• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fenomeni dhe institucioni Berisha

August 6, 2015 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/
Ne historinë e pluralizmit shqiptar e më gjerë në Europën ish-komuniste të Lindjes Sali Berisha ishte dhe mbetet një fenomen. Për shqiptarët në ditët e sotme ai është një institucion, që unë dhe shumë të tjerë do ta konsideronim si “Institucioni I opozitës së vërtetë e të vendosur”. Ajo çfarë përfaqëson Sali Berisha ka lidhje me të shkuarën e afërt dhe me të sotmen e kombit shqiptar. Por nuk jam para kompjuterit për të shkruar një CV të liderit të demokracisë shqiptare. Për këtë shkrim më nxiti një publikim i mediave online, sipas të cilave Sali Berisha president paska takuar Osama Bin Laden dhe madje paska bashkëpunuar me kryeterroristin e të gjitha kohëve për ngritjen e celulave terroriste në Shqipëri.
Pra, ky është thelbi i publikimit në fjalë, i cili teorikisht i “referohet” CIA-s, por praktikisht është marrë bruto nga disa portale ballkanike serb-sllave, të cilat edhe më herët kanë shpifur palimit kundër Berishës. Kam lexuar aq shumë shkrime të tilla në gjuhën shqipe e në gjuhë të huaj, sa për askënd e në asnjë kohë tjetër. Rasti i Sali Berishës është rast unikal në botën e diktaturave e të demokracive kur një person të jetë kaq shumë e kaq ashpër i sulmuar me shpifje e trillime, me ofeza dhe denigrime, e nga ana tjetër të ketë mbijetuar në krye të pushtetit e të opozitës për 25 vite radhazi. Eshtë ky një fenomen, të cilin nuk do ta bëj objekt të analizës, porse jam i bindur që në kohët e kthjellta e të qeta do të tërheqë vëmenjen e qindra ekspertëve, historianëve, politologëve, psikologëve dhe ndoshta shkrimtarëve, sepse me historitë bardh e zi, sidomos ato të sajuara, me Sali Berishën, mund të ngacmohen të gjitha fantazitë e mund të shkruhet gjithçka.
Nuk dua të merrem gjithashtu me analizën, nëse shpifja e radhës ishte një gënjeshtër, ose jo. Më mjafton fakti që Sali Berisha ishte partneri kryesor i SHBA-së në procesin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës e atë të antarësimit të Shqipërisë në NATO që të ta përbuz përpjekjen për denigrimin e tij nga ana e shtetit të inkriminuar shqiptar, të cilin ai e denoncon çdo ditë, fort, me fakte e dokumente të pakundërshtueshme, si askush tjetër. Them të shtetit, sepse mediat që shpifin kundër ish-oresidentit dhe kryeministrit demokrat janë të gjitha nën kontrollin dhe presionin e qeverisë shqiptare. Më mjafton njëkohësisht gjesti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Presidenti amerikan, Xhorxh Ë. Bush në krah të kryeministrit Berisha, gjatë vizitës së tij historike në Tiranë në qershorin e vitit 2007, që të kuptoj nëse presidenti amerikan ia jepte këtë kënaqësi një “bashkëpunëtori të Osama bin Laden për ngritjen e grupeve terroriste në Shqipër”, siç thuhet në lajmin e bujshëm të mediave që lëpijnë bythën e pushtetarëve, apo një lideri demokrat e patriot dhe një miku të sinqertë të Uashingtonit!
Por pse ndodh kjo? Çfarë përfaqëson fushata e gjatë dhe kjo e radhës kundër Sali Berishës? Cilat janë motivet dhe arsyet e këtij sulmi të pandërprerë mediatik? Shpesh herë thuhet se “gjuhet me gurë një pemë, e cila ka kokrra”. Por lind një lloj paradigme, nëse gjuhet një pemë me kokrra të shëndosha apo të kalbura. Logjika të thotë se gurët gjuajnë kokrrat e shëndosha. Kam bindjen e palëkundshme se kjo ka ndodhur dhe po ndodh edhe me Sali Berishën. E kanë gjuajtur me gurë thuajse të gjithë, ata që kanë bashkëpunuar me të dhe ata që i ka patur kundërshtarë politikë. E kanë gjuajtur dhe e kanë plagosur më shumë ata, të cilëve Berisha president ose Berisha kryeministër u ka bërë ndere, u ka dhënë emër, pushtet e pasuri, i ka bërë presidëntë, ministra, këshilltarë të tij, drejtorë. Por ashpër dhe shumë ashpër e kanë sulmuar dhe linçuar kundërshtarët e tij politikë, ata që janë stërvitur në shkollat e sigurimit të shtetit komunist. Fabrika e sulmeve denigruese, si kjo e sponsorizuar me kryeterroristin bin Laden, është rikthyer në punë instituciontitucionalisht që prej 600 e ca ditësh në Shqipëri. Kjo fabrikë shpifjesh të tipit të sigurimit hoxhist të shtetit komunist shqiptar sponsorizohet prej bandave kriminale të lidhura me pushtetin, banda të cilat sponsorizojnë edhe portalet online dhe mediat qeveritare dhe proqeveritare me shumicë në këtë vend.
Në pranverën e vitit 2002 kam botuar në revistën “KOHA” një koment me titullin: “Fatos Klosi, bin Laden-i i Shqipërisë”. Shkas i këtij komenti ishte pohimi i një agjenti të Klosit në sallën e gjyqit se ish-kreu i SHISH kishte organizuar likuidimin fizik të ish-liderit të opozitës gjatë vizitës së tij në Vlorë më 14 maj 2000. Akuza ndaj Klosit ishte konkrete, madje përshkruante dhe llojin e çmimin e armës snajper që do të përdorej për aktin makabër. Porositësit ishin rekrutuar me kujdes Shefi i SHISH, Klosi, ishte kujdesur që ata të ishin tropojanë, njësoj si vrasësit e Azem Hajdarit,k prapa të cilëve qëndruan e strukturuar e sigurimit të shtetit të lidhur me shërbimet sekrete antishqiptare të huaja dhe të komanduara nga SHISH-i i kohës.
Janë këto struktura ato që sot punojnë për likuidimin politik, mediatik e publik të Sali Berishës. Në pamundësi për ta likuiduar fizikisht, strukturat e shtetit neokomunist shqiptar kanë ndërtuar skemën e denigrimit të liderit historik demokrat. Tri janë pikat e forta të Sali Berishës dhe në këto tri pika sulmet janë në breshëri e të pandalshme. Së pari, Edi Rama dhe garnitura e tij kriminale, propagandistike, ideologjike, ngarkuar me urrejtjen tipike ndaj paraardhësit të tij, madje në bashkëpunim me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Serbisë, ndërtuan skemën e goditjes së imazhit të Berishës si patriot e nacionalist. Për këtë temë kamë shkruar dhe herë të tjera dhe nuk do të doja të përsërisja vetveten. Por mënyra e denigrimit të Berishës në këtë pikë erdhi në dy forma: Nga njëra anë duke amplifikuar skena në prapaskenë për paraqitjen e Ramës si hero i nacionalizmit, nga ana tjetër, duke goditur Berishën në mënyrë hipotetike, si në rastin e Arta Dades.
Së dyti, për Berishën familja është e shenjtë. Por ky atribut i tij vjen në kundërshti të plotë me karakterin e liderit të sotëm socialist. Atëherë që Rama të rritet, dukej shkurtuar hija e Sali Berishës. Që të shkurtohej hija e Berishës, duheshin sajuar shpifje të ndyra kundër pjestarëve të familjes së tij. Ndërkaq duket se kjo taktike ka bërë efekt, së paku në përceptimin se “Ata njësoj janë” në rastin e implikimeve korrupsioniste dhe mosdeklarimit të pasurisë nga ana e kryeministrit socialist.
Së treti, për pasardhësin e Berishës në krye të ekzekutivit shqiptar duhej goditur miti Berisha sa i përket karakterit të fortë, guximit, përkushtimit dhe angazhimit me energji të papërsëritshme në zhvillimet e këtij vendi. Këto karakteistika lideri historik i Partisë Demokratike i ka shfaqur edhe gjatë periudhës kur është larguar nga drejtimi i kësaj partie dhe qëndron në opozitë. Analizat e tij, përballjet e tij në parlament dhe në media duket se janë shqetësimi themelor i qeverisë dhe kreut të saj në Shqipëri. Meqenëse ata i kanë mbyllur të gjitha kanalet e përçimit të së vërtetës, duhet likuiduar edhe e vërteta që sjell Sali Berisha. Për këtë qëllim ata përmes mediave që manipulojnë me informacione të servirura nga Beogradi bëjnë presion, shpallin herë pas here ditën e orën e arrestimit të tij, e kërcënojnë, dhe kur këto makinacione dështojnë, atëherë sajojnë shpifje që denigrojnë, me qëllim që publiku “të mos e marrë seriozisht Sali Berishën”.
Por publiku i zhgënjyer disi prej tij, më shumë për shkak të përzgjedhjes së gabuar prej tij të bashkëpunëtorëve, çdo ditë po kupton se e vërteta që përçon në publik lideri historik demokrat është një e vërtetë që nuk mund të hidhet poshtë, nuk mund të mos merret në konsideratë. Për këtë ndihmon vetë qeveria dhe qeverisja e dyshes në pushtet, sepse në dy vjet ka krijuar zhgënjim te qytetarët dhjetë fish më shumë sesa Sali Berisha në tetë vite qeverisje. Fakti që të gjitha të dhënat që Berisha ka përmendur në parlament janë provuar në praktikë, e bën atë politikanin më të besueshëm në këtë vend. Dhe besimi është i pari në kategorinë e kritereve të vlerësimit të politikanëve. Për këtë arsye thuhet se Sali Berisha është një fenomen, është gjithashtu një institucion.
Sado të përpiqen kundërshtarët e tij ta denigrojnë përmes shpifjeve të përçudnuara, ata nuk do të arrijnë ta lënë në hije dhe ta errësojnë figurën, kontributin dhe veprimtarinë e Sali Berishës.

Filed Under: ESSE Tagged With: Berisha, dhe institucioni, Enver Bytyci, Fenomeni

VEPRA E Z. ENVER MEMISHAJ DHE KTHIMI I FEJZO LEPENICËS

August 5, 2015 by dgreca

Rreth librit historik të z. Enver Memishaj “Fejzo Lepenica…”, me recencë të prof. Dr. Kaliopi Naska/
Nga Nertesi ASLLANI – BOLENA/
Sapo ka dalë në qarkullim vepra e 15 historike e z. Enver Memishaj “Fejzo Lepenica, jetoi dhe vdiq për Shqipërinë”. Me këtë vepër autori i kthen historisë një patriot si Fejzo Lepenica që zemra e tij gjatë periudhës 1919 – 1924, kur vendosej fati I Shqipërisë, punoi deri në fund për interesat e atdheut të tij, dhe gjatë periudhës 1925 – 1936, luftoi e punoi në krahinën shqiptare të Çamërisë në krah të Musa Demit në mbrojtje të të drejtave të popullsisë së Çamërisë. Pra e tërë jeta e tij ishte vënë në shërbim të interesave të atdheut pa menduar asnjëherë për interesat e tij. Jeta e tij në Çamëri kaloi nëpër burgjet e zeza greke dhe në internime në ishujt e humbur të detit Jon, si dënim për artikujt e shkruar në shtypin shqiptar për mbrojtjen e të drejtave të popullsisë çame. Nga vuajtja nëpër burgje dhe internime ai vdiq shpejt në një moshë te re 36 vjeçare duke lënë pas shembullin e mirë se si duhet ti përkushtohemi dhe të luftojmë për interesat e atdheut, pa kërkur shpërblim prej tij.
Ai ishte mbuluar me harresë, dje për arsye të njohura politike dhe sot në liri nga padija.
Prof. Dr. Kaliopi Naska që ka bërë recencen e këtij libri historic arrin në përfundimin se:

“Botimi i studiuesit dhe i publicistit të apasionuar dhe të përkushtuar Enver Memishaj kushtuar veprimtarisë patriotike të Fejzo Lepenicës, me prurjet që sjell, i shërben historisë dhe i hap horizont studiuesve e historianëve për thellimin dhe studimin e mëtejshëm të figurave të tilla, që
kanë dhënë për Shqipërinë duke sjellë përmes tyre fakte të reja historike për ngjarje të nxehta siç ishte ajo në mbrojtje të popullsisë çame.
Botimi i këtij libri studimor biografik, është një kontribut i çmuar në fushën e publicistikës dhe studimit të historisë dhe kulturës së Vlorës dhe Labërisë. Publikut të gjerë i jepet shansi që përmes këtyre shkrimeve të marr informacion të ri për një atdhetar që veproi në vitet 1920-1932”.
Libri është mbështetur në burime të shumta arkivore dhe një pjes të këtyre dokumentave janë botur si facsimile nga autori në fund të librit.
Fejzo Lepenica, ky pinjoll i dinastisë “ Lepenica”, fisit të autorit të librit Enver Memishaj, qënkej një histori më vete në vazhdën e historive, traditës dhe bëmave të këtyre djemve që nxori kjo faqe mali nëpër rrjedhat e kohës. Nipi i tij, Enver Memishaj, që ka vite që gërmon atje te rrënjet, te gurët, te shpellat, te lotët, te bëmat dhe heroizmat e vendlindjes dhe të parëve të tij ka marrë përsipër me sukses të plotë, të trajtojë në këtë libër ngjarjet dhe episodet që i përkasin kesaj figure patriotike. “Po s`qe i zoti për vete, thotë populli nuk bën dot hije për të tjerët “
Me Enverin jam njohur tani së fundi. Ai më kishte pikasur mua atje në Bolenën time, nëpërmjet vlerësimeve të poezive dhe këngëve të mia që morën rrugë shumë vite më parë. Këtë vlerësim ma bënte një sudjues e historian serioz si Enver Memishaj. Talenti Enver Memishajt, vlonte
brenda shpirtit të tij dhe ndërgjegjes së tij, heshtja aq e trazuar dhe aq e gjatë ku netët lidheshin bisht më bisht me njera tjetrën duke mbjellë vuajtje, mos përfillje, terr dhe errësirë për afro 50 vjet rresht, tashmë kishte marrë fund.
* * *
Me zotësi dhe punë z. Memishaj e kapi kohën e humbur në regjimin komunist. Perdja ra dhe muri u rrezua. Talenti dhe pasioni, frenimi, meraku dhe dhimbjet e mëdha atje në Lepenicë për të afërmit dhe bashkfshataret e tij, padejtësitë e kohës nisën të pasqyrohen në rrugën e gjatë e të veshtirë të krijimtarisë. Me një laps në dorë dhe me një çantë të hedhur mbi supe ai udhëton drejt misionit të madh të krijimtarise, për të larguar sadopak mjergullën e rënde nga supet e “maleve”, burrave me peshë e të pafajshëm. Brenda shpirtit z. Memishaj kishte grumbulluar dhe akumuluar aq shumë ngjarje dhe fakte drithëruese e të vërteta të paimagjinueshme sa që pas vitit 1990, në liri, muza e tij që i ngjante një turbine i hapi portat. Idetë e tij të shprehura në librat e tij, pushtuan libraritë e vendit.
Që nga viti 2000, ai do të shfaqej para botës shqiptare me veprat e tij voluminoze. Sot në vitin 2015, ai na ka dhënë plot 15 vepra, nga një në çdo vit. Veprat e z. Memishaj janë të një natyre të veçantë, vepra të një burri e studjuesi të palodhur, me buzë në gas e dorë në qafë me këdo e për këdo. Nuk marr dot përsipër të analizoj gjithë veprën e vyer dhe voluminoze të Enver Memishaj, por nga aq sa kam lexuar arrij në përfundimin se nga pena e tij nuk del bojë, por lot, gjak, dhimbje, derte, brenga, britma dhe ulërima të kohës së shekullit që kaloi.
“Pse ma vrave babane xha Qemal? Pse?, fëmija 12 vjeçar i drejtohet xhelatit komunist.
Kjo pyetje dhe thirrje e një fëmije, kjo pyetje tronditse që fëmija i drejtohet xhelatit komunist, përshkon gjithë veprën e z. Memishaj, i cili tregon mbi fakte, prova dhe dokumenta të pa kundërshtueshme. Ai ka shumë respekt për faktin.
Tek lexoja këto tragjedi në veprën e z. Memishaj, m`u kujtua drama e Çelomemajve në vendlindjen time në Bolenë, në vitin 1943:
Me urdhër të Këshillit Nacionalçlirimtar u pushkatua pa gjyq njeri nga vëllezërit e kësaj familje pasi nuk kishte mundur të shpinte një letër në Kuç. Vëllai tij vrapoi pas krismave dhe kur pa vëllan të shtrirë iu hodh në grykë katilave komunist. E pushkatuan edhe atë! Vajti vëllai i tretë
kur degjoi këtë gjëmë. E vrane dhe të tretin, pastaj vajti nëna e mjerë, Pashakua dhe ra mbi tre djemte e vrare. Më vrisni edhe mua se s`kam pse jetoj më u tha xhelatëve komunistë, bashkfshatarëve të saj! E vranë dhe nënë Pashakon. E paimagjinueshem por e vërtetë. Se mos kjo ka ndodhur vetëm në Bolenë, në të gjitha fshatrat, në të gjith Shqipërinë.
Ja këto të vërteta drithëruese ka nxjerr nga pluhuri i kohes Enver Memishaj në veprat e tij. Ai nuk ngjan me disa “historian” që bëjnë histori nëpër kafene. Ai punon natë e ditë, shfleton e gërmon nëpër arkiva, mbi dokumenta origjinale, dëshmitarë okularë të ngjarjeve dramatike të
ndodhura në këtë vend.
Vlerësimet dhe nderimet e veprës së tij, që i janë bërë nga autoritete të shquara të historisë dhe akademikët tanë, në shtypin e shkruar, si dhe vlerësimet zyrtare për studimet dhe kontributin në lëmin e historisë dhe aktivitetin shoqëror janë plotësisht te merituara.
Duke i uruar historianit Enver Memishaj, këtij “personaliteti të shquar të Qarkut të Vlorës”, i shpallur me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, punë të mbarë, penë të hollë dhe jetë të gjatë po i mbyll këto radhë me disa vargje të frymëzuar, të krijuara dhe të recituara në një nga promovimet e njerës prej veprave të tij.

Filed Under: ESSE Tagged With: kthimi i Fejzo Lepenices, Vepra e Enver Memishaj

Daja, “Qytetar nderi” në Gostivar

August 5, 2015 by dgreca

Miku ynë Sadulla Zendeli – Daja, pak kohë më parë, në qershor të këtij viti 2015, festoi 80-vjetorin e tij. Edhe unë jam një ndër ata qindra miq, shokë e të njohur, që e urova në këtë ditë të shënuar, me fjalë zemre e fjalë miku: “Së bashku edhe në 100-vjetorin tënd!”. Ndërsa të tejërt kishin menduar diçka ndryshe, më të bukur e më simbolike, me përmasa më të mëdha:
Shkrimtari Viron Kona, pas një pune disa mujore, pikërisht në këto dit të qershorit të ngrohtë e plot diell, publikon librin monografik: “JU DUA MË SHUMË SE VETEN”, kushtuar mëmëdhetarit, leksikografit dhe poetit Sadulla Zendeli-Daja”. Një libër i denjë për një njeri të rrallë, studjues e shkencëtar, mendimtar e kuvendar, dijetar e filozof, shkrimtar e poet, shqiptar me zemër të madhe.
Ndërsa drejtuesit e Komunës së Gostivarit, së bashku me qytetarët e vendit, organizuan festën e dhënies së titullit “Qytetar nderi”, Dajës, i cili në 50 vjet jetë në Suedi, s`e harroi kurrë vendlindjen, Sërmnovën e Gostivarin. Ky është një nderim i shumëfishtë për mikun tonë, sepse autoritetet e vendit e vendosën birin e tyre në radhën e njerëzve të shquar, të ditur e të ndritur. Të botosh libra e të hartosh katër fjalorë suedisht – shqip, e shqip – suedisht, më i madhi ndër ta është me 35.000 fjalë, nuk është shaka, por një punë shkencore disa vjeçare. Ndaj ky titull është një medalion i artë në kujtesën qytetare e mbarëshqiptare, sepse njëherazi ai u vlerësua si mësues e veprimtar për shqiptari, si mëmëdhetar e qëndrestar për kombin, si personalitet në fushën e letrave dhe studimeve. Cili nuk do ta lakmonte një nder e vlerësim të tillë!? Vështirë e pati Daja të qendrojë e përballojë, pa i`u dridhur qerpiku e përlotur syri, të tilla ndjesi krenarie e mirënjohje, i ndodhur para familjarëve e të afërmve, para miqëve e shokëve, disa të zbardhur nga vitet e shumë të tjerë në lulen e rinisë. Ne mund të shprehim ndjesitë tona, por nuk i afrohemi dot asaj çka provon e ndjen vetë Daja në një ngjarje kaq të madhe në jetën e tij.
Kam kënaqësinë, që për këtë urim të zgjedh fjalët që na vijnë që nga lashtësia, kur Virgjili thotë: “Gjithkush ka kohën e vet për të jetuar. Jeta është për të gjithë e shkurtër dhe e papërsëritshme. Të ngresh lart emrin tënd me vepra, vetëm kjo është arritje e virtytit”.
Vitet do të rrjedhin sepse koha shkon. Vepra dhe emir i tij i përjetsuar u mbetet brezave. “Titulli i nderit” është një stoli e vyer në kurorën e dafinës.
Miku ynë Sadulla Zendeli-Daja meriton më shumë!
Urime!

Kadri Tarelli
Durrës

Filed Under: ESSE Tagged With: Daja, Gostivar, qytetar Nderi, Sadulla Zendeli

IA MBAJNË LART EMRIN BABËS E FISIT TË VET

August 3, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Erdhi me qeshje dritë. me energji rinore. U ul aty, në atë tavolinë skej Rrugës së Dibrës në Tiranë. Më befasoi qyshce në takimin e parë. Ai e donte një pemë gjeanologjike të fisit të tij të Ponarëve në rrethin e Tropojës. E për ma tepër për dhjetë ditë kohë: në “Të dyzetat” e babës së tij, Kadri Qerim Ponari – një njeri i fismë që ndrroi jetë ende i ri, i mbajtun, i fortë.
Kreshniki ishte i qartë, i vendosur, aktiv, pasionant e korrekt në nismën e tij. Djalë 31 vjeçar, i pashëm, i ditun, i shetitun. Prej vitesh jeton, punon e veprimtaron në Mbretërinë e Bashkuar, në Londër. Ai donte me i njohë brezat e vet Ponari me rrënjë e degë, nga ma i pari i fisit Leka e dekterit tek djali i tij, Ayrtoni i vogël, i bukur e i lumtur. E, çka është ma e veçanta: e donte një njohje të tillë brezash: vertikalisht dhe horizontalisht, me degëzime për çdo derë e individ të fisit të Ponarëve, deri në dekadën e dytë të shek. XXI. Ai dëshironte mos me e harrue kërrkend: as ata që për arsyena të ndryshme nuk kanë lanë trashëgimtarë.
E, tjetra, ma e pazakonta: Kreshniki donte me i pasë degë breznie jo vetëm në linjën e gjakut, po edhe të tamlit (qumështit). Pra, dhe bijat e Ponarëve, me nipa e mbesa, me stërnipa e stërmbesa. Kjo nuk ka ngjarë në traditën etno-historike të Veriut. Po kjo ndodhi tek Kreshniki: ai në degëzimet Halilukaj (Qerim Q. Zenunit, Halit Q. Zenunit, Arif H. Bajramit, Azem Sh. Bajramit…), Hysenukaj, Metibraj, etj. i paraqiti dhe bijat e Ponarëve me brezni të tyne. Kjo tregon kulturën e tij qytetare, emancipimin e tij bashkëkohor. Një tjetër qasje të tij ndaj etno-historisë së fisit e të kohës.

2.
Aty, në krye të saj, e kisha futë një thanie: “Ponarët janë fisi më i vjetër në Malësinë e Gjakovës”. Menjëherë Kreshniki më dveti: a është e vërtetë kjo?! Kur i shpjegova se Krasniqja (dhe fisi Nikaj), Gashi e Bytyçi kur erdhën në brigje të Valbonës, në Lugun e Malësisë, i gjetën aty Ponarët e, përndryshe: prej atyhit u shpërndanë në vendbanimet e sotme të Tropojës, etj. ai u ndje ma i qetë, krejt i sigurtë. Ai donte që çdo fjalë për fisin e tij të ishte fakt, realitet, pa shtesa e nënkuptime. Ai nuk donte asgja të tepërt, të pa merituar e të pa faktuar, për fisin e tij.
Kjo anë e personalitetit të Kreshnik Kadri Qerimit të Ponarëve ishte një tjetër gëzim që më dha njohja me të, si një djalë i kohës, i të ardhmes.

Njohja me Kreshnikin ishte e rekomanduar për mirë nga daja i tij, Besnik Bajraktari, një nga djemtë ma inteligjentë jo vetëm të Tropojës, një jurist i zoti që ka marrë pjesë dhe në kongrese ndërkombëtare, një shahist i rrallë që luajtur dhe me Garry Kasparov – ma i madhi mjeshtër i shahut në të gjitha kohërat. Pra, Kreshniki e ka nanën e tij të shenjtë bash nga dera fisnike e bajraktarit të Shipshanit: e Din Bajram Bajraktarit, e Bekë Din Bajraktarit, e Tahir Bekë Bajraktarit, e Sali Tahir Bajraktarit, të cilët ishin në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në Lidhjen e Pejës, në Kryengritjet e Mëdha të Veriut, në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. Duket se dhe Kreshniki, ky ponaras i fort i veçantë, ka marrë shumçka dhe nga genet e dajëve të vet. E, për të dyja, le të ndihet krenar i përjetshëm: edhe si djalë ponaras, edhe si nip i derës së Bajraktarit të Shipshanit.

Takimi ma i fundit me Kreshnikun ishte tek fillesa e “Tregut Çam”, kah rruga “Myslym Shyri”, tek një repart pune i specializuar për korniza të llojeve të ndryshme. Aty i kishte përgadit dy korniza me përmasa 60 cm x 80 cm, në të cilat kishte vendos skemën (pemën gjeanologjike) të fisit të Ponarëve. Iu kishte vnue dhe kambalec mbajtës, pasi dy kornizat si ekspoze do t’i vendoste në dy anët e hyrjes në lokalin në Tropojë, ku do të kryenin “Të Dyzetat” për babën e tyne Kadri Qerim Ponari, njeriut emërmirë, shpirtpastër, dinjitar në brezni. Atë ditë, në atë sallë, për kulla e brezni ponarase do të shpërndanin si dhuratë dhe 40 skema (pemë gjeanologjike) të tilla, si nderim, si homazh, si mesazh. Ky ishte një akt tejet i veçantë, që nuk e kam parë në asnjë rast tjetër në jetën time, në brezat tanë, në kohën tonë.

3.
Kastriot Ponari, ma i madhi ndër tre djemtë e Kadri Qerim Ponarit është biznesmen i mbarë, i punës, i fjalës. Është humanist, njerëzor, shoqëror. Me fitime të firmës së tij “Kassel Albania”, me kursimet e tij familjare, ka pak kohë që po punon për hapjen e një rruge 1.9 km të gjatë, 6 metra të gjanë, me standarde të nivelit të lartë: me kanalazime, tubacione të mëdha, etj. Kjo rrugë humaniteti, amaneti, hyjnore niston nga kulla e Qerimit e të çon për tek Varrezat e Ponarëve në Dushaj të Epërm po ecë drejt përfundimit. Në të vërtetë ka qënë një nismë e vet Kadri Qerim Ponarit, ndaj është me vend të mbajnë dhe emrin e tij.

Ai e ka dhe dy sipërmarrje: Pastrimin e Gështenjave të Ponarëve dhe me i hapë pesë puse për ujë në truallin e fshatit të vet, tek Ponarët. Në këtë vendbanim skej Drinit e Valbonës dhe veprës energjitike të Fierzës, ka legjenda e realitete për një kishë katolike të moçme të Dioqezës së Pultit dhe për ujin që vinte prej matanë Drinit, që u shterrë në një kohë, etj.

Kadri Qerim Ponari i ka lanë pesë fëmijë: dy çika e tre djemë. Ma e madhja Majlinda (me dy fëmijë Igli e Erisi). Pastaj vjen Mimoza. I treti është Kastrioti, babë i ri, me katër fëmijë: Kersli, Esteri, Haidi, Klestli. I katërti është Kasmeti, i martuar, e ka një djalë: Rigelsin. Kreshniki është ma i vogli, dhe ky me një djalë: Ayrtonin. E paçin njani-tjetrin kaq mirësisht, si deri më sot. I pastë gjithmonë kaq dinjitarë edhe dera e vet, nana e vet fisnike, fisi i vet emblematik, koha jonë shqiptare
E, me e lidh fillin aty ku e lame, themi se këto nisma si kjo për Skemën (gjeanologjia), Rrugën e re për tek Varrezat e Ponarëve, pesë puset në Dushaj të Epërm, pastrimi i Gështenjave të Ponarëve, e kanë një të veçantë: Ato po marrin udhë e disa sish kryhen për “Të Dyzetat” e babës së tyne, Kadri Qerim Ponari. Si rrallëherë e rrallëkund pesë fëmijët, veçmas Kastrioti e Kreshniku, i kanë ba të tillë homazh nderimi babës së vet në një kohë përkujtimore kaq të afërt: në 40 ditë, e medoemos ndonjë merr ma shumë kohë. I rëndësishëm është humanizmi, mesazhi i tyre.
Kastriot Ponari në faqen e tij në FB e cilëson Rrugën “një nismë e babit” dhe na e jep krejt motivin e humanitetin e ndërtimit e përfundimit të saj: ‘Shkoftë për shpirtin tënd, babi”! Kjo është një arsye tjetër ma shumë që të vlerësohet nga Bashkia e Tropojës emri i Kadri Qerim Ponarit, nisma e tij, këto kontribute humanitare të djemëve të rinj të fisit të moçëm të Ponarëve.

Filed Under: ESSE Tagged With: BABËS, E FISIT TË VET, IA MBAJNË LART EMRIN, Ramiz Lushaj

Shqipëria si m’u duk

August 2, 2015 by dgreca

Nga Faik Konica/
Njeriu që e shkon kohën me ëndrra të pëlqyera ka frikë të zgjohet. Dëshira që vendi të lulëzojë të bën pak nga pak të ëndërrosh se lulëzon, dhe largimi i gjatë të këllet ca më thellë në gjumë dhe ta shpie shpirtin dhe mendjen në një botë të bukur, e cila s’ka trup dhe s’ndodhet gjëkundi, veçse në tru të ëndërronjësit. Po le të marrë fund gjumi dhe menjëherë e sheh veten të rrethuar me gjëra të shëmtuara. Të do zemëra të futesh përsëri në gjumë e të kthehesh në botën e lulëzuar nga e cila sapo dole, po më kot! Një ëndërr e zhdukur nuk përsëritet. Kjo pikërisht më ngjau nja gjashtëmbëdhjetë vjet më parë.
I kasha bërë Shqipërisë ca shërbime, dhe dija se këto shërbime ishin të njohura, në mos të çmuara. U ngrita, pra dhe shkova në Shqipëri, i bindur se do të gjeja një botë aq të pëlqyer e të hijshme, sa ajo që u kisha përshkruar të huajve. Zgjimi qe i tmerrshëm dhe qesharak. Pas disa muajsh shëtitjeje në mes turinjsh të thartuar e të parruar, një mëngjes të Vjeshtës së Tretë 1913 mora në Durrës një biletë, e shkruar turqisht e në një stil xhandari, më urdhëronte, “Të thyesh qafën e të shkosh me vaporin që niset sot për në Brindisi, se s’kemi nevojë këtu për njerëz si ty”. (Xhandarët do të ishin habitur shumë, sikur t’u kisha thënë që isha fare në një mendje me ta dhe u jipja plotësisht të drejtë kur thoshin se s’kishin nevojë për mua. Duke qenë se ata dhe unë rrojmë në dy botë shpirtërore të ndara me miliunë male dhe dete njëra nga tjetra, ç’nevojë mund të kishin ata nga unë ose unë nga ata?)
Të tilla plagë s’shërohen plotësisht kurrë dhe në qoftë se mbyllen, lënë për jetë një shenjë në shpirt të njëriut. Po kanë edhe një të mirë: bëhen një mësim për të pastajmen,-dhe ky mësim e bën njerinë më të fortë e më të zotin të durojë të tallurat e fatit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Faik Konica, Shqipëria si m’u duk

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 449
  • 450
  • 451
  • 452
  • 453
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT