Nga Ilir Levonja/
1)Sot është16 prilli, dita e eksodit të madh të shqiptarëve të Kosovës. Dhe nuk e di sa po përkujtohet në Shqipëri a Kosovë? Viti i mbrapsht 1999. Një eksod që filloi nga marsi e përfundoi në qershor. Rreth tetëqind mijë njerëz u afruan tokës së ëndërruar. Atdheut të mohuar. Në një karvan njerëzor, mjetesh e pajimesh. Një ushtri e lodhur luftrash, përbuzjesh, reprezaljesh. Serbisë nuk i kishte mjaftuar disfata në Kroaci dhe Bosnje. U duhej edhe kjo me shqiptarët. Edhe pse problem shpërbërje federate, kjo e shqiptarëve trajtohet si toka e shenjtë. Aq sa edhe sot kësaj dite serbi më i thjesht beson verbërisht në ekzistencën e një Jerusalemi sllav.
2)Atij viti kam drejtuar qëndrën kulturore të qytetit tim. Jam thirrur urgjent në mes të natës. Dhe ashtu në agun e një dite të re pranverore, kemi hapur dyert e kinoteatrit Vaçe Zela. Ne u bëm një grup njerëzish, kryesisht drejtues zyrash. Duke formuar kështu një këshill emergjencash sociale. Për herë të parë vumë re se sa të pa përgatirur ishim si qeveri lokale për raste të tilla. Ndërkohë të ardhurit shtoheshin. Salla jo vetëm që u tejmbush, por edhe hollet, kthinat, studiot etj.
Shqetësimit tonë i dha rrugë prania e qytetarëve. Në fillim sollën arka me ujë, termusë me kafe, byrekë të ngrohtë . Specialiteti myzeqar. Më pas shpejt venduan se ajo nuk ishte zgjidhje. Të ardhurit veç trembjes kishin nevojë të shplodheshin, të ndiheshin disi në shtëpi. Kështu nisën kërkesat e para. Derisa nga pasditja salla zuri të ndihej se po zbrazej. Megjithatë, ai kinotear mbeti për javë të tëra si stacioni i parë. Sheshi përpara tij u pritësi edhe i mjeteve të rënda…, të atyre që vazhdonin të vinin.
3)Shumë prej nesh lidhëm miqësi në atë periudhë eksodi. Në atë jetë të përbashkët. Madje pati edhe krushqi të reja. Premtime për vizita të ndërsjella. U lidhën miqësi që vazhdojnë edhe sot.
Unë u njoha me një mësues. Hysri Rrahmanin. Me këtë mbiemër Kosova, letërsia shqipe në përgjithësi, kishte një penë të zot. Po Rrahman kishte shumë. Dhe përkimi i mbiemrave është thjesht një sadisfaksion. Megjithatë ishte një detaj që na çonte tek letërsia. Darkave pinim kafen bashkë. E humbën dikur njëri-tjetrin. Tani e rigjetën sërish këtu në fejsbuk.
4)Mirëpo e çuditshme është se pikërisht këtë periudhë, këto muaj. U shpik sërish një eksod. Tashmë jo përmes shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë. Apo e shqiptarëve në drejtim të Kosovës. Por e shtetarëve shqiptarë në dy shtetet e tyre drejt botës së madhe.
A thua tashmë kemi një armik të përbashkët, jo me tanke, jo me aeroplanë…, por me keq’qeverisje. ? Besoj se po. Fatkeqësisht.
MADHËSHTIA DHE POROSIA UNIVERSALE E 777 HAIKUT TË POETIT XHEMIL BYTYÇI
ESSE NGA MAZLLUM SANEJA-Varshavë/*
Poeti ndeshet ne jetë me shumë fjalë. Poeti i vërtetë pareshtur komunikon me fjalë. Me fjalët që dëgjuaka në rrugë, në tramvaj, ngado, ku vetëm njerëzit thonë diçka, shprehin diçka dhe, ato fjalë që ndeshur ka në tekstet e moçme, në veprat shkencore. Kjo, asgjë e re, po vlen të përkujtoj se, fjala është burim kryesor dhe parimor i frymëzimit në krijimtarinë poetike.
Dhe fjala ne poetikën e Xhemilit Bytyçit ka peshën e vet, ka fuqinë domethënëse, shijen dhe saktësinë. Duke qenë i rafinuar dhe i kursyer ne fjalë,poeti ynë me sukses lëron me aq pasion dhe zell Haikun japonez, po duke e mveshur me permbajtje dhe rekuizita të tjera shqiptare, duke e bërë autentike dhe autoktone të nënqiellit tonë.
Libri me i ri i Xhemil Bytyçit ‘777 Haiku’ sjell me vete një vëllim voluminoz, i ngërthyer me motive dhe tema të nduarnduarshme, duke filluar me motive dashurie, pastaj atdhetare, refleksive, sociale, me motive peizazhi dhe duke perfunduar me përkushtime.
Libri “ 777 Haiku” hapet me të drejtë me ciklin “Motive Dashurie” ku poeti si nje artist i vërtetë do t’ i këndoj dashurisë, kësaj tematike të përjetshme të frymëzimit të poetëve. Le të lexojmë shpirtin e poetit :
2.
* * *
Në shtetin pa kufij,
Në lirinë pa kufij
Dashuria azil kërkon
Apo:
* * *
Urrejtja vdiq
Dashuria lindi
Drejt parajsës shkonim
Dhe kjo botë që e rrethon poetin është nganjëherë false, e pabesë, hipokrite dhe e pamëshirë në gjykimet e veta, e verbër dhe e shurdhër në padrejtësitë gjithëfarëshe, dhe me siguri ky imazh e tmerron poetin e ndjeshëm, po vetëm dashuria dhe besnikëria e gruas (e cila është si krijese e shenjtë për poetin) së dashur i lejon atij të mbijetoj çastet më të vështira në jetë. Ndaj, gjurmët e kësaj dashurie të thellë janë të dukshme:
* * *
Në sytë e tu magjepsës
Harrova se ishe
Muza ime në gjumë
3.Me fuqinë dhe saktësinë e fjalës poetike Xhemil Bytyçi na përkujton poetin e madh Rabindranath Tagoren. Duke lexuar më një vëmendje të veçant poezitë Haiku të këtij cikli, gjithsesi më duhet të them se simbolika e Gruas si një krijesë tejet e ndjeshme dhe subtile a nuk është për poetin një engjëll mbrojtës në përditshmërinë monotone, që / Krahët e thyer ia shëron/ poetit tonë. Lirisht mund të themi se, poeti duke i kënduar dashurisë – kësaj ndjenje sublime fisnike aludon në botën e sotme marramendëse të konsumit ku vendin e dashurise si dimension njerëzor e ka zëvendësuar pushteti i parasë dhe sferat e interesit dhe të pazarllëqeve të llojllojshme.
Ndërkaq, në ciklin vijues ‘Motive Atdhetare’ poeti i këndon lirisë së fituar me gjakun e derdhur të bijve më të vetëdishëm të kombit, se si po harrohen eksodet dhe luftërat, nëpër të cilat kaloi ky popull i shumëvuajtur, e që poeti gjithnjë më zëshëm kërkon shoqëri të pastër e dinjitoze. Sepse poeti ynë, i cili e do atdheun, Kosovën, painteres, vetveten e krahason me gurin:
* * *
Gur jam vetë
Kërkoj edhe një gur
Për qëndresë
që shpreh qëndresën dhe rezistencën e poetit, pathyeshmërinë e shpirtit të paepur të poetit të pa kompromis, i cili nuk mund të qëndrojë indiferent karshi një realiteti brutal dhe finok:
Servilët sillen rrotull
Zuzarët ishin të parët
Të gjithë marrin nga një rol
1.
2.
3. Dhe nuk ka se si të mos e ngashërej e shqetësoj lexuesin e vëmendshëm kur merr dhe lexon këto vargje eliptike, që janë si një alarm për shoqërinë tonë të korruptuar:
Ofshamjet ende s’ pushojnë
Për të zhdukurit të pagjeturit
Plagë e rëndë për Atdheun…
ashtu siç është e rëndë plaga e hapur e Çamërisë , e që shpirtin e ndjeshëm të poetit tonë gjithnjë e përpëlisin këto drama tronditëse si një gjëmë e madhe.
Pajtohem me poetin, me dëshpërimin e tij karshi realitetit që e rrethon, që është edhe dëshpërimi im si një revoltë:
Si të jetohet
Nëse ndër pllaja e yje
Mungon liria
Derisa në ‘Motive Refleksive’, poeti Xhemil Bytyçi si një vëzhgues analitik dhe kritik gjithnjë nuk pajtohet asessi me shoqërinë e korruptuar dhe çoroditëse:
Gjumi nuk blihet
As turpi nuk thuret
Arka e kohës çdo gjë ruan
Apo:
Nga betimi i Hipokratit
Shumë mjekë sot
Në hipokritë u shndërruan
5. A thua nuk është ky zë si një akuzë kundruall realitetit brutal, kundruall një shoqërie çfarë është shoqëria jonë si një hapësirë e shthurur, ku fare nuk njihen vlerat me sublime njerëzore, ku gjithnjë më shumë po fundoset sistemi i vlerave njerëzore. Dhe poeti ynë, (i cili përkah profesioni është mjek – urolog me zulmë në tërë hapësirën shqiptare)i cili mëkot kërkon një shoqëri të pastër dhe dinjitoze, i cili gjithnjë me ngulm dëshiron të vë dialog me të Mirën, me të Bukurën, me Njerëzoren si një diskurs njerëzor dhe poetik. Dhe, më në fund e justifikoj me të drejtë dëshpërimin e poetit dhe të mjekut humanist Xhemil Bytyçi, i cili si një mjek me një ndjeshmëri dhe empati të madhe njerëzore është i ndjeshëm karshi vlimit më të prekshëm njerëzor :
***
Elegji dimri
Bardhësi e ftohtë
Qirinjtë me lot të ngrirë
Poeti ynë Xhemil Bytyçi, i cili shquhet në mënyrë të veçant për mirëkuptimin dhe ndjeshmërinë në raport me botën që e rrethon, ai asnjëherë nuk qëndron indiferent karshi botës se të varfërve dhe skamnorëve të pastrehë:
***
Jam njeri i lirë
Jam njeri i varfër
Çka të bëj me këtë liri
(Cikli: Motive Sociale)
1.
2. Duke lexuar me vëmendje këtë vjershë më përkujton poetin tonë të madh, Fatos Arapin dhe poezinë e tij emblematike
3. ‘S’ ia vlen të trishtosh zemrën tënd’ kur shkruan për vëllain e tij të vrarë Vllasin.
Ai vargu i tij ‘Pastaj ç’do të bëjmë me lirinë?’, lirinë e nëpërkëmbur të njeriut të ndershëm. Sa bukur njëjtësohen të dy poetët tanë Arapi dhe Bytyçi, kur këndojnë për vegjëlinë e shkelur nga sistemi i ashtuquajtur shoqëror, i pa superstrukturë shoqërore. Ajme për ne!
Ndërkaq, në ‘Motive Peizazhi’ shfaqet ai shpirti lirik dhe subtil i poetit, i cili gjithnje anon kah harmonia:
* * *
Era me puhizë
Vizatonte portretin
Bukuri e paskajshme
Apo:
* * *
Hënëzo, moj hënëzo
Gjithçka në natyrë zbukuro
Gjumë të ëmbël na dhuro
Këtu shihet ajo kredoja e poetit humanist që në botë të mbretërojë dashuria dhe harmonia mes popujve, mesazh ky aq i rëndësishëm dhe me vlerë kur na vjen nga një poet, që është një mjek i njohur sui generis gjithandej në botë.
Dhe kapitulli i fundit i kësaj vepre të shkëlqyer me ‘777 Haiku’
pason me ‘Përkushtime’ që iu bën figurave të ndritshme të Kombit tonë çfarë janë Nënë Tereza, Mic Sokoli, Bekim Fehmiu, Martirëve te UÇK-së, Fehmi Aganit, Triumf Rizës, Trungut të vet familjar, e duke mos harruar edhe Ewa Lipsken, të cilën e krahason me /flutur kohe/me valë jete/dritë shkëlqesie/.
7.
Dhe, në fund poeti Xhemil Bytyçi i kushton një cikël të veçant bardit tonë kombëtar, Ali Podrimjes, të cilit do t’i ngre një himn panegjirik, duke e krahasuar herë me Prometeun e herë me Homerin, po megjithatë bardi ynë i mbeti besnik Atdheut :
* * *
Ishe luleshqerre, luleguri
I shkëmbinjve të Kosovës
Atdheut shpirtin ia dhurove
Sepse:
* * *
Në maje të Shkëlzenit atje lart
Emrin tënd natyra shkroi
Zot o Zot sa lart fati të çoi
Si përfundim mund të theksojmë libri më i ri ‘777 Haiku’ i poetit Xhemil Bytyçi sjell një intonacion dhe ndjeshmëri të fuqishme në të shkruarit e Haiku-t , duke i dhënë një ngjyrë dhe dritë të re, në udhëtimin e tij poetik. Dhe, zatën ky lloj i veçant poezie eliptike e begaton dhe e shpie mëtej poezinë moderne shqipe.
Varshavë,
Prill 2015
*( Xhemil Bytyçi: ‘777 HAIKU – Shtigjeve të Shpirtit’
Ars Albanica, Prishtinë,2014 ).
Dheu eshte flori – puna eshte flori
Nga Sadik Elshani/*
Pjesen e pare te titullit te ketij shkrimi e huazova nga titulli i tregimit te Sami Frasherit, “Dheu eshte flori”, moralin e te cilit duhet ta dine te gjithe ata qe e kane lexuar kete tregim. Rilindesi mendjendritur nuk m’u hidherua, perkundrazi, me porositi: “Merre kete titull, perhape kete porosi, se eshte per te gjitha koherat.”
Ne keto dite te ngrohta te fillimit te pranveres, me vijne ne mendjen time kujtime nga femijeria, rinia ime ne Suhareke/Therande te Kosoves. Prinderit e mi, te urte e punetore, me vone edhe me ndihmen tone te vogel, i pervisheshin punes, punonin dite e nate ne kopshtin tone te madhe, punonin ne ara. Kopshti yne gjate tere vitit kishte dicka te mbjell, jepte prodhime te ndryshme, sipas stines. Puna e ndershme, puna e palodhshme ishte himni i jetes se prinderve te mi. Vertet, per familjen tone dhe shume familje te tjera, dheu ishte dhe do te mbetet flori.
I kujtova keto copeza nga jeta ime e mehershme, tani ne kohen kur Kosova po zbrazej nga banoret e saj, duke marre rruget e gjata, te mundimshme, te pasigurta, te pafundme e te hidhura te mergimit, per te kerkuar pune, per te siguruar mbijetesen. Ndersa arat, tokat pjellore po mbesin djerrina. Njerezit nuk duan te mendojne se dheu eshte flori – puna eshte flori. Prinderit e mi dhe shumica e popullsise se Kosoves jetuan ne kushte shume te veshtira, por ata nuk u dorezuan, duke punuar dite e nate ata i siguruan familjes nje jete deri diku normale.
Ne fillim te viteve te 90-ta, pas renjes se diktatures komuniste ne Shqiperi, shume shqiptare i moren rruget e botes dhe nje pjese e mire e tyre perfunduan ne Greqi, duke mbledhur ullinj, portokalle dhe duke bere pune te tjera te ndryshme. Edhe toka shqiptare ben ullinj, portokalle e shume prodhime te tjera cilesore. Me vone, disa e kuptuan se dheu eshte flori – u kthyen ne Shqiperi dhe mbollen ullinj, portokalle e shume kultura te tjera bujqesore. Sot ata i gezojne frytet e punes se tyre duke i punuar arat e tyre, prane shtepive te tyre, prane familjeve te tyre – duke u bere zot te tokes se tyre dhe jo sherbetore te grekut.
Neper shkollat zvicerane, femijet i mesojne se Zvicra eshte nje vend i varfer, pa burime te pasura minerale pa pasuri te mjaftueshme natyrore. Dhe vertet keshtu eshte. Prandaj, ata duhet te jene te vetedijshem per kete, duhet te punojne shume, duhet te jene kreative, prodhimtare dhe te kursejne shume. Dihet niveli zhvillimor i Zvicres, prandaj nuk ka nevoje te zgjatem me teper ketu. Ne ne Kosove gjithmone pohojme se Kosova eshte e pasur me minerale, burime natyrore, fusha pjellore, male te mbuluar me drunj e kullosa, etj. Dhe vertet keshtu eshte – Kosova eshte e pasur. Po tani si ndodhe qe kosovaret jane te varfer ne Kosoven e pasur dhe zviceranet jane te pasur ne Zvicren e varfer?! Kosovaret nga Kosova e pasur shkojne per punuar, per te siguruar jetesen ne Zvicren e varfer. (Ky eshte nje reflektim nga ana ime, sepse dihet mire historia e Zvicres dhe po ashtu dihet mire historia e Kosoves dhe as qe me shkon ne mend ta krahasoj Kosoven me Zvicren). Por punet nuk po u kryekan vetvetiu! Nese nuk i shfrytezojme si duhet dhe sa duhet pasurite tona natyrore, atehere eshte njelloj sikur te mos i kishim fare. T’i shfrytezojme pasurite tona, te zhvillojme kreativitetin – vetem me pune kembengulese, vetem me pune intelegjente mund ta zbusim gjendjen e rende ekonomike me te cilen po ballafaqohet Kosova tani per nje kohe te gjate. Po, ta punojme token ashtu siq duhet! Popujt, vendet qe kane nje etike te larte te punes, gezojne nje standard te larte te jeteses dhe nuk jane te korruptuar.
Nje studim qe ka bere koheve te fundit nje organizate nderkombetare, ka ardhur ne perfundim se shkalla e zhvillimit te nje vendi nuk varet se sa pasuri dhe cfare pasurish natyrore ka nje vend, por cfare organizimi, cfare rendi shoqeror ka ai vend. Dhe si shembull marrin Korene e Veriut dhe Korene e Jugut. Pra, dy vende qe banohen nga i njejti popull, qe kane shperndarje gati te njejte te pasurive natyrore, por kane rende te ndryshme shoqerore. Si rrjedhim, kane zhvillim ekonomik, shoqeror krejtesisht te ndryshem. Te gjithe e dime se standardi i jetes ne Korene e Veriut as qe mund te krahasohet me ate te Korese se Jugut.
Kosova eshte e bekuar me pasuri natyrore, me nje popullsi me moshe relativisht te re, por dicka po na mungon… Eshte nje thenje: “Nese dikush te kerkon peshk, mesoje te peshkoje dhe ai gjithmone do te kete peshk”. Ne neper bote po kerkojme pune dhe shumica e shqiptareve kudo qe ndodhen, jane punetore te mire. Te mesohemi, apo te na mesoj dikush qe te jemi punetore te mire edhe ne vendin tone. Prandaj, nje nga qellimet, detyrat paresore te qeverise se Kosoves duhet te jete krijimi i nje klime sa me te volitshme per te siguruar investimet e huaja, investimet e diaspores shqiptare, te bashkepunoje me organizatat qeveritare dhe joqeveritare nderkombetare per te ndihmuar sipermarresit, fermeret kosovare per te krijuar ndermarrje bashkekohore, biznese e ferma familjare, per te siguruar punesimin e nje numri sa me te madhe te qytetareve te Kosoves. Keto qellime mund te arrihen vetem ne nje shoqeri, nje shtet te qendrueshem me nje qeveri serioze, te perkushtuar, te tejdukshme (transparente) e te pakorruptuar. Dukurite negative, sidomos korrupsioni i larte ne te gjitha nivelet, jane pengesa kryesore per zhvillimin e Kosoves. Qeveritaret, udheheqesit e partive politike te gjitha energjite e tyre i kane perqendruar per t’i ruajtur karrikat e tyre, per t’i mbrojtur interesat e tyre te ngushta vetjake e partiake dhe nuk angazhohen, nuk bejne perpjekje per permiresimin e jeteses se qytetareve te Kosoves.
Ne nderkohe, t’i pervishemi punes, te mos presim per askend. Prinderit e mi nuk do te prisnin per askend, nuk do te prisnin per asgje, por do te zgjoheshin pa lindur dielli dhe do t’ia fillonin punes. Bashkatdhetare te nderuar: Dheu eshte flori, puna eshte flori, puna eshte nder – kampet e refugjateve jane mjerim.
Philadelphia, 15 prill, 2015
Shenim: Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.
SOKOL OLLDASHI: Nuk e di ç’lë pas, nuk e di ç’ke përpara
(Mbresa nga vëllimi poetik “unë dhe Unë” i Sokol Olldashit)/
Shkruan:Pirro Dollani/Las Vegas/
Sapo mbylla fletën e fundit të librit të Sokolit “unë dhe Unë” dhe në mendjen time vazhdon jehona e vargjeve të poezisë “Krishtlindje” që mbyll vëllimin:
Më falni, njerëz
në ju gjykova
keq!
Ju
fal,
që
më fyet
pa të drejtë.
Tani. . .
Krishti
Jam
Unë!
Kjo poezi tingëllon si një përfundim logjik i tërë jetës së trazuar, të rebeluar e shpirtit kryengritës të heroit lirik, pasojë e shëmtimit, hipokrizisë njerëzore që mbizotëron ku e keqja është bërë normë. Ai është i vetëdijshëm për peripecitë që do të ndeshë në luftë kundër së keqes, dhe kjo gjë e bën të vetëdijshëm edhe për fundin e tij. Ashtu si edhe Krishti që për t’u ngjitur në qiell, duhet më parë të vdesë—apo siç shprehet poeti “duke u ngjitur tëposhtë”—ashtu edhe ai tek poezia “Nuk di ç’të lë, nuk di ç’ke përpara” shkruan:
“Kufij ka përpara, kufij ka dhe pas,
Kufij anash, kufij lart, kufij poshtë,
Kalldrëmi mes hapësirës pa anë,
Unë mbi të duke u ngjitur tëposhtë.”
Prandaj fjalët “vdekje”, “varr”, “ikje” janë aq të shpeshta në poezinë e tij.
Që në poezinë “Kënga” që hap vëllimit me një varg migjenian, ai shpërthen: “Këndoje/ derisa qiellin të mbyllësh në grusht/ e me grushtin tjetër globit t’ia ngjeshësh.”
Të tërë poezitë e këtij vëllimi më shëmbëllejnë me një mozaik ngjyrash të ashpra e penelata të trasha që piktor si Rembrandi përdorën në autoportretet e tyre. Dhe ky vëllim është një autoportretizim i poetit. Madje, Sokoli është profetik në portretizimin e vetvetes, pasi është në gjendje të japë me saktësi, jo vetëm ç’bënë me të, por edhe të shohë vrasësit, hipokritët, servilët që qajnë gjatë ceremonisë së varrimit të tij:
“Në kortezh të përmotshëm, grumbuj dykëmbëshash pas një arkivoli që vrapon./ Ata e vranë./ Ata e përcjellin./ Ata e qajnë./ Në fund të fundit/ me dhé/ e mbulojnë./ Prifti bën Meshën e Fundit,/ u uron krimbave oreks.”
A nuk ndodhi vërtet kështu me të? Nxituan ta varrosin, sikur kërkonin të fshihnin diçka. Madje bënë të pamundurën ta kalonin në heshtje përvjetorin e parë të vdekjes të këtij luftëtari.
E harruan kaq shpejt këtë trim e intelektual të mençur, që nëse do të zbatohej MERITOKRACIA e DEMOKRACIA brenda radhëve të partisë së tij,
Sokoli do të ishte në krye të Partisë Demokratike, të kësaj Partie, që sot është bërë për t’i qarë hallin. Në krye të së cilës është një njeri që çuditërisht i ngritur me katapult,pa pasur asnjë meritë e kontribut paraprak në luftën për demokraci. . .
Krahas poezive që tingëllojnë si aktakuza ndaj së keqës, padrejtësisë shoqërore, shëmtimit njerëzor, zënë vend dhe një mori poezish me temën e dashurisë. Ato janë kaq të ndjera që nuk mund t’i lexosh pa njomur sytë dhe faqet. Te tilla do të përmendja,”Dhe unë dhe ti”, “Mikut tim, Xhimi”, “Do të iki një ditë bashkë me vjeshtën”, Dashuri”, “Letra e fundit”, “Si tingulli i një bluzi”, “17 shkurt 1993”, etj. etj.
Një nga karakteristikat e poezisë së Sokol Olldashit që e bën atë tejet unikale është ajo që do ta quaja “forca/pesha e retiçensës.” Retiçensa zë një vend të konsiderueshme në poezinë e tij. Ajo krijon një lloj “misteri” që nxit imagjinatën e një lexuesi të mirë dhe rrit më tej anën emocionale të poezisë. Nga poezia “Letra e fundit” po citoj strofën e fundit:
“Tani, bëj si di ti,
unë të premtoj veç një gjë:
sido që të zgjedhësh në fund,
unë do t’vij, o iki,
. . . pa zë.”
Po kështu poeti Sokol Olldashi ka gjithashtu një sy të mprehtë për detaje dhe në poezitë më të mira ai është tejet spontan.
Këto janë disa mendime të shprehura nxitimthi, si të doja t’i regjistroja për t’u rikthyer përsëri. Natyrisht, një vëllim poetik nuk mund të lexohet siç lexohet një tregim a roman nga fillimi në fund, siç e lexova unë ngaqë s’mund ta hiqja nga dora. Poezia në përgjithësi, dhe poezia e Sokolit në veçanti, nuk duan lexim, por rilexim. Sokoli ishte një djalë me talent të shumanshëm, por ma do mendja që po të merrej seriozisht me letërsinë, ai do të ishte padyshim një nga majat e letërsisë sonë. Apo siç shprehet i madhi Dritëro Agolli për poezitë e këtij vëllimi: “. . .Poezi të një niveli të lartë dhe të çuditshëm të poetit të vërtetë Sokol Olldashi.”
Libri i tij “unë dhe Unë” edhe mua më bën krenar, pasi kam qenë mësuesi i rrethit letrat të pallatit të Kulturës të Durrësit që përbëhej nga nxënësit më të talentuar të gjimnazeve të qytetit. Por Sokoli shquhej mbi ta në të gjitha drejtimet. Madje, që kur hynte në sallë vëmendja e letrarëve të rinj përqendrohej tek ai. Pasi ai i kishte të gjitha: talentin, zgjuarsinë, çiltërsinë dhe bukurinë e trupit e të shpirtit. Ai jetoi pak, por për ato pak vite bëri atë që shumë e shumë njerëz nuk e bëjnë edhe sikur t’i kalojnë të njëqindat. Edhe pse jetoi pak, ai e plotësoi dhe e tejkaloi atë që bën njeriu në një jetë.
Tani. . .
Krishti
Jam
Unë!
Po, ashtu je e do të jeshë nxënësi im i mrekullueshëm! Dhe si AI do të ngjallesh sa herë që lexuesi do të marrë në dorë librin e do të bashkëbisedojë me ty!
Las Vegas, 14 Prill, 2015, ora 23:15
E bukura Gridë…
Bëna të bukur. Pa goditur tavolina, pa sharë, pa ngritur gishtin tregues. Ti je pjesë e kulturës së Amerikës./
Nga Ilir Levonja-Florida/
Sapo e pashë emrin tend… çfarë nuk mendova! Së pari përrallën e bukura dhe bisha. Pastaj një lapsus i webit të Pd-së…, në emrin tend. Drida. Sikur d-ja të ishte t. Megjithëse edhe pa këtë lapsus ti je dritë. Ndërkohë që Webi i Pd-së e ndreqi gabimin e vogëlth. Të tjerë tituj vërshuan. Po mua edhe pse u gëzova prapë më trishtojnë konstatime të tilla. E zgjedhura e Bashës për Durrësin. Ashtu sikur edhe nga krahu tjetër, kur thonë e zgjedhura e Ramës.
Së dyti… Para disa ditësh një qytetar, mësues i nderuar, studiues, më kujtonte se në Shqipëri, kandidaturat janë vendim absolut i kryetarëve. Jo të forumeve përkatëse. Nuk e di nga buron ky lloj absolutizmi kryetari për faktin e përvojës së pakte politike, si i angazhuar. Edhe pse jam një simpatizant i së djathtës. Simpatizant edhe i yti. Megjithatë vëmëndjes së mire të qytetarit i kam atashuar edhe atë mosbesimin klasik të provincialit. Që gjithmonë ka qënë kështu. Edhe pse ekzistonin forumet. Pra zgjedhjet me preference dhe jo zgjedhjet me vote forumesh. Dhe kësaj lloj praktike po ia shoh kërcitjet nga skaji i sipërm elektoral. Deri në deklaratën e fundit, që sapo u dha nga kryetari i Bashkisë së Sarandës. Edhe ky i eleminuar, për shkak preference. (Megjithëse kam obsionet e mia të rezervuara, edhe për këta që duan e riduan të rizgjidhen.)
Ndofta këto janë gjëra që mund të sheshohen më pas, pasi demokrati mbetet demokrat. Dhe po ashtu socialisti, socialist. Mirëpo ekuivoku forum, kryetar bëhen një hendek. Në fund të fundit, ai që zgjedh ka të drejtën të zgjidhet. Po përmes kësaj formule, jo vetos së atij që zgjedh.
Por le të qëndrojnë në suksesin tend. Më erdhi mire përballë arrogances së parties republikane. Doli emir yt. Madje qesha me numrin e rritshëm të subjekteve pranë komisionit zgjedhor. Stoik, sapo doli dhe baba Gjinushi.
Që edhe pse e bëri Psd një thelë, prapë është kryetar. Më erdhi mire dhe uroj që ta spostosh vendit, tipin me pushtet të pangopur. Një legjislaturë e shumta dy janë mjaftueshëm. Edhe kur e ke bërë mire punën. Madje në kësi lloj situate, kurorëzohet suksesi. Merr pamje vlera.
Së treti. Në Shqipëri po diskutohet rritja e përqindjes së gruas në forumet partiake, vendimarrjet, dikastere. A poste të larta drejtuese. Pra ka një përpjekje për rregullim me ligj. Për këtë ndoqa dhe një panel. Ky sigurisht asnjëri nuk e mbaroi fjalën. Ku gjithkush I jepte të drejtë, jo problemit, por mëndjes. Në fakt është një project ligj, marrëveshje a ku di unë çfarë…, që mënjehrë zhvleftësohet edhe për faktin preference kryetari. Por edhe për bashkëkohësinë. Ashtu sikur burrat e dine se mëndjemadhësinë e tyre. Bëjnë mire që shumë si ju, aty, dine dhe shfaqin mëndjemadhështinë e tyre. Pjesëmarrja nuk fitohet me rregullime përqindjesh, por me pjesëmarrje.
Së katërti. Në Shqipëri është futur, është bërë dominant kriteri i bukur. Fatkeqësisht I referohen pamjes. Jo mendjes, shpirtit dhe pamjes. E bukur Jozefina, por kur I sillte tavolinës, kur tregonte gishtin e madh. Kur na bëri të shikon Metën me të ndenjura mbi tavolinat e kuvendit të popullit. Nuk e di. Më vinte keq që isha në anën e saj. Kur shikoj gishtin asgjesues të një minister aktuale të ardhur nga Franca, po ashtu më vjen keq për popullin tim. Nuk është e bukur, e vogla, e imta Ema Bonino. Por është një histori suksesi. Nuk është e bukur Angela Merkel, por është një progress dominant në kohë e krizave të njëpasnjëshme.
Nuk dua të shkoj më larg, pasi mesazhi im është i kuptueshëm. Bëna të bukur. Pa goditur tavolina, pa sharë, pa ngritur gishtin tregues. Ti je pjesë e kulturës së Amerikës. E di mire kuptimin e togfjalëshit, mos shëno me gisht njeriun.
- « Previous Page
- 1
- …
- 467
- 468
- 469
- 470
- 471
- …
- 607
- Next Page »