kur jam i mbushur plot.» «E si ndodhi kjo?» – e pyeta gjakftohtë. «Ja, sikur po flasim të dy. Ti merre një kafe me mua, se unë do mbaj një gotë raki, sa për neps, se e kam araret, të shkretën, por të betohem kurrë nuk pi më shumë se një gotë. Se edhe raki të mirë nuk gjen dot… Po, i fola Bashkimit, sidozot flas me ty, për grupet e gjakut, grupet e njerëzve dhe për rezusin. I jashtëzakonshëm, do thuash ti, e di, mirëpo edhe Bashkimi i tillë u tregua, nuk ma preu fjalën, më dëgjoi, domethënë më dëgjuan edhe të tjerët… Eh, kemi folur bashkë në nëntëdhjetën sa jemi ngopur, si kemi dashur, kemi qenë në pararojë të fjalëve ne, s’përmbaheshim. Do ti që duke folur ti, m’u kujtove që s’kishe fre në fjalët që thoshe po varda, jepi. Ja, të betohem si atë kohë m’u duk vetja. Po ç’i thashë Bashkimit? Thjesht, ashtu si di unë. A nuk janë katër grupet e gjakut? Po. Grupi 0, grupi A, grupi B dhe grupi AB. Në grupin 0, nënvizova, bëjnë pjesë 40 % e njerëzve, edhe në grupin A po aq, kurse në grupin B të themi 12-14% e njerëzve. Mbetet kështu më i vogli, grupi AB, një kombinim i shkëlqyer. Lëre, nuk u zgjata dhe aq sa me ty, i rashë shkurt, se Bashkimi nuk të lë më shumë se 2 minuta, ta pret, por si duket i pëlqeva. Ku do dilja, thua? Ja, aty ku më dhembte mua, te grupet sociale të njerëzve. Qëndrova pak për të nënvizuar karakteret dhe temperamentet e njerëzve sipas grupeve të gjakut, por ama nënvizova se 80% e njerëzimit janë grupit 0 dhe A, kurse të tjerët, ata të grupit B dhe të grupit AB janë të veçantë. Po, po, të veçantë, as mos e çoni nëpër mend ndryshe. Dhe në mënyrë të veçantë  grupi AB, domethënë intelektualët e çmuar, politikanët e mëdhenj, shkencëtarët e njohur, poetë, aktorë, biznesmenë Vip, njerëz që bëjnë diferencën. Kjo ndarje më sjell ndërmend një shaka të hidhur që kam bërë dikur. Ishim në spital dhe duhej gjak i grupit A. U thashë atyre të partisë të shkonin në Kombinatin e Tekstileve, se atje ishin njerëz të zakonshëm, tekstilistet tona të bukura dhe aq të mira, që 99,99 % kishin grupin e gjakut A. Por jo, se mos venin dhe i kërkonin gjak drejtorit, se ai, helbete ishte drejtor dhe nuk ishte në një grup me ta, por duhej të ishte i grupit B, me siguri.  Ata më thanë se ishin afër Uznovës dhe mund të shkonin në fermë. Jo, u thashë me zë të lartë, lëreni fermën dhe kooperativën, ata janë të grupit 0. Ja, kështu. Më pas m’u mpi goja nga një therje e fortë, që e ndjeva instinktivisht. Kujtova se do të më vinin në trekëmbësh, por shpëtova paq. Ndoshta ngaqë ishte grupi i gjakut që mund të prishte mendjen… Shaka me zarar, miku im. Por ta ngas llafin me Bashkimin. Serioz dhe me fjali të shkurtra hyra në thelbin e asaj që doja të thosha. Deputetët, or mik, i kemi në grupin e gjakut B, sigurisht. Gjen ndonjë kokërr prej tyre që shkon te grupi AB, nuk them, por kryesisht janë B. Këta i zë 12-14 % i popullsisë. Mirëpo edhe deri këtu jemi dhe s’jemi në rregull. Se mos fusni biznesin e vogël tek 40 % i Zeros dhe i A-së. As tatimorët e zakonshëm, jo, madje edhe kongresmenët e të gjitha ngjyrave këtu hyjnë, kurse doganierët ndryshon puna, këta nuk i lë dot jashtë B-së. Të gjithë, nga drejtori, apo drejtoresha e poshtë. Ministrat dhe krerët e lartë të ministrive hyjnë tek B-ja, por me diferencime, jo të gjithë. Ka ca prej tyre që mund t’i futësh pa frikë te grupi AB. Gjaku i atyre të AB është blu, gjak mbretëror. 6-8 %. S’ka më mirë. Gjak që s’merr infeksion. Special. Ishkryeministra, kryeministra, zëvendësat e tyre, megjithëse këtu kemi ndonjë mos-dakordësí, le ta themi hapur, ndonjë ministër, sidomos kur është fjala për ata që ia dinë kimetin postit që kanë, presidentë dhe ishpresidentë, Zonja të para dhe ishzonja të para, kryegjyqtarë, kryeprokurorë, kryeavokatë, noterë të përbindshëm, kapitalistë të jashtëzakonshëm, po edhe ndonjë stomatolog si puna ime dhe e shokëve të mi të shquar, janë të këtij grupi të rrallë. Këta, miku im, nuk sëmuren përveç kur marrin ndonjë infeksion të rëndë, nuk pësojnë aksidente në rrugë, këta janë si moroitë e vampirëve, apo jo? I ke dëgjuar moroitë dhe shtriganët ti? Jo. Po mirë, që s’i ke dëgjuar më vjen keq, por të paktën lexo librat kushtuar atyre, sapo e lexova njërin, se tani m’u kujtua, e kishit botuar ju. Ma hodhe më duket, se kështu i lëshon mufkat ti. I ke pa u ndjerë. Uji të ka hyrë nën rrogoz dhe ti s’e ndien, ja e këtillë është edhe kjo punë…»

«Ta ngasim fjalën si jo. Dua të them se të veçantët e grupit AB, janë fisnikë denbabaden, të trashëguar, por edhe del ndonjë kokërr aksidentalisht. Të vështrosh personalitetin e tyre, or mik, i kulluar, flori, i bukur, i denjë për t’u pirë në kupë. Aftësi të mëdha, përsosmëri në të folur, në të shkruar, në të veshur, në të ecur, në pritje e përcjellje, impozantë, të sjellshëm tek zoti. Nuk i ke dëgjuar si flasin? As shajnë, as bërtasin, as kullosin sytë në ara të tjera, as harbojnë pas nepsit, as pinë e kurrë nuk fyejnë. Përkundrazi. Në sojin e tyre ka ish të burgosur politikë, krerë të fesë etj. Pa të kesh fat e t’i shohësh në dasma lum miku! Ç’të shohësh. Lumenjtë e parave derdhen mbi orkestrat dhe sheshet ku vallëzojnë. Të zë një histeri or djalë, saqë me siguri sëmuresh për t’u trajtuar me metodat e Frojdit! Keq puna deri këtu, thua? Jo, mua më duket mirë. Thonë se nuk ndryshon gjaku. Unë them se po, varet nga përputhshmëria e grupit të ushqimeve sipas grupit të gjakut që lakmon, nga ajri që thith, nga fjalët që u vjedh librave, nga bukuritë ku i kullot sytë, nga veshjet dhe në fund fare me ata që rri. Po të rrish me dhitë, dihet, era dhi do të vish! Ndryshe s’ka si ndodh. Por unë mbeta po ai, edhe pse i kam ndryshuar të gjitha tertipet, jetoj në Tiranë dhe në sojin tim janë futur ata me gjak AB. Po le të presin, háne sa ka Janina! Mund të jesh edhe një djalosh dhe burrë me pamje të zakonshme qethur e rruar taze, nuk ke hequr dorë nga besimi, që sidomos di të qeshësh bukur e ke sajdi për të tjerët, por nuk ke hyrë ndonjëherë në këto dyer! Jo, nuk futesh dot te grupi AB. Shumë-shumë mund të hysh te grupi B, po edhe aty me terezi të madhe. Se e qeshura nuk bën edhe aq efekt, ndonëse është ilaç i shkëlqyer sidomos për të shëruar personalitetin e infektuar. Apo s’ka tani infeksione që se si shpiken as ne që jemi mjekë – edhe pse stomatologë, s’po marrim vesh ç’bëhet. Ah, po, duhet të pish ujë lajthie, ky është edhe shkaku i ndryshimit. Ku ka më lajthi? Keni parë ju? S’e di. Por uji i lajthisë është si tërfili me katër fletë. Ti ma ke treguar historinë e atij shokut tënd që rrinte me orë të tëra duke kërkuar tërfil me katër fletë në fushën me tërfil, këmbadoras, vetëm se ia kishte vënë si kusht Lili, ajo vajza e persekutuar që s’linte dy gurë bashkë, trazovaçe e mrekullueshme! Të tjera mesele këto, vëlla. Apo s’ tingëllojnë krejt ndryshe dhe si çuditshëm, se unë nuk e kam fjalën për nëntekstin që kap ti, se po pive ujë lajthie bëhesh i lajthitur. Atë e thua ti, dhe unë nuk dola në këto shtigje në të folurën me Bashkimin. Kam parë unë, miku im, se si kandidatët për deputetë punojnë me të qeshurën sikur rrahin hekurin e nxehtë në kudhër, duan të bëhen mjeshtër, madje përpunojnë edhe tiparet burrërore të fytyrës, eshtrat, bëjnë gjimnastikë të madhe, jo llafe! Sa kam njohur nga këta. Sidomos kur janë në fund të moshës, por të gjithë ISH. Duan të vënë gojën dhe e kalojnë muhabetin tek viagra! Ish prokurorë të përgjithshëm, ish kryetarë të gjykatës së lartë, ish kryetarë të gjykatës ushtarake, ish togerë-komandantë të togës së pushkatimit, të burgosur politikë – mjeshtër të mëdhenj, kandidatë të përsosur të titullit Nder i Kombit, Artistë të Popullit, Mësues të Popullit, Heronj të Popullit, H… lëre më mirë se e zgjata shumë listën. Të dëgjosh ata, or mik është ç’është, llogje Kavaje, ta them unë, Dulla. Se s’ta kam me hile! Janë të gjitha histori më vete. M’u faneps dhe po ta tregoj ty, po vetëm ty ama, se ç’bën ti më tej unë s’mbaj përgjegjësi. Po doli fjala nga mëhalla, e mori vesh tërë mëhalla. Dhe kjo është si ato fjalët e urta të Pelivan Shatrit, e ke njohur? Si jo, kujt i them. Po kush nuk e ka njohur Pelon!»

«Po tani dua të depërtoj në thelb të çështjes. Se mirë grupet e gjakut i morëm vesh, edhe grupet e njerëzve që u përkasin atyre besoj i kuptuam. Po ç’ka mbetur akoma? Ka mbetur majaja miku im, majaja e bën brumin, ajo e thukon bukën, ajo jep shijen tjetër, ajo, pra, arrin tjetërsimin e personalitetit. Dhe s’ka më bukur se kjo. Ja le të marrim faktorin që i bashkon grupet e gjakut, që i përshkon, që u jep tharm dhe i debuton. Ky është rezusi. 85 % e njerëzve kanë rezus pozitiv! Por ndaluni pak. Rezus pozitiv nuk është ndonjë gjë edhe kaq pozitive. Kjo ngjet pak me përfundimet pozitive të analizave. Emri i bukur pozitive i analizave të çmend, apo jo? Por, megjithatë ne na duhet rezusi, pjesa e padukshme që bëhet e dukshme kudo, sidomos me rezolucionin e lartë të minusit. Se rezusi negativ është energji e lartë, është shpërthim, është elegancë, të folur i jashtëzakonshëm, zë i lartë, i trashë – mundësisht bas, mendim i thellë për më tepër kritik, bukuri trallisëse, pa sindromë, pa lajthitje, pa mendim të fshehur, të hapur – ekstrovert, zbulues, rrojnë orë të caktuara me botën e krimit, përfillin drogën – madje e duan atë, krijojnë shoqëri të madhe, u pëlqejnë së tepërmi sahanlëpirësit dhe servilët (e kush ka parë keq nga servilizmi? – thoshte një shoku im, dikur!) etj. Ja, merrni një mësues me grupin e gjakut A me rezus negativ. I zbardhet të mjerit! Por nuk mund të bëhet më shumë se drejtor shkolle, ose shumë-shumë inspektor në Ministrinë e Arsimit! Merrni një mjek, jo nga ata që kanë qenë në Karkanjoz apo në Karbunarë, po ata të qytetit, që mund të jenë me gjak të grupit B dhe me rezus negativ (po të jetë pozitiv rezusi, aha, s’ngre dot kokë kurrë, mbetet kurdoherë ai që ka qenë!) atëherë shikoje ç’ndodh or mik! Drejt e në ministri shkon. E kam fjalën për Ministrinë e Shëndetësisë dhe them se nuk merret me ndalimin e duhanit, as edhe me projekte dokudo, por atje ku është rreziku më i madh, atje hidhet! Si në zjarr. Domethënë ku bëhen tenderë të mëdhenj, atje ku ka mjaltë, atje ku ngjit fjala. Është një më një! Është raca ideale për të fituar. Ky soj bëhet deputet, bëhet njeri për së mbari, tronditet dheu kur ecin ata, bota bëhet sy e veshë, sëmundjet patologjike dhe ato fiziologjike i njohin menjëherë, kur plaken nuk kanë nevojë të stimulojnë hormonet, drogën e pinë të holluar dhe kurrë nuk e marrin në gjak (gjak nuk dhurojnë kurrë!), s’bëhen pishman për asgjë, femrat dominojnë, meshkujt nganjëherë edhe bëhen harbutë, shajnë top më top, mësojnë në perfeksion gjuhën e huaj, duan të duken – madje shumë, merren së tepërmi me komunikimin masiv, shohin vetëm ëndrra të bukura, shprehen me ndonjë tik nervor. Këta pra janë mjekët e grupit B me rezus negativ, por gradën e lartë e fitojnë ata të grupit AB me rezus negativ. Udhëheqës shtetesh bëhen edhe kur zotërojnë popuj të vegjël si puna jonë, komandantë ushtrie dhe lënë nam në luftë, shpesh zverdhen – u ikën gjaku nga fytyra, janë me energji të pasosura, nuk merren as me kurva e as me dobiçë, dinë të mbahen. U pëlqejnë mjaft OJF, por profesionistë të vërtetë në këtë fushë arrijnë të bëhen kur s’kanë ndonjë profesion të përcaktuar qartë, mjaft të kenë futur këmbët në ujin e ngrohtë të politikës…»

«Kështu jam njohur me mjaft tipa që kanë gjak çfarëdo grupi por me rezus negativ. Thagma. Ku nuk i gjen tani, ndonëse zënë vetëm 15% të popullsisë. E pra që të gjithë janë bërë parallinj të mëdhenj dhe janë krejt me rrogë shteti. Si, qysh, tek kjo është jo aq e komplikur dhe merret me mend lehtësisht. Sepse energjia e madhe të imponon të gjesh edhe rrugë të allasojta! Se e  mira t’i zë sytë dhe pastaj t’i lidh duart (në emër të popullit? – jo, s’ka më në këtë emër!) të zgjedh e të zgjidh, të deh dhe të bën të njohur, të ndreq e të prish, të ngre e të rropos, të hedh në kujtime të ëmbla dhe të kredh atje ku s’e ke shkuar kurrë në mendje! Jo, ata, janë njerëz paqësorë, kurrë nuk shajnë e nuk ofendojnë pa e pasur hak! Kurrë nuk bëjnë dëm kur s’ua punon hakën! Ata vetëm kush i dëmton, sidomos kur janë ata të llojit që s’kanë marrë dot ndonjë profesion të përshtatshëm me grupin shoqëror ku rrojnë, ku janë dhe kur nuk janë në habitatin e tyre. Eh, më ka mbetur në përfytyrimin tim të mallkuar njëri prej tyre, qengj i uruar, por që u bë ujk e shkuar ujkut. S’ka zagar që e kap dhe s’gjen çifte që ta vrasë! Tani ai është klan tjetër. Apo nuk ndërsen të tjerë. Kam njohur njërin prej tyre që u tërbua dhe ndonëse i bënë 101 gjilpëra antirabike, nuk i zuri asnjëra, por mbeti i tërbuar në potencë. E lash që u bë deputet dhe më nuk e takova. I trembesha se mos kush e di kafshonte. Dhe edhe shikimi i tij tërbon (harbon) të tjerë, jo më prekja e gjakut! Deputetët e tjerë duhet t’u tremben dhëmbëve të tij e jo grushteve dhe dyfekëve që mund të ketë! Nejse, e teprova më duket. Por mirë që i kemi të pakët në numër dhe për më tepër pak gra, nëna e vajza si puna e tyre. Se nëna pjell këlyshë si ata! Zot na ruaj! Do të jetë diçka e tmerrshme. Ajo sëmundje nuk është ngjitëse por infeksion tërbues i shkallës më të lartë!  Edhe kur kanë mbetur me lëkurën e qengjit, edhe kur janë blatuar në kishë, edhe kur janë me trashëgim të mirë bir pas biri. Miku im, mos e merr për keq, por ata kanë dalë nga mitra e besimit! Gjë e rrallë dhe e lartësuar, racë, jo llafe, gjak i vërtetë mbretëror! Pa le sikur të kishin qëlluar në racën e  mrekullueshme të poetëve! Do të trallisej skena! Sepse kurrë s’kanë për të rënë orët për ta! Edhe orët e tyre na mungonin! Ndoshta mund të hiqje ndonjë si Frederik Reshpja nga lista. Por, po e them fundja, kam njohur edhe ndonjë të mëdhenjtë që lëpihen rëndshëm. Të lirë, plot dell, arrogancë, delir, po edhe madhështi. Veç t’i shohësh kur dehen (ata i deh edhe fjala mjeranët kokëkrisur!), kur vjellin edhe në prehër të zonjave: ato atje nuk marrin para! …»

«Të kujtohet kur më gjete një ditë me Plakun e Madh, ish kryetarin e gjykatës së lartë, 94 vjeçar, tek rregullonte dhëmbët rruazë tek unë? Zë lumi! Tërmet shkaktonte. Ai është AB me rezus negativ! Po. Gjak i kulluar. Ata janë të pavdekshëm. Rrojnë, këndojnë, eshtërmëdhenj, pinë, bëjnë qejf, nuk lodhen kurrë, s’kanë pleqëri, po të duan edhe tani të shtrojnë në dru. Bëj hesap, që edhe tani nuk i diskuton kush, s’u preket qimja (apo s’e kanë atë të uruar qime, si të derrit të egër!», shkruajnë dhe gjykojnë letra anonime, dalin në media dhe tërheqin vëmendje, ngaqë sytë e tyre kanë rreze tërbimi. Them se kam shpëtuar paq!… Po mendoja një ditë se të kthesh nga një gotë me ta është dëfrim i madh, se të bëjnë për të qeshur, të gudulisin mendimin, të mekin. Për Zotin ç’është një! Pse ta fsheh, kanë gjak të ëmbël. Futen në çdo vrimë dhe dalin nga të gjitha vrimat. Kanë ndrojtje, si jo, por vetëm kur duhet dhe me karar. Karakteri i tyre është arrë gungë. Nuk kthejnë nga e tyrja. Vrasin e presin. Bëjnë çmos! Duan dhe lakmojnë erëza pikante, pëlqejnë gra të serta (dhe e kundërta për gratë!) pinë birrë të freskët që lëre-lëre. Ngrohen në zjarr oxhaku me drurë lisi, e duan mishin të pjekur në skarrë, duan ta shoqërojnë pijen me ullinj Berati dhe djathë dhie Tepelene. Dhe vetëm qeshin të shumtën e herëve pa shkak. Ruhuni prej tyre, janë të rrezikshëm, një rrezikshmëri e veçantë! Shijet e tyre të kërthndezta kanë të bëjnë me dritën, me errësirën, me aroma trëndafilash të Kazanllëkut e të Maricës plot kundërmime, janë aq po aq të vështirë sidomos në dashuri. Nuk agjërojnë kurrë dhe e ngjërojnë të mirën jo në tepsi por në pëllëmbë të gruas (jo të çdo gruaje! Mos qoftë e udhës e kundërta!), i pëlqejnë fort çmimet e kripura edhe sikur të jetë mall skerco!… Ky or miq është burri i shtetit dhe horri, miku dhe hajduti, besniku dhe i forti, i dashuri dhe i adhuruari për orgji, tekanjozi dhe i çmenduri pas një darke pa fund, shoqërimadhe dhe i vetmuari, i buti dhe i egri: çfarëdoqoftë grupi i gjakut (por mbi të gjitha AB !) por me shkëlqimin e rezus negativ!…»

Këtu e mbylli miku im, Dulla, historinë. Dhe shtoi se as ditën e mirë nuk e kishte përshëndetur dot drejtuesin e emisionit të mëngjesit asaj dite të bukur e me diell shkurti të këtij viti…

 

Filed Under: ESSE Tagged With: – NJË SHPIRT ARTISTI, ABDULLA MANOPULLI, Xhevair Lleshi

Noli: “Më ka zënë shqipja”

April 9, 2016 by dgreca

Nga Anton Çefa*/

Nuk mund të përfshij në një portret personalitetin tënd të aq e aq rrafsheve, rrafshi i atdhetarizmit, i besimit, i burrit të shtetit, i politikanit, i diplomatit, i historianit, i publicistit, i oratorit, i poetit, i letrarit, i kritikut letrar, i përkthyesit, i muzikantit, i muzikologut, i të gjithave, i universales.

Veç kësaj, në veprimtarinë tënde, nuk janë rrafshe këto, po janë maja malesh që shakëlqejnë me madhërinë dhe madhështinë marramendëse mbi botën shqiptare dhe përtej saj, duke e përndezur e  flakëruar me idealet më të fisme dhe me ndjenjat më të ngrohta.

U linde dhe jetove jashtë Atdheut, por Atdheun e kishe gjithmonë me vete. Atdheu qe dashuria yte zjarrpërvëluese që të gufonte në shpirt e të përvëlonte në zemër. Të digjte në kraharor “Zjarri i shenjtë”, si e quaje dashurinë për Atdheun dhe veprimtarinë deri në flijim për t’i shërbyer. “Të kishte zënë shqipja”.

Po, të kishte zënë shqipja, shqipja e fjalës, shqipja e veprës, shqipja e zemrës, shqipja e mendjes, shqipja e ditës, shqipja e kohës.

Si “Kalorës i Skendërbeut”, siç e quaje veten, ndeze një Diell për ta shëndritur Atdheun, dhe krijove një Vatër  për ta ngrohur.

Si “Misionar i Krishtit”, ndërtove Kishën, dhe Kisha foli shqip. E shkëpute nga kthetrat e përgjakshme të Patrikanës, që vollën helm, kallën zjarr, kulluan gjak; ndërsa na sot me mënçurinë tonë të çoroditur, me vullnetin tonë të hallakatur, ia kemi dorëzuar përsëri asaj.

Si Mojsí i tregove popullit rrugën drejt një oazi të bleruar, të lirë, të qytetëruar, demokrat; por ishte shumë heret, tepër heret. Mollës së demokracisë jo vetëm nuk i ishin pjekur frutat, por nuk i kishin çelur as lulet.

Kur u përpoqe të mbillje demokracinë, Atdheu ishte vetëm një shkretëtirë anadollake, shkretëtirë e thatë  varfërie e paditurie, dhe ishe i vetëm, me shumë pak shokë, me një Gurakuq , “shpirt i bardhë si dëborë”; me një Bajram, “trim, tribun i vegjëlisë”, dhe me një Vinjau, “mikun dhe kolegun”. Avniun, udhëheqësin e dashur të rinisë ta vranë, kur Atdheu kishte më shumë nevojë për të; Gurakuqin ta vranë, “me tre plumba na i ranë”; Bajrami u vra, “as je vrarë e as po vritesh”.

U mundove të mbillje demokracinë në shkretëtirën e thatë të varfërisë e të padijes, mes atyre që nuk të kuptonin dhe atyre që nuk donin të të kuptonin, dhe sidomos të atyre që të luftonin.

Doje të krijoje një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin, kur ndërgjegjja shqiptare ishte një truall i papunuar, kur asaj i mungonte humusi i atij ideali të lartë, që të digjte në  kraharor.

Si mësues i vyer na lë porosinë: “Shqipërinë, të mirë a të ligë, ne e bëmë, dhe jua lëmë të tjerëve që ta mirësojnë.” Por ja që ne të tjerët dimë vetëm ta keqësojmë, dhe sot Shqipëria është në duar të atyre që janë mjeshtër të  keqësimit.

Njohës i thellë dhe vlerësues i paanshëm i kulturave e qytetërimeve botërore, të lashta e të reja, perëndimore e lindore, ia shtrove mjeshtërisht popullit në sofrën e dijes,të kulturës dhe të artit, i ushqyer nga një dhimbje e thekshme atdhetari idealist. Në verbin e blertë të shqipes çeli lule fjala e sa e sa gjuhëve botërore të gjalla e të vdekura.

Ithtar i flaktë i “mejtimit të lirë”, i pashembullt në energjitë shpirtërore; u bëre një gjenerator i fuqishëm i lëvizjes mendore të kohës, që vazhdon e do të vazhdojë të ndikojë gjithnjë mbi inteligjencien shqiptare, një kultivator i mendimit demokratik, duke e futur popullin tonë në rrugën e gjerë e të vështirë të çlirimit shpirtëror e shoqëror, rrugë në të cilën,Ti qe njëri nga prijësit më të shkëlqyeshëm.

Sot ngrihesh para nesh madhështor, vigan në  bëmat tua,  sot që kemi më shumë nevojë se kurrë për idealin tënd, për mendimin tënd, për fjalën dhe për veprën tënde. Nuk ndoqëm porositë tuaja, prandaj bëmë gabime të pafalshme. Sot jo vetëm nuk i ndjekim, por i mohojmë, bile i luftojmë.

Na flet e na flet, sot e mot, na flet nga Panteoni i atdhetarit idealist, na flet nga Pulpiti i predikatarit të devoçëm, na flet nga kathedrat e shkencës, të kulturës e të arteve; na flet me ndjenjë, na flet me erudicion, na flet me urti. Na të dëgjojmë, përpiqemi të ecim në rrugët që na mësove, po na  merren këmbët dhe ecim kuturu.

Gjithsesi, duke u munduar të ecim në gjurmët Tua, do të na zërë edhe ne shqipja dhe do të ndizet në kraharorët tanë Zjarri i Shenjtë. Është me fat ai që  digjet në këtë Zjarr.

* Ne Foto: Anton Çefa duke mbajtë kumtesë në veprimtarinë e organizuar nga Vatra me rastin e 50 vjetorit të vdekjes së Nolit. 13 Mars 2015

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, Noli: “Më ka zënë shqipja”

SKËNDERBEU I VOGËL I FILMIT

April 8, 2016 by dgreca

Ese nga Xhevair Lleshi/

Pse m’u shfaq edhe më i madh Roland Dasho sot? E lexova në facebook, në një kumt të tijin, se qenkej ai djali i vogël i filmit «Skënderbeu» që dërgohet peng te sulltani. Gjergji i vogël, Gjergj Kastrioti Skënderbeu i ardhshëm, mbreti i shqiptarëve që do të spikatej me zulmë të madhe, luftëtari dhe diplomati habitës, njeriu që i dha famë shqiptarëve dhe luftës së tyre kundër Perandorisë Osmane… Kjo është vetëm një sekuencë që i jep tjetër kredit personalitetit të një njeriu të mësuar, të shkathët intelektualisht, i jep zë të veçantë dhe kur të mos jetë më do kërkojnë të dinë më shumë për Rolandin, jo thjesht si një student i zoti i biokimisë, as edhe si profesionist dhe as si një njeri që di t’i organizojë mirë punët që bën. Po vetëm për këto tri-katër minuta, pa e ditur sheshpushimin dhe sheshveprimin e filmit, pa ditur rrethanat që e çuan deri te filmi, derisa regjisori i vuri vulë. Çdo njeriu i mjaftojnë ato pak çaste të mbetura në film, me kulmin e emocionit të përftuar. E vërteta është se karakteristikat e tij sot janë të tjera dritare që e shohin jetën e këtij njeriu krejt ndryshe. Ndryshe në çdo hap…

Ata që jetojnë në lagjen «Kala» të Beratit e dinë ku është kisha e Onufrit, ose muzeu i veprave të tij, e njohin sheshin para tij edhe sikur të ndodhen në situata të papërshtatshme, madje edhe në grahmat e fundit të jetës. Edhe Rolandit kur ishte jashtë atij sheshi pothuaj nuk i kujtohej fare që dikur, kur ishte i vogël, ai, i shënjuari nga fati, djali i rrëmujshëm dhe i përkëdhelur, do të mbetej përjetë në celuloid, duke sjellë diçka madhore në kujtesën kombëtare, do të ishte për këdo djali i fundit i Gjon Kastriotit dhe do të merrej peng nga sulltani. Kur e vështrojmë në sy të vërtetën e tmerrshme të asaj kohe, barbarizmin dhe energjinë e saj, atëherë mund ta ndiejmë edhe më thellë emocionin që vjelin këto çaste. Në raste të tilla kushdo mund t’ia vërë fajin jetës, madje mund ta mallkojë atë e të nënvizojë me psherëtimë të thellë se sa e tmerrshme qenkej kjo jetë! Për këdo ky mund të ishte një zhgënjim i llahtarshëm, sepse fëmija, i mbrojtur tek e fundit edhe nga një instinkt madhështor i prindit, nuk mund të «dhurohet» ashtu, nuk mund të jetë si plaçkë. Por ja që, siç e dimë nga historia, ky zakon barbar dhe aq i hidhur, kështu lozte me fatin e njeriut. Me fatin e Skënderbeut tonë, po edhe me fatin e kujtdo tjetër personazh. Por ne shohim aty Rolandin tonë, Roland Dashon, që, pa e ditur ç’bënte, do të luante një rol krejt episodik, krejt të veçantë, që do të mbetej i fiksuar në të gjitha lëvizjet e mësuara e mbi të gjitha të tijat. Dihet se fëmijët nuk u shpëtojnë dot «së tyres», pjesës më interesante, sado që ne shpesh na pëlqen të themi «të mësuarës». E mësuara është aty, sigurisht, por e tretur brenda kuptimit që i jepte ky djalë i vogël, derisa më në fund regjisori të kënaqej me veprimin, zërin, sjelljen, lëvizjet, si ta hipnin mbi kalë për të kalëruar me një «osman» drejt zemrës së Perandorisë së madhe, aty ku ishin jeniçerët, aty ku do mësonte forcën dhe kulturën, gjuhët, diplomacinë, por që, siç e dimë do të mbetej shqiptari më i madh i të gjitha kohërave!Rrugicat e kalasë së Beratit, edhe ato do të duhej të krenoheshin me episodet e filmit «Skënderbeu», pasi ato dhe eleganca e tyre e përsosur janë lënda e gatshme mesjetare që i dhurohet filmit. Aty hidhej sera, uji i vluar, aty ngriheshin shkallët dhe para mureve zhvilloheshin betejat e mëdha të historisë njerëzore. Por rrugicat dhe muret nuk kanë gojë të tregojnë, siç bën Rolandi që na sjell me dy rreshta fëmijërinë me yllin e fatit të tij ngarkuar. Rrugicat dhe muret e heshtur janë e do të jenë aty me një pëshpërimë plot dalldi, se ato kanë qenë dikur, pa dashjen e tyre, natyrisht, sfida e madhe e Skënderbeut, zulma e tij, pse jo edhe turpi i madh, helmi dhe thika pas shpine, fusha e mbjellë me të vrarë (vetëm ullinjtë janë dëshmitarët e historisë!)… Por ja që edhe e hidhura e madhe kthehet në mjaltë. Vetë Kalaja e Beratit mori hak për vete, derisa e bindi me një thjeshtësi të madhe regjisorin që aty të zhvillohej veprimi, pa e ditur historinë, veç t’ia kenë treguar aktorët shqiptarë gjatë ndenjjes në sheshpushim. Dikush do të thoshte se karaktereve njerëzorë që vepronin në film këto rrugica u kanë dhënë fisnikëri dhe kjo ka mbetur përgjithnjë në imazhin e filmit. Aq më tepër që filmit i intereson sidomos karakteri. Këta i kemi në të përditshmen tonë, me ta mund të përshëndetemi, siç ndodh me Rolandin, i cili ka mbetur si figurë e bukur e një historie të trishtme, për ta bërë sot krahasimin me kureshtje të fortë jo vetëm për t’ua rrëfyer njerëzve. Por, megjithatë, kjo është edhe histori argëtuese, e tillë edhe për vetë personazhin, ndonëse e veshur me petk interesant dhe të jashtëzakonshëm, që mbart me kujdes tharmin «e kohës», shoqëruar me fytyrën e bukur, sjelljen e zakonshme e shoqëruar me virtytin e rrallë që fal me vulë të përjetshme magjia e kinemasë.

Unë e përfytyroj njohjen me djalin e vogël që sot ka një emër dhe mbiemër, Roland Dasho, teksa rrinte pranë së ëmës, e cila ishte valltare amatore – edhe ajo e shënjuar në film, për skenat e magjishme të dasmës së Skënderbeut në sheshin e kishës së fshatit Drobonik, i cili e sheh Beratin dhe magjinë e tij në pëllëmbë të dorës. Rolandi i vogël luante rreth e rrotull këmbëve të aktorëve, nuk përmbahej në kënaqësinë e vet, se aq shumë njerëz nuk kishte parë ndonjëherë, aq shumë kostume popullore, aq shumë ngjyra, aq shumë skena, aq mrekulli që i binin nga qielli. Aty shtroheshin dreka e darka, aty kishte shumë verë, pihej e këndohej, aty luhej luftash, vrapohej, kishte aq shumë kuaj të bukur sa ai vogëlush s’kishte parë kurrë në jetë. Një botë e mrekullueshme. Regjisori do ta ketë parë në prehrin e së ëmës dhe do të ketë bërtitur «E gjeta Skënderbeun e vogël! Është i mrekullueshëm!» Së ëmës së Rolandit do t’i ketë rënë atë çast një nur tjetër, siç u bie zakonisht nënave kur flitet për bijtë e tyre. Por regjisori mund ta ketë pikasur edhe në sheshe duke luajtur, duke mbledhur ndonjë lule, duke e parë në sy fytyrën e mahnitur nga lëvizjet e dendura të «luftëtarëve», me aq shumë armë, klithma dhe vrapime saqë do ta ketë pasur të vështirë të mos habitej. Atëherë regjisori do ta ketë ngritur në krahë, duke e çuar lart, rrahur nga rrezet e diellit dhe fjalët me siguri do të kenë qenë po ato që tha më lart. Se fytyra e kujtdo vogëlushi të mahnit, aq më tepër ajo e Rolandit që ne njohim. Ai sikur të vinte nga thellësia e historisë do të mbinte aty në sheshxhirim si djali i fatit të plakur, si biri i një komiti të pamësuar me atë çfarë ndodhte rreth e qark. Ai më mirë se çfarëdo tjetër mund të bënte vrima në tokë me një copë dru, mund të imitonte një makinë, një kalë, një shpatë. Ta filmoje lëvizjen ditore, veprimet dhe habinë e tij të jashtëzakonshme, kjo kishte për të qenë një magji më vete… Një magji dhe shkollë për ata që studiojnë psikologji. Jam i bindur se kushdo që do ta shihte kështu vëmendjen e kamerës do të mahnitej me këtë sy regjisorial…

Gjatë gjithë jetës, Roland Dasho, për ne që nuk ia njihnim këtë detaj të fëmijërisë, do ta kujtonte, ashtu siç edhe e solli, si një gjë fare të zakonshme, me të lexuar në facebook se një tjetër personazh i gazetarisë shqiptare, Ylli Polovina, shkruante që i ati i tij, Shaban Polovina, kishte qenë figurant në filmin «Skënderbeu». Dhe Roland Dasho u zbërthye. E tregoi atë që e ruante sekret. Kujtesën ia ka forcuar e ëma, duke ia nanurisur si rrëfenjë të vjetër, pse jo edhe si përrallë të bukur. Dhe kujtesa e Roland Dashos u freskua menjëherë, u ngrit lart, kas, si kali i Skënderbeut të filmit, si «luftëtarët» aty rreth e rrotull. Kjo shenjë e fatit nuk u përmend kurrë në rrethet shoqërore, nuk zuri vend në CV e tij, as edhe se qe dikur në një shenjë kaq të bukur dhe sigurisht emocionuese. Ai nuk protestoi asnjëherë që nuk ia përmendnin këtë fakt dominues, të cilin  do të donte shumë t’ia zinin ngoje, nuk kundërshtoi askënd, i ndershëm në kumtin e ditës, rrethuar me heshtje të ftohtë, ndërsa zemrën – sikur thërriste – që t’ia linin të paktën t’i rrihte në kraharor. Roland Dasho nuk kërkon famë, nuk ka harruar asgjë, mbetet gjithnjë stoik, nuk kërkon të merret me letrat vetëm se i pëlqen letërsia, u hedh parfumin e tij tregimeve që lexon dhe mban për vete një dhimbje të bukur…

Unë e besoj se adresa e tij e facebook-ut këto ditë ka pasur shumë klikime. U pëlqeu pyetja interesante e Roland Dashos: a kishte të drejtë ai të fliste për Skënderbeun e vogël, për Vojsavën bijë të Gostivarit, për dasmën e famshme të Skënderbeut me Donikën, për drekat dhe darkat me aktorët shqiptarë dhe sovjetikë, për Skënderbeun gjeorgjian… për gjithçka të atyre ditëve të mrekullueshme të regjistrimit të filmit. Rolandit i pëlqen të merret me këtë subjekt, ndonëse nuk ka aspak ndërmend të shkruajë, edhe pse i vjen keq që s’mundet më shumë, pa u ndodhur kurrë në rrethana të papëlqyera. Ky burrë i qeshur, interesant, shprehës dhe herë-herë hokatar, njeri që s’bie kurrë në dëshpërim, të cilit vetëm i hanë duart për punë, njeri me humor të mirë, gjithnjë i shkujdesur dhe muhabetçi i thekur, natyrisht kështu i pëlqen të jetë. Ai deri në fund kështu do të mbetet: njeri, po edhe aktor në moshë fare të vogël që luajti rolin e Skënderbeut tonë në film. As më pak e as më shumë ky është Heroi ynë Kombëtar… kur ishte fëmijë!… Roland Dasho nuk ka frikë se mos e shpallin «tradhtar», po edhe nuk i ankohet kujt, nuk kërkon asgjë përveç faktit se atë sekuencë të largimit si peng te sulltani të gjithë duhet ta mbajnë mend, ndonëse asokohe nuk mbante ditar dhe nuk ruante shënime për ngjarjet e ditës. Sa mirë do të ishte sikur ta mbante mend dikush tjetër atë datë dhe ta përkujtonin si ngjarjen më të shënuar si familje dhe pse jo edhe të pinin të gjithë nga një gotë shampanjë…

«Unë jam nga Berati», thotë Rolandi, Skënderbeu i vogël i filmit. «Kam si shenjë filmin e madh «Skënderbeu», film që e bëri aq të njohur Shqipërinë, më solli edhe mua fat të paparashikueshëm, sepse u lidha pazgjidhshmërisht me Beratin, qytetin tim dhe e kuptova se edhe Berati fitoi aq shumë nga ai film i madh. Por e fshehta mbeti magji për Beratin, ashtu edhe për mua.» Jorgji Doksani më thoshte gjithnjë se një shoku i tij i fëmijërisë, Kom Nova, bënte ç’bënte dhe pinte dolli për Skënderbeun. Vonë-vonë e ngacmova dhe mora vesh se kishte qenë figurant në film. Doni s’doni, jam luftëtar i Skënderbeut. Ja që kështu qenkej bota: ata që luftuan vërtet, ikën pa fytyrë, kurse ne që lojtëm filmin mbetëm me portretet tona! Thirri mendjes! Hajt, gëzuar! Qeshja me Jorgjin, por ma merr mendja që këtë humor bën edhe Roland Dasho, sepse i pëlqen të ketë me vete tharmin e humorit. «S’jam aq i fuqishëm sa jetën time ta kthej në art. Tek e fundit kjo do të kishte qenë e dobishme! Sepse pikërisht kjo do të donte stil, t’i jepeshe fort me pasion të madh një gjëje dhe bota do të ishte me siguri më e mahnitshme, më e thjeshtë, më poetike, më e natyrshme, më e pastër, pse jo edhe më e joshur dhe më e tunduar! Po nga kush më e tunduar? Në fillim fare duhej të studioja art, por ku të linte biologjia të merreshe me art? Sepse mjafton sa të futësh pak majat e këmbëve te biologjia dhe ishte e sigurt se do të bie brenda. Pa le që rinia (ah rinia!) më mbante në krahë me një lehtësi krejt të gabueshme. Pyes veten sa herë bie në kujtimin e asaj dite që u xhirua filmi: mërzia e qetë dhe më pas shpërthyese, të qenit kokulur dhe i dëshpëruar, pa miniera të kota, po gjithnjë  brenda vetes sime, i ëmbël dhe me aromën e thukët të fëmijës, sidomos duke më hipur në kalë para «osmanit» me një lloj përdëllimi sikur do të më kungonin ndryshe, ku bënte zë një delikatesë e patreguar…

E çfarë pastaj po të mos ishte filmi «Skënderbeu»? Unë njëlloj do të vija si një mysafir i vonuar, do ta ndieja njëlloj frymën e ngrohtë të të tjerëve, se njeriut i ka lezet jeta pasi është bashkë me të tjerët. Do të guxoja në mendt e mia të isha pjesë e një filmi? Kurrë, sepse nuk u bëra dot ajo që më kaploi atëherë dhe në atë moshë. Kjo më duket e prekshme, pse jo edhe e besueshme! Nganjëherë them se shaka të tilla janë të bukura. Them po ashtu se sikur të isha unë Gjergji i vogël… Dridhem me një rrëmujë të pazakontë mendimesh dhe nuk e besoj se do të bëja dot atë vepër aq të madhe! Eh, të madhe! Dhe kjo ma fut më tej ngasjen, më bën të qesh e ta sulmoj veten time ashtu siç di unë, mbarë e prapë. Kurse tani që po përparoj bukur mirë në moshë, them se këtu bie edhe erë spekulim, pasi fëmija kurrë nuk mendon aq gjatë. Tmerri i fëmijës është kur sjell ndërmend se mund të mos i ketë më prindërit e tij, por jo, sigurisht jo të luajë në zgjatimin e thekshëm të kohës, të qëmtojë me sy atë që i mungon, t’i pëlqejë edhe ato që brenda gjërave të zakonshme janë fare të mërzitshme. Fëmija nuk ka shpella në mendjen e vet, as bën plane, thjesht fëmija edhe kur s’ka asnjë mundësi është i dashur. E ka bërë perëndia të tillë, të gjejë të domosdoshmen më të hollë, më të bukur, siç e krijoi Grabovi i madh, më të përshtatshme edhe kur është në humbëtirat më të harruara, edhe kur endet në prehrin e kotësisë, edhe kur jeta e zhyt në gjanën e banalitetit, edhe kur është tronditur aq thellë jeta e tij e krisur… Ja kështu do të më pëlqente ta rigjeja edhe njëherë fëmijërinë time, paçka se ato tri-katër minuta, ajo sekuencë e përgatitur me aq mundim e thjeshtësi më detyron shpesh që të vë buzën në gaz. Ne, sigurisht, i pëlqejmë gjërat e mira e të bukura pasi kanë kaluar, sepse habia e kohës së vërtetë nuk na lë rehat, na shtyn ose na tërheq, na detyron nganjëherë ta mendojmë ndryshe, si një sprovë e dështuar, edhe pse imitimi na rrëmben. Mahnia e fëmijës: të bëjë sikur! Detajet (ah sikur të m’i gjenit ato, sa mirë do të qe!), do të kenë qenë shprehëse, paksa të çuditshme, do të më kenë zënë në befasi, mbushur plot pandehma e sekrete (sekretet e asaj moshe janë një tjetër mahní dhe duhet thënë se më i forti është pikërisht ai që mbart sekrete të mëdha!), një sugjestion i çmendur, edhe pse ia beh aq shpejt e shpejt sikur të ishte thjesht një tronditje dhe aq, një ndjenjë që përfundon si shaka. Do të doja ta rijetoja, Zot i madh, dhe kudo të prezantoja as më pak e as më shumë veten time. Se s’ka gjë më bukur se sa egoizmi i fëmijës, që shpesh duket si aureolë mbrojtëse, bëhet pastaj edhe metaforë… Mendo, egoizmi fle mes ëndrrash, me siguri matematike – tejet të zmadhuara, se ndryshe nuk shkojnë, s’kanë pikë shijeje. Mendo, sikur të mos e kisha Skënderbeun në atë skenëz të paharrueshme a do të kisha mbetur pa ëndrra dhe a do të ndihesha i mposh­tur nga fati? S’e di, as e kam menduar ndonjëherë, por ama e di egoizmin e fëmijërisë sime, atëherë kur bëja diçka për t’u plakur, kur punoja rrengje, kur dëshiroja vetëm të bëja po atë jetë që bëja, të ngrija në këmbë entuziazmin e magjishëm të moshës, dhe t’ua tregoja plot mburrje të gjithëve se çfarë kisha bërë, domethënë atë që nuk bëja dot kur u rrita. Ç’më mbeti nga ai vit i largët, kur luhej në Beratin tim filmi «Skënderbeu»? Ndoshta pak trishtim, po aq edhe mërzi, ildisur me një shaka të kërthndezur, e jeratisur si keqardhje, e pra, pak jetë. Mbaron filmi, pastaj fillon loja, arratisur nga e vërteta. Të vërtetat që pa dashjen tonë na injektoheshin në gjak. Një rreth vicioz gjërash ku mbytemi nga pak për ditë, po edhe lumturohemi përditë, të heshtur dhe të mahnitur se si na rrodhi koha kaq shpejt e pa kuptuar…

Do të kisha dashur të isha takuar ndonjëherë me ata që luajtën filmin «Skënderbeu», do të doja që ishim edhe njëherë në sheshet brenda kalasë dhe të përcillja emocionin e asaj kohe të papërsëritshme. Nuk paskam qenë as atëherë i qetë, siç nuk u ndjeva kurrë në jetë, duke ecur në jetën time pa thekse të mëdha e pa bëma të atilla që të thosha se më shkonin, se po ecja edhe unë nëpër maja… Kjo, pikërisht kjo mbeti e fshehta ime, po në një farë mënyre edhe rreziku im – sepse më duhej të ktheja gjithnjë kokën prapa, pasi i prishja baraspeshat e çmendura dhe njëherit të shenjtëruara. A thua se e kuptova ndonjëherë kotësinë e atypëratyshme të çastit? Kurrë! Çasti të kredh brenda pa u ndierë, pa u kuptuar, ashtu siç edhe të rrëmben, të bën për vete, si nën një furi të papërballueshme, si pasion që dikur do të vinte dhe unë do të bëhesha zot i vetvetes. Dhe i pari për mua do të mbetej emocioni…

Metafora mbeti e fshehur brenda jetës sime. Emocioni doli sheshit, jelekzbërthyer dhe si djalosh që të prish mendjen duke pasur nën vete një butafori sëkëlldisëse, mahitur me diçka krejt njerëzore e të vdekshme, në kulmin e gjërave të bukura që kam dëshiruar të bëj. Gjithçka sikur ndodh sa për t’u marrë me mend, si një mërzi e bukur që s’kthehet kurrë më. Dhe mbeta rob i atij çasti: Skënderbeu i vogël i filmit…»

 

Tiranë më 07.04.2016

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Roland Dasho, SKËNDERBEU I VOGËL I FILMIT, Xhevair Lleshi

Kur shpërfillet Elita, krenaria kombëtare

April 7, 2016 by dgreca

Vilhelme Vrana Haxhiraj*/

    “Nuk ka këshillë më të keqe se ajo që të shtyn të mohosh kombin tënd!” – 

Naum Veqilharxhi/

     Ky libër është si një kapitull tejet i veçantë i historisë sonë kombëtare. Është kapitull i krenarisë shqiptare të gjymtuar,  i inteligjencës së mohuar të lënë në harresë. Kalojnë dekada e shekuj dhe ngjarjet vjetërohen, moshohet kombi, rrudhet koha, plaken e ndryshken mendjet e freskëta dhe vlerat harrohen. Syrit vrojtues të cilit nuk i shpëton gjë, sheh me dhembje e lotë një lloj shpërfilljeje ndaj tyre. Diçka e tillë ka ndodhur si mungesë vlerësimi për arsye politike, kundërshti ideore apo mos vallë i ka dënuar koha e vrazhdët? Mëse e bindur them se ky libër është kapitull i së vërtetës për vlerat e krenarisë kombëtare, shumica dërmuese e të cilëve janë mohuar apo janë lënë në harresë nga politika e mbrapsht.

Më lind e drejta të pyes: Sa duhej të krenohej Shqipëria kur bota e kulturuar mburret me Elitat e saj?!

 

  “Eh Bota e kulturuar…!Bota nuk i ka heronjtë dhe i krijon, kurse ne i kemi dhe i varrosim. Kultura botërore i  vlerëson pa ditur se kujt kombësie i përkasin dhe i ngre në piedestal, sepse ata janë produkt i kohës që vepruan, pra të së shkuarës, janë ecuri e të sotmes dhe përparësi zhvillimi për të nesërmen.Ata janë Elita që udhëheq njerëzimin në rrugën e bukur të mirësisë dhe të drejtësisë, të jetës së bukur, përmes zhvillimeve të reja shkencore dhe me besimin te Zoti!”Vivra                                                                                           

    Duke marrë në konsideratë  thënien lapidar të Naum Veqilharxhit, lidhur me shtysën për mohimin e kombit, theksoj se kombi nuk është një nocion ideal. Kombi është konkret, i prekshëm, i dhembshur pasi është toka ku lindën të parët tanë, tabani ku lindëm ne dhe do të lindin sa e sa breza të tjerë, i vetmi identitet që do të ngelet në pafundësi…Janë bashkëkombasit ata që ia rrisin vlerat dhe dinjitetin atdheut të tyre. Puna dhe mendja e njerëzve e shndërrojnë atë në një shtet të zhvilluar, janë njerëzit ata, që duke u mbështetur në trashëgiminë kulturore, duke shfrytëzuar pasuritë mbi e nëntokësore, e çojnë vendin drejt progresit. Veçse cilido e ka të qartë se vetëm ai komb që rrezaton kulturë të admirueshme, integron më shpejt drejt botës së zhvilluar. Njerëzit që ia rrisin vlerat kombit, largohen nga kjo botë duke lënë pas mendjet dhe duart e tyre. Brezat ikin, kurse kombi ngelet aty dhe rigjenerohet bashkë me brezat që vijnë.

  Shqipëria e vogël, Dekania e racave, por shumë e re në arenën politike botërore dhe e njohur pak, ose aspak për botën e zhvilluar, kombi 103 vjeçar, me një histori sa të lashtë dhe po aq të mohuar, sa të pasur dhe po aq të tjetërsuar, ka vënë në dilemë shumë mendje të ndritura. Duke marrë sipërfaqen e tij dhe numrin e popullsisë, vendi ynë është kombi që i ka dhënë botës më shumë intelektualë se çdo komb tjetër në të gjitha fushat e jetës. Duke filluar nga perandorë, papë, kryeministra, gjeneralë ushtarakë, diplomatë, arkitekt, mjekë, artistë të skenës, të penelit apo të daltës, shkrimtarë, filozofë, gjuhëtarë, kanë qenë bijë të kësaj toke, personalitete shqiptare, të cilët e kanë gjetur veten jashtë kufijëve të atdheut, ku kanë shpalosur dhuntitë dhe vlerat e tyre. Dhe bota pa marrë parasysh se ç’kombësi kishin, nga vinin apo prej ç’race ishin e ç’gjuhë flisnin, i ka shpërblyer maksimalisht sipas vlerave që kanë dhënë në shkenca të ndryshme. Personalitete të shquara të të gjitha kohërave dhe në fusha të dryshme, nga Shqipëria kanë dalë shumë. Po marrë një dy shembuj vlerash. Vetëm Himara përrallore, Perla e Rivierës shqiptare, ku nga shtatë fshatrat e saj kanë dalë dhjetëra kapedanë. Pas vdekjes së Skënderbeut në histori ka mbetur akti heroik i Damjan Himariotit që më 1537 në fushën e Qeparoit sulmoi me thikë në çadrën e vet sulltanin Sulejman Kanuniun(Ligjvënsin). Kapedanët e Himarës, të diplomuar në shkolla ushtarake (Napol e Venecia) nuk mbronin vetëm bregdetin e Jonit por kanë shërbyer si gjeneralë ushtarak në Itali, Spanjë, Rusi. Mërkur Bua nga Dhërmiu, me gradën e gjeneralit ka luftuar në ushtrinë venetikase në vitin 1500 dhe në Milano. Përmendim Kiço Buçin, ndërtues anijesh në Himarë në shek. XVII. Bregdeti veç trimave,ka pasur edhe kapedanë të mendjes e diplomatë deri në Mbretërinë Spanjolle si Zhanopulli nga Qeparoi e Pano Bixhili nga Dhërmiu që shërbeu si ambasador i Rusisë në Shqipëri dhe në Greqinë Veriore me qendër në Artë më 1767, i cili punoi për zhvillimin e arsimit në Bregdet. Polo Prifti e Jorgo Prifti, kapedanë nga Qeparoi, në luftën ruso- turke të vitit 1771 morën pjesë në anën e Rusisë dhe janë heronjë të saj.

  *Bota e kulturuar evropiane qysh herët ka folur për amazonat shqiptare. Nga qyteti Kafa, ish Theodozia e lashtë pranë Detit të Zi, princi belg Charles-Joseph, figurë e ndritur ushtarake dhe letrare e kohës, i shkruante një letër Markezës së Coigny-së : “një batalion prej dyqind vajzash të reja shqiptare marshon me hap krenar në qytetin Kafa”- skenë prej së cilës Princi mahnitet. “Pashë dyqind gra apo vajza bukuroshe, me fytyrë zbuluar,me dyfekë, kama e heshta, me gjokse amazonash dhe me flokë të gjata gërshetuar hijshëm, kishin ardhur me rastin e vizitës sonë për të na nderuar, dhe aspak nga kërshëria.” (Letra VII, 1787). Dhe ka pasur të drejtë. Ishte koha kur fanatizmi fetar oriental ia ndalonte rreptësisht një vajze të re apo një gruaje të shfaqej publikisht me fytyrën të zbuluar. E megjithatë, ja ku po i shfaqeshin para syve bukuroshe të armatosura, amazona të vërteta shqiptare.

 * Amazonat ishin vajza të reja që visheshin si burra, të armatosura për të mbrojtur truallin nga pushtuesi i huaj ose ishin ngritur kundër fejesës në djep apo martesave të detyruara.A nuk ishin Amazona Nora e Kelmendit, Tring Smailja, Shote Galica etje?

   Në këtë libër për elitat e mohura apo të harruara e të pavlerësuara, kam përzgjedhur 40 figura të shquara, ku në një numër të papërfillshëm janë të vlerësuarit nga shteti shqiptar, por edhe ata ende nuk kanë vendin e merituar. Jam përqëndruar kryesisht tek:

 * Gjergj Kastrioti Heroi kombëtar, i cili me të drejtë është vlerësuar nga Diktatura,si prijësi arbëror që për 25 vite i largoi ushtritë osmane nga Shqipëria si dhe ka meritën e madhe që pengoi asimilimin e krishtërimit në Evropë nga myslimanizmi.

 * Ismail Qemali, arkitekti i Pavarësisë Kombëtare, diplomati që gjeti kohën e duhur për  të shpallur mëvetësinë, ishte lënë në harresë. Plaku i urtë e flokëbardhë vlerësohet pas 100 vjetësh me titullin “Nderi i kombit” A nuk është turp për politikën shqiptare që mburrej me aktin e Pavarësisë, por babanë e kombit e la në harresë? Kurse familja e tij u denigrua dhe u përndoq.

 *Ded Gjon Luli është dekoruar me titullin Hero i Popullit. Ishte një e drejtë e pamohueshme  se ngritja e flamurit më 3 prill 1911 në Deçiç nga Ded Gjo Luli, ishte preludi i Pavarësisë kombëtare që udhëtoi drejt Vlorës, ku u shpall Shqipëria shtet më vehte, i pavarur nga Turqia nga plaku i mençur diplomati Ismail Bej Vlora më 28 nëntor 1912.

* Ibrahim Rugova, Intelektual,politikan, akademik dhe shkrimtar shqiptar cili mbante titullin Doktor. Është Presidenti i parë i Kosovës, bashkëthmelues i partisë Demokratike. Ai udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi,  i cili ndoqi një rezistencë paqësore ndaj sundimit jugosllav e pati mbështetje nga SHBA-të dhe Evropa. Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”.Pas vdekjes u shpall “Hero i Kosovës”.

 * Adem Jashari,është një nga arkitektët kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Adem Jashari ishte kryekomandanti i UÇK-së. Forcat policore jugosllave dhe Ushtria Jugosllave e sulmuan shtëpinë e tij në mars të vitit 1998, ku Jashari heroikisht ra së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij. Ky është rast unikal në historinë e luftërave. Ai mban titullin “Komandanti Legjendar i UÇK-së“, kurse “Hero i Kosovës” iu dha atij në vitin 2008 nga kryeministri i Kosovës.

 * Nora e Kelmendit , e cila e vrau pashanë në çadrën e tij. Së pari mbrojti dinjitetin e saj si bijë e malësisë dhe i tregoi të huajit se vajzat shqiptare nuk u dorëzohen të huajve me aq lehtësi.Ishte viti 1638 kur trimëresha Norë, ishte e para femër që mori hak. Ndaj meritonte të vlerësohej si individ dhe  jo si Malësi e Kelmendit, pasi ishte gruaja e parë që theu çdo zakon.Malësia ka meritat e saj, kurse Nora apo Tring Smailja janë shembuj virtyti në gistorinë kombëtare. A nuk e meriton Nora një bust që të lartohet në Malësinë e Madhe

 *Shote Galica, heroina  pa dekoratë, sepse iu dha titulli heroinë dy herë,( çudia më e madhe), se titulli jepet vetëm një herë. Serioziteti i këtij titulli që kur është dhënë  vetëm me fjalë. Të afërmit e saj nuk kanë marrë asnjë dëshmi.
*Fan Noli, themelues i Kishës Autoqefale shqiptare

  Fan Noli ishte prift, përkthyes, shtetar, diplomat, poet e historian shqiptar.

Noli së bashku me Visarion Xhuvanin themeluan Kishën Autoqefale Shqiptare. Fan  Noli  ishte i pari klerik që e mbajti meshën në gjuhën shqipe në 25 vjetorin e Pavarësisë  kombëtare.

Në botimet zyrtare të Qeverisë së Mbretit Zog, “Shqipënija më 1937”, me rastin e kremtimeve të 25 Vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, në kreun për historinë e kultures, shkruhet: “me të janë lidhur emnat më të bukur e më të mallëngjyer të shkrimtarëve t’onë të kaluar. Çdo alfabet pati një serë të gjatë asi shkrimtarësh, po mbi të gjithë vetëm katër shkëlqejnë si yje të pa shoqë, Naimi, Fishta, Konica e Noli”

 Dështimi i revolucionit demokratiko -borgjes i vitit 1924, e detyroi Nolin të mërgonte.Gjithsesi, megjithë gabimet lidhur me reformat e parakohëshme, ai edhe në emigracion vazhdoi punën për një Shqipëri demokratike.

***

Shumë personalitete të ndritura të fushave të ndryshme duke qenë në emigracion, u kanë shërbyer të tjerëve, të cilët edhe i ngritën në piedestal sikur të ishin bijtë e tyre. Shkrimtari dhe publicisti shqiptar Kim Mehmeti, thotë “ne jemi një popull i vetmuar”dhe mund të shtoj pa frikë se ne jemi një “popull i grabitur”. Dhe ka të drejtë se çuditërisht dhe historia na ka grabitur dhe mohuar ata që janë bijë dhe gjak i gjakut tonë. Shumë prej këtyre korifenjëve u është vjedhur identiteti. Na janë vjedhur, Arkitekt Sinani,Mehmet Sedefqari, Papa Klementi XI, Elena Gjika, Karl Gega, Naum Veqilharxhi, Marko Boçari ,Kostandin e Athanas Zografi, Kostandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Bilal Golemi, Aleksandër Moisiu, Laskarina Bubulina, Ibrahim Kodra etje

Është për të ardhur keq se, sa e sa figura emblema të kombit, janë lënë në harresë të qëllimshme për arsye klasore, politike, idesh dhe besimi fetar, ku kam marë vetëm disa: At Gjergj Fishta, At Martin Gjoka, De Rada, Hasan Prishtina, Faik Konica, Pater Anton Harapi, Fan Noli, Mit’hat Frashëri, Visarion Xhuvani, Kristofor Kisi, Nënë Tereza, Dhimitër Pilika, Ernest Koliqi, Josif Bageri, Ali Asllani, Mitrush Kuteli, Musine Kokalari, Isuf Luzaj, Jusuf Vrioni e shumë e shumë të tjerë

  Cilitdo që i dhemb dhe shqetësohet për cungimin dhe tjetërsimin e historisë së kombit, me të drejtë pyet: Përse shumë personalitete, ajka e elitës shqiptare janë njohur dhe i ka vlerësuar bota, kurse atdheu i tyre jo?!

   Le të shohim disa prej këtyre personaliteteve që i nxori koha, edukimi dhe kultura e gjerë por i mohoi politikae mbrapsht.

 *Nënë Tereza e mohuara dhe e denigruara nga diktatura

Është krenari kombëtare që e mohuara nga diktatura komuniste, Nobelistja për Paqen Nënë Tereza, (Gonxhe Bojaxhi) ishte shqiptare, por është turp që ajo u mohua nga diktatura. Pavarësisht se ku lindi, ajo kishte gjak shqiptari. Këtë e pohoi kur mori çmimin “Nobel Për Paqen”, ku e gjithë Bota mësoi origjinën e saj, bijë e një fisi të lashtë, prej të cilit trashëgoi bujarinë, besën, mikpritjen, durimin, dashurinë për jetën dhe mirësinë, që janë cilësi virtyti të shqiptarit. Sa bukur, sa thjesht, sa natyrshëm dhe po aq i madhërishm ka qenë pohimi i saj:  “Me gjak jam shqiptare, me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit jam murgeshë katolike.Sipas thirrjes së Zotit, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit.

***

  *Aleksandër Moisiu, aktori me fame botërore që luajti role të paarritura më parë

Aktori i famshëm, Aleksandër Moisiu që për madhështinë e tij në skenë duke realizuar role të paarritura më parë të kryeveprave botërore, e kishte për nder që ishte shqiptar. Artisti me famë që bëri evolucion në artin skenik, që u ngrit kundër artit dekadent e mondan ,sot renditet mes 10 personave më të shquar të Austrisë. Shtetet e mëdha donin t’i jepnin pasaportën dhe kombësinë e tyre, por ai kërkoi shtetësinë shqiptare. Shpesh ai shprehej:” Babai im ishte shqiptar, nëna ime ishte arbëreshe…unë nisa të shkoja në shkollë në Durrës, në Dyrrakjumin antik…Madje atje në Shqipëri ende jeton një pjesë e familjes sime Moisiu. Ose thoshte: kam  lindur në Trieste, por nuk dua të jetoj atje…” Artistit që ishte lidhur shpirtërisht me atdheun e të parëve, Ahmet Zogu nuk ia dha këtë të drejtë legjitime, pasaportën shqiptare. Përse Zogu u tregua aq kurrnac ndaj një personaliteti botëror?

 ***

 “Mikelanxhelo i Orientit”Arkitekt Sinani,  shqiptari i hapërdarë mes Ballkanit e Azisë
   Koha dhe politika kanë qenë të egra dhe të padrejta me shqiptarët në tërësi dhe me njerëzit  e vlerave kombëtare në veçanti. Karriera e lavdishme e Arkitekt Sinanit numëron rreth 400 vepra që nga Meka, në Krime e në Vjenë. Ishte njeriu që i ndryshoi faqen Stambollit me ndërtime teologjike, urbane dhe ushtarake… Është ndërtues i xhamisë në qendër në Vlorë dhe i Kalasë së Aulonës së lashtë, rrënojaat e së cilës janë nën pallatin para stadiumit Flamurtari.Ndër veprat e tij vlen të përmenden 40 çesmat që i çuan ujë gjithë Stambollit dhe kryearkitekt Sinani vdiq i etur për një pikë ujë.

Nxënësi i tij Mehmet Sedefqari nga Elbasani bashkë me ndihmësin e tij Ahmetin nga Opari ishte projektuesi dhe ndërtuesi i xhamisë Blu dhe Taxh Mahallit në Agra të Indisë, një nga shtatë mrekullitë e botës. Edhe sot në Stamboll thuhet “Kalldrëmet shqiptare”, se ishin arkitektët shqiptarë që shtruan me pllaka guri rrugët e Stambollit.

***

 *Gjergj Fishta, i pari shqiptar i kandiduar për çmimin“Nobel”

   Homeri Shqiptar i vlerësuar me “Medalje e Artë e Lidhjes së Prizrenit– Kosovë”-1911,“Kurorë Argjendi”-Shkodër-1911;“Dekorata Mearif”-Turqia-1912, “Dekorata Ritterkreuz”;Austria-1912, “Penë floriri”- Berati-1913; “Medaglia di Benemerenza”-Papa Piu XI -1925) ; “Lector Jubilatus”- Urdhri françeskan -1929; “Dekorata Phoenix”-Greqia -1931;

Gjergj Fishtën e nderuan në kohën e duhur shtetet e huaj, kurse Shqipëria, vetëm më 2002 e vlerësoi  me Urdhrin “ Nderi i Kombit”

***

 *Shqiptari Papa Klementi XI-Albani,iniciator i Kuvendit të Arbërit.

Me thirrjen e  Kuvendi të Arbërit më 1703, është i lidhur ngushtë emri i Gjon Françesk Albanit që njihet në historiografinë shqiptare, si dhe në fushat e tjera albanologjike, pasi është “me origjinë shqiptare”. Është nismëtar për thirrjen e Kuvendit të Arbërit. Ai kishte merita të veçanta për çështjen shqiptare”. Por mjerisht në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (1985) nuk figuron as Papa KlementiXI dhe as familja Albani që kanë lënë gjurmë të thella në jetën kulturore e politike në Itali “…Në të vërtetë, Papa Klementi XI nuk është as i pari e as i fundit shqiptar i vlerësuar botërisht. E kaluara tashmë e varrosur romake-bizantine njeh emra shqiptarësh të mëdhenj si perandorët Justiniani, Diokleciani, Anastasi apo Kostandini, ky i fundit i njohur si njeriu që e futi përfundimisht Krishtërimin, dikur monoteist , në trajtën e tij të sotme.

***

*Elena Gjika ose Dora d’Istria, një nga 10 femrat intelektuale më të dëgjuara të shek.XIX.

Elena Gjika ishte shkrimtare dhe publiciste përparimtare rumune me origjinë shqiptare. Familja Gjika, si shumë shqiptarë të tjerë, kishte emigruar nga Përmeti dhe ishte vendosur në Rumani. Ajo mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kulturore përparimtare të Evropës si kundërshtare e sundimit despotik monarkist dhe e shtypjes Kombëtare. U radhit në mes të 10 femrave intelektuale më të shquara në botën e shek.XIX. Përkrahu nxehtësisht Rilindjen Kombëtare Shqiptare, mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar të saj, si: Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko etj, me të cilët diskutonin për problemet që shqetësonin kombin. Në 110 letërkëmbimet e saj me De Radën,problemi më madhor ishte gjuha dhe letërsia shqipe. Elena Gjika kërkoi barazinë gjinore dhe shprehej: “Pa Rilindje letrare, nuk ka Rilindje Kombëtare, duhet rritur ndërgjegjja kombëtare”.

***

* Sami Frashëri, ideologu i madh shqiptar ,autor i manifestit të Rilindjes Kombëtare shqiptare

 Vepra e Rilindasve shqiptarë ,vëllezërve Frashëri është e pandarë.  Unë po përqëndrohem tek njëri… Sami Frashëri i pajisur me kulturë të gjerë, zotërues i 8 gjuhëve është ndër themeluesit e “Komitetit Qëndror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” dhe themelues e  kryetar i  “Shoqërisë së të shtypurit me shkronja shqip” (1879). Drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe  “Drita“, “Dituria” (Stamboll, 1884-85),hartoi librat “Abetare e gjuhës shqipe” (1886), “Shkronjtore e gjuhës shqipe” (gramatika, 1886) dhe “Shkronjë” (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe. Vepra më e shquar e tij është “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet“,1899 që u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

***

  *Karl Gega projektuesi i hekurudhës së parë në botë 

  Për projektin e hekurudhës malore të Semmeringut u shpall një konkurs  për ndërtimin e një lokomotive më të fuqishme, e cila duhej të përballonte udhëtimin në lartësitë malore të Semeringut. Suksesi varej nga forca tërheqëse e lokomotivës. Në vitin 1860 përfundoi kjo linjë që është hekurudha e parë malore në botë, projektues dhe zbatues i së cilës ishte inxhinieri dhe matematicieni shqiptar Karl Gega. Gjatë linjës së kësaj hekurudhe u ndërtuan 16 ujësjellësa, me gjatësi të përgjithshme prej 1502 metra, dhe 15 tunele, me gjatësi të përgjithshme prej 4520 metra, të projektuara nga ai. Karl Gega radhitet ndër 100 emrat më të mëdhenj” të të gjithë historisë së kombit austriak, krahas Mozartit, Froidit, Maria Terezës, Franz Josefit, Kafkës etj
***

*Prof.Dr.Isuf Luzi, i pari që ka kërkuar bashkimin e Shqipërisë etnike në Mukje, gusht 1943  Prof.Dr.Isuf Luzi, linguisti, profesori i filozofisë dhe i gjuhës franceze dhe spanjolle, një nga 7 filozofët më të mëdhenj të shek XX, i cili u dha diplomat disa presidentëve,si: Reganit, Fidel Kastros dhe Çe Guevarës etje, i vlerësuar nga De Gol, nga Presidenti i Argjentinës, nga Regani dhe Bill Klinton, kurse atdheu i tij, të cilit i ka kushtuar 120 vepra filozofike letrare e historiogarfike, e la në harresë. Isuf Luzaj u dënua nga Ahmet Zogu, nga Musolini, i shumëkërkuar nga Hitleri, nga Stalini dhe nga Enveri. I mohuari nga diktatura komuniste  jep obsione mbi Lirinë, duke filluar që nga mendimtarët e filozofët e antikitetit e deri në ata të kohëve moderne

Vlerësimet

-Më 1984 Presidenti Regan i jep titullin “Profesor i Amerikës” dhe Medalje Ari ,i cili  e falenderon për gjithë sa ka mësuar prej tij.Ai burrë i mençur i përgjigjet: “Zoti President, vetëm atë nuk e dimë. Më duket se kam mësuar më shumë unë nga ju Shkëlqesi, se sa ju nga unë…Nëse gaboj, Zoti më faltë!”

*Profesior i Filozofisë në Universitetin e New Hampshire.

*Në Argjentinë i jepet Medalia Ari për Paqen më 1956

*Profesor i letërsisë spanjolle e frënge dhe Estetikës në Departamentin e gjuhëve moderne në Universitetet: Bert (Barat), Leik Forest, (Lake Forest) dhe Ilions (Illinois) të Sh.B.A.

*Profesor i letërsisë franceze në Universitetin Jozef në Indiana.

*I është dhënë çmimi “Akademik i Shquar për Përgatitje të Përkryer në Harward dhe për Bibliografinë” nga Presidenti Bill Klinton.

*Profesor i Merituar me çertifikatën e përmasave botërore nga presidenti Klinton më 1996.

* Shef i Katedrës së Filozofisë i 93 prof-dok-ve në Universitetin në Iliona.

*Vetëm 12 vite pas vdekjes, nga Presidenti Bamir Topi i jepet Urdhri” Mjeshtër i Madh”-2012

***

* At Martin Gjoka, kompozitori i simfonoisë dhe operës së parës shqiptare.

Martin Gjoka është krijuesi i një gjuhe muzikore specifike shqiptare, e cila rrezatoi tek mjaft kompozitorë shkodranë.  Me të fillon muzika profesioniste shqiptare.  Dy kompozimet e para të At Martin Gjokës të vitit 1910 për pianoforte “Liria” dhe “Atdhe dhe gjuhë shqiptare”.  Disa tituj të veprave vokale: “O ata t’lumtë që dhanë jetën”, “Shqyptarja e qytetnueme, “Atmes”, “T’falem Shqypni..; “Lamtumirë, o vendet e mia”; “Grueja shqyptare”, “Porsi shqipe n’hove t’veta”, “Ushtari i vogël”, “Juda Makabe” (opera, 1917), etj. Në muzikën instrumentale, simfonike e operistike: “Dy lule mbi vorr të Skanderbegut”(simfoni, 1922), etje.Mjafton të kujtojmë  që kanë një emër në kompozicicion: Prenkë Jakova, Çesk Zadeja, Tish Daia, Tonin Harapi, Tonin Rrota, Pjetër Dungu, Abdulla Grimci, Simon Gjoni, Zef Gruda, Llukë Kaçi, Gjon Kujxhi,sepse  kanë qenë nxënës të At Martin Gjokës.

 ***

*Josif Bageri një shekull shqiptarizëm, aktual edhe sot

  Një ndër figurat më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, Josif Bageri ishte prej Dibrës. Ai ishte poet me talent të rrallë, prozator që shkroi shumë tregime (sidomos për fëmijë), gazetar dhe publicist. Njihet si atdhetar i flakët, i cili tërë jetën dhe veprën ia kushtoi çështjes kombëtare shqiptare. Ka bashkëpunuar me Nikolla Ivanajn, Luigj Gurakuqin dhe shumë atdhetarë të tjerë. Në vitin 1913 në Vlorë themeloi shoqatën atdhetare kundër Dorës së Zezë (shoviniste greko-serbe), e cila kishte 13 anëtarë të këshillit nga familjet fisnike të Vlorë. Si qendër u bë shtëpia e Ibrahimn Shytit në Skelë . Josifin e zgjodhën kryetar. Ai ndihmoi shumë në përhapjen e arsimit shqip. Në formimin e tij si  Rilindas ndikoi takimi me Naim Frashërin në Stamboll më 1899.Në shtator të vitit 1908 hapi në fshatin e lindjes Nestrovë, një shkollë në gjuhën shqipe, kurse në maj të vitit 1910, në Sofje fillon të botojë gazetën me titull “Shqypeja e Shqypnisë “

.Nderimi më i madh që mund t’i bëhet Josif Bagerit aktualisht është rikthimi i identitetit të gjithë atyre që në periudhën e komunizmit harruan amanetin e bashkëkombësit të tij nga Nestrova, për ta ruajtur dhe kultivuar me xhelozi gjuhën dhe përkatësinë kombëtare shqiptare.

***

Musine Kokalari, e varrosura me pranga pas 42 vjet mohim lirie

Musineja, e arsimuara në Institutin femëror “Nëna Mbretëreshë “ dhe më pas kreu studimet universitare  në Romë, ishte vajza shqiptare përparimtare, e cila vlerësonte lirinë vetjake , pa të cilën nuk ka liri kombëtare dhe nuk mund të ketë demokraci. Femra kurajoze që me Isuf Luzin, prof. Bego Gjonzenelin, më 1943 bashkëthemeloi Partinë Social demokrate. Ajo ka botuar librat : “Seç më thotë nëna plakë” më 1939, “Rreth vatrës” (1944), “Sa u tund jeta”-1945 dhe ka lënë qindra faqe dorëshkrim.  Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua e u dënua me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, dhe vdes më 1983 nga kanceri. Në vitin 1993, Presidenti Sali Berisha i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.

***

*Dhimitër Pilika, albanologu që ende gërthet: Pellazgët, origjina jonë e mohuar…

Studimet dhe tezat që kanë parashtruar lidhur me origjinën iliro-pellazge të mohuar, tre korifejtë e Albanologjisë: Dhimitër Pilika, Gjergj Zheji  dhe Aristidh Kola, Akademia e Shqkencave në Tiranë nuk i ka marrë në konsideratë.  Albanologu Dhimitër Pilika thekson: në librin e tij studimor me titull “Pellazgët, Origjina jonë e Mohuar”, rezulton:“Shkenca historiografike botërore e pranon njëzëri që trualli ynë, ka qenë i banuar të paktën qysh prej 30 000 vjetësh (nga filimi i i paleolitit). Së këtejmi rrjedh pa një pa dy, se te ne kan gjalluar njerëz shumë mijë vjet para ilirëve , parailiret-Pellazgët. Gjurmimet më të reja të shkencës ekzakte të antropologjisë dokumentojnë qartazi gjithashtu rrembat parailire, parahelene, pellazge, të shqiptarve të sotëm. Prej një karvani kumtimesh nga më të stërlashtat, parailirët autokton, pellazgët, cilësohen shprehimisht si bijë të tokës, të mbirë prej dheut, madje si “para-hënor”, si të gdhirë në Evropë që përpara  shfaqjes së hënës në hapsirat qiellore.”Cili ka qenë vlerësimi i shtetit për Dhimitër Pilikën?”- heshtje, se qeveria shqiptare nuk mund ta fyejë “Akademinë e Nderuar të Shkencave”

***

*Pater Anton Harapi, atdhetari i vrar nga komunizmi më 1946, që nuk i dihet varri

  At Anton Harapi ishte frat françeskan, mësues, mendimtar, shkrimtar dhe politikan shqiptar. Pasi kreu kolegjin e françeskanëve në Shkodër, një nga kolegjet më të mira të Evropës, vazhdoi studimet e larta në Salzburg,  Schwaz e Villach të Tirolit në Austri. Më vonë kreu studimet teologjike në Romë.  Për bisedimet mes Berthold dhe Ismail Qemalit, për Pavarësinë shqiptare. Ministria e jashtme Austro-hungareze kërkoi Patër Anton Harapin si përkthyes. Në bashkëpunim me L. Gurakuqin dhe Gjergj Fishtën,më 1918 hartoi peticionin (një memorandum)në emër të 200 përfaqësuesve të bajrakëve të Hotit, Grudës dhe Triepsh, drejtuar Konferencës së Paqes në Paris, ministrave të Jashtëm të ShBA-së, Anglisë, Francës dhe Italisë. U burgos në lëvizjet e qershorit të vititi 1924.  U emërua drejtor në Shkollën Normale Femrore të Motrave Stigmatine po në Shkodër. Në vitet 1930-1936 është drejtor i “Hyllit të Dritës”, Me 13 shtator 1943 . me lejën e Papatit, emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku qëndroi deri në fund të vitit 1944. Më 6 ose 8 qershor 1945 arrestohet dhe me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës speciale në Tiranë, P. Antoni i shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit. U dënua me pushkatim dhe u ekzekutua të nesërmen. Nuk i dihet as varri.

*Faik Konica, erudit, gjeniu dhe themelues i kritikës letrare shqiptare

Konica, ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare. Në vitin 1926 Ahmet Zogu e emëroi Konicën ministër fuqiplotë në SHBA, post që e ushtroi deri në vitin 1939, kur Italia e pushtoi Shqipërinë. Pas kësaj u shfuqizua nga Qeveria Amerikane ngaqë delegata e diplomacisë shqiptare ishte zhytur në borxhe. Prish raportet përfundimisht me Ahmet Zogun, që i ristabilizon më 1942 në verë për çështjen shqiptare nën okupacionin italian. Faik Konica me rastin 140 vjetorit të lindjes vlerësohet me titullin “Nder i Kombit” më 15 mars 2015

***

*Ernest Koliqi hapi katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin “La Sapienza”, Romë,mësuesi poeti, romacieri, dramaturgu që parashikoi rënien e komunizmit

Ernest Koliqi  ishte mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, madje dhe dramaturg, ministër arsimi në qeverinë Vërlaci, botues dhe pedagog. Bashkë me Mitrush Kutelin, njihet  si themelues i tregimit modern shqiptar, ndërsa në punët politike e arsimore ka meritën e dërgimit e 200 arsimtarëve në trojet e Shqipërisë së Liruar

Ka qenë Kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare

Mirënjohje dhe vlerësime                                            

* Medalje ari nga Shoqria “Dante Aligheri”.

*Ylli i artë për Meritë të Shkollës.

*Akademik ordinar i Akademisë Tiberiane.

*Akademik Nderi i Akademisë Teatine të Kietit për Shkencat.

*Antar i Akademisë së Abrucit për Shkencat dhe Artet.

*Antar efektiv i Akademisë së Mesdheut.

*Antar Nderi i Qendrës Ndërkombëtare për Studimet shqiptare.

*Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit Kosovë

***

*Hasan Prishtina, politikani , jurisrti që luftoi për çlirimin dhe bashkimin  e trojeve shqiptare

Dy herë e burgosën pushtuesit serbë e bullgarë. Gjashtë herë e dënuan me vdekje xhonturqit, feudali Esat Toptani, qarqet shoviniste serbomadhe dhe tri herë qeveria e Ahmet Zogut. Më 14 gusht 1933 u vra në Selanik me atentat. Hasan Prishtina ka lënë një varg artikujsh si edhe kujtimet e tij për kryengritjen antiosmane të 1912 që kanë vlerë për historinë e lëvizjes sonë kombëtare e demokratike.Më 4 maj 2014, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Niashani vlerëson atdhetarin e shquar Hasan Prishtina (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”

***

Mit’hat Frashëri ,figurë poliedrike e intelektit shqiptar, bibliofili i parë shqiptar

 

Mit’hat Frashëri (Lumo Skendo apo Mali Kokojka),  ishte nëpunës i lartë në Perandorinë Osmane, e më pas publicist, shkrimtar, përkthyes, albanolog, diplomat, veprimtar i çështjes kombëtare, kryetar i Ballit Kombëtar e i Komitetit “Shqipëria e Lirë”.”Ç’kam pasuri të tundshme e të patundshme, libra, mobilje, karta, plaçka etj. i lë për krijimin’ e një “Instituti Albanologjie” si qëndër e studimevet shqipëtare”- ishte testamenti i tij, më 4 prill 1929. Një nga objektet e sekuestruara ishte edhe biblioteka personale e Mid’hat bej Frashërit. Sot rreth 40,000 vëllime të kësaj biblioteke ruhen (dhe janë pjesë) e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Për këtë arsye Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Republikës së Shqipërisë  dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë vendosën që çmimi për bibliofilinë të emërtohet Bibliofili Lumo Skëndo,më 23 prill 2006. Ky çmim do të ndahet çdo vit në Ditën Botërore të Librit.

***

Personalitetet e shquara të kombit i ka vlerësuar dhe i nderon bota, kurse ne i mohuam duke i hedhur në humnerat e harresës…, sepse komunizmi i varfëroi kombet  materialisht mendërisht. Ndërtimi i një sistemi politik të paprovuar më parë në Shqipëri, komunizmi i huajtur nga sllavët e Moskës dhe Beogradit, ishte vetëvrasja e kombit.

 Askush nuk e sqaron më bukur se filozofi i madh,Prof.dr. Isuf Luzaj, i cili thotë:…”dëmet që u sjell popujve komunizmi, nuk janë vetëm krimet, terrori, genocidi, verbimi nga deklaratat ateiste, tradhtia ndaj historisë së imponuar nga të huajt, por shkatërrimi që sjell komunizmi, është demoralizimi, degjenerimi, pluhurizmi dhe çoroditja në tru dhe në nerva të individit dhe gjithë shoqërisë, duke sjellë një seri brezash me vlera morale të vdekura… Komunizmi nuk është filozofi, por ideologji anti-natyrale, kundër ligjeve të natyrës, e destinuar të falimentojë sepse mbartet prej imagjinatës së sëmurë…” I.Luzaj

 Pothuajse të gjitha vlerësimet e elitave shqiptare janë bërë në këto vite tranzicioni demokratik.

Me të drejtë Mit’hat Frashëri ka thënë :“ Është punë e të gjithë njerëzve të shkencës që të bëjnë rivlerësimin e historisë së tyre, sepse vetëm kështu një popull mund të ecë përpara. Me sentimentalizma, eufori dhe rrahagjokse nuk zhvillohet një komb. Ai vetëm zhytet në ëndërr dhe humb ndjenjën për realitetin”

* Fragmenti është marrë nga dorëshkrimi i librit “Elitat…krenari kombëtare”

Filed Under: ESSE Tagged With: krenaria Kombetare, Kur shpërfillet Elita, Vilhelme Vrana Haxhiraj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 380
  • 381
  • 382
  • 383
  • 384
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT