• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Ky djalë ka talent!”…

June 9, 2014 by dgreca

Nga Uk Lushi/
“Ky djalë ka talent!”- tha Ali Podrimja dhe ngriti gotën e tij të verës për ta cakërruar me gotat tona. Valët zanore të tringëllimës së qelqeve u davaritën në muzikën e tingujve natyror të kopshtit të pijetores gjermane në qytezën e Gerlingenit. Komplimenti për Beqë Cufajn, autor i një libri me vjersha (“Balada budallaqe”, Rilindja, Prishtinë, 1994),shkaktoi në fytyrën e shkrimtarit të ri një skuqje të përzier me modesti dhe druajtje. Ishte mesi i 1990-tave. Podrimja kishte mbërritur nga Prishtina për një seri leximesh dhe unë së bashku me Cufajn, i ardhur rishtas si emigrant në Gjermani, dhe një mik tjetër, e kishim ftuar bardin e shquar për një drekë.
Që nga atëherë kanë kaluar gati njëzet vjet dhe në ndërkohë Cufaj ka botuar një përmbledhje mikse me proza të shkurtra dhe poezi (“205”, Dukagjini, Pejë, 1996), një libër me shkrime gazetareske dhe ese (vetëm) në gjermanisht (“Kosova- Rückkehr in ein verwüstestes Land”, Paul Zsolnay, Wien, 2000), romanin e parë (“Shkëlqimi i huaj”, në shqip Dukagjini me 2003 dhe në gjermanisht Paul Zsolnay me 2005), një libër me kolumne dhe opinione (“Laboratori i lirisë”, PA, Prishtinë, 2011) dhe para pak kohësh romanin e dytë (“project@party” në shqip Zëri, Prishtinë, 2011, dhe në gjermanisht Seccesion, Zürich & Berlin, 2012). Për to Cufaj ka marrë disa vlerësime nderuese dhe monetare, si fjala vije shpërblimin Bruno Kreisky Förderpreis nga Republika e Austrisë me 2001, çmimin Hivzi Sulejmani nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës me 2004 dhe çmimin Preisdes Wirtschaftsklubs im Literaturhaus in Stuttgart në Gjermani me 2013. Librat dhe punimet e Cufajt, përpos gjermanishtes, kanë parë dritën e botimit në disa gjuhë dhe për krijimtarinë e tij kanë shkruar me dhjeta autoritete kompetente të skenës letrare europiane.
Djaloshi i ri që nga koha e takimit me Podrimjen është dalluar edhe në gazetari. Ende e mbaj mend shumë kthjellët kursi korrespondent nga vendet gjermanofone- në fund të 1990-tave dhe deri kah fundi i dekadës së parë të këtij shekulli- ai ishte njëra nga shtyllat e rritjes dhe pjekjes së gazetës Koha Ditore dhe së fundmi- deri para një viti- një ndër motorët e ripërtëritjes së të përditshmes Zëri. Por, kontribute po aq të mëdha për kulturën dhe popullin tonë, Beqë Cufaj ka dhënë posaçërisht me shkrimet, reportazhet dhe trajtesat gazetareske për mediet dhe revistat europiane më më prestigj, si p.sh. Frankfurter Allgemeine, Neue Zürcher, Süddeutscher, Die Zeit, Courrier International etj. Seria e reportazheve të tij nga salla e gjykimit të kasapit serb të Ballkanit, Slobodan Milošević, në Tribunalin e Hagës, është një fejtonistikë dokumentaro-letrare e niveleve të nalta, e denjë të jetë pjesë e lektyrës shkollore në çdo vend ballkanik dhe europian. Përveç këtyre, polemikat dhe përgjigjet intelektuale që Cufaj i ka shkëmbyer me disa personalitete lidhur me qëndrimet e tyre kontraversiale, ndër të cilët e vlen të përmenden shkrimtari proserb Peter Handke dhe Franziska Augstein, vajza e Rudolf Augstein, themeluesit të revistës gjermane mbase më me influencë Der Spiegel, janë testamente brilante të fuqisë dhe mprehtësisë intelektuale.
Beqë Cufaj nuk është i vetmuar në Europë. Ai bën pjesë në orkestrën e disa duzinave me shqiptarë të suksesshëm në fushën e letrave dhe shkrimtarisë në kontinentin e vjetër- prej Italisë, Zvicrës,Gjermanisë, Holandës, e deri në Francë. Këta zëra kreativ kanë bërë goxha shumë për vlerat, imazhin dhe prezantimin e letërsisë dhe artit shqiptar në botë, porse, çuditërisht, roli dhe kontributi i tyre është dhe vazhdon të mbahet jashtë radarit të interesit, njohjes dhe trajtimit (kritik) të elitave apo, mbase, më mirë thënë, kastave të letrave dhe kulturës shqiptare në Ballkan.
Ç’ është e vërteta me e thellë, shkrimtari dhe publicisti Cufaj, që prej se këmba e tij ka shkelur në tokat gjermane, pandërprerë, ka bërë punën e një de facto ambasadori duke u angazhuar edhe politikisht dhe diplomatikisht me qeveritë dhe rrethet me ndikim në vendet gjermane. Herë atje, herë në trojet shqiptare, Cufajn e ke hasur si një kronist dhe murg të dedikuar për të shënuar dhe avokuar të drejtat dhe interesat e shqiptarëve dhe shteteve tona prej Rambujeë e deri në Vjenë ku u përmbyll korniza formale e pavarësisë së Republikës së Kosovës, prej panairit më të madh të librit në botë në Frankfurt am Main e deri në panairin e Lepzigut ku disa herë ka qenë instrumental në paraqitjen e talenteve të reja para syve të botuesve dhe patronëve të fuqishëm të literaturës botërore. Kudo e kurdo ka qenë dhe është nevoja.
Beqë Cufaj dhe një pjesë e madhe e kolegëve të tij shqiptarë të shpërndarë nëpër Europë janë ende në moshën e artë të krijimtarisë dhe veprimtarisë së tyre multidimensionale. Ndër këta ambasadorë jozyrtarë ka burra dhe gra të cilët nuk janë pikasur nga verbëria jonë vullnetare sepse viteve të fundit në mediet dhe institucionet shqiptare ka një zhvendosje të habitshme të balancës në favor të triviales dhe bulevardeskes dhe në disfavor të sensibiles dhe rëndësishmes. Shoqëritë shqiptare dhe diaspora jonë duhet ta kuptojmë që vlerat dhe personalitetet janë si bimët e rralla dhe delikate që kërkojnë përkujdesje dhe vëmendje kur mbillen dhe derisa japin edhe frytin e fundit.
Nuk e pranoj që ne shqiptarët, përgjithësisht, e kemi zakon të falënderojmë njerëzit tonë ose kur na i nderojnë të tjerët ose kur na lënë për amshim sikur poeti Ali Podrimja. Dhe kështu, me këtë kolumne sot, unë dua të shpreh mirënjohjen time më të veçantë për Beqë Cufajn, shkrimtarin dhe ambasadorin tonë pa dekret në Europë, ngase e njoh atë dhe punën e tij më së miri. Përmes emrit të tij besoj që çmoj edhe veprën dhe përpjekjet e secilit personalitet tjetër tonit në Europë, i njohur apo panjohur për publikun. Shpresoj dhe ftoj që ky shqiptim i imi i falënderimeve të sinqerta të shtyjë njerëzit e medieve dhe institucioneve shqiptare kudo në botë t’u thonë ju faleminderit të gjithë bashkëkombësve tonë që e meritojnë vlerësimin siç po i them unë Beqë Cufajt ndërsa i dëshiroj suksese të reja dhe arritje të majave edhe më të larta. Pra, edhe një herë: FALEMINDERIT BEQË CUFAJ!

Filed Under: ESSE Tagged With: "Ky djalë ka talent!", Beq cufaj, Uk Lushi

AZEM ALI MËSHI,NJË NGA 254 MARTIRËT E POLICISË SË SHTETIT

June 6, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Kosturri historik e gjeo-strategjik në rrafshinën e Hasit, përballë liqenit të Fierzës si ua përmbyti një pjesë të territorit dhe ndërmjet lumenjve të Lumës e Skatinës e krah’ Helshanit, është truall i luftrave të pazakonta qyshse në kohërat ilire e dyndjeve sllave saqë gojëdhanat gurgullojnë sikur vendi pas betejave ka mbet i mbuluar me turra kockash (kosturr). Ky fshat i madh bregdrinas me kala ilire e mesjetare edhe për skej tij, ka nxjerrë figura historike me emër e hapa përtej bajrakut e krahinës së vet, në hapësirat etnike shqiptare e rajonale. Në kohën ilire e mesjetare lugina e Skatinës me rrethina si pjesë etno-historike e administrative e Dardanisë Alpine apo e Rudinës, me vendbanimet e saj Kosturr, Zgjeç (Shëngjergj), Leniq, Zogaj, etj. sipas dëshmive e provave, ka qënë një zonë mjaft e zhvilluar nga ana zejtare, tregtare, kulturore, bile ma shumë se disa krahina të tjera.
Mendje akademike të penës nga ma të hershmit si Marin Barleti, Frang Bardhi e vargavijë dekteri tek të mavonshmit si krye/akademiku Aleks Buda e prof. dr. Shefqet Hoxha, Mësues i Popullit, kanë dhanë argumentat e veta se tedeli dinastor i Kastriotëve është nga visi legjendar i Kosturrit. Isuf Meshi, ish i përndjekur politik, me shpirt, talent e kontribute poetike e publicistike, rrëfen se në pjesën jugperëndimore të Kosturrit gjenden edhe sot varreza e lisa të moçëm përreth kishës së Kastritotëve, ndërsa “Vidhat e Kastriotëve” të cekun edhe nga Barleti e Bardhi, janë ende në lagjen Meshaj, në mes të fshatit, pothuej ngjitas me Trojet e Vjetra dhe oborrin e Isuf Rexhës, të njoftun për mirë. E, paraardhësit genetik të Skënderbeut, kanë shtegtue nga Kosturri (Has) në Ujmisht e Lumë (Kukës) e mbasandejna në Dibër e në Mat, derisa nguli e ngriti selinë e dinastisë e shtetit të tij skënderbegian në Krujë.
Kosturri i luftëtarëve të lirisë e pavarësisë kombëtare shqiptare në luftëra me sllavët e otomanët si përgjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), Lidhjes së Pejës, (1899-1900), kryengritjeve për Pavarësi (1908-1912, 1913)…e deri në dy luftrat e fundit botërore (1914-1918, 1939-1945), ka qënë mikpritës në trollin e sofrat e tij të figurave historike të shquara si Haxhi Zeka, Sylejman Vokshi, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini e të tjerë.
Kullat e kosturrasve me frëngji prej guri kah verilindja për vrojtim e mbrojtje nga shovinistët serbë ruhen ende në kit’ fshat, bile disa si e Mus Hasan Mëshit e Musli Ram Gjonit janë shpall “Monument Kulture”.
Të moçmit e kanë përcjell një fjalë urtie: “Nuk bahet shpat e mirë prej metali të dobët”. E në Kosturrin hasjan, me tri lagjet e tri vllaznive Meshaj, Gjonaj, Nabollaj, e gjejmë një tjetër fakt: Azem Meshi, “Dëshmor i Atdheut”, (djali i fismë i Ali Ukshin Ademit të Ahmetafajve) u lind e u rrit i tillë, qëndrestar i çeliktë deri në aktin e fundit vetmohues në qershor 1999, me brumin e truallit e breznive të veta, të fshatit të tij legjendar.

2.
Kosturrasit u rritën me pushkë e udhëtar me trimërinë e lavdinë. Edhe Dera e Meshit, trungu genetik i dëshmorit të Policisë së Shtetit, Azem Meshi, ishte me kontribute e atribute të njohura.
Gyshi i tij, Ukshin Adem Mëshi, sëbashku me të vllanë, Arif Adem Meshin, ishin pjesmarrës aktiv në luftërat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Baba i tij, Ali Ukshin Meshi, mori pjesë aktive edhe në Luftën e Dytë Botërore. Fillimisht në Çetën e Hasit me Ismail e Man Pogën e u inkuadrue në rradhët e Brigadës XXV-S të Tropojës. Ka luftue për çlirimin e Kosovës dardane deri në Mitrovicë, të Sanxhakut Shqiptar (Tregu i Ri) si dhe deri në Bosnje. Asokohe ishte pesëmbëdhjetë vjeçar, ndër ma të rinjtë luftëtarë në formacionet ushtarake shqiptare.
Në kit’ luftë plot sakrifica dhanë jetën disa kushërinj të tij partizanë si Ram Sadri Meshi e Mehmet Ali Meshi, sot “Dëshmor të Atdheut”.
Në brezni kosturrasve iu rrinë zgjuar pushka në mbrojtje të kombit. Kjo u dëshmue edhe më 24 mars 1999 në Istog të Kosovës, ku në luftë ballëpërballë e deri trup më trup me milicinë serbe dhanë jetën dy djemtë e Qazim Meshit, vllaznit Bashkim e Afrim Mëshi. Përkrah tyne luftoi edhe i vllai, Kujtim Qazim Mëshi, të cilin e morën e mbrojtjen istogasit e atyshëm. Në betejë mbetën të vrarë edhe nga serbët. Rënia e dy vllaznëve Meshi në ditën e sulmeve të NATO-s mbi Serbinë përkujtohet me nderime në Kosovë, pasi ata tashma janë dëshmorë të Kosovës, dëshmorë të UÇK-së, po edhe dëshmorë të Shqipërisë.
Tre muaj pas epopesë të djemvë të derës së Mëshit në Istog të Kosovës, do të përseriste një tjetër epope qëndrestare edhe polici Azem Ali Mëshi në qershor 1999 në luftë më bandat e egra të krimit të zi në Yzberisht të Tiranës, duke sakrifikue jetën e tij 30 vjeçare. Ai hyri në kujtesën e historisë, në këngët e popullit. Atij i ngritën kangë: “Azem Mëshi nji djalë hasjan / Përball’ krimit jetë ka dhanë /…Ai ka ra si dasmor lufte / Shokët e mbajnë trimin mbi supe /.
Azem Ali Mëshi, mburojë-shqiponjë e shtetit dhe pasqyrë dëshmi e shtetit, për aktivitetin e tij 7 vjeçar dhe aktin e tij të lartë vetmohues, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me Dekretin Nr. 2639, datë 31 maj 2000, e ka nderuar me dekoratën “Medaljen e Artë të Shqiponjës” (pas vdekjes) me motivacionin “Për trimëri dhe akt të guximit qytetar në luftën kundër krimit deri në sakrifikimin e jetës”. Ai është nga të rrallët policë e ushtarak të shtetit që mban një vlersim të tillë presidencial meritor.

3.
Azem Mëshi, një nga nëntë fëmijët e Ali Ukshin Mëshit, e kreu shkollën fillore në fshatin e tij të lindjes, Kosturr të Hasit, ndërsa 8-vjeçaren në qytezën e Kamit të Tropojës, ndërsa të mesmen në qytetin e Kukësit. Në tre rrethe i përmbylli tre ciklet e arsimimit të tij. Biografia e tij politike nuk ia mundësonte ndjekjen e mëtejme të studimeve universitare, pavarësisht zgjuarësisë, kambënguljes e pasion të tij të madh. Atë e keq pengonte“biografia politike” e familjes.
Aty nga viti 1948 diktatura e kohës, me luftën e saj të klasave, hyri në kullën e Ali Ukshin Meshit dhe ia mori atij lirinë vetjake, cënoi liritë e familjes. Rregjimi komunist e arrestoi e dënoi për dyshime politike me 6 vjet burg politik. Ia hoqi për tre vjet të drejtën e triskës së Frontit, i pamundësoi pjesmarrjen në zgjedhje, në disa lami të jetës. E shpalli, sipas zhargonit politik popullor “të deklasuar”(!). Përndryshe, si i thuhej ma butë, ma me kulturë, me metaforë politike: “i prekur”(!). Pa asnjë bazë, përtej edhe hakmarrjes politike, ia sekuestruan pasurinë. Të gjitha këto ndëshkime ishin të tepërta, po nuk e thyen qëndrestarin Ali Ukshin Mëshi. Përkundrazi, ishte i fortë, apo “kreshnik” si e cilëson Bute Mëshi, mësuesja e klasës së parë të Azemit.
Rënia e Murit të Berlinit ishte hapje e siparit rrokaqiell të plotësimit të ëndrrave, dëshirave e objektivave të tij. Në vitin 1992 filloi punë në Policinë e Shtetit në Tiranë, në Repartin e Ambasadave e, mbasandej, me grupet e gatshme të Komisariatit të Policisë Nr. 4 të kryeqytetit. Në kujtimet e tyre, mësues/e e shoqnia e tij, theksojnë se e kishte me qejf të madh të vishej polic, pasi donte t’i shërbente Atdheut të vet dhe të “ç’vishej” nga mfeshjet politike të rënduara e të pamerituara prej ashpërsive e mbrapshtive politike të kohës komuniste. Pasi u plotësue kjo vinte e dyta. Edhe kjo e kahershme, si vrell në pritje. Të ndiqte shkollën e lartë. Ndaj e filloi e vazhdoi pa shkëputje nga puna Akademinë e Policisë në Tiranë. Përgjatë kësaj kohe krijoi edhe familjen e tij, me gjithë shenjtërinë e vet. Ai, nga martesa me Loretën, patën një vajzë, Gretën, dhe një jetë të mrekullueshme. Një dashuri të pamatë. Një lumturi në rritje pa kufi. Derisa erdhi ajo ditë e mallkuar e qershorit 1999, kur Azem Mëshi në përleshje me bandat u vra në krye të detyrës. Si hero. Mbeti dëshmor.
Në Policinë e Shtetit në Tiranë punonte edhe vllai tjetër i Azemit, Ahmet Mëshi që ka kryer me zotësi e devotshmëri profesionale në Tiranë, Elbasan e Durrës. E, me sa kam lexue diku, në se jam i saktë tërësisht, e mbante gradën kryekomisar. Po ai ka një tjetër kryegradë, si rrallë kush: “Njeri i mirë”, të cilën ia kanë dhanë genet e vllznisë Mëshi, jeta me sakrifica të mëdha, shoqëria, koha e derisotme.
Një nga shokët e tij të hershëm e të mirë, mjeku Shkëlzen Arif Ibra në Krumë të Hasit, shprehet: “I vetmi shok në jetë që kam njohur e sot e tutje nuk e kuptoj se si zotit Azem Mëshit i dilte koha për çdo gjë në botë… Ky njeri i bekuar, punëtor, besnik, trim dhe luftarak, e i ndershëm, kishte kohë për punët e shtetit. Ishte një prind i rregullt. Kishte kohë të dërgonte nusen në punë dhe vajzën në kopsht, kishte kohë të kujdesej për prindrit e Loretës (gruas së tij). Kishte kohë të shkonte në Selitë çdo ditë tek prindërit e vet. Të kujdesej për vëllezërit e motrat. Për çdo ditë pinte një kafe konsulte me vllain e tij të shtrenjtë, Ahmet Mëshi, por gjithësesi kujdesej edhe për ne studentët e Fakultetit të Mjekësisë, për mua, Shkëlzen Ibrën, për z. Olsi Çaushi dhe vllain e tij të vogël, Agron Mëshin”.
Drejtori i sotëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, asokohe nënkolonel e komandant i Repartit “Renea” e ka pasë njohur Azem Ali Mëshin, ka qënë edhe në ceremoninë mortore përcjellëse të tij dhe për vizitë ngushëllimi në familjen e tij. Ai e kujton me konsideratë të lartë Azem Mëshin për shembullin e tij të nevojshëm e të vyer, sa qëndrestar e ballor, edhe korrekt e të kulturuar, sidomos në vitet 1997-1998 në ruajtjen e institucioneve të rëndësisë së veçantë si ministritë, bankat, ambasadat, RTSH, etj. Ish Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Bilbil Mema, rikujton atë ditë qershori 1999, kur e ashtuquajtura “Bandë e Yzberishtit” në rreth e shënjestër nga Policia e Shtetit, pasi kishin ndërmarrë një grabitje, sapo kishin vrarë shtetasin D. Gostivari nga Kosova, pas një ore, për shkak të cilësive të veçantë të detyrës, në përballje, vrasin edhe policin Azem Ali Mëshi, dëshmor i Atdheut. Një opinion vlerësues për punën e Azemit në rradhët e Policisë së Shtetit japin gjithato personalitete të Policisë, si ish Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, e të tjerë.
Polici i Shtetit, qytetari i shtetit demokratik, Azem Ali Mëshi, për kontributet e aktin e tij të qershorir 1999, me vendimin nr. 12, dt. 4 korrik 2003, së bashku me policët e tjerë të rënë në krye të detyrës, si Krenar Ismail Bako, Gjergj Hekuran Mehmeti, Kastriot Hajri Çiçi, Rufan Shaqir Hakrama, u shpall e iu dha Statusi ‘Dëshmor i Atdheut”.

4.
Kanadaja, në atë perëndim rrugëtim të diellit, ky shtet euro-atlantik, në vitin 1992 ka pasë policin e fundit të vrarë në ndjekje të një krimineli. Ajo ditë u shpall ditë zie kombëtare. Rreth dy milionë kanadezë morën pjesë në varrimin e tij. Prej asaj kohe, kjo ditë shenjohet e përkujtohet si Dita e Policisë. Shqipëria, dihet, ka një realitet krejt ndryshe. Bota e egër e krimit, për shumë faktorë e faktë që disa sish nuk varen as prej nesh, si shtet e qytetarë të tij, çdo vit po vret policë në krye të detyrës. Siç është edhe rasti i Azem Ali Meshit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, vjet, në Ditën e Policisë, dha një shifër: 254 oficerë të Policisë së Shtetit kanë humbur jetën në përballje me krimin duke lënë pas familjarët e tyre. Janë shumë në 23 vite të shtetit demokratik. Njëherash flasin edhe për punën e madhe sakrifikuese të Policisë së Shtetit në mbrojtje të rendit e qetësisë, të sigurisë publike, të shtetit ligjor demokratik. Nga ana tjetër, në të njëjten ditë përkujtimore me të drejtë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ngre një shqetësim të madh për politikën e kohën shqiptare: ka shumë nga familjet e policëve të rënë vazhdojnë betejën nëpër gjykata me qeverinë për të marrë statusin e familjarëve të dëshmorit. Në veprën e tij poetike e dokumentare “Dhimbja më grish”, Besnik Meta, ish oficer policor i sigurisë, dikur edhe gardian i qelisë së burgut të Ramiz Alisë, njëherash shkrimtar e poet me disa botime, na paraqet një listë me 194 oficerë e policë të rënë në krye të detyrës. Ndoshta i përket fundvitit 2002, pasi në fillim vitin tjetër (2003) e ka botue veprën e tij. Aty, pak prej tyre, kanë të shpallur e të marrun statusin “Dëshmor i Atdheut”. Numërohen me gishtat e dorës: Arben Ujka, Arjan Shemuni, Asllan Selamaj, Arben Lasku, Besim Manoli, Lulzim Sulollari, Ylvi Bengasi, Vladimir Ismailukaj. Shumë pak. Para syve kam edhe një listë tjetër: i përket shkurtit 2005, tërhjek kaherit nga faqja zyrtare e MPB. Aty janë 75 punonjës të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës që e kanë marrë në vitet 2003-2004 Statusin “Dëshmor i Atdheut”. Ndër ta edhe Azem Ali Mëshi.
Nuk kam asnjë informacion se si paraqitet kjo situatë në vitet e mapasme 2005-2014. Prapë, tue iu referue të njëjtit burim, Besnik Metës, që fjalën e shpirtit e shpreh në vargje për Policinë, të vrarët e të plagosurit e saj, shoh se nga 1991-2002 kemi edhe 250 oficerë e policë të plagosur apo gjymtuar në luftë me krimin. Në krye të kësaj liste, qyshse atëherit (2003), jo krejt rastësisht, për shkak të emrit apo kontributeve, e ka vnue të parin kolonel Artan Eqerem Didin, sot, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit me Medaljen e Shërbimit Ushtarak” (1991) e “Medaljen e Artë të Shqiponjës” (1998). Sidoqoftë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e Ministria e Drejtësisë duhet ta ndjekin kit’ çështje, në kofshin edhe pak raste të tilla pa Statusin “Dëshmor i Atdheut”. Për ma tepër, Presidenti i Republikës duhet të jetë ma i pakursyer në dhanien e dekoratave ndaj oficerëve e policëve të vrarë apo të plagosur, duke vlerësue veprimtarinë e sakrificat e tyre. Po edhe çdo Prefektur e Këshill Qarku duhet të orientojë bashkitë e komunat që të kemi me emrat e dëshmorëve të Policisë sa ma shumë rrugë e objekte, të jepen tituj “Qytetar Nderi”, etj., Për shembull, prej kohësh, një rrugë në Kombinat, në Njësinë Bashkiake nr. 6 në Tiranë, e mban emrin e dëshmorit Azem Ali Mëshi.

5.
Sot, Azem Ali Mëshi, do të ishte 45 vjeçar, po ai është mes nesh si “Dëshmor i Atdheut”, i dekuruar me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” (v. 2000). Ai është si një simbol i përkushtimit e i qëndresës së Policisë së Shtetit, është shqiponjë e trimërisë dhe e aktit të guximit qytetar në luftën kundër krimit duke sakrifikuar edhe jetën. Ai e dha jetën për të mbrojtur jetën, e dha jetën për të na dhënë siguri për jetën, e dha jetën për dimensionet reale të shtetit ligjor, e dha jetën për idealet njerëzore e hyjnore të Demokracisë.
Jeta e veprimtaria e Azem Ali Mëshit është përjetsue në një film dokumentar. Është gdhend në disa poezi si ato të Besnik Metës si “Vizitë në shtëpinë e Azem Mëshit” e “Kjo botë e egër” (Dhimbja më grish. Tiranë, 2003, f. 43, 44), etj. I janë kushtuar këngë me çifteli në skenë e në odat malësore. Ka plot shkrime për martirin Azem Ali Meshi të botuara në shtypin shqiptar të Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Amerikës, Zvicrës, Londrës, etj. Sikurse është edhe ky i sotmi. Shteti demokratik, shteti ligjor, i dha Azem Ali Meshit dimensionet e nderimit e të përjetësimit, i dha atributet e kohës për aktin e aktivitetin e tij kontribues e sakrifikues, i dha vendin e merituar në memorien e historisë dhe në memorialin e Policisë së Shtetit.
Rapsodët e njohur të Hasit, dy kangëtarë të vendlindjes së tij, H. Kastrati e P. Brati, i këndojnë një këngë, ku historinë e hapur të trimit martir, Azem Ali Mëshi, e mbyllin me vargjet: Kush jep jetën për vend t’vet / Është gjallë: O kurr’ nuk vdes”/. Poeti e polici Besnik Meta e përcjell në vargje thirrjen e tij e të kohës shqiptare për Azem Ali Mëshin: “O mik i zemrës sonë”. Përndryshe, edhe po e takoj të njohurin tim të hershëm me një kryefjalë shpirti: Tungjatjeta, o Azem Ali Mëshi!”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Azem Ali meshi, NJË NGA 254 MARTIRËT E, POLICISË, SË SHTETIT

NË UDHËKRYQIN MES ËNDRRËS DHE REALES

June 6, 2014 by dgreca

(Mendime krikike për lirikën e poetit Milazim Krasniqi)/
Në poezinë antologjike ”Guri i megjes”, përtej etnografisë shqiptare të mullinjve me gurë ai krijon një situatë të veçantë. Sipas tij, “njerëzit ia bartin peshën në zemër / Që kur humbën paqen në shpirt”. Në të sheh mrekullinë e krijimit të qiejve, të tokës sonë, të jetës sonë. Në këtë vëllim duket se Milazimi në të njëjtën kohë është poet social, atdhetar, filozof, historian, udhëtar, gjeograf, mjek, ushtar, udhëtar. Në fund të fundit, është një poet i lindur. Ai nuk tutet që të nxjerrë edhe shpatën para vdekjes së tij, që është rilindja e vargut e në atë që harrohet si hi i shuar në kohë. Në kuadrin e këtij mesazhi filozofik dhe social, poezia e Milazim Krasniqit është një Dritë Shpirti, për të cilën duhet ta falënderojmë./
Nga Namik Selmani/
Vëllimi poetik i poetit prishtinas Milazim Krasniqi duket së është një kurorë e bukur dritësore e botimevë të tij të shumta në vite, por edhe e Shtëpisë Botuese Amanda Edit në Bukuresht, e cila ka marrë përsipër që të promovojë krijimtarinë më cilësore të poetëve dhe prozatorëve shqiptarë në vitet e fundit. Duket se fjala shqipe në përkthimin e bukureshtarit të talentuar (B. Y.), ndjehet dhe më ngrohtë, më e sigurtë, më obliguese, më e përkushtuar, më e motivuar, kur letërsia shqiptare bashkëkohore shkruhet dhe përkthehet, promovohet në tubime ndërkombëtare, ku ajo po fiton një qytetari të re. Milazim Krasniqi është një nga pjesëtarët gjeneratës së parë të poezisë kosovare që kërkon të përcjellë traditën më të mirë të poezisë sonë, më cilësoren e saj. Ky pasardhës i denjë i shkollës mekuliane është kthyer prej vitesh edhe vetë një “shkollë” e saktë dhe cilësore për poetët e rinj në Kosovë. Në këtë dhjetëvjeçar të fundit, autori ka patur një shumësi botimesh, të cilat, për të qenë të drejtpërdrejtë, jo gjithmonë kanë patur cilësinë e duhur dhe të aftë për të dalë si “ mall” i vyer dhe aftagjatë letrash në tregun tradicional të letërsisë ballkanike dhe evropiane, sado përkthyes të mirë që mund ta marrin përsipër përkthimin e tyre.
Është pak të thuhet se poezia e Milazim Krasniqit ka fytyrën e saj të qartë, që e sheh që larg dhe e dallon bukur mire, sado mjegulla që të dalin para syve. Duke e lexuar dhe e rilexuar këtë poezi, m’u kujtua poeti Martin Camaj që ka lindur jo larg trevës ku ka lindur e ku ende është gjallon në krijimtari, Milazim Krasniqi. Në ballafaqimin që ai bëntë me sallonet arisokratike të letrave gjermane, ai vjente me dinjitet, me një poezi moderne që të mbetet dhe sot në përfytërimin e një imazhi poetik të veçantë. Milazim Krasniqi nuk “ka vrapuar” asnjëherë që të të hedhë në një tavolinë shumë kopertina librash poetikë ku është emri i tij tashmë shumë i njohur edhe në trevat e tjera shqipfolëse veç asaj të Prishtinës. Duket se ai ka bërë me vete atë Besë Shqiptare me fjalën e frymëzuar, siç e kishte bërë kahmoti Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Noli dhe Migjeni.
Kurora e Kujtesës së padiskutueshme për në poetët pavarësisht se kë gjuhë belbëzon nuk është gjithmonë te numri por te vlerat që sjell në letërsinë ballkanike dhe atë evropiane. Tek po shikoja dhe po lumturohesha me këtë përkthim dinjitoz, gati në formën e një antologjie (se në të poezi të zgjedhura), më shkoi mendja te misioni i ri që ka marrë vetë poeti me përkthimin e poezisë së tij. Përkthimi i poezisë në një gjuhë tjetër, të cilën sot po e shijojmë edhe me këtë poet, thuajse të lindur qoftë me një gjuhë që ka miliona e milona lexues apo të një tjetre që ka me mijëra, është rizgjimi fisnik i vargut të saj. Është një mbjellje e re e vargut e shpirtit poetik që në kohëra që vijnë do e begatojnë dhe më mirë Arën e Poezisë së Kombit. Është një zjarr i gjallë dhe një qiell i ri brenda qiellit të poezisë sonë. E për këtë duhet përshëndetur poezia e Milazim Krasniqit si të ishim në një festë të re të Librit Shqip, duke thënë jo si fjalë të përtypura si çimçakëz deri në pafundësi, po fort, fort, se libri i bën nderë jo vetëm poetit veteran, por dhe mbarë letërsisë shqipe.
Sinori i parë befasues që të përshfaqet kur e sheh këtë poezi, duket një argument që e tejkalon tematikën dhe mesazhin, pas të cilit vrapojmë të flasin kritikët, recenzentët. Pra, është Gjuha Poetike e përdorur në të, njësoj si të thuash Tharmi, Maja, pa të cilin mielli më i mirë të jep një “kulaç të ëmbël”. Dikurë është thënë: “ Më jep një gjuhë të kulturuar, të bukur që t’ju jap një komb!”. Në rastin e poetit ka një Kod pak a shumë të përfaërt me të: “Më jep një gjuhë të pastër, të përpunuar, të thellë, që t’ju jap një poet!”
Poezitë e Milazim Krasniqit shumë herë i ngjan vetëtimave që të lënë një ndjesi të shpejtë, të fortë, shungulluese pas vetes, Ai nuk është poet tribunash me fjalën që përdor. Nuk vrapon pas tamtamve të fjalëve që nuk dëgjohen as në rreshtin e parë të një turme, sa anonime po edhe indiferente, po kaq të dehur nga zhurmat e kohës. Jo! Ai është meditues, është goditës në metaforë, është një narrator poetik i lindur dhe i saktë, që ia numuron gati me gishta fjalët e vargut. Shikoni pak titujt e fuqishëm të poezive të tij! Dihet se titulli është goditja dhe kontakti i parë shkronojr që të jep një poet i mire: “Laku i frikës”, “Guri i megjes”, ”Planete të largëta”, ”Vdekja vjen vetëm”, “Fëmija i xhamtë”, “Dalja e atdheut nga ëndrrat”, “Humor i zi” etj.
Mungesa e një farë harmonie vargërore në poezinë e tij brenda rrëfimit klasik tradicional të poezisë shqiptare po dhe botërore, zëvendësohet me një harmoni të brendshme, gati tronditëse në atë që ai përcjell, me një Kod heshtjeje, me Kodin e mentarit që di se ku dhe se kurë të flasë, pavarësisht se gjendet në krye të Odës apo diku nga fundi ku është më afër dalja. Duket se Poezia e tij klith së brendshmi, qoftë si shqiptar, qoftë edhe si njeri i botës së madhe. që ka jo pak halle e shqetësime Më saktë, edhe kur ai merr misionin tashmë shumëshekullor në poezi, që të merret me detin, nuk merret me valët, me diellin me shkumën, po ka një mënyrë të vetën: Det, o det, o gjëmë e bukur
Këlthitu nga ëndërrime të mëdha!
Në poezinë “Shumëzimi i vdekjes” ai shkruan: “Frika do të afrohet tinëzisht/ si krokodili në ujë të turbullt/ përfyrtërimeve të mia/ deri në një çast të vërtetë. Në atë dialog social dhe poetik me jetën, me plagën e madhe të varfërisë, atë e shqetëson shumë varfëria e shpirtit që është ulur këmbëkryq në jetën tone: Sonte kanë ardhur shpirtrat e engjëjt/ Për të na dashur o gjykuar/ Lehtë ia bëjmë me këto të mira në sofër/ Po si t’ia bëjmë me varfërinë e shpirtit? Poeti nuk vrapon pas portreteve poetike, por në ato pak të tilla që vë në libër, ai ka një gjetje të lakmueshme. Në poezinë “Im atë” ballë dramës së jetës dhe forcës së besimit që e ka mbajtur gjallë në jetë ai thotë: Në atë dramë të tij/ Diçka gjithmonë mbetet e paparë/ Diçka mbetet gjithmonë e paparë. Kështu shkruan poeti, për të shkuar më tej te një portret kolektiv të shumë njerëzve: Në të gjithë anët njerëzit nxitojnë/ Dhe çuditërisht u ngjajnë pantomistëve/ Dhe harruar në rolet e tyre.
Në poezinë antologjike ”Guri i megjes”, përtej etnografisë shqiptare të mullinjve me gurë ai krijon një situatë të veçantë. Sipas tij, “njerëzit ia bartin peshën në zemër/ Që kur humbën paqen në shpirt”. Në të sheh mrekullinë e krijimit të qiejve, të tokës sonë, të jetës sonë. Në këtë vëllim duket se Milazimi në të njëjtën kohë është poet social, atdhetar, filozof, historian, udhëtar, gjeograf, mjek, ushtar, udhëtar. Në fund të fundit, është një poet i lindur. Ai nuk tutet që të nxjerrë edhe shpatën para vdekjes së tij, që është rilindja e vargut e në atë që harrohet si hi i shuar në kohë. Në këtë kohë kur lexuesi shqiptar në Kosovë, por dhe në Shqipëri është i “uritur” për vepra cilësore artistike, jemi përballë botimeve me një numër të jashtëzakonshëm të botimeve nga të gjithë moshat, qytetet, fshatrat, aq sa të duket se çdo shtypshkronjë është kthyer në “fabrikë” poezishë.
Brenda lirisë së botimit duket se jemi të gjithë pjestarë të një maratone. Përballë kësaj libromanie, më vjen në mendje mesazh mitik i Dankos, i atij njeriu të fortë, human, të mençur, që mori përsipër që në ballë të një turme njerëzish, mes një pylli të dendur pas të cilit ishte Liria, të shpëtonte Njerëzit. Në të kundërt, ata do të vriteshin nga kundështari. Të gjithë, të gjithë! Kur hijet e zeza të pyllit, lodhja, ankthi, frika i kishte pushtuar të gjithë ata, iu vërsulën Dankos për ta vrarë, se ai nuk po kryente detyrën e tij. Atëherë ndodhi çudia. Ai nxorri nga gjoksi zemrën dhe e bëri diell të vogël në atë pyl ku rrinin bashkë Liria dhe Vdekja. U bënë të lirë. Po mbeti aty, me zemër në dorë, pa u kujtuar për të, pa e falënderuar për sakrificën.
Në kuadrin e këtij mesazhi filozofik dhe social, poezia e Milazim Krasniqit është një Dritë Shpirti, për të cilën duhet ta falënderojmë. Është e vërtetë që ajo ka shumë pasjetë. Ka dhe trishtim, por ai nuk rri i ftohtë ndaj jetës. “Trishtimi e plaku botën”, thotë diku një poet. Por, Milazim Krasniqi na e thyen këtë shprehje me poezinë e tij. (Tiranë, maj 2014)

Filed Under: ESSE Tagged With: DHE REALES, namik Selmani, NË UDHËKRYQIN MES ËNDRRËS

Një “Bibël” për faljen e gjakut

June 5, 2014 by dgreca

Nga Përparim Hysi/
Romani i Pierre- Pandeli Simsisë “Nuse në derë të hasmit” mbrriti në dorën time me shumë vonesë. Pa zmadhuar në këtë që shkruaj, them se sikur libri të qe nisur në këmbë që,matan oqeanit, ku jeton autori, do kishte mbrritur më shpejt. Sidoqoftë, më mirë vonë se sa kurrë. Qe një amanet që, si të gjithë amanetet, nuk e treti dheu. Miku im ( po ky njeri kaq i gjendur për kë nuk është treguar mik?), ingjinieri Spiro Naqo ma solli në dorë, pasi kish ngrënë një gjobë të mirë për parkimin e makinës. Pra, i futur dy herë “borxh”, së pari për autorin dhe së dyti për prurësin (sado që prurësi nuk gjykohet!!!), pak nga pak po paguaj “doganën” me këtë shkrim që si objekt ka romanin në fjalë.
* * *
Dhurata që ma solli të “ngrohtë”, ingjinier Spiroja, më gjeti paksa të ngarkuar me halle familjare. Halle ca të rënda që unë i kaloj o duke lexuar, o duke shkruar. E lexova romanin dhe ,tek qëndroj për të dhënë përshtypjet për të, them: me Simsinë ka ndodhur si me atë thënien e arabëve që thonë: – Mos ia beso të gjitha mikut, se, ku ta dish, një ditë mund të të bëhet armik. Dhe, më tej:- Mos e shaj deri në fund armikun,se një ditë mund të bëhet mik. Se, në fund të fundit, kështu vërtiten ngjarjet në romanin që lakoj. Simsia, ky beratas që ka emigruar në vitet e demokracisë matan oqeanit, në Shqipëri nuk ka qenë shkrimtar. Ka qenë një qytetar i thjeshtë që aspironte për kulturë. Aq sa e kam ndjekur unë (natyrisht, ç’shkruaj për të, të merret me rezervë,se unë nuk njihem me Pierr Simsinë), di që Pierri është një “makineri memoriesh për këngët”, gjë që flet për një njeri që kohën e lirë e ka për të zgjeruar horizontin. Kalimthi, në mos më gabon kujtesa, e kam parë kur tekste të tëra këngësh të kënduara në festivale, i thoshte përmëndësh si të qe një makinë logaritëse. Më tej, kam lexuar prej tij tregime (me kufizime këto,se jo çdo gjë mbaj mend), por, kur erdhi në Tiranë për të promovuar këtë roman, nuk patëm mundësi që t’i hapnim “kartërat”. Gjëra që ndodhin. Isha në sallë. Kur mbaroi promovimi, i dhashë dorën dhe sa shkëmbyem përshëndetjet e kortezisë, u ndamë. As që e dija, që Spiro Mikut i kish lënë një libër për mua. Pra, këtë roman që unë, pasi e lexova, e quaj si një “Bibël” për faljen e gjakut.
* * *
Por para se të them përshtypjet për romanin, nuk kam si mos bëj një analogji të largët që ka ndodhur me dy shkrimtarë të mëdhenjë aty, në Amerikë. Është fjala për të madhin Woolt Witman dhe poeten e bukur, por aq “gojëmbyllur”, Emily Diskinson. U takuan në një stacion treni dhe vetëm sa shkëmbyen duarët: Woolt- Emily dhe kaq. Sikur Diskinsoni të kishte folur,- them unë në një poezi timen,- kushedi seç diej poetik do kishin ngrohur faqet e letërsisë. Po Emilyja mbeti ashtu e drojtur, si një “film pa zë”, për të shpërthyer me njëmijë e pesëqind poezitë e saj të ndryme në sirtar. E solla këtë ndodhi vetëm se kështu ndodhi dhe me mua dhe Simsinë. E sa për analogjinë (ato kurrë nuk janë të qëlluara), vetëm një gjë: ky shkrim po bëhet me vonesë për shkaqe që nuk varen nga unë.
Romani në linjë të prgjithshme ka dashurinë e dy të rinjëve shqiptarë që kanë emigruar në Amerikë. Njohur, rastësisht,ata lidhen pazgjidhmërisht me njëri-tjetrin. Kur “njihen” më mirë, zbulojnë se kanë të fshehta që në “stazhin” e njohjes nuk ia kanë zbuluar njëri- tjetrit. Për të qenë më i drejtpërdrejtë me lexuesit që nuk e kanë lexuar romanin, dashuria e Liridonit me Lean has në një “gërç” që është vështirë të kapërcehet. Si një nyje “Gordiane” që nuk do shpatën mitike të Aleksandrit të madh për t’u prerë, por do urtësi dhe zëmërmadhësi njerëzore për t’u kapërcyer. Nga dashuria e pastër e çiftit Liridon-Lea ka një fëmijë parakohe dhe, pikërisht, në këto çaste, zbulohen të “fshehtat” që janë si një kërcënim real. Lea qëllon të jetë nga një derë, që në lidhje gjaku, kishte hak për të marrë në familjen e Liridonit. Më shumë se kaq, nuk ka se ku të shkoj. Por…
le ta lëmë për një çast se si vazhdon ky roman dashurie, për t’u ndalur tek autori, Pierre- Pandeli Simsia.
* * *
Sado që ka kohë që jeton në Amerikë dhe sado që është qytetar amerikan, tek Simsia ndodh që me trup është atje, matan oqeanit, po me shpirt është në Shqipëri. Kur them në Shqipëri, kjo, Shqipëria për të fillon nga Berati dhe mbaron kudo ku fjalës bukë i thonë bukë. Pse pulson me këtë lloj gjaku, pse jeton me arritjet e hallet e SHiqpërisë, ulet e shkruan një roman ku në qendër të tij, është hakmarrja. Simsia e di mirë: ne jemi “pasagjerë të mesjetës” që duam të udhëtojmë në “trenat modernë të Europës”. Në ndodh që fenomeni gjakmarrjes është bërë një fenomen akut, faji, padyshim, është i politikës dhe shtetit, në radhë të parë. Shteti, në postdemokraci, i ngjan atij “bullarit” që i ka të mbyllur sytë. Gjakmarrja është plagë e hapur që rrjedh dhe plagos shoqërinë. Kundër këtij fenomeni mesjetar ngrihet me penën e tij, Simsia, dhe jo vetëm kaq: nuk ke se si mos entusiazmohesh dhe, njëherësh, ta ndjeshë veten mirë, kur Xhorxhi, dajua e Leas, e fal gjakun. Kjo falje gjaku nuk është as trill dhe as një veprim “deux ex machina”, por rrejdhojë e një pune të madhe, ku një meritë të madhe,sa “komiteti i faljes së gjakut” aq dhe religjioni. Xhorxhi duke qenë një besimtar i thekur i kishës, “dorëzohet” në ndërgjegjen e tij dhe fal gjakun e të vëllait.
Mesazhi që përciell Simsia është një mesazh i bardhë. Ai nuk mund të rrijë symbyllur para një fenomeni që, në të vërtetë, është një atavizëm që nga Mesjeta e largët. Apeli i tij është sa i bukur, aq dhe njerëzor. Bukuria dhe vlera e romanit rriten në finale. Një finale që të mbushë me emocione pozitive dhe mbresëlënëse. Për këtë arsye unë e kam quajtur romanin “Një Bibël” për falen e gjakut,
Tiranë, 5 qershor 2014
*(esse)-Romani “Nuse në derën e hasmit” të Pierre-Pandeli Simsia

Filed Under: ESSE Tagged With: e gjakut, Një "Bibël", për faljen, perparim Hysi

JO,MENTOR QUKU! .. BURRA SI TI, NUK VDESIN KURRË !

June 2, 2014 by dgreca

Foto: MENTOR QUKU (1939 – 2014)/
Nga Fritz RADOVANI/
Shkodra ka humbë një qytetar dhe intelektual të mirfilltë, ndersa, Shqipnia, ka humbë modelin e një Atdhetari të Persosun! Shokët e Tij numroheshin me gishta…
Familja e vjeter shkodrane asht e vertetë se ka pasë dhe uroj të kenë Pinjollë me të cilët ka mese krenohet, po, Mentor Quku, ishte i rrallë në mjedisin e gjithë Shkodres.
I rij në Shpirtë, i pashëm, i qeshun gjithmonë, qyshë se e njoha në vitin 1953 në oborrin e shkollës Pedagogjike të Shkodres, po, mbi të gjitha i dashtun, joshës, dhe nder të veçantit Shqiptar që trashigoi Fisnikinë, Bujarin, Burrninë pa asnjë thermi fanatizmi, e këta janë një visar i çmueshem që Nana e Tij, i mkoi me qumshtin e vet si biluri…
Kam njohë në jetë Burra të vertetë në Shkoder, por nder moshatarët e mij, jo, per zakon se sot duhen thanë këto fjalë, po Shokët e Mentor Qukut, i vijnë rrallë Shkodres dhe gjithë Shqipnisë! E me plot gojë mund të them se Ajo Familje, 60 vjetë perpara kishte tri lule: Lalin, Mentorin e Lilin… Një nder’ i vertetë i Trojeve tona.
Provoi persekutimin e “heshtun”, tue iu privue e drejta me shkue në shkollen e mesme të gjimnazit bashkë me motrat, po gjithmonë kryenaltë se i perkiste asaj “klasë” që nuk pranonte privilegje me turp e faqe të zezë, gja të cilën, Qukët e kanë pague mjaft shtrenjtë nga persekucioni i pashpirtë komunist 47 vjeçar. Provuen burgjet, transferimet nder skajet ma të vështira të vendit, trajtimin antinjerzor komunist, po gjithmonë, dhe pa ma të voglen frikë krenarë dhe dashamirës ndaj shoqnisë së cilës, ua shperblyen me Besë dhe dashamirsi vuejtjen deri në vetflijim, po kurrë, me i sjellë një të keqe sado të vogël shokut dhe mikut nder të gjitha rrethanat e vështira të jetës. Ky ishte edhe Mentori!
Në vitin 1996 e takova rasësisht në rrugë tek Muzeu Popullor… Si gjithnjë, më foli dhe më tregoi se ishte angazhue per me krijue “Të Djathtën e Bashkueme Shkodrane”… Atyperaty…nuk isha optimist! Po, mbas një takimi me një grup qytetarësh tek shkolla Pyjore, ndryshova mendim dhe mora pjesë me qejfë në atë fushatë zgjedhjesh edhe pse asnjëherë nuk jam angazhue me parti politike, madje, ishte pikrisht Mentori dhe Nik Pavaci, që më propozuen si deputet perfaqsues i të Persekutuemëve Politik të Shkodres. Nuk u realizue kjo dëshirë e tyne, se ministria e mbrendshme më dha tri ditë ma vonë, dokumentin e pastertisë së figurës, atëherë, kur Prefekti i Shkodres z. Iljaz Vrioni, më tha: “Je i vonuar, se dje avioni u nis…”, dhe, unë iu pergjegja po me fjalët e tij, në një artikull në gazeten “Shkodra”… Megjithate, në saje të Mentor Qukut, Nikolin Pavacit, Nikolin Destanishtës, Ndrekë Bazhdarit etj., fitoria e së Djathtës së Bashkueme u arrijtë.
Ajo Fitore e Popullit të Shkodres ishte meritë kryesisht e Mentor Qukut, prandej edhe pothuej “askush” nuk e bani zemren gurë me ba një analizë objektive të saj, sepse Aty, ishte Ideali i Popullit të Shkodres, i Bashkuem si asnjëherë rreth një dashunisë Vllaznore, me të cilen, Ai do ti tregonte mbarë Shqipnisë, se vetem kështu ndertohet Demokracia! Asnjë prej Atyne Burrave që e organizuen dhe e arrijtën Fitoren e së Djathtës së Bashkueme Shkodrane, nuk u angazhuen nder poste shtetnore, dhe kjo ishte dëshmija e ndershmënisë së Tyne, gja që vertetonte një nga cilësitë e Tyne të Mëdha Shpirtnore: “Shkodra Antikomuniste asht e Bashkueme!”
Po, a u mjaftue me kaq “drejtori” i Muzeut Shkodres Prof. Mentor Quku?
Nuk besoj se ka njeri që mund të mohojë vleren e madhe të punës së palodhun të Mentorit, që në fillimet e para të luftës per Demokraci të Vertetë, e Ajo fillon atëherë kur qendra e Muzeut u kthye në Vater Pritje të Burrave të Nderuem Shqiptarë si: Profesorët e Pavdekshem Arshi Pipa, Gjon Sinishta, Zonja Camaj, Abaz Ermenji e madje, edhe nga personalitete të mëdha të Besimeve Fetare apo të kulturës Europjane…Pa zanë me gojë botimet dhe kumtesat e organizueme per Krenarinë e Shkodres Martire.

At Gjergj Fishta, Don Ndre Mjedja dhe Luigj Gurakuqi…

Këta Burra ishin frymzimi i Mentor Qukut…
Kjo veprimtari e Mentor Qukut e kishte domethanjen e vet!
Brumosja Shpirtnore dhe qytetare e Tij, në gjurmët e Kolosëve të Mëdhej si At Gjergj Fishta, Don Ndre Mjedja apo Luigj Gurakuqi, e thërrisnin dhe, pikrisht ishte Mentor Quku, që U asht pergjegjë me jeten dhe Veprat e veta, që me plot gojë Sot, mund të mbishkruhen mbi aktivitetin e Tij Atdhetar: “Idealist deri në vdekje per një Shkoder Antikomuniste të Bashkueme!”
Nuk e dojshe sot një lajm si ky per moshatarin tim Mentor Quku, edhe pse jam i sigurt se Ai asht pranë me Ata Burra! Jeta e njerzëve të Nderuem si Mentor Quku nuk mbyllet asnjëherë, se Veprat e Tij janë të Pavdekshme, janë udhë e sigurtë Vllaznimi dhe Bashkimi ashtusi, gjithmonë, Shkodra i ka lindë dy herë Ata: Si Kreatyra Njerzore dhe si Atdhetarë të Perkushtuem në rrugen Heroike të “Rozafës”…
***
Para pak kohe, pa dijtë se ishte tue u mjekue në Itali, i drejtova një pyetje per një nga personazhet e historisë sonë, fushë në të cilen kemi komunikue gjithnjë, dhe ashtu U përgjegjë, tue e mbyllë: “…Vllaznisht, Mentori.”
Një ditë do ta publikoj mendimin Tuej, i dashtun shok i vjeter, mik dhe Vlla, siç më ke konsiderue gjithmonë deri pak ditë perpara!…
Jam shumë larg i dashtun Mentor Quku, me dashtë me kenë këta çaste atje…
I therun thellë në zemer nga dhimbja per Ty, çova mendjen tek At Fishta, dhe mu kujtuen vargjet e Tija:
… “Dal në dritsore me kundrue shatorren,
Qi i Lumi t’ kthielltë ia vuni rruzullimit,
E kqyri hyjt, qi thue, se njaq sy Zotit
Flakojn mbi dhé –…
– e atë botë mendoj per ty.
E, ku t’ a shoh ma t’ flakshem tue xhixhillue
Nji hyll, aty selin un tham me vedi,
Ti do t’ a késh, e syt m’ atë hyll pa da
I nguli, e m’ bahet si me t’ pa. Me emen
Un t’ thrras atë botë n’ per terr. Nji vaj bylbylit,
Qi permallshem nder gemba rrin tue kja
Fatin e vet, a ndoshta, zojt e dashtun,
Jehonë m’i bahet t’ grishunit; e m’ duket
Se bisedoj me ty!… Nuk dekka i miri,
Jo kurr…”
“Nji lule vjeshtet” At Gjergj Fishta, Lirika.

Melbourne, 2 Qershor 2014.

Filed Under: ESSE Tagged With: Jo, MENTOR QUKU! .. BURRA SI TI, NUK VDESIN KURRË !

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 567
  • 568
  • 569
  • 570
  • 571
  • …
  • 605
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT